• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kërkohet “nivel monetar”… jo artistik…

December 9, 2013 by dgreca

“Shkrimtari kur shkruan tradhton veten”, -ka thënë Gëtja/

.Esse-nga-Raimonda MOISIU/

Shkrimtarin e vërtetë e shohim në reflektimin dhe mishërimin midis ndjeshmërisë së vetvetes dhe ndjeshmërisë kolektive, në unitetin e shpirtit të tyre të trazuar, me madhështinë dhe egoisten njerëzore, mes marrëzisë e të bukurës në jetën e përditshme. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër. Shkrimtari ngjyen penën në thellësitë e shpirtit, kujtesës, mendimit dhe përvojave jetësore të tij, çlirimin nga ngërçet e shoqërisë dhe ngre kasollen e shpirtit në kufijtë e filozofikes e artistikes. Pjesa më e vështira në artin e të shkruarit për një shkrimtar është kur dhimbjen dhe dashurinë, harenë e gëzimin ta kthejë në fenomen shoqëror apo historik, me eksperiencat e veta në katrahurën e jetës. Është ura lidhëse midis kulturës popullore dhe artit, konceptit intelektual, qytetar dhe mençurisë për të bërë grintën e fuqishme shpirtërore. Sigurisht gjetjet inteligjente dhe idetë origjinale, në përafrimin e tematikës, e bëjnë më të lehtë për të qenë më pranë botës shpirtërore, mes përjetimeve konkrete, mes realistes e pragmatistes.Por ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e shkrimeve të kritikës letrare, për të njohur vlerat e vërteta të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshira në gamën e gjerë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë. Ka një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë, sepse janë shtuar edhe njerëzit me strese. Disa shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por nuk kanë asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Të shkruara mjaft cekët nën nivelin e mesatares letrare e artistike, jepen më shumë pas sasisë së faqeve se sa pas cilësisë artistike e letrare, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren-“shpërblime letrare”.Shumica vuajnë nga sindroma e përfitimit të parasë dhe nëpërmjet saj blejnë reputacionin dhe karrierën si shkrimtarë. Kjo racë shkrimtarësh që janë fenomene groteske paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë e talenteve që bindin për të ripërcaktuar karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. Shkrimtarë, – që nuk kanë asgjë të freskët apo të reja për të rrëfyer.

Disa prej tyre mund ta argumentojnë vetveten ”gjeni” dhe nuk janë të qartë e të sigurtë se vepra që ata shkruajnë është komerciale apo thjesht një trillim letrar se është shumë i lexueshëm për një shumëllojshmëri të gjerë të lexuesve. Apo mos ndoshta ata janë të vetëdijshëm në mediokritetin e tyre që mund të përfaqësohen si dy dimensionale: shkrimtarë amatorë apo profesionistë!? Unë mendoj se janë nga ata shkrimtarë që kanë bërë para me shkrime dhe kjo mendojnë se i ka bërë profesionistë! Por “niveli monetar” nuk do të thotë asgjë në lidhje me nivelin letrar, artistik dhe standardin e krijimtarisë së tyre, por që gjithsesi për të fituar “shpërblime letrare” dhe “monetare”, që unë do i konsideroja të një niveli poshtë mesatares, libra absolutisht mediokër. Pra jemi në një antitezë të freskët në këtë periudhë të antitezave dhe absurditetit më të madh, në planin e vlerësimit dhe kritikës letrare të kohës, në evidentimin e vlerave të vërteta letraro-artistike për mrekullitë, letërsinë, artin e të shkruarit dhe atë në përgjithësi.

Po kërkohet më shumë “nivel monetar”..dhe jo artistik! Kemi parë gjithë dukurinë e një libri duke u bërë edhe “best-seller” apo fituar edhe cmim të madh. Shumë pak prej tyre kanë pika të vërteta artistike dhe vlera letrare, por kjo nuk ka rëndësi për ta sepse kenaqin oreksin e tyre vulgar “shpërblim letrar”, dhe ushqejnë krijimin në nivel monetar.Si gjithmonë krijime gjen mjaft-por kokëboshësinë, –justifikimet përpiqen ta bëjnë atë që nuk është asgjë më shumë se një koncept intelektual, se nuk gjenin mënyra më delikate e të mëncura për ta bërë atë një krijim të vërtetë në nivel cilësor, letrar e artistik. Para do kohësh në një intervistën time shpreha një mendimin tim të lirë në lidhje me jetën letrare në Shqipëri. Mes të tjerave u shpreha edhe për të ashtuquajturin “Kongres Ndërkombëtar “Muza Poetike Pegasi- 2012”, me objekt “Universaliteti i Vlerave në Letërsi dhe në artin Bashkëkohor”, tekstualisht: “Kongresi pati një shtrirje të gjerë në Shqipëri, në trojet shqiptare deri në Kosovë. Pjesëmarrja në të ishte shumë e madhe, kishte krijimtari të mirëfilltë letraro-artistike, por kishte dhe binte në sy ajo- jo cilësorja e jo artistike, mediokre, biles pa e arritur nivelin mesatar. Gjithsesi kjo iniciativë duhet përshëndetur, është guximi për të sjellë në vëmendjen e shoqërisë alternativa në jetën letrare”. Kaq!

Mendimi im nuk ishte aspak tendencioz për të lënduar ndjenjat krijuese të pjesëmarrësve të atij Kongresi, të anëtarëve të LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, megjithëse edhe për këtë kam rezervat e mija. Por ishte një mendim pozitiv që kishte brenda kritikën letrare dhe kërkesën për një nivel të mirëfilltë letraro-artistik. Sot për sot është majft e lehtë për të shkruar vepra, poezi d.m.th të krijosh me kushtin që kërkohet “shpërblim letrar” me çmime në nivel monetar- e aspak cilësor e artistik! Por fakti më tronditës është se former president i kësaj Lidhjeje z. Kristaq Shabani filloi një fushatë stigmatizuese dhe terror psikologjik ndaj meje duke më kërcënuar, fyer e persekutuar jo vetëm privatisht por edhe në rrjetin social Faceboook, kërkonte me insistim që unë t’i kërkoja të falur për”shpifjen”, të tërhiqja mendimin nga gazetat, që unë sipas tij kisha bërë për Pegasin, etj, etj. Të falur?! Për çfarë? Shpifje??!Kush ishte shpifja e faji im?! Kam duruar shumë vetëm për hir se nuk dëshiroja të bija në nivelin e tij, nuk dëshiroja të infektohesha nga egoja e tij e sëmurë me delirin e madhështisë, krekosjen dhe pompozitetin se kishte shumë grada shkencore –që nuk e kuptoja ç’kanë të bëjnë gradat shkencore me letërsinë?! –a thua se bota letrare, letërsia, Nobeli rrotullohen vetëm rreth z.Kristaq Shabani –a thua se ky është për Nobel, a thua se ky është shpëtimtari i letërsisë shqiptare!

Shkon edhe më tej komenton te gazeta “ime” TIRANA OBSERVER, gjë që mua vërtet më gëzoi, sepse jo vetëm ngriti vlerat e mija, por më saktë tregoi profilin e tij të vërtetë. Në lidhje me krijimtarinë, nivelin cilësor e artistik të tyre është popullarizimi dhe tendenca që z. Shabani përpiqet të bëjë se; të gjithë besojnë se veprat e tij, të tyre janë kryevepra dhe se ato kanë vlerë të thella krijuese e cilësore në nivel artistik e letrar. Unë nuk nguroj ta përsëris mendimin tim, se në atë Kongres kishte e ka krijimtari të mirëfilltë letraro-artistike, por ka e bie në sy ajo jo cilësorja, jo artistikja, mediokre. I pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë z. Shabani kjo është mëse e vërtetë, dhe po qe se ai e argumenton veten “gjeni” në fushën e letërsisë, duhet të bëhet më konciz, koshient e konfident të pranojë kritikën letrare dashamirëse aspak tendencioze. Në fakt disa shembuj të tij janë mjaft të habitshëm! Vlerësoj shumë realitetin e jetës kur shikoj shembuj të tillë dritëshkurtër duke trumbetuar krijimet e tyre dhe arrijnë deri aty sa të rrëmbejnë edhe çmime. Me duken të neveritshëm dhe ndjej keqardhje se sa poshtë kanë rënë dhe dyshoj shumë në ndershmërinë e tyre. Vëmë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material,financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual. Mendimi im është për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara. Po “vdesin” poetët!!

Asnjë librari nuk pranon libra me poezi. Shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, sepse praktika i bën të përsosur. Nuk duhet të mendojnë se gjithçka që shkruajnë është mjaft e mirë për botim. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Nga ata kërkohet “nivel monetar,…”jo artistik, sepse ata nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Pra, kur them se shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, nënkuptoj që ata të botojnë veprat e tyre kur ato të vlerësohen nga një bord letrar apo kritika e kohës për cilësinë dhe nivelin letrar e artistik, dhe botuesit do të konkurrojnë pas tyre. Nëse shkrimtarët e rinj kanë pasionin dhe talentin e lindur në to, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin. Shkrimtari, poeti e artisti i shërben një periudhe të caktuar historike, një populli e një kombi të caktuar. Vërej që ka tre kategori opinionesh për njerëzit që shkruajnë e bëjnë art. Një kategori përbëhet nga lajkatarë,një tjetër nga smirëzinj e njerëz të rënë në dashuri me krijimet e veta, të dyja janë ego vetëgjymtuese e vetëvrasje intelektuale. Kategoria e tretë është ajo e njerëzve të ndershëm, të pakët në numër e që sa vjen e po pakësohen. Asnjë shoqëri nuk është statike. Krijimtaria letrare, artistike dhe arti nuk duhen paragjykuar. Duhet kuptuar në kohën e kushtet kur është shkruar, ajo ka një emër të shenjtë; arti i të shkruarit. Ndërsa shkrimtarët e vjetër shpalosën ide të mëdha që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, do t’ia kalojnë të rinjve stafetën, të marrin përsipër luftën për ndryshim që është një luftë e vazhdueshme. Dhe shpresoj se kjo do të vijë. Ndonjëherë ajo merr gjenerata, por ndryshimi vërehet.

Shkrimtari Stefan King i ndante shkrimtarët në katër kategori biles shkoi e më tej, ai vuri fotot e tyre në një piramidë: ku binte në sy që shumica e tyre ishin në kategorinë e fundit. Ai thoshte se askush nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i keq në një shkrimtar i aftë dhe nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i mirë në një gjeni! Por vetëm me përpjekje dhe përkushtim, bëhet nga një shkrimtar i zoti në një i mirë. Shkrimtari kurrë nuk duhet të jetë i kënaqur me atë që shkruan, por ai duhet ta respektojë atë si ai fetari që respekton fenë e tij. Të jesh krijues sot i çfarë do lloj gjinie nuk është luks, është mëse njerëzore. Edhe diçka tjetër; shkrimtari i vërtetë bën kompromis vetëm me artin e për artin, përpiqet të qëndrojë sa më shumë larg politikës. Shkrimtari, artisti, poeti nuk është partizan i politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror. Një shkrimtar,artist apo poet mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar e artistik. Shkrimtari, artisti e poeti duhet të jetë vetvetja, brenda brishtësisë së individualitetit të tij.

Gjithkush prej tyre përballet me kufizime të shumta në shoqëri dhe është zhytur ose në kakofoninë e turmës ose mbizotërohet nga ligjërimi i pushtetit. Kjo është sfidë e frikshme për të shprehur pikëpamjet e dikujt në rrethana të tilla, një individ konfirmon ekzistencën e tij nëpërmjet një sfide të tillë nga mjedisi i tij. Duke e shikuar nga ky këndvështrim shkrimtari,artisti e poeti e dinë se letërsia nuk është armë për kritikë, por një dëshmi për ekzistencën. Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Shkrimtari, artisti e poeti e di se letërsia, vargjet poetike, peneli i piktorit janë më reale se historia, e cila është shkruar e shkruhet nën ndikimin e pushtetit politik.Dhe pena e peneli i botës së artit bën kompromis vetëm me idealin e lirisë, patriotizmit e dashurisë njerëzore. Dhe po e mbyll me një mesazh shumë domethënës e simbolik të publicistit Vasil Qesari, i cili shprehet: “Artistët, janë kalorës të lirisë, “marothonomakë” vizionesh humaniste, pararendës të emancipimit dhe progresit njerëzor, rrëfyes të shpirtit njerëzor që lufton të Keqen. Shkrimtarët dhe artistët, në çdo kohë, kanë luftuar kundër tiranisë, mashtrimit, shfrytëzimit të njeriut, padrejtësisë, gënjeshtrës, dhunës dhe shkatërrimit. Ky është edhe një apel, për krijuesit dhe artistët e vërtetë të vendit tonë, të cilët kanë ç’të flasin e të mos heshtin rreth dramës shqiptare, duke u shkundur nga gjumi nën “kurorat e lavdisë”

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: esse, jo artistik, nivel monetar, Raimonda Moisiu

TIRANA, METROPOLI SHQIPTAR NUK KA ELITË

December 2, 2013 by dgreca

Esé nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në Tiranë nuk ka elitë. Si përkufizim, elita është ai grup apo kategori sociale që ka vendin më të lartë në hierarkinë e vendit. E shprehur metaforikisht, elita është ajka e shoqërisë,aristrokracia, fisnikëria, bujaria. Në origjinë, statusi i elitës nuk është i veshur me pushtet, por ai njihet si autoriteti apo integriteti moral i padiskutueshëm.  Ka elitë dhe elita.
Në Tiranë nuk ka elitë – ka pseudoelitë, që përfiton privilegje jo për shkak të arritjeve të saj në të mirë të vendit dhe shoqërisë, por për shkak të simbiozës me politikën e krimbur nga korrupsioni dhe të qelbur nga injoranca. Servilizmi si definicion vjen nga latinishtja dhe lidhet me shtresën më të ulët dhe fundin e shoqërisë, të skllavit me shërbimin e bindur e të verbër ndaj skllavopronarit.
Këtë pozicion ndan sot elita e Tiranës me politikën. Kur do të duhej që elita të ishte në shërbim të vendit dhe rimëkëmbjes fizike e shpirtërore të tij pas 70 vitesh diktaturë e tranzicion.
Nëse degradimin gjysmë shekullor i dedikohet diktaturës. Degradimi 23 vjeçar i tranzicionit i dedikohet edhe elitës së degraduar.
Ismail Kadare është shembulli në kushte të jashtëzakonshme i përfaqësuesit të elitës së një vendi –   pasi veprën e krijoi në një sistem që e përjashtonte dhe ekskomunikonte elitën. Vepra e Kadaresë i shërbeu afirmimit të identitetit kulturor – kur kombi po kalonte një krizë të thellë identiteti, pasi regjimi totalitarist iu mohoi shqiptarëve të drejtat elementare të njeriut – siç ishte fjala e lirë, mendimi i lirë, lëvizja e lirë. Kadare i sfidoi këto barriera. E sfidoi metodën e realizmit socialist që ishte mënyra më efikase për të lejfenizuar shqiptarët. Shkrimtarët që përqafuan këtë rrymë, apo u detyruan ta bëjnë, i takojnë elitës së diktaturës – jo të një shteti të lirë dhe demokratik. Vepra dhe arti i asaj kohe duhet të merret në analizë historike, si produkt i së keqes dhe jo si shembull e vlerë. Kadare i bashkangjitet elitës së Kombit, sepse, përmes veprës së tij, pati ndikim tek publiku i gjerë shqiptar dhe botëror. Tek shqiptarët ndikoi për të mbajtur zgjuar koshiencën e lirisë përmes një arti të kulluar; tek lexuesi botëror për t’i treguar publikut dhe elitës botërore se shqiptarët janë komb i civilizuar dhe europian. Kadare është maja e elitës shqiptare dhe pjesë e elitës europiane për rolin që pati për të ndikuar në të mirë të fatit të kombit të tij në momente shumë dramatike, siç ishte periudha e rrëzimit të diktaturës dhe Lufta në Kosovë.
Në çdo shtet demokratik, që garanton tregun e lirë dhe liritë e njeriut, elitat i krijon vetë sistemi, të cilat bazohen në meritokracinë dhe vlerat.
Elitat dallohen nga turmat pasi jetën dhe veprën e tyre e venë në shërbim të shoqërisë. Pra, elitat sakrifikojnë, nuk janë përfitues privilegjesh kur vendi mbytet në mjerim dhe dekadencë.
Sot, po ashtu jemi më të çoroditur se kurrë nga inflacioni i fjalës „intelektual“ – ku me këtë etiketë konsiderohet çdokush që ka mbaruar universitetin, ka marrë tituj e grada dhe ka siguruar një jetë të suksesshme profesionale personale. Pra, arritjet personale i kanë siguruar një jetë të lumtur e pa telashe. Profesionalizmi është i dobishëm dhe i domosdoshëm, është themel për të krijuar intelektualin por prapë është pak. Intelektualët krijojnë vlerë dhe dallohen me përkushtimin, talentin, aktivitetin, kontributin e ndikimin në të mirë të shoqërisë, të komunitetit apo vendit. Domosdo që intelektualët më të shquar janë pjesë apo kontigjent i elitës. Ermonela Jaho, Saimir Pirgu dhe kjo kategori brilante artistësh shqiptarë në Perëndim, që me emrin e tyre të mirë, jo vetëm përfaqesojnë majat e artit, por i shërbejnë përmirësimit të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë padyshim pjesë e elitës së re shqiptare.
Në Shqipëri nuk kemi elitë. Kemi satelitë të politikës. Janë në shërbim të tyre, janë servitorë, skllevër, të pafytyrë, maskarenj, dallkaukë, sharllatanë – sepse satelitizmi i tyre është koshient, e bëjnë me ndërgjegje, pasi ata janë të vaksinuar prej kohësh dhe e dinë se çfarë është mirë dhe keq.
Në diktaturë satelitizmi të imponohej, sot në Tiranë satelitët bëhen të tillë për arsye utilitare, sepse duan një jetë personale me privilegje e me luks. Kjo e deelitizon ose e çelitizon elitën. Dhe këtu fillon korrupsioni i elitës. Sepse ata e dinë të vërtetën dhe e përçudnojnë atë.
Si përçudnues të elitës, ata janë pa publik, nuk kanë simpatizantë, as adhurues. Ata nuk dinë as të flasin. Nuk dinë të bëjnë për vete as gruan e tyre, e cila adulteron me të parin që beson se nuk është rrenacak si bashkëshorti.
Ata shkruajnë libra pa idé dhe pa shpirt. Ata botojnë e promovojnë vepra që i bëjnë doktorë, por që nuk lexohen. Ata nuk thonë asgjë, ose thonë të kundërtën e asaj që duhet, por ata përbëjnë katastrofën natyrore ndaj shoqërisë, shumë më zi se cunamët, sepse e detyrojnë audiencën, publikumin që t’i ndjekë në të gjithë pushtetin multimedial, të cilin e kanë shpërblim për shërbimin që i bëjnë politikës. Pra, ata e ushqejnë popullin me të pallavra, me të pavërtetën.
Në Shqipëri nuk ka elitë – ka vetëm satelitë faqezinj, që dhjamosen për të prodhurar fabrikate mashtrimesh në dëm të shoqërisë, në dëm të vendit, duke e shndërruar demokracinë shqiptare në gogol dhe duke e përdhosur të vërtetën. Kjo është drama kombëtare shqiptare. Sepse e ashtuquajtura elitë, shumica bijtë e bijat e ish-nomenklaturës të kuqe e kanë monopolizuar rolin e elitës.
Sargent Shriver, një burrështeti amerikan dhe aktivist i shquar, kunat i vëllezërve Kennedy – themeluesi i “Peace Corps” – Trupave të Paqes – e përkufizonte elitën si një kategori e pastër e përbërë nga ata burra e gra që sakrifikonin jetën e tyre për hir të drejtësisë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Kam parë burra e gra që pretendojnë e krenohen se janë elita shqiptare – ndërsa nuk guxojnë të shqiptojnë as minimumin e mundshëm – të së vërtetës. Këta në fakt janë njerëzit më të rëndomtë të shoqërisë. Sepse, duke u nisur prej interesave personale ata e çorodisin shoqërinë, e intimidojnë atë, ia fusin frikën, sepse krijojnë tema taboo, diçka e pafalshme kjo për një vend si Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, që do të thotë pak a shumë një demokraci që aspiron të jetë si motrat e saj Perëndimore.
Përkufizimi që ia bën elitës Sargent Shriver është ai i shqiptuari më shqip. Sot në Shqipëri nuk ka luftë midis qytetërimesh, as midis feve apo ideologjive. Në Shqipëri ka antishtet. Dhe antishtetin e mban në pushtet pseudoelita, antielita, njerëz surrogato, shumë më të rrezikshme se rreziku i armëve kimike, sepse disorientojnë shoqërinë, duke e deformuar ndërgjegjen njerëzore dhe konceptet themelore me të cilat krenohet me të drejtë një shoqëri demokratike, që janë vlerat dhe morali.
Pseudoelita shqiptare nuk dallohet as për veprat, as për vlerat dhe as për talentin e saj. Ajo nuk dëshmon virtuozitet as në fjalë, as në shkrim dhe askund. A dini ndonjë oratori të shqiptuar prej tyre që ka prekur mendjen dhe shpirtin e popullit shqiptar këta 23 vjet tranzicion. Mjerisht nuk ka. Sepse elitat e vërteta lindin nga një motivacion i madh, për të ndryshuar për të mirë vendin dhe jetën e popullit. Ndërsa pseudoelita shqiptare është produkt i tregut të zi, korrupsionit, i shoqërisë së padekomunistizuar, i pisllikut dhe llumit të njerëzve me dosje dhe me skeletë nga diktatura.
E mira e kësaj të keqe madornale është se ky llum nuk ka dishepuj. Nuk kanë popull që u shkon pas. Nuk kanë ndjekës. Followers. Në dallim nga elita e vërtetë, e cila krijon shkollën, filozofinë,vijimësinë me qëllim mbarëvajtjen e shoqërisë duke respektuar të vërtetën. Por megjithatë përmes pushtetit medial ata e manipulojnë turmën.
Filozofi i antikitetit grek Sokrati, babai i filozofisë së etikës së jetës, që njihet si një nga mësuesit më të mëdhenj të Perëndimit, shoqërisë së cilivilizuar perëndimore, endej rrugëve të Athinës duke inkurajuar dialogun dhe komunikimin e duke i fokusuar qytetarët në zbulimin e së vërtetës. Sokrati kishte një ndikim të jashtëzakonshëm tek elita e rinisë dhe u arrestua me akuzën se “po korruptonte mendjet e rinisë duke i larguar nga rruga e Zotave”.
Sokrati nuk kërkoi as falje dhe as mëshirë por reagoi përmes “Apologjisë”, sipas së cilës janë Zotat ata që i kanë bërë thirrje Sokratit të kërkonte të vërtetën dhe drejtësinë. Kaq sublime është ajo në jetën e një shoqërie dhe kombi.

Sot Sokrati është një nga përfaqësuesit më të denjë të elitës në historinë e njerëzimit. Ai konsiderohet babai i mendimit të lirë, frut i dijeve. Një nga paradokset e Sokratit ishte se ai e barazonte virtytin me dijet. Dmth kush është i dijshëm duhet të jetë patjetër i moralshëm, njeri i vlerave dhe me integritet.
Kështu duhet të jetë, por në Shqipëri nuk është kështu. Sepse pseudoelita e Tiranës me pretendimet se është e dijshme, i ka kthyer kokëposhtë deduksionin e Sokratit, që për ta do të thotë se kush është i dijshëm, është i lirë të bëjë çfarë të dojë dhe të jetë kush të dojë, të jetë edhe i pamoralshëm, i pavirtytshëm dhe i korruptushëm.
Këta janë sofistët e tranzicionit shqiptar, pseudoelita, produkt i së cilës është edhe lejimi i degradimit të shtetit demokratik fraxhil. Sepse elitat në shtetet demokratike i shpëtojnë dhe i nxjerrin kombet nga tunelet dhe qorrsokakët, ndërsa këta të Tiranës i mbajnë në tunele dhe në terr.
Siç është rasti më i fundit rreth shfaqjes së portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare shtetërore. Apo imponimi i 29 nëntorit nga një segmenti ekstremist i politikës si dita e çlirimit të Shqipërisë, kur kjo datë, edhe nëse përkon me largimin e gjermanit të fundit, po ashtu shënon fillimin e kalvarit më tragjik të shqiptarëve.
Po të ishte elita, po të mos ishte kjo faqezeza, do t’i ofronte një pyetje retorike si presidentit të Republikës, ashtu kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. “Zotërinj a do të lejonte shteti gjerman në një protokoll zyrtar, siç është ai bashkimit të Gjermanisë, që, bashkë me Angela Merkel dhe Presidentin Gauck, të shfaqej në sfond fotografia e Hitlerit?”
Kjo është e vërteta. Sa më tepër ta zbulosh, aq më mirë është. Nëse Edi Rama, Ilir Meta dhe Bujar Nishani do t’i referoheshin të vërtetës, se çfarë u ndodhi shqiptarëve prej 29 nëntorit 1944 deri në rrëzimin e diktaturës, që të tre do të përgjigjeshin: “Jo” – Atëherë ata më së paku do t’iu kërkonin ndjesë shqiptarëve! Dhe nëse në Tiranë nuk e mbron askush të vërteten, dmth nuk ka elitë, ka vetëm antielitë, prandaj them ka satelitë, ka shërbyes, shërbëtorë, skllevër të skllavopronares politikë.
Por megjithatë e vërteta ekziston, pavarësisht plehut, kënetës dhe moçalit intelektual që ka pushtuar Tiranën, që jeton nën diktatin dhe diktaturën e deformimit të së vërtetës.
E vërteta po ashtu ka gojë dhe flet, ashtu si thotë Sokrati në një nga fjalimet më të bukura të historisë së oratorisë botërore, një pjesë të cilës po jua përcjell me qëllim që t’i thërrasim mendjes, sepse po marrim në qafë brezat që vijnë: “Dikush nga ju mund të thotë: Sokrat, po ti a nuk mund ta mbash pak gjuhën, e pastaj mund të shkosh në një qytet të huaj, ku nuk të njeh kush e ku pastaj askush nuk do të merret më me ty? Mesa po shoh, unë e kam të vështirë që t’ju bind me përgjigjen time në këtë pikë. Nëse unë do t’ju thosha se, po të bëja si më thoni ju, kjo do të jetë një mosbindje ndaj Zotit dhe, prandaj, unë nuk e mbaj dot gjuhën, ju prapë nuk do të më besonit; dhe nëse unë prapë do t’ju thosha se fjalimi për virtytin që më dëgjoni të shqiptoj, duke ekzaminuar veten dhe të tjerët, është e mira më gjigande e njeriut, dhe se jeta e paanalizuar nuk ia vlen të jetohet, ju prapë nuk do të më besoni”.
Por siç e thashë, shkolla e Sokratit është një nga filozofitë në themel të civilizimit Perëndimor. Dhe ky sistem është i krijuar. Elitat e një vendi veç i mbrojnë këto vlera në vendin e tyre! Jo si vepron pseudeelita e Tiranës, që jo vetëm nuk po lejon të mbillen vlerat e civilizimit Perëndimor, por po çrrënjos edhe vlerat e konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve, falë të cilave u kemi mbijetuar tallazeve dhe të gjithë të këqiave.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, esse, Tirana nuk ak elite

ALFABETI I NATËS

October 29, 2013 by dgreca

Nga Vjollca PASKU/

Errësira kalon nëpër sytë e mi.Jam në pyll duke ecur dhe për një çast përpëlit qerpikët.Pikëzat e yjeve rregullojnë  pesëkëndorin në kapelen memece të qiellit.Largësia që më ndan me ta është gjumi i ditës së bardhë.Duke ecur, një grimcë lagështie e epidermës së natës,më qëndron në buzë. Puthje  flagrante e errësirës,që pasohet me të tjera.Kodi i mistereve të territ, lind muskujt e buzëqeshjes të gjuhës së kozmozit.Hijet e pemëve bëhen njësh me errësirën. Në sytë e mëdhenj të bufit  si orë nate,zbulohet kërshëria e ndonjë prej aventurave të zogjve më të vegjël.Gjinkalla sintonizon zërin me karkalecin.Gjarpri si një lëkurë rrëkeje rrëshqet nëpër gjethe dhe vërshëllen moskokçarës.Këndojnë  kuaket e gjoleve për të ndezur bukurine e dashurisë.Brumbujt dhe milingonat lëvizin antenat për të marrë sinjale nga hëna.Një pëshpërim drethke më thotë;’tani do të ndodhë mrekullia’Zëra..të magjishme  u hapën në gjithësi.Polifoni e pangjashme me kordat toksore apo frymore të krijuara nga erërat njerëzore. Ngjizje e tonalitetit të zjarrit, qiellit e tokës, zgjatoheshin në një melodi hyjnore,fuqizuar nga gjithësia.Qelqi i artë i hënës u thye nga diagrami i harpës magjike me një amplitud të lartë sinusoidale. Drita e saj u derdh dhe u përpi nga ajri..Ah…shtoj-za-vallet…këndonin dhe vallëzonin duke formuar një kërthizë  toke,si flakë tempulli. Ajri tërhiqej prej vakumit të frymëmarrjes së tyre, dhe shpupuritej prej krahëve valltare virtuozitetin  mijëvjeçar e krijonte valëzime ajrore.Sytë e shtojzavalleve vështronin si vesa e qiellit.Flokët I kishin të gjatë, si zgjatimi vektorial i reve të bardha mbi  mal, veshur me pëlhurë argjendi, me shalle të gjelbërt natyror.Oh …Bukuri e flakës së virgjër.Bukuri e dritës së pashfaqur e agimit.Bukuri e oqeanit mbledhur në thembrën e horizontit para perëndimit..Jam si në ëndërr..Një copëz dritëhënëze e fshehur u fik në qënien time, duke më dhënë ekstazën e saj.Fluturimi në sytë e mi skanoi gjithë aerodromin e qiellit, gjithë akset e gjerësisë dhe gjatësisë së pyllit, gjithë himnin e natyrës së errët..Ndjeja lumturi…Copëzat e natës u shpërbënë si një duhmë buqete, dhe shtojzavallet ikën rrufe.Agimi menaxhoi grimcat e dritës. Sytë njerëzorë u hapën për të  realizuar ëndrrat e natës. Ajri rimoi frymëmarrjen e ditës.Nuk e di?A do të ishte më mirë të isha një qënie e lumtur e natës, apo një brengë e zhurmës së ditës?

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfabeti i nates, esse, Vjollca Pasku

PESHORJA

September 18, 2013 by dgreca

AH SIKUR…!/

 Skicë essé nga DRITA LUSHI/

Qysh kur jemi në bark të nënës, “dëgjojmë” të flitet për peshë dhe peshore!Kur mamatë shkojnë tek mjeku obstetër ai u thotë: “Peshohu, peshohu  njëherë të shohim!”. E ato, nga dëshira për një shtatzani normale dhe rrjedhimisht për fëmijë të shëndetshëm, peshohen jo pa një farë “ankthi” se sa kanë shtuar, a thua se pesha e tyre përcakton dhe shëndetin e fëmijës.

Te tjera, që duan të ruajne linjat, peshohen edhe pa u thënë doktori dhe përsëri kanë “ankth” se sa kanë shtuar, duke menduar se si do ti heqin kilogramët pas lindjes.

Ne të dy ratet “fajin” e ka peshorja për ndjenjën e “ankthit” që i pushton femrat, përballë saj (peshores).

Po po!

Ai send i çuditshem i shpikur nga njeriu, arrin të na krijoje frikëra, iluzione, shtrëngime, dieta, tkurrje, strukje,stepje, tërheqje.

Po s’mbaron këtu.

Ju kujtohet pas lindjes?

Shkojme tek mjekja çdo tri javë ose njëhere në muaj të peshojmë fëmijën, të dimë sa  gramë shton, mundësisht pa peshën e rrobave, e s’pyesim fare në femija qan në atë peshore të vogël si minidjep që e gjejmë në Qendrat Shëndetesore Shqiptare.

Po ti dëgjosh pak me vëmendje duket sikur fëmijët thonë: “ Po unë jam mirë, po rritem, pse më “torturoni” çdo muaj kështu?

A nuk piva mbrëmë gjithë natën qumësht?”

E nëse gramët nuk janë ato që duam ne, fillojmë merakosemi, vëmë në lëvizje gjithë shtëpinë,vjerrat dhe mamatë tona, motra e vëllezër, u shprehim shqetësimin tonë: “Çfarë ka ky fëmijë që nuk shton?” Vrapojmë në farmaci të gjejmë ushqimet më të mira, masim mililitrat që pi fëmija nga biberoni (përsëri ja ku hyn kjo e “shkretë” peshore!),e nuk presim; As pa u bërë java vrapojmë përsëri para zonjëzës peshore.

Raste ekstreme, kur mamatë i japin të hajë  fëmijës, dhe pas dy orësh shkojnë në konsultore për ta peshuar, të bëjne të ndihesh ekstremisht çuditshëm dhe keq.Harrojnë  se kjo mani, mund të ketë pasoja të parikthyeshme.

Kanë qenë dikur dhe kandarët,( janë edhe sot, jo vetëm si relike)por jo mo jo!

Nuk janë kaq të kërkuar sa peshoret moderne.

Por mos kujtoni se peshorja dhe pesha është një problem vetëm për femrat.Meshkujt gjithshtu kanë raporte të mira me peshoren… e ju femra mos u bëni “xheloze”.

Por lidhja me peshoren nuk mbaron deri tek pesha fizike.

Pa mendoni pak përtej së përditshmes sonë…

Jo aq larg, por ja deri aty… kur kemi qenë të vegjël…

Sa herë jemi munduar  të mos gabonim në shkollë, nga frika   se do të na gjykonin prindërit, mësueset e shokët?

Sa here jemi munduar te “mos gabonim”se do ti konsideronin sjelljet tona të pahijshme, do na shihnin shtrembër,e  do të na quanin  “dele” që dilnim nga kopeja?

A ju kujtohet sa herë na kanë thënë prindërit :“Mos këtu!”, “Mos u shoqëro me këtë, apo me atë?”

Pa shihni pak tani të përditëshmen tonë…

Sa herë u jemi drejtuar  fëmijeve tanë, me pjesëzen mohuese:”Mos?!”

A nuk ju duket  vetja përsëri si në atë peshoren ku na vinin prindërit të vegjël, ose ku kemi vënë fëmijët tanë?

Pra, peshohet  sjellja dhe veprimet.

Po po peshohen!

“Si?”- do pyesni ju.

A nuk ekziston përhere një grup njerëzish që ju njeh, që flet për ju, që ju gjykon sjelljet, veshjen, punën, qoftë ndër sy, qoftë pas krahëve?

Eshtë e sigurtë  se edhe ai që eshtë indiferenti  më i madh, nuk mund t’u shpëtojë këtyre opinioneve,ose të kalojë kaq shpërfillës përballë tyre.

Qofsh njeriu më i mirë, më i drejtë, më i mençur , ç’rëndesi ka; Nuk mund të shpëtosh pa u “situr”  në PESHOREN E OPINONIT.

Edhe kjo lloj peshorje, krijon frikërat e veta, ashtu si peshorja e fëmijërisë, shtatzanisë, ashtu si peshoret ku masim eleganecën apo mbipeshën  tonë .

Duke pasur “frikë” si do të dukemi në këtë “peshore”, dhe njëkohësisht për tu dukur sa më mirë, e di ç’bëmë ne njerëzit?

“Shpikëm”  autopeshoren.

Autopeshorja “mat” veprimet, sjelljet, interesat, dashurinë, servilizmin;Mat gjumin, zgjimin, shoqërine, punën.

Uf!

Ç’torturë , pa mendojeni një çikë?!

E di si e mendoj ketë “vetëpeshore”?

Si nje burg Brenda vetes, ku gardianet jemi ne vetë, dhe çelësat e prangave i mbajme po ne.

Liria ka qenë dhe ështe gjëja me e çmuar për ne shqiptarët, dhe për të gjithë popujt e njerëzit.

E nëse do quanim zgjedhë vetëm atë,kur një i huaj na pushton vatanin, do ishim kryekëput gabim dhe jo të drejtë.

Zgjedha më e madhe është ajo që njeriu i bën mendimit dhe sjelljes së tij, kur e cungon, e pret, si jep frymëmarrje, e ndrydh e akoma më shumë, e kyç brenda vetes, duke pasur pikërisht frikën e gjykimit të kësaj “dreq” peshorje!

Personalisht s’më ka pëlqyer që jetën ta shoh si balancë.

Është paradoksale të mendosh që pikërisht ajo shigjetë e vogël peshoreje, të na “kontrollojë”  gjumin, idetë, veshjet,mendimin;

Ajo shigjetë e vogël peshoreje të na “censurojë” te qeshurën, shakanë, mirësinë, dashurinë.

Jo balancës, por jo vulgarizmit dhe ekstremizmit!

Te mos ecësh me balancë, por jo të fluturosh!

Pra të ndihemi të balancuar, brenda mosbalancimit,kjo është ajo që duhet t’i mësojmë vetes dhe të tjerëve përreth.

S’duhet parë e s’duhet vënë jeta në balancë,por të jetë sensi i masës që duhet të shoqëroje të përditëshmen dhe veprimet tona.

Të mos ndihemi në“kurthin” e peshores së jetës tonë.

Te ndihemi, e të ndiejmë të lirë.

Si?

Peshorja?

Vlen, por vetëm  në farmaci dhe politikë.

***

Ah, sikur të mos ishte “shpikur” kurrë peshorja për njerëzit!

Ah, sikur të ishte “shpikur” një peshore politike!

Ah, sikur…!

Drita Lushi/2013

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Drita Lushi, esse, peshprja

NAIM FRASHERI DHE KRISHTI…. tek “Lulet e Verës”

August 31, 2013 by dgreca

Esse nga Aristotel  Mici/ Massachusetts/

Në librin poetik “Lulet e Verës”  të Naim Frashërit, botuar më 1890, midis vjershave  të tjera ndodhet edhe  ajo qe titullohet “Përpara Krishtit”. Për arsyet më naïve kjo vjershë është lënë në harresë prej studjuesve dhe kritikëve letrarë. Mendimi ynë është se kjo vjershë jo vetëm nuk duhej  injoruar, po të  ishte  analizuar  me seriozitet e dashuri. E para, sepse është  pjesë e përrmbledhjes poetike “Lulet e Verës”. Së dyjti,  se me  këtë poezi  qartësohet edhe më shumë ideja rreth humanizmit të Naimi Frashërit si edhe të kuptuarit e filozofisë së tij për personin e sakrificës dhe të martirizimit. Së treti, poezia “Para Krishtit” nuk duhej lënë në harresë edhe për faktin se është  shprehje e  tolerancës fetare e vetë autorit  në të njëjtën kohe, e gjithë lexuesve, pra e mbarë popullit shqiptar.    Kështu Krishti te “Lulet e Verës” nuk është një figurë religjioze, sepse nuk trajton motive fetare, përkundrazi, me personin e Krishtit  poeti jep  mendimtarin humanist, i cili brengoset për vuajtjet e padrejtësitë në shoqëri.

Madhështia e Krishtit në poezi shprehet në thjështësinë e Tij. I thjështë midis të vuajturve, Ai guxonte  të thoshte të vërtëtën për mirësinë,  për të drejtën, për njerinë. Për t`u mësuar njerzëve të vërtetën , ai nuk u tremb deri në sakrifikim, deri në kryqëzim, duke u bërë ashtu  një  Promethe i ri  i njerëzimit. Jo më kot gjithë bota e qytetëruar  e  ndanë Kohën e Vjetër,  të cilën e quan Para Krishtit,  nga Kohën e Re, Pas Krishtit, pra e kthen Krishtin  kështu, si  pragun kohor  më të madh të njerëzimit.

Nisur pikërisht nga   akti i martirizimit, Naim Frashëri e shikon  Jezu Krishtin kryesisht si njeri, pra e zbret nga kupola qiellore  dhe e shikon si njeri tokësor.

Djalëth njeriu i Perëndisë

          Fytyra jote  mua më tregon

Ah ! Të keqijat e njerëzisë,

Që ka punuar dhe punon…

Pra fyutyra e vuajtur e Krishtit si martir i tregon poetit mbrapështitë  e njerëzve të ndjekjes  e të përsekutimit që nga Farisenjtë e deri te Juda Iskalioti, qe nga mbret Herodi deri te Pont  Pilati. Fytyra e zbehtë e  Krishtit është një rrëfim i vuajtjeve dhe i  mundimeve njerëzore.

Se kjo fytyrë/Është pasqyrë/ dhe na rrëfenë/E s’na gënjen.

Pamja e dobësuar e Krishtit është pasqyrim i njerëzve të tortruar, fytyrë e njerëzve që kanë vuajtur padrejtësitë e të tjerëve pa asnjë arsye, që janë dënuar për bindjet e tyre të patundura, që për idetë e tyre  kanë shkuar  vetë drejt flijimit, duke sakrifikuar ashtu veten. Dhe poeti e sintetizon këtë imazh  të Krishtit në vargjet e tij:

Gjithë ç’ ka hequr njeriu i mjerë,

                   Nga vet` e  tinë e nga i vëllaj,

                   Që kanë  vrarë e kanë prerë

                   Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.

Dihet nga të gjithë dhe është më se e vërtëtë se në jetën sociale  janë shfaqur  fenomene antihumane, dukuri  të dhimbëshme, që kanë  shkakëtuar tragjedi dhe brenga  shoqërore dhe familiare, ashtu siç thotë vargu i poetit si dënime nga ata :                                             ”Që kanë vrarë e kanë prerë/                                                                                                Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj”                                                                                   Dukuri të tilla kanë ndodhur në shekuj, para Krishtit, pas Krishtit , e deri  në ditët tona.

Le të kujtojmë nga historia botërore Galileo Galilenë dhe Xhordano Brunon, Ana Frankun dhe kampet shfarosese të nazitëve hitlerianë, si dhe mijera viktima qe humben jetën , kur u shemben Kullat Binjake me 11 Shtator 2001, në Neë York,  prej akteve terroriste.  Po kështu na vijnë në mendje nga jeta  në vendin tonë, vrasjet e mësuesve martirë, si Pandeli Sotiri, Papa Kristo Nëgovani, e Petro  Nini Luarasi, vrasjet e liberatorëve të shquar si Luigj Gurakuqi e Bajram Curri, martirët  e masakrës së 4 Shkurtit 1944, po ashtu vrasja e viktimave me rastin  e ”hedhjes së bombës” në Ambasadën  Sovjetike në fillim të vitëve `50, po kështu dënimet e rënda për inxhinierët e pasionuar të naftës Koço Plaku, Petraq Xhaçka dhe Enriko Veizi, të gjykuar në gjyqe me dyer të mbyllura, vrasjet  e dëshmorëve të demokracisë në Shkodër me 2 Prill, 1991,  si edhe vrasja e  maskrës  më 21 Jannar 2011 në Tiranë, që janë të gjitha ashtu  si si i përshkruan Poeti  vrasje “Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj”.

Merret vesh se të gjitha këto ngjarje tragjike kanë ndodhur  në kohën pas  Krishtit. Po pamja e  Krishtit në vjershën e Naimit si edhe fjalët e poetit për të na bëjnë të kujtojmë  episode të tilla të ndodhura në kohëra të ndryshme midis njerëzve, si padrejtësi mizore, ashtu si i përfytyron poeti: ”Fytyra jotë më tregon …të këqijat e njerëzisë” dhe më pastaj , po në këtë vjershë:  “…kjo fytyrë është pasqyrë /Dhe na rrëfen/ Gjithë ç` ka hequr njeriu i mjerë/  Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.”

Personifikimi dhe  portretizimi i Jezu Krishtit si njeri real , futja e tij midis  njerëzve  shpreh edhe nderimin që kishtë Naimi për njerinë:

Faltore kemi njerinë,                                                                    Atje gjejmë edhe Perëndinë.                                                           Ai besontë dhe kishtë bindjen se: “Po të nderojë njeriu njerinë/     E  ka nderuar edhe Perëndinë”

 

Përmes figurës së  Krishtit poeti përpiqet të japë  pamjen e njeriut  të mirë, që i do njerëzit dhe vuan për njerëzinë, prandaj ai i thotë figurës së Krishtit:

Ti u përpoqe për njerëzinë,                                                                                              Dhe dashurinë e bëre besë/                                                                                         Njeriut i vure nom miqësinë,

Që kur të lind gjer sa të vdesë.

 

Duke medituar para Krishtit, me anë të vargjeve të tij, autori do të hedh dritë rreth përsosmërisë së figurës së njeriut. ”Problemi qenësor i filozofisë  së Naim Frashërit është krijimi i njeriut etik; ai kërkon që çdo njeri, pavarësisht prej fesë, të jetë i kompletuar moralisht”.[1]

Poezia  “Përpara  Krishtit” si gjithë vepra e Naim Frahërit , përshkohet nga  një humanizëm i thellë. I ndikuar prej iluminizmit francez,  si edhe nga  romantika e Viktor Hugoit, poeti Naim Frashëri i shikon me dhembshuri njerëzit në përgjithësi dhe  të varferit në veçanti., siç e verejmë me së miri të  poezia “Varfëria”. Po shpirti i ndijshem i poetit dhembshurohet edhe për një kafshë e për një shpend. Le të kujtojmë  vetëm vargjet  e para të poezisë ”Zogu dhe djali”: Një zog të bukur zuri një djalë,/Ai po dridhej dhe i thosh ca fjalë:/ Nukë të vjuen keq  që jam i mitur/Si ti i vogel, e s`jam  dhe rritur.                                                     Siç shihet gjithë vepra  e Naim Frashërit përshkohet nga  një humanizëm i madh; në çdo varg të tij ndihet prania e njeriut  zemërgjerë e të ndijshëm. Keshtu edhe të  poezia  “Përpar Krishtit” gjejme nje dhembshuri të jashtëzakonshme për njeriun. Po është për të ardhur keq, qe nje studiues  disa dekada përpara në librin e tij “Jeta dhe idetë e Naim Frashërit”, me gjykimin e vet  skematik, ketë humanizem të poetit e quan “abstakt”. Paradoksi arrin kulmin kur ai po në atë libër rreh të argumentojë se humanizmi i poetit tonë është abstrakt, sepse “njeriu për të cilin bën fjalë  Naimi, është njeri abstrakt , që nuk bën pjesë në asnjë klase”. Pra absurdi filozofik i studiusiot në fjalë të çon te logjika e mungesës së klasave dhe për rrjedhojë  edhe të mosnjohja e luftës së klasave në veprën e poetit. Absurditeti i autorit të librit të sipërpërmëndur rritetet edhe më shumë kur ai merr të trajtojë poezinë  “Përpara Krishtit”, citon edhe strofën e pestë të saj, por jo pa arsye, nuk shkruan titullin e poezisë. Në vend të atij titulli, pra, “Përpar  Krishtit”, ai ka venë togfjalshin “në një poezi tjetër”… Kështu në të njëjtën kohë, pa titullin e saj, edhe injorohej poezia  po edhe denigrohej.

Me Krishtin e” Luleve të Verës”, siç e thamë edhe më sipër, më tëpër se hyjninë Naim Frashëri përsonifikon njeriun e sakrificës, martirin e drejtësisë, të toloerancës, dhe  të urtësisë; shikon mendimtarin human, që është i gatshëm të flijohet për të mirën  e njeriut dhe përparimin e tij. Ketë kuptim kanë këto vargje:                                                        ”Zot ti ke vuar,                                                                                                                Edhe s`ke pushuar,                                                                                                          Nga njeriu hoqe,                                                                                                               Për të u përpoqe.

Këto vargje të kujtojnë  simbolikën e “Qiririt”, që aludon vetë poetin:

Në mes tuaj klam qëndruar                                                                                                    E jam duke përvëluar.                                                                                                         Që t`u jap pakëz dritë                                                                                                      Natën t`ua bëj dite.

Për analogji duhet nënvizuar se është po ajo simbolikë e vetëflijimit edhe te poezija tjetër alegorike “Fyelli”, ku poeti vuan,  rënkon e mallëngjehet për brengat e njerëzisë:

Kraharor e kam çpuar,                                                                                                          E kam bërë vrima- vrima

Dhe kam qar` e kam renkuar                                                                                             Me mijëra psherëtima.

I  përmendëm këto dy motive alegorike të poetikës së Naim Frashërit për të sqaruar edhe më shumë  me anë të anologjisë përkushtimin e madh  të poetit , angazhimin e tij shpirtëror, mendor dhe fizik për Shqipërinë, kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe.

Të poezia  “Përpara Krishtit” si edhe në disa poezi të tjera lirike , N. Frsashëri përjeton  thellë ndjenjën e  flijimit si një Krisht në miniaturë. Pra , te  Krishti i “Luleve të Verës”, te sakrifikimi i tij, duhet të shikojmë, përzjerë  me të, edhe autorin, poetin  që me veprën  dhe fjalën e tij ishte bërë ashtu Apostulli i shqiptarizmes.

Dhe së fundi, si konklusion,  themi  se gjithë poezia “ Përpara Krishtit”, është  shkruar me  frymëzim dhe duhet parë e vlerësuar si pjesë përbërse e  veprës së Naim Frashërit. Kjo poezi mbyllet në pajtim me frymën  panteiste të poetit:

Për  këtë fjalë 

  Të qofsha falë,                                                                                Se njerëzia                                                                                   Ësht’ Perëndia/

Pra fuqia hyjnore, ”zjarri i  dashurisë qiellore” është kudo dhe gjithë qenia njerëzore është përzjerë me të, ashtu siç meditonte poeti në filozofinë e tij.

Në përmbyllje të kësaj esseje, do te doja t’i kujtoja lexuesit, se poeti Naim Frashëri, edhe pse musliman i sektit Bektashi, në librin  “Lulet e Verës”, para se të shkruante për Abas Alinë, shkruan për Jezu Krishtin poezinë “Përpara Krishtit”. Dhe ajo që  duhet ritheksuar     është humanizmi dhe dhembshuria e poetit për atë, kur  ai Krishtin e zbret në tokë dhe  fytyrën e tij të vuajtur e quan pasqyrë për njerzimin, ku ne duhet ,pa perjashtim, të shikojme veten me te mirat, po edhe me mëkatet tona.  Sepse, si thotë poeti               “Edhe ëngjëlli dhe djalli,                                                                                                Janë Brenda tek igjalli.”                                                                                               Krishti i Naim Frashërit  ashtu predikon paqen  dhe jo konfliktimin midis njezëve; Ai lutet  për mirëkuptimin, urtësinë dhe dashurinë midis nesh

 

Nga poezia “Përpara Krishtit”  duhet të marrim mësim dhe shembull të gjithë lexuesit për tolerancë, po kështu edhe klerikët e perkushtuar ndaj fjalës së Zotit. Duke shkruar keto radhë per poezinë  “Përpara Krishtit” të Poetit tone kombëtar, më erdhën në mendje veprimet e dhunshme të disa prifërinjve në Përmet. Veprime, të cilat ngriheshin forcërisht   kundër vendimit të Gjukatës së Lartë të Shtetit Shqiptar.

Shenoj se ky veprim i forcës nuk është aspak në përputhje me mësimet paqësore te Jezu Krishtit. Sa larg janë këta priftërinj nga filozofia paqësore e Krishtit.  Ky shembull violence bie ndesh jo vetëm me mësimet paqësore të Krishtit, po edhe me filozofine e poezisë së Apostullit të Shqiptarzmës, Naim Frashërit, që  dëshironte aq shumë unitetin kombëtar, kur shkruante:”Fet’ e bsët t’i kemi,/Po të ndarë të mos jemi”

“Gjithë ç’jemi Shqipëtarë,

Jemi një fis e një farë

Kemi të tërë një  shpresë,

Një gjak, një gjuhë, një besë,

Besë kemi Perëndinë

Dhe ligj vëllazërine.

Ja pra kuptoet edhe nga  këto vargje se kush predikon vëllazërine dhe  cilet  mbjellin grindjen dhe perçarjen.

 


 

[1] Nga Rexhep Qosja” N.Frashëri”, Vepra 1, “Rilindja”, Prishtinë, 1978,  f.18

Filed Under: Featured Tagged With: Aristotel Mici, esse, Lulet e Veres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT