• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

3 SHTATOR 1920, DITA E RISHPALLJES SË PAVARËSISË KOMBËTARE

September 15, 2013 by dgreca

3 shtator 1920 – 2013; 93 vjetorit të Luftës heroike të Vlorës/

 Intervistë me studjuesin Enver Memishaj – Lepenica/

-Zoti Lepenica ! Ju keni botuar dy vepra për udhëheqësit e Luftës së Vlorës, 1920: “Emblema e një epopeje” dhe “Major Ahmet Lepenica…” Si janë vlerësuar këto vepra?

E. Memishaj: “Emblema e një epopeje”, flet për 12 anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dhe 2 komandantët e luftës. Recenca është bërë nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu në  Institutin e Historisë dhe Prof. Dr. Uran Asllani, vlerësime që janë botuar në hyrje të librit, si dhe janë shkruar e botuar shumë artikuj në shtypin e përditshëm.

“Major Ahmet Lepenica … “, është monografi për Komandantin e Përgjithshëm të Luftës së Vlorës, 1920. Vepra është vlerësuar nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh dhe është promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Mbrojtjes, si dhe janë shkruar shumë artikuj në shtypin e përditshëm.

Pra të dy veprat janë vlerësuar si punime të mirëfillta shkencore.

– Pse duhet vlerësuar Lufta e Vlorës, cilat janë të veçantat e kësaj lufte?

E. Memisha: Për për të kuptuar, veçorinë dhe rëndësinë që ajo luftë ka në historinë e tonë, duhet të kthehemi pak pas. Më 17 dhjetor 1912, Konferenca e Ambasadorëve njohu Shqipërinë autonome, nën sovranitetin e Sulltanit dhe nën garancinë dhe kontrollin Fuqive të Mëdha.

Më 29 korrik 1913, Shqipëria u shpall principatë autonome, sovrane e trashëgueshme, çdo lidhje me Turqinë pritej, shpallej asnjanëse nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha.

Mbi bazën e këtij vendimi më 7 mars 1914, arriti në Durrës, princi Vilhelm fon Vidi, dhe më 17 mars 1914, formoi qeverinë nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, që filloi më 4 gusht 1914, në krah të Antantës  (Anglisë, Francës dhe Rusisë), u radhit edhe Italia, së cilës më 26 prill 1915, i dhanë si shpëblim territoret shqiptare dhe i kërkuan që ajo nuk do të kundërshtonte dëshirën e Antantës, për t`i dhënë Serbisë e Malit të Zi zonat veriore, ndërsa Greqisë zonat jugore të Shqipërisë, kështu që Shteti shqiptar mbetej vetëm Shqipëria e Mesme nën protektoriatin italian.

Më 18 janar 1919, filloi punimet në Paris, Konferenca e Paqes e cila e trajtoti Shqipërinë, megjithëse asnjanëse, më keq se shtetet që humbën luftën, pra çështja shqiptare do të zgjidhej sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915.

Në vazhdim të punimeve të Konferencës, Italia dhe Greqia, më 29 korrik 1919, nënshkruan një marrëveshje, sipas së cilës Italia do të mbështeste Greqinë për të aneksuar Korçën e Gjirokastrën, ndërsa Greqia do të përkrahte aneksimin e Vlorës dhe mandatin mbi pjesën e mbetur të shtetit shqiptar.

Para, sipas këtyre marrëveshjeve, Lufta e Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes e kishte përmbysuar Pavarësinë Kombëtare, Shqipëria ishte coptuar ndërmjet fqinjëve dhe shteti shqiptar nuk ekzistonte më.

Patriotët shqiptar vendosën t`i dilnin vet zot vendit të tyre prandaj më 21 janar 1920, mbajtën  Kongresin e Lushnjës, i cili për herë të parë në historinë e Shqipërisë e shpalli vendin të pavarur, dhe që nuk i njihte marrëveshjet e Fuqive të Mëdha.

Por, pavarësisht vendimeve të këtij kongresi Shqipëria vazhdonte të ishte e pushtuar: në Jug nga Greqia, në Veri nga Serbia dhe Vlora, Tepelena dhe Gjirokastra nga Italia, pra vendimet e Kongresit, ishin formale dhe  mbeteshin në letër.

Në këto rrethana vlonjatët rrëmbyen armët dhe bënë Luftën e Vlorës, fitorja e së cilës, vulosi me gjakun e 400 dëshmorëve vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe hodhi poshtë planet armiqësore të Fuqive të Mëdha dhe të fqinjëve grabitqar, për coptimin e tretë të Shqipërisë.

-Cilët ishin udhëheqësit kryesorë dhe nga kush u mbështet kjo luftë?

E.Memisha: Ideja e çlirimit të Vlorës nga pushtuesi italian dhe bashkimi sajë me qeverinë e Sulejman Delvinës lindi në Vlorë nga elita e patriotëve vlonjatë dhe u mbështet nga gjithë populli shqiptar dhe në  fshehtësi nga qeveria e Sulejman Delvinës.

Vlonjat, që nga dita e pushtimit italian, më 25 dhjetor 1914, në përpjekjet e pandërprera për liri, arritën që më 29 maj 1920 të formonin Komtetin e “Mbrojtjes Kombëtare” që do të organizonte dhe udhëhiqte luftën çlirimtareme të Vlorës.

Në krye të Komitetit u zgjodh patriota i shquar Osmën Haxhiu( 1885 – 1937) dhe anëtarë: Sali Bedini (1850 – 1938), Hamit Selmani (1844 – 1923), Duro Shaska (1859 – 1924), Hazbi Canua (1860 – 1931), Beqir Agalliu (1886 – 1944), Ali Velça (1868 – 1943), Alem Mehmet (1869 – 1926), Hysni Shehu (1880 – 1938), Qazim Kokoshi (1882 – 1947), Murat Miftar (1881 – 1948) dhe Myqerem Hamzaraj  (1895 – 1946).

Komiteti shpalli mobilizimin e popullit për luftë, duke zgjedhur edhe Shtabin e Luftës, në krye të të cilit u emërua patrioti i shquar, major Ahmet Lepenica.

Në Shtabin e Luftës u zgjodhën ish oficerë të shkëlqyer të Perandorisë Osmane: Ibrahim Abdullahu (1880-1955), major Ismail Haki Kuç (1866-1920), major Ismail Haki Libohova (1873-1928), kapiten Qazim Koculi (1883-1943), kapiten Ahmet Muka (1885-1947), toger Halil Kajo (1880-1921), toger Aziz Çami (1893-1943), toger Abdurrahman Çiraku (1887-1967), toger Elmas Ademi ( ?  )

Udhëheqësit e Luftës së Vlorës duhen vlerësuar jo vetëm se ideuan, organizuan dhe udhëhoqën në fitore një nga betejat më të rëndësishme të historisë sonë, dhe rishpallën Pavarësinë Kombëtare, por edhe për një veçori tjetër: ata e filluan dhe e mbajtën luftën me pasurinë e tyre nga data 5 deri në 10 qershor 1920.

Peshën kryesore të kësaj lufte e mbajti Vlora me forca të gjalla, me armatim, me municion, me barna dhe me ushqime, se vetëm në 10 qershor 1920, arritën në Vlora ndihmat e para nga ana e Beratit.

-Sa zgjati Lufta e Vlorës ?

E.Memishaj:  Lufta filloi më 5 qershor 1920, dhe brenda një natë e një dite ranë të gjitha garnizonet italianë të dislokuara jashtë qytetit të Vlorës. Kryengritësit e rrethuan Vlorën dhe e mbajtën në një darë të hekurt.Vlora u sulmua më 10 qershor, kryengritësit përballuan kundërsulmin armik më 18 qershor dhe sulmuan përsëri 22 korrik 1920. Pas fitoreve të shqiptarëve dhe dy sulmeve mbi Vlorë, Italia u detyrua të nënshkruaj më 2 gusht 1920 njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërheqien nga tokat shqiptare.

Më 3 shtator 1920, nëVlorë, u festua me madhështi, nga i gjithë kombi shqiptar, rishpallja e Pavarësisë Kombëtare që ishte rrjedhojë e fitores së Luftës së Vlorës. Nga ai vit 3 shtatori, ka qënë për vlonjatët një festë kombëtare që çmohej e vlerësohej si 28 nëntori i vitit 1912. Kështu festohej kjo festë deri më 29 nëntor 1944. Pas kësaj date komunistët e harruan dhe nuk e festuan më 3 shtatorin sepse atë lufte e kishin udhëhequr bejlerët dhe agallarët që ishin gjakpirës të popullit!

-Si u arrit fitorja e luftës ndaj një Mbretërie 40 milionëshe?

 

E. Memishaj: Shqipëtarët kishin të drejtë ta sulmonin Italinë befasisht sikundër ajo pabesisht e kishte pushtuar vendin, por ata që drejtonin luftën ishin burra të shquar me një qartësi dhe largpamësi të admirueshme. Ata i dërguan Komandës Italiane një ultimatum sepse: duhet të tregonin se ishin shtet, se do të luftonin, ballë për ballë dhe kjo luftë duhej të dihej e të njihej nga Europa që e kishta coptuar Shqipërinë.

Ultimatumi thoshte: Hiquni nga Vlora ose do të kemi luftë! Pra një grusht shqiptarësh i shpallte luftë një mbretërie 40 milionshe, nga më të fuqishmet e kohës, që kishte dalë fitimtare nga Lufta e Parë Botërore.

Fitorja u arrit sepse shqiptarët bënin një luftë të drejtë, për liri.Në një luftë të tillë, shpërthen patriotizmi dhe vetmohimi ashtu siç ndodhi edhe në Vlorë në vitin 1920. Kryengritësit ishin betuar se do të luftonin deri në shuarje të njerës palë, thuhej në ultimatumin e dërguar pushtuesit. Pra luftëtarët do të  ktheheshin në shtëpi me fitore ose të vdekur. Për këtë arsye çetat u ndanë për të luftuar larg vendlindjes, kështu psh: çeta e Dukatit kalonte malin e lartë dhe vinte të luftonte në Gjorm, çeta e Gjormit dhe e Lepenicës kalonte malin dhe shkonte të luftonte në Llogora të Dukatit e kështu me radhë.

Lufta e Vlorës u përballua nga i gjith populli të pasur e të varfër, burra e gra fëmijë dhe pleq me një solidaritet që nuk ishte parë më parë.

Një rol të veçantë në këtë luftë pati patriotizmi i gruas vlonjate, që shkuan në luftë në krah të burrave si Rubie Hosi, Hanko Merte, Sartë Rrokaj, Sado Koshena Zakine Krasta, Safë Musai etj.

Në fitoren e luftës, një rol të rëndësishëm luajti vendosmëria, mbështetja dhe ndihma e qeverisë së Sulejman Delvinës, e cila nuk doli haptas pasi do të konsiderohej se i shpallte luftë Italisë, luftë të cilën nuk mund ta përballonte dot, kështu që qeveria la të kuptohej se ishte një kryengritje popullore që qeveria nuk kishte gisht në të.

Qeveria e Sulejman Delvinës, duke qënë e bindur se nga fati i Vlorës varej fati i Shqipërisë,  ishte e vendosur ta çlironte Vlorën me çdo sakrificë.

Shtypi ndikoi në zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, veçanërisht gazeta “Drita”, që botohej në Gjirokastër nga Veli Hashrova.

Në fitoren e luftës influencoi edhe faktori jashtëm. Lufta u përkrah nga të gjitha kolonitë shqiptare, nga Amerika erdhën vullnetarë për të luftuar.

Proletariati italian,i lodhur nga katër vjet të Luftës Parë Botërore u ngrit në greva e demonstrata të fuqishme dhe nuk lejuan t`i dërgoheshin ndihma ushtrisë italiane në Vlorë. Në Parlament, Partia Socialiste punoi shumë kundër luftës, duke kërkuar tërheqien e trupave nga Vlora.

Fitorja e Luftës së Vlorës, ishte kurorëzim i përpjekjeve të popullit tonë, për ta parë atdheun e tij përsëri të lirë dhe të pavarur. Vlonjatët dhe gjithë populli shqiptar, me fitoren e Luftës së Vlorës, bënë pluhur e hi planet armiqësore të fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha; Anglisë, Francës, Italisë dhe Rusisë, për coptimin e Shqipërisë dhe për zhdukjen e saj nga harta politike e Europës si shtet i pavarur dhe sovran.

Lufta e Vlorës qe vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Si luftë çlirimtare zë një vënd të rëndësishëm në historinë e vëndit tonë. Këtej e tutje nuk mund të mendohej më për coptimin e

Shqipërisë gjë që edhe u vërtetua në fakt.

 

– Cili është mendimi i studiusve dhe historianëve, për rëndësinë e kësaj lufte?

 

E. Memishaj: Për këtë ngjarje historike ka pasur dhe ka një mirëkuptim të plotë ndërmjet studiusve dhe  historianëve: Lufta e Vlorës më 1920, rishpalli Pavarësinë Kombëtare, të përmbysur e harruar nga Lufta e Parë Botërore. Pa u zgjatur shumë le të citojmë dy nga autoritetet e shquara të historisë sonë.

Prof. Dr. Muin Çami e përkufizon rëndësinë e kësaj lufte me këto fjalë: “Vendimet e Kongresit të Lushnjës për të mbrojtur me çdo kusht pavarësinë dhe tërësinë territoriale të vendit, i vuri në jetë Lufta e armatosur e Vlorës… Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar shpëtoi vëndin nga një fund tepër tragjik, nga coptimi i tretë i trojeve shqiptare… E drejta e kësaj krenarie i takon në radhë të parë popullit të Vlorës dhe të krahinës… Faktori i brëndshëm luajti rolin vendimtar në rifitimin e pavarësisë të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes të integritetit të tij territorial.”

(Muin Çami “Shqipëria në marrdhëniet ndërkombëtare 1914-1918”, Tiranë 1987, f. 331)

Prof. Dr. Arben Puto thotë se: “Lufta e Vlorës përbën një ndër faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë së pavarur… Nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, si Kongresi i Lushnjës ashtu edhe Lufta e Vlorës, mund të barazohen me shpalljen e Pavarësisë në nëtor të vitit 1912”.

(Arben Puto “Shqipëria politike 1912 – 1939”, Toena, tiranë 2009, f. 273)

–  Si është vlerësuar kjo luftë në  regjimin komunist ?

E.Memishaj: Lufta e Vlorës dhe udhëheqësit e sajë nuk u vlerësuan në regjimin komunist, sepse sipas komunistëve atë luftë e kishin bërë bejlerët dhe agallarët që ishin gjakpirës të popullit !?

Lufta u falsifikua, sikur gjoja ishte organizuar dhe udhëhequr nga fshatarët e varfër edhe sot më ndonjë rast përmënden si udhëheqës fshatarët e varfër që ranë  dëshmor në këtë luftë dhe para tyre duhet të përulemi me nderim, por ata nuk qenë udhëheqës dhe nuk mund të ishin të tillë.

Jo vetëm që lufta u falsifikua por udhëheqësit e asaj luftë heroike, familjet dhe të afërmit u persekutuan egërsisht. Kështu ndodhi me familjen e Osmën Haxhiut, Sali Bedinit, Hamit Selmanit. Djali vetëm i Duro Shaskës, Sadiku për t`i shpëtuar ndëshkimit komunist në nëntor të vitit 1944 u arratis jashtë shtetit së bashku me 3 kushërinj të tij, 4 nipa të tjerë që mbetën në Shqipëri u burgosën. Kujtimi djali i  Ali Beqirit var në litar në vitin 1946.

Alem Mehmetit i grabitën pasurinë, i dogjën shtëpinë dhe djali vetëm Mehmeti u arratis jashtë shtetit. Tre djemtë e Hysni Shehut: Temua, Suloua dhe Raufi vdiqën në burgjet komunite. Qazim Kokoshi vdiq në burgun e Vlorës dhe gjithë të afërmit e tij kaluan nëpër burgjet e zeza komuniste.Ventigjari djali  Myqerem Hamzarajt u dënuan me 20 vjet burg.

Po këtë persekucion barbar pësoi edhe Shtabi i Luftës. Qazim Koculi u vra nga mercenarët dibranë në janar të vitit 1943, djali dhe vajza e tij vuajtën burgun. Aziz Çami u vra me atentat më 15 dhjetor 1943, nga komunistët, e kështu me radhë.

Vetëm në vitin 1962, në 5O vjetorin e Pavarësisë Kombëtare u vlerësuan dëshmorët dhe disa udhëheqës të kësaj luftë por jo sipas meritave.(Intervistoi: Intervistoi: Albert Zholi)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Xholi, Enver Memishaj, Interviste

ENVER MEMISHAJ,PROFILI I NJE STUDIUESI NË NJË LIBËR

June 6, 2013 by dgreca

NGA QAZIM SHEHU/

Enver Memishaj gjithnje e me teper po dëshmon se puna përkushtuese, studimi hulumtimi dhe nxjerrja nga harresa e fakteve te mbuluara prej historiografisë së vjetër , jo vetëm është një moto e tij, pasion vullnet, por edhe nje detyre qytetare ,atdhetare, e cila kerkon kembëngulje skrupolizitet dhe lodhje.Pas librit të suksesshem për Ahmet Lepenicën ku ai vendosi raporte të reja njohje për Luftën e Vlorës,1920, dhe përmbysi larg çdo tendence ideologjike disa mite te sajuara prej komunizmit,Enveri vjen me një libër të ri :”Prefektet e Vlorës”.Botimi i autorit në këtë fushë, plotëson një boshësi njohjeje, dhe sjell duke shtruar nevojën e konfirmimit të vlerave të atyre personaliteteve të cilët e u gjendën në krye të njësive administrative të shtetit shqiptar në kohë të qeta dhe të vrullshme, për të dhënë ndihmeën e tyre në sendërtimin dhe përhapjen e ligjit në shtresa të popullsisë.

Nganjëherë historia e shtetit shqiptar kapet në kulmet e saj dhe figura të cilat janë vendosur në të, vetëm duke shikuar nivelet më të larta dhe harrohet se historia është më e gjërë, më verikale dhe ka nevojë të njihet e të kompletohet në krejt tablonë e saj.Një studiues serioz niset nga parime të veçanta nga metodologjia e kërkimit dhe ballafaqimit , pa fshehur gjë.Autori ka bërë një kombinim të shkëlqyer të jetës së këtyre figurave me fatet historike të kombit shqiptar,pra, ai e ka parë atë në dritën e fakteve dhe ngjarjeve historike të kombit dhe sidomos të Qarkut të Vlorës, një Qark i rëndësishëm ku është prodhuar histori e lavdishme në sendërtimin dramatik të shtetit shqiptar e ku tendencat e shteteve shoviniste kanë vërshuar gjithnjë drejt tij për sabotimin dhe prishjen e imazhit të shtetit tonë, por, dihet se popullsia patriote e kësaj treve i ktheu këto tendenca drejt shpërbërjes së tyre.

Vlora si një bastion i shqiptarizmës nuk mund të kuptohet edhe pa punën dhe përkushtimin e këtyre shtetarëve të cilët me mundësitë e shtetit shqiptar u munduan dhe ia arritën jo vetëm të shtrijnë ligjitn në indet e shoqërisë, pavarësisht rrethanave dramatike në kthesa të shpresave të mëdha ,por edhe të faktorizojnë një frymë shtetformuese me shembullin e tyre.Enver Memishaj e merr historinë e këtyre prefekteve që nga viti 1912 e deri më 1992.Nga viti 1947  deri më 1994 ky institucion i Ligjit u zevendësua me sekretarët e parë të partisë së punës,një institucion i diktaturës komuniste që ndërpreu traditën e shtetformimit duke e zevendësuar me partinë shtet.

Një pjesë e mirë e këtyre prefekteve u pushkatuan nga komunistët ,vetëm e vetëm se kishin shërbyer në regjimin e kaluar dhe kishin mbrojtur ligjin. Ishte një prirje e fuqishme e mendësisë dhe propagandës komuniste që të gogolizonin çdo gjë nga e kaluara e cila binte ndesh me traditën e ligjit dhe që vetiu sfumonte ideologjinë dhe urdhërin e pambështetur në ligj.Kjo propogandë i paraqeste prefektet si shërbëtorë të një fryme të vjetër antipopullore, kur në të vërtetë sekretarët e parë dhe kryetarët e komiteteve ishin ata që ishin vënë nëpër rrethe për të drejtuar jetën në frymën e ideologjisë së partisë dhe të urdhërave famëkeqe që merreshin nga zyrat e sigurimit.Duke lexuar me kujdes jetën e këtyre burrave të shquar si Refo Çapari, Osmën Haxhiu,Qazim Kokoshi,bindesh për kontributin e tyre të çmuar dhe për lartësimin e figurës së tyre në dritën e fakteve historike dhe lexuesi e bën krahasimin vetë, ndërsa e shikon sesi çdo baltosje propogandistike e komunizmit vjen një moment dhe hiqet dhe llumi i kësaj balte shkon vetiu tek hedhësit e saj.Duke përshkuar jetën e tyre autori na bind sesi ata punuan me përkushtim në këtë instancë të nderuar të shtetit shqiptar duke pranuar sakrificat e kohrave të vështira nëpër të cilat kalonte vetiu gjithë shteti shqiptar për shkak të turbulencave që sollën dy luftrat botrore e pastaj prej vetëpushtimit komunist.Ti shërbesh shtetit tënd me një devocion ligjor të admirueshëm dhe të presësh prej tij ndëshkimin e pamerituar kjo ndodhi vetëm në Shqipërinë komuniste, ku nga 30 prefektët që shërbyen në vitet 1912-1944, shumica pati një fat të hidhur,dy prej tyre u burgosën, shtatë u internuan nga fashistët dhe komunistët,u pushkatuan gjashtë prefektë,vdiqën në burgjet komuniste tre.”Drama e tyre mori përmasat e dramës kombëtare”, do thotë autori për ta, ndërsa më vjen në mendje thënia e gjeniut Mitrush Kuteli:”Duaje atdhenë edhe kur të vret”.

Kjo thënie nuk mund t`u shkojë më tepër për shtat veçse këtyre burrave të shquar të kombit shqiptar që mbrojtën ligjin, pavarësisht regjimeve, sistemeve dhe pushtimeve të herëpashershme që kaloi vendi jonë në atë kohë.Autori shpreh admirimin dhe njëkohësisht obligimin e tij për këta burra të shtetit shqiptar, që ata të mos mbeten figura të harruara po që njëkohësisht përmes këtij libri të kuptohet roli i tyre e njëkohësisht të kuptohet se historia e shtetformimit është edhe një histori ku ata vunë një gur themeli të fortë duke e sjellë fytyrën e ligjit dhe drejtësisë në konture sa më reale dhe natyrale, pranë jetës së njerëzve e duke modeluar përmes përgatitjes, përkushtimit dhe forcës e kurajos morale sesi mund t`i shërbehet shtetit tënd në mënyrë që jeta e njerëzve të bëhet më e mire, më e kuptueshme dhe zhvillimi social ligjor të ecë në parametrat e duhura.Duke pasë parasysh se ligji devijohet sot, kur shoqëria shqiptare ka kaluar një shkallë dhe disa nivele të mira të emancipimit kulturor përmes kalimit të kohës dhe grumbullimit të përvojave dhe sitjes së tyre , po atëherë sa vështirë e kanë pasur këta prefektë ndërsa Shqipëria doli nga një traditë vakum prej perandorisë osmane dhe kur mentaliteti i shtetit armik injektonte një mentalitet mosbesues ndaj shtetit në tërësi.

Po nganjëherë punët e mëdha bëhen në rrethana tekanjoze dhe të papritura dhe gjenden njerëz adekuatë të përshtatshëm dhe kurajozë për t`i realizuar pikërisht këto punë dhe për të përshpejtuar proceset jo vetëm të njohjeve ligjore po edhe të zbatimit të tyre.Në këtë kuptim libri i Enver Memishajt sjell një informacion të plotë dhe të bollshëm, ku duket se autori është mbështetur në një dokunentacion të sugjeruar e të verifikuar pa lënë të shpëtojë gjë ,gjithnë konform të vërteave të cilat duke u nxjerrë nga harresa marrin një vlerë të re ,pikërisht sot kur duhet të ndihesh krenarë për punën e këtyre njerëzve në mbrothësimin e mbarëvajtjes së punëve të shtetit shqiptar përmes ligjit dhe garancive që jep zbatimi i tij.Duhet thënë se trazirat e jashtme politike alternoheshin shumë herë me ato të brendshme që merrnin nganjëherë përmasa të frikshme për shkak të elementëve të indoktrinuar ose të vënë në prapaskenë nga dora e jashtme.Asnjëherë armiqtë e Shqipërisë nuk e kanë dashtë shtetndërtimin e etnisë shqiptare, për t`u justifikuar para botës me raprezaljet e tyre në popullsinë civile, pushtimet dhe orekset e tyre shoviniste janë paraprirë nga kjo propagandë dinake e cila zhvlerësonte aftësinë shtetformuesse të shqiptarëve dhe deridiku ia arrinte qëllimit.

Madje kjo teori vepron dhe sot. Kundër kësaj ngrihet lart modeli i shkëlqyer i këtyre burrave të mençuar që Enver Memishaj i zbërthen në libër , model që ndërtohet nga një punë vetmohuese në vënien e ligjit dhe kryerjen e punëve përmes tij ,larg çdo tendence korruptive apo shfrytëzimi të pushtetit për të realizuar qëllimet e tyre.Madje ka pasur edhe prefektë të cilët shkrinë pasurinë e tyre në dobi të Shqipërisë duke na e sjellë këtë pamje dhe gjest fisnik si një akt të lartë patriotizmi të pazhvlerësuar e që merr domethënie universlae në të gjitha kohrat.Kjo domethënie sillet si një akt i madh moral për të gjithë zyrtarët e shtetit të sotëm shqiptar, për të treguar patriotizëm të vërtetë modern, kur është fjala se vetëm ligji dhe zbatimi i tij nuk është vetëm një detyrë e atyre njerëzve që janë poshtë tyre, po së pari është një detyrë që u përket atyre që konsiderohen mbrojtës të ligjit në radhë të parë, dhe kjo më pas vazhdon duke u shtrirë në të gjitha indet e shoqërisë.Më lë mresë gjatë leximit se gjithë këta burrashtetarë, me ndonjë përjashtim vijnë nga një përvojë në administratat e huaja, po kur vihen në krye të punëve në Shqipëri këtë përvojë nuk e marrin si një plagjiaturë dhe ta aplikojnë motamo,veçse dinë ta infiltrojnë bukur në realitetet e reja, duke krijuar kështu traditën e administratës shqiptare, studimi i të cilës i kalon kufijtë e një shkrimi.Të pajisur me kulturë, dije, ata gjithashtu e njohin ligjin, po njëkohësisht dinë të shfrytëzojnë rrethanat të cilat favorizojnë zbatimin e tij për të treguar se çdo zbatim i ligjit është një inkurajim për një shoqëri më të qetë, më të kulturuar.Shumica e tyre vijnë nga familje me rrënjë në historinë e Shqipërisë, nga krahina të tjera dhe familjet e tyre kanë dëshmuar një aktivitet të ngjeshur patriotik në dobi të çështjes shqiptare në të gjitha kohrat.Kjo tregon se asgjë nuk krijohet as sajohet nga asgjëja, se familjet fisnike, ato që komunizmi u mundua t`i zhbënte duke i shpronësuar, dënuar dhe keqtrajtuar, janë ajo vlerë reale për të cilën duhet me u bindur se kjo vlerë ka qenë dhe mbetet një nder në historinë e Shqipërisë moderne.

Në librin e Enver Memishajt gjen një fluks informacioni të kontrolluar dhe sistemuar gjë e cila flet për punë të kujdesshme, dhe ky informacoion sa i hapur aq është edhe i ngjeshur ,duke dhënë gjërat më pikante të cilat japing portretin e prefekteve të Qarkut të Vlorës, të përbashkëtën e tyre që përcillet nga veprimtaria në dobi të shtetit, forcimin e rendit publik, ekonominë, sigurinë rajonale e përcjelljen e informacionit në qeveri në mënyrë të saktë e sa më dinjitoze.Memishaj vizaton portrete njerëzish të rëndësishëm me një gjuhë të thjeshtë ku argumenti ndodhet në rezonancë të plotë me faktin dhe ngjyresën lokale dhe kohore. Ky portretizim lakonik dhe me vlera nuk vizatohet pa njohur dhe pa pasur në dorë një lëndë të bollshme të cilën ai tashmë e zotëron.

Natyrisht kjo lëndë selektohet në dobi të ndriçimit të figurave të këtyre njerëzve të shquar të historisë së shtetformimit tonë nëpër kohëra të vështira dhe delikate atëhere kur vihej në provë jo vetëm struktura sociale, po gjithë historia e mbajtjes së shtetit në këmbë.Me një gjuhë të thjeshtë larg ndërlikimeve për të qenë sa më afër së vërtetës e njëkohësisht për ta shoshituar atë në përputhje me boshtin ideotematik të librit, autori ia ka arritur të shkruajë një libër sa njerëzor, aq edhe historik, duke zbërthyer në detaje historinë e rajonit të Vlorës për të kuptuar përmes saj edhe rrejdhat kombëtare dhe anasjelltas. Me këtë libër jo vetëm ndriçohet një pjesë e historisë kombëtare, përmes figurave të caktuara të saj, po njëkohësisht edhe plotësohet një vakum, e kjo është padyshim meritë e autorit, i cili, tashmë, në fushën e studimeve historike po lë gjurmët e veta, për të treguar se historia kombëtare ka ende faqe për të shfletuar, ka ende figura që duhen ngritur në këmbë dhe duhen vënë në vëmendje të lexuesit. Libri i Memishajt, pasqyron historinë e Vlorës si një trevë krenare me një rol përcaktues në historinë kombëtare, si një krahinë që u bëri ballë shovinizmave të kohrave, po edhe si një qytet, Mekë e patriotizmit, altar, aty ku duhet të falen shqiptarët sepse aty u ngrit flamuri, dhe sepse Vlora e meriton.

Filed Under: Kulture Tagged With: Enver Memishaj, portreti i nje studiuesi

NDERIME DHE VLERËSIME NGA KËSHILLI i QARKUT TË VLORËS

May 12, 2013 by dgreca

Nga Andi BEGAJ/
Më 30 prill 2013, Këshilli i Qarkut të Vlorë organizoi në Vlorë, një ceremoni mbreslënëse, për dekorime të bëra me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. Në bashkëpunim me komunat dhe shoqatat “Labëria” dhe “Ismail Qemali”, ishin zgjedhur dhe evidentuar personalitete që me punën dhe aktivitetin e tyre kanë kontribuar për zhvillimin dhe përparimin e këtij Qarku, ose më gjerë dhe që janë dalluar dhe janë bërë shembull si qytetar me vision europian.
Këshilli i Qarkut, nën drejtimin e kryetarit z. Anest Dhimojani, zëvendësit të tij Dhimitër Lapa dhe sekretarit Ridvan Mersini, kishin bërë një punë të lavdërueshme përzgjedhëse, prandaj dekorimet e bëra ishin të dëshëruara dhe të mirëpritura nga qyetarët. Në ceremoni mori pjesë si i ftuar edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Bujar Leskaj.
Një punë të mirë përzgjedhëse, kishin bërë: Ago Nezha, kryetar i shoqatës “Labëria” dhe Bardhosh Gaçe, kryetar i shoqatës “Ismail Qemali”
Me kompetencat që i jep ligji nr. 8652 datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, i ndryshuar, Këshilli i Qarkut të, dha shume vlerësime. Po publikojmë personalitetet që u dekoruan në Bashkinë e Vlorës.

Me titullin e lartë “Nder i Qarkut të Vlorës” u dekoruan:

1. Hasan Sharra
2. Leonidha Bezhani
3. Dhimitër Konomi
4. Ahmet Muka
5. Latif Pasho
6. Bektash Cakrani
7. Shahin Haruni
8. Muhamet Çobo
9. Kristo Karbunara
10. Ibrahim Shyti
11. Ymer Radhima
12. Qamil Ismail Vlora
13. Et`hem Ismail Vlora
14. Qazim Ismail Vlora
15. Hajrie Kreshpa
16. Abaz Mezini
17. Bardhyl Golemi
18. Ceno Sharra
19. Bule Imami
20. Bardhosh Gaçe
21. Mexhit Haxhiu
22. Ismet Mersini
23. Nustret Llupa
24. Ekipi i futbollit

“Flamurtari”, i viteve 1980 – 1990

Në komunën Brataj me titullin “Nder i Qarkut të Vlorës” u dekoruan:

1. Zaçe Xhelo
2. Hasan Bleta
3. Sheme Jazo
4. Memo Mete Brati
5. Mato Hasani
6. Hasan Katrani
7. Begë Laze
8. Selam Hasani
9. Ali Beqiri
10. Hasan Hyso
11. Caush mehmeti
12. Islam Shano
13. Zeqir Dervishaj

Me titullin “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës”, u dekoruan:

1. Krenar Maçani
2. Koejdhel Zilja
3. Liza Laska
4. Vasillaq Zoto
5. Lutfi Balili
6. Arnen Meksi
7. Piro Stefa
8. Bejkush Birçe
9. Nestor Jonuzi
10. Skender Kamberi
11. Myslym Braho
12. Emiliano Stefa
13. Nedin Hoxha
14. Afrim Jupi
15. Simon Ranxha
16. Enver Memishaj
17. Roland Likaj
18. Petrit Velaj
19. Shpëtim Xhyheri
20. Qani Kamberi
21. Pullumb Velo
22. Servet Tartari
23. Ago Nezha
24. Xhemil Lato
25. Idajet Jahaj
26. Simo Milo
27. Toma Çavo
28. Lefter Jani
29. Refat Tartari
30. Liljana Gjika
31. Vasillaq Godo
32. Petrit Golemi
33. Zenel Zeneli
34. Zeqir Alizoti
35. Mirela Kapino
36. Albert Verria
37. Perlat Tartari
38. Refit Jazo
39. Veledin Resulaj
40. Salo Petoshati
41. Piro Çakalli
42. Bilbil Ceno Vlora
43. Sherif Hasani
44. Thoma Tulo
45. Dhimitër Xhaferi
46. Milto Guma
47. Odhise Nesturi
48. Aleks Çaçi
49. Odise Grillo
50. Andrea Varfi
51. Spiro Çomora
52. Dhimitër Varfi
53. Astrit Mema
54. Abdurrahman Deromemaj
55. Neim Saçaj
56. Vilhelme Vranari

_______

Filed Under: Kulture Tagged With: Enver Memishaj, Nderime dhe vleresime, nga Keshilli i Qarkut, Vlore

JETË TË HARRUARA

April 7, 2013 by dgreca

PREFEKTËT E VLORËS NË 100 VITET E SHTETIT SHQIPTAR/ 

Nga Flori SLATINA*/-/ENVER MEMISHAJ NË NJË LIBËR TË RI./

 Sapo ka dalë në qarkullim, libri i studiuesit Enver Memishaj – Lepenica “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912 – 2012”.

Libri hapet me një vështrim të shkurtër historiko gjeografik të Qarkut të Vlorës, në kapitullin e dytë jepen jetëshkrimet e 43 prefektëve  që i shërbyen qarkut të Vlorës gjatë 100 viteve 1912 – 2012, në kapitullin e tretë jepet ligji mbi prektin dhe ne kapitullin e fundit jepen dokumenta historike.

*    *    *

Ky libër siç thotë autori në parathënie është shkruar:

Si një detyrim dhe nderim për shërbimet që nëpunësit e lartë të shtetit, prefektët i bënë vendit të tyre, pasi mungesa e kulturës e respektit dhe e vlerësimit të njeriut është shndërruar në një plagë të shoqërisë sonë.

Njëqint vjetori i pavarësisë ishte rasti më i mirë që autori të bënte homazhe të merituara ndaj 43 prefektëve që i shërbyen Qarkut të Vlorës gjate 100 vjetëve.

Autori pra u ka kthyer nderimin dhe vlerësimin e munguar 30 prefektëve, që i shërbyen vendit gjatë periudhës 1912 – 1944, jetëve të harruara nga komunistët.

Autori ka hedhur dritë mbi figura pothuajse të pa njohura nga publiku i gjerë si Refo Çapari nga Çamëria, Ahmet Durmishit, Vizhdan Risilisë, Vehip Runa, Lele Koçit etj

Autori gjithashtu është munduar jo pa sukses të ndriçojë jetën dhe veprën për ish prefektë për të cilët nuk është folur e shkruar, diku është mashtruar, diku është shpifur, diku janë mbuluar me heshtje dhe dijkut tjetër i janë dhënë vlera të pa merituara.

*   *   *

Libri fillon me prefektin e parë të emëruar nga Ismail Qemali, Refo Çapari nga Çamërie martire, që nuk arriti të merrte detyrën pasi shteti athershëm ishte rrethuar nga Greqia, vazhdon me Ahmet Durmishin, Nexhip Bashën, Fehim Leskovikun, Osmën Haxhiun, Seit Qemalin, Qazim Kokoshin, Qazim Koculin, Bajram Fevziun, Zenel Prodanin, Faik Bregun, Halim Gostivarin, Niman Ferizi, Qazim Bodinakun, Dulejman Çelën, Rustem Ymerin etj.Autori si ekonomist që është nuk ka harruar të bëje edhe një vështrim statistikor për 30 prefektët e periudhës 1912 – 1944, pra mbi fundin e pa meritur të prefektëve nga sistemi diktatorial komunist:Nga 12 prefektë që vdiqën në Shqipëri:

Dy prej tyre u burgosën: Zenel Prodani dhe Abedin Nepravishta, i internuar nga fashistët i burgosur dhe internuar nga komunistët dhe 7 të tjerë u internuan e persekutuan nga fashistët dhe komunistët: Fehim Leskoviku, Osmën Haxhiu, Faik Bregu, Rustem Ymeri, Rasim Kalakula, Abdurrahim Hoxha, Tafil Boletini etj.U pushkatuan me gjyq dhe pa gjyq 6 prefektë: Qazim Koculi, Niman Ferizi, Qazim Bodinaku, Zefa Kadare, Lele Koçi, Vizhdan Risilia.

Vdiqën në burgjet komuniste 3 prefektë: Qazim Kokoshi, firmëtar i Aktit të Pavarësisë, i dënuar tre herë me vdekje për Shqipërinë,  Ismet Kryeziu e Sadik Metra.

Vdiqën në emigracion 7 prefektë, tre prej të cilëve ishin shpalluar armiq populli:Vasil Kalluçi, Faik Quku dhe Vehip Runa.

Ranë dëshmorë për lirinë e vendit 2 prefektë: Seit Qemali u dogj në furrat e nazizmit gjerman së bashku me të birin dhe deri në vitin 2002 kur u shpall dëshmor, quhej armik populli dhe Dulejman Çela nga mati.

*   *   *

Në historinë e Vlorës kishte mbetur një boshllëk, jeta dhe veprimtaria e prefektëve boshllëk të cilin vjen ta mbushi Enver Memishaj me anën e këtij libri.Ky libër do të jetë edhe një apel për ta shpurë më tej punën e nisur nga Enver Memishaj për studimin e jetës së këtyre 43 burrave që i shërbyen Vlorës në kohë të vështira dhe kurdoherë u orjentuan nga e vërteta  dhe interesat e vendit të tyre.

Libri do të ngjallë interes për një masë të gjerë lexuesish dhe do të jetë melhem për plagët që sistemi diktatorila komunist u pati shkakëtuar pas ardhesve të ish prefektëve duke i vrarë, burgosur apo internuar ata.

Libri i z. Lepenica është një kontribut i rëndësishëm për njohjen e historisë së vendit tonë. Fare pak botime të tilla ka në fushën e njohjes së historisë  së institucioneve  dhe personaliteteve që kanë drejtuar shtetin shqiptar në nivele qëndrore dhe vendore. Z. Memishaj vendos kështu një tjetër monument në vargun e madh të studimeve që ai ka kryer gjatë viteve të demokracisë, të vlerësuara për seriozitetin shkencor dhe përkushtimin professional.

Libri është mbështetur mbi dokumenta arkivore, shtypin e kohës, kujtime të botuara, arkivi prefekturës dhe ish Komitetit Ekzekutiv i Vlorës, dhe është shkruar me këshillimin e autoriteve të njohura të kulturës si Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër I Madh, Dr. Bujar Leskaj dhe Dr. Kastriot Dervishi si dhe reçenca  është bërë nga Prof. Dr. Alqi Naqellari, autoritet i njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë.

*Gazetar e redaktor në gazetën 55 “, Tiranë

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Enver Memishaj, Flori Slatina, me liber te ri, Prefektet e Vlores

DORORETA KONOMI, PËRFAQËSUESE E DENJË E FEMRËS VLONJATE

March 20, 2013 by dgreca

Ngritja e një familje të persekutuar/

Nga Enver Memishaj/

Që në fëmijërinë time kishja dëgjuar për familjen Konomi. I pari tyre Dhimitër Konomi kishte qënë një atdhetar i njohur, bashkëluftëtar i major Ahmet Lepenicës në Luftën e Vlorës 1920 dhe më pas i Hysni Lepenicës.

Por në atë kohë të terrorit për këto miqësi duhet të heshtje… Koha e solli që në vitin 1985 unë të punoja me të ndierin dhe të pa harruarin Ilia Konomi, djali i Dhimitrit. Shumë shpejt u afruam dhe u bëmë miq, e kuptonim njeri tjetrin në heshtje dhe fillimisht nuk guxonim të flisnim për të parët tanë. Ndryshe nga vëllezërit që e kishin çarë udhën e jetës me dituri dhe aftësi profesionale, Ilia e kishte çarë udhën e jetës me “shpatë” në dorë: punëtor i pa lodhur, shofer dhe mekanik i aftë, ishte i vetmi që bënte rrugën e rrezikshme të Himarës me një makinë të madhe, i pa përkulur para çdo vështirësie, kryelartë edhe pse ishte përjashtuar nga partia sepse vëllezërit e tij Bebi, Spirua dhe Astriti ishin dënuar si “armiq të popullit” dhe ai vetë ishte në përgjim nga Sigurimi i Shtetit… Miqësia me familjen Konomi, u shtua pas vitit 1990, ashtu si të parët tanë  u gjendëm në vijën e parë të luftës për të përmbysur diktaturën komuniste.

Vëllai vogël i Ilias, inxhinjer Fatos Konomi, kishte ecur sipas parimit që thonë italianët: “Gatë dhe qetë prej vendit tënd” kishte vajtur në Vuno dhe kishte zgjedhur Dorotean, vajzën më të bukur të fshatit, por që bukurinë e vërtetë e kishte në shpirtin dhe karakterin e sajë. Vajza nga Vunoi erdhi në Vlorë dhe ushtroi profesionin më fisnik nën diell atë të mësuesisë dhe shumë shpejt, u bë e njohur dhe e respektuar në qytet.

Pas vitit 1990, ajo tregoi fisnikërinë e familjes nga vinte por edhe të familjes ku kishte vajtur nuse dhe u bë përfaqësuese e denj e femrës vlonjate. Për këto gra duhet folur e shkruar.

*    *     *

Jeta e njeriut ngrihet mbi një bazë që nis të ndërtohet në fëmijeri. Dorotea kishte lindur në Vuno në vitin 1949, aty u rrit e hodhi shtat, së bashku me vëllan  Petraq Pavllo.

Familja Pavllo është me rrënjë të thella në fshatin Vuno, shtëpia e tyre e ndërtuar në vitin 1806, ka formën e një kalaje që tregon krenarinë dhe qëndresën ndaj rrebesheve të kohës.

Shkolla e Vunoit “Naqe Konomi”, me tradita atdhetare, si dhe prindërit, formuan tek Dorotea, vajza e tyre e bukur si një lule mali,  karakterin e femrës së vërtetë shqiptare, të përkushtuar ndaj familjes, besnike deri në vdekje, e etur për dije dhe shqiptare e vërtetë.

Studimet për histori-gjeografi përcaktuan të ardhmen e saj si arsimtare, pasi mundësitë për zgjedhje në atë regjim nuk ekzistonin.

Profesioni i mësuesit u bë pasioni vajzës së re, ku shfaqi aftësitë dhe talentin dhe me gjith rrethanat jo të favorshme politike ajo mbijetoj në arsim për afro 30 vjet.

Dorotea punoi për shumë vite në shkollen e Ujët të Ftohtë, si mësuese e histori-gjeografisë.

Lufta e klasave e kërcënonte çdo ditë të jetës, sepse tre vëllezërit e bashkëshortit të sajë Fatosit u burgosën si “armiq të popullit”, ndërsa i katërti Ilia u përjashtua nga partia për munges vigjilence sepse nuk kishte denoncuar vëllezërit e tij!

Dorotea dhe Fatosi e përballuan persekucionin me punë, me aftësi e kompetencë profesionale me ndershmeri dhe qytetari.

Dorotea që në fëmijëri kishte ndier pakenaqesinë ndaj sistemit çnjerzor që u kishte marrë pronat dhe i kishte lënë në vuajtje, por edhe atje ku vajti nuse kishte gjetur një familje po kaq fisnike që fillimisht kishin përkrahur komunistët, por kur e panë fytyrën e vërtetë çnjerzore të këtij sistemi u bënë kundështarë të vendosur të tij.

Kështu mësuese Dorotea u bë një kundështare e vendosur e komunistëve  dhe një luftëtare e heshtur.

*    *    *

Në këto rrethana Levizja Demokratike që nisi në vitin 1990, pasqyronte shpirtin, ndjenjat dhe idealin e saj, prandaj atë e thirri një zë i brendshëm: përpara. Dorotea dhe Fatosi nuk u ndalën asnjë çast por u ndodhën në krye të Lëvizjes Demoktratike në Vlorë sepse ata shihnin në këtë lëvizje realizimin e ëndrrave të tyre dhe asgjë nuk i ndaloi për të ecur përpara në udhën e vështirë dhe plot të pa pritura të demokracisë.

Pa u zgjatur shumë në këtë periudhë, do ta tregoj aktivitetin e Doroteas duke filluar nga pranëvera e përgjakur e vitit 1997, kur edhe shumë burra në atë periudhë u tërhoqën ose heshtën. Dorotea, gjatë vitit 1997 u gjend ashtu si në vitin 1990 e 1991 në ballë dhe në udhëheqie, duke u bërë shembulli për për femrën vlonjate. Kështu ajo eci nën shembullin e grave të shquara vlonjate që kishin luftuar me armë në vitin 1913 në qafë të Llogorasë, më 1914, më 1920 e gjatë pushtimit fashist 1939-1944.

Dorotea me thirrjen e Prof. Pëllumb Çelës, i deleguar i Partisë Demokratike në Vlorë, ju bashkua atyre vlonjatëve trima që rikrijuan në kushtet e terrorit të komunistëve të Vlorës Degën e Partisë Demokrative të këtij qyteti. Ajo u zgjodh në udhëheqie të kësaj Partie dhe mbeti aty deri në ditët tona:

— anëtare e kryesise se PD-së Vlore ku vazhdon te jetë deri në vitin 2013, kur duhet të bëhen zgjedhje të reja,

— nga viti 2001 deri ne vitin 2009, për dy mandate rrjesht, ka qenë  zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të  Shqipërisë, si e vetmja grua në politikë, përfaqësuese e qytetit të Vlorës për 8 vjet,

— ka qënë disa herë në projekt listën e kanidatëve për deputete në Kuvendin e Shqipërisë,

— në vitin 2003 u zgjodha anëtare e Këshillit të Bashkisë së qytetit të Vlores deri në vitin  2007, ku ka shfaqur vetitë e sajë si intelektuale e qytetare por e vendosur për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën dhe politikën e Partisë Demokratike që përfaqësonte,

— në vitin 2005, me fitoren e Partis Demokratike, u emërua Sekretare e Përgjithshme e Institucionit të Prefektit të Qarkut Vlorë, pozicion te cilin e ushtroi per kater vjet.

Kështu jeta politike ka zënë pjesën më të madhe të kohës së kësaj gruaje, raporti midis saj dhe jetës private që duhet t`i kushtonte familjes, bashkëshortit dhe dy djemve, tregon fare qartë përkushtimin e kësaj gruaje duke u bërë gjithnjë shembull për të gjitha femrat e veçanërisht të grave të qytetit të sajë dhe më gjerë.

Por edhe familja e sajë, vaçanërisht bashkëshorti Fatosi, ka qenë një prapavijë e sigurt nxitëse, inkurajuese e vendimtare për të përballuar dhe për të ecur përpara në detyrën dhe idealin e saj.

Ne vitin 2007, pas zgjedhjeve lokale, Dorotea Konomi ishte zëvëndësisht Prefekte e Qarkut të Vlorës,  qarku i tretë në Shqipëri për nga madhësia, detyrë të cilën e kreu me aftësi dhe kompetencë profesionale për një vit.

Ishte prefektja e parë femër në historinë e Qarkut të Vlorës dhe i duhej që të paraqiste veten si përfaqësuese të denj të femrës vlonjate, Dorotea thotë se: “Ne kryerjen e kësaj detyre të lartë për mua ka qenë  shumë me rëndësi motivimi dhe mënyra për të prezantuar pozicionin që mbaja. Jam përpjekur t’i jap dimensione të tilla në mënyrë që të krijoj hapesirë edhe për të tjerët dhe, për palën tjetër të pushtetit, të opozitës.

Vështirësitë dhe situatat problematike kanë qenë të shumta sidomos pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, në konstituimin e pushtetit lokal, këshillave të bashkive dhe komunave.

Lufta politike për t’i fituar aleancat, bëri që në pjesën më të madhe të tyre këto këshilla të fitoheshin nga Partia Demokratike. Mendoj se principet e qarta për detyrën më kanë dhënë mekanizmin për të zgjidhur problemet, sado vështirësi që paraqisnin.

Nga ana tjetër kam vlerësuar problemet e të tjerëve, u jam përgjigjur kërkesave të tyre duke përdorur një administrim të efektshëm, gjë që ka sjellë që shumë probleme konkrete të zgjidhen dhe shpesh të marr vleresimin e qytetarëve të Vlores.

Në tryezat e dialogut dhe të marrëveshjeve kam qënë këmbëngulese në zbatimin e politikave të tilla të cilat u kanë dhënë të dy palëve të pushtetit ekulibër, hapsirë veprimi, por asnjëherë nuk e kam lejuar devijimin, duke qenë edhe e ashpër por pa dalë jashtë vetes”.

Këto thotë Dorotea për vete, ndërsa shtypi e ka cilësuar se  “ Ka drejtuar prefekturën me thjeshtësi, dinjitet dhe mjaft cilësi”.

Një grua që synon të bëjë karrierë profesionale dhe politike duhet të jetë e kompletuar intelektualisht, por në të njëjtën kohë të ketë edhe idealin dhe bindjen për të arritur qëllimin, gjë që nuk i kanë munguar Doroteas. Shoqëria jonë ka nevojë për gra të tilla që përveç sa citova më lart të kenë edhe ndershmerine në kryerjen e detyrës dhe guximin.

Jeta e Dorotea Konomit, jetë aktive, shoqërore dhe politike ka bërë që të shërbejë si përvojë dhe vlerë për femrën vlonjate.

Prej tre vjetësh, Dorotea është drejtuese e Qëndrës Kulturore të Fëmijëve në qyetin e saj, duke shfaqur vlera si organizatore e punes.Kjo ka bërë që të ndryshoj dhe të gjallëroj jetën e kësaj qëndre ku gjejnë lulëzim talentet e femijeve.

Kur e pyet Dorotenë për politikën të përgjigjet: “Jeta politike vazhdon krahas punës dhe familjes, si mënyrë të jetuari, e pandarë nga jeta intelektuale së cilës i jap rëndësi të veçantë. Jam krenare për dy djemtë e mi të cilët ecin në udhën intelektuale dhe demokratike të prindërve të tyre“.

Kënaqësinë më të madhe Dorote Konomi e gjen tek vlerësimi i lartë i qytetarëve të sajë gjë që është shprehur midis të tjerave në një anketim në gazetën “Vlora“, ku midis drejtuesve dhe intelektualëve vlonjatë ajo është cilësuar me të drejtë:  “elita intelektuale e gruas në politikën vlonjate“ (Shih: Gazetën „Vlora“, dt. 26.6.2006; 3.7.2006)

Gra të tilla si Dorotea Konomi duhet të jenë kanidate për deputete  në zgjedhjet e 23 qershorit pasi vetëm këto janë vlera të vërteta të shoqërisë sonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dororeta Konomi, Enver Memishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT