Nga Enver Bytyçi/
Sipas nevojave Edi Rama ka cituar dhe citon gjithkend, madje dhe kundërshtarët e tij politikë. Në opozitë kishte për zemër të thirrej në trashëgiminë politike të Fan Nolit, edhe pse në pushtet ndoqi një praktikë antinoliste! Në muajt e parë të pushtetit u përpoq të thirrej në emrin e Faik Konicës e shkoi deri te Çabej. Por pa mbërritur te Fishta, sepse Fishta nuk e ndihëmon kryeministrin tonë për asgjë. Jo thjesht se ai ishte gegë, por sepse trashëgimia e Fishtës nuk u përshtatet aleancave, intrigave dhe pështjellimeve akriobatike të Edi Ramës. Ndërsa javët e fundit Rama dhe Thaçi, të zënë ngushtë në aventurën antishqiptare të ndarjes së Kosovës në favor të Serbisë, po thirren në emrin e Ibrahim Rugovës. I pari ishte Hashimi ai që tha në Prishtinë se “Ibrahim Rugova ka qenë për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë”! Më pas Edi u përpoq në mënyrën e vet imponuese ta përforcojë këtë në një dalje televizive të para dhjetë ditëve. “E çfarë është kjo? Vetë Rugova ishte për ndryshimin e kufijve”, thoshte kryeministri, duke u hakërryer ndaj gazetarëve. Besonte se emri I Rugovës i jepte atij edhe të drejtë dhe siguri. Ndërsa në Prishtinë nuk ka pranuar asnjëherë ta respektojë kolosin e pavarësisë së Kosovës. Hashim Thaçi e përdor Rugovën pak më me efektivitet. Përdori për këtë lidhje “kundërshtarin” e vet të dikurshëm, Bujar Bukoshin. Por në rastin e promovimit të ndarjes së Kosovës, presidenti i vendit thotë se “Rugova ishte shprehur për shkëmbim territoresh”, me qëllim zgjidhjen e konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit. Gazetarët mercenarë përsërisin ritualisht deklaratën e Thaçit dhe Edi Ramës për gjoja mbështetjen që ata gjetkan në idetë e tyre te një deklaratë ose shënim i Rugovës i vitit 1992. Mercenarizmi ndaj pushtetit është tipari kryesor i gazetarisë së sotme në Shqipëri dhe në Kosovë. Ndërkaq objektivi i Thaçit, Ramës dhe mercenarëve që u shërbejnë në media është I dyfishtë: – Nga njëra anë të legjitimojnë aksionin e tyre antishqiptar të tjetërsimit të territoreve, nga ana tjetër të njollosin figurën dhe personalitetin e themeluesit të shtetit të së drejtës në Kosovë. Së paku t’i bindin shqiptarët se “Rugova ishte si ne” dhe se “ne jemi si Rugova”! Por pse spekullohet aq shumë me Ibrahim Rugovën? Sepse kundërshtarët e ndryshimit të kufijvë ose shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë janë kryesisht ata që i besojnë doktrinës së filozofisë kombëtare dhe politike të ish presidentit historik. Sipas doktrinës së doktor Rugovës “Serbët shikojnë me këtë ndarje se cila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëhetrë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave”( Ibrahim Rugova 1992). Si për ta vërtetuar qëndrimin dhe vizionin e Ibrahim Rugovës në mbrojtje të teritorit të Kosovës dhe pavarësisë së saj, Bernard Kushner shkruante: “Rugova ishte kokëfortë, ishte vështirë ta bindnim. Kishte bindjet e tij të prera dhe nuk pranonte asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës”! I tillë Rugova mbeti deri në fund të jetës së tij. I pakompromis për arritjen e pavarësisë së vendit dhe mbrojtjen e territorit të Kosovës! Eshtë e pamundur që në një koment të përmbledhësh gjithë ato deklarata dhe qëndrime të Ibrahim Rugovës, me të cilat ai dëshmon se jo vetëm kundërshtoi çdo ndarje dhe tjetërsim të integritetit territorial të vendit, por njëkohësisht nuk lëshoi kurrë në çeshtjen themelore, krijimin e shtetit të pavarur, ose siç e shprehej vazhdimisht, “në të kundërt bashkimin me Shqipërinë”! Edi Rama dhe Hashim Thaçi thirren këto kohë në Ibrahim Rugovën për të fshehur faktin se ata janë e kundërta e tij. Ata të dy nuk kanë parime, nuk kanë ndjesi atdhetare të tilla si ato të Rugovës. Ndaj i drejtohen spekullimeve me emrin e tij dhe keqpërdorin nga ana tjetër simbolet kombëtare për të manipuluar dhe fshehur qëndrimet e tyre antikombëtare. Të dy liderët e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë kanë të përbashkët konceptin titist të Vukmanoviç Tempos për “bashkëim-vëllazërim” me serbët, edhe kur në Beograd përgatiten për dhunimin e shqiptarëve dhe territorit të tyre. Kjo dramë e re që Rama, Vuçiq dhe Thaçi përpiqen ta ringjallin në rajonin tonë duhet të marrë fund. Këtyre përpjekjeve nuk ju vjen në ndihmë Ibrahim Rugova. Por këtyre dy liderëve antishqiptarë nuk pu u ndihëmojnë fatmirësisht as krerët e institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri. Nuk u vjen në ndihmë as opinioni publik, gjithashtu kiderët e vendeve të rajonit dhe ato euro-amerikane. Prandaj duket se projekti Vuçiq-Rama-Thaçi për ndarjen e Kosovës do të dështojë. Megjithatë nga këta të tre duhet patur kujdes pikërisht në momentin kur duket se ata kanë humbur shanset për realizimin e projekteve personale të tilla. Tiranë, më 06.10.2018