• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS BUJAR NISHANI

December 3, 2013 by dgreca

JO AMBASADOR NË ZVICËR BIRIT TË XHELIL GJONIT, NJËRIT PREJ PERSEKUTORËVE TË DIKTATURËS
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Disa ditë më parë shtypi i Tiranës njoftoi se ish-deputeti i PS Ilir Gjoni ishte zgjedhur nga Edi Rama kandidat për Ambasador në Zvicër. Publiku shqiptar e ka shumë të freskët reagimin e Ilir Gjonit kur kryetari i PS nuk e ripërfshiu në listat e deputetëve për zgjedhjet e 23 qershorit. Tekstualisht Ilir Gjoni i tha Edi Ramës se « fisi i tij nga veriu në Jug do ta mbyste me pështyma pa marrë parasysh gjatësinë e liderit të PS. » Nuk di se si tingëllon kjo për opinionin, kërcënim, fyerje, presion apo të tria bashkë. Pas kësaj, Edi Rama e zgjodhi Ilir Gjonin si Ambasador në Zvicër. 
Ndërkohë sipas lajmeve të orëve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë, ish-kolegët e deputetit Ilir Gjoni e aprovuan kandidaturën e tij për të ardhur në Zvicër si Ambasador, ndërsa gazeta e PS Zëri i Popullit, e themeluar prej ish-diktatorit, botonte lajmin se dora vetë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati mbronte integritetin e kandidatëve, dmth i dilte në krah Ilir Gjonit. 
Ky reagim prej Ditmir Bushatit është i kuptueshëm. Në Komisionin për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, përveç deputetëve të PS, votuan për Ilir Gjonin edhe deputetë të PD-së që janë Aldo Bumçi, Jozefina Topalli, Gerti Bogdani dhe Kastriot Islami. I keni dëgjuar si bëjnë blabla deputetët e PD-së kur është puna për të konsumuar retorikë për bijtë e ish-Anëtarëve të KQPPSH? Po përse heshtën kësaj here ? A nuk është Ilir Gjoni i biri i Xhelil Gjonit, ish-Anëtarit të KQPPSH? 
Po ua jap unë një përgjigje, një version, si e arsyetoj unë, se përse nuk kakarisën as për propagandë ata që „na krenohen se e kanë rrëzuar ata diktaturën“. Sepse po të reagonin edhe për retorikë, deputetët e PS do t’ju përgjigjeshin: „Po ku keni gojë ju të flisni, a nuk e mbajtët për tetë vjet Ambasador në Zvicër, për dy mandate rresht, një ish-kandidat të KQPPSH. Siç ishte Mehmet Elezi ! Dhe ky shkëmbim retorike sa për teatër do të mediatizohej – e populli do të dëgjonte një të vërtetë! Pradaj preferuan të heshtin e ta votojnë Ilir Gjonin. 
Unë nuk do të merrem me Ilir Gjonin. Mund të ketë CV të pasur dhe integritet të pastër. Po a mund të jetë kjo mjaft për të qenë përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, kur i jati i tij Xhelil Gjoni konsiderohet si një nga persekutorët më të zinj të regjimit komunist?!
Ne themi shpesh se më 22 mars 1992 rrëzuam diktaturën. Ndërsa prej parlamentit të parë pluralist, që doli prej zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Xhelil Gjoni ishte deputet i PS. A kishte të drejtë morale që ky persekutor i regjimit të kishte këtë vend? 
Po ashtu, prej zgjedhjeve të 1997, Ilir Gjoni, i biri i Xhelil Gjonit ka qenë deputet i Parlamentit të PS për 4 legjislatura, ka qenë edhe Ministër i Punëve të Brendshme, dhe tani pret vetëm firmën e Presidentit Bujar Nishani që të fluturojë e të vijë si përfaqësues i shtetit shqiptar në Konfederatën Helvetike.
Karrierën e bujshme të Ilir Gjonit në demokraci e përmenda për t’i bërë të reflektojnë ata që thonë se meqë është i biri i ish-eksponentit të diktaturës, të mos bëjmë luftë klasash kundër tij! 
Ilir Gjoni, si bir i Xhelil Gjonit, në diktaturë ka pasur të gjitha privilegjet që kanë rrjedhur prej kësaj dhe kjo nuk e ka ndalur aspak që të ketë karrierë të shkëlqyer në «demokraci»! 
Ndërsa viktimat e regjimit diktatorial kanë mbetur viktima të këtij sistemi hibrid që ekziston sot në Shqipëri. 
Xhelil Gjoni nuk ka kërkuar kurrë ndjesë për rolin e tij të zi kundër inteligjencies. As Ilir Gjoni nuk e ka dënuar diktaturën, nuk e kemi dëgjuar kurrë të thotë se „Unë Ilir Gjoni distancohem nga bëmat e tim eti dhe dajës tim, që është Hysni Kapo, i cili konsiderohet nga vetë bashkëshortja e tij Vito Kapo, si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të diktatorit ».Le të hapet debat për opinionin publik. Ku janë opinionistët. Le të më thonë që gaboj. 
Unë i bëj thirrje Presidentit të Republikës të mos e firmosë. Këshilltar i Presidentit të Republikës për Kulturën është edhe Amik Kasoruho, një ish i burgosur nga regjimi komunist, i cili e njeh kalvarin e vuajteve që kemi përjetuar ne të mëdhenj e të vegjël nga një diktaturë mizore që nuk i fali as fëmijët e viktimave dhe i bëri të vuanin pa as më të voglin faj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Jo te birit, leter Nishanit, Xhelil Gjonit

TIRANA, METROPOLI SHQIPTAR NUK KA ELITË

December 2, 2013 by dgreca

Esé nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në Tiranë nuk ka elitë. Si përkufizim, elita është ai grup apo kategori sociale që ka vendin më të lartë në hierarkinë e vendit. E shprehur metaforikisht, elita është ajka e shoqërisë,aristrokracia, fisnikëria, bujaria. Në origjinë, statusi i elitës nuk është i veshur me pushtet, por ai njihet si autoriteti apo integriteti moral i padiskutueshëm.  Ka elitë dhe elita.
Në Tiranë nuk ka elitë – ka pseudoelitë, që përfiton privilegje jo për shkak të arritjeve të saj në të mirë të vendit dhe shoqërisë, por për shkak të simbiozës me politikën e krimbur nga korrupsioni dhe të qelbur nga injoranca. Servilizmi si definicion vjen nga latinishtja dhe lidhet me shtresën më të ulët dhe fundin e shoqërisë, të skllavit me shërbimin e bindur e të verbër ndaj skllavopronarit.
Këtë pozicion ndan sot elita e Tiranës me politikën. Kur do të duhej që elita të ishte në shërbim të vendit dhe rimëkëmbjes fizike e shpirtërore të tij pas 70 vitesh diktaturë e tranzicion.
Nëse degradimin gjysmë shekullor i dedikohet diktaturës. Degradimi 23 vjeçar i tranzicionit i dedikohet edhe elitës së degraduar.
Ismail Kadare është shembulli në kushte të jashtëzakonshme i përfaqësuesit të elitës së një vendi –   pasi veprën e krijoi në një sistem që e përjashtonte dhe ekskomunikonte elitën. Vepra e Kadaresë i shërbeu afirmimit të identitetit kulturor – kur kombi po kalonte një krizë të thellë identiteti, pasi regjimi totalitarist iu mohoi shqiptarëve të drejtat elementare të njeriut – siç ishte fjala e lirë, mendimi i lirë, lëvizja e lirë. Kadare i sfidoi këto barriera. E sfidoi metodën e realizmit socialist që ishte mënyra më efikase për të lejfenizuar shqiptarët. Shkrimtarët që përqafuan këtë rrymë, apo u detyruan ta bëjnë, i takojnë elitës së diktaturës – jo të një shteti të lirë dhe demokratik. Vepra dhe arti i asaj kohe duhet të merret në analizë historike, si produkt i së keqes dhe jo si shembull e vlerë. Kadare i bashkangjitet elitës së Kombit, sepse, përmes veprës së tij, pati ndikim tek publiku i gjerë shqiptar dhe botëror. Tek shqiptarët ndikoi për të mbajtur zgjuar koshiencën e lirisë përmes një arti të kulluar; tek lexuesi botëror për t’i treguar publikut dhe elitës botërore se shqiptarët janë komb i civilizuar dhe europian. Kadare është maja e elitës shqiptare dhe pjesë e elitës europiane për rolin që pati për të ndikuar në të mirë të fatit të kombit të tij në momente shumë dramatike, siç ishte periudha e rrëzimit të diktaturës dhe Lufta në Kosovë.
Në çdo shtet demokratik, që garanton tregun e lirë dhe liritë e njeriut, elitat i krijon vetë sistemi, të cilat bazohen në meritokracinë dhe vlerat.
Elitat dallohen nga turmat pasi jetën dhe veprën e tyre e venë në shërbim të shoqërisë. Pra, elitat sakrifikojnë, nuk janë përfitues privilegjesh kur vendi mbytet në mjerim dhe dekadencë.
Sot, po ashtu jemi më të çoroditur se kurrë nga inflacioni i fjalës „intelektual“ – ku me këtë etiketë konsiderohet çdokush që ka mbaruar universitetin, ka marrë tituj e grada dhe ka siguruar një jetë të suksesshme profesionale personale. Pra, arritjet personale i kanë siguruar një jetë të lumtur e pa telashe. Profesionalizmi është i dobishëm dhe i domosdoshëm, është themel për të krijuar intelektualin por prapë është pak. Intelektualët krijojnë vlerë dhe dallohen me përkushtimin, talentin, aktivitetin, kontributin e ndikimin në të mirë të shoqërisë, të komunitetit apo vendit. Domosdo që intelektualët më të shquar janë pjesë apo kontigjent i elitës. Ermonela Jaho, Saimir Pirgu dhe kjo kategori brilante artistësh shqiptarë në Perëndim, që me emrin e tyre të mirë, jo vetëm përfaqesojnë majat e artit, por i shërbejnë përmirësimit të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë padyshim pjesë e elitës së re shqiptare.
Në Shqipëri nuk kemi elitë. Kemi satelitë të politikës. Janë në shërbim të tyre, janë servitorë, skllevër, të pafytyrë, maskarenj, dallkaukë, sharllatanë – sepse satelitizmi i tyre është koshient, e bëjnë me ndërgjegje, pasi ata janë të vaksinuar prej kohësh dhe e dinë se çfarë është mirë dhe keq.
Në diktaturë satelitizmi të imponohej, sot në Tiranë satelitët bëhen të tillë për arsye utilitare, sepse duan një jetë personale me privilegje e me luks. Kjo e deelitizon ose e çelitizon elitën. Dhe këtu fillon korrupsioni i elitës. Sepse ata e dinë të vërtetën dhe e përçudnojnë atë.
Si përçudnues të elitës, ata janë pa publik, nuk kanë simpatizantë, as adhurues. Ata nuk dinë as të flasin. Nuk dinë të bëjnë për vete as gruan e tyre, e cila adulteron me të parin që beson se nuk është rrenacak si bashkëshorti.
Ata shkruajnë libra pa idé dhe pa shpirt. Ata botojnë e promovojnë vepra që i bëjnë doktorë, por që nuk lexohen. Ata nuk thonë asgjë, ose thonë të kundërtën e asaj që duhet, por ata përbëjnë katastrofën natyrore ndaj shoqërisë, shumë më zi se cunamët, sepse e detyrojnë audiencën, publikumin që t’i ndjekë në të gjithë pushtetin multimedial, të cilin e kanë shpërblim për shërbimin që i bëjnë politikës. Pra, ata e ushqejnë popullin me të pallavra, me të pavërtetën.
Në Shqipëri nuk ka elitë – ka vetëm satelitë faqezinj, që dhjamosen për të prodhurar fabrikate mashtrimesh në dëm të shoqërisë, në dëm të vendit, duke e shndërruar demokracinë shqiptare në gogol dhe duke e përdhosur të vërtetën. Kjo është drama kombëtare shqiptare. Sepse e ashtuquajtura elitë, shumica bijtë e bijat e ish-nomenklaturës të kuqe e kanë monopolizuar rolin e elitës.
Sargent Shriver, një burrështeti amerikan dhe aktivist i shquar, kunat i vëllezërve Kennedy – themeluesi i “Peace Corps” – Trupave të Paqes – e përkufizonte elitën si një kategori e pastër e përbërë nga ata burra e gra që sakrifikonin jetën e tyre për hir të drejtësisë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Kam parë burra e gra që pretendojnë e krenohen se janë elita shqiptare – ndërsa nuk guxojnë të shqiptojnë as minimumin e mundshëm – të së vërtetës. Këta në fakt janë njerëzit më të rëndomtë të shoqërisë. Sepse, duke u nisur prej interesave personale ata e çorodisin shoqërinë, e intimidojnë atë, ia fusin frikën, sepse krijojnë tema taboo, diçka e pafalshme kjo për një vend si Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, që do të thotë pak a shumë një demokraci që aspiron të jetë si motrat e saj Perëndimore.
Përkufizimi që ia bën elitës Sargent Shriver është ai i shqiptuari më shqip. Sot në Shqipëri nuk ka luftë midis qytetërimesh, as midis feve apo ideologjive. Në Shqipëri ka antishtet. Dhe antishtetin e mban në pushtet pseudoelita, antielita, njerëz surrogato, shumë më të rrezikshme se rreziku i armëve kimike, sepse disorientojnë shoqërinë, duke e deformuar ndërgjegjen njerëzore dhe konceptet themelore me të cilat krenohet me të drejtë një shoqëri demokratike, që janë vlerat dhe morali.
Pseudoelita shqiptare nuk dallohet as për veprat, as për vlerat dhe as për talentin e saj. Ajo nuk dëshmon virtuozitet as në fjalë, as në shkrim dhe askund. A dini ndonjë oratori të shqiptuar prej tyre që ka prekur mendjen dhe shpirtin e popullit shqiptar këta 23 vjet tranzicion. Mjerisht nuk ka. Sepse elitat e vërteta lindin nga një motivacion i madh, për të ndryshuar për të mirë vendin dhe jetën e popullit. Ndërsa pseudoelita shqiptare është produkt i tregut të zi, korrupsionit, i shoqërisë së padekomunistizuar, i pisllikut dhe llumit të njerëzve me dosje dhe me skeletë nga diktatura.
E mira e kësaj të keqe madornale është se ky llum nuk ka dishepuj. Nuk kanë popull që u shkon pas. Nuk kanë ndjekës. Followers. Në dallim nga elita e vërtetë, e cila krijon shkollën, filozofinë,vijimësinë me qëllim mbarëvajtjen e shoqërisë duke respektuar të vërtetën. Por megjithatë përmes pushtetit medial ata e manipulojnë turmën.
Filozofi i antikitetit grek Sokrati, babai i filozofisë së etikës së jetës, që njihet si një nga mësuesit më të mëdhenj të Perëndimit, shoqërisë së cilivilizuar perëndimore, endej rrugëve të Athinës duke inkurajuar dialogun dhe komunikimin e duke i fokusuar qytetarët në zbulimin e së vërtetës. Sokrati kishte një ndikim të jashtëzakonshëm tek elita e rinisë dhe u arrestua me akuzën se “po korruptonte mendjet e rinisë duke i larguar nga rruga e Zotave”.
Sokrati nuk kërkoi as falje dhe as mëshirë por reagoi përmes “Apologjisë”, sipas së cilës janë Zotat ata që i kanë bërë thirrje Sokratit të kërkonte të vërtetën dhe drejtësinë. Kaq sublime është ajo në jetën e një shoqërie dhe kombi.

Sot Sokrati është një nga përfaqësuesit më të denjë të elitës në historinë e njerëzimit. Ai konsiderohet babai i mendimit të lirë, frut i dijeve. Një nga paradokset e Sokratit ishte se ai e barazonte virtytin me dijet. Dmth kush është i dijshëm duhet të jetë patjetër i moralshëm, njeri i vlerave dhe me integritet.
Kështu duhet të jetë, por në Shqipëri nuk është kështu. Sepse pseudoelita e Tiranës me pretendimet se është e dijshme, i ka kthyer kokëposhtë deduksionin e Sokratit, që për ta do të thotë se kush është i dijshëm, është i lirë të bëjë çfarë të dojë dhe të jetë kush të dojë, të jetë edhe i pamoralshëm, i pavirtytshëm dhe i korruptushëm.
Këta janë sofistët e tranzicionit shqiptar, pseudoelita, produkt i së cilës është edhe lejimi i degradimit të shtetit demokratik fraxhil. Sepse elitat në shtetet demokratike i shpëtojnë dhe i nxjerrin kombet nga tunelet dhe qorrsokakët, ndërsa këta të Tiranës i mbajnë në tunele dhe në terr.
Siç është rasti më i fundit rreth shfaqjes së portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare shtetërore. Apo imponimi i 29 nëntorit nga një segmenti ekstremist i politikës si dita e çlirimit të Shqipërisë, kur kjo datë, edhe nëse përkon me largimin e gjermanit të fundit, po ashtu shënon fillimin e kalvarit më tragjik të shqiptarëve.
Po të ishte elita, po të mos ishte kjo faqezeza, do t’i ofronte një pyetje retorike si presidentit të Republikës, ashtu kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. “Zotërinj a do të lejonte shteti gjerman në një protokoll zyrtar, siç është ai bashkimit të Gjermanisë, që, bashkë me Angela Merkel dhe Presidentin Gauck, të shfaqej në sfond fotografia e Hitlerit?”
Kjo është e vërteta. Sa më tepër ta zbulosh, aq më mirë është. Nëse Edi Rama, Ilir Meta dhe Bujar Nishani do t’i referoheshin të vërtetës, se çfarë u ndodhi shqiptarëve prej 29 nëntorit 1944 deri në rrëzimin e diktaturës, që të tre do të përgjigjeshin: “Jo” – Atëherë ata më së paku do t’iu kërkonin ndjesë shqiptarëve! Dhe nëse në Tiranë nuk e mbron askush të vërteten, dmth nuk ka elitë, ka vetëm antielitë, prandaj them ka satelitë, ka shërbyes, shërbëtorë, skllevër të skllavopronares politikë.
Por megjithatë e vërteta ekziston, pavarësisht plehut, kënetës dhe moçalit intelektual që ka pushtuar Tiranën, që jeton nën diktatin dhe diktaturën e deformimit të së vërtetës.
E vërteta po ashtu ka gojë dhe flet, ashtu si thotë Sokrati në një nga fjalimet më të bukura të historisë së oratorisë botërore, një pjesë të cilës po jua përcjell me qëllim që t’i thërrasim mendjes, sepse po marrim në qafë brezat që vijnë: “Dikush nga ju mund të thotë: Sokrat, po ti a nuk mund ta mbash pak gjuhën, e pastaj mund të shkosh në një qytet të huaj, ku nuk të njeh kush e ku pastaj askush nuk do të merret më me ty? Mesa po shoh, unë e kam të vështirë që t’ju bind me përgjigjen time në këtë pikë. Nëse unë do t’ju thosha se, po të bëja si më thoni ju, kjo do të jetë një mosbindje ndaj Zotit dhe, prandaj, unë nuk e mbaj dot gjuhën, ju prapë nuk do të më besonit; dhe nëse unë prapë do t’ju thosha se fjalimi për virtytin që më dëgjoni të shqiptoj, duke ekzaminuar veten dhe të tjerët, është e mira më gjigande e njeriut, dhe se jeta e paanalizuar nuk ia vlen të jetohet, ju prapë nuk do të më besoni”.
Por siç e thashë, shkolla e Sokratit është një nga filozofitë në themel të civilizimit Perëndimor. Dhe ky sistem është i krijuar. Elitat e një vendi veç i mbrojnë këto vlera në vendin e tyre! Jo si vepron pseudeelita e Tiranës, që jo vetëm nuk po lejon të mbillen vlerat e civilizimit Perëndimor, por po çrrënjos edhe vlerat e konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve, falë të cilave u kemi mbijetuar tallazeve dhe të gjithë të këqiave.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, esse, Tirana nuk ak elite

JO 29 NËNTORIT – E MAJTA TË MOS RILINDË ME RETORIKË, POR ME VEPRA!

November 29, 2013 by dgreca

Nga Elida BUÇPAPAJ/

Klasa politike dha show-n e rradhës. 28 Nëntorin e festuan të ndarë e të përçarë. Njëra palë në Vlorë tjetra duke lamentuar në Facebook. S’ka shëmtim më të madh.
Sot më 29 Nëntor e njëjta histori e pështirë, njëra palë për Shkup, e tjetra për Shkodër, si dy drejtëza që vrapojnë në drejtime diametralisht të kundërta.
Kemi një çerek shekulli që përballemi me dilemën se kur është çliruar Shqipëria dhe se kur është larguar prej vendit çizmja e fundit gjermane. Këtë dilemë e kanë zgjidhur në mënyrë të politizuar historiografët që e retushuan historinë për 50 vjet sipas vullnetit të diktatorit. Këtë dilemë nuk e kanë zgjidhur historianët e shkolluar në Perëndim gjatë periudhës të tranzicionit. Dhe shoqëria sa vjen 29 nëntori thellon bipolarizimin e saj. Njëra palë insiston tjetra e mohon. Por edhe kjo që e mohon, pseudo e djathta e mohon sa për show. Sepse Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një arenë cirku dhe jo vendi ku krijohet statura e shtetit.
29 nëntorin e respekton edhe Presidenti i Republikës, kësaj here si përfaqësues i unitetit kombëtar! Po a ka unitet kombëtar kur njëra palë në mënyrë histerike mbron 29 nëntorin dhe tjetra në mënyrë pasive mbron 28 nëntorin! Jo! Presidenti i Republikës kështu respekton ndarjen dhe përçarjen kombëtare!
29 nëntori është një nga simbolet që denoncon thelbin e katrahurës të kaosit politik këta 23 vjet. 29 nëntori është njëri nga simbolet që ka lidhje me problemin thelemor i cili duhet të zgjidhet një herë e mirë nga politika shqiptare. 29 nëntori është vija e kuqe që ndan të djeshmen me të sotmen dhe që obligon dekomunistizimin e shtetit e shoqërisë shqiptare.
I pyes politikanët e së majtë, duke nisur prej kryeministrit të Rilindjes nëse e konsideron 29 nëntorin ditën e çlirimit të Shqipërisë, kur në vend u vendos një sistem totalitar barbar? Këtë pyetje ia drejtoj edhe të majtës!
Lufta partizane nuk ka asnjë lidhje me 29 nëntorin. Lufta antifashiste duhet të vlerësohet, ashtu si edhe dëshmorët e saj dhe të gjithë ata që i kontribuan. Kush konfondon Luftën antifashiste me 29 nëntorin, ose është i marrë ose synon vazhdimin e çoroditjes të shqiptarëve drejt një konfrontimi social.
Siguria, stabiliteti i vendit, ashtu si dhe standartet e një vendi demokratik nuk tolerojnë dilema të tilla. Prandaj i bëjmë thirrje politikës që ta vendosë në prioritetet e saj sanksionimin e parimeve themelore përmes Kushtetutës  ku Shqipëria përcaktohet eksplicitivisht si një demokraci perëndimore.
Në fund të fundit, e përse duhet që Shqiptarët të pranojnë 29 nëntorin si ditën e çlirimit, kur kjo ditë shënon instalimin e një diktature!
E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se diktatori e zgjodhi këtë datë për servilizëm ndaj Titos, si shenjë gjunjëzimi për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të ish-Jugosllavisë!
E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se kjo datë lidhet pikërisht me emrin e diktatorit Hoxha, regjimi i të cilit i masakroi shqiptarët dhe izoloi e bunkerizoi vendin?
Le ta zgjedhë e majta datën e çlirimit të vendit. Le të jetë 5 Maji. Le të jetë një datë që lidhet me dinjitetin dhe sakrificat e shqiptarëve, por jo me diktatorin.
Ka ardhur momenti kritik kur politika shqiptare duhet të distancohet nga diktatura, jo në mënyrë retorike, por me ligje dhe rregulla ashtu si është vepruar në vendet e ish-Europës Lindore. Të dënohen krimet e regjimit enverist dhe nomenklatura e kuqe, e cila është e parehabilitushme.
Liderët e të majtës të mos bëjnë lojra në pikën që dallon civilizimin Perëndimor nga totalitarizmi. Shqipëria nuk mund të pretendojë të jetë anëtare e NATO-s apo të anëtarësohet në BE – kur liderët e shtetit shqiptar simpatizojnë ish-eksponentët e nomenklaturës të regjimit komunist, apo kur trashëgimtarët bilogjikë të ish-regjimit totalitar emërohen në postet më të larta të administratës publike pa u distancuar nga gjyshërit dhe etërit e tyre. Vetëm Bashkim Shehu e ka bërë këtë. Po ashtu, as e majta dhe as trashëgimtarët biologjikë nuk mbajnë asnjë qendrim mëshirues dhe nuk lypin as ndjesë për viktimat e diktaturës.  Gjermania vazhdon e kërkon ndjesë për krimet e Hitlerit, edhe kur Lufta e Dytë Botërore ka 70 vjet që ka përfunduar!
Po ashtu e majta vazhdon të ketë si gazetën e saj, Zërin e Popullit, themeluar nga diktatori, që për 50 vjet u ka shplarë trurin shqiptarëve.
Shteti i së drejtës imponon rregulla. Shqipëria rrezikon të degradojë sepse është një shtet pa rregulla, pasi mban qendrim konfondues dhe aspak të qartë ndaj të shkuarës, ku përfshihet edhe 29 nëntori.
E majta shqiptare ka plot argumenta që kjo datë të mos jetë data e çlirimit të Shqipërisë, sepse populli shqiptar u çlirua nga nazizmi por vari në qafë vargojtë e diktaturës. Do të mjaftonte lista e gjatë e vrasjeve të bashkëpunëtorëve, që diktatori i likuidoi gjatë luftës dhe për gati gjysmë shekulli prej paranojës staliniste, që e majta të reflektonte për të rilindur me vepra jo me demagogji.
Nëse e majta e pranon që periudha 50 vjeçare e diktaturës ishte një regjim mizor, kriminal, antishqiptar, antinjerëzor që mbolli vdekjen, frikën, izolimin, luftën e klasave, depersonalizmin, varfërinë dhe katastrofën kombëtare, atëherë duhet të ketë një reagim adeguat.
Nëse e pranon realitetin që ka ndodhur për 50 vjet diktaturë, atëherë duhet të gjejë kurajo për të reaguar në mënyrë civile dhe të përgjegjëshme, çka e kërkon domosdoshmërisht formati i një shteti demokratik.
Nëse nuk e pranon, dihet përgjigja!

Filed Under: Analiza Tagged With: 29 nentori, E majta, Elida Buçpapaj, retorika

PËRVEÇ MESILA DODËS, PD HARRON TESTAMENTIN E OLLDASHIT DHE VAZHDON STILIN QË DENONCOI SOKOLI MË 14 NËNTOR

November 27, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

I kam ndjekur me vemendje atë që ka ngjarë pas vdekjes aksidentale të Sokol Olldashit. Përpiqem të jem sa më e drejtë në vlerësimin e situatës. Për hir të së vërtetës Sokol Olldashi ka qenë një nga njerëzit të cilin Sali Berisha e ka vlerësuar, nisur nga faktet se ka qenë për dy mandate ministër me portofole të ndryshme dhe kandidati versus Edi Ramës në zgjedhjet lokale të 2007. 

Pas humbjes të 23 qershorit, dihej se Sali Berisha mbështeti për kryetar të PD-së kandidaturën e Lulzim Bashës. Me të gjitha mënyrat, me shtyp, gazeta, jo në mënyrë të drejtë për drejtë, por implicite.

Secili ka mendimet e tij, simpatitë e tij. Deri këtu shtyhet. Problemi nisi tek gara, e cila nuk përmbushi asnjë standart për të qenë free and fair.

Menjëherë pas rezultatit që e shpalli Lul Bashën fitues, Sokol Olldashi deklaroi se “Përzgjedhja e kreut te ri të PD u bë përmes një procesi tëtërisht të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes të listave dhe, për më tepër në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa e ditur se cili ishte korpusi i votuesave. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjeten emrat në lista. Procesi që m’u premtua se do ishte jashtë ndikimeve, nuk ishte i tillë. Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit”, vlerësoi Olldashi. “Kjo ishte një energji e tepert e harxhuar brenda nesh që do duhej në fakt ta kishim shpenzuar më 23 qershor dhe jo më 22 korrik.” “Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë”, deklaroi ai.

Këtu kemi parë për herë të parë përballjen publike midis Sokol Olldashit dhe Sali Berishës e Lulzim Bashës, të cilët nga ana e tyre e ngritën në qiell procesin. Ndërkohë, edhe pas fitores të Bashës, PD nuk iu kthye analizave, por vazhdoi me stilin e vet shantazhist që i bën jehonë luftës të klasave deri në qelizat e familjes. Kur PD nuk i respekton rregullat e lojës për të garantuar një proces zgjedhor free e fair brënda partisë, e si mund të guxojë të protestojë me 20 mijë lekësha në Parlament!

Kur kam komentuar zgjedhjet e 23 qershorit, e kam paraparë humbjen dhe fajtorë të saj kanë deputetët e PD, përfshi edhe Sokol Olldashin, por fajtori kryesor është Sali Berisha.

Kam pritur që Sali Berisha të bënte një mea culpa. Por ai u mjaftua me dorëheqjen de jure, ndërkohë që ka marrë drejtimin e PD pas quintave, sepse i duket vetja i pamposhtur, ndërsa po ta shohësh në facebook ka një varfëri të tmerrshme idesh. Ka mbetur i fiksuar pas krizës greke të Papandreut, por edhe këtë e ka të huazuar. Pra është tmerësisht i lodhur.

Në aksidentin tragjik të Sokolit nga sa pamë, lidërshipi i PD-së u gjend shumë i befasuar – sepse nuk kishte paraparë që Olldashi të kishte këtë përkrahje midis njerëzve të thjeshtë. Që u pa në telefonatat televizive, rrjetet sociale dhe në turmën e pafund për ta përcjellë deri në banesën e fundit.

Aty njerëzit u kujtuan se Sokol Olldashi kishte një CV personale. E kishte mbështetur PD që adoleshent dhe pastaj nuk i ishte ndarë. Vinte nga një familje e persekutuar, kishte provuar dramat monstruoze shkaktuar nga regjimi dhe kishte luftuar në mënyrën e tij, duke qenë nxënës e student i shkëlqyer, pastaj duke iu bashkangjitur gazetarisë, tek Albania, tek një TV që mbështeste PD në vitet më të trishta pas 1997, deri kur më 2001 u zgjodh deputet. 

I përfshirë në euforinë e fitoreve dhe posteve të larta Sokol Olldashi nuk e kishte vënë re se ku ishte katandisur PD, ose ndoshta e kishte vënë re, por ishte bërë pjesë e së tërës. Deri kur e provoi vetë zhgënjimin, atëherë i thirri ndërgjegjes si politikan. Pas procesit që e konsideroi farsë, ku kandidoi për kreun e PD-së, e njohu Lulzim Bashën si lider të PD, por mendoi se kishte ardhur koha e reformimit, për garë dhe konkurencë të ndershme.

Por lideri historik i mësuar me pushtet për 23 vjet, të gjitha ëndërrat i sheh në zyrën e kryeministrit. Ai nuk pranon as të lëshojë frenat e partisë dhe as të reformojë partinë. Dhe me synimin për t’u rithyer, ka zgjedhur një zëvendësues kukull që përsërit si papagall çfarë i thuhet. 

Ndërkohë deklarimi i hapur i Sokol Olldashit për deformimin e procesit zgjedhor për kreun e PD më 23 korrik 2013, e shndërroi atë në të padëshiruar dhe “djalin plamgprishës” për lidërshipin e PD-së. Në fjalimin e tij të 14 nëntorit, vetëm gjashtë ditë përpara tragjedisë, ai akuzoi politikën shqiptare që ka sjellë në Parlamentin e Shqipërisë, deputetë që i blejnë votat. Nuk ka akuzë më të madhe për Institucionin më të rëndësishëm të vendit. Askush nuk ia kundërshoi ato që ai tha. 

Fjalimi i Olldashit i 14 nëntorit do të duhej të kishte shkaktuar tërmet në të gjitha institucionet e vendit, mediat, shoqërinë. Por kaloi në heshtje të plotë, të cilën e theu mesnata e 20 nëntorit kur u lajmërua se Sokoli humbi jetën në një aksident automobilistik.

Fjalimi i Sokol Olldashit ishte tërmet i vërtetë për trafikantët e votave, të cilët qëndrojnë rrejshëm si përfaqësues të popullit, pasi votën e blerë ata e përdorin për pasurimin dhe degjenerimin e demokracisë së brishtë të këtij vendi që sot rradhitet si vendi më i korruptuar në Europë.

Në ditët kur ai jetonte, ne nuk pamë asnjë reagim ndaj fjalimit të tij, as nga PD, as nga Lul Basha, as nga Sali Berisha, as nga shtypi dhe as nga mediat. Këto janë metoda staliniste të përshtatura në epokën e NATO-s, që bënë sikur nuk e kanë dëgjuar Olldashin, sikur Sokoli atë fjalim e kishte shqiptuar në Hënë e jo aty në mes të Parlamentit të Shqipërisë.

Fjalimi i Sokol Olldashit më 14 nëntor 2013 ishte fillimi i projektit të tij.Ai ishte 40 vjeç, me plot idé, shpresë e besim se PD dhe politika shqiptare mund të ndryshojë.

Aksidenti tragjik nuk i la kohë.  Ndërkohë ajo që u vu re menjëherë që kur u lajmërua tragjedia, ishte tendenca për ta njollosur Sokol Olldashin, duke ngritur dyshime se bashkë me të në makinë udhëtonte një person i dytë, shkurt e dashura e tij.

Ca moralistë të shpifur që sa e ishte gjallë Sokol Olldashi, kishin patur mundësi të plotë t’i botonin dhe afishonin pretendimet e tyre, gjetën rastin që të na tregonin nivelin për tokë të nderit të tyre, kur villnin vrerë për Sokolin, ndërsa atë po dërgonin në banesën e fundit dhe ditëve të zisë.

Megjithëkëtë, asnjë intrigë politike nuk ia cënoi dot ditën e përcjelljes Sokol Olldashit. Kishte aq shumë shqiptarë që dëshironin t’i jepnin nderimet e fundit, sa shteti e shpalli me të drejtë ditë zie, qeveria dhe deputetët e majtë u bashkuan me të djathtët dhe e qanë dhe e nderuan bashkë. Po kështu, në prononcimet për publik thanë për Sokol Olldashin fjalët më të mira, fjalë që nuk kishin asnjë tingull, në krahasim me nderimin popullor që iu bë Olldashit, i cili ishte krejt spontan, dmth ata njerëz që vinin aty, vinin me kokën e tyre e jo të partisë.

Pas ditës të zisë dhe flamurit gjysmë shtize, rifilloi jeta parlamentare në Shqipëri. Vendosën lule në vendin e tij në Parlament, recituan fjali, por përsëri askush nuk iu referua fjalimit të fundit të Sokol Olldashit, i cili sot konsiderohet si « Testamenti i tij politik » – O ta shpëtojmë vendin – o fundosja është e pandalshme. 

Vetëm Mesila Doda, një nga studentet e dhjetorit, kolege dhe shoqe e Sokol Olldashit e ngriti zërin dje dhe kujtoi tek Sokol Olldashi, atë që të tjerët e harrojnë me qëllim. 

Aktualisht lidërshipi i PD është i angazhuar për të krijuar një alibi, që bie ndesh me pretendimin që deklaroi para disa ditësh Sokol Balla, sipas të cilit, Sokol Olldash pikërisht të hënën që shkoi do të dilte e të shpallte lëvizjen e re politike.

Ndërsa, si rastësisht Lul Basha tregoi se si të dy kishin pirë kafe a verë tek Rogneri, në një ambient me pak ose me aspak njerëz, ku Sokol Olldashi kishte premtuar se nuk do të largohej nga PD!

Cilin të besojmë – Sokol Ballën – apo Lul Bashën! Por nga mënyra se si PD e ka harruar Fjalën e Fundit të Olldashit, na mbetet të besojmë Sokol Ballën.

Por e trishtueshme është se Partia Demokratike po ec në një rrugë të mbrapshtë, duke thelluar metodat antidemokratike brënda partisë si dhe luftën e klasave deri në familje, si në kohën e diktaturës.

Situata është shumë dramatike. Ose duhet të ketë ngritje ose do të vazhdojë rrëzimi dhe coptimi përfundimtar i PD-së. Partia është nocion abstrakt. Atë e bëjnë njerëzit me zë të fuqishëm, me zë të besueshëm. Siç ishte zëri i Sokol Olldashit, që i hoqi siparin skenës dhe tregoi llumin e politikës shqiptare. Një zë i tillë është edhe ai i Mesila Dodës dje në parlament që denoncoi sjelljen e papërgjegjëshme të politikës. Ja si ju drejtua Mesila Doda deputetëve të të gjitha ngjyrave, përfshi edhe atyre që kanë ngjyrën e saj: „Mjaft më hipokrizi perbeniste, shuka me baltë që ia hedhim fytyrës së tjetrit, kur do duhet në fillim të pastrojmë tonën. Unë kisha faj! Unë kisha faj ato dhjetra, ato qindra herë kur tentova të isha politikane e mirë, oratore e shkëlqyer dhe harrova që u afrova në politikë jo se më duhej një rrogë e as se më duhej dashamirsia e eproreve por e doja politikën, që të sillja ndryshimin, të mundësoja një botë më të mirë. Ju kishit Faj! Kishit Faj kur e late Sokolin të vetëm në përpjekjen e tij titanike e solitare për të ndryshuar të djathtën shqiptare, për të bërë një forcë politike me militantë që afrohen nga zemra e jo nga xhepi pranë politikës. Kishit të gjithë faj se e latë vetëm, madje shumë herë dhe e qëlluat dhe e përbaltët dhe e bëtë të ndjehej fajtor pa faj.“

Mesila e nis me „unë kisha faj“. Dhe ne si qytetarë duhet të themi të njëjtën gjë « ne kemi faj » sepse lejuam që demokracia shqiptare të metamorfizohet në trafik të votës që është i barabartë si trafiku i drogës apo i qenieve njerëzore.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Olldashi dhe mesila Doda, opoziat

HYMN TË VËRTETËS

November 25, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

 e dua të vërtetën/

të pastër si e vërteta/

të shenjtë/
si e vërteta/
shenjtore/
si Nënë Tereza/

uji i burimit është/
i kthjellët si e vërteta/
bora në dimër/
është e vërteta/
dhoma e ngrohtë
ndërsa jashtë
ka furtunë
është e vërteta
e kulluar

deti dhe qielli
janë e vërteta
lakuriqe
si nudot
kryevepra
të Renoir-it

pa të vërtetën
e gjitha është
rrenë
e pështirë
pa të vërtetën
ka kllouniadë
ka folkloriadë
më mirë
ikë nga sytë këmbët

e dua të vërtetën
e thjeshtë
pa fallsitet
injoranca
është e vërtetë pranoje
analfabetizimi është i vërtetë
pranoje

hype ku të duash
të vërtetën
zbrite nga të duash të vërtetën
ajo qendron
në këmbë
e paepur

askush nuk
nuk e fsheh dot të vërtetën
edhe ai që ia tregoi
në legjendë tokës
toka rriti pipëzat
dhe e vërteta
u kthye në këngë
për fyejtë mitologjikë

të vërtetën
nuk e fsheh dot lluksi
Benzi, Jaguari, Rolls-Royce,Ferrari
vilat, kamja, ari
e vërteta
ajo qëndron
mbi gomar
në mes të fushës
e të vjen të qeshësh
me të madhe
sa të të dalin lotët
prej të qeshurës
se si shfaqet

e vërteta mbetet
largoje me dhunë
largoje me intriga
e vërteta prapë është

çliroje nga pushtuesit
çliroje diktatura
çliroje ga sharllatanët
Zoti na rujt prej tyne
sa plehra janë
por e vërteta
i mbijeton gjithçkaje

andaj duhet
shqiptuar
troç
sepse të shtiresh
është lojë e madhe
duhet të aktrosh
në Hollywood që
t’ia dalësh
sepse përndryshe të
del boja
fare

sepse e vërteta
e tregon shëmtimin
katërcipërisht
ashti si je
faqja e zezë e tokës
apo faqja e bardhë
fytyra e nxirë blozë
apo fytyra e pastër
si drita e Zotit
kjo është e vërteta

e vërteta nuk është
e fshehur
e vërteta
është për fushë
ne e dimë
si është e vërteta
ne ia themi vetes tonë të vërtetën
ne ia themi njeriut të zemrës
të vërtetën
dhe çlirohemi

të thuash të vërtetën
çlirohesh nga vargonjtë
e shtirjes
nga vargojntë e diktatit
të inercisë
nga koha e pushtimit

tani s’kemi arsye
të kemi frikë
prej frikës
tani jemi çliruar
prej frikës
për ta shqiptuar të vërtetën
troç
ashtu si është
me rrudha
e shpifur
e shkurtër
e trashë
obeze
e ndyrë
por është e vërtetë

nuk i ikim dot së vërtetës
e vërteta nuk na ikën
dot prej dorës
sepse ajo
është
e përherëshme
prandaj le t’ia hapim kartat
e të flasim
me karta të hapura

pa të vërtetë
e gjitha është fiksion
si në një skenë teatri
me aktorë amatorë
që nuk e dinë gjuhën
shqipe
as ta flasin
dhe as ta shkruajnë
e shkruajnë dhe e flasin
shqipen
në mënyrë rumpallhane

pa të vërtetë
nuk ka memorie
nuk ka kujtesë
historia kthehet
në hiç të hiçit
e ne hymë lopë
e dalim lopë
nga kjo jetë
duke na tërhequr
prej qafe zagari
fallcitet
dhe kudra
hipokrizi

prandaj
mbroje të vërtetën
shqiptoje të vërtetën
shqip
anglisht
në të gjithë gjuhët
që ke mësuar
gjatë këtyre 23 viteve tranzicion

veç thuaje
me sy,
me mimikë,
me gjestikulacion
trupëzoju
me të vërtetën
bëju zëri i saj
thuaje
të vërtetën
troç
më e bukura
ta thuash
alla shqiptarçe troç
kështu e kam për zemër

sepse kur e thua
troç
lind si njeri
je vetvetja
dhe bota
bëhet e vërtetë
si e ka krijuar
Zoti

e kështu jetohet
jeta….
troç
dhe bëhet
më e mirë
bota
për çdo ditë e më e mirë
kur i betohemi
së vërtetës
kur i falemi
së vërtetës
kur i thurim
hymn
të vërtetës
me gjithë shpirtin
e zemrën tonë…

nuk kemi përse të themi
rrofshin liderët
rroftë revolucioni demokratik
rroftë antirevolucioni
rroftë antitranzicioni
mjafton të themi
rroftë e vërteta
dhe i kemi thënë të gjitha
shtershëm
deri në bërthamën e tokës
e deri në kupën e qiellit
ku prehen
shpirtërat
e të dashurve tanë
ku ndodhet Parajsa
jeta e përherësisë
dhe Zoti ….

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Hymni i se vertetes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT