• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A duhet të na shqetësojë zbrazja e shkollave shqipe në Zvicër & Shtimi i fëmijëve që frekuentojnë xhamitë e mësojnë arabisht?

January 24, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ju ftoj që t’i shihni këto foto dhe këta fëmijë, këto vajza të vogla të veshura me soj hixhabi (hijab).

Ku janë bërë këto foto sipas mendjes tuaj?

Në Iran, Arabinë Saudite?

Përgjigjen po e jap unë.

Ata janë fëmijët tanë, emrat i kanë Erblina, Ermal, Diella, Shkumbin, Tomorr, Vesa, Shqiponjë dhe janë pjesë e gjeneratës të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët marrin edukim fetar dhe në vend të gjuhës shqipe, mësojnë arabisht;

Skandaloze apo jo!

Për traditën shqiptare e kam fjalën!

Ata fëmijë të fiksuar në foto kanë lindur në Zvicër, në një vend sekular, që respekton besimin me kushtetutë, por që, në jetën publike të vendit, besimi i takon tërësisht sferës private, ndërsa ato vajza të vogla shqiptare që posa kanë filluar pubertetin apo jetën e bukur të adoleshencës janë të detyruara të mbajnë veshje të imponuar nga feja dhe flokët e tyre të bukura prej fëmije t’i lidhin me shami!

Ka një trend shumë alarmant. Ndërsa shkollat shqipe në Zvicër po zbrazen nga fëmijët e komunitetit shqiptar, po shtohet frekuentimi i tyre nëpër xhamitë shqiptare, frekuentim që nis prej moshës minorene.

Një mendje diabolike po i orienton prindërit e komunitetit shqiptar që t’i çojnë fëmijët e tyre të nxejnë mësime të fesë dhe t’ju binden rregullave të saj, sikur të jetë shtet teokratik në zemrën e një vendi laik si Zvicra që i bindet dhe respekton ligjet e Kushtetutës.

Besimi fetar në kushtetutën e Zvicrës është zgjedhje e lirë, pa cënuar sekularitetin e Konfederatës Helvetike. Seicili beson, pa prishur lirinë e besimit të tjetrit, në respekt të rregullave të një vendi të emancipuar dhe modern.

Zvicra po ashtu e ka të rregulluar me ligj edhe finacimin e institucioneve te kulteve te besimit kristian, që financohen zakonisht nga komunat ose nga taksa e fesë.

Mos harrojme se në një të shkuar jo të largët Zvicra i përkiste pothuaj e gjitha besimit krisitian. Ndërsa sot në përbërjen e saj ka edhe një komunitet mysliman, që mendohet se shkon rreth 700 mijë, por që praktikantë janë një pjesë e vogël.

Këtu është përfshirë edhe ajo pjesë praktikante e komunitetit mysliman shqiptar, që erdhi në Zvicër, jo si etnitet fetar, por si emigrantë, në kërkim të strehës, të sigurisë, punës dhe dinjitetit. Dikur, prindërit e këtyre fëmijëve që sot i çojnë nëpër imamë, ishin njerëz pa asnjë bazë ekonomike, në mëshirë të fatit, të larguar nga vendi i prejardhjes pasi aty nuk kishte asnjë shpresë. Kur erdhën në Zvicër fillimisht ata nuk e kishin mendjen tek feja por të gjenin punë, një pjesë tjetër gjetën strehë si azilantë politikë.

Për çudi vokacioni për të praktikuar fenë islame u lindi nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të milenarit të ri, kur papritmas një pjesë ateistësh shqiptarë bënë ndryshim drastik të jetës së tyre shpirtërore, u shpallën besimtarë të islamit, zgjatën mjekrat dhe i veshën gratë e tyre me hixhab!

***

Pak histori

Në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve feja islame është me tipare thellësisht kombëtare, imamët shqiptarë kanë qenë njerëz të dijes, shkencës, mbrojtjes të gjuhës dhe veprimtarë politikë, të lidhur me Rilindasit.

Kujtojmë këtu Ymer Prizrenin, një nga organizatorët e Lidhjes të Prizrenit apo Hoxha Tahsinin nga Konispoli, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, apo Myderriz Ismail Ndroqin, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes më 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë dhe ai e emërua kryetari i parë i bashkisë. Institucionet fetare shqiptare, qoftë kristiane apo islame, i bashkonte dashuria për kombin, fe dhe atdhe, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Medresenë e Tiranës kanë studjuar mendje të ndritura si Vexhi Buharaja, përkthyes i Hoxha Tahsinit, Sami Frasherit, Naim Frasherit, dokumenteve të Lidhjes të Prizrenit deri tek Firdusi apo shkencëtari i gjuhës shqipe Shaban Demiraj etj dhe programi i Medresesë miratohej nga shteti. Studentët pas Medresese mund te vijonin rrugën e fesë apo të ndryshonin drejtim.

Në Medrese ka studjuar edhe im atë, poeti Vehbi Skënderi. Aty e çoi im gjysh, kryemyftiu Demir Skënderi, ndërsa djalin tjetër të tij, xhaxhain tim Kadri Skënderi e regjistroi në Shkollën Amerikane të Kavajës. E kam përsëritur këtë fakt, për të treguar se cili ishte islami shqiptar. Gjyshja ime, gruaja e Demir Efendiut, falej shtatë herë në ditë në shtëpinë e saj, por vishej si të gjitha gratë, jo sikur sot këto vajza të vogla shqiptare, të lindura në mes të Zvicrës.

Sipas Prof.Ferit Duka, “Islami shqiptar menjëherë pas shpalljes të pavarësisë lujti një rol konstruktiv dhe paqëtues në jetën e shqiptarëve…Kongresi myslima i 1929 e shpalli gjuhën shqipe si gjuhë e vetme e lutjeve dhe predikimit.” Prej asaj kohe Kurani u përkthye shqip.

Pas Luftës së Dytë Botërore fati i fesë në Shqipëri ka qenë tragjik. Diktatura sapo erdhi në pushtet nisi burgosjen dhe vrasjen e elitës shqiptare, pjese e së cilës ishin edhe klerikët katolikë dhe myslimane dhe me 1967 e ndali me ligj, duke u kthyer në vendin e vetëm ateist në botë. Ishte kohë e tmerrit, kur shkaterroheshin objektet e kultit, pa marre parasysh se ishin pjese e trashegimisë kulturore dhe duke vijuar persekutimi i klerit. E megjithatë, shqiptarët nuk e humbën lidhjen me Zotin. Ata bënin pelegronazhe të fshehta dhe individuale nepër teqe dhe vende të shenjta që tashmë ishin kthyer në gërmadha dhe ku shërbimi fetar ndalohej me ligj.

Në 1991 posa në Shqipëri u lejua liria e besimit, më kujtohet se Profesor Shefqet Ndroqi, pasardhës i myderriz Ismail Ndroqit u përfshi në organizimin e fesë islame në Shqipëri, sipas traditës shqiptare. Ai vetë kishte studjuar mjekësi në Paris dhe ishte mjek i shquar, por u angazhua për të mbrojtur identitetin shqiptar të fesë islame. Në 1991 në Shqipëri u ribotua Kurani në gjuhën shqipe.

Me këtë rast pyes, ato fëmijë nga Komuniteti shqiptar në Zvicër nëse e lexojnë Kuranin në shqip? Jo, e lexojnë arabisht!

E pra, ky islam që praktikojnë këta fëmijë nuk është i njëjtë me islamin shqiptar.

***

Financimet e dyshimta të xhamive në Ballkan deri në Zvicër

Problemi i financimeve të dyshimta lindi në Shqipëri prej 1991, në Kosovë pas çlirimit, kur nga Arabia Saudite dhe vende islamike filluan të vinin ndihma, para dhe bashkë me të edhe islami ndryshe, me hixhab, burkë dhe në gjuhën arabisht.

Është e qartë se financimet lidhen me qëllime të mbrapshta.

Edhe në Zvicër vitet e fundit janë ngritur shpesh dyshime për financimin e xhamive, të cilat po ashtu janë denoncuar si frymëzuese të qendrimeve ekstreme deri edhe furnizuese të islamit radikal me rekrutë të ISIS. Midis tyre pati edhe të rinj shqiptarë të lindur apo rritur në Zvicër, që u vranë në Siri.

Po përse ? Islami në vetvete dhe islami shqiptar, si besim është paqsor.

Zvicra ka mbyllur xhami sepse ka patur prova të pakundërshtueshme se në vendin e kultit nxitej urrejtja dhe radikalizmi.

Kohët e fundit në gjithë mediat botërore u shpërnda lajmi se një hoxheshë shqiptare me emrin Ikballe Berisha Huduti u arrestua në Kosovë sepse bënte thirrje për hakmarrje ndaj SHBA dhe Izraelit për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Solimani. Kjo hoxheshë financohet nga Irani, ajo ka fondacionin e saj dhe në kushtet e varfërisë që mbizotëron në Kosovë, ajo përdor mjerimin e popullësisë për të afruar njerëz të cilëve u ofron “mëshirë” të helmatisur në emër të një islami agresiv, që nuk ka lidhje me islamin shqiptar.

Ka dyshime edhe për financimet e xhamive shqiptare që kanë ndikuar deri në organizimin e fesë islame në komunitetin shqiptar në Zvicër.

Por nëse për dyshimet e financimeve duhen prova, praktikimi i fesë, në arabisht bie ndesh direkt me rregullat e Islamit shqiptar.

Jemi duke folur për numër të kufizuar praktikantësh, por me tendencë rritje, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe ka tendencë rënie.

Këtu marrin rëndësi të dorës të parë ata përfaqësues shqiptarë të fesë islame në Zvicër që janë trashëgimtarë të besimit Islam sipas traditës shqiptare.

Përpara tre dekadave, komuniteti shqiptar në Zvicër financonte për kauzën e lirisë dhe dije, sot për xhami dhe arabisht !

Kur kemi ardhur në Zvicër më 1992 dhe vendosur këtu prej fillimvitit 1996, komuniteti shqiptar jepte 3% të pagës për të financuar institucionet paralele të shtetit dhe arsimin në Kosovë pasi krimineli Milosheviç i mbylli të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha nivelet deri edhe Universitetin e Prishtinës. Prej asaj kohe në Zvicër u krijua edhe LAPSH-i, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në të gjithë Konfederatën u hapën shkollat e para të gjuhës shqipe, të cilat prej asaj kohe frekuentohen nga fëmijët shqiptarë.

Deri sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, komuniteti shqiptar në Zvicër kishte një orientim thellësisht Perëndimor. Vizioni i këtij komuniteti pati si kauzë lirinë, pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe po ashtu i kontribuonte edukimit të brezit të ri, duke krijuar kushte që fëmijët të mësonin gjuhën amëtare, historinë dhe kulturën.

Me vdekjen e Rugovës, komuniteti shqiptar në Zvicer është futur në qorrsokak. Për shkak të ndikimit shumë negativ që vjen prej politikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësitë diplomatike këtu në vend se të jenë unifikuese, përmes urave kulturore dhe gjuhësore, kthehen në instrumenta përçarëse.

Përpara 3 dekadave në Zvicër nuk kishte xhami shqiptare. Në dhjetëvjetëshin e fundit numëri i xhamive shqiptare ka arritur 85 dhe tendenca është në rritje. Ndërsa shkollat shqipe në zbritje. Ndërtimi i xhamive apo blerja e objekteve të kultit kanë kushtruar qindra milionë franga, të cilat mund të ishin investuar për shkollat shqipe, mediat, jetën kulturore dhe artistike në të mirë të interesit të komunitetit dhe sidomos brezit të ri.

Po pyetja legjitime vjen? Keto miliona franga nga vijnë? Nga komuniteti shqiptar apo nga vende islamike?

Nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do të investonte  për një zhvillim normal të shkollës shqipe, për 30 vjet rrugëtim, sot shkolla shqipe dhe mësimi shqip do të duhej të ishte i përhapur në çdo komunë zvicerane dhe frekuentimi do të duhej të vinte gjithmonë në rritje. Vetë Zvicra është e interesuar duke vënë në dipozicion objektet e mësimit dhe shpesh herë edhe ka financuar vetë.

Por një dorë e zezë i orienton prindërit e fëmijëve shqiptarë jo drejt shkollave shqipe, por nga xhamitë ku fëmijët suret e Kuranit dhe lutjet i thonë në gjuhën arabe.

Kur kam biseduar me mësuesit e LAPSH-i, ata pohojnë faktet e trishta me zemër të plagosur, por nuk kanë fuqi të ndikojnë në komunitet; ndërsa përfaqësitë diplomatike shqiptare edhe pse kanë marrë sinjale të qarta nga shteti zviceran bëjnë shejtanin indiferent. Dhe dihet se indiferentët marrin anën e regresit dhe çallmave.

Kjo është situata e një pjese të brezit të ri të komunitetit shqiptar në Zvicër, (uroj të jetë sa më e vogël) që rrezikon të marrë një orientim dhe formim fetar krejt ndryshe nga tradita e tre feve shqiptare.

Imamët shqiptarë në Zvicër e (sh)përdorin Kushtetutën zvicerane dhe abuzojnë me lirinë fetare, sepse u imponojnë fëmijëve rregullat islame, jo vetëm brenda objekteve të kultit, por edhe jashtë tyre, duke krijuar barriera në integrimin e fëmijëve në jetën sociale, pasi vajzat janë të detyruara të mbajnë hixhabë.

Unë mendoj se kushtetutshmëria e shtetit sekular zviceran cënohet edhe në faktin se zgjedhjen fetare njeriu e bën në moshë madhore, kur vendos vetë se cilës fe i përket, të jetë monoteist, politeist apo ateist. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhami dhe imamë për t’u edukuar me fe dhe mësuar arabisht bëhet nga prindërit, çka duket qartë si shkelje e lirive të individit, pasi fëmijëve u imponohen rregulla, që nuk i ka shoqëria ku jetojnë.

Natyrisht shteti zviceran është shumë i kujdeshëm dhe vigjilent për të mbajtur nën kontroll situatën dhe sigurinë kombëtare. Kur rrezikon të dalë situata jashtë kontrollit veprojnë mekanizmat demokratike, sikur janë referendumet dhe iniciativat që nëse marrin shumicën e votave kanë fuqi ekzekutive ligjore.

Sikur është vepruar në kantonet e Tiçinos dhe Sant Gallen ku prej disa vitesh është ndaluar me ligj mbajtja e burkës dhe nikab-it.

Kambanat e alarmit po bien edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, që të organizojë forcat e veta, për t’u orientuar drejt rrjedhave që përkojnë me sistemin që ka Zvicra, ku shteti i së drejtës mbaron me kushtetutë plurikulturalizmin.

Mos harrojmë se feja e shqiptarit, sipas Vaso Pashës është shqiptaria;

mos harrojmë, poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, që na e ka lënë amanet se vetëm drita nga dija e diturisë përpara do të na shpjerë;

mos harrojmë se orientimi i shqiptarëve si europianë është Perëndimi dhe vlerat e humanizmit.

Mos harrojmë se Zvicra na mikpriti, na dha strehë e dinjitet, na krijoi kushte për integrim dhe zhvillim, na bëri pjesën e saj, sepse pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar është e natyralizuar dhe ne e kemi detyrë të respektojmë kodin e rregullave të mikpritësit me të cilin unifikohemi si europianë!

Por mos harrojmë kryesoren se fëmijëve u kemi borxh t’i edukojmë e t’i shkollojmë si qytetarë të ndershëm, në një shoqëri të lirë me sistem demokratik.

Gjeneratave të reja u takon e ardhmja, progresi, ata i ndriçon dija dhe vetëdija si qytetarë të një shoqërie Perëndimore, sekulare që kanë mision ta ndryshojnë botën për më mirë dhe kurrësesi ta kthejnë pas.

Fjalë kyçe: Elida Buçpapaj, komuniteti shqiptar, shkolla shqipe, Zvicër, Fëmijët, Islami, mësimi fetar

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, femijet, Islami, komuniteti shqiptar, mësimi fetar, Shkolla shqipe, zvicer

IN MEMORIAM- JU TREGOJ PËR TIM ATË, POETIN VEHBI SKËNDERI…

June 14, 2019 by dgreca

….AI ISHTE SI NJË SHENJTOR, QË JETOI NË KOHË DJAJËSH

Më 13 qershor 2011, ditën e Shëna Ndout, u nda nga jeta im Atë, poeti Vehbi Skënderi. Ai ishte i drejtë si një Shenjtor, por jetoi mes djajsh/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Ishte një mbrëmje e bukur qershori. 12 qershor 2011. Nga ato më të bukurat e vitit, kur stina e verës është në prag të shpërthimit me plotmadhështinë e vet prej shumëlaryshisë së ngjyrave dhe aromave. E të grish vetëm të jetosh pa fund e sosje. Atëher kur çdo shpirt njerëzor mendon se jeta është e përherëshme. Ndërsa im atë Vehbi Skënderi po luftonte me vdekjen.

Në një mbrëmje të tillë qershori, ai do të ishte dehur nga abazhuri i hënës në qiell. Dhe ajri i ngrohtë i përzierë me aromat e luleve do ta ngazëllente për të krijuar pastaj në laboratorin poetik përfytyrimet e tij ekstravagante në skulptura poezish.

Në një natë qershori të tillë, të vitit 2005 një dorë kriminale na kishte vrarë kolegun tonë 28 vjeçar, Bardhyl Ajetin, duke krijuar tragjedinë dhe dhimbjen prej një absurdi surreal. Sepse është e pamundur të vrasësh një gazetar të ri për ato që shkruan. Vetë vrasja si akt është e ndaluar. Të presësh si me gërshërë një jetë në mes. Por po aq e ndaluar është ta mbulosh vrasjen me heshtje. Heshtja është po aq kriminale sa ideuesi i vrasjes dhe ekzekutori. Vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti, si shumë të tjera, ka mbetur ende e pazbardhur. Ai ka mbetur i harruar nga kolegët dhe shoqëria që po bëhet çdo ditë edhe më tribale sepse po humb sensin për të kërkuar e gjetur të drejtën. Krejt ndryshe nga im atë që gjithmonë iu fal të drejtës, si një konstitucioni universal hyjnor që nuk varet nga konjunkturat por nga ndërgjegja njerëzore e gjithësecilit prej nesh. Që të lejon të gjesh shpresë e mundësi për të ndihmuar atë që ka nevojë edhe në kohë të pamundura. Edhe unë vijoj dhe e kërkoj të drejtën si bija e tim eti. Edhe kur më thonë të gjithë se e drejta ka vdekur, unë nuk do të ndalem si për të vijuar jetën e babait tim.

Nata e 12 qershorit 2011 na hutoi e na e mbushi mendjen se jeta triumfon mbi vdekjen, se jeta triumfon edhe ndaj prognozave të mjekëve. U bëmë naivë. Me vullnetin tonë. Aq më tepër duke e njohur dëshirën e paepur të tim eti për të jetuar, për t’u ndjerë i lumtur pranë familjes së tij. Sot lumturia është kthyer në nonsens ose mision i pamundur. Njerëzit e kërkojnë lumturinë tek paratë, pasuria, makinat, vilat. Ndërsa lumturia është gjithmonë me ne, ne jemi lumturia e njëri-tjetrit. Im atë e kishte zgjidhur me kohë këtë rebus. Ose më mirë të them s’ka qenë për të fare një rebus dhe ai gjithnjë e ka ditur. Sepse të gjitha dramave të jetës së tij, për fajin e një regjimi kriminal, ai u kishte mbijetuar për arsye dhe shkak të familjes që ia kthyente dashurinë me dashuri dhe nuk e tradhtoi kurrë. Krejt ndryshe nga kolegët, që mbetën tregëtarë flamujsh me shpirtëra çakejsh.

Ne i qendruam rreth shtratit natën e 12 qershorit duke e kundruar e kundruar. Fytyra e tij ishte e bukur. Ngjyra e lëkurës ishte rozë. Im atë nuk e tregonte moshën, ai është dukur gjithmonë i ri, i mbushur me energji të pashterëshme. Kjo bënte që unë të ndihesha gjithmonë fëmijë. Edhe natën e 12 qershorit. Unë i vërtitesha rreth dhe ia puthja duart e faqet, ia prekja këmbët e bardha. Ishte i pastër si drita. Ai nuk reagonte. Flinte. Nën efektin e qetësuesve. Që kur u shtrua në spital ai kishte qenë nën efektin e qetësuesve dhe vetëm një herë ishte zgjuar sa për të thirrur vetëm një emër: „Lili“. Emrin e nënës time.

Duke e parë të flinte i qetë, dikur vonë, ne vendosëm të ktheheshim në shtëpi. Të bindur se nesër do ta gjenim më mirë. Ishte mbrëmja e vonët e së djelës. Jeta gumëzhinte. Në tram u takuam me Endritin që kthehej me shokët nga kinemaja. Përpara filmit kishte qenë në spital të shihte Babushin e tij. Kur iu afruam shtëpisë, dritat e apartamentit tonë nuk ishin të ndezuara si zakonisht. Shtëpia jonë gjithmonë ishte e hapur, gjithmonë kishte njerëz e drita. I ramë ziles dhe derën na e hapi Prizreni. Ai po vuante. Im atë i kishte rritur djemtë. I kishte marrë sa kishin ardhur në shtëpi nga materniteti, bebka dhe iu kishte përkushtuar kohën dhe jetën. Me një dashuri pa kufi e cak. U ka treguar me mijra përralla që i krijonte për ta, u ka mësuar alfabetin e shqipes, gjuhën, u ka lexuar libra, u ka recituar poezitë e tij, poezitë e tij për ta. Midis tyre mbretëronte një aleancë sublime. Të dy djemtë tanë kanë qenë me fat që i ka rritur një gjysh si ai. Megjithëse të gjithë gjyshat e gjyshet e botës janë të mrekullueshëm.

Tani në shtëpi ishim të katërt. Familja Buçpapaj. Familja Skënderi ishte në spital. Folëm fare pak midis nesh. Djemtë ishin bërë burra papritmas. Pastaj mora në telefon tim më që nuk i ishte ndarë kurrë tim eti. Edhe ajo më qetësoi. Po fle i qetë më tha. Unë i qetësova të tjerët. Dhe u shtrimë të flemë si robotë.

Kishim fjetur pa ëndërra, shpejt, përhumbshëm, për t’iu larguar një frike. Deri kur ra zilja e telefonit, që na ngriti menjëherë të katërve, gatitu. Dhe matanë telefonit zëri jepte lajmin që ne nuk do të donim ta dëgjonim kurrë.

Kur po gëdhihej 13 qershori dhe kalendari shënonte ditën e Shëna Ndout, shpirti i tim eti u largua prej trupit të tij. Në agun që ai e ka përmendur shpesh në poezitë e tij, ku ai e ka përshkruar me laryshi nuancash e ngjyrash të pafundme. Por agu i ikjes të tim eti ishte i vërejtur, i humbur prej tymnajave të mjergullës dhe ngjante e pamundur që kjo ditë të kish lindur prej barkut të një nate magjike qershori, kur ne u larguam nga spitali dhe e lamë tim atë në një gjumë të thellë e shpresëdhënës. Gjithçka ishte përmbysur brenda dy-tri orësh, ashtu si jeta që ishte shndërruar në ikje, largim e vdekje. Për dy-tre orë qielli kishte ndryshuar uniformë në një antitezë të plotë. Ishte zhdukur hëna, yjet, magjia e natës kur ne i dhamë përshëndetjen, pa e ditur se do të qe përshëndetja jonë e fundit në këtë tokë, pak përpara kur fryma e tij do të fluturonte si zog i çliruar nga prangat e një kohe mistrece.

Kur ne vendosëm të largoheshim nga spitali, në prag të shkëmbimit të 12 me 13 qershorin, ai ngjante sikur flinte si normalisht. Nuk e kishte më frymëmarrjen e dendur, të vështirë, të mundimshme që e kishte pasur prej ditës së mërkurë. Kur u përkeqësua papritmas. Një ditë më parë, dmth të martën, ai kishte bërë një shaka me ne. Ime më ashtu si e kanë zakon gratë përdori klishenë e njohur se po vdiste prej lodhjes, dhe im atë, që rrinte me orë e ditë të tëra pa folur, ia ktheu me buzën në gaz, « po për mua kush do të kujdeset atëherë?!» Reagimi i tij ne na hodhi të gjithëve përpjetë. Na zgjoi. Sepse sëmundja e kishte transformuar. Ngjante si Mbreti Lir. Tragjik, i madhërishëm, i vuajtur, i heshtur e solitar në botën e tij të mbyllur. Kështu e përjetonte largimin apo distancën nga mungesa e tij fizike me botën rreth tij, nga mosprania në rrjedhat e ditës, në rrugët që ai i kishte kaluar çdo ditë, që edhe sot i mbajnë gjurmët e tij.

Reagimi i tij na e ktheu humorin. Kujtuam se ishte shenja e rikthimit në jetë, për të shpëtuar nga sëmundja e zezë, që është depresioni, ashtu si kishte shpëtuar edhe në vitet ’70. Unë e mbaj mend atë kohë, se si vuante im atë, si lëngonte. Pranë tij ishte im më dhe unë, fëmijë. E vizitonte rregullisht, për çdo ditë njëra prej hallave të mija, Lumja dhe fëmijët e saj dhe vëllai i tij i vogël, sepse të tjerët nuk vinin dot pasi kishin frikë nga partia kuçedër. Atëherë im atë sapo i kishte mbushur 40 vjeç dhe ngjante i moshuar si një plak. Por një mëngjes papritmas u ngrit nga shtrati e ul në makinën e shkrimit dhe rinisi të shkruante poezi. Prej asaj dite nisi të dilte nga shtëpia e të shëtiste nga Kodrat e Liqenit. I vetmuar. Kolegët i largoheshin, shokët i fshiheshin, të afërmit kujdeseshin për biografitë.

Si shenjë fatmirë, të daljes nga kështjella që ai kishte ndërtuar me mure qiklopikë prej heshtjes së vet e morëm edhe reagimin e tij. Ne u lumturuam pasi e dinim se im atë dinte të ngrihej gjithmonë më këmbë, se im atë do ta kalonte edhe këtë provë, pas aq provash e vuajtjesh, që i kishte e kishim kaluar së bashku.

Por ndodhi e papritura dhe ai u përkeqësua papritmas të mërkurën. Iu vështirësua frymëmarrja. Ne u trembëm. Filluam t’i luteshim të hante. Sepse kishte dy vjet që kishte hequr dorë nga e ngrëna. E ushqente me shumë mundime ime më. Im atë refuzonte ushqimin, refuzonte ujin, po ime më nuk dorëzohej deri sa e ushqente çdo ditë, çdo vakt, dalë e nga dalë, një kafshore, një lugë, ishte një fitore, një gllëngjkë ujë, një gotëz me lëng frutash, ishte jetë për tim atë.

Unë po punoja në komputer atë të mërkurë, kur ime më më erdhi pranë e më tha se ai nuk po hante dot më. U ngrita menjëherë. I shkova pranë e i vura buzët në ballë. Si veproja me djemtë. Kishte temperaturë. I dhamë menjëherë një dafalgan dhe e shtrimë në shtrat. U qetësua pak. E zuri gjumi dhe frymëmarrja ju bë normale. Pasdite bashkë me Skënderin blemë biskota fëmijësh që ime më t’i shtypte e ta ushqente më lehtë.

Hëngri nga mbrëmja pa e refuzuar ushqimin si bënte zakonisht. Dukej se kishte frikë nga vdekja. Por ne nuk na shkonte mendja për atë gjë. Kur ra nata i shkova në dhomën e tij ku flinte. Dhe qava e qava me lot e pa zë. Për të gjitha vuajtjet që kishte hequr, pa i bërë kujt keq në jetën e tij. E pastaj iu lutëm Zotit që vetëm të jetonte. Edhe me depresion. Veç të jetonte. Ishim mësuar tashmë edhe me këtë gjendjen e tij. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij në një cep të dhomës. Hijerëndë, pa folur, duke na parë ne. Herë i përhumbur në mendimet e tij, herë me sy të trishta e herë me sy të trembura, sepse e shkuara i kthehej si fantazmë, si makth e ankth. Mallkuar qofshin ata që e kanë bërë tim atë të vuante. E bashkë me të edhe ne. Që nuk kanë marrë mundimin kurrë të kërkojnë ndjesë. Një pjesë e tyre kanë shkuar në ferr. Në ferr shkofshin të gjithë që e kanë merituar. Sepse nuk e njohin ende pendesën. Në pranverën e 2011 kur e kishim shtruar në spital për rehabilitim në një moment të kthjellët i kishte thënë sime mëje se « ata nuk na kishin lënë që ta jetonim jetën tonë». « Ata »ishte regjimi komunist, që identifikohet me emra. Sepse na e kishin ndryshuar tërësisht rrjedhën e jetës brutalisht, na kishin detyruar të jetonim kalvarin. Sot është e trishtë kur lexojmë se disa shkrimtarë qahen nga vuajtjet që paskan përjetuar në diktaturë. Një farsë e vërtetë cinike ndaj vuajtjeve të vërteta, si ato që ka përjetuar im atë, që u largua nga kjo botë i mbytur nga pikëllimi, kur e humbi betejën e fundit.

Ne e shtruam në spital të premten, kur frymëmarrja iu rëndua rishtas. Ishte më 10 qershor, paradite. Sa herë i shoh sot makinat e urgjencës më kaplon trishtimi. Kur erdhi urgjenca, im atë nuk ishte më im atë. Erdhën e morën lart me barelë sepse ishte krejt i pafuqishëm. Mezi merrte frymë. Nuk më kërkonte mua me sy, por time më e cila hypi me të në makinë. Ne i shkuam pas. Pas kësaj ai nuk u kthye më në shtëpinë tonë. Ishte ikja e tij e fundme.

Frymëmarrjen e tij të rënduar e kam edhe sot në vesh, si asaj të premte. Dukej sikur prapë po luftonte, deri në frymën e fundit dhe pikën e fundit të gjakut.

Pasi e shtruam në spital të premten, e pasi biseduam me mjekët u kthyem për t’u kujdesur për fëmijët. Sa hymë në shtëpi, na ra në sy kolltuku i tij që ishte bosh, që priste më kot. Në dhomën e tij makina e shkrimit rrinte e heshtur, me tastet e ngurta si copa kalldrëmash, të palëvizur nga gishtat e bukur të tim eti. Gjithmonë im atë na e kujtonte se si një pianiste e njohur shqiptare mahnitej nga gishtat e bukur të tim eti, që tani rrrinin të palëvizur dhe nuk krijonin vargje e rima me makinën e tij të shkrimit. Makina e shkrimit ishte si faltore për tim atë. Atje ai falej duke zbrazur shpirtin e tij të kthjellët si kristali. Kanë qenë shumë të rrallë shkrimtarët bashkëkohës me tim atë që e kanë patur shpirtin e pastër si të tijin. Pa asnjë njollë. Shpirt njeriu. Ecce Homo ishte im atë.

Por ne vazhduam që t‘i luteshim Zotit që im atë ta kalonte edhe këtë furtunë. Ne ishim mësuar tashmë edhe me këtë situatë. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij dhe na ndiqte me sy. Nganjëherë i shpinte sytë diku larg, nganjëherë i mbyllte si për të mos lejuar që tmerret e së shkuarës t’i ktheheshin si fantazma për ta marrë e larguar nga familja, për t’ia marrë e djegur librat, për t’a dërguar në riedukim apo internim, duke i lënë në mes poezitë apo treguar përgjysëm përrallat që ia tregonte së bijës, dmth mua. Aty i ulur në kolltukun e tij, ai me pamje epike, ngjante si një personazh i dalë nga cikli i kreshnikëve. Nganjëherë, dikur, rrallë e përherë rrallë e më rrallë, kur na hidhte ndonjë fjalë, si meteor, na bënte të hidheshim përpjetë prej gëzimit e kaq pak na dukej aq shumë, sepse mendonim se po i mblidhte forcat për të dalë nga ky tunel i errët.
(vijon)

(MARRË NGA LIBRI ‘DISIDENCË NË TRANZICION’ QË ËSHTË NË PROCES BOTIMI) –

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, VEHBI SKËNDERI

ISMAIL KADARE DHE VISAR ZHITI

May 31, 2019 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/ Kur e pashë foton e Ismailit me Visarin, postuar në rrjetin social nga Botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri, ku Zhiti është fiksuar duke ia ndezur cigaren Kadaresë, sikur u çlirova. Cigaret do të kremoheshin pas disa minutash pa shenjë hiri, ndërsa kjo foto do të mbetet.

Për ata që do të vinë pas, të patrushplarë dhe me ndërgjegje të pastër, pas katarsisit të shoqërisë shqiptare, kjo foto do t’ju thotë shumë.

Visarin e kemi parë duke thithur cigare, në një nga fotot më të mrekullueshme të jetës së tij, ku janë të tre, ai, Eda dhe Atjoni i tyre, të shpenguar dhe të lumtur, në një kohë tjetër.

Kadarenë nuk e kisha parë ndonjëherë të tymosë, veç pëmes personazheve.

Ata të dy thithnin cigaret, ndërsa spiralet e tymit, bashkoheshin si fjolla hiri të frymta.

Kadare dhe Visari i përkasin gjeneratave të ndryshme, por emërues të përbashkët kanë kulturën e shkrimit, njëri nga purgatori, tjetri nga ferri me një vizion të përmbysur nga ai i Dantes.

Kur Visari u burgos 28 vjeçar,  Kadare ishte  rreth 44 vjeç, ndërsa im atë, poeti Vehbi Skënderi, rreth të 50-tave punonte hamall në repartin e plehërave të Kombinatit Poligrafik. Disa vite më vonë mua, 18 vjeçares të bijës së tij, pas gjimnazit, nuk do të më jepnin të drejtën e studimit në Universitet, por do të më dërgonin për t’u edukuar në fabrikën e pllakave të Kombinatit me emrin e prokurorit Josif Pashko, ku punoja bashkë me ish te burgosur ose familjare të të burgosurve politikë. Edhe unë e kisha vokacion letërsinë, kisha dërguar librin tim të parë me poezi në Shtëpinë Botuese Naim Frasheri, mësueset e mija të letërsise prej fillores deri ne gjimnaz kishin konstatuar prirjen time, por nuk mund të ndryshonin asgjë në fatin tim. Në diktaturë fati i njeriut varej dhe krijohej nga kuçedra, që jetonte duke ngrënë të ardhmen e jetëve njerëzore.

Para se të burgosej, nga Visari kisha lexuar tek Revista Nëntori një poezi të paharrueshme për gjyshin. Aty e ngulita në mendje si poet. Kur e burgosën, nëna e Visarit i kërkoi ndihmë Driteroit e Kadaresë pēr birin e saj. Shkrimtarët të dy kishin fëmijë për të kuptuar dhimbjen e prindit kur ia rrëmbejnë pjellēn nga gjiri, por nuk arritën ta ndihmonin atë grua me burrë e bir të burgosur. Ishte kohë e pamundur.

Ndërsa nga Visari kisha lexuar vetëm një poezi, Kadarenë e kisha stërlexuar. Fillimisht më kishte orientuar im atë që edukoi tek unë kulturën e leximit e shkrimit. Në një shoqëri totalitaristo-staliniste, një shkrimtar i përmasave botërore si Kadare i ndihmonte viktimat të ruanin identitetin dhe të mbijetonin mendërisht e shpirtërisht.

Unë e vuaja gjithë frikë e tmerr luftën e klasave të shtetit dhe shoqërisë që përjetonte familja jonë tre anëtarëshe, kur im atë i pashpresë tentoi të vetvritej, por nuk e urreja Kadarenë. Pērkundrazi, e doja shumë si shkrimtar. Që fëmijë e deri sa tek unë u krijua njeriu.

Nuk e fajësoja as tim atë për vuajtjet e mija. E merrja në mbrojtje, si fëmija prindin kur plaket dhe bëhet si fëmijë ! Im atë ishte i ri, por i dërrmuar dhe i stërplakur nga vuajtjet dhe poshtrimet. 14 vjeçare i dërgova letër diktatorit ku i shkruaja se im atë ishte i pafajshëm. Diktatori e konsideronte Vehbi Skënderin armik të partisë. Këto dokumenta, rreth letrës time dhe reagimit të diktatorit, janë botuar në shtypin e Tiranës. Po unë adoleshentja çfarë faji kisha, që m’i ndaluan aulat e Universitetit dhe më detyruan të punoja në fabrikën e pllakave apo varrezat e Sharrës!  Im atë poet hamall, unë e bija, ende e parritur me të ardhmen të vrarë. E ardhmja ime pa të nesërme e bënte tim atë të vuante tmerrësisht. Im atë ishte gati të vetësakrifikohej që unë të studioja normalisht e të kisha një jetë si fëmijët e kolegëve të tij, por spiun dhe vegël nuk pranoi të bëhej kurrë.

Po të ishte bërë spiun poeti Vehbi Skënderi, jeta e së bijës së tij të vetme dhe familjes tonë do të kish tjetër rrjedhë, do t’i shpëtonte burgut jashtë hekurave që jetuam në mes të Tiranës, por do të mbetej rob i burgut të ndërgjegjes.

Në një izolim shterrues që ushtronte regjimi, librat e Kadaresë ishin liberatorë sepse ndikuan në shburgosjen dhe çlirimin e shoqërisē nga vetvetja, nga pjesa më fanatike që i bindej verbërisht xhelatëve duke i tejkaluar mizoritë e tyre. Vepra e Kadaresë ishte në opozitë të plotë me letërsinë dhe artin e realizmit socialist që ofroi një botë idiote ku gjithçka që krijohej ishte në shërbim të depersonalizimit kombëtar

Të njëjtën kënaqësi që provoja nga Princi i Vogël i Saint Exupéry-së ma jepte Kronikë në gur. Krijova menjëherë bindjen se Koncertin e Kadaresë nuk mund ta shkruante dot kurrë Gabriel Marquez dhe u identifikova me vajzën e Natës me hënë. Daullet e shiut, binin për të lajmëruar mbijetesën e individit, si shpirt apo të kombit si frymë. Kosovën si imazh kur isha fëmijë e njoha prej tim eti, kur krahu i djathtë i Enver Hoxhës, krimineli me damkë Manush Myftiu nga maja e shtetit totalitarist e akuzonte si “nacionalist”, vetëm pse im atë tha se “Kosovën e kam në zemër” ndërsa për herë të parë emrin e një qyteti të Kosovës e mësova prej Kadaresë, pasi Kosova ishte temë tabu, askush nuk duhet të fliste për Kosovën dhe askush nuk duhej të dëgjonte për Kosovën. Kadare në mënyrë eskiliane, si nëpër tragjeditë greke zbërthente shterrshëm në 7-8 vargje etimologjinë e rrënjës të emrit në poezinë që ia dedikonte Gjakovës!

Kadare ka qenë salvagente për shumë të rinj si unë. I ka shpëtuar nga mosçmendja në çmendinë e përçmimit ku i kishte futur viktimat regjimit stalinist. Ishte salvagente jo si individ, jo si një Schindler ad literam, por si Schindler shkrimtar! Schindleri ka shpëtuar një numur të kufizuar viktimash, mbi një mijë syresh, dhe ka kryer heroizëm, ndërsa shkrimtari e nxjerr nga burgu apo krematoriumi i mosekzistencës individin dhe gjithë shoqërinë. Në një izolim total, kur është i burgosur edhe deti,  edhe qielli, edhe kufijtë, liria qoftë edhe virtuale ka vlerë. Në fund të fundit a nuk jemi të gjithë prej shpirti.

Kadare nuk ka mundur që t’jua ndryshojë fatin fëmijëve të armiqve të partisë, që janë dëshmi e krimeve kundër njerëzimit të shtetit totalitar, të  cilëve u është mohuar e drejta e jetës duke u syrgjynosur nëpër kampe internimi, pa të drejtë shkolle, pa të drejtë ëndërrash, duke iu mohuar të gjitha të drejtat elementare të njeriut, por si shkrimtar ka ndikuar që viktimat e diktaturës të kalonin orë të tëra duke u zhytur nëpër oqeanin kadarean të gërmave.

Kush shkon në varreza dhe përpiqet pak të  filozofojë për jetën e kupton se kombi është shkrimtari. Në errësirën obskurantiste të diktaturës, kur shkrimtari nuk arrin dot të shpëtojë nga burgosjet dhe ekzekutimet individin, ai kryen përsëri një akt heroik, sepse shpëton nga pushkatimi apo internimi gjuhën.

Ismail Kadare ka shpëtuar gjuhën shqipe në mënyrë grandioze dhe epike!

Kam mbetur kadareiste. Nuk e di si. Si fiksasion, si dogmë, si autocensurë apo si një viktimë e Stokholmit? Të mbetesh kadareiste sot është habi. Në një shoqëri mizerabël si kjo jona, me ndërgjegje blozë, kur ende nuk janë zbuluar varret e 6000 viktimave të diktaturës, kur ende nuk jane dënuar krimet e komunizmit dhe autorët e tyre, kur xhelatë si Edmond Caja me shokë, sot shtetas gjermanë na sfidojnë e vazhdojnë t’i torturojnë viktimat e burgut të Spaçit apo Qafë Barit, kur në Shqipëri nuk ekziston asnjë Muzeum, asnjë Shoah si shenjë kujtese apo ndjese, është e kuptueshme se orientimi diabolik kundër Kadaresë është i orkestruar për ta larguar vemendjen nga obligimet kombëtare, pasi shoqëria shqiptare ka mbetur ende bagëti, nuk e di nga vjen e ku shkon.

Tek rasti Kadare që është sui generis konfondohet me qëllim të mbrapshtë individi i konformuar me sistemin e egër dhe shkrimtari gjenial që në kushte barbarie e sfidon atë. Në diktaturë e gjithë shoqëria shqiptare ishte ushtri lejfenësh. Dhe mjerisht lejfene vazhdon të mbesë. Gjithe kombet ngrihen për të triumfuar vlerat, vetëm shqiptarët janë në kaos dhe e kërkojnë lirinë në tabaka. Nuk mallkojnë kriminelët, nuk i denoncojnë me emra shkaktarët e ferrit por i sulen shkrimtarit që dëshmoi në 100 gjuhë të planetit se kombi i vogël kish mbetur gjallë, kur vetë Europa dhe Perëndimi na kishin hequr nga lista e të gjallëve,  e kishin hequr nga harta Shqipërinë dhe kur Shqipëria nuk ekzistonte as si shprehje e Bismarkut. Askush në Perëndim nuk jepte lajme për krimet e diktaturës, pa marrë parasysh se jemi një vend në zemër të Europës. Dukej sikur diktatori kishte bërë kompromis të përçudnuar me Perëndimin, ndërsa vepra e Kadaresë e sfidonte kompromisin absurd dhe tregonte për ne se ekzistonim.

Më ndodh shpesh të kem debate për Kadarenë. Rreth Nobelit. E konfondojnë si nder të pameritueshëm për individin, jo për shkrimtarin apo kombin dhe urrejtjen për Kadarenë e transformojnë në urrejtje të gjenisë të farës, dmth urrejte kunder vetevetes tonë. Mendoni se Gjermania nuk e dinte se Günter Grass 16 vjeçar kishte shērbyer në trupat SS?! Gjermanisë i interesonte Nobeli i shkrimtarit, që ishte Nobel i Gjermanisë, i gjuhës gjermane, jo gabimet e individit. Aq më tepër, kur krimet e një sistemi nuk mund të identifikohen si faj kolektiv.

Debatet e mija për Kadarenë janë të dhimbshme me viktima të diktaturës. Njëra prej tyre tash së fundi më bllokoi rrugën e komunikimit me të. Më vjen shumë keq. Kadare mund të shkruante për kētë Zonjë veprën më të bukur të jetës së tij. Mjerë ai komb qe ka nevojë për heronj, thotë Breht, por mjerisht kohës tonë i duhen sot heronj.

Më erdhi keq se nuk ia zbuta dot zemërimin. Kur vuante internimet si adoleshente dhe vajzë e re në diktaturë e adhuronte Kadarenë, sot ka rënë viktimë e trushplarjes me ca dokumenta të individit Kadare në diktaturë që kanë 27 vjet që qarkullojnë lart e poshtë. Në diktaturë Kadare si individ ishte një njeri i zakonshëm në turmën e konformistëve. Turmë konformiste ishim si kolektivitet. E votonim 99.99% diktaturën. 0.01% ishin kulakët dhe të burgosurit që regjmi nuk i lejonte të votonin. Pasi frika kishte zëvendësuar oksigjenin që thithnim.

Me gjithë përpjekjet nuk arrita të ndikoj aspak tek Zonja. Prandaj kur Bujar Hudhri vendosi foton e Kadaresë me Zhitin, m’u duk si dora e Zotit tek goli i Maradonës!

Kadare vetë tani mbi të tetëdhjetat, është më shpërfillës se kurrë, sepse duket beson tek omnipotenca e gërmave rreshtuar në miliona e miliona konstelacione në univers. Sa miliarda fjalë ka shkruar ai me dorën e tij, a i ka numëruar kush ? Gjithë jetën e Kadaresë e ka pushtuar Kadareja shkrimtar. Kadareja shkrimtar është i pakënaquri dhe i zhgënjyeri me vetveten individ, prandaj ia dhuroi jetën letërsisë, pasi atje jetoi sikur do të deshte ta jetonte jetën reale.

Shoqëria ku kemi jetuar ishte e inkriminuar. Ajo ushqehej me urrejtje dhe gjakun e viktimave. Kishte individë që përpiqeshin të ndihmonin viktimat në mënyrë individuale. Këta ishin Schindlerat shqiptarë. Lavdi Zotit që ishin! Ndërsa Kadare e stërtejkaloi Schindlerin me veprën e tij të shkruar! Kush e kupton këtë të vërtetë kalon në krahun e Kadaresë shkrimtar. Visar Zhiti, që e ka provuar dhe e ka hedhur në letër ferrin e viktimave të diktaturës mizore është me Kadarenë edhe si shkrimtar edhe si individ. Sepse e sheh veprën kadareane edhe si kërkesë ndjese ndaj nënës së tij kur ajo i kërkoi ndihmë për Visarin 28 vjeç dhe Kadare  nuk e ndihmoi dot.

Te dy e meritojnë Nobelin. Visari dhe Kadare. Njëri se i ndihmoi mbijetesës të gjithë shoqërisë në diktaturë, tjetri sepse e tregoi ferrin që përjetuan viktimat nga diktatura ! Visari është hero edhe si individ, edhe si shkrimtar, por kjo nuk e ul vlerën e veprës të Kadaresë, përkundrazi kështu krijohet universi i përbashkët i vlerave të kombit.

Kur e pashë foton e Kadaresë me Visarin, kalova për disa sekonda gjithë jetën e Zhitit, si dëshmitar i gjallë i burgologjisë dhe ferrit të viktimave të diktaturës, i diskriminuar edhe sot e kësaj dite nga ata që e torturonin  plus nga një kastë politike me skeletë në sirtarë, së cilës i ka mbaruar me kohē koha.

Visar Zhiti nuk ka pranuar të bëjë konçesione për të shitur fatin e viktimave të ferrit stalinist me privilegje. Këtë akt guximtar të pas vitit 1991, e kishte të vështirë ta merrte me mend në diktaturë,  ndërsa vepra e Kadaresë e realizonte, kur identifikohej me ekzistencën e kombit.

Fotografia e Zhitit dhe Kadaresë është fotografia e mbijetesës të kombit të plagosur me plagë ende të pashëruara.

Janë shumë nga ata që sot i kërkojnë Kadaresë të bëjë heroizma. Shoqëria shqiptare në agoni më tepër se kurrë ka nevojë për dritë! Por Kadare si ndivid është i kufizuar në kohë, ndërsa shkrimtari i dimensioneve të Kadarese është i përhershëm.

Jeta e individit digjet si cigarja që pinë të dy Kadare me Visar Zhitin, ndërsa jeta e gjuhës është konstelacion yjor që përcillet si trashëgimi historike dhe kulturore brez pas brezi. Kultura është si dashuria e nënës dhe atit që ngjizin krijesën. Pa kulturë, pa nënë e babë, kthehemi në individë e komb bastardësh. Ky është edhe qëllimi i diktaturave, që shqiptarët t’i konsiderojnë qënie me bisht, lejfene apo të aftë të pjellin veç vampirë si enver hoxha, si edi rama apo si kjo kastë politike që i krijon shkrimtarët e poetët me mbeturinat ushqimore trupore të tyre që janë vetëm helm kancerogjen.

Të gjithë individët kthehen sa në baltë e sa në frymë, ndërsa shkrimtarët që shkaktuan tronditje, duke e sfiduar individin, shoqërinë, sistemin trondisin në gjithëherësi.

Në kohë të shterrëta, të honta kur shoqëria ka rënë në fund të humnerës dhe duket se gjithçka ka marrë fund, do të shfaqen individë që e tejkalojnë fantazinë e personazhëve të krijuar nga shkrimtarët dhe shkrimtarë që sfidojnë kufizimet e individëve në një shoqëri njerëzore. Pasardhësit do të na njohin kush ishim përmes trashëgimisë.

Kam parasysh se si qarkullon sot një foto e Fishtës me Mjedën e Gurakuqin apo  ku Fishta, ka dalë në foto bashkë me Asdrenin, Koliqin e Lazgushin.

Do të vijë një ditë, që kështu do të qarkullojë edhe kjo foto e Visarit dhe Ismailit që i bën bashkë ata që meritojnë të jenë bashkë !

Fotoja e Zhitit me Kadarenë uroj që të zbusë dhimbjen e viktimave të diktaturës, t’ua davaritë retë nga qielli i mendimeve të munduara si  ankthi i jetëve të tyre për ta shfokusuar zemërimin nga drejtimi i gabuar e për ta përqendruar tek katarsisi kombëtar, lëvizja kombëtare për të pastruar ndërgjegjen si komb.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ismail Kadare, Visar Zhiti

LUTJE QEVERISE SE SHBA

April 16, 2019 by dgreca

– Z. Matthew Palmer: I lutem Qeverise së SHBA-së të mos bashkëpunojë me një qeveri mafjoze të llojit të   Edi Ramës-/

Nga Elida Buçpapaj/

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit z.Matthew Palmer vizitoi Tiranën zyrtare.

Ndryshe nga sa përflitej, z.Palmer, që njihet si arkitekti i marrëveshjes midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës në zgjedhjet parlamentare të 2016, i zhgënjeu pritshmëritë e opinionbërësve, duke u shprehur prerë se “nuk kishte ardhur në Tiranë për të negociuar një zgjidhje, dhe as për të mbështetur një zgjidhje të caktuar”, por ndërkohë ai nënvizoi se “Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave, e cila është një partnere e Shteteve të Bashkuara, me të cilën ato punojnë mirë dhe ngushtë”, çka bie ndesh me pretendimet e opozitës që thotë se qeveria Rama nuk është legjitime pasi ka uzurpuar pushtetin me vota të vjedhura përmes mafies.

Dhe pretendimet e opozitës kanë themel.

Dy ministra të Brendshëm të Edi Ramës dhanë dorëheqjen për lidhje të tërthorta me krimin e organizuar.

Në fund të janarit të këtij viti ishte pikërisht Zëri i Amerikës që, duke iu referuar një investigimi të BIRN, denoncoi përfshirjen e krimit të organizuar në blerjen e votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër. Sipas të dhënave, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, një njeri shumë i afërt me Edi Ramën, rezulton që të ketë qenë në komunikim të vazhdueshëm me vëllezërit Avdyli. Vëllezërit Avdyli bashkë me kushëririn e tyre të parë janë pjesë e bandës mafioze të Shijakut, që akuzohet për trafik ndërkombëtar heroine, ndërsa pas këtij skandali Edi Rama “u mbrojt” duke iu sulur egërsisht Zërit të Amerikës.

Sulm agresiv ndërmori kryeministri Rama direkt kundër Elez Biberajt, kur z.Biberaj në kremtimet e 110 vjetorit të gazetës Dielli në New York, shprehu qëndrimin e tij personal ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Me shumë të drejtë, Elez Biberaj nxori në pah rolin e rëndësishëm të Zërit të Amerikës, që sot është bërë aq i nevojshëm për shqiptarët, sikur në vitin 1991-1992. Në Shqipëri nuk ka asnjë burim informativ të besueshëm. Lajmet parafabrikohen të fallsifikuara dhe amplifikohen përmes mediave!

A mendoni z.Palmer, kur një kryeministër shqiptar atakon një radio të fuqishme si Zëri i Amerikës, se në çfarë situate frike gjenden gazetarët dhe në çfarë degrade ndodhet shtypi i lirë dhe fjala e lirë në Shqipëri.

Gazetarët e Tiranës ose bashkëpunojnë me mediat e Edi Ramës apo të opozitës, ose autocensurohen nëse duan të hanë një copë bukë për vete dhe për familjet.

Në Shqipëri Edi Rama ka eleminuar shtetin social dhe shtyp përmes diktaturës së varfërisë dhe mafies.

Shqiptarët jetojnë në një varfëri ekstreme me më pak se 1 dollarë në ditë.

Janë më tepër se gjysmë milioni pensionistë që jetojnë me më pak se 200 $ në muaj, ndërsa u jepen medikamente të skaduara.

E imagjinoni se çfarë do të thotë kjo për shqiptarët që kanë punuar nga 40 vjet dhe në fazën përfundimtare të jetës të bëjnë jetë qeni!

Edi Rama e ka okupuar skenën e politikës së jashtme rajonale, duke hapur tema që SHBA dhe BE i kanë mbyllur 20 vjet më parë me shumë vështirësi, sikur është rasti i korigjimit të kufijve Kosovë-Serbi. Të gjithë presidentët e SHBA kanë deklaruar se integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm! Edi Rama është gati që të bashkëpunojë me djallin, t’ia vëjë minat paqes, për të qëndruar në pushtet.

Edi Rama i ka eleminuar të gjitha elementët e sistemit demokratik.

Votën e lirë sot e ka në dorë mafia e Vangjush Dakos;

administrata kontrollohet nga eskortat e Edi Ramës, duke eleminuar meritokracinë dhe zëvendësuar me klientelizëm e nepozitëm;

Edi Rama ka centralizuar ekonominë, ku tenderat dhe milionat kalojnë direkt prej zyrës së tij apo prej njerëzve që ai i përdor si gurë shahu.

Përpara disa kohësh “Të Paekspozuarit”, një program në News24 Albania, arriti të zbulojë një mega skandal, lidhur me kompaninë DH Albania e cila është fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Kjo kompani kishte depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaware, Jeffrey Bullock, për të vërtetuar se kompania mëmë, Dunwell Haberman, është themeluar në vitin 1998. Ishte gjithçka fake! Ky megaskandal do të duhej ta rrëzonte me kokë poshtë menjëherë Edi Ramën!

Dje një grup kriminal i armatosur në ditën e vizitës tuaj zyrtare në Tiranë, në avionin e linjës Vjenë-Tiranë-Vjenë, që solli nga Kopenhaga presidentin e Republikës, me të cilin gjithashtu fluturoi për në Monte Karlo kryeministri i Republikës, vodhi 10 milionë Euro! Ky plan perfekt, skenar i gatshëm për Steven Soderbergh, në të njëjtën ditë kur, në Aeroportin Nënë Tereza, objekt i rëndësisë të veçantë, do të priteshin e përcilleshin presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë si dhe një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetiti, mund ta ekzekutohej kësisoj vetëm nga segmentet e inkriminuara brenda shtetit.

Arrestimi i kryetrafikantit të drogës, mostwanted nga INTERPOL, Klement Balilit u bë në formën e vetëdorëzimit, sikur kryebanditi të ishte yll i Hollywood-it, me kamera, intervista dhe gazetarë.

Klement Balili sot ka si avokat ish Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, Theodhori Sollakun! Merreni me mend se sa i fuqishëm është kryetrafikanti i drogës! Kur Balilin e pyetën se ku kishte qëndruar gjithë këto kohë, ai tregoi se fshihej pranë rezidencave të politikanëve të Shqipërisë, dmth nën hundën e shtetit, që gjoja e kishte shpallur në kërkim!

Nëse demokracia ka kuptimin si qeveri e popullit, nga populli për popullin, në Shqipëri populli është kthyer në një skllav të Edi Ramës dhe mafies.

E gjithë kjo katrahurë nuk është krijuar këta 6 vjet, por në këta gjashtë vjet kjo katrahurë është ngritur në sistem. Nga një sistem hibrid po kalon në sistem mafioz.

Mafia shqiptare ka pasuri të madhe dhe, për të zgjatur këtë erë të artë të pasurimit të saj, ka nevojë për Edi Ramën!

Sa më tepër të rrijë në pushtet Edi Rama me enturazhin e tij, aq më shumë pasurohet e fuqizohet mafia shqiptare!

Për gazetarët është trimëri t’i shqiptojnë këto fjalë, kur kemi parasysh një kryeministër me këtë format hibrido-mafioz, që ka futur në grushtin e tij të gjitha pushtetet, që sundon me egërsi dhe autoritarizëm, dhe që ka lidhje direkte me njerëz në kontakte shumë të qarta me krimin e organizuar.

A ka interes qeveria e SHBA të bashkëpunojë me një kryeministër të këtij formati?

A ka interes SHBA, BE dhe NATO që në Shqipëri mafia të marrë ploffuqishmërinë e shtetit!

A meriton populli i Shqipërisë të vuajë nën terrorin e varfërisë, pasigurisë dhe pashpirtësisë të një shteti që votën e popullit e përdor për t’i marrë shpirtin popullit, pensionistëve dhe shtresës më vulnerabël, ndërsa fuqinë e aftë për punë ta dëbojë jashtë vendit!

Populli shqiptar sot e ka syrin tek administrata e SHBA dhe kur, gjithë sy e veshë ju dëgjon të thoni se “në Shqipëri ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave”, kur vetë Zëri i Amerikës ka denoncuar shitblerjen e votës nga mafia, atëhere shqiptarët trishtohen shumë.

Sot i gjithë sistemi demokratik në Perëndim është në krizë identiteti, sepse institucionet qendrore që përfaqësojnë vlerat njohin si bashkëpunëtorë monstra si Edi Rama !

Shqipëria sot është në udhëkryq, të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me mafien dhe krimin e organizuar apo të ndërtojë sistemin nga themeli, duke valorizuar votën e lirë mbështetur në parimet dhe vlerat e lirisë, që do të eleminonte listat e deputetëve kukulla të krijuara nga kryetari i partisë, nga njëshi, çka eleminon garën free and fair dhe konkurimin e pastër.

Mendoni sikur në SHBA, kryetari i Partisë Demokratike apo ai i Partisë Republikane t’i zgjedhin kongresemenët dhe senatorët me lista sipas qejfit të tyre!

Duke e mbyllur, po përmend një sentencë që e ka përdorur Presidenti Ibrahim Rugova, duke cituar filozofin e njohur britanik, Edmund BURKE, i cili ka thënë se “gjëja e vetme që nevojitet për të triumfuar djalli, (që mund ta ketë emrin: fashizëm, diktaturë, mafie apo Edi Rama) është është që njerëzit e mirë, që unë po i zëvendësoj me ” institucionet e lirisë dhe demokracisë si SHBA, BE”, të mos bëjnë asgjë.”

Fjalë kyçe: Elida Buçpapaj, Edi Rama, Matthew Palmer

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Lutje Qeverise SHBA

AlbInfo.ch censuron ambasadorin e Zvicres

March 29, 2019 by dgreca

Një medium i financuar nga Zvicra censuron Zvicrën !

Nga Elida Buçpapaj/  Përpara disa ditësh në Gjenevë, APES organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën « Quel avenir pour le journalisme ? » – “Cila është e ardhmja e gazetarisë”. Në këtë debat morën pjesë figura shumë të njohura të gazetarisë zvicerane si Christian Campiche, ish kryeredaktori i La Tribune de Genève Daniel Cornu etj.

“Kur pyes se cila është e ardhmja e gazetarisë”, e nisi fjalën e tij presidenti i APES Jean Musy, “e kam fjalën për gazetarinë e vërtetë, e kam fjalën për ata që krijojnë lajmin, informacionin sipas Nenit.1 të Deklaratës dhe të Drejtave e Detyrave të Gazetarëve, të cilët janë të obliguar ta kërkojnë të vërtetën, për shkak të së drejtës së publikut që duhet ta njohë atë cilatdo që mund të jenë pasojat dhe konseguencat për vetë gazetarin. Dhe këtë detyrim e kanë të të gjithë gazetarët: anëtarët e një redaksie, përkthyesit e pavarur, sipërmarrësit, ata që punojnë freelance apo dhe ata gazetarë që punojnë me kontrata të përkohëshme etj.”, nënvizoi Jean Musy.

Në ndërhyrjen time në këtë debat thashë se kjo pyetje nuk ka vend për gazetarinë në Ballkan, pasi gazetarinë atje e kanë vrarë klientët e politikës, ata që financohen dhe marrin çmime e ndere nga krerët e shteteve të kapura. E kisha fjalën për klientët e politikës në Kosovë dhe Shqipëri, që e kanë transformuar gazetarinë vegël në duart e politikanëve të korruptuar. Këta “klientë -gazetarë” xhepat i kanë plot dhe kanë mbështetje të fortë nga Edi Rama apo Hashim Thaçi, në marrëdhënie krejtësisht perverse dhe antiligjore dhe duke shkelur detyrimet konstitucionale të informimit të pavarur.

Njëri prej këtyre superklientëve të politikës është edhe portali albinfo.ch me qendër në Lozanë, që ka kapërdirë miliona mbështetje dhe subvencione financiare edhe nga Zvicra duke anashkaluar konkurencën e lirë si dhe shkelur Nenin 1 të të Deklaratës dhe të Drejtave e Detyrave të Gazetarëve. Jo vetëm që nuk e ka zbuluar të vërtetën por e ka varrosur atë.

Për shërbimet klienteliste ndaj politikës albinfo.ch ka përfitur mbështetje financiare edhe nga grantet që qeveritë Perëndimore çojnë në Kosovë apo Shqipëri për lancimin e gazetarisë të vërtetë! Për shërbimet klienteliste kryeministri Edi Rama e ka (sh)nderuar albinfo.ch edhe çmimin trofe të diasporës Shqiponja e Artë.

Po ju sjell një ilustrim shumë të freskët dhe eklatant se si albinfo.ch shkon deri atje sa censuron edhe përfaqësuesit e shtetit që e ka mbështetur financiarisht për të bërë gazetari me standart profesional.

Dje në Skënderaj u inagurua një ujësjellës, projekt i qeverisë së Zvicrës me vlerë rreth 1.2 milionë Euro. I pranishëm në këtë aktivitet ishte Ambasadori zviceran në Prishtinë Jean-Hubert Lebet, i cili ishte kritikues dhe i ashpër për keqmenaxhimet e pares publike dhe ndihmave që vinë nga Perëndimi. Ambasadori zviceran në fjalën e tij tha se «Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ka të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2,5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. (…) Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë se, nëse të hollat ruhen dhe nuk financojnë veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit», nënvizoi ambasadori.

I menjëhershëm ishte reagimi kundërvënës i Kadri Veselit, i pranishëm edhe ai në takim i cili, në vend që t’i reflektonte tonet kritike të përfaqësuesit të vendit që ka shpenzuar miliarda ndihma për Kosovën dhe e ushqen Kosoven me oksigjen, pasi 200 mije kosovarët që jetojnë në Zvicër dërgojnë çdo vit 5 miliarde Euro remitanca në vendlindje, përkundrazi iu bëri jehonë luftëtarëve të UÇK-së në Skënderaj prej nga e ka origjinën edhe presidenti kosovar.

Në të njëjtë valë me Kadri Veselin ishte edhe albinfo.ch që ia censuroi tërësisht fjalën Ambasadorit zviceran. (Poshtë keni videon dhe tekstin e botuar nga albinfo.ch)

“Gazetaria censuruese” e stilit të albinfo.ch, shkel mbi të vërtetën dhe manipulon opinionin, ndërkohë që subvencionohet dhe ka carta bianca në shtetet e korruptuara nga kadri veselet, edi ramët apo hashim thaçët.

Kur censurohet përfaqësuesi i Zvicrës, shtetit që kishte financuar projektin dhe që ka financuar edhe albinfo.ch, mendoni se në çfarë degrade ndodhet fjala e lirë dhe gazetaria.

Unë e kuptoj që mediat në Kosovë e Shqipëri iu binden verbërisht regjimeve dhe partive nga marrin financimet, por e shoh skandaloze performancën profesionale të albinfo.ch këtij mediumi që e zhvillon aktivitetin në Zvicër duke përfituar miliona franga mbështetje financiare nga ky vend, përfaqësuesin e të cilit e censuron.

A mund të ketë të ardhme gazetaria kur në vend të informimit të së vërtetës mediume si albinfo.ch përdorin gërshërët e censorit për ta fshehur dhe manipuluar atë ?!

Pyetja ime është retorike!

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasadori i Zvicres, Elida Buçpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT