• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VIZITA EDI RAMËS NË BEOGRAD PRODUKT BALLKANIK JO EUROPIAN

January 16, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

KM i Shqipërisë Edi Rama do të vizitojë gjatë shkurtit Beogradin. Këtë vizitë të KM opinioni shqiptar e mësoi prej mediave të Serbisë. Të kthehemi pak në kohë e të kujtojmë se burimi i konfuzionit me armët kimike u krijua pas një deklarimi të Ditmir Bushatit, Ministrit të Jashtëm për Shqipërisë për mediat e Francës, të cilin mediat e Tiranës e botuan si një “dekonspirim”. Pra merrni me mend se çfarë tingëllimi ka, kur, për aktivitetin e KM të Shqipërisë, opinion shqiptar informohet nga mediat e huaja.
Pra KM i Shqipërisë nuk është transparent me popullin e tij, kur do të duhet që axhendën e tij diplomatike ta bëjë publike.
Vizitën e tij në Beograd ai do të duhej ta bënte transparente, të paktën me Aleatët tanë SHBA, sepse dihet se çfarë angazhimi kanë amerikanët në çështjen shqiptare. Dhe se pa SHBA Kosova do të vazhdonte të ishte nën pushtim.
Vizita e Ramës në Serbi që pritet të bëhet gjatë muajit shkurt, e mbajtur sekret në Shqipëri, u bë e ditur nga ministri i jashtëm serb Ivan Mrkiç. Mediat serbe disa kohë më parë kishin cituar Ditmir Bushatin të kishte thënë se kjo vizitë do të bëhej gjatë nëntorit të shkuar. Pra pala shqiptare ka punuar fort.
Radio serbe B92 në anglisht, që i referohet intervistës së ministrit të Jashtëm serb Ivan Mrkić në numrin e djeshëm tek Politika, që e përcjell edhe Tanjug, citon Mrkiç të ketë thënë se Beogradi e “mirëpret iniciativën e Ramës të vijë në Serbi”. “Ne jemi duke përgatitur të takohemi me të dhe të bisedojmë për përmirësimin e marrëdhënive në rajon”, thotë Mrkiç për mediat serbe. Shikoni sa transparent është zyrtari i lartë serb me popullin e tij, krejt ndryshe nga sa ndodh me ne shqiptarët, ku politika vazhdon të na ushqejë me bar.
Por ajo që na bie në sy nga deklarimi i Mrkiç, është se Rama e viziton Beogradin, jo i ftuar nga Serbia, por i pritur nga Beogradi pas një kërkese për vizitë që ka bërë KM i Shqipërirë.
Në këtë kontekst, gazeta serbe Politika nënvizon faktin se kjo vizitë është e dyta e një kryeministri shqiptar, në hapësirën midis gati 70 vitesh. I pari Serbinë e kishte vizituar diktatori Hoxha, në kohën kur e kishte mjaltë me Titon dhe synonte ta kthente Shqipërinë në një republikë të shtatë dhe, i dyti, Edi Rama. 
Nëse Edi Rama do të kishte bërë kërkesë të ftohej nga Presidenti Obama apo nga kancelarja Merkel, natyrisht që kërkesa e tij për ftesë do të ishte e justifikuar. Mundet edhe që Edi Rama të ketë bërë kërkesë për ftesë, por Obama dhe Merkel nuk e kanë pranuar ende, sepse kërkojnë reforma. 
Fakti që Rama i ka kërkuar Serbisë ta ftojë në Beograd dhe kur dihet se në çfarë konteksti është vizituar Beogradi e vë KM e Shqipërisë në pozitë inferiore. Serbia nuk i kërkon Edi Ramës as të reformojë drejtësinë, as të forcojë shtetin e së drejtës, por e pranon vizitën e tij duke i kushtëzuar axhendën e bisedimeve. 
Në intervistën tek Politika, ministri i Jashtëm serb Ivan Mrkiç paraqet në mënyrë transparente për publikun serb axhendën e vizitës të KM të Shqipërisë në Beograd.
Mrkiç thotë se bisedimet me KM e Shqipërisë do të fokusohen në relacionin biletarel të “dy vendeve, duke u fokusuar në bashkëpunim në fushën e bujqësisë, turizmit, transportit, edukimit.” 
“Ne gjithashtu e shohim të nevojshme ta sjellim në qendër të vemendjes faktin se minoriteti serb në Shqipëri nuk ka fituar ende njohjen e duhur….” “Ne do të duhet të specifikojmë format e përshtatshme të trajtimit të pakicës serbe në Shqipëri që ashtu sikur pakica shqiptare në Serbi, të gëzojë të gjitha të drejtat në përputhje me standardet më të larta evropiane”, thekson Mrkiç për Politikën.
I pyetur nga Politika “rreth takimit të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Prizren ku u nënshkrua edhe një marrëveshje e partneritetit strategjik, Mrkić përgjigjet se Beogradi nuk i jep askujt leksione se çfarë të bëjë e si t’i bëjë, por theksoi se limitet janë të ditura e të njohura. 
“Ne nuk do të ngurrojmë në çdo moment për të thënë çdo gjë që ne mendojmë dhe se si ne i shohin gjërat, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një miqësi “, përfundoi Mrkiç.
Pra, nga intervista e Mrkiç mësohet se pala serbe e ka panuar kërkesën e Ramës duke e kondicionuar. Bie në sy është se pala serbe ka vendosur shenjë barazimi midis pakicës shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me pakicën serbe në Shqipëri, duke nënvizuar faktin se Beogradi e trajton pakicën shqiptare sipas standarteve europiane. Kur do të duhej që të vinte në balancë veriun e Mitrovicës me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, që popullohet nga shqiptarë autoktonë të cilët jetojnë në trojet e veta. Deri në vitin 1945 kjo pjesë i përkiste Kosovës, dhe prej këtij viti është ndarë dhe kaluar në territorin e shtetit serb, ndërsa pakica serbe në Shqipëri shumë e vogël në numër, që, megjithatë e ka fituar statusi e minorancës, e përqëndruar në një fshat afër Shkodrës, gëzon të gjitha të drejtat si çdo qytetar i shtetit shqiptar. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit jetojnë në kushte të vështira, ku në këtë rajon papunësia është mjaft e lartë, ndërkohë që arsimin e lartë e bëjnë në Prishtinë, Tetovë e Tiranë. Dhe zgjidhja e vetme ka qenë e mbetet emigrimi.

Por siç shihet nga paraqitja që ka bërë Mrkiç, pakica shqiptare në Serbi nuk është pjesë e axhendës së Edi Ramës gjatë vizitës së tij në Beograd. Tabu është edhe pavarësia e Kosovës.

Si konkluzion, për vizitën e tij në Serbi, KM Edi Rama nuk është transparent as me shqiptarët dhe as me SHBA dhe aleatët. Ai shkon në Beograd, jo i ftuar, por me kërkesë për t’u ftuar dhe me një axhendë të përcaktuar nga pala serbe, pra të përcaktuar unilaterisht. Dhe kjo e cënon interesin bilateral. Në kushte të tilla vizita KM Edi Rama në Beograd, duket si individuale, për të rregulluar marrëdhëniet e tij personale me Beogradin, por jo në të mirë të dy vendeve, sepse nuk mund të ketë të mirë të Serbisë, pa të mirë të Shqiptarëve, ku e mira e shqiptarëve dhe e serbëve është ajo e integrimeve në BE, si shtete dhe shtetas me të drejta të barabarta. Prandaj them se vizita e Edi Ramës në Beograd është produkt i vizionit ballkanik të këshilltarëve të KM të Shqipërisë, të llojit të Shkëlzen Maliqit, pra është një vizion që e çon Edi Ramën në qorrsokak dhe assesi në Europë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, ne Beograd, Vizita e Edi Rames

PËR PRIZRENIN, RAMËN, THAÇIN, PAKICAT NË KOSOVË E SERBI DHE INTEGRIMET SHQIPTARE NË BE

January 14, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Qeveria Rama i dha shumë rëndësi takimit të Prizrenit, i cili u bë gjatë fundjavës, pra jo gjatë ditëve të punës, më tepër si një takim informal – larg ngjyrimit zyrtar. Megjithatë përshkohej nga rregulli dhe disiplina shtetërore, orari i nisjes, përfshirja. Autobuzi jo me ngjyrë të purpurt, por në okrën e preferuar të Van Gogh-ut, priste përpara dyerve të kryeministrisë, ku i fundit hypi Endri Fuga, i cili në distance ngjante me një Harry Potter. Televizionet treguan live kur autobusi u nis e pastaj u ndal në semafor. Ndofta aty Rama është krenuar përpara vartësve se si qeveria e tij i respekton rregullat e qarkullimit rrugor. Nuk dihet nëse gjatë udhëtimit për në Prizren e ka marrë në gojë për të mirë pararendësin e tij, por kjo pak rëndësi ka.
Edi Rama është në fillim të mandatit të tij,ende i krekosur prej premtimeve – Hashim Thaçi në fund të dy mandateve të tij i konsumuar prej mosmbajtjes së premtimeve dhe sidomos i gërryer si udhëheqës i palës shqiptare në bashkëbisedimet Kosovë-Serbi, sepse ndërsa Kosova plotëson kushtet ndaj pakicës serbe, pakica shqiptare në Serbi nuk gëzon as të drejtat elementare të njeriut. Thaçi po ashtu është i gërryer edhe nga brenda partisë, pas largimit të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit. Papunësia në Kosovë kalon 60% dhe Kosova është i vetmi vend në Ballkan që diskriminohet dhe ka mbetur i papërfshirë në liberalizimin e vizave, ndërsa pakicat që jetojnë këtu përfitojnë nga marrëveshja Shengen, sepse gëzojnë dyshtetësinë. Pra Hashim Thaçi e ka të pamundur të fitojë një mandat të tretë.
Sa për Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin këtu gjendja e shqiptarëve është e dëshpëruar. Ka dy vjet që premtohet se do të ndërtojnë një maternitet pasi grave shqiptare u duhet të udhëtojnë 200 kilometra rrugë për të lindur dhe premtimet kanë mbetur në hava.
Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të funksionojë në bazë të reciprocitetit bilateral, ashtu si funksionojnë të tilla marrëveshje në të gjithë Europën dhe rajonin. Kosova plotëson kushtet ndaj pakicës serbe, dhe Serbia duhet të plotësojë kushtet ndaj pakicës shqiptare. Por ndërsa Kosova dhe Serbia kujdesen për pakicën serbe në Kosovë, për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk kujdeset as Serbia, as Kosova, as Shqipëria dhe askush.
Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kërkojnë punësim, shkolla, maternitet, zhvillim si dhe përfshirje në politikë, në mënyrë të tillë që zëri i tyre të dëgjohet përmes përfaqësimit në Beograd. Ashtu si dëgjohet edhe zëri i pakicës serbe në Parlamentin e Kosovës.
Por politika shqiptare këndej dhe andej kufirit ka synime të tjera. Megjithëse Rama në fjalimin e tij në Prizren përsëriti disa here si gjetje filozofike fjalën “përbashkim”, duke evokuar hymnin e flamurit, kjo gjë duket pa sens, sepse shqiptarët rezultojnë të jenë më të varfërit e rajonit, më të paintegruarit e rajonit dhe më të mbeturit në mëshirë të fatit e rajonit.
Edhe 100 mijë Eurot që Rama dhe Thaçi i dhuruan Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishin një fyerje. Berisha kur ishte kryeministër i dhuroi 400 mirë Euro pakicës serbe në Graçanicë! Prandaj ishte i drejtë reagimi i shoqatës Medvegja në Zvicër, e cila ka vendosur pas kësaj që t’iu dhurojë 200 mijë Euro qeverive përkatëse të Tiranës e Prishtinës, shtetarët e të cilës bëjnë jetë komode dhe me prosperitet, ndërsa qytetarët jetojnë në varfëri e mjerim.
Të të ketë lindur Zoti nën qiellin e Europës dhe të mbetesh i ekskomunikuar prej Europës si po ndodh me shqiptarët, këtu qendron drama. Nëse sot Shqipëria do të ishte e integruar në BE ajo do të kishte një zë tjetër, nëse nuk është e integruar në BE, ky hendikep i adresohet klasës politike, sepse nuk ka plotësuar as detyrimin minimalist ndaj popullit.
Takimi i Prizrenit s’ka asgjë të keqe, mirë që e bënë, por në fund të fundit shqiptarët e bëjnë për çdo ditë rrugën Kosovë-Shqipëri e anasjelltas, vinë e shkojnë,shkojnë e vinë e takohen midis tyre. Atë që duhet të bëjë Rama dhe Thaçi e të gjithë liderët shqiptarë, është të përmbushin detyrimin që kanë ndaj qytetarëve të tyre, të krijojnë kushte zhvillimi, të fuqizojnë shtetin e së drejtës dhe tregun e lirë për një jetese normale, duke i integruar në BE.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, pakicat, Prizreni, Rama, Thaci

KARTOLINA E OBAMËS ME TEKST TË CUNGUAR

January 13, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në profilin zyrtar të KM Shqipërisë dje në Facebook ishte vendosur kartolina që Edi Rama kishte marrë nga Presidenti i SHBA Barack Obama. Kartolina e Presidentit Amerikan shoqërohej me diçiturën që presupozohej të shprehte me të drejtë kënaqësinë e Edi Ramës “Kartolina më e bukur e këtij janari erdhi e fundit”.
Meqë lidhej me urimin e Vitit të Ri, dhe meqë Edi Rama i jep shumë rëndësi imazhit, mund të ishte shkruar “Kartolina më e bukur e Vitit të Ri erdhi e fundit”. Por një gjë do të duhej ta bënte me patjetër Edi Rama. Sipas kurtuazisë së komunikimit të zyrtarit më të lartë të shtetit, që lidhet edhe me pretendimet për transparencë, kartolina do të duhej të ishte fotografuar e plotë, jo gjysmake si është fotografuar, sidomos teksti i kartolinës i shkruar me dorë nga Presidenti Amerikan, ku lexohet vetëm rreshti i fundit i saj dhe shihet firma e Presidentit Obama. Aq më tepër kur dihet se Edi Rama mban të paktën një fotografe profesioniste. Sepse në etikën dhe etiketën e kultures të të sjellurit, të kodit dhe normave konvencionale që duhet të përcjellë burri i shtetit nuk lejohen lapsuse të tilla,që kartolina të botohet me tekst gjysma-gjysma. Nuk e di Edi Rama këtë?!
Përpara disa kohësh në faqen e tij në Facebook ai shfaqej i fotografuar duke patur në sfond figurën e diktatorit Hoxha. Dhe, kur gazetarët e pyetën, e kaloi me romuze dhe mërmëritje. Pastaj, në fund, doli me pretendimin se nuk ishte ai që e vendosi foton e diktatorit në faqen e tij zyrtare të Facebook-ut!
Facebook është një mjet i komunikimit masiv, ku përmes tij kryeministri jep mesazhe dhe kuron imazhin. Dhe është e papranushme të thotë se nuk e ka ai nën kontroll faqen zyrtare të KM. Aq më tepër, kur në këto 100 ditë ne kemi parë vetëm veprime që lidhen me kurimin e imazhit të institucionit.
Ka ardhur momentumi që Kryeministri i Shqipërisë të përballet me realitetin, ashtu siç është ai. Ai mund të kurojë muret, të heqë e të vendosë foto, të bëjë melanzhe ngjyrash, të bojatisë fasadat, por realitetin nuk e ndryshon dot me fjalë. Prandaj Edi Rama duhet të përballet me realitetin.
Natyrisht duhet të kurojë edhe me imazhin e tij. Dhe meqë thotë se është mjeshtër i asaj pune, e kam dëgjuar se kështu i ka thënë Blendi Fevziut tek Opinion, se është një PR i shkëlqyer, dhe mund të jetë, sepse gjatë kohës kur ishte zyrtar i lartë në qeverisjet pararendëse të PS, ai ishte autor i fjalimeve të kryeministrave.
Nëse është ashtu si thotë e përse e lë jashtë kontrollit kurimin e imazhit të tij. Si lejon të fotografohet duke patur në sfondin hije fotografinë e diktatorit, si lejon që këto foto të vendosen në faqen e tij zyrtare në Facebook dhe si i lejon vetes të mos e ketë nën kontroll faqen e tij të Facebook-ut.
Nuk e di Edi Rama se ta botësh kartolinën e presidentit Obama të fotografuar në mënyrë të tillë, ku teksti është i përgjysmuar, do të thotë që të shkelësh etiketën e zyrtarit më të lartë të shtetit? Nuk i lejohet më Edi Ramës të thotë se „nuk e di“, e „nuk e vendosa unë në Facebook“ e më the të thashë. Edi Rama ka qenë PR i mirë për të tjerët. Por tani ai është KM. Dhe nuk mund të jetë edhe KM edhe PR. Prandaj pyes a ka PR Edi Rama?
Edi Ramës nuk i lejohet as ta shtrëmbërojë realitetin e të thotë se BE nuk na pranoi në dhjetor për shkak të esktremizmit të një segmenti të Hollandës, kur dihet shumë mirë se Hollanda tha tekstualisht në televizionet e Shqipërisë se nuk do të vendosë veton kundër Shqipërisë.
Mos do të thotë Edi Rama se edhe Gjermania, Franca dhe Anglia që sipas Samuel P. Huntingtonit përbëjnë « the core of Western democracy » – thelbin e demokracisë Perëndimore – simboli i të cilit është shteti i së drejtës – janë shprehje e segmentit ekstremist?! Natyrisht që Edi Rama nuk e pranon këtë. Atëherë le të thotë të vërtetën dhe e vërteta lidhet me realitetin që ekziston në Shqipëri, ku korrupsioni dhe sistemi i korruptuar i drejtësisë po i marrin frymën dhe shpirtin vendit. E deri më tani asnjëra palë e politikës në Shqipëri, as ajo që udhëhoqi për 8 vjet dhe as kjo që sapo mbushi 100 ditë nuk po tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të shpëtuar vendin nga katastrofa morale dhe sociale.
Edi Rama e di mirë se ata 1 milionë votues nuk votuan pro tij, por kundër korrupsionit, degradimit të shtetit të së drejtës, votuan kundër varfërisë dhe pasigurisë sociale të qeverisjes të pararendësit. Edi Rama nuk mund t’i bëjë replay qeverisjes të Sali Berishës, sepse këto 1 milion vota i kthehen automatikisht kundër tij pastaj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, kartolina Rama, me tekst te cunguar

ELIDA BUÇPAPAJ:ME RËNIEN E DIKTATURËS KAM FILLUAR TË RIFITOJ KOHËN E HUMBUR

January 11, 2014 by dgreca

INTERVISTE EKSKLUZIVE  E ELIDA BUCPAPAJ ME  REVISTEN “ILIRIA” NE KROACI/

Elida BUÇPAPAJ: jemi të vonuar si komb – respektoj të vërtetën pa marrë parasysh se nuk pëlqehet nga politika – unë i qëndroj besnike opinionit publik/

–  Intervistoi: SHENIDA BILALLI/

Kur e kam parë për herë të parë fotografinë e gazetares Elida Bucpapaj në një revistë shqiptare me tituj të guximshëm më tërhoqi vëmendjen si person, jo vetëm si femër atraktive dhe e bukur, por si një opinioniste me një qëndrim antikonformist në publicistikën shqiptare. Një figurë dominuese e zërit femëror intelektual dhe krijues.
Elida Buçpapaj është kolumunistja e njohur e shkëlqyer, një grua shumë e guximshme, krijuese e mirëfilltë. Analiste e ngjarjeve që na ndjekin, duke ezauruar me sukses të gjitha zhanret e gazetarisë, që nga kronika, reportazhi dhe analizat. Në prag të rrëzimit të diktaturës, ishte gruaja e parë korrespondente nga Tirana që informonte për Radion“Zëri i Amerikës”. Njëkohësisht është poetja, publicistja dhe përkthyesja nga katër gjuhë të huaja. Por ishte edhe e bija e vetme e Vehbi Skënderit, poetit dhe publicistit të persekutuar nga regjimi. Dhe ky fakt ia ndryshoi tërësisht jetën.
Elida Buçpapaj është diplomuar në universitetin e Tiranës për Gjuhë–Letërsi. Shkrimet e para filloi t’i botojë në shtypin e postdiktaturës, në gazetat Atdheu, Kosova, Rilindja Demokratike dhe Tribuna Demokratike.
Pas të gjitha analizave dhe hulumtimit të jetës të Elida Buçpapajt, konkludova se është një person jashtëzakonisht i fortë, por në brendinë e asaj force fshihet një femër, princeshë e butë, shumë e ndjeshme dhe e qytetëruar, të cilën e lënduan emotivisht si shumë fëmijë në Shqipëri gjatë  ish sistemit komunist. I dënuan të jatin, Elidën nuk e lanë të shkollohej duke ia bërë jetën shumë të rëndë për ta jetuar. Vehbi Skënderin, të jatin e saj, poetin, gazetarin dhe intelektualin e shquar e përfshinë në një grup anti-parti bashkë me Akademikë të shquar si Prof.Selman Riza, Prof.Zija Shkodra, sepse bashkë me ta kritikonte institucionet e superstrukturës komuniste.
Elida ishte me fat, sepse arriti që t’i përballonte të gjitha këto vështirësi duke mbetur një zonjë, nënë krenare, grua besnike dhe gazetare e njohur në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj.Ështe autore librash poetikë dhe publicistikë, po ashtu ka përkthyer e botuar në shtypin e ditës majat e poezisë botërore. Me një aktivitet të plotë, për mbi dy dekada në shtypin shqiptar, si korrespondente, redaktore, editore,kolumniste – tek Zëri i Amerikës, tek Rilindja Demokratike, Zëri i Rinisë, Republika, Revista RTSH, ajo është shumë aktive si gazetare në Diasporë, me një kontribut dhjetë vjeçar tek Bota Sot dhe si bashkëpunëtore e rregullt me gazetën më të vjetër në Amerikë, Dielli. Sot me bashkëshortin e saj, publicistin dhe shkrimtarin e mirënjohur Skënder Buçpapaj, janë editorë të portalit Voice of Albania – Zëri i Shqiptarëve www.voal-online.ch.
ILIRIA:Këto ditë doli nga shtypi libri “TRAUMAT E TRANZICIONIT”, i dyti që botoni këtë vit pas TIRANISË SË TRANZICIONIT…
Elida Buçpapaj:Libri TRAUMAT E TRANZICIONIT, siç e thatë edhe ju, është i dyti me publicistikë që unë botoj këtë vit pas librit të parë që titullohet TIRANIA E TRANZICIONIT. Në të dy përmbledh artikuj, komente, analiza, esse dhe blogje, të dy viteve të fundit. Redaktori i librit të parë është Akademik Mark Krasniqi, ndërsa parathëniet janë shkruar nga Jusuf Buxhovi dhe Dr.Përparim Kabo. Parathënia e librit të dytë është shkruar nga publicisti i shquar shqiptaro-amerikan Frank Shkreli, ish-drejtor i Zërit të Amerikës dhe divizionit të Euroazisë po në këtë radio në Washington D.C., ndërsa redaktor është Skënder Buçpapaj. Të dy librat janë botuar nga ONUFRI, shtëpia botuese që ka ekskluzivitetin e librave të Ismail Kadaresë.
ILIRIA: Temat qendrore të këtyre dy librave cilat janë?
Elida Buçpapaj: Të dy librat kanë si temë qendrore vonesën si komb, shkaqet dhe pasojat e kësaj vonese. Librat kanë një theks kritik ndaj klasës politike në të gjitha trojet shqiptare, e cila ka nxjerrë nga qendra e vëmendjes prioritetet kombëtare, që  lidhen me integrimet e shqiptarëve në BE dhe NATO, si dhe me plagët dhe dramat sociale që vijnë prej këtij tranzicioni torturues. Në ato që shkruaj, përpiqem të jem e sinqertë dhe t’i referohem së vërtetës, sado e hidhur qoftë ajo. Pa marrë parasysh se e vërteta nuk pëlqehet zakonisht nga politikat zyrtare, unë i qëndroj besnike opinionit publik dhe përpiqem të bëhem zëdhënëse dhe orientuese e tij, pasi që politika kërkon ta ushqejë popullin me iluzione, por populli ka nevojë për bukë, punë dhe mirëqenie sociale.
ILIRIA: Çfarë jehone prisni prej botimit të tyre?
Elida Buçpapaj: Çdo autor pret që libri i tij të lexohet nga publiku dhe të marrë frytet e meritueshme të punës, të marrë kritika, vërejtje, vlerësime. Por për botën shqiptare kjo është e pamundur, sepse shteti nuk tregon interesin sa duhet për kulturën. Po ashtu mungon vullneti i biznesit për të rimëkëmbur vlerat, pasi kapitalizmi në Shqipëri e trojet shqiptare është  shumë  i ngatërruar me politikën. Mungon kultura vlerësuese e veprave letrare, nga krijues  e kritikës shkencore që e orienton lexuesin. Në këto kushte unë pres shumë pak ose aspak. Ndërkohë si autore ndihem mirë pasi si redaktorët e librave ashtu edhe parathëniet që shoqërojnë ato janë shkruar nga emra me shumë reputacion në botën e letrave dhe publicistikës shqiptare. Pastaj unë kam aleat publikun shqiptar, i cili ka mbi njëzet vjet që më lexon. Gazetaria e përditshme ose e nxjerr në dritë gazetarin ose e fundos, pasi duhet ta thuash në mënyrën më të mirë të mundshme atë që kërkon koha. Nëse nuk ia arrin duhet të ndryshosh profesion, sepse publiku kërkon të ketë si përfaqësues të tij zëdhënësin e tij më të mirë.
ILIRIA: Prezantoni pakëz jetën tuaj nga çfarë familje rridhni dhe si jetuat gjatë komunizmit në Shqipëri ?
Elida Buçpapaj: Rrjedh nga një familje intelektuale. Gjyshi im nga babai, Demir Skënderi ishte imam, i shkolluar në Stamboll me kulturë shumë të gjerë, tolerant dhe antikomunist. Gjyshi nga nëna, Gani Shyti, emigroi që fëmijë në SHBA, ku u punësua tek FORDI dhe u edukua me kulturën amerikane. U kthye në Shqipëri vetëm për t’u martuar me gjyshen time, të bijën e Abdulla Starovës, nga familjet më të pasura të Pogradecit, por rrethanat e detyruan të mbetej në Shqipëri. Mund të jetë shqiptari i parë që ka sjellë në Shqipëri veturën Ford. Ai hapi një nga benzinatat e para në rrugën me Greqinë. Kjo ndodhi në fillim të shekullit të kaluar. Nga nëna ime duhet të trashëgoj prona, por në Shqipëri kthimi i pronave tek pronarët legjitimë akoma është proces i pa zgjidhur, duke rrezikuar kështu sistemin e brishtë, sepse nuk ka kapitalizëm pa pronë private. Në kohen e fundit ka vetëm pronarë të rinj. Kështu që vazhdojnë të mbeten të cenuara të drejtat e pronarëve të dikurshëm.
Iliria: Te kthehemi tek jeta  nga fëmijëria ?
Elida Buçpapaj: Kur mbyll sytë dhe kujtoj fëmijërinë, më ngjan si një përrallë. Më kujtohet kur im atë punonte si gazetar në revistën Ylli, unë isha në kopsht dhe ai i thoshte mamasë time të m’i krihte flokët “alla Jacki Kennedy”. Më kujtohet, kur sëmuresha  dhe im atë më pyeste se çfarë dëshire kisha që të ma plotësonte. Unë i lutesha të më tregonte përralla. Ai më merrte në prehër dhe i krijonte përrallat aty për aty. Veç për mua. Shpesh herë unë ndërhyja që personazhët e këqij, të mos e pësonin si e meritonin. Në jetën tonë dukej gjithçka perfekte, deri kur regjimi iu vërsul atit tim dhe familjes tonë të re, të përbërë nga tre veta. Një burrë, e një grua, fare të rinj dhe një fëmijë.
Iliria: Me siguri jeta juaj ndryshoi?
Elida Buçpapaj: Po ndryshoi për 180 gradë. Në këtë kohë njoha frikën, frikën se mos im atë nuk kthehej më në shtëpi, sepse regjimi e hoqi nga puna, ia mohoi të drejtën e botimit. Pastaj regjimi e syrgjynosi për riedukim në kantieret e klasës punëtore duke bërë gjithçka për ta depersonalizuar si njeri. Im atë mbijetoi. Mbijetuam edhe ne. Por është një mbijetesë me plagë në shpirt, me zemër të copëtuar, duke kaluar nëpër trauma. Sepse vuajtja më e madhe vinte pasi shoqëria shqiptare ishte katandisur në një përbindësh dhe mezi priste që diktatura të dënonte armikun e radhës. Merrni me mend zemrat e dridhura të fëmijëve. Ky ishte krim i diktaturës dhe shoqërisë.
ILIRIA: A mos ajo„Biografia e keqe“ ishte mallkim për atë pjesë të jetës tuaj?
Elida Buçpapaj: Pikërisht ashtu, dhe jo vetëm për mua. Por janë mijra e mijra familje që kanë përjetuar një dramë të madhe shoqërore, sepse regjimi i degdiste nëpër fshatra të humbura, në kampe përqendrimi, ku jetohej ne kushte të pamundura, vetëm për të mbajtur frymën gjallë.
ILIRIA: Vdekja Enver Hoxhes dhe rrëzimi i Murit të Berlinit solli një erë të re në jetën tuaj apo jo?
Elida Buçpapaj: Po, është e vërtetë. Përmes përpjekjeve të pafundme të tim ati arrita të vazhdoj Universitetin e Tiranës, fakultetin e Filologjisë dhe të filloj punë në Institutin e Kulturës Popullore pranë shkencëtarëve të mirënjohur si Qemal Haxhihasani, Jorgo Panajoti, Andromaqi Gjergji, Spiro Shkurti, Mark Tirta, Afërdita Onuzi, Yllka Selimi etj.. Por diktatura nuk bënte asnjë lëshim. Unë mbeta e ekskomunikuar nga regjimi komunist, ashtu si dhjetëra mijra të rinj shqiptarë, deri në përmbysjen e regjimit.
ILIRIA: Në atë kohë filluat lidhjen me bashkëshortin Skënderin Buçpapaj. Me siguri keni investuar shumë në këtë martesë të suksesshme?
Elida Buçpapaj: Po, pikërisht në atë kohë u lidha me Skënderin, një intelektual brilant, selfmademan dhe një njeri i ndershëm. Dashuria jonë ishte jashtë klishesë së lidhjeve që krijoheshin asaj kohe. Ishte një thyerje tabush. Një dashuri që mbështetej në ndjenjën e pastër dhe në një lidhje të fortë shpirtërore si krijues, që na lidhte talenti dhe interesat e përbashkëta për letërsinë.
Natyrisht që kemi investuar shumë të dy në mënyrë reciproke për këtë lidhje, sepse kështu u ndërtuan themelet e shëndosha për familjen tonë, dy djemtë që i kemi, që janë  gjithçka si për mua, ashtu edhe për Skënderin.
ILIRIA: Po letërsia, poezia, krijimi?
Elida Buçpapaj: Letërsia, poezia, krijimi, profesioni filloi për mua pas rrëzimit të diktaturës. Sepse përpara gjithçka ishte e pamundur. Ishte po aq e pamundur, sa edhe takimi i shqiptarëve të Kosovës me shqiptarët e Shqipërisë, paçka se ishim pjesë e të njëjtit komb dhe aq pranë me njëri-tjetrin. Me rrëzimin e diktaturës, unë nisa të rifitoj kohën e humbur. U aktivizova në shtypin shqiptar. Botova libra. Por gjithçka e arrita me ngulmim dhe profesionalizëm të lartë, pasi në Shqipëri demokracia është shumë fraxhile, dhe këtu vazhdojnë e funksionojnë ende ingranazhet e së shkuarës.
ILIRIA: Në kohën e lëvizjes demokratike në 1991-1992, ju niset të raportoni për “Zërin e Amerikës”, ndërsa bashkëshorti juaj ishte drejtor i përgjithshëm i RTSH?
Elida Buçpapaj: Pikërisht. E kujtoj atë kohë sikur të jetë sot. Tirana i përjetonte netët në një blackout të plotë, jeta bëhej nën dritat e venitura të qirinjve, ku heshtjen e thyenin rafalët e kallashëve. Djali jonë i madh, Prizreni, që asaj kohe sapo kishte filluar të ecte, kishte frikë nga errësira. Skënderi ishte një nga emrat më të spikatur të publicistikës shqiptare, me një zë të qartë kritik kundër regjimit. Ai luajti një rol shumë pozitiv në drejtimin e RTSH, i cili deri atëherë kishte qenë institucioni më i kontrolluar nga diktatura.
ILIRIA:  Në atë kohë edhe ju keni  kontribuar, duke raportuar për Zërin e Amerikës
Elida Buçpapaj: Asaj kohe Zëri i Amerikës transmetonte me valë të shkurtra, por kjo nuk i lodhte aspak shqiptarët që të qëndronin pranë radiove për të marrë sinjale shprese e për t’u trimëruar. Pas fitores së PD-së, më emëruan zëdhënëse të kryeministrit Alekandër Meksi, por unë preferova të vazhdoj punën time si gazetare thjeshtë. Dhe mendoj se kam bërë mirë, sepse kështu arrita që të krijoj personalitetin tim sa më larg zyrave të shtetit .
ILIRIA: Në vitit 1996 bashkëshorti juaj,Skender Bucpapaj nisi punën në Zvicër si diplomat, por shpejt ndodhën ngjarjet e 1997, ku në Shqipëri shpërtheu luftë civile. Çfarë ndodhi me ju, kërkuat azil politik?
Elida Buçpapaj: Po, Skënderi filloi punë si diplomat në Ambasadën e Republikës të Shqipërisë në Bernë, ku unë punoja aty si sekretare teknike. Aty na gjetën ngjarjet aq dramatike të 1997, që ishin një tragjedi e madhe për vendin, sepse shteti i ri demokratik  u shkatërrua si të ishte prej rëre dhe shqiptarët u vunë përballë rrezikut të një lufte vëllavrasëse. Ajo kohë mjerisht sot vazhdon të mbetet tabu. Nuk analizohet që shoqëria të përballet me të vërtetën, me qëllim që të mos përsëritet kurrë më.
ILIRIA: Ne  eksodusin e njohur  të asaj kohe, sa shqiptarë u larguan nga shteti amë.
Elida Buçpapaj: Eksodusi biblik i shqiptarëve nga shteti amë ka nisur prej 1991 e deri sot vendin e kanë lënë rreth 3 milionë shqiptarë. Ne morëm azil politik në Zvicër dhe në të njëjtën kohë filluam kontributin tonë dhjetë vjeçar tek Bota Sot, ku bashkëshorti  im Skënderi ishte kryeredaktor dhe unë redaktore-kolumniste. Letërsia, poezia, krijimi, profesioni filloi për mua pas rrëzimit të diktaturës. Startuam të punonim në gazetën Bota Sot kur Milosheviçi dërgoi makinerinë e tij agresore kundër familjes së Adem Jasharit dhe na larguan nga gazeta, dy muaj përpara se Kosova të fitonte pavarësinë.
ILIRIA: Ndërkohë sot, së bashku me kolegun dhe bashkëshortin tuaj Skënder Buçpapaj, jeni editorë të Zërit të Shqiptarëve, portal online.
Elida Buçpapaj: Po vazhdojmë, kontributin tonë në gazetarinë online, e cila është shumë konkurruese – ku raportimi i fakteve, apo analizave bëhet përmes internetit, një mënyrë shumë e shpejtë dhe shumë sfiduese, sepse arrin të lexohet në të njëjtën kohë në çdo cep të globit. Në shoqëritë e dala nga regjime diktatoriale dhe me një tranzicion shumë të vështirë si ky i shqiptarëve, gazetaria online është mënyra e vetme për të shprehur të vërtetën, kur ke parasysh se politika dhe oligarkët e rinj bëjnë gjithçka për të mbajtur nën kontroll shtypin. Përmes gazetës tonë ne raportojmë lajmin, duke e respektuar të vërtetën, dhe në të njëjtën kohë përmes shkrimeve tona dhe të bashkëpunëtorëve mbajmë një qëndrim kritik ndaj asaj që ndodh në trevat shqiptare,  duke patur një vizion properëndimor dhe proshqiptar.
ILIRIA: Dhe në fund, e dashura Elida, na tregoni për rolin e femrës shqiptare në atë sistem dhe sot në demokraci. Cilat janë përparësitë?
Elida Buçpapaj:  Femra shqiptare në diktaturë nuk gëzonte asnjë lloj lirie. Gjithçka vendosej prej regjimit. Shkollimi, punësimi, jeta. Kur ishe mirë me biografi, regjimi kujdesej deri për martesat. Një mjerim i pafund shpirtëror, një jetë pa asnjë lloj perspektive, ku Vëllai i Madh – regjimi diktatorial – kishte gjithçka nën kontroll.
Prandaj kam një vlerësim të pakufishëm për Ismail Kadarenë, sepse me veprën e tij ishte përjashtim dhe na edukoi në subkoshiencë për të mbetur të pavarur, të paktën shpirtërisht të mos ishim skllevër të botës tepër te vrazhde që na rrethonte.
Natyrisht koha që jetojmë është koha kur femra shqiptare mund të pohojë vlerat e saj, me gjithë barrierat. Më duket vulgare kur personaliteti i femrës të reduktohet apo varet nga hiret e saj, por përsëri liria ka krijuar shanse që të aftat të arsimohen dhe të luftojnë për të fituar të drejtat e tyre. Duke triumfuar mbi vështirësitë, sepse ende botëkuptimi i shqiptarëve ka mbetur ballkanik, shpresoj tek roli i femrës shqiptare për të ndikuar në shërimin e plagëve të këtij tranzicioni të vuajtshëm si dhe në ndërtimin e një shoqërie të denjë për të rritur fëmijët. Sepse femra, duke qenë nënë, është shumë më e përgjegjshme.
Në fund të kësaj interviste, përfitoj nga rasti për t’ju falenderuar ju Shenida Bilalli, që jeni një nga emrat më të shquar të diasporës shqiptare në Kroaci. Dhe unë ndihem krenare që ju kam kolege.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Iliria, interviste per revisten

ENO PEÇI: MENJËHERË DO TË FLUTUROJA NË TIRANË …

January 4, 2014 by dgreca

…SEPSE TKOB SI THOTË BALETMAESTRI ILIR KERNI ËSHTË SHTËPIA E TË GJITHË ARTISTËVE SHQIPTARË/

Intervistë e Elida Bucpapaj me yllin e baletit ENO PEÇI, solist në Wiener Staatsopera/

Në Koncertin e Filarmonisë të Vjenës, që mbahet në çdo 1 janar, si një kulm i elitarizmit europian, njëri nga solistët kryesorë të Operas Vjeneze është shqiptari Eno Peçi.
Në shfaqjen e përvitëshme më glorioze në çdo fillimviti të orkestrës të filarmonisë vjeneze, e inkorporuar në Teatrin e Operas Shtetërore të kryeqytetit austriak, dirigjuar gjithnjë nga mjeshtra të nivelit më të lartë botëror, prej Herbert von Karajan e deri tek Daniel Barenboim, një nga balerinët kryesorë të Danubit Blu dhe të valceve aq të mrekullueshme të familjes Shtraus është shqiptari Eno Peçi.
Por kulmi është se emri i Eno Peçit, ndërsa është tejet i famshëm në Vjenë, në Shqipëri e në trojet shqiptare pothuaj nuk njihet fare. Njihet natyrisht në rrethet artistike, por mediat shqiptare kanë treguar shurdhmemecëri të plotë ndaj fenomenit Eno Peçi dhe shkëlqimit të tij.
Kjo arritje brilante e 31 vjeçarit shqiptar, është njëkohësisht arritje brilante edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi dëshmon për gjenialitetin e identitetit shqiptar. Por për absurd, me Eno Peçin krenohet Vjena, ndërsa shqiptarët nuk dinë gati asgjë për të. E keni parasysh vanitetin dhe kotësinë e gazetave dhe televizioneve shqiptare të cilat thonë atë që s’duhet ta thonë, ndërsa deri tani nuk kanë thënë pothuaj asgjë për balerinin virtuoz shqiptar Eno Peçi!
E kam thënë në një shkrim se, nëse Vjena nuk do të ruante me fanatizëm shpatën dhe përkrenaren e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, është e sigurt se do të dilnin ca vandalë firaunë për t’i trafikuar diku apo për t’i shkatërruar e bërë skrap.
Vetëshkatërrimi, kjo është një sëmundje nga e cila po vuajnë shqiptarët. Nuk e di se kur do të marrë fund, për t’I lënë vendin ringjalljes dhe rilindjes kombëtare. E cila nëse do të ketë një start duhet të ketë nivelin e lartësisë që ka arritur Eno Peçi, vetë, me forcat e tij, me talentin e tij dhe punën  gjigande.
Eno Peçi ka prej vitit 2000 që është balerin i institucionit më prestigjioz në nivel botëror të dancës klasike siç mund të jetë Opera Shtetërore e Vjenës, me një histori të shkëlqyer që daton prej mesit të shekullit 19, i cili më 2009 kremtoi si një evenimet botëror 140 vjetorin e lindjes.
Opera Shtetërore e Vjenës përzgjedh talentet më të spikatura nga e gjithë bota, dhe midis më të mirëve ka zgjedhur djaloshin shqiptar Eno Peçi, të jetë solist në Operan Shtetërore të Vjenës dhe në Volksopera-n. Në një kohë kur shqipëtarët konsumohen ditë e natë shpirtërisht nga arti trash dhe ende nuk poi thërrasin mendjes për të mbledhur rreth vetes ajkën e artistëve shqiptarë, që shkëlqen mrekullisht në skenat më të famshme botërore.
Është xhelozi, cmirë, amatorizëm, por më së shumti është një sjellje antikombëtare të mbash larg vendit artistë të nivelit të Eno Peçit, arritjet e të cilëve janë të nivelit ndërkombëtar. Arti shqiptar ka nevojë për elitën. Rinia shqiptare ka nevojë për elitën. Kombi shqiptar ka nevojë për elitën. Sepse identiteti kombëtar ushqehet vetëm me vlera dhe me elitën.
Ndaj elitës shqiptare e cila ka arritur famë në Europë e botë deri tani është mbajtur qëndrim jomiqësor nga shteti shqiptar, duke i mbuluar me indiferencë të plotë. Një qëndrim i tillë armiqësot ndaj vlerave duhet të ndryshojë sa më shpejt, sepse koha nuk pret më. Yjet shqiptare nëpër botë meritojnë të kenë vendin e tyre në Shqipëri. Mjaft u lodh rinia duke dëgjuar emra mizerabël politikanësh, që shpërdorojnë votën dhe taksat e popullit të vuajtur shqiptar. Populli shqiptar, skena shqiptar ka nevojë për yjet e tij.
Dhe njëri prej tyre padyshim është Eno Peçi, të cilin po e falënderoj që në krye sepse, me modestinë e një artisti të madh, e pranoi me mirësi kërkesën për intervistën e mëposhtëme që poi a përcjellim menjëherë lexuesit të nderuar shqiptar  kudo që të jetë ai.

PYETJE: Kam lexuar në një artikull shkruar disa vjet më parë nga austriakja Die Presse për ju, se fillimisht keni dashur që të bëheni një kërcimtar i Breakdance. Me sa duket ju ka pëlqyer rocku dhe rap-i apo jo? Po ideja e kërcimit nga ju ka lindur? Vini nga një familje artistësh?
ENO PEÇI: E vertetë. Kisha dëshire shumë të kërceja. Dëgjoja shumë muzikë në televizor ( MTV) dhe shihja se si kërcenin dhe kjo gjë me nxiste.
Une vij nga një familje që tradicionalisht ka nxjerrë ushtarakë. Gjyshërit e mi kanë qenë komandantë, oficer madhorë, babai im ka qenë ushtarak, oficer në ministri, daja im ka qene drejtues i lartë ushtarak, kurse mamaja ka qenë dhe është stomatologe-dentiste me klinikë private. Pra,nuk vij nga familje artistësh.
PYETJE: Ju edukimin si balerin e keni marrë në një shkollë shqiptare, siç është Liceu. Duke e krahasuar më vonë me Shkollën e Baletit të Operas Vjeneze, çfarë mund të thoni për shkollën shqiptare. Emrat e mësuesve tuaj në Lice, të cilët i kujtoni me nderim?
ENO PEÇI: Shkolla e baletit shqiptar ka një metodë shumë të vjetër ruse.Kurse shkolla e baletit të Vjenës është shkollë europiane e perzier me metodën e shkollës ruse të Vaganovës dhe metodës franceze. Pra shkolla shqiptare e baletit ka shumë nevojë të eci përpara. Unë vetë kam pasur fatin të punoj në Shqipëri me profesorë si Luan Shtino që më ka ndihmuar shumë dhe profesor Agron Aliaj etj.
PYETJE: Në Vjenë, në kryeqytetin botëror të kultures, ju mbërritët kur ishit një adoleshent 16 vjeçar. Si arritët këtu, përse, dhe si e ndjetë veten?
ENO PEÇI: Unë shkova në Vjenë për shkak të trazirave të  viteve 1997-1998. U detyrova të ikja dhe vajta tek motra që jetonte prej 3 vitesh në Vjenë, e cila punon në një spital privat. Motra më ka ndihmuar shumë se unë ndodhesha në një vend të huaj që nuk dija as gjuhën. Nuk ndjehesha mirë se për mua ishte një kapitull i ri i jetës time që duhet të filloja për shkak të trazirave në Shqipëri, ku lashë prindërit dhe shoqërine dhe fëmijerinë që kalova në Shqipëri.
PYETJE: Suksesi juaj duket i menjëherëshëm, po të shohësh datën e mbërritjes në Vjenë 1998 dhe kur u pranuat si balerin në Teatrin e Operas Shtetërore vjeneze më 2000? Çfarë ishin për ju këto dy vite?
ENO PEÇI:  Këto dy vite kanë qenë shumë të vështira për mua sepse më mungonte vendi im dhe më mungonin shumë prindërit. Por këto dy vite ishin tejet të rëndësishme për mua dhe për moshën që kisha. Fillova të mësoja se çfarë ishte përgjegjësia. Përgjegjësia për jetën, sepse isha vetëm në një qytet të madh, por dhe përgjegjësia nga ana profesionale, sepse ishin dy vitet ku unë mund të merrja një bazë të fortë në shkollën e baletit të Vjenës për të ardhmen time si profesionist.
PYETJE: Prej vitit 2000 deri në 2009, kur ju emëroheni si solist në Teatrin Shtetëror të Vjenës, çfarë keni regjistruar në kujtesën tuaj, diçka thelbësore, që mendoni se ju dha suksesin. Ishte i rëndësishëm për karrierën tuaj Renato Zanella? Ia dedikoni dikujt këtë sukses të hatashëm që keni arritur?
ENO PEÇI:  Renato Zanella është një person që është i dashuruar mbas artit. Renato më ka ndihmuar tejmase shumë dhe ka punuar shumë me mua. Eksperiencën që unë kam përvetësuar nga ky njeri është një nga armët e mia bazë që dhe sot me ndihmon të ec përpara.
Viti 2009 ishte shumë i rëndësishëm për mua, edhe sepse unë jam bërë Baba. Lindi vajza ime Lea, që më bën të ndihem shume krenar, sepse fundja fundit më të rëndësishme se familja për mua nuk ka.
Por suksesin tim, ia dedikoj prindërve të mi që kanë sakrifikuar shumë për mua në një kohë shumë të vështirë në Shqipëri.
PYETJE: Po të shohësh repertorin tuaj, ai është një repertor i jashtëzakonshëm, si nga veprat, baletmaestrot dhe rolet tuaj. Kam parasysh “Gizel”, “Karmen”, “Spartakus”, “Arëthyesi”, “Don Kishoti”, “Liqeni i Mjellmave”, etj.etj. të vëna në skenë nga mjeshtra gjigandë që nga Rudolf Nurejews, John Cranko e deri tek Renato Zanella, të cilin Italia e ka nderuar me çmimin si “Koreografi më i mirë italian në botë”, ku ju keni role kryesorë. Si u ngjitët deri këtu, me magji?
ENO PEÇI: Çdo gjë është e mundur. Me punë,durim dhe dashuri ndaj artit çdo rrugë të hapet…
PYETJE: Gazetat austriake kur ju përshkruajnë, thonë se ju “si balerin arrini gjithçka, se për ju nuk ka asgjë të pamundur”, ndërsa ju citojnë të keni thënë diku se “nuk jeni një makinë kërcimi”. Çfarë duan të thonë gazetat austriake, po ju vetë?
ENO PEÇI:  Për atë të parën mund ta ketë tepruar pak. Por që çdo gjë është e mundur. Ky është (english-anglisht -attitude) ose (deutch-gjermanisht – einstellung) qëndrimi im personal.
Kurse për të dytën kam dashur të them që një artist që luan, interpreton në skenë  teknikisht por pa asnjë lloj ndjenje, pa asnje lloj personaliteti, pa asnjë lloj magjie që mund t’i transmetojë publikut, ateherë është makinë kërcimi.
PYETJE: Përpara 4 vitesh për Die Presse keni thënë se nuk do të kishit dëshirë që Lea të bëhej balerinë, po Lea është një fëmijë arti, deri tani a ka treguar talent për dancën?
ENO PEÇI:  E vërtetë. Baleti është profesion shumë i bukur por edhe shumë i veshtirë.
Duhet të kesh një karakter shumë të forte që t‘i përballesh shumë mundimeve të saj. Dhe si prind nuk ia uroj vajzës time të gjitha ato stërmundime që kam hequr vete. Gjithsesi vendimin ajo do ta marri vetë. Por talent ka…
PYETJE: A ka në trupën e Baletit të Teatrit Shtetëror të Vjenës apo në Filarmoninë vjeneze artistë të tjerë shqiptarë ?
ENO PEÇI: Në trupën e baletit të Wiener Staatsoper, përveç meje, nuk ka balerinë të tjerë, por në Orkestrën e Filarmonisë janë violinisti Shkëlzen Doli, violinçelisti Edison Pashka, violinistja Oreada Steude dhe në kor Dritan Lucaj, që punojnë të gjithë në Wiener Staatsoper.
PYETJE: Çfarë mendimi keni për Teatrin e Operas dhe Baletit dhe për artistët shqiptarë, brenda vendit e jashtë tij?
ENO PEÇI:  Teatri i Operas dhe i Baletit ka shumë nevojë të rinovohet përbrenda, sepse është në një gjendje jo të mirë. Shqipëria është e vogël por ka shumë artistë të shkëlqyer jashtë dhe brenda vendit.
PYETJE: Tani që Teatri i Operas dhe Baletit të Tiranës drejtohet nga një balerin dhe baletmaestri i njohur si Ilir Kerni, a prisni të merrni ftesë dhe a do të fluturoni menjëherë në Tiranë?
ENO PEÇI: Menjëherë do fluturoja… TKOB, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, si thotë dhe Baletmaestri Ilir Kerni, është shtëpia e te gjithë artisteve shqiptarë kudo që ndodhen…
ENO PEÇI U INTERVISTUA NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Eno Peci, Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT