• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letër të Hapur Edi Ramës për Samitin e Diasporës

November 23, 2016 by dgreca

Z. Kryeministër Shqiponjën e Artë për Alb Info e shitët si shërbim politik/

1-edi-elida-bucpapajNga Elida BUÇPAPAJ/

I nderuar Z.Kryeministër,/

po ju shkruaj në lidhje me Samitin e Diasporës./

T’ju themi të drejtën në fillim e mirëpritëm ftesën tuaj, por duke ndjekur rrjedhën e organizimit, hoqëm dorë nga ardhja.Mosardhja binte ndesh me dëshirën tonë për të qenë aty, por refuzimi ynë ishte në kontekstin për të mos qenë pjesë e një show politik me skenar të parapërgatitur. Nuk do të vinim t’ju falenderonim por t’ju kritikonim, jo kritika personale ndaj jush, por ndaj gjithë regjimit të postdiktaturës këta 25 vjet tranzicion prej ferri, sepse shteti ka ndjekur kundër diasporës politikën e Mërgatës së Qyqeve, kur e gjithë mërgata është shqipe e gjallë, ndërsa politika shqiptare e përbërë prej qyqesh dhe qyqanësh.

Gjithsesi ideja për të mbedhur çdo vit Diasporën është i domosdoshëm dhe ju e nisët i pari këtë praktikë, që duhet përgëzuar në parim. Po ashtu prania e zotit Mark Gjonaj, edhe atyre shqiptarëve që morën pjesë.

Ne si gazetarë shqiptaro-zvceranë me një qëndrim dhe veprimtari tashmë më tepër se 20 vjeçare ne Zvicër kemi botuar herë pas here shkrime për diasporën zvicerane, të cilës shteti helvetik i jep rëndësi aq të madhe sa e quan Zvicra e Pestë, krahas Zvicrës frankofone,  gjermanofone,  italianofone dhe asaj romanche. Pra shteti zviceran e sheh diasporën si pjesë integrale të së tërës dhe natyrisht me të drejtë vote.

Zvicra e di me statistika të sakta dhe të përpikta se sa shtetas të saj jetojnë jashtë territoreve. Sipas këtyre statistikave që i përgatit Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, ku Voal është i akredituar, jashtë Konfederatës Helvetike ndodhen 746 885 zviceranë ndërsa në Shqipëri 76 syresh!

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përveçse ka detyrë që të ketë të dhëna të sakta për shtetasit e saj jashtë dhe të organizojë votimet, po ashtu drejton edhe Organizatën e Zviceranëve Jashtë – Organisation of the Swiss Abroad (OSA) që këtë vit festoi 100 vjetorin e krijimit! Po ashtu çdo vit në Zvicër, po nën drejtimin e Ministrisë së Jashtme, diaspora organizon Kongresin e saj nëpër kantone të ndryshme. Këtë verë u shënua Kongresi i 94-të i diasporës zvicerane!

Merreni me mend, Konfederata Helvetike, si shtet zyrtarisht kujdeset për shtetasit e saj jashtë prej vitit 1916. Kjo ndodh sepse këtu mbretëron shteti i së drejtës ndërsa në vendin e shqiponjave ende jo.

Diktatura i ka përndjekur shqiptarët, ndërsa postdiktatura i injoron sipas teorive të tipave si Baton Haxhiu, një ish i shitur i vjetër.  Dhe ju, i nderuar Zoti kryeministër, jeni bërë vegël e Baton Haxhiut. Dhe më vjen shumë keq. E them me sinqeritet.

Po vazhdoj me Organizatën e Zviceranëve Jashtë. E dini ju se me çfarë merret veç atyre që përmenda më sipër?

Po jua them. OSA përfaqëson në Zvicër interesat e shtetasve të saj jashtë. Përmes organizmave të saj përfshi edhe mass mediat i informon qytetarët dhe po ashtu është në shërbim të tyre, duke bashkërenduar dhe unifikuar veprimtaritë e 750 organizatave, shoqatave e institucioneve zvicerane në të gjithë botën.  Po ashtu ka edhe një revistë të saj në pesë gjuhë që e shpërndan në 190 shtete për t’iu ardhur në ndihmë gjithmonë shtetasve të saj sidomos rinisë!

E kuptoni se sa larg që jemi! Jemi 100 vite larg. Gjithsesi është mirë që e filluat, por duhej ta fillonit larg ndikimeve politike, larg skemave dhe injorancës së Hashim Thaçit, që ju përdori si të ishit nxënës i tij dhe ai mësuesi juaj. Ju e kthyet Shqipërinë krahinë të Kosovës. Hashim Thaçi është aplikuesi i metodave barbare. Ai e ka vendosur gjithë shtetin, diplomacinë dhe të gjithë shtypin për t’i injoruar dhe ekskomunikuar kundërshtarët e tij!

Duke ndjekur Ditët e Samitit të Diasporës, vura re, se të gjitha tryezat e rrumbullakta e të gjithë ata që folën ishin pjesë e ingranazheve të politikës. Por mos harroni, se sado e madhe të jetë PS në numër, me gjithë enturazhin e klientëve të saj, ajo është shumë e vogël në krahasim me numrin e shqiptarëve jashtë, qoftë parti maxhoritare, ju jeni minorancë përpara diasporës shqiptare e cila është totalisht e paorganizuar, ose ka si organizim çorganizimin prej partive në shtetin amë, Kosovë, Maqedoni etj.

Sikur e dini, Diaspora shqiptare është e integruar në Europë, SHBA, Kanada, Australi, zelandën e Re, e kudo ku gjallon, si selfmade.  Ajo jeton me djersën e ballit. Nuk është pjesë e sistemit klientelist, nepotik dhe të korruptuar që ekziston në shtetet nga vijnë. Ajo ka mbetur pjesa idealiste e kombit, sepse beson ende se edhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni ka mundësi të ndertohet shteti i së drejtës, ku të funksionojë meritokracia dhe jo shitjablerja, sepse politika shqiptare vetëm shet e ble me tentakulat e saj që arrijnë deri në diasporë.

E kam fjalën për trofeun e Shqiponjës të Artë dhënë nga shteti shqiptar portalit Albinfo, si një fait accompli e shitblerjeve, një portal, nën kostumin e një organizmi jo qeveritar, por që mbahet nga politika kosovare për të plotësuar interesat e saj të ngushta. Politika kosovare e paraqet portalin përpara shtetit zviceran se i përmbush atributet për të marrë mbështetje financiare.  Jo më kot në bordin e saj, fillimisht kur u krijua, kishte si anëtar ambasadorin e Kosovës në Zvicër, po ashtu edhe bashkëshorten e tij e më the e të thashë. Pra ky portal nuk mbijeton me punën e tij, por sepse gllabëron miliona. Tani me trofeun e Shqiponjës të Artë, ju i krijuat një shans të ri për të gllabëruar të tjera! Ju lumtë!

Disa ditë më parë një gazetar nga Kosova, Leonard Komani, botonte një shkrim tek Zëri, ku Albinfo vihej në qendër, si një portal grantezhvatës, pra parezhvatës, sepse, sikur të mos i mjaftojnë parezhvatjet në Zvicër, ky portal zhvat edhe paret e granteve të Kosovës! Sigurisht në Kosovë grantet i përfitojnë njerëzit e Hashim Thaçit.

Kësisoj trofeun e  Shqiponjës së Artë qeveria e Shqipërisë ia dhuroi një portali grantezhvatës, pra që nuk i ka dhënë vendit sipas formulës të John Kennedy-it, por vetëm i ka zhvatur, pa e përmbushur assesi misionin e gazetarisë.

Siç mund ta dini, bashkë me Skënderin jemi botues të portalit Voice of Albanians. Në Zvicër e ushtrojmë profesionin e gazetarit prej gati dy dekadash, nën sulmet underground apo injorimim total të politikës shqiptare, por të vlerësuar nga shteti që na është bërë Atdheu ynë dhe po ashtu të respektuar nga publiku të cilit i përulemi, sepse ky publik na ka dhënë forcë duke na bërë që të jemi portali shqiptar më i suksesshëm jo vetëm në Zvicër, por në gjithë diasporën shqiptare në botë.

Dhe kjo nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë më e vështirë se rruga që përshkoi Odisea për t’u kthyer në Itakë. Gjithçka e kemi bërë vetë, duke patur pas krahëve sulmet barbare të politikës shqiptare plus puthadorët e saj parezhvatës, por në fund, na e kanë marrë të keqen, megjithëse na kanë dëmtuar, na kanë lodhur, na i kanë shkatërruar nervat, sepse na i kanë bërë të 99-tat, me hakera, me zagarë, me sorranë, me qyqanë, por ne prapë nuk jemi dorëzuar, jemi bërë më të fortë sepse kemi patur me vete opinionin publik që na ka besuar. Falë kredos tonë për të mbrojtur të vërtetën, Voal sot është webfaqja më e lexuar në diasporën tonë. Albinfo ka llukse, ka pare, ka përfitime, ka trofe, ka shqiponja të arta, ka miq Hashimin , ka mik, mikun e Hashimit, por kjo e zhyt në mospërmbushjen e misionit që duhet të ketë çdo medium i fjalës të lirë i botës.

Meqë në këtë letër i jam referuar statistikave, duke iu referuar Global Rank tek alexa.com, sipas këtyre statistikave Voal zë vendin e parë, në krahasim me albinfo, dialogplus, gazetën Illyria dhe Dielli në SHBA, bile edhe në krahasim me Zërin e Amerikës.

Mund të na hakerojnë prapë, mund të na fusin prapë viruse, mund edhe t’ia arrijnë qëllimit e të na bëjnë të heshtim, por ne kemi çerek shekulli që mbrojmë të vërtetën, çerek shekulli shumëzoje për dy, bën gjysmë shekulli,  ne kemi krijuar shkollën tonë duke e ruajtur integritetin përmes punës dhe shkrimit, që është pasuria jonë e patundëshme, sikur thotë latini, verba volant –  fjalën e merr era, por e shkruara mbetet – scripta manent. Ne luftojmë për ta shprehur të vërtetën, ne nuk shitemi, por as nuk pranojmë që trofetë me emblemën e shtetit shqiptar të shiten tek klientët e politikës.

Shqiponjat e Arta i meritojnë ata që japin vendit pa i marrë, i meritojnë ata që kanë ideale, që janë idealistë, ata që janë të motivuar, ata që kanë kredo të ardhmen e rinisë shqiptare dhe ata që kanë besim se do të të ndërtojnë shtetin ligjor dhe shtetin social në Shqipëri, Kosovë etj.

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, kryeminstrit, leter e hapur, SAMITI I DIASPORES

President Obama, Ju lutem mos dilni në foto me kryepolitikanët shqiptarë!

September 29, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Shqipëria dhe Kosova vuajnë krizën e keqqeverisjeve, të mosfunksionimit të sistemit, vuajnë prej mungesës së shtetit ligjor, prej korrupsionit, shpërdorimit të pushtetit, nepotizmit, klientelizmit, mercenarizmit që ka paralizuar tregun dhe iniciativën e lirë, që ka paralizuar konkurencën e ndershme, shanset për punë, që ka rritur pasigurinë, papunësinë, pabarazinë sociale, varfërinë, shtimin e shtresave vulnerabël dhe në nevojë.

Nga ana tjetër kemi fuqizimin e një kaste politike që ka uzurpuar çdo instancë të shtetit, përmes një sistemi zgjedhor të degraduar që fuqizon pushtetin e njëshit. Kjo kastë shumë e fuqishme, e privilegjuar, është pasuruar në bashkëjetesë me krimin e organizuar dhe taksave që i merr një populli në mjerim.

Kjo klasë politike ka humbur plotësisht besimin e Sovranit, sepse pasurimi i saj është në përpjestim të drejtë me varfërinë e Sovranit, sa më tepër pasurohet kasta, aq më tepër vuajtjet e popullit agravohen. Në raste të tilla, në një sistem normal demokratik, populli do të kishte shpëtuar me kohë prej tyre, por me një shtet antiligjor, kjo klasë politike është mbi ligjin, kjo klasë politike e bën ligjin, kjo klasë politike është vetë ligji!

Qëllimi i kësaj kaste është përjetësimi i pushteti. Ju zoti President i SHBA jeni zgjedhur dy mandate, ndërsa kasta politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni është e përhershme. Kjo kastë riciklohet, bën aleanca interesi, por janë gjithmonë ata, të pasuruar, të gjithëpushtetshëm që kanë fatin e popullit në dorë dhe synojnë fuqizimin e tyre jo vetëm përmes lobingjeve në metropolet e Perëndimit, përfshi edhe Washington D.C.

Kjo klasë politike që urrehet nga populli synon të fitojë kredenciale duke u fotografuar me liderët dhe figurat më të fuqishme të politikës botërore, që janë përfaqësuesit e vlerave të Perëndimit, e sidomos me Presidentin e SHBA.

Duke dalë nëpër foto me Ju:Së pari, ata mashtrojnë popullin, sepse pjesa më e varfër e elektoratit, që nuk ka kushte minimale vetëdijësimi, kujton se politikanët shqiptarë që dalin me Ju, janë burra të mirë dhe kësisoj vijojnë e japin votën;

Së dyti, kjo kastë politike, tek e cila Sovrani nuk beson më, kërkon të riparojë imazhin e sterrosur dhe rrënuar,

Së treti, ata synojnë t’i diktojnë popullit se qëndrojnë në pushtet se i mban Amerika!

Populli shqiptar, elita dhe gjithë shqiptarët e ndershëm kanë me të drejtë shpresë të madhe te Amerika që na ka shpëtuar disa herë nga zhbërja, sepse besojnë se SHBA është vendi i lirive dhe demokracisë së vërtetë.

Fotot Tuaja me kryepolitikanët shqiptarë janë në respekt të plotë me një rit protokollar zyrtar, si konfirmim i marrëdhënieve ndërshtetërore, por politikanët tanë i përdorin për interesa të tyre. Këto foto  nolens volens krijojnë një kontraversëri, sepse Ju duke përfaqësuar shtetin e së drejtës takoheni me shkaktarët e degradimit të sistemit, shtetit ligjor dhe të varfërisë e mjerimit të Sovranit.

Kjo kastë faqezezë Ju përdor për të bërë demagogji dhe për të mashtruar Sovranin. Dhe kur shqiptarët Ju shohin nëpër foto me ta më së paku po them se dëshpërohen shumë dhe bëhen edhe më shpresëhumbur! Sepse gjatë këtyre 25 viteve janë ndërruar katër presidentë dhe SHBA është në prag të presidentes së pestë, ndërsa shqiptarëve iu ka mbetur mbi kurriz e njëjta kastë, që po ua le rininë pa të ardhme!

Prandaj, Ju lutem, mos dilni më në foto për publikun me kastën politike shqiptare, sepse ky stanjacion që po vuajnë shqiptarët u dedikohet atyre.

Populli shqiptar meriton foto me Ju, por jo politikanët!

Populli shqiptar meriton të integrohet në BE, meriton të ketë një sistem demokratik, ku të mbretërojë ligji dhe shteti i së drejtës!

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, kryepolitikanët shqiptarë, Presdienti Obama

Donald Lu & Romana Vlahutin – Dy heronj të kohës sonë!

July 24, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Titulli është huazuar me një ndryshim numerik nga romani i Lermontovit “Një Hero i Kohës sonë” që pa dritën e botimit fillimisht në revistën letrare ruse Otečestvennye Zapiski, aty  ku i botonin veprat e tyre edhe Gonçarov e Fjedor Dostoevskij. Vetëm titullin kam huazuar se dy heronjtë tonë nuk kanë asgjë të përbashkët me Peçorinin, dandy-n romantiko-Bajronik të zhgënjyer nga jeta.

Jo, dy heronjtë tanë janë e kundërta e Peçorinit. S’kanë lidhje fare me heronjtë e romanticizmit anglo-sakson apo rus.

Janë dy heronj të shekullit XXI, të këtij shekulli të mbytur nga indiferenca, konsumizmi ekstrem dhe dehumanizimi i shoqërisë në rrang global, ku mëshira nuk njihet më, ku në Mesdhe mbyten me mijëra refugjatë dhe askënd nuk e vret ndërgjegjia.

Ata janë dy heronj që puna i solli të vinin në vendin e Shqipeve, kthyer në vendin e horrave, ku gjithçka është në shitje, ku nocioni i së mirës është konvertuar me të keqen, ku s’ka solidaritet, s’ka humanizëm, ka vetëm ligj xhungle, ku më i forti e mund gjithmonë të dobtin vulnerabël, ku pandershmëria fiton, ku shpërdorimi i vlerave dhe i pushteteve është arma e suksesit, ku korrupsioni i ka marrë frymën shoqërisë shqiptare dhe ka kapur për fyti gjithë popullin, ku populli shqiptar është zhgënjyer për çerek shekulli nga mashtrimet e klasës politike e cila sot është omnipotente, sepse ka bindjen e thellë që me para ka mundësi të korruptojë edhe Zotin në qiell.

Ata janë dy heronj që i mbijetuan fushatës kriminale linçuese të ndërmarrë nga politika shqiptare, ku opozita dhe pozita janë la même chose, e njëjta gjë sepse përfaqësojnë klasën politike, shkaktaren kryesore të kësaj katrahure këta 25 vjet kohë e djegur.

Ata janë dy heronj që nuk iu trembën gjuetisë së shtrigave as undergrounde-ve me shpifje qëllimzeza për dëmtimin dhe rrënimin e imazhit të tyre.

Ata ia dolën të triumfojnë mbi të keqen që është mbjellë në Shqipëri nga kapja e shtetit prej oligarkisë politike që gjithçka e ka arritur jo përmes djersës të ballit por përmes shpërdorimit të pushtetit dhe votës së popullit.

Dy heronjtë e Shqipërisë sime të bukur, Donald Lu dhe Romana Vlahutin mbollën shpresën në tokën pjellore por të bërë shterpë nga padrejtësitë që e ka detyruar rininë shqiptare ta humbasë besimin se ekziston shteti i së drejtës  apo meritokracia, sepse të gjitha të mirat e vendit, vendet e punës e gjithçka janë në duart dhe tentakulat e kastës të pangopur të profiterëve politikë.

Kasta e anatemoi me të gjitha mjetet Amerikanin Donald Lu dhe Kroaten Romana Vlahutin. I pari vinte nga vendi që iu është gjendur më pranë shqiptarëve si askush në këtë botë; e dyta, vjen nga Kroacia, një vend ballkanik dhe mik i shqiptarëve, i integruar në NATO dhe BE, që lufton për të arritur standardet perëndimore, që fut në burg Kryeministrin e vendit kur ky i shkel ligjet e shtetit; ajo është bashkëpatriote me Kolinda Grabar-Kitarović, presidenten e Kroacisë, një figurë emblemë dhe model për të ardhmen e integruar të Ballkanit në BE.

Të dy Lu-Vlahutin, janë binomi që tronditi kënetën dhe status quo-në e klasës politike shqiptare, e cila ka në duart e veta dhe nën kontrollin e saj gjithçka, duke filluar nga listat e deputetëve deri tek të gjitha pushtetet, që kontrollon sistemin e drejtësisë, që ka nën kontroll gazetat, televizionet, portalet, kreun e shtetit, shërbimin sekret e gjithçka, duke e degraduar deri në skaj sistemin.

Për të treguar kalbjen e sistemit, po ju sjell vetëm një fakt që tashmë e dimë të gjithë. Disa ditë më parë anëtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea së bashku me të shoqin Odhise Andrea, që kishte bërë seksesin, janë akuzuar nga Prokuroria për korrupsion. Gjyqtarja e Gjykatës të lartë Majlinda Andrea kishte gjykuar Gërdecin, çështjen Mark Frroku, kishte dhënë pafajësi në vitin 2011 për Ilir Metën, dhe kishte qenë e vetmja që votoi kundër lehtësimit të masës së sigurisë ndaj deputetit Tom Doshi, ndërsa i shoqi i saj Odhise Andrea, ndaj të cilit prokuroria ka dhënë masën e arrestit, deri në momentin kur u kap me presh në duar, ka qenë  anëtar i Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë!

Kur një anëtare e Gjykatës të Lartë shitet, kur një anëtar i Komisionit të Sigurisë në Parlamentin e Shqipërisë blihet me 50 mijë Euro, a mund të më thoni, a ka Shqipëria sovranitet ?

Ne që dëgjojmë ditë e natë se si ulërasin me histerizëm se gjoja po shqetësohen për sovranitetin e vendit krerët e politikës shqiptare, kemi të drejtë të pyesim: a doli ndokush prej tyre të denonconte skandalin e Majlinda dhe Odhise Andreas, kur që të dy kishin vende kyçe në shtetin shqiptar?

E pra ky skandal është vetëm një mikro nga makro korrupsioni dhe krimi i organizuar, nga oktapodi që me tentakulat e tij ka kapur shtetin në çdo qelizë dhe e vetmja shpresë që ky vend t’i rikthehet jetës është reforma në drejtësi.

Kjo klasë politike nuk kishte për ta reformuar kurrë drejtësinë shqiptare, dhe do të bëjë gjithçka kundër reformimit, sepse drejtësia shqiptare ka fytyrën e klasës politike prandaj i urrejnë kaq fort dy heronjtë e kohës sonë.

Oktapodi i urren, por populli i do. Të të urrejë oktapodi dhe të të vlerësojë populli shqiptar, të cilit i kishte humbur edhe ajo që nuk vdes kurrë, shpresa!

Dy heronjtë e kohës tonë, Lu dhe Vlahutin, nuk u dorëzuan, ata dëshmuan se kauzat e fuqishme të japin shansin e fitimtarit.

Lu dhe Vlahutin i treguan popullit shqiptar se nuk duhet të rendin pas demagogjive boshe të politikanëve, por pas kauzave jetike!

Lu dhe Vlahutin meritojnë mirënjohje!

Sepse në një moment krize identiteti, kur politika e ka kthyer popullin në një turmë amorfe, dy njerëz të vendosur e guximtarë, i treguan rrugën e lirisë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, heronjte..., Lu, Vllahutin

Për ty Elie Wiesel !

July 8, 2016 by dgreca

 Nga Elida Buçpapaj/

Askush nuk u kujtua ndër shqiptarët sa ti ishe në këtë botë, Elie Wiesel.

Politikanët shqiptarë vazhdojnë nëpër ahengje çingish.

Pseudoelita është duke u mbajtur dajret!

Gazetarët duke llogaritur paret që marrin si mercenarë.

Ndërsa populli rri në errësirë!….

Askush nuk ua ndriçon as mendjen dhe as shpirtin!

Politikanëve, pseudoelitës dhe gazetarëve populli u duhet sa më i çoroditur, që ata t’ia shplajnë sa më mirë në lavazh trurin ashtu si bëjnë lavazh makinat e tyre të markave të fundit.

Elie Wiesel, të përulem për atë që bëre për Kosovën!

Ishe njëri prej Zërave që the të vërtetën!

Që nuk u frikësove dhe as nuk u konformove me politikat e ditës apo koniunkturat e Perëndimit.

Ishe trim, Elie Wiesel.

Sepse të thuash të vërtetën duhet të jesh patjetër Elie Wiesel, një i Mbijetuar i Holokaustit, laureat i Nobelit të Paqes, autor librash dhe Vuajtës i madh!

Shpirti yt e ka mbajtur vuajtjen e 6 milionë hebrejve të shfarosur nga indiferenca e Perëndimit!

Se si e la Perëndimi Ana Frankun në kampet e shfarosjes!

Indiferenca, për Elie Wiesel, ishte mishërim i djallit dhe së keqes. Prandaj Elie Wiesel thosh se e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca njerëzore, kur sytë të shohin dhe bën të verbërin, kur veshët të dëgjojnë dhe bën të shurdhin, kur goja të flet dhe bën memecin! Ose kur flet të kundërtën e asaj që të shohin sytë dhe të dëgjojnë veshët!

Koha jonë është e mbushur me shurdhanë, belbanë, verbanë, mjeranë, ndërsa Elie Wiesel bënte përjashtim! Ashtu si Bill Clinton, Tony Blair, Madeleine Albright e një grusht njerëzish që i bëri të fuqishëm kauza që mbronin dhe e shpëtuan Kosovën nga shfarosja dhe zhbërja!

Këtyre tanëve iu ka ikur kujtesa!

Historia e shpëtimit të Kosovës nga zhbërja nuk ka nodhur një mijë apo njëqind vjet të shkuara, por vetëm 17 vjet më parë!

Elie Wiesel kishte lindur në vitin 1928 në Rumani dhe gjithçka dukej normale deri kur nazistët hynë në 1944 në qytetin e tyre të vogël dhe për “fajin” se ishin hebrej, të gjithë familjen e deportuan në Auschwitz, duke e ndarë nga nëna dhe motra që nuk i pa më kurrë, ndërsa i jati nuk i mbijetoi dot dhimbjes dhe vdiq pak pas mbarimit të luftës.

“Mbaj mend majin e vitit 1944”, tregonte Elie Wiesel, “kur isha 15 vjeç e gjysëm dhe u gjenda i hedhur në një univers fantazmash, ku historia e aventurës njerëzore lëkundej në mënyrë të pakthyeshme midis tmerrit dhe mallkimit”.

Elie Wiesel iu shpëtoi kampeve të shfarosjes për të shpëtuar Kosovën nga shfarosja!

Elie Wiesel nga të paktat Figura ishte Ndërgjegjia e Njerëzimit!

Elie Wiesel ishte njëri nga ata Zëra të fuqishëm që i doli në krah Presidentit Clinton për të ndalur genocidin e makinerisë të Milosheviçit!

Elie Wiesel e quajti Milosheviçin kriminel dhe mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë! ”Kur e keqja e tregon fytyrën e saj, ju mos prisni, mos e lejoni të forcohet, por ju duhet të ndërhyni menjëherë. ” Ky ishte konkluzioni i Elie Wiesel si e vetmja mënyrë që fëmijët shqiptarë, me të cilët ai u takua kur vizitoi kampet e refugjatëve në Maqedoni, të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

“Unë nuk jam i lirë plotësisht, thosh Elie Wiesel, kur të tjerët nuk janë të lirë!”

Në 12 prillin e vitit 1999, gazeta JewishPost do të raportonte për dialogun midis Presidentit Clinton dhe Elie Wiesel me rastin e “Millennium Evening” – “Mbrëmja e Milenarit” organizuar nga Shtëpia e Bardhë me temën: “Rreziku prej indiferencës: Mësimet që duhen nxjerrë nga një shekull i dhunshëm”, kur “e gjithë bota ishte dëshmitare e krimeve kundër njerëzimit që ndodhën në Kosovë nga një genocid i kryer në kohën tonë.” Në atë dialog, Clinton kujtoi se kur e kishte pyetur Nobelin e Paqes se çfarë kishte bërë me jetën e tij, Elie Wiesel  ishte përgjigjur se “gjithë jetën kishte ruajtur të gjallë kujtesën dhe ishte përpjekur të luftonte ndaj atyre që synonin të harronin.

Ashtu si e kemi harruar edhe ne Elie Wiesel, që na doli në krah në ato ditët e kjametit, kur po shuhej e po zhbëhej Kosova dhe kur duheshin Burra nga ata që Zoti i kish sjellë t’i shpëtonin fëmijët e Kosovës dhe t’u krijonin mundësi që të ktheheshin në shtëpi bashkë me prindërit e tyre, ashtu sikur nuk u kthye kurrë më Elie Wiesel!

“Duhet ta ruani kujtesën”, insistonte Elie Wiesel, sepse “ju duhet të jeni të ndershëm, ju duhet të jeni të vërtetë!”

Ne shqiptarët deri tash jemi  pa kujtesë, pa kujtesë për diktaturën në Shqipëri, pa kujtesë për atë që ngjau në Kosovë!

Sepse, po të kishim kujtesë, nuk do të të harronim kurrë ty Elie Wiesel!(Voal.ch)

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Elie Wiesel, PËR TY

… Prandaj duhen hapur Dosjet, që të zbardhet e vërteta!

July 7, 2016 by dgreca

Prof.Servet Pëllumbi t’ua nisë ditareve nga i vëllai Lirim Pëllumbi, i njohur në Durrës për burgosjen e të vëllait të Anton Çettës /

Nga Elida Buçpapaj/

Profesori i socialistëve Servet Pëllumbi  me rastin e 25 vjetorit të PS, ka botuar ditarin e tij politik të titulluar “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, i cili ka shkaktuar polemika tek personazhet e përmendur. Por, kur ballafaqimi është i hapur, vihen pikat mbi “i” dhe e vërteta zbardhet.

Problemi është për të vërtetat e diktaturës që i mban të fshehura pikërisht kjo klasë politike. Këto të vërteta lidhen me krimet e diktaturës dhe me personat që njihen si persekutorë dhe ekzekutorë të tyre. Hapja e Dosjeve dhe zbulimi i veprimtarisë të eksponentëve dhe spiunëve të ish-Sigurimit do të ishte rruga e duhur për pastrim të ndërgjegjes në raport me krimet e kryera, sikur kanë vepruar të gjithë vendet që kanë dalë nga regjime diktatoriale, ku Shqipëra zë vendin e parë për nga mizoritë dhe shtazëria e regjimit stalinist.

Por në vend të zbardhjes të krimeve të komunizmit, ka një përpjekje të qartë për rehabilimin e sistemit dhe figurave kriminale siç është rasti i Mehmet Shehut.

Duke u kthyer tek Profesor Servet Pëllumbi që vjen nga garda e vjetër, ish Profesor i Shkollës të Partisë nga ku dilnin kuadrot e sistemit, ai është njëri nga ata që nuk mbështet hapjen e dosjeve.

Kam parë dikund Prof. Pëllumbi thotë se “të hapësh dosjet sikur të hapësh një varr ku mungon skeleti”. Kjo logjikë e Profesorit për të mos hapur Dosjet bie ndesh me veprimet e tij që sot del e boton ditaret, fjalë goje të thëna nëpër raste specifike a veprime të bëra në rrethana të caktuara, shpesh private, shpesh biseda konfidenciale, që kanë shkaktuar reaksion negativ sepse personazhet e përmendur i konsiderojnë ato si spekulim apo lajthitje të profesorit.

Por ndërsa Profesori merret me ditarë e kujtime duke u futur në qendër të vemendjes, qytetarët e Durrësit emri i tij i lidh në mënyrë të tërthortë me plagë të hapura nga diktatura dhe nuk harrojnë rolin e zi të Lirim Pëllumbit, ish-kryetarit të Degës të Brendëshme të qytetit të Durrësit, që është vëllai i Prof.Servet Pëllumbit.

A ju kujtohet këngëtarja e shquar Alida Hisku kur doli publikisht e tha femrat i përdhunonin nëpër burgje dhe gjatë hetuesisë. Iu sulën si çakej Alidës!

Lirim Pëllumbi, shefi i Degës të Brendshme të Durrësit, kujtohet pikërisht për tmerre të tilla se si i merrte vajzat më të bukura të Durrësit dhe i përdhunonte nëpër ambjente të Currilave. Këto kujtime tmerri ka Durrësi për vëllain e Prof.Servet Pëllumbit.

Përse nuk flet Prof.Servet Pëllumbi asnjëherë për vëllain e tij. Prandaj nuk dëshiron Prof.Servet Pëllumbi që të hapen dosjet?!

Prej këtij kapitulli do të duhej që t’i niste ditarët e tij ish-Profesori i Shkollës të Partisë. Aq më tepër kur thirrja për “katharsis” ka qenë një apel i kahmotshëm i liderit historik të PS që është Fatos Nano.

Prof.Pëllumbit i takon ta hapë këtë faqe të nxirë e të fshehur e të tregojë për të vëllain, sidomos sepse në Durrës Lirim Pëllumbi njihet si figura që në fund të viteve ’70 ka arrestuar dhe burgosur kardiologun e njohur të qytetit Beniamin Çetta, vëllain e të madhit Anton Çetta, i njohur në Durrës si Dr.Beni.

Dr.Beni gëzonte reputacion të madh në qytetin e Durrësit, e donte gjithë qyteti sepse ishte i zoti, i përkushtuar dhe i pakursyer. Për fatin e tij të keq Dr.Ben Çetta kishte rënë në dashuri me një vajzë durrsake shumë të bukur. Të dy duheshin pa masë e ndofta do të krijonin edhe familje e do të bënin edhe fëmijë. Por Sigurimi nuk i la. Pak a shumë i njëjti skenar si në filmin gjerman që ka fituar Oscar “Das Leben der Anderen”- “Jeta e të tjerëve”. Ëndërra e tyre u kthye në dramë. Sepse kryetarit të Degës të Brendshme të Durrësit Lirim Pëllumbit i ra në sy e dashura e Dr.Benit dhe sipas stilit të njohur kërkonte ta kthente në një viktimë të tij të rradhës.

Vajza nuk pranoi sepse ishte e dashuruar me Dr.Benin, atëhere Lirim Pëllumbi thirri hetuesin dhe e detyroi që ta arrestonin Dr. Ben Çettën me akuzën për agjitacion dhe propagandë, sepse në vitin 1965 Dr.Beni paskish thënë se, për t’iu shkuar sa më shpejt në ndihmë pacientëve me probleme kardiake duhen makina, pasi me biçikleta nuk arrihet të jepet ndihma e nevojshme. Dhe kjo fjalë goje e shqiptuar vite më parë, që ishte vetëm një vërejtje në të mirë të pacientëve, nga pozita të një profesionisti,  iu kthye në provë krimi dhe Dr.Ben Çettën e arrestuan dhe e burgosën. Dr. Ben Çetta ishte vëllai i të madhit Anton Çettës, shkrimtarit, profesorit të letërsisë dhe patriotit shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Dr.Ben Çetta ishte kopje e vëllait, por në fushë tjetër. Prandaj Durrësi nuk e harron kurrë, nuk ia harron edhe vuajtjet, edhe arrestimin, edhe burgosjen e një njeriu të pafajshëm të burgosur nga një kriminel si Lirim Pëllumbi.

Dr.Ben Çetta doli nga burgu vetëm pas rrëzimit të diktaturës. Paçka se qyteti e mban në zemër kujtimin e tij, për të nuk kujtohet kush, as PD e qytetit, as PD në Tiranë. As ata që shesin dekorata. Ata merren vetëm me llogaritje për marrje pushteti ndërsa plagët e shkaktuara nga diktatura i harrojnë.

Por Durrësi nuk harron, Durrësi e kujton me dashuri Dr. Ben Çettën dhe me neveri Lirim Pëllumbin.

Dhe kur Prof.Servet Pëllumbi hap e kujton ditarët e partisë, Durrësi i thotë, Ok hapi ato ditarë sepse personazhet e tyre janë gjallë e të japin vetë përgjigje, por nise së pari nga Lirim Pëllumbi dhe kërkoi ndjesë qytetit për bëmat e tyt vëllai, kërkoi ndjesë familjes Çetta. Sepse të paktën këtë e ke për borxh.

Prandaj duhen hapur Dosjet, që të zbardhet e vërteta!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, servet Pellumbi, te Anton Cetes, vellai Lirim Pellumbi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT