• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ernest Koliqi dhe romani i ekzilit

July 10, 2020 by dgreca

“Shija e bukës së mbrume”, Romë 1960.[1]/


[1] Ribotuar më 2014, shoqëruar me një hyrje nga Leka Ndoja.

(Nga libri në proces botimi “Lule Muzgu” Antologji e Diasporës e sh. XX)/

Shkruan: Leka Ndoja/

Ernest Koliqi i shkolluar në Itali për një kohë të gjatë, i diplomuar në Universitetin e Padovës me temë mbi Eposin e kreshnikëve, me kalimin e tij përfundimtar në Itali më 1943, iu kushtua ngritjes të katedrës së gjuhës shqipe të drejtuar prej 20 vjetësh prej tij, në shkallën e një Instituti Studimesh letrare-kulturore shqiptare të realizuar në vitin 1957, me anë të një dekreti presidencial. Së bashku me Martin Camajn e Giuseppe Gradilonen pas bisedimeve të zhvilluara në Romë me përfaqësuesit e klerit katolik kapelanët e emigracionit për Europën e SHBA Zef Oroshi, Prenk Ndrevashaj së bashku me At Daniel Gjeçaj dhe Zef Nekajt, i dhanë jetë, revistës më të njohur kulturore të shqiptarëve në Perëndim: Shêjzat.

Me anën e revistës interkulturore Shêjzat, themeluar në vitin 1957, u krijua një qendër sistemike letrare e diasporës duke ndërlidhur studiuesit e albanologjisë  të qendrave universitare të Italisë: Palermos, Barit, Napolit; qendrave europiane të Mynihut e Stambollit; dhe atyre të SHBA, Bostonit, New Yorkut, Detroitit e San Françiskos.

Revista u mëkëmb nga abonimet e bashkatdhetarëve, të cilët kontribuan edhe me ndihma të posaçme, si gjatë turneut të Koliqit në SHBA më 1971, kohë kur revista kishte humbur Mecenën e tij në Itali, Rosolin Petrotën. Puna si ordinar (shef katedre) i Institutit të Studimeve Shqiptare, pranë universitetit të “La Sapienza” dhe si drejtues i revistës, e ka kufizuar prodhimin letrar të Koliqit në mërgim duke botuar një roman “Shija e bukës së mbrume” 1960, dy drama në vitin 1965, dhe disa cikle me poezi krahas përkthimeve në shqip edhe në italisht. Puna kryesore e Koliqit u përqendrua në fushën studimore.

Megjithë këtë romani i tij Shija e bukës së mbrume, mbeti romani i vetëm përfaqësues i letërsisë së diasporës.

Romani, “Shija e bukës së mbrume”.

Në këtë roman (Botuar në Romë në vitin 1960, me pseudonimin Hilush Vilza) për herë të parë në letërsi trajtohet tema e emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht mosmarrëveshjet e elitës politike shqiptare që në tekste kodifikohen mes termave patriot-trathtar. Romani trajton edhe reflekset e pasojat e luftës civile në Shqipëri.

Përmes personazhit kryesor: Jorgji, jepet tipologjia e mërguesve, – përmes syrit të Jorgjit parakalojnë skenat e dialogjet mes grupeve politike, krijimi i atmosferës së mosbesimit ndaj njëri-tjetrit në Amerikë, përbën linjën dytësore të romanit, krahas linjës erotike të marrëdhënieve midis Jorgjit dhe Dianës, këtij emri të mitologjisë antike që jeton në Amerikë. Vetë mjedisi i bisedave mitike të këtij çifti të ri, mes një gjelbërimi të afron karakteristikat e mjedisit të Dianës mitologjike të pyjeve e natyrës.

Në filozofinë politike të Koliqit në këtë roman përcillet fryma e tolerancës dhe e dashurisë si vlera më universale që i kalon barrierat politike e racore përmes dashurisë së personazheve Jorgji dhe Diana amerikane. Koliqi në këtë roman iu shmanget kodeve të gjakmarrjes duke dhënë një idil romantik shqiptar në mjedisin amerikan ku përcillet fryma e disa tregimeve të qytetit të Shkodrës.

Proceset politike parë në syrin e sociologut dhe antropologut kulturor marrin një gjallëri të madhe pasi afrojnë me realitetin politik të mërgatës, raportet mes grupimeve të ndryshme ku zëri autorial ze një vend të rëndësishmën në argumentimet filozofike të Jorgjit me anë të të cilit vërejmë shtjellimin politik të mendimit të Ernest Koliqit i cili e kaloi një pjesë të jetës në politikën aktive, duke u bërë një nga themeluesit e partisë Bashkimi Kombëtar Indipentent (BKI) në 6 nëntor 1946.

Romani është edhe si një analizë e hollësishme e realitetit shqiptar. Në gojën e personazheve jepen raportet ndërkulturore të individëve sipas profesioneve të ndryshme, duke e bërë komunikimin të vështirë mes tyre si një nga shkaqet kryesore të mosmarëveshjeve. Personazhet shfaqen me formimin e ndryshëm socio-kulturor e mbase edhe fetar në përballjen me krijimin e strukturave politike që si akt final do të kishin konsideronin dhe ndarjen e pushtetit.

Mendimet politike të Koliqit vijnë në pajtim me ato të demokracive perendimore, duke marrë kualitetin e një traktati politik për ardhmërinë e Shqipërisë.

Bartja nga personazhet reale të aktorëve të viteve ’40, te trajtimi i njeriut politik të viteve ’60, tipizimi i këtij brezi të ri, arrihet nga ana e autorit përmes penelatave të komikes, duke vënë në dukje arrivizmin dhe mendjelehtësinë e shqiptaro-amerikanit të ri.

Linja e dashurisë zhvillohet si një linjë shlodhjeje e autorit në roman, linjë e cila nuk e ndihmon Koliqin të strukturojë klasat pjesmarrëse të emigracionit që u futën në sferën e proceseve politike në Amerikë por edhe në përgjithësi. Përshkrimi i shoqërive të kolonisë më të famshme të shqiptarëve në botë, jepet përmes organizimit politik të grupeve të vjetra nacionaliste dhe ballafaqimin e kësaj klase me lehtësinë e integrimit të brezit të ri në jetën amerikane.

Organizatat e vjetra shqiptare të emigracionit jepen me karakteristikat e egra të individualitetit ekstrem shqiptar, gjë të cilën autori e sheh në roman si atavizëm.

Nga ana kompozicionale proza e Koliqit është klasike. Autori rrëfen në vetë të tretë gjatë gjithë tekstit, ndarja në kapituj është sipas argumenteve, ndërsa dhënia pas dy linjave erotike dhe politike bën që këto të përbashkohen pas një shterzimi të gjatë, për të përmbyllur romanin në një linjë të kyçur në një dasmë, ndërsa linja politike mund të themi se mbetet e pakryer si subjekt. Në dasmën e përshkruar në Amerikë shohim një ndërlidhje të saj krahsuar me dasmën e në tregimin e njohur Nusja nga Dukagjini.

Tekstet lirike të tija, brenda prozës, janë sprova të ruajtjes së magjisë së përpunimit të gjuhës dhe të përcjelljes së peisazhit idilik shkodran të veshur me toponominë dhe idiomat e vrazhda amerikane, duke kërkuar te shqiptari tharmet e njeriut modern.

Këto elementë profetizues Koliqi i zhvilloi edhe te drama autobiografike “Rrajët Lëvizin” e cila u bë pjesë e kontestimeve të bujshme nga qendra e sistemit letrar dhe politik në Tiranën zyrtare përmes shkrimeve dhe leksioneve mbi letërsinë bashkëkohore, por njëkohësisht qarkulloi si tamizdat dhe model i dramës moderne në dy qendrat e sistemit letrar Prishtinë-Tiranë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ernest Koliqi, Leka Ndoja, romani i ekzilit, Shija e bukes se mbrume

Luksi shqiptar për tu marrë me Koliqin dhe Camajn

July 7, 2020 by dgreca

Shkruan: Ilir LEVONJA/

Në vjeshtën e vitit 1941 me vendim të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nisen drejt Kosovës rreth 200 normalistë. Qëllimi hapja e shkollave shqipe, konsolidimi i gjuhës sonë. Njeriu që vendoi quhej Ernest Koliqi një shkodran race e për më tepër anëtar i lartë i një prej Universiteteve më në zë të Europës, si La Sapienza në Romë. Ai i përkiste një qeverie nën Italinë pasi Shqipëria ishte e pushtuar. Ndofta është një nga ndërmarrjet më të vyera pavarësisht faktit se kujt i përkiste kjo qeveri. Por është tmerrësisht e vështirë të kuptohet në Shqipërinë e mendjeve të indoktrinuara. Dhe as ka për tu kuptuar pasi mentaliteti social tek ne është o mendon e bën si mendoj e bëj unë, o je armik i popullit. Pavarsisht se çfarë mendon populli për ty, prapë ti je armik i popullit. Megjithëse po t’i referohesh kohës qeveritarë shqiptarë në qeveritë e varuara ka patur edhe para Mbretërisë, deri në Perandorinë Otomane. Madje kjo operonte e sundonte me ta aq sa pashai a pashallëku është akoma një obsesion në mentalitetit e burrit shqiptar. Por në konceptin bolshevik pushtimi fillon kur ata morën pushkën e dolën malit të luftonin për liri. Dhe kur u intereson atyre nuk do ta kenë për gjë të nxjerrin agjent edhe vet Ismail bej Vlorën a Isa Boletinin e Mitrovicës. Nga ana tjetër e quajnë teze Merkelin, kancelaren e Gjermanisë, si e si të futen në Europë, ndërkohë që rrëmojnë arshivat e shpallin tradhtarët, dezertorë, bashkëpunëtorë të gjermanit deri korifejt e letrave dhe mendimit si rasti Koliqi e Camaj. Megjithëse duhet thënë me zë të lartë që është në strategjitë e tyre të shpikin skupe e të zhysin në të njëjtën kohë cilin do, mjaft që të heqin vëmendjen nga dështimi i tyre. Dhe ja kanë arritur mrekullisht. Gjithë shtypit shqiptar është i përfshirë në një përplasje brinjësh aq sa vetë Ernest Koliqi dhe Martin Camaj do qeshinin po të ishin gjallë. Dihet botërisht që inteligjenca është viktimë e parë e sistemeve diktatoriale. Shqipëria nuk bëri përjashtim. U shpallën armiq deri vet komunistët e kulluar siç edhe është rasti i Petro Markos. Apo Sejfulla Malëshova e plot të tjerë, deri vonë, në të gjitha fushat. Madje shumë prej tyre ndërruan jetë të hidhëruar nga grabitja e partisë a e bindjeve tek revolucioni i masave, si rasti i gjeniut të skenës Kujtim Spahivogli etj. Në fakt ka kohë që ringjallja komuniste po ngre zërin deri për të drejta civile, për gjoja grabitjen e pronës private siç edhe bëri pak ditë më parë djali i ish diktatorit Enver Hoxha. Kurse Petro Markon e degdisën burgjeve vetëm sepse nuk pranoi të futej në një shtëpi të konfiskuar një civili, një qytetari me profesion inxhinjer. Dhe normale, e drejta njerëzore, mirëpo për djalin e Enverit që degdisi e surgjynosi thuajse një qytet me njerëz, bëmat e babait janë legjitime pasi ashtu ishte koha. Kjo ringjallje komuniste e suportuar nga rilindja, vetëm dje publikoi një paçaure me 3 faqe mbi vrasjen e 67 qytetarëve nacionalistë në Golem të Lushnjës, nga Mehmet Shehu me pretekstin se ata kishin armë në dorë dhe bashkëpunuan me armikun. Tre faqe me argumenta e materiale arshive si e si të spostojnë një datë, si e si të nxjerrin bashkëpunëtor me armikun vëllain e gjakut. Si e si ta quajnë normale vrasjen e 67 mendjeve ndryshe, atë që sot nuk ka këmbë të gjalli që nuk e ka dëgjuar postulatin prindëror se, derr bëhem dhe komunist jo. Kanë kohë dhe jo rastësisht, mbulojnë dështimet e halldupit të tyre. Si Koliqi dhe Camaj janë sot pjesë e programeve mësimore në tekstet e mendimit dhe fjalës shqipe. Dhe me meritë. Po ringjallja komuniste nuk duron dot këtë dhe me një gur vret tre zogj, ne, memorien tonë të vlertë, kohën tonë. Do thoni ju ja kanë dalë, sigurisht që po pasi sot çdo faqe personale në internet po merret me faktin a janë agjentë Koliqi dhe Camaj. Një luks shqiptarësh që djegin energjitë me korifejtë e tyre, ndërkohë që ringjallja vë monopol përmes tenderave, rrit borxhin publik, çon vendin në degradim total. Dhe kanë të drejtë se kanë gjetur. Ne nuk u ndamë me komunizmin siç e kërkoi koha, përkundrazi i pranuam pavarësisht kufomërisë së kampeve të riedukimit që i kemi gjithandej.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ernest Koliqi, Ilir Levonja, Koliqi

AMANETIN E MBAN TOKA – GËZUAR DITËLINDJEN PROF. ERNEST KOLIQI!

May 22, 2020 by dgreca

20 Maji (1903) shënon ditëlindjen e Profesor Ernest Koliqit.  Gëzuar Ditëlindjen i dashur Profesor Koliqi!  /

Nga Frank Shkreli*? Unë e konsideroj veten të privilegjuar që kam pasur fatin të njihja megjithëse për një kohë të shkurtë, Profesor Koliqin, gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1970.  Deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra, të pakën, dy tre herë në vjet.  Detyrimi im për ta kujtuar atë, rrjedhë nga një letër që Profesor Koliqi më ka dërguar në vitin 1972.  Letra e tij erdhi pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim.  Ishte një letër me këshilla tepër të nevojshme për një të ri nga një personalitet si Ernest Koliqi, por që njëkohësisht përmbante edhe një amanet. Ai shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaje mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që të mundesh.  N’ ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky, pra, amaneti i tij, një amanet që jam munduar ta mbajë me atë kapacitetin tim të vogël, duke e kujtuar atë kur kam pasë mundësi me gjithë kufizimet e mia në fushën e veprimtarisë së tij të gjithanëshme – brenda dhe jashtë Atdheut — duke filluar nga viti 1918 e deri në vitin 1975, kur ndërroi jetë në Romë të Italisë.

Përveç kujtimeve nga disa takime me të dhe respektit të madh që kam për veprat dhe jetën e Ernest Koliqit, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë në mënyrën time më modeste, nga koha në kohëdhe në raste siç është ditëlindja e tij, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por megjithë kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare, i përjashtuar dhe denigruar nga regjimi komunist shqiptar, mbetet pothuaj i harruar dhe i kritikuar edhe sot — nga pseudo-historianët nostalgjikë të komunizmit ndërkombëtar — 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist.  Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë dhe të tjerët autorë si ai, të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në herë, amanetin e tij, për të mos e harruar atë dhe autorët e tjerë të përjashtuar nga komunizmi.

Por, pasi jeni ende në një gjëndje shokuese shpirtërore  në lidhje me  shembjen e Teatrit Kombëtar të 17 majit, si një prej ngjarjeve më brutale dhe më të dhìmbshme në historinë kulturore të Shqipërisë, ia vlenë të kujtojmë Ernest Koliqin edhe me këtë rast, pasi siç duket, historikisht, ai dhe shumë  të tjerë të dalluar të historisë shqiptare kanë pasur lidhje me Teatrin Kombëtar, në një mënyrë ose një tjetër.  Ernest Koliqi ishte prëparimtar.  Besoj se ai do të kishte qenë për ndërtimin e një teatri të ri dhe më të mirë të standardeeve evropiane, pasi ai nga ajo kulturë vinte. Por nuk besoj se do të kishte miratuar shembjen përgjithmonë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, pasi ai ishte edhe një ruajtës, mbrojtës dhe kultivues i historisë dhe identitetit Kombëtar të shqiptarëve, kudo dhe kurdoherë.

Mund të jem gabim, por besoj se kjo foto historike është një takim i mbajtur në i ish-Teatri Kombëtar — i rrënuar brutalisht më 17 Maj nga autoritetet e qeverisë socialiste pseudo-demokratike të Shqipërisë së sotëme—në të cilin, në vitin e 1942 strehohej edhe Instituti i Studimeve Shqiptare, i kryesuar nga Profesor Ernest Koliqi.  Në këtë Institut ka filluar botimi i vëllimeve të mëdha, “Studime e Tekste”, ku bashkpunuan linguistët, juristët dhe folkloristët si the albanologët më të njohur të asaj kohe. Në “Numrin Përkujtimuer” të revistës Shëjzat, me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, në vitin 1975, shënohet se pas largimit të tij nga Ministria e Arsimit, në vitin 1942, Profesor Koliqi emërohet Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare,(Shih foton më lartë) me qellim për të vazhduar vepren e ndërmarrë nga Kongresi i Manastrit.  Aty shënohet se gjatë kësaj periudhe Profesor Koliqi bashkpunoi me Mustafa Merlika Krujën, Karl Gurakuqin, Asdrenin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin, Anton Logorecin, Ismet Toton, e tjerë.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe Ernest Koliqi, si Ministër i Arsimit luajti rolin kryesor dhe historik të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe duke hapur shkolla anë e mbanë trojeve shqiptare, nën ish-Jugosllavinë e vjetër.  “Këto shkolla”, sipas Dr. Rexhep Krasniqit, ish-Kryetarit të “Komitetit Shqipëria e Lirë” në Nju Jork, “U bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare në Jugosllavinë”, e atëhershme.  E kam thënë edhe më përpara se nga kjo politikë e Ernest Koliqit, ka përfituar edhe brezi im në krahinën e Ulqinit, pasi mësuesit e mi dhe të bashkmoshatarëve të mi të shkollave fillore në ato zona, ishin trajnuar nga arsimtarët dhe mësuesit nga Shqipëria që kishte dërguar atje Ernest Koliqi.  Ia kemi borxh atij, sepse, po të mos ishte për këta emisarë të Koliqit dhe për shkollat shqipe që ata hapën në trojet shqiptare, ndoshta as shqip nuk do flisnim sot — unë as të tjerët bashkmoshatarë të mi, e si rrjedhim as brezat pas nesh.

Dëshiroj ta mbyllë këtë kujtim me rastin e ditëlindjes së Ernest Koliqit me disa vargje nxjerrë nga poemthi me titull, “Symfonija e Shqipevet”, kushtuar lashtësisë shqiptare një prej veprave të tija që frymëzon atdhetarizmin dhe lartëson shpirtin e lexuesit edhe sot e kësaj dite.  Sidomos në këtë periudhë historike kur në horizontin shqiptar po duken disa re të zeza, Koliqi ka shkruar se qëllimi i këtij poemthi —është për të forcuar në çdo kohë të vështirë besimin në Atdhe me një krijim mitesh shqiptare, të cilat sipas tij, dëshmojnë se asnjë pengesë dhe shkatërrim gjatë historisë nuk mundi të shuante palcin gjallnues të rodit tonë.  Qëllimi tjetër i botimit të kësaj simfonie valvitëse fjalësh fantastike, sipas autorit, është “për të ndjellë agime ma të këthjellta popullit shqiptar”, në të ardhmen.

Kur fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të gjitha trojeve autoktone në Ballkan.  Nepërmjet tre poetënve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai shprehë besimin e tij në një Shqipëri e cila megjithë, “errësitë e natës” – Koliqi prapseprap shpreson dhe beson se virtytet e mëdha të Kombit shqiptar, do t’i mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm, anë e mbanë trojeve shqiptare, duke shprehur besimin e tij me tre poetët e “Symfonisë së Shqipevet” –megjithë problemet me të cilat përballet sot Kombi shqiptar — në një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja dhe më të drejta të barabarta, duke deklaruar se:

“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.

BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot, në vallen e shekujve të palindun.

BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.

BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.

BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.

BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut që për Të u derdh.

BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sigurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbënore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”

Ky është Besimi në Atdhe i Ernest Koliqit, ishprehur nepërmjet poemthit “Symfonija e Shqipevet”.  Ky është edhe Besimi që duhet të ketë çdo shqiptar kudo, e sidomos elita politike aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë — pa marrë parasyshë vështirsitë me të cilat përballet sot Kombi.  Ky është edhe amaneti i mbajtur nga unë në kujtim të një burri të madh, por të përjashtuar e të harruar të Kombit shqiptar.

Faqja e parë e Symfonisë së Shqipeve, dedikuar nga vet Ernest Koliqi –një kujtim dhe dhuratë e paçmueshëme!

Filed Under: Featured Tagged With: Ernest Koliqi, Frank shkreli

“Mustafa Kruja si njeri kulture”

January 11, 2019 by dgreca

NGA ERNEST KOLIQI/

1-Mustafa-Kruja-237x300

Mё qet puna shpesh tё kem tё pёrpjekun me djelmosha qi merren me kulturё shqiptare. E kam fjalё sidomos ke ata prej atyne qi dolen nga nji kurs epruer studimesh tё mesme e qi zotnojnё me njoftime tё veta nji shtrîmje bukur tё gjânё tё çâshtjeve kulturore t’ona. Flas edhe pёr tё rij qi kryen fakultete universitare. E shumta e tyne, mbasi qi kёto takime ndodhin nё mёrgim, janё djelm kosovarё, ase t’ikun prej Shqipnije nё Kosovё e mandej tё shpёrngulun nё Prendim ku vazhduen shkollimin ase Arbreshё tё dhânun mbas gjuhёs e letrave shqipe; shkurt: intelektualё moshe sё re. Mue, si arsimtar, shёndrrimi i mendimeve me pёrfaqёsuesa tё djelmёnís studjuese jo vetёm mё kёnaqё por mё vlen pёr mos m’u shkёputё nga pёrpushjet mendore tё botёs aktuale, d.m.th. me qindrue nё dijení e nё vlug tё frymёs sё kohёs. Jetojmё nё nji faqe nierit ku ndrrimet nё mendёsí, nё zakone, nё shije, nё parime gjikuese ndrrojnё pajadá, kapёrdihen, marrin drejtime tё paprituna, ecin para e kthejnё mbrapa me ritёm tё vrullshёm. Deri sa bân hije mbi kёt tokё, pёrditё dishka mёson njeriu. Me njomsín e  ndieshmёnís sё tyne, tё rijt na bâjnё, deshtas a padeshtas, tё prekim me dorё gjendjen ku shpirtnisht e qytetarisht arrîjti rodi i ynё. Tue krahasue pёrshtypje e opinione breznísh tё ndryshme, shofim patjetёr mâ qartas ku i dhemb e ku i djeg çâshtjes kulturore shqiptare.

Grumbulli i vlerave tё kombit d.m.th. pasunija kulturore e jonё ka nevojё pёr organicitet. Pyetjeve: kush jemi na Shqiptarёt? Cilat janё tiparet qi na dallojnё nga kombet e tjera? Ҫ’farё botёkuptimi trashiguem nga stёrgjyshat, a mâ mirё, ç’tharme njerzore kanё zakonet qi rregullojnё jetёn t’onё? Ҫ’pajisje tё mira e tё kёqija ndryen shpirti arbnuer? Si paraqitet toka ku banojmё, e ç’ndikim patёn mbi rodin t’onё karakteristikat e saj? Ҫ’kavija (shkaqe) e ç’pasoja (rrjedhime) kryesore spikasin nё zhvillim tё ngjarjeve historike kombtare? Ҫ’ideal jetese paraqet nё thalb tё vet letёrsija e jonё gojore e ajo ditunore?[1]

Nji njerí me mende e shqise tё zhvillueme dishron e don me pasё pёrgjegjen e kёtyne pyetjeve tё ngashёrueme. Lakmon nxehtёsisht tё két para vetes pámjen sa mâ tё zdritun tё dhânave qi i pёrkasin jetёs shqiptare nё kalesё e nё tё tashme pёr t’i a blé neshtrashёn ardhёmёnís.

Mungesё e pafajshme dijenije

                    E mbeta qi, – nё takime  me tё rij tё Shqipnís, tё Kosovёs e tё diasporёs, – mё bjen nё sý menjiherё âsht mungesa e lidhjeve ndёrmjet pjesve tё botёs shqiptare. Rrethânat e sotshme, shkaktue nga stuhít politike e luftarake tё kёtij qindvjeti, kanё shkaktue copёtim nё mes gjymtyrve tё trupit shqiptar. Sot pёr sot, duhet tё kapёrcehen shum vishtirsí pёr tё pasё nji idé gangullore tё vlerave sё njimendta t’ona. Pjesёt e ndryshme nё tё cilat copёtohet gjindja e jonё shkaktojnё nji krijim qarqesh tё veçueme kulturore aspak tё harmonizueme njâni me tjetrin. Mungon njisija  e nji tânёsije organike. Me kandar e me kút tё ndryshёm peshohen e maten vlerat, qi duhet tё njehen tё pёrbashkёta. Kuptohet qi larmija e mendimeve dhe e pleqnimeve begatё menden e njerzís dhe zgjânon horizontin kulturuer. Por, pjestarёt e nji kombi, nё disa pika thalbёsore, pёrkitazi me tё qênunit e tij, duhet tё jenё tё njâj mendimi po deshtёn, me mish e me shpirt, tё qindrojnё pjesё e pashkёputёshme e trunkut rracjal origjinar. Pёshtjellimi i vlersimeve dhe turbullimi i parimeve pleqnuese cёnojnё tânёsín shpirtnore dhe e çojnё nji komb nё humbnerё tё çoroditjes e tё shkombtarizimit.

Nuk mund tё paditet kurrkush, – dhe mâ pak se tjerakush djelmёnija, – pёr mungesё kriteresh tё pёrbashkёta nё vlersim tё dukunive, me tё cilat sot paraqitet bota shqiptare. Duhet tё punojmё pёr nji ndriçim. Duhet me gjoks tё pёrpiqemi me sqarue periudha historike, fytyra tё pikatuna tё kalesёs e tё tashmes, rrethâna e hollsina pёr tё rendue me paânёsí e drejtёsí vlerat kombtare, tё cilat sot nё vendrim (contemplation) i shofim tё koklavituna e tё ngatёrrueme. Fajin e kanё zhvillimet e historís s’onё mâ tepёr se njérzit.

Lypi ndjesё pёr kёt parathânie bukur tё gjatё qi e vonoi hŷmjen n’argument shёnue nё titull. E ka arsyen e vet. Ndër personalitete shqiptare, nji ndër mâ të përgojuemit e të shoshluemit âsht Mustafa Kruja. Nuk due të polemizoj me kurrkend: dishroj vetёm  t’a çveshi fytyrën e këtij Shqiptari në shêj nga moskuptimet, nga thashethanat e përcipta, nga paragjikimet verbuese.

Dikush, me arsye, do të më drejtojë vërejtjen tue qitë e thânë se mbi Mustafa Krujën u shkrue edhe mbas luftës dhe njerz të shquem vûnë në dukje meritat e tija. Po, âsht e vërtetë; por, takimet qi përmenda në krye të këtij artikulli, i pata mâ të shumtat tash vonë dhe të rijt me të cilët fola nuk dijshin gjâ mbi ato shkrime. Prandej e shof t’arsyeshme t’u a kujtoj atyne qi dishrojnë me pá qartë mbi të kaluemen e Shqipnís dhe të bijve të saj mâ të vlefshëm, êmnin dhe veprimtarín e Mustafës mbas afro pesëmdhetë vjetve të zhdukjes së tij.

Koha ka qetësue shpirtnat e gjakimet politike synojnë qoka tjera. Prandej mendojmë se fjalët sqaruese zânë vend tashmâ pa kundërshtime të ndezuna.

Tё rijt e zdritun nga kultura dhe tё mbrûjtun nё shakulluer shpartallues tё mbasluftёs sё dytё kuptojnё mirfilli se njerz e ngjarje tё botёs s’onё lёvdohen e pёrbuzen jo nё nji rrafsh racjonal, por n’atê pasjonal dhe duhet tё dijnё tё vёrtetёn, dhe i a vêjnё detyrё vetes me zhdaravitё mjegullinat, me pá qartё e me rendue pa mbajtё pajё n’asnji ânё vlerat e botёs shqiptare. Kush mundohet t’i gёnjejё tue shfytyrue (falsifier) ndodhína e vetje dâmton e njollosё gjân mâ shêjte qi kemi si Shqiptarё: menden e djelmёnís s’onё, d.m.th. tё birnís sё sejcilit prej nesh, e cila don t’eci kah ardhёmenija me pajёn e sё vёrtetёs nё xhep.Natyrisht këtu paraqesim Mustafa Krujën si njeri kulture.

Disa pika bibliografike

Shkruesi i kёtyne radhёve botoi nё Shêjzatnё Vjetin e I (1957), nr. 2 – 3, faqe 70 – 76, nji syzim me titull Shtatёdhjetёvjetori i lindjes sё Mustafa Krujёs.

Mё 1959, mbasi qi Ai ndrroi jetё nё Niagara Falls – N.Y., Shêjzat(Vjet’ i III, nr. 1 – 2, faqe 1 – 12) botuen artikuj tё Zef Valentinit, Tahir Kolgjinit dhe Ernest Koliqit. Nё fund t’atij vjeti (nr. 11 – 12, faqe 381 – 384) i paharrueshmi Dashamirё e Bashkpuntuer i ynё prof. Karl Gurakuqi pёrkujtoi Mustafёn me thekuní miqsore. Edhe nё veprёn e tij Nёpёr vullâjt e Shêjzave(Romё 1969, faqe 7 – 9) foli mbi shkrime tё Mustafёs botue nё tё pёrkohёshmen t’onё.

Mё ka qillue nё Shqipní me ndie gjithfarё fjalёsh mbi Mustafa Krujёn, prej tё cilave delte nё shesh nji gjâ: ai levdohej ase shahej si veprimtar politik, por pak’ e kush e pёrmendte e merrte parasýsh vlerёn e tij kulturore. Mun, shumica e kujtojshin njerí me shkollin tё pёrgjysёt.

Ky vlersim i gabuem apo s’paku i gjymtё nuk duhet tё çudisi. Mustafa mund tё quhet I mёrguemi i pёrherёshёm.Ajo Shqipní e lirë, qi n’akt të pamvarsís së vet përpilue në Vlonë me 28 Nanduer 1912 ka edhe nënshkrimin e tij, i a mohoi shpesh të drejtën me banue lirisht në tokë të saj.

Por tё rrjeshtojmё pikat mâ tё spikatёshme tё jetёs plot travajё e njiherit edhe plot punё.

U lind nё Krujё mё 15 mars 1887. Shkollёn fillore e kreu nё qytet tё lindjes dhe atê tё mesmen nё Janinё, e cila aso kohe, ishte e pёrfshime nё Perandorín osmane. Vazhdoi mёsimet n’Institutin epruer “Mulkije – i – Shahané” tё Stambollit prej kah mё 1910 doli “licencié en sciences politiques et sociales”.

Ҫ’prej moshёs mâ tё ré tregoi prirje shkrimtari e kёt cilsí i a kushtoi kryekёput mprojёs sё drejtave kombtare dhe naltёsimit menduer tё kombit. Nё shtypin liberal tё Stambollit botoi artikuj me pseudonimin Asim Djénankundra qёllimeve tiranike tё Zhoen Tyrqvet. Mё 1909 u dbue nga Instituti si protagonist i nji demostrate sё rrebёt nё favor tё minoriteteve kombtare tё Perandorís osmane e mujt m’u pranue rishtas mbas nji ndёrhymjeje energjike tё Deputatve shqiptarё nё Parlamentin turk.

Mustafa shquhej për karakter burrnuer, për idé të qarta e të préme së cilave u rrinte besnik pa marrë në dorë interesin vetiak. Urrente kompromiset. Shkurt: ishte njeri nji copet: pohen po e johen jo. I ndershem tejet, ishte i matun e i drejtë në pleqnime. U a njifte edhe kundërshtarvet zotsín e vlerën. Në karakter të tij synthetizoheshin lumnisht burrnija e fisit shqiptar me nji dituní organike. Vetít gojdhânore zdriteshin në njoftime të gjâna me të cilat e kishte pajisë mâ parë shkolla e ndjekun me cenë e mandej nji përpjekje e përditëshme kambëngulëse studimi sidomos në shkencat historike, politike, shoqnore e gjuhsore.

Kur erdhi me 1924 si Prefekt nё Shkodёr solli me vete biblioteken e vet tё pasun me botime nё frengjishte. Natёn e Kёshndellave t’atij vjeti, ngjarjet e dituna e shtrёnguen me lânё thekatueshёm Shkodrёn e Shqipnín. U mёrgue bashkё me Luigj Gurakuqin. Librat mbetёn tё shpёrdám do n’Arqipeshkёvní tё Shkodrёs, do ndёr Fretёn e Jezuitё. Mё 1930, si u ktheva unё n’atdhé prej nji mёrgimi pesё vjetsh, i ngarkuem prej tij, mblodha librat nё shtёpí t’ême: ishin me mija dhe nxejshin krejt faqet e murit t’odёs s’eme e tё nji pjese sё çardakut. Vёllime, e shumta, tё bléme ndёr “bouquinistes” tё bregut tё Seine-s nё Paris, nё periudhёn kur ndodhej me 1919 nё kryeqytet tё Francёs si pjestar i Dergatёs shqiptare nё Konferencёn e Paqit. Ai, me kursime (Emzot Bumçi e Luigj Gurakuqi miqasisht talleshin me tê e i thojshin: “Mustafё, mos i shpenzò tё gjitha paret ndёr libra: pёrfitò prej rasёs qi jé nё Paris me bâ pak qejf!”) kishte arrijtё tё grumbullojё nji numёr bukur tё madh veprash tue mendue t’i shfrytzojё nё punёn e tij kulturore, por fati i padrejtё e ndau nga biblioteka e dashun dhe, nё varg tё parreshtun mёrgimesh, punoi pa mujtё t’a pёrdori. Ndrroi jetё nё Niagara Falls tё Shteteve tё Bashkueme t’Amerikёs me 27 dhetuer 1958.

Shkrimet e Mustafёs janё tё shpёrdáme nё fletore e nё tё pёrkohёshme tё ndryshme. Shkroi artikuj nё Mbrojtja Kombёtare (Vlonё mё 1921 drejtue nga Dom Mark Vasa), nё Populli (Shkodёr 1921, drejtue nga Salih Nivica), nё Corriere delle Puglie (Bari), nё Kuvêndi(botue me 1919 – 20 nё Romё nga Sotir Gjika), nё Shqipёria e Ré (nё Kostancё tё Rumanís), n’Albanie Libre (botue nё Romё 1946 – 1956) dhe studime e syzime nё tё pёrkohёshmet Hylli i Dritёs, Leka, Pёrpjekja Shqiptare, Illyria, Shêjzat, Shpirti Shqiptar.

Vepra tjera tё botueme: pёrkthimi i veprёs politike tё Vladan Gjorgjevich Arbanasi i Velike Sile (Zara 1927), Abetari i tё Mёrguemit (Aleksandrí t’Egjyptit me 1952); tё pabotueme: pёrkthimi shqip i Illyrisch Forschungen tё Dr. Ludvig v. Thalloczy me bashkёpunimin e dr. Milan Sufflay e Theodor Ippen.Nisi, por e la tё pakryeme nji Historí t’Aleksandrit tё Madh.

Pёrkthime e punime tё ndryshme, gjithёnji tё pabotueme: Burri (Pyrrhus i Madh), pёrkthye nga Plutarku me shёnime; Die Indogermanisierung Griechenlands und Italiens nga Hans Krahe shqipёrue nga gjermanishtja.

Rradhimi anasjelltas nё shqip-latinisht i “Dictionarium latino-epiroticum” tё Franco Bardhit (1635) me shёnime e shpalime tё denduna gjuhsore.

Mustafa si njeri

At Valentini, qi pat rasë t’a njofi themelisht Mustafën gjatë nji bashkëpunimi të dendun n’Institutin e Studimeve Shqiptare të Tiranës, pohon për sá i përket karakterit të tij se në çdo rrethanë “u tejshifte ase nëpërndritte ndershmenija e thellë dh’e leale e tij, pasjoni i tij për atê qi Ai njehte si ma i madhi visar kulturuer i atdheut, gjuha shqipe”.

Por qe, dishmija ma e çmueshme mbi Mustafën qi kemi nga Valentini, matunija e fjalve të cilit dihet se arrin në shkrupolozitetin mâ të shtrënguet dhe në drejtsin ma të ndërgjegjëshme: “Mundte njeriu mos me pranue përftimet ase methudhat e tija politike, por âsht absolutisht e pamundun, jo vetëm me mohue, por edhe vetëm me dyshue se pasjoni suprem i tij, mun i vetmi pasjon rreth të cilit bashkërendoheshin ase radhiteshin të gjitha tjerat (pasjone) e të gjitha veprimtarít, ishte dashunija për Shqipnin”.[2]

Proverbjalet mbetet qindresa e tij në punë.

Karl Gurakuqi, njohës i mirë edhe ky i Mustafës, thotë për tê: “Ndonse i diplomuem në shkenca politike (n’Instambul në vjetin 1910), mori rrugën e mësuesís. Kishte nji shpirt arsimtari… Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në Prefekturën e Elbasanit. Këtu u tregue në naltësín e misjonit të rrokun, tue punue me ndergjegje e me at zellin e madh, qi e ka shque gjithmonë sa qe gjallë”.

Karli, ai vetë arsimtar i lém, i ka rá në tê përsa i përket prirjes natyrore të vërtetë të Mustafës. Ai, po të shqyrtohen hollë shfaqjet veprimtare të personalitet të tij, nuk vûni kurr pregatitjen e rrallë kulturore në shërbim të politikës qi ndiqte, por u rrek qi politikën e vet t’a vente në sherbim të kulturës. Kishte shpirt apostulli. Për tê problemi kryesuer ishte naltësimi shpirtnuer i gjindes shqiptare e këtë e pritte vetëm e vetëm nga përhapja e ditunís. Ai në nji njeri çmonte, bashkë me vetít tipike shqiptare, shkallën arsimore, pajisjen ditunore. Shfaqej ballhapët si anmik i çdo qindrimi hypokrit, nganjiherë edhe versulej me shprehje të vrazhda kundra mendelehtvet e spitullacavet trûshprazët, përkundrazi nderonte, si thámё, edhe kundërshtarin me vetína pozitive intelektuale. Urrente njerzit e cekët qi me nji lëmashk njoftimesh, si të ngjituna nё mende me pështymë, mtojshin me ndёrhŷ në çdo bisedim tue shitë mend e dije pa sjellë nji kontribut ndertues. Urtín paramune të njerzve të pashkollë por të pasun me njohunít e trashigueme dhe me atê vetjake fitue në tallazet e jetës e nderonte sa s’ka: e njehte krue të pashterrshëm të përvojës shekullore të kombit, t’asaj përvojë qi përmbledh ahtet e shamtinat, galduese e të trishta, të breznive të kalesës.

Palci i shkrimeve të Mustafës

Mustafa Kruja njifej si njeri i shprehjeve të rrëmbyeshme, akuzohej qi nuk duronte mendimin kundërshtar e qi përdorte fjalë mujshare në rrahje të çdo çâshtjeje qoftë politike qoftë gjinije tjetër. Ka gjasë qi kët qëndrim të papërkulshëm (intransigeant) ai e muer nganjiherë me ata, sidomos me t’ashtuquejtun intelektualë, për të cilët ushqente bindjen se flitshin me mende të mbrapësht, porse rëndom shtronte bisedë ndejshëm si mbas zakonit të maleve: si pleqt në kuvende të Kanûnit. N’asht se flitte e përgjigjte thertas aty ku dyshonte n’interlokutorin ndoj mbrapamendim, thartimi i përkitte trajtës jo përmbajtjes së mendimeve. Mendimet ishin të matuna e të përkuerme.

Si të gjithë njerzit e kulturuem të Rilindjes s’onë, para gjendjes qi u krijue mbas sundimit shekulluer t’Osmanllijvet, edhe Mustafa kërkoi idét ndërtuese me i a vû si gur themelit Shqipníssë ré. Rrethânat historike fatkeqësisht e kishin mbajtë popullin shqiptar në nji errësí mesjetare. Aradhja e intelektualvet, e vogël por shum aktive, e cilësueme nga nji larmí e teprueme paraqitjesh kulturore, lakmonte me ngulm nji përparim mâ tepër të dukshëm se sa substancjal për shtetin e ri. Mustafa bashkë me disá mâ mendendritunit personalitete të kohës, u bind se përkundrazi duhej shkue kadalë në shkëputjen prej Orientit dhe n’ecjen kah Oksidenti. Nevoja kryekrejet qindronte në ngujim të dokeve të shëndoshta gojdhânore, d.m.th. m’u përmbledhë sa mâ tepër në rreth të zakoneve mâ gjenuine shqiptare. Studimi i gjuhës për tê donte të thonte edhe depërtim në thalb të gjallë të shpirtit të kombit, thellim në pasunín stërgjyshore, fryma e së cilës duhej të lëvitte në psihe të përtrîme të Shqiptarit. Njoftja e gjuhës shqipe ndihmon me njoftë historín, ethnografin, psykologjín e fisit. Ata qi mtojshin të caktojnë vijat ndërtuese të jetës së ré shqiptare tue mos dijtë shqip, por tue folë gjuhë të hueja e tue u mbështetë vetëm në kulturna të hueja, Mustafa i njehte njerz abstrakt, vizatuesa të nji Shqipnije n’erë, pa rrajë në humusin autokton. Ai mendonte me vû në drejtpeshim përvojën e vjetër trashigue nga të Parët me shkencë, tue shartue n’urtí tё kalesës kulturën mâ të përshtatun moderne. Jo me u hapë dyer e dritore idéve tepër të shtyme: dronte se nuk i bár mendja e popullit, plandosë prej qindra vjetësh në nji rrënesë t’âmullt. Shkurt: mendimi i Mustafës, qi u pasqyrue si në shfaqje të jetës ashtu në shkrime të tija, qindron në kult të vlerave shqiptare, natyrisht të përtrîme e të spastrueme në frymën mâ të kulluet të qytetnimit. Ishte njeri i rendit dhe i dishiplinës, i ligjës e i kanûnit, urrente privilegjet, demagogjít, besonte ngultas se vetëm meritokracija mund të mbëkâmbte nji shtet e nji shoqní shqiptare të dênjë m’u rrjeshtue në radhë të shteteve të qytetnueme. Meritokracija âsht ai koncept qi cakton me i a lëshue rrugën njervze t’aftë, të pregatitun, të pajisun me cilsít e nevojshme për t’i shërbye nji bashkarije shoqnore. Ai nuk përbuzte kurrkend por, mbi të gjitha, në nji njerí çmonte cilsit morale e kulturore.

Gjuhtari e shkrimtari

Tё gjitha fuqít mâ tё zgjedhuna tё veta, gjatё mâ se pesёdhetё vjetve, i a kushtoi studimit tё gjuhёs shqipe. Njifte me themel leksikun dhe frazeologjín e gegnishtes dhe tё tosknishtes. Nё Zara, nё Sant’Ilario afёr Genovёs, nё Genève e kam pámun gjithmonё pёrkulё mbi tekste shqipe gjuhsije, libra e tefterё shёnimesh dhe memzi i a mbushёshe menden (i nxitun edhe prej Zojёs Caje, bashkёshortes sё tij fisnike) me dalё e me bâ ndoj shetí. Edhe tue shetitё shtjellonte çâshtje gjuhsije. Prej si kam pasё dobí shum: ai mё shtyni nё pёrdorim tё trajtave tё mesme (t’Elbasanit) nё shkrime tё mija, ai mё kёshilloi t’u a vê menden sinonimevet pёr t’a bâ mâ tё pёrpiktё stilin.

Mbi rezultatet e punёs sё tij me vullnet titanik kushtue gjuhёs shqipe, kanё dhânё lajme At Valentini e Karl Gurakuqi. I pari shkruen:

“Chiunque abbia avuto occasione di leggere anche uno solo dei suoi articoli di filologia, non può non aver constatato quale fosse la immensa quantità di materiale da lui raccolto, sistemato, continuamente presente alla sua memoria. Ma non è forse uscito da quaranta anni in qua un dizionario o un anche modesto glossario albanese che egli non abbia esaminato e commentato con migliaia di osservazioni, d’aggiunte, di rettifiche, tutte abbondantemente e sicuramente documentate. I suoi amici e quelli che gli furono colleghi nell’Istituto di Studi Albanesi di Tirana hanno potuto vedere e consultare i suoi 12 grossi volumi manoscritti in formato protocollo, che se non fossero rimasti inediti, certo avrebbero costituito il primo e vero grande dizionario della lingua albanese. Quante volte nella discussione d’un qualsiasi particolare filologico, in sede di commissione linguistica o di commissione letteraria, un florido gruppo di competenti veniva a trovarsi nell’incertezza, quasi altrettante volte il ricorso a quel dizionario che egli poneva a nostra disposizione, risolveva la questione nel modo più soddisfacente”[3]

“Cilido qi ka pasё rastin tё kёndojё edhe vetёm njenin prej artikujve tё tij tё filologjisё, nuk ka mundun mos me vёrejtё sasinё e pamasё tё landёs sё mbledhun prej tij, pёrherё e pranishme nё kujtesёn e vet. Prej dyzet vjetёsh nuk ka pasё asnji fjalor tё botuem, madje edhe çdo glosar i thjeshtё qi tё mos jetё shqyrtue prej tij nёpёrmjet mijra vёrejtjesh, shtesash, ndreqjesh, tё gjitha tё dokumentueme bollshёm e me saktёsi. Miqtё e tij dhe ata qi qenё kolegё tё tij nё Institutin e Studimeve Shqiptare tё Tiranёs kanё pasё mundёsi me marrё nёpёr dorё 12 vёllimet e trasha tё dorёshkrimit nё formё protokolli, tё cilёt, sikur tё mos kishin mbetun tё pabotuem, sigurisht do tё pёrbâjshin fjalorin e parё tё madh e tё vёrtetё tё gjuhёs shqipe. Sa herё nё diskutimin e çfarёdo hollёsie gjuhsore, nё selinё e komisionit filologjik apo atij letrar, nji grup i shёndoshё kompetentёsh gjindej nё mёdyshje, po aq herё pёrdorimi i atij fjalori, qi ai e vente nё dispozicionin tonё, zgjidhte problemin nё mёnyrёn mâ tё kёnaqёshme.” (Pёrkthim i Eugjen Merlikёs)

I dyti thotё:

“Edhè atёhera kúr rrethanat e shtynё tё ndiqte rrugёn e politikёs vepruese, nuk e la mbas dore lavrimin e gjuhёs. I fali kёsaj studime tё matuna e tё frytshme gramatikore e sintaksore. Mjafton tё pёrmendim Fjalorin e madh tё shqipes, rreth tё cilit ka punue gadi krejt jetёn, pá u lodhё, tue mbledhё visarin gjuhёsuer tё malit e tё fushёs. Ky fjaluer, i pajuem me shembuj e fraza tё nxjerruna nga goja e gjallё e popullit, me sinonime tё qemtueme me nji zéll tё mrekullueshёm, pat qênё miratue nga Instituti i Studimeve Shqiptare tё Tiranёs, i cili pat vendosё tё shtypej, por qi mjerisht u pengue nga gjendja e kapёrdime. Fjalori ká qênё 2400 faqesh formati tё madh me 30.000 fjalё, tё spjegueme shqip. Nuk dijmё nё se dorёshkrimi ka shpёtue nga rebeshi i kohёs”[4]

Dihet qi ai i Mustafёs âsht shembull stili parashtrues (ekspozitiv). Letrat e tija janё nji visar ku, veç pёrmbjtjes sё çmueshme pёr historín t’onё, shqipja shpalisё tё gjithё zotsín e vet shprehёse nё ton bisede, ku mendime e ndiesina e gjikime dalin tё çânёsueme me premí e qartёsí t’admirueshme. Ai, njerí realist e i prirun kah spjegimi logjik i ngjarjeve, kёrkonte thjeshtёsín nё shkrim. Dhe i a arriti nё stil tё vet, nji tejpasije (transparence) nёpёr tё cilёn drita e mendimit del e gjallё n’ind tё fjalve e tё fjalive.

Kur shkruente mbi ndoj argument qi i a prekte shpirtin, stili i tij ngjyrohej e pёrflakej por pa rrёshqitё nё llasё tё nji brydhёsije (tendresse) qi nuk pёrkonte me natyrёn burrnore tё tij. Shprehet me nji zbunim tё pёrmbajtun, skofiar (delikat) e tё ngrohёt por jo butlosh. Tё shifet nё shkrimin kushtue qytetit tё Krujёs si e âmbёlson mashkullisht fjalёn kur çekё sende qi ka pёr zêmёr.

Shkruesi i kёtyne rradhёve ka jetue me vjet pranё Tij, ka thithё frymёn e shёndoshtё shqiptare tё votrёs sё tij shtёpijake nё vende tё ndryshme mёrgimi ku atê e hodhёn stuhít politike, âsht ushqye me miqsín bujare e bujarsuese tё Tij, e ka pasё mjeshtёr gjuhe dhe, mbas vdekjes sё Luigj Gurakuqit, e ka njehё Udhёhjekёs tё vetin nё çdo nismё kombtare. Kjo lidhje e ngushtё e vên nё gjendje me folё pёr Tê me dijení tё plotё tё dhânash. Me gjithёkёtê, tue shkrue kёto rradhё âaht pёrpjekё me ruejtё paânёsín. Sidoqoftё, si do qi tё merren gjikimet t’ona, veprat e Mustafa Krujёs jesin dishmim i shkёlqyeshёm i kontributit moral e kulturuer tё botёs shqiptare.

Marrё nga broshura “Mustafa Kruja si njeri kulture e si gjuhёtar”, SHÊJZAT 1973

[1]Djelmёnija studjuese sot don tё hŷjё nё thalb tё çâshtjeve. Ideologjít e ndryshme nё luftё me shoqishoqen e detyrojnё me zgjedhё. Nacjonalizёm a internacjonalizёm? Ndёrmjet kёtyne dý skâjeve kundrore (opposées) valavitet mendimi i sotshёm. Tue vlerёsue problemet nё lidhje me kombёsi, tё rijt duen tё hulumtojnё edhe zanafillёn e tyne, d.m.th. kalesёn e kombit prej kah burojnё kavít (les causes) e rrymbave tё ngjarjeve. Nё kёtё hulumtim gjêjnё pengoja: disá ngjarje nuk janё tё shkrueme e gjurma e tyne qindron nё kujtim tё njerzve tё motnuem, disá janё tё shkrueme por pёsojnё nga nji ânёsí e qartё interpretimi. Sidomos veprimtarija e personaliteteve qi u shfaqёn nё skenё tё historís si protagonista shpesh rrethohet me avullim shoshlimesh tё cekta a tymtajё pasjonesh. Tё rijt serjoza dishrojnё m’e kullue punёn, sidomos kur dyshojnё se nji mёní vazhduese orvatet me shfytyrue (falsifier, dénaturer) tё vёrtetёn. Ata kuptojnё se i erdhi koha nji paraqitjeje tё drejtё, pa shtrёmbnim, tё fytyrave mâ tё pikatuna kombtare. Nuk niset nji ecje e mbarё kah ardhёmёnija me paravûmje (premisses) idésh kallpembi kalesёn.

[2]Shif Shêjzat, Vjet’i 1959, 11 – 12

[3]Shif Shêjzat, Vjet’i III, 1959, nr. 1 – 2, faqe 4

[4]Shif Shêjzat, vjet’i 1959, nr. 11 – 12, faqe 382. Dymbёdhjetё tefterёt me fjalё tё mbledhuna e tё shpalisuna nga Mustafa kanё mbetё n’Institutin e Shkencave e mâ vonё n’Universitetin e Tiranёs e prandej ajo lândё leksikore gjendet sigurisht, e shfrytzohet, nё Fakultetin e Letrave t’atij Universiteti.

Filed Under: Politike Tagged With: Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Shejzat, si njeri kulture

Shtatëdhetëvjetori i lindjes së Mustafa Krujës

January 5, 2019 by dgreca

Marrim dhe botojmё nga  “Shêjzat” Vjeti I/

Ernest_Koliqi1 shejzat1 Mustafa Kruja

 nga ERNEST KOLIQI/

Na Shqiptarёt, pёrgjithsisht, jemi bukur fort tё prirun kah epshi i prozhmimit. Jo vetёm lёvdata na del disi rryeshёm nga buza, por pёr mâ tepёr, gjejmё vishtirsí nё vetvete kur arsyeja e lypё qi tё shfaqim pёlqim e lavd mbi cilsít ase veprat e nji tjetri. Individualizmi i tepruem na i ndalon, pёrpara meritёs sё tjetёrkuj, hovet e mêndes dhe tё zêmrёs. Kjo korrnecí shpirtnore ndoshta na rrjedh prej krajatave historike nёpёr tё cilat u pёrshkuem na dhe tё parёt t’onё. Kush u gjuejt paprâ nga rrufét mâ tё rrebta tё fatit, nuk mund tё jèt udob shpirtbardhё. Gjikimi i ynё mâ tё shumtёn shkrepё i ashpёr mbi t’afёrm e shokё. Vetёm ndoj gjest energjik, ndoj akt trimnije heraherё zgjon ndёr né miratim çuditёs e dalldí. Mёsa qi vlerat mendore e morale gjêjnё zakonisht plot mohuesa. Edhe kjo rrjedh nga shkaku se trimnija shfaqet me nji stil klasik qi shumica njef nё Shqipní nё tё gjitha shkallёt e veta, e prandej sejcili, sa vren a ndёgjon ndodhjen din edhe t’a pleqnojё, kurse s’ka kút a kandar me matё e me peshue fuqín e mendes apo madhnín morale tё njânit e tё tjetrit. Kёsodore mohimi i çdo cilsije, qi nuk shifet me sy edhe nuk preket me dorё lehtas shqyptohet me gojё. Nё kohna tё fundit ky ves âsht pёrhapun shum nё shoqnín shqiptare. Komunizmi denigrimin e mban si nji ndёr mjetet kryesore pёr pregatitjen e sheshit ku don tё nguli rrâjё. Mjerisht edhe na, qi lёvdohemi se urrejmё çdo mёnyrё e doke tё komunistave, biejmё nё kёt faj mâ shpesh se mendohet. Ndodhё qi i hueji, kur ndёgjon Shqiptarinn tue folё pa kontrollue thânjet kritikuese, krejt i rrёmbyem prej pasjonit e prej resёs, e tue dhânё mbarё e mbrapёsht gjikime johenike mbi njerz e ngjarje tё vendit tё vet, del nga ato bisedime me nji panoramё mjaft tё shkretё e me nji pёrshtypje vorfёnije njerzore qi vonё e vonё i shlyhet mêndsh. Ky nihilizёm shkretnon e thanё zêmrat shqiptare, kёputё nё burra tё pjekun dhe nё djelm tё rij çdo hov frytdhânёs, zvoglon aradhet e atyne qi lakmojnё tё dallohen nё veprimtarí tё lavdueshme nё dobí t’atdheut e na paraqet mjaft keq para botёs sё huej. Na s’duhet tё harrojmё se propaganda e anmiqve tё kombit na ká piksue si njerz tё pa-aftё m’u ngjeshё nё tharm tё qytetnís. Gabim i pafalshёm d0 t’ishte vёrtetimi i atyne pohimeve fyese e poshtnuese, t’anmiqve shi prej pёrgojimeve t’ona tё paurta mun tё trênta.

Le tё mё falet ky shfrim qi mё shpёrthei vetvetiu nga shpirti e nuk mё la me hy fill nё thalb tё kёtij shkrimi, i cili ka pёr qёllim kremtimin e shtatёdhetёvjetorit tё nji Shqiptari në shêj, por mё rrёshqiti gati tё thuesh padeshtas tue mendue se edhe ky Burrё, i cili stolisë me vertyte të veta atdhén, provoi (bashkë me nji varg të gjatë shokësh tjerë) ngushtësín e padrejtë të gjikimit të disáve, moskuptimin e vrejsave të pwrcipët të ngjarjeve historike dhe mungesën e nji mirënjohjeje së meritueme mbas nji veprimtarije mâ se pesëdhetëvjeçare për nder të Shqipnís. Prap se prap Ky ma pak fatmjerë se do të tjerë Atdhetarë të shquem – Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Vinçenz Prendushi, Bahri Omari, e mâ e mâ – qi na Shqiptarët vrámё me dorë t’onë. Këta i hoqme jete me plumba pushke; Mustafën u përpoqёm t’a vrasim moralisht.

Jam i bindun qi ndokush do tё mendojё se s’jam unё njeriu mâ i pёrshtatun me i shkrue kёto dy fjalё uruese nё kёt rasё kremtimi, pёr shkak se miqsija vllaznore, bindimi i thellё dishepulli ndaj Mjeshtrin, qёllimet ideale tё pёrbashkta qi mё lidhen e gjithёnji mё lidhin me Mustafёn, mund tё m’a rrёmbejnё pendёn tue mё shty me i dhânun ngjyrё e flakё panegjiriku bisedimit. Jo, jo: do tё báj tё shukaten pёrmbrênda ndiesít mâ tё gjalla edhe do t’orvatem m’u shprehё tue e pёrshkue çdo pohim nёpёr akull tё mendes.

Vlera e nji karakteri njerzuer, vetija e brumit me të cilin âsht i ngjeshun nji bir njeriu, njifet e dishmohet pikë mâ s’pari në marredhânjet  e tija me rrethin shtëpijak. Para se me qênë qytetar, njeriu âsht bír e prind. Unë kam pasun fatin t’a njof t’an e Mustafës, – nji burrë i thjeshtë nga Kruja, i squet e i urtë, – të cilin i biri, i arrijtun në rrjeshtin mâ të naltë të personaliteteve të botës shqiptare, e rrethonte me nji nderim dashunuer qi më mbushte me habí. Më dukej si ai të donte me i a dhurue t’et të gjithë respektin qi bota ushqente për tê. Po âmbёlsija pa llasё me tё cilёn drejtonte familjen? Po njerzija, e rrallё ndёr né Shqiptarёt, qi pёrdorte me bashkёshorten e me fmij? Mustafёn, qi shum kush e pёrshkruen si burrё tё vrashtё, nё rreth tё familjes unё e njof tё durueshёm e tё butё, tue u ndêjun sipёr me orё djelmve qi kryejshin detyrёt shkollore tё ditёs. Kur i qortonte flitte nё mёnyrё qi mos me i a cenue personalitetin nё formim.

Ah, vera tё Zarёs, vera tё bardha e tё lume tё vjetve 1929, 1930 si nuk i u dijtme vlerёn asokohe! Ishi pёrplot me hire tё holla, por né na e ndalonte shijimin t’uej gjakimi i nji rilindjeje arbnore shkrue si vegim njimtues n’ajrí. Ishi êndё me rreze fatbardhёsije, e na atёherё nuk e kuptojshim. Sot, nё mbamendje, kёthejmё ke ju me gjetё ngushullim. Por, tepёr shumё lot, tepёr shumё gjak na ndajnё prej jush. Bashkё me at fatbardhёsí edhe Zara e shkretё âsht shêmbun rrafsh pёr tokё!

N’ato dit, un pata fatin m’u pritё si njerí i shtёpís nё rreth familjar tё Mustafёs e ishte ajo mikpritje, larg votrёs s’eme atnore n’at moshё tё ré, nji dhuratё e veçantё qi m’i zbutte mallёngjimet e mёrgimit. Thithej n’at familje nji frymё e shёndoshё e kёndellse njerzore, levitte n’at atmosferё shpirti i thellё i dokeve t’ona, tё cilat, kur interpretohen prej nji zot shtёpije mêndendritun edhe ushtrohen me ritёm tё mbajtun por edhe t’âmbёl njiherit, i apin zhvillimit tё jetesёs sё pёrditёshme nji hijeshi tё pashoqe. Nji moral i naltё, i natyrshёm, i gufuem nga palci i zakoneve mâ bujare tё fisit arbnuer frymzonte çdo sjellje, çdo shprehje tё tё parit dhe tё mbrâmit n’at ambjent tё qetё e qetёsues. Kjo suazë morale ndihmon me kuptue figurën e Mustafës. Atdhedashunija e tij lindet e forcohet në vokësí të votrës. Për tê atdheu âsht familja e familjeve. Ai kryen detyrën e vet ndaj atdheun me mënyrën mâ të thjeshtë pa u përpjekë m’u vû në dukje. Urryes ç’prej lindjet i çdo theatraliteti demagogjik, punoi për vend ashtu si kreu detyrët e veta ndaj prindët, ndaj të bijt, ndaj mbarë farefisin. Mësim i çmueshëm qe për né koha qi me tê kaluem.

Në mende të tij s’ka nji ndërpremje midis dashunis të jetës shtëpijake e asaj t’atdheut. Asht krejt nji vazhdim. E kriteret morale, qi ndiente e mbante në njânën, donte t’i ndiqte edhe në tjetrën. Prej këndej buroi shpesh qindrimi i ngurtë i tij në disa rrethâna politike qi ndoshta lypshin nji farë lakimi fjalësh e mënyrnash. Shtёrngesa, nё shumё rasa, edhe acarija e shprehjeve i u dukshin detyra shêjte pёr t’u plotsue me çdo kusht. Atê shka lypte prej tjerve, ai mâ s’pari e kryente vetë. Njerzit qi e njofin për s’afërmi dijnë me ç’vullnet të hekurt âsht i pajisun e sa duresë cmeritëse ká në punë! Aspak i dhânun mbas qejfeve tё jetёs e i pёrkuerm, pёr tê humbja e kohёs âsht nji gjâ absurde dhe mundi i punimit ândje. Këto cilsína, të rralla në Shqipní, nё nji rreth shoqnuer ku papunsija njehej privilegj i lakmueshёm dhe puna nji nevojё cenuese e prestigjit burrnuer (“punojnё skllavёt ase njerzit e ultё, burrat e vjefshёm urdhnojnё tjerёt  ndêjun”) kanë krijue pakënaqsín përtoqark veprimtarís së tij. Disáve nesh, ndërhymja urdhnore me të cilën Mustafa kërkonte punë nga njerzit qi e rrethojshin dh’e njifshin vullnetarisht si prîs e mjeshtër, na vjefti sa s’ká. Shembullin, si gjithmonë, na e epte ai vetë. Punonte me orë të gjata rreth fjalorit. Seicilit prej nesh i lypte spjegime si e kalojshim kohёn. Kjo shtrёngesё dashamirse nxiti mue tё shkruej nё Zara novelat e Hijes sё Maleve (qi ai mё ndihmoi me shtypё), Kostandin Kotten krah-thatё me hartue dramёn Shpagimi i Gjaksís, e tjerё shokё intelektualё mos me e humbun periudhёn e mёrgimit nё papunsí.

Nuk duem këtu të hyjmë në hulumtime kejet të vishtira mbi veprimtarin politike të Mustafës. Kur gjaknat të ftofen dhe filli i ngjarjeve të mundet m’u paraqitun, në daç me merita në daç me gabime, ashtu si u zhvillue në të vërtetë dhe jo me trajtat sot të shtrêmbënueme nga pasjoni, historishkruesi tash ep gjikimin e drejtë mbi kohën e mbi protagonistat qi u ternuen në skenën politike shqiptare ç’prej 1912 e deri me 1944. Dy gjâna duhet veç qi Shqiptarët e ndershëm e mirëmenduesa të kenë parasysh në shoshitje të veprimtaris politike të Mustafës: e para, qi ai mori pjesë në shpalljen e pamvarsis së Shqipnis në Vlonë me 1912 e prandej hyni në rradhën e Krijuesavet t’Atdheut dhe qi, kurdoherë e kudo, ndër rrethâna mâ të ndërlikueme, pat për qëllim të mirën e Shqipnís. Epoka 1912-1944 grafulloi në botë e në Shqipní me rrymba aqë të furíshme interesash ndërkombëtare dhe me idé aqë të pështjellueshme, diku përtrîse diku dёrmuese, sa qi erdhi nji ças në të cilin ngjarjet u bânë mâ të mёdhaja se njerzit. Faji i kohnave nuk âsht e arsyeshme t’i veshet e t’i ngarkohet njerzve. Edhe duhet dijtun se suksesi a mos-suksesi i nji ndёrmarrjeje politike nuk mvaren kurrsesi nga vullneti i mirё i atij qi e nisё nji punё ase e drejton, por nga rrethânat e ndryshme dhe pak edhe nga fati. Mazzini krijoi idealisht Italín e sotshme: kur kjo u mbarёshtue si shtet, Cavour-i atê e largoi nga çdo ndёrhymje nё punё zyrtare. Kёshtu qi si ideolog pat sukses tё shkёlqyeshёm: dёshtoi si njerí politiket. Cavour-i i suell shёrbime tё mёdhaja atdheut tue shtî nё punё me shpirt mâ realistik dhe mjeshtrí mâ manovruese idét e Mazzini-t. Kjo nuk âsht pёrpiknisht rasa e Mustafёs, por vlen me provue se suksesi politik nuk njipёrnjisohet gjithmonё me vlerё tё punёs sё kryeme nё dobí tё naltёsimit tё nji kombi.

E sa për punë, Mustafa atê, si thámё, për pesëdhetë e mâ vjet nuk e   ndërpreu kurrnjiherë dhe, ku mujti e sa e si mujti, u përpoq sidomos për lavrimin e gjuhës (trashigimi ma i çmueshëm i kombit) e për zgjânimin e kulturës shqiptare (mënyra mâ e nalta si me i shёrbye atdheut). Gojёkqijt të vaditun me flakrue shkarkime, para se me u ngrehë si gjyqtarë e me shqyptue dënime falas, duhet të peshojnë cilsín e sasín e veprave qi i dhuroi kombit Mustafa. Nji jetë kushtue çashtjes e kulturës shqiptare meriton gjikim të peshuem edhe prej atyne qi i kanë në shesh dhe të njoftuna meritat e veta kundrejt atdheut, por sidomos prej kuj din vetëm të llapojë mbarë e mbrapësht pa pasë vndue asnji papërdhok në ndërtesë të shqiptarizmit.

Jeta e Mustafa Krujës paraqet nji varg aqë t’interesantshëm ngjarjesh saqi me të shtî në tundim për t’i a hy përpilimit të biografis së tij: nji biografi a la Maurois. Sa mirë do të bânte ai vetë t’i a niste redaktimit t’autobiografís. Kët sugjerim i pata bâ edhe Fishtës, por nuk m’a vûni veshin. Mustafa Kruja lindi nё Krujё mё 15 mars 1887. Shkollёn fillore e ndoq nё vend-lindje. At shkollё ku xûni edhe mёsuesin e parё tё tij, i pёrshkroi mallёngjyeshёm nё nji copё proze botue nё Tiranё nё tё pёrkohёshmen “Shkёndija” mё 1940, – copё proze qi mbetet nji shembull nё shqipe stili tё lidhun, tё tânё substancё nё premín e vet.

Shkollat e mesme i kreu nё Janinё dhe studimet eprore nё Stamboll nё Mülkiyé-i-Schahané, kёshtu qi mё 1910 doli “licencié” nё shkenca politike e shoqnore. Tё gjithё e dijnё se çfarё studjuesi i palodhun âsht Mustafa. U thellue aqё nё lândё tё ndryshme, por sidomos n’ato historike – morale, sa m’u njehё nji ndёr intelektualё t’onё mâ tё shquem pёr kulturё organike. Prirja e natyrёshme e shtyni veçanёrisht kah mbledhja edhe vezhgimi i pasunís gjuhsore, ku âsht tue lânun gjurmё tё pashlyeshme. Ai pregatiti nji fjaluer tё shqipes me afro 30.000 fjalё, tё pajisun me çanёsime tё pёrpikta, gjithёnji nё shqipe, edhe me frazeologjí, skâje, thânje nga goja e popullit dhe shprehje letrare tё nxjerruna nga auktorёt e motshёm. Zêmёrbardhёsisht dorёshkrimin e çmueshёm i a dhuroi nё Tiranё Institutit tё Studimeve Shqiptare, i cili i dha fillim botimit. Ngjarjet e ndaluen shtypin. Ajo lândё e pashoqe mbeti nё duer tё komunistave.

Veprat e tij mâ tё shёnueshme janё: 1) nji pёrkthim mjeshtruer nga serbishtja e vepёrs antishqiptare tё Vladan Gjorgjevich-it “Shqiptarёt dhe Fuqít e mёdha” (Zara 1927); 2) “Abetari i tё Merguemit” (Egjypt 19529; 3) vargje me qinda artikush politikё e kulturorё nё fletore tё ndryshme, por sidomos nji serí studimesh gjuhsore nё tё gjitha tё pёrkohёshmet mâ tё pёrhapuna shqiptare (Hylli i Dritёs, Leka, Pёrpjekja Shqiptare, Illyria, Shkёndija, Shpirti Shqiptar). Pseudonimi i tij Shpend Bardhi njifet prej çdo shqiptari t’arsimuem.

Por Mustafa, si shum tjerё shkrimtarё t’onё tё mёrgimit, ka mjaft vepra gati pёr shtyp. Ndёr ato mâ me randёsí mund tё pёrmendim: Historín e Lekёs sё Madh, Historín e Burrit dhe Historín e Faraonvet, tri vepra tё dallueme njâna prej tjetrёs. Ka pёrkthye shqip nga gjermanishtja Illyrisch-albanische Forschungen tё Dr. Ludёig v. Thallóczy me bashkёpunimin e Dr. Constantin Jirecek, Dr. Milan Sufflay e Theodor Ippen. Gjithashtu nji vepёr pёr né Shqiptarёt me shum randsí tё Hans Krahe “Die Indogermanisierung Griechenlands und Italiens”; edhe shndrrimin nё shqip-latinisht tё “Dictionarium latino – epiroticum” tё Frano Bardhit (1635) me shёnime tё shumta gjuhsore.

Mustafa mund të njehet nji ndër krijuesa në shqipe të prozës parashtruese, d.m.th. t’asaj qi në mënyrën mâ të qartë e të përcaktueme paraqet e shtjellon nji themë. Kjo lloj proze, e cila i shmânget deshtas trillit poetik e prandej shprehjeve të paçansueme, âsht vegёl arsyetimi dhe ká për qëllim me bindë jo me argtue ase me njimtue. Mustafa me strukturën e tij mendore të prirun kah lidhjet e mbërthimet logjike, kah trajtat e përpikta descartiane, nxori nga pasunija leksikore e shqipes të gjitha mundësít argomentuese dhe krijoi nji stil gjeometrik, i vetmi qi vlen në të parashtruemit e lândve shkencore. Përpiknija veçse, në shkrime të Mustafës, bashkohet me nji natyrëshmëni të hijëshme, e cila besoj se i vjen nga njohja e plotë e frazeologjís shqipe e rrjedhimisht nga gjenuiniteti vërté shqiptar qi kanë vallimet e periudhave dhe rendimi i fjalëve në to. Frymë e kulluet shqiptare por edhe qartësí kristalore çanësuese. Vetín e rrallë të qartësís e fitoi në studim të censhëm sidomos t’auktorve klasikë frêngë.

Në bibljotekën e tij veprat e La Rochefoucauld, të Montesquieu, të La Bruyère etj. xêjshin kryet e vendit bashkë me shum vllime të historís së përgjithshme.

Aty, ku Mustafa, mandej, arrîn në përsosje letrare asht stili epistolár. Ata qi patёn fatin me pasë letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun nji visar i paçmim i shqipes. Mjerisht kohnat e turbullta, në të cilat nuk prânë të përshkohen Shqipnija dhe Mustafa, shkaktuen humbjen e shumicës së letërshkembimeve të tija të ndryshme: letrat qi i shkruente Don Lazër Shantojës, për shembull.

Stili epistolar i Mustafës âshti i shkathët e i dêndun dhe ndiesít, pёrshkrimet, pёrshtypjet, mendimet, gjikimet derdhen në trajta mâ të pёrkulëshme e të gjalla se në vepra tjera. Nuk mungon aty-këtu tingulli shpotar. Gjuha gufon e pastër dh’e pasun. Frazeologjija, e pёrdorun me zotsí mjeshtrore, i ep shkrimit zhvillimin e nji kuvendi të shtruet e të kandëshëm dhe të çon mallin e bisedës qi bâjshin dikur burrat pranë votrës. Ky stil epistolar, thadrues e i depërtueshëm, besoj se nuk e ka shoqin në letrësí t’onë. Rrethânat e shtrënguen Mustafën të jetojё mâ të shumtёn përjashta dhe të jesi në lidhje me t’afërm e me dashamirë nëpërmjet letërshkёmbimit. Letërshkëmbimi kështu atij i shёrbei, po, si mjet marredhânjesh të nevojshme me lloj lloj njerzish, por edhe si shfrim njerzuer, në çase trishtimi e malli, me dashamirë. Në kohë t’ardhëshme, kur shpirtnat do të zbuten dhe të rijt do të kërkojnë dishmína të kalesës, letrat e Mustafës do të hjedhin dritë të skjaruese mbi shum pёrshkime e kapёrcime historike. Epistolari i tij, ai qi ka teprue, plot undyrë njerzore në përmbajtje e plot vesk gjuhsuer në trajtë do të jesi si nji gur i çmueshëm i letresís s’onë. Fund e maje në tê dridhet kujdesi për fate t’atdheut dhe shprehet me theksim të paprém nevoja e punës kulturore në dobí të tij.

Shpirti i nji kombit forcohet nёpёr verigё tё breznive qi ternohen nё botё tue e frymzue jetёn e tyne nё trashigim shpirtnuer tё tё Parvet. Breznija nё prendim i a dorzon breznís pasardhёse visarin e gojdhânave tё lashta tue i shtue pёrvojёn e vet tё mbrûjtun me vuejtje e me gazmime. Të rijt e sotshëm duhet t’a marrin në dorzim vravashkën e shpirtnorís së kombit prej burrave mâ t’urtë e të dijshёm. Po u përçmue vepra e Atdhetarve të breznís paraprîse në kalesë, ndërprehet trashigimi kombtar. E pa visar gojdhânash e dhânash kulturore, Shqiptarët nuk do t’u njifshin në botë mâ si komb por si nji grumbullí njerzish ardhacakë. Edhe veprat e Mustafës kanë hy ma ba pjesë në visar qi duhet t’i kalojë trashigim ardhëmenis.

Sot nga zêmra e çdo Shqiptari tё drejtё duhet tё shpёrthejё nji ndiesí e gjallё mirёnjohjeje e t’i drejtohet Shkrimtarit tё palodhun i cili nё mojin e marsit tё kaluem mbushi nё dhé mergimi shtatёdhetёvjet tё jetёs. Zêmrat e zânet t’ona tё bashkohen nё kёt urim: “Mustafё, i kremtofsh nё Shqipní tё lirueme ditlindjet tё Tua t’ardhёshme!”

 

Marrё nga “Shêjzat” Vjeti I, shtatuer – tetuer 1957, n° 2 – 3

Filed Under: Politike Tagged With: Ernest Koliqi, së Mustafa Krujës, Shtatëdhetëvjetori i lindjes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT