• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ja si e sulmonte “Vatrën” komunizmi…

June 15, 2021 by dgreca

Edhe nje here per Dosjen sekrete te ish-Sigurimit të Shtetit…/

Përgatiti: Eneida Jaçaj*-New York/

Shqiptarët e Amerikës u bashkuan për të zyrtarizuar më 13 qershor të vitit 1912 në Boston, Federatën Panshqiptare “Vatra”, në funksion të çështjes shqiptare dhe interesave madhore të vendit. Ishin personalitetet si Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams, Paskal Aleks etj, që u mobilizuan për t’i dhënë jetë “Vatrës” në shërbim të çështjes kombëtare, çlirimit të vendit nga zgjedha e huaj dhe më pas vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri. 

Fan Noli dhe Faik Konica, dy personalitete të shquara dhe themelues të “Vatrës”, lobuan fort në sallonet e Europës, zhvilluan takime me personalitete të huaja, ku në bazë të diskutimeve patën interesat kombëtare të Shqipërisë. “Vatra” ka dhënë një kontribut madhor për moscopëtimin e Shqipërisë, dhe gjithashtu objektiv të saj ka patur demokratizimin e Shqipërisë, rritjen e ekonomisë dhe uljen e analfabetizmit. Federata Panshqiptare “Vatra” vijon misionin e saj duke mos i shkëputur lidhjet me atdheun, në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe interesave kombëtare të Shqipërisë.

Pavarësisht kontributit madhor për çlirimin e vendit, çështjes kombëtare, misioni i Federatës “Vatra” në vijimësi u godit fort nga regjimi komunist i instaluar në 1945-ën.  

Pas përpjekjeve për çlirimin e vendit, shqiptarët e Amerikës vijuan lobimin për demokratizimin e vendit, lirinë e fjalës, u pozicionuan kundër censurës dhe shkeljes së të drejtave të shqiptarëve, për shkak të diktaturës. 

Kjo politikë nuk ishte në funksion të interesave të regjimit komunist, ndërsa udhëheqësi-diktator, i cili synonte të mbante popullin të nënshtruar, ndërmori një sërë sulmesh në drejtim të “Vatrës”. Regjimi komunist propagandonte se Federata Pashqiptare “Vatra” zhvillon një veprimtari armiqësore kundër Republikës së Shqipërisë dhe Socializmit. Madje arrinte deri aty saqë shqiptarët e Amerikës i quante agjentë të amerikanëve, analfabetë dhe njerëz jo të mirë. 

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 ka publikuar dosjen sekrete të “Vatrës”, me tre vëllime, e survejuar për dekada nga Sigurimi i Shtetit, me mbi 800 faqe dokumentacion. 

Komunizmi sulmonte edhe gazetën “Dielli”, pjesë e “Vatrës. “Vatra” në pjesën më të madhe përbëhet nga elementë pak a shumë në gjendje të mirë ekonomike. Kjo është organizata më e vjetër dhe gjithmonë në kryesi të saj kanë qenë dhe janë njerëz që janë agjentë të amerikanëve. Qëndrimi i kësaj organizate tani dhe sidomos i gazetës së saj, nuk është i mirë. Gazeta Dielli dhe kryesisht Qerim Panariti zhvillojnë një propagandë reaksionare kundër republikës tonë dhe kampit të socializmit. Kjo vjen sepse drejruesit e kësaj shoqërie në pjesën më të madhe nuk janë njerëz të mirë nuk janë njerëz të mirë”, thuhet në dosje. Pavarësisht sulmeve nga një sociopat dhe primitv, “Vatrës” nuk do t’i venitet merita që ka dhënë për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi. Faik Konica e ka përshkruar punën e “Vatrës” me këto fjalë në gazetën “Dielli” më datë 7 korrik 1922:

“Në ditët e errëta kur Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtritë e huaja, kur shteti ish përmbysur, dhe kur flitej sheshit për copëtimit e vendit, “Vatra”, e këshilluar nga një pakicë patriotësh e shtyrë nga atdhedashuria dhe dëshira e anëtarëve të saj, e inkurajuar nga zëri i popullit i tërë shqiptarëve, e mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur. Nuk kërkoji nderet as të drejtën e shtetit po mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzimet e “Vatrës” u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u subsidiuan agjenci, u kablluan mijëra protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë, dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga “Vatra”….

Dosja sekrete

Më poshtë paraqitet një pjesë nga dosja sekrete për Vatrën, e survejuar nga Sigurimi i Shtetit. “Dosja sekrete, Aprovohet, Drejtori i Zbulimit Politik, Jonuz Mersini Tiranë, 29/9/1970.

Vendim

Unë, punëtori operativ, Idaet Xhanaj, efektiv i Drejtorisë së Zbulimit, pasi shqyrtova materialet e organizatës “Vatra”, e formuar në vitin1909 prej Fan Nolit, Faik Konicës e të tjerë, dhe pasi gjeta se vitet e fundit është vënë plotësisht në shërbim të zbulimit amerikan, dhe aktualisht zhvillon aktivitet armiqësor ndaj vendit tonë si nëpërmjet anëtarëve të saj, po ashtu edhe nëpërmjet gazetës së saj, “Dielli”.

Vendosa të çel dosjen e kësaj organizate për të bërë përpunimin e mëtejshëm, për t’u informar mbi aktivitetin e saj, mbi koordinimin e veprimtarisë me zbulimet armike, mbi divergjencat në radhët e saj.

Pëlqehet

Kryetari i degës, 

Hasa Luci

Relacion mbi gendjen e kolonisë shqiptare në SHBA

Kolonia Shqiptare në Amerikë është një nga kolonitë më të vjetra dhe më të mëdha në Perëndim. Emigracioni Ekonomik Shqiptar ka filluar qysh nga viti 1900 për shkaqe që dihen, dhe ka vazhduar duke u shtuar deri në vitin 1940. Afro 20 për qind prej tyre kanë marrë edhe familjet me vete. Kolonia Shqiptare përbëhet prej afro 40 mijë frymë, dhe është përqëndruar në qytetet Boston, Nju York, Filadelfia, Ustri, Detroit, Chicago, Karolina, Uashington, San Francisco; qëndra e gjithë kolonisë është në Boston, pasi aty janë kryesitë e shoqërive dhe kryesitë fetare. Sot, afro 80 për qind pre j tyre punojnë në restorante, hotele, 5 % në fabrikë, dhe 10 % kanë prona private, si magazina, shtëpi etj. 

Nga zhvillimi arsimor dhe politik, kolonia përfaqëson një masë të madhe analfabetësh ose që dinë pak shkrim, të pazhvilluar nga ana politike dhe që janë shumë fetarë. Rinia e dalë nga familjet shqiptare në Amerikë, është edukuar në shkollat amerikane, pasi nevoja e një shkolle shqipe në koloni është ndjerë shumë.

Emigrantët Ekonomikë janë ndarë në dy shoqëri: Vatra me gazetën e saj Dielli, me kryetar Fan Nolin, dhe Editor Qerim Panaritin, dhe Shqipëria e Lirë me gazetën e saj “Liria”, me kryetar dr. Xhon Nase nga Berati dhe editor Dhimitër Trebicka, nga Korça.

Pjesa më e madhe shqiptarëve nuk marrin pjesë në këto shoqëri si aëtarë të rregullt, vetëm se marrin gazetat e tyre. Shoqëria “Vatra” në pjesën më të madhe përbëhet nga elementë pak a shumë në gjendje të mirë ekonomike. Kjo është organizata më e vjetër dhe gjithmonë në kryesi të saj kanë qenë dhe janë njerëz që janë agjentë të amerikanëve. Qëndrimi i kësaj organizate tani dhe sidomos i gazetës së saj, nuk është i mirë. Gazeta “Dielli” dhe kryesisht Qerim Panariti zhvillojnë një propagandë reaksionare kundër republikës sonë dhe kampit të socializmit. Kjo vjen sepse drejtuesit e kësaj shoqërie në pjesën më të madhe, nuk janë njerëz të mirë”, thuhet në dosjen sekrete.

  • Gazeta Dielli ne print dhe Online ka publikuar nje cikel me shkrime rreth gjurmimit te Vatres nga Ish sigurimi, pasi Dosja e Vatres ndohet ne seline e saj ne New York

Filed Under: Analiza, Vatra Tagged With: Dosja e Sigurimit, Eneida Jacaj, Vatra

DOSJE-Si u përndoq poeti Faslli Haliti nga Sigurimi,- denoncim nga Koleget

November 30, 2015 by dgreca

VIJOJNË PJESË NGA LIBRI ” KADARE I DENONCUAR” I GAZETARIT DHE PUBLICISTIT TE NJOHUR DASHNOR KALOCI/*
“Çuditemi me Ismail Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit”?/

Arkivi Qëndror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973/

 Kapitulli  i XXI-të  /  

-Ne dhe shumë pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar nga Shtëpia e Kulturës e qytetit tonë për librin “Sot”, të Faslli Halitit, s’pajtohemi as me mendimet subjektive të Ismail Kadaresë dhe as me çmimin e tretë që zhuria e poezisë i dha këtij vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut tone…?!

                        Kapllan Resuli, shkrimtar

                        Spiro  Dinaku, nënpunës

                        Hysen Kurti, punëtor

Dokumenti që po botojmë në këtë pjesë të librit, është një informacion që shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Ilo Kodra, i bën eprorit të tij, lidhur me një problem që ka ndodhur në rrethin letrar të Lushnjes, në mes drejtuesit të atij rrethi Hasan Çobani dhe poetit e letrarit të ri, Faslli Haliti. Po kështu pjesë e kësaj dosje, janë edhe dy tre letra të tjera: Një kërkesë e Faslli Halitit për një takim me sekretarin e Komitetit Qëndror, letra e një “grupi shokësh” nga Lushnja, dhe një artikulli i gazetës lokale “Shkëndia” të atij qyteti, me titull  “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”. Të gjitha këto janë dërguar në adresë të Komitetit Qëndror, ku sekretari Ilo Kodra, pasi ka bërë një përmbledhje të tyre, ku ka shënuar si pretendimet e Halitit dhe të Çobanit, ia ka dorzuar shefit të tij, Ramiz Alia. Sipas të gjitha letrave që ndodhen në atë dosje, dhe asaj ç’ka ka shkruar Ilo Kodra në përmbledhjen e këtyre letrave, debati në mes drejtuesit të rrethit letrar të Lushnjes dhe poetit Faslli Haliti, ka ardhur pasi Faslliu ka paraqitur një poemë për botim në ALMANAK-un e Lushnjes dhe Çobani jo vetëm që nuk ja ka botuar, por i ka thënë atij se atë do ta dërgonte në Degën e Brendëshme, pasi ishte poemë armiqësore. Pas kësaj, Faslliu e ripunon poemën (“Dielli dhe rrëkerat”) dhe e dërgon në gazetën “Zëri i Rinisë”, e cila e boton menjëherë. I nxehur tej mase nga kjo gjë, Hasan Çobani mbledh rrethin letrar dhe i nxit një grup të rinjsh që të shkruajnë një shkrim kritik kundër poemës së Halitit. Dhe ky shkrim me titull “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”, u botua në gazetën lokale “Shkëndia” të atij qyteti. Por ngjarja nuk mbaron këtu. Pas artikullit tejet kritik në “Shkëndia”, rrethi letrar i Lushnjes organizon një tjetër diskutim krijues duke marrë në analizë poemën e Halitit “Dielli dhe rrëkerat”, në të cilën merr pjesë dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë Rrapi Gjermeni. Në atë takim letrarësh, Faslli Haliti është vënë në bankon e të akuzuarëve, njësoj si në një gjyq politik dhe kjo gjë duket qartë edhe nga shënimet që ka mbajtur Sekretari i Parë Rrapi Gjermeni. Por ky demaskim publik dhe këto sulme ndaj letrarit të ri Faslli Haliti, nuk ishin të vetmet, pasi dy tre vjet më parë, shkrimtari Kapallan Resuli (emigrant politik, i ardhur në Shqipëri nga Jugosllavia, në atë kohë mësues në fshatrat e Lushnjes), kishte shkruar një artikull të gjatë kundër tij si person (Faslliut), dhe gjithë krijimtarisë letrare, të cilin e dërgon për botim në gazetën “Zëri i Popullit”. Bashkë me Resulin, në atë artikull që nuk dihet se përse nuk u botua kurrë, kanë firmosur si bashkëautorë dhe Spiro Dinaku, (nënpunës), Hysen Kurti, (punëtor). Në atë artikull, apo më saktë “pretëncë prokurori”, Resuli dhe dy firmëtarët e tjerë të shkrimit, e kanë nxirë të gjithë punën dhe krijimtarinë e Halitit, duke e akuzuar hapur, si “armik i partisë dhe i popullit”. Po ashtu në atë artikull, ata kanë akuzuar edhe shkrimtarin Ismail Kadare që ka vlerësuar atë në shtyp, ku midis të tjerash shprehen:“Çuditemi me autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ndërsa diku më poshtë lidhur me vlersimin që Kadare, i ka bërë një poeme të Halitit, Resuli dhe dy bashkëautorët e shkrimit, janë shprehur: “Na vjen të qeshim me autorin e shkrimit kritik të Faslli Halitit”?!Po të shohim me vëmëndje si artikullin e Resulit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, ashtu dhe se si janë zhvilluar ngjarjet, disa vjet para dhe pas asaj përplasje në mes Faslli Halitit dhe rrethit letrar të Lushnjes, do vëmë re se problemi nuk është aq i thjeshtë. Apo më saktë, gjithë ajo furi sulmesh nuk drejtoheshin kundër Faslli Halitit, por direkt ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. I cili ishte personi që nga pozicioni i redaktorit, i kishte botuar Halitit, vëllimin e parë me poezi, edhe pse nuk kishte asnjë njohje me poetin e ri lushnjar, por për faktin e thjeshtë, se poezitë e tij i kishin pëlqyer. Gjë e cila kishte sjellë sa gëzim e lumturi tek Haliti e rrethi i tij miqësor, aq dhe shumë xhelozi dhe zili tek letrarët e tjerë të aij qyteti të vogël në zemër të Myzeqesë. Kjo pasi asokohe jo vetëm botimi i një libri, por dhe i një poezie apo vjershe të vetme me dy tre strofa rradhitur diku në një cep gazete, bënte të njohur dhe me shumë emër e autoritet autorin e saj. Dhe kjo gjë ndodhte, kur poezitë apo vëllimi poetik vlersohej nga kritika, ndërsa e kundërta, kur ajo sulmohej, siç ndodhi në rastin konkret ndaj Halitit, jeta e autorit merrte tjetër drejtim dhe nuk dihet se si shkonte fati i tij?! Kështu ndodhi dhe me Halitin, i cili vetëm për ato sulme që u bënë ndaj tij, u hoq nga arsimi dhe përfundoi për gati dhjetë vjet me rradhë si punëtor i thjeshtë me kazëm e lopatë në bujqësi dhe ndërrmarjen komunale të qytetit të Lushnjes. Tre vjet më vonë, (viti 1970), ndërsa Haliti vazhdonte punën në bujqësi, Kapllan Resuli arrestohet dhe dënohet me dhjetë vite burg politik, duke u akuzuar për agjitacion e propagandë, përgatitje për terror etj etj. Të gjitha akuza të montuara nga Sigurimi i Shtetit, ashtu siç janë dënuar një pjesë e madhe e emigrantëve politik kosovarë që vinin në Shqipëri. Dhe gjatë “grumbullimit të provave” nga hetuesia, iu kërkua dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë (ku Resuli ishte anëtar), si dhe organeve të tjera të shtypit, që të dërgonin pranë sektorit përkatës në Komitetin Qëndror të PPSH-së, çdo dorëshkrim apo letër që kishte të bënte me Kapllan Resulin. Kështu artikulli i Resulit me shënimin përkatës të Ibrahim Uruçit, (sekretar i organizatës bazë të partisë të Lidhje së Shkrimtarëve dhe Artistëve), si dhe me një shënim vlerësues e dashamirës qe kishte bërë kritiku Muzafer Xhaxhiu për Halitin, u dërgua në Komitetin Qëndror të PPSH-së. Kjo gjë e duket edhe nga shënimi që ka bërë Uruçi në shkresën përcjellëse të këtyre dokumenteve dërguar Pirro Kondit. Por nuk është kjo gjëja kryesore që u zgjatëm në këto shpjegime, por për të dalë te arsyeja e vërtetë sepse Kapllan Resuli sulmonte Kadarenë? Lidhur me këtë apo dhe më përplasjet e tjera që Kapllan Resuli ka pasur me Kadarenë që nga viti 1966, ai ka dhënë shpjegimet dhe versionet e tija, madje duke bërë edhe një libër, të gjithin kundër Kadaresë me titull “Fytyra e vërtetë e Kadaresë”, botuar në Gjenevë në vitin 1992. Ndërsa Kadareja nuk është ndalur fare te sulmet që i vinin prej kolegut shkrimtar, dhe nuk i është përgjigjur kurrë, ndonëse në disa nga librat e tij (“Ftesë në studio”, Tiranë, 1990), kur ka trajtuar fatin e veprës së tij, “Përbindëshi”, ka folur shkurt dhe për sulmet që i vinin nga Resuli, por pa ja përmëndur emrin. Por në fillimet e viteve ’90-të, në intervista të ndryshme iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur më këtë çështje, ku mes të tjerash ka thënë se; përkulej para vuajtjeve të Resulit. Në librin e tij kundër Kadaresë, (botimi i vitit 1992, në Gjenevë, Resuli akuzon Kadarenë si shkrimtar i përkëdhelur i regjimit dhe gjithashtu ndalet gjatë tek sulmet dhe kritikat që ai (Kapllani), ka bërë ndaj Kadaresë dhe veprave të tij, si “Gjenerali”, dhe “Dasma”. Madje duke e thënë me mburrje se ai (Kapllani), e ka sulmuar Kadarenë që në vitin 1966, përpara Bilal Xhaferrit. Dhe atë gjë e kishte bërë publikisht në ato vite, si në shtyp, ashtu dhe në diskutimet krijuese të Lidhjes etj. Ndërsa më tej ai mohon të ketë bërë ndonjë shkrim kundër Kadaresë dhe në mes të tjerash, ka shkruar: “Jo unë nuk jam autori i atij artikulli dhe as i ndonjë artikulli tjetër kundra Kadaresë në përgjithësi, e kundra “Përbindëshit” në veçanëti. Apsolutisht asnji artikull unë nuk kam botue deri më sot kundra Kadaresë. Bile as fjala ime në Plenium nuk asht botue, se as për atë gjë s’kam pas kopetenca!”. (“Fytyra e vërtetë e Kadaresë”, Botuar në Gjenëvë, fq. 77), Kështu Resuli e ka mohuar autorësinë e shkrimit ndaj Faslli Halitit, i cili në fakt është sulm i hapur mbi Kadarenë, ndoshta duke kujtuar se ai shkrim që nuk u botua kurrë, kishte humbur përgjithmonë në dëngjet me letra e shkrime të pabotuara të koshave të redaksive. Dhe për këtë, Resuli ndoshta është nisur më shumë dhe nga fakti se, për atë artikull, Faslli Haliti nuk ka folur kurrë. Dhe po ashtu, as Kadareja. Të cilët vërtet nuk e kanë pohuar asnjëherë ekzistencën e atij artikulli-pretencë, pasi edhe sot e kësaj dite ata nuk kanë dijeni për të. Kjo është dhe arsyeja kryesore që shkrimin e Kapllan Resulit kundër Faslli Halitit dhe Kadaresë, po e botojmë të plotë në këtë pjesë të këtij libri, bashkë me letrat e tjera që gjenden në atë dosje, të cilat u përgatitën në atë kohë për dënimin e Halitit.

Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISE PUNES SE SHQIPERISE

 SEKTORI I ARSIMIT

Përmbajtja: Letër e një grupi shokësh nga Lushnja, kërkese e Faslli Halitit, artikull i gazetës “Shkëndia” drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH-së;

-Mbi vëllimin poetik “Sot” të Faslli Halitit si poezi që s’pasqyron tipiken.

-Mbi artikullin “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”

Mbi kërkesën për takim të Faslli Halitit

Eshtë shkrimtar. Para ca kohësh përgatiti një poemë me titull “Dielli dhe rrëkerat” dhe e paraqiti në redaksinë e Almanakut të Lushnjës. Njëri nga shokët e redaksisë, Hasan Çobani, ngriti çështjen se poema ishte e keqe politikisht dhe mbasi kërkoi që të largohej nga mbledhja Faslliu (edhe Faslliu është anëtar i redaksisë së Almanakut), u tha shokëve të tjerë se këtë poezi duhet ta dorëzonte në Degën e Punëve të Brendëshme si material armiqësor. Më vonë unë e dërgova poezinë për botim në gazetën “Zëri i Rinisë”, mbasi e ripunova sipas vërejtjeve që më bënë dhe ajo e botoi.

Disa ditë më vonë doli edhe gazeta “Drita” me një artikull për poezinë tonë dhe aty thuhet se poezia e Faslli Halitit karakterizohet nga vargu i ngjeshur dhe shkrin në një personalen me të përgjithshëmen”.

Kjo gjë nuk i pëlqeu me sa duket shokut Hasan: prandaj ky përgatiti një shkrim kundër, jo vetëm ndaj poezisë në fjalë, por ndaj tërë krijimtarisë time dhe e botoi në gazetën lokale “Shkëndia” datë 25 Janar 1973. Artikulli ka firmën e 10 të rinjëve të grupit letrar të shkollës ku është pedagog dhe drejtonjës i grupit vetë shoku Hasan.

Në këtë artikull ka për mua akuza tepër të rënda dhe krejt të padrejta dhe jepet mendimi se unë nuk mund të japë poezi pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez.

Dua të vë në dukje se rrethi letrar përbëhet nga 30 të rinj, por në mbledhjen ku u diskutua për poezinë time ishin vetëm 10. Një nga të rinjtë që ishin në atë mbledhje tha se ata ishin mbledhur me ngut dhe aty shoku Hasan u kishte thënë se do të diskutonin për poemën e Faslliut e cila është e keqe dhe ne duhet ta kundërshtojmë. Ai kishte nxjerrë pastaj nga xhepi artikullin në fjalë dhe si e lexoi e u bë ndonjë vërejtje kërkuan që ta firmosnin atë: kurse ai vetë nuk e ka shënuar emrin e tij.

Kur ndonjëri nga të rinjtë shfaqi ngurrim, ai ju tha këtë gjë e din edhe sekretari i Partisë.

Lutet të shihet çështja nga ana jonë.

27.10.1973   Ilo Kodra

Arkivi Qëndror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973

 

***

Kapitulli  i XXII-të

Kjo pjesë e dosjes është marrë nga një shkrim i shkrimtarit dhe kritikut letrar Muzafer Xhaxhiu, i cili ka vlersuar me nota pozitive poezinë e poetit të ri, Faslli Haliti, të botuar në revistën “Nëntori” si dhe vjershën e gjatë pamflet ”Dielli dhe rrëkerat”, e cila është kritikuar ashpër nga Kapllan Resuli dhe dy personat e tjerë. Nuk dihet me saktësi se si ka përfunduar ky vlersim i Muzafer Xhaxhiut bashkë me dokumentet e mësipërme, por nga praktika të tilla dhe qënia e saj në këtë dosje, duket se ajo është grumbulluar si “provë materiale” për të fajsuar poetin Faslli Haliti dhe i është dërguar Komitetit Qëndror nga ana e Ibrahim Uruçit, pas kërkesës që është bërë nga sektori i arsim-kulturës pranë atij aparati.

“Drita” 21 Janar, në një shkrim për poezinë tonë shkruar nga Muzafer Xhaxhiu thotë:“Për një frazë poetike të ngjeshur dallohet edhe vjersha e Fazlli Halitit, i cili sjell në vargje mbresa të gjalla nga jeta duke krijuar kështu akuarele me ngjyra të mbrujtura herë me lirizëm dhe herë me një humor të lehtë që godet diku hapur dhe diku tërthorazi. Në një cikël vjershash botuar në “Nëntori” si dhe vjershën e gjatë pamflet “Dielli dhe rrëkerat” poeti duket se po e çon më tej prirjen për t’u shkrirë në një personalen me të përgjithshmen”.

                              Ibrahim Uruçi

Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973

Kapitulli  i XXIII-të

Ashtu si dhe dokumentet e mësipërme, edhe këto shënime që duket se janë mbajtur nga Rrapi Gjermeni, (Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Lushnjes), gjatë diskutimit krijues në atë qytet ku u morr në analizë poeti Faslli Haliti, tregojnë dhe hedhin dritë mbi ato çka janë thënë aty në atë diskutim, i cili më tepër i ngjan një gjyqi public. Mbetet disi e paqartë nëse këto shënime janë mendime të vetë Rrapit Gjermenit, apo ai ka shënuar se ç’kanë thënë diskutantët e rrethit letrar të Lushnjes që kanë marrë pjesë në atë mbledhje. Ashtu si edhe dokumenet e tjerë dhe këto shënime të Gjermenit, botohen të plota.

Me Rr. Gjermenin, (në vërtet janë pikat që Ramiz Alia i ka formuluar për sekretarin e pare,  pas takimit tim me të për kritikën e poems nga 10 gjimnazistët, për botimin e saj, për të cilën më than ë mënyrën implicite: Poema, më tha është e gabur ideologjikisht, por ne nuk jemi dakord me kritikën që të bëhet ty në plan personal e politik. Ne do t’u heqim vërejta shokëve të gazette «Shkëndija» dhe instruktorit të komitetit të partisë që përgjigjet për gazetën.Pastaj ç’duan të thonë:  pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez, domethënë, pa të future në burg.(FH)

  • Poezia ngre probleme për diskutim dhe për qëndrim ndaj zgjedhjes së tyre. (problemeve).
  • Është pozitive që janë nuhatur këto probleme (në një kohë kur lexuesi fare vetëm para dhe pas botimit, si dhe kritiku Xhaxhiu, nuk kanë kapur gjë).
  • Mund të kritikohej dhe në gazetë, por që në këtë mënyrë, aq më tepër kur kishim një reagim nga “Zëri i Rinisë”?

 4- Cilat janë difektet e artikullit?

  1. E trajton poemën si një paragoditje politike dhe ideologjike me pozicione të caktuara.
  1. E sjerdizon kritikën me një demonstrim e diskretitim politik të anëtarit. (autorit)

1- Pa e analizuar vë në dyshim gjithë krijimtarinë e tij.(autorit)

  1. Një poezi lidhet për (fermën? FH). dhe e diskretiton atë.
  2. Në fund bën aluzion për fatin e autorit.

Me një fjalë nuk është një kritikë ideologjike, sado e pakët që mund të ishte, por një demostrim politik shoqëror i krijimtarisë dhe e personit.(autorit)

Meriton të shikohet si e e ka vetëvlerësuar artikullin dhe si është aprovuar botimi i tij.

Pjesa e parë e artikullit është tepër me forma solide

Për pjesën e dytë (personale) ku mund të jenë në dijeni nxënësit?

Siç duket në këto punë gjetën të tjerët dhe për të shprehur mendimet e tyre përdorën rininë (mos ngjan kështu edhe me letrën për festivalin)

Ata që kanë mendime ta thonë vetë hapur

Në këtë mes sa rol losin Hasan Çobani, Gazmend Kongoli dhe Razi Brahimi? Kjo do parë me shumë kujdes

A ka gjëra subjektive në marrëdhëniet e tyre me Faslli Halitin?

Për të ka qenë shkruar dhe një artikull denigrues 1969-’70 nga Kapllan Resuli, Gjergj Pinderi dhe Hysen Kurti

***

Poezia e Faslli Halitit

  1. Tablloja e zymtë – kundër gjësë së verdhë (Historia e Partisë – portreti i Enverit), pse kjo kundërvënie?
  2. Ka dy pole: a) Partia, Enver. b) Shefi i strehimit, kryetari i Këshillit
  3. Vetëm Partia, Enveri, kanë vënë duart.

Ideja e një martirizimi të parëndësishëm për Partinë dhe për shokun Enver.

  1. Asnjë nga ata që meritojnë strehim nuk merr (as Qazimi, as Meti, as Llazi, as Koçua). Marrin të gjithë ata që nuk e meritojnë?!
  2. Partia dhe Enveri nuk flasin, të tjerët, (Lili, Koli flenë)
  3. Gjithshka….zgjidhet me hatër – hartim pesimist për gjëndjen-
  4. Kujt i duhen nxjerrë dhëmbët, cilës burokraci?
  1. Kush është në mes të Partisë dhe të Enverit dhe masave e puntorisë që ndikojnë të zgjidhen këto probleme?

Sa rol lot ky mekanizëm shtetëror?

  1. Ç’është kjo atmosferë mjerimi, verdhësie, gjerdan, lotësh frikash, sentimentalizimi
  2. Çdo të thotë të koleksionosh tmerre?
  3. Në fund të fundit, ose nuk kemi këtu një deformim të realitetit

Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973

Kapitulli  i XXIV-të 

 

-Çuditemi me Ismail Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit?

Kapllan Resuli

Dokumenti që publikohet në këtë pjesë të librit është shkrimi i Kapllan Resulit (dhe dy personave të tjerë) që u dërgua për botim te “Zëri i Popullit”, diku nga viti 1970, në të cilin merrej në analizë dhe kritikohej ashpër poeti Faslli Haliti për poemën “Dielli dhe rrëkerat”, e cila ishte vlerësuar si e arrirrë dhe me nota mjaft pozitive nga shkrimtari Ismail Kadare. Ky shkrim i cili nuk u botua te “Zëri i Popullit”, tre vjet më vonë, (në kohën që goditej e kritikohej Faslli Haliti dhe Resuli ndodhej në burg), i është dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe përkatësisht Pirro Kondit, nga ana e Ibrahim Uruçit, sekretar I Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në atë kohë, në kuadrin e grumbullimit “të provave materiale” për fajësimin e goditjen e poetit të ri myzeqar, Halite. Si shkrimi i Resulit, ashtu dhe shkresa përcjellëse e Uruçit, botohet e plotë.

Shoku Pirro

Ky artikull është dërguar në “Zëri i Popullit” dy tre vjet më parë. Një nga autorët është Kapllan Resuli, sot i burgosur politik.

Është dënuar nga gjyqi jonë si anti pushtetit.

Ky njeri ka ardhur para disa vjetësh nga Jugosllavia si emigrant politik.

Të gjitha shënimet (anash) për këtë artikull janë vënë nga redaksia e Zërit të Popullit

                                                                       Ibrahim Uruçi

POEZI  QË  S’PASQYRON  TIPIKEN

Lidhur me vëllimin “Sot” të Faslli Halitit

Ca kohë më parë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nxorri në dritë vëllimin “Sot” të letrarit lushnjar, Faslli Haliti.

Libri përmbledh 47 vjersha, shumica të botuar në organet e shtypit këto tre-katër vjetët e fundit. Bien në sy menjëherë se vjersht e Faslli Halitit janë të shkurtëra e kryesisht me varg të lirë; dromca të vogla që lexohen shpejt e poashtu shpejt edhe harrohen se kalojnë pa lënë ndonjë mbresë më të thellë. Ka mes tyre edhe krijime më të mira, por shumica porsa janë të dala nga djepi diletantesk e pa ndonjë vlerë, ashtu siç e ka konstatuar edhe Ismail Kadareja, që thotë: “Shpesh herë vjerasht e tij (të Faslli Halitit), janë të parealizuara. Shpesh herë një vjershë e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. (“Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, gazeta “Drita” Nr. 42, datë 12.X.1969).

Një numër i konsiderueshëm i vjershave të këtij vëllimi, jo vetëm që janë të parealizuara dhe pa asnjë vlerë, por paraqesin edhe pikëpamje të gabuara ideo-politike dhe si të tilla janë denigruese dhe në kundërshtim flagrant me realitetin dhe mësimet e partisë.

Ndër krijimet më të mira të këtij vëllimi, duken “Mbas mbledhjes”, “Panoramë myzeqare”, “Kish ujë në shpatull Myzeqeja”, “Kur vinin pranverat”, “Dhurim gjaku”, “Bisedë me babanë”, “Ai lulëzon”, dhe “Deri diku mund të këndoja i pari, e di”.

Kur themi se këto janë krijimet më të mira të Faslli Halitit, kjo s’do të thotë se këto krijime janë të përsosura e pa të meta. Edhe këto krijime kush më shumë dhe kush më pak, kush në përmbajtje dhe kush në formë, çalojnë aty këtu dhe hapin shteg për diskutime, duke i lënë kështu lexuesit shumë për të dëshiruar. Fjala vjen vjersha “Dhurim gjaku”, është e mirë por në katër vargjet e fundit, janë të tepërta dhe s’mund të thonë asgjë të re, kështu që s’i kanë mujtë redaktorët e vëllimit lirisht t’i hjekin vargjet që paraprijnë;

 “Gjaku im Vietnam,

Eshtë i një grupi me tëndin”

E kanë thënë njëherë atë që pa ndonjë nevojë na e përsërit Faslli Haliti në vargjet “Shqiptarët gjakun e tyre, një grupi me tëndin e kanë”

Përsëritje të tilla të panevojshme që e dëmtojnë poezinë ka shumë në krijimet e Faslli Halitit. Në vjershën “Kullimi”, ai thotë: “Në ndërgjegjien time ka këneta, pellgje, moçale”. Fjalët ‘keneta’ dhe ‘moçale’, kanë të njëtën kuptim. E dyta është dhe fjalin e huaj, sllave (moçvara), në kuptimin ad literum të fjalës kënetë, kështu që kemi jo vetëm një përsëritje që s’thotë asgjë të re, një përsëritje që e dëmton poezinë, por kemi dhe futjen e panevojshme dhe të padëshiruar të një fjale të huaj.

Tek poezija “Duhet të këndoja i pari, e di”, përsëritjen e fjalës ndërsa, në fillim të vargut të parë dhe të tetë, jo vetem që s’ja kanë arrijtë qëllimit, efektit artistik, por edhe e dëmton shumëm ritmin e poezisë dhe rrjedhën e mendimit, duke krijuar kështu një frazë në kundërshtim me sintaksën e shqipes. Për këtë poezi, me që thamë se është e mirë, duhet të shtojmë se ajo është e mirë vetëm në qoftë se e shikojmë si një autokritikë personale.

Mirpo po ta shikojmë në planin e përgjithshëm, ashtu siç duhet shikuar një vepër artistike, ku uni i poetit duhet të shkrihet me unin e përgjithshëm, atëhere na duhet të themi se kjo poezi, jo vetëm që s’është e mirë, por edhe shtrembëron realitetin, se s’është e vërtetë se rinia e Myzeqësë qëndroi “Si dhëndrri që pret dhe përcjell”, ndërsa të tjerët po ja shtronin “hekurudhën te dera e shtëpisë”. Rinia e Myzeqesë hodhi kazmat e para dhe të fundit krah për krah me rininë e krahinave të tjera që vërshoi në Myzeqe. Rinia e Myzeqesë i priti dhe I përcolli vëllezërit dhe motrat e krahinave të tjera, jo e “mpirë” dhe “e hutuar” siç thotë F. Haliti, por me këngë dhe valle duke kënduar dhe duke kërcyer. Ndaj edhe themi se për këtë poezi, Faslli Halitin është për t’u përgëzuar për rrëfimin dhe autokritikën e sinqertë të ngritur në art, por ama ai duhet të dijën se çështja personale që nuk shkrihen në çështjet e përgjithshme, lexuesit pak ose aspak i interesojnë. E kur këto çështjet lënë shteg edhe për interpretime të padëshiruara, atëhere është më mirë që të mos ngrihen fare, në qoftë se s’kemi aftësitë dhe forcat për të ngritur në art ashtu siç duhet  duke i shikuar përmes kuadrit të përgjithshëm, përmes asaj që është tipike.

Ndër krijimet që posa kanë dalë nga djepi diletantesk mund të përmëndim “Kullimi”, “Veç kujdes”, “Kthimi i Skënderbeut”, “Rruga”, “Kolegu”, “Rini”, “lulzimi dhe ne”, dhe “Zhurmë”.

Mendimi ynë si lexues është që vëllimi duhet të kishte dalë vetëm me këto vjersha. Sa u përket 31 vjershave të tjera ne rezervojmë mendimin tonë. Pejsazhet “Pranverë”, “Shi maji”,

“Ardhja e vjeshtës”, “Unë nuhas pranverë”, “Marsi në Sarandë”, dhe “Shije të reja”, ne na duken tepër të përgjithshëme, pa jetë pa ngjyrëv kombëtare.

 “Marsi,

Me kokën e kaltër

Me trupin e gjelbër

Kitarë e ujrave vari në qafë

Si tela kitarash rrëkerat i dredh

Luleve, blerimit, iu bën serenadë”.

(Marsi në Sarandë)

“Mbi koka jeshile pemësh

Natyra derdhi bojë të verdhë

Vjeshta krahët e artë

Mbi fusha i hodhi,

Dhe kodrave lart”.

                (Ardhja e vjeshtës)

“Nyja nyjën thërret

Me rrezet paralele zgjaten kërcellet

Blerimi kap syrin e gjelbërt gjithë qejf

Ujrat pranverore buzëqeshin të qeta

Pemishteve pjeshka fustanin e purpurt

Nis zbukuron me lulet e veta,

                (Unë nuhas pranverën)

 

Ja disa strofa të këtyre pejsazheve ku manija dhe dora e njeriut tonë nuk duket asgjëkundi. Këto pejsazhe bien erë kozmopolitizëm, s’e kjo natyrë që na vizaton autori, nuk pasqyron transformimin socialist në fshatin tonë fushor, apo malor, nuk ka asgjë kombëtare, asgjë shqiptare. Vargje të tilla për natyrën kanë shkruar dikur romantikët dhe sot shkruajnë poetët e rrymave të ndryshme, por kurrsesi shkrimtarët e realizmit socialist, për të cilët kozmopolitizmi, si armë e nacionalizmit borgjez, është i huaj.

Panorama e Myzeqesë që na jep Faslli Haliti nuk është ajo e ditëve tona. Ai thotë:

 “M’i madh mik i fushës, plugu 

Mbi skenën e blertë këndon 

Një kor drapërinjsh, kazmash, kombajnash

E shoqëron”.

Është e vërtetë se dikur ka qenë “M’i madhi mik i fushës plugu”, Mirpo sot kjo panoramë ka ndryshuar. Në vënd të plugut kemi traktorët që buçasin anëembanë Myzeqesë dhe në vënd të krahëve të njëri-tjetrit, kemi kombajnat dhe maqineritë e tjera agroteknike. Buqësia jonë është modernizuar dhe plugu s’është më “miku më i madh i fushës”.

Dhe, ajo që është më e rendësishme, në Myzeqë sot vjeshta nuk sheh më fytyrën e vet “mbi pellgje me ujë” (“Ardhja e vjeshtës”). Këtë pasqyrim e ka pas vjeshta në Myzeqenë e bejlerëve dhe agallarëve, por jo në Myzeqenë e partisë dhe të popullit punues.

Me plot të drejtë na thotë një agronom në Lushnje:

“Në qoftë se është e vërtëtë ajo që thotë Faslli Haliti në vëllimin e tij “Sot”, për Myzeqenë, në qoftë se është e vërtetë se vjeshta sheh fytyrën e vetë mbi pellgjet me ujë këtu në Myzeqe, atëhere Partia dhe Qeveria duyhet të më hedhin hekurat në duar, se më kanë vënë në dispozicion miliarda për t’ja ndryshuar pamjen Myzeqesë, për të tharë kënetat dhe pellgjet, që vjeshtat më të mos shohin fytyrën e tyre mbi pellgjet me ujë. E këtë gjë duhet ta dijë fare mirë Faslli Haliti, se edhe në qoftë se s’ka kaluar në fushë për të parë ndryshimet kolosale, sihariqi i këtyre ndryshimeve duhet t’i ketë arrijtur edhe në dhomën e tij prej fildishi, ku me siguri nuk dëgjhoet piskama e mushkonjave”.

Ja dhe disa vargje nga vjersha “Shije të reja”:

“Retë lëshojnë shiun

Zbardhon si vijë e bardhë horizonti

Zverdhen zhabinat e verdha

Më kërkuat fusha

arat fshatrat

Erdha”.

Vallë, tre vargjet e fundit të kësaj strofe a nuk edukojnë tek lexuesi pasivitetin nënshtrimin e njeriut prej natyrës? Si është e mundur që fshatari ynë kooperativist i edukuar nga partia me botkuptimin materialist, sot, mbas 25 vjetëve, përsëri të presë lëmoshë nga natyra? Kësaj i thonë të shkruash larg fshatit dhe fshatarit, që nga tavolina. Do të ishte mirë që më parë autori të vizitointe rezervuarët e Thanës, hauzet dhe kanalet vaditëse anë e kënd Republikës….Por e keqja s’qëndron këtu?

Le të ndalemi tek vjerash “Sot”, “Kuadrove që nuk u iket”, “Në fushë”, “Unë, mësuesi i fshatit”, “Mik në fshat”, “Ike”, “Ajo”, “Kaloj”, “Nata”, etj.

“Njerëz që venë në kamp në Durrës

Që venë të takojnë të fejuarën

Që nisen të shohin një ndeshje futbolli

Që nisen të marrin provimin e parë

Që nisen të marrin provimin e fundit

Që nisen kufirit ushtarë”.

Po të heqi vargun e fundit, autori në vjershën “Sot”, na server si problemet më shqetësonjëse të kohës sonë, pushimin, dashurinë dhe diplomën për të garantuar qetësinë personale.

Ç’vargje të neveritëshme?!

Vallë s’kishte mundësi autori në vjershën “Sot” të na paraqistë inisiativa që kanë lindur në gjirin e të rinjëve dhe të masave për të zbukuruar malet me taraca, për të përvetësuar mësimet e partisë dhe të shokut Enver, për të hequr dorë nga prona personale, për të mësuar gjithë artin ushtarak etj.

“Sot”! Vallë, ku duket heroizimi masiv, ku duket solidariteti popullor, ku spikat uniteti moralo-politik Parti-Popull….?! Askund, askund, veç predikimeve të sëmura….veç predikimeve alla-revizioniste…veç rrugëve pakrye:

“Njerëz që ikin kudo

ku të mundin…”.

                                “Sot”

Besnikëria dhe gadishëmria e kuadrove tona të edukuar nga mësimet e mëdha të partisë për të vërshuar poshtë, ku e lyp nevoja e atdheut – ja lajtmotivi që duhet të frymëzonte Faslli Halitin. Por këtë fakt autori e ka injoruar në vëllimin e tij duke shkruar:

“Kuadro kudo nëpër poste ku jinni,

Që dot nuk ju iket 

Që dot nuk ju zbritet…?!”

                     (“Kuadrove që nuk ju iket”).

Vëllë ky është realiteti ynë? Kurrsesi! Faslli Haliti do të bëjë mirë që të njihet me të gjithë kuadrot e reja që kanë zbritur nga kryeqyteti në qytetin e Lushnjës dhe ndër të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, për të kuptuar se tipari karakteristik i kuadrove tona nuk është “ngurimi i imagjinuar nga Faslli Haliti, por besnikëria dhe gatishëmria e tyre. Nëse autorin e zë meraku për ata pak individë trumykur e burokrat që nuk shohin më tej nga hunda e tyre, e këshillojmë që të mos shqetësohet, sepse Revolucioniut fitimatar nuk i bëhet vonë për të tillë bashkëudhëtarë miopë dhe egoist.

“Kemi përpara vjershën “Në fushë”, Lexojmë;

“Nuk prashitet më

Nuk korret më

Vapë

Sa s’ka”.

Stepjen nga vështirësitë, ja ç’na edukojnë këto katër vargje?! Sjellim ndërmënd vargjet e poetit tonë të respektuar, F.S. Noli:

“T’u tha gryka po s’të pihet

T’u mpi këmba po s’të rrihet

Se mileti po të pret…

………………………………………

Shpejt or Marathonomak”!

Ç’optimizëm na ngjallin këto vargje të shkruara 39 vjet më parë?!

Sa keq na vjen që Faslli Haliti, në vënd që të na japën figurën e Marathonomakut të ri të kalitur në kudhërën e partisë, na  servir një fshatar, individ i cili, pasi i than gjoksin katruveve, ngul kazmën në tokë dhe ja fut gjumit nën hijen e goricës? E ç’mund të mësojë lexuesi prej një vjershe të këtillë, ku as nuk duket puan kolektive, ku askund nuk vështrohet teknkika dhe agroteknika, ku veç misrit dhe grurit, nuk mbillet asnjë kulturë tjetër, ku autori predikon përtacinë dhe stepjen nga vështirësitë? Dhe kur? 39 vjet mbas Marathonomakut të F.S. Nolit, kur ne me plot të drejtë presim prej poetëve tanë që s’ë paku nga ana ideore, të qëndrojnë më lart se F.S. Noli.Lidhur me vjershën “Mik në fshat”, që është një ndër vjerasht më të mira të këtij vëllimi dhe që ka vargje dhe pasazhe të mrekullueshme, është shkruar në ndonjë artikull kritik se gjoja këtu na u pasqyruakan ndryshimet social-ekonomike që po ndodhin në fshatin tonë socialist, etj. S’ka si të mos qeshim me këtë vlersim subjektivist, që bien në kontraditë me vargjet e letrarit të ri, i cili në mes të tjerash thotë:

 “Daja fshatrave nuk la pa u thënë:

Nusen me nipin sonte kam miq,

Po dreqi ta hajë se sot bukë gruri

Plaka ime s’paska gatuar!

Po jemi në kohën e lëmit moj plakë”!

A nuk flasin këto vargje për një fshat më të prapambetur, edhe të pakolektivizuar, kub sejcili fshatar ka magjen dhe lëmin e tij?

Nëse Shahini do të paraqitej si anëtar i kooperatisvës, ankesa e tij do të ishte absurd, sepse në kooperativë anëtarët bukë nuk gatuajnë vetë, por e marrin në dyqanin e bukës, ndersa lëmenjtë janë pronë e paprekëshme e kolektivit të bashkuar. Autori gjithashtu ka harruar faktin se shallvaret dhe tumanet nëpër fshatra tona fushore dhe malore janë zëvëndësuar me veshjen e lehtë socialiste?!

“Kjo qenka moj nusja e nipit të Shahinit?!

Ç’qënka moj qyqe kjo nuse kështu?!

Kjo të shikoka në kokërr të syrit

Supet përjashta fustanin nën gju”?!

Ky fanatizëm ky ambijent fshataresk, bien në kontraditë me fshatin e ri socialist ku të rejat dhe nuset po shkallmojnë dita ditës zakonet e vjetra, po luftojnë thashethemet, po përqafojnë normat e moralit të ri, po futen gjithnjë e më shumë në rrugën e përparimit, po marrin pjesë gjallërisht në të gjitha fushat e jetës.

Asnjë përgëzim nuk meriton as vjersha “Unë mësuesi i fshatit”, sepe autori, në vënd të figurës së mësuesit, komisar drite dhe përçonjës i politikës së partisë në fshat, na ka dhënë figurën e një mesuesi qesharak;

“Pantallonat e mija zhytur në çizme

Flokët e mij të qullur

Që kullojnë

Që varen teposhtë

Si flokët e Senekës”.

Ky mësues ka katandisur në këtë gjendje sepse “imazhi i vajzës bukuroshe”, e tërheq vazhdimisht drejt qytetit. Në asnjë varg ky mësues nuk del si aktivist shoqëror në fshat. Mëndja e tij është e mbarsur vetëm me formula, konveksjone dhe “eksklamacione”. Ky lloj mësuesi s’ka asgjë të përbashkët me Ndrec Ndue Gjokën, Ismet Sali Bruçajn, me mësuesit e Kolonjës e të Mirditës, dhe me mijra e mijra mësues të tjerë që lumturinë e gjejnë në fshat, në gjirin e fshatarësisë kooperativiste.

Në një kohë kur Partia lufton për emancipimin e femrës shqiptare, në një kohë kur udhëheqësi ynë i madh shoku Enver Hoxha ngre lart gjestin e qytetares Athina Mile, që zgjodhi për bashkëshort një të ri kooperativist nga Malësia e Mirditës, Faslli Haliti në poezinë “Ajo” dhe “Ike”, na e paraqet femrën të varfër shpirtërisht dhe të prapambetur nga ana ideore:

“Jam fshatar ( qytetare)

Jeni fshatar!

S’mund të martohemi bashkë!

                                            (“Ajo”).

“Në livadhin e blertë të shpirtit të ri

Me lule ndjenjash, dashuri të njomë,

Ishe

Por ike

Ike skëterrës së shpirtit të tij

Ku lulëzonte vetëm një diplomë”.

                                                     (“Ike”)

Ashtu si te vjersha “Kuadrove që nuk u iket”, edhe në këto dy vjersha të vogla, autori nuk ka kapur tipiken që ne e shohim të mishëruar në gjestin e Athina Miles dhe të qindar arsimtareve myzeqare dhe korçare që vullnetarisht kanë shkuar në zonat e thella malore të Veriut, për të shërbyer si edukatore të brezit të ri.I padrejtë na duket krahasimi i natës me nënën e dëshmorit që i dha Luftës Nacional-Çlirimtare djalin apo vajzën e vet: “Nata, si nënë dëshmori me sharpin e zi…”. Dhe jo vetëm në këtë vjershë. Krahasimet e Faslli Halitit thuajse nga vjershë në vjershë çalojnë. Paralelizmi i pranverës me hoxhallarët dhe i fluturave me nuska në poezinë “Kur vinin pranverat”, tregojnë papjekuri të theksuar.

Shenja formalizmi dhe manjerizmi vëmë re te vjersha “Kaloj”, ku e gjithë amfora na duket e kërkuar artificialisht, në kundërshtim edhe me natyrën e gjuhës sonë, e cila pranon të tilla frazeologji; “buzë lumit”, “buzë liqenit”, “buzë detit”, “buzë malit”, por kurrsesi; “buzë vetullve”, “buzë syve”, “buzë flokëve”, “buzë buzëve”, etj.

S’jemi dakort as me konceptin ideo-politik të autorit që duke kaluar tek traseja, nuk sheh tek aksionet tona dashurinë ndaj Atdheut, por dashurinë seksuale; nuk sheh bukuritë e sakrificës dhe të vetmohimit, bukuri të entuziazmit rinor, të patriotizmit dhe të ndërgjegjies së lartë socialiste, por bukuritë e syrit të aksionistëve, të buzëve vishnje, të syrit, të vetullave, të trupit të hijshëm dhe flokëve. Dhe autori shpif me paturpësinë më të madhe kundër aksionistëve tona, kundër motrave dhe bijave tona, duke thënë se një njeriu të tillë, ato me qindra ja bëjnë me dorë, e ftojnë për dashuri seksuale. Kjo siç thamë është një shpifje e paturpshme dhe e palejueshme, se njerëzve të tillë, aksioinistet tona, rinia jonë, jo vetëm që s’ua ka bërë dhe s’ja bën me dorë, por u ka pështyrë dhe u pështyn në surrat dhe ka marrë dhe marr masa kudo që i zbulon për edukimin e tyre. Një mendim i tillë i autorit asesi s’pajtohet me realitetin ndër aksionet tona, ku shkohet për t’u kalitur ideologjikisht e fizikisht edhe jo për t’u dashuruar.

Partisë Faslli Haliti i kushton vetëm vjershën “Kudo” e cila s’është gjë tjetër vecse pllakat, ku PPSH – në e gjejmë vetëm të shkruar vetëm; “mbi mezhda”, “bri rrugës”,”në ballin e malit”, “mbi faqen e xhamit”, “në hyrjen e një fabrike”, “në prolog të një poeme”, por jo në zemrat e njerëzve të cilët nën emrin e saj munden me furtunën, me zjarrin, me tërmetin, me armiqtë e revolucionit dhe kurdoherë dalin fitimtarë.

Në vëllimin “Sot”, ndeshemi edhe me krijime shumë të dobta nga ana artistike, si fjala vjen “Lushnja natën”, që s’paraqet asgjë të re, asgjë të veçantë për Lushnjën si qytet i rëndësishëm bujqësor dhe industrial.

Fakti që autori s’na flet as për punëtorët e turnit të natës, as për bisedat e nxënësve që kthehen nga shkolla e bashkuar pa shkëputje nga puna, as për traktorët që në periferi të qytetit zhurmojnë  gjer në orët më të vona të natës, na bën të mëndojmë se Faslli Haliti e sodit jetën vetëm nga larg.

Vjerash “Kujtimi im nga një eskursion”, inkuadrohet ndër krijimet më të dobta, të pafrymëzuara, ku vetëm përmënden dhe objekte ku autori dhe kolegët e tij kanë parë dhe kanë marrë me vete. Në përgjithësi poezia e Faslli Halitit është një poezi e përciptë, pa frymëzim, e ftohtë, e për më tepër denigruese, sepse Faslli Haliti nuk e vështron realitetin tonë ashtu siç është, por siç ka qenë dikur, nuk krijon poezi të realizmit socialist, por poezi të sëmura që dalin duke e vështruar realitetin përmes një prizmi personal e të huaj për ideologjinë tonë.

Çuditemi me autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit? Partishmëria jonë tek vëllimi i Faslli Halitit është e jashtëme, qëndron vetëm në fjalë dhe nuk futet në brendi të subjektit. E përsa i përket vjershave të gabuara, ajo është edhe e huaj.

Ne dhe shumë pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar nga Shtëpia e Kulturës e qytetit tonë për lbrin “Sot”, s’pajtohemi as me mendimet subjektive të Ismail Kadaresë dhe as me çmimin e tretë që zhuria e poezisë i dha këtij vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut tonë. Ne jemi të mendimit që autorëve të rinj u duhet dhënë ndihmë për të përvehtësuar mësimet e partisë, për të njohur jetën dhe për të zotëruar artin e të shkruarit, por në asnjë mënytrë të mos u bëhen lëshime në ideologji ose t’u fërkohen krahët kur ata nuk e meritojnë. Tek autorët e rinj nuk duhet vlerësuar vetëm manitë e tyre për të krijuar figura bajate;

“Kamarieria puhi

servir freski”.

Apo;

“Kooperativa berbere e rreptë/

flokrat e ferrave fare i qethi”./

E themi këtë se figura të tilla, tendenca formaliste dhe manjerizmi, e bëjnë lexuesin tonë të rëvoltohet, të pështyjnë në atë poezi e të thotë; “Kjo nuk është poezia që unë kërkoj nga poetët e realizmit socialist”.

Kapllan Resuli, shkrimtar

                      Spiro Dinaku, nënpunës

                     Hysen Kurti, punëtor

Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973

* E dergoi per DIELLIN shkrimtari Faslli HALITI

Filed Under: Histori Tagged With: Dosja e Sigurimit, Faslli Haliti

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT