• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIPLOMA UNIVERSITARE, KURTHI PER T’I MBAJTE ANTIKOMUNISTET LARG PUSHTETIT

July 31, 2017 by dgreca

Imagjinoni për nji moment, nëse në pozitën e Drejtimit të Shqipnisë, gjatë kohës së tranzicionit të tejzgjatun 26 – vjeçar, do të ishin figura të respektueme intelektuale antikomuniste si ajo e Viktor Dostit, Zini Dervishit, Sami Kupit, Ahmet Kolgjinit, Islam Spahisë, Eugjen Merlikës, Dine Dines e shumë të tjerë të cilët ishin vetëm me shkollë të mesme, në vend të atyne që kishin shkollën e naltë të partisë si Ylli Bufi, Sali Berisha, Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta e deri tek ky i sotmi që sillet si zorrë e gjatë, herë çupllak e herë tue mbathun patika t’bardha si halabak në takime serioze zyrtare./1 Hakik Menaok

OPINION NGA HAKIK MENA*/

Në fillim të viteve 90, në momentet e para të zbatimit të planit të Katovicës, nji prej luftrave ma konsekuente që kryen zbatuesit e saj nëpërmjet mediave e pushtetit  ishte : Propoganda për damkosjen e klasës së të persekutuemve si të pa-shkolluem, (dmth pa diploma universitare) dhe si rrjedhojë si e pa-zonja me administrue pushtet e me qeverisë. Mos gaboj, kanë pas kalue edhe nji ligj në at kohë, për moslejimin e personave pa universitet, me u zgjedh deputetë apo në poste të randësishme shtetnore. Aq e fortë dhe frytdhanëse ishte kjo propogandë, sa që zuni vend edhe në psikën e mendjen e nji pjesë të madhe të klasës së të persekutueme, të cilët qëllonte edhe të shpreheshin se: “Ne nuk kemi njerëz me shkollë të naltë e te përgatitun me u perballë me komunistat”, “Ata kanë nji armatë të pa fund kuadrosh me shkollë të naltë”, etj. etj. budallalliqe të këti lloji. Këto klishe u ngulitën gati përdhunshëm në trunin e nji pjesë të madhe të njerzve të klasës tonë.  Për mendimin tim, kjo ishte nji prej mënyrave ma efikase që komunistat e kryen me sukses realizimin e projektit të tyne në drejtim te shkatrrimit të klasës tonë akoma pa e fillu luftën.  Sepse na imponuen me e pranue kët propagandë efikase të tynen si të drejtë e të vërtetë…
Shkolla e naltë, jo se nuk duhet, por nuk asht kusht themelor me qenë i suksesshëm për me qeverisë. Tash, për me qenë objektiv, duhet me e pranu që klasën tonë me të vërtetë ajo kohë e gjeti të lodhun, e të rraskapitun dhe bash ajo pjesa ma e damtueme dhe e persekutueme nuk kishin nji kontigjent njerzish me shkolla të nalta, sepse ua ndaloi rreptësisht sistemi. E natyrisht, në kushte normale idealja do të ishte që çdo nëpunës shtetnor të ketë shkollën e naltë. Megjithëse në shumë vende të botës, madje vende me tradite të hershme demokratike, nuk ekziston nji kusht i tillë. Pra, diploma universitare nuk ashte gjithçka.
Une personalisht besoj gjithashtu që ndonëse shkolla e naltë asht nji element pozitiv për me qenë nji shtetar i mirë, ajo kurrsesi nuk asht gjithçka për me qeverisë. Bazamentet e randsishme për me qenë nji shtetar i mirë, janë: edukata kombtare, intuita ose dhuntia personale e individit për me qeverisë, tradita familjare e ndërgjegjja kombtare, elemente kto qe iu mungonin tansisht klasës politike që propagandonte diçka të tillë. E mbi të gjitha kur mendon se kush e rekomandonte dhe e potenconte diçka të tillë, unë si i ri që isha në at kohë, më acaronte pa masë ma shumë se çdo gja kjo propogandë sa tinzake aq edhe paradoksale.
Në radhë të parë, tinzake, sepse bahej kryekeput për me lanë jashtë çdo vendimmarrjeje të politikës tonë kombtare, klasën e persekutueme, dmth ajken e kombit, pasi që dihej se ato ma të persekutuemit, nuk ishin leju me kry shkollat e nalta. E në radhë të dytë, paradoksale, kur krahasoja figurat e politikes me shkolla të “nalta” të cilat linin shumë për të dëshirue nga çdo aspekt  tue i krahasue me figura intelektuale që kam pas fatin me nejt në internim si psh ( po përmend dy me emna sa për ilustrim, se ka pasë shumë ) ajo e Viktor Dostit (mik i familjes) dhe dajës tim Ahmet Kolgjinit, nga të cilët kam përfitue në shumë fusha, e shumë të tjerë si kto që ndonëse pa shkollë të naltë, se nuk ua kishte leju sistemi, por që nga pregatitja e tyne fare kollaj mund te jepnin leksione në universite  jo në  nji, por në disa fakultete të ndryshme, i tillë ishte formimi i tynë intelektual dhe diapazoni që kishin.
Pra nuk kishe si mos te acaroheshe kur ndigjoje nji propagandë të tillë bazu në argument absurd, të padrejtë, tejet qellimkeq, prej klasës politike të aprovueme prej Ramizoviç qoses. Ma e bukura asht se, edhe pse gjatë gjithë kohës, kjo kastë politike i ka mshue me të madhe me demek domosdoshmërisë së pasjes së diplomës universitare, kur vinte e vjen puna me veprue e zbatue projektet e qeverisë, të  çdo ministrie, drejtues kryesor ishin e janë teknicienë ose profesionistë të huej. E natyrisht kur mendon keto fakte njeriu i ban pyetje vetes. Përse u kërku aq me ngulm shkolla e naltë, në at fillim të ndryshimeve politike ?!
Koha do ta vërtetonte se shkolla, ishte thjesht nji justifikim për me evitu ringritjen e klasës sonë –  thelbësisht antikomuniste, –  në politikën shqiptare dhe ma vonë për me ba të mundun vjedhjen e votave e të pronës private, të vrasjeve dhe eleminimit të kundërshtarëve, të aplikimit të korrupsionit, të shitjes së interesave kombtare e të realizimit të gjithçkaje, perveç qeverisjes me përgjegjësi kombtare.
Imagjinoni për nji moment, nese ne poziten e Kryeministrit te Shqipnise, gjate kohës së tranzicionit të tejzgjatun 26 – vjeçar, do te ishin figura të respektueme intelektuale antikomuniste si ajo e Viktor Dostit, Zini Dervishit, Sami Kupit, Ahmet Kolgjinit, Islam Spahisë, Eugjen Merlikës, Dine Dines e shumë të tjerë të cilët ishin vetëm me shkollë te mesme, në vend të atyne që kishin shkollën e naltë të partisë si Ylli Bufi, Sali Berisha, Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta e deri tek ky i sotmi që sillet si zorrë e gjatë, here çupllak e herë tue mbathun patika t’bardha si halabak në takime serioze zyrtare. Nji gja ashte e sigurt se të parët, ndoshta nuk do te drejtonin me shkopin magjik, por ama, kurrë nuk do të lejonin faktin e mos dënimit të figurës kriminale e perverse të diktatorit Enferr Hoxha, kurrë nuk do të pengonin procesin e dekomunistizimit të vendit, kurrë nuk do të lejonin që votat të vidheshin e vullneti i popullit të deformohesh në zgjedhje, kurrë nuk do te lejonin vjedhjen e pronës private etj. etj. pika kyçe që kanë rezultue problematike në këto 2-3 dekada tranzicioni pseudodemokratik.
Ehh, sikur kjo pjesë e klasës tonë mos të binin pre e propagandës së djallzueme të kastës së Katovicës, ndoshta do të kishim pasë nji shans, të gjithë si popull, për nji qeverisje normale e në nji bazament kombëtar… sa keq që u kapën mbas nji cope kartoni dhe i dhanë vlerë florini.
Por e keqja nuk paska fund, sepse ekziston akoma nji pjesë prej klasës sonë, që besojnë se as sot  nuk kemi njerëz të aftë me drejtue e qeverisë…! Nji fund pa fund…

*Autori u lind në kampet e Internimit. Sot jeton në Nju Xhersi, SHBA. Eshtë Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit për SHBA

Filed Under: Emigracion Tagged With: DIPLOMA UNIVERSITARE, hakik Mena, kurth, larg pushtetit !, për me mbajtë antikomunistët

DIPLOMA UNIVERSITARE

September 10, 2016 by dgreca

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia/
10443417_440593496132822_1097807340613409978_n (1).jpg
     – Mbete gjithë ditën në kompjuter, moj bijë – i tha e ëma kur hyri në dhomë dhe eci drejt saj.
Ajo, si të mos kishte dëgjuar se ç’foli e ëma, klikoi mbi kompjuter dhe figura u zhduk menjëherë. Në ekran, u dukën disa shkronja, që të ëmës iu dukën shumë të vogla për t’i lexuar, ndoshta edhe pse ishte pa syze.
– S’po kuptoj se ç’po ndodh me ty; e ke lidhur jetën vetëm me këtë të uruar kompjuter. Epo edhe kështu nuk bëhet, ngrysu, gdhiu, ti vetëm kompjuter e ke mendjen!
Vajza i dha një shtytje kokës prapa duke e rotulluar, si për të treguar lodhjen e saj, fërkoi tëmthin e majtë me gishtin tregues të dorës, pastaj, si e përgjumur, hapi gojën dhe vuri dorën para saj.
– Mama! Do shkoj në shkollë, në universitet. – Ktheu kokën nga e ëma që po rrinte në këmbë në anën e djathtë të saj. Në fytyrë iu dallua një shprehje gëzimi.
E ëma, si të mos e kishte dëgjuar mirë se ç’i tha e bija, e pyeti: – Ç’farë the? Shkollë, universitet?! – Fytyra e saj menjëherë mori shprehje habie
– Po! – iu përgjigj e bija. Lëvizi karriken rrotulluese pak majtas dhe përsëri u kthye nga e ëma.
– Unë, me kë do rri në shtëpi, nëse ikën ti në universitet? – tha e ëma dhe mblodhi buzët e habitur. Pastaj, duke i dhënë kokës një lëvizje majtas djathtas në shenjë mohimi, foli e habitur: – Universitet!? Nuk ke moshë ti moj bijë tani për në universitet! Shkolla ka kohën dhe vaktin e saj. Ti edhe shkollën e mesme atje, në Shqipëri… – nuk e vazhdoi mendimin ta thoshte deri në fund, ndërsa me vete po thoshte: “Ti edhe shkollën e mesme, me të shtytur, si i thonë fjalës, e more.
– Mama, disa herë t’a kam thënë dhe ti je vetë e ndërgjegjshme, jemi në Amerikë këtu dhe… – i dha flokëve të saja ngjyrë gështenjë një lëvizje me dorë, duke i hedhur prapa kurrizit.
Ajo ishte një vajzë që i kishte kaluar të 30-tat. Jetonte vetëm me të ëmën. Në Sh.B.A. kishin ardhur si fituese të llotarisë amerikane për të qenë banore e përhershme e Amerikës. Në rininë e saj, kishte pasur histori të ndryshme dashurie dhe gjithmonë kishte dalë e zhgënjyer, jo për fajin e saj, siç e thoshte edhe ajo vetë, por nga mentaliteti konservator i meshkujve…
Për të kaluarën e saj, që e kishte hedhur pas krahëve, nuk donte t’ia dinte.
Sapo erdhën në Amerikë, të dyja, nënë e bijë, për të përballuar vështirësitë e fillimit të një jete të re e të panjohur në emigracion, ishin regjistruar në një shkollë me program mësimor dy javor, për përkujdesjen e të moshuarve. Nga ajo shkollë dy javore ishin pajisur edhe me dëshmi kualifikimi, e cila i ndihmoi edhe në gjetjen e menjëhershme të punës.
E ëma ishte e kënaqur me punën që bënte, jo vetëm se paguhej mirë, por i ishte mundësuar edhe fjetja në shtëpinë e të moshuarës së sëmurë.
Në të njëjtin pozicion pune si e ëma ishte edhe e bija, por se ajo, në mbrëmje vinte të flinte në apartamentin e tyre të marë me qira.
Puna e të ëmës nuk zgjati më shumë se tre vjetë; e moshuara ndëroi jetë.
Vajzës i ishte mërzitur puna dhe, si për t’a larguar atë mërzitje, pjesën e mbetur të kohës së lirë e kalonte në kompjuter.
Atë ditë, kur u ul para kompjuterit, midis mesazheve të shumtë në e-mail, i kishte ardhur edhe një mesazh nga një adresë e panjohur.
E klikoi për të lexuar se ç’shkruhej në atë mesazh; nga një universitet jashtë shtetit ku ato banonin, e njoftonin të regjistrohej në atë shkollë e të vazhdonte studimet on-line dhe ajo mund të zgjidhte një nga ato diploma gradimi: bachelor, masters degree, professor doktor.
Iu duk e çuditshme, por edhe një ndjengë gëzimi jetoi në ato çaste. “Si m’a kanë gjetur adresën e e-mail-it!” – mendoi.
E lexoi disa herë atë ç’farë ishte shkruar, plotësimin e formularit dhe të dhënat e tjera. U dyzua pak kur lexoi shumën e majme që duhej për të paguar shkollën, por, mendimi se do pajisej me një diplomë universitare amerikane, si e vetmja mundësi për të ecur në jetë, e qetësoi.
Për të qenë më e qartë me atë ç’farë i kishte ardhur, mendoi të bisedonte direkt me shkollën, sipas numrit të shënuar.
Zëri tjetër matanë telefonit, e mirëpriti kërkesën e saj për t’u regjistruar si studente on-line në atë universitet, madje, ai zë, iu duk i ëmbël dhe e folura e gruas iu duk me kulturë…
Vajza e pranoi edhe pagesën e shkollës.
– Mësimi do jetë on-line, vetëm se, për të qenë korrekte me rregullat e shkollës, duhet të paraqitesh në shkollë në ç’do fundsezoni – i tha zëri matanë telefonit.
– J’u lutem, j’u lutem shumë! Diploma më intereson edhe nëse nuk e kam mundësinë të paraqitem në shkollë…
Ç’do gjë u qartësua…
 
Pas dy vjetë mësimi on-line erdhi dita e shumëpritur. Në ceremoninë e dorëzimit të diplomave, midis studentëve të tjerë, ishte edhe ajo.
Pas ceremonisë përshëndetëse, falenderimit dhe urimit në punën e re të gjithë studentët të veshur me uniformën e diplomimit, u shpërndanë të gëzuar, duke mbajtur në duar diplomën universitare dhe ëndrën e gjetjes së punës.
 
Në shtëpinë e tyre ai sukses i vajzës, mbrojtja e diplomës, nuk mund të kalonte pa një ceremoni gëzimi familjar.
Të dyja, nënë e bijë, menduan të shtrojnë një darkë familjare, ku të ftuar do ishin miqtë dhe shokët e tyre më të afërm.
Në një cep të dhomës, që ishte regulluar bukur, qendronte e varur fotografia e saj në ditën e diplomimit.
Pak e nga pak, dhoma e pritjes u mbush me të ardhurit, fytyrat e tyre ishin të qeshura.
Më të qeshura, dukeshin fytyrat e nënës dhe të bijës.
Disa nga miqtë e ardhur, nuk nguruan të shprehnin habi me veten e tyre.
 
Kishte kaluar, pothuajse një vit e gjysëm dhe vajza ishte akoma në pritjen e gjetjes së ndonjë pune.
Kishte trokitur në shumë dyer zyrash dhe kompani të ndryshme. E kishin mirëpritur në takimin e parë dhe, kur kishin parë diplomën e shkollës on-line, nuk e kishin vazhduar më bisedën.
Asaj vetëm i premtuan, duke e përcjellë me fjalët refren: “Po j’u shënojmë numrin tuaj të telefonit dhe, mundësia e parë që do na krijohet për punë do t’ju thërrasim vetë”.
Për t’a bërë bindës atë fakt, diplomën e fotokopjonin në sy të vajzës, e fusnin në sirtarë dhe për t’a hedhur më vonë në koshin e plehrave.
Ajo pritje e gjatë, asaj nuk po i pëlqente edhe pse mundohej të mos e shprehte shqetësimin në sy të së ëmës, ndërsa, vetë e ëma kishte kohë që po e brehte meraku dhe shqetësimi i mosgjetjes së punës.
Një ditë, nuk nguroi t‘ thoshte: – Paguam gjithë ato para’ moj bijë, bëre gjithë atë shkollë dhe, punë nuk ke gjetur akoma. Po bëhen gati dy vjetë. Ajo shkolla e parë që bëmë bashkë, vërtet dy javore ishte, por, jo vetëm që nuk paguam, por edhe punën na e gjeti menjëherë.
Edhe vajza vetë e dinte mirë, që ajo diplomë universitare online nuk kishte shumë vlerë dhe mundësi gjetje pune.
Mendoi të kthehej në Shqipëri, si e vetmja mundësi për t’u punësuar. “E kam armën e fortë tani; kam diplomën nga një universitet amerikan” – dhe buzëqeshi me kënaqësi.
Iu kujtua një e njohura e saj para pak kohësh, që kishte mbaruar shkollën dhe ishte diplomuar on-line si edhe ajo. Ishte kthyer në Shqipëri dhe menjëherë ishte punësuar, madje edhe në administratën e lartë shtetërore.

Filed Under: LETERSI Tagged With: DIPLOMA UNIVERSITARE, Pierre-Pandeli Simsia

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT