• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Rama e quajti “Zërin e Amerikës” kazan, reagon Elez Biberaj

January 17, 2019 by dgreca

Drejtori për Europën dhe Azinë i “Zërit të Amerikës”, gazetari i njohur dhe drejtuesi emblematik i saj, Elez Biberaj, iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, pas etiketimit prej këtij të fundit, si kazan edhe për Zërin e Amerikës./

1 Elez-Biberaj

Gazetari Biberaj garantoi se investigimi për implikimin e deputetëve dhe shefes së kabinetit të kryemsitrit shqiptar, në biseda përgjimesh, për punësime, është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media.

“Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”, u shpreh për Ora News, Elez Biberajn, Drejtori për Evropën dhe EuroAzinë i Zërit të Amerikës.

Denoncimi i Zërit të Amerikës zbuloi se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.

Pas publikimit të këtij lajmi, Kryeministri reagoi në twitter, duke e quajtur këtë media kazan. “Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, reagoi Rama.

“Zëri Amerikës” nxjerr korrupsionin, kryeministri e “shpartallon” si dikur Enver Hoxha

-“Bomba” e dytë e “Zëri i Amerikës” kundër qeverisë . Publikohen përgjimet që implikojnë deputetë dhe zyrtarë të PS në afera të jashtëligjshme në punësime.

-Kryeministri akuzon si “kazan” edhe radion zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që pret emërimin si ministër i jashtëm, por që duket paksa e vështirë të marrë dekret presidencial në vend të Ditmir Bushatit.

Një i investigim i “Zërit të Amerikës” për punësimet e jashtëligjshme në administratën e burgjeve vë nën akuzë ligjore dhe morale të paktën katër deputetë të Partisë Socialiste, si dhe zyrtarë në kabinetin e kryeministrit Edi Rama. Investigimi zë fill të hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko. Bisedat e zbardhura të Çukos, si deputetë dhe zyrtarë të qeverisë, tregojnë se në shumicën e rasteve emërimet në këtë institucione bëhen me ndërhyrje politike. Më flagrante në gjithë historinë e përgjimeve është se dhe një konkurs për vende të reja pune në këtë institucion rezulton të jetë një farsë e shëmtuar. Nga 270 vende të lira pune në konkurs, të gjitha aplikimet rezultojnë se janë bërë nga deputetë të PS dhe njerëz të qeverisë. Madje numri i konkurentëve ka qenë aq i madh sa seleksionimi duhet bërë mes emrave që kanë dhënë deputetët, pra jashtë kritereve, dhe jo sipas ligjit.

“Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes bisedave dhe mesazheve të përgjuara të Çukos tregojnë se mbajtja e këtij premtimi minohet gjerësisht nga një sistem i ngritur mbi bazën e shpërblimeve partiake si dhe nga ndërhyrjet e zyrtarëve të të gjitha niveleve. Përveç zyrës së shefes së kabinetit të kryeministrit Edi Rama, në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dalin kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetët socialistë Klodiana Spahiu, Blerina Gjylameti dhe Paulin Sterkaj. Trafik influence për punësime apo transferime rezultojnë të kenë ushtruar gjithashtu zyrtarë lokalë, punonjës të administratës apo të zgjedhur vendorë”,- thuhet në investigimin e “Zërit të Amerikës”, e cila është radio zyrtare e SHBA.

Skandali i publikuar dje me dokumente dhe përgjime, shërben dhe si model për institucionet e tjera, sipas analistëve. Kur deputetët kanë bërë namin te Drejtoria e Burgjeve, që nuk është një institucion i lakmuar për punësime, imagjinoni çfarë ka ndodhur me drejtoritë e tjera ku radha për punësime është disa herë më e madhe. Ajo që u shfaq dje në “Zërin e Amerikës” tregon se qeveria i ka kthyer të gjitha punësimet në shpërblime politike për militantët dhe njerëzit që janë afër kryeministrit Edi Rama. Në të vertetë ka ndonjë ministri apo institucione, që konkurset i zhvillojnë korrekt me ligjin, por akuzat e “Zëri Amerikës” e komprementojnë “bashkëqerisjen” dhe konkurset, pasi në jo pak raste konkurset janë me përzgjedhje politike.

Investigimi i djeshëm, veç korrupsionit dhe ndërhyrjes qeveritare në punësime, zbuloi dhe raportin e deformuar që tashmë kryeministri Edi Rama ka me median dhe të vërtetën. Pak pasi u publikua kronika e medias amerikane, kreu i qeverisë me një gjuhë jo etike sulmoi median zyrtare të SHBA, si të bëhej fjalë për ndonjë portal anonim në Tiranë, duke e quajtur “Kazan”! “Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë logjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”,- shkruan kreu i qeverisë.

Për të kuptuar qytetarët shqiptarë se cilën media ka quajtur kazan Edi Rama, mjafton të kujtojmë se “Zëri i Amerikës” financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe përcjellë qëndrimet zyrtare ose gjysmë zyrtare të qeverisë amerikane lidhur me çështje të ndryshme. Ajo që është e veçantë në programin e kësaj medie në gjuhën shqipe dhe që ka shqetësuar kreun e qeverisë, lidhet me faktin se gjatë muajve të fundit “Zëri i Amerikës” ka marrë karakterin e një media investiguese të temave të nxehta në Shqipëri, veç transmetimeve të qëndrimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit. Prej disa muajsh në këtë media janë thirrur gazetarë me përvojë në zbulimin e aferave dhe fakteve të korrupsionit e krimit qeveritar, të cilët kanë nisur hulumtimin e dokumenteve dhe fakteve për skandale të ndryshme.

Skandali i parë i trajtuar ishte ai për projektin e Unazës së Re dhe kompaninë që mori me letra false 30 milionë Euro. Për shkak se shumica e mediave vizive, me përjashtim të emisionit të Ylli Rakipit që zbuloi fillimisht skandalin, iu shmangën trajtimit të kësaj teme që prek shumë interesa, “Zëri Amerikës” e plasi vet bombën e korrupsionit në shqip dhe anglisht duke e detyruar qeverinë që t’i përgjigje direkt dhe të merrte masa. Sigurisht që investigimet janë mediatike, por kur dalin nga “Zëri i Amerikës” kanë kaluar dhe në filtra të tjerë që do apo nuk do kreu i qeverisë janë dhe qëndrime të politikës amerikane ndaj mënyrës sesi ai po qeverisë Shqipërinë. Pas bombës së parë me Unazën e Re, bomba e dytë e kësaj media ishte dje. Investigimi për mashtrimet me punësimet prek vetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Është vetëm një drejtori e rëndësishme nga dhjetra të tjera që ka qeveria.

Dje investigimi i “Zëri të Amerikës” ndaj qeverisë Rama ishte në vazhdën e faktëve korruptive që kjo media amerikane po zbulon për publikun shqiptar. Me sa duket shërbimet intelegjente e dijnë mirë se në Shqipëri mbi 90 përqind të mediave, kryeministri i ka lidhur me interesa financiare dhe asnjëra nuk investigon, ndaj detyra e vështirë ka rënë mbi “Zëri Amerikës”.

Kur të kritikon “Zëri Amerikës”, radio me serioze dhe profesionte në botë, duhet të mendohesh mirë, pasi ditët në pushtet fillojnë e shkurtohen. Me sa duket edhe Presidenti nuk do ta dekretojë ministër të jashtëm, Edi Ramën.

Edhe për këtë sulm ndaj “Zëri të Amerikës”!

 

Filed Under: Politike Tagged With: edi Rames, Elez Biberaj, Kazan, pergjigje, zeri i amerikes

Crawford- Rames: Në SHBA nuk arrestohesh për kuponin

October 24, 2015 by dgreca

Kreu i Dhomës Amerikane i përgjigjet Edi Ramës pas deklaratave të një dite më parë të kryeministrit në Këshillin Ekonomik Kombëtar./
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford ka reaguar pas deklaratave të një dite më parë të kryeministrit Edi Rama në Këshillin Ekonomik Kombëtar. I kontaktuar nga Ora News me telefon, numri një i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Mark Crawford deklaron:“Ne nuk jemi kundër nismës anti informalitet. Nëse ka rezultat, aq më mirë për qeverinë. Nuk kemi qenë dje të ftuar në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, pasi është rotacion. Qëndrimin për nismën anti informalitet e kemi dhënë. Në Amerikë ka politika fiskale të ndryshme për çdo shtet. Nuk futet njeri në burg se nuk lëshon kuponin tatimor. Madje, nuk lëshohen fare kupona apo faturë, pasi çdo transaksion kryhet me bankë. Ne ditën e enjte kemi mbledhjen e Bordit të dhomës dhe mund të dalim me një deklaratë”.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka lëshuar kritika të forta për mënyrën sesi qeveria po zbaton nismën anti informalitet, pasi sipas saj, biznesi po përballet me masa represive që rrezikojnë ta falimentojnë.
Rama kritikoi qëndrimin e mbajtur publikisht nga Crawford për mënyrën sesi po zbatohet nisma anti informalitet dhe i kujtoi përfaqësuesit amerikan të Dhomës sesi trajtohet moslëshimi i kuponit tatimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
” Më vjen keq që nuk e shoh përfaqësuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ti thosha se përpara se sa të bëjë deklarata pas deklaratash, duke iu kundërvënë këtij operacioni t’ju tregojë shqiptarëve se cfarë i ndodh në SHBA dikujt që kapet me evasion apo duke shitur pa lëshuar faturën tatimore. Pasi ta tregojë këtë le të na tregojë ne se çfarë të bëjmë më mire” deklaroi dje Rama.
****
JA CFARE THA KRYEMINISTRI NE KESHILLIN KOMBETAR
Në mbledhjen djeshme të Këshillit Ekonomik Kombëtar, teksa analizonte bilancin e aksionit kundër informalitetit, kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar rastin për të thumbuar Dhomën Amerikane të Tregtisë në Tiranë. Teksa një javë më parë, në një deklaratë për mediat, Dhoma Amerikane rendiste një sërë kritikash ndaj aksionit të qeverisë dhe ligjit të ri për gjobat ndaj evazonit fiskal. Dhe mesa duket, kritikat e ardhura nga biznesi amerikan që operon në Shqipëri nuk janë pritur mirë nga kryeministri Edi Rama. Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik, ai është marrë personalisht me drejtuesin e kësaj organizate ekonomike, presidentin Mark C. Crawford.
“Më vjen keq që nuk e shoh këtu përfaqësuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, sepse do kisha parapëlqyer që ta shikoja në sy (nënkupto: Mark C. Crawford) dhe t’i thosha që përpara sesa të bëjë deklarata pas deklaratash duke iu kundërvenë këtij operacioni dhe duke folur për masat e rrepta të qeverisë si masa penguese, t’ju tregojë shqiptarëve se çfarë ndodh në Amerikë kur dikush kapet me evazion apo kapet pa lëshuar faturën tatimore. Mbasi t’ua tregojë shqiptarëve këtë, atëherë le të vazhdojë dhe të na tregojë neve se çfarë duhet të bëjmë më mirë”, – u shpreh kreu i qeverisë.

Realisht ligjet amerikane për biznesin janë të ashpra dhe nuk krijonë asnjë lloj tolerimi për evazionin fiskal. Por debati që realisht hapi Dhoma e Amerikane e Tregtisë nuk kishte të bënte me kuponat, por me gjobat dhe modelin ekonomik që po vendoset në aksionet tatimore në vend. Si një institucion me traditë në financat e vendit biznesi amerikan i kujtoi kryeministrit se reformat e ministrit Shkëlqim Cani mund të sjellin efekte negative. Rasti më konkret ishte ai sesi një biznesi me 5 milionë lekë të reja xhiro në vit mund t’i vendoset një gjobë 10 milionëshe. Praktikisht, një masë e tillë do të thoshte falimentim. Në fakt Mark C. Crawford, pavarësisht kritikave për reformat e qeverisë, në fjalën e mbajtur pak ditë më parë për 15-vjetorin e krijimit të këtij institucioni deklaroi se kishte marrë kupon edhe për printimin e fjalimit të mbajtur. Ironi e egër ishte ndaj Edi Ramës ! Nuk kishte me shumë se kaq të tregonte Mark C. Crawford inatin dhe mërinë ndaj kësaj mënyre pune të tatimeve, gjithnjë sipas tij.
Nga ana tjetër, qëndrimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë ka një forcë tjetër po të kemi parasysh se biznesi vendas ka një sjellje vasaliteti ndaj qeverisë. Këtu nuk flitet vetëm për qeverinë Rama, por për të gjitha qeveritë. Sa herë janë ndërmarrë reforma biznesi vendas është rreshtuar me qeverinë, jo se janë gjithmonë dakord me reformat, por se mbështetja e mazhorancës për biznesin përkthehet në përfitime të tjera që kanë të bëjnë me tenderat dhe me lehtësira ekonomike. Merrni shembullin e mbledhjeve në Këshillin Ekonomik, ku dhjetëra biznesmenë të fuqishëm në vend ulen dhe dëgjojnë njëlloj si të ishte mbledhja e qeverisë dhe nuk thonë atë që mendojnë. Të paktën publiku nuk dëgjoi gjë dje, live. Kjo është pa sens. Biznesi ka një mal me vërejtje ndaj qeverisë, por këto i thonë nën zë. Kur dalin në takime publike i miratojnë në heshtje reformat, duke i legjitimuar formalisht dhe duke pritur shpërblimin nga qeveria. Realisht, këta lloj biznesesh i dëmtojmë më shumë reformat sesa qëndrimet si ai i Dhomës Amerikane.
Basti i qeverisë në këtë aksion që dje mbushi 45 ditë nuk është vetëm marrja e kuponit, por se çfarë do të ndodhë kur aksioni të përfundojë. Biznesi nuk formalizohet me aksione, por me rregulla dhe ndëshkime të sipërmarrjeve të mëdha që deri më sot kanë abuzuar me miliarda lekë. Sfida e qeverisë është nëse do të arrijë të godasë edhe ato biznese që janë rreshtuar si fasadë në krah të saj, ndërkohë që deri dje kanë bërë evazion duke vjedhur jo vetëm qytetarët, por dhe arkën e shtetit. Sinjalet e fundit janë që gjërat po lëvizin në këtë drejtim. Ka njoftime se prokuroria po heton dhe pritet të bëjë arrestime të mëdha nga biznesi VIP. Por a do të cënohen e penalizohen VIP-at që rrijnë pas e para qeverisë? Të shikojmë!

Drejtoria e Tatimeve paralajmëroi arrestime në radhët e emrave të njohur të biznesit në vend. Arrestimet do të kryhen me akuzën e evazionit fiskal dhe emrat e përfolur janë në radhët e bizneseve që janë konstatuar me shkelje në fazën e parë të aksionit kundër informalitetit. Emrat e biznesmenëve që do t’u vihen prangat do të tregojnë edhe sesa seriozisht është gjithë aksioni i nisur prej 45 ditësh.
Dje kryeministri ia ktheu reston Mark C. Crawford për ironinë dhe reagimin e tij të para disa ditëve.
-Ku është ai ?- pyeti kryeministri- që ta shikoj përballë e në sy.
Në të vertetë debati dhe kundërshtimet nuk bëhen me deklarata shtypi, por direkt e në tavolinë aty ku ishte dje mbledhja në fjalë. Nëse Mark C. Crawford do të shkonte dje në takim dhe ti thoshte problemet e shqetsimet në sy ai do të fitonte pikë. Fakti që nuk shkoi tregon që ose kishte frikë ose indiferencë për ligjet shqiptare. Por ligjet janë mbi këdo, edhe mbi amerikanin Mark C. Crawford, edhe mbi çdo biznes tjetër të huaj që operon në Shqipëri.
Në të vertetë ka biznese të huaja ( nuk e dijmë për rastin në fjalë) që nuk paguajnë apo fshihen nën emrin të “huaj” dhe mbushin thasët me euro e ikin, duke mos paguar. E shikojnë Shqipërinë si një “Afrikë”, por Rama nëse arrin të jetë i drejtë dhe i barazlarguar nga të gjithë në zbatimin e ligjit ka bërë një akt të mirë për vendin.
Ndonëse taksat e tarifat kanë vend për diskutime. Dhe duhen riparë. Por kjo nuk do të thotë të mos zbatosh ligjin që është në fuqi. Një ligj sado i keq të jetë duhet zbatuar. Beteja mbetet që të marrësh vota e ta rrëzosh qeverinë ,nëse njërëzit janë të pakënaqur me politikën e taksave të qeverisë.
Rrugë tjetër nuk ka ! As në Amerikë.

Filed Under: Komente, Opinion Tagged With: edi Rames, i pergjigjet, Mark Crawford

Ne pritje te Kryeministrit Edvin Rama

September 9, 2013 by dgreca

  Shkruan:  Sami Repishti */

Ridgefield,CT.SHBA.-/

I nderuemi Z. Kryeminister:/

Mjetet shqiptare te informimit njoftojne marrjen per se shpejti  ne dorezim nga ju,   te detyres se kryeministrit te Republikes se Shqiperise. Urime per nji fillim te mire e pune te mbar gjate ketij mandati kater vjeçar.

Detyra e re ju ashte besue nga vota e “sovranit” dhe verdikti i tij ne  zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ky verdikt u pranue edhe nga pala “humbese”. Pranimi eliminoi konfuzionin e mundshem dhe lehtesoi ardhjen tuej ne postin e kryeministrit , si dhe te Aleances per Shqiperine Europiane, qe ju drejtoni, ne rolin e partise ne pushtet, me te gjitha prerogativat qe njihen me ligje, dhe pergjegjesine qe imponon detyra e re. Per ma teper, fitorja e bindshme elektorale ju jep mundesine per vendime te randesishme, dhe reforma thelbesore qe siguron shumica pothuejse absolute e Kuvendit te posaformuem.  Votueset ushqejne shpresen se mirebesimi i investuem ne ju do te jape frytet e deshirueme , dhe qe “fitorja e shumices” te mos degjeneroje ne “tirani te shumices”.

Votimet e cilesueme si “me te mirat” ne Shqiperi keto 23 vitet e fundit , nuk kane qene perfekte, ashtu siç nuk jemi edhe na perfekt. Ne fakt, ka aspekte shqetesuese ne kete mes qe kane krijue “dyshime” tek qytetaret shqiptare, …. pa harrue se gjysma e popullsise nuk votoi fare!

Fakti se ASHE ashte nji konglomerat prej ma shume se 36 partishe politike nuk frymezon besim ne kohezionin politik dhe koherence ne veprimtarine e saj. Ne mesin e tyne, ka te pakten 5 parti liliputiane qe kerkojne ringjalljen e “parrizit komunist” ne vendin tone. Per ju, si veprimtar antikomunist gjate viteve te transformimeve te medha, kjo don te thote perseritje e “…Genjeshtres se Madhe (qe) vriste, mbyste, izolonte, e dermonte, deri ne cepin me te skajshem te mendjes, çdo te vertete te lire te njeriut”! (Citat nga Kurban), don te thote perseritje e kohes kur njeriu perdorej si kafshe pune!  (Motra ime 14 vjeçare, e ndjera Hadie, terhiqte si kafshe karrocen e bukes per police ne kampin Veliqot te Tepelenes….!)

Ky denim pa kompromis i se ‘keqes komuniste’ nga ju ashte ne vije me kerkesat e jueja fillestare “…ne ujdi me kohen, si antikomunist”, i revoltuem nga pamja e atyre qe “…agu i dites i gjente ne rradhet e qumshtit, e vetem mbremja i siellte ne shtepi…pas punes pa orar…”; i revoltuem kunder nji sistemi totalitar qe nuk deshi te dinte “…se si po kalbet shoqeria, as se si po rriten, dhe edukohen me te vegjelit e Shqiperise ne kalbezimin e saj çorodites”. Sot, keto “elemente” jane aleatet e juej!

ASHE qe ju drejtoni arriti nji fitore te papritun edhe per arsye te koalicionit me PSI qe para dy vitesh ishte nji grumullim “…kriminelesh te rangut me te pare, e rrugaçesh te ores me te fundit; me para, me ofiqe e ndere materialisht te prekshme ne rradhe te pare…”. Te udhehequn nga kush? Nga Z. Ilir Meta, “….i cili ktheu partine e tij …ne patericen jetike te pushtetit me te korruptuar ne historine shqiptare; …mjeshtri i lindur qe grumulloi ne rrugetimin e tij…kriminele e rrugaçe”. Ju e njihni  Z. Meta, per “…paqendrueshmerine e tij, paranojen e tij se çdo njeri qe ka prane kerkon t’ia hjedhe (me)…shpuren e pandare te servileve te tij, injorante deri ne dhembje e dallkauke deri ne bezdi, me te cilet eshte rrethuar tradicionalisht…” Sot, kjo “shpure” jane ministrat e qeverise suej! Dhe Z, Ilir Meta, qe nuk len gjak pa marre, u pergjegj:” Rama eshte i kapur nga krimi i organizuar…nje kryebandit me bllok korrupsioni ne dore!” Ju kryminister e ai do te jete ‘Speaker’ i Kuvendit te ri! Çdo mendje normale, çdo ndergjegje e paster,  revoltohet, ne shikimin e pare….!

Por do te ishte gabim adoleshence sikur te dhanat e masiperme te “denojne” a priori qeverine dhe udheheqjen tuej.  Une nuk ia lejoj vetes!

*

Keto kohet e fundit, kam lexue me interesim narrativen tuej introspektive “Kurban”, “…nji rrefim i lire…fund e krye subjektiv”. Menjifjale, me zemer te hapun, nji qendrim qe ju jep “….lumturine e te qenit domethenes ne histori…” dhe deshiren e sinqerte “…per te lene nje gjurme autentike ne kete moment  dramatik”. Me nji “…hyrje te papritur, por i vendosur, pothuejse fanatik: ‘O keshtu ose krejt ndryshe!’” ju jepni pershtypjen e hymjes ne “aventure”(ne kuptimin pozitiv te fjales!) te perçmimit te rrezikut dhe te vdekjes qe, jo se e kerkoni ate, por e deshironi me jetue kete jete sa ma intensivisht. Nji veçori kjo e shume intelektualeve europiane! Ju perqafuet “aksionin” si mjet i domosdoshem me kenaqe nevojen tuej te mbrendshme me “ndryshue” boten rreth jush, per  diçka “krejt ndryshe”.

Sigurisht, ju jeni i ndergjegjshem se “aksioni” vetem per hir te aksionit, ashte nji qendrim qe ne Europen e mbas L1B perfundoi ne “fashizem”. Atehere, ne nji kohe kur “…kryetari i PS i vuri kazmen…themeleve morale dhe etike te debatit politik e shoqeror ne kete vend”, ju vendoset te ngriheni, kambengules me “…lene nje shenj dalluese te kalimit (tuej) ne qytetin ku ju takoi te lindni dhe te jetoni”.  Keshtu, keni shkrue nji faqe ne historine e qytetit te Tiranes…!

Qe ne fillim, per ju ishte e qarte se “…njerezit jo vetem jetojne, por edhe bashkejetojne me njeri tjetrin” nji sentiment fisnik e modern i botes sone. Qe ne fillim u perballuet me realitetin e hidhun, kur “…dita dites (u krijue) ndjesia e pamundesise se vazhdimit te misionit per transformimin e Tiranes jashte Partise Socialiste…”.Atehere, u transformuet ne partiak, “andrra” u venit dhe “realiteti” fitoi!

Ju i dhuruet aftesite tueja, dhe entuziasmin tuej, nji partie politike “…PS qe kishte rene ne nje batak te shpifur, era e te cilit sot e kesaj dite ska ikur plotesisht”, nji partie qe nuk pranoi asnjihere me u shkepute nga PKSH dhe PPSH, aq sa ruejti edhe thesarin e “Genjeshtres se Madhe”, gazeten Zeri i Popullit, nji parti politike qe refuzon te denoje satrapin aziatik qe vuri popullin”…me kurrizin e shtrire per toke, me shqelma ne fyt, e gryken e pushkes pas koke”, siç e pershkrueni ju mjeshterisht.,

nji partie qe kurren e kurres nuk kerkoi falje per krimet monstruzoe qe bani ne vendin tone.

Andrra e juej u zbeh e mbetet sot nji vegim i se kaluemes…! U harruen kriminelet, si ajo bankierka e koperatives qe therriste:”Dua te me jepni edhe mua nje luge gjak te ngrohte nga ky presori” kur u denue nji profesor. U harruen…”te tere shqiptaret e qytetit e fshatit, ish sklleve ne ara, fabrika, kantiere, apo ish te burgosur e te perndjekur ne llagamet e luftes se klasave…“. U harrue ish deputetja e PS qe piu botenisht gjakun e nji oficeri te SHIK-ut i vrame ne Vloren e vitit te mbrapshte 1997…! U harrue edhe i çmenduni Aranit, perbindeshi qe denoj me vdekje ma shume se 400 shqiptare te pafajshem…!

Denimi i fajtorit ka gjithemone diçka tragjike, dhe kjo nuk perjashton kriminelet  komuniste, ….as edhe Aranitin mjeran! Sepse ne fund te fundit, te gjithe jemi qenie njerezore me aftesi te kufizueme. Por, mosdenimi i tyne, dhe braktisja e viktimes se pafajshme ashte nji tragjedi edhe ma e madhe. Ju shkrueni: “Pafajesia duhet te mund krimin çdohere, çdo dite e perfundimisht, por gjithehere me mjete ligjore”. Nji percaktim monumental!  Siç shkruente pak dite ma pare nji nane kosovare per sjelljen e “politikaneve” ne lidhje me krimet serbe ne Kosove, “…ata siellen sikur nuk ka ndodhur as lufta, as vrasje, as djegje, as plaçkitje, as dhunime, as gje prej gjeje.…!” Ashtu si ne Shqiperi! Kjo sjellje ashte vrasja e dyte e viktimes! Si viktime e diktatures, une ju lutem: mos e lejoni! Respektoni historine!

                                                                    *

     Z. Kryeminister: PS ashte sot anetare e Nderkombetares Socialiste, kryesisht europiane, dhe kjo ashte nji fitore per ju. Ju konsultoheni me laboristin Tony Blair, emen i respektuem nga te gjithe shqiptaret. dhe kjo ju ndihmon me forcue bindjen tuej se komunizmi, qe disa “aleate” tuej e deshirojne perseri, ka qene thjeshte nji kombinacion fatal i nji totalitarizmi patologjik, monopolistik, dhe tejskajshem brutal, qe shfrytezoi kulturen. ligjin, politiken, dhe psikologjine e masave te pa arsimueme me mbeshtete shtypjen ekstreme dhe padrejtesine gjitheperfshirese.

Pengesat qe do te perballoni jane te medha, “shpura” e te perjashtuareve qe akoma  pretendojne do te ju luftoje, atmosfera rreth jush ashte helmuese, dhe puna qe ju pret ashte e rande. E kaluemja e juej ju ven ne pozite te veshtire. Profili i juej tregon se keni lundrue ne mes dy rrymesh antagoniste qe ju quejne “i kuq” dhe “jo mjaft i kuq”.  Ndoshta ashte koha per nji dialog kombetar mbi rolin e udheheqsit dhe partizanshmenine e tij ne jeten publike, ne krijimin e nji atmosphere qe sherben shoqenine shqiptare tejet te traumatizueme, dhe  perfundimisht ne nevojen absolute te bashkepunimit me “opoziten” fanatikisht intransigjente, me evitue nji ndamje akoma ma te thelle se ajo qe sot na konsumon!

Sot, PS perballet me nji Kuvend ku afer nji e treta jane miljonere me vule dhe krenare per miljonat e grumulluem, qe shumica kane trashegue nga ish elita komuniste e para viteve ’90, ose te afermit me mbizotenuesit e poleve te pushtetit (siç shkruente nji ambasador amerikan) dhe sot, si deputete, gezojne imunitet simbas ligjit. Nji seri skandalesh mbrenda elites krijon friken e pasigurise ne psikologjine tone kolektive. PS ashte sot nji organizate politike e “privatizueme”!

Kontrasti ne mes te vorfenve –ma te vorfenit ne Europe!- dhe multi-milionereve numri i te cileve rritet çdo dite pa pengese nga ligji, ka hape edhe ma shume hendekun e dallimeve ekonomike, dhe si rrjedhim ka krijue nji mase te gjane qytetaresh qe, bashke me mungesen e bukes se sotme po humbe edhe shpresat per te nesermen. Shoqenia shqiptare, sot e smure, rrezikon te jete e pasherueshme neser: ne vorfeni te pashprese, “sans-culotte”, ajo ashte material eksploziv per shperthim te pakontrollueshem!

Duhet shkaterrue oligarkia kleptokratike, dhe sa ma shpejt aq ma mire!

Kudo, mbrenda dhe jashte vendit ndigjohen thirrjet per reforma, shtet ligjor, lufte kunder krimit te organizuem e korrupsionit endemik te administrates shtetnore. Kudo deshirohet nji evolucion demokratik i Shtetit dhe shoqenise shqiptare, dhe nji ngritje e shoqenise civile demokratike ne Shqiperi. Si socialist europian, shpetoni vizionin tuej per nji Shqiperi ma te mire, ma njerezore. Kujtoni Naimin: ”Faltore kemi njerine!”. Njeriu ne qender te vemendjes sone, njeriu i lire shqiptar me dinjitet! Pa dallim, pa perjashtim! Shqiptaret qe tremben nga frika e gjendjes fluide ne vend, ata qe vuejne nga papunesia dhe vorfenia e paevitueshme, e kerkojne kete me kambengulje. Mos i shgenjeni ata dhe ato! Ofroni “doren” e shtetit qe ndihmon, jo “grushtin” e shtetareve  qe grumullojne pasuni prrallore e te paligjeshme!

Dekada me rradhe, mosbarazia e te ardhunave per banoret e vendit dhe konteksti i krizes ekonomike europiane, qe randon nga deficiti i frikeshem dhe keq administrimi i tij, kane çthure pelhuren sociale te vendit, dhe kane dobesue besimin e popullsise ne nji te ardhme ma te mire. Tatepjeta vazhdon; por ajo nuk duhet te jete e ardhmja e atdheut tone. Sot, paga minimale e shqiptarit ashte 12 here ma e vogel se ajo europiane, ndersa 581.000 pensioniste te rregjistruem jetojne te uritun nga nji dite ne tjetren…! Na duhet sherbimi me ndergjegje! Arroganca e pushtetit dhe modelet autoritare sigurojne vetem disfata…edhe ne Shqiperine tone. Korrupsioni endemik dhe krimi i organizuem triumfojne aty ku ata perceptohen si “Shteti vete” e “percepsioni” ashte,  shpesh here, ma efektiv se “e verteta”.

*

Z.Kryeminister: dalja ne skene e elementit te ri, te edukuem ne Perendim, megjithese pa eksperience te mjaftueshme pune, perfshirja ne Qeveri e “verioreve” deri tani te paperfillun, theksi ne promovimin e grues shqiptare ne jeten publike, kujdesi per imazhin  e “Qeverise se re” mbrenda dhe jashte vendit,(masakra e 2 prillit 1991,viti i mbrapshte 1997, Gerdeci, vrasjet e e 21 Janarit, veteflijimi i ish te persekutuemeve…) theksi ne formacionin “skuader” dhe veprimtaria qeveritare si “skuader”, pa elemente “te pazevendsueshem” dhe pa “kaposhe” partishe nominale pergjithesisht pa peshe ne opinion publik, shqetesimi veçanerisht per dikasteret e shendetsise, arsimit dhe ushtrimit te drejtesise, theksi ne “profesionalizem” e jo ne “besnikeri” ndaj shefit, si dhe transparenca e premtueme, jane inkurajuese. Ka “profesioniste” Shqiperia. Kerkojini dhe do t’i gjeni. Mbrenda, dhe jashte shtetit!

Zhvillimet ne kete drejtim zakonisht gjenerojne aktivizimin e popullsise qe perkrahe ngjalljen e shpreses. Qytetaret e lire e te ndergjegjshem nuk presin “mrekulli nga qielli”. Ata duhet te bajne ate qe ban çdo qytetar i lire ne Boten e Lire, respekt per ligjin dhe shtetin ligjor, perkrahje çdo nisme qeveritare qe nderton dhe kundershtim atyne qe damtojne, perçajne ose shkaterrojne. Kjo don te thote angazhim ne jeten publike, paraqitje ideshe te reja, ndertim strukturash civile dhe zhvillim programesh qe vete qytetaret perpunojne. Fusha e punes per te gjithe duhet te mbetet e hapun per te gjithe. Shqiperia ashte atdheu i te gjitheve! Qeverite shkojne e vijne; ndertoni administraten e qendrueshme!

Sot, te flasesh per nji “popull te djathte” dhe nji “popull te majte” ashte nji perpjekje koshiente me forcue ndamjet qe ekzistojne, dhe duhen braktise. Ka vetem nji popull : populli shqiptar me ideologji konkurruese!  Une ushqej shpresen –tue imitue Rev.M.L.King, Jr.- se nji dite shqiptaret nuk do te gjykohen nga ngjyra e tyne politike por nga profesionalizmi dhe fortesia e karakterit tyne.

Shqiperia sot nuk ka anmiq qe e kercenojne; NATO na mbron, persa kohe qe respektojme parimet e kesaj organizate mbrojtje! Shqiperia ka “kundershtare” qe mendojne ndryshe, nji e drejte e shenjtenueme ne Kushtetuten e Republikes se Shqiperise, nji e drejte e patjetersueshme. Me akuzue PD-ne konkurruese si “…parti fashiste, zogiste, islamike, serbe, hajdute, bajraktare, nacionaliste, kriminele “ e tjera babezira, me kercenue largimin nga puna te PD-isteve, ashtu si lexohet ne shtypin  shqiptar, jane çfaqje te nji urrejtje primitive,  kancer qe shkaterron te gjithe ata qe e ushqejne; nuk ndihmon mirekuptimin, frymen e bashkepunimit e respektin reciprok, cilesi thelbesore per nji shoqeni civile, dhe nuk len vend per nji dialog kuptimplote, sidomos ne keto dite kur ky dialog ashte i nji randesie jetesore.

Sot, vendi i jone ka nevoje per nji sinkronizim te mesazheve ne mes te dy paleve, mobilizimin e forcave shtetnore e private per punesim te plote ne rradhe te pare! Sot, populli shqiptar ashte ndergjegjsue per “lirine” e fitueme, e refuzon trajtimin si nji kope bagetishe qe kullote ne fusha, ose automat fabrike nen kamxhikun e policit, per nji cope buke, shpesh here e pamjaftueshme me qetesue stomakun e uritun te punetorit e te familjes tij. Koha e rreshtave te gjate per qumsht, dhe grushteve para dritares me hekura te furrave shtetnore ka kalue. Sot, siguria personale, prona private e ligjeshme, punesimi, arsimi, sherbimet shendetsore nuk jane privilegje; ata jane te drejta themelore per nji jete njerezore me dinjitet. Duhet ndertue nji shoqeni shqiptare bashkejetese harmonike dhe vlerash e parimesh  te gjithepranueme!

Nji lum gjaku, nji moçal  shnjerezimi, nji mal  vuejtjesh te pameritueme, e nji fryme e thelle hakmarrje akoma ndane atdheun tone, dhe gozhdon ne vend perparimin e frymen e qytetnueme te shoqenise shqiptare.

Duhet shtri dora e pajtimit, duhet kultivue fryma e pendimit per fajin dhe falja e fajit, duhet perqafue bashkepunimi per te miren e perbashket. E kunderta do te sjelle mallkimin e nji popullsie te pafajshme per ju, ….dhe per te gjithe ata qe sot heshtin!

Z. Kryeminister: mos harroni keshillat e gjyshes suej te mençur, ne Shkodren time te qytetnueme, qe i lutej Zotit çdo mbramje ne mshehtesi te imponueme nga frika qeveritare, si te krishtenet e katakombeve romake te Neronit:

” Ji gjithehere vetvetia, edhe sikur te gabojsh, edhe sikur te tjereve mos t’u pelqejne gjerat dhe fjalet tuaja!”

Ji besnik ndaj vetes! Te vjetrit tone, kete cilesi e quejshin “burreni”: kurajo civile e karakter, forca tradicionale e fisit tone arbenor…!

(Shkrimi u dergua nga autori per Diellin) 

———————————————————–

Ph.D. City University of New York(ret.)

ish i burgosun politik (1946-56)

(Shenim: Citatet jane nga libri Kurban)

==================================================================

 

Filed Under: Komente Tagged With: edi Rames, i shkruan, Sami repishti

ATË NIKOLLE MARKU I SHKRUAN EDI RAMES:JO BEKIM NGA JANULLATOSI!*

July 21, 2013 by dgreca

Kur e shpallët “Qytetar Nderi” për Kryqytetin, ju bëtë një gabim të pafalshëm, tani që do të bëheni kryeminsitër i vendit, keni rastin të korrigjoni veten!/

 Zgjedhjet parlamentare mbaruan. Ne do t’ju kemi juve Kryeminister te Shqiperise ne muajin Shtator, zoti Edi Rama. Ju uroj mbaresi dhe paqe ne punen tuaj, qe do te filloje se shpejti.Fushata juaj e fundit ne Shkoder,  duke permendur shume nga njerezit historike te rilindjes, me lindi nje deshire per t’ju shkruar ne shtyp. Besoj se cdo kush ne kete komb qe quhet kombi Shqiptar, do te bindej per papajtushmerine e kontributit te rilindasve ne dobi te kombit Shqiptar, krahasuar me misionin anti shqiptar te Anastas Janullatos.

Deshiren tuaj per t’i dhene titullin “qytetar nderi” i Kryeqytetit kur ishit kryebashkiak, po e anashkalojme si nje mungese informacioni ose si nje gabim politik, qe fare mire mund ta korigjoni ne te ardhmen. Qendrimet tuaja per disa ceshtje teper delikate, si ujrat detare etj, te lene te kuptosh se, ju po beheni koherent me ate cka ndodh nen rrogoz ne dem te Shqiperise. Une besoj se ju, nuk do te perserisni gabimin historik ndaj Janollatosit, duke i afruar nje agjenti te asfalise Greke dhe nazisteve Greke, respekt si Kryeminister i Shqiperise.

E ndjej si detyre ndaj kauzes te Ortodoksise Pavarur, por dhe si njeri i thjeshte, te mbroj kombin Shqiptar nga cdo sulm apo deshire, per te zhdukur dhe tjetersuar historine e vertet. Pikerishte, per kete arsye madhore, po ju kujtoj dhe njehere se cfar demi po ndodh ndaj kombit Shqiptar nga Anastas Janullatos, ky gozhde Nastradini, me nje mision kunder jugut te Shqiperise dhe ne teresi ndaj kombit Shqiptar.

Zoti Rama. Ju e dini shume mire se Shqiperia nuk ka vetem rilindas nder shekuj por, ka dhe martire qe per ceshtje jetike te atdheut dhe kombit jane sakrifikuar me jeten e tyre, kisha ortodokse Shqiptare ka nje statistike te gjate martiresh. Si mund te lutem perpara altarit te kishes per  Kristo Negovanin, Dhaskal Todhrin, Petro Luarasin, Fan Nolin, Visarjon Xhuvanin etj, kur ne krye te kishes ortodokse Shqiptare qendron Anastas Janullatos, nipi i atyre qe gatuan helm dhe gjak kunder martireve ortodokse Shqiptare, martire qe endrra e tyre ishte, qe kisha te ishte e pavarur dhe te meshohej Shqip.

Ne fjalen tuaj ne Shkoder, Ju permendet priftin legjendar dom Simon Jubanin. Dikur ne fillimet e demokracise, ju keni patur mardhenie politike te nje niveli shume pozitiv me priftin Simon Jubani. Le t’i bejme nje pyetje vetes sone. Po te ishte gjalle dom Simon Jubani, cfare qendrimi do te mbante ndaj Janullatosit? Shume te burgosur politike qe kane jetuar me te ne burg, kane nje konsiderate te larte per te se  ky prift i pamposhtur ishte nje atdhetar i pakompromis.

Zoti Rama. Besoj se, kur behet fjale per varreza te ushtrise Greke (varreze memorial), nuk eshte problemi per te respektuar djem nenash qe kane humbur jeten per atdheun e tyre, por per interpretime te deshmoreve ne Vorio-epir. Nje politike e mirfillte me eshtra njerezish, nuk njihet ne historine e njerzimit, pervec  Janullatosit qe frymzon dhe mbeshtet plane fantazmash.  Ishte pikerisht Janullatos qe nuk organizoi asgje per  njeqind vjetorin e pavarsise sepse per te nuk ka Shqiperi te pavarur, por ka vetem Vorio-epir dhe Serbi. Besoj se ju e kuptoni se cfar kuptimi ka, kur kreu i kishes ortodokse Shqiptare meshon greqisht dhe aq me teper, ne institucione nderkombetare flet greqisht, nenkuptimi eshte i qarte.

Financimi dhe ndima qe jep per ndertim kishash, nje dite do ti paguajme shtrenjte sepse asgje ne kete bote nuk behet per hir te njeriut. Janullatos ka treguar se, pas financimeve vjen gjuha Greke me imponim, ndryshimi i emrit, ndryshimi i kombesise, percaktimi i teritorit aty ku nuk ka greke etnik, sic nuk jane etnik dhe greket ne disa fshatra te Shqiperise.

Zoti Rama. Anastas Janullatos asnjehere nuk ka ndihmuar kur ka ndodhur spastrime te refugjateve shqiptare nga Greqia. Ai kurre nuk bisedoi me kishen serbe,  qe ajo te heqe dore nga spastrimet etnike dhe konfliktet artificiale qe mbjell ne Mitrovice e gjetke. Ju kerkua nje meshe per viktimat e genocidit grek ndaj Shqiptareve etnike te Camerise, por Janullatos nuk e mbajti. Per cfar eshte ky njeri ne Shqiperi?  Per  te na ndihmuar? Veprimtaria e tije eshte tregues i qarte i misionit Vorio-epir.  Sigurisht qe e mbeshtet organizata agjenture  Omonia dhe politikani me “kulture” dhe i “edukuar” me thike pas shpine Vangjel Dule.

Zoti Rama. Jam koshient per pergjegjesine tuaj ndaj ketyre emrave, si dhe per ekuilibrat qe ti dikton koha, ekuilibra qe kerkojne  ti ruash dhe ti mbash per nje Ballkan ne paqe dhe harmoni. Anastas Janullatos ka pas vetes shtetin Grek, kaq te perkedhelur nga Anglo-sanksonet. Nje mushkonje ta piskoje ne Shqiperi Janullatosin dhe shteti Grek e kthen ne predhe kunder lirise e brockullave hipokrite, qe perdorin kunder vendit tone.

Zoti  Rama. Kur ju te votoheni ne parlamentin Shqiptar si Kryeminister i Shqiperise, injorojeni prezencen e Janullatosit si klerik i fese. Janullatos vetem njollos veprimtarite e shtetit dhe institucioneve shqiptare me prezencen e tije. Aty ku ndodhet ai, eshte prezente asfalia Greke dhe kriminelet e Vorio-epirit.

Mos pranoni bekim nga Anastas Janullatos, sepse do te njollosni amanetin e heronjve te kombit Shqiptar, por dhe do ti vini qeverise tuaj te ardhshme, nje dyshim negativ per orientimin e saje qeverises. Thjeshte zoti Rama, injorojeni Janullatosin si njeri qe misionit te tije anti shqiptar dhe aspak fetar, i ka dale boja perfundimisht.

Besoj se filozofia e juaj bazuar ne rilindas eshte nje trup i tere dhe jo nje fragment i shkeputur nga e vertete.

Po, ne jemi per fqinjesi te shkelqyer me popullin Grek, por pa mbeturina te shovinizmit te cmendur Vorio-epir dhe Janullatos

KISHA ORTODOKSE PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE SHEN MARIA ELBASAN

ATE NIKOLLA MARKU(Shkrimi u dergua tek Dielli prej Kishes Orthodokse Shen Maria-Elbasan)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ate Nikolle Marku, edi Rames, i shkruan

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT