• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PIKTORI KODRA EDHE POET

April 22, 2023 by s p

10 poezi dhe 10 piktura.

Në 105 vjetorin e lindjes

nga Eda Agaj Zhiti

“…ndoshta është i vetmi piktor i madh që vizaton buzëqeshjen e njerëzimit, mes pesimizmit bashkëkohor, kaosit të modernitetit, me një naivitet të mençur e koloristikë optimiste, gjithë dritë mesdhetare, – ka shkruar Visar Zhiti – dhe do të mjafton firma Ibrahim Kodra,

që është ‘si një vizatim më vete’ ,siç i thoshte miku i tij, Picasso, ca ngjyra të tij, një pikturë e varur në mur…” për të përkujtuar datëlindjen e tij, them unë.

“Ai është i vërtetë si piktura e tij, gazmor si ngjyrat e saj, i trishtuar si ato linja të frymëzuara, i zgjuar si kumtet e tyre, fëmijë si vizatimi i parë, i çiltër si e qeshura, i thellë si fundet e deteve që pikturoi, i madh si ‘Shqipëria fantastike’, që na la, gjení aq sa prurja që i solli pikturës europiane nga Italia, në Milanon ku jetonte…”

Visari e donte shumë, por dhe ai e donte Visarin. Ishte fat që e njoha dhe unë, kam qendruar me djalin e vogël në krahë para tij dhe ai, pasi përplaste gotën e verës me ne duke thënë gëzuar, i shkrepte të vizatonte, edhe mbi gazetë, mbi meny, i ruaj ato portrete që na ka bërë, ashtu si rastësisht, me aq mirësi e frymëzim.

Ndoshta tani e dinë ata, që duan Mjeshtrin Kodra, se ai ka shkruar poezi, fare pak janë, një buqetë, në italisht, edhe në shqip, kishte botuar ndonjë dikur në Prishtinë, ku kishte shkuar më shpesh e hapte ekspozita, kur në Shqipërinë e mbyllur kjo nuk ndodhte.

Unë kam përkthyer disa nga poezitë e tij me lejen e vetë Kodrës, janë botuar dhe dalin herë pas here në përvjetorët e tij, sidomos në VOAL. Do të desha t’i rilexonim dhe në këtë 105 vjetor të lindjes.

Kodra mungesën e vet e mbush po vetë me veprën.

Ja, 10 poezitë e tij, ku të magjeps “Kërkimi” ashtu si në pikturat e tij, që po sjell po 10, ku janë dhe portret tona.

IBRAHIM KODRA

O NËNË

Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla

ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,

o nënë.

Ku je fshehur?

Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,

sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,

që asnjëherë nuk lodheshin

së ndjekuri ecjen time të pasigurt.

Ishe gjithçka për mua.

Fytyra jote: më e bukura

mes muzave.

Dhe flokët e tu

të gjatë e të zinj

mbulonin faqet e gëzueshme,

kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë

nëpër venat fëminore.

Tani ku je fshehur?

E freskët në kujtesën time,

rikthehu, o nënë,

të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.

KJO ËSHTË RRUGA

Nën qiellin yllësor

të Pozitanos

një çupëz ngjitej për në Fornilo

me hapa heshtjeje.

Rrugët ishin të mbuluara

me errësirrën e natës.

Dritat lëbyrëse të një makine

ndriçonin

figurën e hajthshme

të vogëlueshes së pjekur parakohe,

flokët e saj të artë shthurur nga era.

Një zotëri avitet,

me gishtin të drejtuar nga mali,

thotë: “Ti që kërkon misterin e dritës,

ja, rruga që të çon te Shën Mëria”.

NJË MIKU SHKRIMTAR

Qielli i Pozitanos

është mbuluar me retë e freskëta të agut

e ti, duke kundruar aurorën,

mbledh mbi një gjethe

plagët e kohës.

NJË LULE

Mos më thuaj që nuk të kam dashur,

o lule e livadhit të dëlirë!

Thuamë që është shuar dielli,

thuamë që toka është në flakë,

thuamë që hëna është ngjethur,

thuamë që qielli është në gjëmë,

thuamë që s’ka më agshole,

por mos më thuaj që nuk të kam dashur…

URA

Në atë ditë të bekuar

vajzat rendnin

nga ura.

Dielli hidhte

rreze nate

për t’i bërë brune.

E PANJOHURA

Ajo ecte drejt majës

e ai zotëri mbeti i hutuar

nga një bukuri kështu aq e natyrshme.

Ishte e panjohur në atë vend

e të gjithë kërkonin emrin e saj.

NJË FYTYRË E FSHEHUR

Ditën e 15 gushtit të ’77

mbretëronte heshtja atje.

Djemtë luanin: ping-pong

nën pishën e sheshit.

Vajza me flokë të gjata

dallgë-dallgë mbi supet e hajthshme

shkëlqente në dritën alabastër.

Duke luajtur me krifën e gjatë

Era e qeshur fshihte

fytyrën e saj vezulluese

si një gur i rrallë orienti.

PËRSHËNDETJA E FUNDIT

Gjatë rrugëve të Palermos

flladi i mëngjezit

xixëllonte mbi gjethet e palmave.

Digjeshin në diell

sheshet e asfalta.

Një vajzë e drojtur

e shtrirë në plazhin e dielltë

vinte nga veriu.

Veshur me ngjyra koloniale,

aq shumë të befta

e gushti mbaronte,

i jepte përshëndetjen e fundit Montrealit

dhe me vendosmëri të pazakontë

merrte rrugën e kthimit,

humbte mes mjegullave të bardha

që dhunonin kaltërsinë e shtrirë

të qiellit mbi qytet.

BESA E SHQIPËRISË

(e shkruar shqip)

Lindi dielli në Kalabri,

u hapën malet me rrëmbim,

tue lënë fushat të lulëzueshme

në blerim.

Arbëreshët u habitën

për bukurinë e Natyrës

e thjeshtë, e pavarur

si ata, që shprehin me zemër

dhe harenë e fytyrës.

Në atë çast të pazakonshëm

u hap qielli menjëherë:

një shqipe e madhe,

tue fluturuar,

tokën mbarë për të zaptuar,

hapi krahët e saj,

tue mbuluar Kosovën dhe Kalabrinë,

Pianën e Palermit

dhe Shqipërinë.

Po i mbronte në zemrën e saj

që të jenë së bashku si përherë,

sepse kanë dhënë në histori

nder e lavdi.

Shqipja në mbrëmje

në qiejt fluturoi

e lartazi shkoi.

Tue fluturuar lartaz nga qielli

dhe, para se të hynte, në hijen e natës

e çojti lart fletën e saj

dhe shkrojti

në qiellin me yj të ARBËRISË:

“BESA E SHQIPËRISË”

KËRKOJ

Kërkoj horizonteve larg

praninë e jetës

të pafundmen…

rrezen diellore,

lëvizjen.

Kërkoj mosarsyet

të pathyeshmet

shkulmet ujore

të pa nisurat.

Kërkoj befasinë

të përkohshmen

të kuptueshmen

kurajon.

Kërkoj lartësimin

të pandryshueshmen,

të pakëmbyeshmen

rebelimin,

Kërkoj të pazakonshmen

të pazëvendësueshmen

të pazgjidhshmen

të pamundurën.

Kërkoj befasinë

të padukshmen

të paarritshmen

zanafillën.

Kërkoj çelësin e gjithësisë

enigmën e ajrit

të puhizës

të agut të dritës.

Kërkoj të mbjell në tokë

filizin e parë

farën e parë

të ardhmërisë.

Përgatiti e përktheu Eda Agaj Zhiti

Filed Under: Kulture Tagged With: Eda Zhiti

“MAJOR WORLD POETS” – Poetët Kryesorë Botërorë

April 7, 2023 by s p

Përgatiti Eda Zhiti/

Mes tyre dy shqiptarë –

Shtëpia Amerikane Botuese “Green Integer”, me qendër në Los Angeles, elitare në publikimin e poezisë, këto ditë njofton për lexuesit e saj 27 librat që duhen marë, të “Poetëve kryesorë nga bota” (MAJOR WORLD POETS), të botuar nga ata ndër vite. Mes tyre ka shumë të famshëm, nobelistë, të njohur ndërkombëtarisht, etj, dhe në renditjen e tyre sipas rendit të botimit janë dhe dy poetë shqiptarë, Azem Shkreli nga Kosova dhe Visar Zhiti nga Shqipëria, të dy të përkthyer nga albanalogu i shquar Dr. Robert Elsie dhe të pajisura me kritikë letrare nga poetja dhe eseistja kanadeze Janice Mathie-Heck.Ja, lista e plotë e poetëve “kryesorë të botës” sot, sipas “Green Integer”:Adonis.Paul Celan,Jean Cocteau,Federico Garcia Lorca,Lucebert,Rainer Maria Rilke,Gonzalo Rojas,Ece Ahyan,Nicos Engonopoulos,Maurice Gilliams,Dieter M. Gräf,Ko Un,Reiner Kunze,Jozè Lezama Lima,Paul Verlaine,Henrik Nordbrandt,Tiziano Rossi,Azem Shkreli,Tomas Tranströmer,Paul van Ostaijen,Visar Zhiti,Hsi Muren,Gellu Naum,Cees Nooteboom,Friedetike Mayröcker.POETI AZEM SHKRELI.Ndalim të shohim se ç’shkruhet për atë:“Një nga poetët më të mëdhenj të Kosovës.. “ – dhe tregohet për jetën e tij, studimet universitare në Prishtinë për gjuhë dhe letërsi shqipe, pastaj drejtor i Teatrit, i “Film Kosova”, por i përjashtuar nga administrata e re sërbe, etj, përfshihet në luftën për çlirimin e Kosovës… etj.Kur kthehej nga Gjermania, vdes në aeroportin e Prishtinës, pushim zemre në maj 1997… dhe renditen titujt e librave të tij.POETI VISAR ZHITIShkruan për të kritiku, botuesi dhe poeti Irlandez Kevin Higgins:“…poezia e tij është më shqetësuesja që kam lexuar ndonjëherë… Visari mund të ishte nominuar për një çmim ‘Forward’ a ndonjë të tillë ose do të ishte ftuar për poezinë e tij në ‘The Ledbury Festival’ a në ‘Cúirt’… Por Visar Zhiti jetoi në një vend nën sundimin absolut të stalinistit fanatik Enver Hoxha, i cili e bëri Nicolae Çausheskun të dukej si një liberal i mirë. Hoxha ishte një maniak i përmasave gjigante.Vepra e Visarit u interpretua si ‘nxirje e realitetit socialist’… Dy anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve – emrat e tyre janë shkurtuar në botim në R.V. e P.K – përgatitën ‘ekspertimin’ e poezive të Visari me kërkesë të MPB-së…. Dy javë më vonë Visar Zhiti u arrestua. Ai do të lirohej pasi vuajtjes së madhe në gulagët shqiptarë…”Na duket me interes kjo që shtjellon më pas Kevin Higgins:“Pjesa më e madhe e kritikës letrare të krahut të majtë, veçanërisht siç shfaqet në shtypin e vogël, është ende e mbushur me qëndrime staliniste. Këto kohë kanë mbetur pak stalinistë të hapur, por sigurisht ka nga ata në të majtën letrare që flasin për Trockin – ‘pa linjë partiake, kur bëhet fjalë për artin’ – por veprojnë si Stalini, kur kanë të bëjnë me poezi që nuk i shërbejnë kauzës…Gjithsesi në botën perëndimore të paktën janë ende të lirë në thelb të shkruajnë çfarë të duam…”.Dy poetë shqiptarë në “Poetët Kryesorë të Botës”, sipas Entit Botues Amerikan “Green Integer”, është një arritje e letrave shqipe, poezia e saj është pjesë e bukur e poezisë së mbarë njerëzimit, dritë e fytyrës së saj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eda Zhiti, Visar Zhiti

KOLAZH SHQIPËRIE NË METROPOLIN ÇIKAGO

September 5, 2022 by s p

-mbresa të kaltra-

Nga Eda & Visar Zhiti

Nuk është vetëm gëzim i beftë që në metropolin e madh botëror, në Çikagon mahnitëse, në “downtown”, ku grataçielet shkojnë deri lart midis reve, me arkitekturë atraktive, ndryshe nga njëra-tjetra, objekt studimi për arkitektët kudo, – arkitekte është dhe vajza për të cilën do të flasim, – me rrugët e mbivendosura si në një “fantashencë”, ja, liqeni qetësues, më i madh se Adriatiku dhe Joni bashkë, afër tij, përmes asaj dritnaje marramendëse, në një lokal të vogël, të ndriçuar mirë, Art Studio & Art Galery, W Armitage Ave, do të gjenim imazhe nga Shqipëria jonë.

Ishte hapur ekspozita e fotografisë artistike, eksperimenale, me një titull të gjetur “Dritë dielli dhe Mëndja” (Sunlight & The Mind). Rilindasit tanë fotografisë i thoshin “dritëshkronjë”

Njëra anë e paretit të sallonit të artit ishte mbushur me fotografitë e vajzës shqiptare, Katra Seferi, imazhe të kapura prej saj, por dhe të bashkuara me fantazi duke krijuar kompozime me kuptim nga vendet ku ajo ka qenë, në Amerikë dhe Europë.

Ja, kolazhi fantastik i Shqipërisë së saj, male dhe det dhe perëndim dielli “si një minierë floriri” më kujtoi vargun e një poezie, dallgë dhe gjire si guacka të hapura dhe re, ku është kjo pamje kështu, Zvërneci dhe jo vetëm, pranë amfiteatri antik i Butrintit, më pas ndërtesa të reja, të pambaruara, beton agresiv, blerime qetësuese më tej dhe lule të verdha sikur t’u jetë thërrmuar dielli mesdhetar përsipër dhe një siluetë njerëzore në majë mali, Mos harroni njeriun!

Nga është vajza me emrin shqiptar Kaltra, pyesin të pranishmit. Dhe lexojmë në korrnizën e varur në anë të eksponateve të saj:

…ka lindur në Shqipëri, po me edukim artistik multidisiplinor në Çikago, Duke qenë dhe në Shqipëri dhe në Romë, Kaltra hyri në mjediset kulturore, ku gjeti piktakimet frymëzuese dhe pasionin për mjeshtërinë artistike. Së fundmi Kaltra është fokusuar në zhvillimin teknik professional përmes mediumeve të ndryshme. Ka kryer studimet Bachelor në shkencën e arkitekturës në Universitetin e Çikagos në Illinois në 2019. Gjatë studimeve të saj ajo mësoi të dizenjojë peizazhe të qytetit duke përdorur fotografinë, pikturën, vizatimet dhe modelet dixhitale 3D. Pas diplomimit Kaltra ekspoloroi artin e hapësirës përmes lenteve të brendshme dhe të jashtme si arkitekte projektuese, dizenjuese e fasadave me alumin, etj.

Salla mbushet me të rinj e të reja, me fëmijë e të rritur, mes tyre është dhe autorja, Kaltra Seferi, e bukur, me luledielli në duar. Po kjo qenka mami, duket si shoqja jote, dëgjojmë, babi ky, dashamir i artit tënd.

Dalin dhe hyjnë të tjerë, raca të ndryshme që këtu s’kanë pse të bëjnë përshtypje, qeshin bashkë, miqëisht njëlloj, marrin nga gotë vere a birre, bisedojnë, bëjnë foto të fotove, ja, disa nga temat e Kaltrës, “Treni në botën tjetër”, “Perëndim i egër, i egër”, “Zvërnc i ripërfytyruar”, “Italia” me kupolat e Romës dhe Firences e të famshmen “Ponte Vechio”, “Barcelona”, “Park city”, “Chicago”, ku kontrastet janë në një plan, në një barazi shqetësuese.

Në paretin tjetër të “Art Space”, përballë atyre të Kaltrës janë fotografitë, të gjitha blu, të një djali fare të ri, Sam Bulleit, i lindur në 1998, lexojmë biografinë e tij në kornizë, artist shumëdisiplinor, është nga Louisville, CY, jeton në Çikago, ndjek Bachelor në artet, punon me fotografinë në media dhe libra, ai sikur endet në një botë konfuze, shpesh me ironinë dhe cinizmin e imazhit. I mbyllur nga pandemia e Covid-19, me fotot në këto dy vite, ai i iku kufijve të apartamentit të tij duke u bërë pjesë e së përbashkëtës. Dhe kishte sjellë pamjet nga një video game për “playStation 4”, ku elaboronte një hartë të botës reale të Japonisë, me operime të inteligjencës artificiale, fotogarfi rrëmbyese, duke të bërë, sit ë thuash pjesë e tyre, e ndjesisë etj, etj.

Menaxherja e sallonit të artit u jep fjalën dy të rinjve, Kaltrës dhe Samit, flasin shkurt dhe mençur, të sinqertë dhe duartrokiten po aq sinqerisht nga të pranishmit.

Kur dolëm në Çikagon fantastike të natës, me atë pluskim të pambarimtë dritash që përzjeheshin me yjet, si të ishin ndërkohë dhe vazhdim i ekspozitës, që porsa pamë, bota e të rinjve, po thoshim, tërheqëse në thellësitë e pasionit dhe mendimit të ri, shpesh e kuptueshme nga ne, më kurajoze, më e pastër dhe më turbulluese, ku përvoja jonë u bëhet mbështetje, por më shumë dashuria jonë dhe prej tyre ne marim vrull dhe ide, aq sa të vjen të thuash: na merrni dhe ne, të vijmë pas jush me kohën, të mos mbetemi pas…

Gjithsesi faleminderit për sonte, Sam, edhe ty, Kaltra, që solle dhe kaltërsi Shqipërie në metopolin e madh, në qendër, në Çikago, si për të ma thënë që vendlindjen e mbartim me vete, ajo nuk na pengon, përkundrazi e bëjmë pjesë të botës siç dhe është, që më shumë se sa me artin, nuk bëhet me tjetër…

Po afronte mesnata. Në atdhe ka zbardhur dita e re…

Filed Under: Interviste Tagged With: Eda Zhiti, Visar Zhiti

MOS I LINI VETËM!

August 5, 2022 by s p

– Letër të tjerëve nga Eda Zhiti -/

Këto pak rreshta u nisen si përgjigje një gazetareje që e vlerësoj e i perfundova drejtuar të gjithëve, që jam e lidhur në fb.

Elona Elezi gazetarja, shkruante se sa të na kalojë kjo dhimbje që na ka kapur për fyti dhe i duhet kerkuar llogari personit përgjegjes për shumëçka…

E dashur Elona,

Unë e di sa e dhembshur di të jesh Ti dhe e kupton tjetrin, prandaj po dua t’ju drejtohem shumë e shumë njerëzve të tjerë se prinderve të Jonadës dhimbja jo vetëm nuk do t’u ikë prej fytit, por do të pushtojë tërêsinë e tyre, përditë e më shumë. Asnjë drejtēsi, qoftë dhe masa më ekstreme nuk e shlyen tragjedinë. Arroganca e atij që kreu atë akt të zi, ka për t’u përplasur në fytyrën e kohës vazhdimisht, pa asnjë ndjesë. Është ky realitet, me vrasës harbutë, se ndjehen të pandëshkueshëm…

Triumfi i ligësisë vrastare. Zoti i ndihmoftë prinderit e Jonades të shohin dhe dritën e tejme, jo vetëm honin ku i hodhën, që është nën këmbët e të gjithëve.

Por jo vetëm Zoti, dhe njerezit që prindērit e Jonadës kanë pranë do t’ju lutesha që të mos I lënë vetēm.

Kur të shihni mamanë, në ditet më pas, dhe nëse është duke bërë punë, në dukje qetësisht pranë ballkonit, një plan ndëshkimi do ta ketë, për askënd, veç për vetveten – po Ju mos e lini vetëm!

Ju qe rrini pranē tyre në shtëpi, kur të shihni se nuk do t’ju kthejnë përgjigje kur t’i pyesni si janë, mos iu ktheni kurrizin, nuk e kanë me ju, e kanë me fatin. Mos i lini vetëm!

Do të vijë dita që do t’ju

buzëqeshin, do ta bëjnë për ju, duan të lehtësojnë komunikimim. Plaga e tyre do te jetë më e thellë për ta, më pak e dukshme apo fare e padukshme për sytë tuaj. Po ajo djeg gjithmonë si në ditën e parë. Ju mos i lini vetëm!

Kur ta shihni në rrugë që të ketë nje si dëshirë të fortë që të ledhatojë çdo moshatare/moshatar të bijës/birit të tyre, sepse diku shohin flokët e saj/ të tij, diku profilin, diku shkujdesjen, diku gëzimin, ju thjesht lëreni ta marrin atë çast.

Kur ta shihni me dhurata një moshatari/je të birit/bijës që martohet apo bēhet më fëmijë, pranoheni se ajo po ndjehet dhe nëna e Tij/Saj. Mos ia përplasni keqardhjen tuaj në fytyrë. Ju thjesht përqafojeni si mama engjëlli.

Dhe besojeni se gjenden gjithmonë Cirenej që do t’i ndihmojnë të mbajnë me dinjitet kryqin e tyre.

_________________________________

“Vogëlushja që vrapon drejt ëndrrës”

Pikturë nga Gjergj Kola, Koleksion privat, A.V.E

Illinois, USA.

Filed Under: Komente Tagged With: Eda Zhiti

MEMORIALI I VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT NË PRAGË & DREJTËSIA DHE MEMORIALI I MUNGUAR I TE PERSEKUTUARVE TË KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI

May 9, 2022 by s p

Ndjenjë dhe rrëfim/

nga Eda Agaj Zhiti/

Shkak i këtyre pak rreshtave u bë pamja e Memorialit prej bronzi i viktimave te komunizmit në Pragë, i cili si një dramë e fortë përshfaq gjashtë gjëndje të një individi (njeriut) të vetëm në shkallë të ndryshme, të cilat s’janë gjë tjetër veçse faza të shkatërrimit njerëzor në burg. Statujat duken më të “kalbura” sa më larg që janë prej syrit tonë – humbin gjymtyrët dhe trupat e tyre hapen si me shpella dhëmbjesh të mëdha. Simbolizohet me art se si të burgosurit politikë u prekën si nga një sëmundje nga komunizmi dhe u goditën mizorisht. Kafkiane vërtet! Ndërkaq një shirit bronzi kalon përgjatë qendrës së memorialit në Pragë duke treguar numrin e atyre që gllabëruan kthetrat e komunizmi: * 205.486 të arrestuar * 170.938 të internuar * 4500 të vdekur burgjeve * 327 të vrarë për arratisje * 248 të ekzekutuar Në pllakën e bronzit aty pranë shkruhet: “Memoriali për viktimat e komunizmit i kushtohet të gjitha viktimave, jo vetëm atyre që u burgosën apo u ekzekutuan, por edhe atyre që iu shkatërruan jetët nga totalitarët.”Pamja më trishtoi e më nëpërmendi se ne jemi ende të pashkëputur siç duhet si shoqëri nga e kaluara barbare komuniste.Ish të burgosurit politikë, ata që mundën të mbeten, e kanë bërë detyrën e tyre, edhe për ata që s’janë, me dhëmbje, tronditshëm, me madhështi. Ata jo vetëm i qendruan dhunës së shumëfishtë fizike, mendore e shpirtërore, copërlimit dhe “shpëlarjes së truve”, por dhe e kanë rrëfyer tmerrin, me kujtime, me poezi, romane e drama, me piktura, madje edhe me muzikë, por shpesh të margjinuara dhe të lëna në harresë të qëllimtë. Ne çfarë bëjmë si shoqēri? Institucionet e saj, akademitë, katedrat, tekstet shkollore, qeveria, parlamenti, presidenca, gjithë makineria e kujtesës kolektive?Natyrisht dhe është bërë, por më e shumta dhe më e vyera ende nuk është bërë. Ashtu si në një familje ku perpiqemi te mësojmë fëmijët tanë me prioritete duke iu treguar të kenē nje “To do list” individuale, kështu duhet të funksionojë dhe shoqëria në lidhje me dekomunistizimin në Shqipëri. Kjo kêrkon ndjesën dhe kujdesin, drejtësi, dhëmbje, etj dhe aftësinë që vuajtjen ta shndërrojmë në përvojë, në vlerë, në kujtesë dhe kulturë.Më konkretisht: p.sh, kur kerkohet heqja e emrave apo e simboleve të diktatures, duhet kerkuar dhe shkaku. Diktatura komuniste në Shqipëri bëhej me emra personash konkretë, që nga enveri e deri te spiunët e vegjël nëpër lagje, etj, janë dënuar të gjallë e të vdekur.Bota njeh shembuj konkretë sesi kriminelë nazistë janë gjetur në një anë te globit ku qenë fshehur dhe i kanë çuar në anën tjetēr te globit të përballen me drejtësinë qofshin dhe në moshen 90-vjeçare, se krimi s’ka moshë, as e keqja.Persekutimin e kam ndjerë në vetë të parë. Jam rritur në një familje të përndjekur, pa ato që quhen triska fronti e jo më tesera rinie e çfarë ishin. Xhaxhallaret e mi kishin ikur si kundërshtarë të komunizmit. Nga ana e nënës jam dhe mbesa e një të burgosuri politik të ndërgjegjes, Dane Zdravës. Gjyshi im kishte studiuar në Akademine Navale në Napoli, ishte biznesmen i suksesshëm, deputet i kuvendit te Shqipërise e bamirës I madh. Tironsit e vjeter e mbajnë mend të vetmin dyqan mode luksi në Tiranë, ishte i tij, ashtu sikurse beratasit kujtojnë se Ai solli te parën kinema në qytetin e Beratit, kombajnat dhe centralet elektrike, etj.Kujtoj rrëfimet në shtëpi me zë të ulët sesi Moma, stërgjyshja ime heroinë bënte një javë rrugë me kalë për t’i çuar ushqime të birit (gjyshit tim) të burgosur në kampin e punës në Maliq të Korçës me Profesor Arshi Pipën e shkrimtarin Mitrush Kuteli e intekektualë te tjerë e nga kleri katolik.Isha vetëm 11 vjeçe e rrija në shtëpinë e gjyshit në Berat, kur në vjeshtën e 1979-s ia mbrriti policia sërish. Pashë me sytë e mi sesi gjyshin e arrestuan, më përqafoi me pranga në dorë dhe u ndame për të mos u parë më kurrë.Pas dy muajsh, nje fillim dhjetori, u njoftuam se ai nuk ishte më.Dhimbje e nepërkëmbje nga 1979 deri në 2002, e kërkuam kudo, nëper regjistra e varreza duke paguar ku të mundnin. Pasi u ndjemë të pa shpresë e vendosëm të tërhiqeshim të lodhur, nje ditë në Tufine, njeri nga grupi ynë, Çimi, nipi i tij, prisni, tha, le të kërkojmë dhe tek ai pirg dheu atje tej, ku është ulur ai pëllumbi. E kishte dërguar Hyu të na ndihmonte, se me qeverinë s’po behej dot gjë. Hoqëm këmbët e zemrat zvarrë e shkuam atje ku pëllumbi i bardhë po na thërriste…U gjend. E njohëm nga diçka e paprishur e tij, në veshje dhe korp. E përcollëm me dinjitetin që i takonte atij burri te lartë, te respektuar e te dashur nga të gjithê…Im At rrëfen se nuk e harron, ishte rreth 12 vjeç, kur i çonte bukën nënës se tij Pashakos, ku hapeshin themelet e fabrikës së Çimentos ne Vlorë. Atehere nuk kishte makineri e Nënoja e tij, jona, hapte kanal me lopata. Nuk kishin fuqi që baltën e nxjerrë ta hidhnin mbi pirgun e madh, te krijuar dhe mbushnin duart me baltën e nxjerrë dhe e hidhnin përtej. Ajo ishte bijë dhe nuse familjesh të pasura e që kishin dhënë per vendin. Si gjyshja ime janë plot nuse te reja dikur nga fisi im e familje te tjera, kudo, internineve sidomos, të detyruara të punonin kanaleve me baltë e gjak. Po nëpërmend gjyshen e tim biri, Atjonit, dhe asaj i është dashur të ecë zbathur për të mbrritur tek i biri, Visari, në burgun e Spaçit, para se të perëndonte dielli se më pas nuk lejoheshin takimet. Visari e ktheu në poezi ndodhinë, nënat që ia kalojnë diellit. Ai na e tregoi burgun me romanet e tij te fuqishëm. Të kërkosh thjesht heqjen e emrave, nga trashëgimtarët e atyre emrave, më duket sikur thjesht thuhet e perseritet mekanikisht: “I’m sorry for your loss”, në anglisht tani per t’u pëlqyer perëndimorëve. Keqardhja shtohet kur shoh se keto nisma përkrahen dhe nga intelektuale që jam e bindur se nuk e dinë kujt i sherbejnë punët gjysmake, sepse ato qe e iniciojnë e dinë mjaft mirë se ku do të mbrrinë me gjysmën tjetër te iniciativave si fondotintë në lëkurën e rrudhosur të së tashmes.E në fakt e humbura mbetet gjithmonë ajo- Shqipëria. Por jo pergjithmonë, nëse ka ende shqiptarë. Me dije, me kulturë, me drejtësi e mëshirë dhe me bekimin e Zotit. Të mos vuajë më njeriu, por statujat e tij si në memorialin e Pragës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eda Zhiti

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT