• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Eduard Grishaj “vjen” sërish mes nesh, promovohen dramat e tij “Muri” dhe “Nënshtetasi” lënë në dorëshkrim

October 16, 2022 by s p

Eduard Grishaj është rikthyer serish mes nesh me një tjetër libër. Këtë herë, nga dorëshkrimet e shumta të lëna, bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij më e afërt Mirela, ka zgjedhur dy drama për t’ ia servirur miqve dhe publikut.

Në mjediset e Bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës, në prani të autoriteteve letrare dhe intelektuale të qyytetit, në mungesë të autoriteteve vendore dhe politike, u promovuan dy drama, “Muri” dhe “Nënshtetasi”.

Për vlerat që përcjellin librat e radhës të Edit, kanë folur Maxhid Cungu, Arben Prendi, Gjovalin Çuni, Zija Vukaj, Ermira Ymeri, Pjerin Mirdita por edhe të tjerë të pranishëm e miq të Edit e familjes Grishaj, si Fatmir Juka, Engjell Çekaj dhe Berhan Kurtaj.

Në fund, tepër e emocionuar, ka folur edhe Mirela Hoxhaj Grishaj, bashkëshortja e Edit. Ajo ka falenderuar për respektin ndaj bashkëshortit të shtrenjtë, ka falenderuar ata që e ndihmuan në nxjerrjen në dritë të botimeve të radhës.

Eduard Grishaj, një intelektual i mirëfilltë, një antikonformist i spikatur, studiues, hulumtues e autodidakt poliglot, modest dhe me sens të rrallë humori, u nda nga jeta shumë para kohe në një aksident tragjik.

Ai ka lënë shumë gjëra në dorëshkrim, teska Mirela, familja, miqtë e të njohurit po bëjnë një punë shumë të mirë për ti nxjerrë në dritën e lexuesve. Këto dy drame, që shpresojmë të shohin edhe dritën e skenës, pasojnë librin “Gjakmarrja në prozën shqiptare”, promovuar në mars të këtij viti.

Eduard Grishaj ka fatin që të mos i mungojë miqve dhe shokëve, pavarësisht boshllëkut fizik që ka lënë për ta e sidomos familjes e të afërmëve. Edi jeton e do të jetojë përmes librave, botimeve, publicistikës që shpresojmë e urojmë të dalin plotësisht në dritë. Falë bashkëshortes Mirela, familjes por edhe miqve, shokëve e të njohurve. /ShkodraWeb/

Filed Under: Opinion Tagged With: Eduard Grishaj

VATRA NË SHQIPËRI,VIZITA NIS NGA SHKODRA

April 19, 2021 by dgreca

Homazhe tek varri i Eduard Grishaj, vëllait të nënkryetarit të Vatrës Alfons Grishaj-

Një delegacion i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” i kryesuar nga Kryetari z. Elmi Berisha, ka udhëtuarnë fundjavë drejt Shqipërisë në mbështetje të proceseve demokratike në Javën e Provës së Madhe për konsolidimin e Demokracisë së brishtë shqiptare, që për tre dekada zvarritet në tranzicionin e tejzgjatur, si në asnjë vend tjetër të ish Lindjes komuniste.

       Vizita filloi nga qyteti i Shkodrës, ku delegacioni i Vatrës shkoi fillimisht në varrezat e qytetit, ku prehet Eduard Grishaj, vëllai i nënkryetarit të Vatrës, Z. Alfons Grisha.Studiuesi i njohur, Eduard Grishaj,mik i Vatrës,humbi jetën në një aksident të rëndë mbrëmjen e së Mërkurës, 17 Mars 2021. Në emër të Vatrës u vendos një kurorë me lule.

      Në përbërje të delegacionit të Vatrës bëjnë pjesë: nënkryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” Dr. Pashko Camaj, Anton Raja-anëtar i kryesisë së Vatrës, Mondi Rakaj-anëtar i kryesisë dhe kryetar i degës në Michigan, anëtari i këshillit të përgjithshëm të Vatrës, Kolonel Dritan Demiraj. Me delegacionin e Vatrës ishte në Shkodër dhe drejtori ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve të Diaspores Shqiptare Dr. Naim Dedushaj.

Nesër, e Martë 20 Prill me delegacionin e Vatrës bashkohet edhe sekretarja Nazo Veliu.I planifikuar për këtë vizitë ishte dhe kryeredaktori i Diellit, Dalip Greca, por për arsye vetiake, ai u tërhoq.  I urojmë sukses delegacionit të Vatrës, që i rikthehet një praktike shumëvjecare.

 Shprehim keqardhjen që Diaspora u shmang nga zgjedhjet e 25 Prillit, por asaj askush nuk mund t’ia mohojë  kontributin Kombëtar. (Dielli)…

Filed Under: Featured Tagged With: Eduard Grishaj, Vatra ne Shkoder

ELEGJI PËR VËLLA EDUARDIN DHE FALENDERIM PËR MIQTË

March 19, 2021 by dgreca

Eduard Grishaj, duke mbajte kumtesen ne Simpoziumin Shkencor ne Michigan kushtuar heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.

Falenderim nga Familja Grishaj/

Pas humbjes së parakohshme  të dashurit tonë , Eduard Grishaj , falenderojmë nga zemra çdo mik e mike që gjatë këtyrë momenteve të vështira të familjes, na u gjendën  pranë me ngushëllime online, telefonata , shkrime dhe opinione për Eduardin. 

Falenderojmë gjithashtu me zemër të gjithë ato miq e shokë që sot e përcollën  trupin e Eduardit për në banesën e korpëve. 

Faleminderit Shkodërloce për përcjelljen dinjitoze që i rezervove birit tonë , djalit tënd !

Për Eduardin ,“Pishtar i Demokracisë”, Poliglot , Erudit , Studiues cilësor i shkencave të historisë dhe letërsisë , u takon specialistëve dhe miqve që në të ardhmen t’a gjykojnë  punën e tij krijuese. 

Me respekt e falenderime për kujdesin e gjithësecilit që  mori pjesë në dhimbjen tonë.

Familja Grishaj

***

Alfons Grishaj

Elegji për Eduard Grishaj

Të falem o Perëndi,

Për çdo vendim që merr!

As urrejte e qesëndi

Dhe në më çofsh në ferr.

Më dhe jetë kur s’kishte…

Më dhe shpresë kur s’kisha,

Kur djalli kuq bitiste

Atdhe, Xhami e Kisha .

Por, kjo qe një tjetër ditë,

Një provë Abrahamike,

Një shuarje  papritë…

Bash si  gjëmë biblike.

Unë mbes , Abdiel i Jot.

Çdo provë që më ke dhënë

Të qofsha falë o Zot !

Do e kaloj këtë gjëmë.

Po!  Të gjithë do “vdesim”,

Por  vdekja s’ do na marrë,

Veç trupin do e  tresim

Nën dhe, n’ errësirën varr.

Atje  shkoi trupi jot…

Vëlla , o shok i mirë,

Prej nga na krijoi Zot

Borxh tek dheu  i lirë.

Se, shpirti shtegëtar

Fluturon plotë jetë,

Tek lë trupin  mëkatar

Të  tretet i qetë.

Në parajsë nuk ka orë…

Si n’ ekpseriment’n tokë!

Do  mblidhemi t’ përkorë

Të dashur , miq e shokë.

Sërish do qeshim paskaj

Papeshën e egërsis’  alem,

Dhimbjeve që sjellin vaj…

So long ! Vëllau  i jem .

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Eduard Grishaj, Elegji per vellain, falenderim

VATRA NGUSHËLLON NËNKRYETARIN E SAJ Z. ALFONS GRISHAJ PËR HUMBJEN E VËLLAIT, EDUARDIT

March 17, 2021 by dgreca

Vatra mësoi me dhimbje lajmin tragjik të humbjes së jetës në një aksident tragjik të studiuesit Eduard Grishaj, vëllai i nënkryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”, z. Alfons Grishaj. Federata VATRA dhe gazeta e saj DIELLI shpirtërisht ndodhen pranë Alfonsit, duke i shprehur atij dhe familjes Grishaj ngushëllimet më të thella.

Foto:Kortezi Top Channel qe percolli i pari lajman tragic.

      Siç njoftoi media, aksidenti tragjik ku humbi jetën Eduardi ndodhi mbrëmjen e së Mërkurës, 17 Mars 2021, në aksin Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur”Kryqëzimi i Dajçit”. Një kamion që udhëtonte drejt Lezhës, në të njejtin drejtim me Benzin e Eduardit, ka tentuar të kalojë në anën e djathtë të rrugës, por ka ndodhur përplasja fatale që i mori jetën Eduartit,studiues i njohur dhe përgjegjës i Fondit PIPA në Bibliotekën e Muzeut Historik-Shkodër.

 Komuniteti shqiptar ka pasur rast ta përcjellë studuesin Eduard Grishaj gjatë Simpoziumi Shkencor “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, që u organizua me 2018 në Michigan me rastin e Vitit të heroit Kombëtar, ku ai paraqiti kumtesën e tij.

 Tragjedia erdhi pasi Eduardi i kishte mbijetuar një dyluftimi të vështirë me Covid-19.

       Kryetari i Vatres z. Elmi Berisha, Presidenti i Nderit z. Agim Rexhaj,Redaksia e Gazetes Dielli, dega e Vtares ne Michigan, i përcjellin ngushëllimet më të thella Familjes Grishaj në SHBA dhe Shqipëri.

Kryesia e Vatrës, Këshilli i saj, degët dhe të gjithë vatranët ngushëllojnë nënkryetarin e Vatrës z. Alfons Grishaj me familje e miqtë.

Pushoftë në Paqe shpirti i Eduard Grishaj!

Filed Under: Opinion Tagged With: Eduard Grishaj, nderroi jete

Mjerisht, historia jonë zyrtare ka qenë e shkruar keq

December 23, 2014 by dgreca

Nga Eduard Grishaj*/
Ndjehem i privilegjuar, që ndodhem sonte në mes jush, në këtë kremtim përkujtimor të 102 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, prandaj, më lejoni ju lutem, të shpreh falenderimet e mia më të sinqerta për Komunitetin e Kishës së Shën Palit,dhe posaçërisht për administratorin e saj, të nderuarin Don Fran Kola, për ftesën që më dha mundësinë të shoh kaq të gjallë identitetin tonë kombëtar këtu në Sh.B.A.
Kisha menduar që ligjëratës sime t’i jepja një qasje vetëm akademike, por gjatë ditëve të qendrimit tim këtu, kuptova se duhej ta modifikoja pak fjalën, në funksion të një qendrimi të drejtë. Ndjeva që,përkundër disa zërave kinse unitaristë, të përligj të drejtën e Komunitetit të Shën Palit, për ta kremtuar përkujtimoren në nderim të shpalljes së pavarësisë.
Së pari, sepse traditën e përkujtimit të shpalljes së Pavarësisë e kanë inicuar etërit françeskanë të Shkodrës, të cilët, nëpërmjet pendës mjeshtërore të At Gjergj Fishtës , i hynë punës për dokumentimin e saj në faqet e Hyllit të Dritës, që në numrin e parë, për të mos ua lënë “ekskluzivin” në dorë fallsifikatorëve, të cilët, kanë predispozitën të shtrembërojnë faktet e të përmbysin vlerat.
Ne e dimë që shtrembërimi i historisë u intereson atyre që kërkojnë pushtet të pamerituar, sepse, asnjë politikan nuk mund të bëhet i pushtetshëm, pa pasur një kontribut që ia njeh dhe ia vlerëson historia. Mjerisht,historia jonë zyrtare ka qenë e shkruar keq, dhe ne si popull, i kemi ende të freskëta pasojat e shtrembërimit të saj, ndaj dhe gjendemi ende në përpjekje për ta rishkruar atë.
Edhe diçka tjetër: Kurrë më parë nuk është çmuar roli i prelatëve katolikë në Pavarësinë e Shqipërisë. Rëndom është pohuar një kontribut i përgjithshëm në veprimtarinë patriotike të klerit, por nuk janë përmendur, edhe pse diheshin aktet e Imzot Jakë Serreqit, Imzot Preng Bardhit dhe Imzot Lazër Mjedës. E pra, me veprimtarinë e Imzot Mjedës lidhet pika e kthesës në politikën austro-hungareze në raport me të ardhmen e popullit shqiptar.Vërtet që ka qenë Ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Konti Berthold ai që ka artikuluar i pari të drejtën e Shqipërisë për Pavarësi, por vendimi është marrë në këshillin e shtetit, dhe atje Arqipeshkëvit të Vienës, Kardinal Franz Nagl, mik personal i Imzot Mjedës, i është dashur të debatojë intensivisht me këshilltarët filosllavë.
Sot është e nevojshme që të theksohet, se një nga shkaqet, që persekucioni mbi klerin katolik ka qenë aq çnjerëzor dhe aq djallëzor nga diktatura, ka të bëjë dhe me faktin,se askush nuk e ka njohur historinë më mirë se klerikët tanë, kështuqë bashkë me ta duhej të vritej edhe historia. (Në ilustrim të kësaj teze, duhet të evokojmë edhe një fakt tjetër të pakundërshtueshëm:) Nuk është e rastit, që në të gjitha botimet përkujtimore jubilare, përfshi sigurisht edhe ato akademike me rastin e 50 apo 100 vjetorit të pavarësisë, ende sot e kësaj dite, botimi i vetëm i mirë, i plotë dhe i saktë nga çdo pikëpamje historiografike mbetet ai i vitit 1937, realizuar me rigorozitet të padiskutueshëm shkencor nga etërit jezuitë, në faqet e revistës së tyre prestigjoze, LEKA , me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Së fundi, kur e sheh këtë qendër, e cila, i ka të gjitha dimensionet përbashkuese shqiptare, patriotike, kulturore, arsimore dhe shpirtërore, si mund të thuhet atëherë se nuk është mirë që Komuniteti i Shën Palit këtu në Michigan të organizojë një kremtim përkujtimor në nderim të Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit, apo dhe të aludohet se kjo shkakton përçarje?
Zëra të tillë do të doja t’i konsideroja lajthitje dhe jo dashakeqësi.

Pavarësia, kushtet historike, lëvizja patriotike.

Vellezer e motra!
Pavarësia në jetën e një populli nuk vjen vetvetiu. Ajo është shprehja më e lartë e pjekurisë së tij dhe që të realizohet, më parë, duhen kapërcyer një varg i pafund etapash e procesesh historike, të cilat, shërbejnë për të kristalizuar një vetdije kolektive, që ushqen pandërprerë shpirtin veprues me frymën e lirisë. Nga vepra e Barletit , dimë që shpirti veprues arbëror, nën drejtimin e Kastriotit, por edhe një dekadë pas vdekjes së tij, me frymën e lirisë që ushqehej nga një vetdije e lartë identitare,ia doli të zmbrapste, si askush tjetër në Europën Juglindore, hordhitë osmane për më shumë se 36 vjet, përfshi edhe ato të komanduara nga vetë pushtuesi i Konstandinopojës, Sulltan Mehmeti II. Jehona e qëndresës antiosmane në shekullin XV, vazhdonte të frymëzonte në shekujt e mëpasëm shpirtin kryengritës të shqiptarëve. Dy shekuj më vonë, në emër të shpirtit identitar shqiptar, Bogdani do të profetizonte: “se do të vijë dita, kur ndonjëri nga udhëheqësit muslimanë shqiptarë do të ngrihet për lirinë e vendit,ashtu sikur Skënderbeu kundër Sulltan Muratit” .Dhe ne mund ta themi, se kjo profeci u vërtetua nga një sërë udhëheqësish, të paktën që nga Kara Mahmud Pashë Bushatlliu e deri tek Ismail Qemali.
Pragu i pavarësisë shënon për historinë shqiptare kulmin e rrezatimit të identitetit kulturor e historik të nacionit tonë. Elementet përbashkuese kombëtare si gjuha, historia, këngët, mitet, kultet, doket, veshjet, kullat, armët, të gjitha vlerat e kulturës shpirtërore e materiale të shqiptarëve, ia kishin dalë të prapësonin politikën asimiluese osmane përgjatë pesë shekujve pushtim. Akti i Kongresit të Manastirit që çoi në njësimin e alfabetit të shqipes me gërma latine u bë preludi i të gjitha ngjarjeve të mëpasme.Ky akt shoqërohej nga një tjetër arritje e kulturës tonë identitare. Njësimi i alfabetit nxiti përpjekjet e patriotëve për të shtuar valën e përhapjes së arsimit kombëtar në mbarë trevat e vendit. Letërsia Shqipe, deri më atëherë një letërsi qarqesh, u shndërrua tërësisht në një letërsi me motive dhe tematikë kombëtare, dhe falë Luigj Gurakuqit , poeti i parë të letërsisë shqipe të kultivuar, bardi e poezisë arbëreshe, Jeronim de Rada, deri më atëherë, i njohur dhe i adhuruar vetëm nga arbëreshët e Italisë, zu të lexohej në mbarë hapësirën shqiptare, përkrah Naimit, Fishtës, Çajupit etj., etj. Letërsia e Rilindjes u bë gjeneratorja e ideologjisë kombëtare. Ajo i ushqeu patriotët e rinj me atdhedashuri, duke injektuar në gjakun e tyre kryemitet shqiptare, atë të lashtësisë, të autoktonisë, të qendresës heroike dhe të vijimësisë së pandërprerë në trojet etnike.
Në këtë kontekst, arritje madhore e kulturës sonë në ato vite është shtypi patriotik. Janë mbi tetëdhjetë gazeta dhe revista në gjuhën shqipe,të botuara më së shumti në diasporë, dhe pas 1908, edhe brenda territorit. Roli i shtypit në ato vite është i jashtëzakonshëm. Ai i bëri jehonë ngjarjeve që lidheshin me fatet e vendit, pasqyroi në pikëpamje kulturore e historike vlerat e popullit tonë, dhe përpunoi idetë patriotike, të cilat, u bënë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Shtypi solli në sytë e popullit edhe flamurin autentik shqiptar, flamurin e Kastriotit, atë flamur që për herë të parë në trojet shqiptare, u ringrit krenar nga gjaku i martirëve me 6 Prill 1911, në majën e Bratilës në Deçiq.

2. Pengesat

Sigurisht, rruga drejt pavarësisë ka qenë e gjatë dhe me pengesa jashtëzakonisht të vështira. Historiografia jonë nuk është marrë kurrë seriozisht me shkaqet pse Pavarësia e Shqipërisë ndodhi me shumë vonesë në raport me popujt e tjerë të Ballkanit.Më së shumti, faji është hedhur në fuqitë ndërkombëtare, ndërsa shkaqet dhe pengesat e brendshme janë injoruar duke bërë që historia në këtë aspekt të mësohej si mos më keq. E vërteta është ndryshe. Faktorët e brendshëm kanë qenë po aq përcaktues.
Edhe pse pavarësia ishte aspirata kryesore e shumicës së shqiptarëve, ajo mbetej në kuadrin e një dëshire dhe jo të një projekti politik. Projekti i vetëm politik i shpallur që nga Lidhja e Prizrenit dhe që tashmë, s’kishte asnjë farë aktualiteti, ishte autonomia e zgjeruar nën suzerenitetin e Portës së Lartë.Nga ana tjetër, kryengritjet e njëpasnjëshme shqiptare përgjatë periudhës nga 1908 deri në verën e 1912, megjithëse heroike dhe të përgjakshme, krijonin herë-herë në arenën diplomatike, perceptimin e rebelimeve të organizuara në mbështetje të krahëve të caktuar politikë të Stambollit. Xhonturqit nga njëra dhe Sulltanistët nga ana tjetër, u përpoqën t’i tërhiqnin pas vetes shqiptarët, të cilëve, edhe pse përvoja historike pesë shekullore u dëshmonte të kundërtën,shpresa se realizimi i projektit të autonomisë, ishte një çështje afatshkurtër, veçmas kur ndonjë lëshim i bërë aty-këtu nga Qeveria e Stambollit, paradoksalisht u ushqente përshtypjen se me turqit mund të merreshin vesh ende.
Pengesë tjetër serioze për projektin e pavarësisë së Shqipërisë mbetej sulltanizmi, për shkak se sulltani, për disa shqiptarë të besimit synit me ndikim të gjerë, sadoqë përfaqësonte një mbretërim të keq, mbetej gjithnjë khalifi, drejtuesi shpirtëror i të gjithë muslimanëve. Historia ka “harruar” të përmendë që myftiu i Tiranës, Musa Qazimi, i cili, kishte rënë dakord për statusin e një autonomie të zgjeruar për Shqipërinë, teksa ushtritë serbe avanconin furishëm në drejtim të Durrësit, hezitonte të nënshkruante deklaratën e Pavarësisë, ndërkohë që vaporri që kishte sjellë nga Triestja Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin etj,priste nga krerët e mbledhur në Durrës,për ta vënë urgjentisht në duart e kontit Berthold, dokumentin që shprehte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, vullnetin e Shqipërisë për të jetuar si shtet më vete, të lirë e të pavarur.
Por pengesa kryesore mbetej mungesa e një projekti politik në përputhje me aktualitetin historik. Dhe me synime të qarta afatshkurtra dhe afatgjata. Projektet politike të një populli janë sigurisht çështje elite. Elita shqiptare, e ndarë në atë intelektuale dhe politike, nuk gjendej e unifikuar në një program thelbësisht nacional, që nuk do të thotë tjetër veçse krijimi i shtetit komb.Problemi ishte i mprehtë dhe kishte karakter ideologjik. Divergjenca konsistonte në qasjet e ndryshme perëndimore, dhe e formuar nën ndikimin e ideve të lirisë, që ishin bërë themeli i shoqërive europiane,elita intelektuale, nuk mund të pajtohej me elitën politike, osmanofone nga formimi kulturor, e për rrjedhojë, e lidhur me ato ide thuajse mesjetaro-lindore, zbatimi i të cilave, e kishte lënë Perandorinë Osmane shumë prapa nga kombet e qytetëruara. E vetdijshme se e ardhmja e Shqipërisë nuk duhej lënë më në duart e Stambollit,elita intelektuale, nxiti patriotët që çështjen shqiptare ta bënin ndërkombëtarisht të njohur me zërin i armëve.

Ndërkombëtarizimi i çështjes nacionale shqiptare.

“Përpara lëvizjevet kombtare qi ngjanë në Kosovë, në Malsin e Madhe të Shkodrës e aty-këtu edhe në ndonji qytet të Shqipnis së Jugut, mund të thomi se popujt e Evropës nuk dijshin qi ekziston nji komb Shqiptar. Shqiptarët nisën të tregojnë gjallsin e vet e të faqin ndiesit e andjen për liri vetëm kur zhonturqit deshtën t’u ndrydhnin virtytet, doket e ligjet e të parvet e t’u zhduknin edhe të vetmin shej të njisis kombtare, gjuhën.” Shkruante revista Leka në vitin 1932, me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Veçmas, Kryengritja antiosmane e Malësisë së Madhe u bë pasqyra ndërkombëtare e së drejtës së popullit shqiptar për vetvendosje. Me qendresën heroike dhe me Memorandumin e Greçës, ajo u bë burim frymëzimi për një varg betejash e luftrash anë e kënd vendit, në Kosovë, Dukagjin, Mirditë, Lezhë, Durrës, Kolonjë, Gjirokastër, Korçë, Vlorë etj., por, mjerisht nuk u shndërrua në një kryengritje të përgjithshme, edhe pse Fatosi i Traboinit, Dedë Gjo’ Luli do t’i deklaronte prerazi të dërguarit të Portës së Lartë se Librin e kuq siç njihej ndryshe memorandumi, nuk e duem veç për vete, por për tanë Shqipninë. Vetë Ismail Qemali në intervistat e tij dhënë gazetave të huaja e artikulonte Memorandumin e Gërçes si dokumentin që shprehte vetdijen nacionale dhe aspiratën e të gjithë shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

Lufta ballkanike dhe orientimi i shqiptarëve.

Kryengritja e përgjithshme u bë domosdoshmëri historike në mesin e vitit 1912, kur kriza politike osmane nuk kishte ç’t’u ofronte më shqiptarëve.Vendimi për kryengritjen e përgjithshme u mor në Stamboll nga grupi i deputetëve shqiptarë. Ismail Qemali u ngarkua me detyrën e sigurimit të mbështetjes ndërkombëtare, kurse Hasan Prishtina dhe të tjerë me pregatitjen e kryengritjes në terren. Por, organizmi mori shumë kohë ndërsa ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Masakrimi i sllavëve ortodoksë nga turqit në Beran, u dha mbretërive ballkanike pretekstin për të shporrur ushtritë osmane nga gadishulli i Ballkanit. Status-Quoja, që nënkuptonte ekzistencën e patjetërsueshme të Perandorisë Osmane në gadishullin tonë, ishte tashmë e pavlefshme. Lufta Ballkanike i kapi shqiptarët në befasi nën rrezikun e dy zjarreve eventuale nga njëra anë, dhe, nën rrezikun eventual të kompromentimit historik të armëve, nga ana tjetër. Ushtritë shoviniste përparuan furishëm në brendësi të territorit shqiptar, duke djegur, plaçkitur, masakruar dhe dëbuar popullsinë civile. Shpallja e Pavarësisë ishte i vetmi akt për shpëtimin e trojeve shqiptare nga pushtimi i ri, apo më saktë, nga coptimi i trojeve.Mbledhja e një kuvendi mbarëkombëtar me përfaqësues nga të gjitha trojet,duhej bërë me një urgjencë jetike. Inisiativën për këtë veprim e morën Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe mjaft patriotë të tjerë. Ata u nisën nga Stambolli për në Bukuresht, ku me 5 nëntor organizuan mbledhjen e diasporës shqiptare të atjeshme, duke nxjerrë në pah rolin historik të luajtur në tërësi nga atdhetarët në mërgim, përfshirë sigurisht edhe kontributin e Federatës Vatra, këtu në Sh.B.A.
Vendimet e Bukureshtit kanë qenë programatike për ngjarjet në vijim. Ismail Qemali, si diplomat me eksperiencë të gjatë, u caktua të paraqiste pranë kancelarive të Europës, të drejtat e popullit shqiptar. Delegacioni i drejtuar prej tij, udhëtoi deri në Vienë, ku u sigurua për mbështetjen e Pavarësisë. Por, ngjarjet në Shqipëri e detyruan delegacionin të kthehej urgjentisht për të shpallur pavarësinë, me qëllim që t’ia paraqisnin sa më parë dokumentin autoriteteve ndërkombëtare. Ata udhëtuan nga Triestja për në Durrës, me një vaporr të posaçëm të shoqërisë Lloyd, por, kuvendi i parashikuar në Durrës,me mungesë të theksuar delegatësh, e zvarriti miratimin e dokumentit, nga data 21 deri më 26 nëntor. Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë nuk mund të prisnin e të qendroninnë ato kushte në Durrës, teksa ushtritë serbe po pregatiteshin për sulmin final. Në krye të delegatëve të disa rretheve, u nis për në Vlorë,për të mbërritur atje më datën 25, ku u prit me një entuziasëm festiv. Kuvendi i mbledhur me 28 nëntor në orën 14, me praninë e 37 delegatëve, e kreu misionin e vet historik duke shpallur Shqipërinë më vete, të lirë dhe të mosvarme.
Dita e Pavarësisë dhe e flamurit është një ditë e shenjtë për ne. Vërtet ajo nuk i dha vendit një qeveri jetëgjatë, e cila, as ia doli të shtrinte autoritetin në më shumë se 4000 km katror. Por vendimet e Vlorës mbeten historike. Ato janë vendime që përmblidhen vetëm në një kuptim të vetëm, një shtet komb, një shtet për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre etnike, pavarësisht se Konferenca e Londrës, na dha vetëm një hapësirë prej 28 km katror, disa herë më pak se hapësira e trojeve etnike. Në fakt, ngritja e flamurit nuk u realizua në 84 kazatë e parashikuara, madje, nuk u ngrit në asnjërën nga katër qendrat e vilajeteve. Kjo gjë, ka pasur peshën e vet në përcaktimin e fatit të trojeve tona, dhe për këtë faji i mbetet autoriteteve osmane, të cilat, edhe në çastin e mbramë, deshën ta pengonin pavarësinë e Shqipërisë. Sot, pas njëqind e dy vjetësh, ne kemi dy shtete shqiptare, dhe njëri prej tyre, zyrtarisht, mban një flamur konvencional. Ka zëra sot që na këshillojnë të jemi optimistë, se Shqiptarët do të jenë të bashkuar në Unionin e Shteteve Europiane. Sigurisht, nuk mund mund të bëhet analogji me katër vilajetet shqiptare nën Perandorinë Osmane, por një shtet shqiptar sipas vendimeve të Kuvendit të Vlorës, është detyrimi ynë, dhe e vetmja perspektivë e jona. Një nacion i bashkuar me energji të plota në një shtet të vetëm mund ta ndërtojë demokracinë e vërtetë, drejtësinë shoqërore dhe mirëqenien e përgjithshme, sfida të cilat, ne shqiptarët ende nuk i kemi fituar. Veçse ky proces, të dashur bashkatdhetarë, nuk mund të realizohet pa kontributin tuaj, pa miqtë e mëdhenj që ju i siguroni çështjes shqiptare në tërësi.
Në këtë kremtim përkujtimor, ne kemi detyrimin të nderojmë,njëlloj të lavdishme si veprën burrave të mençur, që projektuan idenë e pavarësisë ashtu dhe burrave të armëve. Ismail Qemali, Dedë Gjo Luli, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Imzot Nikoll Kaçorri, Bajram Curri, Faik Konica, Hasan Prishtina, Imzot Preng Doçi, Aqif Pashë Elbasani, Bajo Topulli, At Gjergj Fishta, Preng Bibdoda, Dom Ndoc Nikaj, Fan Noli, Nikollë Ivanaj, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri, Spiro Bellkameni, Dervish Hima, Josif Bagëri, Themistokli Gërmenji, Mati Logoreci, Shtjefën Gjeçovi, Petro Nini Luarasi, Hilë Mosi, Sali e Gani Butka, Risto Siliqi, Papa Kristo Negovani, Sotir Peci e shumë e shumë të tjerë.
Lavdi veprës së Rilindasve!
Rroftë Flamuri!
E paçim të shpejtë ditën e Shqipërisë së Bashkuar!
Faleminderit!
– * Fjala ne 102 vjetorin e Pavarësisë, mbajtur në Kishën e Shën Palit Detroit
– Shenim:
– Po e publikojmë pak me vonesë fjalën e muzeologut të njohur Eduard Grishaj në Festën e 102 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë , mbajtur në Kishën e Shën Palit në Detroit për dy arsye:
– E para: për modelin e një përshëndetje argumentuese me të dhëna historike precize dhe me disa orientime që historia shqiptare ka nevojë për to, lidhur me rishikimin e deomosdoshem të saj.
– E dyta: për disa komente të pabazuara në lidhje me “zbulimin e armiqëve” në komunitetin shqiptar të Detroitit, pas mbërritjes së autorit të kësaj fjale këtu. Përkujtimi i çdo përvjetori të Pavërsisë është plotësisht i përligjur nga Qendra e Shën Palit, e cila në këto raste është një qendër e vërtete komunitare, që ka të drejtën e pamhohueshme të përkujtojë ngjarje historike të kësaj përmase, pasi ka qënë e para qendër shqiptare, që sipas një rregullorje të veçantë, hartuar dhe firmosur në Nëntorin e vitit 1984, kremtoi vit për vit Kryengritjen e Malësisë dhe Diten e Pavarësisë, duke përjashtuar flamurin shqiptar me yll të komunizmit!
– P.Jaku
–

Filed Under: Analiza Tagged With: Eduard Grishaj, historia e shkruar keq

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT