• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKANDALI MË I FUNDIT NË POLICINË E SHTETIT

March 1, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Këta muaj kanë qenë shumë tragjikë për Policinë e Shtetit shqiptar, sepse në një periudhë gjashtë mujore janë vrarë tre kryekomisarë të kësaj Policie. Dhe kur janë në rrezik komisarët e Policisë të Shtetit, e cila ka detyrë të mbrojë jetën e qytetarëve të Republikës të Shqipërisë, merreni me mend sa sa në rrezik janë jetët e qytetarëve të thjeshtë!

Vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj ishte e treta në rradhën e vrasjeve. Dhe do të kishte kaluar, ashtu si kaluan dy të parat, nëse në shtypin shqiptar nuk do të ishin botuar fotografi të të akuzuarit për këtë vrasje Arben Frrokut me katër zyrtarët më të lartë, thënë ndryshe kupolën e policisë të Shtetit, përjashto Nr.1 Hysen Burgajn. Në këtë foto biznesmeni Arben Frroku ka pozuar gjatë një dreke a darke në një restorant në zonën e Dajtit me Agron Kuliçajn, zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Tonin Vocajn, drejtor i Krimeve të Rënda në Polici, Muhamet Rrumbullakun, zv.drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Nikolin Bala, drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale.

Pas botimit të fotos, të lartpërmendurit që ishin përfshirë në hetimin e vrasjes të kryekomisarit, u deklaruan se tërhiqeshin. Lind pyetja nëse ata të pestë, që bëheshin gjashtë me të zotin e restorantit, nuk do të kishin bërë foto asaj dreke apo darke, të cilat nuk do të ishin botuar pastaj në shtypin e Tiranë dhe këta njerëz do të kishin vazhduar hetimet ?! Sepse sa takime dreka e darka bëhen privatisht pa dritën e blicave dhe kamerave!

Disa kohë më parë, në Tiranë u diskutua edhe për një darkë ku mori pjesë pronari i ABCNEWS me eksponentë të opozitës, e cila u pa me shqetësim si lëvizje kahu e këtij Mediumi nga qendra e djathtë tek e majta! Sepse politikës i intereson fitorja dhe pushteti, dhe për pushtet e hedh shtetin e së drejtës në kosh të plehrave.

Duke iu kthyer kronikës të vrasjes të kryekomisarit, i akuzuari për vrasjen e Dritan Lamajt u arrestua në Greqi në mënyrë të menjëherëshme, që të linte të kuptonte se ata që e arrestuan, shkuan menjëherë tek Arben Frroku, pa kryer asnjë hetim.

Dhe kjo kapje po konsiderohej „një sukses“ i Policisë të Shtetit, nëse pas dy ditësh nuk do të botoheshin fotot ku i akuzuari për vrasje do të shfaqej në një tryezë me kupolën e Policisë. Çka vetëm si fakt përbën skandal. Hysen Burgaj, drejtori i kësaj Policie në daljen e tij për mediat, tha se asaj kohe Arben Frroku nuk kishte precedent kriminal.

Por ky deklarim i Hysen Burgajt nuk mjafton për të fshehur skandalin. Për raportin morboz që ka biznesi me politikën apo për raportin morboz që ka biznesi i mediave me politikën, që janë raporte shtetshkatërruese, raporte që po shkatërrojnë sistemin demokratik në Shqipëri, sepse edhe biznesi, edhe mediat kanë lidhje interesash përfituese me politikën dhe viceversa. I japin politikës, me qëllim që t’i marrin privilegje. Kur qëllimi i tyre do të duhej të ishte mirëinformimi. Orientimi nuk ndalet, edhe bashkëpunimi, por kur nuk cënon as integritetin e mediumit dhe as të politikës. Shohim zgjedhjet e fundit në SHBA. New York Times deklaroi se do të mbështeste Presidentin Obama, por kjo s’do të thotë se emrat e shquar që shkruajnë në atë gazetë si Paul Krugman, Maureen Dowd, Roger Cohen, Thomas L. Friedmando të dalin nga roli që kanë për të mbrojtur interesat e vendit të tyre.

Kështu, pas këtij skandali, u prit më kot që gazetaria investigative të thoshte fjalën e saj, sepse në Shqipëri gazetaria investigative nuk ekziston, kështu që ngjarja u fokusua sipas interesave të palëve.

Sokol Balla në emisionin e tij Top Story nxori në dritë disa të vërteta të rëndësishme, sepse për çdo gazetar të ndershëm perëndia e tij nuk është partia apo bosi i TV ku merr rrogën, por e vërteta dhe interesat e vendit ku ti ke lindur e do të lindësh e rritësh fëmijët e tu.

Sokol Balla kishte ftuar Shemsi Prençin, oficer kariere i përjashtuar nga Policia e Shtetit në fillim të 2012, pas akuzash reciproke midis palëve, Saimir Tahirin, Henri Çilin dhe Andi Bushatin.

Saimir Tahiri u bë personazh në Parlament kur midis tij dhe Ministrit të Brëndshëm u shkëmbyen replika. Ministri Noka e humbi kontrollin me akuza shumë të neveritëshme, ku në vend që të jepte shpjegime për ato që gjithë opinioni publik i pa me sytë e ballit, akuzonte opozitën se kishte lidhje me të akuzuarin. Skena shumë vulgare që i shohim rëndom në Parlamentin e Shqipërisë.

Në Top Story u sollën edhe deklarimet telefonike të Arben Frrokut nga Greqia, ku gjithë opinioni publik dëgjoi me veshët e tij se Frroku tha shprehimisht se i kishte të njohurit e tij personazhët e fotografisë dhe bile ka plot miq deputetë!

Po ashtu Shemsi Prençi vuri re se i ndjeri Dritan Lamaj është emëruar dhe shkarkuar tri herë nga detyra e kryekomisariatit nr.6 që bie në zonën e Kombinatit. Është emëruar në këtë detyrë sa herë që postin e Ministrit të Brëndshëm e ka marrë Bujar Nishani. Pra sipas një supozimi del se është emëruar nga Bujar Nishani dhe shkarkuar nga kupola e Policisë të Shtetit, e cila përbëhet nga ata që ishin të përfshirë në foto plus Hysen Burgajn. Kësisoj u la kuptohet se Dritan Lamaj kishte mbështetje nga Bujar Nishani.

Ndërkohë, shkarkimet e tij janë të habitëshme, kur kemi parasysh se si u përcoll i ndjeri Dritan Lamaj në banesën e fundit, me nderimet më të larta nga Policia e Shtetit, nga Ministria e Brëndshme dhe kryeministri, si oficer me merita ! Atëherë e përse është shkarkuar tri herë nga detyra lind një pyetje tjetër!

Duke u nisur nga deklarimet telefonike të Arben Frrokut dhe nga fotografia e publikuar në shtypin e Tiranës, del qartë se i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit dhe vëllai i tij që ka një restorant në Kombinat kanë patur lidhje me Kupolën e Policisë të Shtetit, në foto mungonin vetëm Burgaj dhe Ministri Ndoka.Lidhje ose ndërlidhje interesi përmes partisë.

Kjo sipas një logjike të thjeshtë, sepse vetëm një njeri me influencë mund t’i bashkonte katër kryepolicë të Policisë të Shtetit si bëri ai tek restauranti afër Dajtit.

Shemsi Prençi tha tek TopStory se politika ndikon dhe nuk e lejon Policinë e Shtetit të kryejë detyrën. Kjo përkon edhe me deklarimin që e dëgjuam të gjithë përmes telefonit, kur Arben Frroku pohoi se kishte drekuar apo darkuar me të lartpërmendurit me të cilët njihej dhe se po ashtu ai njihte edhe deputetë!

Midis debatit, ishte interesante një pyetje që i erdhi përmes Twitter-it ish oficerit të lartë të Policisë të Shtetit Shemsi Prençi nga një cicërues„neutral“, ku „neutrali“ e pyeste Prençin, se pas daljes të tij tek Top Story a do të fitonte ndonjë post deputeti nga lideri i PS. Përgjigja e Prençit tregoi se ai ishte simpatizant i PD-së! Fati i Prençit është si i shumë simpatizanëve të PD-së, të cilët i ka ndjekur gjuetia e shtrigave brënda klaneve të PD-së.  Gjithnjë ky tranzicion barbar ka bërë që të ballafaqohemi me segmentin biznes-politikë, ku në Shqipëri ky segment është shumë i kompromentuar. Partitë politike janë të interesuar që të marrin mbështetjen e biznesit dhe kur janë në pushtet ua shpërblejnë. Kulmi arrin kur biznesmenë që mbështesin partinë kërkojnë mbështetjen e institucioneve të saj për të hequr qafe dhe shkarkuar dikënd në Policinë e Shtetit që ia prish qejfin. Sepse këto janë forma të qarta të kapjes të shtetit të së drejtës.

Sa i përket skandalit më të fundit, opinioni publik ka në dorë fotot, të cilat i pa me sytë e ballit; ka në dorë deklarimin telefonik të Arben Frrokut, të dyshuarit për vrasjen e kryekomisarit,– si dhe deklarimet e zyrtarëve më të lartë të Policisë të Shtetit, ku sipas Burgajt „kur u fotografuan, Frroku nuk ishte nën hetim“ apo sipas katërshes të fotos njëri syresh tha se „nuk e njoh Frrokun“, tjetri tha se „e njoh Frrokun po me ne ndejti vetëm 10 minuta“ – e kështu me rradhë, ndërkohë që Ministri i Brëndshëm akuzoi kreun e opozitës se„është takuar me Arben Frrokun, para dy javësh“, pa asnjë provë, ndërsa ka në dorë provat materiale që janë fotoja dhe telefonata, të cilat i zhurmon me sharje dhe fyerje vulgare.!  Nga faktet që kanë dalë publikisht, deshifrojmë qartë lidhjen e politikës me biznesin. Dhe nëse një biznesmen arrin deri atje sa vret, kjo tregon se ky biznes është kriminal. Nga këto të dhëna shohim edhe dramën e Policisë të Shtetit dhe oficerëve të lartë të saj sepse fati i tyre varet nga politika dhe nga plotfuqishmëria e klaneve, i më të fortëve. Policia e Shtetit do të duhet të përfaqësohet me figura të përkushtuara dhe me integritet dhe jo shërbëtorë të partisë në pushtet, sepse Policia e Shtetit duhet të jetë shërbëtore e Shtetit dhe qytetarit dhe jo politikës dhe orekseve të saj. Fati i oficerit të Policisë të Shtetit nuk duhet të jetë në mëshirën e pamëshirshmërisë të politikës në funksion të pushtetit që bie ndesh me shtetin ligjor, sepse shteti ligjor mbahet e mbrohet nga vlerat e meritokracia. Ky problem bëhet edhe më dramatik, kur kemi parasysh se sëmundjen e Policisë të Shtetit e ka edhe Drejtësia, edhe Mediat, pasi edhe ato janë nën varësinë e politikës dhe biznesit, sepse nëse do të ushtronin me përgjegjshmëri detyrën e tyre ndaj opinionit publik për t’i treguar të vërtetën si është, atëherë vendi nuk do të rrezikonte sistemin. Sepse edhe demagogu më i madh i rruzullit nuk do të pranonte kurrë të deklaronte se qytetarët e Shqipërisë jetojnë të sigurt në shtëpitë dhe qytetet e tyre kur brënda një periudhe kohe prej pesë gjashtë muajsh vriten tre kryekomisarë. Pastaj kur Policia e Shtetit shpall se e ka kapur vrasësin dhe dy ditë më vonë opinioni publik zbulon se si i akuzuari për vrasje pozon me çifteli me kupolën e Policisë të Shtetit, kryepolitika në vend që të shkundet, na ofron të dëgjojmë çiftelinë e Flamur Nokës. Quo vadis kështu Shqipëri!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e shtetit, Elida Buçpapaj, me policine, skandal

ZGJEDHJET NË ITALI DHE KRAHASIMI ME 23 QERSHORIN – NË SHQIPËRI MUNGON NJË GRILLO

February 26, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Rezultati definitiv i zgjedhjeve në Itali tashmë ka dalë: Dhoma e deputetëve PD e Pier Luigi Berssanit 29.53% – Il Polo della Liberta e Silvio Berlusconit 29.13%, ndërkohë që me këtë përqindje ku avantazhi apo disavantazhi i humbjes apo fitores është vetëm 0.4%, Ligji Elektoral është i tillë sa “fituesit” i jep 200 vende më tepër në parlament!!! Pra me këtë difirencë 0.4% Berssani fiton 340 vende, ndërsa Berlusconi 124, kur si për PD dhe për Polo della Liberta kanë votuar nga 10 milionë votues. Dhe kanë mjaftuar vetëm rreth 75 mijë vota që rezultati, në bazë të Ligjit elektoral aktual italian, të pasqyrohet në mënyrë të tillë absurde. Sot në mëngjes dëgjova Francesco Rutelli-in tek RAI UNO, i cili e cilësoi këtë ligj diçka të përafërt me ligjin mesjetar “Porcellum”, pra që ligjëron padrejtësinë. Edhe unë ndaj të njëjtin mendim me Rutellin.

Ndërsa fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve ishte Beppe Grillo me 25.55 %, Movimento 5 Stelle (Lëvizja e 5 Yjeve), që ka marrë votbesimin e rreth 9 milionë italianëve, një revolucion i vërtetë. Grillo që përdori rrjetet online dhe sheshet e Italisë, sfidoi politikën aktuale. Analistët e krahasuan me Berluscon-in kur hyri në politikë më 1994. Jo tamam. Sepse Silvio Berlusconi fitoi mandat për kryeministër të Italisë, pra erdhi në atë kohë për të qeverisur Italinë. Ndërsa Beppe Grillo vjen për ta shkundur politikën italiane. Grillo me profesion aktor komik, aktivist, blogger, ndryshe nga Berlusconi, është përdorues i mirë i internetit. Që kur themeloi MoVimento 5 Stelle, më 2009, ai vendosi në qendër të vëmendjes, shqetësimet e jetës të përditëshme të qytetarit, që ka të bëjë me ujin, plehrat, gjelbërimin, mbështetjen e shtresës vulnerabile, pastaj vendosi në qendër të kritikave shpenzimet katastrofale të politikanëve, që gëlltisin miliarda, duke i parë ata edhe si shkaktarë të krizës.

Senatore a vita, senatori i përjeshtshëm dhe kryeministri i Italisë Mario Monti, nga ana e tij dështoi me 10,54% të votave, sepse u tregua në një farë mase si “djali plangprishës”. Pa marrë parasysh kreditin e tij si teknicien, ai humbi kreditin e moralit në politikë. Italianët nuk pëlqyen as raportin e përulur që krijoi ai me Gjermaninë, me zonjën Merkel. E cilësuan fyes, dhe u ndjenë të prekur në identitetin dhe sedrën e tyre kombëtare. Mjafton të kujtojmë spektaklin e showman-it më të famshëm që ka sot Italia Fiorellos “Il più grande spettacolo dopo il weekend”, që dha RAI UNO midis nëntorit dhe dhjetorit 2011.

Tani mbetet të shohim si do të reagojë Grillo! Sepse në Senat qendra e majtë ka një maxhorancë relative! Ndërkohë që Grillo ka fituar sepse iu kundërvu pikërisht stilit të gjithë politikës italiane, pra Grillo synon reformë të thellë, të paparë kurrë më parë! Që vështirë se e premton sot Italia me psikozën e krizës, ku objektiv kryesor është dalja prej saj. Por shtypi pranë qendrës të djathtë ka vënë re se bashkëshortja e dytë e Beppe Grillos, me origjinë iraniane, pëlqen jetën e lluksit, plazhet e shtrenjta në Kenia dhe peliçet e veshjet e rafinuara, “gjëra që i urrejnë militantët e pesë yjeve”.

Duke krahasuar me siatuatën në Shqipëri, mjerisht nuk kemi asnjë figurë që të krahasohet me Grillo-n e Italisë. Sepse po të bësh një analizë të hollë, aktorët e politikës shqiptare janë pjesë e së tërës, në kuptimin, se vijnë nga dy partitë kryesore, pasi kanë patur probleme me krerët e partisë.

Mesa po shohim, fushata në Shqipëri po fokusohet tek fitorja, si fitore personale, për të patur pushtet, për të mbajtur pushtetin, por jo në të mirë të shtetit të së drejtës, Shqipërisë dhe shqiptarëve. Fushata në Shqipëri është fokusuar në premtime, dhe shqiptarët deri më sot janë të ngopur me premtime boshe. Askush nuk flet për integritetin e klasës politike, pisllëku i së cilës rrezikon sistemin sepse kemi degjenerim të sistemit të drejtësisë, nepotizëm, uzurpim të pushtetit të katërt dhe kulmi arrin se politika po fut duart edhe në rrjetet sociale, sidomos në Facebook, duke ngushtuar gjithnjë e më tepër hapësirën e lirisë për t’u shprehur, një hapësirë që Beppe Grillo e përdori me shumë përparësi.

Të mos flasim pastaj për militantët që kanë fituar poste, të cilët sot janë kthyer në Cerberus-a, e keni parasysh atë qenin me shumë kokë të mitologjisë, sepse gjatë këtyre 22 viteve tranzicion është bërë luftë ndaj meritokracisë për të mbajtur si modus vivendi – e lulëzimin e jetës të klaneve brënda partive, si shprehje e tribalitetit të politikës.

Një diçka tjetër e rëndësishme kur krahasojmë pjesëmarrjen në votime. Në Itali në këto zgjedhje pati një pjesëmarrje rreth 75 %, që do të thotë se në 4 italianë vetëm një nuk ka votuar, ndërsa në Shqipëri, pjesëmarrja në votim le shumë për të dëshiruar, pasi mbizotëron abstenimi. Abstenimi vjen sepse populli nuk beson tek kjo klasë politike, por edhe sepse nuk ka gjeneratorë që ta venë në lëvizje, pasi shoqëria civile ka rol zero, gjithnjë si derivat i politikës. Nëse kemi parasysh se në Shqipëri nuk votojnë gjysma e shqiptarëve, atëhere llogaritet se rezultatet që marrin partitë, qoftë si fitues, në parim nuk e kanë maxhorancën e popullit.

Kjo situatë duket e pashpresë, por kur kemi parasysh thënien se “shpresa vdes e fundit”, le të shpresojmë në një zgjim të shqiptarëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, mungon Grillo, ne Shqiperi, zgjedhjet italiane

5 VJETORI I KOSOVËS PA FLAMUJ KUQ E ZI E PA EUFORI

February 19, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pesëvjetori i festimit të pavarësisë të Kosovës ishte diçka ndryshe ngasa kemi parë rëndom, kur festa e pavarësisë të Kosovës bëhet ndërkohë shprehje e ndjenjës së identitetit kombëtar. As veprimtarët e Vetëvendosjes nuk ndërmorën ndonjë veprim për të vendosur natën flamujtë kombëtarë të kuq si gjaku me shkabën e zezë dykrenore. U tregua disiplinë.

Kishte vetëm flamuj të shtetit të Kosovës, që për nga ngjyrat ngjajnë me atë të Bashkimit Europian, veç ndryshojnë nga numri i yjeve.

Vëmendja u përqëndrua tek Newborn-i. Kush kishte vendosur firmën e tij ta harrojë sepse tani Newborn ka një look të ri dhe interesant, me një mori ngjyrash pa fund, të flamujve të 98 vendeve që e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës.

Pesëvjetori kaloi bukur e qetë. Shteti amë kishte dërguar presidentin e republikës të Shqipërisë i cili ishte i pranishëm në të gjitha aktivitetet që institucionet e Kosovës organizuan më 16 dhe 17 shkurt. Mungonte kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, për shkak të retorizmit absurd të kohëve të fundit, i cili ka filluar prej festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë dhe nuk u ndal as gjatë këtyre ditëve, për konsum të fushatës politike të zgjedhjeve të 23 qershorit.

Edhe Jozefina Topalli kishte prani të reduktuar. Ishte në seancën parlamentare, por jo në paradë.

Duket se institucionet e Kosovës kishin marrë këshilla nga aleatët tanë jetikë që të ishin të kursyer me ftesa, me retorikë dhe me eufori. Në fund të fundit e çfarë do të fitonte Kosova nga retorika? Asgjë! Po Shqipëria? Asgjë! Po liderët? Veç do të krijonin shqetësim, ankesa, fqinjët do të na tregonin me gisht! E për çfarë? Të fajësohesh për retorikë është skandaloze! Retorika është në vetvete skandaloze! Aq më tepër kur ka kosto për shqiptarët!

Të duket çudi, që institucionet e Kosovës nuk kishin ftuar kryeministrin e Shqipërisë. Por kjo është e vërteta. Ky ishte çmimi që Berisha mori për konsumim të retorikës. Sepse Kosova nuk ndihmohet me tirada retorike, Kosova dhe shqiptarët dëmtohen nga tiradat e retorikës, ashtu si edhe vetë Sali Berisha. Kosova ndihmohet me veprime dhe vepra. Rruga e Kombit po!

Kosova e festoi 5 vjetorin e pavarësisë pa inflacion deklaratash, pa inflacion dekorativ. Jam e sigurt se shqiptarëve të Kosovës u ka munguar flamuri i kuq, sepse ata janë më patriotë se shqiptarët e shtetit amë, por duket u veprua kësisoj për të evituar dhe harruar disi shijen e kripur të retorikës pikante të Berishës me nacionalizëm fiktiv.

Sepse ne shqiptarët jemi këta që jemi, por nacionalistë nuk jemi. Nuk jemi as patriotë. Shikoni si i kujtojnë sot SHBA baballarët e Kombit, ndërsa baballarët e Kombit tonë vazhdojnë të mbeten të varrosur dhe vetëm me rastin e 100 vjetorit të shtetit ua pamë disi fytyrat nga një ekspozitë e piktorit Arben Morina. I pamë sa një flash fotografik. Kaq, për fushatë, për eufori feste!

Prandaj Kosova veproi shumë mirë që e festoi 5 vjetorin me këmbë në tokë dhe nëse ka dëgjuar këshillat e aleatëve tanë jetikë, ka vepruar shumë mirë. Ky është një leksion që i bëhet Sali Berishës. Flakë për flakë. Le ta mohojë po të dojë. Si veprojnë yesmenët e tij, ata që ia mbushin mendjen se është lideri diell, që e bëjnë të fluturojë në jerm dhe të mos e shohë realitetin. Kështu ia kanë bërë yesmenët gjithnjë dhe kur ka ardhur puna pastaj e kanë braktisur. Por puna e liderëve politikë kështu është, vijnë e ikin, ndërsa çështja është që të mos dëmtohen interesat e vendit dhe shqiptarëve, çështja është që shqiptarët të integrohen aty ku e meritojnë të jenë, si pjesë integrale e Europës së Bashkuar.

Kosova dhe Shqipëria festuan qetë dhe pa eufori, por kjo nuk ndali që shqiptarët e Shqipërisë të vinin për dy orë e ca nga Tirana në Prishtinë për të shijuar festën pa nevojën e kronikave televizive dhe komenteve të gazetarëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 5 vjetori i Kosoves, Elida Buçpapaj, pa flamuret kuq e zi

POLITIKA DHE DIPLOMACIA SHQIPTARE BARAZ ME NEPOTIZËM E BARONIZËM – RASTI CEKA DHE JO VETËM AQ

February 13, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Nepotizmi“ është favoritizmi që zyrtarët e lartë u bëjnë të afërmve të tyre.„Nepos“ – „nip“. Me të njëjtin sens përdoret edhe termi „baronizëm“, veç rritet doza e negativitetit.Baronizmi, klientelizmi partiak, klanet politike dhe hijet me të shkuarën diktatoriale- janë morbuset e administratës të lartë publike shqiptare, pasojat e të cilave i vuan direkt shoqëria shqiptare këta 22 vjet tranzicion.Në vetvete, klanet, nepotizmi e klientelizmi janë armiqtë e betuar të meritokracisë. Që do të thotë se lufta kundër njerëzve me merita, me integritet, pa hije nga e shkuara e të ndershëm nuk është ndaluar asnjë çast, përfshi edhe dy mandatet e kryeministrit Berisha dhe po ashtu edhe periudhën e gjatë të këtyre 22 viteve tranzicion.

Politika shqiptare ka patur alergji nga figurat me integritet të spikatur, të cilat duhet të jenë shtylla kurrizore e një sistemi demokratik, pavarësisht rotacionit partiak. Duke patur frikë nga konkurenca e pastër, politika shqiptare ka bërë spastrime përmes mënyrave aspak qytetare dhe aspak fair.

Nga kjo sëmundje vuan e djathta shqiptare, që këtë emër e mban pa asnjë meritë, nëse e vendosim në korrelacion me pronarët dhe të përndjekurit politikë. Prej kësaj gjendje përfiton edhe e majta, reformimi i të cilës ka mbetur peng i një të djathte pa standarde. Dhe pasojat i ka vendi dhe shteti i së drejtës, i cili vihet në rrezik.

Lideri i maxhorancës, ndërsa është futur në fushatë për mandatin e tij të tretë, nuk e njeh fare katharsisin, ndërsa shoqëria shqiptare është në mëshirën e pamëshirëshme të baronëve dhe klientëve të partisë dhe aliazheve të saj, klaneve dhe shërbimeve klienteliste si dhe njerëzve me lidhje me të shkuarën, të cilët përbëjnë rrezik për sistemin. Nëse je në orbitën e klanit, fitove. Nëse nuk je, merre arratinë, sepse përjashtimi është verdikti i klanit, verdikt i cili është vetëm goditje për shëndetin dhe higjenën e demokracisë.

I kthehemi skandalit më të fundit të nepotizmit. Neritan Ceka, ish-armik i egër i Sali Berishës prej 1992, sidomos më 1997 deri në zgjedhjet e 2005 është në pushtet dhe koalicion me të majtën qeverisëse dhe kur e majta në maxhorancë ka humbur çdo kredibilitet, e gërryer nga korrupsioni dhe keqqeverisja, afrohet me Berishën bashkë me Arben Imamin dhe partinë e tyre mikroskopike dhe kështu hynë direkt në efektet e orbitës të merkatos politike, pa asnjë moral, veç për pushtet.

Ky imoralitet politik, kur politikanët e Shqipërisë shiten e blihen herë majtas e herë djathtas, në mënyrën më të pacipë të mundshme, bëhet sepse në Shqipëri edhe shtypi është në marrëdhënie klienteliste me politikën. Jo më kot, ngjarjet e 1997 asnjëherë nuk kanë kaluar në fokus për t’u analizuar. As nga historianët, as nga mediat. Përdoren zhargonë mallkues për efekte propagande, por vetëm kaq. Kush kujtohet për të analizuar 1997 shpallet armik dhe lufta e klaneve në Shqipëri është shumë më mizore se lufta e klasave.

Si personalitet, Neritan Ceka vjen nga arkeologjia, është me background akademik, por kjo nuk i jep të drejtën e xhonglerit, sepse besueshmëria e një politikani varet nga votat që ai fiton dhe nëse partia që ka drejtuar Neritan Ceka nuk ka arritur as pragun minimal që të ketë të paktën një karrike në Parlament, kjo do të thotë se kaq vlen Neritan Ceka si politikan.

Por klasa politike në Shqipëri këta 22 vjet tranzicion ka qenë gjithnjë e lidhur me fijet e së shkuarës dhe skeletëve që ka patur në dollapë, duke përfituar se jemi i vetmi vend nga ish-ssitemet diktatoriale të Europës Lindore që nuk hap Dosjet dhe nuk voton ligjin e Lustracionit. Kjo do të thotë se në politikën shqiptare vlen ai që e ka hipotekën më të pasur. Pra konkurrojnë hipotekat, pisllëqet dhe jo figurat me integritet, ato që i duhen shtetit të së drejtës.

Të kthehemi tek skandali më i fundit i nepotizmit në diplomacinë shqiptare, ku diplomatët emërohen me një VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave). Sot, po të diskutosh me zyrtarë të Ministrisë të Jashtme, ata që vinë nga partia e Ilir Metës të ngrenë supet. Ata që vinë prej 2005, të tregojnë dhëmbët. Jo drejtpërdrejt. Kërcënojnë në mënyrë diplomatike. Edhe kur kanë një vend të rëndësishëm të thonë në konfidencë se nuk mund të bëjnë asnjë presje pa leje dhe pa urdhër, dhe larg qoftë të bëjnë ndonjë prononcim. Dhe kur shohin se në celularin e tyre del një numër që pyet, ata të nxjerrin menjëherë centralin telefonik, që të thotë se për momentin poseduesi i numrit nuk është i disponueshëm.

Në mandatin e dytë të PD-së, Neritan Ceka është këshilltar i Sali Berishës, ndërsa Arben Imami nga shefi i kabinetit në mandatin e parë, kalon ministër i Mbrojtjes. Lind pyetja, po si është e mundur nisur nga fakti se partia e tyre PAD s’kishte fituar asgjë në zgjedhjet e 2009. Mos pyet pastaj për të shkuarën e afërt, vitin 1997, midis Berishës nga njëra anë dhe Cekës e Imamit në anë tjetër. Politika shqiptare një ligj i vërtetë xhungle.

Pra më 2009, pasi Neritan Ceka emërohet këshilltar i kryeministrit, pikërisht më 2009, duke iu referuar të dhënave që boton sot Shqiptarja, përmes një VKM-je, vendim që i vjen i gatshme Ministrisë të Jashtme për t’u zbatuar, i biri i Neritan Cekës, emërohet diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Austri. Djali i zotit Ceka ka studjuar në Vjenë, njohës i gjermanishtes, por kjo nuk mjafton për të përmbushur etikën e standartit të zyrtarit të lartë të shtetit të së drejtës, ku përjashtohet keqpërdorimi i pushtetit.

Lajmi tjetër i konfirmuar është se zoti Neritan Ceka, 72 vjeçar tashmë, për të evituar fushatën lodhëse të 23 qershorit, e sheh të udhës që t’i kushtohet diplomacisë. Dhe Sali Berisha pranon e, përmes një emërimi politik, e ka këtë të drejtë, e emëron ambasador të Shqipërisë në Romë, ndërsa i biri i Cekës vazhdon të jetë diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë dhe sipas informacioneve jo të konfirmuara, por duke iu referuar shtypit të Tiranës, ai është emëruar ambasador i OSBE-së me seli po në kryeqytetin austriak!!!!

Po, edhe sikur të mos jetë e vërtetë. Mjafton fakti, që i biri prej 2009-2013 te ketë qënë diplomat, dhe prej 2013 në diplomaci të fillojë karrierën i jati! Këto veprime mbajnë erë abuzivizëm. Sikur pushteti politik i klanit është i trashëguar! Sepse mjafton të jesh i biri apo e bija, apo nusja apo dhëndri i klanit të pushtetit dhe pastaj mund të fitosh gjithçka, privilegje dhe shanse, mund të gdhihesh diplomat dhe përfaqësues i Shqipërisë, kur nuk ke dhënë asnjë lloj kontributi për vendin tënd. Kjo është demokracia? Jo, demokracia nuk është kjo. Këto mënyra janë përçudnimi i demokracisë dhe i diplomacisë shqiptare në rastin konkret! Sepse klientelizmi, klanizmi dhe baronizmi janë shprehje e qartë e degradimit të pushtetit partiak prej nga rrezikohet edhe sistemi. Ju kujtohet slogani i partisë të punës, « partia mbi gjithçka » ! Ku na humnerisi!

Për gjysmë shekulli kishim diktaturën komuniste. Prej 22 vitesh tranzicion kemi mbytjen e shoqërisë nga tentakulat e klaneve dhe shërbimet klienteliste duke e kthyer shtetin e së drejtës në tutor të tyre. Por të jesh tutor i klaneve nuk mund të jesh më shtet i së drejtës. Aty ku veprojnë klanet shteti i të drejtës ka marrë fund. Dhe prandaj pranojmë të gjithë se në Shqipëri nuk ekziston drejtësia.

Dhe konkluzioni i këtij shkrimi, është se për shqiptarët nuk do të ketë drejtësi sociale dhe as shtet të së drejtës, përderisa zyrtari publik do të jetë i varur nga lidhjet e gjakut apo lidhjet klienteliste që ka me partinë apo klanin politik ku bën pjesë. Meritokracia do të kthehet kësisoj në një nocion abstrakt dhe shënjestër e djajve të politikës e të pushtetit. Dhe ka vetëm një rrugë për të shpëtuar sistemi demokratik dhe vendi jonë nga ky kalvar tribal dhe antidemokratik, që të mos dorëzohemi e të mos pranojmë kurrsesi shtetin monstrum mbështetur në pushtetin e klaneve politike e partiake, klientelës dhe baronëve politikë së të gjitha ngjyrave.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ceka, Elida Buçpapaj, nepotizem, politika shqiptare

PD DHE PS NUK JANË DY PARTI POR DY USHTRI – DHE JANË TË FRIKSHME

January 29, 2013 by dgreca

Opinion Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

 Ka nisur fushata, dhe të dyja partitë kryesore, kanë rreshtuar aleancat duke i armatosur me psikologji lufte. Secila palë pretendon se e ka rreshtuar veten tek Aleanca e Madhe, me synim çlirues apo shpëtues nga armiku pushtues. Në Aleancën e Madhe, ju kujtohet, bashkë me SHBA dhe Perëndimin ishte rreshtuar edhe Stalini. Të dyja palët, brenda rreshtimit partiak, palën e tjetër e konsiderojnë armike. Të dyja palët pra pretendojnë se janë edhe çlirimtarë, edhe pushtues dhe armiq për vdekje, assesi rivalë, kundërshtarë, garues, duke nxjerrë në garë idetë, programin për të ardhmen.  Ata kërcasin vetëm dhëmbët, shajnë e poshtrojnë njëri-tjetrin, e akuzojnë njëri tjetrin, dhe kur mbrohen, mbrohen me akuza, me kundërakuza, ku seicila akuzë është më e frikshme se tjetra. Pastaj, vjen një kohë dhe i gëlltisin e i hanë akuzat me të cilat kanë qëlluar njëri-tjetrin, sepse akuzat janë shumë më të rënda se shuplakat. Ky është konteksti zgjedhor, ku gjenden të dyja partitë, ku edhe PD, edhe PS pretendojnë se janë rreshtuar në Aleancën e Madhe, dhe që të dyja njëkohësisht pretendojnë se janë duke luftuar të keqen. Për nga egërsia, ndasitë idelologjike, ku nuk gjejnë asnjë pikë të përbashkët, për nga propaganda, retorika, armiqësitë, me këtë retorikë që ndjellin kundër njëra tjetrës, nuk mund të krahasohen assesi me vendet perëndimore, por vetëm me vende të cilat rezultojnë të jenë me liri të pjesëshme, pra vende jo të lira, ku demokracia të detyron standarde. E frikshme.

Ku jemi? Kur jemi? Jemi në fund janarit dhe po të kemi parasysh këto ritme dhe këto dufe se si gjuajnë me topa urrejtje kundër njëri-tjetrit, kur fushata sa vjen e egërsohet, atëherë kemi të drejtë të pyesim, ku po shkohet me këtë fushatë? Nuk ka konkurencë idesh, nuk ka garë rivalësh, por ka gjueti shtrigash dhe ligj xhungle, ku duket se do të fitojë më i egri, ai që i mbijeton të gjitha sulmeve të çakejve, të krokolidëve, tiranozaurëve. Kur po themi se jemi vend anëtar i NATO-s dhe ashtu del të jemi, përse nuk hymë në fushatë duke respektuar kodin e etikës, kodin e moralit dhe standardin e integritetit të politikanit?!

Sepse një politikan me integritet nuk ia lejon vetes të marrë rolin e dinozaurit Rex, ta copëtojë kundërshtarin, por do të pretendojë të përfaqësohet me personalitetin e tij, me meritat e tij, të cilat vijnë jo si shërbëtor, si shërbyes, si doorman i kryetarit të partisë, por si njeri me dinjitet dhe me vlera, që vjen t’i japë vendit dhe shoqërisë dhe jo t’ia rrjepë lëkurën.

Nuk flitet për vlera në këtë fushatë, për merita, për integritet të pacënuar, për politikanë pa hije në sirtarë, për politikanë pa skeletë në dollapë, por se si të luftohet kundërshtari me të gjitha mënyrat e mundëshme, me të gjitha metodat antiqytetare, si armik i popullit.

Pra fushata po të përkufizohet është luftë klasash dhe luftë klanesh, njëkohësisht, ku kryetari i partisë ka marrë rolin e komandantit të përgjithshëm të Aleancës së tij, dhe kërkon disiplinë absolute, kush lëviz bishtin, ai ia pret, kush guxon të shkëmbejë „like“ në Facebook me armikun imagjinar të partisë e përjashton nga partia, kush guxon të shkëmbejë ndonjë „si je“ „si shkon“ e përjashton nga puna. Këtu nuk flitet për militantizëm, por për ushtarë të bindur. Gatitu! E pra, ky fillim i egër, nuk hyn assesi në logjikën e një fushate të një vendi demokratik dhe komandantët e ushtrive duhet të demilitarizohen, të demilitarizojnë fjalorin, të demilitaritzojnë militantët dhe të vendosin kushtet e të hyjnë në një garë të ndershme. Sepse kjo luftë që ndjellin do të jetë me pasoja për ta.

Filed Under: Opinion Tagged With: dy ushtri, Elida Buçpapaj, opinion nga, PD dhe, PS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT