• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DEMOKRATURA SHQIPTARE”-AUTOR EUGJEN MERLIKA, PROMOVOHET ME 27 PRILL NË TIRANË

April 23, 2018 by dgreca

1 DemokraturaNjoftohen të interesuarit se publicisti dhe studiuesi Eugjen Merlika, të Premten, me 27 Prill 2018, në Orën 13.00, do të Promovojë në Hollin e Universitetit Europian të Tiranës, librin më të fundit të tij me titull”Demokratura Shqiptare”-Nën vështrimin e një të mërguari-

Bëhuni pjesë e kësaj veprimtarie promovuese duke u bërë pjesëmarrësnë debatin për një Demokraci të vërtetë shqiptare!

Gazeta DIELLI, Nju Jork

Filed Under: Opinion Tagged With: Demokratura Shqiptare, Eugen Merlika, Promovim ne UET

DUKE NDJEKUR NJЁ SEANCЁ KUVENDI

February 6, 2018 by dgreca

“Politika e zakonshme ёshtё shumё shpesh arti i tё ecurit sё bashku tё gёnjeshtrёs pёrkrah sё vёrtetёs, nё mёnyrё qё kush i sheh tё kalojnё mos tё dijё tё dallojё se cila ёshtё gёnjeshtra e cila ёshtё e vёrteta.”/-Arturo Graf (1848 – 1913) poet e kritik italian/

1-Eugjen-Merlika-225x300

NGA EUGJEN MERLIKA/

Seanca e njё shkurtit nё Kuvendin e Shqipёrisё dha njё tabllo tё shёmtuar tё politikёs shqiptare, qё nuk po del dot nga psikoza e luftёs guerrile nё politikё. Ёshtё krijuar njё atmosferё, nё dukje, kundёrshtie tё papajtueshme mes shumicёs qeverisёse dhe pakicёs kuvendore. Kemi tё bёjmё me grupe tё ndryshme politike, t’organizuara nё parti, qё prej vitesh padisin njёri tjetrin pёr tё njёjtat shfaqje e dukuri qё i vishen herё njёrit e herё tjetrit. Pёr mё tepёr huazojnё nga njёri tjetri metodat e luftёs politike, duke bёrё qё, nё kohё tё ndёrsjellta t’i venё nё zbatim nё tё njёjtat mёnyra. Historikisht ёshtё vёrtetuar paaftёsia e shqiptarёve pёr t’u marrё vesh me njёri tjetrin, njё dukuri patologjike qё fashitet pak nё diktaturat, si ajo e gjysmё shekullit komunist, por qё shpёrthen si vullkan sapo tё pёrvijohet njё sistem sado pak demokratik.

Duke parё nё televizion shfqjen e njё shkurtit nё Kuvend mё erdhi vetiu njё pyetje : a ishte mё i rёndёsishёm pёr interesat e Shqipёrisё diskutimi i dhёnies me konçesion tё ndёrtimit tё aeroportit tё Vlorёs, apo ekstradimi i Nezar Seitajt nё Itali ? Nё vetminё time arrita nё pёrfundimin se mё i dobishёm pёr t’u diskutuar, nё tё gjitha drejtimet, ishte çёshtja e aeroportit, qё paraqet pёr mendimin tim, disa pika t’errёta. Sё pari pёrse qeveria nuk shpall njё garё pёr konçesionin nё tё cilёn tё merrnin pjesё edhe edhe kompani tё tjera ndёrkombёtare, veç asaj turke ? Dihet se garat pёr tenderat, nё kёta raste, janё jo vetёm mё ekonomike pёr Vendin, sepse mund tё çojnё nё uljen e vlerёs sё veprёs por, nga ana tjetёr, japin edhe pёrshtypjen e tejpamjes, tё veprimit nё dritёn e diellit, duke larguar çdo dyshim qё mund tё lindё kur bёhen marrёveshje tё fshehta, tё cilat mund tё mbulojnё interesa tё ndёrsjellta tё kontraktuesve, tё tilla qё mund tё shkojnё nё dёm tё atyre kombёtare e nё dobi tё atyre vetiake tё njёrit apo tjetrit.

Po tё hedhim njё sy nё tёrё ecurinё e konçesioneve tё viteve tё pas komunizmit nё tё gjitha degёt e ekonomisё, sidomos n’ata tё minierave, tё naftёs dhe energjitikёs, hasim njё varg dёshtimesh tё llahtarёshme, dёshmitarёt e tё cilёve janё herё mbas here qindra e mijra punonjёs qё protestojnё deri nё qeveri, sepse mbeten me muaj pa marrё rrogat!! Tё gjitha kёto janё pasojё e dhёnies pa kriteret e duhura ekonomike tё konçesioneve shoqёrive tё panjohura e jo serioze tё Vendeve tё ndryshme. Kjo pёrvojё duhet tё jetё njё mёsim i madh pёr shtetarёt qё, nё marrёdhёnie me kapitalin e huaj, duhet tё dijnё tё zgjedhin seriozitetin, fuqinё ekonomike dhe siguritё, tё sanksionuara me kontrata tё qarta, tё njohura e qё nё rast se nuk respektohen tё mund tё paditen nё organizmat ndёrkombёtare e tё detyrohen tё paguajnё dёmet.

Nё mos gabofsha, njё klauzolё e kontratёs sё konçesionit pёr aeroportin e Vlorёs thotё se kur tё vihet nё shfrytёzim, shteti ёshtё i detyruar t’i paguajё kompanisё shpenzimet pёrkatёse, nёse nuk arrihet numuri i udhёtarёve qё do tё fluturojnё. A ka kuptim njё klauzolё e tillё ? Pёr atё qё ndёrton e shfrytёzon aeroportin po, pёr shtetin tonё jo, mbasi njё vepёr e tillё duhet tё ndёrtohet mbas njё studimi tё saktё tё kёrkesave, edhe nё perspektivё, pёr qarkullim njerёzish e mallrash. Nёse kjo vepёr do t’i shёrbejё ekonomisё si njё stoli, pa qenё nё gjёndje tё jetё rentabёl, nuk mё duket me vёnd qё tё ndёrtohet, aq mё shumё se largёsia nga Rinasi nuk i kalon 120 km.

Mendoj se pёr tё gjithё kёta aspekte duhej diskutuar atё ditё nё mbledhjen e Kuvendit, me qё ishte vёnё nё rendin e ditёs. Por Opozita parapёlqeu tё merrej me çёshtjen e ekstradimit nё Itali tё Nezar Seitajt, njё çёshtje e cila duhet tё jetё krejtёsisht nё dorёn e organeve tё Drejtёsisё. Salla e Kuvendit u kthye nё njё arenё ndeshjesh me armёt e fyerjeve tё ndёrsjellta sepse, simbas Opozitёs, ekstradimi i njё banditi qё ёshtё mbajtur nё arrest pёr rreth katёr muaj, do tё “bllokojё”tё gjithё hetimet pёr trafikantёt e drogёs e pёr “peshqit e mёdhenj” qё pritet tё bien nё rrjetёn e Drejtёsisё. Pёr konsum publik duket se argumenti i a arrin qёllimit.

Nё tё vёrtetё ai nuk pёrbёn asnjё rrezik tё tillё pёr dy arsye : e para, se i arrestuari pёr katёr muaj ka patur kohё tё mjaftueshme pёr tё dhёnё nё hetuesi gjithshka qё do tё kishte dashur tё jepte dhe e dyta se, edhe nё dorёn e policisё gjyqёsore italiane, ёshtё plotёsisht e mundur tё vazhdojё hetuesia mbi tё. Nuk ёshtё e vёrtetё se ai shkon nё njё kamp pushimi, nga ku mund tё humbasё gjurmёt nё çdo çast, por ёshtё nё dorё  tё njё policie qё ёshtё tepёr e efektёshme nё punёn e saj. Nё gjithё kёtё potere qё bёn Opozita nё lidhje me kёtё rast, nuk mbahet parasysh fakti qё qe prokuroria  e Katanjёs qё e zbuloi dhe e kapi grupin e Habilajve pёr drogёn e tregtuar nga Shqipёria nё territorin italian. Krimet e rёnda pёrfituan nga rasti se Nezari, duke nuhatur rrezikun qё i vinte nga qёndrimi atje, rrinte nё Shqipёri.

Organet e Drejtёsisё sё Shtetit shqiptar nuk mund tё kthenin mbrapsht kёrkesёn e Drejtёsisё italiane, mbasi ka konventa, marrёveshje e rregulla qё bёjnё edhe tё detyrueshme disa veprime nё marrёdhёniet ndёrkombёtare. Fatmirёsisht ka kaluar koha e mbylljes nё “kalanё e socializmit”, me tё gjitha pasojat negative tё veçimit nga bota. Njё hedhje poshtё e mundёshme nga ana shqiptare e kёrkesёs pёr ekstradim tё njё njeriu qё ёshtё kapur me fakte krimi nё Itali, do t’a ndёrlikonte pozitёn e Shqipёrisё, do tё krijonte njё preçedent tё rrezikshёm dhe njё goditje tё fortё bashkёpunimit ndёrmjet organeve kompetente tё Drejtёsisё sё dy Vendeve, gjё qё nuk do tё sillte asnjё dobi pёr ne.

Nёse “peshqit e mёdhenj” nuk bien nё rrjetёn e drejtёsisё shqiptare, arsyet duhen kёrkuar jo tek ekstradimi i Nezar Seitajt, por sepse ata dijnё t’i fshehin mirё gjurmёt e tyre, se nё njё mёnyrё apo tjetёr janё tё mbrojtur nga segmente tё caktuara tё Shtetit dhe tё Drejtёsisё e shembulli i zhdukjes sё Klement Balilit ёshtё rasti tipik i njё dukurie tё tillё. Nё kёta raste duhet njё punё shumё e zgjuar dhe e mprehtё pёr tё gjetur faktet qё do tё vinin para drejtёsisё fajtorёt. Madje nuk mjafton vetёm kjo, sepse Drejtёsia shqiptare ka dhёnё shёmbuj se din tё bёjё tё pavlefshme edhe prova si filmimet apo tё vrarёt me plumba nё shёtitore.

Kjo ndodh sepse drejtёsia ёshtё nё dorёn e politikёs, qё e vёrtit si tё dojё ajo, madje i ka “dhuruar” edhe veset e saj mё tё kёqia si dёshirёn pёr t’u pasuruar me mjete tё paligjёshme. Nё kёtё rast nuk mund tё bёhet njё pёrgjithёsim, mbasi do t’ishte njё mёkat tё njolloseshin ata gjyqtarё qё ushtrojnё ndershmёrisht profesionin e tyre, e qё duhet tё jenё baza ku duhet tё mbёshtetet kursi i ri i domosdoshёm i Drejtёsisё shqiptare. Vlerёsimi dhe ngritja nё pёrgjegjёsi e atyre gjyqtarёve ёshtё detyrё e poitikёs sё mirё. Pёrzgjedhja e tyre do tё jetё fillimi i njё proçesi tё domosdoshёm pastrimi e moralizimi tё jetёs publike shqiptare.

Gjykatat e pavarura e tё papolitizuara, siç janё zyrtarisht e formalisht edhe ato tё Shqipёrisё sё kёtyre viteve, duhet tё jenё shtylla mё e fuqishme, mbi tё cilёn mbёshtetet shteti demokratik. Shёmbujt nё botё janё tё bollshёm pёr tё nxjerrё mёsime e pёr t’i zbatuar edhe tek ne, fatkeqёsisht mungo vullneti pёr t’i pёrqafuar ato pёrvoja. Si nё shumicёn e rasteve mbetemi tё fundit nё nismat e veprimet pozitive.

Politika e mirё kёrkon maturi e guxim. Nёse kur duhet maturia, pёrdoret guximi dhe anasjelltas, pёrfundimi ёshtё zero. Mё njё shkurt vlente mё shumё maturia pёr tё diskutuar me themel pёr aeroportin e Vlorёs, se sa guximi pёr tё sharё e pёr t’u pёrballur pёr ekstradimin e njё banditi. Jo mё kot personi mё i qetё n’atё sallё ishte Kryeministri qё qeshte nёn buzё sepse projekti i tij pёr aeroportin u miratua pa u diskutuar e gjithshka ndodhi shkoi nё favor tё tij.

Besoj se ai episod duhet tё bёjё tё pёrsiatet mirё Opozita mbi rolin e saj, mbasi qёndrime e sjellje si ato tё njё shkurtit nё Kuvend nuk i sjellin asnjё dobi çёshtjes sё saj, qё ёshtё tepёr e rёndёsishme pёr fatet e Vendit dhe tё demokracisё shqiptare.

Shkurt 2018                                                                    

Filed Under: Opinion Tagged With: DUKE NDJEKUR, Eugen Merlika, NJЁ SEANCЁ KUVENDI

FARI I ARBЁRISË

February 4, 2018 by dgreca

“ Qindra vjet më parë, kur Shqipëria lindte vetëm trima e luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës………”-Fan S. Noli/

                                                                                                                         1 eugjen merlika

NGA EUGJEN MERLIKA/Studimi i historisë, ndër të gjitha shkencat humanitare, është ai që nxit më shumë flatrat e fantazisë, për t’u shkëputur nga jeta e zakonshme e çdo dite e për t’u kredhur në kohë të tjera, të afërta apo të largëta. Në këto përfytyrime lind dëshira për t’u njëjtësuar me ato kohë, mjedise, zakone e njerëz, me të cilët do të donim të nisnim një bisedë të gjallë edhe se na duken aq të largët, por që në thelb janë si ne. Edhe se kanë jetuar qindra apo mijra vite më parë, ndërmjet tyre e nesh shumë gjëra kanë mbetur të përbashkëta.

Njeriu lind, jeton dhe vdes. Me pak fjalë kjo është historia e njerëzimit. Lindja dhe vdekja janë dukuritë më të zakonshme, ndaj të cilave, njeriu, megjithë fuqinë e mëndjes, është krejt i pazoti t’i ndryshojë. Ato dukurí janë stacionet ku nis e përfundon udhëtimi i secilit mbi këtë planet të zgjedhur e aq bujar. Mes tyre rrjedhin ditët, javët, muajt, vitet, koha, një karvan i pandalshëm, që nuk njeh fillim e mbarim, por vetëm mbart e shkarkon pa ndërprerje, pa mëshirë…

Jetët e njerëzve ngjasojnë. Të gjitha përmbajnë në vetvete kush më shumë e kush më pak gazin, dhimbjet, kënaqësitë, lotët, dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, mundimin, sakrificat, sodisfaksionet, zhgënjimet, dëshpërimin, fitoret, humbjet… Raporti ndërmjet tyre përcakton dhe atë që quhet fat e njëkohësisht dhe vendin që ze secili në bashkësinë njerëzore. Në këtë ecje të vazhdueshme e të pafund shumica dërmuese kalon pa lënë gjurmë, si ujët e lumit që derdhet në det, ndërsa pak, shumë pak shquhen, ngrihen përmbi të tjerët për nga fuqia e mëndjes, e shpirtit e karakterit. Kështu lindin profetët, shenjtët, burrat e shtetit, ligjvënësit, shkencëtarët, filozofët, strategët, shkrimtarët… Janë ata që japin drejtimin e ecjes, që emërtojnë kohët, që përcaktojnë ritmet, që ndriçojnë rrugët, paçka se ka ende nga ata që besojnë se “masat e bëjnë historinë”. Janë farët, vepra e të cilëve është pasuria më e çmuar që trashëgon njerëzimi në përgjithësí e çdo popull në veçantí.

Për ne, shqiptarët, fari më i shndritshëm që ndriçoi mëndjet e zemrat në rrugën e gjatë e të errët të ecjes sonë, qe Gjergj Kastrioti. Pér madhështinë e Tij, fuqinë trupore, aftësitë luftarake  e shtetërore, meritat si apostull i Shqiptarizmit dhe mbrojtës i Krishterimit është shkruar kaqë shumë sa nuk mund të  shtohet asgjë.

I paisur me dhuntí të rralla e forcë të pashembullt karakteri, u shqua mbi të gjithë bashkëkombësit e Tij  për nga vlerat dhe pasojat e një veprimtarie  që, pothuajse njëzëri, është quajtur sipërnjerëzore. Sot, në largësi kohe të konsiderueshme, mbas  disa qindvjetorësh ecjeje në shtigjet e errëta e të thepisura të historisë sonë, ne kuptojmë më mirë se sa mbinjerëzore ishte gjithshka që përballoi e mposhti Gjergj Kastrioti, që nga fuqia ushtarake e Perandorisë më të madhe të kohës, në një nga kulmet e saj të forcës, e deri tek vështirësitë e formimit e të drejtimit të një kombi-shtet, të prirur më shumë për të ruajtur interesat klanore të principatave, se sa për të punuar për të mirën e tij. Kjo vepër madhështore, që bëri figurën e Tij simbolin më të spikatur të idesë së Kombit shqiptar dhe farin më të qëndrueshëm udhërrëfyes të historisë së tij, qe një epope çerek shekullore luftërash në truallin e lashtë të Arbërit, që vendosja gjeografike e kishte bërë të përballej gjithmonë me stuhitë e kohëve.

Turqit, të mahnitur nga cilësitë e princit arbër, i vunë epitetin Iskander-bej, princ Aleksandër, në ngjasim me botpushtuesin më të madh të lashtësisë. Nëse me të e bashkonte prejardhja etnike e aftësitë strategjike të luftëtarit, ndryshimet në karakteret dhe në prirjet e veprimtarive ishin të dukëshme. Aleksandri u shqua si një strateg botpushtues me aftësí të rralla që, në më pak se dhjetë vite, arriti të krijojë një nga Perandoritë më të mëdha të historisë së njerëzimit, ndërsa Skënderbeu spikati si komandant i ushtrive të vogla mbrojtëse, përballë sulmeve të fuqisë më të madhe ushtarake të kohës.

Të dy vdiqën të pathyer në beteja. Mbas vdekjes Perandoria e Aleksandrit erdhi duke humbur shkëlqimin, u coptua e mbaroi ashtu si Shqipëria që humbi lirinë e i u nënështrua natës së gjatë të pushtimit shumë shekullor. Këta fakte lartësojnë më shumë imazhin e personazheve, duke i vënë të dy në Panteonin e historisë botërore, e i bëjnë heroj kombëtarë të popujve të tyre.

Gjergj Kastrioti i u dorëzua amëshimit dhe historisë, por emri dhe vepra e Tij u bënë pjesë të indeve të shqiptarëve që, brez mbas brezi, e përcollën në këngët dhe legjendat, e ruajtën në kujtesë, në zemër, në vetëdije, në ritet e tyre në Shqipëri e kudo në botë ku vunë këmbë. Jeta dhe bëmat e Tij frymëzuan dhe shoqëruan çastet më të rëndësishme të shekujve, ngjarjet e hidhura e ditët e pakta të gazit. Figura e Tij plot shkëlqim, e përcjellë nga Barleti, ka hyrë në ndërgjegjen e Kombit shqiptar si një monument, me gjithë peshën legjendare të imazhit të shpëtimtarit të Atdheut. Por mbas këtij imazhi fshihet jeta e një njeriu, pjesa e parë e së cilës është më shumë e zhytur në mjegullën e legjendës se sa në saktësinë e fakteve të njohura.

Thuhet se lindi në qytetin e Krujës në vitin 1405, në familjen e një princi që ishte kthyer në vasal të Sulltanit si pasojë e betejave të humbura kohë më parë. Ishte mashkulli i fundit i familjes së Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, që përbëhej nga katër djem e pesë vajza.. Duke marrë për të vërteta variantet e Barletit dhe Gjon Muzakës, në moshën tetëvjeçare së bashku me vëllezërit merret peng nga Sulltani për të garantuar besnikërinë e t’atit kundrejt tij. Ishte një goditje e fuqishme që do të rrëzonte në gjunjë edhe burra të sprovuar e jo më një fëmijë ende kërthijë, që papritmas gjëndet i vetëm, larg prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve, vëndlindjes, në mes të një ambienti të panjohur, të cilit nuk i njeh as gjuhën. Por instikti i fortë mbrojtës i racës i jep forcën për të qëndruar.

Ishte trauma e parë e madhe që pëson në jetën e Tij. I duhet të mësohet me disiplinën e fortë të shkollës së jeniçerëve që është baza e fuqisë ushtarake të shtetit otoman. Aty mëson se jeta nuk të përkëdhel, nuk të fal asgjë, se gjithshka duhet fituar në një garë të pamëshirshme e të pafund. Episodet e ndryshme të dueleve e provave të forcës dëshmojnë për një pregatitje fizike e ushtarake të përsosur. Kështu ngjit shkallët e karjerës nën vështrimin miratonjës të Sulltan Muratit II, që i beson poste gjithënjë e më të rëndësishme, duke qënë i bindur se vitet kanë bërë punën e tyre e Skënderbeu nuk do të ketë tjetër synim veç lavdisë së Perandorisë. Gabohet Sulltani ashtu sikurse do të ishte gabuar kushdo që do të mendonte se dhjetëvjeçarët, nën trysninë e përditëshme të edukatës dhe mendësisë osmane, do të kishin mbytur në embrion çdo kujtesë të fëmijërisë, të familjes, të dheut të lindjes.

Malli dhe dashuria për familjen e shfarosur, për dheun dhe njerëzit e Arbërit ishin si prushi i mbuluar me hi, i pashuar në zemrën e djaloshit. Që këtu fillon sipërnjerëzorja në jetën e heroit, përballimi i një periudhe tridhjetëvjeçare në rolin e aktorit që duhet të rrezatojë besnikërinë për Sulltanin e, në fshehtësi, të derdhë lot të hidhur për gjithshka të dashur, nga e cila e kanë shkëputur me forcë që fëmijë. Duhej qëndrueshmëri e nerva të çelikta, por edhe një formim shpirtëror i pazakontë për t’i dalë në krye një gjëndjeje të tillë. Duhej forcë karakteri që buron nga ADN e molekulave dhe është pikërisht kjo forcë që përcakton personalitetin, i cili është në gjëndje t’i prijë e t’i paraprijë ngjarjeve me përmasa madhore. Në sajë të këtij karakteri, Skënderbeu i lavdisë otomane e i shkëlqimit të oborrit të Sulltanit ruan dhe mbron si gjënë më të shtrenjtë Gjergj Kastriotin, e lindur mes shkrepave të Krujës, duke përcaktuar si synimin kryesor të jetës jo lluksin, famën apo ofiqet vetiake por lirinë e Atdheut. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet dhe vështirësitë e sipërmarrjes së lirisë, për të cilën ëndërron e thur plane, por karakteri e shtyn me forcë të hedhë mbas shpine dyshimet e t’i besojë Zotit në qiell dhe shpirtit liridashës të popullit të tij në tokë.

Kur i paraqitet rasti i parë për të sendërtuar ëndërrat, nuk nguron të veprojë me vrullin e një djaloshi e me pjekurinë e një të moshuari. Ishte tridhet e tetë vjeç, në kulmin e fuqisë së trupit, të  shpirtit e të mëndjes e jeta i reduktohet në një qëllim të vetëm: liria e Vendit të të parëve.

“ Lirinë nuk u a solla un, atë e gjeta këtu mes jush…” janë fjalët e para që u drejton bashkatdhetarëve, në agimin e asaj epopeje të gjatë e zulmëmadhe që u bë kuintesenca e historisë së shqiptarëve. Entuziazmi i çastit madhor të Kombit i zbeh dhimbjen për dramën e Tij të brendëshme, atë të vetmisë që e rrethon. Nuk gjen më prindërit e vëllezërit kanë vdekur në rrethana të paqarta. Pranë ka vetëm një motër të re, të tjerat janë të martuara e nga ndarja me to kanë kaluar tridhjetë vite. Legjenda na thotë se Skënderbeu gjeti nënën, Vojsavën, së cilës pritja e gjatë dhe dëshpërimi i kanë humbur arsyen, sa që të mos njohë as të birin. Kjo do të kishte qënë goditje shumë e fortë për zemrën e Gjergjit që, në përfytyresën e tij, kishte ruajtur figurën e bukur të nënës së re e të përkëdhelive të saj, që ishte rritur me to në shpirt e fantazi e tani prekte me dorë pasojat tragjike të asaj dite të mallkuar, kur i grabitën fëmijërinë.

Por koha shtërngon e nuk i le shteg për të vajtuar. Arkivon në shpirt dhimbjen e merr përsipër detyrën e prijësit, në të cilën nuk ka më vend për jetën vetiake. Betejat e pabarabarta që e presin, për të cilat Ai, më shumë se kushdo tjetër, është i vetëdijshëm në rolin e Davidit i rrëmbejnë mendimet, energjitë, shqetësimet. Duhet organizuar qëndresa mbasi mllefi i Sulltanit për “tradhëtinë” është shumë i madh dhe kundërveprimi do të ketë goditje marramendëse. Vrapon për në Lezhë ku princave kolegë e bashkëluftëtarë mundohet t’u përcjellë një të vërtetë të qartë si drita e diellit: lirinë e fituar mund t’a ruajnë vetëm nëse janë të bashkuar e nuk i besojnë sirenave të huaja apo të interesave vetiake, nëse janë të ndershëm e të vendosur për të përballuar barrën që i bie secilit. Vitet e gjata të luftërave e vunë në prova, herë herë të rënda, besën e lidhur në Lezhë.

Me mobilizimin e principatës së Tij Krujë – Mat – Dibër dhe ndihmat e princëve të tjerë në pak kohë krijoi e stërviti një ushtri që pagëzohet në Torvioll me fitoren dhe lavdinë. Betejat pasojnë njëra tjetrën e buzëqeshjeve të shqiptarëve i përgjigjet rritja e famës së prijësit e lindja e shpresës së Evropës së krishterë në mbrojtjen e qytetërimit të saj. Mbreti i Arbërvet mbulohet me lëvdata e premtime ndihmash e mbështetje, sidomos mbas rrethimit të parë të Krujës, në të cilin qëndresa shqiptare shihet si dukuria më e dobishme e shpresëdhënëse për t’i vënë fre lakmisë pushtuese të Perandorisë osmane drejt Perëndimit të krishterë. Por ndihmat janë më shumë me fjalë se me vepra e vitet e luftërave lënë gjurmët e tyre në jetën e arbërve. Çmimi njerëzor e lëndor është i rëndë e prijësi, që e kalon pjesën më të madhe të kohës pranë luftëtarëve të Tij, vuan shpirtërisht. Ai nuk mban asgjë për vete nga trofetë e luftërave, u a shpërndan gjithshka oficerëve dhe ushtarëve. Ata janë për Të familja e madhe ndërsa Ai është për ata prindi, vëllai, mësuesi, gjenerali, komandanti, Mbreti. Në këto marredhënie gjendet edhe kyçi i fitoreve në betejat e vazhdueshme, i sukseseve e i jetëgjatësisë së tyre.

Megjithatë jo gjithshka ecën përsosmërisht në ata vite luftërash e lavdije. Jo gjithmonë aleatët janë të ndershëm e korrektë me Mbretin. Princi më i fuqishëm i Lidhjes, Gjergj Arianiti, e kërcënon me prerjen e ndihmave nëse nuk martohet me të bijën, Donikën. Kështu në moshën dyzet e gjashtë vjeçare Skënderbeu ndërton çerdhen e Tij familjare, për t’i dhënë Arbërisë edhe trashëgimtarët e kurorës e për të mbajtur të lidhur aleancën luftarake për lirinë.

Cmira ngre krye në disa raste e përcakton sjellje që dëmtojnë luftën e përbashkët, madje arrin të marrë edhe trajtat e tradhëtisë së hapur e të kalimit në fushën kundërshtare. Janë të tjera goditje që merr padrejtësisht Ai që kishte përbuzur lavdinë e Sulltanit për të mbrojtur lirinë e popullit të Tij. I rëndon shumë tradhëtia e gjeneralit të Tij më të mirë, Moisi Golemi e më shumë ajo e princit Hamza. I pari u tërhoq nga premtimet e turqve për të mundur Skënderbeun e për t’i zënë vendin Atij si Mbret i emëruar nga Sulltani. I dyti pasqyron një ves të lashtë, kompleksin e Kainit që, fatkeqësisht, jo rrallë vazhdon të jetë burim dramash e tragjedish edhe në ditët tona.

Hamzai ishte njeriu më i afërt që kishte Skënderbeu në shtabin e Tij, ishte djali i vëllait Stanish, i pari i djemve tё gjon Kastriotit. Mbante ndër deje gjakun e Kastriotëve, edhe se nga nëna origjina ishte turke. Kishte ndarë me ungjin të gjitha dëshirat e projektet, që nga planet e thurura në Edërne deri tek marrja e vulës së Qatipit të Sulltanit në Nish, për t’u kthyer në “Krujën e bekuar” atë 28 nëntor 1443. Kishte luftuar me trimërí përkrah ungjit në betejat me turqit. Deri sa ungji ishte beqar Hamzai qe një djalë besnik e i qetë, kur Ai u martua në mendjen e tij filluan të shfaqen ide ogurzeza,

.Për shumë kohë, thellë në vetvete,  kishte  ëndërruar skeptrin e Mbretit të Arbërisë, por erdhi një çast në të cilin lindja e një fëmije i bëri pluhur e hi të gjitha ëndërrat. Trauma e pësuar çoi në një trallisje e çoroditje të ideve e të ndërgjegjes. Valët e fuqishme të ambicies për pushtet mbytën tek Hamzai parimet e ndjenjat deri në atë pikë sa t’i kundërvihet ungjit në krye të ushtrive armike. Sa i madh zhgënjimi e sa e thellë dhimbja në shpirtin e Gjergj Kastriotit, kur u gjend i tradhëtuar edhe nga nipi. Bota i u përmbys mbi kokë, por edhe një herë tjetër karakteri i jep forcë të përballë tragjedinë, sepse për një të tillë bëhet fjalë kur një Kastriot, gjaku i tij, pështyn mbi sofrën e të parëve e mbi sakrificat e një populli që lufton për mbijetesë deri në frymëmarrjen e fundit. Mbasi e ka thyer në betejë  dhe e ka zënë rob, ndihet i paguar por çduhet të bëjë me të? Mbas këshillimeve me gjeneralët e Tij e një lufte të brëndëshme vendos t’i falë jetën, ashtu siç kishte bërë edhe me Moisi Golemin. Po ndërsa ky i fundit u kthye me të gjitha ofiqet në rradhët e ushtrisë e mbeti besnik deri në vdekjen e llahtarëshme, për Hamzanë dielli i Arbërit perëndoi e ditët e tij u ngrysën në një burg të Italisë, në një breg deti, por nuk ishte Adriatiku. Hamzai më vonë u kthye në Shqipëri duke jetuar në vëzhgim prej njerëzve të Skënderbeut, pastaj mundi të arratiset në Turqi, ku kishte lënë gruan dhe fëmijët. Atje thuhet se jetoi edhe ca kohë i përbuzur nga Sulltani dhe i urryer nga turqit, mbasi quhej shkaktar i humbjes së turpëshme të disa viteve më parë në Albulenë. Vdiq i helmuar nga turqit.

Zemra e lënduar e prijësit të Arbërit ishte një zemër e madhe, ishte përbërësi i dytë i personalitetit të Tij së bashku me karakterin. Në një kohë kur rregullat e kodit moral e shtetëror në periudhë lufte ishin pothuajse të ngurta, Ai arrin të falë tradhëtinë e vërtetë. Instiktivisht më vjen ndër mënd krahasimi me një tjetër prijës, që për gati gjysëm qindvjeti shumkush e vuri përkrah Skënderbeut si vlerë, që “tradhëtitë” e shpikura i dënonte me vdekje në serí, madje ishte krenar se serinë e kishte hapur bash me kunatin e tij….

Luftërat e pareshtura e raskapitën Vendin. Një  brez shqiptarësh që i kishin filluar ato pa i u  dirsur mustaqja, tashmë ishin të thinjur para kohe.Tokat e mbetura djerrë ishin treguesit e pakësimit të forcave njerëzore, ndërsa hordhitë e Anadollit nuk reshtnin së dynduri drejt trojeve të Arbërit. Fuqitë e prijësit kishin filluar të ndjenin peshën e një jete të tërë të kaluar mbi shpinë të kalit me shpatë në dorë. Nga ana tjetër vitet zulmëmëdha nuk kishin qenë aq bujarë me të nga ana shpirtërore. Shumë herë ishte plagosur zemra e heroit e shumë probleme kishte përballuar mendja e Tij. Cmira, zili e intriga të princave të ndryshëm e kishin vënë në provë të fortë durimin e Tij. Nga shokët e vjetër të luftës kishin mbetur pak. Ndihmat nga Italia fqinjë, mbas vdekjes së Papës Piu II ishin pakësuar ndjeshëm dhe arka e Shtetit, nëse mund të quhej e tillë, ndjente mangësi. Kishin mbetur të paprekura aftësitë strategjike të Komandantit dhe entuziazmi i ushtarëve e, në veçantí ai i atyre të gardës.

Gjergj Kastrioti e kuptonte se qëndresës së tij po i avitej fundi. Ishte i qetë në ndërgjegje, mbasi e kish kryer detyrën që i kishte vënë vetes në të rit e vet. Por e mundonte e ardhmja e Vendit të cilit i mbrojti lirinë për gati një të katërt shekulli. Parashihte se humbja e luftës, kurdo që të vinte, do të ishte me shumë dhimbje. Bashkatdhetarët e Tij nuk do të humbisnin vetëm lirinë, por edhe pasurinë e ndoshta edhe jetën. Thellë në shpirt mendonte fatin e gruas  e të djalit, ende shumë të ri. Si prijës largpamës, të cilit i rëndonte në ndërgjegje e ardhmja e bashkëluftëtarëve që kishin ndarë me Të jo vetëm gazin e fitoreve, por edhe mundin, sakrificat e humbjet e njerëzve të dashur, kërkoi të gjejë një rrugëdalje. I drejtohet Ferdinandit, djalit të mikut të Tij Alfonsit, Mbret i Napolit, të cilit jo shumë kohë më parë i ka ndihmuar për të shuar kryengritjet e baronëve vartës të tij. Prej tij merr premtimin e mikpritjes së bashkatdhetarëve që do të braktisin Atdheun e pushtuar nga turqit.

Këto janë projekte që i përkasin një të ardhmeje kur Ai të mos ishte më në jetë, për çastin duhej vazhduar lufta, por duhej një tjetër besëlidhje, mbasi ajo e para ishte zbehur e kish humbur forcën vepruese. Thërret përsëri në Lezhë princat, mundohet të shuajë kundërshtitë e të sendërtojë një tjetër marrëveshje. Por trupi e shëndeti i Kryetrimit nuk i përgjigjen më dëshirave të Tij. Sëmuret nga malarja e në shtratin e vdekjes i buzëqesh për të fundit herë lajmit të fitores në një tjetër betejë. Fitoret vazhdojnë për inercí edhe se Ai nuk ishte më në krye. Por deri kur?

Para pak kohësh i është dashur të mundë në një betejë të përgjakëshme një tjetër arbër, që ishte vënë në shërbim të armikut, Ballaban Pashë Batrën, një tjetër bir të kësaj toke që vinte t’a shkelte atë me ushtritë e armikut.

Napoleon Bonaparti, kur u nis për në Shën Helenë, në vështrimin e fundit brigjeve të Francës, psherëtiu: “Eh Francë, të kishe më pak tradhëtarë!”. Ndoshta në netët e etheve kllapitëse të Lezhës edhe Gjergj Kastriotit i faniteshin në përfytyresë fytyrat e atyre që interesat e tyre të ngushta i vunë përmbi idealet e “shekullit të madh”. Ndoshta i vjen në mënd viti 1448, kur ngurimi i princave dhe pengesat e Gjergj Brankoviçit i bënë të humbiste mundësinë e bashkimit me Janosh Huniadin për të ndryshuar fatet e luftës se dytë të Kosovës e, ndoshta, të gjithë aventurës ushtarake turke në Ballkan.

Prijësi i Arbërisë mori një tufë thupra, i bëri bashkë e i a dha princave t’i thyenin. Mbasi asnjëri nuk arriti t’a kryejë veprimin, i ndau fije fije në mënyrë që të thyheshin lehtë. Kuptimi e morali janë ata të zakonshmit, të cilët i urti Gjergj kishte 25 vite që i përsëriste: vetëm duke qënë të bashkuar mund t’i qëndrohej së keqes, në të kundërt e keqja nuk do të kursente asnjërin. Ishte një nga mësimet e mëdha të Burrit më të shquar të kësaj toke, por që fatkeqësisht u vu në zbatim pak herë e pasojat i paguam në të gjitha kohët, deri në ato më të vonat….

Ai mbylli sytë në Lezhë duke mbjellë lotët në të gjithë sytë e arbërve, për të cilët do të fillonte periudha më e errët e historisë së tyre. U varros çuditërisht aty e jo në Krujë, ndoshta për t’i kumtuar historisë se Ai nuk kishte përkatësi krahine apo qyteti, i përkiste të gjithë atyre që flisnin gjuhën e Arbërit. Shpirti i Tij u ngrit lart në Qiell nga ku sodit me dhimbje dertet shekullore të Vendit të tij, ndërsa në të nuk i mbeti asgjë. Kockat i morën Turqit si hajmali të fuqisë mbinjerëzore të heroit, ndërsa armët përfunduan në Vjenën e largët. Për Arbërinë Ai, që ndёrroi jetё 550 vite më parë, mbeti fari i përjetshëm, i pashuar, i pakrahasueshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugen Merlika, FARI I ARBЁRISË

LAJTHITJE E MINISTRIT APO KTHIM MBRAPA I SHTETIT ?

January 20, 2018 by dgreca

1-eugjen-merlika

Shkruar nga Eugjen Merlika/

Ndryshimi thelbёsor ndёrmjet shtetit ligjor dhe tё gjithё sistemeve tё tjera shtetёrore autoritare, nё tё cilёt institucionet janё shprehje e vullnetit tё njёshёve tё “kurorёzuar”, apo tё oligarkive tё ndryshme qё drejtojnё ecurinё e jetёs shtetёrore e shoqёrore, ёshtё hartimi i ligjeve dhe zbatimi i tyre, duke i njohur tё gjithё qytetarёve barazi para tyre. Nё tё parёt ligjet janё shprehje e njё vije politike qё fiton, nёpёrmjet zgjedhjeve tё rregullta, votbesimin e pjesёs mё tё madhe tё qytetarёve tё njё Vendi, vijё politike qё shpaloset pёrpara e qё sendёrtohet mbrapa nёpёrmjet ligjesh qё miratohen nga Kuvendi i tё zgjedhurvet tё popullit dhe aktesh nёnligjore qё hartohen nga ministritё pёrkatёse. Ndёrsa nё t’ashtuquajturit shtete tё demokracive “tё forta”, nё tё cilat pushteti ruhet pёr kohё relativisht tё gjata e, herё herё, kthehet nё tё trashёgueshёm pa marrё formёn zyrtare tё mbretёrisё, ligjet hartohen e zbatohen edhe atje, por ata mbeten gjithmonё krijesa tё brishta, tё paracaktuara tё zbatohen simbas rrethanave e mjediseve shoqёrore tё cilёve u referohen.

Kёshtu pёr shembull ndodhte nё Shqipёrinё komuniste, ku ligji kishte “karakter klasor” e zbatohej gjithnji nё vartёsi me objektin qё e pёsonte. Kjo ndodhte nё tё gjitha fushat e jetёs, nё njё shoqёri qё kishte njё ndarje tё prerё mes “njerёzve tanё” dhe “armiqve”. Pёr tanёt ligjet , kur kishin karakter shtrёngues, zbuteshin e hynte nё lojё “kritika ndreqёse”, apo falja me premtimin pёr tё mos pёrsёritur gabimin apo fajin. Pёr “armiqtё” ligjet zbatoheshin me rreptёsinё mё tё madhe, nё vartёsi tё shkallёs sё ashpёrsisё sё zbatuesit tё rendit partiak apo policor, qё ishin tё lirё tё ushtronin nё format mё tё ndryshme dhunёn e diktaturёs. Pёr pasojё ligji i shtetit, i hartuar nё rrethin e ngushtё tё diktatorit e tё shpurёs sё tij, ishte njё subjekt i lakueshёm simbas objektit klasor mbi tё cilin ushtrohej.

Me ndryshimet epokale tё shembjes sё komunizmit si sistem nё Evropёn lindore, ajo politikё dalluese ndёrroi formё pёr t’i u pёrshtatur kushteve tё reja, nё tё cilёt duheshin pёrqafuar e pёrvehtёsuar vlerat e shoqёrive perёndimore, drejt tё cilave synonin tё pёrshtateshin elitat ish komuniste”antikapitaliste” dhe “antirevizioniste” tё cilat, duke mos qёnё mё tё besueshme, “abdikonin” nё dobi tё bijve tё tyre, tё cilёve Perёndimi, nё tё dy anёt e Atllantikut, i jepte menjёherё besimin. Kёshtu u ripёrtёri politika shqiptare, duke ruajtur gjithmonё raportin e forcave tё regjimit, madje edhe njё pjesё tё trashёgimisё ideore, materiale e politike tё tij.

Koha, nё domosdoshmёrinё e saj, shtroi para Shtetit pas komunist probleme tё reja pёr t’u zgjidhur, siç ishte rivendosja e disa tё drejtave parake, pa njohjen e tё cilave nuk mund tё bёhej asnjё hap para nё integrimin nё institucionet ndёrkombёtare. Ato qenё kthimi i pronave tё grabitura nga rendi i “çlirimtarёve” dhe dёmshpёrblimi pёr pasojat e sistemit tё dhunёs proletare mbi njё pjesё, jo tё pakёt, tё popullsisё. Qё nё fillim udhёzimet qё ishin marrё pёr sendёrtimin e tyre kishin qёnё thjesht demagogjike e pёr fasadё e pёrfundimet, mbas mё shumё se njё tё katёrt shekulli, janё gjysmake e pa shpresё nё rrugёn e zgjidhjes.

Pa u futur nё Babelin e kthimit tё pronave, dua tё trajtoj pёr tё satёn herё çёshtjen e dёmshpёrblimeve pёr vitet e punёs sё papaguar tё tё dёnuarvet tё diktaturёs qё ishin fuqia puntore mё frutdhёnёse e shumё veprave tё socializmit shqiptar. Ajo praktikё, e huajtur nga gulagёt e famshёm tё markёs leninisto-staliniane, qё ishte nё kudёrshtim me tё drejtёn penale ndёrkombёtare, kishte qёnё pёr gjysёm shekulli njёra nga burimet mё tё leverdisёshme tё njё ekonomie qё njihte vetёm dёshtime, nё sajё tё drejtimit nga njё ideologji krejtёsisht tё gabuar dhe kundёrekonomike, qё zotёronte tё gjithё jetёn e Vendit.

Nё vitin 1992 parlamenti pluralist shqiptar, me njё vendim historik tё tij, shfuqizoi nenet e dhunёs politike dhe shpalli pavlefshmёrinё juridike tё tё gjithё veprimeve shtrёnguese, siç kishin qёnё burgimet me punё tё detyruar, pushkatimet me dhe pa gjyq, internimet me afate tё pafund. Para kёsaj kthese shtrohej si domosdoshmёri morale e juridike dёmshpёrblimi i tё gjithё atyre njerёzve qё kishin pёsuar ata lloj dёnimesh e tё familjeve tё tyre. Historia e gjatё e luhatjeve tё qeverive e mungesa e vullnetit real pёr zgjidhjen e problemit duke mbajtur parasysh vёshtirёsitё objektive, por jo tё pakapёrcyeshme, qё dilnin pёrpara, sollёn njё gjёndje nё tё cilёn premtimet mbetёn vetёm nё letёr dhe ish tё burgosurit apo t’internuarit, pёr arsye objektive moshe, u ndanё nga kjo jetё pa marrё asgjё, veç ndonjё “letre me vlerё” qё pёrfundoi me vlerёn vetёm tё letrёs.

Kёtyre premtimeve tё pambajtura tё qeverive shqiptare tё kalesёs pёr njёzet vjet u duk se do t’i vinte fundi me fitoren e Rilindjes nё votimet e vitit 2013. U duk sikur problemi po vihej nё rrugёn e zgjidhjes nёpёrmjet njё ligji tё vitit 2014, nё tё cilin shkruhej e zezё mbi tё bardhё :

“Nё bazё tё buxhetit vjetor, tё vёnё nё dispozicion, fondi i dёmshpёrblimeve pёr ish tё dёnuarit nga regjimi komunist do tё ndahet nё mёnyrё proporcionale, nё njё raport prej 70% pёr tё gjithё kategorinё e subjekteve pёrfituese parёsore, tё pёrcaktuara nё paragrafin e dytё tё kёtij neni dhe 30 % pёr trashёgimtarёt e ish tё dёnuarve, qё nuk bёjnё pjesё nё kёtё kategori, me kusht qё kёsti i dёmshpёrblimit tё mos jetё mё i vogёl se 100.000 lekё dhe jo mё i madh se 1.000.000 lekё.

            Me shlyerjen pёrfundimtare tё subjekteve parёsore sipas kёtij neni, i gjithё buxheti vjetor kalon pёr dёmshpёrblimet e trashёgimtarёve tё ish tё dёnuarve politikё”

Thjesht e qartё, njё model kundёrburokracie, ligji pёrcakton mёnyrёn e sendёrtimit nga ana e isitucioneve shtetёrore tё dёmshpёrblimeve tё ish tё burgosurve, madje u fol edhe pёr ata tё ish t’internuarve para vitit 1954. Duhet pranuar se nё kёta vite u bё njё punё e lёvdueshme nga ana e administratёs shtetёrore sa i pёrket dhёnies sё dёmshpёrblimeve nё njё pjesё tё mirё pёr ata qё ishin nё jetё dhe simbas parashikimit dy kёste pёr trashёgimtarёt, qё llogaritet nё 25 % tё shumёs sё pёrgjithёshme, por duke premtuar se me kohё do tё tё merrnin tё tёrёn.

            Por viti i ri 2018 shёnoi njё tё paritur shumё tё hidhur pёr shpresat e tё dёmshpёrblyerve. Si njё rrufe nё qiell tё kthjellёt, mё 15 janar z. Arben Ahmetaj, ministёr i ekonomisё e financavet, njoftoi nёpёrmjet televizionit se fondet e dёmshpёrblimit “Ishin ngrirё”. Praktikisht, njё ligj i shtetit pezullohet me njё komunikim tё njё ministri, pa asnjё vendim Qeverie e pa asnjё miratim Kuvendi. Shteti ligjor pёsoi njё goditje tё fuqishme nё dёm tё pjesёs mё tё dobёt tё shoqёrisё, duke pohuar se ai tek ne ёshtё njё krijesё tepёr e brishtё, shprehje jo e njё demokracie tё qёndrueshme, por e njё demokrature, nёse mё lejohet tё huazoj termin e njё publiçisti e shkrimtari tё njohur ballkanas. Nё kёtё paçavure ёshtё detyrё parёsore e Kryeministrit Rama tё mbrojё shtetin ligjor me pёrgёnjeshtrimin e fjalёve tё papёrgjegjёshme tё ministrit tё tij. Nёse ai nuk e bёn kёtё, do tё thotё se ai ёshtё i njё mёndjeje dhe atёherё problemi bёhet edhe mё i mprehtё.

            Argumentimi se “duhen pёrcaktuar trashёgimtarёt”, qё pёrdori ministri nё televizion, nuk ёshtё as bindёs dhe as pёrligjёs, sepse ёshtё absurde tё mendohet se mbas njё tё katёrt shekulli qё diskutohet ky problem e mbasi janё paguar dy kёste pёr trashёgimtarёt, ata duhen “pёrcaktuar” edhe njё herё tjetёr. Nёse do t’i besojmё fjalёve tё ministrit Ahmetaj, duhet tё pranojmё se administrata shqiptare ёshtё krejtёsisht e paaftё pёr tё ushtruar detyrёn e saj, mbasi nuk ka qenё nё gjendje, duke patur nё dorё tё gjithё dokumentet e duhura, tё pёrcaktojё se kush duhet tё pёrfitojё nga zbatimi i atij ligji. Por meqё kjo ёshtё njё mundёsi qё ka shumё pak ose aspak gjasё tё jetё e vёrtetё, arsyetimi çon nё njё tjetёr pёrfundim, qё do t’uronja me gjithё zemёr tё ishte vetёm njё hamёndje.

Qeveria bёn njё hap mbrapa nё zbatimin e ligjit pёr dёmshpёrblimet duke i kaluar nё heshtje ata fonde nё vendarritje tё tjera, pёr tё vazhduar lojёn dhjetravjeçare tё premtimeve tё pambajtura. Si nё njё rast ashtu edhe nё tjetrin pёrballohemi me njё traumё tё fortё, qё thellon hendekun ndёrmjet shtetit e qytetarёve, madje pjesёs mё tё vuajtur tё tyre. Nuk ёshtё nё nderin e njё shteti apo tё njё qeverie tё luajё me njё temё qё pёrmbledh nё vetvete jetё njerёzish tё gjymtuara ose tё prera, ёndrra tё vrara, shfaqje skllavёrie tё papranueshme nё shekullin e atomit, lot6, dhimbje, mundime e flijime tё pafund tё grave shqiptare qё i hiqnin bukёn nga goja fёmijёve pёr t’i çuar njё trastё me ushqime burrit apo vёllait qё ishte dёnuar, shpresa tё ushqyera pёr tё patur njё shpёrblim, sado tё pakёt tё kujtimit tё vuajtjeve tё prindёrve, tё gjyshёrve….

Nuk ka asnjё bazё logjike, morale e juridike diskutimi se deri nё cilin brez duhet tё paguhen dёmshpёrblimet, mbasi ёshtё qesharake dhe e turpёshme tё shtrihet nё breza dhёnia e atyre parave, sepse trashёgimtarёt janё tё gjithё njёsoj dhe borxhi i shtetit, i zgjatur kaq shumё pёr t’u paguar, nuk mund tё shkojё nё parashkrim e tё shuhet nёse vdesin bijtё e ish tё dёnuarvet.

Shpresoj qё fjalёt e ministrit tё kenё qёnё shprehje e njё lapsusi tё rastit e jo e vёrteta e hidhur e njё vendimi sa tё paligjshёm aq edhe tё padrejtё qё do tё lёshonte njё hije tё zezё mbi karakterin e ekzekutivit qё nuk ёshtё nё gjendje tё sigurojё zbatimin e ligjit tё hartuar e miratuar prej atij vetё e nё tё cilin janё parashikuar edhe mbulesat buxhetore. Njё gjё e tillё do tё çonte nё fund tё kёmbёve besueshmёrinё e njё qeverie dhe tё klasёs politike qё e shpreh atё.

Dua t’a pёrfundoj kёtё shkrim tё shqetёsuar me thёnien e njё shkrimtari politik gjerman tё shekujve 18 e 19, Ludwig Börne : “Ҫdo qeveri qё nuk bёn asnjё hap pёrpara duhet gjykuar me shumё maturi ; por njё qeveri qё bёn hapa mbrapa duhet dёnuar pa asnjё mёshirё.”

Filed Under: Politike Tagged With: APO KTHIM MBRAPA, Eugen Merlika, i Shtetit, LAJTHITJE E MINISTRIT

KRYEVEPRA E KAPITENIT KUQ E ZI

October 19, 2015 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/
Sporti është një nga veprimtaritë më të rëndësishme të jetës njerëzore, jo vetëm për zbavitjen që ai dhuron me kënaqësitë estetike, nëpërmjet garave që përbëjnë thelbin e tij, duke nxjerrë në pah cilësitë më të mira trupore e të karakterit, duke tërhequr miliarda njerëz në shijimin e tyre, por edhe për faktin se herë herë ai njëjtësohet me jetët e popujve e të kombeve për t’u kthyer në një farë embleme të tyre. Ndonjëherë ai ka tejkaluar shumë kufijtë e tij të natyrshëm, duke trazuar apo ndrequr marredhëniet mes shteteve. Shëmbulli më i gjallë i kësaj dukurie mbetet “diplomacia e ping pongut” që, më 1972 , përfaqësoi shkëndijën e parë të ndryshimit të marredhënieve mes Kinës popullore dhe SHBA.
Shqipëria, në historinë e saj të shtetit të pavarur, u përpoq të hynte në rezonancë me Evropën, në fillim atë perëndimore e më pas atë lindore, sa i përket veprimtarive sportive. Kampionatet e para të futbollit u organizuan që në kohën e Mbretërisë e vazhduan edhe gjatë pushtimit italian. Në periudhën 1941 – 1944 ata ishin mbarëkombëtare. Prej tyre dolën futbollistë që luajtën me sukses në skuadrat më të njohura italiane, në një kampionat që shprehte dy herë kampionen e botës. Emrat e Riza Lushtës, Loro Boriçit, Naim Kryeziut e ndonjë tjetri janë të shënuar në regjistrat e arta të klubeve të njohura si Juventus, Lacio, Roma, Bari.
Më 1946 Shqipëria fitoi të parin e të vetmin trofe ndërkombëtar futbolli në rang përfaqësuesesh, atë të Lojrave Ballkanike. Në gjysmë shekullin socialist , megjithë talentet jo të pakta në fushat e ndryshme, Shqipëria nuk arriti të ketë një përfaqësim të suksesëshëm në veprimtaritë ndërkombëtare. Sukseset episodike të sportistëve tanë kanë hyrë në analet e traditë sonë. Kujtojmë barazimin e kombëtares së futbollit me nënkamionët e botës në dhjetor 1967, që i kushtoi “korracatës” së Helmut Shënit mos pjesëmarrjen në kampionatin evropian te vitit 1968, apo konkurimin dinjitoz të vajzave volejbolliste të Dinamos në kupën e Kamioneve të Evropës më 1980 – 1981, ashtu si arritjen në finale të kupës nga meshkujt e Dinamos në të njëjtën disiplinë më 1972.
Pas komunizmi, me lirinë e qarkullimit të njerëzve dhe ideve, rrëzoi “muret” e sistemit paraardhës, duke i dhënë mundësi shumë djemve e vajzave shqiptare të përballohen me bashkëmoshatarët e tyre të botës, duke treguar vlerat e tyre reale në të gjitha fushat. Në këtë kontekst inkuadrohet edhe prania e futbollistëve tanë në shumë skuadra t’Evropës, madje edhe ndër më të mirat e saj. Kjo dukuri ndihmoi shumë edhe krijimin e një përfaqësueseje shqiptare t’aftë për të garuar me shtetet e tjera të botës. Nëse u varfërua kampionati shqiptar me daljen jashtë të talenteve të tij, u pasurua kombëtarja, duke i dhënë mundësi skuadrës kuq e zi, të arrinte atë rezultat, i cili, në natën e Erevanit të 13 tetorit 2015, u kthye në një festë mbarëkombëtare në të gjitha nivelet. Vlerësimi i punës së kombëtares, në tërësi, qe i gjithanshëm dhe çmimet e dhëna asaj nga autoritetet më të larta shtetërore e vërtetojnë.
Ardhja e skuadrës në Rinas qe një shfaqje e përmallëshme entuziazmi të përgjithshëm dhe fjalët e kapitenit Cana në atë rast, takimi i parë me Vendin mbas kualifikimit, mendoj se përbëjnë çastin më të rëndësishëm të atij mjedisi festiv. Ai e nisi përshëndetjen e tij me një shprehje të njërit nga personalitetet shqiptare më të shquara të së shkuarës, të Mit-hat bej Frashërit që, duke përgjithësuar përvojën e hidhur historike të bashkëkombësvet, thonte : ” Shqiptarët do të fitojnë çdo luftë mbasi të kenë mbaruar betejat me veten.” Më poshtë kapiteni kuq e zi vuri në dukje se ajo skuadër djemsh të rinj kishte arritur rezultatet e njohura e të shumëpritura nga gjithë kombi në dy vjetët e fundit sepse : “Besoj që kjo kombëtare ka arritur një gjë, që në çdo lloj beteje mes vetes, xhelozie, interesi personal e kemi lënë anash.” Ai përfundoi me shprehjen : “Në evropian do të shkojmë me kokën lart, jo si Shqipëri e vogël, por pretendojmë si Shqipëri e madhe!”
Përtej retorikës dhe instrumentalizimeve që mund t’i bëhen këto ditë brënda e jashtë Shqipërisë fitores së ekipit kombëtar e deklaratae në lidhje me të, mendoj se Lorik Cana, me fjalët e tij, i ka dhënë një mesazh të qartë të gjithë shqiptarëve e, kryesisht, atyre që merren me mbarështimin e tyre, drejtuesve politikë. Ky lloj mesazhi tregon se djaloshi gjakovar nuk është thjesht një topshkelmues i mirë, por është edhe një atdhetar më i mirë. Fakti që ai zgjedh një thënie të Mit-hat Frashërit, për të nxjerrë në pah një të vërtetë të pakundërshtueshme, të pohuar prej mjaft njerëzve të shquar të kombit të tij, tregon se kapiteni kuq e zi shqetësohet për fatet e këtij të fundit. Ato fate ai nuk i sheh vetëm si dukuri të kohës apo të brezit të tij, por mundohet të thellohet edhe në të shkuarën, të gjejë rrënjët e së keqes që ka penguar për një shekull të tërë përparimin dhe mbarëvajtjen e këtij kombi. Edhe se ai apo kolegët e tij mund të jetojnë më së miri në çdo Vend t’Evropës, mundohet të japë ndihmesën e tij në shëndoshjen e plagëve të vjetra e të reja të shqiptarëve.
Kryevepra e Lorik Canës nuk është vetëm shprehja e shqetësimit për bashkatdhetarët, apo e kënaqësisë që ai, së bashku me shokët e tij, prekin me dorë për faktin që me rezultatet e punës së tyre “i kanë bërë të lumtur ata”. Kryevepra qëndron në një tjetër fakt : nga lartësia e suksesit u tregon përgjegjësvet të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të mbrapambetjes rrugën për të arritur atë, e cila është ajo e mirëqeverimit të bashkëkombësvet të tyre, që mbetet e pashkëputur nga dashuria për ta.
Kombëtarja e futbollit ngjiti shkallët e kampionatit evropian nëpërmjet vendosmërisë për të arritur qëllimin, duke vënë në dobi të këtij synimi gjithshka : mundin fizik dhe përvuajtësinë e domosdoshme për të ruajtur harmoninë e mjedisit, entuziazmin rinor dhe dashurinë për fanelën, që është simboli i kombit të tyre. Në emër të këtyre vlerave djemtë e kombëtares lanë jashtë palestrave, fushave të stërvitjes, dhomave të hoteleve apo stadiumeve të ndeshjeve vetëpëlqimet, zilitë, krenaritë, lavdërimet e merituara në klubet ku luajnë dhe vunë nën drejtimin e trainerit të vyer de Biasi të gjitha forcat e tyre. E bënë këtë edhe kur nuk ishin titullarë në formacion, edhe kur rrinin në stolin e rezervave, madje edhe në shkallët e stadiumit, të bindur se e rëndësishme nuk është paraqitja vetiake, por arritja e grupit, rendimenti i tij, rezultatet e skuadrës, pikët e fituara, por edhe imazhi që i japin botës, sepse imazhi është po aq i rëndësishëm sa edhe pikët. Kjo është disiplina e ndërgjegjëshme që ka krijuar skuadrat e mëdha të botës, është përvoja universale e vënë në shërbim të synimit për të fituar.
Shqipëria prej vitesh ka filluar ecjen e saj të ngadaltë e të mundimëshme drejt Evropës. Nëse përfundimi deri tani nuk është ai i pritëshmi, ata që kanë drejtuar këtë Vend në këtë çerek shekulli nuk kanë arritur të bëjnë një skuadër si kombëtarja e futbollit. Për ta fitorja e Shqipërisë ishte ajo e fitimit vetiak, pasurimi jo shpirtëror por ai i xhepit, mbajtja dhe ruajtja e pushtetit për të sendërtuar synimet e kastës, të partisë, të klaneve të pushtetit. Ata nuk kanë lënë jashtë derës së tyre cmirat, mëritë, shemëritë, etjet për pushtet, prirjet për të rrëmbyer gjithshka, për të fituar “kohën e humbur”, jo në përparimin e Vendit por në pasurimin e tyre, për të hyrë në garë me botën jo në respektim ligjesh të qytetëruara e merita qeverisjeje cilësore, por në skandale, në sharje, në përbaltime, në palaçollëqe, për të mos thënë në krime.
Kapiteni kuq e zi, tërthor, u thotë këtyre drejtuesvet të shtetevet shqiptare e politikavet të tyre se rezultatet nuk arrihen n’atë mënyrë, se n’Evropë nuk shkohet duke imituar e duke vënë në jetë shfaqjet më të padenja të natyrës njerëzore, se çdo vepër madhore ka në themel të saj flijimin e Rozafës, se gara për drejtimin nuk mund të jetë vetëm sharje e nxirje e kundërshtarit, se duhet patur kurajua të pranohet e mira e të luftohet e keqja, se nuk mund të fillohet nga zeroja sa herë ndërrojnë kabinetet qeveritare.
A do të dojë të kuptojë politika mesazhin e kapitenit kuq e zi ? Apo do të përpiqet t’a përvehtësojë e t’a kthejë në dobi të saj ? Apo do t’a varrosë në heshtje, së bashku me termin “Shqipëria e madhe” të cilin, me guxim t’admirueshëm kapiteni e pohoi për të nxjerrë në pah jo vetëm faktin e përbërjes së skuadrës nga gjithë krahinat shqipfolëse, por edhe idenë e përfaqësimit të kombit, si mision i saj. Projekti i sendërtimit të asaj ideje duhet të jetë nxitja e brëndëshme e brezit të kapitenit Cana, jo vetëm për të përfaqësuar më së miri kombin e tyre në fushat e futbollit të Francës në vitin e ardhshëm, por edhe për t’u bërë nismëtarë të urtë e të guximshëm të vënies në jetë të ëndrrës së madhe shqiptare.
Tetor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: E KAPITENIT, Eugen Merlika, KRYEVEPRA, Kuq e zi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT