• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Misioni i pamundur i Edi Ramës si paqebërës në Bjellorusi

August 23, 2020 by dgreca

Analizë , nga Rafael Floqi-

Rama nuk dot a  bënte këtë për demokracinë zgjedhore, nuk po e bënte këtë në emër të pan- evropianizmit të tij, por po kërkonte ta bënte më tepër të egoizmit të tij duke e para si një bëmë e mirë, si një akt i shquar PR-i, që do zhvlerësonte sadopak akuzat e opozitës për mënyrën sesi i trajtoi marrëveshjen për ndryshimin e ligjit zgjedhor.

I mërzitur me jetën politike shqiptare që e drejton si timonier pa patentë, kundrejt një opozite që i kanë rënë poturet, me një parlament kukullash, pasi dështoi me Kosovën në idenë për t’u dukur si baba i Kombit edhe në Ligën e Shengenit Ballkanik, pasi nuk mundi të prishte marrëdhëniet me Amerikën pas zgjedhjes të Presidentit Trump, kryeministri ynë ambicioz dhe mjeshtër i selfi-PR-it u mundua të luajë një Ligë me lart në skenën e politikës së jashtme evropiane me zgjidhjen e situatës paszgjedhore në Bjellorusi.   

Pikërisht aty ku ai nuk ishte shquar si lojtar dinjitoz, u përpoq të kërkonte të luante arbitrin pa ja kërkuar kush, duke pasur një CV të dyshimtë në zgjedhjet në vend, pikërisht, me argumentin e ndërhyrjes së tij, pajtimin apo zgjidhjen e situatës pas zgjedhjeve të vjedhura në Bjellorusi, e ku tamam, në kopshtin e Moskës. Siç duket ambicia dhe PR i tij me Kazan TV nuk e çoi larg kësaj here. Edi Rama, është vetofruar për të ndërmjetësuar në dialogun mes presidentit të Bjellorusisë Llukashenko dhe opozitës, meqë vendi ynë mban presidencën e OSBE-së.

Në zgjedhjet e mbajtura më 9 gusht, presidenti Alexandër Lukashenko shpalli fitoren me rreth 80 për qind të votave, ndërsa kundërshtares së tij kryesore, Svetlana Tikhanovska, iu atribuuan 10 për qind të votave. Pas kësaj mijëra qytetarë u ngritën në protesta edhe pse Presidenti Aleksandër Lukashenko i dha urdhër policisë që të shpërndante turmat pas rreth një jave tubimesh kundër qeverisjes së tij.     

Nëse Shqipëria do të kishte një jetë normale politike dhe raporte normale opozitë-qeveri, askujt nuk do t’i shkaktonte habi, përkundrazi do ta vlerësonte, Shqipërinë dhe angazhimin e Kryeministrit Edi Rama si ministër i jashtëm dhe kryesues, i radhës i OBE-se, që të ndihmonte ne arritjen e zgjidhjeje paqësore pas zgjedhjeve problematike në Bjellorusi. Por në situatat aktuale kur BE dhe SHBA po përpiqen për një jetë normale politike në Shqipëri angazhimi i Kryeministrit Edi Rama mundi të shkaktojë vetëm reagime ironike si kjo meme në foto dhe vetëm gallata në rrjet.  Por dihet Rama nuk po e bënte këtë “ sakrificë”  për demokracinë zgjedhore, as si detyrim ndaj OSBE-së, nuk po e bënte këtë në emër të pan- evropianizimit të tij, por po kërkonte ta bënte më tepër në emër të egoizmit të tij, duke e parë si një bëmë e mirë, një akti i shquar PR-i, që ia vlente që do zhvlerësonte sadopak akuzat e opozitës për mënyrën, sesi ai e trajtoi marrëveshjen për ndryshimin e ligjit zgjedhor. E ndoshta pa abuzuar me teori konspiracioni, siç thonë gojët e liga “ ai do të takonte Lukashenkon për shkëmbim eksperience”.

Ne lidhje me propozimin e Ramës, kanë plasur shumë reagime, duke ia kujtuar kryeministrit se nuk mundi të zgjidhë krizën politike në Shqipëri dhe as të gjejë gjuhën e përbashkët me opozitën. Për shembull për gazetarin e Bild, Peter Tiede, është e pabesueshme që Edi Rama ka tentuar të nisë bisedime me autokratin bjellorus Aleksandër Lukashenko, si përfaqësues i OSBE-së. Në një reagim në Facebook, gazetari që hodhi bombën e vjedhjes së votave në zgjedhjet e 2017-s, nëpërmjet një shakaje gjermane, shkruan se është për të mos u besuar se Rama tentoi të nisë negociatat me Lukashenkon.“Pa shaka: Edi Rama tentoi të nisë negociata me Lukashenkom dje. Për OSBE-në. E pabesueshme” – shkruan gazetari. Për Peter Tieden duhet të jetë me të vërtetë e pabesueshme ta shikojë Ramën të tentojë të negociojë si kryetar i organizatës së monitorimit të zgjedhjeve, OSBE, me Aleksandër Lukashenkon, presidentin prej 26 vitesh të Bjellorusisë që akuzohet për manipulim zgjedhjesh, gjë që bëri që BE në bllok të mos ia njohë rezultatin.  

Gjermani Tiede ishte ai që publikoi përgjimet në gazetën Bild, të audio-regjistrimeve të shkëputura nga dosjet “184” dhe “339”, që hetonin krimin zgjedhor në Shijak e Dibër. Nga komisionarët tek të fortë të zonave, nga drejtues shkollash e deri tek ish-ministra ishin të përfshirë në blerjen e zgjedhjeve. Peter Tiede bënte përgjegjës Edi Ramën për këtë skemë vjedhjesh të zgjedhjeve. Rama në një show PR-i e paditi në gjyq në Gjermani gazetarin, duke thënë se gjyqi do të hidhte dritë mbi akuzat e rreme të Bild, padi e cila do të tërhiqej shumë shpejt, në prill të këtij vit. Ku dosja “339” është tani në shqyrtimin e SPAK-ut.

Regjistrimi i një telefonate duhet ta provojë këtë: Rama i telefonoi më 11 shtator 2016 drejtuesit të një komisioni rajonal zgjedhor, duke e pyetur nëse gjithçka shkoi në zgjedhje ashtu ‘siç ishte diskutuar’. Përgjigja e kreut të komisionit: “Po, shef, siç është diskutuar.  Rama i mohon të gjitha: Duket si viktimë e një komploti. Vetëm se: Këto regjistrime, që i kanë bërë hetuesit e tij, ai nuk mund t’i pastrojë nga kjo botë. 

Ndërkohë në Minsk autoritetet bjelloruse vazhdojnë të kërcënojnë protestuesit me kallëzime penale në përpjekje për të penguar protesta masive popullore, pas zgjedhjeve presidenciale të zhvilluara në vend. Ndërkohë prokurorët kanë hapur një hetim kundër aktivistëve të opozitës, qëllimi i të cilëve në fakt është të negociojnë për një tranzicion demokratik të pushtetit.

“E ardhmja e Bjellorusisë, dhe për këtë arsye e ardhmja e fëmijëve tanë, tani varet nga uniteti dhe vendosmëria jonë – tha Svetlana Tikhanovskaya, një ish-kandidate për presidente që për momentin ndodhet e strehuar në Lituani – Unë ju kërkoj që të vazhdoni të zgjeroni protestat, mos u frikësoni dhe rrini të bashkuar.

Ministria e Brendshme në Bjellorusi njoftoi se Yevgeny Bokhvalov, njeri prej organizatorëve të protestave në Minsk është arrestuar. Hetuesit gjithashtu kanë marrë në pyetje tre aktivistë të shquar të opozitës, si pjesë të një hetimi penal për krijimin e një këshilli koordinues, qëllimi i të cilit është ndryshimi i pushtetit të uzurpuar përmes mashtrimit zgjedhor.

Ndërkohë, Presidenti i rizgjedhur Lukashenko ka premtuar ta shtyp protestën e opozitës. Pasi konfirmoi hapjen e një çështje penale kundër anëtarëve të Komitetit që flasin në emër të protestuesve, Shefi i Shtetit njoftoi për largimin nga puna e punonjësve të shtetit që hynë në grevë në shenjë solidariteti me protestat. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, policia deri më tani ka bërë 6.700 arrestime, ndërsa qindra njerëz janë lënduar gjatë përleshjeve, të cilat gjithashtu u morën jetën e tre demonstruesve.

Por a i ka Rama kredencialet për të zgjidhur krizën politike në Bjellorusi? 

“Ka një problem në Bjellorusi. Bjellorusia duhet që të afrohet me BE-në dhe jo me Rusinë. Për fat të keq, kryesues i OSBE-së është Edi Rama, sepse është ministër i Jashtëm. Dhe këtu fillojnë problemet. Do të ishte e dëshirueshme që Shqipëria të kishte presidencë normale. Edhe më 2010 Shqipëria ka mbajtur presidencën e Këshillit të Evropës, nuk arriti ndonjë gjë të madhe, por nuk la nam. Në Bjellorusi zgjedhjet ishin të vjedhura. Kjo kur po ndodh një precedent i rëndë. Shqipëria kryeson OSBE-në, ndërsa qeveria shkel normat e OSBE-së me ligjin për mediat. Edi Rama nuk ka kredencialet për t’u ulur me Lukashenkon, sepse nuk ka zbatuar ligjet për zgjedhje të ndershme ka kaq kohë. Do të shkojë Edi Rama t’i thotë për zgjedhjet, kur ai mund t’i thotë se zgjedhjet e tua janë me probleme, që ti ke probleme me zgjedhjet. Problemi është se  një lider problematik, si Rama , e do shprehet Lukashenko, do të më tregojë mua për zgjedhjet e dhunën”, tha ish Deputeti i PD Genc Pollo në një reagim në TV, News 24 në Shqipëri.

Por s’duhet te harrojmë se Bjellorusia nuk është Ukraina, dhe gjendet pikërisht ne kopshtin e pasëm të Rusisë.  Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një takim virtual, përmes një video- konference, me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit në vend për të diskutuar mbi situatën në Bjellorusi. Ai theksoi papranueshmërinë e çdo ndërhyrjeje të jashtme në punët e brendshme të Bjellorusisë  dhe mungesën e alternativave për zgjidhjen e të gjitha problemeve të brendshme atje nga udhëheqja e këtij vendi në dialog me qytetarët e saj. 

Por duke e kuptuar këtë kryeministri ynë që mendonte se kjo ndërhyrje e tij ne kuadër te OSBE-se do ishte një akt i mirë PR-i për të mbuluar shkeljet e zgjedhjeve në vend dhe një “ shuplakë” për opozitën, nuk pat harruar siç duket se po luante afër shtrofullës së ariut rus, ndaj u kujtua dhe mori hapin e parë, t’i merrte leje ustait.

Ambasada e Rusisë në Tiranë ka zbuluar detaje nga një telefonatë e bërë mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov. Sipas ambasadës biseda është zhvilluar me iniciativën e palës shqiptare. Rusia i ka bërë të qartë Ramës se nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Bjellorusisë.

“Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës. Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t`u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e “ndërmjetësimit evropian” në Ukrainë në shkurt 2014.

Pasi iu përgjigj disa zërave të brendshëm kritikë se nuk po bën aq sa duhet për zgjidhjen e situatës politike në Bjellorusi Kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar së fundmi në cilësinë e kreut të OSBE-së, një bisedë telefonike rreth 30 minuta me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Dhe kjo në një kohe kur kritiku i njohur i presidentit, Putin, opozitari rus, Aleksej Navalny u dërgua me emergjencë në spital në Moskë të enjten, pasi gjatë një fluturimi nga Tomsku në Moskë, ai humbi vetëdijen. Kundërshtari i Putin mbërrin në Berlin, mjekët të paqartë për rënien në koma po trajtohet në spitalin Charite, në Berlin. 

Por e çuditshme është se kjo bisedë, ndryshe i është komunikuar publikut shqiptar dhe ndryshe raportohet nga diplomacia ruse. Në të gjitha mediat e Tiranës u raportua një lajm, i cili i referohej kanalit informativ Top News, që me siguri nuk e ka shpikur vetë, por e ka marrë nga kryeministria, ku thuhej se “gjatë kësaj bisede telefonike me Lavrov,  mësohet se kryeministrit Edi Rama i është komunikuar se Vladimir Putin, i ka kërkuar presidentit Bjellorus, Aleksandër Lukashenko të pranojë kërkesën e OSBE-së për negocimin mes palëve politike”.

Pra, sipas këtij njoftimi, pretendohet se Moska qenkësh dakord që Edi Rama të negociojë si kryetar i OSBE-së konfiktin në Bjellorusi. Aty opozita po “akuzon qeverinë se ka manipuluar zgjedhjet, ndaj Rusia ka mbështetur nevojën e ndërhyrjes së OSBE në zgjidhjen e krizës” thuhej në komunikatën e përhapur në mediat e Tiranës. Por, Ministria e jashtme ruse jep një version krejt të ndryshëm. Sipas tij, Lavrov ia ka bërë të qartë Ramës, pas kërkesës për bisedë të këtij të fundit, se s’duhet të përzihet në Biellorusi. Bashkimi Evropian, mbajti një takim urgjent të nivelit të lartë për krizën, ku u vendos të mos njihet rizgjedhja e Lukashenkos dhe vendosja sanksioneve financiare ndaj zyrtarëve që BE-ja i fajëson për manipulime zgjedhore dhe abuzim ndaj protestuesve. Në përfundim të saj mbledhja doli me një sërë konkluzionesh një prej të cilave qe edhe mbështetja për iniciativën e kryetarit të OSBE, Edi Rama. 

Kjo e bëri kryeministrin t’u përgjigjej zërave kritike nga Shqipëria duke komentuar në twiter se: “Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve”. 

Këto ditë kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të OSBE, së bashku me ministren e Jashtme të Suedisë, Ann Linde, vendi i së cilës do të mbajë presidencën e ardhshme të organizatës, i kanë dërguar një tjetër letër presidentit të Bjellorusisë, ku kanë ripërsëritur “ofertën” për ndërmjetësimin e dialogut. Në letër, të dy politikanët u ofrojnë sunduesve bjellorusë një ofertë për të ndërmjetësuar menjëherë, të “dëgjojnë” të gjitha palët dhe të “diskutojnë sfidat aktuale”

Siç thotë dhe Rama vetë të dyja palët s’kanë besim tek ai.  As opozita pasi e sheh si autokrat që grabit zgjedhjet në vendin e vet dhe as Lukashenko që e sheh veprimin e Ramws si karshillëk, se qasin për pajtues pasi lojtari hilacak nuk mund të jetë arbitër i mirë. Siç duket as Evropa s’i ka besuar plotësisht Ramës gjersa i bashkangjiti edhe ministren e jashtme suedeze Ann Linde pasuesen e radhës të kryesisë së OSBE-së për këtë “mission impossible”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Lukashenko i Shqiperise, Mision i pamundur Bjellorusi, Rafael Floqi

LETARGJI E PAPRANUESHME E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN…

February 29, 2020 by dgreca

– PËR DIJENI SEKRETARIT TË SHTETIT TË SHBA, Z. MIKE POMPEO-/

Nga Elida Buçpapaj/

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ishte shembulli i veprimit dhe ndërgjegjesimit kombëtar!

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan zjente nga veprimtaritë në të mirë të çështjes shqiptare.

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ishte i pari që sensibilizonte administratën Amerikane për çfarë ndodhte nën pushtimin serb në Kosovë.

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, në qershorin e vitit 1988, me në krye Joe DioGuardi ishte pjesmarrës nëpër tubimet masive të Shqiptaro-Amerikanëve në të gjithë SHBA, përpara Kombeve të Bashkuara në New York, në Washington DC përpara Shtëpisë të Bardhë dhe Kapitol, për të dëshmuar terrorin e shqiptarëve të Kosovës nën makinerinë e shtetit milosheviçian!

Mendoni, ishte viti 1988.

30 vjet më parë, pa u rrëzuar ende Muri i Berlinit, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan kishte një ndërgjegjësim që të mbushte me krenari!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan e bëri të njohur Kosovën e panjohur në SHBA dhe ndikoi që administratat e SHBA dhe gjithë Presidentët e SHBA prej George Bush Senior të kthenin sytë nga çështja shqiptare, si çështje që lidhet jo vetëm me intersat Amerikane por edhe me parimet dhe vlerat e lirisë!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ndikoi që Atij të cilit i ndrin sot shpirti në Parajsë, Presidenti George W.Bush Senior t’i bënte kriminelit Milosheviç, flakëvënësit të Ballkanit, Paralajmërimin e Krishtlindjeve!

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, pjesë e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan e krijuar më 1989, sponsorizoi në Kongresin Amerikan Seancën e parë dëgjimore dhe historike të të Drejtave të Njeriut të shkelura në Kosovë nga Serbia, që u shoqërua me një drekë historike në Sheraton Hotel në NYC ku morën pjesë 2700 Shqiptaro-Amerikanë me sloganin “Liri dhe demokraci për Kosovën!”

Ish-Kongresmeni DioGuardi, 30 vjet më parë, në vitin 1990 bashkë me Kongresmenin Tom Lantosh vizituan Kosovën dhe e denoncuan terrorin e ushtruar si një Geto të Milosheviçit të kohëve moderne alla “Warsaw Ghetto” .

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, me emra të ndritur sollën në Washington DC gjithë elitën politike të trevave shqiptare, duke filluar prej Ibrahim Rugovës e me rradhë, po ashtu i çuan në Kosovë emrat më të spikatur të politikës Amerikane në Kongres dhe Senat si Bob Doll, John McCain, Joe Biden etj etj etj.

Prej rrëzimit të diktaturës në Shqipëri deri tek çlirimi i Kosovës, deri tek ndalja e segregacionit maqedono-sllav dhe Marrëveshja e Ohrit 2001 në Maqedoni, gjithçka që lidhet me lirinë dhe paqen afatgjatë në rajon dhe më gjatë, e ka burimin në SHBA, tek Komuniteti Shqiptaro-Amerikan!

Vdekja e Rugovës pati ndikim negativ në arritjet e SHBA dhe Perëndimit në Kosovë.

Pas shpalljes të pavarësisë më 2008, Kosova rezulton në stanjacion për shkak të lidërshipit, Hashim Thaçit, ose Gjarpërit, i përlyer me krime.

Në Shqipëri, po ashtu sistemi demokratik rezulton i kapur, kryeministri aktual Edi Rama ka uzurpuar të gjitha pushtetet, tani është duke shëtitur nga Washington DC në Moskë si kreu i OSBE-së, duke uzurpuar edhe rolin e Ministrit të Jashtëm të Republikës të Shqipërisë.

Ndërsa Komuniteti Shqiptaro-Amerikan fle.

Kur i del gjumi, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, nis e organizon gala qejfi alla Hollywood, ku ndan tituj e grada, sikur punët e shqiptarëve në Ballkan të shkojnë fjollë dhe Komunitetit Shqiptaro Amerikan tani i ka mbetur që të shpërndajë trofetë e fitores. Merreni me mend, nuk ka mbetur asnjë prej letargjikëve pa u dekoruar si “Nderi i Kombit”!

Ndërsa Joe Dioguardi, ai që është vërtetë Nderi i Kombit jo.

Nderi i Kombit ka qenë edhe Komuniteti Shqiptaro-Amerikan deri sa luajti rolin që i takonte!

Tani Komuniteti Shqiptaro-Amerikan është duke luajtur rol shumë negativ! Sepse nuk po vepron fare! Indiferenca, injorimi apo heshtja janë po aq të dënueshme sa ata që po i lënë shqiptarët në kaos, pa shtete të së drejtës, nën diktaturën e varfërisë dhe po i detyron që si zgjidhje të shohin vetëm ikjen nga Atdheu në emigracion.

****

Në Ballkan Shqiptarët nuk janë pushtues;

në Ballkan Shqiptarët nuk janë agresivë;

në Ballkan Shqiptarët nuk kërkojnë territoret e tyre që tashmë i ka shteti serb, sipas epikës historike shqiptare ku thuhet se Kosova fillon prej “Mollës së Kuqe”, në Nishin e sotshëm-

apo në Greqi, kur më tepër se një shekull më parë, Selaniku ishte pjesë e Shqipërisë;

në Ballkan shqiptarët të ndarë në gjashtë shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Greqi

kërkojnë vetëm një gjë:

të jetojnë si popull i barabartë mes të barabartëve, në familjen e popujve europianë, të integruar në BE dhe NATO!

Në Ballkan Kombi Shqiptar është faktor paqeje, ndërsa Perëndimi ka një qasje aspak koherente me veprimet e veta, që kur ndërhynë në Kosovë prej 1999 deri në 2008 dhe Maqedoni, në 2001.

Serbia nga ana e vet, me oreksin mitoman për copëtim të Kosovës, ka organizuar diplomacinë serbe me apetitet e Milosheviçit dhe me aleatët e saj tradicionalë, duke iu kundërvënë vendimeve dhe angazhimeve të Perëndimit, SHBA, NATO, BE për çka kanë vendosur në Kosovë. Serbia e ka kthyer dialogun në farsë, pasi lobon për anullimin e njohjeve të shtetit të Kosovës. Por e keqja është se në krahun e vet ka dy liderë të komprometuar sikur janë Hashim Thaçi dhe Edi Rama, të cilët për të qendruar në pushtet, përdorin të gjitha mjetet dhe janë të gatshëm ta kthejnë Ballkanin rishtas në “fuçi Baroti”.

Megjithëse këtë skenar makabër serb e kuptojnë edhe fëmijët në barkun e nënave, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan që merr atribute lidërshipi, bën ahengje dhe nuk do që t’ia dijë për rrezikun që i kanoset sot Ballkanit!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nuk proteston kur në Washongton DC vjen Edi Rama, me kostumin e vjedhur të Ministrit të Jashtëm të Republikës të Shqipërisë!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nuk proteston ndërsa Edi Rama pritet nga Sekretari i Shtetit i Shtetit i SHBA dhe kur kthehet në Shqipëri thotë, “unë e kam mik Vangush Dakon dhe nuk më bëhet vonë se DASH, Ministria që drejton mikpritësi i tij Mike Pompeo e ka shpallur non grata familjarisht.

E pra kjo nuk është fytyra liridashëse e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në SHBA!

Kjo nuk është fytyra e bukur që ka patur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan që ne e njohim prej të paktën 30 vitesh.

Kombi shqiptar ka nevojë të përhershme që Komuniteti Shqiptaro-Amerikan të jetë në avantguardë për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin territorial dhe sistemin demokratik në Shqipëri që rezulton i kapur, në Kosovë që sot të ngjall shpresë por i rrezikuar dhe në Maqedoni që rrezikon inercinë duke patur model Shqipërinë dhe Kosovën.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan duhet të zgjohet dhe të marri rolin që ka patur, duke e perfeksionuar atë rol!

Shqiptarët nuk janë kot populli më amerikandashës në botë!

Sepse duan lirinë dhe demokracinë e vërtetë!Po në Ballkan, historia ka treguar se ka zjarrvënës, lirivrasës dhe demokracivrasës!

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Elida Buçpapaj, Hashim Thaci, komuniteti shqiptaro-amerikan, Mike Pompeo, Serbia

Rama kërkon çamë me qira

January 31, 2019 by dgreca

1 Rama CametNga Arben LLALLA/

Edi Rama, i cili e kërkoi tepsinë vetëm për socialistët, është shumë i vëmendshëm të gjejë aleanca apo njerëz që dalin tepër si mish i huaj nga lëvizjet e tjera politike. Kujdes të veçantë ai ka për PDIU-në, të cilës që pas zgjedhjeve të qershorit të 2017 është kujdesur t’i gjejë kryetarë të ri, t’i vjedhë votat, t’i shkarkojë deputetë dhe të emërojë deputetë të tij e kështu me radhë. Nuk ia ka dalë dot me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ndaj ngushëllohet me çfarë mbetet rrugës, sepse opozita është sport i rëndë, se vetë Edi Rama e ka pas thënë.

Së fundmi, qeveria e tij që nuk do e ndante tasin e groshës jashtë Rilindjes, ka emëruar Vjollca Brahon drejtore të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Zonja është e njohur në politikë vetëm pasi u themelua PDIU. Ajo është e vetmja që ia ka parë hairin partisë, sepse e zgjodhën kryetare të Forumit të Gruas, PDIU e emëroi drejtore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore – ISSH, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – FSDKSH, zëvendësministre e Punës, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës e kështu me radhë. Shumë kritika të drejta të votuesëve besnikë kanë ardhur në adresë të kësaj partie, falë këtyre njerëzve që përfituan gjithçka dhe nuk e kthyen një herë kokën prapa. Tashmë Vjollca Braho, vazhdon lart e më lart, jo më si përfaqësuese e PDIU-së, por mercenare e rilindur e qeverisë.

Nuk është çudi që Edi Rama të shpikë një tjetër lëvizje a parti si bëri dikur, meqë ende mendon se PDIU-në e gjen e keqja nga fuksat. Bëri dikur aleancë me një Aleancë dhe i numëroi votat me gishtat e njërës dorë, prandaj ku i dihet e provon prapë dhe gjen ndonjë tutkun tjetër me qira.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Edi Rama, kërkon çamë, me qira

NJE PERKTHIM PA KOMENT NGA CORRIERE DELLA SERA

August 28, 2018 by dgreca

ASNJЁ SHKЁMBIM ME BE, POR TIRANA URON QЁ ROMA MOS TЁ MBETET VETЁM/1 corriere1

Intervistё e Kryeministrit Edi Rama dhёnё gazetarit Leonard Berberi/

“Duhej tё bёnim diçka pёr ata njerёz qё pafuqia evropiane i kish katandisur nё tё burgosur”. Kryeministri shqiptar Edi Rama pёrforcon qёndrimin e qeverisё socialiste nё pritjen e 20 eritreasve tё anijes “Diciotti”. Por fton kontinentin e vjetёr tё zgjidhё çёshtjen.

Si do tё pёrcillen?

            “Pёr çёshtjen po punojnё agjensitё kompetente. Ne bёjmё pёr to atё qё Italia bёri pёr ne, eritreas tё atёhershёm, kur na pritёn e na ushqyen.

Si kanё qenё traktativat me qeverinё italiane?

“Nuk ka pasur asnjё traktativё. Donim tё bёnim diçka, por nguronim pёr tё shmangur keqkuptime me Romёn. Shkёmbimi mes ministrave tё Jashtёm e zgjidhi çёshtjen. Italia ka bёrё shumё pёr ne dhe pёr Evropёn: por pёr shumё kohё ёshtё lёnё e vetme”.

A do tё prisni tё tjerё?

“Nuk do t’a zgjidhte problemin. Uroj qё Evropa tё zgjohet e qё secili tё bёjё pjesёn e tij. E kemi thёnё mё 2015: duhet njё plan evropian dhe nuk do t’i mungojmё thirrjes. Na detyron historia, qёnia jonё evropianё dhe shqiptarё”.

Ky veprim do tё shpejtojё hyrjen nё BE?

“Nuk ka asnjё shkёmbim. Nuk e kam pёrballuar çёshtjen me kryeministrin Conte. Kёtu bёhet fjalё pёr jetё njerёzore. Nё lojё janё gjёra tё rёndёsishme qё, fatkeqёsisht, kanё humbur peshёn nё kёta ditё”.

Kohё mё parё Salvini kritikonte hyrjen tuaj nё BE….

            “Nuk dua tё gjykoj, nuk do tё zgjidhej asgjё. Mbi çёshtjen “Diciotti” na ka qenё mirёnjohёs. Synimi ёshtё njё qёndrim i pёrbashkёt evropian qё sot, fatkeqёsisht, nuk ёshtё Ҫfarё marrёdhёniesh ke me Romёn?

Marrёdhёniet mes Italisё e Shqipёrisё kanё qenё gjithmonё shumё tё mira, pavarёsisht nga forcat politike nё qeveri. Pa Italinё nuk do tё kishim shkuar kaq pёrpara dhe jam krenar tё shoh se “eritreasit” e ardhur dje  nga Shqipёria sjellin vlerё tё shtuar nё Itali”.

Pёrse ju intereson BE?

            “Ёshtё njё pyetje qё nuk i a bёjmё vetes: nuk e kemi humbur kahin e historisё, ёndёrrojmё njё t’ardhme mё tё mirё nё njё Evropё tё sendёrtuar simbas frymёs sё etёrve themelues. Tё dalёsh nga BE do tё thotё tё dalёsh nga Historia, tё ndryshosh BE ёshtё tё hysh nё t’ardhmen”.

Dje mёrgonit, sot prisni tё mёrguarit….

“I kemi mirёpritur gjithmonё popullsitё nё rrezik. Kujtoj hebrenjtё nё ikje nga nazizmi. Kujtoj gjysmё milioni kosovarё mё 1999. Kujtoj tremijё iranianёt e liruar nga burgjet e Irakut. Kujtoj sirianёt e ardhur nё kёta muaj”.

            Ku duhet tё pёrmirёsohet Shqipёria?

“Po pёrshkojmё rrugёn e evropianizimit: kemi bёrё shumё, por shumё mbetet ende pёr t’u bёrё”.

            Por ama trafiku i drogёs shqetёson….

            “Jemi nga ata qё kemi bёrё mё shumё. Por siç vёrteton lufta kundёr mafies nё Itali, kjo ёshtё njё betejё qё zgjat mё shumё se seria “Gomorra”.

            “Corriere della Sera”, 27 gusht 2018   E pёrktheu nga itaishtja Eugjen Merlika

Filed Under: Interviste Tagged With: Edi Rama, Eugjen Merlika, ne Corriere della Sera

Peshku i parë dhe më i madh është Edi Rama, ambasador!

July 7, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Takimi i djeshëm Forca e ligjit me ambasadorët e rajonit dhe atë të Amerikës, vërtetoi publikisht një fakt, mos çeljen e negociatave. Atë që pak ditë më parë u bë debat publik ku qeveria e quajti si sukses shtyrjen me një vit, ato që Edi Rama i rrumbullakosi si 72 orë vendimtare për t’i mbushur mendjen skeptikëve në Hollandë e gjetkë dhe opinioni opozitar si ngelje në klasë të Shqipërisë. Në një apo dy mënyra një shpurë e tërë ambasadorësh sollën kokluzionet, apo arsyet e vërteta përse vendi ynë nuk mundi të shkoj dot më tutje. Dhe pa diskutim kulmi ishin replikat në distancë midis ambasadorit në ikje të Shteteve të Bashkuara Donald Lu dhe kryeministrit Edi Rama mbi krimin e organizuar. Kësaj here Donald Lu-ja u bë antipatik edhe për opinionin qeveritar, i cili gjithë këtë kohë i ka konsideruar si asete të rëndësishme Lu dhe Vlahutin në gjoja reformat e mëdha të shtetit të së drejtës dhe ligjit. Po e vërteta është se në Shqipërinë otomane, ligji dhe kushtetuta janë ca rula letre higjenike të një cilësie skandaloze që kujtdo ua grricin menderen, veç shqiptarëve qytetarë jo. Replika që sigurisht otomanit Edi Rama nuk kishte se si t’i pëlqenin, ndaj edhe iu kundërvu ambasadorit duke i përmendur vështirësitë në kapjen e një personi në kërkim, aset nga administrata shtetërore e doganave dhe prurje e politikës. Një modë natyrale e këtyre njëzetë e tetë vite demokraci, si ardhja në pushtet me paratë e krimit dhe ndarja e tepsisë për interesat e tij.

2) Së fundi Donald Lu-ja po largohet prej vendit tonë i përbuzur si nga opozita por edhe pushteti. Megjithatë shembulli Lu apo Vlahutin, ai i ambasadorit anglez dhe ndonjë tjetri dëshmuan një fakt të hidhur. Rënien e shtetit tonë. Ambasadorët janë veçse përçues mesazhesh mes qeverive, jo udhëzues se si bëhet, se qysh…, se kush. Mund të ofrojnë platforma dhe të tjera shërbime, por të gjitha këto bëhen në atë mënyre që mbeten si praktika të brendshme kuadrosh ndërshtetërore. Por ndofta nga bezdia mbi dhënien pa mbarim, fondesh për ngritje institucionesh si gjykata administrative a ky vetingu i famshëm… fonde që i përpinin gropat e zeza, u detyruan të bënin udhëzuesin dhe kërkuesin e llogarisë në mënyrë publike. Dhe ndofta dhëmbët ua kanë mbajtur t’i kujtojnë politikanëve se peshq të mëdhenj nuk janë vetëm ata si puna e këtij Balilit, por edhe Rama dhe soji i tij opozitar.  Madje më keq se transportuesit e kanabisit dhe mishit të bardhë. Pra, ngado që ta kthejmë është një rol i tejkaluar por që në vendin tonë u kthye në një show publik ku me siguri institucionet e lajmit duhet ta dinë mirë se sa ethshëm shtoheshin ndjekësit kur fliste shqip e demaskonte emra të gjallësh ky Luja i Amerikës. 

3) Peshku i parë i madh është Edi Rama i cili pushtetin që i dhanë shqiptarët e ka kthyer në një biznes me sekserë të tipit Erion Veliaj. Këtë e vërtetoi vet ky i fundit, që e trajton raportin me kryeministrin si një marrëdhënie njerëzish aferash që merr vesh shumë mirë. Një marrëdhënie disi e xhelozuar për shkak se cili syresh po punon më mirë duke ofruar kështu një përtëritje të mjaftistëve, e kohës Rama kundër Nanos, shkurt ata plagjaturë që sot gjithë bota e njeh si pushteti absolut midis Vladimir Putinit dhe Dimitry Medvedevit në Rusi. Shokët e pushtetit nën rrogoz, luftës së ashpër opozitare, por edhe atyre në rang botëror, siç është suporti aktual që po i japin Bashar Al Asadit në Sirinë tashmë të shkatërruar nga lufta civile. Plaga e madhe e Europës në lidhje me dyndjen e emigrantëve. Ndofta dyshja jonë, Rama Velija nuk kanë bythë ta bëjnë, megjithatë ka aftësinë të rrisin borxhin publik dhe të vjedhin me të dya duart, të manipulojnë një vend të tërë drejt një vetvrasje kolektive duke shkatërruar deri memorien historike, një vend i cili ka një përvojë të hidhur nga pushteti i shokëve si rasti i Enver Hoxhës me Koçi Xoxen, Beqir Ballukun, Teme Sejkon, Kadri Hazbiun, Bedri Spahiun dhe Mehmet Shehun. Konkluzioni një Shqipëri e rrudhur aq sot ajo Shqipëria organike thirret me frikë si një Shqipëri e madhe…, plot 39 mijë viktima gjatë një qeverisje dyzetë e pesë vjeçare, pa përmendur të pushkatuarit dhe ata të cilët nuk iu gjetën kurrë eshtrat, të luftës pa kompromis asaj të klasave.  Shteti në kapitalizëm bëhet me ligje, me trasparencë dhe jo fonde gjoja të dhuruara me më jep të të jap. 

4) Momentalisht në Shqipëri është krijuar edhe një ngërç instititucional. Mungesa e kërkesës së llogarisë, e vënies së drejtësisë etj., kjo përshembull si në rastin konkret për një ankimin të ligjit për prishjen e teatrit kombëtar. Eshtë një vendimmarrje e paqartë për shkak edhe të protestave apo debateve pafund. Megjithatë, kundërshtarët, qofshin këta me sharm politik, prej artit, a qytetarë pro memories dhe ruajtjes së saj, nuk kanë ku të ankimohen. Pra është drejt për së drejti një ngërç mafiozësh dhe peshqish të mëdhenj, shkurt demokracia e kapur nga oligarkia dhe mafia. Nisur nga ky këndëvshtrim… i takon opozitës të ofroj mundësi të reja dhe të garantoj balancimin e pushtetit si nervi thelbësor i demokracisë. Megjithatë, shohim se veç atyre denoncime tashmë gangrenë prej dixhitali, nuk ka asnjë asgjë tjetër. Përshembull suport total të protestuesve dhe ajo që është e domosdoshme djegia e mandatave të deputetit. Mirëpo kjo nuk po ndodh. Dhe sado të bërtasi Berisha, sado të flasi Basha për një politikë kundërshtuese qytetare…, prapë ky nuk është opozitarizëm. Por një kapje dhe bindje totale e kollarexhinjlve me një të kaluar tepër të përfolur prej ish drejtorësh a ish ministra që janë pjesë e një lojë të qartë për pritje të pushtetit. Ndofta është koha të besojmë plotësisht se ato zëra se marrëveshja e Ramës me Bashën ekziston. Në një vend ku të gjithë treguesit janë për një rënie totale të shtetit, opozitari është i shenjtë pikërisht për hir të sakrificës. Mirëpo ky lloj shenjtori duket se i mungon vendit tonë. Ndaj dhe ambasadorët kanë të drejtë të udhëzojnë, të kërkojnë llogari, ndofta me të vetmen shpresë se qytetarët i kanë veshët hapur e dëgjonë, kanë sy e shikojnë. Dhe protestuesit duhet t’i përzënë një orë e më parë deputetët opozitarë sa kohë mbajnë në xhep mandatin, sa kohë nuk kanë nuhatjen të kuptojnë se veç demokraci nuk ka më në Shqipërinë tonë. 

Filed Under: Analiza Tagged With: ambasador, Edi Rama, Ilir Levonja, Peshku i mad

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 17
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT