• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EKSPOZITA E KRESHNIK XHIKUT NË ALEKSANDRIA DO TË JETË E HAPUR DERI NË 7 TETOR

September 17, 2013 by dgreca

Kreshnik Xhiku e sheh procesin e tij krijues si një vazhdimesi në ngritje, progres, ku çdo vepër ndikon tjetrën, duke i bërë ato pjesë të së njëjtës përpjekje. Si instruktor dhe profesor i vizatimit dhe skulpturës në shkollen e Lidhjes se Arteve në Aleksandria për më shumë se një dekadë, Xhiku ka ndarë përvojën dhe vizionin e tij krijues duke ndihmuar e frymëzuar shumë artistë të rinj./

Nga Astrit Lulushi/

Në Galerinë e Lidhjes së Arteve, në Aleksandria afër Washingtonit, u hap këto ditë ekspozita “Structural Elements”,e skulptorit të njohur shqiptar dhe amerikan, Kreshnik Xhiku. Ekspozita pritet të qendrojë e hapur deri më 7 tetor.

Arti i Kreshnik Xhikut i përket kryesisht rrymës abstrakte, që e bën vizitorin të mos pyesë se çfarë është, por t’a shijojë atë. Në këtë ekspozitë të re vetjake, Kreshnik Xhiku eksploron midis figuratives dhe abstraktes në kufijtë që i bashkojnë ato.

Duke përdorur drurin dhe metalin, here-herë edhe tekstile – shoqëruar me ngjyra – Xhiku krijon forma strukturore, ku duket qartë dora e artistit; druri, për skulptorin Xhiku, përfaqëson ngrohtësinë dhe shërben si kundër-peshë ndaj ftohtësisë së metalit. Druri, gjithashtu, është një element lidhës me vendlindjen e skulptorit, që ri-zgjon ndjenja që nga koha e fëmijërisë kur druri ishte elementi kryesor ngrohës.

Dhe kjo mënyrë të shprehuri e afron shikuesin, sjell rezultat – sepse krijon harmoni mes fantazisë dhe formës, pa humbur veçoritë e secilës. Me ketë, skulptori Xhiku tregon se shprehja është sa e qartë aq edhe e perhumbur dhe se për të shprehurit nuk ka mënyra fikse. Abstraktja i jep mundësi artistit të dalë jashtë standarteve kufizuese.

Në fillim të shekullit të XX, shumë skulptorë i shtynë kufijtë e mënyrës shprehese të artit te tyre. Ata “tradhëtuan” botën e dukshme në favor të abstraktes, duke argumentuar se thelbi i një forme a sendi është jo në sipërfaqe dhe se thelbi është e vërteta. Këta artistë u quajtën avangardë dhe i vunë vetes si qëllimim jo të riprodhonin botën siç e shihnin, por të eksperimentonin në formën e saj. Që nga ajo kohë, skulptura abstrakte ka ofruar truall për eksperimente të tilla në formë, përmasë, dhe teknikë, duke u shkëputur nga metodat tradicionale.

Xhiku e sheh procesin e tij krijues si një vazhdimesi në ngritje, progres, ku çdo vepër ndikon tjetrën, duke i bërë ato pjesë të së njëjtës përpjekje. Si instruktor dhe profesor i vizatimit dhe skulpturës në shkollen e Lidhjes se Arteve në Aleksandria për më shumë se një dekadë, Xhiku ka ndarë përvojën dhe vizionin e tij krijues duke ndihmuar e frymëzuar shumë artistë të rinj. Karrierën si artist, Kreshnik Xhiku e ka filluar që në Shqiperi, si i diplomuar e më pas profesor në Akademinë e Arteve ne Tirane.

Ambasadoi i Shqipërsië në SHBA, Gilbert Galanxhi, i pranishëm në ekspozitë, i tha Zërit të Amerikës se veprimtaria artistike e Kreshnik Xhikut i bën shqiptarët në Amerikëtë ndjehen krenarë me artin dhe kulturën e tyre. Ndërsa kolegu i skulptorit Xhiku, Vasil Rrokaj, kishte udhëtuar 6 orë me makinë nga shteti Kenektikat, për të parë këtë ekspozitë.

Në Amerikë, atë e thërrasin “Nik” Xhiku. Punimet e tij janë ekspozuar në shumë vende në Evropë e SHBA. Skulpturat e Kreshnikut zbukurojnë sot parqe e hapësira publike. Përveç skulpturës abstrakte, pasioni i Nik Xhikut është skulptura monumentale. Ndër veprat e tij përfshihen shtatorja e Skënderbeut mbi kalë në sheshin e kishës katolike shqiptare të Shën Palit në Michigan; ajo e Nënë Terezës në një park publik në Ohajo, shtatorja e Ahmet Zogut në Tiranë; apo busti i Skënderbeut në Londër. Dora e këtij skulptori shqiptar ka lënë gjurmët e veta edhe në Memorialin që Amerika ngriti para disa viteve për të rënët e saj në Luftën e Dytë Botërore.

Filed Under: Kulture Tagged With: Aleksandria, Astrit Lulushi, ekspozite, Kreshnik Xhiku

DY FJALË PËR EKSPOZITËN E PIKTORIT VLONJAT KRISTAQ PAVLI

September 9, 2013 by dgreca

Nga Vaso PATA &Albert HABAZAJ/

Është i njohur dhe i lakuar pozitivisht dhe, jo pak herë zilishëm, grupimi i piktorëve me banim dhe aktivitet për një kohë të gjatë në qytetin e Vlorës. Arti i bukur dhe original, që ata kanë krijuar dhe është pëlqyer edhe në shkallë kombëtare e deri në përmasa europiane a ndërkontinentale, u quaj Shkolla Vlonjate e Pikturës, ku spikatën individualitete krijuese si Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi, Ilmi Bani, Agron Dine etj., deri te brezi më i ri me protagonistë Agim Sulaj, Artan Shabani etj. Pioneri i pikturës së krijuar në Vlorë e çau përtej mjegullës së kohës së pasme është i paharruari Vasil Talo, që bëri pagëzimin e emrit të shkollës së pikturës me emër në Vlorë. Në këtë mjedis të mrekullueshëm, mbushej edhe frymëmarrja artistike e piktorit Kristaq Pavli, me origjinë nga Vunoi, i cili formohej e plotësohet në vijimësi, duke evidentuar kështu profilin e tij romantik, si punëtor i palodhur e i përkushtuar i penelit. Pikturon bukur me bojëra uji, ndërsa nuk ka hapësirë të qytetit dhe të rrethit Vlorës që s’ka shkelur. Pamjet nga natyra vijnë nëpërmjet peizazheve të admirueshme, që nga pikturat mbresëlënëe me shtëpi karakteristike të Vunoit, Narta, Zvërneci, dhjetra “det”, “Ura e Bratit” Mozaiku stinor dhe gjeografik i Vlorës është shndërruar natyrshëm dhe bukur në art nga piktori K. Pavli. I lindur në Vlorë, në vitin 1954, Pavli ka mbaruar liceun artistik në Tiranë në vitin 1974 dhe sot vazhdon aktivitetin e tij krijues në STUDIO ART, Vlorë. Ka qenë pjesëmarrës në ekspozita lokale dhe kombëtare dhe është në kontakt korrekt me këto veprimtari. Punimet e tij ndodhen të ekspozuara në galerinë  e artit të qytetit, si dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Pak kohë më parë, piktori Kristaq Pavli organizoi, në hollin e teatrit “Petro Marko” të Vlorës, ekspozitën e tij të 11- të.

Autori ka zgjedhur të paraqitet para publikut, kryesisht me peizazhe. Gjithsesi, ky lloj kufizimi në gjini, kompensohet nga larmia e teknikave (punime në vaj, akuarele, grafika), motiveve dhe ngjyrave.

Piktori Kristaq Pavli, qoftë nga motivet e zgjedhura, teknikat e përdorura apo stili i tij, ka ndikime të ndërsjellta me stilet e piktorëve të tjerë të qytetit të Vlorës.

Mesazhet që ato mbartin e përcjellin janë të drejtpërdrejta, lehtësisht të kapshme dhe domethënëse.

Akuarelet përbëjnë një nga pikat e forta të piktorit. Kam patur rastin dhe fatin e mirë të njihem me disa nga punët e hershme të autorit. Ndonëse me ngjyra të kursyera, më sjellin kënaqësi edhe sot e kësaj dite. Me kalimin e viteve arti bëhet më i pjekur, teknika më e përsosur, motivet më të përpunuara, ngjyrat më të gjalla dhe gjithnjë, duke ruajtur freskinë dhe naivitetin e viteve të para. Piktori, është e natyrshme, e ka mjaft përzemër fshatin e tij të lindjes, prandaj Vunoi është i pranishëm në një pjesë të mirë të punëve. Punët paraqesin copëza të pejzazhit që rrethon fshatin. Një pjesë deti, midis dy shkëmbinjve, një punë kjo mjaft e mirë artistikisht, rrugica të ngushta e të pjerrëta, godina karakteristike me vlera dokumentare dhe historike. Akuarelet janë të këndshme¸ plot dritë, ku pothuaj preket hapësira, ndihet ajri dhe është e pranishme lëvizja. Ato të çlodhin sytë, të kënaqin shpirtin e madje të bëjnë të meditosh. Është mëse e natyrshme, sepse mbresat që provon shikuesi i ka përjetuar më parë vetë artisti. Lidhjet e artistit me natyrën, kur ato janë realizuar e pasqyruar me nivel artistik, përcillen lehtësisht e natyrshëm tek artdashësi. Ky i fundit e ka më të thjeshtë të kapë e të zbërthejë mesazhet e veprës.

Punimet në vaj, të përmasave mesatare, vërehet se mund të ndahen në dy grupe. Pjesa më e madhe e tyre kanë një vizatim më pranë realitetit. Vijat, linjat, konturet janë të qarta e më të lakuara, format më të dallueshme. Ngjyrat aspak të kursyera me tone spektrale të pastra, kalojnë gradualisht tek njëra – tjetra.

Në pjesën më të vogël të punëve, vizatimi nuk luan rolin kryesor. Shumë detaje vetëm sa skicohen lehtë. Vijat dhe dritëhijet nuk kanë përvijime të qarta dhe, duke u ndarë e duke u shkrirë, kalojnë tek njëra – tjetra, ashtu siç i sheh syri në natyrë. Në këto punë, ngjyrat marrin përsipër të plotësojnë vizatimin. Penelatat duken shkoqur, ngjyrat janë të pastra, të papërziera, pranë njëra tjetrës, ka kalime të shkallëzuara nuancash.

Besoj se nuk ka piktor vlonjat, që në motivet e veta të parapëlqyera, të mos ketë detin. Vlora ka shumë simbole (bëhet fjalë gjithnjë për peizazhe) Llogaraja dhe “Pisha flamur”, Tuneli, Manastiri në mes të lagunës të Nartës, Kanina etj etj, por mbi të gjitha këto, deti. Këtij “kurthi” nuk kishte sesi t’i shpëtonte piktori Kristaq Pavli.

Në ekspozitë deti paraqitet në të gjitha pamjet e tij. Deti Jon, i thellë, blu, pranë brigjeve shkëmbore, pasohet nga një perëndim, ku Manastiri rrethohet nga laguna e cekët e Nartës. Më tej një det i shkumëzuar, nën një qiell të hirtë kontraston me një det më të përmbajtur, me ngjyra më gazmore. Një det tjetër të jep ndjesinë e freskisë mëngjesore, ndërsa më tej, e gjen veten të çlodhur, duke soditur perëndimin mbi një det të qetë.

Punimet pasqyrojnë më së miri aftësitë profesionale të artistit, gjendjen emocionale dhe raportet e tij me natyrën, mënyrën si ai e shikon, e koncepton, e shijon dhe e pasqyron atë.

Gjithsesi, artisti eksperimenton, por kurrsesi, nuk imiton.

Dëshirojmë t’i mbyllim këto pak mbresa me një thënie, që piktori Pavli e ka si lajtmotiv: “Më pëlqen të bëj pjesë në radhët e artistëve, që me penelin tim, t’i shërbej sadopak misionit fisnik të artit”.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, ekspozite, Kristaq Pavli, Vaso Pata

“MOS ME SHIKO ME PERBUZJE”!

February 4, 2013 by dgreca

Një ekspozitë e suksesshme e artistëve nga Kosova në Bukuresht/

 Nga Baki Ymeri/

Aleksi nga Vlora, Luan Topçiu nga Poradeci (ministër-këshilltar i ambasadës sonë në Bukuresht, një thesar i pashtershëm i kulturës artistike dhe letrare shqiptare), Ambasadori Sami Shiba, miku i madh i shqiptarëve, Zoti Gjergj Bukura, dhe Xhemajl Mustafa nga Sllatina e Vitisë, na ftuan më 25 janar për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës së fotografive me titull “Mos më shiko me përbuzje”, e realizuar nga fotografi Artan Korenica në bashkëveprim me producentet Blerta Bashollin dhe Armond Morinën, në Muzeun e Fshatarit Rumun në Bukuresht, në një godinë të vjetër impozante që gjendet përballë selisë së Qeverisë. Në sallë një numër impresionues pjesëmarrësish dhe massmedia rumune, pjestarë të komunitetit shqiptar dhe dashamirë të mëdhenj të Shqipërisë.

Ekspozita respektive përfshin gjithsejt 40 fotografi të komuniteteve rome, egjiptiane dhe ashkali nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Fotografi Artan Korenica filloi realizimin e projektit qysh një vit më parë, i inspiruar nga ngjarje të vërteta të diskriminimit të komuniteteve të lartëpërmendura. Ai ndjeu obligim që përmes punës së tij artistike të bëjë një hap të vogël kundër diskriminimit të njerëzve. Ekspozita qëndroi e hapur prej 25 janar 2013 deri më 1 shkurt 2013, e prezantuar në massmedian dhe televizionin e Bukureshtit. Përveç shoqatave të pavarura, kulturore, tregtare e turistike, shpresojmë se Ministritë e Republikës së Kosovës do të ndërlidhen drejtëpërsëdrejti me autoritetet rumune, që në ardhmëri të organizohen edhe ekspozita tjera, lansime librash dhe afirmimi i kulturës shqiptare në Rumani dhe i asaj rumune në Kosovë.

Zonja Blerta Basholli shprehu dëshirën dhe shpresën që shteti rumun ta njohë Kosovën. Shtypi i Bukureshtit i dha një publicitet të denjë kësaj ekspozite, duke e cilësuar si një eveniment të shkëlqyer, ku artisti ka arritur të kapë të gjitha përrallat që ëndërronte të na i rrëfejë përmes fotografive. Artan Korenica u lind në Gjakovë (1978), filloi të punojë si fotograf qysh ne shkollen e mesme, dhe pasi u vendos në Prishtinë (2000), u pregadit profesionalisht në fushë të fotografisë, duke realizuar disa filme, reportazhe dhe videoklipe, kohëve të fundit duke vepruar në linjën Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën a hapjes, Zonja Blerta Basholli theksoi me fjalë të tjera faktin se takimet e këtilla që reflektojnë art, kulturë dhe miqësi, janë të domosdoshme për ta njohur njëri-tjetrin, para takimeve ndërshtetërore dhe njohjes zyrtare të Kosovës. Këtë manifestim e nderoi edhe prezenca e liderit historik të komunitetit shqiptar të këtij vendi, Dr. Xhelku Maksuti, si dhe përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare që kanë respekt ndaj gjithë shqiptarëve, ngado që janë.

Vlen të përmendet fakti se British Council në Prishtinë, Ambasada e Norvegjisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës kanë përkrahur projektin dhe hapjen e kësaj ekspozite në Rumani, Në kuadër të kësaj përkrahjeje, ekspozita respektive do të hapet edhe në dy vende të tjera, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, përkatësisht në Greqi dhe Bosnjë. Realizimi i projektit “Mos më shiko me perbuzje”, fillimisht eshte mundesuar nga SOROS ne Kosove, Departamenti i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe Fondacionet per Shoqeri te Hapur – Me kontributin e Programit per kulture dhe art te Budapestit.

Me këtë rast u shpërndanë ekzemplarë të revistave Shqiptari dhe Kosova, të botuara përmes përkrahjes së Ministrive të Diasporës dhe asaj të Kulturës, që funksionojnë pranë Qeverisë së Kosovës. Kontribut të veçantë për mikpritjen e mysafirëve tanë, përveç sponsorëve dhe diplomatëve tanë, dha edhe Xhemal Mustafa me origjinë nga Kosova, që banon në zonën Bëneasa, atje ku dikurë delnin në piknik boboshtarët dhe drenovarët me Asdrenin në ballë, pronar i një kafeneje impozante me fotografi të Gjergj Kastriotit dhe Nënës Terezë, bashkëshortja e të cilit është femra e parë rumune që ka vizituar kompleksin e Adem Jasharit në Kosovë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: artstre nga Kosova, Baki Ymeri, Bukuresht, ekspozite

EKSPOZITE PER 100 VJETORIN E PAVARESISE SE SHQIPERISE NE GALWAY, IRLANDE

December 2, 2012 by dgreca

Në 23 Nëntor 2012 në bashkinë e qytetit Galway të Irlandës u hap ekspozita fotografike “100 Vjet Pavarësi e Shqipërisë”. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë komuniteti shqiptar në Galway dhe miq e të ftuar irlandezë.

Hapjen zyrtare të kësaj ceremonie e bëri Z. James Harrold, drejtor i Kulturës dhe Artit pranë Bashkisë së Galway. Në fjalën e tij ai shprehu falënderimet e tij të sinqerta për Ambasadën Shqiptare në Londër për dhurimin e këtyre fotografive që mundësuan hapjen e ekspozitës dhe prezantoi disa momente të historisë së Shqipërisë dhe ngjashmërinë e saj me historinë e Irlandës. Ai falenderoi gjithashtu edhe z. Ndrek Gjini, asistent i artit në drejtorinë e trashëgimisë kulturore pranë kësaj bashkie.

Me pas Nënkryetari i Parlamentit të Irlandës, deputeti Michael Kitt i pranishem në këtë ekspozitë në fjalën e tij u ndal në rrënjët Kelto-Shqiptare si dhe në perspektivën e marrëdhënjeve shumë të mira midis dy vendeve. Anëtari i bordit të drejtorëve të shoqatës “Miqtë Irlandezë të Shqipërisë ” z. Samir Beganji prezantoi historinë e Shqipërisë dhe veprimtaritë festive të organizuara me rastin e festës së Pavarësisë si dhe falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Nënkryetari i bashkise Fank Fahy vuri në dukje kontributin e vyer të shqiptarëve në qytetin Galway.

Në këtë ceremoni përshëndeti edhe doktor Jack McCann President i Shoqatës, Miqtë Irlandezë të Shqipërisë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur një muaj. Drejtori i trashëgimisë kulturore të kësaj bashkie Dr. Jim Hiins propozoi që kjo ekspozitë të hapet më pas edhe në qytete të tjera të Irlandës.

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozite, ne Irlande, per 100 vjetorin, per Shqiperine

32 PIKTORËVE NE EKSPOZITE NË VLORË

November 22, 2012 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/

32 piktorë vlonjatë dhe nga rrethe të tjera të vendit morën pjesë në një ekspozitë të arteve pamore, që u çel në hollin e Teatrit “Petro Marko”, organizuar nga Bashkia Vlorë në kuadrin e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Në këtë ekspozitë u përfshinë 50 punime, peizazhe, kompozime e portrete, krijime të muajve të fundit. Autorët e ekspozitës sollën punimet etyre më të realizura.

Mes tyre, evidentohej përfaqësimi i piktorëve të njohur, Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi, Ilmi Bani e Agron Dine, si dhe më të rinjve, Xhorxhi Talo e Edi Kojani. Po ashtu, merrnin pjesë me punimet e tyre edhe piktorë nga qytete të tjera të vendit, mes të cilëve, Agron Polovina e Ikbale Kalaja. ndërkohë, përfaqësohej me një foto të tij edhe fotografi dhe studiuesi, Qerim Vrioni arkitekti Arben Meksi. Cdo të thotë një ekspo në prag të ngjrejs madhore të kombit: piktori Xhorxhi Talo: çelja e ekspozitës, është një përpjekje serioze për të konsoliduar përpjekjet e piktorëve vlonjatë, për ruajtjen e vlerave të krijuara në dekada në gjininë e pictures.Piktorët Skënder Kamberi dhe Ilmi Bani, :çelja e ekspozitës, është një nismë shumë e mirë dhe një angazhim i përpbashkët i të gjithë piktorëve, për të pasuruar jetën shpirtërore në qytet. Ata vlerësuan pjesëmarrjen e piktorëve me kontribut dhe standarde të spikatura, në krijimtarinë e tyre.

Shkolla e pikturës vlonjate

Rrëfimi Agron Dines :Kam pasur një pikturë në dorë me trio polifonike dhe më ngjet se erdhi pikërisht kështu edhe trio e pikturës vlonjate.Skënderi ekspresiv, Nestori poetik, mes tyre bëra vend.Bërthamëzat e kësaj shkolle kanë një ngjizje.2 piktorë, përveç elementit kohë bënë art të vërtetë në kuptimin e mirëfilltë.Skënder Kamberi me kompozimet më tepër ishte ekspresiv.Nestor Jonuzi ishte poetik.Kur erdha në Vlorë, aty nga ‘73, njoha këtë rrugë të këtyre dy pikorëve vlonjatë.Tek Skënderi dallova në kompozime se ai vetë hynte në tablo. Kurse Nestori qëndronte në mënyrë klasike larg tek kompozimi. Ky i fundit i ndërtonte me klasiken, figura e tij ishte tre herë larg.Kështu disa tablo si”Bramyshja,”, ”Gëzimi i fitores”, kurse Skënderi tek “Greva e bukës” dhe ”Vrana Konti” thyente rregullat.Te ‘Vrana Konti” ai kishte shkuar përtej tyre, të gjitha figurantët në këmbë, të gjithë drejtë, ose tek “Ndihma e shokut”.Nestori, “Zgjim aksionist”, ”Zgjim i fitores”, këto ishin më poetike, më lirike.Shfaqet Agim Sulaj, një peisazhist, me një frymë skrupuloze, Zihni Veshi, Edi Kojani, Ovenaz Rrapi, Zamira Xhafa, Agron Jakupi.Por brenda shkollës së vërtetë përfshihen edhe dy piktorë të njohur Rakip Shabani dhe Sabaudin Xhaferi.Ashtu siç zgjohet nga gjumi, muza e poetit në ekspozitat tona kishim, adhuruesit tanë, Nestori të tijtë, Skënderi gjithashtu, unë.Shkolla vlonjate me rreth 10 piktorë mbajti një periudhë kohe, një befasi për pikturën.U bë qyteti epiqendër i ekspozitave.

Se çfarë ishte kjo shkollë, Ober Rube, kryetar i Lidhjes së Artistëve Austriakë, në ditën e inagurimit të galerisë tha:”Përse nuk më keni prurë në parë këtu?

Ditët e pikturës vlonjate

Ka tre vjet që  nën kujdesin e arkitektit Piro Stefa mbahen në qytetin Vlorës edicionet e pervitshme të pikturës me pjesmarrës piktorët vendas si dhe nga qytetet dhe nga trojet  mbarëshqiptare.Këto edicione zgjasin disa ditë në përfundim të të cilave piktorët sjellin krijimet e tyre në gjinin e pikturës.

Filed Under: Kulture Tagged With: 32 piktore, ekspozite, Gezim Llojdia, ne Vlore

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT