• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SI SILLET BOTA OR BURRA …

April 11, 2023 by s p

Dom Gjergj Meta/

Kjo shprehje e zhargonit, të cilën e dëgjojmë rëndom ndër njerëz, herë si pyetje retorike e herë si një lloj pohimi përmbyllës kur dikush mëton të thotë diçka të madhe, ishte ajo ç’ka thashë me vete më së pari, kur pashë Kardinal Troshanin krah Papa Françeskut në bekimin e tij “Urbi et orbi” në ballkonin e Shën Pjetrit të Dielën e Pashkës.

“Eh, – vazhdova – 27 vite burg, përndjekje, mënjanim, përqeshje, tallje, pikërisht për shkak të besnikërisë së tij ndaj Papës, dhe ja ku është sot krah për krah me të në ballkon, i pari dhe i vetmi klerik katolik shqiptar që e ka shoqëruar Atin e Shenjtë në bekimin e përvitshëm “Urbi et orbi”.

Sa herë ne katolikët shqiptarë i kemi pritur Papët nga ekrani i televizorëve apo nga valët e Radio Vatikanit për atë bekim dhe për të dëgjuar urimin në shqip: “Përshumot Pashkët!”. Dhe çfarë privilegji që ndër mbi 120 kardinalë që ka Kisha Katolike, përzgjidhet që t’i rrijë pranë Papës pikërisht Ernest Troshani, prifti shqiptar! Hë?! A kemi gja me thanë?! Asgja! Duhet vetëm me heshtë e me kundrue misterin që qëndron thuajse shpotitës midis nesh.

Ah, mor dom Ernest, njimend bota sillet e mjerë kush nuk e di! – Ka një kohë për gjithçka. – na thotë Kishtari. Ti jetove kohën që vajtuesja mirditore gjithë mend e quante koha kur “…u ulën kodrat e u çuen prroskat”. Ti me jetën tënde na tregon se njerëzit e vegjël kërkojnë lartësitë për me u duk dhe të mëdhenjtë e përnjimendtë rrijnë në ultësira, sepse e dinë se janë tashma nalt dhe e bajnë hijen e randë.

Ti na mëson se kenosis është e vërtetë: Krishti u zhvesh për me na vesh ne, u ba i varfër për me na pasuru ne. Ai zbriti dhe Hyji e lartësoi, ashtu sikurse ty.

Por ne jemi kujtesëshkurtër, harrojmë e përsërisim. Kështu edhe ty, ashtu si profetëve, ne, bijtë e etërve mizorë që dikur të poshtëruan, tani të ngremë përmendore, sepse na duhesh. Të nderojmë e të japim çmime, sepse na kujton atë brejtje ndërgjegjeje që duam ta fshehim.

Pa asnjë rremendje, gjithsesi. Koha e vrasjes së profetëve, e salvimit të tyre, nuk kalon kurrë. Çdo brezni nderon profetët e së shkuarës, por vret ata të së tashmes, që t’iu lërë mundësinë e përmendoreve brezave të ardhshëm. Sa të ngjashëm jemi me veten!

Sillet bota, dom Simon, e bashkë me të edhe ne. Të lumët ne që të kemi!

Filed Under: Featured Tagged With: Dom Gjergj Meta

Në vend të një requiem për Kolec Çefën

August 27, 2021 by s p

Imzot Gjergj Meta – Ipeshkvi i Rreshenit/

Kolec Çefa paska vdekë! Paska vdekë një burrë i vyer!Lajmin ma dha Klaudia Bumçi e Radio Vatikanit. Më erdhi keq, por më shumë turp nga vetja që Koleci jo vetëm ka vdekë, por tashma edhe qenka varrosur në Shkodër e nuk kam qenë për me i thanë dy uratë e me ia hedhë një grusht dhe. Për ma shumë asnjë rresht nekrologji apo një kronikë sado të vogël lajmesh, së paku ne tv lokale të Shkodrës, për një njeri i cili ia kushtoi jetën e tij arsimit dhe kulturës, punoi me Mons. Frano Illinë, botoi libra e shkrime duke lartësu punën dhe rezistencën e klerit në Shqipëri, na dhuroi tekste kritike dhe dokumenta të panjohur për Fishtën, shkrime të shumta, përmbledhë në vëllimin “Kur e vërteta flet ndryshe” botuar në vitin 2010. Koleci nuk mund të ikte kështu, anonim. Nuk e meritonte. Koleci u lind në Shkodër me 26 shkurt të vitit 1937 prej Tefës e Rozës. Punoi mësues në Pukë e në Katunde të Shkodrës ku e kujtojnë me shumë respekt. Kolecin e kam njohur personalisht në Tiranë kur kam qenë prift krejt i ri në Katedralen e Tiranës. Aty vinte në meshë për çdo ditë diele. U bëmë miq e shkoja shpesh ta takoja te shtëpia e tij. Një burrë i urtë e i shtruar, energjik në biseda, plot dije e kujtesë historike, një katolik i devotshëm. Kishte zgjedhur të jetonte i pamartuar, por i përkushtuar ndaj kulturës dhe historisë, sidomos për pjesën veriore e veçanërisht për Shkodrën që nuk e hiqte nga goja. Vitet kalonin e unë lëviza për misione të tjera, por sa herë qëllonte puna në Tiranë ne shiheshim e bisedonim, edhe pse shkurt, në shkallët e Katedrales së Shën Palit. Trupi i tij i gjatë, folkët e bardha dhe biseda e shtruar e bënin Kolecin një burrë dhe bashkëbisedues të këndshëm. Kishte gjithmonë diçka për të thënë. Kishte njohur pothuajse të gjithë meshtarët e vrarë apo të burgosur e mund të fliste për secilin prej tyre. U kushtoi shkrime e jetshkrime, përderi edhe Marie Tucit të stigmatineve. Me gegnishten e tij shkodrane Koleci dëgjohej pa t’u bërë i mërzitshëm. Kohët e fundit nuk e kisha parë më e as kisha dëgjuar për të. Sigurisht vdekja vjen një ditë për të gjithë e nuk mund të bëjmë tjetër veçse t’i përgatitemi asaj sa më mirë të jetë e mundur. Koleci me siguri, me fenë e gjallë që ka pasur, i është përgatitë asaj. Vdekjen ia kemi hak Zotit, por anonimatin nuk mund t’ia lejojmë vetes, sidomos për njerëz si Kolec Çefa që i kanë dhënë diçka vendit, shoqërisë, historisë dhe kulturës. E koleci i ka dhënë edhe Kishës. Pushofsh në paqe Kolec e na fal që vetëm tash u kujtuam për ty. Fale edhe Shkodrën që aq shumë e deshe, por që ndoshta e hutuar nga jeta e zymtë e këtyre kohëve, nuk u kujtua për një bir të sajin të devotshëm. Krishti të pastë në parriz Kolec!

+ Dr. Gjergj Meta

Filed Under: Kronike Tagged With: Dom Gjergj Meta, Kolec Cefa, Requiem Kolec Cefa

Dom Gjergj Meta:“Don Bosko” na përket të gjithëve

June 4, 2015 by dgreca

Bbashkësia e qendrës profesionale “Don Bosko” ka protestuar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që u kthen pronarëve 15.000 m2 të territorit ku është ngritur qendra “Don Bosko”, për të ndërtuar pallat.
Në planin pjesor të kësaj zone parashikohet që në këtë truall të ndërtohen pallate 7-katëshe. Në vitin 1992, qeveria shqiptare ia kanë dhënë këtë terren nunciaturës apostolike për një periudhë 49-vjeçare, për të ndërtuar një qendër të forumit kulturor dhe profesional për të rinjtë.
Përfaqësuesi i Kishës Katolike, dom Gjergj Meta, pjesëmarrës në këtë protestë, veç shtetit i ka bërë thirrje dhe familjes Petrela, të cilëve u është kthyer prona, të mos i prishin këto ambiente.
“Pretendohet se është e familjes Petrela, një nga familjet më të mëdha dhe të nderuara të Tiranës. Këto hapësira të ‘Don Bosko’-s i përkasin gjithë qytetit, prandaj, përveç gjykatësve dhe sistemit gjyqësor, për të cilin shpeshherë kemi bërë kritika, u bëjmë thirrje dhe atyre që pretendojnë të ndërtojnë këtu që të vënë dorën në zemër, sepse kjo na përket të gjithëve”, – thotë Don Gjergj Meta.

Filed Under: Kronike Tagged With: Dom Bosko, Dom Gjergj Meta, Qendra

Ditar Periferie”, guximi për të vërtetën

June 11, 2013 by dgreca

Nga Bardhyl Ukcamaj*/

Te dashur pjesmarres,/

“Ditar Periferie” titullohet libri me autor Gjergj Metën. Publicistike e botuar ne shtypin shqiptar ne harkun kohor te nje dekade, shkruar me elegance nga nje intelekual i vetedishem per rolin dhe pergjegjesine e tij ne nje shoqeri te hapur. Libri pasqyron koloritin e jetes shqiptare ne nisje te shekullit te XXI-te, duke iu përkushtuar çështjeve morale e sociale, kulturore e shpirterore dhe përgjegjësive individuale me dashuri, ne thedhesi e pa droje.

Ne liber shkruhet për varfërinë, mungesen e se drejtes, për abortin, për devijacionet seksuale, vetëvrasjen, te miren dhe te ligen njerezore, kristianizmin e ateizmin, politiken, kulturen dhe ekonomine, tranzicionin dhe kompleksitetin e njeriut modern si koncept. Autori nuk i frigohet dhimjes qe shkakton e verteta ne ambientin social, anipse e verteta ne shoqerine shqiptare eshte e dhimshme. Si nje shoqeri ne tranzicion (sipas dom Gjergji qe nga viti 1912-te), ka prodhuar padrejtesi gjithfaresh per individin e zakonshem. Pas nje diktature te ashper, ideja per nje shtet demokratik, nje shoqeri jo te hapur ndaj vlerave prendimore por te bazuar mbi vlerat e perendimit duket me shume si nje enderr idealistesh se sa nje realitet i perditshmerise. Andaj edhe shkruan :“Kerkimi i se vertetes eshte guximi per te verteten. Po. Sepse e verteta kerkon guxim. Ajo, kur del ne drite, shpeshhere dhemb, por ama ka fuqi sheruese”

Me një stil të zhdërvjellët dhe mjaft tërheqës, kleriku publicist pasqyron me dashuri nje tablo gri te jetes plot derte te nje Shqiperie, qe jeton ne konfuzitet kohen e endrrimit te ndryshimeve historike. Perpjekja për të dritesuar sa mundet këte botë njerëzore ështe zgjedhur jo rastesisht nga periferite e kryeqytetit. Njeriu nevojtar eshte heroi i publicistikes se tij. Personazhe, si “Plaku mbi urë” apo Zefi 82-vjeçar në “Ditar mjerimi” jane e verteta qe vret, pasqyra e nje shoqerie qe ne mungese te bukes se perditshme te njeriut nevojtar, nje pakice skajore lahet nje luksin e modernitetit fale korrupsionit e prostitucionit politik, ekonomik e social. Kur them kete te kuptohemi kurre nuk kam besuar e as besoj ne mundesine e barazise politike, sociale opo kulturore por ne parimin e larte te drejtesise politike, sociale e kulturore.E pra sipas meje drejtesi ne atdheun tone as ka pasur e as ka. Ne keto kushte eshte perdorur me vend shprehja e Dantes: “ Vendi me i erret i ferrit eshte per ata qe ruajne neutralitetin ne kohe krizash morale”. E pra inteligjenca shqiptare qe mund te ushqehet edhe pa meshiren e oligarkise korruptive te pushtetit duhet te thyeje heshtjen e ti prije me sa mundet e si mundet ndryshimit shoqeror.

“Qëllimi im është të mos i mbyll derën askujt (shprehet dom Gjergji), përveç të keqes. Jam antikomunist, por nuk jam kundër komunistëve, dënoj aktin, por jo personin që e ka kryer atë. Unë nuk akuzoj askënd, por bashkëndaj faje, qoftë për heshtjen apo për mosveprimin në një moment të caktuar”. Ne kete fryme jane opinionet, replikat therese dhe analizat e kujdesshme te ketij botimi. Nga shkrimi i pare i librit “Mesha e Lirise” tek i fundit “Pertej shkretetires, shpresa”, lajtmotivi i shkrimeve të klerikut publicist është dashuria e bazuar mbi konceptin kristian te njeriut.

Emri i Dom Gjergj Metës që shërbeu prej vitesh ne periferite e Tiranes e tashme po i rikthehet qyetit te tij Durrësit, per te kontribuar ne ate Katedrale ku sherbyen perlate te shquar te kishes katolike si At. Vincent Prenushi e Dom Nikolle Kacorri është jo pak në vëmendje edhe të botës mediatike. Në rrugen e klerikeve te shquar te Kishës Katolike Shqiptare te para dhe pas komunizmit nga At Anton Arapi e At Gjergj Fishta tek At Zef Pllumi e Imzot Rrok Mirdita publicistika e Dom Gjergjit na dëshmojne se modeli i njeriut kristian ka të bëjë me pranimin e dinjitetit individual të njeriut, respektimin e lirisë dhe ushqimimin e dashurise, mbrojtjen e jetës, ruajtjen e vlerave kristiane të familjes dhe perkushtimin atdhetar. Na deshmojne per nje nivel superior intelektual, per nje tradite te Kishes Katolike Shqiptare. Kjo tradite e rilindur shpresojme ti riktheje kete shkelqim te humbur (pergjate diktatures) botes shqiptare por edhe asaj ballkanike ne hapsiren e qyteterimit prendimor.

Miku im apo me sakte miku yne i dashur Dom Gjergji, intelektual par excellence i breznise se re shqiptare, urime per kete sherbese te mire shoqerore e mirseardhe ne New York. Urime!

* Fjale e mbajtuar me rastin e prezentimit te librit publicistik te Dom Gjergjit

Filed Under: Kulture Tagged With: Bardhyl Ukcamaj, ditar periferie, Dom Gjergj Meta

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT