• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

T`I KTHEJMË HISTORISË SË SHQIPËRISË HERONJTË E SAJË

March 3, 2013 by dgreca

Studiuesi  Enver Memishaj – Lepenica  flet në  “Nacional” për nevojën e rishikimit të historisë/

 Intervistoi Qazim SHEHU/

 Q.  Shehu: Prof. Dr. Alqi Naqellari dhe shkrimtari Novruz Shehu kanë përmbledhur në një libër voluminoz vlerësimet që janë bërë për 11 veprat tuaja. Cilat janë temat e trajtuara në veprën tuaj?

E. Lepenica: Ju falnderoj ju dhe gazetën, për intervistën dhe gjej rastin të falnderoj me mirënjohje dhe emocion të veçantë, personalitetet e njohura  z. Naqellari dhe z. Shehu për analizën dhe vlerësimin që i kanë bërë veprimtarisë time në fushën e studimeve historike dhe publiçistike.

Unë kam trajtuar në veprën time dhe në publiçistikë, tema, ngjarje dhe personalitete historikë të lëna në harresë ose që vepra e tyre pa të drejtë është falsifikuar si dhe denoncimin e krimit, dhunës dhe terrorit komunist.

Kështu psh. kam botuar dokumenta për Hysni Lepenicën, Komandant i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, figurë e pastër historike që për të pa fakte është hedhur shumë baltë dhe gurë, kam evidentuar pushkatimet pa gjyq që bënë komunistët e Vlorës nën urdhërat e Dushan Mugoshës dhe Hysni Kapos gjatë viteve 1943-1944, sulmin që këta komunistë bënë mbi fshatrat e Vlorës dhe grabitjen e pasurisë, duke djegur shtëpitë e nacinalistëve, psh në Lepenicë dogjën 12 shtëpi, në Gjorm 22 shtëpi etj.

Kam marrë për herë të parë në studim pseudonimet e përdorura gjatë Lëvizjes Antifashiste dhe fenomenet që shoqëruan këtë ngjarje historike.

Një vëmëndje të veçantë i kam kushtuar denoncimit të krimit dhunës dhe terrorit komunist mbi bazën e rezolutës së Këshillit të Europës dhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Në bashkëpunim me personalitete të shquara si Visar Zhiti e Agim Musta kemi botuar në dy vëllime prej 1200 faqesh “Antologjinë e plagëve nën terrorin komunist”, në të cilën kemi përmbledhur shkrime të autoriteteve të kulturës shqiptare mbi terrorin komunist në Shqipëri.

Po kështu kam bërë vlerësime dhe kritika për shumë libra historik dhe ato që përshkruajnë terrorin komunist e ushtruar mbi popullin tonë gjatë sundimit të sistemit diktatorial komunist etj.

Kam qënë shumë aktiv në shtypin e përditshëm me artikuj, ekonomik, politik, propogandistik, shoqëror dhe historikë.

  1. Q.  Shehu: Si është vlerësuar nëpërgjithësi vepra juaj ?

E. Lepenica: Botimi librit “Enveri i Lepenicës”, prej zotrinjëve Naqellari dhe Shehu është një vlerësim i madh për mua. Në këtë libër autorët kanë përmbledhur të gjitha vlerësimet që u janë bërë të 11 veprave të mia.

Veprat e botuara janë vlerësuar nga personalitete të shquara të kulturës dhe historisë sonë.

“Hysni Lepenica…” është vlerësuar nga Prof. Dr. Hysni Myzyri  etj.

Libri “Përdorimi i pseudonimeve…” është vlerësuar nga Prof. Dr. Beqir Meta, akademik, i cili shprehet:  “Libri është një botim interesant dhe shume i dobishëm për historinë e kësaj periudhe. Autori me durim  dhe me këmbëngulje ka gjurmuar në shtypin e kohës, në arkiva, në literaturën historike, dhe ndër kujtimet e bashkëkohësve për të zbuluar pseudonimet e pjesmarrësve në luftë, si dhe momentet kur ata i kanë përdorur këto pseudonime. Kjo ka qënë një punë e madhe hulumtuese  dhe njëkohësisht mjaft e vështirë”

Libri “Emblema e një epopeje” është vlerësuar nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiut me këto fjalë:   “Enver Memishaj – Lepenica i shtron dhe analizon ngjarjet dhe problemet, duke i vënë ato në kandarin e drejtësisë  së shkencës historike. Vërtet libri përshkohet nga një ndjenjë e fuqishme atdhetare e autorit për figurat historike që ka marrë në studim. Por, ai nuk nguron të mbajë dhe qëndrimin e tij ndaj mangësisë, kufizimeve që shfaqen  tek “herojtë”  etj, pra ai nuk idealizon historinë, por e pasqyron atë në mënyrë realiste objektive”.

Libri i fundit, i njëmbëdhjeti, “Major Ahmet Lepenica … “ është vlerësuar nga Prof. Dr. Bradhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh, dhe nga Prof. dr. Uran Asllani që thekson: “Në tekstin zyrtar të Historise së Kombit Shqiptar, për periudhen 1913-1920, mungojnë emrat e shumë personazheve historik me rëndesi të madhe kombëtare, si udhëheqësit e Luftës së Vlorës më 1920, etj… Këtë mangësi historike, për zonën e Vlorës, vepër pas vepre, po përpiqet ta evidentojë sakt dhe ta plotësojë Enver Memisha- Lepenica… me një konseguencë prudente shkencore… Ky autor përmend, ndërthur dhe i vë në një veprimtari intensive historike 696 emra personash dhe personalitetesh, kryesisht nga Labëria, por edhe, me tej nga Shkodra, Malesia e Madhe, Kosova etj”. Vlerësime ka pasur edhe nga personalitete të tjerë, historianë, studjues, publiçiste dhe gazetarë si Prof. Agron Tufa, Dr. Iliaz Gogaj, Dr. Bujar Leskaj, Fari Balliu, Agim Musta, Eglandina Alliaj, Çobo Skënderi, Kostaq Xoxa, Gëzim Llojdia, Shpresim Kasaj, Fari Shaska, Kastriot Frashëri, Ferdinand Hysi, Izet Shehu Thanas Hoda nga Amerika Skënder Qëndro Gëzim Zilja, etj. Të gjithë këta kanë shkruar artikuj kritikë dhe vlerësues për veprat e botuara prej meje, të cilët i falnderoj me mirënjohje dhe përulje.

  1. Q.  Shehu: Vepra juaj e fundit është “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”. Ku qëndron rëndësia e Luftës së Vlorës ?

E. Lepenica: Bota nuk e njohu Pavarësinë e Shqipërisë të shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912, kështu  më 17 dhjetor 1912 Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Shqipëria të ishte autonome, nën sovranitetin e Sulltanit. Edhe vete Ismail Qemali telegramet që ju drejtoi Fuqive të Mëdha i formuloi në mënyrë diplomatike pa përmëndur pavarësinë por duke thënë se shqiptarët kishin formuar një qeveri të përkohëshme.

Më pas, më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme, me një princ të huaj që erdhi në Shqipëri më 7 mars 1914.

Lufta e Parë Botërore: 4 gusht 1914 -11 nëndor 1918, e përmbysi Pavarësinë e Shqipërisë, pasi  më 26 prill 1915, në Londër u nënshkrua ndërmjet fuqive të Antantës dhe Italisë një pakti i fshehtë, sipas të cilit, Shqipëria coptohej ndërmjet fqinjëve: Italisë, Greqisë dhe Serbisë.

Shteti shqiptar mbetej Durrësi dhe Tiranë me në krye Esat Pashë Toptanin, nën protektoratin italian. Në përfundim të luftës, më 18 janar 1919, në Paris u mbajt Konferenca e Paqes e cila i vazhdoi punimet edhe gjatë vitit 1920 dhe çështja shqiptare do të zgjidhej sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës.

Pra në janar të vitit 1920, Shqipëria ishte e coptuar ndërmjet fqinjëve dhe shteti shqiptar nuk ekzistonte më.

Në këto kushte patriotët shqiptarë mblodhën Kongresin e Lushnjës, vendimet e të cilit u muarën në një kohë kur Shqipëria vazhdonte të ishte e coptuar dhe e pushtuar nga Italia, Greqia dhe Serbia.

Në këto kushte patriotët vlonjatë më 5 qershor 1920 filluan luftën kundër  pushtuesve italianë. Një komitet i formuar nga patriotë, emroi Komandant të Përgjithshëm Ahmet Lepenicën, një ish oficer i Perandorisë Osmane, i cili me zotësi ushtarake, me trimëri dhe atdhetari e udhëhoqi këtë luftë në fitore, që mbaroi më 2 gusht 1920.

Kështu vendimet e Kongresit të Lushnjës morën vlerë ekzekutive kur u firmosën me gjakun e 400 dëshmorëve të Luftës së Vlorës.

 Q.  Shehu: Cili është qëndrimi që mbajnë historianët sot për Luftën e Vlorës ?

E. Lepenica: Ka një mirëkuptim të plotë, të të gjithë historianëve dhe studjuesve të cilët në libër janë citur se Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës rishpallën Pavarësinë e harruar të Shqipërisë dhe bota u detyrua nga Lufta e Vlorës të njohë Shqipërinë si shtet më 17 dhjetor 1920.

  1. Q.  Shehu: Po major Ahmet Lepenicës, përse duhet të zërë vend në historinë e Shqipërisë?

E. Lepenica: Së pari duhet thënë se kjo vepër është botuar në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, sepse major Ahmet Lepenica edhe pse ishte oficer i Turqisë, ishte bshkëpunues i kryngritjeve të viteve 1911 – 1912, mbrojtës me armë i Pavarësisë Kombëtare 1912 – 1914, dhe një nga 14 burrat e shquar që rishpallën Pavarësinë Kombëtare me Luftën e Vlorës 1920, ku major  Ahmet Lepenica ishte komandanti i asaj lufte.

Pra vlera dhe rëndësia historike e major Ahmet Lepenicës qëndron pikërisht në faktin se ai udhëhoqi në fitore luftën që vendosi fatin e Shqipërisë.

Në libër mbi bazën e dokumentave të shumtë arkivorë, të shtypit, folklorit dhe kujtimeve të bashkëkohësve është përshkruar edhe më tej veprimtaria atdhetare e major Ahmet Lepenicës.

Për të gjitha këto vepra dhe kujtimi i major Ahmet Lepenicës pret t`i ngrihet busti në qendër të Labërisë.

Ky libër për herë të parë:

— përshkruan plotësisht Luftën heroike të Vlorës, 1920,

— zbulon madhështinë e figurës historike të major Ahmet Lepenicës, dhe ja kthen këtë figurë historisë sonë kombëtare,

— përshkruan të dymbëdhjetë anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, me në krye Osmën Haxhinë,

— përshkruan Shtabin e luftës, ushtarakë që udhëhoqën Luftën e Vlorës, ish oficerë të shkëlqyër të Perandorisë si kapiten Qazim Koculi, major Ismail Haki Libohova, major Ismail Haki Kuçi etj dhe jo ashtu siç kanë falsifikuar komunistët se udhëheqësit e luftës ishin fshatarët pa shkollë,

— evidenton atdhetarë të Vlorës si Osmën Haxhiu, Duro Shaska, Alem Mehmeti etj të cilët vunë pasurinë e tyre, për luftën, se pa këtë pasuri të agallarëve të Vlorës lufta nuk bëhej,

— fshatarët vlonjatë dhe tepelenas mbajtën peshën kryesore të luftës, ata bënë luftën të vetëm prej datës 5 deri në 10 qershor 1920 se vetëm pas kësaj datë erdhën ndihma dhe lufta mori karakter kombëtar.

  1. Q.  Shehu: Cila është vepra që keni në duar ?

E. Lepenica: Kam përfunduar dhe do të shpie në shtyp një vepër tjetër historike “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912 – 2012”. Gjatë 100 vjetëve, evidentohen 43 prefektë, nëpunës të lartë të shtetit që i kanë shërbyer Vlorës. Prej tyre 30 shërbyen me përkushtim në periudhën 1912 – 1944, por që patën nga komunistët një përfundim tragjik, u pushkatuan, u burgosën ose vdiqën në burgjet e zeza komuniste, u internuan nga fashistët dhe komunistët dhe u mbuluan me harresë apo me shpifje e falsifikime.

Ata që dikur i kishin shërbyer me përkushtim shtetit, u bënë jetë të harruara, ja pra se përse është e domosdoshme për të shkruar, për të thënë të vërtetën dhe për t`i kthyer historisë personazhet e sajë të merituara.

 

Botuar në gazetën ‘Nacional”, Tiranë, nr. 188, dt. 3-10 mars 2013, f. 19

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Enver Memishaj, historise heronjet, Lepenica, t'i kthejme

RECESIONI GLOBAL DHE NDIKIMI I TIJ NË EKONOMINË SHQIPTARE

January 6, 2013 by dgreca

Botime Universitare/

”Shifrat nuk e drejtojnë botën, por ato na mësojnë se si duhet drejtuar ajo”- G ë t e/

Nga Enver Memishaj, ekonomist/

Historia na mëson se studjuesit në përfundim të analizës që bëjnë për plagët e shoqërisë, konfliktet dhe  krizat arrijnë gjithmonë në përfundimin se konfliktet e krizat kanë ndodhur sepse ata që drejtojnë shoqërisë, politikanët dhe burrat e shtetit nuk kanë dëgjuar, specialistët, njerëzit e ditur që janë profetët që Zoti dërgon mbi tokë.

Në kohën e sotme gati e gjithë bota po kalon një krizë financiare, nje recesion i cili preku të gjitha fusht e jetës. Amerikanët si gjithnjë, shembulli i administrimit model të një shoqërie të drejtë, nxorrën nga buxheti i shtetit mbi miliarda dollarë për bankat private dhe shpëtuan falimentimin e tyre.

Ne shqiptarëve na shkon menjëherë mëndja tek viti 1997, dhe sot mendojmë sa mirë do të ishte sikur shteti jonë të kishte vepruar si Amerika, të kishte marrë përsipër shlyerjen e borxhit të firmave piramidale dhe nuk do të kishte ndodhur ajo katastrofë që  ndodhi e cila si nga ana ekonomike ashtu edhe në dëme njerzore e morale ishte shumë më e madhe se detyrimi që firmat piramidale u kishin qytetarëve të tyre.

Sot Shqipëria kërcënohet nga recesioni global dhe gjendet në prag të një depresioni, ndikimi i të cilit u pasqyrua qartë gjatë vitit 2012.

 

1. Ç`duhet të bëjmë ?

Kësaj pyetje duhet ti përgjigjemi me një fjali të vetme, që vjen nga përvoja historike e botës dhe e vendit tonë: Të dëgjojmë zerin e ekonomistëve, zërin e njerzëve të mënçur.

Një zë i tillë është edhe zeri i Prof. Dr. Alqi Naqellarit, i shprehur në dhjetra konferenca brenda dhe jashtë Shqipërisë, në intervista televizive dhe në auditoret e disa universiteteve në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë.

Kjo veprimtari shkencore e publiçistike e ka bërë sot në fushën e ekonomisë një zë të respektuar dhe të njohur profesor Alqi Naqellarin. Autor i 10 teksteve universitare, 3 monografive  në fushën e ekonomiksit të botuar vetëm dhe në bashkëpunim me autoritete të fushës së ekonomisë, autor i më shumë se 20 artikujve shkencorë të botuar në revista prestixhioze ekonomike brënda dhe jashtë Shqipërisë, në shqip dhe në anglisht.

Tani së fundi ai vjen me veprën e tij të njëmbëdhjetë  “Recesioni global dhe ndikimi i tij në ekonominë shqiptare”, botim i Universitetit Ndërkombëtar të Strugës dhe Universitetit Mesdhetar të Tiranës, Strugë 2012.

Kjo vepër është një bashkëpunim i suksesshëm ndërmjet Profesor Alqi Naqellarit dhe ekonomistëve të rinj që po hedhin hapa të suksesëshëm përkrah profesorit: Magjistër Robert Maliqit dhe Magjistër Almarin Naqellarit. Bashkëpunim që është për t`u përshëndetur si nga guximi të rinjëve që premtojnë shumë për të ardhmen, ashtu edhe nga fisnikëria dhe mënçuria e profesorit në përkrahje dhe bashkëpunim me talentet e reja, një shembull qytetarie dhe profesionalizmi që duhet përshëndetur dhe ndjekur.

Libri voluminoz prej gati 600 faqesh, që analizojmë duhet të shërbejë si manual për ekonominë tonë në kohën e sotme.

 

2. Përmbajtja e librit.

Libri ndahet në gjashtë kapituj:

Në kreun e parë është përshkruar pamja e ekonomive të rajonit dhe vendeve kufizuese të këtij rajoni, veçanërisht e parë ndërmjet viteve 2008-2011.

Në kreun e dytë janë analizuar modelet ekonomike që aplikohen sot në botë.

Në kreun e tretë janë analizuar treguesit kryesorë makro ekonomikë dhe është arritur në përfundimin se që nga viti 2009, ekonomia shqiptare duke përjashtuar treguesin e inflacionit, në treguesit e tjerë nuk ka pasur rezultate të kënaqëshme.

Në kreun e katërt janë analizuar politikat ekonomike që janë aplikuar gjatë periudhës së recensionit 2008-2011, dhe është arritur në konkluzionin se Banka Qëndrore nuk ka aplikuar politika ekspasioniste  në mbështetje të politikave ekspasioniste fiskale të aplikuar nga qeveria.

Në kreun e pestë janë analizuar mundësitë dhe prespektivat e ekonomisë shqiptare.

Në kreun e gjashtë janë dhënë konkluzinet e nxjerra nga studimi dhe analizat që bëhen në këtë vepër.

Nga kjo paraqitje e shkurtër e përmbajtjes së kësaj vepre del e qartë se kjo është një vepër e çmuar, që vjen në kohën e duhur, si një shërbim i madh që i bëhet shoqërisë dhe që ju shërben në radhë të parë burrave të shtetit dhe politikanëve që kanë për detyrë të influencojnë për të orjentuar ekonominë e vendit në drejtimin e duhur. Është kjo arsyeja që autorët u kanë dhuruar nga një kopjo të librit partive politike dhe shoqatave që kanë peshë në shoqërinë tonë.

Vepra është e vlefshme gjithashtu për profesoratin e universiteteve tona, për intelektualët, për studentët dhe jo vetëm të ekonomisë dhe për të gjith shoqërinë që të mësojnë të vërtetat mbi ekonominë tonë e për pasojë të dinë të orjentohen drejt në ekonominë e tregut dhe në votën që duhet t`u japin partive politike.

 

Disa çështje të rëndësisë së veçantë, që trajtojnë autorët në libër.

Siç paraqitëm në krye të fjalës sonë problemet në këtë vepër janë trajtuar me profesionalizëm dhe janë të shumta, por ne do të ndalemi në disa prej tyre të cilat përfshijnë edhe çështjet për të cilat ne nuk po flasim direkt për to.

Prej fillimi deri në fund vepra herë e thënë direkt dhe herë indirekt, përshkohet nga çështja se cili është modeli ekonomik që duhet të ndjekë Shqipëria për t`i shpëtuar rënies në krizë dhe për ecur në udhën e rritjes ekonomike.

Fillimisht na duhet të sqarojmë se nuk bëhet fjalë për ndryshime të themeleve të ekonomisë së tregut ato janë dhënë njëherë e përgjithmonë, por bëhet fjalë për reformat ekonomike me një këndvështrim të gjërë dhe politike që duhet të ndiqen për rritjen ekonomike të vendit.

Konkretisht në Shqipëri:

–  Mungon mirëkuptimi politik ndërmjet partive për reforma themelore të cilat do të japin frytet e tyre për një kohë të gjatë dhe jo 4 apo 8 vjet sa ç`vijnë e shkojnë partitë. Kjo mungesë marrëveshje ka sjellë pasoja, pasi kur një qeveri flet për një reformë opozitarët deklarojnë se sapo të vijnë ata në pushtet do ta anullojnë reformën.

Kjo gjendje sjell pasigurinë e investitorëve të huaj e për pasojë ngadalësimin e rritjes ekonomike, si dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme strategjike.

–  Buxheti i vitit 2012, nuk ishte planifikuar realisht dhe për pasojë solli ndryshime të shumta gjatë vitit.

–  Sistemi pensioneve sot është pranuar se ka dështuar dhe ende nuk janë marrë reformat e duhura për ta nxjerrë këtë sistem nga kolapsi.

–  Amnistia fiskale nuk u bë maksimale si shembulli i Italisë, por gjysmake dhe që nuk dha rezultatet e dëshëruara dhe të pritura.

–  Megjithse flitet shumë se ndarja e territorit të republikës duhet të bëhet sipas kushteve gjeografike dhe ekonomike dhe jo sipas interesave elektorale ende nuk është arritur në mirëkuptimin e partive dhe ndarja vazhdon të rëndojë ekonominë dhe të mos ketë efektivitet. Po kështu ka institucione të administratës publike paralele  si Këshilli i Qarkut me Prefektin e Qarkut.

–  Gjykata administrative kaq e nevojshme për ekonomine dhe drejtësinë ende nuk po funksionon në vendin tonë, etj etj

Guximshëm autorët kanë dalë në dy konkluzione të rëndësishme: i pari që modeli ekonomik i aplikuar në Shqipëri pas viteve 90 ka dështuar dhe i dyti që është vijim i të parit edhe sistemi financiar i aplikuar ka dështuar.

Modeli ka dështuar sepse në përgjithësi është i bazuar në tre shtylla, në remitanca, në shitjen e pasurisë shtetërore dhe në kredi dhe jo në zhvillimin dhe rritjen e sektorëve të prodhimit. Tre të parat janë të shtershme ndërsa rritja e faktorëve ekonomik të brendshëm duke shfrytëzuar resurset e vendit është baza e rritjes ekonomike. Industria nxjerrëse e përpunuese, bujqësia e shërbimet duhet të jenë baza e rritjes permanente. Sistemi financiar ka dështuar, kjo nga modeli i gabuar që u aplikua dhe vazhdon të aplikohet. Privatizimi total ishte një gabim i madh, ishte kalimi nga njëri ekstrem në tjetrin. Nuk u zbatua sistemi bursë-bankë si në perëndim por e kundërta bankë –bursë si në lindje. Privatizimi i Bankave shtetërore të nivelit të dytë ishte sipas autorëve gabimi fatal. Pasojat e këtij privatizimi duken në frenimin e rritjes ekonomike pasi Bankat private nuk i ndjekin dhe shoqërojnë më politikat monetare të Bankës Qëndrore.

Pra, autorët arrijnë në përfundimin se Shqipërisë i duhet një model i ri ekonomik, sa më shpejtë aq më mirë.

 

B o r x h i :

Analiza e borxhit është komplekse dhe e gjithanëshme. Mendimet e dhëna se borxhi duhet të kontrollohet  e kufizohet me kushtetutë nuk është i drejtë, pasi ka shumë institucione brenda vendit që mund ta kufizojnë atë.

Problemi dytë me rëndësi është se për çfarë merret borxhi? Në se borxhi merret për investime në ekonominë e vendit të cilat pritet të japin efektivitetin e tyre në rritjen ekonomike atëherë marrja e borxhit është e drejtë dhe e pa kritikushme. Po kështu duhet të anlizohet edhe dinamika e shlyerjes së borxhit.

Pra kur rritja ekonomike nuk është në nivelin e duhur niveli i borxhit bëhet një barrë e rëndë për ekonominë.

Sot në Shqipëri niveli i borxhit është 62.6 % dhe ka një rritje prej 4 %, në një kohë që për vende si Shqipëria  niveli borxhit duhet të jetë në kufijtë 40-50%, veçanërisht kur nuk evidentohen burime të reja të rritjes ekonomike.

Një problem tjetër me rëndësi është nxitja e konkruencës midis bankave, zgjerimi kreditimit  dhe monitorime me rreptësi, veçanërisht ndikimi i shtetit me anë të dispozitave ligjore për funksionimin normal të bankave dhe influenca e tyre në ekonominë shqiptare. Një ekonomist i madh italian ka thënë se “ Me jepni kredi tu rregulloj gjith botën” Por ç`ndodh me bankat shqiptare?  Sot niveli i kredive të këqia  është 22 deri 23 % dhe bankat nuk arrijnë të veprojnë e operojnë shpejt sepse ka mungesë të legjistacionit, ka pengesa administrative  dhe vonesa të stërgjatura në ekzekutimin e vendimeve.

Në vitin 2013, siç kanë deklaruar burimet vendase dhe të huaja do të ketë një farë stabiliteti dhe nje rritje ekonomike, por autorët e veprës që analizojmë na tërheqin vëmëndjen duke na thënë se treguesi i rritjes ekonomike duhet parë në gjërësi dhe në thellësi  pasi nuk është i vetmi tregues që tregon zhvillimin e vendit dhe të ekonomisë.

Në këtë rritje do të kenë influecën e vet  edhe vendet fqinj si Italia dhe Greqia.

Tek ky tregues duhet të mbështetemi kur ai harmonizohet  dhe vjen në unitet me tregues të tjerë të ekonomisë.

Por viti 2013, duke qënë një vit elektoral, parashikohet që 6/mujori parë do të ketë një rritje ekonomike për shkak të interesave elektorale ndërsa në 6/mujorin e dytë do të ketë një keqësim të treguesve.

Ne ekonominë e një vendi dhe në përballimin e krizës rëndësi të veçantë ka edhe gjendja psikologjike e cila infuencon në jetën e njerzëve dhe zhvillimin ekonomik më shumë se vetë varfëria. Autorët na thonë se sot në Shqipëri papunësia është në nivelin e 13-14 %,  si dhe ka një pakësim të konsumit të brendshëm, një ulje të investimeve të brendëshme dhe të huaja. Bizneset punojnë nën kapacitetin e tyre, importet për investime janë pakësuar, ka një rritje të depozitave në banka, çka do të thotë se njerzit presin situata më të favorshme.

 

Rëndësia e veprës.

Autorët theksojnë se në kohën e sotme autoritete të shteteva të mëdha të botës kanë deklaruar se kriza nuk ka përfunduar, prandaj duhet të jemi të vëmëndshëm  dhe në studim të çështjes më qëllim që efektet e krizës të jenë minimale pasi jemi ne njerzit që bëjmë që ligjet e zhvillimit të shoqërisë t`i ngadalsojmë apo t`i shpejtojmë.

Bark Obama ka kërkuar që t`i kushtohet vëmëndja e veçantë difiçitit buxhetor, rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve nuk është udha më e mirë që duhet ndjekur.

Merkel e Gjermanisë ka deklaruar se viti 2013  do të jetë një vit i vështirë, sepse beteja nuk është fituar, por nuk duhet të dekurajohemi dhe të vazhdojmë luftën me anë të reformave ekonomike, sepse ato të marra deri tani kanë sjellë efektet e dëshëruara.

Këto konkluzione duhet të na bëjmë të lexojmë me vëmëndje librin ”Recensioni global dhe ndikimi i tij në ekonominë shqiptare” prej së cilës, drejtuesit e ekonomisë shqiptare, do të nxjerrim mësime të vlefshme.

 

Ku mbështeten autorët Alqi Naqellarit, Robert Maliqit dhe Almarin Naqellarit në konluzionet e tyre?  Në konkluzionet që ata na kumtojnë ne lexuesve të interesuar kanë arritur nëpërmjet një analize të thellë të mbështetur në të dhëna të shumta numerike dhe statistikore, mjafton të përmendim se autorët i mbështesin konkluzionet e tyre në 146 tabela numerike, statistikore, dhe grafike që tregojnë si në pasqyrë përfundimet e arritura.

Gëtja i madh, ai gjeniu gjerman ka thënë se: ”Shifrat nuk e drejtojnë botën, por ato na mësojnë se si duhet drejtuar ajo”, pra autorët e kësaj vepre që analizojmë na paraqesin pasqyrën e të dhënave numerike dhe grafike për të na mësuar e udhëzuar se si duhet drejtur dhe ç`farë modeli ekonomik duhet të ndjeki ekonomia shqiptare.

Siç thamë në krye në se profesorati jonë do të kuptojë dhe zbatojë konkluzionet e arritura në këtë vepër të rëndësishme të kohës sonë atëhere ekonomia jonë do të shpëtojë nga rënia  dhe do të ketë rritje të të gjithë treguesve ekonmiko financiar.

Autorët kanë qënë shumë të kujdeshëm dhe kanë përdorur një gjuhë të thjeshtë me shëmbuj të shumtë për ta bërë veprën lehtësisht të kuptueshme për një masë të gjerë të lexuesve dhe kjo përbën një vlerë dhe meritë të autorëve.

*     *     *

Morëm përsipër t`i bëjmë me dije botës shqiptare  vlerat dhe rëndësinë e një vepre të fushës ekonomike me interes të gjërë, pasi flitet për ekonominë që është baza e zhvillimit dhe mirëqënies së së vendi. Kufijtë e një artikulli të vetëm na kufizojnë për të folur më gjërë për rëndësinë dhe mësimet që nxjerrim nga kjo vepër.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Enver Memishaj, Prof. Dr. Alqi Naqellarit, Recesioni Global

SULEJMAN ALIKO KUÇI I SHKRUAN OTTO BISMARKUT NË GJERMANI

November 11, 2012 by dgreca

Dokumenta, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë- Duke hulumtuar nëpër tetë librat e Seit Alikajt/

 Nga Enver Lepenica/

 Seit Alikaj është i njohur si një nga agronomët e shquar të Shqipërisë dhe si drejtues dhe organizator i zoti i ekonomive bujqësore. Pas vitit 1990, ai na shfaqet si studjues i thellë i historisë së fshatit të tij Kuçit të Vlorës, duke botuar plotë tetë libra, sejcila mesatarisht prej 400 faqesh ose të tetë librat kapin 3186 faqe.

Këto libra  përfshijnë 25.209 emrat e 136 fiseve të Kuçi, me 2900 fotografi, janë paraqitur skemat gjeneralogjike të 136 fiseve me 6 deri në 15 breza. Vetëm këto të dhëna mjaftojnë për të thënë se këtë punë voluminoze dhe të mundimshme mund ta bënte vetëm një njeri me vullnet të hekurt si Seit Alikaj.

Personalite të kulturës, si Prof.dr. Thoma Çomara, Dr. Pavllo Gjidede, Prof. Dr. Besnik Baraj, Prof. Dr. Vedat Shehu, poeti Izet Çuli etj kanë bërë vlerësime të larta për veprën e Seit Alikajt, sepse sipas Perandorit të Romës, Julian Qesarit “Kush merret me gjenealogjinë e fisit të tij, merret me gjenealogjinë e botës, ndaj meriton lavdinë”. Në tetë librat z. Alikaj ka përshkruar me hollësi me fakte dhe dokumenta historinë e një prej fshatrave më të mëdha të Shqipërisë.

Librat e Seit Alikajt janë shkruar e botur nga nje intelektual me interesa të gjera kulturore, pra që ka synuar të zbulojë, të ndriçojë dhe të evidentojë vlerat e ngjarjeve historike që  paraqesin rëndësi jo vetëm për historinë e fshatit, por më gjerë, historinë e Labërisë dhe të  Shqipërisë. Në këtë drejtim, përveç ngjarjeve të tjera historike, ai evidenton personalitete të shquara si Zenel Gjolekën (1812-1852), udhëheqësin e kryngritjeve të mëdha kundër Perandorisë Osmane, etj. Për herë të parë ka zbuluar e botuar në librin e tij të tretë, fotografinë e heroit tonë të madh Zenel Gjolekës.

*   *   *

Një nga këta personalitete të shquara, që Seit Alikaj ka përshkruar në librat e tij është edhe Sulejman Aliko Kuçi (1813 – 1880), i cili ka kryer “Zosimenë” e Janinës dhe më pas institutin e Stambollit “Huku Idare”.

Ky atdhetar e luftëtar i lirisë, së bashku me Myslym Gjolekën (1835-1880), kanë firmosur Memoradumin e Janinës, dokumenti i parë ku i është kërkuar Portës së Lartë autonomia e Shqipërisë.

Ai ka qenë një ndër figurat qëndrore të Lidhjes Shqiptare të prizërenit,1878, dhe ka qenë dy herë kryetar i delegacionit të kësaj Lidhje, në mbledhjet që u organizuan në Korfuz, ku është biseduar për të krijuar një ushtri shqiptaro-greke për të luftuar kundër Turqisë, por që marrëveshja nuk u arrit, për faj të palës greke.

Sulejman Alikua ka luftuar për liri kundër grekëve në Jug, në vitin 1852 ka luftuar në Veri kundër ushtrisë malazeze, ku ra heroikisht udhëheqësi tyre legjendar Zenel Gjoleka.

Në protestën që Lidhja Shqiptare e Toskërisë u bëri Fuqive të Mëdha, më 28 janar 1879, ku kundështohet ndryshimi i kufijëve në favor të Greqisë, krahas emrave të Abdul Frashërit, Mustafa Pashë Vlorës, Sheh Ibrahimit, Skënder Vrionit, etj  gjejmë edhe emrin e Sulejman Aliko Kuçit.

Sulejman Alikua dhe Musa Bodua nga Dukati, me dyzet kuaj,  kanë shoqëruar e përcjellë Abdul Frashërin në takimet që ai bënte me popullin, si në Fier, në takimin e Frashërit më 1879, në Kuvendin e Dibrës më 1880 etj.

Kështu vazhdoi udha e atdhetarit Sulejma Aliko Kuçi i shquar veçanërisht në vitin 1878 kur mbahet Lidhja e Prizërenit dhe lufta e popullit shqiptar  hyri në një fazë të re të organizuar.

 

Shqetësimi këtij atdhetari dhe largpamësia e tij për fatet e atdheut duket edhe në  letrën që ai i ka shkruar Kancelarit gjerman Otto Bismark, letra të cilat i ka zbuluar Seit Alikaj, që rrjedh nga ky gjak dhe i ka publikuar në librin e tij të tetë “Sulejman Aliko Kuçi”, Tiranë 2010, f. 75-76. Po që të kuptojmë rëndësinë dhe vlerën e këtij personaliteti të historisë sonë duhet të dijmë se cili ishte Otto Bismark (1815-1898) që i shkruan Sulejman Alikua?

Burrë shteti i gjermanisë, është quajtur ”Kancelar i Hekurt”. Si ministër-president dhe ministër i jashtëm i Prusisë në kohën e Vilhelmit I, nga viti 1862, Bismarku ka qënë në krye të përpjekjeve për bashkimin e Gjermanisë, duke bashkëdrejtuar  luftrat me Danimarkën (1864), Austrinë (1866),  dhe Francën (1870-1871) me qëllim që të arrihej ky synim.  Si kancelar i Perandorisë së re Gjermane (1871-1890) vijoi të sundonte skenën politike,  duke bërë të miratohen ligjet që synon të thyenin ndikimin e Kishës Katolike brenda vendit  dhe duke përforcuar pozitën e Gjermanisë si fuqi europiane nëpërmjet krijimit të një sistemi aleancash. Bismarku u detyrua të jepte dorëheqie më 1890 pas një mosmarrëveshje politike me Vilhelmin e II. Për nder të tij kryeqyteti i Dakotës Veriore, në SHBA buzë lumit Misuri ka emërtimin Bismark.

Ja pra këtij burri të shquar të historisë botërore i shkruan, shqiptari nga Kuçi i Vlorës Sulejma Alikaj:

 

“Shkëlqesisë së tij: Princit Otto Bismark, Kancelar i Gjermanisë, BERLIN.

I nderuar Princ!

Unë që ju dërgoj këtë letër, të më falni, jam Sulejman Aliko Kuçi, qytezë e lashtë në Labëri të Albanias, nën sundimin e Sulltanit të Turqisë…

Ju e dini se ne, shqiptarët, kemi vendosur të mblidhemi, më 13 qershor 1878, në një kongres – lidhje që do ta quajmë “Lidhja e Prizërenit”, zonë me etnitet shqiptar në juridiksionin e Serbisë.

Siç e dini, Shkëlqesëia Juaj, grekët e vjetër, përmes filozofisë së tyre thoshin: “Kush kërkon të vertëtën mund ta gjejë përmes diskutimit në Agora”. Ne jemi të bindur të gjithë të dërguarit përfaqësonjës të Shqipërisë në Prizëren se, nga Ju do të mbrohemi e do të frymëzohemi për të hedhur hapat e para të pavarësisë nga Perandoria Osmane…

Jeta jonë në liri është kusht i dhuratës së natyrës dhe, të rrosh i lirë, duhet të bazohesh në urtësi e zgjuarsi gjë që ne nuk na mungon.

Kam bindjen e plotë se i ngarkuari Juaj për ndjekjen e punimeve të Lidhjes tonë, zoti Franshauer do t`ju japë sqarimet e duhura dhe ne shpresojmë se në Kongresin e Berlinit, që do të mbahet së afërmi Ju, Shkëlqesi, do t`ja bëni të qartë përfaqësisë së Stambollit.

Jemi në pritje të përgjigjes Tuaj, Shkëlqesi.

Me respekt të veçantë Sulejma Aliko Kuçi d.v.”

 

Kancelari Gjermanisë Otto Bismark i ktheu këtë përgjigje Sulajman Alikos:

 

“I nderuas Sulejman Aliko Kuçi,

Letra Juaj më frymëzoi së tepërmi. Me ta marrë, sekretaria e kabinetit tim, zonja Anna J. Skieber, ma dorëzoi brenda ditës…

Ajo letër ishte shkruar nga një atdhetar i madh i popullit të Shqipërisë, nga Sulejman Aliko Kuçi, bashkëshok e nxënës me shkëlqesinë Abdul bej Frashëri në “Zosimea” të Janinës. Të dy ju jeni mendjendritur, diplomatë e filozofë, me kulturë të gjerë…

Përpjekja e palodhur juaja, për të gjetur të vërtetën, nuk është një nevojë intelektuale,  por një kërkesë morale. Liebingu, ka të drejtë për fjalët e tij rreth pasionit moral drejt së vërtetës, pa të cilën asnjë pengesë nuk frenon shoqërinë për të vënë në jetë interesat e çastit e të përspektivës.

Ju jeni shqiptar i madh. Respektet e Mija të veçanta. Otto Bismark d.v.”

 

Për Sulejman Aliko Kuçin, këtë atdhetar të madh siç e cilëson Bismarku, ende të pa vlerësuar kanë shkruar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, studjuesi grek Panajotis Trugaros, arvanitasi kronikan Andreas Dhimitriadhis, historiani Antonio Beluçi, arvanitai Aristidhis Koljas, gazetari raguzian Gilio Loccini etj.

Për më gjerë e ftoj lexuesin tu drejtohet tetë librave të vlefshme të Seit Alikaj nga Kuçi.

*   *    *

Këto dy letra të pa njohura, që gjetëm në librin e Seit Alikaj ” Sulejman Aliko Kuçi”, me rëndësi për historinë e Labërisë dhe të Shqipërisë na tërhoqën vëmëndjen dhe prandaj vendosëm t`i bëjmë publike me anën e këtij artikulli. Nga ana jonë u pyet Seit Alikaj se cili është burimi këtyre letrave dhe ai na shpegoi se:

”Prof. Dr. Thoma Çomara nga Vunoi i Vlorës, pas vitit 1990, duke qenë se bashkëshortja e tij ishte rumune, martuar gjatë kohës që ai ishte student në Bukuresht, jeton në Bukuresht dhe merret me studime. Gjatë kërkimeve të tij në Arkivin Qëndror të Shtetit Rumun në arkivin Timishoara në dosjen M-16/3-4, Berlin, 28 qershor 1878 dhe M/163-4-5, Berlin, 30 qershor 1878, ka gjetur dy letrat e sipër përmëndura, të cilat m`i dhuroi mua me bujari, për t`i bërë publike në librat e mi.

Filed Under: Featured Tagged With: Enver Memishaj, Sulejman Kuci

NJË LIBËR ME DRITË PËR PROFILIN PA NJOLLA TË NJË VIGANI TË HISTORISË SONË

November 5, 2012 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ/ studiues*/

Lexuesi vlonjat, kurveleshas, tepelenas, mallakastriot, elbasanas, tiranas, dëshnicas, koplikas, dibran,çam, lab- himariot e lumas, shqiptarët e Malit të Zi e të Maqedonisë, edhe shqiptarët e Amerikës, edhe të gjithë ata njerëz që ndjejnë se në trupin e tyre ( kudo ku jetojnë nëpër botë) pulson gjak shqiptari, në nderim të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, kanë fatin të marrin e të gëzojnë një dhuratë me shumë vlerë kombëtare. Është një libër me dritë për profilin e një veterani kombëtar pa njollë. Është shpirti i pastër, zemra bujare dhe mendja e kthjellët e fisnikut të tejdukshëm, zotërisë Enver Memishaj- Lepenica që bën këtë dhurim vëllezërve shqiptarë dhe miqve dashamirës të Vlorës e Shqipërisë. Është libri “Major Ahmet Lepenica Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, në Luftën e Vlorës, 1920” monografi historiko-folklorike që autori na fal dhe ne krenohemi, se kemi një xhevahir në dorë për 100 vjetorin e krijimit të shtetit kombëtar shqiptar.

Në librin për Ahmet Lepenicën jepet rruga e jetës kombëtare e major Ahmet Lepenicës sipas kriterit kronologjik. Ahmet Labi shfaqet si bashkëkohës i reformatorit, “babait të turqve” Mustafa Qemal, Plakut të Urtë të Flamurit dhe Bacës Isë e trimave të tjerë të mendimit dhe të veprimit. Në të gjitha ngarjet e mëdha të kohës jetoi aktivisht: Më 1912-’13 shfaqet patrioti i arsimuar si mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare. Më 1920 shkëlqeu si Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare dhe, me Luftën e Vlorës, gremisën në det Perandorinë e Re Romake, që u vërsul si grabitqare nga Apeninet, por u tërhoq pa lavdi. Më 1921 Majori na shfaqet komandant i krahut të Vjosës. Më 1922 Qarkkomandant i xhandarmërisë, Gjirokastër dhe më 1924-ën, 52 vjeçari është i mbushur me idealet kombëtare, duke u evidentuar në udhëheqje të Revolucionit të Qeshorit me Fan Nolin, Bajram Currin, Elez Isufin e burra të tjerë të vlertë kombëtarisht. Rrojti dhe 17 vjet mbas të parës, të vetmes dhe të fundit humbje në fushën e betejës, deri sa 69 vjeç dha frymën e fundit në duart e Selvi Ali Mëhilles, gruas së tij besnike nga Dukati.

Për këtë material që po paraqes, kam tri pika referimi: 1- Luftën e Vlorës si ngjarje e ndodhur historike, 2- Ahmet Lepenicën si një figurë që peshoi në këtë luftë dhe 3-Enver Memishën si autor i monografisë për Epopenë e çlirimit të trojeve tona me komandantin e saj ushtarak Ahmet Canin, që populli në respekt të veprës së tij e thirri Ahmet Lepenica, kurse miqtë e lartë dhe Paria e vendit e folën Ahmet Labi.

1- Nga “Historia e Shqipërisë” vëllimi II; Tiranë: 1965, Lufta e Vlorës trajtohet në mënyrë të përgjithshme, sintetike dhe vlerësohet për fitoren dhe entuziazmin që ndezi ndër shqiptarët e Lirisë; përmenden edhe emrat e Osman Haxhiut, Qazim Koculit, Ahmet Lepenicës si dhe emri i Selam Musait. Përmenden, nuk mohohen, por tepër thatë, si të qe një nga ato njoftimet e zakonshme të ATSH, që ajo jep rëndom, për rutinë pune. Më tej heshje apo më keq degradim i vlerave të mirëfillta e të vërteta historike. Në Erën e Re Shqiptare (mbas vitit 1990 deri më sot), Lufta e Vlorës, ka gjetur mirëkuptimin e të gjithë palëve: të politikanëve, qytetarëve dhe historianëve dhe është trajtuar realisht, duke e vlerëuar si një ngjarje që vendosi fatet e Shqipërisë. Në këtë libër Lufta e Vlorës jepet e shtrirë në gjerësi dhe në thellësi, ashtu siç ka ndodhur dhe mbetet në kujtesën e Kombit: Rishpallje e Pavarësisë Kombëtare, Pavarësia konkrete e Shqipërisë. Komentet e tepërta janë ujëra që s’duhen.

2- Enver Lepenica, ky bir i Labërisë së Brendshme të Lumit të Vlorës, e ka ravijëzuar portretin e tij si studiues serioz qysh 15 vjet më parë e në vijimësi me 11 vepra të botuara të gjinisë publicistike dhe historike, duke qenë mik i së vërtetës, djalë Shqipërie dhe punëtor i vlerësuar për shërbimet që i bën kulturës sonë. Bashkë me nderimin e prof. Alqi Naqellarit dhe studiuesit e shkrimtarit Novruz Xh. Shehu, që më vitin 2010 me botimin e veprës “Enveri i Lepenicës”– një buqetë e freskët për 65 vjetorin e lindjes, Enver Imer Memishaj meriton sinqerisht edhe mirënjohjen dhe respektin tonë. Me figurën e Ahmet Lepenicës autori ka kohë të gjatë që është angazhuar. Qysh para 30 vjetësh ai ka botuar artikuj në gazeta të ndryshme lokale e kombëtare në Shqipëri kushtuar patriotit lepeniciot me arsim të lartë ushtarak, i cili udhëhoqi me zotësi beteja që konkluduan me çlirimin e Vlorës e krahinave të saj më 1920-ën e lavdishme. Edhe ky libër për komandatin ushtarak të Njëzetës është produkt i dashurisë për vendlindjen që ka autori, trashëguar edhe gjenetikisht, respekt konkret ndaj Lepenicës, Mesaplikut, Labërisë dhe gjithë Shqipërisë. Ky libër nxjerr në pah edhe një herë fuqishëm vlerat shkrimore e botuese të autorit dhe është, për mendimin tim, vula e përkushtimit të një studiuesi për çështjen e Atdheut dhe ndaj trimërisë e heroizmit të një ushtaraku, të cilat Ahmet Lepenica i kishte natyrshëm virtyte e cilësi të ushqyera në vatrën familjare të Esma e Islam Canit, qysh më 1872, kur leu. Nëpërmjet këtij punimi dëshiroj të evidentoj se janë botuar shumë libra për Luftën e Vlorës e trimat e saj nga Ago Agaj, Gani Iljazi (Habazaj), prof. Muin Çami, prof. Viron Koka e Sazan Xhelo, prof. Bardhosh Gaçe, apo edhe nga firma të tjera më minore në historiografi, sidomos për personazhe konkretë të kësaj epopeje.

Nga botimet e periudhës postkomuniste e këtej, parë në fokusin e hierarkisë së vlerave të figurave historike të asaj lufte të gjerë popullore, ku mori pjesë i gjithë komuniteti i udhëhequr nga Paria e vendit me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, ky libër është ndër tre librat më të vyer botuar deri më sot. Të parin vlerësoj librin “Emblema e një epopeje”, shkruar po nga Enver Memishaj- Lepenica; 2- monografinë e madhe “Osman Haxhiu” me autor buldozerin e kulturës dhe historisë së Vlorës prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe 3- “Major Ahmet Lepenica…”, ky libër për të cilin sot po diskutojmë me kënaqësi e nderim. Ndërsa për nga rëndësia e lëndës, dëndësia e besueshmëria e informacionit që jep, “Major Ahmeti” i autorit E. Memishaj qëndron shumë i vlerësuar e dinjitoz në krahë të librave më të plotë të historiografisë shqiptare.

Përse e vlerësoj këtë libër, që autori i dhuron 100 vjetorit të Pavarësisë? Së pari, është angazhim shumë dimensional që autori bën për herë të parë në kushtim të një vigani të Luftës së Vlorës dhe jo vetëm të kësaj ngjarjeje kombëtare.

Së dyti, është jetëshkrim i plotë i rrugës kombëtare të major Ahmet Lepenicës, i pari, siç thashë dhe i vetmi, që besoj se nuk mund të ketë një të dytë kaq të plotësuar.

Së treti, vërej një harmonizim të organizuar siç duhet të trashëgimisë historike me trashëgimin kulturor dhe me ato tufa lulesh folklorike, që autori përzgjodhi në këtë monografi me njësitë folklorike nga epika historike kushtuar Ahmet Lepenicës, këtij emri pa njolla në histori. Në këtë këndvështrim dalloj vëmendjen ndaj trashëgimisë historike, që autori njeh më mirë.

Në këtë libër, pas një leximi të kujdeshshëm dhe gjatë studimit të monografisë, vërej transparencën dhe turbullësirën si raport ndaj çështjes së Luftës së Vlorës, udhëheqësve dhe luftëtarëve të saj, që autori e ka trajtuar me koherencë e guxim intelektual, duke u matur edhe me “deshtë përçorë” të historiografisë shqiptare apo me figura të njohura, që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë, por që, sipas autorit, kanë qëndrime të pasakta, të njëanëshme dhe zbehin ndriçimin vigan të Luftës së Vlorës dhe trimave çlirimtarë.

Ky libër, më i riu e më i ploti i autorit na shëron edhe kombëtarisht, sepse kirurgu historiko-folklorik, miku ynë i mirë Enver Memishaj vlerëson kriteret shkencore të botimit, sidomos dy elementët e domosdoshëm për një botim biografik: 1-dokumentin historik dhe 2- dëshminë historike, duke i dhënë përparësi, normalisht, dokumentit historik.

Dihet historia, por Enver Memishaj ka meritën se ka plotësuar faqe të munguara jo vetëm në historinë lokale por edhe në përmasa më të gjera, se ka zbardhur portrete të harruara (nuk dihet çdo të ndodhte me Ahmet Lepenicën, po të rronte pas Luftës së Dytë Botërore, se ai vdiq sapo u fut 41- shi dhe në Shqipëri). Memishaj u ka hequr pluhurin e harresës, bëzhdilet ngarkuar padrejtësisht figurave të pluhurosura nga regjimi totalitar. Fatkeqësisht, tjetër gjë janë historishkruesit dhe tjetër gjë të mbajturit mend nga historibërësit, historijetuesit dhe kujtesa sociale e komunitetit ku kanë jetuar e vepruar për kombin personazhet historikë të këtij vendi. U realizoftë rezonanca e këtyre dy shtyllave, që lënë gjurmë përgjatë rrjedhave të kohës për t’u përcjellë brezave vërtetësinë jetësore!

Njihet historia, por Enver Memishaj, me metodologjinë e kulturën që është plotësuar gjatë jetës, përdor një gjuhë të pastër e të kuptueshme; kur duhet, përdor edhe të folurën dialektore, që fiksohet lehtë e qartë në memorie me tipologjinë e identitetit, që evidenton me tekstin e shkruar. Kam kuptuar qëndrimin e shëndetshëm kritik të autorit për vështrimin dhe shkrimin koherent të kësaj lufte të drejtë, e cila synonte shporrjen e kolonizatorëve nga trojet shqiptare të pushtuara; po ashtu edhe vlerësimin e tij që i bën luftës së luftëtarëve të trojeve autoktone. Lufta e Vlorës ka patur formacione të rregullta, të organizuara me çeta, me gjerësi e shkallëzim luftimi dhe me vertikalitet korrekt drejtimi. Nga ky truall studimor doli punimi i E. Memishajt për të portretizuar njërin nga personazhet kryesorë të Njëzetës, njërin nga komandantët ushtarakë të asaj epopeje, patriotin e ditur Ahmet Lepenica.

Siç e shpreha, në këtë libër shfaqet guximi atdhetar e intelektual i autorit, që ndez dhe ndjenjën e debatit, pa fyer diversitetin e kulturave të individëve e komuniteteve të ndryshme. Enver Memishaj jep kontribut konkret kombëtar për vlerësim real të figurave madhore të pavlerësuar gjer sot. Ai nuk i shërben glorifikimit të pamerituar, për hir të denigrimit monist. Autori i paraqet siç janë personazhet e luftës, apo, në rastin konkret, heroin e tij, me koloritin e qëndrimit në kohë e në hapësirë, parë nga konteksi i duhur për një studiues, që punon saktë edhe me institucionin verbal të aparatit bibliografik.

Ndihem mirë që jam mik i autorit, por sidomos që paraardhësit e mi Murat Miftar Tërbaçi e Gani Iljaz Abazi ishin edhe miq të Ahmet Lepenicës, Osmën Haxhiut, Qazim Koculit, Duro Shaskës, Qazim Kokoshit, Hamit Selmanit, Alem Mehmetit, Ali Beqirit, Hysni Shehut, Azbi Canos, Sali Bedinit, Myqerem Hamzarajt, Beqir Sulos, Meçan Selamit, Rexhep Sulejmanit, Halim Xhelos e tërë atyre luftëtarëve të kombit. Edhe unë do të përpiqem ta justifikoj, në kushtet që jetojmë, këtë fakt të nderuar e dinjitoz.

Të dritëroftë pena e shpirtit të pastër dhe e mendjes së kthjellët, o zotëri Enver Memishë Lepenicë Bujari! Faleminderit!

Vlorë; e shtunë, 10.11. 2012

*) Kumtesa është mbajtur në diskutimin e librit “Major Ahmet Lepenica…” të autorit Enver Memishaj- Lepenica

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ahmet Lepenica, Albert Habazaj, Enver Memishaj, Major

I KTHEHET HISTORISË NJË NGA ATDHETARËT QË RISHPALLËN PAVARËSINË KOMBËTARE, NË VITIN 1920

November 2, 2012 by dgreca

Vepra në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë./

Mbi veprën e Enver Memishaj-Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”, Tiranë 2012, vlerësuar prej Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh./

 Nga Begë Karefil  BEGAJ/

Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, studjuesi i palodhur Enver Memisha-  Lepenica na siell një dhuratë të bukur ëndërrash për  lexuesin dhe veçanërisht për  të ndriçuar faqet e lavdishme të historisë, veprën e tij të njëmbëdhjetë “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”

Vite më parë, në vitin 2000, në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit dhe luftëtarit Hysni Lepenica ai na dha një vepër me dokumenta që i kushtohet këtij patrioti.

Autori, si bir i Lepenicës, duhet vlerësuar nga të gjithë ne bashkëfshatarët e tij, që me kurajo, me punë, me mundim nxorri në dritë një figurë të mbuluar nga pluhuri harresës, e që i bëri nder jo vetëm Lepenicës e shquar për trima e atdhetarë por historisë së Labërisë dhe më gjerë, që është shquar në luftra për liri e pavarësi, veçanërisht në Luftën e Vlorës 1920, ku edhe u vendos fati i Shqipërisë.

Kështu që unë si mësues dhe bashkëfshatar i Enverit ndjehem krenar për këta personalitete të shquara të fshatit tonë, por edhe për Enver Lepenicën që ka zbuluar dhe evidentuar veprën atdhetare të këtyre dy burrave duke bashkangjitur emrin e tij me bijtë më të mirë e atdhetar që ka nxjerrë vendlindja jonë, Lepenica.

Me këtë rast e ndiej për detyrë të çmoj dhe të falnderoj Prof. Dr. Alqi Naqellarin dhe shkrimtarin e njohur Novruz Shehu që një vit më parë botuan librin “Enveri i Lepenicës” që i bëjnë jehonë njëmbëdhjetë veprave të botuara dhe të vlerësuara të e z. Enver Memishaj –Lepenica dhe evidentojnë rëndësinë dhe vlerat e këtyre veprave, si dhe aktivitetin e gjërë publiçistik e shoqëror të këtij personaliteti tashmë të njohur në botën kulturore shqiptare.

*    *    *

Libri “Major Ahmet Lepenica…”, ka marrë në studim aktivitetin atdhetar të këtij personazhi të rëndësishëm të historisë sonë: kapiten i parë dhe bashkëluftëtar i Mustafa Qemal Ataturkut, bashkëluftëtar dhe mik i Ismail Qemalit, mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare 1912-1913, çlironjës i krahinave të jugut të Shqipërisë nga invadimi grek më 1914, Komandnat i Pargjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920, ose lavdia e tij se ishte ajo luftë që rishpalli Pavarësinë e harruar dhe të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore, Lufta për çlirimin e Matit dhe Dibrës nga pushtuesi serb, në dimrin e vitit 1920, Komandnat i Krahut të Vjosës, në vitin 1921, Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës në vitin 1922, udhëhqës i Revolucionit të Qershorit 1924, kontribues i shquar në hallet dhe problemet e krahinës së Mesaplikut deri sa dha shpirtin e tij të bardhë në vitin 1941.

Jeta e heroit të këtij libri Ahmet Islam Canaj që në histori hyri me emrin Ahmet Lepenica, fillon si ushtar i Perandorisë Osmane dhe që për merita trimërie e zotësi ushtarake u gradua oficer, por zemra e tij rrahu vazhdimisht për atdheun e tij.

Sado me gradë e pozitë  në Perandorinë osmane, kur erdhi momenti në vitet 1911 – 1912 , nuk pyeti më për grada e ofiqe  por iu përgjegj  thirrjes së atdheut, me dëshirë, me zemër e me besim se edhe Shqipëria do të bëhej.

Libri është ndarë në katër pjesë: Pjesa e parë: Jeta dhe vepra e major Ahmet Lepenicës, pjesa e dytë: Në krahët e këngës popullore, pjesa e tretë: Bashkëluftëtarë dhe personalitete të shquara në jetën e Ahmet Lepenicës, pjesa e katër: Dokumenta. Të katër pjesët janë  harmonizuar e lidhur organikisht si vazhdim të njera tjetrës.

 

Në hartimin e kësaj vepre kanë ndihmuar me konsulencat e tyre: Dr. Bujar Leskaj, Dr. Iliaz Gogaj dhe Prof. Nestor Nepravishta. Vlerësimi i librit është bërë nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.

Libri është paisur me kronologjinë e jetës së Ahmet Lepenicës, burimet dhe bibliografia nga   Arkivi Qëndror i Shtetit Shqiptar, Instituti Historisë dhe Biblioteka Kombëtare, faksimile të dokumentave historike dhe fotografi,  literature e gjerë historiografike, kujtime të botuara, folklor, shtypi i kohës  dhe në fund indeksi i emrave të njerzëve, gjë që do të thotë se jemi para një punimi të mirëfilltë shkencor, që duhet të tërheqë vëmëndjen e një mase të madhe të lexuesve dhe të elitës kulturore shqiptare.

*   *   *

Me këtë libër, Z. Enver Memishaj, ka e përballuar me sukses një punë voluminoze studimore, që kërkon gjithë jetën e njeriut dhe ja ka arritur qëllimit që me  kompetencë shkencore, me fakte, dokumenta të shumta, me analizë, argumenta bindëse e të pa kundështueshme  mbështetur edhe në shtypin e kohës edhe në folklor t`i ngrejë major Ahmet Lepenicës monumentin e munguar dhe t`i kthejë historisë sonë një personalitet të shquar.

E gjith kjo punë voluminoze dhe cilësore tregon bagazhin kulturor që zotron autori, pasionin për të  kërkuar të vërtetën, dashurinë për atdheun dhe vendlindjen.

Ai me kompetencën e një studjuesi na ka treguar se si shkruhet historia, si shkruhet për figura historike  që kanë sakrifikuar gjithëçka për këtë atdhe për këtë truall  që me të vërtetë është larë në çdo pëllëmbë me gjak shqiptari  më shumë për fajet tona se sa të të huajve.

Nëpërmjet figurës së major Ahmet Lepenicës, autori  jo vetëm që ka zbuluar të vërtetën historike të  pa njohur  por ai me durim, me punë të pa lodhur  gjithëçka e ka mbështetur  në dokumenta  që vetëm një njeri me nivel të lartë  intelektual mund ta bëjë, duke grumbulluar  materiale bindëse  të pa kundështueshme  për të vërtetuar atë që ai shkruan, sepse ajo është  e vërteta.

Kujtimet e bashkëkohësve lozin këtu një rol të rëndësishëm, pasi dihet se Lufta e Vlorës ishte një lëvizje dhe luftë ilegale, ku vlonjatët  u mblodhën, kuvenduan dhe morën vendime në majat e maleve andej nga kishte ardhur gjithmobnë liria e tyre, si në malin e Dukatit, në malin e Smokthinës etj. Kujtimet duhet të pranohen si të vërteta historike, pasi ato janë grumbulluar, redaktuar dhe botuar nga Adademia e Shkencave e Shqipërisë.

Mbi bazën e këtyre dokumentave autori për herë të parë na pëshkruan, se kush e ideoi dhe e organizoi si dhe organet udhëheqëse të Luftës së Vlorës. Ai ka treguar se si dhe pse u zgjodh Ahmet Lepenica, Shef Shtabi dhe Komandant  për të udhëhequr luftën, nga ana ushtarake. Autori ka evidentuar zotësinë ushtarake të tij, besimn që kishte tek ai Vlora, Labëria dhe e gjithë Shqipëria.

Në kapitullin “Rëndësia e Luftës së Vlorës” autori citon elitën e kulturës, studjuesve dhe historianëve tanë të cilët kanë arritur në të njejtin përfundim, në mirëkuptim të plotë se Lufta e Vlorës hodhi në erë planet antishqiptare të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Pariz, në vitin 1919 dhe 1920 dhe vendosi fatin e Shqipërisë dhe për pasojë Shqipëria në dhjetor të vitit 1920, për herë të parë në historinë e sajë u njoh edhe nga bota si shtet i pavarur.

Vlerat e studjuesit Enver Memishaj – Lepenica duken edhe në kapitullin “Lufta e Vlorës nuk mund të shvleftësohet”, në të cilin autori polemizon dhe hedh poshtë shumë përfundime dhe shtërmbrime të pa drejta dhe të pa bazuara të disa stdujuesve që kanë shkruar apo e kanë përmëndur Luftën e Vlorës.

Major Ahmet Lepenica, si një veteran pa njollë i çështjes sonë kombëtare, është renditur në radhën e atyre figurave që me përkushtim  iu gjendën atdheut  në ditët më të errta, me re të zeza, të vështira, pa menduar asnjëherë se çdo të fitonin për vete. E me të vërtetë, autori thekson se ai, major Ahmet Lepenica, nuk mori e nuk pranoi asgjë, në fund të Luftës së Vlorës, për kontributin e shquar që ai dha në shërbim të atdheut, siç vepruan udhëheqësit e tjerë të asaj lufte.

Ahmet Lepenica bëri pjesë në elitën e atdhetarëve të asaj kohe që nga 1911 dhe deri sa mbylli sytë më 1941, që para çdo gjëje, pasurisë e rehatisë, qetësisë e lumturisë  personale  vuri dashurinë  për atdheun  e robëruar  prandaj ai qe nga  të parët që ju përgjegj  thirrjes së atdheut për ta shpëtuar.

Kontributi tij është dhënë në periudhat kur fati atdheut vihej në pikpyetje 1911 – 1924, kudo ku kërkohej dorë e fortë atje gjendej Ahmeti Lepenica. Ai iu përkushtua atdheut me mish e me shpirt me luftë e vetëm me luftë në çastet e momentet më të vështira duke tërhequr pas vetes tërë ata  donin dhe që besonin tek liria.

Në këta njëzet vjet të lirisë, është shkruar për shumë personalitete, e sejcili ka meritat e veta  e vendin e vet në histori, që duhen vlerësuar,  por kur flet për udhëheqës legjendarë si major Ahmet Lepenica  që komandoi dhe udhëhoqi në fitore Luftën vigane të Vlorës e vendosi fatin e Shqipërisë,  duhet menduar për një vend të veçantë, sidomos në këtë 100 vjetor se ende nuk e kemi monumentin e tij se ende nga autoritetet shtetërore nuk është vlerësuar si duhet. Ndofta ky libër i z. Enver Memishaj i zgjuan nga gjumi baballarët e Kombit, natyrisht në se ata lexojnë libra!

Humbja e Revolucionit të Qershorit ishte humbja e parë dhe e fundit në jetën e tij, pas kësaj humbje  tërhoq nga jeta ushtarake dhe nëpunësia shtetërore pa bujë. Jetoi në fshatin e tij praën fshatarëve hallemdhinj, duke mbetur një shembull frymëzimi për Labërinë dhe Shqipërinë se si dhe ç`duhet të bëjë shqiptari për Shqipërinë.

Ai, fillimisht ishte shok ideali me Ahmet Zogun, bashkëluftëtar trim me të në Veri dhe më pas kundështar i tij, por si fisnik pas kthimit nga egzili politik në fund të vitit 1926, nuk pranoi grada të pa meritura që ja propozoi Ahmet Zogu duke i thënë atij: “Se gradat e tua, nuk më kanë lezet, ato unë i lash në Shkallë të Tujanit”.

Autori ka përshkruar me një gjuhë të bukur e tëheqëse, herë herë duke i qëndruar besnik dialektalizmave, ngjarjet ngjarjet historike në të cilat major Ahmet Lepenica ka dhenë kontributin e tij, mbështur mbi dokumenta, kombinuar me shtypin, folklorin dhe kujtimet e bashkëkohësve, çka e bën tregimin tërheqës, bindës, dhe të pranueshëm.

*    *    *

Kjo vepër, së bashku edhe me veprën tjetër të Enver Lepenicës “Emblema e një epopeje”, na japin për herë të parë një përshkrim të plotë dhe të dokuemntuar të Luftës heroike që bënë shqiptarët në vitin 1920 dhe rishpallën Pavarësinë Kombëtare, si dhe u arrit në saje të kësaj luftë që Shqipëria të njihej nga Lidhja e Kombeve në dhjetor 1920.

Për herë të parë ndriçohen e saktësohen me emra dhe biografi, organet udhëheqëse të Luftës së Vlorës, Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare”, Shtabi i Luftës, komandantët e çetave, heronjtë, dëshmorët dhe të plagosurit e asaj lufte vigane.

Për herë të parë evidentohet fakti historik se ajo luftë u ideua, u organizua dhe u udhëhoq jo nga fshatarë siç kanë shkruar historianët komunistë, por nga elita e kohë, personalitete të shquara civile dhe ushtarake që ishin diplomuar në shkollat më të mira të Perandorisë osmane si  dhe në vendet e Europes. Shtabi i Luftës përbëhej prej oficerëve të shquar të Perandorisë osmane.

Autori librit evidenton faktin se atdhetarët që udhëhoqën atë luftë vigane përveç trimërisë dhe zgjuarsisë, vunë edhe pasurinë e tyre për luftën, kështu Osman Haxhiu hyri në luftë si një nga pasanikët më të mdhenj të Vlorës dhe doli andej fukara edhe shtëpinë ja dogjën italianët, kështu edhe Alem Tragjasi, Duro Shaska, Hysni Shehu, Azbi Cano, Ahmet Lepenica Hamit Selmani etj.

Për herë të parë  ndriçohen disa ngjarje historike të lëna qëllimisht në harresë si pjesmarrja e batalionit vlonjat në luftë me pushtuesit serbë në Mat dhe në Dibër në dimrin e vitit 1920, dëshmorët e rënë atje etj.

 

Pavarësisht nga disa vlerësime, figura e Ahmet Lepenicës ishte lënë qëllimisht në harresë për arsye që dihen. Për herë të parë autori zbulon dhe evidenton madhështinë e figurës dhe veprës së Ahmet Lepenicës dhe i kthën historisë një personalitet të shquar .

Kjo punë e shquar, e Enver Lepenicës tregon se ç`mund të arrij një intelektual i përkushtuar e kërkues, kurajoz e studjues  duke nxjerrë vlera për të ardhmen që të tregoi se sa e vështirë por jo e pa mundur  është për të shkruar vepra që vlerësohen e dritësojnë historinë tonë.

Si përfundim, jemi para një vepëre historike që plotëson të gjitha kriteret shkencorë, përgatitur në konsulencë dhe me vlerësim të autoriteteve të njohura të kulturës shqiptare dhe këtu qëndron edhe rëndësia e kësaj vepre.

*    *    *

E uroj dhe e falnderoj z. Enver Memishaj- Lepenica, për këtë vepër të realizuar dhe është për të marrë shembull prej tij që ka dritësuar dhe kthyer historisë, figurëm famë madhe të major Ahmet Lepenicës.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ahmet Lepenica, Bege Begaj, Enver Memishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT