• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. RUGOVA: KRENARË ME LIDHJEN E PRIZRENIT

June 9, 2018 by dgreca

PRESIDENTI RUGOVA NË VITIN 2003: KRENARË ME LIDHJEN E PRIZRENIT/

Ibrahim Rugova- Xhim Xhema-auto_ibrahim_rugova1430168619-Presidenti Kosovës Dr. Ibrahim Rugova para 15 viteve: Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë. Fjala e plotë në 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/050706rugova_diogardi-Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet/

presidenti_rugova_sami_repishtivoal-Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës. Po kështu, për herë të parë ka dekoruar me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës, nga SHBA:

Xhim Xhema, Sami Repishti e Xhozef Diogardi/

-Presidenti Rugova, pritje të veçantë pasardhësve të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRIZREN, 9 Qershor 2018/ Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë, shprehej para 15 viteve, në mbrëmjen e 9 Qershorit 2003, Presidenti Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.

Në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal të asambleve komunale, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora. Ishte i pranishëm në këtë solemnitet edhe Naltmadhnia e Tij trashëgimtari i Fronit Shqiptar Leka Zogu I me bashkëshorten.

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Jemi tubuar sot në këtë Akademi solemne për një ditë solemne të historisë sonë, në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo ditë solemne bëhet edhe më e madhe, sepse për herë të parë po e kremtojmë në Kosovën e lirë, çfarë ishte ëndërr dhe projekt i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit.Lidhja e Prizrenit ishte lëvizje për themelimin e shtetit modern shqiptar. Ishte lëvizje për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për çlirimin nga Mbretëria Otomane.Sot mund të themi se ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet.Këto institucione funksionuan plot tri vjet rresht. Kuvendi i Prizrenit i kundërshtoi vendimet e Kongresit të Berlinit për shkëputjen e territoreve shqiptare dhe vazhdoi ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit të vet në tërësinë territoriale. Për tri vjet Lidhja e Prizrenit vendosi administratën shqiptare, në Kosovë kryesisht dhe në viset e tjera.
Më 1881 Mbretëria otomane nuk mundi ta tolerojë më ngritjen e shpejtë të shtetit shqiptar dhe vendosi ta shkatërrojë atë me forca të armatosura. Pas rezistencës së ashpër të forcave të Lidhjes së Prizrenit nën komandën e Sylejman Vokshit, të luftimeve që u zhvilluan sidomos në Kosovë, u shua kjo lëvizje e shkëlqyeshme.

Në këtë kohë njëri nga krerët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri bashkë me Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin thoshte me optimizëm dhe vizion të madh: “Ne po mbjellim e të tjerët do të korrin”.Ky ishte vizioni i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit, të bindur se shpirti i saj do të vazhdojë të jetojë. Kështu sot mund të themi se Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje e kompletuar shtetërore që i aktivizoi të gjitha fuqitë e një kombi për liri, pavarësi dhe demokraci.

Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit shqiptarët u forcuan dhe u konsoliduan në planin e brendshëm kulturor, diplomatik e të miqësisë. Kështu më 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës në Pejë u themelua “Lidhja e Pejës” si ringjallje e Lidhjes së Prizrenit që u pranua në të gjitha territoret.Po atë vit Sami Frashëri botoi traktatin e vet një lloj kushtetute për drejtimin e shtetit shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Por, edhe kjo Lidhje e Pejës u shua nga Porta e lartë.Kështu përpjekjet për liri e pavarësi nuk pushuan as pas shuarjes së Lidhjes së Pejës. Në fillim të viteve 1900 burrat e Lidhjes së Prizrenit dhe brezi tjetër i burrave të kësaj kohe për 34 vjet rresht vazhduan përpjekjet për liri e pavarësi. Kështu më 1912 u shpall pavarësia shqiptare.Por kjo pavarësi u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha. Kjo u sanksionua edhe pas Luftës së parë botërore, si dhe pas Luftës së dytë botërore.
Në vitet ‘90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet.
Objektiv i të gjitha partive politike të viseve shqiptare u vendos: Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni të jenë në strukturën shtetërore, shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratë lokale dhe në Preshevë.
Lëvizja demokratike për liri e pavarësi e Kosovës ishte për integrime evropiane e veriatlantike.
Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua.
Qe katër vjet pas luftës Kosova ka pasur një progres të mirë në të gjitha fushat e jetës. Kemi bashkëpunim të mirë më UNMIK-un dhe KFOR-in e OSBE-në. Institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un po përgatiten për zhvillim ekonomik të vendit.Pra do të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore me garanca për minoritetet dhe të gjithë qytetarët e saj të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Njohja formale e pavarësisë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe do të shpejtonte zhvillimin ekonomik e demokratik.
Në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit do thënë se objektivat e saj ishin legjitime për mbrojtjen e territoreve të veta, ishin objektiva humane si të çdo populli dhe nuk ishte për marrjen e territoreve e të tjerëve.
Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë.
Nga kjo Akademi solemne përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presdientin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni. Si gjithmonë përshëndesim Papa Gjon Pali II, që gjithnjë lutet për Kosovën.
Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Kosovën!

DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti. Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Presidenti Rugova tha se Dekorata Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për integrimin evropiane e evroatlantike.

Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, janë këto personalitete:

Kosovë:

Idriz Ajeti,

Mark Krasniqi,

Fehmi Agani,

Adem Jashari,

Ali Hadri,

Imzot Nikë Prela,

Anton Çetta,

Mehmet Gjevori,

Zekeria Cana,

Pajazit Nushi,

Sabri Hamiti,

Rexhep Ismajli,

Muhamet Shukriu,

Eqrem Kryeziu,

Jusuf Gërvalla.
SHBA:

Xhim Xhema,

Sami Repishti,

Xhozef Diogardi.
Maqedoni:

Shukri Rrahimi,

Ali Aliu.
Mali i Zi:

Mehmet Bardhi,

Ferhat Dinosha.
Preshevë:

Riza Halimi.
Itali – arbëreshët:

Antonio Bellushi
Shqipëri:

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,

Eqrem Çabej,

Ismail Kadare,

Bujar Hoxha,

Azem Hajdari,

Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,

Ernest Koliqi.
Nga bota:

Noel Malkolm,

Mishel Ruks,

Robert Elsie,

Leonard Foks.
Nga tradita:

At Gjergj Fishta,

At Shtjefën Gjeçovi.

 

PRESIDENTI RUGOVA, PRITJE TË VEÇANTË PASARDHËSVE TË PJESËMARRËSVE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

 

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në 9 qershor 2003,  priti në një takim të veçantë pasardhësit e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit nga Kosova dhe Shqipëria.

 

Me këtë rast Presidenti Rugova vlerësoi lart kontributin paraardhësve të tyre, pjesëmarrës të ngjarjes së madhe historike të Lidhjes së Prizrenit, e cila po kremtohet në Kosovën e lirë me pietet të madh.

 

Presidenti tha se do t’i dekorojë të gjithë pjesëmarërsit e Lidhjes së Prizrenit, për të çuar përpara idenë e tyre, për realizimin e pavarësisë së Kosovës.

Trashëgimtarët e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit e falënderuan Presidentin Rugova për pritjen dhe për organizimin e 125 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit që është bërë nën patronatin e tij.

Falënderime shprehën Avdyl Hoxha, trashëgimtar i Ymer Hoxhës nga Juniku dhe gjithë të tjerët.

 

Në këtë takim ishin edhe trashëgimtari i Binak Alisë, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes së Prizrenit, pastaj Skënder Korenica, trashëgimtar i Ahmet Korenicës, Rrustem Mulosmani (76 vjeç) nga Malësia e Gjakovës (Shqipëri), trashëgimtar i Mic Sokolit, i cili tha se ndien veten shumë krenar që pati mundësinë të vijë në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe për herë të parë vinte në Kosovë.

PRIZREN-140 VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE, AXHENDA E MANIFESTIMEVE

Me rastin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në komunën e Prizrenit do të organizohen aktivitete të shumta kulturore dhe sportive. Komuna ka njoftuar këtë axhendë:

MANIFESTIMET KULTURORE

  • 10 QERSHOR

09:00 Vënia e gurthemelit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë së Lidhjes (në oborrin e Lidhjes)
10:00 Hapja e ekspozitës së bucetave të skulptorëve (në oborrin e Lidhjes)
11:00 Akademia Solemne në oborrin e Lidhjes (në oborrin e Lidhjes)
12:00 Turniri ndërkombëtar i mundjes nga KM Prizreni (në palestrën sportive)
13:00 Konferencë shkencore për 140-vjetorin e Lidhjes (në sallën e Kuvendit Komunal)
14:00 Tribunë (në Shtëpinë e Kulturës)
15:00 Ekspozita mbarëkombëtare me pikturë (në ndërtesën e Hamamit – Gazi Mehmed Pasha)
17:00 Parada e FSK-së
21:00 Grumbullimi në Kala dhe marshimi me flakadanë i 140 aktivistëve
21:30 Performanca “Përjetësia” (në Urën e Gurit)
22:30 Koktej tek Sheshi i Lidhjes

  • 11 QERSHOR
    11:00 Fëmijët recitator në Kompleksin e Lidhjes
    21:30 Monodrama “Rrno për me tregu” në Kompleksin e Lidhjes
    21:30 Koncert në “Sheshin e Dëshmorëve” nga qendra kulturore “Margarita Tutulani”
  • 12 QERSHOR
    10:00 Homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë
    12:00 Koncert recital nga Elvis dhe Gjulian Bytyqi te Rrapi në Marash
    21:30 Dokumentari “Toka e shqiponjave” në kino “Lumbardhi”
    21:30 Koncerti i Lirisë nga shoqëritë vendore tek “Sheshi i Dëshmorëve”
  • 13 QERSHOR
    11:00 Fëmijët piktorë në Kompleksin e Lidhjes
    21:30 Monodrama “Aktori në kuti” në Shtëpinë e Kulturës
    21:30 Bendet rinore në Sheshin e Lumbardhit
  • 14 QERSHOR 
    12:00 Dokumentari per 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit (te Kompleksi Europa)
    21:30 “Ora e Lidhjes” (te Kompleksi i Lidhjes)
    21:30 Koncert nga Dren Abazi & Zig Zag Orchestra
  • 15 QERSHOR
    21:30 Koncerti i melodive të vjetra, Nezafete Shala & Besa Berberi (te Kompleksi i Lidhjes)

MANIFESTIMET SPORTIVE

  • 10 – 15 QERSHOR
    Turneu i futbollit “Trofeu i Lirisë”
    Turneu i shahut “Trofeu i Lirisë”
    Turneu i pingpongut “Trofeu i Lirisë”
    Basketboll: Junior 06 –  Përmeti

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Korenaren me Lidhjen e Prizrenit

KONTRIBUTI I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA NË SHTETFORMIMIN E KOSOVËS

May 27, 2018 by dgreca

1 ashimNga Frank Shkreli/Të ënjten, me rastin e Ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës, në Muzeun e Republikës së Kosovës u hap ekspozita “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”.  Ftesës, për të marrë pjesë në këtë ekspozitë të organizuar nga bashkautorët Dr. Sadik Krasniqi dhe Magjistër Besnik Rraci, i ishin përgjigjur familja e ngushtë ish-presidentit të ndjerë, Presidenti aktual i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, ish-bashkpuntorë të Presidentit Rugova dhe personalitete të tjera të Kosovës.

Para se të fliste në Muzeun e Kosovës për veprën historike të Presidentit Ibrahim Rugova, Presidenti Thaçi ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën me “Çmimin për Liri dhe Pavarësi” duke ia   dorëzuar dekoratën bashkshortes së të ndjerit Dr. Rugova, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një vendim që Z. Thaçi e kishte njoftuar disa ditë më parë.

Duke folur me rastin e ekspozitës, “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, Presidenti Thaçi u shpreh për para-ardhësin e tij dhe Presidentin e parë të Kosovës me fjalë mjaft fisnike, që ishte një freski në diskurisin politik shqiptar, gjë që ndodhë pak e më pak në radhët e politikanëve shqiptarë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Z. Thaçi vuri në dukje – që për disa prej nesh që e kemi njohur   Dr. Ibrahim Rugovën – ato ishin disa prej cilësive më të mira njerëzore dhe politike që posedonte Presidenti Ibrahim Rugova.  Presidenti Thaçi u tha të pranishëmve se Dr. Ibrahim Rugova, “Ishte njeri i durimit dhe pajtimit, ishte njeri i vizionit”, thkesoi ai.  “Sot çdo parti dhe çdo lider politik duhet të shikojë të ardhmen stabile dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës, para interesave dhe adresave të caktuara të partive politike, ashtu siç vepronim bashkërisht në të kaluarën. Sot, çdo qytetar i Kosovës kudo që jeton në Kosovë, apo diasporë është liridashës, është çlirimtar”.   Zoti Thaçi foli me një gjuhë rugoviane për bashkim të politikës rreth interesave të Kosovës dhe të kombit, mbi interesat personale dhe partiake.  “Sot, Kosova është shtet, ka simbolet e veta, Kosova ka identitetin e vet kombëtar dhe shtetëror, Kosova ka identitet evropian. Prandaj, secili duhet të ndjehet krenar me të arriturat. Shteti i Kosovës është mbi të gjitha dhe para çdo adrese politike. Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, ka nënvijuar Presidenti Thaçi.

Me Presidentin Ibrahim Rugova, shtoi Z. Thaçi, e bindëm botën për të drejtën tonë për liri dhe për shtet të pavarur, duke iu referuar viteve të vështira të Kosovës në fund shekullin që kaloi, ndërsa theksoi se ekspozita për kontributin e Presidentit Rugova në shtetformimin e Kosovës e hapur në Muzeun e Kosovës, e çon vizitorin në një “Udhtim në kohë të viteve të rënda dhe tragjike të vendit, të cilat, pashmangshëm lidhen edhe me emrin e Presidenti Rugova”, ka thënë Presidenti Hashim Thaçi.

Lëvizja për pavarësinë e Kosovës, sipas presidentit Thaçi, si në dimensionin politik, ashtu dhe atë ushtarak, bëri bashkë politikanë, intelektualë, ushtarakë, gra dhe burra, pleq dhe të rinj, me një qëllim të vetëm, për pavarësinë e Kosovës.   Presidenti Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, por u fitua me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe.   Ai ka thënë se “Mosbindja civile në ato vite kundër Serbisë ishte monumentale në lëvizjen politike botërore, derisa UÇK-ja ishte lëvizja çlirimtare me e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore”.

“Kombinimi e këtyre dy komponentëve të lëvizjes kombëtare, nuk kishte si të mos rezultonte në unitetin qytetar, në përkrahjen masive ndërkombëtare, për të kulmuar më në fund me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi në fjalën e tij me rastin e hapjes së ekspozitës në Prishtinë, për kontributet e Presidentit Ibrahim Rugova në pavarësinë dhe shtetformimin e Kosovës.Fjalimi i Presidentit Thaçi në ekspozitën e Muzeut të Kosovës për kontributet e Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, në të vërtetë, u mbajtë jo vetëm në një atmosferë por edhe në një frymë rugoviane.  Thirrjet për bashkim, njohja e kontributeve politike dhe ushtarake, e vetmohimeve dhe e sakrificave sublime, ishin veti të asaj periudhe plot vështirsi për Kosovën dhe e sakrificave për të gjithë – të një periudhe në historinë e kombit shqiptar, ku siç theksoi edhe Presidenti Thaçi, Presidenti Ibrahim Rugova luajti rolin dhe dha kontributin e tij të pazëvendësueshëm.Për ata që e kanë njohur, një ndër parimet kryesore të Presidentit Rugova ishte bashkimi, bashkimi i të gjithëve për arritjen e qëllimeve të larta, pa dallim feje, krahine ose ideologjie, sidomos në mbështetje të interesave të përbashkëta kombëtare.  Dr. Ibrahim Rugova ishte shprehur në vitin 1989 në Lubljanë të Sllovenisë se, “Qyshë në kohën e Rilindjes Kombëtare në shekullin e 19-të, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”  Në bazë të kësaj vlere ai jetoi dhe veproi me të gjithë dhe për të gjithë.

Ishin këto parimet dhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara me vlerat më të mira të kombit shqiptar, ato që e ndihmuan atë që përveçse të siguronte mbështetjen e shumicës së shqiptarëve në ato kohë të vështira, ai njokhsisht me personalitetin e tij, mundi të bënte miq për kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në trojet autoktone, ku kanë jetuar me shekuj.

Ndonëse nuk e kam parë ekspozitën për kontributetet e tija në shtetformimin e Kosovës, jam i bindur se aty pasqyrohet dhe kujtohet roli i Dr. Ibrahim Rugovës, në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, së bashku me kontributin e tij në fusha të tjera, për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur, por edhe për rolin e tij në përforcimin e marrëdhënieve miqësore midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar, i cili si askush tjetër, bëri miqë të shumtë për Kosovën dhe për Kombin Shqiptar. Ekspozita, jam i sigurt, pasqyron gjithashtu Dr. Ibrahim Rugovën edhe për shembullin dhe për rolin e tij si njeri dhe si udhëheqës – i cili besonte, mbi të gjitha, në dashurinë për kombin dhe në të drejtën e mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullit të vet — dëshmohet në marrëdhëniet me botën, përveç tjerash, edhe duke ruajtur nderin e emrit shqiptar dhe nderin personal, si në jetën private ashtu dhe në jetën politike të vendit, si qytetar I thjesht dhe si udhëheqës. Njohja e kontributeve të Presidentit të parë të Kosovës për shtetformimin e Republikës së Kosovës në ekspozitën e Muzeut të Kosovës — siç është ka theksuar me të drejtë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi – “Shpreh vlerësimin institucional të të gjithë neve, për rolin historik të Presidentit Rugova”. Shpresojmë që ekspozita të shënojë gjithashtu një hap përpara në diskursin politik, në nivel personal dhe institucional të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë mbi historinë jo të largët dhe mbi gjëndjen aktuale politike në Kosovë dhe në Shqipëri dhe njëkohësisht t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha trojeve dhe kudo, ashtu siç ishin të bashkuar në kohën e Ibrahim Rugovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, në miqësi të përhershme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç shprehej shpesh, Dr. Ibrahim Rugova.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

+2

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. IBRAHIM RUGOVA, Frank shkreli, Kontributi historik, shtetformues

Histori-Papa Gjon Pali II dhe Presidenti historik Rugova, takim para çerek shekulli

April 25, 2018 by dgreca

-Në 25 prill të vitit 1993 raportoja nga Prishtina në Tiranë: Papa është sot edhe në çdo familje shqiptare në Kosovë. Lajmin se si pritej e përjetohej në Kosovë vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri e nisja herët në mëngjes me telex-in që ishte mundësia e vetme e lidhjes dhe me shumë vështirësi në atë kohë nga Prishtina me Tiranën…/

gjon-pali-rugova21 papa-rugova.jpg1 Katedralja2 katedralja vat1 Vatranet1 Marjan Kated

-Në 11 mars 1993 Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova/

 -Më parë, po para çerek shekulli, në shkurt 1993, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova udhëheqte delegacionin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË, 25 Prill 2018/ Para çerek shekulli, gjatë vizitës së Atiit të Shejtë Papa Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova e takoi në Tiranë dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin. Po atëherë, më parë, në 11 mars 1993 Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Gjatë qëndrimit në Itali Presidenti Rugova takoi Kryeministrin e atëhershëm Italian Xhuliano d’Amato, nga i cili kërkoi angazhimin e Qeverisë Italiane për vendosjen e forcave paqeruajtëse në Kosovë si hap i parë për shtensionimin e situatës dhe fillimin e zgjidhjes së krizës.Para udhëtimit në Itali-Vatikan, po në vitin 1993 – në 16 shkurt Presidenti Dr. Ibrahim Rugova udhëheqte një delegacion nga Kosova, që kishte shkuar në Amerikë me qëllim që të njoftojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtypjen e të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti Rugova bëri publik planin dhjetëpikësh të veprimit për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’u dhënë fund padrejtësive. Për herë të parë kërkon një protektorat civil ndërkombëtar në Kosovë.Gjatë qëndrimit në Uashington Presidenti Rugova u prit nga Tomas Najllz, Ndihmëssekretar i Shtetit për Evropë dhe Kanada si dhe në Komitetin e Kongresit Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë nga kongresmenët Li Hamilton, Tom Lantos dhe Ben Gilman.Nga 17 deri më 19 shkurt Presidenti Rugova mori pjesë në tubimin kushtuar problemit të ish-Jugosllavisë të organizuar nga “Qendra Karter” në Atlanta të SHBA-ve…

 KATEDRALJA NËNË TEREZA NË PRISHTINË, E PËRKRAHUR NGA PAPA GJON PALI I DYTË

 Në 26 gusht 2005 Presidenti historik Rugova vuri gurthemelin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë  së bashku me atëherë Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalin e Uashingtonit Teodor Mekkerik.“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

 SHQIPTARËT NGA AMERIKA, DHE  VATRANËT,KONTRIBUES PËR KATEDRALEN SHËN NËNË TEREZA

Në 5 shtator 2017, shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar…

RAPORTIMI PARA ÇEREK SHEKULLI: PAPA NË SHQIPËRI – EDHE NË ÇDO FAMILJE SHQIPTARE NË KOSOVË

 Papa është sot edhe në çdo familje shqiptare në Kosovë, kam raportuar kështu nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të lajmeve të Shqipërisë para 25 vitesh.Në 25 prill të vitit 1993 lajmin se si pritej e përjetohej në Kosovë vizita e Papa Gjon Palit II-të në Shqipëri, e nisja herët në mëngjes me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë. Më pas për të përcjellë e parë vizitën shkova në Gjakovë, qytetin pranë kufirit të hekurt që ndante, ku mund të shihej Televizioni Shqiptar përkundër pengesave e zhurmuesve që i kishën vënë në gjithë Kosovën në rrethanat e okupimit të egër nga regjimi i Beogradit.Për vizitën e parë historike të një Pape në Shqipëri, nga transmetimet e Radio Televizionit Shqiptar në televizorin e një familje gjakovare u bënë edhe foto për gazetën e vetme të përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë “Bujku”,  themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha dhe që si gazetë e rezistencës me orientim të fuqishëm properëndimor e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja…

Filed Under: Featured Tagged With: audince, Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Papa Gjon Pali II

Kosovë-Përkujtohet Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova

January 21, 2018 by dgreca

Kosovë-Përkujtohet Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova në 12 vjetorin e shuarjes/

Rugova-Përkujtohet sot në 12 vjetorin e shuarjes Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në prag të jubileut të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte/

Ibrahim-Rugova-dhe-Behlul-Jashari-29-dhjetor-2000-Kryeministri Haradinaj: Kosova dhe populli i saj do t’i jenë përjetë mirënjohës dhe falënderues Dr. Rugovës për gjithë atë që ka bërë për Kosovën dhe shqiptarët/

7 Gazeta-Rilindja-12-shkurt-2005-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-1-Ashtu sikur edhe Presidenti Rugova, Kosova dhe shqiptarët kudo sytë dhe orientimin kah Amerika/6 Ibrahim-Rugova-Interviste-Behlul-Jashari-gazeta-Bujku (1)SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

4 Presidenti-Ibrahim-Rugova-e-Behlul-Jashari-Interviste-Rilindja-dhjetor-2002PRISHTINË, 21 Janar 2018/  Me homazhet që kanë nisur në mëngjes dhe me një akademi në mesditë në Prishtinë përkujtohet sot në 12 vjetorin e shuarjes Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në prag të jubileut të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte.

Homazhe gjatë paraditës bëri edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Pas homazheve së bashku, kryeministri i shoqëruar nga veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktari, vizitoi familjen e presidentit Rugova, ku u prit nga bashkëshortja e tij, Fana, djemtë Mendimi e Uka, vajza Teuta, si dhe anëtarët tjerë të familjes.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë figurën e presidentit Dr.Ibrahim Rugova, duke kujtuar të arriturat që ai i bëri për vendin dhe popullin e tij.

Duke e siguruar familjen Rugova se do të jetë gjithmonë pranë tyre, kryeministri Haradinaj tha se Kosova dhe populli i saj do t’i jenë përjetë mirënjohës dhe falënderues Dr. Rugovës për gjithë atë që Presidenti historik ka bërë për Kosovën dhe shqiptarët.

“Është përvjetori i vdekjes së Presidentit tonë të parë dhe historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. I bëmë nderim te varri dhe vizituam edhe familjen. Sot për simbolikë, ashtu sikur edhe Presidenti ka qenë çdo herë i përcaktuar, sytë dhe orientimin kah Amerika, unë kam një bashkatdhetar, shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktarin, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë afër Presidentit. Nuk është i vetmi, ka pasur shumë shqiptarë që e kanë përkrahur atë lëvizje për Kosovën e pavarur para luftës, gjatë luftës, por edhe sot. I shprehim respekt jetës dhe veprës së Presidentit Rugova. Është një respekt i përjetshëm. Lavdi”, deklaroi kryeministri Haradinaj pas vizitës që i bëri familjes së Presidentit Rugova.

Në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para afër tre dekadave, Dr. Ibrahim Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Si gjithmonë, edhe në 4 mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare para afër çerek shekulli, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, po edhe në raste të tjera, e falënderonte e vlerësonte shumë Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Ajo intervistë e parë e një presidenti të Kosovës për Agjencinë Telegrafike Shqiptare zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës.
“Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai.
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai.

Në 11 tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar” , se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Ibrahim Rugova u lind në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës. “Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 12 viteve, në 21 janar 2006, në mesditë.

“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova u shua në 21 janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.

LAJME TE VITIT 2006:

GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE

-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-
PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George W. Bush i ka nisur  familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare.
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.

 

PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË

PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar.
“Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg.
“Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize.
Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
“Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.

AEROPORTI I PRISHTINËS DO NDIHMOHET EDHE NGA PISTA TE TJERA FQINJE
PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Aeroportit të Prishtinës do t’i vijnë në ndihmë edhe disa aeroporte fqinjë, pasi ky i vetëm nuk mund t’i përballojë fluturimet e shumta speciale të delegacioneve që do marrin pjesë në  varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova.
Zyrtarë të këtij aeroporti thanë sot (e hënë) se kanë shumë kërkesa për ulje dhe se për shkak të kapaciteteve të kufizuara, shumë fluturime do drejtohen për në aeroportin e Shkupit, në Maqedoni. Sipas të njëjtave burime, do shikohen mundësitë që për këtë qëllim të shfrytëzohet edhe një pistë tjetër uljeje afër Gjakovës.

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

Para 12 vitesh,  në  27 janar 2006, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËNNDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.

Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHENDËRKOMBËTARE.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokracidhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006)

IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.Në mëngjesin e 27 janarit 2006 kam raportuar kështu për atë se çka shkruante shtypi i Kosovës për ngjarjen e një dite më parë:

SHTYPI I PRISHTINËS: MBI 500.000 NJERËZ NDERUAN RUGOVËN

Gazetat e Prishtinës sot (27 janar 2006) shkruajnë gjerësisht për nderimet e larta kombëtare e ndërkombëtare  dhe për praninëmë të madhe diplomatike në historinë e vendit në varrimin e djeshëm të Presidentit Rugova.

“Mbi 500. 000 njerëz kanë marrë pjesë në nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare në ceremoninë e varimimit tëPresidentit Rugova”, sipas gazetës tradicionale të Kosovës “Rilinda”, që sot në një numër special ka kryetitullin “Bota nderoi”.

Eksluzive te “Rilindja” tri intervista të Presidentit Rugova në periudha të ndryshme, e para para 12 vjetëve dhënë ATSH-së: “Presidenti Rugova parashikoi dhe ndërtoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve”.

“Koha ime po vjen”, është kryetitulli i shoqruar me një foto të madhe të Presidentit Rugova në gazetën më të re të Kosovës “Iliria Post” në numrin e saj të parë sot. “Kur flet loti s’ka vend fjala” është një nga titujt e tjerë të kësaj gazete, që boton deklarata të përsonaliteteve kombëtare e ndërkombëtare që vlerësojnë Presidentin Rugova.

“Kosova dhe bota i dhanë lamtumirën e fundit Presidentit të Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan në ballinë gazeta “Zëri”. Një titull tjetër është nga një deklaratë e Havier Solanës: “Jam i mahnitur me dinjitetin e popullit të Kosovës në  këto ditë të zisë dhe të pikëllimit”. “Perëndimi kërkon nga kosovarët që të bashkohen për të përmbushur boshllëkun pas vekjes së Rugovas”, është titulli nga deklarata e nënsekretarit amerian Nikollas Berns.

“Lamtumirë President, Rugova përcillet me Flamurin e Himnin e tij”, është titulli kryesor n gazetën “Kosova sot”.

“Kosova u nda nga Presidenti i parë i saj Ibrahim Rugova. Lamtumirë”, është kryetitulli në gazetën “Lajm ekskluzive”. Gazeta njofton se në varrimin e Rugovës ishin 36 delegacione shtetrërore me rreth 200 anëtarë.

“Lamtumirë President”, është kryeartikulli i gazetës “Koha ditore”. Kjo gazetë paralajmëron: “Ahtisari sot në Bruksel, tëmarten takohen ministrant e Grupit të Kontaktit”. “SHBA fton shqiptarët që t’i refuzojnë ata që i rreken dhunës”, është një titull tjetër në “Koha ditore”.

“Prehu i qetë në dheun e Kosovës, Dradanisë antike, President Rugova”, është titulli kryesor në gazetën “Bota sot”. “Presidenti i Kosovës i tregoi botës, që nganjëherë diti të jetë indiferente, për vuajtjet e Kosovës”, është një titull tjetër i gazetës, që citon fjalën e Kryeadministratorit Petersen në ceremoninë mortore.

“Presidentit Rugova iu dha lamtumira e fundit”, është kryeartikulli i gazetës “Epoka e re” nga ceremonia e varrimit, e cila gazetë thekson edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesëve nga shumë vende të botës.

“Pacifisti nderohet nga ushtarët”, është titulli qëndror i gazetës “Express”. “Kosovarët i dhanë nderimet e fundit presidentit tëndjerë Ibrahim Rugova, një ceremoni tejet e organizuar dhe me praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit”, shkruan gazeta “Express”.

NGA BIOGRAFIA

1944
Më 2 dhjetor u lind Ibrahim Rugova në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, apo siç njihej në ato anë, në familjen e Sadri Elezit. Familja është e njohur për tradita kombëtare dhe për qëndresë të pareshtur kundër pushtuesve. Familja i takon fisit Kelmendi, nënfisi Lajçi, e vendosur në fshatin Malaj të Rugovës, ku edhe sot i ka pronat e saj.
Sadri Elezi në historinë shqiptare njihet si pjesëmarrës, përfaqësues i trevës së Rugovës në tubimet e besëlidhjeve shqiptare te Verrat e Llukës dhe të Besëlidhjes së Pejës, “Besa -Besë”, të tribunit popullor, Haxhi Zekës. Gjatë asaj kohe të kryengritjeve të mëdha shqiptare kundër sundimit të Turqisë, Sadri Elezi ka qenë krah i djathtë i Haxhi Zekës dhe në betejat e shqiptarëve kundër ushtrisë turke 1908-1912, disa herë ka qenë i plagosur. Sadri Elezi ka pasur plagë, nga të cilat edhe ka vdekur dhe varri i tij është buzë minares së Xhamisë së vjetër të Istogut.
Dyndjet e kësaj familjeje në Rrafsh të Dukagjinit pasojnë pas njohjes së Sadri Elezit me tribunin e Pejës, Haxhi Zeka. Së pari familja vendoset ndërmjet dy luftërave botërore në Gllaviçicë të Pejës, pastaj në Bajicë fshat buzë Drinit të Bardhë te Banja e Istogut, dhe së fundit në Cerrcë, ku është edhe sot. Por shumë pasardhës të saj jetojnë edhe në Prishtinë dhe në shumë shtete të Evropës, më së shumti në Gjermani, Austri, Luksemburg, Zvicër dhe Itali.

 

Filed Under: Featured Tagged With: 12 vjetori e ikjes, Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Kosova perkujton

Histori-Kosova para 26 viteve në Referendum, votoi 99,87% për Pavarësi

September 26, 2017 by dgreca

-Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%/

1 gjilan 1992

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova: “Referendumi, një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/
1 Rilindja
-Kosova është e lirë prej mëse 18 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 9 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së/
1 kacaniku voton

 -Vatranët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ku u organizua edhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës i 26-30 shtatorit 1991/1 agim mar dila Laura

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 ag mar muze

 PRISHTINË, 26 Shtator 2017/ Para 26 viteve kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

Kuv Kosov Iliaz Ramajli

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konsatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

Iliaz Ramajli

Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

 “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive të një presidenti kosovar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), në shtatorin 1994, atëherë në 3 vjetorin e ngjarjes historike të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Një nga pyetjet e intervistës me Presidentin Rugova ishte: Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.

Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo: “Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendumka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët”.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë që kam zhvilluar ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbulaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror.

“Një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”, vlerëson Rifat Blaku, i cili atëherë ishte anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit.Ai, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 tetor 1991, kur është shpallur edhe qeveria e Kosovës në ekzil.

Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” e  para 26 viteve, në numrin e 4 tetorit 1991, në  ballinë me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për sovranitetin shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, shkruante:“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punojnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatat e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatavë, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ kur ishte i okupuar Televizioni i Prishtinës për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica, duke qenë të gjitha faqet e gazetës ngjarje dite, duke hequr rubrikat e faqet e tjera të botimeve të zakonshme.

Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”,  themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisën edhe bashkëpunimet me ATSH-në, nga e cila merrnim e botonim informacione në gazetën “Buku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Ndërsa, para më shumë se 25 viteve, raportimet që bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare të 24 majit 1992 shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Zyra e telexit në Pallatin Rilinda u bë edhe zyrë e ATSH-së, prej nga raportoja ditë e natë.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Pas Referendumit, në 11 tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”

Kosova është e lirë prej mëse 18 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 9 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së.

VATRANËT NGA SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA, KU U ORGANIZUA EDHE REFERENDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS I 26-30 SHTATORIT 1991

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në përurimin e Shtëpisë-Muzeut të Pavarësisë së Kosovës në 23 dhjetor 2002 theksonte: Në këtë shtëpi u shtyp dhe u përkrah Deklarata e Pavarësisë së Kosovës (e 2 Korrikut 1990),  Kushtetuta e Republikës (e 7 Shtatorit 1990) dhe u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës më 1991 (26-30 shtator).

 Pastaj u nxor dokumenti i tri opcioneve nga të gjitha partitë politike të trojeve shqipare, u organizuan zgjedhjet e para parlamanetare – presidenciale më 1992 (24 maj) dhe aktet e tjera…Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës…

Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e vizitoi në 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj. Gjatë vizites, së bashku vatranët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i VATRËS, Behlul Jashari, përkujtonin  ngjarjet historike…

Filed Under: Featured Tagged With: 26 vjet pga Referendumi, Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, pavaresia

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT