• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ja përse Lulzim Basha e censuroi intervistën që dha tek Zëri i Amerikës !

March 28, 2016 by dgreca

Opinion nga Elida Buçpapaj/

Lulzim Basha, kryetari zyrtar i PD, kreu një vizitë disa ditore në SHBA. Ai u mirëprit nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Kongresmenë, diaspora etj.Lulzim Basha po ashtu dha edhe një intervistë tek Zëri i Amerikës, seksioni shqip për gazetaren Ardita Dunellari.

Të gjitha aktivitetet Lulzim Basha i ka pasqyruar në faqen e tij zyrtare në Facebook përveç intervistës tek Zëri i Amerikës, e cila u botua e plotë me video dhe e zbardhur, pra me tekst. Troç, e ka censuruar këtë intervistë, ashtu si censurojnë vetëm diktatorët dhe diktaturat.

Duke iu hedhur një sy deklaratave fishekzjarre që ka lëshuar për gazetarët sapo ka mbërritur në Shqipëri, se paska marrë “mbështetjen e SHBA për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, kjo më bën të rikthehem tek intervista e sipërpërmendur për të parë më mirë se çfarë mesazhi mori ai nga institucionet Amerikane, intervistë që ai ia fshehu elektoratit dhe publikut, diçka e papranueshme për një lider të formatit Perëndimor, i cili kur arrin dhe censuron Radion që e mbështet Departamenti Amerikan i Shtetit, merreni me mend se çfarë bën me gazetarët që duan ta fitojnë bukën e gojës me punën e tyre të ndershme.

Që në fillim të intervistës tek Zëri i Amerikës, Lulzim Basha bëri zhurmuesin dhe i iku pyetjes të gazetares. I iku jo se nuk e kuptoi pyetjen, por qëllimshëm, për të thënë atë që deshte dhe jo atë që i kërkohej të përgjigjej. Një formë spekulimi.

Kur gazetarja Ardita Dunellari e pyeti: “Lidhur me rolin e opozitës në Shqipëri, çfarë mesazhi përcillni nga zyrtarët amerikanë”, Lulzim Basha doli jashtë temës dhe filloi të flasë për 25 vjetorin e rivendosjeve të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA, dhe kur gazetarja ndërhyri, Lulzim Basha vazhdoi të japë leksione demokracie, sikur korrupsioni të kishte lindur prej 23 qershorit 2013 e këndej, ditën kur PD humbi zgjedhjet, sepse elektorati demokrat i Shqipërisë e kishte braktisur këtë forcë politike që kishte hequr dorë nga premtimet dhe standartet demokratike, për të cilat  “u shiste mend” amerikanëve Lulzim Basha tek Zëri i Amerikës.

Nuk ishte aspak korrekt fakti se ai i ikte me koshiencë dhe në mënyrë të pacipë përgjigjes, por kur ai e devijoi pyetjen, gazetarja ia bëri edhe më eksplicite dhe i tha se “Radio Zëri i Amerikës kishte kontaktuar me Departamentin e Shtetit lidhur me takimin që kishte patur ai dhe  zyra e zonjës Nuland në komentin e saj  ka theksuar edhe nevojën që opozita të jetë e gatshëm dhe e hapur për kompromis dhe për të bashkëpunuar me qeverinë për të gjetur zgjidhje për problemet më kryesore të vendit si dekriminalizimi, reforma në drejtësi.”

Në vend që zbardhja nga ana e gazetares e asaj që kërkonte DASH, diçka që ai e fshehu, ta vinte në pozitë të vështirë Lulzimim Bashën, përkundrazi ai vazhdoi pa iu skuqur faqja të jepte receta moralizuese, duke harruar se nëse drejtësia dhe politika është e inkriminuar, kjo për fajin e lidershipit dhe qeverisjeve që kanë drejtuar Shqipërinë këta 25 vjet.

Kur gazetarja e pyeti se si mund ta mbrojë PD reformën gjyqsore nga presioni politik, kur PD vetë po futet në dialog me interesa të caktuara, Lulzim Basha vazhdoi të bënte demagogji sikur PD qenka faktor konsensusi dhe problemi i ngecjes dhe ngërçit është pala tjetër, kur në fakt reforma në drejtësi ka ngecur sepse të gjitha palët nuk duan të kryhet pasi i frikësohen drejtësisë.

Edhe sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimeve, njëri nga pretendimet e PD që ngritja e këtij institucioni të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese, është vetëm një mënyrë që ky institucion të mos ngrihet ose të vonohet sa më shumë të jetë e mundur ngritja e tij, sepse ndryshimet kushtetuese kërkojnë kohë, ndërsa faktori ndërkombëtar kërkon që BKH dhe reforma në drejtësi të kryehet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lulzim Basha bëri një ndërhyrje tjetër patetike dhe arriti kulmin e demagogjisë kur i tha gazetares të Zëri të Amerikës se “Shqipëria nuk është Republika Prokuroriale e Shqipërisë, dhe as Republika Gjyqësore e Shqipërisë; është Republika e Shqipërisë – një demokraci parlamentare”, kur e vërteta është se Shqipëria është kthyer në Republikën e Kapur nga liderët e tre partive kryesore, të cilët në mënyrë antidemokratike kanë vendosur se cilët do të jenë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, se cili do të jetë Kryeprokurori i Shqipërisë, se cilët do të jenë kryegjyqtarët, gjyqtarët, presidenti, kryetari i shërbimit sekret i Shqipërisë, deri se cilët do të jenë opinionistët dhe gazetarët e Shqipërisë duke e degraduar dramatikisht sistemin.

Prandaj reforma në drejtësi për dekriminalizimin e politikës dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve është SOS-i i fundit për të shpëtuar shtetin.

Kur gazetarja i tha Lulzim Bashës se PD “mban përgjegjësi për faktin, që korrupsioni arriti një nivel të atillë deri sa ka një angazhim të tillë të elementit ndërkombëtar për ta shkulur këtë problem, duke qenë se PD ka pasur pushtetin deri para tre vjetësh”, lideri i opozitës në vend që të mbante përgjegjësi, filloi të mbrohej duke sulmuar palën tjetër, ku sipas tij në kohën kur qeveriste PD ka pasur korrupsion, por tani që po qeveris PS korrupsioni është rritur edhe më.

Një përgjigje pa përgjigje dha Lulzim Basha edhe sa i përket Firmës Podesta, e cila ka lobuar për vizitën e kryetarit të opozitës në Washington D.C. Pyetjes të gazetares se përse ka lobuar kjo firmë, kur Departamenti i Shtetit e ka mirëpritur Lulzim Bashën, ky reagoi pa asnjë lloj modestie, por kur gazetarja e pyeti se sa e kishte paguar PD këtë firmë, Lulzim Basha reagoi me kakofoni se Podesta ka lobuar gratis për ta, çka tingëllon absurde sepse asnjë firmë, aq më tepër në SHBA, aq më tepër me emër si Podesta, nuk punon gratis  as për Lulzim Bashën dhe as për Sali Berishën.

Në këtë intervistë, Lulzim Basha nga pozita aspak dinjtoze mbajti një qendrim ex chathedra, dha leksione demokracie, kur duhej të mbante kokën ulur, për faktin e thjeshtë se nëse Shqipëria ndodhet me këto rekorde korrupsioni dhe inkriminimi, faj për këtë janë dy forcat kryesore politike, që tashmë janë bërë anët e të njëjtës medalje këtë çerek shekulli tranzicion.

Ndërsa pretendimet e alternativës të Lulzim Bashës për zgjedhje të reja nga Washintgon D.C.  janë në rezonancë të plotë me ato të Sali Berishës, që përkuan edhe me një ribllokim të reformës zgjedhore posa Lulzim Basha i vuri këmbët në Tiranë, duke harruar premtimet që dha në Washington D.C..

Mendon Lulzim Basha se Podesta është më e fortë se DASH, dhe me një të rënë të lapsit, kryetari zyrtar i PD, do të arrijë çdo lloj fantazije për të ricikluar pushtetin e të bëhet shefi i qeverisë së re të Shqipërisë, kështu kope e inkriminuar si janë tani  ?

Që nga 23 qershori 2013, Lulzim Basha nuk ka ndërmarrë asnjë hap reflektues pas humbjes drastike të PD-së, ndërsa në intervistën tek Zëri i Amerikës, qëndrimi i tij herë duke i devijuar pyetjeve të gazetares, herë duke bërë zhurmuesin, herë duke u bërë demokratin, e herë konsensualin, me një eufori dhe mendjemadhësi deri në arrogancë të pajustifikuar, tregon se PD po vijon kursin e saj të shtrembër, të imponuar nga kupola dhe garda e vjetër që synon të qëndrojë në pushtet me një riciklim të ri. Prej kur kanë humbur zgjedhjet, nuk ka asnjë tregues për katharsis të PD. PD drejtohet me grusht të hekurt nga kupola oligarkike e zgjedhur nga Njëshi, që i ka patur gjithmonë frenat e shtetit kur është bërë ciklimi i pushteteve. Këta njerëz nuk do të fitonin asnjë votë nëse Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor proporcional dhe lista të hapura.

Kjo e bën urgjente reformën në drejtësi, për dekriminalizmin, funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve si dhe domosdoshmërinë e reformimit të sistemit zgjedhor që zgjedhjet e reja të mos i gjejnë shqiptarët përpara listët ku njëshi i partisë katapulton ata që nuk e meritojnë të përfaqësojnë popullin, por meritojnë të dalin përpara drejtësisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste, Lulzim Basha, zeri i amerikes

Kaloi në amshim Victor Ruffy homos politicus i Zvicrës dhe mik i Shqiptarëve

March 22, 2016 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Një miku ynë i përbashkët na kumtoi lajmin se ndërroi jetë në Lozanë Victor Ruffy, Doktor i letrave, homos politicus, ish-deputet i Parlamentit të Zvicrës dhe Mik i shtrenjtë i Shqiptarëve.

Ishte një lajm shumë i hidhur për ne. Nga ato lajme që njeriu nuk dëshiron kurrë t’i dëgjojë. Aq më tepër për Victor Ruffy-n i cili gjithmonë ka qenë i uruar, i bekuar dhe me plot mirënjohje prej shqiptarëve.

Zoti Victor Ruffy ka qenë një politikan zviceran me emër. Deputet i Parlamentit të Zvicrës prej 1982 deri në 1999 dhe një përkrahës i zjarrtë i shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, diasporë e kudo.

Victor Ruffy vinte prej një familje shumë të njohur që ka dhënë burra shteti dhe që kanë kontribuar me breza në krye të Konfederatës Helvetike.

Ai kishte ndjekur gjurmët e të parëve.

Stërgjyshi i tij, Victor Ruffy, nga ai e trashëgoi emrin, kishte qenë Këshilltar Federal dhe zvpresident i Zvicrës, ndërsa gjyshi i tij Eugène Ruffy edhe ai po ashtu Këshilltar Federal dhe President i Konfederatës.

Kur e pyetëm një herë nëse dy djemtë e tij a e kishin vokacion politikën, ai na tha duke vënë buzën në gaz jo, por nga kjo familje padyshim gjithmonë dalin koka të mëdha për këtë vend.

Victor Ruffy ka lindur në 1937 në Bernë. U angazhua në politikë pranë Partisë Socialiste Zvicerane duke u bërë anëtar i Parlamentit prej 1982 deri më 1999. Në 1992 zoti Ruffy u zgjodh kryetar i Parlamentit të Konfederatës, ndërkohë që për një kohë ka drejtuar Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë  dhe për dhjetë vite rresht ka kryesuar delegacionin zviceran pranë  Këshillit të Evropës.

Prej kësaj kohe ka nisur lidhja e tij me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët.

Njohja dhe miqësia jonë me të daton me përmbysjen e diktaturës, kur zoti Ruffy do të kryesonte delegacionin nga Këshilli i Europës që mbuloi zgjedhjet e para pluraliste. Në Këshillin e Europës, ai do të vihej në krah të Shqipërisë e shqiptarëve.

Në memorian tonë ka mbetur i pashlyer roli i tij në Strasburg në vitin 1995, kur opozita shqiptare, pjesë e delegacionit shqiptar, kundërshtonte hyrjen e Shqipërisë në KE. Merreni me mend, deputetë të parlamentit të Shqipërisë mbanin në Strasburg fjalime që villlnin vrer për mos-hyrjen e vendit të tyre në Këshillin e Europës; merreni me mend se çfarë i bëjnë shqiptarët vetes së tyre, ndërsa zoti Ruffy luftonte për pranimin e Shqipërisë në këtë institucion. Me fjalimin e tij, që ishte një perlë e oratorisë politike, nga pozitat e një Avokati Mbrojtës, Victor Ruffy argumentonte se përse Shqipëria meritonte të ishte pjesë e KE.

Kush shkon në Këshillin e Europës në Strasburg, mrekullohet kur midis flamujve të shteteve anëtare, dallon që në krye të rradhës flamurin kuq e zi, por që për valvitjen e tij aty, prej qershorit të vitit 1995, ka patur rolin e tij shumë thelbësor Victor Ruffy.

Një mbështetje kolosale zoti Ruffy ka dhënë për Kosovën dhe diasporën e  Kosovës në Zvicër. Është njëri nga përkrahësit e parë të Pavarësisë së Kosovës. Jo më kot Zvicra ka qenë shteti i parë që ka kërkuar në OKB njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Victor Ruffy po ashtu krenohej me Eurobibus. Prej 1992 ai ishte  themeluesi i Fondacionit Eurobibus, që gëzonte mbështetjen e Këshillit të Europës, Konfederatës Helvetike, si dhe Bibliotekës dhe Universitetit të Lozanës, që nuk ka pushuar kurrë së dërguari ndihma e mbështetje në Shqipëri. Ai ishte jo vetëm përfaqësues i politikës, por edhe njeri i kulturës, i dijeve, i elitës zvicerane. Victor Ruffy ka mbështetur projekte botimesh, shkëmbime eksperiencash nga bota universitare, mbështetje me bursa.

Kur jemi takuar së fundi në një darkë midis miqsh në Lozanë ne bëmë plot plane për të ardhmen, që nuk arritëm dot t’i realizonim. Njëri prej tyre ishte projekti i një takim midis kryeministrit të Shqipërisë dhe liderit të opozitës Lulzim Basha. Jo takim hipokrit si ai që u realizua në restaurantin Krokodil, midis Ramës dhe Berishës në Strasburg.  Sepse Zvicra është shtet-modeli i dialogut, marrëveshjeve, kompromiseve dhe konsensusit për të mirën e përbashkët.

Ikja e tij e shpejtë në Amshim, krijon një boshllëk të madh jo vetëm për familjen dhe  shtetin helvetik, por sidomos për ne shqiptarët që humbëm një Mik të shtrenjtë dhe Miq si Victor Ruffy janë shumë të rrallë për kombin shqiptar!

Pengu që kemi është se këtij njeriu që meritonte ndere dhe vlerësime sa qe gjallë, nuk i dhuruam asgjë, veç miqësisë dhe mirënjohjes që ne shqiptarët e Zvicrës ia shprehnim pa fund, por mjerisht asgjë zyrtare dhe në nivel shtetëror veç një titulli si Qytetar Nderi i Fushë-Krujës.

Sa pak kemi bërë ne shqiptarët në raport me kontributin çerekshekullor të këtij Burri Shteti në të mirë të shqiptarëve!

Dhe ky është borxhi ynë ndaj këtij njeriu të madh, ndaj të cilit ne përkulemi me nderim, duke i premtuar se nuk do ta harrojmë kurrë veprën e tij për t’i treguar brezave se Victor Ruffy iu gjet afër shqiptarëve kur ata ishin në nevojë.

U prehsh në Paqe Mik i nderuar dhe i shtrenjtë!

Do t’u mungosh shumë shqiptarëve!

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, mik i shqiptareve, Victor Ruffy

Zonja Mogherini merrni në mbrojtje Anton Çunin e Rrustem Berishën me shokë!

March 7, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ndërsa në Kosovë është duke u kujtuar 18 vjetori i masakrës kundër familjes Jashari, si dëshmia më eklatante dhe rrënqethëse e krimit shtetëror të shtetit serb kundër popullsisë civile, ushtarakët e UÇK-së Anton Çuni, Rrustem Berisha me shokë, që përfaqësojnë ndërgjegjen e pastër të Europës, sepse i dolën në mbrojtje popullsisë së pafajshme, rezultojnë të “dënuar” në mungesë me 16 vite burgim nga një “gjykatë” e Nishit e Serbisë dhe emrat e tyre rrezikojnë të përfshihen si të kërkuar nga Interpoli e përpara syve tanë të na dalin skena të ripërsëritura se si në një aeroport të Romës apo vendi anëtar të BE-së ata të arrestohen!

Kjo është një përpjekje e Serbisë për të barazuar liberatorët me vrasësit e Familjes Jashari!

Në Kosovë këto ditë janë duke u kujtuar 56 viktimat e Familjes Jashari, të eleminuar brenda disa orësh, si prova më e gjallë e genocidit etnik të shtetit serb kundër civilëve shqiptarë, fëmijë, të moshuar, gra – të gjithë të pafajshëm.

Në memorien kolektive të popullit të Kosovës po rikalon në kujtesë dënimi kolektiv që shqiptarët etnikë morën prej një shteti kriminal, për “fajin” e vetëm se nuk ishin me etni dhe besim si serbët;

Kosova kujton prej 5 deri 7 mars Familjen Jashari, të ekzekutuar barabarisht në shtëpinë e tyre, ashtu si i vriste Hitleri hebrejtë apo ashtu si vret sot ISIS viktimat e tij;

Kosova kujton Shaban Murat Jasharin, babain e Adem Jasharit të vrarë 74 vjeç; Zahide Geci – Jashari, nëna e Adem Jasharit, e vrarë 74 vjeç; Zarife Jasharin, gruaja e Rifat Jasharit, e vrarë 49 vjeç; Hidajete Rifat Jashari, vajza e Rifat Jasharit, e vrarë 18 vjeç;  Valdete Rifat Jasharin, vajza e Rifat Jasharit, vrarë 15 vjeç; Igball Rifat Jasharin, djali i Rifat Jasharit, vrarë 13 vjeç; Igballe Jasharin, vajza e Rifat Jasharit, vrarë 11 vjeç; Hamëz Shaban Jasharin, vëllai i madh i Adem Jasharit, vrarë 47 vjeç; Feride Mecini – Jashari, gruaja e Hamëz Jasharit, e vrarë 43 vjeç; Selvete Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, vrarë 20 vjeç;  Afete Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, vrarë 17 vjeç;  Besim Hamëz Jasharin, djali i Hamëz Jasharit, i vrarë 16 vjeç; Lirie Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, e vrarë 15 vjeç; Blerim Hamëz Jasharin, djali i Hamëz Jasharit, i vrarë 12 vjeç; Fatime Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, e vrarë 9 vjeç; Blerinë Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, e vrarë 7 vjeç;  heroin legjendar të Kosovës Adem Shaban Jashari, vrarë barbarisht 42 vjeç; kujton Adile Rama – Jasharin, gruan e Adem Jasharit, vrarë 40 vjeç; Fitim Adem Jasharin,  djali i Adem Jasharit, vrarë 17 vjeç;   Kushtrim Adem Jasharin, djali i Adem Jasharit, vrarë 13 vjeç… dhe lista vijon…

Në këtë listë tragjike përfshihen 56 anëtarë të Familjes Jashari, që u vranë në një fshat që mban emrin Prekaz, që ndodhet mu në zemër të Europës.

Edhe ju si BE do të duhej ta kujtonit Familjen Jashari me sloganin njerëzor dhe solidar:  Je suis Prekaz – Io sono Prekaz – I’m Prekaz, por në vend të kujtesës, ju heshtni, pa marrë parasysh se kjo masakër u krye nën qiellin e Europës, nën hundët e Europës indiferente, ashtu sikur nën hundët e Europës dhe nën “mbrojtjen” e Helmetave Blu u krye Srebrenica!

Shqiptarët janë solidarizuar menjëherë me viktimat e Charlie Hebdo dhe Parisit. Në rrjetin social të Facebook-ut, profilet tona u mbuluan nga flamuri francez dhe ne thamë kolektivisht “Je suis Paris!”, “Je suis Charlie Hebdo”, por BE nuk solidarizohet me viktimat e pafajshme shqiptare të Prekazit dhe ndërkohë nuk po bën asnjë reagim ndaj verdikteve kriminale të gjykatave serbe sot kundër atyre që i morën në mbrojte shqiptarët civilë!

Masakra kundër Familjes Jashari prej 5 deri 7 mars 1998 ishte kulmi i makinerisë kriminale serbe, që i trajtonte shqiptarët autoktonë si qytetarë të dorës së fundit, duke ua mbyllur shkollat fëmijëve, duke ia mbyllur rinisë Universitetin, popullit duke ia hequr të drejtën e informimit dhe mbyllur RTK, duke ua hequr të gjitha shanset dhe të drejtat elementare të njeriut për jetë dhe në fund duke i vrarë e dëbuar.

Në këto kushte në prag të shpërthimit të konfliktit të fundit në ish-Jugosllavi që do të ndërmerrte Beogradi kundër Kosovës,  shqiptarëve u mbetej alternative ose t’i dorëzoheshin strategjisë të zhdukjes dhe zhbërjes së tyre nga Serbia ose të rrëmbenin armët dhe të mbronin fëmijët e tyre nga i njëjti fat si i fëmijëve të Familjes Jashari.

Prandaj lindi UÇK-ja, si domosdoshmëri, prandaj djemtë më të mirë të Kosovës i dolën në krah popullit dhe fëmijëve të tyre, për ta mbrojtur popullsinë civile nga një shtet kriminal që i konsideronte shqiptarët të tepërt për të jetuar jetën e tyre.

Kosova krenohet si me Familjen Jashari ashtu dhe me luftëtarët e saj që i kanë bashkërenditur veprimet e tyre me ushtrinë e NATO-s.

Kosova krenohet me Agim Ramadanin, Sali Çekun, Luan e Shkëlzen Haradinajn e qindra e qindra djem e vajza, të vrarë nga ushtria serbe, që përbënin trupat e UÇK-së dhe luftonin në krah të aleancës Verio-Atlantike.

Kosova krenohet me Anton Çunin, Rrustem Berishën e plot ushtarakë të tjerë të cilët luftuan në krah të Agim Ramadanit e Sali Çekut me shokë dhe i mbijetuan luftës!

Anton Çuni, Rrustem Berisha me shokë janë europianë dhe përfaqësojnë ndërgjegjen e pastër të Europës, sepse i dolën në mbrojtje popullsisë të pafajshme, ndërsa sot Serbia, pa marrë parasysh se çfarë ka ndodhur 18 vite më parë dhe që aspiron të anëtarësohet në BE, ka ndërmarrë një fushatë të paskrupullt përmes “gjykatës”  të saj të Nishit duke i ka dënuar në mungesë me 16 vite burg!

Ndërsa Shesheli nuk çan kokën dhe tallet duke e sfiduar Gjykatën e Hagës, luftëtarët shqiptarë që kanë luftuar për të marrë në mbrojtje jetët njerëzore, sot gjykohen nga një shtet, i cili përpara 18 vitesh në Kosovë kreu një krim kundër njerëzimit, sepse vrasja e Familjes Jashari është krim kundër njerëzimit.

Kryeministri Vuçiç ka kërkuar ndjesë për Srebrenicën, ai duhet të kërkojë ndjesë edhe për vrasjen kolektive të Familjes Jashari dhe të gjitha krimet e kryera në Kosovë.

Por në vend të ndjesës, Aleksandër Vuçiç, që është futur në fushatë zgjedhore, krenohet se ishte sukses i tij mosanëtarësimi i Kosovës në Unesco, apo se gjatë mandatit kur ai ishte kryeministër, Kosovën e kanë njohur vetëm dy vende.

Në këto kushte, ju takon ju zonja Mogherini që ta merrni Kosovën në mbrojtje;

i takon BE-së që udhëheq një proces dialogu, sepse merreni me mend se çfarë dialogu është ky,

që t’i thoni ndal Serbisë me gjyqet e saj që janë tallje ndaj viktimave, sepse gjyqet e  Serbisë, sot po dënojnë pikërisht ata njerëz që ndalën shfarosjen, dëbimin etnik të popullit të tyre!

Anton Çuni, Rrustem Berisha me shokë luftonin në krah të Agim Ramadanit, Sali Çekut që u vranë nga makineria kriminale serbe!

Ata janë vlerë e Europës! Ata janë vlerë edhe e BE-së!

Prandaj është detyra juaj  zonja Mogherini që t’i merrni këta njerëz në mbrojtje! Sepse ata morën në mbrojtje popullin e tyre!

T’i merrni në mbrojtje e të përmbushni një detyrim sot më tepër se kurrë, kur Europa përballet me një krizë identiteti.

Demokraci do të thotë humanizëm dhe vlera njerëzore!

Pikërisht kur Kosova kërkon të përballet me Gjykatën Speciale, për të kaluar në transparencë të shkuarën për hir të së ardhmes, Serbia inskenon gjyqe kundër figurave të pastra e me integritet, që janë fytyra e lirisë dhe shtetit ligjor!

Prandaj, ju lutemi, ndaleni këtë farsë cinike të Serbisë, nëse synoni me të vërtetë që të ketë dialog midis Kosovës, shtetit viktimë dhe Serbisë, shtetit që vetëm 18 vite më parë ekzekutoi vrasje kolektive të popullsisë civile, kur përveç viktimave të luftës, nga 3600 viktima të zhdukura, rezultojnë ende 1600 të tjera, të fshehura nëpër varrezat masive nëpër Serbi.

Si BE, si europianë, si qytetarë të botës të lirë, merrini në mbrojtje Anton Çunin e Rrustem Berishën me shokë.

Sepse kështu do të përmbushni një detyrimin tuajin.

BE udhëheq dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa siç tregon gjyqi i Nishit, Beogradi po hakmerret ndaj komandantëve të UÇK-së që luftuan në krah të trupave të NATO-s për t’i thënë ndal asaj që bota mbarë e pa me sytë e ballit, spastrimit etnik të një populli, për fajin e vetëm se nuk ishte me etni serbe dhe besim ortodoks.

Thirrini ndërgjegjes zonja Mogherini, tregojuni shqiptarëve se përfaqësoni një institucion të vlerave.

Mos vijoni t’i mbani në karantinë shqiptarët!

Ju jeni europiane po aq sa edhe shqiptarët.

Nëse Milosheviçi do të kishte kryer ato që kreu në Kosovë në Italinë tuaj, ju si do të reagonit?

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Mogherini merr ne mbrojtje

Iu dha Lamtumira zonjës Lili Skënderi, bashkëshortes të poetit Vehbi Skënderi

February 22, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Në një ceremoni shumë private, të premten, u përcoll për në banesën e fundit zonja Lili Skënderi, bashkëshortja e poetit Vehbi Skënderi dhe nëna ime.Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe të familjes për mbështetjen dhe ngushëllimet e marra nga mikesha,miq e dashamir, nga të njohur, të afërt e të largët, nga Shqipëria dhe jashtë saj, që i kanë njohur personalisht prindërit e mij, nga shoqe, shokë e kolegët tanë, të cilët me praninë e tyre na e kanë bërë më të lehtë  dhimbjen.Ju shprehim falenderimet tona emër për emër! Qofshi të bekuar emër për emër!Zoti ju bekoftë ju, Familjet tuaja, fëmijët tuaj, të dashurit tuaj dhe ne paçim raste që t’jua shpërblejmë vetëm në gëzime e të mira.

Nëna ime iku me mall në zemër për shtëpinë në Tiranë të mbushur plot me kujtime, për mikeshat e saja me të cilat pinte kafenë e mëngjesit kur ishte aty, për motrën e saj, mbesën e madhe,  nipat e mbesat, për të afërmit tanë.

Nëna ime ishte një mama, vjehërr dhe gjyshe e lumtur që donte të jetonte, pasi ishte e rrethuar nga dashuria.

Ashtu sikur thoshte Steven Jobs: “Askush nuk do të vdesë, edhe sikur ta dijë se Parajsa po e pret, prapë nuk do që të vdesë, e megjithatë vdekja është destinacioni për të gjithë”.

A mund të na ngushëllojë ky përgjithësim që na përket të gjithëve.

Natyrisht që jo!

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Elida Buçpapaj, Lili Skënderi, VEHBI SKËNDERI

Degradim kombëtar!

January 10, 2016 by dgreca

Shteti nuk jep punë, mediat u japin porno dhe pastaj populli çmendet/
Nga Elida Buçpapaj/
Në portalet shqiptare deontologjia etike zëvendësuar nga tutorizmi i pornogazetarisë Etika deontologjike në gazetari ose deontologjia është pozicioni normativ etik që gjykon mbi moralin e një veprimi të bazuar në respektimin e një rregulli apo rregullave. Ky është definicioni. Thënë ndryshe etika deontologjike është Kodi i Etikës, që lidhet me kontekstin profesional dhe nuk e lejon gazetarin apo median e caktuar të kalojë limitet. Deri fjalori është i përcaktuar, ku nuk tolerohen zhargone, fjalë e gjeste jashtë këtij kodi. Si Galateo, që merret me normat konvencionale për të edukuar sjelljen e mirë apo etiketën.
Kodi i etikës në gazetari respekton moralin e shoqërisë, doket, zakonet, traditat, mënyrat e sjelljes të paravendosura nëpër etapat e zhvillimit, ku janë pranuar e sanksionuar mirësjellja, arsyeja, ku e mira ndahet nga e keqja, e bukura nga e shëmtuara. Moralin e shoqërisë e mbron vetë shoqëria, duke nisur prej qelizës së saj, familjes, por e mbron edhe shteti ligjor, i cili ushtron sanksione ndaj çdo shkelësi.
Në trevat shqiptare nuk ka shtet ligjor, prandaj mbizotëron anarkia dhe kaosi.
Prandaj në portalet shqiptare jo vetëm që nuk njihet kodi i etikës, por ky kod është zëvendësuar me kodin e pandershmërisë, paturpësisë, çnderimit, imoralitetit, korrupsionit, ku pornografia dhe prostitucioni është në rend të ditës dhe i ofrohet konsumatorit si shembull për t’u ndjekur.
Këto portale apo gazeta që krenohen për klikime, çdo makineri google i zbulon lehtë se burimet e tyre vijnë direkt prej industrisë pornografike që ato shesin, duke helmuar trurin e shqiptarëve.
Një përmbajtje e tillë e degraduar e degradon jo vetëm gazetarinë, por veçanërisht lexuesin, e sidomos rininë që është tërësisht e dizorientuar dhe e pa mbrojtur nga konsumi i mallit trash dhe mallit të helmuar.

Më thuaj se çfarë shteti ke, të të them se çfarë qytetari je. Shteti demokratik është jo vetëm në shërbim të qytetarit por edhe obligues ndaj tij. Kur shteti nuk ka standarte demokratike, viktima është qytetari. Kur shteti nuk është demokratik, edhe shtypi nuk është i lirë. Viktima është prapë qytetari. Kësaj here si lexues. Nëse shtypi ia ushqen mendjen me plehurina, lexuesi kthehet në plehurinë. Nëse ne sot tmerrohemi nga përmasat e krimit, atëherë duhet ta dimë se meritë për këtë kanë edhe mediat shqiptare.
Degradimi i portaleve e gazetave shqiptare nuk i bën përshtypje as elitës që mban përgjegjësi për këtë shëmtim kombëtar. Shteti i kapur dhe elita shqiptare janë binjakë, ato ushqejnë dhe mbështesin njëri-tjetrin përmes një sistemi klientelist tipik pragmatisto-amoral.
Nëse doni t’i njihni se cilët janë, keni për t’i gjetur bashkë, në çdo mbrëmje gala, të veshur shik, duke pozuar para kamerave si klasa VIP.
Tani po flitet për reformë në drejtësi, po flitet se 800 gjyqtarë e prokurorë duhet të largohen nga sistemi i drejtësisë, por kapja është në çdo qelizë të institucioneve të shtetit shqiptar. Pushteti i katërt është po aq pis sa drejtësia.
Për ta parë pisllëkun mjafton të hapni portalet e mbushura me pornodegradim. Është kriminale.
Nëse shqiptarët jetojnë në mjerim e varfëri, nuk ekziston asnjë reportazh nga jeta në terren, qytetari shqiptar nuk është askund. Vendin e tyre e kanë uzurpuar gazetarët të kthyer në personazhë publikë si politikanët, kronika rozë, showbizi dhe porno.
Lexuesi nuk ka alternativë. Do të lexojë ose çfarë shahen e si shahen politikanët ose çfarë shahen e si shahen ata që bëjnë kupolën e mediave, ose të klikojnë atë që mbetet. Dhe rezulton se këtë pjesë e klikojnë edhe më tepër. Në këtë mjerim moral i orientojnë mediat shqiptare.
Shteti nuk u jep punë, mediat shqiptare u japin porno dhe pastaj populli çmendet.
Imoraliteti dhe kriminaliteti i frikshëm që e hasin në çdo sekondë të jetës së tyre shqiptarët është produkt i ushqimit shpirtëror që atyre u ofrojnë të konsumojnë. Kapitalizmi në trevat shqiptare ekziston në fazën parake, si Ligj Xhungle, ku tregtia e lirë është zëvendësuar me tregëtinë e trafikut të pluhurit të bardhë dhe mishit të bardhë, ndërsa shtypi i lirë është zvetënuar, çoroditur nga porno-portalet.
Kupola e gazetarisë shqiptare pozon në mënyrë banale e idioteske pranë aksh politikani faqezi që ata e intervistojnë e fotot e videot e tyre qëndrojnë krah për krah dhe krenarisht pranë fotove dhe videove të mallit porno që ata ekspozojnë.
Degradim kombëtar!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, mediat u japin porno, Shteti nuk jep pune

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT