Djegia e shtëpisë së Xhafer Devës, vepër antishqiptare!/
Një rom, i vë flakën trashëgimisë shqiptare, shtëpisë monumentale/
Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar në Mitrovicë, në lidhje me zjarrë vënien e shtëpisë monumentale të Xhafer Devës.
Shtëpia monumentale e Xhafer Devës në Mitrovicë është përfshirë nga flakët të shtunën rreth orës 13.00. Shtëpia e cila daton që prej shekullit 19-të, ishte planifikuar të shndërrohej në shtëpi muze, për shkak të vlerave të mëdha historike e kombëtare.
Policia e Kosovës tashmë po e mbanë nën arrest një person që dyshohet se ka djegur monumentin kulturor në Mitrovicë.
Motive politike
Analistët vlerësojnë se djegia e djegia e shtëpisë së Xhafer Devës mund të jetë bërë për motive politike, por edhe për motive komerciale, ashtu siç ka ndodhur edhe me disa monumente të tjera në Kosovë.(kortezi- Bota Sot)
PËRPJEKJET E XHAFER DEVËS DHE TË REXHEP KRASNIQIT PËR NDËRKOMBËTARIZIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS NË SHBA
NGA IDRIZ LAMAJ/*
Në korrik të vitit 1937, dy kosovarë takohen rastsisht, në një kafene të Vjenës; njëri i arsimuar në shkollat më të mira të kohës së tij, në Selanik e në Satmboll që kishte kryer studime pasuniversitare në Zagreb, Pragë e deri në Aleksandri të Egjiptit, tjetri, jetim i rritur pa prindër, i adaptuar dhe i dërguar në shkollë nga Bajram Curri, që kishte mbaruar studimet në Vjenë dhe që kishte doktroruar në shkencat politike mbi “Kongresin e Berlinit dhe Shqipërinë Verilindore”, doktorati i parë i një shqiptari në këtë fushë. I pari, mesatar nga shtati, tregtar dhe poliglot, burrë me karakter të hekurt dhe i dyti malësor, i hollë e i gjatë, historian, por për nga karakteri po aq i fortë sa i pari. I pari jetonte në Kosovë, i dyti jetonte në Shqipëri. Për nga origjina, u përkisnin dy shtresave të ndryshme shoqërore: njëri rridhte nga një familje shumë e pasur qytetare, tjetri nga një familje malësore tradicionale, skajmnisht e varfër. Siç shihet, pra, të dy me origjinë, fizionomi, paraqitje fizike e profesione të ndryshme. Që në takimin e parë ata bëhen miq e bashkëpunëtorë të ngushtë dhe vetëm vdekja në dhe të huaj do t’i ndante. I pari ishte Ing. Xhafer Deva, i lindur në Mitrovicë më 1904, dhe i dyti ishte Prof. Rexhep Krasniqi, i lindur në Gjakovë më 1906.
Si u njohën këta dy burra në Vjenë dhe a u takuan rastësisht nuk e di tamam, por nga biseda që kam zhvilluar me ata, del se ajo ishte një njohje e planifikuar nga dikush, pasi në atë takim ishin të pranishëm edhe dy miq të tyre austriak. Megjithëse ata kanë shkruar se u njohën me njeri-tjetrin gjatë Luftës së Dytë Botërore; unë i përmbahem kësaj, sepse të dy i kam njohur personalisht nga afër.
Me Xhafer Devën kam bashkëpunuar 10-të vjetë, e kam njohur në person, kemi shkembyer vizita dhe kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij. Përveç kësaj, kam shfletuar me kujdes të gjithë korrespondencën e tij, përfshirë edhe letrat familjare. Me Rexhep Krasniqin kam punuar 17-të vjet në zyrën e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, e kam përcjellur për në banesën e fundit dhe e kam varrosur pranë varrezave të familjes time. Së fundi dua te shtoj se kam trashëguar të gjithë arkivin e Komitetit, të cilin ai e drejtoi për 35 vjet.
Bazuar në letrat e tyre dhe në disa burime të tjera, do mundohem të paraqes në rend kronologjik përpjekjet e tyre për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së pari le të shohim si i lanë ata lamtumirën atdheut, për të mos u kthyer kurrë më në të.
Në mbrëmjen e 17-të nëntorit të vitit 1944, dy ditë pas largimit nga Prizreni, përmes gjëmimit të bombardimeve dhe sulmeve të tërbuara mbi qytetin e Prishtinës, ku rrugët ishin shndërruar në gërmadha dhe gati të gjitha vijat që lidhnin qytetin me periferitë ishin shkatërruar dhe ndërprerë, Rexhep Mitrovicës, Rexhep Krasniqit, Tahir Zajmit dhe Gjelal Mitrovicës, Xhafer Deva u siguroi tërheqjen në drejtim të Kralevës. Ata nuk munden të nisen deri në orët e vona të asaj nate të stuhishme me shi e luftë sepse mungonte Rexhep Mitrovica. Që besnikëria e patundur e shokëve të tij dhe njëfare mrekullie që ai shpëtoi pa u vrarë ose rënë në dorë të partizanëve. Më në fund, me automobilin personal të Xhafer Devës ata arritën pikën ku do t’i merrte aeroplani për në Zagreb. Kryetari i shtetit kroat, Ante Paveliqi bashkë me ministrin e Jashtëm, që ishte një boshnjak, mik i shqiptarëve, megjithese ndodheshin para shkatërrimit të shtetit, i mirëpritën dhe u dhanë zemër. Në Zagreb ky grup, me Xhafer Devën në krye, qëndroi dy javë dhe përkujtoi me nderime të qeverisë kroate edhe festën tonë kombëtare, 28 Nentorin.
Në fillim të dhjetorit të atij viti grupi Kosovar prej pesë vetësh kaloi me shumë mundime alpet slloveno-austriake, të cilat ishin mbuluar me borë deri në brez. Veriu i rreptë dhe ngrica memzi i lejonin të shihnin njëri tjetrin. Të pestë, vetëm me nga një palë rroba në shtat e Deva me një çantë ushqimesh të thata në shpinë e një revolver në brez, kaluan kështu alpet dhe u strehuan për disa ditë tek një mik i Devës për t’u shlodhur. Prej aty hynë në Vjenë për t’u takuar me aleatet perëndimorë, në zonën e kontrollit të të cilëve kishte ra Austria perëndimore, e kthyer në gërmadhe dhe në një gjendje kaotike, ku endeshin gjithandej grumbuj emigrantësh të çveshur e të rraskapitur nga lufta për t’iu shmangur përvlimit të lavës komuniste që po vërshonte kahdo. Pasiguria dhe uria mbretëronin gjithandej. Aty edhe miku kishte frikë t’i shtrinte dorën mikut. Burra shtetesh të Evropës lindore vuanin për një copë bukë dhe dridheshin qosheve të tmerruar, duke parë qëndrimin e vdekur të aleateve perëndimorë ndaj lubisë ruse, qe po vinte kufirin në zemër të Evropes.
Grupi kosovar, në saje të miqve personale të Devës, u vendos në Vjenë, siguroi jetën si refugjat dhe u vu në shërbim të sistemimit të grupeve nacionaliste shqiptare që po mbrrinin aty përmes vështirësish të pa përshkruara. Grupeve të Ballit Kombëtar, grupit të Mirditës me Kapidan Gjon Marka Gjonin në krye, Nuredin Bej Vlorës, Shefqet Verlacit, Mehdi Frashërit me familje, Kolë Bibë Mirakës e shumë e shumë të tjerëve, Xhafer Deva u siguroi strehim të përkohshëm e shpetim nga furia e ushtrisë së kuqe që kishte mbrrijtur në pragun e Vjenës. Në mënyrë të veçantë Deva dhe Krasniqi u kujdesën për Rexhep Mitrovicën shëndetlig, të cilin arritën ta strehonin në një senatorium në rrethë të qytetit Feldkirch, afër kufirit me Zvicrrën.
TAKIMI I PARE ME AMERIKANËT DHE ANGAZHIMI XHAFER DEVËS PËR PËRFSHIRJEN E KOSOVËS NË PLANIN USHTARAK TË WASHINGTONIT
Në gusht të vitit 1945, Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi patën kontaktin e parë me një ushtarak amerikan, me gradën kolonel, i cili quhej Karl Thomson. Arsyeja e takimit ishte thjeshtë për çështje sigurie sepse, rrjeti i fortë në veprim i spiunazhit sovjetik kishte filluar të rrembente njerëz, e t’i dorëzonte pranë qeverive të sapo vendosura komuniste, të cilët i ekzekutonin nën akuza për krime lufte, me qëllim për të përforcuar me anën e frikes dhe të terrorit regjimet e tyre shtypëse. Deva meqë e fliste anglishtën shume mirë dhe pa aksent britanik, shkon me gjithë z. Krasniqi në një bazë ushtarake amerikane, tregon letrat që kishte siguruar si refugjat politik dhe kërkon takim me dikë që kishte pozitë drejtuese në bazë. Ata, jo vetëm që u pritën me përzemërsi nga Koloneli Thomson, por këshillohen menjëherë nga ai që mos të largoheshin nga zona e kontrollit të tij ushtarak. Koloneli amerikan i vendosi Devën,dhe Krasniqin me banim në një hotel të boshatisur dhe i furnizoi me ushqime. Të dy u strehuan aty deri në shkurt të vitit 1947, kur Kolonelit Thomson i ndërrohet vendi i shërbimit ushtarak. Gjatë asaj kohe Deva dhe Krasniqi e njohën kolonelin me veprimtarinë e tyre politike në Shqipëri, dhe në veçanti me vuajtjet e tmerrshme që kishte përjetuar popullsia shqiptare e Kosovës nën regjimin e Jugosllavisë monarkiste dhe me vazhdimësinë e shtypjes së egër nën regjimin e ri komunist jugosllav. Deva shpeshherë thonte me buzëqeshje: “Rexhepi dhe unë kemi krye shërbimin ushtarak amerikan në uniformë civile”.
Nga fundi i vitit 1947 Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi largohen nga Austria, bredhin si refugjat nëpër Itali dhe përfundojnë në Siri. Deva kishte besim të plotë se një ditë jo të largët, një fjalë e mirë e kolonelit amerikan do të binte në vesh të Zotit. Në shkurt të vitit 1948 “erdhi haberi i mirë”, siç thonte ai. Ftohet nga ambasada amerikane në Romë dhe kthehet menjëherë në Evropë, por shokët i mbetën në Damask. Një vit më vonë Rexhep Krasniqi dhe Gjelal Mitrovica marrin rrugën e gjatë të mërgimit për në Australi ndërsa Tahir Zajmi vendoset në Turqi. Rexhep Krasniqi dhe Gjelal Mitrovica botuan në Australi gazetën “Vatra Shqiptare”, ku trajtuan tema të mprehta politike dhe historike. Gjelal Mitrovica ishte një prej gazetarëve më të mirë të kohës së tij.
Gjatë viteve 1948-1949 Xhafer Deva ishte i angazhuar me amerikanët në zbatimin e strategjisë së Washingtonit për Ballkanin, ku në veçanti bëheshin përpjekjet për fillimin e një kryengritje në Shqipëri e cila do të sjellte përmbysjen e regjimit komunist dhe ndërhyren e ushtrisë amerikane. Megjithëse faktori politik shqiptar në mërgim, i mbledhur rreth Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” kishte pranuar përqëndrimin e kryengritjes vetëm në Shqipëri, Deva me udhëhqësit e “Bllokut Kombëtar Indipendent”, arriti të bindë një krah të fortë miqsh amerikanë se duhej provokuar me çdo kusht edhe një konflikt i armatosur në Kosovë, se jugosllavt nuk do të lejonin përmbysjen e rregjmit komunist në Shqipëri dhe ardhjen e forcave nacionaliste në pushtet.
Më 9 prill të vitit 1950, Xhafer Deva i shkruan Rexhep Krasniqit në Australi: “Shpërthimi i një lufte në Ballkan dhe ma gjanë nuk duhet t ‘na gjej të papërgaditun. Na nuk mund të bajmë mrekulli por me nji bataljon, të cilin besoj se mund ta krijoj dhe udheheqi, do të zbarkojmë në Tropojë dhe nga aty mund të thejmë nji pikë të kufinit sa me hy në Rrafsh të Dukagjinit”.
Më 26 qershor të vitit 1950, pak para mesnate, fillon hedhja e parashutistëve të Xhafer Devës në Shqipëri. Aty ishte i vetmi vend ku mund të zbarkonin. Ata ishin të gjithë kosovarë dhe të veshur me uniformë ushtarake amerikane. Ata ishin përgatitur në një kamp ushtarak amerikan duke pasur Devën ditë për ditë në fushën e stërvitjes. Parashutistet e Xhafer Devës hyjnë në Kosovë të përcjellur deri në Tropojë nga grupet kryengritëse të Kapidanit të Mirdites, Gjon Marka Gjonit, që vepronin në Shqipëri të Veriut e deri në Elbasan ku ndodhej prof. Alush Leshanaku me grupin e tij.
Fatkeqësisht, edhe sot disa studiues shqiptarë, në shkrimet e tyre atë periudhë e cilësojnë si periudhë diversioni e spiunazhi. Parashutistët që u stërviten në kampet ushtarake amerikane dhe hynë në Shqipëri e në Kosovë i quajnë diversantë dhe spiunë të CIA, pikërisht ashtu siç i quajti edhe propaganda e regjimeve kornuniste të Beogradit dhe të Tiranës, e si figurojnë në dosjet e UDB-ës dhe të Sigurimit, që tani quhen arkiva shtetërore; ose përshkruhen si në librin “Tradhëtia e madhe”, autori i të cilit mbulon faktorët politik të kohes dhe trajton temën në formën e aventurave të spiunazhit.
Kur shkruhet për atë periudhë, që përbën edhe kulmin e luftës së ftohët, në asnjë mënyrë nuk duhet të lihen me një anë vendosja e regjimit komunist në Kinë, lufta e përgjakshme e Koresë dhe kërcënimi i Evropës perëndimore nga Bashkimi Sovjetik. Këta ishin faktorët politikë që i detyruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përgatitin terrenin për fronte të reja veprimi ushtarak. Një prej atyre frontev ishte Ballkani, me pikë të veçantë strategjike Shqipërinë. Përsa i përket përfshirjes së Kosoves në konflikt, si pjesë e pandarë e Shqipërisë, Xhafer Deva është strategu i parë shqiptar dhe aleati më besnik amerikan që futi vendlindjen e vet në dosjet e zonës së influencës ushtarake amerikane, që për atë kohë përbën një ndërkombëtarizim të pashoq për Kosovën.
Në dy botimet e mija modeste: “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1948-1956″ dhe “Xhafer Deva në dritën letrave të veta“, janë dhënë disa burime, të pabotuara më parë, të cilat pasqyrojnë shumë qartë atë periudhë. Tani të kthehemi rreth veprimtarisë të z. Krasniqi.
NY YORKU-SELIA E REXHEP KRASNIQIT PËR NDËRKOMBËTARIZIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Largimi i Rexhep Krasniqit nga Australia dhe vendosja e tij në SHBA lidhet me planet që kishte bërë Xhafer Deva për konsolidimin e një veprimtarie kombëtare në rrethana të reja të politikës ndërkombëtare. Më 13 dhjetor të vitit 1954, Deva i shkruan z. Krasniqi:
“Gjasat janë se përpjekjet amerikane për lirimin e Shqipnisë nga komunizmi kanë marrë fund. Kosovës mund t’i shërbejmë ma mirë prej Amerike se prej Evrope. Për shumë arsye duhet të shkojmë atje“. Në këtë letër Deva vë në dukje gjithashtu se një mik amerikan e kishte këshilluar që ai bashkë me familje të emigronte në Amerikë.
Më 22 dhjetor 1954, miku i tij i ngushtë amerikan, Roger Holingshead i shkruan Devës: “I dashur Xhafer! Komiteti “Evropa e Lirë” ka ra në hall me Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lire”. Siç dihet, që prej fillimit aty asgjë nuk shkoi në rregull. Nga lartë kam marrë vesh se Komiteti “Shqipëria e Lirë” mund të mbyllet shumë shpejtë në qoftë se nuk gjendet zgjidhje. Të lutem më shkruaj diçka për këtë çështje.”
Në korrespondencën midis Devës dhe Krasniqit nuk gjendet ndonjë gjë e shkruar, por dihet se ishte Deva ai që ua rekomandoi prof. Krasniqin qarqeve kompetente amerikane për zgjidhjen e problemit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Në fillim të vitit 1956 një zyrtar i ministrisë së jashtme amerikane shkoi në Australi dhe u takua me z. Krasniqin. Në prill të atij viti z. Krasniqi merr një telegram nga kjo ministri me anë të cilit ftohet në Washington për bisedime rreth riorganizimit të Komitetit. Pas pak ditesh z. Krasniqi shkoi në Washington dhe filloi bisedimet me kushte.
Krasniqi riorganizoi Komitetin “Shqipëria e Lirë” brenda disa ditësh dhe filloi menjëherë nga puna. Nga 40-të antarët e Komitetit të mëparshëm ai zgjodhi vetëm katër persona: Ing. Vasil Gërmenjin, Kapidan Ndue Gjomarkajn, Prof. Nexhat Peshkopinë dhe Sotir Avramin. Sekretar të zyrës emroi prof. Konstandin Vangjeri. Një vit më vonë Krasniqi emëroi tre këshilltarë të Komitetit: Mehdi Frashërin, Prof. Karl Gurakuqin dhe z. Ali Këlcyrën. Krasniqi i dërgoi këtë letër Mehdi Frashërit:
I ndershëm z. Mehdi Bej! Kam marrë përsipër drejtimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë” të riorganizuar. Ju jeni emëruar Këshilltar i Komitetit. Qëllimi i emërimit tuaj ka qenë dhe mbetet të ndihmoheni me një ndihëm të vogël mujore. Buxheti i Komitetit të sotëm, i dhënë nga qeveria amerikane është tepër i kufizuar. Siç e dini, tani veprohet në kushte të reja politike. Këshillat tuaja janë të mirëpritura në çdo rast. Një letër të tillë njoftimi për emrimin si këshilltar të Komitetit i kam dërguar z. Ali Këlcyra dhe prof Karl Gurakuqit. Komiteti vepron në nivel mbi partiak por bashkëpunimi i tij me partitë politike shqiptare në mërgim zë një vend me rëndësi. Të fala Rexhep Krasniqi. Neë York, 11 shtator, 1957.
Një kapitull i ri për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në SHBA filloi kështu menjëherë. Po sjell vetëm dy shembuj: Deva i dërgon Krasniqit një plan sekret të Jugosllavisë për një valë të re shpërnguljesh të shqiptarve nga Kosova. Për këtë Kryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë” shkoi në Washington dhe e shtroi direkt këtë çështje me autoritetet amerikane.
“Albanian Desk”, zyre e ministrisë së Jashtme amerikane për çeshtje shqiptare, i shkruan z. Krasniqit më 21 gusht, 1957: “Një zyrtari ynë me kompetencë të ministrisë së Jashtme e ka njoftuar Beogradin se Washingtoni ka dieni të plotë rreth planifikimit sekret jugosllav për një valë tjetër shpërnguljeje të shqiptarëve nga Kosova në Turqi. Zyra jonë këtë çështje nuk do ta lej në heshtje“.
Në shtator të vitit 1958, përfaqësuesi i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, pranë Asamblesë së Kombeve Evropiane të Robëruara, ing. Vasil Gërmenji, e ngriti çështjen e Kosovës në një sesion të veçantë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi jugosllav i cili u largua nga salla në shenjë proteste. Për këtë konflikt të z. Gërmenji me përfaqesuesin jugosllav, shkroi edhe gazeta Neë York Post (18/9/1958).
Tani nuk do të zgjerohem shumë me të dhëna konkrete sepse ka materiale të bollshme të botuara dhe të pabotuara, duke filluar nga libra, gazeta e memorandume, dhe deri tek raporte pune e korrespondenc që provojnë mbrojtjen e çështjes së Kosovës nga Komiteti “Shqipëria e Lirë dhe ndërkombetarizimin e saj në Washington. Po sjell vetem një fakt. Komiteti çdo tre muaj kishte takime të drejtpërdrejta me ministrinë e Jashtme amerikane, dhe secilën herë, kur flitej për Shqipërinë flitej edhe për Kosovën. Në saje të nxitjes së Komitetit “Shqipëria e Lirë”, për problemin e Kosovës ngritën zërin edhe përfaqesuesit e Komiteteve të tjera kombëtare që përbënin Asamblenë e Kombeve Evropiane të Robëruara.
Komiteti “Shqipëria e Lirë” u drejtua nga prof. Rexhep Krasniqi 35 vjet, deri me përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Komiteti kishte shtypin e vet, shqip dhe anglisht. Qe vendosur me seli në Neë York dhe prej shumëkujt cilësohej si qeveri shqiptare në mërgim. Komiteti ishte e vetmja organizatë politike shqiptare, në botën e lirë që kishte mbështetjen financiare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikes.
Më 1962, prof. Rexhep Krasniqi, organizoi në Neë York “Lidhjen e Prizrenit në Mërgim”, të cilën e drejtoi Xhafer Deva derisa vdiq. Edhe për këtë organizatë, e cila kishte shtypin e vet, është shkruar gjerë e gjatë dhe ka edhe të dhëna të tjera të bollshme, ku pasqyrohen përpjekjet e parreshtura të Devës për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Kryetari i Lidhjes kishte edhe një rrjet të pashoq informimi mbi zhvillimet në Jugosllavi dhe në Kosovë. Po sjell këtu vetëm dy shembuj: afër 20 vjet, një turk, shok shkolle i tij në Robert Kolegj, punoi ne ambasadën e Turqisë në Beograd dhe e njoftonte Devën mbi çdo veprimtari në atë vend. Deva atë e thërriste me emrin Hajdar aga. Emri i tij i vërtet ishte Adnan Çellek. Siç shihet nga materialet dërguar Devës, Hajdar aga kishte njohuri të thellë mbi zhvillimet e brendshme në Jugosllavi. Ai kishte edhe Keqën, Alia Ketiq, një sanxhakli mik të vjetër që punonte në Zagreb në një sektor të rëndësishëm e nevralgjik ushtarak. Përmenda këta dy persona me emër sepse, me sa di unë të dy kanë vdek nga fundi i viteve 80-të. Deva vizitonte Evropën dhe Turqinë vitë për vit, merrte informime të gjithanshme dhe i shkëmbente ato me miqtë e vet amerikan. Kjo ishte edhe një metodë tjetër e Devës për ndërkombëtarizimin e Kosoves në zyrat shtetërore amerikane. Deva nuk la gur pa lëvizur për të tërhequr vëmendjen e amerikanëve te çështja e Kosovës. Jo më kot, në shtypin e Beogradit dhe të Tiranës, shpesh jane botuar artikuj të gjatë me titull: “Xhafer Deva në lëvizje”. Dhe kjo është e vërtetë: asnjë lëvizje shqiptare jashtë atdheut nuk i ka trazuar regjimet komuniste të Beogradit dhe të Tiranës më shumë se veprimtaria e Devës. Lëvizjen e Devës, dy regjimet në fjalë e kanë shikuar gjithmonë si lëvizje të Washingtonit.
Përfundimisht: Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi ishin dy burra të shtetit etnik shqiptar që ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës pranë diplomacisë amerikane më mirë dhe me më kompetencë se askush tjetër. Ata i shërbyen me nder dinjitetit dhe kauzës kombëtare për realizimin e Shqipërisë etnike dhe vdiqën me bindje të plotë se një ditë jo të largët do të realizohet shteti i lirë etnik shqiptar . Xhafer Deva vdiq më 25 maj të vitit 1978; pak ditë para festimeve madhështore në atdheun etnik të 100 Vjetorit të Lidhjes Historike të Prizrenit. Kryetari i “Lidhjes Prizrenit në Mërgim” mbylli sytë duke lanë popullsinë shqiptare të Kosovës me ndërgjegje të lartë kombëtare, drejt realizimit të misionit të madh historik, për të cilin mision ai nuk kurseu pasurinë, mundin dhe jetën e tij. Pas vdekjes së Devës, organizatën “Lidhja e Prizrenit në Mërgim” e mbajti gjallë z. Ismet Berisha, nipi i Sadik Ramë Gjurgjevikut. Si kryetar i kësaj organizate, ai edhe sot i qëndron besnik vijës tradicionale për realizimin e Shqipërisë etnike.
Rexhep Krasniqi vdiq më 12 shkurt të vitit 1999. Kryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë” arriti të shohë shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe rënjen e komunizmit në Shqipëri. Ai arriti të shohë presidentin e Kosovës duke u pritur me nderime shtetërore në Washington. Ai ngazëllehej kur shikonte në ekranet e televizionit amerikan bijtë dhe bijat e Kosovës të veshur me uniformë ushtarake dhe të mbërthyer në armë për të mbrojtur trojet e tyre. Ai edhe pse nuk arriti të shohë në ato ekrane skenat e tmerrshme te dyndjes Biblike, ndeshjet e përgjakshme fyt për fyt me serbët dhe varrezat masive anembanë Kosovës; vdiq me bindjen e patundur se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta mbronte edhe me gjak vijën e kuqe që i vuri Serbisë. Kontributi i tij bashkë me atë të Xhafer Devës, përgatiti terrenin për vazhdimin e punës nga brezi i sotëm i politikanëve tarnë. Udhëheqja e sotme e Kosovës, mbështetur në trashigiminë e paraardhësve të saj, me mprehtësinë dhe urtësinë e vet politike, e mbi të gjitha, në saje të sakrificave të pashoqe të shqiptarëve të Kosovës, e kurorëzoi me sukses fitoren. Për kurorëzimin e kësaj fitoreje të madhe historike dhanë ndihmes të gjithë shqiptarët, brend e jashtë atdheut etnik. Zonja dhe zotërinj të nderuar, Kosova sot ka ngjyrimet e veta politike, si çdo vend tjetër demokratik. Nga ngjyrimet politike ndikohen edhe njerëzit e letrave, përfshirë këtu edhe historianët. Për mua historia është shkencë objektive që nuk bën lëshime as për miq e dashamirë, dhe as për kundërshtar e armiq. Për mua histori është vetëm ajo që mbështet në fakte, dhe në burime të pavarura nga kahjet politike. Duke qenë i vetëdijshëm për të gjitha këto, u përpoqa të sjell këtu ndihmesën time modeste, për gjithë sa thash më sipër. Une nuk jam as avokat as amanetxhi i Xhafer Devës as i Rexhep Krasniqit. Ata nuk më lanë asnjë amanet. Por, do të më brente ndërgjegjja sikur mos të thoja këtu: Eshtrat e Xhafer Devës dhe të Rexhep Krasniqit është mirë të sjellen në Kosovë. Besoj se është në nderin e shqiptarëve të Kosovës sjellja e tyre në atdhe dhe rivarrimi me nderim të merituar.
- Ish gazetar i Zerit te Amerieks, ish sekretar per Komitetin Shqiperia e Lire, anetar i Keshillit te Vatres