• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për ata që do t’mërziten pa praninë fizike të Dr. Shaqir Shehut….

November 21, 2020 by dgreca

Shkruan:Dr Zekri Palushi, Australi/

Fillimisht më duhet ti kërkoj falje familjes së Shaqirit, njerëzve të tij të afërt, far-e-fisit, miqëve, shokëve, kolegëve, stafit të infermjereve,-si dhe pacjentëve të tij të shumtë, për pa-aftësinë time, për t’gjetë ato fjalë të përshtatshme, që do t’ju jepnin za mendimeve dhe emocioneve të brendshme që po përjetoj gjatë shkrimit të ktyre rreshtave.

Shaqiri, mund të ketë qenë nga doktorët e pakët që ushtrimin profesional te tij, e mbështetse në parimin Hippocratic ‘S’pari mos  damto’, – parim me një domethanje të madhe, por që fatkeqësisht, çdo ditë e ma shumë, po ç’vleftësohet nga burokratët politiko-shëndetësor, të përkrahur nga disa doktorë, që për hir të kolegjialitetit, dhe në emër të “ruajtjes së shëndetit të popullit, nga COVID-19”, -po justifikojnë  krimet kundra njerëzimit.

Jemi njoft me Shaqir Shehun, në vitin 1968, -kur studjonim në Shkollën e Mesme Mjekësore ‘Jani Minga’ në Vlorë, – që nga ajo kohë, -megjithse në distanca të mdha,- ne s’jemi nda kurrë ma me njani-tjetrin. 

Shaqiri gzonte një personalitet tepër t’veçantë, dhe ruante në vete-vehte, vlerat ma të larta morale e njerëzore, të mësuara nga familja e tij fisnike, – veçanërisht nga baba i tij, Sadik Shehu, -apo ‘La-Dik’, -siç e thërriste Shaqiri.

M’kujtohen mirë, vitet kur Shaqiri mbaroj studimet në Fakultetin e Mjekësisë, dhe u emrue të punojë në fshatrat e thella të Topojanit, -ku gjatë asaj periudhe pati edhe orteqe bore, ku humbën edhe jetë njerëzish, Shaqiri aty u ba shpresa e vetme e asaj popullsie,-ndihmoj me mish-e-me-shpirt sa mundi e kë mundi, ndigjoj dhimbjet e asaj popullsie dhe u ba pjestar  familje në sejcilën shtëpi. Këta njerëz të mirë, e ndoqën, e nuk ju ndanë ktij njeriu-doktor, edhe kur ky ushtronte profesionin e ortopedisë, në spitalin e Kukësit, e ma vonë edhe në Tiranë e Durrës. Janë të rrallë ata doktorë, që punojnë me një ndërgjegje profesionale e njerëzore të atij niveli, kur seicili prej pacjentve ndjehet i privilegjuar.

Duke përfituar nga shoqëria e ngushtë që kisha me të,-arrita të organizoj konsulta ortopedike për pacjentët e mij, në Fushë-Arrëz, -ku Shaqiri vinte vullnetarisht, me qjith qejf, një herë në muaj. Kjo ishte një ndihmë e madhe për në atë kohë, kur rrethi I Pukës s’kishte një specialist ortoped.

Për një kohë, Shaqiri ishte edhe Shefi I Shëndetësisë së rrethit të Kukësit, -por kurrë se përdori sistemin e Luftës së Klasave, -ai trajtoj dhe ndihmoi personelin mjekësore, sipas meritave dhe aftësive personale, -me ndërhyrjet e shumta dhe kambënguljet e tij, shumë prej kolegëve shkuan në specializime të ndryshme. 

Gjatë luftës Serbo-Kosovare, -Shaqiri pati një rol vullnetar, por tepër aktiv, -ai u dha ndihmën e parë mjekësore dhjetra, qindra luftëtarve të UÇK-së, -dedikoj shumë kohë për to, -I ndoqi ato pa u lodhur e kudo -në kushte dhe terrene t’vështira, n’shi e borë, male-n’male,-ku shpesh vuni edhe jetën e tij në rrezik. Këto kontribute të jasht-zakonshme, ja njofti ç’do Kosovar, që e banë mik t’përhershëm, duke e konkretizue këtë me titullin e dhënë: ‘Qytetar Nderi’.

Shaqiri me një dhimbje të madhe më tregonte gjithmonë, për këtë luftë t’përgjakshme, që i kishte mbetë në mendje,-më tregonte edhe episod nga ma të ndryshmet, -por që i kishte mbetur në mendje, për dy arsye, ishte rasti i një djali 8 vjeçar, -t’cilit i kishte plasë një granatë në dorë,- ndërkohë që Shaqiri po mundohej të ri-konstruktonte sado pak atë dorë të vogël e t’shkatrrueme, -një person i afrohet duke e prezantue vehten si Dr Willard Noyes,-ky kishte qenë një kirurg Amerikan që kishte ardhë për t’ndihmue luftëtarët Kosovar, në luftën e tyre për pamvarësi. Ky mjek fisnik Amerikan, ndihmoj Shaqirin në përpjekjet e tij, jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë-e-shumë raste të tjera, -duke mbetë miq t’përjetshëm.

 Pas fitores së pamvarësisë së Kosovës, edhe kirurgut Amerikan, Dr Willard Noyes,-gjithmonë i shoqëruar nga Shaqiri, ju dha titulli ‘Qytetar Nderi’ i Qarkut të Kukësit.  

Po aq mirë,- me ndërgjegje të lartë, drejtësi e ndershmëri, – për disa vite, Shaqiri bani edhe detyrën e ngarkuar të Prefektit, për Qarkun e Kukësit dhe Tropojës, -për t’cilën Kuksianët e Tropojanët e kanë respektuar e vlerësuar gjithmonë si njeri ‘korrekt, i drejtë e me dinjitet burrnor’,-e kështu ky njeri I mirë, do t’mbahet mend gjithmonë.

Pata rastin fatlum, që rreth 18 muaj më parë, të shifeshim në Australi, e t’kalonim 3 javë të shkurta, me Shaqirin dhe bashkshorten e tij të urtë, fjalë-pak, e fisnike Dhuratën, -një çift i mrekullueshëm,- me profesione të ndryshme, por shumë afër në karaktere e vyrtyte. 

Ato me kishin sjellë si dhuratë kangët patriotike të Ilir Shaqirit, (të cilin Shaqiri e adhuronte),- një hartë n’reljev të Kosovës, të “qendisur” me gurët e Trepçës, si dhe një shishe konjaku, ‘Stone Castle’, t’prodhuar në Rahovec,-këto dhurata do të mbeten pergjithmonë  reliket ma te shtrejnta, n’shtëpinë time.

Tre javë, nuk ishin t’mjaftueshme për të sjellë kujtimet në bisedat tona t’pa fundme, admirimi për patriotizmin, ilustrimet e bisedave me thënie nga dietarë, shkrimtarë dhe filozofë antikë e modern si dhe citimet e herë-pas-herëshme të novelistit Anglez, George Orwell, (që njihet kryesisht për opozicionin e tij ndaj totalitarizmit), ma shtuan edhe ma tepër respektin dhe admirimin për këtë njeri të mirë, të ditur, e humanist.

Shaqiri më tregonte për vështirsitë që kishte hasur në profesionin e tij, si doktor ortoped, -ku jo rrallë, i ishte dashur të skiconte vegla të ndryshme orthopedike, e që pastaj, shokë e miq  tornitorë, ia prodhonin në mënyrë artizanale në ofiçina të ndryshme, për ti përdorur në sallën e operacionit.

Falë talentit të tij artistik të jashtzakonshëm, -Shaqiri vizatonte me precizion, pjesët anatomike të trupit të njeriut, të cilat pastaj i përdorte për memorizim e ilustrime shpjeguese për kolegët, dhe pacjentët, për procedurat e ndryshme kirurgjikale që do të ndërmerrte.

 Ai kishte një admirim t’veçantë për natyrën, dhe ngjyrat e stinëve, -dëshironte të komentonte edhe për një lule, e ngjyrat e sajë, edhe për një pemë, gjethet, e formën e sajë, edhe për një zog, e cicërimat e tij.

Ai ishte mjaft i vëmendshëm në biseda, dhe kurrë nuk nënvleftsonte njerëzit e çdo niveli qofshin. Besonte në t’vërtetën, ndershmërinë, dhe vlerat njerëzore, -dhe jo rrallë, sakrifikonte jetën e tij familjare, për t’ju gjetur gjithkujt, në kohë t’vështira.

Siç shkrova edhe n’fillim, asht tepër e vështirë që t’konkretizoj me fjalë, ato ç’far ndjej në shpirt,-por një gja kurrë s’do ta harroj, kur në një bisedë telefonike (me kamera),shoku im i ngushtë, nën maskën e oksigjenit më shqiptoj fjalët ‘T’kam vlla o Zekri’, -dhe rreth 10 ditë ma vonë, -djali I tij, -fisniku I ri, Toni, me njoftoj me një tekst nga Stambolli….”  Xhaxhi Zekri, me hidhërim të thellë ju njoftoj që Babi nuk jeton ma”,…. 

Në kët rast edhe unë s’gjej fjalë për t’vazhdue ma tepër, por e di, se si unë edhe ju,- njerëzit e Shaqirit, e kushdo tjetër, në Shqipëri e Kosovë, që ka njoft kët njeri, do t’shkojmë për të fjetë me Shaqirin në zemër, e do të zgjohemi në mëngjez me Shaqirin n’mendimet tona t’perditëshme. 

Lamtumirë o Shaqir Shehu!

Ngushllimë për ju të gjithë, 

Dr Zekri Palushi, Australi, 21/11/2020

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Zekri Palushi, DR.Shaqir Shehu, elegji

ELEGJI PER BREZIN TIM(3)

February 26, 2020 by dgreca

“…Nga luftërat vijmë, në luftëra shkojmë…”

  Ismail  Kadare/*

 Që nga stina e ëndrrave të viteve të para nëntëdhjetë, të kulmuara me shprehjen e famshme të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Beker, të shqiptuar para mitingut më të madh të zhvilluar ndonjëherë në tokën shqiptare, në verën e vitit 1991, “Liria jep rezultate” dhe nihilizmit të pjesës dërmuese të shqiptarëve që, në përqindje shumë të larta janë gati të mërgojnë nga vëndlindja sot, kanë kaluar rreth tridhjetë vite. Kjo duhet të kishte qënë periudha më fatlume e gjithë historisë shqiptare. Tridhjetë vite në jetën e një populli janë një grimcë në raport me përjetësinë, por janë më se të mjaftueshme për të ndërtuar një shtet, në të cilin qytetarët të kenë dëshirë të jetojnë. Tridhjetë vite qenë të mjaftueshme për të ndërtuar shoqërinë e mirëqënies në Evropën perëndimore, mbas luftës më shkatrrimtare në historinë e njerëzimit. Po aq patën në dispozicion Vëndet e Evropës ish komuniste për t’i u afruar standarteve të perëndimit, mbas shëmbjes së komunizmit. Tridhjetë vite mjaftuan edhe për ne shqiptarët, që nga Shpallja e Pavarësisë deri në vitin 1944, për të ndërtuar një Shtet që i jepte shpresë qytetarëve të tij, të cilët mbaronin universitetet evropiane e ktheheshin me dëshirë në Mbretërinë shqiptare, për t’a çuar përpara atë në rrugën e zhvillimit. Madje nuk duhet të harrojmë se në këto vite shqiptare ishin përfshirë dy luftëra botërore. Për të shpjeguar arsyet e dështimit katastrofal të pas komunizmit në Shqipëri duhen vëllime e nuk mjaftojnë rrjeshtat e këtij shkrimi, por është e qartë si drita e diellit se në këto vite ka munguar drejtimi i duhur. Nuk ka asnjë alibi klasa politike shqiptare që të mund të ligjësojë mangësitë e saj të theksuara në udhëheqjen e këtij populli. Madje edhe pingpongu i lënies së përgjegjësive kundërshtarit bashkëpuntor politik është një lojë e dalë bojet dhe aspak e besueshme për qytetarët e këtij Vendi. Në nënëvetëdijen e këtyre të fundit, vetiu lind një pyetje pa përgjigje: çfarë mallkimi rëndon mbi Vendin tonë që, edhe në sistemin pa diktaturë, të mos arrijë të sigurojë një jetesë të pranueshme për gjithë banorët e tij?

            Kaluan tridhjetë vjet, brezi im pothuaj se e ka mbyllur rrethin e tij jetësor veprues. Në jetën shqiptare është ngjitur një brez tjetër e problemet e pazgjidhura të Shqipërisë vazhdojnë të kalohen nga një brez tek tjetri, nga ne tek ata. Dikur ishte triskëtimi e racionimi i ushqimeve, sot ato i kemi me tepricë nëpër dyqane, por rrogat dhe pensionet e ulta vazhdojnë të nxjerrin në pah përsëri varfërinë. Shqipëria e sotme nuk është e njëtrajtëshme në varfërinë e saj. Në trupin e saj gjinden pasuri marramendëse, kulla shumëkatëshe që “therin qiellin”, do t’ishte shprehur Migjeni i ynë, që hahen me të ngjajshmet e tyre në botën e madhe, hotele me shumë yje që nuk paguajnë as taksa, maqina të kushtueshme, vila luksoze, qytetarë që pushojnë në vendet më të shtrenjta të botës. Shqipëria ka ndryshuar ngjyrat e saj: në vend të grisë së errët që mbante në gjysmë shekullin e regjimit, ajo është bërë e larmishme, ka fituar ngjyrat e ylberit.

            Me shumë vështirësi janë marrë aty këtu pasuritë e trashëguara, por ato të rejat i kanë kthyer faqen Vendit. Pasuri të reja, të pashpjegueshme me sasinë e njohur të të ardhurave të pronarëve të tyre, por pasuri të vërteta, që kanë krijuar një barazpeshë të re, të cilën Vendi e kishte harruar prej shumë kohësh. Përsëritet në përmasa e shprehi bashkëkohore gjithshka që në historinë e gjatë të këtij populli ishte shfaqur në aristokracitë princore e perandorake të lashtësisë ilire, romake, bizantine e otomane, pasuritë e kastave drejtuese që majmeshin nëpërmjet të shumë burimeve, që për kohën e tyre quheshin të ligjëshme. Vinin nga luftërat, nga plaçka e tyre, nga skllevërit, nga taksat, nga dhuratat e të fuqishmëve. Tani kanë ndryshuar burimet: në shekullin 21 shfrytëzohen të tjera mundësi që rrjedhin nga pasuritë nëntokësore e mbitokësore, nga konçesionet e tyre, nga lidhja me botën. Huazohet përvoja botërore e pushteteve të errët, e organizatave të jashtëligjëshme, e tregëtimit të drogës, të armëvet, të femravet për dhjetëvjeçarë me rradhë në hundët e një shteti që nuk shqetësohet aspak, që shumë vonë bën sikur kundërvepron ndaj një dukurie që i ka rrënjët thellë, në një mendësi të rrënjosur që në kohët e para të tjetërsimit të sistemit: pasurim me çdo mjet, me çfarëdo mënyre. N’ata fillime ishin firmat piradimale që e ngulitën këtë mendësi për të fituar para pa punë, pa mundim, pa djersë. Fundi i tyre solli një rrënojë kombëtare, jo vetëm me tërmetin e madh në zemrën e shtetit, por edhe me humbjet financiare që u shkaktoi një pjese të madhe të popullsisë. N’atë rast Shteti u kthye në një grabitqar që nuk dihet se ku i çoi qindra milionë dollarë të qytetarëve, pa i lëvizur as qerpiku, edhe se i kishte premtuar se do t’u a kthente e në bazë t’atij premtimi PS fitoi edhe zgjedhjet e vitit 1997. Nëse do të jenë në lartësinë e detyrës organet e reja të Drejtësisë, të dala nga e ashtuquajtura reformë, do të duhej të fillonin hetimin pikërisht nga ajo vjedhje masive e milionë dollarësh të Vefas dhe kompanive të tjera piramidale në dëm të qytetarëve shqiptarë.    

            Por nuk ka asnjë gjasë që të vërtetohet një gjë e tillë, një vetëpadi e politikës në një periudhë të caktuar, që njihet në të gjithë përbërësit e saj, me emra e mbiemra, me ngjarje e dukuri. Reforma ka ushqyer pritshmëri, ndoshta edhe të tepruara në mjedisin shqiptar, madje ajo quhet edhe në sajë të kujdestarisë ndërkombëtare mbi të, si e vetmja shpresë për të sjellë Vendin në normalitet mbas goditjes së Vettingut mbi një pjesë të organeve të Drejtësisë. Pa mohuar rolin negativ të mjaft gjyqtarëve të korruptuar, është vështirë të besohet se Drejtësia e re do të ketë kurajën, guximin e fuqinë, për të kaluar në filtrin e saj me paanësinë e nevojshme klasën politike që ka qënë mbështetja kryesore e atyre gjyqtarëve në vite. Shëmbujt e atyre proçeseve të kryera në Kroaci apo në Rumani duhet të jenë si njësi matëse për prodhimtarinë e institucioneve tona të reja. Nga veprimet e saj të para do të duket shpejt mundësia apo mungesa e saj për të sendërtuar luftën kundër paligjshmërisë që duhet të ketë në synimin e strategjinë e saj çdo dukuri korruptive që shtrihet nga maja e Shtetit tek baza e gjërë e tij. Në të kundërt do të jemi të pranishëm në një tjetër dukuri zhgënjyese të realitetit tonë, në një tjetër shfaqje të demokraturës.

            Shqipëria e sotme është sendërtesë e brezit tim, por edhe e bijve të tij. Ndoshta ne patëm më shumë peshë në prapambetjen e saj, në mungesën e lirive e të shpresave, ndoshta u bëmë pengesë me mendësinë tonë për ecjen më të shpejtë të bijve tanë, ndoshta e ndotëm me frymën tonë dlirësinë e natyrshme të tyre, ndoshta u ndrojtëm shumë për t’u dhënë atyre vendin dhe rolin e duhur në jetën shoqërore, shtetërore, politike, kulturore ekonomike të Atdheut. Por besoj se ata duhet të na jenë mirënjohës për gjithshka bëmë ne në këto vite të kalesës për t’u dhënë mundësi atyre të studionin jo vetëm në Shqipëri por edhe n’Evropë e në botë. E bëmë këtë jo vetëm për të gjetur një ngushullim të vonë për jetën tonë të cunguar nga mungesa e lirive, për të parë të sendërtuar në jetën e tyre atë që komunizmi na e ndaloi neve t’a arrinim, por edhe për t’u vënë atyre në mbarështim bazën e nevojshme të dijes e aftësive, për të përballuar kërkesat gjithënjë e më të mprehta t’epokës së tyre. E bëmë këtë me çmimin e flijimeve të heshtura, herë herë edhe përtej mundësive tona. Shpresojmë se do t’a vlerësojnë në masën e duhur këtë përkushtim tonin, pa e quajtur si një detyrim të thjeshtë brezor.

            Në këtë prag fund jete, në të cilin kemi arritur, ndoshta ajo që do të mëtonim prej tyre, veç mirëkuptimit për mundin tonë të gjithë jetës, do të ishte sendërtimi i një Shqipërie të re, më të ndershme, më njerëzore, më fisnike, të një Vendi më afër traditës shekullore nga këndvështrimi moral, të cilën komunizmi e vrau pa mëshirë, n’emër të ideologjive të ardhura nga bota e Lindjes, duke vënë në zbatim makutërinë më të përkryer të pushtetit të dhunës. Duke kërkuar këtë sipërmarrje të madhe prej bijve tanë, që do të shënonte kthimin e dinjitetit të humbur që shfaqet çdo ditë në realitetin tonë të zymtë, në paaftësinë karakteristike për të bërë diçka të dobishme vetë, pa kërkuar gjithmonë gjykimin e përfaqësuesve të huaj, qofshin këta edhe miqtë tanë më të mirë, më duket e nevojshme të kujtoj punën e brezave para nesh. Dua t’a kujtoj veprimtarinë e tyre në dobi të Shqipërisë dhe dinjitetit të saj, jo thjesht me mallin romantik të së kaluarës e cila, si çdo epokë historike paraqet dritë hijet e saj, por me përpjekjen modeste për një vlerësim të paanshëm e nga i cili mund të merren mësime të vyera për të sotmen dhe t’ardhmen tonë.

            Ai brez i gjyshërve tanë e krijoi Shqipërinë të pavarur, mes njëmijë vështirësish, mbas gati pesë shekujsh sundimi të huaj. Ai i përballoi ato vështirësi me ndihmën e pak miqve, sepse Evropa nuk ishte n’anën e tyre, por vështronte me më shumë dashamirësi ndaj fqinjëve tanë, të cilët tokën tonë, në synimin e tyre, e kishin kthyer në një plaçkë tregu ku secili duhej të merrte pjesën e vet. Atë Vend pa shkolla, pa institucione, pa rrugë, me një analfabetizëm kronik shekullor, me një popullsi, në shumicën dërmuese të saj, të mësuar me mendësinë otomane, të kthyer në shesh lufte botërore e të pushtuar nga fuqitë ndërlufuese në gjithë territorin e saj, dalngadalë në hapësirën e tre dhjetëvjeçarëve  e ktheu në një Shtet të qëndrueshëm, me ligje e kode perëndimore, me monedhën e vet të fortë, me rritjen dhe edukimin e një shtrese të re inteligjence të nivelit evropian.

            Nuk qe një ndërmarrje e lehtë, kërkoi shumë mund e kaloi nëpërmjet një lufte t’ashpër politike e rrahje mendimesh, qe një betejë e gjatë me faktorët e jashtëm dhe mangësitë e trashëguara të brëndëshme.  U sendërtua sepse gjeti në protagonistët e jetës politike njerëz të ndershëm dhe atdhetarë, me një shtat moral e një dinjitet për t’u patur zili. Pasurinë vetiake, në shumicën dërmuese, e trashëguan nga të parët e tyre, kurse ata që hynë të varfër në politikë mbetën po aq të varfër edhe kur dolën prej saj. Luigj Gurakuqi besoj se është shëmbulli më i ndritur n’atë drejtim.

Ajo klasë politike, me gjithë mangësitë e pakta të saj, na la si trashëgim dinjitetin e saj, që ishte edhe dinjiteti i popullit të saj, prej të cilit kishte përvehtësuar vetitë më të arrira të kombësisë e të cilin rrekej t’a lartësonte nëpërmjet vënies në jetë t’atyre virtuteve e edukimit me parimet universale të qytetërimit. U bë zëdhënëse e atij dinjiteti edhe në vitet e vështira të luftës së dytë botërore, kur rrethanat dhe projektet politike e ndanë në disa pjesë të cilat, edhe se në kundërshtim me njëra tjetrën mbeteshin të bashkuar në synimin për t’i shërbyer deri në fund interesave t’Atdheut. Qe shprehja më e lartë e atij dinjiteti qëndresa me armë, edhe se e shkurtër në kohë, e atyre atdhetarëve në portin e Durrësit më 7 prill 1939, të cilën ata e përjetësuan me flijimin e jetëve të tyre.

Ata shtetarë t’asaj periudhe u bënë shprehës t’atij dinjiteti kur nuk pranuan të zbatojnë në Vendin e tyre “ligjet raciale” të shpallura nga pushtuesit italianë, kur mënjanuan nga ministritë shqiptare këshilltarët italianë, kur hoqën gjuhën italiane nga shkollat fillore shqiptare, kur hoqën simbolet e huaja nga flamuri shqiptar, kur bashkuan trojet e ndara në vitin 1913 nga trungu i Shqipërisë etnike, kur organizuan zgjedhjet e përgjithëshme në “tokat e lirueme” e mblodhën Asamblenë e vetme mbarëshqiptare në historinë bashkëkohore të këtij Vendi, një ngjarje e përafërt me Lidhjen e Prizrenit.

            Mbi të gjitha, ata u bënë flamurtarë të dinjitetit të kombit të tyre kur, në raste të përsëritura, i u përgjigjën tërthorazi kërkesave naziste për të dorëzuar hebrenjtë në kampet e çfarosjes, se ajo praktikë kriminale e jo njerëzore binte ndesh me një traditë të lashtë të popullit të tyre, atë të mikpritjes, të besës, të respektit për jabanxhiun, për fjalën e dhënë, për parimin e ndihmës kundrejt atyre që janë në nevojë, kundrejt të pambrojturve, të dobtëve…. Me qëndrimin fisnik e të guximshëm, në një nga kohët më të errta të historisë së botës moderne, ata prijës të institucioneve shqiptare t’asaj periudhe u treguan trashëgimtarë të denjë të virtuteve të popullit të tyre e këtyre të fundit i ngritën nje monument të pavdekshëm në kujtesën botërore, duke na lënë si trashëgim faqen më të ndritëshme të lavdisë së kombit tonë.

            Ai qëndrim është vite dritë larg tabllosë mjerane të politikës shqiptare sot që, për çdo veprim të saj, pret me ankth gjykimin e ambasadorëve të huaj e për çdo ngërç duhet t’i drejtohet institucioneve të tyre. Një dukuri e këtillë, shprehje paaftësie të theksuar të një klase politike në një Vend demokratik, mbetet zhgënjyese për të gjithë ata që vazhdojnë të besojnë e njëjtësohen me vlerat e përjetëshme të shqiptarëve, e na shton nderimin për brezin e gjyshërve tanë që na lanë si trashëgim një Atdhe të bashkuar e dinjitoz.

            Këto ishin disa nga arsyetimet, që më erdhën ndërmënd në atë bisedë të gjatë të përfyturuar me të njohurit e të panjohurit e asaj aradhe njerëzish, që është Brezi im. Ndofta kishte diçka të pazakontë në këtë bisedë, ndofta i vura përsipër atij të meta e gabime më shumë se ç’kishte, ndofta gjyqi i historisë nuk do të jetë kaq i ashpër, do t’i njohë dhe rrethanat lehtësuese. Do t’i njohë faktin se patëm fatin më të keq të gjithë brezave të këtij shekulli të Vendit tonë, për të jetuar nën thundrën e diktaturës më të paskrupullt, më mizore, më të pabesë që kishin njohur shqiptarët. Qemë Brezi i triskave dhe i racionimeve, nuk shijuam as fëmini, as rini, as burrëri. Fëminia na kaloi duke luajtur me topa lecke e duke dëshiruar një copë bukë më shumë sesa racjoni i përditshëm i triskës. Rinia u shkri në aksionet e pafund, në kampet e internimit e të punëve të detyruara, në kufizimet më absurde që mund të përfytyrohen. Burrëria na erdhi në një kohë që ndryshoi gjithçka, por që ne na gjeti të papregatitur për këto ndryshime.

            Çfarë ruan e ardhmja për ne, nëse do të ketë një të tillë mbas një jete ankthi e mundimesh, është vështirë të parashikohet. Ne mbetëm gjithmonë në luftë, në një luftë të gjatë e të vështirë për mbijetesë. Qe një luftë pa armë, por jo më pak mizore. Viktimat e saj qenë ëndrrat tona të varrosura, dëshirat tona të parealizuara, liria jonë e gjymtuar, vitet e të vetmes jetë të flijuara për egoizmin e pafre të kolltukofagëve. Jeta jonë qe një tribut që i duhej paguar utopive kriminale të të ashtuquajturve teoricienë të komunizmit, padijes, mungesës së skrupujve e poshtërsisë të atyre që i vunë në zbatim në Shqipëri ato teori, arkitektëve të botës së ndarë në zona ndikimi, paaftësisë së prindërve tanë për të kuptuar e shmangur rrezikun e gangrenës komuniste, paaftësisë sonë për t’a kryer me sukses operacionin e zhdukjes së saj. Dashje pa dashje ne e paguam atë tribut, nuk mundëm t’i shmangeshim. Ai qe fati ynë i hidhur, i ashpër, i pamëshirshëm. I ngjan legjendës së Sizifit…

Fund

Filed Under: Analiza Tagged With: elegji

BAJAME HOXHA(ÇELIKU) NE SOFREN E DIELLIT

February 15, 2019 by dgreca

BAJAME HOXHA (ÇELIKU)/1-Bajame-300x300

  O I SHTRENJTI IM!/

Ku je ti, o i shtrenjti im?/

s’e kam vdekur në mërgim./

Frymë marr, po gjallë s’jam,/

tretur mbetur rrugë paanë./

Nëpër udhë e tronditur,/

shpirt e zemër lemerisur./

Po më shteren mish e kockë,

në udhëkryqe nëpër botë.

Ku je ti se m’u tha fjala,

s’ka më besë, ka të palara.

Për një fjalë shpirti m’u dogj,

jeta e rëndë më përpoq.

Në mërgim m’u tha kjo zemër,

atdheu im më mbeti ëndërr.

Ku je dhimbje, ku je tmerr!

Këput shpirtin e s’ma merr.

Ngjeshur dhimbja thellë më rri,

godet thellë në timin gji.

Nga të gjithë, kam shumë frikë,

ngrihu shpirt se s’kam një mik!

Ca më shtyjnë në humnerë,

ca të tjerë të mjerë, të mjerë.

S’e nuk gjej as besë as fe,

Të betohem për kët’ dhe!

Kë mendon se e ke mik,

shpejt nxiton e t’i nxjerr sytë.

Të ngul shpatën me dy presa,

janë të dobët nga qëndresa.

Për një grosh e shet fytyrën,

për një kafe, të merr frymën.

S’paska pasur ndershmëri,

Veç mashtrues, lemeri!

Ku më le o i uruar,

Në mes turmës së tërbuar.

S’paskemi pasur miq as shokë,

Të betohem për at’ Zot!

Hipokritë dhe vrastarë,

qafën ta venë në litar.

Kudo drunj e drunj të shtrembër,

t’ kallin datën dhe në ëndërr.

Askund s’gjeta burrëri,

servilizmi s’njeh kufi.

Ku janë burrat mor aman?!

të gjithë bërë sharlatanë.

Turp kish qenë të jesh i ndershëm,

e kuptova vonë si tepër.

Në këtë botë kaq shumë me halle,

sharlatanët hedhin valle.

Ndaj po mbytem udhë ngatërruar,

Shpirt e zemër përvëluar.

Larg atdheu, e braktisur,

Më dhanë të shtymën, ca të krisur!

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, elegji, O I shtrenjti im

Sofra Poetike e Diellit”Elegji për Albert Verrinë”

August 18, 2015 by dgreca

Elegji për Albert Verrinë/
Nga Përparim Hysi/
1./
Lajmi i rëndë, buzën na qepi/
Krejt, papritur, shkoi Alberti!/
Shkoi e iku KAPEDANI/
Iku zemëroqeani./
2/
Ky, fieraku, nga “Vlora”/
Në gjithë rolet ia bën fora/
Më shumë role se sa jetë/
Por në role ishte Mbret!/
3/
I tilë ish ai në skenë/
Që i ri, u kthye legjendë!/
Sa serioz për të detyra/
Sikur kish “njëmijë fytyra?!”/
4
Se i jepte rolit shpirt
Nëpër natë seç sillte dritë
Që i ri,seç luante plakun
Po me rol zinte “buxhakun”
5
Nëpër role as që njihej
Se në role ai “fshihej”
Herë na bënte për të qeshur
Nëpër rol duke “përqeshur”.
6
Bert i dashur, si ia dole
Mbi njëqind e ca role
Dhe ti haje bukë veçan
Të mbetë”nofka” KAPEDAN!
7
Kapedan apo Soll Lili?
Kaporal Pelegrini
Jo,kështu nuk vazhdoj
Se të gjithë dot s’ i numëroj.
8
Tek shfletoj tëndin”Album”
Nëpër role zë e humb
Se më humb, o mik, mendimi
Aq i madh është pikëllimi.
9
Tani ike. Jo. S’ke ikur
Dua ta zbutë lajmin e hidhur
Përmend role që pas mbesin
Se Artistët kurrë nuk vdesin.
10
Ti dyfish do mbetesh gjallë
Se je shquar dhe si shkrimtar
Katër libra që botove
Me to vdekjen e dëbove.
11
Prehu i qetë, o miku im!
Ti je NDER për SHQIPËRINË.
Tek e mbyll, nuk ndihem mirë
S’të them dot:- Lamtumirë!

Tiranë, 18 gusht 2015

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: elegji, per Albert Verrine, perparim Hysi

ELEGJI DHE KRONIKE PËR NJERIUN E MIRË,MARASH MALI

June 30, 2014 by dgreca

Ne Foto:Marash Mali 1921-2014/
ELEGJOJ PËR NJERIUN E MIRË/

Marash Mali, tu deshën 93 vjet /
për të ardhur në ditën e fundit në Florida/
sepse çdo kush që vjen edhe ikën./

Marash Mali, të shihja me adhurim/
nuk e di binim a nuk binim kushurinj/
edhe unë e kisha gjyshen nga Shkreli./

Marash Mali, siç kishte emrin/
kishe dhe punë të mëdha/
trimërinë, dashurinë dhe dhëmbjen./

Marash Mali, ushtar i Atdheut
Prenk Calin kishe komandat
e burgjeve të diktaturës ua pe tmerrin.

Marash Maliti, udhën e jetës e pate të gjatë
urtësinë po aq të madhe, si mal
dhe dashurinë për artin të pakufi.

Tani ti shkon në amëshimin e pasosun
i qetë se na la pas çfarë deshe
dhe atë që deshe mbi gjithçka: Shqipërinë.

Kolec Traboini
30 qershor 2014

MARASH MALI
1921-2014

I lindur m 1921 në Dedaj të Shkrelit, në një familje e njohur për “vojvodë” dhe mjaft e përmëndur për burra të urtë dhe atdhetarë. Marashi, shkollimin e fillores dhe të mesmes i bëri në qytetin e Shkodrës, si jetim në Jetimoren e konviktit “Malet tona”. Ndërkohë shkon në Itali dhe kryen specializimin, në degën e Pyjeve. Në prag të kapitullimit të nazifashizmit në Shqipëri, bashkohet me katër oficerë madhorë të Malësisë Madhe, në formacionin “Beslidhja e Malësisë së Madhe” e me vullnetarët e kësaj treve kishte për qëllim mbrojtjen e krahinës pa u inkuadruar në asnjë grupim politik. Mbas kësaj, në vijim të beslidhjes, kur u krijua për të njëjtin qëllim “Batalioni Shkreli” me komandant major Dom Nikollë Gazulli, Marashi ishte kapiten i klasit parë në këtë battalion. Mbas ardhjes së komunizmit në Shqipëri, ky bashkë me Llesh Marashin etj., ka qënë njëri nga nismëtarët e kryengritjes së Malësisë Madhe, që i sollën atij edhe burgim politike. Me anë të një amnistije del në liri dhe me këtë rast punësohet si specialist pranë “Byrosë së projektimeve Shkencore Pyjore” në Ministrinë e Bujqësisë, ku falë aftësive si specialist ishte ndër të parët kontribues i rilevimit shkencor të disa ekonomive pyjore shqiptare. Krahas kësaj pune, ka debatuar me shkrime në revisten “Ylli” e gazetën “Bashkimi”, gjithmonë për problemet në mbrojtje të ekonomisë shtetërore. Ishte shumë i dhënë mbas letërsisë, historisë dhe hulumtues i aftë e me pasion i zakoneve kanunore. Vepra e tij e parë, drama historike “Gjaku i falun”, ndonëse drama është shkruar në vitin 1958 dhe vlerësuar nga autorët më në zë të asaj kohe, nuk u bë e njohur, për shkak të motiveve politike. Duke mbet gjithnjë një atdhetar shqyptar. Marashi pranohet edhe me nënshtetsi Amerikane. Bëhet edhe antari i shoqatës se shkrimtarëve shqip- amerikanë dhe shkruan një dokumentar të titulluar.“Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare”. Gjatë jetës tij në emigracion në Amerikë shkruan artikuj me vlera historike në “Revistën Kuvendi” në gazetën” Illiria”, në gazetën e Vatrës “Dielli” dhe në gazetën “Shkodra”
Librat e botuar janë “Gjaku i falun”, dramë dhe “Ngjarje historike dhe figura të shquara Shqiptare” publicistikë.

Filed Under: Kronike Tagged With: elegji, Marash Mali, nderroi jete, nga Kolec Traboini

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT