Nga Enver Bytyçi/
Të jesh rugovist do të thotë: 1. Të kesh qëllime në jetë e në politikë dhe qëllimi më i madh të jetë liria, pavarësia e zhvillimi i kombit, interesat e tij. Ibrahim Rugova ishte politikani i vetëm që nga fillimi e deri në vdekje, në një hark kohor prej gati dy dekadash, përcaktoi, mbrojti dhe realizoi të njëjtin qëllim e synim: Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ai nuk devijoi as edhe një rast të veçantë, e nuk u ndiku nga asnjë lloj konjukture në përcaktimin e tij për Kosovën. 2. Të jesh i urtë dhe të gjitha vendimet t’i marrësh me urtësinë e mençurinë e trashëguar e të zhvilluar në kushtet e kohës në të cilën jeton. Nuk ka asnjë vendim madhor politik të Ibrahim Rugovës, të cilin do ta qortojë historia e kombit tonë. Të gjitha taktikat e Dr. Rugovës për çlirimin e vendit nga dhuna e sundimi i Serbisë janë dëshmuar në funksion të qëllimit madhor, duke marrë në konsideratë kushtet në të cilat ndodhej Kosova. 3. Të sakrifikosh për të vërtetën, për të mirën, për të sotmen e të ardhmen e kombit tënd, ashtu siç e përcaktoi Ibrahim Rugova sakrificën: “Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin jo”. Kjo dëshmoi atë cilësi të jashtëzakonshme të Tij: Këmbnguljen dhe vendosmërinë e palëkundur në qëllimet finale, si dhe lojalitetin e pashembullt në taktikat e luftës për pavarësi. 4. Të respektosh popullin tënd, ta mbrosh atë njësoj si familjen tënde, të kujdesesh për të si në kushte e rrethana të vështira për të siguruar mbijetesën e ekzistëncën, edhe në rrethana të zakonshme e normale të zhvillimit. Respekti për popullin, për njerëzit, për jetën e dinjitetin e tyre është cilësi e udhëheqësve popullorë. Udhëheqësit si Rugova nuk sundojnë, por drejtojnë, frymëzojnë dhe i japin kombit e popullit të vet shpresën për të sotmen e të ardhmen e tyre. 5. Të luftosh për interesat e kombit tënd, duke zgjedhur mjetet dhe format më të suksesshme, pa bërë aventura, të cilat e lëndojnë ose e dëmtojnë atë. Shumica e udhëheqësve revolucionarë nuk llogarisin ekuilibrin e forcave dhe i çojnë kombet e bashkëkombasit e tyre në aventurat e përdorimit të dhunës, përfundimi i të cilave dihet – dështimi dhe kthimi në pikën e nisjes, duke lënë pas viktima të panumërta. Të tillë kanë qenë e shfaqen edhe sot shumica dërmuese e politikanëve shqiptarë. Ibrahim Rugova dëshmoi të kundërtën – luftën për qëllime të mëdha pa sakrificat e heronjve të mitizuar. Ai nuk deshi e nuk pranoi të jetë një hero i një populli në zhdukje. Ai pranoi rrugën e shpëtimit të popullit të vet. Liria dhe pavarësia pa elementin shqiptar në Kosovë ishte për Dr. Rugovën e pa mundur dhe e pavlerë, ndërkohë që për shumicën e politikanëve të sotëm në Kosovë e hapësirën shqiptare në Ballkan, më shumë rëndësi ka pushteti dhe forca e tij, sesa prania e shqiptarëve në trojet e veta mijëvjeçare. 6. Për Ibrahim Rugovën historia ishte bibla dhe kurani i mësimit dhe dijes politike të shqiptarëve. Ai ishte nga të paktët që kishte kuptuar se historia e shqiptarëve ishte një mësim dhe një pësim që nuk duhej përsëritur. Prandaj ndërtoi strategjinë dhe taktikën e rezistencës paqësore, e cila do ta çonte në fitoren e ngadalshme, por të sigurt kundër armikut shekullor serb, i cili e sundonte asokohe Kosovën. 7. Ibrahim Rugova të gjitha energjitë e tij politike e njerëzore i përdori kundër të keqes më të madhe, pushtimit, sundimit e dhunës së Serbisë në Kosovë. Ai çmontoi dhe zhvleftësoi në dhjetë vjet propagandën antishqiptare të 100 viteve, të cilën Serbia e kishte përhapur në Europë e në botë. Ai ishte lideri i vetëm që harxhoi zero energji politike e njerëzore për të polemizuar me shqiptarët, kundërshtarë të tij politikë e në fusha të tjera. Duke ditur karakterin konfliktual të politikanëve shqiptarë, ai asnjëherë nuk ra në grackën e nxitjes ose ndjekjes së këtij konflikti, për ta shndërruar atë në një pengesë të pakapërcyeshme për zhvillimin e përparimin e vendit. Ndërsa politika e atëhershme dhe e sotme në të gjitha trojet shqiptare nuk hoqi dorë asnjëherë nga konflikti i brendshëm, duke dëmtuar rëndë interesat e kombit. Të jesh rugovist do të thotë të heqësh dorë nga konflikti i brendshëm politik e social, ta pranosh partneritetin dhe bashkëpunimin , transparencën dhe dialogun si të vetmen mundësi për zhvillim dhe progres, të vendosësh argumentin në vend të vetos e bojkotit, të përcaktosh prioritete në politikë jashtë dëshirave dhe interesave personale. 8. Nëse ka ndonjë politikan pas Sami Frashërit dhe Vaso Pashës, i cili të jetë përcaktuar njëmijë përqind pro aleatëve natyralë të shqiptarëve, ky ishte Ibrahim Rugova. Ende sot e për shumë kohë nuk do të ketë një të dytë të përcaktuar aq qartë e dukshëm në vendosmërinë e këmbnguljen e tij për miqësi me SHBA-të dhe partneritet me vendet kryesore të kontinentit europian, si e sa Ibrahim Rugova. Ai ishte i gatshëm të sakrifikohej vetëm që kjo aleancë e miqësi të mos dëmtohej. 9. Ibrahim Rugova ishte dhe mbetet i vetmi lider politik i shqiptarëve që përcaktohej qartë në përballjet e tij me armiqtë e kundërshtarët e Kosovës duke mos lëshuar në asnjë rast në dëm të interesave të kombit të tij. Ai ishte interlekutori dhe interpreti më i qartë dhe vendosur i vendosur i interesave të shqiptarëve si në tavolinat e përballjes me armqitë dhe kundërshtarët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe me aelatët dhe miqtë e saj. Ai mbetet i vetmi lider politik i shqiptarëve që pranoi të artikulojë veset dhe sjelljet e këqia të shqiptarëve, duke u bërë plotësisht i besueshëm në strategjinë dhe diskursin e tij për denoncimin e krimeve serbe në Kosovë. Ky element u ka munguar negociatorëve të mëvonshëm të shtetit më të ri të Kosovës. Në vend të argumentit te shumica e politianëve tanë pas Rugovës shfaqet paranoja dhe mbivlerësimi i vetvetes e për këtë arësye Beogradi ka fituar epërsi politike e diplomatike në raportet dhe bisedimet me Prishtinën. 10. Integriteti, autoriteti moral, dinjiteti njerëzor, përsonaliteti politik, ishin dhe mbeten tiparet themelore të Dr. Ibrahim Rugovës. Përballë këtij integriteti e përsonaliteti u detyruan të përulen shumica dërmuese të politikanëve të huaj e shqiptarë, u përkulën dhe kërkuan ndjesë personalitetet më të mëdha të politikës dhe letrave shqipe, të cilët kishin atakuar me të padrejtë liderin historik të shqiptarëve. Në të gjallë të tij dhe pas vdekjes u përulën para këtij burri në radhë thuajse të gjithë politikanët e Kosovës, të cilët ndoshta dëshironin likuidimin e tij fizik e politik. Megjithatë në radhët e atyre që betohen e stërbetohen për Rugovën shfaqen disa kategori hipokritësh dhe besnikësh. Kategoria më e rrezikshme është ajo e kameleonëve, të cilët në të gjallë e pas vdekjes së presidentit historik kërkon të përfitojë nga ai. Kategori e rrezikshme është gjithashtu grupimi që në të gjallë të Rugovës e ka penguar politikën e tij kombëtare dhe tani, pa shfaqur asnjë lloj ndjese, përpiqet të spekullojë për përfitime e mbështetje elektorale me emrin dhe veprën e Ibrahim Rugovës. Kategoria e tretë lidhet me ish-kundërshtarët e liderit historik të Kosovës, të cilët pa u penduar për luftën kundër tij thirren sot në veprën e tij. Kategoria e katërt është ajo e pak politikanëve dhe intelektualëve, që veprën dhe lavdinë e Rugovës e shohin si hije për shpalosjen e veprimtarisë së tyre politike e intelektuale. Më i vlerësuar mbetet e do të jetë grupimi i atyre që e ndoqën liderin historik nga pas në ditë të mira e të vështira e që vazhdojnë edhe sot të këmbngulin jo vetëm në vlerat e tij, por edhe në modelin e Dr. Rugovës. Përulja e politikës para Ibrahim Rugovës do të mbetet hipokrizi, nëse nuk do të shoqërohet me aplikimin e parimeve të këtij personaliteti të shquar në mbrojtje të shtetit të Kosovës, të popullit e të kombit shqiptar.
Krimet politike të SHIK-ut në Kosovë dhe dora e zgjatur e Fatos Klosit
Shkruan: Enver Bytyçi/
U mbushën 17 vjet që kur gazetari dhe atdhetari me emër, Enver Maloku, u vra pabesisht prej falangave të krimit shqiptar. Në foltoren e parlamentit të Kosovës e bija e Enver Malokut, Doruntina Maloku, i është drejtuar drejtpërdrejt kryeparlamentarit Kadri Veseli: “Z.Veseli jeni ju që duhet të jepni përgjegjësi për organizatën tuaj kriminale SHIK, e cila i ka terrorizuar popullin e Kosovës që nga përfundimi i luftës. Eshtë SHIK-u ai që e ka kapur sistemin e drejtësisë, sepse familjet e kundërshtarëve politikë të vrarë në atentate për të cilat mbi SHIK-un dyshimet i ka hedhur edhe NATO-ja, janë ende në kërkim të të vërtetës. Ata enden qe 16 vjetë poshtë e lart zyrave të prokurorëve vendës dhe të huaj në kërkim të drejtësisë”. E vërteta është se të gjitha vrasjet politike të pasluftës janë ende të pazbardhura. Kjo do të thotë se politika në Kosovë është e inkriminuar, sepse vetëm një politikë e inkriminuar kontrollon pushtetin gjyqësor dhe nuk lejon zbardhjen e krimeve politike që ajo vetë i ka kryer. Vrasjet politike nga radhët e LDK-së janë shumë e akoma më shumë janë kriminelët në parlamentin dhe politikën e Kosovës përgjegjës për kryerjen e tyre. Prandaj dekriminalizimi i parlamentit dhe politikës në Prishtinë është domozdoshmëri dhe përgjegjësi për të ardhmen e vendit. Pa dekriminalizimin, pa dënuar fajtorët për vrasjet politike, si ajo e Enver Malokut, nuk mund të ndërtohet paqja sociale dhe konsensusi politik në Kosovë. Por këtë katarsis nuk mund ta bëjë Isa Mustafa, i cili është përzgjedhur në atë detyrë, pikërisht për të mbuluar krimet kundër aktivistëve dhe politikanëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhë nëse ai ndonjëherë flet për këto krime, në fakt nuk guxon të vejë gishtin mbi autorët, organizatorët dhe ideatorët e atyre vrasjeve, pasi është i kapur prej politikanëve kriminelë në pushtet e në opozitë. Kjo është arësyeja pse shumë prej politikanëve të Prishtinës, ndonëse kanë votuar ngritjen e Gjykatës Specialeve për zbardhjen dhe dënimin e këtyre krimeve, janë angazhuar për ta destabilizuar Kosovën, sepse nuk gjejnë mënyrë tjetër për të fshehur edhe më tej gjurmët e krimit. Ndërkaq lind dhe një dilemë tjetër: SHIK-un e Kosovës, të cilin e ka drejtuar në mënyrë jo institucionale e të paligjshme Kadri Veseli, e ka formuar aso kohë ish-shefi i shërbimit sekret të Shqipërisë, Fatos Klosi. Ai ka qenë gjithashtu drejtuesi de facto i kësaj organizate kriminale, siç shprehet zonja Doruntinë. Gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale do të duhet t’i shtrijnë hetimet tek SHIK-u shqiptar i kohës së Klosit, duke marrë në konsideratë se shumë bashkëpunëtorë të Fatos Klosit, me urdhër të tij, ishin të stacionuar si “këshilltarë” të Kadri Veselit dhe drejtuesve të tjerë të kësaj organizate të jashtëligjshme. Dora e zgjatur e Fatos Klosit është përgjakur në vrasjet politike në Kosovë, madje edhe në atentatin që iu organizua presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Përveç kësaj, Gjykata Speciale ka rastin të marrë në hetim dhe ekzaminojë atë që ndodhi me Dr. Rugovën: Pse dhe si u helmua ai? Cila dorë djallëzore e realizoi këtë kat kriminal? Cili nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kishte dorë në këtë vrasjen e tij përmes helmimit? Shqiptarët në Kosovë e dijnë se kush ishte i interesuar për likuidimin politik e fizik të Rugovës. Ata janë të vetëdijshëm se ndonëse Serbia nuk mundi ta likuidojë me dorën e Milosheviçit, ia bëri kurthin dhe e asgjësoi më dorën e shqiptarëve kriminelë. Këta kriminelë duhen zbuluar e dënuar. Sa më shpejt, aq më mirë për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Edhe në këtë rast duhen shtrirë hetimet deri te ish-kreu i SHIK-ut shqiptar, Fatos Klosi.
Doktori sipas Edison Ypit dhe gazetarëve mercenarë Enver Bytyçi Debati dhe replikat midis politikanëve antiberishë kanë qenë një dukuri e zakonshme, me të cilën shqiptarët janë ballafaquar prej më shumë se 25 vite. Por rrallë herë ka ndodhur të kishte debate të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të vendit me gazetarët. Ditët e fundit janë përfshirë në këtë debat pro dhe kundër disa gazetarë. Blendi Fevziu ka preferuar të bëjë replikë, duke e mbyllur me “dëshirën për të mos bërë replikë”. Andi Bushati ka preferuar të “mbrojë” valixhen e të atit, nëse perifrazojmë një gjetje të Çim Pekës. Italioano-shqiptari, Carlo Bollin,o ka zgjedhur ta çojë doktorin në gjyq, sepse për 25 vjet është ngopur me sulmet e tij mediatike kundër Sali Berishës. Ai përsëriste biznesmenin e preferuar të Ramës e Veliajt, duke thënë se na qenka persekutuar për dekada nga doktori. Edison Ypi është ndër të paktët në këtë vend, që preferon të stigmatizojë gjithë këtë paçavure mediatike konfliktuale. Ai e bën këtë në mënyrën e tij brilante, si idealist dhe i përkushtuar ndaj së vërtetës. Ai shkruan se kur Doktori ishte president, kryeministër apo kryetar i opozitës, thuajse të gjithë këta e të tjerë gazetarë me emër i lëpinin fundin e prapanicës. Tani që Doktori nuk ka pushtet ekzekutiv duan t’ia heqin edhe atë që ka: Pushtin moral e politik. Jo se tremben nga pushteti moral i Berishës, por se kanë frikë se mos rikthehet në skenën politike dhe “nëse Doktori bëhet dy herë nuse” nuk do të përsërisë më gabimet e shkuara, kur mbështeste këta gangsterë të gazetarisë shqiptare. Fevziu thotë se “nuk replikoj me Doktorin, sepse e kam patur mik”. Bushati thotë se “Kurrë nuk kam replikuar, por kësaj radhe nuk mund të hesht”. Ata nuk e quajnë replikë dhe kritikë faktin se nuk lënë rast në paraqitjet e tyre televizive pa përbaltur Sali Berishën. Baltën e bën Rama, këta thonë e bëri Berisha. E shumta, për t’u hequr si të pavarur thonë se “Rama po e bën si Berisha”. Bollino thotë se “Jam persekutuar gjithë kohës” nga Doktori. Ndërsa privilegjet që ka pasur nga këta që janë e ata të majtë që ishin në pushtet, favoret dhe bizneset që ka bërë me ta nuk i përmend. Ndërkaq ata që nuk janë përmendur me emër, por që kanë të njëjtin format e janë përkëdhelur nga e majta shkojnë edhe më tej. Vangjeli psh përpiqet të shpikë ngjarje, me të cilat Berisha nuk ka asnjë lidhje,si pengmarrje, djegje gazetash, vrasje, linçime. Nëse do të ishin të vërteta, Vangjeli dhe shefat e tij do ta kishin çuar “alpinin”Berisha në hell. Ky soj gazetarësh ka bërë çmos gjatë një çerek shekulli që ta linçojë Doktorin, ta provokojë, ta denigrojë dhe t’ia nxijë anët pozitive dhe veprat e padiskutueshme që ka bërë për këtë vend. Bushati thotë se “Doktori ishte doktor i babit të tij”. Po ka mjek në botë që nuk i viziton dhe kuron të sëmurët, çfarëdo e kushdo qofshin ata?! Mendja e Andit sajon edhe perversitete si këto. Natyrisht që Berisha është njeri. Në veprimtarinë e tij ka bërë gabime, ka marrë edhe vendime të gabuara, por ky lloj gazetarësh mercenarë i kanë shumëzuar në kub gabimet e Berishës, madje kanë shpifur vazhdimisht për vepra e qëndrime të paqena, me qëllim denigrimin e figurës së tij. Kanë analizuar dhe theksuar gjithmonë anë të qena e të paqena për t’i errësuar ato, si për asnjë udhëheqës e lider politik tjetër në Shqipëri. Kritika mediatike kundër doktorit është unikale në Europë. Ajo niset nga premisa “Përça e sundo”, një premisë e këshillueshme nga shërbimet sekrete dhe shtetet armiqësore me Shqipërinë. Ajo është kritikë e “inatit” shqiptar, që buron nga xhelozia për sukseset e Doktorit. Siç ishin të tilla qëndrimet e kundërshtarëve të Berishës në opozitë sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat për pranim në BE. Nga këto premisa xhelozie opozita e Ramës e çoi vendin në greminë, e bllokoi jetën politike, kulturore e deri diku dëmtoi rëndë zhvillimin ekonomik, derisa shqiptarët thanë “T’ia japim votën këtij të marri, se inshallah ndalon në marrinë e vet të shkatërrimit të Shqipërisë”. Tani të gjithë kritikët e marrë të Doktorit i përmbahen formulës “Fajin e ka Saliu”. Ndërsa Edison Ypiështë nga të paktët që në formën e tij të mrekullueshme rendit sukseset e Berishës në qeverisje: Panimin në NATO, liberalizimin e vizave, ndërtimin e rrugëve. Por këta antidkoktorët gazetarucë të implikuar e të paguar, kur vjen puna te këto suksese të Berishës, thonë jo. NATO, vizat, rrugët, qeverisja humanitare ishin dhuratë ose meritë e të tjerëve. Doktorin e përjashtojnë, sepse ndryshe nuk do të mundin ta denigrojnë. Dhe më paradoksalja vjen kur ata vlerësojnë e çmojnëme servilizëm liderët e sotëm në pushtet, vetëm pse dinë të flasin bukur, edhe pse nuk baëjnë asnjë punë, edhe pse janë e kundërta e Doktorit. Në fakt për shkak të favoreve që sigurojnë prej tyre. Për shkak të favoreve që donin të siguronin ata i serviloseshin shpesh herë edhe Doktorit. Edison Ypi do të mbetet një nga gazetarët më në zë për të vërtetën që ai u servir lexuesve dhe jo thjesht pse ai mbron Sali Berishën, por se thotë e mbron të vërtetën, ndonëse Edisoni asnjëherë nuk shkruan e nuk flet se “do të thotë të vërtetën”. Ata që shpifin dhe e shtrenmbërojnë të vërtetën, ata lobojnë dhe anonçojnë spote se “duan të shkojnë te e vërteta”. Ata që janë kundër vetëvendosjes, ata marrin emrin vetëvendosje. Ata që me inhumanitetin e tyre burgosin çdo ditë qytetarë e vendit, ata bëjnë thirrje për ndihmë humanitare. Doktori nuk kishte nevojë të fliste për humanizëm, sepse drejtimi nga e tij e shtetit ishte një drejtim human. Berisha nuk flet për të vërteta dhe jo të vërteta, sepse në personin e tij e vërteta është e ngjizur. Prandaj e kanë zët Berishën, madje i druhen rikthimit të tij. Kjo është arësyeja pse gazetarët mercenarë e sulmojnë atë edhe sot e duan t’ia zhveshin vlerat, virtytet, cilësitë që ai mbart si njeri, si familjar, si politikan, si burrështetasi i paarritshëm në llojin e vet.
Maskat e patriotizmit në funksion të antishqiptarizmit
Nga Enver Bytyçi/
Kanali televiziv kombëtar, Top Channel, i Tiranës paraqiti në ekran një hartë sinoptike, në të cilën Kosova figuron si pjesë e territorit të Serbisë. Aeroporti i Tiranës ka bërë gjithashtu të njëjtën gjë në faqen e tij të internetit. Po afrohet 17 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe madje çlirimi i saj nga Serbia, po afrohet gjithashtu 8 vjetori i shpalljes së pavarësisë së saj e ndërkohë në Shqipëri po gjallërohen simbolet e dikurshme të sovranitetit serb në Kosovë.
Çfarë po ndodh dhe pse po ndodh kjo?! A kemi të bëjmë me një “lapsus”, apo është një dorë që provokon? Më tej akoma, mos dikush dëshiron të rikthejë si temë diskutimi e kontestimi brendashqiptar të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës?! Jemi shndërruar në një vend të çudirave, paradokseve dhe befasive që prodhojnë ndjesi dhe energji negative, prandaj dhe në këtë vend mund të pritet gjithçka, edhe mohimi i identitetit kombëtar e shtetëror të vetëvetes.
Antikombëtarët thërrasin natë e ditë për nacionalizmin, për vetëvendosjen, për ngjyrat kuq e zi, për bashkimin kombëtar e për dronët, ndërkaq përpiqen të kthejnë kohën e padronëve të periudhës 1941-1948. Hajdutët, të korruptuarit, maskarenjtë që vijnë në pushtet, ushtrojnë pushtetin ose duan ta marrin pushtetin me dhunë, flasin non stop për “duar të pastra”, “qeverisje të ndershme”, flasin për shtet, madje dhe për reforma që bëjnë shtetin e “së drejtës”, por qeverisja e tyre e ushtron të “drejtën e dhunës shtetërore” vetëm kundër të pamundurve, të varfërve, njerëzve idealistë, si dhe kundër inteligjencies! Kriminelët e votojnë gjykatën speciale për gjykimin e krimeve, por nga ana tjetër “gjejnë kasusin” e rrënimit të këtij procesi. Kjo po ndodh edhe sot në Prishtinë me protestën e organizuar nga disa të inkriminuar për gjoja kundër disa të inkriminuarve të tjerë në qeverisje, por që në fakt janë gishta të të njëjtës dorë.
Ata që duhet të shkojnë prapa hekurave, ata që në dy dekada e më shumë shfrytëzuan pushtetin dhe paratë publike për të pasuruar vetëveten, familjen, klanin politico-mafioz, pikërisht ata bëjnë sikur bëjnë reformën e drejtësisë në Shqipëri. E nga ana tjetër, askush nuk beson se mafia do të bëjë një reformë drejtësie antimafie. Ata që janë majmur në pasuri të përfituar me krim të organizuar, ata flasin për drejtësi e shoqëri sociale. Ata që shpenzojnë qindra milionë për evente personale e familjare, ata që bëjnë nga dy dasma në dy javë “me paratë e mamasë”, ata bërtasin çdo ditë për “humanizëm”, për “bamirësi të komshiut të pasur për komshiun e varfër”, madje improvizojnë shfaqje teatrale të neveritshme. Ata që çdo ditë bëjnë bilancin e përfitimeve nga tenderat, pikërisht këta bërtasin në ekrane pa u ndalur kundër hajdutëve, madje në mënyrë komike, duke e zgjedhuar foljen “vjedh” në vetën e dytë e të tretë, por asnjëherë në vetën e parë.
Prandaj nuk do të habitem, nëse ata që prodhojnë etiketa patriotizmi të ndërtojnë platformat e antishqiptarizmit. Nuk do të çuditem nëse shoh se ata që anonçojnë “sabah e aksham” këngë patriotike me flamur, me shqiponjë e me hartën e Shqipërisë etnike, të punojnë në anën tjetër për ta shkatërruar edhe këtë Shqipëri që kemi sot, edhe këtë Kosovë që na e falën NATO e SHBA-të dje.
Pse e lëmë Gonxhen e përjetshme të shqiptarëve “në harresë”?!
Nga Enver Bytyçi/
Nene Tereza, Gonxhja e perjetshme e shqiptareve, do te jete perfundimisht e shenjteruar. Nese popuj te tjere do ta kishin rrit nje vajze e ta benin 18 vjeç, sa ishte Gonxhja e shqiptareve kur iku nga trevat shqiptare per ne boten e lire, e nese keta popuj do te kishin arritur ta kishin nje shenjtore e bamirese si Nena Tereza, do te kishin mundur te ishin me te perkdhelurit ne bote. Ne shqiptaret e kemi Nene Terezen. Ajo na ka bere drite ne te gjalle e na ndriçon edhe sot pas vdekjes. Me shenjterimin e saj ne kemi privilegjin te jemi bekuar prej Zotit! Por ne nuk jemi mirenjohes. Prandaj nuk arrijme qe ikonat boterore me rrenje shqiptare t’i bejme frymezim per suksesin tone! Aq e vertete eshte kjo sa me duket se Nene Tereza eshte shfaq me permasat e hyjnise, qellimisht qe ta mbroje kombin shqiptar prej vete shqiptareve!!! Çfare do te kishte ndodhur mbreme ne Beograd, ne Shkup, ne Podgorice, ne Athine a diku tjeter, nese do te vinte lajmi i shenjterimit te nje bije te ketyre popujve ne permasat e nene Terezes? Secili mund ta imagjinoje. Ndersa tek ne heshtje, heshtje prej shtetit, heshtje prej politikes, heshtje prej organizatave jo qeveritare, heshtje prej kishes, heshtje prej xhamise, heshtje prej akademise. Te gjithe heshtin dhe gati, gati bejne te paditurin. Ky eshte tmerr! Si nuk mesuam te shfrytezojme asetet qe na i jep Zoti per te miren e kombit tone, te imazhit tone, te nderit tone, te dinjitetit tone, te integritetit tone! I gezohemi nje ndeshjeje te humbur furbolli me shume se shenjterimit te Nene Terezes! Dhe e bejme boten te jete e dyshimte: Vertete i perket apo jo Nene Tereza shqiptareve?!
Faleminderit zoti Kryeministër!
Shkruan: Enver Bytyçi/
Gjithkush në këtë vend e di se PS e para saj PPSH kanë patur dhe kanë një ndjesi dhe refleks antiverior. Ndre Legisi, një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste, e përmendi këtë fakt para disa muajsh, duke pohuar një të vërtetë të padiskutueshme. Jam përpjekur të shmangem në trajtimin e kësaj teme dhe madje nuk kam botuar shumë shkrime të këtij karakteri atëherë kur botoja revistën KOHA, në vitet 1998-2002. Ndonjë nga miqtë e mij kolegë më ka tërhequr vëmendjen për këtë, por jemi pajtuar në diskutime ose në heshtje se hapja e diskutimit për diskriminimin krahinor nuk i shërben pajtimit kombëtar dhe të ardhmes së vendit tonë. Vazhdoj të mbetem në këtë linjë mendimi, sepse më shumë se shtëpia ime e krahina ime më dhimbset Shqipëria, kombi e atdheu.
Megjithatë kryeministri Rama me deklaratën e tij në Sarandë atakon dhe fyen jo vetëm Berishën, por edhe ata që ai i quan “shpellarë”. Kur nuk ishte kryetar i PS-së dhe kryeministër pati artikuluar shumë herë fyerje të tilla. Si kryeministër deri më sot e ka shfaqur urrjetjen e tij krahinore duke u tallur me ata që ai quan votues të tij në Veri. Kush i ka ndjekur takimet e kreut të ekzekutivit në dy fushatat elektorale e sidomos këtë të fundit për zgjedhjet vendore, ka parë se si në batutat e tij zoti Rama ironizonte dhe fyente qytetarët e këtij vendi me prejardhje ose banorë të asaj që ai i quan Alpe. Këto qëndrime vijnë të freskëta në memorien tonë edhe në rastin e shpërndarjes së tapive elekorale të kryeministrit tonë.
Por në rastin e sotëm, me deklaratën e tij në Sarandë, i mbështetur plotësisht nga Koço Kokëdhima, Rama i shkoi deri në fund misionit të tij: Sipas tij pronat e pronarëve i kanë zaptuar njerëzit e ardhur nga Alpet (shpellat) që atë ditë që Saliu mori pushtetin. Alpet dhe Berisha jënë në të vërtetë një sinonim I njëri-tjetrit. Ndërsa socialistët si kurrë ndonjëherë ndokush, si kurrkund në ndonjë vend tjetër në botë, e shndërruan në kauzë lidhjen që i bënë, sipas tyre “shpellës-shpellarëve dhe Berishës”, të cilit preferojnë t’i thërrasin “Saliu”. Unë e kam ditur gjithmonë se Sali Berisha është sulmuar që ditën e parë, jo si opozitar, por si “malok”, nëse do të përdornim zhargonin që Edi Rama përdor jozyrtarisht. Eshtë në metodologjinë dhe doktrinën e socialistëve dhe ideologjisë socialiste që të luftojnë njeriun në qenien e tij biologjike. Lufta biologjike është karakteristikë e sojit të marksistëve që sot janë në pushtet. E tillë ishte lufta kundër Sali Berishës gjatë më shumë se 25 viteve dhe e tillë do të mbetet deri në fund. Të tillë luftë biologjike bëri psh Milosheviçi në Kosovë. Por ka edhe shembuj të tjerë, më i tmerrshmi prej të cilëve përmendet holokausti.
Kjo luftë biologjike është zhvilluar sistematikisht, çdo ditë, çdo orë, me një regji perfekte, me regjizor, skenaristë, aktorë, dhe figurantë të shumtë. Janë paguar miliona për suksesin e kësaj lufte. Me para nga aferat e korrupsionit, trafiqeve dhe spiunazhit. Qëllimi ka qenë i njëjtë: Rrëzimi i Berishës nga pushteti ose pamundësinë e marrjes së pushtetit prej tij. Megjithatë artikulohej me disa definicione relative si “primitivë”, “arkaikë” etj. Edi Rama dhe zevendësi i tij, Koço Kokëdhimë i dhanë fund sot narrativave të tilla. Ata dolën hapur, prandaj meritojnë falenderimet e mia të veçanta. Në fund të fundit u bënë me dije socialistëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste në Veri të vendit tonë se janë antiveriorë, se kanë sentiment urrejtjeje biologjike për Veriun e Shqipërisë, se nuk e durojnë veriorin në pushtet, madje as në administratën shtetërore, as në hierarkinë gjyqësore apo ushtarake. Pra, janë për një luftë me armë ideologjike biologjike. Nëse do të bënim një studim për përkatësinë krahinore të të larguarve nga administrate e shtetit pas vitit 2913, do të kishim një statistikë lemeritëse sa I përket diskriminimit të veriorëve. Megjithatë askush nuk është ankuar me këtë arësyetim. Nëse do të përdorja shembuj që njjoh vetëm unë, do të duhej një listë aq e gjatë sa nuk do të mund t’i nxinte asnjë gazetë. Megjithatë asnjëhërë, askush nga veriu, qoftë ky politikan a diçka tjetër me ndikim në opinionin publik, nuk e ka artikuluar këtë fakt. Megjithatë Edi Rama nuk ndalet. Ai fyen kolektivisht qytetarët e tij, zgjedhësit e tij, votuesit e tij, ata që u bashkuan para më shumë se dy vitesh në “shuplakën njëmilionëshe kundër Sali Berishës”. Tani që këta votues po i bëjnë thirrje Berishës të rikthehet, se Rama po ua nxin jetën, kryeministri ynë po përdor kartën e fundit që i ka mbetur, përçarjen krahinore. Nuk kishte bërë më shumë se kaq dikur në vitin 1914-1924 Esat Pashë Toptani. Të dy, Toptani dhe Rama, njësoj si diktatori Hoxha veprojnë me të njëjtin synim: Pushtetin – pa marrë parasysh faturën që do të mund ta paguajnë shqiptarët.
Kryeministri ynë i bën me dije edhe atyre pak naivëve në Kosovë, të cilët besojnë se Edi Rama është patriot, se fyhreri ynë, fatkeqësisht, ska kurrëfarë lidhje me patriotizmin, me flamurin, me kombin e atdheun. Një kryeministër që e ndan territorin e tij që administron në të mirë e të këqinj, që i etiketon njerëzit sipas përkatësisë krahinore, fetare a sociale, ai kryeministër është më e pakta një udhëheqës përçarës i familjes së vet kombëtare. Lufta biologjike kundër alpinëve (shpellarëve) është edhe luftë kundër Kosovës, sepse në thelbin e saj pushteti konceptohet si tapi e krahinave dhe krahinarizmave në Shqipërinë e Edi Ramës. Me Kosovën dhe Shqipërinë në një shtet të përbashkët peshorja e pushtetit do të anonte kundër Edi Ramës, por jo kundër patriotëve të mëdhenj të Jugut të Shqipërisë.
Përdorimi i kësaj teze antishqiptare është në fakt një përpjekje e fundit e kryeministrit shqiptar për të garantuar disa vota më shumë të atyre që besojnë se “malokët janë e keqja e Shqipërisë”. Ndoshta ka njerëz në këtë vend që mun edhe të besojnë se jo Rama, por Berisha është e keqja e Shqipërisë. Prandaj i gjendur përballë presionit të jashtëzakonshëm për largimin nga pushteti, Rama lëshoi sot “bombën atomike” të përçarjes kombëtare. Nesër ka rrezik që t’i drejtohet komuniteteve fetare, duke i shtyrë ato në një konflikt të pamerituar. Edhe për këtë kryeministri duhet falenderuar. Sepse pas kësaj dite të gjithë në Shqipëri duhet të jenë të kujdesshëm, jugorët, veriorët, muslimanët, katolikët dhe ortodoksët. Dhe jo vetëm të kujdeshshëm, por edhe të vendosur për t’i thënë ndal këtij turi armiqësor që ka marrë kryeministri shqiptar kundër shqiptarëve.
Zoti Rama mendon se ofendon dhe fyem vetëm malësorët me deklarimet dhe ndjesitë e veta antiveriore. Në të vërtetë ai përgatit një dramë për shqiptarët, atë dramë, të cilën ne nuk e lamë të na ndiqte në asnjë periudhë të zhvillimit dhe civilizimit tonë, as në antikitet, as në mesjetë, as nën Perandoorinë Osmane, as nën mbretërinë e Zogut, as në regjimin e diktaturës komuniste. Këto 25 vite që kaluan në demokraci politika nuk ka bërë shumë për këtë vend. Por së paku ka parandaluar një konflikt të hapur e të rrezikshëm mbi baza krahinore e fetare. Viti 1997 bën përjashtim, ai ishte viti i artë i lulëzimit të të gjitha paradokseve antiveriore. Por falë tolerancës së “malokëvë” përballë atyre që kërcënonin të marshonin drejt Tiranës nuk përfundoi në një luftë civile.
Edi Rama dhe Koço Kokëdhima, ndoshta duan të përgatisin një 1997-të të dytë. Kjo nuk do të ndodhë. Sepse “malokët” nuk kanë kurrëfarë fobie përballë askujt në këtë botë. Produkt i civilizimit (apo shpellarizmit, sipas Ramës) në Alpe dhe rreth tyre ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pjetër Bogdani, ai që ndërtoi shtetin e parë shqiptar, pra Ahmet Zogu, bamirësja më e madhe e të gjitha kohërave dhe në të gjithë botën, Nënë Tereza, pacifisti i rangut ndërkombëtar dhe njëkohësisht nacionalisti I thekur, Ibrahim Rugova, liberatori më i madh në historinë tonë moderne, Sali Berisha, heroi i demokracisë shqiptare, Azem Hajdari. Prandaj zoti Rama nuk e komplekson dot Veriun, nuk mund të injorojë produktin e Alpeve Shqiptare, nuk mund të sfidojë askënd me deklarata të tilla. Thjesht dëshmon atë çfarë ai është dhe çfarë në të vërtetë përfaqëson. Edhe ose thjesht për këtë meriton respekt. Thuhet se po nuk dëshmove vetë se kush je, askush nuk e merr vesh se çfarë përfaqëson. Zoti Rama e tha me gojën e tij se kush është dhe çfarë përfaqëson për këtë vend. Edhe kjo është një ndihmë e madhe për publikun shqiptar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 19
- 20
- 21
- 22
- 23
- …
- 29
- Next Page »