Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Jemi dëshmitarë të gjithë se qysh e majta shqiptare ka vënë në veprim ekstremin e saj më agresiv për të ndërmarrë një fushatë demonizuese ndaj Lulit, siç po e quaj edhe unë kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, liderin e ri të opozitës së re të Tiranës.
Janë të shumta rastet kur faktorët e jashtëm, qoftë si faktorë objektivë apo subjektivë, respektivisht, pra, joqëllimorë apo qëllimorë kanë ndikim më të madh se faktorët e brendshëm ndaj një dukurie apo ndaj një realiteti të caktuar. Aq më tepër, duke qenë tek rasti konkret, dihet se Partia Socialiste e Shqipërisë është njëherësh faktor i jashtëm dhe faktor i brendshëm për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe anasjelltas. Kjo shpjegohet me rrjedha historike të realitetit të shqiptar, të kristalizuara që nga 8 nëntori 1941.
Faktorët mirëfilli të brendshëm në partinë tashmë opozitare nuk janë dhe nuk kanë për të qenë të aftë që të ndikojnë në konsolidimin ose moskonsolidimin e Lulzim Bashës në krye të saj. Në këto kushte, rolin vendimtar e merr partia pozitare, e cila, për këtë, përdor ekstremin e majtë shqiptar. Në stilin katovicar, folklori denigrues kundër Lulzim Bashës nga kjo guzhinë e propagandës, vetëm sa ndikon për ta bërë sa më interesant në sytë e atyre faktorëve jo të majtë shqiptarë, të cilët ende e shikojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë si mishërim të idealeve të djathta shqiptare, pra si alternativë ndaj socialistëve.
Së majtës shqiptare, mbisunduese absolute në jetën e kombit tonë prej më se shtatë dekadash, i intereson që Partia Demokratike e Shqipërisë të vazhdojë të mishërojë iluzionin e një të djathte. Duke qenë njohëse e psikologjisë së të sunduarve të saj, e majta, pasi e ka krijuar iluzionin, vazhdon ta zhvillojë atë në skenën shqiptare, duke bërë mrekullira të rreme, ashtu si iluzionistët bëjnë në skenat e shfaqjeve të tyre.
Mungesa e një kryetari të konsoliduar të partisë kryesore opozitare, mungesa e një lideri të konsoliduar të opozitës, do të vinte në pikëpyetje nëse ekziston apo jo Partia Demokratike, nëse ekziston apo jo opozita në Tiranë, çka do të bënte urgjente gjithnjë e më shumë lindjen dhe rritjen e një partie të vërtetë opozitare, të një lëvizjeje vërtetë opozitare, rrjedhimisht të një djathte të vërtetë e të mirëfilltë në politikën shqiptare.
E majta jonë është në dijeni të plotë se në realitetin shqiptar ekziston faktori i djathtë. Mirëpo ajo është e interesuar që ky faktor të mos jetë i organizuar në një parti të tijën, por të jetë i përfaqësuar edhe më tej nga një parti tjetër, e përbërë edhe ajo nga klane të majta, si gjatë këtyre viteve të derisotme të të ashtuquajturit tranzicion shqiptar.
Prandaj propaganda e majtë e paraqet tashmë Lulzim Bashën jo vetëm si kopje të Sali Berishës, por edhe si një rimishërim të tij për së gjalli, sikur kemi të bëjmë me të njëjtin embrion, por me dy trajta të tij, të zhvilluara ato në dy epruveta të ndryshme, njëra sosh me faza më të përshpejtuara, ndërsa tjetra sosh me faza më të përngadalësuara, derisa të japin gjendjen e sotme, frytin e sotëm, sado të dyzuar në dukje, gjoja të njëjtë në thelb.
Synimi tjetër po aq kryesor i fushatës që e majta shqiptare ka ndërmarrë me anë të krahut të saj më ekstrem është që t’i shmangë sa më shumë ngjashmëritë në figurën, stilin dhe veprimet e paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e qeverisë. Me çdo kusht, ngjasimet, pra të jenë sa më të mëdha, sa më ekskluzive dhe sa më të imponuara mes paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Dhe sa më pak ose mundësisht fare të mos vihen re këto ngjashmëri midis Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Shkalla e suksesit të fushatës aktuale demonizuese të së majtës shqiptare ndaj Lulzim Bashës do të varet jo aq shumë nga zelli i fushatbërësve dhe nga sofistikimi i makinerisë së saj. Ajo do të varet kryesisht nga mënyra se qysh Lulzim Basha do të bëhet vetë pjesë e lojës. Pra, sa dhe si ai, si pasardhës, do të ketë mësuar në këtë drejtim nga paraardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, sa dhe si ai, do të dëshmojë talentin për të hyrë dhe për të qenë në këtë lojë.