• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROBERTO BENIGNI I THURI HYMN ‘MË TË BUKURËS SË BOTËS’ – DHE SHQIPËRINË AKTUALE E KRAHASOI ME MESJETËN

January 2, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ*/

Në dhjetorin që shkoi ngjarje e vitit televiziv për Italinë ishte dalja e Roberto Benigni-it tek Rai UNO, kanali kryesor i televizionit publik. Roberto Benigni u shfaq përpara italianëve në kohë krize globale e cila ka përfshirë dhe vendin e tij për t’iu dhënë kurajo, jo me fjalë, por me arsye legjitime.

Po ta përkufizoja Benigni-in, thjesht do ta quaja Danteja i kohëve moderne të Italisë ose ndërgjegja kombëtare italiane. Ashtu si gjithnjë, rebel dhe antikonformist i gatshmëm për të shpallur çdo të vërtetë sado e hidhur qoftë, kur vendosen në balancë fatet e Italisë dhe italianët.

Roberto Benigni edhe kësaj here u tregua i gatshëm për ta shqiptuar në mënyrën më elegante dhe brilante të mundëshme të vërtetën, duke e transformuar atë në të bukur, pra në nocion të estetikës, etikës, sociologjisë dhe moralit njerëzor. Kush e dëgjon Roberto Benignin, i vjen të shpërthejë në të qeshura dhe në të qara njëkohshëm. Gjeni i kohës sonë! Produkt i kohës sonë! Larg egocentrizmit brutal, prej të cilit jemi aq shumë të neveritur.

Në daljen e tij të kësaj here, ai i thuri hymne, iu përul në gjunjë dhe iu fal jo Biblës, por asaj të cilën e quajti “Më të bukurën e Botës”- Kushtetutës së Italisë, krijuar prej statistëve më të mëdhenj të saj, të cilët e kanë shkruar atë me një përkushtim hyjnor, duke i dhënë çdo gërme frymë, dashuri e humanizëm, sepse ajo e shpallte çdo qytetar të Italisë sovran të fatit të vet. Kushtetuta e një vendi demokratik, e mbështetur në parimet universale, ngre në piedestal të drejtat e njeriut dhe njeriun. Zoti është krijues i njeriut, kushtetutat e vendeve demokratike i japin atij de jure, ato të drejta hyjnore që në mënyrë të barabartë na i ka dhënë Hyu.

Roberto Benigni, poet i improvizimeve, ka një raport shumë të veçantë me Komedinë Hyjnore dhe Danten. Të njëjtën afërsi ai e ka edhe me Kushtetutën e Italisë, të cilat i barazon me njëra tjetrën. Në njërën anë kulturën, në tjetrën të drejtën për të jetuar jetën në mënyrë të bukur, si tek „La Vita e bella“.

Ndofta Roberto Benigni beson – ose shumë nga italianët besojnë – dhe është plotësisht afërmendjes se sipas metempsikozës, shpirti i dantesk të ketë kaluar nga Poeti kombëtar i Italisë tek ai, sepse për ndryshe si mund të shpjegohet ky mishërim i të dyve– i Dantes dhe Benignit.

Në 2006 në Firence, Benigni mbajti një cikël kushtuar Komedisë Hyjnore, pastaj Benigni bëri një tur në Itali dhe më vonë në botë të titulluar Tutto Dante, që pastaj u shfaq në një show po nga RAI UNO më 2007. Ishte një spektakël i paparë, që tregonte pushtetin e artit dhe artistit të dimensioneve të tilla. Me mijëra kilometra larg distancë kohore nga plehrat që na ofrojnë TV sot, ku si në kohën e diktaturës kërkojnë të na i imponojnë “njerëzit e kulturës”, të cilët na ofrojnë vetëm akulturim dhe dekulturimin, duke shpërfytyruar e prishur shijen e artit të vërtetë.

Kësaj here, në fund të dhjetorit 2012, si një ngjarje për jetën kulturore të Italisë, Roberto Benigni në vend të Komedisë Hyjnore, krijuar nga Dante njëri prej etërve të gjuhës italiane, zgjodhi të sjellë Krijesën më të Bukur të etërve të Italisë Moderne dhe demokratike, të cilët i lanë si trashëgim italianëve brez pas brezi, dhuratën më të çmuar, e cila të krijon mundësi që ta jetosh jetën me dinjitet, në paqe dhe harmoni, duke punuar.

Paçka se një vit më parë në Itali u kremtua me popmpozitet 150 vjetori i unifikimit të Italisë, Roberto Benigni, arsyen për të jetuar të gjithë italianët bashkë si qytetarë të denjë të Europës, e gjen tek Kushtetuta e Italisë, e cila i bëri bashkë për ta shkruar të gjithë ata që, pavarësisht bindjeve politike, e deshën Italinë deri në pikë të fundit të rrahjes të zemrës së tyre. Krejt ndryshe nga klasa politike në Shqipëri.

Ata vinin nga kahe të ndryshme të politikës, midis tyre ishte Alcide de Gasperi dhe Palmiro Togliatti, ishte Benedetto Croce, ishte Aldo Moro, ishin djemtë dhe vajzat më të mirë të Italisë, të cilët pastaj iu lanë italianëve në trashëgiminë e tyre që ta gëzojnë “Gjënë më të bukur të Botës”.

Kushtetuta e Italisë, sipas Roberto Benignit është një kryevepër, sepse iu jep italianëve të drejtën legjitime ta jetojnë jetën ashtu si jep mundësi vetëm liria dhe një shtet demokratik, ku puna e gjithëseicilit nuk ushqen vetëm jetën, por edhe shpirtin.

Roberto Begnini në fluturimet e tij danteske rreth Kushtetutës të Italisë, bëri dallimin midis mjerimit që prodhon një regjim diktatorial dhe lumturisë njerëzore që është produkt i demokracisë; bëri dallimin midis regjimeve primitive komuniste dhe mundësive të pafund që të krijon shteti i së drejtës, ashtu si Kushtetuta e Italisë, e cila u krijon mundësi italianëve të bëhen me dije e punë njerëzit më të lumtur të botës, sepse njeriu i lirë është i bekuar nga Zoti, sepse njeriu në liri mund të krijojë mrekullinë vetë me duart dhe mendjen e tij, ndërkohë që mund të jetë njeriu më solidar i botës me ata që kanë më tepër nevojë. Dhe kështu zbukurohet bota, dhe kësisoj kurohen plagët e njerëzimit e të shoqërisë njerëzore.

Roberto Begnini, i cili fitoi Oskarin me “La vita e bella”, është ndërgjegja jo vetëm e elitës italiane, por edhe asaj europiane dhe botërore. Me fjalë të tjera është europianisti më elitar dhe ndërkohë aq i lidhur me njerëzit e thjeshtë, që shqetësohet për fatin e njeriut, kur bie në dorën të keqe, dhe i thur hymne Biblës të shtetit të së drejtës që nuk të lë të gabosh. Roberto Begnini e poetizoi Kushtetutën e Italisë si Biblën e Sovranit, që i bashkon të gjithë, dhe që nuk bën asnjë dallim dhe që nuk privilegjon askënd dhe që e shpëton shoqërinë nga korrupsioni dhe keqbërësit.

Kulmi i deklamacioneve të tij arriti kur bën paralelizma midis periudhës obskurantiste të Mesjetës me partinë e Umberto Bossit, i cili është larguar nga kreu u partisë prej skandaleve, arrogancës dhe pafytyrësisë. Le të kujtojmë se ky faqeziu, Umberto Bossi ishte nga të paktët që u takuan me Milosheviçin dhe iu kundërvu fushatës të NATO-s që do të ndalte genocidin dhe eksodin biblik të Shqiptarëve të Kosovës nga vendi i tyre.

Dhe ndërsa platea dhe telespektatorët ishin përfshirë në mrekullinë dhe fuqinë e artit benignian, ku tragjedinë dhe komedinë e ndajnë midis tyre vetëm një fije peri, papritmas Roberto Benigni, iu bie kambanave të alarmit për ne shqiptarët, kur teksa përshkruante mjerimin, primitivizmin dhe pashpirtësinë e politikanëve të mesjetës, kujtonte njëfarë Trota, që shpërdorte paratë publike dhe i mbytur në ves e korrupsion blente diplomën në Shqipërinë mesjetare! Trota është i biri i Umberto Bossit, ndërsa Shqipëria mesjetare që përshkruan Benigni është Shqipëria aktuale, që jetojmë ne të gjithë, por që është shumë larg asaj që të ofron një Kushtetutë si ajo e Italisë, ku çdo qytetar është Sovran i fateve të tij.

Në fakt, nuk ishte rastësi krahasimi i tij me Mesjetën. Roberto Begnini deshte të nënvizonte shkallën e lartë të rrezikut, sepse partia e Umberto Bossit është ajo që i kundërvihet Kushtetutës italiane dhe bashkimit të Italisë. Roberto Begnini ka neverinë më të madhe për ta, të cilën e nxjerr edhe më në pah kur i përball me Etërit e Kushtetutës, të cilët pastaj i krahasoi me personazhet e Woodstokut! Këtu ishte një kulm tjetër Benignan, ndofta më i bukuri, kur etërit e Kushtetutës i krahason me John Lennon, dhe fjalët dhe nenet e Kushtetutës me fjalët dhe vargjet e “Imagine”, me „I’m a dreamer, but I’m not the only one I hope some day you’ll join us / And the world will live as one“ –„Unë jam një ëndërrimtar dhe nuk jam i vetmi dhe shpresoj se një ditë ju do të bashkoheni me ne dhe botën do ta jetojmë si të jetë një“ – pa ndarje, pa kufij. Prandaj, sipas Robertos, është gjëja më e bukur e botës Kushtetuta e Italisë, sepse krijon mundësi që çdo qytetar ta jetojë në botën e lirë dhe pa kufij, në botën pa armë, pa luftë dhe me paqe. Në mënyrë hiperbolike, Benigni doli me deduksionin se fjalët e Imagine janë krijuar tridhjetë më parë nga koha kur e krijoi John Lennon, nga Etërit e Italisë, paçka se mbajnë stilin e John Lennon, Jim Morrison apo të Jimmy Hendrix. Duhet të shkohet deri aty, fluturoi me imagjinatën e tij poetike Roberto Benigni, sa t’i kërkohet e drejta e autorëve Oko Onës, se tekstin e Imagine e kanë shkruar Alcide de Gasperi e Palmiro Togliati, etërit e„gjësë më të bukur të botës“.

*Falenderojme gazetaren Elida Bucpapaj per bashkepunim me Diellin.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Roberto Benigini, shqiperia

SHOW ME PUÇ DHE PUÇISTAT TEK DARKA E GABUAR

December 17, 2012 by dgreca

ABCNEWS, BERISHA , FRANGAJ, TOPALLI, ZOGAJ ETJ/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Disa ditë më parë pamë se si kryeministri i Shqipërisë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD dhe përpara kamerave foli, duke huazuar titullin e një libri të Kadaresë, për një «Darkë të gabuar» të ca ish-bashkëpunëtorëve të tij që deshën t’i bënin puç, por që sipas Berishës u kishte dalë huq. „Puçi antiBerishë“ u kthye në lajmin kryesor për gazetat e Tiranës, paçka se javën që shkoi lajmet kryesore ishin dy, i pari ai që vinte nga Transparency International ku Shqipëria zinte vëndin e parë si vendi më i korruptuar i Ballkanit dhe lajmi i dytë, nga BE, i cili ia refuzonte për të tretën herë klasës politike statusin e kandidatit. Në raste të tilla, duhet të kishim një lumë dorëheqjesh, por në Shqipërinë politike nuk qëndron më i miri, por anasjelltas, më i korruptuari, dosjexhiu, spiuni, maskarai, sharllatani, mediokri, ky prototip është modeli i politikanit që ka prodhuar tranzicioni shqiptar, ai bën karierë, ai bëhet deputet, ministër, botues, opinionist e më the të thashë.

E lamë tek puçi antiberishë, i cili u zbardh disi të shtunën në mesnatë tek emisioni i Arian Çanit ‚Zonë e lirë‘, ku Çani kishte ftuar personazhët kryesorë të darkës së gabuar, që paskëshin qenë Aleksandër Frangaj, Blendi Fevziu, pjesëmarrës tek ditëlindja e Preç Zogajt, i cili ka 22 vjet që kacavirret sa majtas-djathtas, herë deputet i PD-së, herë i PS apo satelitëve të tyre, herë ministër i qeverisë të Stabilitetit, herë ministër i qeverisë së dalë nga revolucioni gjakatar i 1997, pastaj prapë deputet i Berishës, e tani zëdhënës i koalicionit të Ed Ramës. Përveç këtyre Çani kishte ftuar edhe Andi Bushatin, Andi Bejten, Armand Shullakun e ndonjë tjetër, që s’po ia përmend emrin. 

Disa kohë më parë deputetja e PD-së Mesila Doda, njëra prej ish-studenteve dhjetoriste do ta denonconte Preç Zogajn në një emision të Blendi Fevziut si një ish-Sigurims i vjetër. Por Preç Zogaj reziston. Nuk dihet po ashtu se cili ka qenë shkaku i largimit nga ABCNEWS e gazetarit të shkëqyer, anchorman-it Enkel Demi, ikja e të cilit, po ashtu, i ka larguar teleshikuesit e ABCNEWS nga orët e mëngjesit. Por duket se askush nuk pyet për shikueshmëri.

Ftesa që Çani i bënte zotit të shtëpisë, dmth Frangajt, binte erë servilizëm. Qëllimi i kësaj ftese ishte që Çani t’i bënte pyetjen Frangajt se a mos, për shkak të asaj darke të gabuar, e kishte ndryshuar vijën politike dhe nga mbështetës i Berishës, ishte kthyer në përkrahës të Ed Ramës! Troç, Frangaj duhej ta kishte urdhëruar Çanin, që ta ftonte dhe ta pyeste për sa më sipër. Se mos ABCNEWS dhe KLAN kishin ndryshuar krahun, nga djathtas majtas? 

Në fakt, shenjat se diçka kishte ngjarë ishin dhënë një natë më parë, kur, gjatë orëve të Sonila Meços, u dha dy herë kronika ku duelonte në Parlamentin e Shqipërisë Jozefina Topalli me Ditmir Bushatin, ku Bushati i kujtonte kryetares së parlamentit të dhëndrin dhe të vëllain që i ka nëpër ambasadat shqiptare në botë, si pasojë e postit që ajo mban. Ishte diçka e paparë. Që kjo të ndodhte tek ABCNEWS. Zakonisht ABCNEWS arrin deri aty sa redakton sipas qejfit edhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë Perëndimorë dhe i transformon ato në favor të Berishës, edhe kur ka kritika të drejtpërdrejta. 

Tek ABCNEWS janë tema tabu kritikat ndaj shefit të qeverisë dhe enturazhit të tij të ngushtë, përfshi Jozefina Topallin. Në dimrin që shkoi kisha botuar një shkrim hulumtues për Ministrinë e Jashtme dhe midis të tjerave përmendja dhëndrin e kryetares së Parlamentit të Shqipërisë. ABCNEWS në orët e mëngjesit tek lexonte titujt e gazetave, kur i erdhi radha gazetës Shqip, ku ishte botuar shkrimi, shkoi deri aty sa e censuroi leximin e titullit. 

Tani, merreni me mend si ka arritur puna kur dy ditë më parë, Sonila e lajmëronte dhe rilajmëronte shfaqjen dhe rishfaqjen e kronikës në të cilën Ditmir Bushati e akuzonte Jozefina Topallin për nepotizëm! Kronika që dha Top Channel ishte sintetizuar, ndërsa tek ABCNEWS ishte dhënë gjiçka me hollësi, gjerë e gjatë. Pra diçka kishte ndodhur. Dukej qartë se Frangaj i tregonte Berishës fuqinë e tij si shtëpi mediatike.

Sepse që Zogaj, Frangaj, e Mustafaj me kompani hanë dreka e darka bashkë kjo nuk përbën lajm. Që në njërën nga këto darka ishte edhe Ed Rama as kjo nuk përbën lajm, sepse, si e shkruante Mustafa Nano, ata gjithnjë bashkë kishin qenë. Kur Zogaj është mik i Ramës dhe Zogaj po ashtu është mik i Frangajt, atëherë me rregullin e treshit del që Rama të jetë edhe mik i Frangajt. Sepse Frangaj nuk e ka mik Berishën, sepse po ta kishte mik, atëherë do të dilte që edhe Rama të jetë mik i Berishës! Kjo sikur nuk shkon. Po ku i dihet asaj pune. Në lidhje me miqësitë, Frangaj bëri ca komente tek Çani, për të treguar tolerancën e shpirtit të tij demokrat. Po për llogari të shpirtit të tij demokrat, Frangaj i tha Andi Bushatit se „Andi qenkesh i të majtës ekstreme“.(!!!)Dhe prapë Frangaj prej demokracisë të shpirtit e pranonte! Andi Bushati është i majtë, por natyrisht që nuk i takon të majtës ekstreme.

Sa për ftesën e Çanit, që Frangaj e Fevziu të komentonin komentet e Berishës për darkën e gabuar, kjo të kujtonte një darkë tjetër të gabuar, kur Ilir Meta dhe Ed Rama kishin ngrënë ngjala në vilën e të parit tek Gjiri i Lalzit. Pas asaj darke tête-à-tête, të Metës me Ramën, Fevziu e thirri menjëherë liderin e opozitës tek Opinion dhe pastaj ia shfaqi të gjitha insertet televizive ku Meta i adresonte sulme pas sulmesh kryetarit të PS-së, në kohën kur ky ishte bërë aleat me Dritan Priftin dhe atë botë qarkullonin videot, ku Prifti e akuzonte Metën për korrupsion aktiv. Ftesën Fevziu ia bënte Ramës, por qëllimi i tij ishte për t’i dhënë Metës të kuptonte se, nëse lëvizte bishtin dhe ndryshonte koalicionin, ABCNEWS dhe TVKLAN nuk do të merreshin me gjë tjetër veç do të shfaqnin e rishfaqnin kronikat ku Meta e Rama shaheshin e mallkoheshin. Vërtetë do të jetë diçka shumë spektakolare, sikur TVtë e Shqipërisë t‘i venë në përdorim arkivat, që opinioni publik t’i ketë parasysh se si „armiqtë për vdekje“, ata që e akuzojnë njëri-tjetrin me nëntëdhjetë e nëntat, bëhen miq e vëllamë, kur vjen puna për interesa pushteti.

Pra „ftesa“ tek Zona e Lirë, të cilën Çani ua bënte Frangajt dhe disa prej atyre që kishin marrë pjesë tek „Darka e Gabuar“ në mesnatën kur ndërrohej e premtja me të shtunën, kur pjesa më e madhe e shqiptarëve flinin, por Berisha jo (se dihet që ai vuan nga pagjumësia dhe fle vetëm tre-katër orë në natë), kishte si qëllim që t’i dërgonte një mesazh të drejtpërdrejtë shefit të ekzekutivit, i cili tashmë është futur në fushatën e 23 qershorit. Sipas këtij mesazhi, nëse Berisha, do të bëjë ndonjë devijim apo tundje bishti, ABCNEWS dhe TVKLAN do të kalojnë në krahun tjetër dhe pastaj Berisha do të mbetet me gisht në gojë! Por e meriton të mbetet ashtu, sepse, nëse dikush është përgjegjës për klientelizmin dhe gazetarëve dhe mediave të Tiranës, ky person është pikërisht vetë ai. Dhe nuk kaloi pak dhe Çani lajmëroi se Berisha i kishte dërguar një sms, përmbajtja e të cilit s’ka rëndësi fare. Rëndësi ka që Berisha e kishte marrë mesazhin.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, show me puciste

BE ME REFUZIMIN E TRETË, NXJERR JASHTË LOJE SI SHKAKTARE KLASËN POLITIKE TË SHQIPËRISË

December 11, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Lajmi është dhënë nga EurActiv, kush dëshiron që ta lexojë vetë, ja ku është linkuhttp://www.euractiv.com/enlargement/eu-ministers-send-mixed-messages-news-516498, ku mësohet nga burime diplomatike që vijnë direkt nga Brukseli se Ministrat e BE-së nuk do t‘i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat gjatë takimit të javës së ardhshme, i cili pritet të mbahet më 10 dhjetor, ndërsa mësohet se një vend si Hollanda ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

EurActiv shkruan se ka shumë gjasa që Serbisë t‘i hapet drita jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit, gjithmonë nëse ka respektuar kushtet e vendosura, të tilla si përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Një ditë më parë Organizata e njohur Transparency International publikoi indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2012, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 115 nga 176 shtete të përfshira në studim, duke rënë 15 vende më poshtë krahasuar nga një vit më parë e duke u renditur si vendi më i korruptuar i Ballkanit dhe në gjithë Europën Lindore.

Le ta bëjmë me bast – reagimet nga të dy kampet e politikës pas përhapjes të këtij lajmi, do të jenë një lumë akuzash kundër njëri-tjetrit. Taborret e maxhorancës, në të gjitha nivelet do të akuzojnë opozitën dhe liderin e saj se u bë shkaktari kryesor që Shqipëria ngeli jashtë për të tretën herë, sepse nuk votoi tri ligjet e kërkuara nga BE, duke vënë si pengesë qarkun e Fierit, ndërsa po ashtu nga opozita do të kemi të njëjtin llum akuzash, veç personazhet do t’i takojnë krahut tjetër.

Në fakt refuzimi për të tretën herë për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë nga ana e BE-së, është një refuzim për klasën politike, të gjithën bashkë, e cila e ka patur në dorë që Shqipëria ta kishte marrë më 10 dhjetor statusin e kandidatit, bile ky status do të duhej të merrej që me herën e parë.

Klasa politike shqiptare, si maxhoranca, ashtu edhe opozita, si shefi i ekzekutivit, ashtu edhe lideri i opozitës morën mesazhe të qarta nga Perëndimi, që për hir të vendit të tyre, integrimit të Shqipërisë në BE, ata do të duhej t’i lëshonin pe njëri-tjetrit, të paktën njëri prej tyre, të demonstronte qytetari, civilizim dhe për një moment të vinte në balancë interesat e vendit me interesat personale apo të partisë.

Më 1 Nëntor Shqipërinë e vizitoi Sekretarja e Shtetit e SHBA, Z.Hillary Clinton, e cila i bëri thirrje lidërshipit që të bashkëpunonin për hir të interesave kombëtare të vendit, por asnjëra palë nuk e dëgjoi këtë mesazh dhe bëri shurdh-memecin ndaj aleatit tonë jetik, në sajë të të cilit vendi jonë sot është në NATO dhe siguria e Shqipërisë është në kuadrin e vendeve anëtare të Aleancës Verio-Atlantike.

Me shurdh-memecëri totale, indiferencë, megallomani, arrivizëm, egocentrizëm u reagua edhe ndaj të gjitha lutjeve dhe kërkesave që erdhën nga vendet anëtare të BE-së dhe Parlamentit Europian. U tallën me ta dhe me shqiptarët! Sepse de facto asnjëra palë nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE, sepse nëse njëra palë do ta kishte dashur, padyshim që do të kishte sakrifikuar, qoftë sikur të humbte pushtetin apo të vazhdonte të mbetej në opozitë.

BE më 10 dhjetor nuk do t’ia refuzojnë statusin e kandidatit Shqipërisë, por klasës politike të saj, e cila ka mbetur në klasë për të tretën herë dhe si e tillë ajo nuk meriton që të përfaqësojë interesat e shqiptarëve, qëllimi i të cilëve, i shpallur që me rrëzimin e diktaturës 22 vjet më parë me sloganin “Të jemi si gjithë Europa”, është t’i bashkangjiten trungut të Europës.

Refuzimi i 10 dhjetorit, që ngel për të tretën herë klasën politike shqiptare, për mospërmbushjen e detyrimeve, duke u kthyer në një penalizimim dhe ndëshkim për çdo qytetar të Shqipërisë, sepse pengon integrimin e tij legjitim si qytetar i Europës së Bashkuar, duhet të jetë kambanë alarmi për çdo shqiptar të ndershëm, kudoqoftë dhe kushdoqoftë, pavarësisht bindjeve politike, që të mos pranojë kurrë më të jetë gur shahu në dorën e një klase politike klanore të papërgjegjëshme, e cila ka 22 vjet që mendon vetëm për pasurimin e saj, sepse me votën tonë ne vetë do të duhet të vendosim për fatin tonë, se prej kujt do të udhëhiqemi: prej satrapëve apo prej liderëve të denjë për besimin e popullit, të cilët me integritetin e tyre të pastër dhe përkushtimimin e tyre janë të gatshëm që për hir të interesave të vendit dhe qytetarëve të sakrifikojnë interesat e tyre politike.

Ky refuzim për të tretën herë që i bëhet Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat, është një refuzim-denoncim që BE dhe Perëndimi bën për klasën politike të Shqipërisë në mënyrën më eksplicite të mundshme. Pas 22 vitesh tranzicion makabër, me një luftë gati civile midis, siç ishte kriza e 1997, kjo klasë politike duhet të dalë përfundimisht nga skena politike, ku hyri përmes prapaskenave që diktoi sistemi totalitarist në gjoja ikjen e tij skenike, teatrale. Pas refuzimi të tretë, nuk duhet të lejojmë më që Shqipëria të mbetet peng i kësaj klase politike, shtetarët e të cilit janë të denjë për shtetarë të Republika të Bananeve, por kurrë të një vendi anëtar të NATO-s, me një popull që ka 22 vjet që aspiron t’i ngjitet trupit të Europës, prej nga e ka prejardhjen e tij të lashtë prej të paktën tri mijë vitesh.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, humbet statusin, Jashte loje, klasapolitike, shqiperia

NGA BERISHA DHE RAMA VJEN SHOW POLITIK DHE INFANTILIZËM SHTETFORMUES

December 7, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë ishin organizuar me vetëdije shtetërore. Por nderim dhe respekt meritoi kombi shqiptar për nivelin e kulturës demokratike dhe ekuilibrin. Megjithëse ishte një festim fitimtar pas një shekulli tragjik, shqiptarët nga të gjitha trojet demonstruan pjekuri dhe një gëzim legjitim. Sepse përballë të djeshmes së kallur në luftra, konflikte, genocid, dëbime masive, shqiptarofobi dhe diktatura, tani kombi shqiptar i ndarë në pesë shtete ndodhet në prag të integrimeve Euro-Atlanike. 
Mrekullia e këtij festimi ishte se Shqipëria në paradën ushtarake parakaloi bashkë me 12 vende aleate të NATO-s, si vend anëtar i Aleancës ushtarake, garanci kjo, për të mos lejuar më trazira dhe turbullira në dëm të shqiptarëve. Ka ardhur koha që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve të integruar në NATO dhe BE. Ky është objektivi që duhet të arrijnë shqiptarët dhe drejt këtij objektivi duhet t’i drejtojë klasa politike, e cila në vend të përgjegjshmërisë karakterizohet nga arrivizmi politik, ku etja për pushtet është kthyer në paranojë. Për të gjithë, papërjashtim.

Në festimet e 100 vjetorit, paçka se pati lëvizje të madhe, dhe prurje të madhe festuesish nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora gjithçka shkoi për mrekulli, nuk pati asnjë incident që të prishte shijen e festimeve, përveçse u nderuan simbolet e kombit dhe gjithçka u vesh me flamuj të kuq me shqiponjën e zezë dykrenore. Kaq. Fqinjët u irrituan edhe nga kjo, por le të irritohen dhe le të shërohen nga albanofobia që në dekadën e fundit prodhoi të paktën tri konflikte, ai i Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës. T’i falesh flamurit të kombit dhe të nderosh Isa Boletinin, Ismail Qemalin apo Hasan Prishtinën bën veç detyrën ashtu si veprojnë francezët, italianët, amerikanët, gjermanët, polakët, çekët. Nuk po i marr assesi si shembull fqinjët sepse ata kanë dëshmuar përherë shqiptarofobi dhe nacionalizëm të sëmurë.

Dhe do të thuhej se gjithçka shkoi ashtu si e dëshironte zemra e çdo shqiptari, sikur të mos përballeshim me shijen e hidhur të konfliktualitetit midis palëve edhe në ditën e madhe, me sjelljet vulgare për të festuar veç dhe ndarë dhe që u kulmuan me retorikën e Berishës e cila vazhdon prej 28 nëntorit. Nuk do ta „fajësoja“ për rastin „Preveza“ sepse Berisha iu referua kontekstit historik. Në këtë rast, po të kishte mendësi shtetformuese, do të duhej të dilte Ed Rama e ta mbronte, si do të duhej të vepronte Berisha nëse do të„shkiste“ Rama. Por në politikën shqiptare ekziston ligji i xhunglës, që do të thotë se kur je duke rënë nuk të japin dorën por shkelmin për të rënë sa më poshtë që të jetë e mundur, mundësisht në greminë.

Kur u mendua se u tejkalua incidenti diplomatik, dhe pala greke u sqarua, Majlinda Bregu doli e lajmëroi se qeveria shqiptare do të mblidhet pas festimeve në Vlorë, atje ku mblodhi qeverinë e parë Ismail Qemali. 

Kur Berishës do t’i duhej t’i largohej euforisë së festimeve, e cila gjithësesi ishte legjitime, për t’iu afruar realitetit, Berisha bie në një tjetër eufori, ku nga kryeministër vetëshpallet aktor dhe bën show në nivel amator dhe infantil.

Sot, kryefjala e klasës politike shqiptare, kudo qofshin, është integrimi sa më i shpejtë i shqiptarëve si komb në NATO dhe BE sepse jemi të fundit në rajon.

Çfarë kërkon kjo? Përgjegjshmërinë dhe sjelljen e shtetarit për të ndërtuar shtetin e të drejtës. Kurrsesi provokime që bien erë destruktivizëm.

 

„Shteti i së drejtës“ është një doktrinë me origjinë nga drejtësia gjermane, që po ta pëkthejmë shqip do të thotë „shteti i bazuar tek drejtësia dhe integriteti“, ose „shteti ligjor“. „Shteti i së drejtës“ është një shtet i mbështetur tek kushtetuta, ku pushteti ekzekutiv ushtron pushtetin e tij përmes ligjit. Sipas konceptit Anglo-Amerikan „shteti i së drejtës“ lidhet me konceptin e „rule of law“ – „sundimi i ligjit“, që do të thotë me fjalë të tjera sundimi i drejtësisë në të mirën dhe për të mirën e qytetarit.

Që do të thotë se nëse klasa politike shqiptare arrin ta ndërtojë shtetin e së drejtës, kombi shqiptar integrohet në Europë. Gabim i secilës palë penalizon shqiptarët si komb, i dënon shqiptarët si komb, pa asnjë faj, për fajin e vetëm se vazhdojnë e besojnë tek këta politikanë.

Pas 22 vitesh tranzicion, Berisha deklaroi nga Vlora: „Shtetësi shqiptare pa kushte për çdo shqiptar kudo ndodhet“, kur do të duhej që nga selia e Ismail Qemalit, vajti që vajti, ta kishte ftuar edhe liderin e opozitës dhe prej andej të deklaronin bashkë, se të gjitha energjitë do të shkojnë për ndërtimin e një strategjie kombëtare për krijimin e shtetit të së drejtës, i cili do ta bëjë qytetarin shqiptar të ndihet i barabartë në kontekstin e integrimeve europiane. Ky është objektivi, ky është qëllimi. 

Sepse ajo që e shpalli Berisha me daulle dhe me trumpeta, që nuk ka asnjë lloj efekti për shqiptarët, përveç retorikës dhe fuqizimit të fqinjëve tanë me „fakte“ kundër „Berishës nacionalist“, do të mund të arrihej ashtu si e kanë arritur fqinjët tanë me pakicat e tyre. Në Kosovë, çdo serb, ka shtetësi të dyfishtë, atë të Serbisë dhe të Kosovës. Po ashtu çdo kroat, boshnjak apo turk. Edhe në Maqedoni, sllavët e Maqedonisë kanë dy pasaporta, atë të Maqedonisë dhe të Bullgarisë, si shtet në BE dhe anëtar i NATO-s. Po shteti i Shqipërisë ku është? Po shtetarët e Shqipërisë ku janë? Duke u përleshur me njëri-tjetrin.

Politikanët e Shqipërisë janë në udhëkryq dhe në konfliktet partiake, të cilat janë kthyer në gangrenë për shtetin e së drejtës, i cili duket se është në fund të tunelit. Pasi niveli i korrupsionit, i mungesës së integritetit tek politikanët dhe i lidhjeve të politikës me të shkuarën diktaturiale po e minojnë stabilitetin e vendit. Bashkë me retorikën, shown politik që bën Berisha dhe qëndrimin antagonist të opozitës në raport me shumicën.

Askush nga palët nuk i falet vendit dhe flamurit, por flamur për ta janë vetëm interesat për pushtet. Mjerisht, ky është realiteti.
Kështu, ndërsa Sali Berisha bën show politik, duke luajtur me kartën e nacionalistit të thekur dhe të paekuilibruar, opozita vazhdon me politikën e drejtëzave paralele ku nuk gjen asnjë pikë të përbashkët me maxhorancën. E gjitha kjo prodhon destruktivitet, infantilitet shtetformues dhe aventurizëm. Sa ndryshe janë këta burra me ata burrashteti që e krijuan shtetin shqiptar një shekull më parë. Janë 180 gradë ndryshe. Sepse aspiratat madhore të një kombi arrihen me projekte të përbashkëta, bashkuese dhe integruese.

Filed Under: Opinion Tagged With: Berisha, Elida Buçpapaj, nacionalizmi, Rama

MBRËMË NË TIRANË ME RITA ORËN

November 29, 2012 by dgreca

NGA Elida Buçpapaj/

E Enjte, 11.29.2012, 10:49am (GMT+1)/
Ajo u vonua pak, gjithë mbrëmja shkoi duke pritur Rita Orën. Pastaj erdhi me grupin e saj dhe u fut pas kuintave. Sali Berisha kryeministri i Shqipërisë e shoqëronte si bodyguard! Po duket atij i pëlqente që të ishte një herë bodyguard kur ishte fjala për Rita Orën. Dhe kur të gjithë thanë, ok më në fund, sa mirë që erdhi, ajo filloi të vonohej përsëri. Kamerat tregonin se si zëdhënësja e kryeministrit komunikonte me telefon duke treguar me sy skenën. Përse po vonohet Rita ?! Dil Rita Ora më në fund, se na lodhe tuj të pritë.

Pastaj filluan efektet skenike, rrezet blu dhe violet shigjetonin sheshin, herë si shkrepëtima, herë sikur vinin prej kozmosi, me konfiguracionin e Shqipërisë, shqiponjës dhe sikur të mos ishin simbolet shqiptare, të krijohej menjëherë ideja se ishe në një koncert të mbretëreshës të Pop-it, vetë Madonnës në Zürich apo Romë…..
E nuk vonoi pak dhe hyri Rita Ora. Menjëherë “Roc of the Life”, që për Rita Orën do të thotë me kall, me e ngrit në kambë të madh e të vogël, kush ka pak gjak ndër deje…

Ku pyet Rita Ora se bien shi a borë, breshër, bubullon ose vetëton, sepse ajo është bubullimë e vetëtimë ajo është një yll botëror, që posa i ka mbushur më 26 nëntor, 22 vjeç – dhe në dejet e saj rend e rend gjak shqiptari.

Pastaj ajo performoi “Shine Ya Light”, “Hot Right Now”, “R.I.P” dhe “How We Do”, diku ndalonte, fliste pak shqip, me dialektin verior, e pastaj e kthente anglisht dhe thoshte të njëjtat fjalë, se ishte e lumtur në Tiranë, se ishte shumë e lumtur që ishte në Tiranë në atë ditë të madhe, 100 vjetorin e pavarësisë, punë e madhe se bie shi, ajo e kalli Tiranën, më e bukur dhe ma bukur se Madonna, më e bukur se Rihana, një yll që e ka nisur ngritjen e tij në vendin e Beatles-ave dhe Amy Winehouse etj, një yll që të le pa frymë, me gjak shqiptari….

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, Rita Ora

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT