• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GENTJAN, ENDRIT, JU LUTEM MOS E LEXONI LETRËN E SALI BERISHËS

July 1, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kryeministri në largim i Shqipërisë Sali Berisha i ka dërguar një letër Gentjanit 16 vjeçar, të cilën e ka publikuar në rrjetin social të Facebook-ut.

E mësova këtë lajm nga gazetat, sepse faqen e kryeministrit nuk e vizitoj. As letrën që i ka drejtuar Gentjanit nuk e lexoj. Gentjani ka moshën e djalit tonë të vogël, Endritit.

Më kujtohet kur Endriti posa kishte filluar të shqiptonte fjalët e para, meqë dëgjonte diskutimet tonë të zjarrta për politikën, mes meje, Skënderit dhe babushit të tij, kështu e thërrisnin nipat gjyshin e tyre, kishte mësuar përmendësh emrat Sali Berisha, Fatos Nano etj. Sepse atëherë ishte viti 1998 dhe duket këto emra ne i shqiptonim më dëndur. Pas ngjarjeve të 1997-1998 ne i kishim dhënë përsëri besimin Berishës, megjithë krizën e piramidave, të cilat u ngritën nën hijen e pushtetit të tij. E besuam Berishën edhe një herë dhe menduam se ai do të ngrihej përsëri duke njohur gabimet dhe fajet, duke i tejkaluar ato, duke mos i përsëritur kurrë më. Gjithnjë mendonim se duke qënë mjek gjatë sistemit diktatorial, duke mos u përfshirë në bëmat e nomenklaturës kriminale, do ta kishte shumë të lehtë të shihte përpara për të ndërtuar një demokraci me integritet, e cila e ngre në piedestal shtetin e së drejtës dhe e hedh në koshin e mbeturinave kultin e individit.

Unë dje Endritin e ftova të lexonte letrën që Lincolni i ka shkruar mësuesit të djalit të tij, por nuk i jap assesi të lexojë letrën që Sali Berisha i ka dërguar Gentjanit. Sepse nuk dua ta indoktrinoj. „Mundohuni t`i mësoni fëmijës tim forcën për mos të ndjekur turmën edhe pse të gjithë hidhen mbi qerren e fituesit. Mësojeni që të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë atë që dëgjon me shoshën e të vërtetës dhe të marrë veç të mirën.“,kështu i shkruante mësuesit të të birit Abraham Lincolni.

Më duket se kemi bërë gabim të rëndë kur për vite të tëra u kemi thënë fëmijëve tanë se Sali Berisha do ta çojë Shqipërinë përpara, e do ta bëjë Shqipërinë si Zvicra. E dini se përse është Zvicra Zvicër? Sepse këtu funksionon shteti i së drejtës. Këtu asgjë nuk të jepet në tabaka. Njeriu gjithçka e fiton vetë, por shtetin e ka aleatin e tij, e ka në krah, sepse shteti e mbron, i krijon shanse dhe mundësi, ndërsa qytetari e respekton.

Nuk e lexoj letrën që Sali Berisha i ka dërguar Gentjanit. Sepse mbështetet në hipokrizi. Lexova letrën e ish-ambasadorit Withers. U ndala tek paragrafi ku Withers shkruan: „Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit rigraduan busullën e historisë suaj kombëtare. Mbetjet e së shkuarës komuniste u larguan dhe demokracia u rivendos.“ Nuk ndaj plotësisht mendimin me ish-Ambasadorin Withers. Zgjedhjet ishin mësim për klasën politike, po, por nuk mendoj se „mbetjet e të shkuarës komuniste“ u larguan me një të rënë të lapsit. Këtu është problemi. Duhen reforma për ta bërë këtë. Ato që premtoi Berisha dhe nuk i mbajti. Aq më tepër për një formacion politik si PS që vazhdon të ketë busull propagande gazetën Zëri i Popullit, botues i parë i të cilit ishte diktatori Hoxha. Por e rëndësishme është se Sovrani mësoi të votojë kundër rrjedhës, kundër opinistëve puthadorë që kërkojnë të klonojnë opinionin publik, kundër reklamave të mediumeve proqeveritare, kundër pseudofitimtarëve.

Prandaj as që më shkon mendja të lexoj letrën që Sali Berisha i dërgon Gentjanit. Edhe Gentjanit si Endritit i them të lexojë letrën që Lincolni i dërgon mësuesit të djalit të tij. Sepse është esenca e një mënyre për të jetuar i shëndetshëm dhe për t’u bërë qytetar i përgjegjshëm.

Letra që Sali Berisha dërgon për Gentjanin është hipokrizi e rradhës. I kam dërguar mesazh Sali Berishës në WhatsApp dhe nuk më ka kthyer përgjigje. E kam mbështetur dy dekada të jetës time dhe sot ndihem thellësisht e zhgënjyer, por e çliruar prej miteve të rremë!

Kur ky zotëri që nuk e njeh fare nocionin e komunikimit me mbështetësit e tij, kur ky njeri që nuk e njeh fare komunikimin ndërnjerëzor, ndërsa thotë se si mjek ka qënë i lirë të mjekojë e shërojë edhe diktatorët më barbarë të Europës, e si mund t’iu shkruajë letra premtimi adoleshentëve! E si tenton të turbullojë me iluzione brezin e ri, të pastër si drita e Zotit!

Prandaj ju lutem, Gentjan, Endrit mos e lexoni letrën e Sali Berishës!

 

Filed Under: Komente Tagged With: e Sali berishes, Elida Buçpapaj, Endrit, Gentian, mos e lexoni letren

TE FTUAR NE SOFREN EE POETIKE TE DIELLIT

June 29, 2013 by dgreca

Ne kete publikim, te ftuar ne Sofren poetike te Diellit, jane: Elida Bucpapaj, Neki Lulaj, Gezim llojdia,Dorina Guci/

FËMIJËVE U PREMTUAM LIRINË!/
Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/
shokëve të armëve të lirisë/
që sot heshtin/
dhe e qajnë heshtjen /
me vajet /
e kujet e shpirtit/
që ulëret/
e u kërkon/
të dalin/
nga kulla e ngujimit
kryqëzuar
nga dyshimi
për farën
shqiptare
udhëtare
e përhershme
në kërkimin e vetes
larg klishesë
marionetë të
të diktatit

 

shokëve të armëve të lirisë
që sot nuk e njohin veten
kur merrnim me sy rrezikun
sepse po ndërtonin
qytetin e lirisë
për fëmijët e posalindur
të cilëve
u kishim mësuar
si fjalët
bukë
nënë
baba
emrat
e liderëve

 

marrëzi e madhe
kjo jona
sepse liria
na kthehej në delir
dhe besonim tek lideri

ashtu si fëmijët
tanë na besonin ne

 

 

sot fëmijët na shohin me dyshim
sepse dolëm që i rrejtëm
i rrejtëm fëmijët tanë
si na rrejti lideri
duke ricikluar shëmtimin
e fytyrave të censorëve
që i çrrënjos liria
si kusht sine qua non

 

shokëve të armëve të lirisë
si bekim i Zotit
që deri më sot
po e mbajnë përbrënda
zemrimin e tyre
sepse ia kanë tutën
zemrimit të tyre
dhe marrin ikën
sepse kanë frikë
nga vetja e tyre
se do t’i tradhëtojë
sepse e vërteta
është konstelacion
që i shkojmë prapa
pa kthim

 

shokëve të armëve të lirisë
me të cilët
përshkruam
me mijra kilometra vuajtje
me shpresë se arritëm
finishin e kepit të së mirës
ku e mira
nuk përjashton
as edhe një fije bari
dhe
krijon mrekullinë
çudibërese
prej barit
të dashurisë

 

 

por xhuxhët
i kanë uzurpuar
hapësirat e lirisë
xhuxhët as për cirk nuk bëjnë
të kallin krupën
prej jargëve
të makutërisë
mesjetare

 

xhuxhët
presin
vetëm t’i futësh
në parkun e zoopolitikës
e popullit
t’i thuash si fëmijëve
kujdes sa më larg gogolit
sepse u mbushën 21 vjet
që i ndajnë shqiptarët
në parcela e pako
të zoolandit të tyre
kur ata
në tregun e vjetërsirave
nuk do të kushtonin
asnjë cent

 

shokëve të lirisë të bekuar
me të cilët kalojmë
si në film
vitet e jetës rebeluar
prej padrejtësisë
që besuam
se e shporrëm nga vendi
që t’i prehnim
në paqe viktimat
e diktaturës

 

por ata që meritojnë të shahen
me të gjithë laryshinë
e zhargonit
pa patur kujdes
se ke prishur gjuhën
desh na kthyen në viktima
të tranzicionit
sepse na ngopën me lugën bosh

 

por ne tani jemi më të uritur
se kurrë
për të arritur
në destinacionin
prej nga ku u nisëm
21 vjet më parë
kur fëmijët sapo i kishim lindur
apo prisnin që t’i lindim

 

kur liria na kishte armatosur
deri në grykë
me jetën e shpresës
ndërsa tani
zoopolitika
i ka kthyer njerëzit
në copa letrash
letra
të kuqe, blu, rozë,
blu të irnosur
blu mavi
në copa letrash
që rrasen
në kuti votimi
legenësh plastikë
që pastaj xhuxhët
i trafikojnë si të jenë
tregëtarë skllevërish
e ne pré e gjahut të tyre
primitiv
dhe vulgar

 

shokëve të lirisë të çliruar
nga labirintet e frikës
ne që besuam se
do ta bënim botën e bukur
prej dashurisë
me të cilën i sollëm
fëmijët tanë në këtë jetë
që bashkë me qumështin e gjirit
u mësuam alfabetin e lirisë

 

shokëve të lirisë
me të cilët përmbysëm diktaturën
jo si filxhanin e kafesë
kur projektimin e të ardhmes
e vendosin fallxhoret
dhe konfiguracionet
e absurditetit
të zoopolitikës…

 

ne jemi vetë projektuesit
e fatit tonë
fati jonë nuk mund të griset
ashtu si grisen ato letrat e kuqe,
blu,
rozë,
blu e irnosur,
blu në mavi
një ditë pasi janë hedhur
nëpër kutitë
e legenëve plastikë…

 

sepse rruga e lirisë
na mban gjithnjë bashkë
qofshim kudo qofshim
megjithë rrugëtimin
prej eksodusit
nga njëri kontinent tek tjetri
kemi përshkruar me mijëra
kilometra jete
por jemi prapë këtu
kthehemi
tek fillimi jonë
sepse rruga e lirisë
na bën
të marrim frymë
me një mushkëri
pa marrë parasysh
distancat
që tani i ka fshirë
revolucioni
informatik
që i kall frikën
zoopolitikës
pa i marrë parasysh
zigzaget e jetës

 

por vjen një kohë
kur zoopolitika
ka destinacion të kthehet
në zoopark
ndërsa destinacioni ynë
është atje
kur u nisëm
21 vjet më parë
kur fëmijët sapo i kishim lindur
apo prisnin që t’i lindim
të cilëve që në barkun e nënës
që kur i ngjiznim
u premtonim
jetën
si dhuratën më të bukur
të Zotit

 

dhe ne do t’i çojmë fëmijët tanë
në Tokën e Premtuar
të lirisë
me ne është Zoti
dhe Zoti është i pakorruptushëm !

 

Colors a poem by Gëzim Llojdia/
What star-prints can be found in the loom
of the butterfly’s wings?
What a nocturne!
The heliographs, the East symbols,
the signification is not discovered
into the grottoes
with forgetful gloaming
Where do the butterflies live?
Almost nowhere.

Translated from the Albanian by Laureta Petoshat

Spirits /
a poem by Gëzim Llojdia/

In the fulvous valley I felt
the swimming spirits in the wind.
In our mere the vicinage women started the wail:
the mares got stacked in the stabling, remaining barren.
The mules forever barren and barren…

The mouths talk in Gjomita,
They’re spirits
The waiting spirits in the guardhouse
At the arch of the sunny bridge
Living spirits.
Coming spirits.
Is just a lonely droplet.
Is a daystar, becomes a daystar, a gliding daystar.
But, the butterflies, what news did they bring in the ether?

Translated from the Albanian by Laureta Petoshati/

 

NEKI LULAJ/GJERMANI/

ZJARRI MËMËDHETAR/

 

Më dukej se isha si në ëndërr

I kërrusur nga pesha e idealizmit kombëtar

Mjegulla mbi Oqean që moti na ndanë

Ngarkuar nëpër vite si një barrë

Me historinë e lavdinë për vatranë

Bulevardet e qytetit i lashë në zhurmë

Erdha që t’i takoj mëndjedriturit e Vatrës

Themeluesit e Diellit të parë

Konicën e Ibrik Tepenë fatbardhë

Këtu mbi një shekull fotonë në prushnajë

Mërgimtarët me shkrumb mbi buzë

Të degdisur me hartën e leckosur

Në zemër atdheun plot varrë

Eshkë e djegur valë, Konica e Noli

Vravashka të dritës për mërgimtarë

Legjendat nuk i ndryshk moti i shtrëngatave

As shevari i kënetave e i likenëve lulëbardhë

Ata i bënë ballë si shkëmbi furtunës

Ata qe i kishin ndezur ëndërrat

Për mëvetësinë e Shqipërisë nanë

Në damarët e tyre qarkulloi gjaku i freskët atdhetar

Në prushnajën e ngrohtë të vatranëve

Ishin shuguruar shpirtërat e engjëjve shqiptarë

Buçaj i Vatrës dhe Greca i Diellit

I ruanin me xhelozi traditat e interesit kombëtar

NJË DITË PRANË JUSH/

Me hapa të lehtë

Eca

Nëpër koridorin e katedralës

Mes freskave të ikonave

M’u duk se e pashë

Hijen tënde lëvizëse

Imzot Nol

Me veladonin e priftit

Të buzëqeshur

Ti shtegtoje

Dritës së mekur të diellit

E mallin e atdheut samar ngarkuar

Në thellësinë e mjegullave

Të kohës fatkeqe

Për fatet e shqiptarisë

U shkritë duke punuar

Në Katedrale

Çdo freskë njëmijë mendime

Çdo psalm njëmijë kuptime

Çdo kënd njëmijë ndjenja

Çdo libër njëmijë rrjeshta

Çdo altar njëmijë shpresa

E sa ngrohet kjo sallë

Kjo pritje ky koridor

Kjo dhomë pune

Kjo karrikë Imzot

Këto freska kjo orë

Kjo faltore e kjo foltore

Kjo pasuri bibliotekare

Këto foto kjo tokë

Që frymoka e flitka shqip

Edhe kjo lagje

Në Forest Hills Boston

Kjo rrugë Redvooo Ave 36 e 23

Pushon Noli me mall për Atdhe

Konicës Epitafi

E eshtrat në Atdhe

Në parkun e përjetsisë

Me Frashërlinjtë tanë

Çmallet shqiptaro/amerikani atje

 

E KOHËRAT/

 

Ecën kohërat ikën

Si metamorfozë

Mbi parmakët e dritares

Magmë plotë djersë

Bekim e përmallim

Si ujë lumi nën urë

Thupra shelgjesh

Me rrahje zemrash

Të miliona dëshirash

Njerëzore

Duke kërkuar blerim

E retë

Puthin majat e lisave

Kleçkat i pehat era

Grykave të bjeshkës

Fantazmat

I vjelin gështenjat

 

ROZAFA/

 

Mbi kalldërmin e reve

Shëtit hëna

Me qerren e hekurit vallë

Rozafa i bën roje liqenit

Sonte valët nuk fjetën

As perlat në gojën e guacave

Ato po përkunden

Si barkat e pritjes

Në takimin e udhëtimit të fundit

Të degdisur

Me Uliksin e Trojës

Ai që katallanit i bëri ballë

E sonte ai vjen

Me valët e Drinit

Për ta puthur Bunën

Besën don ta lidhë

Në brigjet e pritjes

Si në festën e moteve

Me Teutën e Agronin

Për të lundruar

Me kalin e Skënderbeut

Trojeve te Atdheut të parë

KU MBET?/

Ku na mbeti kërruta prej druri

Cigarallëkun kush e fshehu

Orën me xhamadan shajaku

Unazën kujtim nga Sylejmani

Kah na iku gjyshi mjekërr bardhë

Shqetsimin nën mustaqe shpesh e fshehu

Shqiptari u lind t’i shkundë shekujt

Kujt ia dhuroi fjalët e mençura

Që i pat mehlem për plagë

Cilit ia la testament

Atë kuti me plotë duhan

Lumin e shpirtit gurrë e artë

Nëpër shtresat e harresës

Oso Kuka ma bën me sy

Më thot kujtesa gërmo dhe tejmatanë

Që t’i zbulosh margaritarët

E gjyshërvet Pëllazgë që na i lane/

DORINA GUCI  /

 

KOHA S’MJAFTON  /

 

Ecën mbi petale kujtimesh

E puth me mall ëndërrimet

Përqafon ngadalë nostalgjinë

E bisedon gjatë me dashurinë.

 

Dhe koha kalon…kalon

E zbrazët,pa ngjyra

apo e mbushur me gjithçka

Por kurrë s’mjafton.

 

Diku një ëndërr e lë pezull

Një buzëqeshje ta mohon

E diku një zemër plagos dhe shkon

se nuk ka kohë Koha të qëndrojë !

 

Diku të fut në kthetrat e kujtimeve

E për çudi qëndron,të shoqëron

A thua vallë që edhe koha Kohën përmallon?!

Dhe sërisht vrapon…por kurrë s’mjafton !!!

 

VALIXHE JETE/

 

Eh udhëtim me valixhe të ngarkuara rëndë,

Pa e ditur se çfarë,pa e ditur se kur.

E zbresim ngadalë

E fillon një bisedë me ëndrrat,po p o me ato më të mëdhatë !

 

Dhe iluzionet

Ah iluzionet s’mund të rrinë dot pa thënë një fjalë.

E vazhdon gërmon,ne valixhe gërmon

E thua vallë

Çfare kaq shumë po rëndon?!

 

E të paketuara mënjanë

Sheh ëndrrat,dashuritë,pritjet,

sfidat,iluzionet,dyshimet,trishtimet,lotët,lumturinë

Si për çudi të gjitha shumë pranë !

Ah mos thuaj kë të marr,se të zgjedhin ato

Derisa valixhja të zbrazet dalëngadalë

Edhe pse ndonjëhëherë mbërin në destinacion

Pa plotësuar të gjitha ato që dëshiron !

 

ME PËRQAFO

 

S’ka nevojë për shumë arsye

As për shumë fjalë

Thjesht më përqafo

Me sytë e mbushur me mall,

Me gjuhën  e shpirtit kur gërmat vendosin të rrinë rehat !

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Dorina Guci, Elida Buçpapaj, Gezim Llojdia, Ne sofren poetike et Diellit, neki Lulaj

OPINIONISTËT E TIRANËS, BINJAKËZUAR ME POLITIKËN DHE OLIGARKËT, IA KANË SHITUR SHPIRTIN DJALLIT

June 8, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Shtypi dhe mediat e shumta të Tiranës vendosin në fokus të tyre dizinformacionin. Kjo sindromë, ky morbus duhet të shërohet me çdo kusht. Ti e kupton se noton total në dizinformacion, kur kërkon që ta krahasosh të njëjtin lajm në gazeta apo televizione të ndryshme. Dhe përfundimi është se do të mbetesh me gojë hapur, pasi do të konstatosh se nga lajmi, që ka kaluar në guzhinat e redaksive, ku kryeshefi është pronari apo oligarku i tranzicionit, nuk ka mbetur më asnjë shenjë.

Abuzimi me lajmin në Tiranë është i frikshëm, në kuptimin se si keqpërdoret ai. Është e kuptueshme që çdo gazetë apo televizion të ketë politikën e vet redaksionale, të zgjedhë prej lajmit, të nënvizojë dhe ta kthejë në kryetitull atë që i shkon për shtat, por pa guxuar t’i ndryshojë as edhe një presje.

Kulmi i rrezikut është se politikat redaksionale të gazetave apo televizioneve nuk përputhen dhe nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me interesat kombëtare të vendit. Si ndodh rëndom në një demokraci Perëndimore, ku duke anuar majtas apo djathtas, kritikat janë në shërbim të zgjidhjeve më të mira për vendin dhe në të mirë të opinionit publik. Në Tiranë shtypi dhe mediat kanë politika imponuese, pra diktojnë atë që duan ata, kë duan ata, si duan ata për interesa të tyre dhe assesi të vendit. Diçka që rrezikon integritetin e vendit.

Abuzimi me lajmin në Shqipëri është profesional që nga era e diktaturës dhe kryhet mjerisht nga ata që duhet të jenë zëdhënësit, besnikët dhe përcjellësit e tij, por që kanë dalë totalisht nga roli. Sepse opinionistët e Tiranës janë binjakëzuar dhe trinjakëzuar me politikën dhe oligarkët, pra ia kanë shitur shpirtin djallit.

Lajmin në Shqipëri e veshin, e zhveshin, i bëjnë make up, e përçudnonjë, e zbukurojnë, e lajlulosin, e lenë pa frymë, pa organe, pa asgjë, e kalojnë në gijotinë dhe pastaj e krijojnë sipas gustove dhe shijeve të tyre. Dhe kur vjen puna tek gustot, atëhere ata krekosen e dalin me maksimën latine që thotë « De gustibus non est disputandum », se gustot dhe shijet nuk vihen në diskutim. Dhe kur ke parasysh shijet e pronarëve dhe botuesve të Tiranës, asnjëri prej tyre nuk është as vegjetarian apo vegan, të gjithë janë carnivorë, mishëngrënës. Kështu bëjnë edhe me lajmin, ia rrjepin mishin, deri palcën.

Ju duket makabre, kjo që po ju them. Mos do të më thoni: uff, çfarë sensi antinjerëzor keni kur përshkruani këtë fenomen; zonjë kujdes se keni shkelur etikën profesionale me këtë gjuhë të helmatisur! Por kështu është e vërteta, e hidhur, e helmatisur, pelin, të cilën gazetarët e Tiranës, shërbëtorët e aq shumë zotërinjve e kthejnë me kokë përmbys.

Lajmin nuk mund ta transformojë askush, qoftë ky kush të dojë, qoftë ky të ketë lidhje me kë të dojë, qoftë me kryeministrin apo me liderin e opozitës, apo qoftë i punësuar nga pronarë me lidhje me qeverinë apo me grupet e interesit pranë opozitës, lajmi është kokëfortë, është ky që është dhe si i tillë duhet respektuar.

Në Tiranë lajmi masakrohet. Sikur të mos mjaftonte censura. Të gjithë opinionistët që dalin nëpër ekranët e televizioneve të Tiranës me flokë të sapolyera dhe krehura nga parukieret më në modë të metropolit ballkanas, me kostume shik firmato dhe me këpucë me çmim sa pensionet e dhjetë shqiptarëve, unë i përfytyroj gjithnjë me zinxhirë me dryna, sepse burgosin lajmin. Pastaj kur duan të hiqen elokuentë, për të evidentuar gradat e tyre shkencore, atëhere janë zero me xhufkë, sepse gënjejnë, pasi flasin dhe llapin sikur të kenë adn të përbashkët me të pronarëve. Ndërsa me publikun nuk kanë asnjë lidhje dhe publiku i njeh ata si zëdhënës të politikës dhe oligarkisë tranzicioniste, sepse me urdhërin e tyre lajmi përçundohet, transformohet sipas interesave të partive, partiakëve, oligarkëve, pra lajmi zhvishet nga të qëni lajm dhe kthehet në agjitpropagandë, diçka e ngjashme me kohën e diktaturës.

Këta faqezinj shkelin të drejtën e opinionit për informim sepse lajmi është e drejtë dhe pronë e opinionit publik. Jo vetëm në rang kombëtar dhe rang vendi, por në rang global. Ne e shohim në çdo sekondë se ndodh diçka, kudo që të ndodhë, opinioni informohet menjëherë, ne e marrim lajmin menjëherë dhe gazetarët pastaj bëjnë updated, përditësimin, për ta saktësuar, për t’i shkuar tek e vërteta që është vetë lajmi.

Në Tiranë ndodh e kundërta, në Tiranë gazetarët marrin rroga marramendëse, pushtojnë hapësirat që duhet të jenë pronë legjitime e opinionit publik, për ta çorientuar opinionin publik, për ta larguar nga e vërteta, nga lajmi, për t’ia bërë mendjen dhallë, çorap si thotë populli. Me këtë strategji gazetarët orintohen nga politika, nga botuesit dhe pronarët, të cilët midis tyre kanë lidhje të forta interesi ekzistencial, sepse mbijetojnë falë abuzimit, falë shkeljeve të ligjit të konkurencës, tregut të lirë, i cili vendos kufij dhe nuk lejon të abuzosh as me të drejtat dhe as me pushtetet. Këto të drejta sanksionohen në kushtetutën e një vendi demokratik, ku shteti i së drejtës përjashton çdo lloj abuzimi dhe ku fjala e lirë, e vërteta dhe lajmi janë sovrane. Nëse shkelet sovraniteti i lajmit dhe i të vërtetës, si veprohet në Shqipëri, është shkelur edhe sovraniteti i shtetit, qytetarit dhe opinionit publik.

 

Filed Under: Komente Tagged With: analistet e Tiranes, binjakezuar me politiken, Elida Buçpapaj

PO Ç’KA ELVIS ROSHI ME MONUMENTIN E DY GISHTAVE TË FITORES NË KAVAJË

June 3, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kavaja është simbol i demokracisë në Shqipëri, e njohur si bastion antikomunist. Gjithmonë e deklaruar djathtas me votën e sovranit. Në zgjedhjet lokale të fundit në bashki fitoi përfaqësuesi i PS, Elvis Roshi, i cili u bë i njohur si personazh i kronikës rozë nga një dramë sentimentale të përdorur asaj kohe politikisht.

Sot shtypi i Tiranës e kishte futur prapë në kronikë Elvis Roshin, jo në atë të gossipeve rozë, por në gossipet e fushatës ku kryebashkiaku i Kavajës pretendoka që, në rast fitoreje të PS, ndër prioritetet e tij të jetë heqja nga qendra e qytetit të monumentit simbol të dy gishtave kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që mori pikënisje në Kavajë. Kjo lëvizje do t’i paraprinte lëvizjes së studentëve ende pa dalë në skenë Berisha apo Rama. Revolta e parë antikomuniste në Shqipëri daton pikërisht më 25 mars 1990, kur në stadiumin e Kavajës, gjatë ndeshjes Besa-Partizani, gjithë stadiumi u ngrit në këmbë me parrullat „poshtë diktatura“, „liri-demokraci“ dhe qyteti pati reprezalje nga regjimi. Elvis Roshit si qytetari nr. një i qytetit i bie të kujdeset për këtë monument dhe jo ashtu si ka ndërmend të veprojë.

Gazeta Panorama pas deklarimeve të liderit socialist Edi Rama, në një vizitë elektorale në Kavajë, se ky bust do t’i sillet Kryeministrit në Tiranë, sjell konfirmimin e vetë kryebashkiakut të qytetit Elvis Roshi, i cili paska thënë tekstualisht se “Monumentin e dy gishtave do ta heq me helikopter, e pastaj do t’ia çoj kryeministrit Berisha dhe do t’ia lë para derës së Partisë Demokratike”. Vulgaritet.

Po përse, kjo do të jetë rruga e reformave, që të çrrënjosin simbolet antikomuniste? Kur PS do t’i duhet që rrugën e reformave ta nisë duke u pastruar tërësisht nga simbolet komuniste! Po me çfarë simboli do ta këmbejë Elvis Roshi monumentin e dy gishtave? Me kazmën e çekanin apo me grushtin e diktaturës së proletariatit!

Simboli i dy gishtave është një simbol paqësor, simbol i fitores. I përdorur nga Berisha që më 1992, kur u rrëzua sistemi diktatorial, si gjest i huazuar dhe i shfrytëzuar gjatë përmbysjeve të regjimeve totalitariste asaj kohe.

Përse nuk e përdor Rama simbolin e dy gishtave, çfarë të keqe ka ky simbol? Simboli „Victory“. « The V sign is the symbol of unconquerable will! » «Simboli V i dy gishtave është simbol i vullnetit të pamposhtur! » Thënie e njohur e Uinston Çurçillit (Winston Churchill) gjatë luftës të Dytë Botërore. Gishtat e fitores i ka përdorur ai dhe Dwight Eisenhower. Edhe Nixon, dhe do të vazhdojnë t’i përdorin. Kush është fans i Beatlesave, duhet ta ketë parasysh një foto të John Lennon me Yoko Onon me gishtat e fitores si protestë kundër Luftës në Vietnam. „V“e fitores e ka përdorur po ashtu Lech Walesa, edhe Presidenti George Bush senior.

Dy gishtat e fitores janë ngritur lart edhe gjatë Pranverës Arabe në Libi nga ata që rrëzuan Gadafin. E do të vazhdojnë e ta përdorin në vijimësi, si simbol i paqes, pa pyetur aspak për „idetë gjeniale“ të Elvis Roshit, apo shefit të tij. Është një simbol që nuk konsumohet. Që ka mbijetuar. Është një simbol entuziast, edhe populist.

Pra ta fokusosh fushatën tek heqja e simbolit të dy gishtave, simbolit të fitores të së mirës kundër të keqes, të demokracisë mbi tiraninë, është mjerim i madh. Nonsens i mirëfilltë politik.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Elvis roshi, Kavaje, monumenti i dy gishtave

NGA SOFRA POETIKE E DIELLIT- KUR ISHA TURMË

May 25, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kur isha turmë,/

luaja në skenën e teatrit/

absurd/

si kukullat e kurdisura/

me çelës/

për të ndryshuar /

metropolin ballkanik/

ky Pazar vjetërirash/

me ndërgjegje blozë/

e tru lejfenësh/
kur isha turmë/

isha e pagdhëndur/

nga ato që kemi hequr/

tash sa mot /

kur isha turmë/

urinë e shuaja /

me fjalët bosh/

si çengelë/

flamujsh të dalë boje/

 

kur isha turmë

fjalëve u jepja frymën

time

i transformoja

në simite të ngrohta

në fusha gruri

pyje gjithë oksigjen

autostrada shprese

që i binin kryq e tërthor Europës

pa vizë

e ndërtonin

ura fluturuese mbi Atlantik

ku isha turmë

mendoja me zemër

ngopesha me ajër

etjen e shuaja

në burimet e iluzionistëve

profanë

kur isha turmë

rendja pas shpresës si një qen besnik

 

kur isha turmë besoja

se kështjellat prej rëre

janë beton të forta

se lëkura e kohës nuk rrudhet kurrë

kur isha turmë

sirtaret i kisha të mbushura me

ëndërra

vetë isha shitëse ambulante ëndërrash

ëndërrat i shisja gratis

ëndërrat i blinin gratis

kur isha turmë

isha si turmat sot

budalle, të dehura pa pirë

të dehura

me ujra të ndejtur moçalesh

ku llapuçiten zhaba

dhe zhapinj

të pështirë

tash një çerek shekulli

kur isha turmë

isha e pamëshirëshme me kohën

time

kohën e vishja dhe e zhvishja

me pavëmendje

sikur të ishte një fustan

që nuk grisej kurrë

kur isha turmë

e sfidoja e tallesha me kohën

duke e humbur si një brilant të çmuar

në shkretëtirën e kotësisë

kur veshët

të ushtojnë prej jehonës

të brohoritjeve idiote

kur isha turmë

ashtu si turmat sot

të mashtruara

nga dordolecë

që trembin sorrat

i dedikohesha asgjësë

asgjënë e kisha kthyer

në idol

si turmat sot,

të rrahura me vaj e me uthull,

gjithë këtë tranzicion

makabër

të vërtitura prej xhonglerësh

satrapë në mënyrë ciklike

që hiqen posa kanë

zbritur nga një planet tjetër

që sholla e lëkurës

u është regjur më tepër se sholla

e këpucëve të turmës

të ngrëna nga

nga konsumi i vetëvetes

i turmës

kur turma ha turmën

të shtrydhur

si një limon

deri në pikën e fundit…

kur isha turmë

ishte një herë e një kohë

kur isha turmë

tani s’jam më turmë

urra !

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, Kur isha turme, poeme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT