Reflektim ne dhjetevjetorin e ndarjes nga kjo bote te kryetarit historik te Kosoves, Dr. Ibrahim Rugoves (1944 – 2006)/
Nga Sadik ELSHANI-Filadelfia/*
Muaji i ftohte i janarit i lindi burra te medhenj kombit tone: Ismail Qemalin (16 janar, 1844), Isa Boletinin (15 janar, 1864), Fan Nolin (6 janar, 1882), Ismail Kadarene (28 janar, 1936) e ndonje tjeter. Poashtu, ky muaj i ftohte i mori ne amshim disa burra te medhenj te kombit tone: Heroin tone Kombetar, Gjergj Kastriot Skenderbeun (17 janar, 1468), Isa Boletinin (23 janar, 1916), Ismail Qemalin (24 janar, 1919), Ibrahim Rugoven (21 janar, 2006) e ndonje tjeter. Eshte pikerisht dhjetevjetori i ndarjes nga kjo bote i Dr. Ibrahim Rugoves, qe na ben te reflektojme per kete udheheqes te fazes se fundit te perpjekjeve shumeshekullore te shqiptareve te Kosoves per liri e pavaresi dhe kryetar (president) i pare i Kosoves se lire.
Qe ne fillim duhet theksuar se paraqitja e Dr. Ibrahim Rugoves ne skenen politike te Kosoves ishte nje dukuri e papare gjer atehere ne hapesiren shqiptare dhe ate ballkanike. Gadishulli qe kishte perjetuar drama, tragjedi njerezore, luftera e dhune te panderprere, thuaja gjate tere historise se tij, nuk ishte mesuar te ndeshej me nje qendrese (rezistence), levizje paqesore. Por ja qe Dr. Ibrahim Rugova solli dicka te re, solli nje qasje te re, rezistencen paqesore, rezistencen kembengulese burrerore – zgjodhi forcen e parimeve te larta morale mbi forcen e vrazhde fizike. E mosperfillen pushtuesin, e refuzuan nenshtrimin dhe ngriten institucionet, shoqerine paralele. Shqiptaret te cilet ishin rritur me trimerite e Ciklit te Kengeve te Kreshnikeve, Gjergj Elez Alise, bemat e Skenderbeut, tani po provonin dicka ndryshe, dicka te re, dicka qe nuk e kishin provuar kurre me pare. Edhe Dr. Rugova qysh nga lindja e kishte perjetuar fatin e rende te Kosoves, sepse sapo kishte lindur ai, cetniket serbe ia kishin vrare babain dhe gjyshin. Ai ishte rritur duke i degjuar keto histori dhe shume histori te tjera te dhimbshme qe ka perjetuar populli yne. Pa dyshim, edhe ngjarjet e Vitit te Madh 1968 do te kene lene gjurme ne ndergjegjen, kalitjen e karakterit te studentit te atehershem, Ibrahim Rugova. Me strategjine e tij, me filozofine e tij politike e kishte projektuar pavaresine e Kosoves, qellimin perfundimtar, endrren e popullit te Kosoves. Armiku yne, sic kishte bere gjithmone, zgjodhi rrugen e dhunes, rrugen e krimit, gjenocidit. Barbarizmi nuk mund ta perqafoje qyteterimin dhe vertet eshte shume e veshtire qe barbarizmi te luftohet, mposhtet me mjete paqesore. Por koherat tani kishin ndryshuar, Europa dhe bota perparimtare ishin zgjuar nga indiferenca e tyre, sepse armiku yne, dikur miku i tyre, e kishte mbushur kupen. Dr. Rugova ishte bere simboli, flamuri i kesaj levizje dhe me forcen e personalitetit, intelektualizmit te tij e beri te ndjeshme, e nderkombetarizoi ceshtjen e Kosoves, e gezoi perkrahjen dhe mbeshtetjen e demokracive, fuqive me te medha boterore. Por cka eshte edhe me e rendesishme, ai e gezonte perkrahjen, dashurine, respektin e pakufishem te popullit te vet. “Keshtu ka thene Rugova”, “Keshtu ka porositur Rugova” – thonin njerezit. Qyteterimi europian e boteror qe i mbeshteti, qe i perqafoi vlerat e tij te larta intelektuale e njerezore, sikur u pajtua qe te bente dicka per popullin, vendin e ketij njeriu qe misheronte paqen, mirekuptimin, harmonine ne mes te popujve dhe jo dhunen. Me perkrahjen nderkombetare, luften e Natos dhe te shqiptareve, kjo qasje e re solli dicka qe nuk kishte mundur te realizohej me heret – solli pavaresine e Kosoves. Te tjerat i ka thene dhe do t’i thote historia.
Dr. Rugova ishte udheheqesi i duhur, ne kohen e duhur, ne castin vendimtar, ne vendin e duhur. Kishte shume kohe qe vendi yne e priste nje prijes te tille, te mencur e guximtar. E quajten Gandi i Ballkanit. por ai ishte edhe Moisiu i Ballkanit, Moisiu i shqiptareve. Ai nuk i priu popullit te tij drejt tokes se premtuar, sepse ata ishin ne token e premtuar, ne token e tyre – ai i priu popullit drejt fitores se lirise, heqjes se prangave te roberise shekullore. Iishte i begatuar me tipare shume njerezore, kurre nuk e ka fyer askend, nuk e ka share askend, nuk e ka kercenuar askend, nuk ka folur keq per askend, edhe pse te tjeret e sulmonin vend e pa vend. Nuk ishte nje udheheqes megaloman e fjalebosh, por gjithmone i qete, nje intelektual i armatosur me forcen e argumentit, te vertetes. I kishte ngarkuar vetes nje qellim, nje mision te larte e fisnik: te mos merrej me te tjeret, por vetem me ceshtjet, interesat madhore te Kosoves dhe te kombit tone. Kete mund ta bente vetem nje intelektual, humanist me shpirt fisnik e zemer te gjere si Dr. Rugova, njeri qe me veprat e tij: “Strategjia e kuptimit” (1980), “Vepra e Bogdanit” (1982), “Refuzimi estetik” (1987), kishte sjelle nje qasje te re edhe ne fushen e kritikes, studimeve letrare dhe te mendimit kombetar. U ngrit mbi nivel, gjithmone i matur, i miresjellshem: “Qetesia cmohet teper edhe ne diplomaci. Kurre nuk duhet te flase njeriu me nje fjalor te rende, me nje arsenal fjalesh qe ka shtypi, gazetat. Eshte edhe nje parim tjeter: kurre nuk duhet paraqitur as vajtues as eksploziv. Duhet shtruar gjerat ashtu sic jane. Pra, nuk duhet imponuar, nuk duhet te jesh emocional, as ekskluziv, as te urrehen popujt e tjere”. Cili nga politikanet tane i permbahet sot ketij parimi themelor e kaq te domosdoshem per te komunikuar me njeri – tjetrin ne menyre te qyteteruar e njerezore?!
I brumosur me ndjenjat e atdhedashurise dhe i edukuar me nje fryme liberale perendimore, sidomos gjate qendrimit te tij ne Paris, ai ishte shembellture e intelektualit te angazhuar. Si njohes i mire i historise, letersise, kultures e tradites sone kombetare, ai e dinte fare mire rolin e pazevendesueshem qe kishin luajtur njerezit tane te ditur, sidomos Rilindesit tane mendjendritur, per lirine e Shqiperise. Ne caste te veshtira, ne caste vendimtare, intelektuali nuk duhet te prese per te tjeret, por duhet te prije. Bindjet e tij te thella atdhetare dhe realiteti i vrazhde, i eger, i padurueshem qe po kalonte Kosova, i dhane nje shtyse angazhimit te tij politik, duke u bere udheheqes, figure emblematike e levizjes per lirine e Kosoves. Per angazhimin e tij politik, ai ne vitin 1990 eshte shprehur keshtu: “Si kritik letrar e shkencetar politiken e kam percjelle, sepse kjo eshte detyre e cdo intelektuali, i cili duhet te kete qendrim te vetin politik, te pavarur nga politika ditore. Qendrimi ne Paris me ka pasuruar ne kete pikepamje, me ka ndihmuar qe te krijoj nje koncept modern per intelektualin, i cili jo vetem qe duhet te mendoje e te shkruaje per demokracine e lirine, por ne raste konkrete, kur ato kufizohen, duhet te angazhohet edhe konkretisht edhe praktikisht. E deshi situata, e rasti me gjeti ne vendin e kryetarit te Shoqates se Shkrimtareve qe te merrem konkretisht me politike, ne te cilen angazhohem per krijimin e kushteve te favorshme qe neser te kemi mundesi e liri politike te shkruaj libra sic dua, qe te jetojme edhe ne ne liri e demikraci. ky fat ndoshta na eshte paracaktuar ne intelektualeve shqiptare. Keshtu sikur vazhdojme nje tradite te shkrimtareve tane me te hershem, te cilet ne mungese politikanesh u detyruan te merren me ceshtjet e lirise se kombit”. Me tutje ai vazhdon: “Ka historiane qe thone se shtetin shqiptar e kane themeluar intelektualet. Le te na kujtohet puna e Samiut, Naimit, Vretos, Gurakuqit, Nolit, etj., dhe e shohim me te plote kete kuader”. Kete rruge, kete tradite, keto ideale te Rilindjes Kombetare ne menyren me te mire e me besnike i vazhdoi, i coi perpara edhe Dr. Rugova, i cili me plot te drejte cilesohet si Rilindesi i fundit.
Periudha e ndritur e Rilindjes sone Kombetare dhe veprimtaria e levizjes se Dr. Rugoves jane deshmi te qarta se, asnje qendrese e armatosur nuk mund te jete e suksesshme pa patur perkrah nje levzje te drejte e te forte politike, gjitheperfshirese dhe mbarekombetare, qe gezon edhe perkrahjen e gjere nderkombetare. Me veprimtarine e tij letrare, shkencore e politike, Dr. Rugova ka vendosur standarde te larta qe duhet te jene shembull per te gjithe intelektualet dhe politikanet shqiptare. Intelektualet nuk duhet te heshtin perpara sfidave te veshtira qe po kalon Kosova e koheve te fundit – nuk duhet te behen peng i politikes se dites dhe te ambicieve te tyre te semura per pushtet, duke e percare popullin, madje duke nxitur edhe dhune. Ngjarjet e koheve te fundit ne Kosove jane duke pasqyruar qart se Kosoves sot po i mungon nje intelektual, nje politikan i kalibrit te Dr. Rugoves. Po ndihet dukshem mungesa e prijesit emblematik te Kosoves, udheheqesit qe rrezatonte vlera kombetare e miresi njerezore. Njerezit si Dr. Rugova rralle paraqiten ne jeten publike e politike te nje vendi, nje populli te vogel dhe kam frike se per nje kohe te gjate nuk do te kemi nje njeri te permasave, autoritetit te tij. Nderimi me i madh qe mund t’u bejme figurave tona te ndritura, ne kete rast Dr. Rugoves, nuk jane vetem fjalet e mira qe themi per ta , por eshte perkushtimi per te ndjekur shembullin e tyre, per te ndjekur rrugen e tyre, per ta vazhduar punen, misionin e tyre. Dr. Rugova e ka bere te veten me dinjitet e perkushtim, tani radhen e kane te tjeret.
I paharrueshem qofte kujtimi per Dr. Ibrahim Rugoven dhe vepren e tij madhore!
Philadelphia, janar, 2016
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
KUJTESE- KOSOVË-PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA, NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Ballina e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja e para 10 viteve
-Kosova kujton Presidentin historik Rugova në 10 vjetorin e shuarjes/
-Shtypi i Prishtinës para 10 viteve: Mbi 500.000 njerëz nderuan Rugovën/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI
PRISHTINË, 21 Janar 2016/ – Kosova kujton dhe nderon sot Presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitektin e pavarësisë, i cili u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.
Një akademi përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të shuarjes së Presidentit historik Rugova, mbahet në mbrëmje në Prishtinë, nën patronazhin Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërkohë që kanë nisur homazhet dhe veprimtari tjera, që do zhvillohen gjatë ditës.
Një akademi mbahet edhe në mesditë organizuar nga partia e themeluar nga Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës, delegacioni i së cilës pas homazheve do vizitojë familjen e Presidentit historik.
Nga qeveria e Kosovës është paralajmëruar se gjatë pasditës kryeministri Isa Mustafa merr pjesë në ekspozitën dokumentare me fotografi të Presidentit historik Ibrahim Rugova në Bibliotekën Kombëtare dhe në hapjen e Ekspozitës së Përhershme në Shtëpinë e Bardhë, aktivitet që zhvillohet në Shtëpinë e Pavarësisë, ku ishte selia institucioneve të Republikës së Kosovës të Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe të Referendumit për shtet sovran e të pavarur të fundshtatorit 1991, si dhe të zgjedhjeve të para shumëpartiake presidenciale e parlamentare kosovare të 24 Majit 1992.
Para 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.
Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËN NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.
Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE.
Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.
Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).
DR. IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.
Në mëngjesin e 27 janarit 2006 kam raportuar kështu për atë se çka shkruante shtypi i Kosovës për ngjarjen e një dite më parë:
SHTYPI I PRISHTINËS: MBI 500.000 NJERËZ NDERUAN RUGOVËN
Gazetat e Prishtinës sot (27 janar 2006) shkruajnë gjerësisht për nderimet e larta kombëtare e ndërkombëtare dhe për praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit në varrimin e djeshëm të Presidentit Rugova.
“Mbi 500. 000 njerëz kanë marrë pjesë në nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare në ceremoninë e varimimit të Presidentit Rugova”, sipas gazetës tradicionale të Kosovës “Rilinda”, që sot në një numër special ka kryetitullin “Bota nderoi”.
Eksluzive te “Rilindja” tri intervista të Presidentit Rugova në periudha të ndryshme, e para para 12 vjetëve dhënë ATSH-së: “Presidenti Rugova parashikoi dhe ndërtoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve”.
“Koha ime po vjen”, është kryetitulli i shoqruar me një foto të madhe të Presidentit Rugova në gazetën më të re të Kosovës “Iliria Post” në numrin e saj të parë sot. “Kur flet loti s’ka vend fjala” është një nga titujt e tjerë të kësaj gazete, që boton deklarata të përsonaliteteve kombëtare e ndërkombëtare që vlerësojnë Presidentin Rugova.
“Kosova dhe bota i dhanë lamtumirën e fundit Presidentit të Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan në ballinë gazeta “Zëri”. Një titull tjetër është nga një deklaratë e Havier Solanës: “Jam i mahnitur me dinjitetin e popullit të Kosovës në këto ditë të zisë dhe të pikëllimit”. “Perëndimi kërkon nga kosovarët që të bashkohen për të përmbushur boshllëkun pas vekjes së Rugovas”, është titulli nga deklarata e nënsekretarit amerian Nikollas Berns.
“Lamtumirë President, Rugova përcillet me Flamurin e Himnin e tij”, është titulli kryesor n gazetën “Kosova sot”.
“Kosova u nda nga Presidenti i parë i saj Ibrahim Rugova. Lamtumirë”, është kryetitulli në gazetën “Lajm ekskluzive”. Gazeta njofton se në varrimin e Rugovës ishin 36 delegacione shtetrërore me rreth 200 anëtarë.
“Lamtumirë President”, është kryeartikulli i gazetës “Koha ditore”. Kjo gazetë paralajmëron: “Ahtisari sot në Bruksel, të marten takohen ministrant e Grupit të Kontaktit”. “SHBA fton shqiptarët që t’i refuzojnë ata që i rreken dhunës”, është një titull tjetër në “Koha ditore”.
“Prehu i qetë në dheun e Kosovës, Dradanisë antike, President Rugova”, është titulli kryesor në gazetën “Bota sot”. “Presidenti i Kosovës i tregoi botës, që nganjëherë diti të jetë indiferente, për vuajtjet e Kosovës”, është një titull tjetër i gazetës, që citon fjalën e Kryeadministratorit Petersen në ceremoninë mortore.
“Presidentit Rugova iu dha lamtumira e fundit”, është kryeartikulli i gazetës “Epoka e re” nga ceremonia e varrimit, e cila gazetë thekson edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesëve nga shumë vende të botës.
“Pacifisti nderohet nga ushtarët”, është titulli qëndror i gazetës “Express”. “Kosovarët i dhanë nderimet e fundit presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, një ceremoni tejet e organizuar dhe me praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit”, shkruan gazeta “Express”.
DHJETË VJET PA PRESIDENTIN E KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA
Nga Harry Bajraktari*/
Dhjetë vjet më parë, më 21 Janar, u shua nga jeta njëri ndër figurat më të shquara të kombit shqiptar, presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.Me emrin e tij identifikohet Pavarësia e Kosovës, ngjarja më e rëndësishme historike pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë.Për ta fituar këtë luftë të ashpër mbi Serbinë, u desh mençuri, mund dhe angazhim për t’ i bindur SHBA dhe Bashkimin Evropian për të drejtën e mohuar historike të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.Millosheviqi në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar kishte ndërmarrë një terror të egër të përmasave të gjera për dëbimin e shqiptarëve jashtë Kosovës në mënyrë që ta ndryshonte strukturën e popullësisë në këtë pjesë të Ballkanit dhe Kosovën ta fuste në kuadër të një projekti të Serbisë së Madhe.
Në këto vite tejet dramatike Dr. Ibrahim Rugova, mori Kosovën në duart e tij për t’ i kundërshtuar pretendimet shoveniste të Millosheviqit dhe për t’ i hapur Kosovës rrugën e pavarësisë nga Beogradi fashist.
Duke qenë një personalitet i shquar kombëtar, intelektual me një kulturë evropiane, shkrimtar dhe hulumtues shkencëtor, e mbi të gjitha politikan i vendosur për realizimin e Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova u angazhua që bashkësisë ndërkombëtare t’ i afrohej një e vërtetë tjetër nga e vërteta dhe propoganda e vjetër serbe. Dr. Rugova si vizionar që ishte, e dinte se alternativa e vetme për pavarësinë e Kosovës ishte Washingtoni dhe mu për këtë të gjitha aktivitetet diplomatike i orientoi nga kjo qendër botërore, ku nëpërmjet të saj ishin zgjidhur shumë kriza, luftëra e konflikte globale si dhe përfundimet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Qysh si student adhuronte botën perëndimore, prandaj edhe specializimi i tij në Francë s’ ka qenë i rastit.Për ta njohur këtë kulturë, ai lexonte dhe studijonte shkrimtarët dhe filozofët më në zë perëndimor.Kjo i ndihmoi në krijimin e personalitetit të tij, si studijues, intelektual dhe, më vonë, si politikan në një kohë kur Kosovës i duhej më së shumti.
Dr. Ibrahim Rugova lindi në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur populli shqiptar përjetonte masakra të shumta nga komunistët serbë. Më 10 Janar 1945 ia ekzekutuan babain dhe gjyshin. Ky i fundit kishte qenë i njohur në luftërat e organizuara kundër çetnikëve, të cilët bënin terror mbi popullatën shqiptare në krahinën e Rugovës dhe në pjesët tjera të veriut të Kosovës. I prekur thellë nga historia e babait dhe gjyshit të tij dhe nga ngjarjet e tmerrshme që kishin ndodhur ndaj shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, Dr. Ibrahim Rugova në vitet e 90-ta mori një barrë të madhe mbi vete që përmjet filozofisë paqësore dhe luftës intensive diplomatike ta nxirrte Kosovën nga okupimi serb dhe nga mizoritë që kryente regjimi i Millosheviqit në atë kohë. Ndonëse e dinte se kjo rrugë s’ do të kuptohej drejtë nga shumëkush, ai i mbeti pranë kësaj filozofie deri në fund, por në asnjë mënyrë nuk hoqi dorë nga Pavarësia e Kosovës. Dhe kështu, me politikën e tij paqësore, fitoi simpati nga shumë liderë të vendeve demokratike në gjithë botën, e para se gjithash të SHBA. Pavarësia e Kosovës për të ka qenë e vetmja rrugë që do të sillte paqe në rajonin e Ballkanit.
Ngjarjet e viteve të 90-ta Rugovën e gjetën në detyrën e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar të LDK-së, parti e parë e pavarur në Kosovë krahas të ndonjë partie tjetër që selitë i kishin jashtë Kosovës. Kur Millosheviqi solli mijëra serbë në vitin 1989 në Gazimeston për të shënuar një përvjetor të një beteje të humbur dhe kërcënoi shqiptarët me dëbim masiv, Dr. Ibrahim Rugova në të njëjtën ditë para gazetarëve të jashtëm dhe të brendshëm, akuzonte politikën represive serbe ndaj shqiptarëve atëherë nën Jugosllavi. Deklarata e tij në këtë kohë, kur persekutoheshin intelektualët shqiptarë dhe izoloheshin në burgjet serbe, bëri jehonë të madhe në botën demokratike dhe brenda Kosovës. Ishte një thirrje për bashkimin e shqiptarëve kundër klithmave përplotë urrejtjeje të Millosheviqit. Nga ky vit (1989) ai u nis për ta fituar betejën diplomatike për Kosovën.
Nga viti 1989 u bëmë miq të pandashëm për çështjen e Kosovës
Nga dita kur e njoha Dr. Ibrahim Rugovën e deri në vdekje ishim bashkë për çështjen e Kosovës dhe çështjen e përgjithshme shqiptare. Dr. Rugovën për herë të parë pata rast ta takoja në seminarin, kushtuar 300 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, të cilin në New York e organizoi Kisha Katolike” Zoja e Këshillit të Mirë” në vitin 1989. Meqenëse Zoti Rugova ishte doktoruar mbi veprën e Bogdanit, ishte ftuar të fliste mbi këtë figurë të madhe të kulturës shqiptare.Nga kjo periudhë kam vazhduar kontaktet e mia me të për të mirën e Kosovës.
Kur u vendosëm me shtëpi në Armonk të New York-ut, ajo u bë një vendtakim për politikanë, diplomatë, intelektualë dhe njerëz të profesioneve të ndryshme që vinin nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e më vonë edhe nga Shqipëria. Në shtëpinë tonë në këtë kohë sillnim kongresmenë, senatorë e miq të tjerë amerikanë, mbështetës dhe dashamirë të çështjes së Kosovës. Disa muaj më parë, në Prill të vitin 1990, në Washington DC, një grup prej 20 intelektualësh erdhi për të dëshmuar mbi dhunën serbe në Kosovë. Në krye të këtyre intelektualëve ishte Dr. Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Kjo dëshmi u konsiderua fitorja e parë në fushën diplomatike kundër grupit serb që përfaqësohej nga ultranacionalisti, Dobrica Qosiq. Kjo dëshmi u drejtua nga Tom Lantos, përfaqësues i atëhershëm për marrdhënie me jashtë pranë Kongresit Amerikan së bashku me John Porter. Lantos ishte edhe një mik i shqiptarëve, i cili mbështeste zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nga kjo dëshmi filloi njohja e Washingtonit me problemet që kishte Kosova me Serbinë.
Më 17 Shkurt, 1993 pata rastin ta shoqëroja presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën në WashinGton, ku pat një takim në Shtëpinë e Bardhë me Samuel Richard Berger, i njohur me nafkën ” Sandy” që ishte Këshilltar për Siguri Kombetare në administratën e presidentit Bill Clinton. Me Rugovën ishte edhe Dr. Alush Gashi dhe Dr. Shaqir Shaqiri. Kjo ishte vizita e tij e parë në Shtëpinë e Bardhë, ku Rugova kërkoi vendosjen e trupave të OKB-së në bashkëpunim me trupat e NATO-s në Kosovë dhe vënien e saj nën Protektoratin Ndërkombëtar deri sa ajo të fitonte pavarësinë.
Që nga viti 1990 kur presidenti Dr. Ibrahim Rugova ka ardhur në Washington apo në New York, gjithherë është kthyer në shtëpinë time në Armonk.Sipas kohës që ka pasur në dispozicion, herë ka ndejtur më shumë e herë më pak, por gjithherë është kthyer. Varësisht nga bisedat që zhvillonte me personalitetet e administratës Amerikane, ndërmirrte hapat aktual të veprimit. Në shoqërimin që i bëja në takimet e tij në Washington apo në New York kam hetuar se Dr. Rugova ka pasur edhe presion që të pranonte ndonjë zgjidhje që nuk shkonte në favor të Kosovës. Shpeshherë i thoshin se njëherë Ballkani duhet të inkuadrohet në Bashkësinë Evropiane e pastaj brenda këtij opcioni Kosova të bënte zgjidhjen e saj. Ndërsa ai shfaqte mendimin e tij të përkundërt se së pari pavarësia e më pas integrimi.Kjo për Rugovën ishte alternativa e vetme e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb.
Çdo takim që kam pasur me të, në të gjallë të tij, gjithnjë bisedat i lidhte me Kosovën dhe përgjithesisht me perspektivën e çështjes shqiptare. Një simpati të veçantë për Dr. Rugovën e ka pasur edhe im atë, Meta. Babain tim e pyeste për disa figura të rëndësishme kombëtare që kishin qenë të detyruar ta braktisnin Shqipërinë për shkak të ndjekjeve që u kishte bërë regjimi i Enver Hoxhës dhe ai jugosllav e të cilët, disa nga ta, ishin vendosur në New York, si Dr. Rexhep Krasniqi, Hysen Bej Prishtina, Abaz Kupi e shumë nacionalistë të tjerë. Dr. Rugova e njihte veprimtarinë e tyre, por dëshirontë të dinte më shumë për punën dhe jetën e tyre në Amerikë.
Derisa po e përcillja njëherë në Aeroportin “Kennedy” ku pas një vizite në SHBA po kthehej për Kosovë, presidenti i ndjerë Rugova më tha:” Harry do të punojmë së bashku deri në fund për çështjen e Kosovës”.
Presidenti Rugova për herë të fundit në SHBA
Për herë të fundit kur ishte në Amerikë, presidenti Rugova pas luftës, unë me Rrustem Gecin, organizuam një darkë të veçantë për të.Këtë darkë solemne e shtruam në një anie shetitëse nëpër ujrat e lumit Hudson rreth e përçark New York-ut, ku morën pjesë mbi 100 shqiptarë.Kjo ka qenë vizita e tij e fundit në SHBA.Në bisedë me të, më tha se tani po arrijmë tek shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ku të gjithë kemi hise, se të gjithë kontribuam për të.
Varrimi i Rugovës ishte një referendum për pavarësinë e Kosovës.Ky ka qenë përkushtimi i tij sa ishte gjallë. Ky ideal i tij u përmbush vetëm dy vjet pas vdekjes së tij. “Amanetin e të parëve e kemi obligim ta çojmë në vend”, thoshte ai në biseda që organizonte me shqiptarët e Amerikës.
Nga viti 1991 e deri në vdekje, sa herë që janë mbajtur zgjedhjet për president të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova i ka fituar me shumicë apsolute të votave. I ndjeri ka qenë figurë unifikuese.
Sot pas dhjetë vjetësh të vdekjes, Dr. Ibrahim Rugova kujtohet me pietet të madh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm kombëtar e mbi të gjitha si arkitekt i pavarësisë së Kosovës.
* Autori është veprimtar e biznesmen i shquar shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York
KOSOVA KUJTON PRESIDENTIN HISTORIK IBRAHIM RUGOVA, BOTA NDEROI PARA 10 VITESH
Në Kujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, organizohet akademi përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të shuarjes së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Akademia mbahet në 21 janar në orën 18:00 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë./
KOSOVA KUJTON PRESIDENTIN HISTORIK IBRAHIM RUGOVA, BOTA NDEROI PARA 10 VITESH/
-Presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë, u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik/
-Në 16 janar 2006, Presidenti Ibrahim Rugova priti kardinalin e Venedikut, Anxhelo Skola dhe shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg. Këto ishin takimet e fundit që Presidenti Rugova ka zhvilluar me diplomatë/
-Presidenti historik Rugova në intervistën që kam zhvilluar për gazetën Rilindja në fundvitin 2002: Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës…Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët./
-Personalite të larta nga e gjithë bota, sa herë që vijnë në Kosovë kujtojnë me vlerësimet më ta larta Presidentin historik Rugova. Çka kanë thënë presidenti amerikan Clinton e kryeministri britanik Blair për kristalet e Rugovës dhe “besën” e dhënë për të ndihmuar Kosovën/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 20 Janar 2016/ Kosova kujton Presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitektin e pavarësisë, i cili u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.
Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, në Prishtinë.
Nën patronazhin Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, organizohet akademi përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të shuarjes së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Akademia mbahet në 21 janar në orën 18:00 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
“Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 10 viteve, në 21 janar 2006, në mesditë.
“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë, ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.
Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë.
Presidenti Rugova vuante nga kanceri në mushkëri, me të cilin ishte diagnostifikuar në fund të gushtit të vitit 2005.
Ai ndërroi sot jetë në fazën terminale të sëmundjes primare, pasi luftoi këtë sëmundje gjithë këta muaj me guxim të pashoq dhe moral të lartë. Opinioni do të njoftohet me kohë për detajet që lidhen me nderimet e fundit që do t’i bëhen Presidentit Rugova”, thuhej në komunikatën e Presidencës së Kosovës.
Në ndërkohë, zëdhënësi i Presidentit, Muhamet Hamiti, u kishte deklaruar medieve ndërkombëtare: “Rugova e zhvilloi betejën e vet me kancerin me dinjitet dhe guxim të madh deri në frymën e fundit”.
21-25 janar 2006 – Këshilli i Varrimit, i udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, në të cilin marrin pjesë figura eminente vendore por edhe autoritetet më të larta ndërkombëtare në Kosovë, cakton fillimisht 5 ditë zie, për të vendosur në fund që për Presidentin Rugova Kosova do të mbante 15 ditë zie – deri më 6 shkurt. Bëhen përgatitjet e plota për ceremonitë mortore të Presidentit Rugova. Qindra mijëra njerëz, simbas vlerësimeve të mediave të huaja mbi një milion, me gjithë motin e ftohtë me temperatura deri në -18 gradë celsius që mbretërojnë në Kosovë, i bëjnë nderime Presidentit të ndjerë, trupi i të cilit ishte sjellë për homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës.
26 janar 2006– Rreth një gjysmë milioni njerëz marrin pjesë në funeralin e Presidentit Rugova, i cili pasditen me acar varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Velani. Rugova varroset me nderimet më të larta shtetërore e ushtarake, që janë quajtur “ceremoni kombëtare”. Mbi 50 delegacione nga vende të ndryshme të botës, udhëhequr edhe nga delegacione presidenciale, marrin pjesë në shërbesat përkujtimore. Arkivoli me trupin e Presidentit Rugova, mbështjellë me Flamurin e tij propozuar për Flamur shtetëror të Kosovës, bartet në “Shtratin e Topit” nga formacione të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, që kryen ceremonitë ushtarake të një funerali shtetëror, gjatë kortezhit që niset nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, për të kaluar, nëpër Rrugën Nëna Tereze, rrugës kah Fakulteti i Filologjisë dhe Instituti Albanologjik, ku kishte studiuar e punuar Rugova, përpjetë drejt sallës “1 Tetori”. Fjalë përkujtimore në ceremoninë qendrore mbajnë PSSP Soren Jessen-Petersen, kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Havier Solana, anëtari i kabinetit të Presidentit amerikan Bush, Xhekson, dhe nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha.
Rreth orës 14.35 minuta kortezhi funebër, pasi kalon nëpër rrugën Agim Ramadani, dhe rrugës përpjetë drejt Varrezave të Dëshmorëve, mbërriti në vendin ku do të pushojë përgjithnjë – në Varrezat e Dëshmorëve në Velani, jo shumë larg nga rezidenca ku kaloi 12-13 vjetët e fundit të jetës. Trupi i Presidentit Rugova u lëshua në tokën e Kosovë pak minuta më vonë, para orës 15:00. Varri i Presidentit Rugova, mbuluar me pllakë të bardhë mermeri, ruan me shkronja të arit shënimet elementare: Ibrahim Rugova, 1944-2006.
I gjithë funerali i Presidentit – nga ora 09:00 e mëngjesit – transmetohet drejtpërdrejt në të tri televizionet me shtrirje kombëtare në Kosovë – RTK, RTV21 dhe KTV, por edhe nga stacione televizive nga Shqipëria. Ndërsa, disa televizione të huaja kohë pas kohe kyçen në transmetim të drejtpërdrejtë.
Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, më 23 dhjetor 2005, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit.
Në vitin 2006, në 6 janar Presidenti Ibrahim Rugova merr urime nga Presidenti amerikan Bush dhe kryeministri britanik Bler për festat e fundvitit.
Në, 11 janar, pas një sulmi në zemër, vdes në moshën 68 vjeçare Imzot Mark Sopi, ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës. Presidenti Rugova shpall ditën e shtunë, 14 janar 2006, ditën e varrimit të Imzot Sopit, “ditë zie në tërë territorin e Kosovës”.
Në 16 janar 2006, Presidenti Ibrahim Rugova priti kardinalin e Venedikut, Anxhelo Skola dhe shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg. Këto ishin takimet e fundit që Presidenti Rugova kishte zhvilluar me diplomatë të huaj para se të ndërronte jetë.
“Presidenti Rugova pret në takime të veçanta Kardinalin Scola, shefin e Misionit Amerikan në Kosovë”, bënte të ditur komunikata nga ato takime të fundit, e dërguar nga Presidenca e Kosovës, në të cilën thuhej:
“Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka pritur sot (e hënë) në një takim Kardinalin Angelo Scola (Anxhelo Skola), Patriark i Venedikut, i cili ka ardhur në Kosovë për ceremonitë mortore të imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovë, i cili ndërroi jetë javën e kaluar.
Kardinali Scola çmoi filozofinë politike dhe vlerat që përfaqëson Presidenti Rugova, duke uruar që Presidenti të përballojë tani edhe sfidën e shëndetit dhe të arritjes së statusit përfundimtar të Kosovës.
Presidenti Rugova vlerësoi kontributin e Imzot Mark Sopit për Kosovën.
Presidenti i Kosovës theksoi se tani që jemi në prag të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, pavarësia dhe sovraniteti i plotë janë zgjidhje që siguron paqe e stabilitet në vendin tonë dhe në këtë pjesë të Evropës.
Po sot, Presidenti Ibrahim Rugova ka pritur në një takim të veçantë edhe shefin e Misionit Amerikan në Kosovë, z. Philip Goldberg, me të cilin zhvilloi një bisedë për çështjet aktuale në vendin tonë”.
Që para më shumë se dy dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet. “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, ka thënë shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
Të zhvilluara kështu të ndërmjetësuara e garantuara ndërkombëtarisht bisedimet për statusin – pavarësinë e Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova i parashikonte e kërkonte në intervisten ekskluzive, të parën të Presidentit të parë të Kosovës dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), të cilën e zhvillova në shtator 1994.
Presidenti Rugova theksonte se, “ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithsesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991 e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”…Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.
“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës të shndërruar në seli të institucioneve të Republikës së shpallur.
“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.
Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.
“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte ai në një intervistë poashtu ekskluzive që zhvillova në fundvitin 2002 për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja.
Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.
Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.
Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.
Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë të vendosur përjetshëm në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.
E teksti i këngës “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, e cila nga Presidenti historik i Kosovës Rugova është propozuar Himn i Kosovës është ky:
KUR KA RA KUSHTRIMI N’KOSOVË
Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë
Kur ka ra ushtrimi n’Kosovë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftoi Prizreni, Prishtina e Llapi me Rugovë
Mirë luftoi Prizreni, Drenica e Llapi me Rugovë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë
I lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, Rugova, më 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosvës (LDK), e cila më shumë se parti lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
Më 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi një vit më parë, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht.
Si gjithmonë, edhe më 4 mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës president i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova theksonte: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.
PRESIDENTI AMERIKAN CLINTON E KRYEMINISTRI BRITANIK BLAIR: PËR KRISTALET E RUGOVËS DHE “BESËN” E DHËNË PËR TË NDIHMUAR KOSOVËN
Personalite të larta nga e gjithë bota, sa herë që vijnë në Kosovë kujtojnë me vlerësimet më ta larta Presidentin historik Rugova.
Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.
Në vitin 1998, Tony Blair, atëherë Kryeministër i Britanisë së Madhe, ia kishte dhënë “besën” Ibrahim Rugovës, Presidentit historik të Kosovës, se do të ndihmonte.
Këtë e tregoi vetë Blair në Prishtinë në 9 korrik 2010, në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës:
“Më kujtohet fundi i vitit 1998, vizita në Doëning Street e Ibrahim Rugovës. Ai ishte një burrë i qetë dhe modest. Ai më dha një dhuratë të vogël të kristalit të purpurtë dhe të bardhë. E mbajta gjatë tërë qëndrimit tim në Doëning Street mbi tavolinën time. Tash ajo ndodhet në shtëpinë time mbi kaminë.
Ai (Rugova) më tregoi të vërtetën për Kosovën. Orvatjet e popullit të saj, nevojën që bota të dëgjojë, detyrën e botës për të vepruar. Ai nuk bërtiste, nuk e shfaqte gjendjen me slogane ose gjeste ekstravagante. Ai fliste butë por me një sinqeritet mbresëlënës. Përderisa largohej, më tha: ‘Ju lutem, po ju kërkoj vetëm një gjë: mos lejoni që populli im të vuajë më. Ndjeni për të siç ndjeni për popullin tuaj. Dhe ndihmoni’.
I thashë se Britania do të ndihmonte. Ia dhashë ‘besën’ time. Detyrimin tim. Dhe e mbajta. Sot kujtoj Ibrahim Rugovën dhe shpreh respektin tim për lidershipin, vendosmërinë dhe urtësinë e tij”.
Duartrokitjet frenetike në Kuvend pas këtij tregimi shprehën edhe një herë fuqishëm falënderimin dhe mirënjohjen e përjtëshme për Kryeministrin e Britanisë së Madhe në kohën e luftës në Kosovë, Tony Blair, njeriun që bashkë me Presidentin amerikan Bill Clinton kishin vendosur të lëviznin NATO-n për Kosovën.
Në 24 mars 1999 ishte mbrëmja e ditës që i hapi shteg lirisë së Kosovës, ndërhyrjes shpëtimtare së NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit. Ishte një ndërhyrje që pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në 6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar.
Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
Arkiv-Rugova në intervistë para 21 vitesh: POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE
-Rezistencë e organizuar për të mbijetuar dhe të shpëtohet substanca, masa njerëzore shqiptare në Kosovë/
-Në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë/
-Shtet me të gjitha garancitë për të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë, ku askush nuk do të trajtohet si minoritet/
Ne Foto:Dr. Ibrahim Rugova, keshilltari Xhemail Mustafa dhe Behlul Jashari, 22 shtator 1994, interviste per ATSH/
Nga Behlul Jashari/ 25 Shtator 2015/ “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, dhe në intervistën që kam zhvilluar në shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në, e vlerësonte Referendumin e 26 deri 30 shtatorit1991 “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova i përgjigjej: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”. “Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti i Kosovës. “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. Sipas Rugovës, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, theksonte ai. Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën. “Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në intervistën në vitin 1994. Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ekskluzive për ATSH-në, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë. Presidenti Rugova theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. “Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. Presidenti Rugova besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. “Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë është marrë në konsiderim, dhe po shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Rugova para 21 viteve në intervistë për ATSH-në, ku parashikonte ngjarjet dhe zhvillimet që ishin si ëndërr, por që pasuan dhe u bënë realitet. Ibrahim Rugova, i lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, u shua në 21 janar 2006, në Prishtinë, ku me ardhjen e shumë personaliteteve “Bota nderoi” shkruante në kryetitull në ballinë gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja në një botim të jashtëzakonshëm të posaçëm për lamtumirën e njeriut që bëri epokë.
Ashtu si u botua të hënen e 26 shtatorit 1994 në gazetën e përditshme të rezistencës në Kosovë, “Bujku”, intervista me Rugovën e plotë është kjo:
MBITITULLI: Intervistë e Presidentit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare
Titulli:POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE
—
NËNTITUJT: Bëjmë një rezistencë mjaft të organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes. – Në planin ndërkombëtar, ideja për mbrojtje ndërkombëtare të Kosovës shqyrtohet. – Shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptojnë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese. – Dialogu me serbët gjithsesi në prani të faktorit ndërkombëtar. – Ideja për lidhje konfederale të Kosovës me Shqipërinë u prit mirë në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. – Me hapjen e problemeve me Shqipërinë, Greqia dëshiron ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. – Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale është një akt që e afirmoi tutje çështjen dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës. – Shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion. – Zgjedhjet në LDK ishin shumë të suksesshme në planin e vazhdimësisë, unitetit e konsolidimit
—
Prishtinë, 25 shtator (ATSH)
Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në një intervistë që i dha Agjencisë Telegrafike Shqiptare, flet për shkallëzimin e represionit e të terrorit në Kosovë, për shmangien e konfliktit e mbrojtjen ndërkombëtare për Kosovën, tendencat greke për destabilizim të Ballkanit e në raport me Shqipërinë e shqiptarët, politikën globale shqiptare e për bashkëpunimin me Shqipërinë, idenë e lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë, zgjidhjen e çështjes shqiptare në të gjitha trojet etnike në ish-Jugosllavi, për zgjedhjet në LDK – partinë më të madhe shqiptare në Kosovë, dhe për çështje të tjera aktuale. Intervistoi: Behlul JASHARI. (Kjo është intervista e parë e një presidenti të Kosovës për ATSH-në)
PËRDITSHMËRI REPRESIVE QË NGRITË TENSIONET NË KOSOVË E NË RAJON
Zoti President, institucione e asociacione ndërkombëtare (si Amnesty International në raportin e fundit etj.) kanë shprehur brengosje e shqetësim për shkallëzim të përshpejtuar të represionit e të terrorit në Kosovë. Çfarë është situate shikuar nga afër, si përditshmëri e popullit të Kosovës?
-Në Kosovë qe sa vite e kemi një përditshmëri represive, represion sistematik, që shkallëzon apo përshpejtohet edhe me ngjarje të ndryshme, siç i kishim vrasjet edhe këta dy muajt e fundit dhe momente të tjera të rënda. Është një represion masiv në Kosovë, dhe, natyrish, i ngritë tensionet politike këtu dhe në rajon. Represioni veçmas është shprehur pas largimit të misionit të KSBE-së nga Kosova. Prandaj, kërkojmë praninë ndërkombëtare në Kosovë, e po ashtu kushtëzimin e sanksioneve kundër Serbisë e Malit të Zi edhe me Kosovën.
Institucione e asociacione ndërkombëtare e kanë të njohur çështjen e Kosovës, sidomos Amnesty International, e cila ndjek situatën, më duket, prej 81-shës, e këtej, sidomos këto vitet e fundit. Situata ndiqet po ashtu edhe nga Federata e Helsinkit nga Vjena, pasaj nga Helsinki Uaç i SHBA-ve dhe nga mjaft institucione të tjera ndërkombëtare. Ne përshëndesim çdo interesim dhe angazhim ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.
REZISTENCË E ORGANIZUAR PËR TË MBIJETUAR
Ka kohë që Kosova jeton midis një gjendje lufte të pashpallur dhe të një paqeje të paqenë. Në këtë front dhune, siç e quani ju, si u arrit, që, megjithatë, Kosova dhe shqiptarët t’i shmangen konfliktit të hapur dhe të jenë faktorë të krijimit të stabilitetit në rajon?
-Flitet se në Kosovë është një paqe e këtij apo atij lloji. Do të kisha thënë se, megjithatë, është më mirë që ekziston një gjendje e tillë sesa të ndodhte ajo më e keqja. Mundësinë e një konflikti kemi arritur ta evitojmë në saje të politikës që kemi ndjekur deri tash, rezistencës paqësore dhe të një rezistence politike, njëhohësisht në saje të popullit të Kosovës, i cili nuk i ka pranuar provokimet. Populli ka dhënë mjaft sakrifica deri tash, qoftë me maltretimin, me situatën represive, pastaj me vrasje të ndryshme. Mund të them se nuk është një rezistencë pasive, siç komentohet shpesh. Pra, është një rezistencë mjaft e organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes.
Po ashtu, situatën në Kosovë duhet ta shikojmë në bazë të situatës në të gjitha rajohet e ish-Jugosllavisë, sepse është një rajon i mbërthyer në luftë, me fronte të hapura në Bosnjë, në Kroaci, pastaj në Kosovë me një front të dhunës dhe të represionit. Pra, në këtë kontekst, Kosova ka kontribuar që të ruhet një lloj stabiliteti dhe të shpëtohet substanca, masa njerëzore shqiptare në Kosovë.
GREQIA NUK KA TË DREJTË
Tendenca të reja të destabilizimit të rajonit u shfaqën kohëve të fundit edhe nga ana e Greqisë. Si i vlerësoni këto tendenca në raport me Shqipërinë, po edhe me Kosovën e shqiptarët, përgjithësisht?
-Për fat të keq, Greqia qe një kohë paraqitet si faktor destabilizues në Ballkan, mund të themi mbas Serbisë. Prandaj, ne kemi kërkuar disa herë nga Greqia edhe si anëtare e Bashkësisë Evropiane të kontribuojë për marrëdhënie më të mira fqinjësore me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar në përgjithësi. Nëse këtë mund ta interpretojmë si një lidhje me Serbinë, qoftë direkte apo indirekte, mund të them se kjo bëhet me qëllim që të minimizohet çështja e Kosovës në planin ndërkombëtar. Sot çështja e Kosovës po depërton në këtë plan si çështje që don zgjidhje në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës. Ndërsa, me hapjen e problemeve me Shqipërinë gjithsesi Greqia dëshiron, dhe një herë e them, ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe, mund të themi, t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. Mirëpo, Greqia nuk ka të drejtë. Kemi të bëjmë me një minoritet të vogël grek në Shqipëri, i cili, edhe më parë ka gëzuar një vistër të drejtash ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ndërsa sot, pas ndryshimeve demokratike, gjithsesi janë më të avancuara ato të drejta dhe do të avancohen vazhdimisht siç e ka realizuar dhe e premton qeveria shqiptare dhe presidenti Berisha. Prandaj, i bëj edhe një apel Greqisë që më tutje të ndikojë në qetësimin e situatës në Ballkan.
PROTEKTORATI QË E KËRKOJMË NUK ËSHTË QËLLIM FINAL
Për shkak të situatës së rëndë në Kosovë dhe rreziqeve të përhapjes së konfliktit edhe në Jug, Ju keni kërkuar shumë herë mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën. Në ç’formë do të ishte e mundshme ajo mbrotje dhe çfarë është qëndrimi ndërkombëtar lidhur me këtë kërkesë?
-Ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptonë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese.
Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim. Po shtoj edhe me këtë rast se ka disa keqkuptime në opinionin kosovar. E, duhet ditur se protektorati apo administrata civile nuk është qëllim final, por është vetëm një mjet legal i së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara për të qetësuar një rajon apo një territor, siç është Kosova, që të gjendet një zgjidhje pa luftë dhe pa konflike. Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës.
BISEDIMET SHQIPTARO-SERBE GJITHËSESI NË PRANI TË PALËS SË TRETË
Krahas gatishmërisë së kahershme shqiptare, kohëve të fundit janë shtuar edhe insistimet ndërkombëtare për dialog midis Prishtinës e Beogradit. Çfarë janë mundësitë dhe gjasat e fillimit të këtij dialogu?
-Ne, qe sa kohë, jemi përcaktuar për bisedime, për dialog, për marrëveshje me Serbinë. Po, Serbia nuk ka treguar interesim. Ne u përpoqëm t’i shfrytëzojmë edhe institucionet ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, siç ishte Konferenca e Londrës, e Gjenevës, ku ekziston Grupi i veçantë punues për Kosovën. Biseduam për disa probleme konkrete, para dy vjetëve, siç janë arsimi, masmedia, shëndetësia, por nuk arritëm kurrëfarë rezultatesh.
Tash për tash flitet për mundësitë e një dialogu dhe për këtë falënderoi bashkësinë ndërkombëtare, vendet e Bashkësisë Evropiane dhe vendet e treta, si ato skandinave, Austrinë, etj. Pastaj, SHBA-të janë të interesuara që të fillojë ndonjë bisedim, ndonjë dialog. Deri tash zyrtarisht nuk kemi pasur indikacione nga pala serbe, por shpresoj se edhe ajo do të bindet një ditë dhe do të bisedojmë, të gjejmë zgjidhje, qoftë në kuadër të institucionit ndërkombëtar, siç është Konferenca e Gjenevës, apo ndonjë tjetër. Por, ne gjithësesi kërkojmë një palë të tretë të autorizuar për dialog. Kur them të autorizuar mendoj që ky grup apo bosht shtetesh që është aktualisht në Grupin Kontaktues për ish-Jugosllavinë, që është tash për tash i koncentrar në Bosnjë, SHBA-të, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, pra nga ky grup të gjendet një palë e autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do të udhëheqte dialogun. Dhe, ky nuk është ndonjë kusht nga pala shqiptare, siç e paraqet Serbia duke dashur ta eliminojë palën e tretë, por, kjo është më shumë teknikë e dialogut, e bisedimeve, dhe kurrgjë më shumë. Dhe, në këtë drejtim ne insistojmë.
PROJEKTI I LIDHJEVE KONFEDERALE TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË LEHTËSON ZGJIDHJEN
Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?
-Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë, atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.
Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.
Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.
POLITIKA GLOBALE SHQIPTARE PO REALIZOHET
Shpesh theksoni politikën globale shqiptare, çfarë është kjo politikë e realizuar në praktikë dhe në këto kushte të ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij?
-Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare edhe ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që i ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët, nuk po shkoj më tutje, pas vitit 1912, pastaj 1918, sidomos pas ’45-tës, pra për herë të parë bashkëpunojmë në planin politik. Dhe, natyrisht, në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë e kemi një vizion se çka duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte. Për shembull, me politikë globale shqiptare mendojmë që sa më parë ky mur mes shqiptarëve të bjerë.
Po ashtu politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në planin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj brenda dhe jashtë e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët. Kjo gjithësesi është një bazë, një element që premton realizimin e aspiratave shqiptare në përgjithësi. Besoj, shumë gjëra janë dëshmuar deri tash. Dhe, kur të kryhen disa punë tash, që i kanë rënë brezit tonë, do të bëhet një politikë globale shqiptare edhe më e madhe, edhe më e frytshme.
DOKUMENT I UNITETIT E INTEGRIMIT SHQIPTAR
Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?
-Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër, të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.
Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.
Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.
Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken.
NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE DUHET TA FUSIM KOMPROMISIN
Si kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, çfarë qëndrimi mbani lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet e paralajmëruara në Maqedoni?
-Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare aprovon dokumentet kryesore dhe një strategji globale. Si kryetar i këtij Këshilli, që kam një përgjegjësi edhe si president i Kosovës, mendoj se shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion, përkundër atyre grindjeve të vogla që kanë ndodhur, që janë pak a shumë normale në proceset e zhvillimeve politike të një partie. Prandaj, gjithsesi duhet të zënë më shumë vende në Parlament, e pastaj le të përcaktohen ato mes partive apo grupeve të ndryshme politike. Ne duhet të fusim në jetën politike shqiptare kompromisin, ju lutem, jo vetëm marrëveshjen, jo vetëm marrëveshje të ngurta, fikse, insistime fikse. Patjetër duhet ta fusim kompromisin, sepse kompromisi është një prej elementëve të demokracisë. Dhe, të lirohemi prej asaj që e kemi jetuar në një sistem, ku kompromisi është kualifikuar negativisht. Prandaj, sot na duhen kompromisi, marrëveshja, falja e gabimeve, etj. Të gjithë flasin, dhe shumë mirë që flasin, për një ide, për çështjen kombëtare, por çështja kombëtare është shumë praktike. Prandaj në situatat e pluralizmit, në situatat e marrëveshjeve, insistoj në një kompromis dhe shpresoj se partitë politike shqiptare në Maqedoni, edhe pse ka pak kohë, do të gjejnë forcë dhe mundësi që të dalin së bashku si një bllok në zgjedhjet në Maqedoni. Është me rëndësi në këtë moment të zënë sa më shumë vende në Parlamentin e Maqedonisë. Masa shqiptare atje ekzison dhe nuk bën t’a humbim përfaqësimin, të drejtën e përfaqësimit në Parlamentin e Maqedonisë.
Të mos harrojmë se pa marrë parasysh vështirësitë që i pati, Grupi parlamentar shqiptar gjatë kësaj periudhe katërvjeçare në Maqedoni ka arritur mjaft, e ka afirmuar çështjen, edhe në institucione ndërkombëtare, edhe në institucionet e asaj republike, edhe në institucionet shqiptare në përgjithësi, edhe në jetën politike shqiptare.
LDK-ja TREGOI UNITETIN QË I DUHET PATJETËR KOSOVËS NË KËTË SITUATË
Me zgjedhjen dhe konstituimin e Kryesisë së LDK-së, kësaj jave, praktikisht përfunduan zgjedhjet në partinë më të madhe dhe më me ndikim të shqiptarëve në Kosovë. Si i vlerësoni ato, si dhe tendencat për diskreditim të LDK-së e të partive të tjera shqiptare?
-Këto zgjedhje, edhe para një viti në planin lokal – nëpër degë e nëndegë të LDK-së, ishin mjaft pozitive. Pastaj patëm një vonesë për shkak të rrethanave në të cilat veprojmë, sepse nuk është lehtë sot që të mbash një tubim të madh siç ishte Kuvendi i LDK-së në këtë situatë kur është i ndaluar çdo tubim publik për shqiptarët. U mbajt Kuvendi dhe ai tregoi një unitet, një konsolidim. Pastaj këto ditë edhe Kryesia e LDK-së u zgjodh. Këtë e shoh si një sukses të madh të zhvillimit të kësaj partie, e cila e ka edhe barrën e një pushteti në Kosovë. Pra, është një kryesi e vazhdimësisë, kryesi e konsolidimit, siç ndodh në çdo parti, dhe, edhe një herë tregoi se LDK-ja është një forcë dhe një fuqi e madhe, e organizuar dhe relevante në Kosovë dhe në botën shqiptare. Nuk është më partia në fillimet e saj, tash vërehet një lloj profilizimi i kësaj partie, dhe këtë duhet ta shikojmë si një proces normal. Është vështirë të flasim sot për profilizim partiak në Kosovë, sepse në këto kushte të okupimit është shumë vështirë, edhe çdo parti, ndoshta edhe më e vogla, e ndien barrën e interesave kombëtare, të interesave shqiptare në përgjithësi. Por, si një organizim i madh LDK-ja, megjithatë, tregoi se është një parti e fortë, di çka don, forcohet nga brenda, është parti që afron njerëzit e vullnetit të mirë për të bërë diçka. Dhe, kjo përgënjeshtroi edhe mjaft spekulime të ndryshme që mundohen sot t’i mëvishen lëvizjes shqiptare në Kosovë, në radhë të parë LDK-së, pastaj partive të tjera politike, me diskualifikime se nuk janë demokratike, jo e majtë, jo e djathtë etj. Siç dihet, me të majtën rreth Kosovës është manipuluar shumë, me mijëra njerëz kanë pësuar për këtë. Të gjitha këto bëhen me qëllim. Për shembull, janë munduar ta shpallin LDK-në edhe si parti terroriste, e çka jo tjetër.
Përkundër të gjithave, edhe kësaj radhe u tregua një unitet, një koncenzus, një bashkim partiak, një unitet që i duhet patjetër Kosovës në këtë situatë. Dhe, besoj se kjo do të ndikojë pozitivisht në jetën politike shqiptare në Kosovë dhe në jetën politike shqiptare në përgjithësi.
VIZIONI I ARDHMËRISË SË SHTETIT TË KOSOVËS
Ju lutem për një koment për Deklaratën Politike që e miratoi Kuvendi i Dytë i LDK-së, veçmas për vizionin për të ardhmen e Kosovës?
-Deklarata Politike e Kuvendit të Dytë të LDK-së është një dokument në vazhdën e dokumenteve të tjera, që i kemi pasur, që nga Programi i LDK-së, pastaj Deklaratës së përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare. Në këtë Kuvend dhe në deklaratën që e aprovoi u theksua më shumë organizimi i ardhshëm i shtetit të Kosovës, që e kemi edhe në Kushtetutën tonë – një shtet i popujve të barabartë, i qytetarëve, me një ekonomi të lirë të tregut, i hapur ndaj botës. Një shtet, ku nuk do të lejohet, pas kësaj situate që e kemi, revanshizmi ndaj të tjerëve. Shtet me të gjitha garancitë për të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë, ku askush nuk do të trajtohet si minoritet. Është kjo një ide, një projekt, që vërtetë hasi në mirëkuptim dhe në përkrahje. Sepse, në këtë situatë në Ballkan të flasë njeriu për një perspektivë kombëtare qytetare është shumë vështirë, kur, për fat të keq, qarkullon ajo fantazma e çmendive të ndryshme, të konfrontimeve në këtë kohë. Ky ishte edhe një rezultat i Kuvendit të Dytë të LDK-së, dhe, natyrisht, punojmë në këtë plan.
REFERENDUMET SHQIPTARE U RESPEKTUAN NË LONDËR
Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.
-Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.
Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.
INTEGRIMET SHQIPTARE EDHE NË INFORMIM
Zoti President, Ju falënderojmë për këtë intervistë.
-Faleminderit. Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri.
…
Shtëpia e shkrimtarëve, që ishte shndërruar edhe në seli Presidence e institucionesh tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të okupuar e të panjohur ndërkombëtarisht, mund të vëzhgohej edhe nga dritaret e ndërtesës kryesore të Policisë në Prishtinë, që atëherë ishte serbe pas suprimimit antikushtetues e të përgjakshëm me kushtetutën e tankeve të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje. Në zyrën e Presidentit Rugova, në atë shtëpi, intervistën e incizova me dy kasetofona, jo vetëm për siguri teknike, por edhe për siguri të tjera. Njërin nga incizimet ia lash këshilltarit të Presidentit Rugova, Xhemail Mustafa, për çdo rast, meqë ishte droja se kur të dilja nga ajo shtëpi, që mund të ishte edhe e përgjuar, rrugës do më ndalonte policia serbe dhe do konfiskonte kasetofonët me intervistën.
Ishte kohë e ndalesave dhe e okupimit të egër dhe vështirë ishte të ruhen e shpëtohen gjërat me vlerë për shqiptarët e Kosovën.
Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me ATSH-në, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë.
Intervista me Rugovën, e realizuar në 22 shtator, e botuar në gazetën “Bujku” të Prishtinës në 26 shtator 1994, edhe në ATSH u dërgua me ndonjë ditë vonesë, me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë.
Raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 majit 1992, ku Rugova u zgjodh President i Republikës, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit të ATSH-së në Kosovë.
Zgjedhjet pasonin Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Republikës dhe Referendumin për Pavarësinë e Kosovës.
Kosova që para 24 vitesh ka votuar 99,87 për qind për pavarësinë në Referendumin e shpallur nga Kuvendi i saj dhe të zhvilluar nga data 26 deri në 30 shtator 1991.
Referendumi për Pavarësinë, seancat e Kuvendit kosovar për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe për Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, si edhe zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992, janë mbajtur në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci. Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime. Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese. Në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, si e vlerësoi atëherë Komisioni për mbajtjen e Referendumit, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- Next Page »