Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe vetë njerëzimi e kanë njohur shumë herët fenomenin e terrorizmit dhe aktiviteteve terroriste. Për shumë dekada me rrallë terrorizmi ka krijuar shqetësime dhe probleme të mëdha për sigurinë dhe paqen kombëtare e ndërkombëtare të shteteve. Terrorizmi duhet konceptuar si kërcënim ose përdorim dhune fizike përkundrejt personave ose pasurive të ndryshme nga persona ose grupe personash pjestar të organizatave terroriste, me qëllim arritjen e objektivave politike, fetare, ideologjike të drejtuara kundër një shteti ose disa shtetesh. Përkufizimi i “Terrorizmit Ndërkombëtar”, sanksionohet qartë në Kodin e Terrorizmit Ndërkombëtar të SHBA-së (18 U.S.C, 2331), si më poshtë :
“Terrorizëm Ndërkombëtar, do të thotë aktivitet me tre karakteristika, që përfshijnë veprime të dhunshme ose akte të rrezikshme për jetën e njeriut që shkelin ligjin federal ose shtetëror. Që ka për qëllim : 1.) Frikësimin ose detyrimin e një popullsie civile. 2.) Ndikimin në politikën e një qeverie me anë të frikësimit, detyrimit. 3.) Të diktojë sjelljen e një qeverie me anë të frikësimit, detyrimit, shkatërrimit në masë, vrasjeve dhe rrëmbimeve. Këto akte terroriste ndodhin jashtë juridiksionit territorial të SHBA-së, ato i kapërcejnë kufijtë kombëtar”.
Etapat kryesore të zhvillimit të terrorizmit në bazë të historisë njerëzore janë :
1.) Lashtësia. 2.) Mesjeta. 3.) Rilindja. 4.) Lufta e I Botërore. 5.) Lufta e II Botërore. 6.) Lufta e Ftohtë. 7.) Periudha pas vitit 1990. Ndërsa faktorët kryesorë që kontribojnë për zhvillimin terrorizmit nderkombetar janë : 1.) Faktori Politik. 2.) Faktori Fetar. 3.) Faktori Ideologjik.
4.) Faktori Psikologjik.
Po ku dhe si lindi terrorizmi ? Historia e lindjes së fenomenit të terrorizmit daton të paktën 2000 vjet përpara, por atëherë krejtësisht në kushte dhe ndikime të tjera. Bazuar në kronologjinë historike, politike, fetare, ideologjike dhe psikologjike terrorizmi ka pasur një rrugëtim të gjatë. Veprimtaria më hershme terroriste është ajo e “Romës së Lashtë”, ku grupe të quajtura Sicari dhe Zealtots kryenin vrasje përkundrejt Romakëve, Grekëve, Çifutëve duke i terrorizuar dhe detyruar të bashkëpunonin. Për sa i përket origjinës së fjalës terrorizëm ajo vjen nga “regime de la terreur”, në periudhën 1793 – 1794 në Francë, përgjatë Revolucionit Francez.
Terrorizmi mbi baza jo fetare lidhet me Ideologjinë Marksiste, Revolucionet në Itali, Kryengritjet përkundrejt Carit në Rusi dhe me Radikalët e Anarkistët. Në fundin e shekullit të 19 dhe fillimin e shekullit të 20, kishte akte dhe sulme të shumta terroriste në SHBA, Indi, Japoni, Perandorin Otomane. Viti 1914 solli aktivizimin e grupeve “Terroriste Serbe”, që çuan në vrasjen e Arqidukës Franz Ferndinand më 28 qeshor 1914 në Sarajevë e kryer nga “Boshnjakët e Rinj”, vrasje që shkaktoi fillimin e Luftës së I Botërore. Ndërsa si Gjermania Naziste, Italia Fashiste dhe Bashkimi Sovjetik Stalinist, përdorën vrasjet masive, spastrimet etnike, gjenocidet si forma të terrorizmit shtetëror. Këto fenomene terroriste shtetërore vazhduan edhe përgjatë Luftës së Ftohtë me diktatura ushtarake në Amerikën Latine, Afrikë të cilat përdornin metoda terroriste. Në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë lindën lëvizje nacionaliste kundër ish-vëndeve koloniale si Britania e Madhe, Franca dhe gjithashtu luftë guerile në Indokinë, Algjeri, Kenia, Malajzi, Palestinë, Izrael, Qipro. Në vitet 1960 – 1970, përveç grupeve nacionaliste u formuan edhe grupe të motivuara etnikisht dhe ideologjikisht si : 1.) Organizata për Çlirimin e Palestinës. 2.) Grupi Bask ETA. 3.) Ushtria Republikane Irlandeze Paraushtarake. 4.) Ushtira e Kuqe.
5.) Brigada e Kuqe në Itali.
“Terrorizmi Ndërkombëtar” realisht përbën një nga kërcënimet më serioze për shtetet sepse kapërcen çdo kufi gjeografik, pra nuk ka një “shtëpi” dhe kjo sigurisht që përbën një vështirësi për reagimin e strukturave të Sigurisë Ndërkombëtare. Kjo është një nga çështjet më të diskutuara dhe shqetësuese për qeveritë në vitin 2015, në një botë tërësisht të globalizuar, në të cilën fenomeni i terrorizmit ndërkombëtar është universal për të gjithë globin. Fenomeni i terrorizmit ndërkombëtar ka filluar të dominojë studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare që nga vitet 1970 – 1980, por sot në shekullin e 21 është kthyer në çështjen më të diskutuar nga shtetet për sa i përket kërcënimit që përbën për Sigurinë dhe Paqen e Sistemit Ndërkombëtar.
Një nga aktet e para terroriste ndërkombëtare ishte ai i “Grupit Palestinez”, të cilët rrëmbyen një avion udhëtarësh dhe vranë atletët Izraelitë në Lojrat Olimpike të vitit 1972. Në vitin 1980, fenomeni u zhvillua së tepërmi dhe shkak për këtë ishte politika anti-amerikane dhe anti-europiane në Lindjen e Mesme. Shtetet që e kanë sponsorizuar dhe mbështetur më shumë terrorizmin ndërkombëtar janë ato të Lindjes së Mesem si Irani, Iraku, Libia, Siria të cilët e gjejnë frymëzimin tek besimi dhe feja radikale islamike, që përbën një nga problemet më serioze dhe thelbësore sot në ngjarjet politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Akti terrorist ndërkombëtar i 11 shtatorit 2001, që me anë të aeroplanëve goditi “Kullat Binjake” dhe Pentagonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijoi ndjenjë terrori dhe pasigurie për të gjithë botën. Ky ishte edhe momenti që zgjoi dhe forcoi interesin e çdo studiuesi të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë për tu thelluar mbi fenomenin e “Terrorizmit Ndërkombëtar”, por bëri edhe ndërkombëtarizmin final të këtij fenomeni.
Këto dekada sulmet terroriste ndërkombëtare kanë qënë të shumta, por sulmet më të përgjakëshme nga Organizatat Terroriste Ndërkombëtare janë si me poshtë : 1.) Më 18 prill 1983, shpërthimi i bombës në Ambasadën Amerikane në Bejrut të Libanit nga Organizata e Xhihadit Islamik, sulmi shkaktoi 63 të vdekur dhe 120 të plagosur. 2.) Nga 15 korriku – 17 tetori 1995, sulme terroriste me bomba në Paris në Metro dhe RER nga Grupi i Armatosur Islam i Algjerisë në Francë, sulmet vranë 8 persona dhe plagosën më shumë se 100. 3.) Më 7 gusht 1998, shpërthimi në Ambasadën e SHBA-së në Tanzani dhe Kenia, sulmi shkaktoi 224 të vdekur dhe mbi 4000 të plagosur. 4.) Më 11 shtator 2001, sulmet terroriste në SHBA me anë të aeroplanëve të rrëmbyer nga terroristët e Al-Kaedas, goditën me 2 aeroplanë Qendrën Tregëtare dhe me 1 aeroplan Pentagonin, sulmet shkaktuan 3000 të vdekur. 5.) Më 11 mars 2004, në Madrid shpërthimi i bombës në tren, sulmi vrau 191 persona dhe plagosi 1800. 6.) Më 7 korrik 2005, shpërthime të shumfishta në Londër, sulmet shkaktuan 53 të vdekur dhe 700 të plagosur.
Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar duhet bazuar në pengimin dhe moslejimin e organizatve terroriste që të zotërojnë dhe më pas të përdorin Armë të Shkatërrimit në Masë si Armët Bërthamore, Biologjike dhe Kimike, ky fakt do të ishte tejet i rrezikshëm për egzistencën e njerëzimit. Terrorizmi Ndërkombëtar, sot në vitin 2015 manifeston dhunën, terrorin dhe vrasjet masive më të përgjakëshme në të gjithë popullsinë e globit. Aktet terroriste organizohen, planifikohen, financohen dhe kryen nga “Organizatat Terroriste Ndërkombëtare”, të cilat qëllimin e përbashkët e gjejnë tek destabilizimi i Rendit Ndërkombëtar. Në librin “International Terrorism: A New Mode of Conflict”, studiuesi Brain M. Jenkins thekson: “Terrorizmi ndërkombëtar mund të krahasohet me fillimin e një Lufte të III Botërore”. Për të arritur qëllimet e tyre terroriste, si armë kryesore përdorin vrasjen dhe përhapjen e ndjenjës së terrorit në popullsi me mjete, forma dhe mënyra të ndryshme por që kanë të njëjtën pasojë gjakderdhjen e njerëzve të pafajshëm, ngjarje që krijojnë probleme, kriza, konflikte, luftra në rajone të ndryshme të botës veçanërisht në Lindjen e Mesme. Këto grupe terroriste përbëhen nga nacionalistë, ekstremistë, revolucionar, terroristë, radikalë politik, fetar, ideologjik.
Organizatat Terroriste Ndërkombëtare më të rëndësishme në bazë të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Byrosë së Kundërzbulimit janë : 1.) ISIS, (Shteti Islamik i Irakut dhe Levant), vepron në Siri, Irak, Libi, Liban dhe Nigeri është një nga organizatat terroriste më të rrezikshme për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare në momentin që jetojmë. 2.) Al-Kaeda, është organizata terroriste më e njohur në botë e krijuar nga Osama Bin Laden në fund të viteve 1980 dhe është e përhapur në Afganistan, Pakistan, Iran dhe Indonezi.
3.) Hamash, (Lëvizja e Rezistencës Islamike) e përhapur në Izrael, Bregun Perëndimor, Rripin e Gazë. 4.) Hesbollah, (Partia e Zotit) është e vendosur në Liban dhe me celula në Afrikë, Azi dhe Europë. 5.) ETA (Atdhe dhe Liri Baske) e përhapur në Spanjë në rajonet autonome në veri të vëndit. 6.) FARC (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë), me veprimtari në Kolumbi, Brazil, Venezuel dhe Panama. 7.) Boko-Haram, i përhapur në Nigeri, Kamerun, Niger dhe Çad. 8.) Al-Nusra Front, e përhapur në Siri dhe Liban.
Sulmet terroriste më 7 janar 2015 në Paris në “Charlie Hebdo” nga Al-Kaeda e solli edhe njëherë vëmendjen e jashtëzakonshme për bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Aktet terroriste dhe sulmet që i përkasin kohëve të fundit nga Organizatat Terroriste Ndërkombëtare të ISIS dhe Al-Kaeda në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, shtuan rrezikun e “Terrorizmit Ekstremist Islamik”. Përhapja e ISIS (Shtetit Islamik të Irakut dhe Levant) në Siri, Irak, Liban, Libi dhe Nigeri shihen si rrezik potencial për Europën dhe Amerikën.
Organizatat dhe Institucionet Ndërkombëtare përbëjnë elementin thelbësor të bashkëpunimit në marrëdhëniet ndërkombëtare për të luftuar kërcënimin e shfaqur nga terrorizmi ndërkombëtar. Roli i traktateve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacia ndërmjet shteteve në momente krizash, luftrash është jetik sepse bashkëpunimi ndërkombëtar i ndërsjelltë në aspektin politik, ekonomik, shoqëror, kulturor, humanitar ruajnë dhe përforëcojnë sigurinë, paqen, humanizmin dhe prosperitetin e Rendit Ndërkombëtar.
Për përballimin, izolimin, kontrollin dhe eleminimin e terrorizmit ndërkombëtar duhet : 1.) Bashkepunim ndermjet Shteteve, Organizatave dhe Institucioneve Ndërkombëtare në miratimin dhe respektimin e Konventave, Marrëveshjeve, Ligjeve Ndërkombëtare anti-terrorizëm. 2.) Luftimi i drëjtëpërdrejtë ushtarak nga ajri, toka, deti i Organizatave Terroriste në vendet e origjinës. 3.) Mbështetje politike, ekonomike, financiare për shtetet e vogla, të dobëta dhe të rrezikuara nga propaganda e veprimet terroriste që të drejtohen drejt rrugës perëndimore. 4.) Vigjilencë maksimale në të gjithë territoret e shteteve aleatë në luftën kundër terrorizmit duke shfrytëzuar Agjencitë e Inteligjencës të shteteve të fuqishme për të marrë informacione mbi sulmet e mundëshme terroriste. 5.) Kujdes dhe kontroll maksimal në teknologji, informacion dhe luftën përkundrejt “Terrorizmit Kibernetik”. 6.) Bashkëpunimi ndërkombëtar ndërmjet Organizatave të Sigurisë si Interpoli, Europoli dhe Institucioneve të tjera të Sigurisë dhe Mbrojtjës. 7.) Zbatimi dhe respektimi i Konventave dhe Protokolleve kundër-terrorizmit te OKB-së që janë në fuqi, negocimi dhe implementimi i Konventa të reja anti-terrorizëm dhe sigurisht miratimi dhe respektimi i Rezolutave të Këshillit të Sigurimit për përmirësimn e Sigurisë Ndërkombëtare.
Në përfundim, strategjia e luftës kundër-terrorizmit duhet të bazohet tek mjetet diplomatike si arbitrazhi, negociatat, sanksionet diplomatike, embargot ekonomike të cilat do të ndihmonin më shumë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, ndoshta më shumë se çdo veprimtari ushtarake. Në marrëdhëniet ndërkombëtare lufta kundër së “keqes” së përgjithëshme fitohet me partneritet, bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet Organizatave Ndërkombëtare si OKB, BE, NATO, OSBE dhe ndërmjet shteteve të fuqishme të botës si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca etj. Qytetërimet botërore ndryshojnë nga njëri-tjetri në bazë të historisë, kulturës, fesë, traditës, politikës, ekonomisë, sigurisht këto ndryshime sjellin edhe konfliktet dhe fenomenin e terrorizmit ndërkombëtar. Lufta përkundrejt terrorizmit ndërkombëtar nuk do të fitohet në kohë afatshkurtër, por mund të parandalohet dhe mbahet nën kontroll në aspektin afatgjatë.
KRONOLOGJIA HISTORIKE E LUFTËS SË FTOHTË
Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA*/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Lufta e Ftohte është një nga ngjarjet më kardinale dhe me më ndikim për rendin ndërkombëtar të kohës, nga origjina e cila daton në fund të Luftës së II-të Botërore dhe deri në përfundimin e saj në vitin 1989. Roli i saj si tensionues për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare e bën tepër të rëndësishme studimin e detajeve, që të kuptojmë mesazhin që ajo solli dhe atë që trashigoi.
Origjina e Luftës së Ftohtë lidhet drejtëpërsëdrejti me vitet 1944 – 1949, sepse menjëherë pas muajve pasardhës së Luftës së II-të Botërore ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, kishte përplasje të fuqisë ideologjike, gjeografike dhe politike. Sovjetikët e bazonin vazhdimsinë e shtetit në arenën ndërkombëtare tek konflikti, ndërsa Amerikanët kishin ideale demokratike prandaj ishin të bindur për një qëndrim dhe koalicion perëndimor kundër BRSS.
Josif Stalini për dominimin territorial në Europën Lindore kërkonte nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja : 1.) Njohjen e pushtimeve territoriale të viteve 1939 – 1940. 2.) Krijimin e një rripi sigurie, me anë të kontrollit të qyteteve të Europës Lindore. 3.) Kontrollin e së ardhmes së Gjermanisë. Por pas ndarjes së Gjermanisë në zona okupimi u ra dakort për spostimin e kufijve Polakë, për prespektivën e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe për këtë arsye SHBA-ja aplikoi “Bretton Woods”, kjo do të konsolidonte regjimet demokratike dhe do ti jepte baza solide paqes. Ideologjia Amerikane nënkuptonte një gjëndje natyrale të paqes, ndërsa Ideologjia Sovjtike e quante konfliktin ndërkombëtar si normalitet, pra paqja këcënohej nga agresiviteti i diktaturave. Vizionet dypalëshe përplaseshin fort, përpara detyrës së ridizejnimit të të gjithë sistemit ndërkombëtar. Në vitet 1945 – 1947, të gjëndur përreth tavolinave të negocimit mosbesimi ndërmjet SHBA-së dhe BRSS-së u rrit jashtëzakonisht. Në fillim të vitit 1947, në Uashington përherë e më tepër po bindeshin për ndryshimin e frymës në Europë drejt pro-ameikanëve dhe kapitalizmit dhe sa më larg komunizmit dhe BRSS-së. Për këtë SHBA-ja, aplikoi “teorinë e rimëkëmbjes” dhe instrumentin e saj Planin Marshall, kjo do të sillte rënien graduale ose të menjëhershme të fuqisë Sovjetike, pengimin në Europë të përhapjes së “Stalinizmit Sovjeitk” dhe do të ndihmonte Europën Perëndimore. Ishte konfiguruar një situatë që nga njëra anë ushtrohej forcë brutale difensive dhe nga ana tjetër kapacitete dinamike për të ndërtuar konsensuse dhe kompromise.
Problemi qëndror i Luftës së Ftohtë ishte Gjermania, Berlini ishte nën okupimin e katër fituesve dhe e rrethuar totalisht nga zona e okupuar nga Sovjetikët nga e cila varej për furnizime dhe shërbime jetësore. Trupat sovjetike kishin bllokuar hyrjet tokësore dhe kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe për të mos shkaktur shpërthimin e luftës, SHBA-ja dhe Britania e Madhe i furnizuan ato nga ajri me ndihmat bazë jetësore. Zgjidhja e përkohëshme erdhi me lindjen në zonën perëndimore të Republikës Federale Gjermane nën kujdesin e tre aleatëve e cila ishte parimisht sovrane së brëndëshmi dhe e çarmatosur, ndërsa Republika Demokratike Gjermane ishte e kontrolluar nga Moska me një regjim komunist.
Më 4 prill 1949, u krijua Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), si një traktat mbrojtje kolektive në rast agresioni të njërit prej shteteve aleate dhe si kundërpërgjigje BRSS-ja krijoi më vonë “Paktin e Varshavës”.
Në vitin 1949, shpërthimi i bombës së parë bërthamore nga Sovjetikët dhe konkludimi i ofensivës finale të luftës civile të Partisë Komuniste Kineze kundër forcave kombëtare ishin ngjarje që alternonin terrenin e konfrontimit bipolare. Dy ngjarje të tjera që rritën tensionet ishin: 1.) Traktati i Aleancës ndërmjet Kinës dhe BRSS-së në vitin 1950. 2.) Autorizimi i operacionit ushtarak nga Stalini kur trupat Koreano Veriore pushtuan Korenë e Jugut. Si kundërpërgjigje globale kundër-komunizmit SHBA-ja në vitin 1953 me anë të CIA-se, organizoi një operacion të fshehtë në Iran për të rrëzuar qeverinë Mossadeq, më pas një tjetër operacion në Guatemala dhe disa të tjerë në përgjatë Luftë së Ftohtë.
Në vitin 1953, menjëherë pas vdekjes së Stalinit u hap një fazë e re në marrëdhëniet ndërkombëtare sepse Nikita Hurshovi pasardhësi i tij, solli një fushatë ndryshimesh dhe idenë e një “Bashkjetese Paqësore”. Deivid Eisenhowe presidenti i SHBA-së, u shpreh se nëse Sovjetikët dëshironin paqen duhet të lejonin ribashkimin e Koreve, zgjedhje të lira në Europën Lindore dhe ribashkimin e Gjermanisë, por BRSS-ja nuk ishta gati për këtë ajo nuk donte të humbiste dhe mbi të gjitha nuk donte të përfundonte Luftën e Ftohtë.
Hurshovi, vuri theksin tek Raketat Interkontinentale të armatosura me koka nukleare, kjo e bëri çdo bllok vunerabël, tashmë lufta ishte një opsion vetëvrasës. Tendenca për të përdorur “Diplomacinë Bërthamore” që të perfitonin fitore simbolike, pozicione më të avantazhuara dhe influencë në vendet e Botës së Tretë çoi në krizat më të rrezikshme të Luftës së Ftohtë.
Më 1 nëntor 1952, Amerikanët kishin shpërthyer bombën e parë termonukleare por edhe Sovjetikët po kryenin eksperimente të shumta në këtë drejtim. Pas prishjes Kino-Sovjetike, Hurshovi takoi Fidel Kastron që ishte drejt keqësimit të marrëdhënieve me SHBA-në. Duke qënë se SHBA-ja, kishte në Turqi dhe Itali rraketa me rreze të mesme për të goditur BRSS-në, Hurshovi vendosi si presion armë analoge në Kubë. Situata u bë shumë kritike por pas presioneve Amerikane, më pas Hurshovi pranoi të tërhiqte raketat por vetëm pasi president i SHBA-së Xhon Kenedi pranoi që nuk do ta sulmonte Kubën. Më 13 gusht 1961, u inicua ndërtimi i “Murit të Berlinit” që të ndalonte qytetarët e Republikës Demokratike Gjermane të largoheshin nga vendi. Pas revolucionit Kinez, Uashingtoni kishte parë tek Vietnami një front kruçial në Azi, por ishte kjo që e çoi SHBA-në drejt disfatës politike e psikologjike më shumë se ushtarake. Nga viti 1961, SHBA-ja mbështeti Vietnamin e Jugut me furnizime, ndihma, këshilltarë ushtarak por ishte President i SHBA-së Lyndon Johnson që e ktheu Vietnamin në një luftë Amerikane.
Në vitin 1967, Çekosllovakia kishte filluar një moto reformatorësh dhe lidhi një marrëdhënie tregëtare me Gjermaninë Perëndimore dhe SHBA-në, si kundërpërgjigje menjëherë Moska e pushtoi ushtarakisht Çekosllovakinë, por e njëjta dëshirë egzistonte në Romani, Poloni, dhe Hungari. Në vitin 1970, filluan edhe protestat e para të punëtorëve në bllokun komunist, kjo sinjalizonte një pakënaqësi popullore. Në këtë kohë pozita e SHBA-së po forcohej, duke parë konfliktet e brëndëshme të Kinës me “revolucionin kulturor” dhe prishjen e saj me BRSS-në. Mao Ce Duni, la menjëanë radikalizmin ideologjik dhe i dha sinjale interesi SHBA-së, kjo ishte një kartë diplomatike tepër e fuqishme për SHBA-në kundër BRSS-së. Nga fundi i viteve 1970, SHBA-ja dhe BRSS-ja ishin përfshirë në një spirale antagoniste të armatimit dhe akuzoheshin reciprokisht që të kultivonin strategji të rrezikshme zgjerimi, ekspansioniste.
Në vitin 1979, BRSS-ja pushtoi Afganistanin, ndërsa më 30 prill 1975 pavarësisht veprimeve të presidentit të SHBA-së Richard Nixon, Vietnami i Jugut kapitulloi dhe u ribashkua nën regjimin komunist. Në diplomacinë trekëndore SHBA, BRSS, Kinë ishte Amerika që luante në të dyja tavolinat. Interesante ishte edhe kriza e Lindjes së Mesme në vitin 1973, Izraeli ishte i lidhur me SHBA-në ndërsa Egjipti me BRSS-në.
Në vitin 1975, u nënshkrua “Akti i Helsinkit” nga 37 shtete Europiane së bashku me SHBA-në dhe Kanadanë, akti obligonte respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Një marrëveshje historike ishte edhe ajo e paqes ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit në vitin 1978 e ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së Jimi Carter. Ndërsa nga viti 1981, presidenti i SHBA-së Ronald Regan kërkonte të detyronte Sovjetikët për të negociuar në një pozitë më inferiore sepse ideologjia komuniste ishte në rënie. Gjithsesei rreziku qëndronte tek arsenali bërthamor që zotëronin palët dhe që ishin të gatshme të lëshoheshin brënda disa minutave nga të dy shtetet. Viti 1983, shkoi drejt një tensionimi nga frika bërthamore dhe Ronald Regan mendoi të rihapte dialogun me Sovjetikët. Nga ana tjetër Mikail Gorbaçovi e njihte situatën dramatike dhe vështirësitë e sistemit sovjetik dhe ishte i hapur për zgjidhje të reja.
Në vitin 1986, Gurbaçovi publikisht propozoi një plan reduktimi gradual të armatimit bërthamorë, për herë të parë Moska dhe Uashingtoni dialogonin jo për stabilizimin e Luftës së Ftohtë por për të prapësuar mekanizmin e rivalitetit ushtarak që e ushqente. Më pas Gurbaçovi lejoi hapjen e kanaleve radio të huaja dhe të televizoineve. Në nëntor të vitit 1989, u mendua për një hapje të pjesëshme të kufijve Gjerman por në rastin e një regjimi në rënie një komunikim në media ndikoi që televizionet të shpallnin hapjen totale të kufijve. Miliona Berlinez shkuan përgjatë pikave të kufirit dhe përgjatë “Murit të Berlinit” dhe rojet pa urdhra ju dorëzuan presioneve dhe hapën kalimet. Perandoria Sovjetike e Stalinit nuk egzistonte më, kishte marrë fund ndarja e Europës në dy blloqe të kundërta ku “Muri i Berlinit” ka qënë simboli më solid dhe bashkë me të ra edhe ideologjia politike.
Lufta e Ftohtë i mori njerëzimit një gjysmë shekulli të mbushur me luftë ideologjike ndërmjet sistemit kapitalist dhe atij komunist dhe me një garë armatimi bërthamorë të ashpër por pa i përdorur ato. Zhvillimet dhe inovacionet tekonologjike, politike, ekonomike ishin në krahun e duhur përgjatë Luftës së Ftohtë. Kjo luftë mund të kishte shkuar në një përplasje të drejtëpërdrejtë, por fati dhe koha ishin përkrah koalicionit perëndimor dhe demokracisë, të cilat me anë të mjeteve diplomatike dhe presioneve ushtarake arritën të ruanin paqen, stabilitetin, sigurinë dhe krijuan Rendin e Ri Ndërkombëtar për mbarë globin.
*Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
E-mail: mecallaeraldo@yahoo.com
Tiranë, Shqipëri
Tiranë më 11 / 07 / 2015