Nga Gëzim Zilja*/
Ndoshta nuk do ta kisha marrë kurrë mundimin të shkruaja një artikull lidhur me rezultatet e arritura nga Partia Demokratike në këto zgjedhje por është e pamundur të jem indiferent kur dëgjoj disa borizanë dhe daullexhinjë të PD-së t’u fryjnë burive e daulleve të fitores a thua njerëzit janë aq budallenjë, të mos kuptojnë se çfarë ka ngjarë. Pas kryetarit të grupit parlamentar, kryetarit të PD-së, një aradhe me keltistë e bogdanistë, që janë fitimtarë, del dhe një nga veteranët, nga njerëzit me të spikatur të PD-së, me merita të padiskutueshmë në përmbysjen e komunizmit, deputeti Tritan Shehu, të na mbush mendjen që ka fituar. Në një intervistë dhënë në TV një ditë më parë ai shprehet së është gjysëm i kënaqur ( i kënaqur fillimisht) për përfundimin në Gjirokastër dhe se atje PD-ja ka fituar me 1800 vota në raport me vitin 2011; se PD-ja po gatitet për betejat e ardhëshme e të tjera, e të tjera.
Një sërë analistësh me sofizma nga më të çuditëshmet rreken të na mbushin mëndjen se Halim Kosova paska fituar, se në krahasim me atë dhe këtë vit…, se ai është fituesi moral i zgjedhjeve madje ambasadori amerikan e lavdëroi fushatën e tij. Pra ai nuk paska humbur, megjithëse në fronin e bashkisë së Tiranës do të ulet Erion Veliaj. Ish kandidati i PD-së për Bashkinë e Vlorës deklaron: Nuk mund të them që jam i gëzuar por jam në paqe me veten për sprovën e parë… Sikur të kishte humbur në një ndeshje futbolli me shokët në Plazhin e Vjetër, por radhën tjetër do përpiqet të fitojë. Ky avaz i PD-së i përsëritur çdo herë që humbet zgjedhjet është i papranueshëm dhe po bëhet i neveritshëm. Gjithmonë nëse PD-ja humbet ne do të shohim përfaqësuesit e saj të deklarojnë se u kanë vjedhur votat, se bandat në pushtet kanë ushtruar terror mbi popullsinë madje del dhe ndonjë Pavël Korçagin e thotë se kjo bandë në pushtet nuk rrëzohet dot me votë, duke nënkuptuar metodat revolucionare. Asnjë nga ata që dalin në TV nuk kthen gishtin nga vetja e të thotë: Ne humbëm dhe do merremi seriozisht me të gjithë faktorët që çuan në humbje.
Po le të kthehemi te dukuria Tritan e të bëjmë një analizë sa lejon një artikull gazete.
Ti Tritan vjen nga rradha e luftëtarëve të vijës së parë, që me guxim e zgjuarsi ndihmuan në përmbysjen e komunizimit në Shqipëri. Për këtë populli do t’u të jetë mirënjohës ty dhe gjithë ‘’pardesyve të bardha’’ që krijuat Partinë Demokratike. Po ç’ndodhi më vonë me ty dhe shokët e tu? Kaluat nga biçikletat me kopertona të mballosur e komerdare vrima-vrima te
makinat luksoze. Nga apartamentet dhomë e guzhinë ku gatuhej në banjë,
shumë shpejt u bëtë jo me një por me disa apartamente, me vila e dashnore
(jo Tritani) shëtitën botën anembanë dhe u shkëputët nga njerëzit e hallet e tyre. Për ju pushteti dhe paratë kaluan në plan të parë.
Po e them që në fillim: me rrogë deputeti, presidenti apo ministri do shumë vite të blesh një apartament 100m2, e jo disa të tillë në mal e në det, për dy e katër vjet madje të mobiluar. Të kujtohet kur Frrok Çupi në vitin 1997 shkruante te gazeta ‘’Koha Jonë’’ se zonja jote lahej në vaskë floriri? Unë nuk e kam besuar dhe nuk e besoj edhe sot. Ti me Arben Imamin, Neritan Cekën, Genc Rulin, Genc Pollon, Dash Shehun, Eduart Selamin etj, u akuzuat rëndë nga lidershipi i PD-së në vitin 1997 si spiunë të sigurimit, si të korruptuar e shkaktarë të humbjes. U zemëruat dhe u larguat nga PD-ja. Shtypi pranë PD-së ju punoi qindin madje Genc Pollos që bëri parti të re, iu fut deri në dhomën e gjumit. Shumë menduan atëherë se ju ishit kundër dorës së hekurt të Njëshit, se po kërkonit më shumë demokraci në PD, se po kërkonit të votohej e garohej realisht, po kërkonit depolitizimin e policisë, ushtrisë e gjyqësorit, që njerëzit duhet të emëroheshin sipas meritave, të ishin të barabartë para ligjit, etj. etj. Po ç’ndodhi me disa nga ju luftëtarët e përmbysjes së madhe dhe shpresëdhënësit e atyre viteve? PD-ja vazhdoi të mpakej e të përjashtonte sisematikisht nga rradhët e saj ata që mendonin ndryshe sa i ‘’SHPORRI’’ pothuaj të gjithë. Në Partinë Demokratike ka mbi 15 vjet që nuk votohet ose votohet formalisht e vetëm emërohen njerëz që i njeh Njëshi apo Dyshi. Dhe më tej? Veç cicërimave e belbëzimave pati nga ju dhe të tillë që hapën depot e ushtrisë, u organizuan në komitete lufte dhe pasi çliruan Jugun iu drejtuan Tiranës për të vendosur demokracinë e vërtetë, për të rrëzuar ‘’malokun” se ndryshe ai nuk zbriste nga kali. Fjalori dhe etiketimet e tyre për kryetarin e PD-së asokohe ja kalojnë dhe fjalorit erotik të Edmond Tupjes. E ç’bëtë më tej? U kthyet përsëri në PD dhe mirë bëtë se ajo është shtëpia jonë e përbashkët. Por tashmë as të belbëzoje ndryshe nuk lejohej aty. U dhuruan kolltukë ministri, e deputeti dhe ju filluat të bënit zërin e parë në korin e qeverisë që dalëngadalë po mbushej me jesmenë e njerwz tw korruptuar. Të gjithë e kuptuan se atë që e pështytë e lëpitë dhe se nënteksti i lidershipit ishte i qartë: Ka kocka edhe për ju. Po u hedh ca juve dhe mos mjaullini me posht e përpjetë. Siguruat sërish makina, para, e qejfe që të jep pushteti por dëmi që i sollët demokracisë dhe aspiratave të viteve 90-të, është i pallogaritshëm. Ju dhatë shëmbullin më të keq se para idealit, para Shqipërisë tonë të dashur janë paratë e favoret e panumërta që të jep pushteti. Madje Selami, shpresa e demokratëve erdhi që nga Amerika e largët, u bë deputet dhe një zot e di se nga i digjet nuri. Nëse ju kështu e kuptoni demokracinë aferim, por nuk keni pse vazhdoni ende të na mbushni mëndjen se kemi fituar, kur në biseda me miqtë e shokët flisni krejt ndryshe. Unë e kam të qartë pse e bëni këtë. Doni që nga lista e artë e xhepit të lidershipit të ri apo të vjetër të shënohet sërish emri juaj në zgjedhjet e vitit 2017. Po ç’të hyn ne punë një karton deputeti para emrit të mirë? E sa për atë përse ne humbëm është e qartë si drita e diellit: Humbëm se u nisëm të fitonim po me ata njerëz, po me ato figura të korruptuara qw diskredituan PD-nw e që votuesit u dhanë dërmën në vitin 2013. Në Vlorë psh. kandidati i emëruar, u shoqërua jo rrallë, në rreshtin e parë, nga figura që tetë vjet rresht shitën vendet e punës, rryshfetxhinjë, kumarxhinjë, delenxhinjë, me precedentë penalë, madje edhe nga ata që kanë vjedhur arkën e PD-së. Edhe lista e këshilltarëve erdhi nga Tirana dhe kryetari i PD-së kërcënoi se do të jepte dorëheqjen se nuk kishte dijeni. Karta kryesore që duhej të luante PD-ja ishte ajo morale. Jo vetëm kandidatët por edhe gjithë stafet e tyre duhet të ishin me njerëz idealistë, të mençur, të ndershëm e të besueshëm. Dhe PD-ja ka të tillë me mijëra e mijëra. Unë i kuptoj keltistët, bogdanistët e lepurushistet, që kanë ardhur me lugë në brez në PD, si miq e mikesha të X-it apo Y-it, që përherë fitojnë, paçka se të tjerë branisen rrugëve e kutive të votimit. Por nuk të kuptoj ty dhe shokët e tu që e latë përgjysmë rrugën e nisur. Mardhënia e një politikani matet me kontributin e tij për mbrothësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ju u nisët për të bërë një Shqipëri si Europa por u mundët nga pushteti e paraja dhe ngritët një shtet të miqve, shokëve e servilave. E patë Shqipërinë si një lopë që duhet mjelë ( sa qumësht paska pasur e varfëra) dhe e molët fillimisht nga dera dhe sot nga penxherja. Ti Tritan dhe ne të gjithë nuk kemi fituar por kemi humbur e do të humbasim gjithmonë po nuk i pamë mardhëniet në raport me Shqipërinë e pastaj me xhepin tonë. Wshtw e pafalshme qw Shqipwria 25 vjet pas vendosjes sw demokracisw tw jetw 90% e kuqe. Nga viti ‘97 e këndej Partia Demokratike ka pasur deputetë e titullarw të dalë vetëm nga lista e lidershipit. Asnjë nuk është votuar nga forumet. Për derisa nuk do të krijohet klimë besimi e mirëkuptimi, përderisa nuk do të lejohet diskutimi i lirë e nuk do të krijohen kushte të garojë çdo demokrat që dëshiron, nga seksionet e lagjeve e deri në majë, dështimi i rradhës na pret. Mund të marrësh sërish ti dhe të tjerët një karton deputeti, por shiko çfarë shteti wshtw ndërtuar këta 25 vjet? Një karikaturë e demokracisë.
Këto sigurisht janë mendimet dhe bindjet e mia dhe kanë të bëjnë me raportet tuaja me politikën dhe nuk kanë të bëjë me atë që ju përfaqësoni në jetën private, jashtë politikës.
26.06.2015
* Falenderojme autorin qe e ndau kete analize per zgjedhjet ne Shqiperi me lexuesit e Diellit