• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MITROVICA NDEROI DR. XHELAL MITROVICËN PËR KONTRIBUT KOMBËTAR

October 22, 2016 by dgreca

Nga Hysni Syla, Mitrovicë/

100-vjetori-i-xh-m1-dekorate1-foto-xh-mitrovica2-rruga-xh-mitrovica1-takimiNë Mitrovicë, nën përkujdesin e kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri të organizuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega Mitrovicë, dhe TV MITROVICA, në prani të një numri të madh pjesëmarrësish, që kishin ardhur nga e tërë Kosova, Shqipëria e Mali i Zi, është shënuar  100 vjetori i lindjes së atdhetarit të devotshëm, intelektualit të shquar dhe gazetarit të njohur, Dr. Xhelal Mitrovica. Në tubim ishin edhe tri vajzat dhe djali i tij, që jetojnë në Kanada, Belgjikë, Shqipëri e gjetiu.

Nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, falënderoi në mënyrë të veçantë pinjollët e atdhetarit dhe intelektualit Dr. Xhelal Mitrovica që kishin ardhur nga shtete të ndryshme të botës në Mitrovicë, disa prej tyre për herë të parë, për të marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të lindjes së babit të tyre.

Për nënkryetarin Kamberi, Dr. Xhelali, por edhe i ati Dervishi, dhe të tjerët, ishin atdhetarë të devotshëm dhe të përkushtuar për të ndihmuar me të gjitha forcat avancimin e çështjes mbarëkombëtare.

“Dr. Xhelal Mitrovica, së bashku me disa intelektualë tjerë, si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Ago Agaj, Tafil Boletini, Ymer Lutfiu, Kudret Kokoshi, Gjon Logoreci, Ferat Draga, Vehbi Frashëri, Ali Draga, Pajazit Boletini, Shaban Mustafa e të tjerë, ndër të tjera u angazhua me tërë qenien për organizimin e pushtetit lokal e administratën në gjuhën shqipe, për hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar të Ri – Novi Pzari i sotëm). Ishte shumë dinamik, prandaj përcillte dhe ndihmonte çdo aktivitet me karakter politik, kulturor, arsimor etj”, tha ndër të tjera nënkryetari Kamberi.

Ai i njoftoi pjesëmarrësit në tubim se komuna e ka emërtuar një rrugë me emrin e Dr. Xhelal Mitrovicës, ndërsa kryetari Bahtiri i ka propozua Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ta dekorojë këtë atdhetar të devotshëm.

Intelektuali dhe shkrimtari i njohur mitrovicas, që ka merita të mëdha për ndriçimin e shumë figurave të shquara nga Mitrovica, që kanë dhënë gjithçka për çështjen kombëtare, Fazli Hajrizi, tha fillimisht se shumë ngjarje me rëndësi kombëtare e jetike për popullin shqiptar fillimin e përfundimin e tyre e kanë pasur pikërisht në Mitrovicë dhe në rrethinat e saj. Këto ngjarje, sipas tij kanë pasur si protagonistë atdhetarë të shquar, kundërshtarë të përjetshëm të pushtuesve të huaj, sidomos atij osman e serb. Patriotët e intelektualë të këtij mjedisi kanë qenë dalëzotës të flakët e të mençur të të drejtave kombëtare dhe virtyteve shqiptare, të lirisë dhe demokracisë.

“Në historinë kombëtare shqiptare janë të njohura personalitete të shquara që mbajnë si mbiemër emrin e qytetit MITROVICA, si: major Dervish Mitrovica, delegat në Kuvendin e Vlorës (1912), qarkkomandant i xhandarmërisë në Shkodër në Qeverinë e Fan Nolit (1924); Rexhep Mitrovica, firmëtar i Shpalljes së Pavarësisë, ministër i Arsimit e kryeministër i Shqipërisë; Dr. Xhelal Mitrovica, sekretar i “Lidhjes Popullore Shqiptare” (1941), drejtor i Radio Prishtinës (1941), mësimdhënës në Gjimnazin “Sami Frashëri në Prishtinë, përfaqësues i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë (1943-44). gazetar i spikatur; Shejh Muharrem Mitrovica, veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare e fetare, pjesëtar i tarikatit Sa’adi, kryetar i Organizatës “Drita”, bashkëpunëtor i revistës “Njeriu”; Muharrem Mitrovica, nënprefekt i Mitrovicës, patriot i dalluar, i burgosur në Pejë në Kullën e Sheremetit, i vrarë në mënyrë mizore më 11 gusht 1946 dhe i varrosur në vendin e quajtur “Gropat e zeza”; Kimete Mitrovica, vajza e Xhelal Mitrovicës, e cila jeton në Bruksel, veprimtare e dalluar bashkë me të shoqin Idriz Basha, bashkëpunëtore e rregullt e gazetës “Koha e jonë” që u botua gjatë periudhës 1962-1992; Rexhep Mitrovica – i Riu (1959), sot njëri ndër artistët me famë botërore, aktor në Teatrin e Komedisë në Paris, Dervish Xhelal Mitrovica, sot një personalitet i njohur në Kanada e të tjerë”, tha profesor Hajrizi..

Sipas tij, Dr. Xhelal Mitrovica ka qenë sekretar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare e Kosovës” e pastaj edhe anëtar i“Lidhjes Popullore Shqiptare” themeluar në gusht të vitit 1941 në Mitrovicë, nëpunës i përgjithshëm me shërbim në Prizren (korrik 1941), drejtor i Radio Prishtinës dhe mësimdhënës në Gjimnazin, përkatësisht në Normalen “Sami Frashëri” në Prishtinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesëmarrës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (shtator 1943), sekretar i Komitetit (KEP) i zgjedhur në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 6 tetor 1943, deputet i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë (18 korrik – 28 gusht 1944) në qeverinë e Fiqri Dinës, njëri ndër gazetarët më të sprovuar e më të mirë të kohës, bashkëpunëtor në të përkohshmet “Kosova”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, organ i Komitetit Lidhja II e Prizrenit, “Bashkimi i Kombit”, Koha e Jonë”, drejtues  i gazetave “Vatra Shqiptare” dhe “Buletini i Lidhjes së Shqiptarëve” në Australi etj.

“Xhelal Mitrovica u lind më 14 shtator të vitit 1916, në Mitrovicë në një familje bujare e atdhetare me prejardhje nga Pazari i Ri (Jeni Pazari). Dr. Xhelal Dervish Mitrovica, ishte patriot i shkëlqyer i kombit shqiptar i cili punoi e luftoi tërë jetën për një Shqipëri të lirë, të bashkuar si komb në Europën demokratike, dhe ishte orator e poliglot që mahniste me dijet dhe kulturën, një ndër gazetarët më të njohur në kohën e vet. I ati i tij, Dervish Mitrovica, oficer i shkolluar, arsimdashës i flaktë, politikan, patriot i kulluar, bashkëluftëtar dhe bashkëmendimtar i Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit, Mustafa Krujës, Tafil Boletinit, Rexhep Mitrovicës, Azem e Shotë Galicës, kundërshtar i rreptë e luftëtar i pa kompromis i politikës serbe, ishte i lindur në Pazarin e Ri, por që nga mosha e re e kishte lidhur jetën me qytetin buzë Ibrit (Angrin e lashtë). Duke qenë se jetonte në Mitrovicë dhe ishte i lidhur me tërë qenien e tij me këtë mjedis që e donte dhe e admironte shumë, e mori për mbiemër emrin e qytetit – Mitrovica. Xhelal Mitrovica, pa mbushur moshën trevjeçare prindërit e tij migruan në Shqipëri (Shkodër). Aty në Shkodër, e kaloi fëmijërinë e hershme, ku i vijoi mësimet në shkollën Severiane. Në fillim të vitit 1925, disa muaj qëndroi me familjen e tij në Itali, për të kaluar pastaj në Zarë (Dalmaci të Kroacisë), ku përfundoi filloren dhe Gjimnazin. Ishte njëri ndër nxënësit më të zgjuar e më të talentuar. I etshëm për dije dhe me qëllim që t’i thellojë e zgjerojë njohuritë, në mesin e viteve ’30 shkoi në Itali, ku studioi për drejtësi në Universitetin e Bolonjës. Mori edhe gradën shkencore “Doktor i shkencave juridike”. U kthye në Shqipëri, ku u mor kryesisht me gazetari, me çështjet e përparimit të atdheut e të popullit të tij. Bashkëpunoi me dhjetëra gazeta të kohës dhe u shqua si njëri ndër publicistët më të talentuar.  Bëri emër sidomos në gazetat “Kosova”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Bashkimi i Kombit”, Koha e Jonë” etj.”, tha tutje profesor Hajrizi.

Ai i njoftoi të pranishmit se në mesin e prillit të vitit 1941, kur Mbretëria Jugosllave kapitulloi, Dr. Xhelal Mitrovica, i cili atëbotë ishte sekretar i Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, bashkë me Bedri Pejanin – kryetar, Rexhep Mitrovicën – nënkryetar, anëtarët: Ibrahim Gjakova, Tafil Boletini, Qerim Begolli, Shaqir Curri, Qemajl Prishtina, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e të tjerë, erdhi në vendlindjen e tij, në Mitrovicë.

“Në mesin e vitit 1941, Dr. Xhelal Mitrovica u emërua drejtor i Radio Prishtinës. Në vitin shkollor 1942/43, ai u angazhua edhe si mësimdhënës në Gjimnazin, përkatësisht Shkollën Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku jepte lëndën mësimore Elementet e së drejtës ekonomike me nga dy orë në javë. Më 6 tetor 1943, në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, Dr. Xhelal Mitrovica u zgjodh sekretar i Komitetit (KEP). Po në këtë kohë u zgjodh përfaqësues i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë, ministër për propagandë. Në një fjalim të tij, ndër të tjera, thotë: “Zani i Shqiptarizmës së krahinës që unë kam nderin këtu me e përfaqësue, po buqet i fuqishëm, atje në fushën e burrave, atje ku luftohet dhe vdiset për Shqipni”, tha ndër të tjera profesor Fazli Hajrizi.

Për disa aspekte të angazhimit politiko-diplomatik të Dr. Xhelal Mitrovicës, foli Prof. Dr. Nexhemdin Spahiu, opinionist i njohur dhe drejtor i RTV Mitrovica. Ai tha se tani kur Kosova po krijon identitetin e vet politik, apo më saktë atë kombëtar, ajo ka nevojë që ta pastroje pluhurin e harresës për figurat më të shquara të saj, të së  kaluarës, të cilët përbëjnë boshtin e këtij identiteti, për të shtuar se  Dr. Xhelal Mitrovica dhe baba i tij Dervish Mitrovica, si dhe daja i tij, Xhafer Deva, janë shtylla kurrizore e identitetit të Kosovës dhe se këta, secili në fushën e vet, i dhanë Kosovës shëndritjen më të madhe në histori, kurse Shqipërisë ia dhanë shkëlqimin e Kosovës.

“Periudha e errët komuniste u përpoq të hidhte baltën dhe pluhurin e harresës, por vepra e tyre po rikthehet tani shumëfish më fuqishëm. Fatkeqësisht, kurrikulumet e shkollave dhe universiteteve tona akoma dominohen me shkrimet e historianëve që ishin shërbëtorë të Enver Hoxha. Është për keqardhje që nxënësit dhe studentët tanë ende e mësojnë historinë e shtrembëruar, por përmes manifestimeve kësisoj, si ky sot, publiku ynë po e mëson të vërtetën historike”, tha ndër të tjera ai.

Për veprimtarinë e suksesshme në gazetari të intelektualit Dr. Xhelal Mitrovica, foli gazetari Hysni Syla. Ai ndër të tjera tha se Xhelal Mitrovica ka lëruar me mjeshtri të gjitha gjinitë e publicistikës dhe ka ngritur probleme madhore që lidhen me çështjen tonë kombëtare: me kulturën, ekonominë, arsimin, politikën, historinë, etj. Ai ishte njëri ndër intelektualët më të fuqishëm në fushën e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, ishte një emblemë e kësaj fushe, drejtues i disa gazetave.

“Dr. Xhelal Mitrovica është një ndër emrat e mëdhenj të gazetarisë (publicistikës) shqiptare. Gazetaria në gjuhën shqipe, siç dihet, fillon me De Radën, vijon me Sami Frashërin, Faik Konicën, Fan Nolin, Nikolla Naçon, Ernest Koliqin, Gjergj Bubanin e të tjerë që punuan me mish e me shpirt nga diaspora e larg atdheut atje, ku kishin emigruar. Ajo u konsolidua me Gjergj Fishtën, Jorgji Meksin, Branko Merxhanin, Vangjel Koçën, Nebil Çikën, Maz’har Sopotin, Dr. Xhelal Mitrovicën e të tjerë. Në kohën e tij Xhelali  dëshmoi se është një intelektual i formuar, me kulturë të gjerë e botëkuptime të avancuara për kohën, një studiues i zellshëm e luftëtar konsekuent për çështjen shqiptare, një politikan i kompletuar e një njohës i shkëlqyeshëm i historisë popullit shqiptar, një analist i hollë i problemeve ndërkombëtare e sidomos atyre ndërballkanike, një njohës i mirë i interesave të fuqive që ndërthureshin në Shqipëri e më gjerë”, tha Syla.

Në vazhdim ai shtoi se Dr. Xhelal Mitrovica si intelektual dhe politikan gjithmonë nxirrte përfundime të qarta dhe të sakta dhe se është fatkeqësi që veprimtaria e tij e madhe dhe e gjerë në gazetarinë shqiptare ka mbetur e panjohur për lexuesin shqiptar. “Etiketimi që iu bë si kundërshtar i ideologjisë komuniste dhe regjimit të Enver Hoxhës ka zhdukur një pjesë të madhe të dokumentacionit të tij. Megjithatë, një pjesë e krijimtarisë së tij publicistike gjendet e përqendruar në disa gazeta, si: Bashkimi i Kombit”, “Kosova”, Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Vatra shqiptare” etj”, përfundoi fjalën e tij Syla.

Ndërkaq, në emër të familjes Mitrovica, ka folur vajza e madhe Lolita Mitrovica-Kupi. Sipas saj, pjesa më e madhe e nacionalistëve sot janë lënë në harresë ose ju është hedhur baltë prej të cilës ende nuk kanë dalë. Ajo ka bërë të ditur se e ka njohur Xhelalin si një bashkëshort dhe baba të dashur, të përkushtuar dhe të interesuar për zhvillimet shoqërore, intelektuale e njerëzore të Kombit shqiptar.

Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi ia dorëzoi zonjës Kupi mirënjohjen që ia dedikoi, pas vdekjes, kryetari i komunës së Mitrovicës  Bahtiri dhe Emblemën e Komunës së Mitrovicës.

Iniciatori i shënimit të këtij përvjetori të figurës së madhe të Dr. Xhelal Mitrovicës, profesor Fazli Hajrizi, kishte përgatitur për këtë tubim një dokumentar mbi jetën dhe veprimtarinë e patriotit Mitrovica, duke e ilustruar me fotografi të vjetra të kohës, disa nga të cilat u publikuan për herë të parë.

Në qytetin e Mitrovicës edhe një rrugë u pagëzua me emrin Dr. Xhelal Mitrovica.

Filed Under: Histori Tagged With: DR. XHELAL MITROVICËN, Hysni Syla, MITROVICA NDEROI, PËR KONTRIBUT KOMBËTAR

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT