• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Durrësi që po harrohet në ekspozitën e piktores Emjona Stasi

May 13, 2021 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi*

103 tablotë e piktores Emjona Stasi, që janë ekspozuar këto ditë në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” kanë gjetur vëmendjen dhe interesimin e ardashësve durrsakë.

Të punuara që të gjitha në gjininë e peisazhit, tablotë e Stasit i bashkon dashuria për qytetin e saj. 

Rrugicat, muret mesjetare, porta e Kalasë, kanatat e dyerve të hershme, kolonat me kapitele mbi krye, dhe gjithçka që e lidh piktoren me Durrësin janë objekti i penelit të saj.

Brenda ekspozitës Emjona Stasi i rikthehet me shumë sukses temave të preferuara, duke shfrytëzuar talentin në grafikë. 

55 punimet-miniaturë në gjininë e grafikës e risjellin qendrën historike të Durrësit, sikur të ishin kartolina nga qyteti që mund të udhëtojnë në të gjithë globin.

Shqetësimi për peisazhet e Durrësit, që po humbasin ndën hijen e shumëkatësheve, i jep më shumë vlerë pikturës së Emjona Stasit, e cila këtë herë i ka kushtuar një ekspozitë të plotë ruajtjes së  identitetit të qytetit.

Kujdesi për ekspozimin e tablove në grupe të veçanta, sipas gjinive dhe vendeve që e kanë frymëzuar, i japin një tjetër vlerë ekspozitës së Emjona Stasit, që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit maj.

Emjona Stasi, një piktore në profesion të lirë

“Të paktën kështu e ndjej vehten që kur kam dalë në pension – thotë artistja në një intervistë. 

“Jam me fat që kam një profesion të tillë. Tani më pëlqen të punoj çdo ditë dhe kam mbështetjen e bashkëshortit tim, inxhinjer ndërtimi. Xhoxhi  e kupton lehtë punën time dhe gëzon njëlloj me mua për një tablo të bukur-vijon piktorja Emjona Stasi, e cila ditët e fundit ka hapur ekspozitën e saj të gjashte personale.

Emjona ka përfunduar studimet për Grafikë, dhe megjithëse e ka zgjedhur vetë degën, shprehet se në tablotë e saj ka mbetur shumë pak nga pasioni i parë. 

“Ja, thuajse në asnjë punë unë nuk përdor ngjyrën e grafistëve, të zezën – thotë ajo duke u drejtuar nga tablotë. “Më pëlqen peisazhi, pasi jam romantike; por ndjehem mirë edhe me natyrën e qetë, ndërsa duhet të provoj më shumë kompozimin – thotë piktorja, e cila ka paraqitur në ekspozitën e fundit në Durrës 77 tablo të përmasave të vogla e të mesme, pjesa më e madhe punime të viteve të fundit.

Emjona ka lindur në Elbasan, por duke qeshur thotë: “nuk e di se nga jam”. 

I jati oficer në atë kohë ka lëvizur bashkë me familjen, deri sa janë vendosur në Durrës. Një edukatore kopështi në Elbasan i ka këshilluar prindët që ta çojnë vajzën e vogël në Lice. 

“Dega e pikturës në shkollën e mesme “Jordan Misja” fillonte vetëm në ciklin e mesëm, por fjalët e edukatores mu ngulitën – shprehet sinqerisht Emjona, e cila nisi ti shohë ndryshe lodrat me plastelinë apo vizatimet e para. Më vonë Sul Sulovari në Elbasan e Agim Shami në Durrës do të drejtojnë pasionin e vajzës së re drejt pikturës.

Mësuesja e artistëve të rinj

Në një qoshe të galerisë “Nikolet Vasia” një mësues  i ri bisedon me nxënësit-piktorë të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” mbi karakteristikat piktorike të autores Stasi. 

Piktorja vlerëson mësuesit e pasionuar, si dhe nxënësit që mbajnë në duar dosjet e vizatimeve edhe jashtë shkollës. 

“Megjithatë, më duket se kanë mbetur pak -shton ajo, duke kujtuar kohën kur në degën e sapohapur të arteve figurative në shkollën artistike të Durrësit gjeti disa nga piktorët më të mirë të qytetit. 

“Do të punoja si mësuese shumë vite përkrah piktorëve Skënder Kokobobo, Nikolet Vasia e Gavril Priftuli – thotë Emjona, e cila deri në vitin 1984 kishte dhënë lëndën e vizatimit në shkollat 8-vjeçare.

Emjona Stasi ka dalë në pension thuajse 7 vjet më parë, por askush nga ata që e sheh nuk e beson këtë. 

Elegante në lëvizje, mjaft e qetë dhe e sigurtë në punën e saj, ajo e ka marrë njoftimin e pensionit, ndërsa përgatiste një nga ekspozitat e saj. 

“Më erdhi keq, pasi ishte janar dhe i ndërpreva leksionet me nxënësit në mesin e vitit shkollor, por me sa duket këto janë regullat – nënvizon piktorja, duke kujtuar se kolegët kanë ardhur ta urojnë për pensionin në galerinë ku u hap ekspozita.

Ekspozita nga Atdheu deri në SHBA

Mustafa Arapi, Gazmend Leka, Buron Kaceli janë piktorët e parapëlqyer të Emjona Stasit, pa harruar Lumturi Blloshmin, piktoren inteligjente, siç e quan ajo. E më pas edhe zonja të tjera të skulpturës si Mira Kuçuku apo Llambrini Dënaj.

Por Emjona vetë ka vendosur shumë vonë të hapë një ekspozitë personale. 

Që nga viti 1977 ajo ka marrë pjesë thuajse në 50 ekspozita kolektive në qytete të ndryshme të vendit tonë, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe SHBA. 

“Është një mundësi për tu njohur dhe ballafaquar me kolegët, të cilët sjellin shumëllojshmëri stilesh – thotë Emjona, duke kujtuar edhe përvojat në kolonitë artistike, të organizuara në qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. 

Sipas saj, janë eksperiance shumë të mira, por organizatorët nuk duhet të abuzojnë dhe ta quajnë një mundësi tregu – shton ajo.

Emjonës nuk i pëlqen që të marrë diçka që nuk e meriton. Ajo ka refuzuar çdo ndërhyrje që mund ti jepte një çmim të lartë në konkurset e organizuara, duke iu gëzuar vetëm vlerësimeve të sinqerta. Në këtë pikë ajo ndjen se artistët duhet të jenë më të drejtpërdrejtë në opinionet për krijimtarinë e njeri – tjetrit. 

“Kjo do të na ndihmonte të gjithëve – shprehet çiltazi piktorja. Më pëlqen të kem një përvojë të tillë në SHBA, atje ku kam pasur rast të hap edhe një ekspozitë me 25 punime. 

“Ishte e thjeshtë, aplikova në një bibliotekë – librari dhe fitova të drejtën që përveç pjesmarrjes në ekspozita grupi të hap edhe një personale, me punët e përgatitura gjatë qëndrimit atje-kujton Emjona.

Emjona Stasi që nga viti 1977 ka marrë pjesë në afro 50 ekspozita të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, ndërsa punimet e saj i gjen përveç fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe asaj të Durrësit ndodhen edhe në arkiva private në Itali, Maqedoni, Greqi, Gjermani, Hollandë, Kanada dhe SHBA.

Mësuese dhe studente

Ndërsa në galeri vizitorët ia lenë vendin njeri-tjetrit, bisedojmë së bashku për hapat e parë në pikturë, për nxënësit e saj, por edhe për vendimet e marra vetëm me një fjali, përballë pedagogëve të saj në Lice dhe Institutin e Arteve, të cilët Emjona vazhdon ti quajë “profesorë”, si në shkollë. 

“Për të hapur një ekspozitë nuk duhet vetëm aftësi, por edhe një çikë inat” i ka thënë Emjonës 10 vjet më parë Thoma Thomai. Profesori i skulpturës u bë shkak për ekspozitën e parë të saj, e cila u hap në galerinë private “Jozef”. 

Megjithëse e konsideron vehten “natyrë të tërhequr”, artistja nga Durrësi i ka marrë vendimet për jetën me një fjali. Kështu e ka bindur pedagogen e skulptures Valentina Balli në Lice për pasionin që kishte për pikturën, e po kështu me fjalët “dua ta meritoj shkollën e lartë” i është drejtuar prof. Naxhi Bakallit para se të hynte në Institutin e Lartëtë Arteve (sot Universiteti i Arteve).

Të njejtën gjë ka bërë edhe kur ka parapëlqyer Durrësin, në vend të kryeqytetit menjëherë pas studimeve të larta.

Ja se si shkruan për të Suzana Varvarica Kuka, studiuese e artit: 

“Emjona Stasi trashëgon dashurinë për natyrën, për botën, si banesa jonë e madhe; adhurimin për ngjyrat, dhe vullnetin për dëshmi figurative. Ajo mban një qëndrim të ri komunikimi me rrënjët tona të artit të fillim shëk. XX, gjë e cila më jep entuziasmin ta quaj “Mio-niana e Durrësit”.

*E falenderojmë gazetarin Gezim Kabashi qe e dergoi shkrimin dhe fotografite per lexuesit e Diellit.

Filed Under: Featured Tagged With: Durresi qe po harrohet, ekspozite, Emjona Stasi, Gezim Kabashi

EKSPOZITË PËR DOKUMENTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS NË KOSOVË

December 25, 2020 by dgreca

Prishtinë, 24 dhjetor 2020- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, familjarë të viktimave dhe të pagjeturve të luftës në Kosovë, sot kanë hapur ekspozitën “Prezantimi i Ekspozitës për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë”, të fotoreporterit Alban Bujari.

Me rastin e hapjes së ekspozitës, ministri Selimi tha se kjo ngjarje,  risjellë dëshmitë më të trishtueshme të mizorisë së shtetit serb ndaj civilëve shqiptarë.

“Edhe pse trazon plagën tonë ende të hapur, kjo ekspozitë na shërben për të dokumentuar krimet e vazhdueshme dhe terrorizmin shtetëror serb, por edhe e vë në pah, sakrificën dhe të vërtetën e Kosovës”, tha ministri Selimi.

Ministri Selimi, tha se në secilën ditë, Kosova ka kujtesë për martirët, dëshmorët, për masakrat e njerëzve tonë anekënd vendit, vuajtjet dhe tmerrin e përjetuar nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, të mbijetuarit e torturës dhe ankthin konstant të familjarëve të të zhdukurve.

“Të kalosh dekada të tëra dhune e terrori sjellë trauma të papërballueshme, por populli ynë gjeti forcën ta vazhdojë ecjen drejt lirisë̈, për t’u ri ngritur nga hiri. E vërteta e Kosovës duhet t’i bëjë jehonë në botë të drejtës sonë. Vuajtjet e njerëzve tanë na obligojnë ta vendosim drejtësinë në vend – Drejtësi si satisfaksion për viktimat dhe thirrje për brezat, që të mos harrojnë!”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi shprehu falënderim për bashkëpunim në hapjen e kësaj ekspozite për deputetin Gazmend Syla  dhe fotografin e luftës, Alban Bujari.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë dhe akoma sot për fat të keq janë më shumë se 1600 familje që kërkojnë të dinë për fatin e të dashurve të tyre. 

“ Dëshmitarë jemi të gjithë dhe fatmirësisht kemi çka të themi në anën e drejtë të historisë. Andaj uroj që jo vetëm të kemi sa ma shumë aktivitete të tilla, mundësi për të thënë të drejtën tonë, por edhe që në mënyrë institucionale ta qojmë në vend secilën brengë dhe secilën të drejtë që na takon si shtet”, tha nënkryetarja Nagavci.

Fotografitë e ekspozuara që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë, janë realizuar nga fotografi Alban Bujari i cili tha se këto foto tregojnë për masakrat e Serbisë ndaj popullatës shqiptare civile në Kosovë. 

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin edhe familjarët e personave të pagjetur dhe personave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, Bajram Çerkini dhe Nafi Krasniqi, të cilët vlerësuar iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për 6 muaj në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, e më pas do të bartet në ndonjërin nga institucionet e Republikës së Kosovës. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, ekspozite, Krimet e Luftes ne Kosove

MJEKU PIKTOR ME EKSPOZITEN E ENDRRAVE

December 9, 2017 by dgreca

1 doktori piktor“Të ndjekësh ëndrrat”- Dr. Luter Kreshpa sjell pikturat e pasionit në Muzeun Historik Kombëtar*/

1 Vajza me qen

“Të ndjekësh ëndrrat”, kështu quhet ekspozita me autor mjekun e njohur Dr Luter Kreshpa e cila do të hapet të dielën më 10 dhjetor ora 11.00 në Muzeun  Historik Kombëtar.

1 Berati1Eshtë një koleksion prej 93 piktura, kryesisht natyra të qeta dhe peizazhe, por edhe disa portrete e skica të cilat do të vijnë për publikun. Tablotë e një stili realist të sjellin pranë natyrën, të cilën artisti e ka shpesh në tablotë e tij. Ekspozita vjen në 81 vjetorin e tij të lindjes, si një homazh I bukur që e bija, Brisejda I bën pas ndarjes nga jeta. I dashuruar me të bukurën, Kreshpa ka ravijëzuar në tablo momente që të çlirojnë teksa i shikon. Kryesisht vizione që reflektojnë qetësi, janë si një kërkesë e vazhdueshme e artistit për të lundruar në ujëra të qeta.

1 kornize 2

Dhe pse piktura ishte më shumë një pasion në jetën e Dr Kreshpës, në to vihet re një artist I angazhuar I cili ka një njohje të thellë me këtë lloj arti.1 pemet

Kush është Dr. Luter Kreshpa?

I lindur më 10 dhjetor 1936 ai do të dashurohej me pikturën herët, për ta ndjekur heshturazi këtë pasion dhe pas mbarimit të studimeve për mjekësi në vitin 1961. Dy vite më vonë ai aftësohet për kirurg i përgjithshëm. Kirurgjia ishte shkenca ku prof. Kreshpa do të jepte gjithë aftësitë e tij jo vetëm në shërbim të pacientëve por dhe krijimit të standarteve të reja në mjekësinë shqiptare. 1 pema 1Me profilin e një intelektuali par ekselencë ai do të angazhohej në Konferenca të shumta, përsa i përket Kirurgjisë hepotabiliare, si në Francë, Greqi, apo udhëtimi për në Vietnam më 1986-tën. Ka mbrojtur në 1987, Dizertacionin për Doktor Shkencash në Kirurgjinë Pulmonare “Trajtimi kirurgjikal i bronkoektazisë”. Janë të pafundme leksionet që ai ndërtoi mbi kirurgjinë, duke dhënë një model për brezat që do të vijnë. Është autor i 8 teksteve për sëmundjet kirurgjikale, 19 artikujve në Buletinin e Shkencave Mjekësore(BSHM), 41 Artikujve në Punimet Kirurgjikale(PU), 9 Artikujve në Revistën Mjekësore (RM) 48 Referate dhe Kumtesa, 19 Recensione dhe Oponenca. Është autor i monografisë “HERNIA. Veçoritë Klinike dhe Mjekimi”, botim i vitit 2007. Vitet e fundit të jetës ai iu përkushtua pasionit të tij pikturës, duke realizuar një koleksion të madh tablosh, që tashmë ruhen me kujdes nga familjarët

Ja si e kujtojnë kolegët:

Intervistë me Prof. Dr Nikollaq Kaçani

Kirurgu që pikturonte operacionet

Si do ta përkufizoje profilin e Dr Luter Kreshpa?

Do të thosha që për mua mbetet një ndër figurat e mjekësisë shqiptare. Ajo që e dallonte nga të tjerët është se ka qenë një figurë komplekse, ashtu siç është vetë mjekësia. Ka qenë kompleks në aktivitetin kirurgjikal, në trajtimin e të sëmurëve, në marrëdhënie me të tjerët. Ai nuk ka qenë vetëm një kirurg i palodhshëm, por ka dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e mëtejshëm të mjekësisë shqiptare. Luteri ishte i gjithëpërfshirë. E donte mjekësinë dhe donte t’ua përçonte dhe të tjerëve. Ka shkruar e botuar për mjekësinë, duke nisur që me disertacionin e tij dhe duke vazhduar me shumë libra dhe artikuj. Bashkautor i një prej librave më të rëndësishëm të mjekësisë: “Sëmundjet kirurgjikale”, së bashku me mua. Ka qenë pedagog për shumë vite. Ishte profesor i specializantëve të kirurgjisë dhe gjithmonë u thoshte një shprehje: “Mushka që të shtrohet, duhet të ngarkohet”, në kuptimin që ngarkohuni me lexime, me punë për të arritur dhe për t’u perfeksionuar. Dallohej serioziteti i tij, por edhe natyra bashkëpunuese. I përkrahte jashtëzakonisht shumë të rinjtë.

Sa dini ju rreth pasionit të tij, pikturës?

E dija që kishte pasion pikturën. Por puna këtu ishte aq e madhe, saqë nuk na dilte kohë që të flisnim për këtë. Ai më shumë pikturonte në kohën e lirë, sidomos këto vitet e fundit. Por që vihej re edhe në punë, shpirti i tij artist; për shembull specializantëve gjithmonë ua pikturonte operacionet. Dhe kjo e dallonte nga gjithë ne të tjerët. Do të thosha që një kirurg i mirë bëhet edhe një piktor i mirë dhe Luteri u bë.

Ekspozita ishte parashikuar para një viti, a ishit ju në dijeni të kësaj?

Po, e dija. Madje më ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në ekspozitë.

Çfarë do të thoshit diçka të fundit për mikun tuaj Luter Kreshpën?

Luteri ishte i domosdoshëm në spital. Pa diskutim që do i mungojë mjekësisë shqiptare. Ishte njëfarë “Netteri” shqiptar. Por si mik kisha njohje dhe me familjen e tij. Ka një familje të mrekullueshme. Madje kam një mesazh për ta. Shqiptarët thonë: të rroni dhe ta kujtoni. Unë do të thosha: të rroni dhe ta nderoni.

*E dergoi per Diellin Luljeta Nelallari

Filed Under: Kulture Tagged With: Dr. Luter Kreshpa, ekspozite, ne muzeun historik

Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror

July 29, 2017 by dgreca

Kalaja-e-Himares

Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror – Ekspozitë dokumentare dhe fotografike/

1 Himara

2 HimaraTIRANE, 29 Korrik/-Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave çeli në qytetin e Himarës në bashkëpunim me Bashkinë e Himarës, ekspozitën “Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror, një ekspozitë dokumentare dhe fotografike”.Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Dr. Ardit Bido.Kryetari i Bashkisë, Goro falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe theksoi faktin që bashkëpunimi midis dy institucioneve do të vazhdojë, sepse Himara është e mbushur me dokumente dhe histori. “Kjo ekspozitë është shumë interesante për vendasit dhe pushuesit për të treguar historinë e kësaj treve, që nëpërmjet atdhedashurisë arriti të ndërtoj këtë realitet”,  tha Goro.

keshtjella-e-panormos-palermo-himare

Ne Foto:Keshtjella ne Porto Palermo/

Bido falenderoi Kryetarin e Bashkisë së Himares, i cili u gjend tërësisht i gatshëm për këtë iniciativë.“Himara është shumë e bukur, ka histori të gjallë. Në këtë mënyre ne i promovojmë këto vlera të veçanta të cilat gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit, si arkivi unik nga lloji vet në Shqipëri, në mënyrë që të gjithë të shohim paraardhësit e tyre, ku jetonin, si jetonin dhe si frymëzim për të tashmen”- tha Bido.

Në këtë ekspozitë paraqiten dokumente historike dhe fotografi të Himarës dhe fshatrave përreth, duke u përqendruar në gjysmën e parë të shek. XX. Përmes këtyre dokumenteve shpërfaqet veprimtaria publike dhe private e banorëve të zonës, si dhe peizazhet e virgjëra të rivierës shqiptare, siç dukeshin pothuaj 100 vjet më parë.

Publiku do të njihet me dokumentin e parë të vitit 1922, ku kërkohet krijimi i Bashkisë së Himarës, e cila në atë kohë ishte Nën-Prefekturë e Vlorës; me korenspondencën e përditshme dhe praktike mes banorëve dhe autoriteteve shtetërore për problemet e shëndetit të njerëzve dhe të agrumeve; me kërkesat e thjeshta, si ato për bursa studimesh apo leje gjuetie; por edhe me kërkesa të rëndësisë publike, siç është rindërtimi i skelës së portit dhe krijimi i një flote kombëtare tregtare.

Siç informon drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, interesante është marrëveshja mes Ministrisë së Punëve Botore me një shoqëri private më 1925 për ndërtimin e urës së Palasës, e cila pas më pak se 20 vite jetë u shkatërrua gjatë Luftës II Botërore, një histori e shoqëruar me dokumente dhe fotografi.

Materiali fotografik tregon viset e krahinës së Himarës dhe personalitetet e atyre viseve, apo fabrikat e vajit para Luftës II Botërore. Mes dokumenteve që nuk i përkasin periudhës nga Pavarësia deri më 1944 paraqitet një pasaportë udhëtimi e lëshuar nga kavalieri Luigi de Medici i Toskanës për kavalierin Mihal Spiro nga Himara më 7 maj 1829, si dhe një një VKM e vitit 1960, përmes të cilës Republikës Demokratike Gjermane i jepen me qira 2 ha tokë, me qëllim ndërtimin e një kampi pushimi për rininë e lirë gjermane.

Përmes kësaj ekspozite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Himarës kërkojnë t’u ofrojnë banorëve apo pushuesve sezonalë edhe një mënyrë tjetër pushimi, përmes informimit dhe argëtimit me dokumente dhe fotografi.

Po ashtu, institucionet tona kërkojnë të ndikojnë pozitivisht ndërgjegjësimin qytetar se vlerat e trashëgimisë së tundshme dhe të patundshme kulturore duhen ruajtur: jemi përdorures të tyre, nuk na përkasin ne, por brezave që do të vijnë.

Qyteti i Himarës

Qyteti i Himarës është kryeqëndra e krahinës së Himarës që shtrihet në banesat brënda kështjellës (Kastro), në Himarën e vjetër me monumentet e saj të lashta dhe arkitekturën e saj të veçantë, në Spile me plazhin e saj që është qëndra e sotme ekonomike dhe historike, në Potamin, në Livadhin me detin e bukur dhe me plazhin e mrekullueshëm me hotelet e reja , në Zamari, Mihail, në Stefanel. Këtu mund të shihni shumë monumente dhe tempuj të lashtë. Himara ka edhe ndërtesa të ndryshme madhështore, që tregojn origjinën e saj fisnike.Himara është e mbuluar rreth e qark me kodra, të cilat janë te mbuluara me ullishte dhe pemë të ndryshme frutore ku shfaqin një pamje të mrekullueshme. Me vegjetacion tipik mesdhetar konsiderohet vendlindja e kultivimit të ullirit dhe agrumeve – ka mijëra portokalle, mandarina dhe limona – dhe çdo gjë është hartuar me shume kujdes dhe dashuri për tokën.Bashkia e re e Himarës kufizohet në veri me bashkitë Vlorë dhe Selenicë, në lindje me Bashkitë Tepelenë, Gjirokastër dhe Delvinë, në jug me Bashkinë Sarandë dhe në lindje me detin Jon. Kryeqendra e Bashkisë është Himara.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 Himara ka 7,818 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 27,049 banorë. Me sipërfaqe prej 571.94 km2, densiteti i popullsisë në bazë të censusit rezulton vetëm 13.7 banorë/ km2 ndërsa sipas regjistrit civil, densiteti është 47 banorë/ km2.

Njësitë administrative përbërëse janë: Himarë, Lukovë dhe Horë-Vranisht. Himara dhe Horë-Vranishti i përkasin rrethit Vlorë ndërsa Lukova i përket rrethit Sarandë. Të trija njësitë janë pjesë e Qarkut Vlore. Bashkia e re do të ketë nën administrim një qytet dhe 24 fshatra.

Portet kryesore të vendit që ofrojnë lidhje me tragete janë:

Nga Saranda dhe Himara ka delfin dhe traget nga Korfuzi. Korfuz – Sarandë (gjithë vitin) apo Himarë (në behar).
Durrësi lidhet me linja detare nëpërmjet porteve italiane që shërbejnë tragete nga Bari, Trieste, Ankona dhe Brindizi. Vlora lidhet me linja detare nëpërmjet porteve italiane që shërbejnë tragete nga Bari, Otranto dhe Brindizi
Linjat e lundrimit që kryejnë itenirar në Shqipëri janë si më poshtë:

ADRIATICA DI NAVIGAZIONE, ILLYRIA LINES, EUROPEAN SEA LINES, LA VIKINGA, VENTOURIS FERRIES, IONIAN CRUISE

~ Porti i Sarandes
+355 85222235
www.portisarande.com.al

~ Porti i Himares
+ 355 39322348

~ Porti i Korfuzit
+30 2661040002

~ Porti i Vlores
+355 03324521/29418

~ Porti i Durresit
www.apdurres.com.al
+355 52 222 028

~ Ruci Tours
+355 393 22 442 / +30 2109018629

~Discover Himara Travel Agency
+355 696674830

  • Linjat Ajrore

Korfuz * (Nga Aeroporti i Korfuzit 2 orë me traget apo 1 orë me delfin).
Janinë* (Nga Aeroporti i Janinës me autobusz ne Kakavi dhe pastaj Kakavi – Himarë me taksi with taxi or bus 150 km).
Tiranë *(Nga Aeroporti i Rinasit me autobus ne Himarë, 215 km). Gjithashtu ofrohet shërbim taksi nga Rinasi për të gjitha destinacionet.
Linjat ajrore që shërbejnë vendin nga e gjithë bota janë:

ALBANIAN AIRLINES, SWISSAIR, ALITALIA, AUSTRIAN AIRLINES, OLYMPIC AIRWAYS, TURKISH AIRLINES, ADRIA AIRWAYS, MALEV, ADA AIR, HEMUS AIR

  • Me autobuz

Qyteti i Himarës është kryeqëndra e krahinës së Himarës që shtrihet në banesat brënda kështjellës (Kastro), në Himarën e vjetër me monumentet e saj të lashta dhe arkitekturën e saj të veçantë, në Spile me plazhin e saj që është qëndra e sotme ekonomike dhe historike, në Potamin me plazhin e mrekullueshëm dhe me hotelet e reja, në Livadhin me detin e bukur, në Zamari, Mihail, në Stefanel. Këtu mund të shihni shumë monumente dhe tempuj të lashtë. Himara ka edhe ndërtesa të ndryshme madhështore, që tregojn origjinën e saj fisnike.

Himara është e mbuluar rreth e qark me kodra, të cilat janë te mbuluara me ullishte dhe pemë të ndryshme frutore ku shfaqin një pamje të mrekullueshme. Me vegjetacion tipik mesdhetar konsiderohet vendlindja e kultivimit të ullirit dhe agrumeve – ka mijëra portokalle, mandarina dhe limona – dhe çdo gjë është hartuar me shume kujdes dhe dashuri për tokën.
Transport i brendshëm me autobuz:
Tiranë – Himarë (itinerar i perditshëm) 275 km
Vlorë – Himarë (itinerar i perditshëm) 73 km
Vlorë – Qeparo (itinerar i perditshëm) 86 km
Tiranë – Sarandë (itinerar i perditshëm) 329 km

  • Me Automobil

Nga Athina vazhdojmë në autostradën (Janinë -Kakavi – Sarandë – Himarë) me gjatësi të përgjithshme 550km
Nga Janina vazhdojmë në autostradën Janinë – Kakavi dhe Kakavi -Himarë me gjatësi të përgjithshme 150 km
Nga Tirane vazhdojme ne autostraden (Tirane – Vlore – Himare – Kakavi) me gjatesi te pergjithshme 215 km.
Ekzistojnë 11 kalime kufitare nga shtetet fqinje në Shqipëri:

Nga MALI I ZI: Hani i Hotit (Shkodra) Ulqini
Nga KOSOVA: Qafë Prush (Tropoja), Qafë Morinë (Kukës)
Nga FYROM: Bllata (Peshkopi), Qafë Thanë (Pogradec), Tushemisht (Pogradec)
Nga GREQIA: Kapshticë (Korçë), Kakavia (Gjirokastër) Mavromati (Sajiadha)

~ Aeroporti i Tiranes
www.tirana-airport.com
+355 42381800

~ Aeroporti i Korfuzit
www.corfu-airport.com
+ 30 2661038694

~ Aeroporti i Janines
www.hcaa-eleng.com

~ Ruci Tours
www.rucitours.com

~ Finikas Lines
www.finikas.lines.com

~ Discover Himara Travel Agency
+355 696674830

  • Distancat kilometrike

Vuno    8
Vlora    73
Tirana    275
Shen Vasil    39
Sarande    54

Nivica    41
Qeparo    13
Palermo    7
Piqemi    25
Palasa    20

Lukova    32
Llogara    36
Kakavia    94
Himara    3
Ilias    12

Dhermi    17
Borsh    17
Athine    587
  • Taksi

Zakonisht taksija pajtohet per aq njerez sa udhetojne bashke , keshtu qe cdo udhetar paguan vetem pjesemarjen e tij p.sh. 25% cmimet e meposhtme jane per komplet pajtimin.

Sarande-Himare 32€
Vlore-Himare 45€
Kakavije-Himare 60€

Disa numra te dobishem taksish:

0684180872
0692085964
0684099926
0682245678
0682052744

  • Numrat e urgjencës

22355 BASHKIA
22296 QENDRA SHËNDETËSORE
22344 RAJON POLICIE
22348 ZYRA PORT

22307 ZYRA POSTARE
22203 RAIFFEISEN BANK
22906 ALPHA BANK
22000 TELECOM

Monumentet

Shpella e Porto Palermos

Posted: December 1, 2016

Shpella e Porto Palermos është e vendosur në afërsi të ish bazës së Nëndetëseve që është ende nën patronazhin e ushtrisë. Kjo gjithashtu është një shpellë karstike e krijuar nga aktiviteti gëlqerorë dhe gjatësia e saj është vetëm disa metra nga çdo drejtim. Hyrja është e dëmtuar rëndë dhe nuk ka pasur gërmime formale ose …

Tuneli i Porto Palermo

Eshtë një bunker nëndetëse ndërtuar gjatë sundimit të diktatorit Enver Hoxha. Është e vendosur në pjesën veriore të gjirit të Porto Palermos .Nuk është më në përdorim te tillë, por mbetet në një zonë ushtarake.

Ujësjellësi i Vranishtit

Krahas objekteve të tjera me interes historik dhe arkitektonik, fare pranë fshatit Vranisht gjendet edhe Ujëshjellësi, i cili përbëhet nga dy pjesë. Ura numër 1, e punuar me një hark dhe ura numër 2, mbështetur në gjashtë harqe dhe pesë dritare lehtësuese. Është ndërtuar në periudhën e Ali Pashë Tepelenës (filllim Shek. XIX) dhe shquhet …

“Guri në Qiell” (Vranisht)

Në majën e malit të “Mesimerit” gjendet një gur gjigand, disa tonelatësh, i ngritur horizontalisht dhe që qëndron mbi dy gurë të tjerë të ngritur vertikalisht. Nga vendasit ai thirreth “Guri në Qiell” dhe nga studjuesit ai është vlerësuar se është Dolmen. Pra, ky objekt duket se është ngritur në periudhat e herëshme prehistorike sikundër …

Varret e Jelimeve në Vumblo

Nekropoli antik që ndryshe emërtohet Varret e Jelimeve nga vendasit, është I vendosur në nje grykë në juglindje të fushës së Vumbloit, e cila formohet nga dy kodra qe ngrihen në anën lindore dhe perëndimore, përkatësisht kodra e Okolezës dhe ajo e Stavrulës. Varret janë të vendosura në këmbët e kodrës së rrumbullaktë të Okolezës …

Lisat e Pilurit

Biomonument që ndodhen në kodrinën pranë e në juglindje të qendrës së fshatit të Pilurit, 750 m mbi nivelin e detit. Nga banorët e fshatit njihet dhe me emrin “Pylli i Shën Kollit”, sipas kishës me të njëjtin emër që ka qenë aty pranë. Lartësia e kodrës është 750 m mbi nivelin e detit. Banorët …

“Kalaja e Badhrës” (Borsh)

I përket periudhës së bronzit të vonë. Fortifikimi ndodhet poshtë rrugës automobilistike në dalje të Borshit, në një kodër me lartësi rreth 250 m mbi nivelin e detit. Ai rrethonte majën e kodrës, e cila dominonte mbi kodrat e buta përreth dhe mbi plazhet e Borshit e të Piqearsit. Muri prehistorik ka një gjatësi prej …

“Kisha e Shën Nikollës” (Kisha e Vasiliqisë)

Në fillim të istmit të Palermos gjendet kisha e Shën Nikollës e cila më parë ndodhej në zonën e Kalasë. Ali pasha ishte një figurë diktatore e egër por kishte nje adhurim të vecantë për kultet e krishtere dhe prandaj e ndërtoi kishën që prishi pak më  tej. Ishte viti 1818 kur Pashai i Janinës, …

Kulla e Ali Pashës, Në Qeparo

Kulla e Ali Pashës ose kulla e Vlashajve ndodhet në fshatin Qeparo rreth 1 km në veri të tij. Ky ndërtim shquan për një përpunim të kujdësshëm, korniza karakteristike prej guri me motivet e njohura prej harkadash, si dhe kornizimi i dritareve me gurë të latuar rrisin vlerat e pamjeve të këtij ndërtimi.Nuk ka të …

“Kalaja e Karosit” (Qeparo)

I takon një faze më të avancuar të vendbanimeve prehistorike të Kaonisë. Ajo ndodhet mbi fshatin Qeparo i vjetër, në vendin e quajtur “gradishta” dhe është ngritur mbi një kodër të lartë shkëmbore 450 m që gjendet 3.5 km larg bregut të detit. Fshati i parë ka qënë vendosur në zonën e quajtur Pirg, pikërrisht …

“Ura e Gjipesë” (Ilias)

  Ura e Gjipesë e cila ndodhet përgjatë rrjedhjes së përroit,mbi rrugën nacionale që lidh fshatin Ilias me fshatin Vuno është një Monument Kulture. “Ura e Gjipesë”, apo ndryshe “Ura në Lumë, Vuno”, ndodhet pranë fshatit Ilias në rrugën që të çon te Manastiri e Stavridhit (Burim i Jetëdhënës).

“Shpella e Pëllumbave” (Ilias)

Në veri të Himarës, anës detit në një plazh mes Jalit dhe Gjipesë, është një shpellë tjetër e jashtëzakonshme në të cilen mund të hysh vetëm nga deti. Mjedisi është i mahnitshëm dhe plazhi ideal për të notuar i vetëm. Kjo shpellë interesante sipas legjendave besohet se dikur ka qënë strehë për piratët, si dhe …

Kalaja e Iliasit

Kalaja e Iliasit apo e “Pirgut” ndodhet në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Vlorë-Himarë, mbi kodrën në vendin e quajtur “Qafa e Pirgut”, pranë fshatit Ilias. Në sipërfaqen e kësaj kodre shihen gjurmët e një vendbanimi të lashtë, prej të cilit janë ruajtur disa trakte muresh rrethimi, të ndërtuara me gurë të papunuar të …

“Kanioni i Gjipese” (Ilias):

Një monument i mahnitshëm, i vizituar nga mijëra të apasionuar të natyrës dhe sporteve ekstreme, ndodhet në pjesën e poshtme të përroit Gjipe, midis Vunoit dhe Iliasit. Kanioni fillon në ujvarën Petasma, ka gjatësi 4 km, 75m lartësi maksimale dhe 10-20m gjerësi. Në shtegun e ngushtë të kanionit spektakolar mund të bëni kacavarje, kanioning dhe …

Manastiri i Stavridhit – Burim Jetëdhënës (Ilias)

Një degëzim nëpër një rrugë të pa asfaltuar brënda fshatit të con në Manastirin e Stavridhit (Burim i Jetëdhënës ). Ky manastir i përkushtohet Theotoqit dhe është ndërtuar në shekullin 14 mbi faltoren e lashtë të perëndisë Zeus dhe Artemisit, perendeshës së gjuetisë. Është tashmë traditë që në datën 15 të cdo gushti grumbullohen banore …

Kisha e Shën Spiridhonit (Vuno fshat):

  Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Sipas të dhënave të studiuesve daton në vitin 1778. Kisha e Shën Spiridhonit në Vuno bën pjesë në nëngrupin e bazilikave me tavan të rrafshë, dhe ka përmasa të brendshme 19.80 x 11.40 m. Ajo përbëhet nga salla qëndrore dhe hajati që ndodhet në pjesën perëndimore.Ajo ndahet me …

Ura e Kolmidharit

Ura e Kolmidharit ndodhet pranë fshatit Himarë që të con në rrugë të vjetër për në lagjen Mihaili( 1 Maj). Ndërtuar në vitin 1878.

Shpella e Spilesë

Shpella e Spilesë miti vendos këtu shpellën e famshme të Cikllopit Polifemi në Odisea të Homerit. Kjo është më e madhja nga një seri shpellash dhe justifikon shkëlqyeshëm emrin e gjirit homonim dhe zonën në qendër të qytetit te Himarës. Shpellat janë të vendosura në bazë të një shkëmbi të ulët 100 metra nga vija …

Kisha e Kryeëngjëllit Mihail (Mëhillit)

Eshtë një nga kishat më të vjetra të Kalasë dhe është vendosur në pjesën veriore të kështjellës , në një nga dy lagjet e Himarës, Litzinadhes . Lagje tjetër është Tsaknates . Kryeengjelli Mihail , apo Mihaili është një nga kishat më të vjetra brënda mureve , e vendosur në veri të kalasë. Kisha është …

Kisha e Episkopisë

(Shën Sergit dhe Shën Bakut) – Kishë Bizantine që gjendet brënda mureve helenistike të kalasë së Himarës është ndërtuar në shekullin 12 .Ndërtesa e episkopisë dhe banesa e episkopit i ka themelet mbi një ndërtese të vjetër që në antikitet thuhet se ishte tempulli dhe faltorja e Apollonit. Është ndërtuar në vendin më të lartë …

Shpella e Piratëve

Është një shpellë karstike natyrore e bëre e famshme nga libri i Petro Markos dhe më pas nga filmi me të njëjtin titull.Gjendet në kodrinën ku është Manastiri i Shën Theodhorit. Vendosur në shkëmbej thikë, në një det shumë të thellë që merr “ngjyrën e verës”, shpella ruan vlera të rëndësishme turistike, që të sjellin …

“Kështjella e Sopotit” (Borsh)

Faza më e hershme e fortifikimit daton në periudhën e bronzit të vonë, ndërsa në fillimet e periudhës helenistike shek. IV-III p.e.s, që përkon me fazën e dytë, shëndrohet në një qendër qytetare të rëndësishme. Fortifikimi i kësaj periudhe zë një sipërfaqe rreth 2.80 ha dhe ndahet në tri hapsira, ku atë qëndroren e zë …

Manastiri i Shën Dhimitrit (MANASTIRI AGIOU DIMITRIOU)

Në fshatin e poshtem te Qeparoit ndodhet manastiri i Shen Dhimitrit, i bardhe dhe i rindertuar si dhe kisha me te njejtin emer. Është ndërtuar brënda një ansambli, ku ndodhet ndërtesa e shkollës dhe e personelit të kishës. Manastiri është ndërtuar në formën më të plotë rreth viteve 1730. Ikonostasi prej druri, me figura ëngjëjsh …

Palaio KIPARO (ose Ano KIPARO) – Qiparo i Vjetër( ose i Sipërm)

Gjithë fshati është piktoresk, me arkitekturën e tij tradicionale, rrugët me kalldrëm guri, dhe kishat e vjetra përbëjnë një imazh magjik. Me interes të veçantë janë mbishkrimet në shtëpi të ndryshme. Familja e George Tenet(ish-kreu i CIA-s) erdhi fillimisht nga ky fshat.

Kështjella e Panormit (Palermos)

Gadishulli i vogël i Palermos që lidhet me një istem prej 50 m me bregun e detit është një fortesë e vërtet natyrale mbi të cilën është ngritur kalaja e Ali Pashës që banorët vendas e quajnë thjesht Kastri. Në të vërtetë Kalaja e Ali Pashes, vepër e projektuar nga arkitekt ushtarak francez është ngritur …

Panagias MANASTIRI – DRYMADON

Në krye të fshatit, në pjesën dominuese, qëndron “Manastiri i Panaisë“. Kisha e Shën Marisë që ndodhet brënda teritorit të Manastirit i takon shekullit të XIII – X IV. Është shume i bardhë dhe shquhet për arkitektonikën e tij dhe pamjen e vecantë. Kisha është e tipit bazilikat me një kupolë dhe daton nga shekulli …

Manastiri i Shën Theodhori (MANASTIRI AGIOU Theodorou)

Midis fshatrave Latës (Ilias) dhe Dhërmi në një kodër me një peizazh mahnitës nga deti gjendet Manastiri i Shën Theodhorit. Manastiri është ndërtuar shekullin e 14-të mbi faltoren e lashtë të perëndisë Zeus dhe Artemisit, perëndeshës së gjuetisë, po përfundoi gati 500 vjet më vonë.Në vitin 1946 u mbyll nga regjimi komunist e mv vonë …

Manastiri i Athalocës (ATHALIOTISSAS MANASTIRI)

Në shpatet e malit mbi Himarë ndodhet  manastiri I vjetër i Virgjereshes Athaliotissa,ku mund të ecësh vetëm në këmbë. Është ndërtuar në një kodër rreth dy orë në lindje të qytetit të Himarës. Athali siç i thonë ndryshe në Himarë është një vend pelegrinazhi i Zonjës së Bekuar. Kisha është ndërtuar në 1795 dhe pranë …

AGIOI PANTES (Të gjithë Shenjtorët)

Kisha është ndërtuar rreth vitit 1775 në hyrje të Kalasë. Kozma  Aetolos predikoi në këtë kishë.  Kur Shën Kosmai mbërriti në Himarë u habit që fshati kishte mbi 150 kisha. Çdo familje ka pasur kishën e vet dhe adhurimin e bënin veç e veç. Te vjetërit thoshnin se të dielave dhe festave degjoheshin 300 këmbana …

Shën Maria Kasopitra (PANAGIA KASOPITRA )

Një kishë bizantine me një ikonë e Panagia – Nëna e Krishtit – që besohet të jetë e mrekullueshme. Në periudhat e thatësirës e populli I  Himarës  i këndonin himne Ikones se saj dhe thuhet qe fillonin shira të rrëmbyeshëm për një kohë të shkurtër… Kisha e Kasopitra Virgjëresha , që ndodhet në pjesën jugore …

Kalaja e Himarës

Qyteti i vjetër i Himarës, dhe Kalaja (Barbakas) në vetvete janë një monument i rëndesishëm që ka nevojë për mbrojtje që të mos pësojë dëme të pandreqshme.Kjo është një monument i 3.500 vjet të pranisë njerëzore në rajonin e Himarës. Në mesjetare, në here byzantine, ishte një qytet- kështjellë i vogël por i fuqishëm në …

Filed Under: Featured Tagged With: e Arkivit Qendror, ekspozite, Himara në dokumentet, Shtetëror

Hije & Siluetë, ekspozitë intriguese në galerinë “Nikolet Vasia”, Durrës

April 26, 2017 by dgreca

Intervistë për gazetën “Dielli” me piktoren e re durrsake Sara Tagani/

2 ekspozita1 Sara Tagani3 Ekspozite

Nga Shefqet Kërcelli/Tashmë në qytetin e Durrësit është krijuar një traditë e vecantë në artin e pikturës , ku piktorë të vjetër dhe të rinj, shpalosin punimet e tyre me tematikë e gjini të ndryshme. E vendosur në qendër  të qytetit, galeria “Nikolet Vasia”,  që mban emrin e piktorit të mirënjohur durrsak Nikolet Vasia, është bërë shtëpia e përbashkët e piktorëve shqiptarë nga gjithë trevat. Kjo ka ngjallur dhe interesin e artdashësve durrsakë të kësaj fushe, por dhe turistëve dhe vizitorëve të huaj. Në një mbasdite të zakonëshme po kaloja tek kjo ekspozitë. Nga jashtë më tërheq reklama që paralajmëronte një ekspozitë të re, “Hije&Siluetë”. Afrohem, shoh me kujdes pikturat e ekspozuara, ndërsa  në tryezën e pritjes qëndronte  zonja Rosita Tagani{Leka}, ishushtarake, ku kemi shërbyer për disa vite në Distriktin Detar të Durrësit. Po ju këtu?  Ja, vajza ime ka hapur këtë ekspozitë, ma ktheu. U gëzova dyfish, jo vetëm për faktin që një piktore e re shpalos talentin e saj, por dhe se është vajza e një ishkoleges sime. Pak më tej, takoj autoren e ekspozitës për tu informuar dicka më tepër lidhur me pikturat. Së bashku me Sarën shohim punimet e vendosura, plot 25, të cilat sic shprehet ajo, janë realizuar në periudha të ndryshme kohore në sajë të pasionit, përkushtimit e dashurisë për pikturën. Ekspozita do qëndrojë e hapur përgjatë një jave, dhe nga sa pamë, ka ngjallur interes tek artdashësit e qytetit bregdetar, të cilët janë të emancipuar dhe mirëpresin piktura me temën e nudos. Gjithsesi për ta kompletuar  përshkrimin tonë rreth ekspozitës, tematikës e vlerave që bart, i morëm këtë intervistë të shkurtër piktores së re, Sara, njëkohësisht studente e gjuhëve të huaja në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Zonjusha Tagani, së pari, ju urojmë suksese në rrugën e bukur të  pikturës. Ju gjatë kësaj jave promovuat veten si piktore në një ekspozitë të emërtuar “Hije&siluetë”, cfarë nënkupton ky emërtim?

Sara Tagani: Fillimisht ju falenderoj për intervistën dhe faktin që u bëtë pjesë e ekspozitës sime. “Hije&Siluetë”, është përmbajtja e 25 tablove të paraqitura në këtë ekspozitë.

Gazeta Dielli-:-Si ju futët artit të pikturës, ishte një rastësi apo dëshirë e hershme?

Sara Tagani: Dashuria për pikturën ka marë jetë që në fëmijëri. Mund të them që nuk ishte rastësi, por dëshirë dhe trashëgëmi. E kam të trashëguar nga gjyshi im. Shpeshherë ja prekja telajot dhe penelat. Tek unë, talentin për pikturën e zbuloi ime më.
Dielli-:-Mësuam se ju jeni studente e gjuhëve të huaja në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në cfarë raporti është piktura juaj me studimet në shkencat sociale?

Sara Tagani: Krahas cdo rrugëtimi që kam nisur dhe do të vazhdoj në të ardhmen, pra, studimet universitare, piktura do ecë gjithmonë paralel me të!
Dielli-:- Trajtimi i kësaj teme në pikturë është fushë e preferuar për ju, apo sepse e ndjeni veten më të aftë?

Sara Tagani: Nudo është një nga fushat e preferuara të mija, e përcjellur me kujdes që në fillesat e krijimtarisë nga piktorja Shpresa Beqiri. Kjo temë njerëzore më ka impresionuar prej vitesh dhe për këtë arsye, detaj mbas detaji, punim mbas punimi u bë e mundur hapja e një ekspozite të tillë.

Dielli-:-Si ka qenë interesi i artdashësve durrsakë për ekspozitën tuaj, opinionet e tyre?

Sara Tagani: Jam shumë e lumtur që dhe për ekspozitën time të katërt ka pasur interes. Opinionet e komentet e tyre më kanë shtuar dëshirën e vullnetin për të punuar më shumë në këtë fushë, por dhe për të përmirësuar tablot e mija.

Dielli-:- Sa kohë keni që mereni me pikturë, kush ju ka inkurajuar që të ndiqni këtë rrugë të bukur?

Sara Tagani:  Pikturën e kam filluar në moshën 10 vjecare. Sic e përmenda dhe me lart ishte ime më, ajo që zbuloi artin tek unë. Mbështetja kryesore ka qenë nga familja dhe dy profesoret e mi, Shpresa Beqiri e Nikolet Vasia.
Dielli-:- A mund të na thoni dicka për planet tuaja në të ardhmen, do vazhdoni të merreni me pikturë krahas studimeve universitare?

Sara Tagani:  Padyshim! Piktura do jetë gjithmonë aty. Cdo detaj i përditshëm më ngacmon të trajtoj artin tim. Natyrisht që studimet universitare ndihmojnë në formimin tim akademik. Por, piktura eshtë ajo që më bën të ndjehem mirë dhe më plotëson shpirtërisht.

Suksese si studente dhe piktore e talentuar!

Faleminderit gazeta “Dielli”, ishte vërtet kënaqësi!

Filed Under: Interviste Tagged With: Durrës, ekspozite, Hije & Siluetë, Sara Tagani, Shefqet Kercelli

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT