Bëhet e qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual, por me bomba nga ajri do të jetë vështirë të arrihet një zgjidhje afatgjatë, për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare që po ndodh atje/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Ajo e paimagjinueshmja po ndodh përsëri. Këtë e dëshmon Amnesti Internacional në raportin e saj të paraqitur javën e shkuar, duke konstatuar se ajo çka po ndodh në Irakun Verior është spastrim etnik sistematik i grupeve minoritare të vendit. Raporti për spastrim dhe ndjekja sistematike e shtetit islamik ndaj pakicave është përmbledhur në një verë të përgjakshme, ndërsa në anën tjetër tregon vështirësinë e Komunitetit Ndërkombëtar për të parandaluar këtë lloj të tragjedisë.
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive e martesa me dhunë
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive të qindra, ndoshta mijëra, burrave dhe djemve edhe të moshës 12 vjeçare, të cilët janë dërguar në drejtime të panjohura dhe të rreshtuar janë vrarë në mënyrën më brutale. Disa i kishin mbijetuar masakrat pasi që ishin mbuluar nga të vrarit dhe pasi ishin larguar vrasësit ata ishin larguar nga zona dhe më pastaj kishin ikur nëpër male, ku as atje nuk janë të sigurt.
Dëshmia tjetër mjaft trishtuese e përfshirë në raportin e Amnesti Internacional është së gra e fëmijë të shumtë kanë qenë të shtrënguar për të braktisur shtëpitë e tyre, por që janë kapur nga IS që i ka dërguar nëpër shkolla e objekte të mëdha. Të dhënat nga disa që kanë arritur për të siguruar telefona celular tregojnë se femrat janë martuar me xhihadistë, ndërsa ato që nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë janë shitur si skllevër. Ka raporte edhe të abuzimit seksual dhe të përdhunimit të grave dhe fëmijëve.
Edhe në mesin e atyre që kanë arritur të shpëtojnë nga egërsia xhihadiste, situata është jashtëzakonisht e vështirë. Nga qershori i këtij viti mbi 830 mijë veta ishin të detyruar të largohen nga zonat që i ka okupuar ISIS, gjë që ka rezultuar me një katastrofë humanitare, vlerëson OKB. Ndihma që duhet ofruar këtyre njerëzve absolutisht është e domosdoshme, por në të njëjtën kohë politikisht e parealizueshme. OKB nuk do të jetë në gjendje të dakordohet për një veprim më të fuqishëm kundër terroristëve të pamëshirshëm.
Ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni
Meqë ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni, ISIS u duk shumë shpejt në rajon dhe mbrojtja e popullsisë e në veçanti e pakicave dhe grupeve civile ishte jo- ekzistente. Shi për këtë, të shpërngulurit ishin lehtë të kapen dhe po të mos ishin ushtarët Peshmerga të pjesës kurde atëherë terrori shkatërrues do të merrte më shumë viktima. Ndërkaq, në anën tjetër Amensti International vlerëson se marrja e vendimit të qeverisë irakiane për të armatosur milicinë shiite vetëm sa e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën. Në një aksion të këtoditshëm të terroristëve të ISIS u pushtuan edhe 16 fshatra në Siri dhe shi për këtë ishin të detyruar që më së 70 mijë sirian të kapërcejnë kufirin dhe të kalojnë në Turqi.Hëpërhë, nevojat janë të qarta: ndihma humanitare, mbrojtja e civilëve nga terroristet e shtetit islamik.
Me bombardime vështirë se do të këtë zgjidhje afatgjatë
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka qenë i qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual. Megjithatë, sulmet ajrore amerikane, por edhe ato franceze dhe të aletatëve tjerë po vazhdojnë në përpjekje për të kufizuar ambicien e shtetit islamik për një Kalifat të zgjeruar. Por do të jetë vështirë që me bomba nga ajri të arrihet zgjidhje afatgjatë. Për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare: furnizimi me ushqime thjesht nuk arrinë të refugjatët, i cili është aq i nevojshëm. Me një fjalë, me gjithë të vërtetën e frustruar është se edhe pse ka ekzekutime mizore dhe vrasje masive, që sigurisht se ngjall neveri, siç duket nuk pritet ndonjë veprim më i fort. Kjo është më të vërtetë tragjedi.
15-VJETË NGA SPASTRIMI ETNIK I NJË POPULLI
Nga Frank Shkreli/
Ishte kulmi i luftës në Kosovë. Periudha Mars-Qershor, 1999 ishte periudha e bombardimeve të NATO-s kundër objektivave të forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë. Por mbi të gjitha, ishte edhe kulmi i krimeve të luftës më barbare kundër popullit shqiptar në Kosovë, krime të papara dhe të pajetuara deri më atëherë, ç’prej Luftës së Dytë Botërore. Këto krime çnjerzore kundër shqiptarëve nga forcat terroriste serbe, të drejtuara nga kancelaritë më të larta shtetërore serbe, janë dokumentuar mirë nga një numër raportesh kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë raportet e Departmentit Amerikan të Shtetit dhe të një numër organizatash të ndryshme amerikane që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës.
Andaj, ndërsa po flitet për krimet gjatë luftës në Kosovë dhe për krijimin e një Tribunali, ia vlenë që në këtë 15-vjetor të luftës për çlirimin e Kosovës nga forcat terroriste serbe të Millosheviqit, të sjellim ndër mend se cilat ishin krimet e vërteta të asaj lufte dhe se kush ishin kriminelët që i bënë ato krime. Këto krime ishin rezultat i një dhune të sponsorizuar dhe të mbështetur nga të gjtiha instancat e qeverisë serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve, të cilët në atë kohë ishin ende qytetarë të shtetit artificial, që quhej Jugosllavi. Ishte kjo një fushatë e mirë-koordinuar dhe e planifikuar në hollësi që më kohë nga aparatet kriminele të sigurimit serb, shumë më heret se të ndërhynte NATO-ja. Krimet kundër popullësisë civile shqiptare ishin të mëdha dhe të panumërta, shumë prej të cilave kam drojë se nuk do të zbulohen kurrë. Ishin këto krime në shkelje flagrante të të gjitha normave dhe ligjeve ndërkombëtare të luftës.
Krimet serbe kulmuan me dëbimin me forcë të më shumë se 850,000 shqiptarëve në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, por edhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi, ndërsa me qindra mijëra shqiptarë të tjerë ishin ç’vendosur mbrenda Kosovës. Përveç dëbimit masiv të shqiptarëve drejtë vendeve fqinje me qëllim të spastrimit etnik fizikisht dhe gjeografikisht të Kosovës, forcat kriminele serbe kishin edhe një plan tjetër anti-shqptar për t’a venë në veprim, e ai ishte edhe “spastrimi i identitetit”, siç e cilësuan në atë kohë organizata të ndryshme humanitare dhe të të drejtave të njeriut. Ishte kjo një praktikë ku forcat policore dhe ushtarake serbe të ndihmuar edhe nga civilët e armatosur serbë, dhe nga forcat paramilitare të huaja si ato ruse, në mënyrë sistematike dhe të organizuar konfiskonin dokumentat personale të shqiptarëve, përfshirë letrat e njoftimit dhe targat e makinave, me qëllim për të mos i lejuar ata të këtheheshin më në Kosovë.
Për më tepër, numëri i shqiptarëve të vrarë, sipas burimeve të Departmentit amerikan të Shtetit dhe burimeve të Kombeve të Bashkuara mund të ketë arritur gjatë konfliktit deri në 11,000 veta të hedhur në 529 varrezat masive që diheshin deri atëherë , por numrë i cili nuk përfshinë trupat e djegur të shumë shqiptarve, identiteti dhe fati i të cilëve nuk dihet as sot. Ka pasë të dhëna edhe për ekzekutime në masë të shqiptarëve, në rreth 500 vende anë e mbanë Kosovës. Ndër krimet e tjera të luftës në Kosovë përfshiheshin edhe përdhunimi horror i femërave shqiptare nga forcat terroriste serbe, që mund të jetë një ndër krimet, përmasat e të cilit për arsye të natyrës së krimit, nuk do të dihen kurrë. Si dhe vjedhjet e plaçkitjet e banesave dhe pasurisë së shqiptarëve nga gangsterët dhe vrasësit serbë, të sanksionuar nga udhëheqja serbo-jugosllave. Grupet e të drejtave të njeriut njoftonin në atë kohë, se forcat serbe në fushatën e tyre të pamëshirshme anti-shqiptare, sulmonin mjekët shqiptarë dhe qendrat shëndetsore që frekvetoheshin nga shqiptarët dhe përdorshin qëndra të tilla për aktivitetet e tyre ushtarake, në kundërshtim të plotë me rregullat ndërkombëtare të luftës.
Ishte kjo pra, një përpjekje kriminale e sponsorizuar nga Beogradi zyrtar dhe udhëheqsit e saj më të lartë, jo vetëm për të spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët, duke spastruar njëherazi edhe identitetin e shqiptarëve, por ishte një ndërmarrje masive e Serbisë për të ndryshuar historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit në përgjithësi, në favor të Serbisë, në përpjekje për të zhdukur njëherë e mirë gjurmët e historisë së kombit shqiptar në Kosovën dardane. Duke shkatërruar gjithëçka që ishte shqiptare, forcat serbe donin që në të vërtetë të shkatërronin identitetin kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve. Ky ka qenë historikisht qëllimi i Serbisë, ky është gjithnjë qëllimi i saj.
Të gjithë ata që kanë bërë krime lufte dhe kanë shkelur normat ndërkombëtare të luftës duhet të përballen me drejtësinë. Por brutaliteti i forcave serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, 15 vjetë më pare, ishte një fushatë e egër spastrimi etnik dhe krime lufte të përmasave të pa para në Europë ç’prej Luftës së Dytë botërore kundër një popullësie civile. Ishte kjo një politikë serbe e ndjekur historikisht për shfarosur kombin shqiptar, me të gjitha mjetet që Beogradi kishte në dispozicion, përfshirë edhe spastrimin etnik. Ishte kjo një përpjekje e dështuar e planifikuesve serbë — fal Zotit, NATOS dhe luftës së popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – që sipas mendimit të tyre, për të zgjidhur njëherë e mirë “Albansko pitanje”, ose çështjen shqiptare duke e spastruar Kosovën nga shqiptarët. Urdhëri për dëbimin e pothuaj 90 për qind të shqiptarëve të Kosovës 15 vjetë më parë, nuk ishte asgjë tjetër veçse një rast historik, nga pikpamja e shovinistëve serbë, për të zhdukur gjurmët e kombit shiptar nga trojet e veta shekullore në Dardani. Dhe ata e bënë këtë, ditën për diell, pa u përpjekur aspak të mbulonin faktet.
Ajo që ndodhi në Kosovë nuk ishte një tragjedi, megjithse tragjedi kishte mjaftë personale, familjare dhe këmbëtare, por në të vërtetë ishte diçka më tepër, më djallëzore — ishte një plan për të zhdukur një komb nga faqja e dheut. Kjo gjeneratë e Serbisë është përgjegjëse për krimet që udhëheqsit e sajë kanë bërë kundër shqiptarëve të Kosovës. Krimet që kanë ndodhur në Kosovë janë krahasuar me krimet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore. Andaj si të tilla, ato krime të luftës në Kosovë duhet të dënohen siç janë dënuar krimet e gjenocidit të Luftës së dytë Botërore dhe krim-bërsit serbë të mbahen përgjegjës. Ka ardhur koha që në 15-vjetorin e gjenocidit në Kosovë të mos bëhet politikë me krimet kundër njerëzimit dhe me vrasjet në masë të shqiptarëve.
Frank Shkreli