Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Lazarati shkoi shumë mirë – faleminderit Zotit, pa viktima dhe ngjarje tragjike. Për këtë duhet falënderuar policia e shtetit dhe pushteti lokal.
Tani po thonë se Lazarati nuk është metropoli i marihuanës në Shqipëri. Se metropolët e marihuanës janë tjetërkund, andej nga Vlora për shembull.
Ok, le t’i marrin me rradhë. Modelin tashmë e kanë.
Tani po thonë se bosët e marihuanës janë në Tiranë. Shumë mirë që i kanë aty afër. Këtë gjë në fakt gjithkush e ka ditur. Po problem është se si t’i çojnë përpara bankës të të akuzuarve, kur sistemi i drejtësisë është kokë e këmbë i korruptuar. Ta zemë se Policia e Shtetit i prangos shkelësit e ligjit, por nga ana tjetër, drejtësia i liron. Ose, nëse nuk i çprangos drejtësia, i fal një ish-President i Republikës me dekret e pastaj del në media e thotë se nuk ishte përgjegjësia e tij kur fali një person të dënuar me 23 vite burg, por e atyre që i bënë ish-Presidentit të Republikës kërkesë për të liruar një shkelës të ligjit! Ata kanë gabuar. Ata janë fajtorë. Ndërsa ish-Presidenti i Republikës viktimë e tyre!
Sipas burimeve tashmë të njohura të Guardia di Finanza, Lazarati prodhonte marihuanë me një shifër fitimesh prej 4.5 miliardë Euro në vit, pak më shumë se një e treta e GDP të Shqipërisë. Spartak Ngjela i intervistuar nga News 24 e kundërshtoi këtë shifër të Guardia di Finanza dhe tha se përfitimi në vit nga hashashi që prodhohej në Lazarat shkonte në 200 milionë Euro !
Lind pyetja, po përse Avokat Ngjela e ditka më mirë se Guardia di Finanza, një institucion i specializuar që merret me atë punë dhe ka mjete e mundësi hulumtimesh e hetimesh.
Gjithsesi, po të bëjmë disa llogari sipas atyre statistikave që jep Ngjela, për 20 vite, fitimet e hashashit nga Lazarati kanë shkuar në 4 miliardë Euro, ndërsa po t’i referohemi Guardia di Finanza, që është një institucion me besueshmëri të padiskutushme, këto fitime kanë arritur në 80 miliardë Euro!
Por nëse në Lazarat është mbjellë vetëm 5% e sipërfaqes që prodhon hashash, ashtu si po thuhet sot rëndom, deri edhe në Facebook, dhe 95% e sipërfaqes është tjetër kund, kjo do të thotë se fitimet për 20 vit janë miliarda e miliarda Euro.
Ku është gjithë kjo pasuri? Kush e ka? Ku ka shkuar ? Ku është investuar?
Në Shqipëri nuk ka as fabrika dhe as uzina, nuk ka as industri të lehtë dhe as turizëm. Dhe nga e gjitha dhe gjithçka që prodhohet aty, 50% shkon në llogari të informalitetit, dmth të tregut të zi. Dhe kjo shifër është shumë e zbutur po t’i referohemi realitetit që e pohojnë vetë biznesmenët shqiptarë, të cilët punojnë në kushte heroike.
Vetëm ky fakt, që është shumë kokëfortë, tregon se ku gjendet sot Shqipëria, një vend ku nuk pranojnë kurrësesi që të investojnë investitorët e huaj.
Për këtë mosprani të investitorëve të huaj u fol për here të parë hapur gjatë pritjes zyrtare që Kancelarja Merkel i bëri kryeministrit të Shqipërisë, ku ajo tha qartë dhe hapur se, që të vinë investitorët e huaj, duan siguri. Këtë siguri e garanton shteti ligjor. E në Shqipëri shteti ligjor është virtual.
Spartak Ngjela tek TV24 tha se lazaratasit nuk janë përfituesit të prodhimit. Se ata që i kanë përfituar të mirat e hashashit e Lazaratit janë në Tiranë.
Për policinë e shtetit do të ishte më lehtë se do t’i kishte aty shkelëst e ligjit, po ecë e dërgoi para ligjit bossët e hashashit.
Avokati shtoi se për të zgjidhur këtë katrahurë, Shqipërisë i duhet një institucion si FBI apo Scotland Yard. Problemi është se Shqipërisë i duhen njerëz me integritet dhe të ndershëm, në çdo segment të shtetit. Diçka që Shqipëria nuk e ka. Sepse nuk funksionon meritokracia. Por interesat klienteliste që i krijojnë fushe veprimi shkeljes të ligjit.
Prandaj, aksioni antimarihuanë është shumë i vështirë, sepse milionat e marihuanës i kanë përfituar ata që gjatë këtyre 23 viteve nuk e kanë lejuar shtetin të futet në Lazarat!
A nuk duket paradoksale që në Shqipëri paska më të fortë se shteti! Është tabu, por po ta themi shqip, është antiligji më i fortë se shteti! Ose mafia. E njëjta gjë.
Ajo çfarë ka ngjarë në Lazarat këta 23 vjet tregon se shteti është gjunjëzuar përpara bosëve të hashashit, që natyrisht nuk janë lazaratasit.
Hyrja e shtetit në Lazarat është një hap pozitiv, por është vetëm fillimi i fillimit.
Shteti është përpara një misioni shumë të vështirë që ka shumë gjasa të mbetet një mision i pamundur, por megjithatë ekziston mundësia që shteti të triumfojë kundër të keqes që ia ka marrë frymën vendit.
Të gjithë shqiptarët duhet të jenë në anën e shtetit, të shtetit ligjor, sepse vetëm shteti i së drejtës, është aleati i qytetarit, që i garanton qytetarit lirinë e tregut, sigurinë e jetës dhe prosperitetin e mirëqënien.
Andaj, të gjithë për shtetin e së drejtës!
APEL SHQIPTARËVE DHE POLITIKËS
I bëj thirrje politikës – që t’i mbajë duart sa më larg institucionit që përfaqëson fjalën e lirë dhe lirinë e shprehjes. Ky institucion jemi ne gazetarët./
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallime partiake, të distancohen nga njerëz që në Facebook qëndrojnë pas emrave të rremë, pas identiteve inekzistente për t’i provokuar e bërë shantazh gazetarëve -Iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallime partiake që të distancohen nga njerëz që e fshehin identitetin, nga njerëz të paemër, emërhumbur, nga njerëz që mbajnë identitete fallco, pseudonime, që janë anonimë, dhe nën maskat e anonimatit të plotë, të burracakërisë lepuriste, dalin me flamurin e zi të intolerancës, të fondamentalizmit ekstremist ideologjik dhe inkuizicionit të ajatollahëve stalinistë duke u bërë shantazh gazetarëve që të mos na lejojnë të shprehim të lirë mendimin –
Sistemi në Shqipëri dhe Kosovë ka degjeneruar pikërisht sepse politika dhe oligarkët që e kanë kallur vendin në varfëri totale, ku shtetin ligjor e ka zëvendësuar ligji i xhunglës dhe i më të fortit, i duan gazetarët t’i kenë nën diktatin e tyre, andaj e përdorin injorancën dhe analfabetizmin e shpurës të lepujve anonimë kundër gazetarëve sepse politika është mësuar gjatë këtyre 23 viteve tranzicioni makabër në Shqipëri e 15 viteve tranzicion në Kosovë – që t’i përdorin gazetarët ose si palë, ku të shkëmbejnë përfitimet e pushtetit ose si letra higjenike, duke i depersonalizuar ose i kërcënojnë me terrorin e papunësisë.
I bëj thirrje politikës – që t’i mbajë duart sa më larg institucionit që përfaqëson fjalën e lirë dhe lirinë e shprehjes. Ky institucion jemi ne gazetarët.
SKENARËT E PAS 8 QERSHORIT VAREN NGA MORALI I PALËVE
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Pakkush besonte se do të fitonte Hashim Thaçi. Por kishte edhe nga ata që e besonin këtë gjë. Për shembull Jusuf Buxhovi. I cili më 27 maj në Facebook do të shkruante se «Thaçi, edhe më tutje u duhet të huajve për të kryer detyra…» Nga njëra anë Bashkimi Europian e etiketon qeverisjen Thaçi si më të korruptuarën në rajon pas asaj të Shqipërisë, nga ana tjetër e mban Hashim Thaçin! Paradoks i vërtetë në dukje. E mbetur idealiste, mendova se kësaj here Jusuf Buxhovi do të gabonte në prognozën e tij të shpallur dy javë përpara rezultatit të Exit Polls. Por u gabova unë.
Gjithsesi, në daljen publike të PDK-së në mbrëmjen e vonë të 8 Qershorit – festimi i fitores ishte si mbi gjëmba. As nga sytë e Vlora Çitakut nuk reflektohej gëzimi i mandatit të tretë. Sa nuk të lindte dyshimi se Thaçi nuk kishte pasë dashtë me dalë partia e parë. Por në fakt duhej të kishte dashur, dhe fort bile. Kjo nisur nga dalja e Berat Buzhalës në Facebook që pa gdhirë, kur posa ishin hapur kutitë e votimit, e Berati gjithë nervozitet do të deklaronte se «nuk i besonte as Baton Haxhiut dhe Exit Polls të Klan Kosovës.»
Pra, Buzhala që në mëngjesin e 8 Qershorit shprehte një pakënaqësi të hapur ndaj rezultateve të Exit Polls. Dhe është absurde të mendohet që Berati të deklaronte se nuk i besonte fare as Batonin dhe as Exit Polls, kur këta 12 orë më vonë, në orën 20:30, do të shpallnin fitoren e PDK-së!
Këtu ka diçka që nuk shkon. Nervozizmi i Berat Buzhalës i shpalosur herët në mëngjesin e 8 qershorit në Facebook kundër Batonit dhe Exit Polls bie ndesh me fitoren e PDK që dha Shkëlzen Maliqi me bastun në mbrëmje tek Klan Kosova. E përse të ishte nervoz Berati, kur këta do të shpallnin fitoren ? Berati duhej të bëhej nervoz nëse Batoni, Shkëlzeni dhe Exit Polls tek Klan Kosova do të shpallnin humbjen e PDK-së! Apo jo. Kështu thotë logjika e thjeshtë. Ndërsa sa për Shkëlzenin me bastun, ky që kur u shpall zyrtarisht këshilltar i kryeministrit Edi Rama duhej t’iu ishte larguar Exit Polls — për hir të integritetit të anketimeve.
Gjithsesi duhet thënë se klima e fushatës dhe dita e zgjedhjeve shkoi mrekulli në Kosovë.
Në fund të fundit Hashim Thaçi nuk ua pati fajin partive të opozitës që të krijonin aleanca e t’i fitonin zgjedhjet.
Mjafton LDK të kishte bërë aleancë parazgjedhore me AAK dhe zgjedhjet nuk do t’i fitonte Hashim Thaçi. Po ngjan sikur del se liderët e LDK-së po ia duan të mirën më tepër Hashimit se partisë së tyre. Për shembull, do të mjaftonte, që mospërfshirja e Fatmir Sejdiut në listën e LDK-së, të mos shndërrohej në hakmarrje politike të tij në ditën e votimit kundër LDK-së. LDK po ashtu duhej t’i kthehej aleancës tradicionale rugoviste me partinë e themeluar nga Akademik Mark Krasniqit, të cilën e prishi pikërisht Fatmir Sejdiu në zgjedhjet e 2007.
Ndërkohë, pas shpalljes të rezultateve, kam parë nga reagimet në Facebook se humbja e LDK-së, po i shkarkohet Isa Mustafës, si humbje e tij personale, i cili në fakt, është viktima e rradhës e klanit të Llapit. Ky klan rezulton që t’i ketë përdorur si karrema edhe Sejdiun edhe Mustafën për të konservuar pushtet, duke i shkaktuar katastrofë LDK-së. Edhe dorëhqja e Isa Mustafës në këtë kontekst është „kokë turku“ e rradhës.
Ndërsa sa i përket kontekstit të ri qeverisës dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, kemi disa variante:
Varianti i parë është që PDK të krijojë aleanca me partitë opozitare, të cilat gjatë gjithë fushatës e kanë akuzuar qeverisjen Thaçi si të korruptuar dhe shkaktaren e të gjitha të zezave në Kosovë.
Moralisht, asnjë nga partitë e opozitës nuk mund të pranojë që të bashkëqeverisë me PDK. Por duke u nisur nga babëzia për pushtet, aleancat mund të jenë nga më të guximshmet deri në pacipshmëri.
Sepse nëse partitë opozitare do t’u qëndronin besnike sloganëve të fushatës zgjedhore, asnjëra prej tyre nuk do të hynte në aleancë me Hashim Thaçin. Dhe Hashim Thaçi nuk do të mund të qeveriste Kosovën me partitë e pakicave.
Variant i dytë është nëse ndonjë nga partitë e opozitës do të pranonte të bashkëqeveriste me Hashim Thaçin. Kjo është modë në politikën shqiptare. Mjafton të kujtojmë aleancën e Sali Berishës dje – dhe Edi Ramës sot – me Ilir Metën. Se si shahen e pështyhen midis tyre, por kur vjen puna për pushtet flirtojnë dhe harrojnë se çfarë kanë thënë kundër njëri-tjetrit. I tillë do të jetë dueti cilido qoftë binomi Thaçi-Mustafa apo Thaçi-Haradinaj, Thaçi-Kurti apo Thaçi-Limaj!
Nga sa kam kuptuar, Hashim Thaçi ia ka vënë syrin postit të presidencës të Kosovës, alla Millo Gjukanoviç, dhe ky pozicion e bën zemërgjerë. Por gjithmonë në raport me babëzinë për pushtet të liderëve të opozitës. Dhe asnjëherë në të mirë të interesit kombëtar.
Variant i tretë është nëse asnjë nga partitë e opozitës nuk do të pranonte të bashkëqeveriste me PDK-në. Atëherë presidentja e Kosovës do të ngarkonte LDK-në, si partia e dytë, që të ndërtonte qeverinë e re. LDK mund t’i thërrasë për bashkëqeverisje AAK, Nismën dhe VV. Ose mund të mjaftohet me AAK dhe Nismën. Dhe së bashku me partitë e pakicave të formojnë një shumicë të duhur.
Vartianti i katërt është qeveria teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse rrëzohet qeveria e Hashim Thaçit, kur asnjë nga partitë e opozitës nuk do të pranonte bashkëqeverisjen me PDK dhe po ashtu partitë e opozitës nuk pranojnë të krijojnë aleanca. Në parim nuk kanë përse të mos krijojnë. Por LDK do të ketë vështirësi, nisur nga fakti i humbjes.
Në fakt, qeveria teknike, duket si zgjidhja më pastër, sepse do të krijonte mundësi edhe për katharsis brenda partive të opozitës që kanë nevojë, edhe për PDK, paçka se opozita ka legjitimitet për të krijuar qeveri, pasi përbën shumicën.
Por gjithsesi, edhe një herë duhet theksuar se zgjedhjet e 8 qeshorit ishin një provë për Kosovën, të cilën e kaloi me sukses, paçka se suksesi i ngjante fitores së Pirros, kur kihet parasysh se rreth 60% e elektoratit nuk doli në votime dhe abstenoi.
ALEANCAT QË MUND TË PRODHOJË 8 QERSHORI: MË MIRË LDK-AAK SESA AAK-VV APO PDK-VV
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Fushata zgjedhore në Kosovë po arrin në finish. Liderët politikë po bëjnë një fushatë të kultivuar, pa sharje dhe fyerje. Qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit shihet si dështim i plotë sa i përket luftës kundër korrupsionit, ndërtimit të shtetit ligjor dhe uljes së papunësisë e varfërisë. Aktualisht Kosova është një Lager në Europë dhe fakti se ishte viktima e fundit e një konflikti barbar nuk e ka zbutur aspak cinizmin e Europës e cila paçka se tani e tregon me gisht Hashim Thaçin për bëmat e tij – me të pati një romancë shtatëvjeçare. Nga ana e tij, Hashim Thaçi që nuk e çau kokën të kryejë detyrat e shtëpisë – në dukje ai ka mbajtur një raport loyal me SHBA.
Sipas të gjitha gjasave Hashim Thaçi do ta pësojë ashtu si Sali Berisha në zgjedhjet e qershorit të shkuar. Për ta parandaluar këtë disfatë Thaçi ka marrë masat e tij. Një segment i PDK-së sot gjendet i katapultuar tek VV. Si për të përgatitur aleancën e re që Thaçi ka në mendje – bashkë me AKR, partinë e Behxhet Pacollit.
Për aleanca po përgatitet edhe AAK, partia e Ramush Haradinajt. Për Haradinajn, zgjedhjet e 8 qershorit, janë të parat ku ai udhëheq fushatën e partisë së tij në gjendje të lirë, pas një gjykimi tepër të vështirë dhe të gjatë disavjeçar. Ai ishte kryeministër i zgjedhur nga Ibrahim Rugova në zgjedhjet e 2004, kur ndaj tij nisi procesi gjyqsor i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës më 2005. Vjet, kur u kthye nga Haga, u miklua prej Hashim Thaçit duke treguar gatishmëri për të hyrë me të në alanca qeverisese. Por Thaçi e mashtroi. Tani nga intervista që ka dhënë tek Zëri i Amerikës mësohet se ai sheh si aleatë LDK ose VV.
Nga ana e saj LDK – e ka provuar çmimin që i kushtoi aleanca me Hashim Thaçin më 2007, por edhe përjashtimi i aleancave në zgjedhjet e 2010.
Ndërsa bojkoti dhe abstenimi nga 45% – 55% i popullit të Kosovës gjatë zgjedhjeve të 2007 dhe atyre të 2010 – është një fakt tronditës që tregon se populli e beson pak klasën politike në Kosovë dhe një kambanë alarmi për 8 Qershorin e 2014.
Isa Mustafa ka shans që të bëhet kryeministër i Kosovës duke llogaritur se i duhet të ndërtojë shtetin ligjor. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm duke mbajtur rreth vetes figura të pastra dhe me integritet. Isa Mustafa duhet të synojë fitoren e LDK-së, sepse humbja e tretë jo vetëm do ta shpartallonte partinë, por nuk do të ishte në të mirë të interesave kombëtare të Kosovës.
LDK ka burime njerëzore të pafundme. Ndërkohë raportet me SHBA dhe BE duhet të jenë në të njëjtën valë që i ka lënë Ibrahim Rugova. Kosova është vend në zemër të Europës dhe shqiptarët e Kosovës tek SHBA kanë Aleatin e tyre jetik.
Në këtë situate ku ndodhet sot Kosova, LDK-ja ka shansin që të jetë partia e parë. Zemrat e elektoratit rugovian LDK mund t’i tërheqë permes një imazhi të ri me figura të reja. Emrat e rinj dhe angazhimi i Donika Gërvallës është shans i LDK-së. Ndërsa projektimi aleancës – me cilën parti apo koalicion do të qeverisë – për LDK është obligative.
LDK ka të drejtë legjitime të përjashtojë VV, sepse Albin Kurti nuk e ka njohur kurrë rolin e Ibrahim Rugovës, pra është në pozita thellësisht ekstremiste. Po ashtu LDK ka të drejtë të përjashtojë edhe AKR, si aleatin e ngushtë të Hashim Thaçit.
Aleancë e PDK-së dhe VV është e dëmshme për Kosovën. E dëmshme dhe aspak e shëndetëshme për Kosovën edhe aleanca e AAK dhe VV. Në këtë kontekst LDK mund të hyjë në Aleancë me AAK, për ta vazhduar rrugën e nisur në 2004 nga Ibrahim Rugova.
Por të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova do të qeveriset vetëm me duar të pastra, pa klane, pa bajraqe, pa klientelizëm, pa intriga, pa politikanë me hipoteka, pa despotizëm. Isa Mustafa duhet ta administrojë mirë rolin që ka, të Njëshit të partisë, duke mos pranuar që të dalë në hije nga kasta e vjetër.
Zgjedhjet e parakohëshme, me një media të pushtuar nga oligarkët, e bëjnë shumë të vështirë komunikimin midis kandidatëve me Sovranin, por gjendja kritike e bën popullin e Kosovës që të jetë largpamës e t’i sfidojë të gjitha barrierat, për ta sfiduar të keqen – që Kosova të bëhet e të jetë ajo që meriton.
QEVERIA THAÇI E KA HUMBUR LEGJITIMITETIN…
… POR KËTU EKZISTON DYSHIMI I MADH SE E KEMI KËTË QEVERI SI MAFIOZE, PASI KËSHTU E DESHËN TË HUAJT/
INTERVISTË ME JUSUF BUXHOVIN/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Jusuf Buxhovi, një emër i madh në aradhen e figurave më të spikatura në historinë moderne të këtij gjysmëshekulli, krahas Ibrahim Rugovës e Fehmi Aganit, të cilët i dredhuan letërsisë për një kauzë të madhe si vazhdon të mbetet në sendërtimin e paqes, në një rrugëtim që nis prej çlirimit e deri tek shteti ligjor.
Pas çlirimit të Kosovës, Jusuf Buxhovi duket sikur i ka dredhuar politikës, ndërkohë mospërfshirjen në politikën aktive ai e ka plotësuar me një angazhim të jashtëzakonshëm për të demonstruar permes shkrimit identitetin evropian të shqiptarëve. Për të rrënjosur atë që është synuar të çrrënjoset, rrënjët e shqiptarëve, produkt i së cilës ishte edhe lufta e Kosovës, si e fundit pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Vepra e tij historiografike në tri vëllime “Kosova” ështe një Monumet, që mund të kishte ardhur si rrjedhojë e punës të Akademisë të Kosovës a asaj të Shqipërisë, o të dyjave sëbashku, ndërsa Jusuf Buxhovi e ka arritur vetë. Shoqëruar nga një sukses i jashtëzakonshëm i publikut shqiptar në trevat shqiptare dhe diasporë. “Kosova” e Jusuf Buxhovit është ribotuar disa here, kështu edhe romani i tij më i ri “Jeniçeri i fundit”.
Pikërisht në kohën më të zezë të krizës për librin shqiptar, ku shitjet janë minimale, librat e Jusuf Buxhovit arrijnë kuotat më të larta të shitjeve si bestseller. Ai ka pohuar të kundërtën e Ivo Andriçit. Si një të vërtetë qetësuese, e cila është ilaç në kohën e integrimeve për të gjithë, kur Ballkani thuhet se e ka humbur konotacionin e dikurshëm si “FuçiBaruti”, ndërsa keqqeverisjet shqiptare iu ngjajnë fuçive të barutit.
Shitja e veprës tregon se ai gëzon një besim të padiskutueshëm tek publiku shqiptar, i cili, nëse Jusuf Buxhovi do të përfshihej në politikë, do t’i shndërrohej në votëbesim.
Unë si gazetare e kam ftuar ashtu si Ismail kadarenë, edhe Jusuf Buxhovin të përfshihet në politikë, sepse përfshirja e tij do të gjeneronte katarsis dhe do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm për të mirën e Kosovës dhe lexuesit të tij. Deri tash nuk më ka dëgjuar.
Bashkë me pyetjet për intervistë, katër syresh, pasi përgjigjeve që dha të cilat do t’i lexoni pak më poshtë, i dërgova këtë shënim:
“I nderuari Profesor, ju falënderoj shumë. Ju jeni emri i vetëm në Kosovë i padiskutueshëm për ato që shprehni dhe që shkruani. Nga kjo rrjedh suksesi juaj, të cilin e garantoni me personalitetin që keni. Njerëzit e dinë edhe kur ju ende e keni veprën në laborator, pa e publikuar, se ajo që keni shkruar e po thoni përmes shkrimit, është padiskutueshmërisht me vlerë. Pra lexuesi ju beson, sepse këtë besim ju e keni ushqyer. Prandaj angazhimi juaj në politikë është shumë i rëndësishëm, jo për ju, por për Kosovën dhe shqiptarët.
Shqiptarët kudo që jetojnë janë të etur të dëgjojnë të vërtetën ku ndodhemi dhe si dalim prej kësaj baltovine. Mos u shqetësoni kurrë prej zagarëve. Kaloni në rivistë se çfarë i kanë bërë Rugovës, Kadaresë, Nënë Terezës dhe Skënderbeut. Sulmet e zagarëve merrini si sport dhe angazhohuni. Kurrë nuk jeni vonë. Tani gjithsesi koha duket më fatlume, sepse ka të paktën 15 vjet dështime në qeverisje. Ne ju duam shumë dhe vlerësimet tona janë të padiskutushme, deri në qiell. Presim të takohemi, këtu apo atje. Shumë të fala Zonjës, fëmijëve, mbesës dhe nipave – Gjinit të vogël, që e dini se ju ngjan fort. Shumë të fala prej nesh, me përqafime, Elida“
Më poshtë vjen intervista.
Në secilin vend demokratik personat e apostrofuar nga drejtësia së paku do të heshtnin – tek ne, ngjet që edhe nga burgjet jo vetëm që drejtohet shteti, por edhe bizneset, dhe madje edhe fushatat zgjedhore!
Elida Buçpapaj: Përfaqësuesi i CDU në Bundestagun gjerman Michael Brand ka dalë deklaritivisht hapur kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë. „Deri tani – tha ai përpara Parlamentit – në Kosovë nuk kemi as stabilitet, as shtet ligjor, as struktura stabile shtetërore“. Në këto kushte, a ka të drejtë partia e Hashim Thaçit të pretendojë fitore të zgjedhjeve ?
JUSUF BUXHOVI: Edhe pa vlerësimet e qëlluara te zotit M. Brand, qeveria Thaçi qysh moti e ka humbur legjitimitetin qeverisës. Mjafton të shihet shkalla e korrupsionit, pastaj kriminaliteti dhe dukuri të tjera ku shteti zhvatet në të gjitha segmentet e tij, ndërkohë që qytetarët lokalë gjenden në një situatë kur shteti jo vetëm që nuk ua jep ato që ka për detyrë, por edhe ua merr edhe ato që kanë.
Pos këtyre është edhe çështja e krimeve të luftës dhe të tjera me të cilat ngarkohen shumica e bosëve të partisë së Thaçit, të cilët janë në qeveri dhe faktori ndërkombëtar (SHBA, Bashkimi Europian dhe NATO) përditë bëjnë me gisht kah ata.
Mjafton të shihet se si këto ditë fushata zgjedhore e kësaj partie përcillet po ashtu me një seri shkrimesh në “Kohën ditore” me plot e përplot akuza për krime të kryera gjatë dhe pas luftës nga pjesa më e madhe e liderëve të kësaj partie!
Në secilin vend demokratik personat e apostrofuar nga drejtësia, së paku do të heshtnin përderisa gjyqi ta thotë fjalën e fundit. Te ne, ngjet që edhe nga burgjet jo vetëm që drejtohet shteti, por edhe bizneset, dhe madje edhe fushatat zgjedhore!
Elida Buçpapaj: Po në Bundestagun gjerman, në debatin e organizuar për qeverinë e Prishtinës, u fol për „Mafien politike të Kosovës.“. Nisur nga fakti që Ministrja gjermane e Mbrojtjes nuk u takua me kryeministrin në ikje, çfarë do të thonë këto fakte ?
JUSUF BUXHOVI: Sa i përket “Mafias politike”, që zunë n‘gojë gjermanët, ata e dinë më mirë se ne se çfarë janë përmasat e saj, siç e dinë edhe amerikanët dhe të tjerët, të cilët, megjithatë nuk mund të bëjnë vetëm me gisht, siç po bëjnë tani, kur ata kanë përkrahur këto garnitura qeverisëse dhe shumë prej tyre i kanë përdorur dhe shfrytëzuar për të futur në dorë resurset e caktuara ekonomike të Kosovës (Telekomin e Kosovës, Elektroekonominë dhe resurset tjera).
Këtu tashmë ekziston dyshimi i madh, se ne kemi këtë qeverisje mafioze pse si të tillë e deshën të huajt, ku nuk mund të përjashtohen as gjermanët, që kanë të përzgjedhurit e tyre në këtë lëmsh kriminal, të cilët i futën në lojë qysh para luftës dhe veçmas gjatë saj, pasi përjashtuan intelektualët dhe idealistët që e donin shtetin e Kosovës të pastër dhe properëndimor.
Është për keqardhje kur dihet se Kosova si projekt perëndimor euro-atlantik, që u vu nën protektoratin ndërkombëtar, instaloi një armatë të tërë mekanizmash ndërkombëtarë nga ata të sigurisë e deri te ekspertët dhe këshilltarët e shumtë, të cilët në vend se të punonin për këtë qëllim, vepruan për të kundërtën, gjë që katandisja e Kosovës në këtë gjendje është edhe meritë e tyre e madhe!
Në farsën mediale nuk mund të mos fajësohet edhe faktori ndërkombëtar
Elida Buçpapaj: Në Bundestag u përmend edhe liria e mediave, e cila në Kosovë është pothuaj 100 % e komprometuar, çfarë do të thotë kjo për një gazetar me përvojë dhe krijues si ju, dhe çfarë duhet të bëhet?
JUSUF BUXHOVI: Liria e mediave në Kosovë ka kohë që nuk ekziston. Kemi një farsë mediale, fund e krye në sherbim të bosëve politikë, të cilët e kanë degraduar profesionin e gazetarit tmerrësisht! Me ndonjë përjashtim të vogël, gazetat dhe televizionet drejtohen nga politika dhe interesat e tyre. Edhe këtu nuk mund të mos fajësohet edhe faktori ndërkombëtar, i cili, në vend se të forcojë fjalën e lirë dhe gazetarinë e pavarur, ka investuar te disa grupe dhe mediume që kanë qenë në shërbim dhe grupeve politike dhe mediale. Kështu që mizeria politike në të cilën ndodhet Kosova nuk do të mund të ishte e tillë pa meritën e gazetarëve dhe të gazetarisë së Kosovës dhe pa sponsorët e jashtëm, që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë vasalë dhe jeniçerë!
Me librat e mi i kundërvihem rënies të madhe morale
Elida Buçpapaj: Jeni gjithnjë në aktivitet krijues, me trilogjinë Kosova, të përkthyer edhe në anglisht, me Jeniçerin e Fundit, gjithkund jemi i zënë në promovime, librat tuaja janë më të shiturit, ndërsa Kosova është në degradim, a nuk duhet t’i ktheheni angazhimeve qytetare si pjesë e elitës, sikur keni bërë bashkë me inteligjencien 24 vjet më parë kur themeluat LDK ?
JUSUF BUXHOVI: Është e vërtetë se librat e mia (“Kosova” dhe “Jeniçeri i fundit”) janë më të shiturat dhe më të kërkuarat, gjë që tregon se jo gjithçka e ka humbur besimin. Kjo më bën edhe më të përkushtueshëm. Përcaktimi kah krijimtaria nuk është vetëm një satisfaksion për krijuesin e dëshpëruar në kohë krize të thellë siç është kjo e jona, por është një mjet i fuqishëm që t’i kundërvihet kësaj të keqeje. Suksesi i veprave të mia si dhe interesimi i madh për to e dëshmon këtë. Ndaj, nuk do t’i kthehem politikës së papastër, e cila të kthen në shërbëtor dhe jeniçer, por do të mbetem te librat, në mënyrë që me anën e tyre t’i kundërvihem rënies së madhe morale, shoqërore në për të cilën po kalojmë.
27 Maj 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 35
- 36
- 37
- 38
- 39
- …
- 58
- Next Page »