• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SALIH MYFTIJA- SHPIRTI MËMËDHETAR I HIRËSISË SË TIJ

February 7, 2013 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/

  Si rrallë kush në histori,kombi ynë është shquar për një harmoni të mrekullueshme fetare.Ngase shekujt përplasen mbi të rrebeshe luftërash të gjata,ngase fqinjët dhe pushtuesit tanë ndër mote na u vërsulën për të na zhdukur si komb si racë e si fe,ndaj në vetëdijen tonë nacionale u ngjiz në mënyrë emblematike ideja e madhe „Pa Atdhe nuk ka Fe“.Udhëheqësit shpirtëror të çdo konfesioni fetar në trevat shqiptare,të udhëhequr nja kjo sentencë magjike,udhëhoqën gjenerata të tëra drejt altarit të madh.Atdheut.Padyshim,në vargun e madh të këtyre burrave bën dritë edhe emri,jeta dhe vepra e Hirësisë së Tij,Kryemyftiu i Shqipërisë dhe Kosovës së atëhershme,Salih Muftija.

  Lindi në qytetin e Shkodrës,në vitin e largët 1891.Shkodra e atyre viteve,ndonëse po humbiste dalëngadalë shkëlqimin e qytetit të madh të dikurshëm,ruante ende hijeshinë e shtëpive të mëdha me kopshte gjithfarësh, e dyqane mëndafshi dhe armëve e xhamive dhe kisha katolike të cilat kundruall njëra-tjetrës,ishin simbol harmonie.Në ag të shekullit të XX-të,Shkodra ruante ende dhimbjen që ndjente për ndarjen e tokave në veri të saj prej Traktatit të Shën Stefanit,me çrast trevat shqiptare iu dhuruan Malit të Zi.Ky qytet i kontrasteve të mëdha do të linte gjurmët e veta në shpirtin e pastër të Salihut të vogël. I rritur në një shtëpi ku besimi muhamedan adhurohej në shekuj,Salihu 7 vjeçar do të ndiqte një shkollë turke të qytetit në vitet 1898-1904.Prindërit shihnin tek djaloshi jo vetëm zellin  e madh për të mësuar,por edhe respektin e madh të tij për shokët dhe mësuesit.Tejet i  urtë,me një pjekuri gati të parakohshme,Salihu krahas detyrave të shkollës do t’i ndihmonte në shtëpi sadopak edhe prindërve të vet.Në vitet e para të shekullit XX,në Shkodër,ashtu si në krejt Shqipërinë,së toku me lëvizjen kombëtare për autonomi,nisën të çelen dhe të parat shkolla të gjuhës shqipe.Pamvarsisht reaksionit të egër të Portës së Lartë,që këto shkolla të mbylleshin,atdhetarët shqiptarë vijuan punën e tyre duke ngarendur të sjellin lirinë e trojeve të tyre me pushkë dhe me punë.Ndonëse nxënës në një shkollë të mesme fetare,Salih Muftiu ishte në radhët e parë të atyre që mësonin dhe përhapnin gjuhën e bukur shqipe.

Veçanërisht pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908,ku lufta midis alfabetit të shqipes u ashpërsua,Salih Myftiu mbeti kurdoherë përkrahës i flaktë i alfabetit me gërma latine,i cili do të çonte gjuhën e bukur shqipe në familjen e madhe të gjuhëve me identitete të lashta kulturore të botës së civilizuar.Kur kishte mbaruar shkollën fetare të qytetit,Salih Myftia,pos njohurive të thella të besimit islam,zotëronte edhe turqishten e vjetër(osmanishten) dhe arabishten,por gjithsesi shqipja e folur dhe e shkruar do të ishin përkujdesjet më të mëdha të djaloshit Shkodran.I paisur me virtytet e larta të moralit fetar,Salih Myftia,do të shquhej në fillim të viteve 20-të të shekullit të kaluar,jo vetëm për cilësinë e tij shpirtërore,por edhe për shqiptarizmin brenda vehtes.Trazirat ballkanike do të linin gjurmët e tyre në qytetin e Shkodrës,ndërsa atdhetari Salih Myftia kujdesej për dhimbjet në shpirtërat e bashkëqytetarëve të vet që largoheshin sa më parë.Një ngjarje e gëzueshme,do të përcillej ndër besimtarët mysliman,në pranverën e vitit 1923,ku më 24 shkurt të atij viti,në sallën e shoqërisë „Djelmnia Dibrane“ në Tiranë u mbajt Kongresi i Parë Myslimanë,i cili shënoi pamvarsinë e xhamisë shqiptare.Ndër vendimet e marra aty dhe detyrat e shtruara,ky kuvend pavarsie i besimtarëve mysliman shqiptarë,kërkonte pos të tjerave një interpretim më konkret dhe të lirshëm të besimit islam,përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe dhe ushtrimin e riteve myslimane po në atë gjuhë,duke përfshirë madje edhe ceremoninë soleme. Gjithashtu, Kongresi në fjalë kërkoi krijimin e një besimi islam civilizues,në luftë të papajtueshme me rregullat e ngurta.Madje ndër arritjet e këtij Kongresi do të ishte padyshim ideimi dhe miratimi i dokumentit bazë që realizonte shpalljen e pavarsisë së xhamisë shqiptare, nga Turqia, „Statutit të Xhema-atit Musliman Shqiptar“.Ky Statut përjashtonte dhe ndalonte çdo autoritet shpirtëror jashtë Shqipërisë,duke e paraparë ate si „kundër idealeve të nalta kombëtare“.(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë.Fondi 882, dosja nr.1, fleta 13 ).

Salih Muyftia,do të ishte ndër të parët klerikë të qytetit të vet,që nisi të përcjellë ndër besimtarët, mesazhet e Kongresit,veçanërisht në Shkodër,aty ku kultura qytetare,vinte së lashti dhe besimi islam bashkëjetonte me atë katolik,ndihej e domosdoshme që idetë e pavarsisë së xhamisë,të përcilleshin me frymë kombëtare,me tolerancë e sidomos me kulturë  të pasur shqiptare.

Salih Myftia në këto vite do të merrte pjesë në mjaft rite në gjuhën shqipe.Ai do të përkthente pjesë të ndryshme të Kur’anit,do t’i shqipëronte ato,do t’ua spjegonte besimtarëve musliman,pa harruar  të ndriçojë edhe dashurinë për atdheun.Në fund të viteve 20-të,të shekullit të kaluar,me vendim të posaçëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit,Salih Myftia do të emërohej Myfti i Shkodrës dhe Kosovës

Për vite me radhë duke qëndruar në këtë funksion kaq të lartë shpirtëror,Hirësija e tij  Salih Myftia u shndrrua në një shenjtë të shqiptarizmës,jo vetëm Shkodra,Gjakova e Prizëreni por deri në Prishtinë e Preshevë,Drenicë e Pollog,Kumanovë e Manastir,zëri i tij i ngrohtë ai zë që përhapte gëzim e shpresë hyri vatër më vatër e zemër më zemër shqiptari.Kudo ku shkeli këmba e tij dyert u çelën dhe besimtarët e rrethuan me dashurinë e të birit për atin.Fjala e tij e hijshme,kultura e thellë poliedrike,toleranca e mahnitshme,ishte arma më e mirë që besimtarët Islam të Kosovës,u jepnin udhëheqësve mjeran të kishës ortodokse serbe,të cilët askurrë nuk rreshtën së propaganduari për kinse islamin aziatik të shqiptarëve.Kjo ripërtëritje e besimit tek shqiptarët,në dimensione të reja,do të bënte që shumë diplomatë të Evropës të habiteshin,me kte kulturë fetare e njerzore,madje shkrimtari i madh frances De Myse do të shkruante „Në Shqipëri është vendosur që kleri të shkëputet përfundimisht nga autoriteti hierarkik të Stambollit“.Ndërsa e përditshmja „Temps“ e Parisit duke folur mbi reformat me fytyrë evropiane të xhamisë shqiptare,përfundonte se „këto masa kanë bërë përshtypje të madhe në tërë botën Muhamedane“.

Prilli i zi i shqiptarëve,do të trondiste padyshim edhe shpirtin e ndjeshëm të Hirësisë së Tij,Salih Myftia.Ndërsa djelmnia Shkodrane po armatosej për t’a pritur okupatorin me luftë,ky prijës shpirtëror,nuk mund të kryente rite fetare brenda katër mureve të xhamisë.Me Kur’anin në duar,me atë zërin kumbues,me sytë që bënin dritë në qiellin plotë re të Shkodrës,ai do të shkonte pozicion në pozicion,do të bekonte lutëtarët do t’u kujtonte atyre sentencën proverbiale shqiptare se „Pa Atdhe ska Fe“ dhe do tju kujtonte nderin që kanë Sheitët për Vatanin.Ka qenë kjo arsyeja që vetëm dy muaj pasi italianët pushtuan Shkodrën,komanda ushtarake thërret në zyrën e vet Hirësinë e Tij   Fashistët duke pasur informata të shumta rreth veprimtarisë së tij atdhetare,kërkojnë që ky vullnetarisht të tërhiqet,duke u lutur i qetë në ndonjë xhami të vetmuar fshati.Por Hirësija e Tij,Salih Myftia,me fuqinë  e fjalës dhe guximin e lartë ka replikuar me pushtuesit e vatanit.Pos kësaj së toku me djalin e tij,komanda italiane e internoi Salih Myftinë në Gjirokastër.Gati 14 muaj që Hirësija e Tij qëndron në Gjirokastër nuk iu tremb aspak kërcënimeve të pushtuesit italian.Edhe pse nën survejimin e forcave pushtuese,nën preteksin e riteve fetare,ai do të grumbullonte rreth vehtes dhjetra dhe qindra djem të rinj nga Gjirokastra,Tepelena,Vlora e Delvina,duke folur atyre të hidhnin armët krahut,t’i dilnin zot vatanit si gjëja më e shenjtë e njerzimit.Ende sot në qytetin e Gjirokastrës të moshuar mbajnë mend,se Salih Myftia do të rrinte sidomos në shoqërinë e atdhetarit të shquar Dervish Rexhebit,në teqenë e Zallit.Rreth këtyre dy njerëzve të Perëndisë,netëve të gjata të viteve 1939-1940 do të mblidheshin ajka e nacionalsitëve të jugut,ata që më pas,do të luftonin trimërisht kundër italianëve,gjermanëve dhe komunistëve të Tiranës e Beogradit.

Në shtatorin e vitit 1940,Hirësija e Tij,Salih Myftia,me gjithë të birin Fuatin kthehen në Shkodër.Në ditët e para të kthimit Hirësija  i myslimanëve të Shkodrës dhe Kosovës,thirret sërisht në zyrat e kuestrës italiane dhe këshillohet që në ceremonitë muhamedane (faljen e Xhumasë) së paku të mos flitet për Italinë.Me urtësinë karakteristike,Imam Salih Myftia iu përgjigj oficerëve italianë se ai do t’u flasë bashkëkombasve të vet,vetëm për Shqipërinë,ç’ka linte të nënkuptohej se nuk mund të rreshtëte së luftuari për lirinë e vatanit.Tanimë,ky at shpirtëror,do të mblidhte netëve të vona në shtëpinë e vet,në Shkodër, burra të tillë si Jup Kazazi,Faik Quku,Lec Kurti,Zef Pali,At Gjergj Fishta etj.Ajo shtëpi do të kthehej në fole të shqiptarizmës edhe për faktin tjetër se aty do të bujtin dhjetra trima nacionalistë të Kosovës,të cilët duke marrë shpresë nga ati i tyre,ngarendnin për të mbrojtur kufijtë etnike,në radhët e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare.

Në vitet 1942-1943,atëherë kur lufta kundër okupatorit kërkonte në krye një shtab të sprovuar politikisht dhe luftarak,veçanërisht në kushtet kur Marveshja e Mukjes u tradhëtua,Hirësija e Tij,Salih Myftia,ashtu si kundër me dhjetra atdhetarë shqiptarë,u përpoq me çdo mjet e mënyrë për kthimin në Shqipëri të Mbretit të shqiptarëve,Ahmet Zogu.Ai ishte i ndërgjegjshëm se vetëm një personalitet politik dhe atdhetar si Ahmet Zogu,mund ta nxirrte varkën e Shqipërisë nga stuhitë e Luftës së Dytë Botërore dhe për më tej,mund të luftonte komunizmin deri në fund.“Një nga punët më me vlerë që ka ndërmarrë hirësija e tij,është themelimi i „Besës Shqiptare“,organizatë kjo kombëtare me një aktivitet politik për rikthimin e Monarkisë në Shqipëri.Bashkëpuntorët e Hirësisë së Tij në këtë veprimtari kanë qenë figura të shumta të nderuara dhe të repsektuara në Shkodër dhe në Shqipëri si : Ndue Coba,ish kryetari i bashkisë së qytetit,vëllezërit Gera,Shefqet Muka,Kol Kiri,Hajdar Rusi,Rasim Boksi,Et’hem Rama,Llesh Marashi,Gjelosh Luli,Ragip Lohja etj.Kjo organizatë kishte dhe organin e vet kulturor politik „Jehona e Rinisë“ ku kanë kontribuar mjaft të rinj shkodranë si Ibrahim Sokoli,Fadil Podgorica etj“(Gazeta“Drita Islame“Shkodër janar 1995

Sidoqoftë në vjeshtën e vitit 1944,rrjedhat e fuqishme të Luftës së Dytë Botërore po përcaktonin në mënyrë fatale „fituesit“ dhe të „mundurit“.Shqipëria sipas klikës komuniste hynte në vendin e „fitimtarëve“ kinse pati shporur okupatorin,por mbulonte krimin e vëllavrasjes.Por një okupator ende më i urryer,ende më i pabesë,një okupator që ndante në dysh shqiptarët për t’i ndërsyer kundër njëri tjetrit,po hidhte rrënjë në tokën arbërore.Komunizmi,ajo murtajë e kuqe ardhur prej stepave ruse pati filluar sulmin e parë të tij,të përgjakshëm ndaj nacionalizmit të ndershëm shqiptar.

Të grumbulluar në Veri të Shqipërisë,prijësat e nacionalizmit shqiptar,për ditë e më shumë,po përballeshin me vëllavrasjen komuniste.Të mbledhur në shtëpinë e madhe të Hirësisë së Tij,Salih Muftia,burrat e kombit si : Mid’hat Frashëri,Ali Këlcyra,Dervish Rexhepi,Hasan Dosti,Gjon Marka Gjoni,Zef Pali,Vasil Andoni etj,menduan që të shmangnin sa më shumë vëllavrasjen duke mërguar  nga atdheu që i lindi dhe i rriti.Kështu së bashku me djalin e madh të tij,Fuatin, Myftiu i Shkodrës dhe i viseve të Kosovës së bashku me dhjetra e dhjetra nacionalistë të tjerë,në natën e ftohtë të 17 nëndorit,marrin udhën e mërgimit.Fillonte në këtë mënyrë një jetë e re për ajkën e nacionalizmit shqiptar.Fillimisht ata u vendosen në disa gazerma ushtarake,pothuajse në internim të plotë, megjithatë përballë lajmeve ogurzeza që vinin nga Shqipëria,matan detit burrat e mëdhenj nuk u ligështuan.Ata e patën vendosur të largohen prej atdheut,për të vazhduar luftën pa kompromis kundër komunizmit.Në kujtimet e tij nacionalisti i shquar Baba Rexhepi,(asaj kohe dervish Rexhepi),do të shkruante : „Në ditën e 28 nëndorit 1944,pa rënë akoma dita,ndjej disa të trokitura në penxhere,çohem dhe shoh Sailh Myftinë.I hap derën e odës dhe nis t’i bëj kafe.Më thotë „çdo t’u themi djemve sot dërvish ?“ Unë iu përgjigja „Zotëria juaj e di më mirë !””Jo,jo,më tha,për flamurin dimë të gjith ne të flasim,por unë fola me Mid‘hat Beun dhe ai donte që ne të dy të përshëndesim sot se dita e flamurit është e shenjtë“.Ramë dakord të përshëndesim të dy.Më kujtohet se pak fjalë tha Zotërija e tij,Salih Myftija.“Kemi dy vëllezëri,tha ai,fetare dhe kombëtare.Të dyja këto nuk janë krijuar për të na ndarë,përkundrazi për të na bashkuar.Lum kush i shërben këtij bashkimi,Zoti e do dhe e bekon atë njeri“.

Dalë nga dalë vështirësitë e para nëpër kampet e Italisë po kaloheshin.Organizatat ndërkombëtare për refugjatët,me veprimtarinë e tyre,parapanë edhe sistemin e emigrantëve politikë shqiptarë.Dhe ndërsa bota e qytetëruar kërkonte rregullimin e jetës normale të tyre,regjimi komunist i E.Hoxhës,modeli më i urryer i regjimit stalinist,nuk linte gur pa lëvizur,të kthente në Shqipëri ajkën e nacionalizmit,ose siç i kishte etiketuar ai „kriminelët e luftës“.Nuk mjaftoi dënimi në mungesë që iu dha këtyre burrave po bënte çfar ishte e mundur nëpërmjet sugurimit famkeq dhe Oznës jugosllave,për t’i sjellë në Shqipëri këta patriotë dhe për t’u dhënë dënimin fizik.Në një listë që regjimi i Tiranës,i ka dërguar Romës më 1946 për ekstardimin e „kriminelëve të luftës“,midis emrave të Mid’hat Frashërit,Ali Bej Këlcyrës,Vasil Andonit,Gjon Marka Gjonit,Mehdi Frashërit,Kol Mirakajt,Abaz Kupit etj,është dhe emri i nderuar i Salih Muftiut.Por forcat me të vërtetë demokratike,brenda qeverisë italiane,nuk lejuan një veprim të tillë,i cili binte ndesh me Kartën për të Drejtat e Njeriut,ata e dinin fort mirë se i vetmi „krim“ i atdhetarëve shqiptarë ishte se i patën shpallur luftë komunizmit.I ftuar personalisht nga Mbreti Zog,Hirësia e Tij,Salih Mytia,në krye të delegacionit të nacionalistëve shqiptarë,i drejtohet në vitin 1947,Egjiptit.

Ai pritet me nderime nga mbreti i shqiptarëve por edhe prej personaliteteve të larta të botës arabe.Erudicioni mahnitës i burrit të Shkodrës,njohja e disa gjuhëve nga ana e tij dhe sidomos çiltërsia me të cilën hynte në bisedë,e rritën dukshëm personalitetin e Salih Myftisë.Për vite me radhë ai i përkushtohet veprimtarisë fetare atje,duke u shêndruar në një udhëheqës shpirtëror jo vetëm për shqiptarët e Egjiptit,por edhe për mijëra besimtarë të tjerë mysliman,që admironin bukurinë dhe forcën e fjalës së tij.Tani mosha e tij po thyhej dhe Salih Myftia,ndjente të kishte kurdoherë në krah,birin e tij Fuatin,i cili duke ecur në gjurmë të ndershmërisë  të jatit,po formonte dita-ditës personalitetin e vet.

Ka qenë 8 korriku i vitit 1965 kur Hirësia e Tij Salih Myftia largohet nga Egjipti dhe së toku me birin e vet Fuatin marrin vaporin „Queen Mary Ann“ për në Amerikë.Një korrespondencë disa vjeçare me nacionalistët shqiptarë në SHBA e kanë detyruar udhëheqësin shpirtëror 74 vjeçar,të marrë udhë për atje me qëllim të çojë në shtëpitë shqiptare atje fjalën e Zotit,ndër gjenerata të tëra emigrantësh.Me ndihmën e drejpërdrejt të tij me forcën e mendimit dhe të fjalës ndërton brenda një periudhe të shkurtër kohore qendra islame në Nju Jork dhe Nju Xhersi.Ndërkohë që ai lartësonte tempullin e besimit islam në SHBA,në atdheun e vet në Shqipëri,komunizmi i pa fe,po rrëzonte tok me veprat fetare të kultit dhe vetë besimin tek Zoti,ndër shqiptarët e mjerë të  shpërfytyruar prej varfërisë shpirtërore dhe asaj lëndore.Gjatë kohës që Hirësia e Tij,Salih Myftia,po ngrinte këto dy qendra,si dhe xhaminë e Nju Jorkut,marimangat e tradhëtisë komuniste bënë çështë e mundur të sabotonin.Por pamvarsisht prej moshës,Salih Muftia,vazhdoi punën plot pasion,i rrethuar kurdoherë nga dashuria që ushqenin për të besimtarët prej Shkodre,Lume,Dibre,Vlore, Kosovës,Maqedonisë Shqiptare e më gjërë nga gjitha trojet etnike shqiptare.Përpara se të ishin qendra të edukimit fetar,ato qendra në SHBA u kthyen në fole të shqiptarizmës,në një informacion që i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë,në vitin 1965,lidhur me Sali Muftinë pos të tjerave shkruan se ; „Bën propagandë të hapur kundër partisë dhe shtetit tonë“.(Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.Dosja e Salih Myftisë,dok 147 ).

Por pamvarsisht prej këtyre rrjeteve të marimangave  komuniste,Hirësija e Tij,ndonëse me dhembjen e madhe në gji,për persekucionin mesjetar në shqipëri (familja e tij jetonte kalvarin e kampeve të punës) ai do të vazhdonte të denonconte masakrën komuniste,madje do t’i lutej Zotit që ajo të përfundonte sa më parë.I edukuar me tolerancë mahnitëse fetare,Hirësia e Tij,Salih Myftiu,do të thirrej shpesh në ceremoni edhe të kishës ortodokse apo katolike shqiptare.Në çdo rast,në çdo fjalë të shprehur,ai do të përcillte mesazhin e bashkëpunimit,e vëlaznisë shqiptare.Në vitin 1972,në bashkëpunim me Imam Isa Hoxhën,Hirësia e Tij,Salih Myftia,mundi të hapë klasën e parë të shkollës fetare.Ndonëse i shkuar në moshë,ai do të jepte vetë orët e para të mësimit,duke i lumturuar nxënësit muhamedanë me flakën e shpirtit dhe të fjalëve.

Më 19 maj 1978,kur kishte 87 vjet moshe,Hirësija e Tij,Salih Myftia,ndahet përgjithmonë nga bota lëndore.Pas kësaj shpirti,fjala dhe vepra e tij bëhen pronë e të gjithë besimtarëve sepse një shpirt mëmëdhetar,në mënyrë krejt vetëdijshme,u përket të gjithë bashkëkombasve.

Bern-Zvicër

Filed Under: Kulture Tagged With: Eugen Shehu, Salih Myftia, shpirti memedhetar

KONGRESI I LUSHNJËS, FLATRA E NACIONALIZMIT SHQIPTAR

January 21, 2013 by dgreca

Nga Eugen Shehu/

  Viti 1919 do të ishte në Shqipëri përmes gjëmimeve të afërta të luftës,ç’ekuilibret politike të Ballkanit i ngjanin një tërmeti në shpërthim ku padyshim trojet shqiptare do të ishin epiqendra e tij.Për sa kohë do të zgjaste ky tërmet dhe çfarë dëmesh mund të pësonin popujt ballkanik kjo natyrisht vendosej diku gjetkë në Evropë.Dhe aspak në qendrat shkencore të sizmiografisë por përkundër,në tavolinat e strategëve ushtarakë.

  Kish mbaruar lufta e parë botërore dhe nëpër kancelaritë e Evropës,çështja shqiptare natyrshëm kërkonte një zgjidhje.Italianët e ulur këmbëkryq në Vlorë dhe rrethet e saja,mendonin të vendosin protektorat të drejtëpërsëdrejtë dhe për këtë u duhej një qeveri kukull.Kohë më parë,kishte qenë Sonino,ministri i jashtëm italian i cili pat urdhëruar që të formohej një qeveri shqiptare por : „… me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe hinterlaudit të saj „.(I dokumenti diplomatik  italiani – Seria VI-volumi I,dokumenti 402 ).

Kësisoj u përgadit dhe u thirr Kongresi i Durrësit prej nga edhe doli qeveria e tij.Për hir të së vërtetës duhet thënë se kjo qeveri jo vetëm nuk u kujtua për hallet e popullit aq të mëdha në ato kohëra,por përkundrazi,ajo u kthye në një vegël të verbër në duart e pushtuesve italianë. Marrëveshjet e firmuara nga kjo qeveri me atë italiane ishin koncensusi dhe të hapura që  i bëheshin pushtimit të mëtejshëm italian. Dokumenta të tëra flasin për atë fakt makabër sipas të cilit vendosja e protektoratit italian ishte ndër prioritetet e qeverisë së Durrësit.Po,ishin pikërisht antarët e këtij kabineti që urdhëronin me anë të një telegrami,të gjitha organet vartëse,për të bërë ç’ishte e mundur që të përkujtohej 3 qershori i vitit 1917,ditë e cila sipas administratës italiane ishte shpallja e pavarsisë së shqiptarëve.Hidhej baltë kësisoj mbi përpjekjet titanike të popullit tonë për shpalljen e pavarsisë në nëntorin e vitit 1912.Përdhoseshin rrëkejtë e gjakut të derdhur,mohohej një epope e ndritur.Gjithësesi populli ynë asnjëherë nuk u pajtua me morri të tilla.“Dita e indipendencës së Shqipërisë është me 28 të vjeshtës së tretë“ – thuhej në një letër përgjigjeje të bashkisë  së  Elbasanit, e cila  e shikonte „ të panevojshme festëtimin popullarisht të çdo dite tjetër si ditë shpalljeje të vetëqeverimit shqiptar.” Edhe në rrafshin diplomatik ndërkombëtar,qeveria e Durrësit bëri gabime të mëdha.Ajo kurdoherë nuk dorëzoi qëndrimet aneksioniste italiane por u përpoq të zbuste protestat e popullit ndaj synimeve italiane.Vlen të përmendet këtu fakti që edhe delegacioni i qeverisë së Durrësit që vajti në Konferencën e Paqës në Paris,megjithëse foli shumë për kufijtë etnike,nuk tha asnjë fjalë për Italinë që po ashtu si fqinjët tanë të tjerë ishte gati të coptonte trojet shqiptare.

Parë në këtë kand,mund të themi se ka qenë e domosdoshme një zgjidhje tjetër politike.Rrethet përparimtare të djelmërisë shqiptare bërë gjithashtu të njohur marrëveshjes Titani-Venizellos e 29 korrikut 1919. Cetat e nacionalistëve në jug të Shqipërisë po përballeshin me sulme të mëdha të forcave të Zogratos. Korça e Gjirokastra,kishin muaj të tërë që kalonin nëpër  sulme e beteja ku nacionalistët me zjarrin kurdoherë ndezur të patriotizmës ndalnin ofensivat greke duke i falur atdheut dhe jetët e shtrenjta. Azem Bejta dhe H.Budakova,shkruanin në po këtë kohë epopenë e përgjakur të Kosovës në luftë me armikun shekullorë,serbinë.Malet e Dibrës,ujërat e Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë,ishin të mbushura me shungullimën e plumbave dhe të thirrjeve për liri të Elez Isufit dhe Isuf Xhelilit.

Po në këtë ditë, gazeta „POPULLI“ do të shkruante ; „Të gjithë të pasur,klerikë,intelektualë,patriotë, fshatarë e qytetarë,gra e vajza,kabnë detyrë me ju ka gati njasaj dite ku fati i Shqipërisë vjen dhe i mbështetet burrnisë dhe fisnikërisë së bijve e bijave të saj,për t’i tregue botës se duem me jetue, jena të zot me jetue e meriotojmë me jetue ne vedi“ (Gazeta „Populli“nr 31 datë 15,tetor 1919,artikulli „Dje dhe sot“).

  Në përgaditjen e Kongresit të Lushnjës,një rol parësorë natyrisht që ka luajtur edhe Komiteti „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“. I themeluar në 7 nëntorë 1918 në Shkodër,i drejtuar prej burit trim Hoxha Kadri Prishtina,ky Komitet prej kohësh kish demaskuar qëndrimet servile proitaliane të qeverisë së Durrësit si dhe kish bërë thirrje të hapura për një kuvend kombëtar që do të mund të rrëzonte qeverinë tradhëtare. Kryesia e këtij komiteti ishte ndër të parat që denoncoi urdhërin e ardhur prej Durrësi që në çdo institucion shtetëror të vendosej një komision politik italian.Sipas kësaj kryesie ky urdhër cënonte haptas dhe drejtëpërsëdrejti indipendencën kombëtare politike të Shqipërisë.Ndër të tjera,në këtë protestë publike thuhej se „këtë politikë antishqiptare të Italisë,atdhetarët e vërtetë nuk mund ta përkrahin pa tradhëtuar atdheun e tyre“.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi i Kosovës,Dokumenti 708.800 datë 14.12.1919).

Delegatët e Komitetit „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“,i dënon dhe aprovuan një sërë kërkesash gati ultimative që do të bëheshin që në seancën e parë të Kongresit më 21 janar 1921 të cilat kishin të bënin me rrezikun e qeverisë të Durrësit ku përpos të tjerave dy ishin akuzat më të rënda : Nuk ishte mbrojtur çështja e Kosovës dhe krejt trojeve shqiptare – si  edhe nuk ishte vënë në dijeni populli për asnjë veprim apo traktat të lidhur në kurriz të tij.Kësisoj në ditët e para të janarit të vitit 1921,megjithë pengimet e mëdha të pushtuesve Italianë si dhe veglave të tyre të verbëra,me gjithë përpjekjet e forcave esadiste për të trembur popullin,nga shumica e prefekturave,populli kish zgjedhur me votën e tij të lirë përfaqsuesit e vet,nacionalistët dhe atdhetarët e ndershëm të cilët shkonin në Lushnje,jo për të marrë kolltuqe por për të hedhur mbi supe një barrë të madhe,me peshë historike; të ruheshin kufijtë arbnorë,të luftohej për kufijtë etnike,për demokraci e shtet shqiptar të pavarur. Midis peripecive të panumërta,delegatët nga krejt Shqipëria udhëtuan në fund janarin e vitit 1920 drejt qytetit të Lushnjës.Orvatjet e qeverisë dhe forcave ushtarake italiane nuk i penguan kongresistët patriotë të çelin seancën e parë të Kongresit më 21 janar duke deklaruar së parri rrëzimin e qeverisë së Durrësit, e cila prej kohësh pat tradhëtuar interesat kombëtare. Forca vullnetare popullore nga Elbasani,Durrësi,Peqini,Berati,Muzeqeja dhe Vlora,bashkuan armët duke vënë në mbrojtje të Qytetit të Lushnjës dhe Kongresit.Ata pritën me entuziazëm ashtu sikundër i gjithë populli thirjen e Komiteti kombëtar të Kosovës se … „Shqiptarët janë gati me ba çdo lloj sakrifice,madje me derdhë pikën e fundit të gjakut të tyne,kundër çdo veprimi që mund të vinte në rrezik pavarësinë e Shqipërisë e të tanësisë së saj tokësore „.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi i Kosovës,dokumenti 708786).

Një vendim historik që pasoi ditët e këtij Kongresi ishte pikërisht edhe ai që hodhi poshtë planin e Konferencës së Paqës për vendosjen e Shqipërisë nën mandatin e një fuqie të huaj. Ky vendim iu bë i ditur menjëherë komandantit të përgjithshëm të trupave italiane në Shqipëri prej kryetarit të Kongresit Aqif Pashë Elbasanit. Delegatët gjithashtu u shprehën njëzëri për luftën e vazhdueshme për trojet etnike shqiptare.Kabineti i sapozgjedhur kryesohej prej Sulejman Delvinës.Përpos të tjerave,në këtë kabinet bënin pjesë Aqif Pashë Elbasani,Sotir Peci,Eshref Frashëri,Hoxhë Kadriu,ndërsa përfaqsues të tyre në Paris u zgjodhën ;Konica,Turtulli dhe Bumçi.

Jehona e Kongresit të Lushnjës u ndie në krejt trevat shqiptare.Mori tjetër hov lëvizja për indipendencë,pasi populli e ndjeu së thelli se qeveria do të mbronte tërësisht interesat kombëtare. Atdhetarët shqiptarë,në shkrimet e shumta të botuara,sidomos në  gazetat „Populli“,“Albania“,“Drita“ dhe „Shqipëria e Re“,vlersuan jo vetëm vendimet e mëdha të dala nga ky kongres,por edhe momentin e madh historik të shpalljes së tyre.Në hapësirat e krejt trevave shqiptare rilindën shpresat e mëdha. Në një manifestim në përkrahje të Kongresit që bëri populli i Gjirokastrës thirrja ushtoi fort në fjalët ; „Vëllezër shqiptarë ! Që kur u formua qeveria e Shqipërisë në Kongresin e Lushnjës,që kur u deklarua independenca e plotë e Shqipërisë dhe u vu në veprim,qeveria Italiane e kuptoi gjallë që jo vetëm nuk mundi të përdorë Shqipërinë si për pazarllëk midis shteteve ballkanike,po edhe Vlora e baza morale e saj humbi për të … shqiptarët pas veprave,pas punerave që shohin,gjykojnë dhe protestojnë rreptësisht.Zëri i tyre,në e lëntë shtetrrethimi i gjeneral Piaçentinit,do të arrijë mbase në vesh të popullit italian.(Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci,1917-1941.Tiranë,botimi i Arkivit Qendror të Shtetit 1959 faqe 32 ).

Kongresi i Lushnjës,vendosi gjithashtu që kryeqyteti i Shqipërisë të jetë Tirana.populli i Tiranës e priti me ovacion këtë vendim dhe rrëmbeu armët duke siguruar rrugën e ardhjes së qeverisë kombëtare.Ishin me dhjetra oficerë të xhandarmërisë shqiptare që nuk iu bindën urdhërave të eprorëve por u bashkuan me popullin duke paraparë tek ky kabinet prijësin drejt të  armes së tyre të lirë e të pavarur.

Kësisoj,Kongresi i Lushnjës,ky akt i kadh kombëtar,i shëmbëllen një agimi të ri që hodhi dritë paprerë mbi situatën dramatike në Shqipërinë e asaj kohe.Përpos një akti të madh ajo mbeti edhe një vizion modern i së nesërmes shqiptare.

 

SHTOJCË DOKUMENTASH TË ARKIVIT LIDHUR ME KONGRESIN E LUSHNJËS

 

– Në prag të Kongresit të Lushnjës,Hysen Zhyra i dërgon Bedri Pejanit kopjen e besës së lidhur ndërmjet shtatë bajraqeve të Pukës më 15-11-1919,ku ndër të tjera theksohet :

1 – Sikur  tërë populli,edhe ne kemi lidhur besë dhe nëse paraqitet nevoja kemi me derdh gjakun për atdhe.

2 – Vrasja me qëllim me marr gjak ashtë ndaluar,e nëse ndesh,shtëpia e gjaksorit digjet dhe bagëtia dhe malli i merret.

3 – Nëse ndokush sjell ndonjë vendim tjetër ne nuk  do ta përfillim.

4 – Me vjedh ose me fyer dikend  morralisht asht e ndalueme

5 – Ai që nuk hyn në këtë besë me tërë familjen do të dërgohet jashtë shtatë bajraqeve në një vend që do t’ia cakton qeveria.

6 – Kjo besë zgjat deri në Shen Gjergj”

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 846 , dosja nr 3 , dokumenti nr.703 / 211 ) .

“Prej çdo ane vinin kërkesa për një kongres,por kabineti i Durrësit e italianët bënin ç’është e mundur të pengonin,se Komiteti Kombëtar i Kosovës përpiqej të nxirte leje nga francezët që kongresi të mblidhej në Shkodër,por ata nuk e lejuan”.

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi Hoxha Kadriu – fleta e kujtimeve , faqe 42-42 ) .

Ishte bërë e qartë se shpëtimi i Shqipërisë mund të bëhej vetëm po të kishte një qeveri kombëtare që të përfaqsonte interesat e popullit në luftë për liri dhe pavarsi.Këtë qeveri ajo nuk e kishte.Një qeveri e tillë mund të formohej vetëm nga një mbledhje e re kombëtare.Ideja e thirrjes së kongresit kishte pushtuar mendjen e njerëzve patriotë gjatë gjithë muajve të fundit të vitit 1919,por akoma nuk qe kristalizuar mendimi unik për të dalë me një thirrje nga një qendër e vetme siç ndodhi më vonë në Lushnjë.Masat organizative për mbledhjen e kongresit në fillim qenë të dobëta.Në këtë drejtim do të ketë ndikuar edhe fakti se kishte akoma elementë brenda dhe sidomos jashtë vendit,të cilët megjithëse ishin kundër Qeverisë së Durrësit, e konsideronin “Vetvrasje” rrëzimin e saj.Elementë patriotë,të mbledhur në Lushnjë,pas diskutimesh më 31 dhjetor 1919 vendosën të thirrej një kongres.Në vendimin përkatës thuhet ; “Tue parë se në këtë kohë në konferencën e paqës do të caktohet fati i atdheut tonë,nga ana tjetër duhet parë se turbullirat e brendshme dhe paqetësia në vend janë të dëmshme për të ardhmen e Shqipërisë e në dobi të synimeve lakmitare të fqinjëve,të gjithë krahinat e Shqipërisë çfaqin dëshirën e plotë për një mbledhje kombëtare të përgjithshme edhe në vendin e mbledhjes kanë pëlqyer Lushnjën,që ndodhet në kufitë e Shqipërisë së Veriut e të Jugës.Lushnja me gjitha krahinat e saja është antare e plotë e kësaj mbledhjeje”.

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi “Konferenca e Paqës “ dokumenti  51110, datë 31-XII 1919 ) .

Thirja për një Kongres të ri u prit me entuziazëm nga populli shqiptar.Aty ku qenë mundësitë,zgjedhjet e delegatëve u bënë me solemitet dhe u përcuall për në Lushnjë po me të njejtën mënyrë.Në përgjigje që bënte katundaria e Tiranës katundarisë së Lushnjës, p.sh. thuhet ;

“Nisjen patriotike për të mbajtur në qytetin e zotërisë suaj një kongres kombëtar populli i Tiranës i madh e i vogël e priti me gëzim të madh dhe iu falet nderës”.

( Arkivi Qendror i Shtetit, fondi Konferenca e Paqës, dokumenti 51131, data 12-I-1919) Përgjigje e katundarisë së Tiranës thirrjes së Lushnjës për të zgjedhur delegatë .( Ne Foto: Qeveria e Lushnjës parakalon para popullit)

Bern-Zvicër, Janar 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Flatra Kombetare, Kongresi i Lushnjes

RIKTHIM TEK ILIRIDA

December 27, 2012 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/

Iluzionistë të shquar të Evropës Juglindore vazhdojnë akoma edhe sot, t`u besojnë përrallave të artikuluara  nëpër kishat e Shkupit (apo të tjera në IRJM) kinse shqiptarët e sllavomaqedonasit, falë udhëheqësive “moderne” por edhe pranisë së faktorit ndërkombëtar do të mund të ulin kokat dhe brehen nën një pendë, me çrast do të begatojnë të ardhmen e tyre. Për këta iluzionistë, si edhe të tjerë politolog perëndimorë, shkarazi sigurisht  ka kaluar faktin që ndërsa paria e Shkupit firmoste marrëveshjen kornizë të Ohrit, me qindra të krishterë sllavomaqedonas, parakalonin në rrugët e këtij qyteti duke i sharë dhe quajtur tradhëtarë krejt kastën politike sllavomaqedonase,dhe duke kërkuar dhoma gazi për Shqiptarët. Ky fakt, i mbetur ende sot në periferinë e kujtesës së kozmopoliteve modernë,  në të vërtetë pati efekte të mëdha. Shumë prej pikave të kornizës “çudibërëse” jo vetëm që nuk u sendërtuan në realitetin e ndezur të IRMJ, por përkundrazi po shërbejnë ende sot si gurët e Sizifit, të pamundur të ngjiten në majë. Miti i lashtë grek është shndrruar në një realitet në Maqedoni.

Nëse kjo çështje do të ishte vetëm hamendësim i iluzionistëve, nëse konseguencave të rrjedhura prej çoroditjeve gjithfarësh, do t`u bashkangjiteshin planetëve të tjerë, natyrisht shqetësimi i banorëve të Maqedonisë Shqiptare nuk do të ishte aq i madh. Por kur ende në mijëvjeçarin e ri atij i mohohen të drejtat më elementare, atëherë kur shtypet e dhunohet barbarisht sipas skenarëve serbë të shekullit të kaluar, kur merr aratinë për ti shpëtuar proceseve të montuara, atëherë realiteti i egër shndrrohet në shuplakë të rëndë për nderin dhe krenarinë e shqiptarit. Së këndejmi shqiptarët etnik në Maqedoni ata që burrërisht jetuan mes sakrificash sublime në tokën e gjysh-stërgjyshërve të tyre, do të përpiqen sigurisht të gjejnë një rrugë, një zgjidhje, një model së paku për egzistimin fizik të tyre e mandje ngarendjen drejt qytetarimit evropain. Në këtë rrafsh shumë prej tyre, kërkojnë ( të dënuar prej luftrash shekullore) rikthim tek Ilirida.

Studiues dhe arkeologë të huaj (midis tyre dhe sllavë sidomos, Sanev apo Kitanovski) nuk kanë menduar të fshihnin faktin që duke filluar nga mijëvjeçarët e parë (para erës sonë) ilirët banonin tërë pjesën perëndimore të Ballkanit duke pasur si kufi natyrorë në perëndim detin Adriatik ndërsa në lindje lumenjtë Morava dhe Vardar. Tiparet iliro-dardane të gjetjeve të ndryshme arkeologjike në vende si : Kumanovë, Shkup, Veles, Prilep, Krushevë ( pa përmendur objekte të shumtë të zbuluar në Tetovë, Kërçovë, Gostivarë, Dibër, Strugë, Ohër dhe Manastir) dëshmojnë pranin e një qytetërimi të lashtë ilirjan. Sipas Katiçiçit, në trevat midis Sharrit, Nishit dhe Shtipit u ngjiz shqipja ose “forma moderne e ilirishtes”. Kjo pjesë e Dardanisë së asaj periudhe, s`është veç Shkupi i sotëm. Ndërsa njohës të tjerë të traditës dhe historisë së popullit tonë, përkrahës të mendimit se shqiptarët quhen sipas emrit të shpendit simbol, shqiponjës, nuk e kanë kundërshtuan dhe idenë se etimologjia mund të jetë përcjellë në Shkup-Shkuptar -shqiptar.  Të këtij mendimi janë madje Durham, Niliams, Bajron Gibers etj.

Ç`prej lashtësie në këto treva ka rrjedhur edhe një lumë, i cili lagte brigjet e tri Mbretërive Ilirie: Dardanëve, Peonëve dhe Enkelejve dhe që quhej Ilirida. Ndonëse mbi këto trevave të qarkuara prej Iliridës lanë gjyrmët e tyre shkatërronëse perandoritë njëra pas tjetrës, ndonëse elementi etnik iliro –shqiptar kaloi përmes fazash të rrezikshme kulmore për asimilim, historia e ngatërruar ballkanike nuk mundi asesi të fshinte këtë komb mijëravjeçar nga trualli i vet autokton. Ndërkaq po kjo histori nuk ka munguar të ashivojnë analet e saj, një varg luftrash të banorëve të Iliridës sa herë që atyre maleve dhe grykave frynë erërat e luftrave kolonizuese.

Të dhënat arkivore (sidomos ato të Portës së Lartë) na bëjnë me dije se popullata e trevave të qarkuar nga Ilirida e lashtë ka qenë thuajse shqiptare, autonome, në shumicë të dukshme në këtë hapsirë, krahasuar me grupet e tjerë të komuniteteve të maqedonisë, e sidomos kur merret nën vërejtje vetë populli sllavomaqedonas. Madje jo vetëm kaq por kjo trevë do të shërbente si mejdan e mjaft prej luftimeve e fitoreve emblematike të princërve shqiptarë, nën udhëheqjen e lavdishme të Gjergj Katriotit Skënderbeut. Në memorien e kombit tonë, padyshim ka mbetur e skalitur beteja e zhvilluar në Dibër, më 28-29 qershorin e vitit 1444. Ngase Sulltan Murati i II u irritua prej largimit të Princit të Krujës nga oborri i vet, ai nisi të famshmin Ali Pasha duke vënë nën komandën  e tij 40 mijë ushtarë , për të shuar kryengritjen e  shqiptarëve. Ali Pasha u nis nga Ohri në drejtim të rrjedhës së Drinit të Zi, dhe më 28 qershor u ndesh me forcat e para shqiptare, të cilat komandoheshin prej Moisi Golemit dhe Vrana Kontit.  Vetë prijësi i shqiptarëve organizoi pritën e Torviollit dhe duke luftuar vetë në radhët e para,  mundi që brenda 24 orëve të shpartalloj Ali Pashën, i cili iku duke lënë në fushëbeteja  mbi 7000 të vrarë.Jehona e kësaj fitoreje, sikurse flasin dokuementet e kohës, u përshëndet pos të tjerëve edhe prej Filipit të Burgonjës, Papa Eugjeni IV si edhe Vlladisllavi i IV i Hungarisë. Në këtë betejë rrëfyen trimërinë dhe sakrificën sublime të tyre për trojet arbërore edhe qindra e mijra luftëtar trima të viseve të Iliridës. Për 25 vjet me radhë viset e  Maqedonisë Shqiptar (Shqipëria Lindore),  padyshim kanë përfaqësuar njërën prej kolonave ku mbështetej Princi i Krujës, duke dëshmuar kësisoj qëndresën madhore si tipar permament të kontinuitetit shpirtëror  të burrave të Iliridës.

Ndërkaq banorët e kësaj treve, nuk i rreshtën përpjekjet e tyre titanike për çlirim kombëtar e pavarësi të plotë, për gjuhën dhe shkollën shqipe, për vetqeverisje. Në mënyrë të veçantë këto lëvizje u manifestuan në vitet e lavdishëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881) kur prej kësaj treve shqiptare u dëshmua jo vetëm fryma antisunduese, por sidomos vetëdijësimi i ndërgjegjes nacionale. Paria e viseve të Iliridës në këto momente kruciale për ardhmërinë e kombit tonë, u radhitë në vargun e shquar të atdhetarëve si: Iliaz Pashë Qoku, Abdyl bej Frashëri, Sulejman Vokshi, Hasan Ferri etj,  duke luftuar me armë në dorë për pavarësinë e troje të tyre.

Perëndimi i sundimit 5 shekullor osman, do të krijonte padyshim ngatërresa të reja ballkanike, të cilat anipse ideoheshin nëpër kulisat e Athinës, Beogradit, Moskës  apo Parisit tentonin të sendërtoheshin në gjrin e etnive   të jugut evropian. Ende sot në fondet e arkivave të ndryshëm në shtetin amë, Shqipëri,  gjendej ekzemplarë të një relikti që paraqet interes dhe që simbolizon urrejtjen shekullore serbe,  ëndrrën e saj për zhdukjen e kufijve shqiptarë. Kjo medalje me mbishkrimin “Osveqeno Kosovo” (Hakmarrje për Kosovën, pavarësisht kumtit të saj (humbjen e serbëve në Fushë-Kosovë 1389) ka të shënuar vitin 1912 pra në mënyrë simbolike të rrejshme i është larguar shekujve që shkuan duke paraparë mënxyra të tjera. Kështu në anën tjetër të medaljes, të tërheq vëmendjen shqiponja me kryq në gjoks, simbol i heraldikës serbe e rrethuar prej gjethe dafinash. Në këto gjethe, ndodhen të shkruar në gjuhën serbe disa qytete shqiptarë midis të cilëve: Tetova, Struga Ohri, Manastiri , Dibra, Prilepi, Shkupi dhe Kumanova.  Të bën përshtypje prania e këtyre trevave ( historikisht dhe etnikisht shqiptare) në medaljen  në fjalë, meqë asgjë se lidhe Serbinë më liridën. Por viti 1912 i pranishëm aty, merret lehtë me mend që donte të shprehte konceptet shovene të qarqeve të Beogradit të cilat angazhonin çdo ushtarë e oficer serb për t`i bërë të tyre këto treva. Ka një përputhje të plotë të qyteteve të skalitur në “Osveqeno Kosova” dhe përpjekjeve të diplomacisë evropiane në Konferencën e Londrës në viin 1913.

Në të vërtetë kjo medalje e cila iu shpërnda dhe disa  shqiptarëve, vullnetarëve dhe oficerëve serbë, për heroizmat e treguara në luftën e parë Ballkanike duke dashur të revokojë në mënyrë të deformuar të kaluarën synonte rritjen e egërsive të reja, për revanshe të reja ndaj viseve shqiptarë në përgjithësi dhe ndaj Iliridës në veçanti.  Duke nxjerrë në pah aspiratat shovene të Beogradit për krijimin e “Serbisë së Madhe” medalja në fjalë nuk mund të kuptohet ndryshe veçse si pjesë e propagandës cinike, e cila do të përcillte në shpirtrat e trazuar të serbëve, idenë së këto sakrifica ia vlenin të bëheshin në emër të Atit të shenjtë i cili kërkonte “çlirimin” e tokave të Serbisë nga shqiptarët.

Nëse përpiqemi të shohim me sy kritik, vërejm se ndër emrat e radhitur në medalje, në mënyrë të përpiktë janë emrat që formojnë Iliridën.  Nisur nga rëndëisa e vlerave të veçanta strategjike, këto vise të përfshirë në kufijtë e shtrirjes së tyre etnografikë për shekuj me radhë patën përbërë bazë të rënedëishme administrative. Pamvarëisht prej pengesave dhe kushteve të vështira që ekzistonin në rafsh të sundimit osman, Ilirida në dy shekujt e fundit përbënte një qëndër shumë të rëndësishme zejtare dhe tregtare, pa harruar faktin se shërbente si nyje kryesore e tregut shqiptarë në kryqëzimin e rrugëve lindje-perëndim dhe veri-jug.  Disa prej qytetetve që përbënin Iliridën siç ishte bie fjala Tetova, ishte në shekullin e kaluar jo vetëm tregues i zhvillimit ekonomik e social të vendit, por njëherazi kontriboi ndjeshëm në ecurinë e këtij zhvillimi. Me të drejtë studiues shqiptarë, kanë vënë në dukje se gjatë asaj kohe, Tetova ka lënë pas për nga zhvillimi ekonomik qytete të tilla shqiptare si:Ulqini, Durrësi, Vlora, Kavaja,Delvina, Preveza etj. Midis shumë prej mjeshtërive që gjallonin në Tetovë dy shekuj më parë, sigurisht ka rënë në sy prodhimi i armëve. Mjeshtërit shqiptarë ndonëse nuk kishin eksperiencën e shkollave evropiane, me mjetet e tyre të thjeshtë improvizonin dhe prekfeksionin modele të ndryshme armësh.  Shmebulli më domethënës i arritjeve të mjeshtërve tetovarë ishte paraqitja në vitin 1884 në ekspozitën e armëve në SHBA e një martine e qëndisur me ar,  prej një armëtari të Tetovës.

Parë në rrafshin historiko-gjeografik dhe atë demografik, shqiptarët etnikë na Maqedoni janë pjesë e një tërësie nacioanle,  në mënyrë organike jo vetëm me historinë dhe kodin zakonor por sidomos me gjuhën, kulturën dhe prioritetet ekonomike. Ilirida ose “zemra’ e këtij komuniteti autoktonë, padyshim ka kontributett e veta të mëdha, sidomos në periudhën 1913-1941.  Pas pushtimit dhe rivendosjes në mënyrë të dhunshme të pushtetit serb në Kosovë dhe maqedoni shqiptare, qarqet serbe të beogradit rifilluan politikat e vjetra shovene dhe gjenocidiale. Pamvarësisht premtimeve të tyre për respektimin e të drejtave të kombeve (traktati i Sen Zhermenit, i unifikuar nga Lidhja e Kombeve) Beogradi vazhoi të ndjek strategjinë e vetë antishqiptare duke synuar asgjësimin e plotë të racës shqiptare në trojet politike nën mbretërinë e SKS.  Më këtë mënyrë paralelisht me slavizimin e Kosovës e Maqedonisë shqiptare prej Beogradit u ideuan edhe disa prej rebelimeve separatiste brenda shtetitshqiptar, të cilat çuan deri tek intervencionet e armatosura në veri të shtetit amë.

Në rafsh të politikës komplekse serbomadhe, rol të veçantë për keqësimin e pozitës së shqiptarëve, nën mbretërinë e Jugosllavisë, luajnë pos të tjerave edhe masat represive për shpronësimin e shqiptarëve autonom dhe veçanërisht shpërnguljet e tyre masive. Përmes një legjislacioni cinik shtetëroor, në rrafsh të zbatimit kinse të reformave agrare, në periudhën 1918-1941, vetëm në trevat që përbënin Iliridën u shpronësuan rreth 90 mijë ha tokë, u konfiskuan mijra shtëpi dhe mijra kokë bagëti.  Goditjen më të madhe e  muarën sidomos familjet e pjesëtarëve të rezistencës kundër gjenocidit sllavomaqedonas por nuk i shpëtuan dot vjedhjeve, plaçkitjeve e rëniemeve, as institucionet dhe objektet e kultet myslimane të kësaj treve. Largimi i detyruar i shqiptarëve autoktonë të Iliridës ka qenë një tjetër plagë e dhimbshme e kombit tonë.

Drejt Tuqisë por edhe drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera të botës, janë shpërngulut me dhunë në vitn 1913-1941, vetëm nga Ilirida mbi 10,000 mijë familje shqiptare.  Ky largim i dhunshëm u shoqëruar me shkatërrime e braktisje të trojeve amëtare, me goditje të zejtarisë, me rrënimin e fshatrave të tërë dhe zvetënimin e qyteteve plot shkëlqim të dikurshëm si “Tetova, Gostivari, Ohri, Manastiri etj.  Por me gjithë këtë largim masiv të shqiptarëve, si dhe arritjen e dhjetra mijë kolonëve serb e sllavomaqedonase, trevat që përbënin Iliridën (ashtu sikundër trevat Kosovare) nuk u shkombëtarizuan dot.

Mendoj të ketë qenë kjo një ndër arsyet që në fillim të viteve 30-të në shekullin që lamë pas “Klubi serb i kulturës” mori një varg nismash të mëdha, me çrast përcaktonte rrugë dhe projekte për shkombëtarizimin e trevave shqiptare. Kanë qenë Kërstiq, Panjevac dhe Çubrilloviq të cilët udhëzonin pandërprerë Beogradin lidhur me vendimet që duhej të zbatonin administrata civile dhe ushtarake jugosllave. Por edhe kundër këtyre masave represive, burrat e Iliridës nuk u mposhtën. Një varg lëvizjes kaçake në periudhën në fjalë, mbajtën të ndezur shqiptarizmin. Njëherazi qëndresa e pandërprerë në disa rrafshe e shqiptarëve të kësaj treve, ndikuan për të përballuar situata tejet dramatike, dhunën dhe terrorin e paparë. Edhe në vitet 1941-1945 atëherë kur rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore ngatërruan shumë etni dhe popuj dhe udhëheqësitë e tyre, banorët e Iliridës ditën të përcaktoheshin dhe orientoheshin më së miri në kahjen kombëtare. Burrat e shquar të kësaj treve, pavarësisht se të tradhëtuar prej vëllezërve të gjakut ( kujtoj agjenturat shqiptare e sllavomaqedonase në vitet 1943-1945) luftuan si kundër okupatorit të huaj ashtu edhe ndaj komunizmit. kësaj sëmundje kanceroze, e cila po çorodiste jo vetëm Shqipërinë por krejt Evropën Lindore.

Në vitete që rrodhën më pas, populli autokton i trevave të Iliridës u përpoq të siguronte zhvillimin  e vet ekonomik, politik e shoqëror, sipas parimeve të shenjta të shoqërisë së lirë.  Në mënyrë të veçantë ai luftoi për të qenë i barabartë me popullin sllavomaqedonas edhe pse çdo ditë e më shumë politikat e Shkupit rënonin identitetin shqiptar.

Rrëzimi i sitetmit monist ngjalli shpresë të madhe tek populli shqiptar i Maqedonisë se sistemi shumëpartiak, i cili doli me devizën për barazi të plotë demokratike, beson se do të siguroj të gjitha të drejtat kombëtare në shtetin e ri postkomunit, mirëpo ndohi e kundërta ky popull në sistemin pluralist që zbatoi IRJM u degradua pasi u shndrrua në pakicë dhe iu mor e drejta që kishte siguruar në mbledhjen e ASNOM-it në vitin 1944 dhe në Kushtetutën e vitit 1974, që të jetë element shetformues duke u shndërruar në element të qytetarit të rendit të dytë.

Populli shqiptarë në IRJM, i gjetur në këto relacione që nuk siguronin jetë dhe zhvillim shoqëror-ekonomik dhe politikë të barabartë dhe pozitë të elemntit shtetformues vendosi të shpreh dëshirën e vet për vetëvendosje nëpërmjet referndumit të mbajtur më 11 dhe 12 janar të vitit 1992, në të cilin votuan mëse 361.000 votues. Me këtë referendum shqiptarët në IRJM u përcaktuan për autonomi politike e territoriale të shqiptarëve në Maqedoni.

Në caktimin e emërtimit të një vendi ose regjioni më të gjerë territorijalo-politik dhe shtetëror siç është rasti me popullin shqiptar të Maqedonisë, duhet respektuar kuptimi i tij gjeografik, historik e autokton e popullit shtetformues.  Duke respektuar këto elemente që kanë të bëjën edhe me elegancën e shprehjes, u vendos që regjioni ku formohet kjo njësi autonome të emërohet Ilirida.

Në territorin e Republikës Autonome Ilirida hyjnë komunat: Kumanovë, pjesë të disa komunave të Shkupit, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga dhe vendbanime me popullsi shqiptare nga komunat e tjera të cilat sa i përketë elemntit ekonomiko-gjeografik sipas kriteriumeve të projekt-dokumentit të Hagës do të gëzojnë e duhet të përfshihen në territorin e kësaj njësie.

Ngjarjet e kohëve të fudnit në krejt viset e Maqedonisë shqiptare sido  që të vërtiten të çojnë tek e mbramja vetëm tek një rrugë: Rikthim të Iliridës. Për krijimin e parakushteve të domosdoshëm, në këtë lëvizje të domosdoshme politike, vlen të kontribuojnë të gjithë. Veçanërisht analistët politikë, nuk duhet ta largojnë veten nga kjo ide, por të sjellin fakte si për të kaluarën edhe të sotmen, duke përpunuar opinionin se Ilirida nuk është vetëm aspiratë por një problem tejet i koklavitur që pret zgjidhje.

 

Bern-Zvicër

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugen Shehu, rikthim tek Iliriada

KUJTESE: GENCIDI GREK NE ÇAMERI

December 9, 2012 by dgreca

Genocidi i paparë helen ndaj banorëve të Çamërisë në vitin 1944-1945/

Shkruan Eugen SHEHU/

Historia e shqiptarëve etnikë në Çamëri është mbushur padyshim me një varg datash tragjike, të ruajtura në kujtesë si akte të dhimbjes kulmore. Por historiografia jonë e ka pranuar se nëse në vitet 1913-1943 genocidi helen ndaj shqiptarëve çamë ka patur një përshkallëzim, po ashtu është pranuar që pranvera dhe vera e vitit 1944, përbëjnë apogjeun e barbarisë greke ndaj popullsisë së pambrojtur të shqiptare. Ky genocid do të provonte edhe një herë qëndrimin e palëkundur të Athinës, e cila kërkonte jo vetëm largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, por edhe rrënimin e plotë të kjtimeve mbi ekzistencën aty të racës sonë.

Në muajt gusht-shtator 1943, vlen të thuhet se rezistenca e atdhetarëve çamë ishte organizuar më së miri. Ndonëse në thelb, kjo rezistencë u organizua kundër okupatorit, në të pati edhe element të mbrojtjes vendore, çka do të thoshte ruajtja e shtëpive dhe popullsisë së pambrojtur ndaj andartëve grekë. Atdhetarë të tillë si Isuf Izeti, Xhafer Çafuli, Musa Demi, Dervish Dojaka, Braho Karasani, Sami Alushi e dhjetëra të tjerë u përpoqën që këtë front të rezistencës ta mbanin të ndezur edhe nëpërmjet zhvillimit të disa betejave kundër gjermanëve, duke parë sigurisht që këto beteja të mos i jepnin mundësinë kundërshtarit që të bënte raprezalje.

Kështu në ditët e fundit të shtatorit 1943 dhe deri në fillim të nëntorit të këtij viti, efektivat e batalionit “Çamëria” të ndihmuar edhe nga vullnetarët e zonës përreth, zhvilluan betejën e famshme të Konispolit, e cila zgjati 55 ditë. Në të vërtetë, në këtë betejë, muarën pjesë shqiptarë nga të dy anët e kufirit politik dhe ky fakt u përcoll jo pa shqetësim në qarqet shovene të Athinës. Ky bashkëpunim i ngushtë i shqiptarëve brenda shtetit amë me vëllezërit e tyre çamë, pamvarësisht se ata luftuan kundër okupatorit gjerman, u kuptua si një rrezik i madh për vorioepirotët dhe qëllimet e tyre.

Ndërkaq efektivat e batalionit “Çamëria” në bashkëpunim edhe me komandën nacionaliste të forcave të jugut zhvilluan luftime edhe në zonat e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Delvinës. Sipas dokumentave gjermanë që gjenden në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë, këto luftime u karakterizuan nga disa prita tepër të rrezikshme ku kanë gjetur vdekjen dhjetëra ushtarë dhe oficerë gjermanë. Në këto luftime qoftë atdhetarët e Çamërisë, qoftë nacionalistët e jugut të Shqipërisë, patën marrë krahë sidomos “nga deklarata e Uinston Çërçillit, sipas të cilit kufiri shtetëror i Shqipërisë do të rishqyrtohej menjëherë pas mbarimit të luftës.” (Gazeta “Atdheu” Tiranë 20 tetor 1943.)

Gjithashtu mendoj se nuk mund të lihet në heshtje fakti që nacionalistët e Çamërisë, iu kundërvunë disa çetave komuniste shqiptare, të cilat patën krijuar lidhje të ngushta me Partinë Komuniste greke. Këto çeta, të udhëhequra nga disa filogrekë të njohur në Çamëri, trumbetonin me të madhe se vetëm lufta e tyre e përbashkët me grekët do t’i sillte “lumturinë” Çamërisë. Ata nuk mund të kuptonin dot se çfarë tragjedie po përgatitej në Athinë dhe ishte vetëm prezenca gjermane që e vononte pikërisht këtë tragjedi. Një nyjë e çuditshme lidhte në këtë rast atë grusht komunistësh të Çamërisë, me klikën e Tiranës, e cila po ashtu pretendonte se komunizmi do të ishte liria e ëndërruar e gjithë popujve.

Në këto momente tejet të ndërlikuara, Athina zyrtare si kurdoherë u orientua drejt politikave të saj antishqiptare. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi një marrëveshje të Partisë Komuniste të Greqisë me klikën e Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës në Tiranë, sipas të cilës, në fshatrat me minoritet grek në Shqipëri, mund të shkonin përfaqësues komunist grekë dhe të bënin propagandë dhe organizime për të luftuar okupatorin. Komunistët grekë që ngarendën në jugun e Shqipërisë, nxituan të bënin propagandë për idetë panhelene të Vorio Epirit dhe brenda pak javëve , në kuvendin e organizuar në vendin e quajtur Akrovjan, përfaqësues të këtij minoriteti brenda kufijve të shtetit amë shqiptar, kërkuan me forcë që “duam të jemi një Greqi, qoftë kjo komuniste apo e djallit, vetëm të jemi në Greqi.” Nënteksti ishte i qartë, kufijtë e Shqipërisë duheshin shtyrë akoma më tej, duke i rrudhur tinëzisht ata.

Një rol jo pak të rëndësishëm, në pranverën e vitit 1944 do të luanin edhe atdhetarët nacionalistë të Çamërisë. Këta me propagandën e tyre, por edhe me veprime të hapura aspironin bashkimin e trojeve çame me Shqipërinë. Këtë lëvizje e drejtonte një Këshill Krahinor me organizmat e tij, të shtrirë në nënprefekturë e deri në fshatrat më të largët. Mendoj se është me vend të kuptohet se pikërisht në muajt e parë të vitit 1944, ndryshe nga çfarë është publikuar deri më sot, autoriteti gjerman ka dashur të luaj një rol amortizuesi apo frenuesi të mërive të vjetra greko-shqiptare. Kështu, në një dokument tepër sekret që komanda gjermane në Çamëri, i dërgon komandës së lartë ushtarake të Athinës, midis të tjerave shkruan tekstualisht: “Gjendja në krahinën e Çamërisë është përkeqësuar, sidomos në këto javë të fundit. Deri afër fundit të vitit 1943, shqiptarët mjaftoheshin me ushtrimin e zotërimeve të tyre në disa zona influence pa marrë përsipër të administrojnë vendin. Tashmë ata kanë bërë hapa përpara duke forcuar pozitën e tyre nëpërmjet krijimit të disa organeve administrative. Marrja e këtyre masave motivohet për shkak të administratës greke, e cila ka falimentuar plotësisht dhe pa ndërhyrjen e shqiptarëve rendi dhe qetësia rrezikohen totalisht. Për zbatimin e organizimit administrativ ata kanë ngritur një Këshill Kombëtar Shqiptar të Çamërisë.” (Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë. Dokumente gjermane. Dok. 23/44 sekret, datë 10 janar 1944)

Veprimtaria e lartpërmendur e Këshillit Kombëtar, në asnjë mënyrë nuk mund të pranohej prej qarqeve shovenë të Athinës. Për këtë shkak qeveria greke, me një telegram të posaçëm, iu drejtua ministrit gjerman për Evropën Juglindore, Nojbaherit ku midis të tjerave i kërkonin të rivendosej sa më shpejt pushteti helen, pasi ndikimi i nacionalizmit shqiptar do të ishte me pasoja të mëdha për fatet e nesërme të shtetit grek. Nga ana tjetër në krah të dy mijë forcave të komanduara nga gjenerali famëkeq Napolon Zerva u vu edhe Divizioni i Dhjetë i komanduar nga krimineli Vasil Kamara, i cili do të ishte i destinuar në luftë mizore kundër banorëve të Çamërisë.

Në ditët e para të qershorit të vitit 1944, në zyrën e gjeneral Zervës në Janinë, andartët grekë dërgojnë një të quajtur Harallamb Kallojeri, kinse pati furnizuar me armë batalionin  Çamëria. Ky me lot në sy e mohoi këtë fakt dhe ngase ishte grek nuk pësoi gjë. Por vlen të sjellim këtu fjalët me të cilat e përcolli Zerva. Gjeneral Zerva duke shtrënguar nofullat kishte vazhduar: “Po dolën të vërteta ato që më kanë thënë se ti u shet çamëve armë, ta dish se jo vetëm ty, por gjithë fisin tënd do ta djeg me benzinë së gjalli, në mes të fshatit që të lemerisen të gjithë.” Pastaj ai u  drejtua të gjithë të pranishmëve duke shtuar: “Çamërve duhet t’u afrohemi dhe t’i marrim me të mirë, që të mos na ikin nga duart deri sa të zemë kufirin. Pasi t’i kemi mbyllur si bagëtitë në vathë, jo vetëm njerëz që nuk do të lemë të gjallë, por edhe macet e tyre do t’i shkojmë në thikë. (I.D.Hoxha “Viset kombëtare në shtetin grek” Tiranë 2000, faqe 356)

Preja e parë e dhunës makabre helene, do të ishte krahina e Paramithisë, e cila u pati bërë ballë shpesh herë, me armë në dorë, hordhive të andartëve grekë. Në mesnatën e 26 qershorit 1944, ata iu afruan Paramithisë nga të katër anët. Në agun e 27 qershorit, disa atdhetarë çamë ranë në pritën e zervistëve dhe lufta filloi e fuqishme. Por dinakëria greke nuk vonoi të funksiononte sërish. Komanda e lartë zerviste vrapoi te myftiu i Paramithisë Sali Hafizi duke i mbushur mendjen atij se nuk kishin punë me çamët ndaj këta të ulnin armët dhe të rrinin të qetë në shtëpitë e tyre. Sali Hafizi u besoi nga ana e tij dhe në një kuvend të shkurtër burrash dha porosi të pritej lufta.

Më pas komanda zerviste e udhëhequr nga majori famëkeq Kranjani dhe antishqiptari i tërbuar Kristo Stavropulli shkuan në mitropoli dhe bënë planet kokë më kokë me dhespotin grek. Me të mbaruar takimin me dhespotin, disa ushtarë grekë u shpërndanë nëpër rrugë dhe sheshe duke njoftuar me zë të lartë: “Urdhërihen tërë ata që kanë armë, t’i dorëzojnë menjëherë se qetësinë dhe rendin do ta mbajë ushtria. Askush të mos frikësohet! Këdo e quajmë vëlla. Duam të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njeri-tjetrin.” (Gazeta “Bashkimi” Tiranë, 7 mars 1947) por kjo s’mund të ishte tjetër, veçse gënjeshtra e radhës e helenëve për të arritur në planet makabre të gjeneral Zervës.

Vite më pas, në dëshmitë që Asllan Myftari dhe Sadete Katiu do të dërgonin në OKB përmes Komitetit të Mbrojtjes së Çamërisë, midis të tjerave do të kujtonin: :Rreth mesditës, kur ende muk kishte mbaruar dorëzimi i armëve, zervistët grupe-grupe… të udhëhequr nga oficerë u derdhën egërsisht mbi popullatën. Me të dëgjuar krismat e armëve njerëzit lanë shitoret dhe ja dhanë vrapit nga të mundnin. Më të shumtët vrapuan drejt anës perëndimore të qytetit ku mendohej që shtegu nuk ishte mbyllur akoma. Pati raste që familja u nda më dysh, dikush çau gardhin e kriminelëve dhe dikush tjetër jo.

 Meqë rrethi u mbyll në mënyrë të hekurt njerëzia vraponin në qytet të ndjekur nga vrasësit si egërsira prej gjahtarit. Vritej kushdo që hasej përpara. Rrugët dhe sheshet u mbushën me të vrarë… kur zervistët u turrën në një shtëpi të thernin një djalë 6 muajsh dhe e jëma e mbuloi djepin me trupin e vet, ata i ngulën gruas thikat në kurriz. Më pas ata therën me thikë djalin tjetër të shtëpisë dhe të zotin e saj. Motrën e Hasan Belulit, 3 djemtë e Asim Dinos, dy çupat dhe të shoqen e Rexhep Malit, i mbërthyen me gozhdë përpara murit të shtëpisë. Pasi vranë Mulla Çenin, argëtoheshin me të bijën. Aty pranë vranë edhe 12-13 fqinjë të Mullait. Në tërë Paramithinë dëgjoheshin kujet dhe vajet rrënqethës, të pleqve, të rinjve dhe fëmijëve që shuanin shpresat e fundit nën krismat e plumbave apo presat e thikëve e sopatave.”

Masakra e Napolon Zervës ndaj banorëve të pambrojtur të Çamërisë, do t’ia kalonte për nga egërsia e saj edhe dënimeve të inkuizicioneve mesjetare. Asnjë lloj pengese nuk do të haste ky kriminel i lindur dhe gjithë taborri i tij, në barbarinë e pashembullt. Dëshmitë e dhimbshme vazhdojnë: “Poshtë xhamisë së Prronjatëve dergjeshin sa e sa kufoma. Dalluam nusen e Ibrahim Bollatit, motrën e Muharrem Bakos, djalin e saj, Mit’hatin 10 vjeçar, Harun Mezanin 14 vjeçar ndërsa të tjerët nuk i njohëm, sepse ishin prishur në fytyrë. Ndërsa Estref Ilmiu tregon se kur atë dhe disa të burgosur të tjerë i shpunë të varrosnin trupat gjysëm të prishur pranë kishës së Shën Jorgjit, njohu vetëm katër prej trupave, ndërsa dhjetëra të tjera nuk mundi t’i njihte pasi fytyrat ishin gjymtuar në mënyrë të llahtarshme prej vrasësve.” (Gazeta “Bashkimio” Tiranë 4 prill 1947)

Sigurisht epshet shtazore të Zervës me kompani, nuk mund të preheshin vetëm me kasaphanën e Paramithisë. Ata u derdhën dy ditë më pas në fshatrat Grikë, Kacjan, Karbunarë dhe në një varg fshatrash të Çamërisë së Mesme. Nëse gjenin gjë të gjallë (njerëzia dhe bagëtia ishin barazuar tragjikisht) andartët dhe zervistët e thernin menjëherë. Në ato shtëpi ku njerëzit qenë larguar nxitimthi, komandot ushtarake ushtronin kontroll të imët duke vjedhur e plaçkitur gjithçka, deri edhe pajat e vajzave fatkeqe të Çamërisë. Në fshatrat Luar dhe Karbunarë, po ashtu edhe në qytezën e Margëlliçit, në të vërtetë u organizua një qëndresë e vogël, disa orëshe. Por përballë 25-30 burrave të këtyre fshatrave, Athina dërgoi Regjimentin e Dyzetë të komanduar nga major Angora, i cili pas 1700 ushtarëve dhe oficerëve, kishte në p[ërbërje të vet edhe një kontigjent prej 40 kriminelësh grekë, të cilët patën “fituar” lirinë nga burgjet greke, vetëm e vetëm për të therur sa më shumë shqiptarë etnikë të Çamërisë.

Kjo epërsi numerike në njerëz, kjo shpejtësi çoroditëse në arritjen e qëllimeve, ky brutalitet i pashembullt, kishin të bënin sa me vrasjet e çamëve aq edhe me heshtjen që do të shoqëronte ky terror. Madje megjithë fshehjen misterioze që Athina i ka bërë në decenie kësaj tragjedie, diplomacia evropiane do të shënonte në analet e saj: “Duke shkelur në mënyrë të qëllimshme Marrëveshjen e Kazertës, trupat e Divizionit të Dhjetë, njësitë e dy divizioneve të E.DH.E.S-it, ato të regjimenteve 100, 110 dhe 40, po mëyjnë mizorisht territoret e pambrojtura të Çamërisë.” (Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë. “Çështja e Çamërisë” Fondi 251, dosja 14, fleta 143)

Tanimë atdhetarët e Çamërisë e kishin plotësisht të qartë se Athina kërkonte zhdukjen përfundimtare të shqiptarëve etnikë. Rrethanat në verën e vitit 1944 kishin favorizuar Athinën, e cila duk marrë edhe përkrahjen e aleatëve shekullorë të saj Anglisë dhe Francës, kryente njëhersh dëbimin e çamëve dhe popullimin e trojeve të tyre me të krishterë të jugut helen. Në këtë mënyrë, krahas organizimit të njësiteve të vegjël për shpëtimin e popullsisë, këta atdhetarë u përpoqën të sinjalizonin rreth masakrës edhe diplomacinë evropiane. Ndërsa lidhjet me shtetin amë nuk u ndërorenë për asnjë moment. Kështu në telegramin e firmosur prej disa burrave të Çamërisë dhe dërguar kryeministrit shqiptar në gushtin e vitit 1944, midis të tjerave shkruhet tekstualisht: “Nuk kanë të munëruar as vrasjet, as grabitjet dhe as përdhunimet e kriminelëve të Zervës. Madje, ajo pjesë e popullsisë që akoma nuk ka rënë ndënë thikat e zervistëve, po ikën e tmerruar drejt Shqipërisë duke humbur gjithçka.” (Arkivi Qëndror i Shtetit-Tiranë. Fondi 251, dosja 179, fleta 2)

Ndërkaq propaganda shovene helene vazhdonte me ritme akoma më të mëdha t’u binte tam-tameve të Vorio-Epirit. Kështu, në mbrëmjen e 1 tetorit 1944, Radio Kajroja shpërndante në eter mesazhin e ministrit grek të informacionit, Kartallit për kinse revoltë të vorioepirotëve në Gjirokastër e Sarandë, të cilët kërkonin bashkimin e trojeve të tyre me ato të shtetit amë, Greqisë. Duke pretenduar se këto troje ishin plotësiht greke, Athina madje me anë të emisarëve të fshehtë të saj, nisi të shpërndante në jugun e Shqipërisë fletushka duke u thënë shqiptarëve etnikë aty se nuk ishte e largët dita kur fshatrat e tyre do t’i bashkoheshin Greqisë. Madje ndikimi i Athinës u shtri deri në komandën e lartë gjermane, duke e fshehur realitetin dhe duke e afruar Zervën sa më shumë me këtë komandë. Aq i thellë ka qenë ky ndikim saqë komanda gjermane përpiqej të ruante indiferencën përpara masakrës që ndodhte me çamët. Kështu, në një informacion dërguar RAIHUT TË TRETË, lidhur me një protestë të atdhetarëve të Çamërisë, midis të tjerave, komanda gjermane e Filatit spjegonte” “Kërkesat e parashtruara lidhur me evakuimin e popullsisë shqiptare që nuk ëhtë në gjendje të mbrohet, nuk ka asnjë bazë. Ushtria gjermane ka marrë përsipër mbrojtjen dhe sigurimin e paqes dhe të rregullit në zonat e okupuara prej saj.” (Arkivi i Institutit të Historisë- Tiranë. Dok.gjerman nr. T 314-1458)

Vala tjetër e spastrimeve të shqiptarëve etnikë, nga trojet e tyre në Çamëri, iu besua sërish gjeneralit famëkeq Zerva, në marsin e vitit 1945. kësaj radhe do të goditej, digjej e shkretohej pikërisht Filati, çerdhja e qëndresës kulmore të banorëve të Çamërisë. Ndonëse burrat e Filatit ishin larguar, të mobilizuar në njësite të vogla vullnetarësh, drejt Filatit u derdh me egërsi të paprë makina luftarake e Zervës. Nuk munguan me këtë rast as vrasjet, as therjet, as djegiete njerëzve dhe shtëpive. Krimet ishin pothuaj të papara. Në informacionin që koloneli britanik Vuthaus i dërgonte Londrës në fundmarsin e vitit 1945, midis të tjerave shkruante tekstualisht: “Nisur nga Misioni Aleat që drejtova, ju bëj me dije se Zerva i nxorri jashtë çamët nga shtëpitë e tyre më 1944, shumica e të cilëve mundën të gjenin strehë në Shqipëri. Dëbimi i tyre u krye sigurisht përmes një gjakderdhjeje të madhe. Veprimi i Zervës u ndoq më pas në marsin e vitit 1945 nga një masakër akoma më e madhe, siç ishte kjo e marsit, në Filat, e cila nuk mund të falet.” (Arkivi i Institutit të Historisë- Tiranë. Fondi Zyra e jashtme britanike PRO\ FO Nr 371\ 48094)

Sipas Memorandumit të emigrantëve çamë në Shqipëri, i cili u paraqit jo vetëm në kancelaritë evropiane por deri në SHBA, në peiudhën qrshor 1944-mars 1945, janë vrarë gjithsej 2771 civilë të pambrojtur. Gjatë kësaj peiudhe gjithashtu u dogjën dhe plaçkitën 68 fshatra me rreth 5800 shtëpi. Në humbjet e tjera materiale llogariten 110 mijë krerë bagëti të imta, 2400 gjedhë, 80 mijë kuintalë vaj ulliri, 21 mijë kuintalë grurë pa llogaritur dramën e madhe të shkombëtarizimit të këtyre trojeve. Një pjesë e konsiderueshme e politikës greke gjatë viteve të Luftës së Ftohtë si edhe lakejtëq e historisë së tyre, kanë mbrojtur dhe vazhdojnë të mbrojnë tezën absurde sipas së cilës shqiptarët e Çamërisë janë larguar me vullnetin e tyre nga trojet stërgjyshorë, kinse kanë qenë të lidhur me Gjermaninë, pra kundërshtaren e Greqisë. Këto teza justifikuese sidoqoftë nuk mundën të shuajnë gjurmët e përgjakura të atij gjenocidi biblik.

Sa për pronat e banorëve të Çamërisë, fillimisht ato iu shpërndanë kolonëve grekë të ardhur nga Pireu, të cilët nuk vonuan të thellojnë krimet edhe kundër atyre shqiptarëve ortodoksë që patën mbetur në këtë trevë. Më pas, me urdhër mbretëror U.B. 2185\152 dhe me vendim 2781\54, pasuria e shqiptarëve etnikë në Çamëri iu konfiskua këtyre për t’ia falur apo shitur me çmime qesharake vullnetarëve grekë që linin jugun e vendit, për t’u ndeshur “trimërisht” me ndonjë shqiptar të vetmuar ortodoks në këto vise. Një proces i tillë i paprecedent në rrafsh të Kartës së të Drejtave të Njeriut, ndodh edhe sot në milleniumin e ri dhe me gjithë zhurmën mediatike, Athina vazhdon të verë në jetë çdo ditë e më shumë, planet e veta aneksioniste ndaj Shqipërisë.

 Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Genocidi grek, ne cameri

FIQIRI DINE, KRYEMINISTRI I 30 I SHQIPERISE

December 6, 2012 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/

Si një lum madhështor që ngarend të derdhet në det,ashtu edhe istoria e trevës së Dibrës,kërkon të zgjohet nëpër kohë.Ky zgjim,ndonëse i dhimbshëm,ndonëse me të vërteta befasuese,kurdoherë është i mirëpritur prej shqiptarëve,kudo ku ato gjallojnë.Ky zgjim klith jo vtëm histori por na sjell në kujtesë të ditëve të sotme edhe emra të bijve të shquar dibran,Fiqri Dine e meriton të kujtohet përherë me nderim.  I lindur në marsin e vitit 1898,Fiqiriu do të ishte një ndër djemt e shumtë të kësaj familjeje të njohur në krejt Maqellarën.Dine Maqellara,miku i ngushtë i Elez Isufit,Sufë Xhelilit,Sadulla Strazimirit e Nazif Grazhdanit,u shqua sidomos në lëvizjen e madhe kombëtare shqiptare për shpalljen  epavarsisë.Një varg betejash në vitet 1910-1911,provuan jo vetëm trimërinë e Dine Maqellarës,por edhe urrejtjen shekullore të tij ndaj serbosllavëve.Mendoj se është me vend të kujtojmë se qeveritë shqiptare të pas viteve 1915,disa herë e patën kërkuar Dine Maqellarën në Durrës e Tiranë,duke i bërë propozime për poste e funkdione konkrete,por burri trim u mjaftua me detyrën provinciale të kryetarit të komunës së Maqellarës,detyrë të cilën e mbajti deri ditën që vdiq.

Më i madhi i djemve të tij,Fiqiriu,mbaroi në vitin 1914,shkollën e mesme,në Dibër të Madhe ku edhe u shqua ndër shokët për rezulltate të larta në mësime.Është kjo arsyeja që Dine Maqellara,ndërhyn tek disa miq të tij në Austri dhe Fiqiriu tanimë 17 vjeçar,merr rrugën për në akademinë ushtarake në Austri.Këtu,bien në sy zgjuarsia dhe talenti i spikatur ushtarak i fiqiriut i cili ndonëse arrinte rezulltate të larta në mësime,mendjen e kish në turbullirat ballaknike të viteve 1915-1918 e sidomos në Dibrën  eshtrenjtë të tij. Me të mbaruar akademinë ushtarake,në vitin 1919,Fiqiri Dine kthehet në atdhe.Në fillim ai punon për disa muaj në funksionin e nëntogerit,në Shkodër e madje,me formimin e Qeverisë atdhetare dalë prej Kuvendit të Lushnjës,Fiqiriu inkuadrohet në radhët e xhandarmërisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,me gradën e togerit.Arma e xhandarmërisë shqiptare,e ndihmuar edhe nga disa misionarë angleze e hollandeze,njohu përparime të shpejta në vitet 1919-1924.Është e kuptueshme që në këto zhvillime,ndërthuren edhe talenti,trimëria,dhe ndershmëria e kuadrove shqiptare ndër të cilat militonte edhe Fiqiri Dine. Ngase shihnin në personalitetin e Fiqiri Dines,ushtarakun e rreptë por të ndershëm,komandantët direkt të tij dërgojnë relacione të njëpasnjëshme në zyrat eprore duke e propozuar ate në funksione të larta. Kështu në vitin 1920, e shohim birin e Maqellarës në funksionin e qarkomandantit të qytetit të Shkodrës.Orvatjet serbo-malazeze në fundvitin 1920,për të shkelur territoret shqiptare,kanë dështuar disa herë radhazi,falë organizimit luftarak të persosur të xhandarmërisë dhe ushtrisë kombëtare shqiptare në qarkun e Shkodrës.Janë dhjetra burime arkivore të xhandarmërisë shqiptare të cilat na bëjnë me dije mbi veprimtarinë atdhetare dhe ushtarake të Fiqri Dines.Flitet mbi operacione të shumta dhe dalin në pah,trimëria e birit të Maqellarës.;”Mbramë,rreth mesnatës, në vendin e quajtur Tamare,forcat tona janë përpjekë me disa çetnikë serb të armatosur që patën shkel kufirin shqiptar.Reparti ynë asht rrezikue se tepërmi por asht dash ndërhyrja e kapiten Fiqri Dines i cili ka drejtumun me sukse operacionin ku kan metë të vramun 4 ushtarë serb e janë plagosur disa të tjerë”.( Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fondi Qeveria e Lushnjës,dokumenti 37/a fleta 13 ).

  Në fund të vitit 1921,janë forcat serbe të ndihmuara nga bjellogardistët rus,të cilët mësyjnë në malësitë e Mirditës gjoja për të ngritur aty flamurin e pavarsisë së shqiptarëve.Ahmet Zogu,(ate kohë në detyrën e ministrit të mbrendshëm shqiptar) njofton pos të tjerave edhe Fiqri Dinen i cili në krye të 300 burrave niset drejt Mirditës.Ai lufton trimërisht në krye të xhandarmëve shqiptarë duke vënë në vend nderin e qeverisë shqiptare të dalë nga Kuvendi  historik i Lushnjës.Të nxitur nga ky qëndrim,në një prej luftimeve të kryera në Dibër,forcat serbe i djegin shtëpinë Dine Maqellarës dhe ngase burrat ishin të gjithë nën armë për mbrojtjen e atdhut,serbët i marrin gratë dhe fëmijët e Dinajve dhe i internojnë në Manastir.Fatmirësisht,në gjoja kryengritjen e Mirditës,ushtria kombëtare shqiptare zuri mjaft robër si serb,ashtu edhe bjellogardist.Me urdhër të Ahmet Zogut,robërit serb u ndëruan me familjet dibrane të internuara në Nish dhe Manastir,me ç’rast përfitoi edhe familja e Dine Maqellarës.Në fillim të viteve-30-të,Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu,u përpoq të luaj një politikë sa më të hapur në ballkan e më gjërë,por duke bërë gjithmonë kujdes të vazhdueshëm si më parë për sigurimin e tërësisë tokësore shqiptare politike.Duke mos haruar rrezikun nga fqinjët,ai vazhdonte gjithmonë me reformimin të ushtrisë kombëtare shqiptare,ai mundi të modernizojë ate si në koncepte edhe në armatime.Mendoj se ka qenë vlersimi i drejtëpërsëdrejti i tij,i cili në krye të katër grupimeve më të mëdha ushtarake vendosi , Muharrem Bajraktarin,Preng Previzin,Fiqiri Dinen dhe Hysni Demën.Në komandën e grupimit të vet ushtarak,Fiqiri Dine u shqua jo vetëm si prijës ushtarak i rreptë por edhe politikan shumëdimensional.Ashtu sikundër bëri përpjekje të gjithanshme për ruajtjen e kufijve detare e tokësore,ç’prej Shëngjini deri në Lurë,ashtu ndërmori edhe mjaft veprime politike për të lejuar që shqiptarët e këtej kufijve politke të vitit 1913 të mundenim të gjenim ngrohtësi në vatrat tona, në pronat tona,kur shkonin ktej në shtetin amë,të ndjekur prej forcave pushtuese serbosllave,kullat e tij në Maqellarë,por edhe shtëpitë ku banonte në Shkodër,Burel e Tiranë,ishin oda që rrinin kurdoherë të mbushura plot e përplot me trima.E vërteta është se Ushtria Kombëtare Shqiptare,nën komandën e Fiqiri Dines,Muharrem Bajraktarit,Hysni Demës dhe Preng Previzit,jetoi jo vetëm me shqetsimin e mbrojtjes së kufijve të shtetit amë,por ndërmori nisma konkrete ushtarake në disa raste,edhe në mbrojtje të shqiptarëve të trevave të tjera etnike.”Askurrë na nuk e kena pranue Shqypninë e ndame,ka thënë Fiqiri Dine më 28 nëndorin e vitit 1938,në fjalën e mbajtur përpara efendive të garnizonit të Dibrës,…se ajo asht ndamun jasht vullnetit të popullit tonë dhe çka bahet e vendoset jashtë këtij vullneti,nuk reziston dot gjatë”.

  Pushtimi fashist i Italisë,do të brengoste burrin e mençur të Maqellarës,por gjithsesi nuk do ta mposhte.Të katër Kolonelët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,të lidhur me njeri tjetrin në besë malesh,vijuan luftën e tyre kundër okupatorit italian.E vërteta asht se Fiqiri Dinen,ashtu si kundër edhe miqtë e tjerë të tij,komanda e lartë ushtarake e thiri disa herë duke i premtuar grada e detyra më të larta.Por biri i Maqellarës asesi nuk pranoi.Përgjigja e tij,ishte krijimi i çetave nacionaliste dhe lufta me armë kundra çdo okupatori. Përkundër asaj çështë thënë e shkruar për “tradhëtarë” Fiqiri Dine (prej historiografisë komuniste enverotitiste),misionarët anglez që ndiqnin me sy luftimet në Shqipëri,në vitet 1943-1944 shprehen ; “Gjithashtu tre krerë fisnorë kishin ngritur qendra rezistence kundër italianëve.Fiqiri Dine në Dibër,në kufirin me Jugosllavinë,Muharrem Bajraktari në Lumë,në luginën e thyer të Drinit të Zi dhe pas arratisjes nga burgu italian, kryezinjtë në Kosovë”.( Julian Amery “Kujtime që nuk shlyhen “ Tiranë 1995, fq 80 ).

  Janë me dhjetra beteja madhore të zhvilluara në Malet e Dibrës,të cilat,të udhëhequra nga Fiqiri Dine,përcaktuan fatet e mëtejshme jo vetëm të Dibrës por krejt trevave veriore të Shqipërisë.Në këto beteja të pakompromis,biri i Maqellarës ishte kurdoherë në radhët e para,i heshtur por tepër i dashur me bashkëluftëtarët e vet,rreptë me ata që shfaqnin mendime anarkike dhe tepër largpamës në politikat ballkanike që luheshin në kuriz të shqiptarëve.Në vitet 1942-1943,ai gjithashtu u shfaq hapur kundër komunizmit sllav,mandej jo rrallë në malet e Dibrës pat qarkulluar simbolika e shprehjes së tij se ;”Kryet e Dibranëve s’ka mujt me i ul kurrë serbi e malazezi,por po don me i perkulun komunizmi”.

  Në korrik-gushtin e vitit 1943,lidhjet e Fiqiri Dines me Organizatën e Ballit Kombëtar janë tejet interesante.Burri i maqellarës,ushtaraku vizionar,politikani me prirje perendimore,parashihte tek ky grupim politik një relizim konkret të aspiratave shekullore të shqiptarëve.Për më tej ideja e Shqipërisë Etnike e cila gjallonte në konstitucionin moral të krejt popullit tonë, e ftonte Fiqiri Dinen të bashkëpunonte realisht me këto forca politike.Kështu në korrik 1943 me porosi të Mit’hat Frashërit,Fiqiri Dine mbledh në katundin Homesh të Dibrës,krejt prijësat e Veriut.Në këtë tubim,pos të tjerave merrnin pjesë edhe Ali Këlcyra,Hasan Dosti,Isuf Luzaj të cilët në fjalën e tyre u ndalën rreth bashkimit të formacioneve nacionaliste të kësaj treve në një komandë të vetme.Më pas,ka qenë vetë apsotulli i shqiptarizmës,Mit’hat Frashëri,i cili ka propozuar në krye të komandës ushtarake,Fiqiri Dinen.Burime relevante flasin për ate,se ndërsa në Homesh zhvillohej tubimi i krerëve nacionalistë,forca të shumta italiane marshuan drejt Maqellarës dhe pas rreprezaljeve të shumta në popull,bënë shkum e hi,shtëpinë e Fiqri Dines.Ky me të marrë vesht lajmin,në krye të 700 dibranëve,rrethon Maqellarën dhe pas dy ditë luftimesh të rrepta e çliron plotësisht ate.

“Përsa u përket forcave italiane,ato të sulmuara nga forcat dibrane të Fiqri Dines,u detyruan të tërhiqen në lagjen e tyre,në qytetin e Dibrës.Pa humbur kohë komandanti i Divizionit italian, gjenerali Diaz,dërgon me mision në Maqellarë prefektin e Dibrës Mehmet Hoxhën (ky ishte nga Gjakova.Prej një burimi të sigurt është njoftuar se ishte në shërbim të komunizmit serb.Më vonë u emërua ministër në qeverinë federative të titos)Prefekti në fjalë,i garantonte Fiqiri Dines se gjenrali Diaz do t’ia paguante gjthë vlerën e shtëpise në napoleona flori.Fiqiri Dine,i indinjuar për këtë propozim provokues,i thotë të dërguarit të gjeneralit se ai nuk ishte një njeri që mund të blihej me para dhe se nuk do të bëhej kurrë tradhëtar i atdheut”.(L.Radi “Rëfime për Dinejt e Dibrës” fq.46).Edhe në muajt gusht shtator 1943,forcat nacionalsite dibrane,të udhëhequra nga Fiqiri Dine,zhvilluan me sukses disa luftime,kundër divizionit italian të komanduar nga gjenerali Diaz. Ndonëse italianët përdornin rëndom artilerinë e rëndë si edhe teknikën luftarake moderne,nacionalistët duke shfrytëzuar maksimalisht terrenin,të prirë trimërisht prej Fiqiri Dines,në mjaft luftime ngadhnjyen kundër forcave italiane.Lidhur  me aftësitë e larta organizuese të birit të Maqellarës,misionarët anglez do të shkruanin tekstualisht : “Njeriu më i fuqishëm i Dibrës,ishte Fiqiri Dine,dikur pasues i Ahmet Zogut.Fiqiriu kish udhëhequr kryengritjen e famshme dibrane më 1943 dhe kishte dëbuar italianët nga Dibra… Fuqia e tij vinte jo nga numëri i pushkëve,por nga ndikimi i tij,mbi krerët më të mëdhenj,të cilët i admironin cilësitë e tij si burrë shteti.Kudo që shkonin në Dibër,ne ishihnim shenjat e ndikimit të tij të fuqishëm”.( Julian Amery. “Kujtime që nuk shlyhen “ Tiranë – 1995, faqe 104 ).

  Kapitullimi i italisë,solli konfiguracione të reja politike në Shqipëri.Tashmë ishte konturuar një vijë e ashpër demarkacioni midis forcave nacionaliste shqiptare të udhëhequra prej  Ballit Kombëtar dhe forcave partizane komuniste të udhëhqura prej komunistëve të Beogradit.Kjo vijë e ashpër demarkacioni,u shëndrrua në dimërin e egër 1943-1944 në një luftë të dhimbshme vëllavrasëse e cila frymëzohej prej guzhinave të ndyra serbosllavo ruse.Për të vërtetën historike duhet thënë se në fillim të vitit 1944,qeveria angleze pranoi që Hungraia,Rumunia dhe Bullgaria,të hynin në sferën e ndikimeve Sovjetike.Ata tërhoqën misionin e tyre ushtarak edhe nga beogradi,me çrast u kumtuan jugosllavëve se për ta,do të kujdesej Baba Stalini.Ky fatalitet,do të mbështillte më pas edhe tokat shqiptare,kur aty të lulëzonte terrorizmi bollshevik.

  Misioni Anglez në Dibër,i përfaqsuar nga Peter Kamp,që në fillimet e veta të veprimtarisë u bashkua me forcat nacionaliste të udhëhequra nga Fiqiri Dine.Anglezët kërkuan prej Fiqiri Dines që forcat e tij të vireshin në front për të luftuar kundër gjermanëve.E vërteta është se burri i mençur i Maqellarës pranoi këtë ide të anglezëve,vetëm nëse këta do të plotsonin kushtet e tij siç ishin furnizimi me veshëmbathje,armatime e municione të luftëtarëve si edhe zhvillimin e luftimeve larg zonave të banuara ku gjermanët të mos kishin mundësi të kryenin reprezalje në popull apo të digjnin qytetet shqiptare.Peter Kamp,në kujtimet e veta,flet pos të tjerave për vizionin e qartë të Fiqiri Dines i cili rrezikun më të madh për ardhmërinë shqiptare e parashihte tek vendosja e komunizmit dhe jo kalimi i përkohshëm në këto troje i forcave gjermane.Ka vizion,kjo ndjenjë e përgjegjsisë për fatet e vendit të vet,do të bënte që në fillim korrikun e vitit 1944,të pranonte besimin që Këshilli i Naltë i Shqipërisë,i dha,për të drejtuar shtetin shqiptar.Shumë është përfolur në 50 vitet e diktaturës komuniste,kjo përgjegjsi e madhe morale e Fiqri Dines.Shumë lart është hedhur mbi ato ditë kur ndritte si xhevahiri,mendimi nacionalist shqiptar,ai mendim i thellë që buronte prej dëshirës së shqiptarëve,për të jetuar kurdoherë së bashku në trojet e tyre etnike.Më poshtë, do desha t’u jap lexuesve të mij,vetëm disa rreshtat e parë që burri i Maqellarës,trimi i Dibrës,Fiqri Dine,mbajti në ceremonin e marrjes së detyrës së vështirë të kryeministrit shqiptar ;

“Zotnij të ndershëm ! Bashkë me shokët e mij,me të cilët sot kam nderin të paraqitem para Zotnisë suaj,mora përsipër në këto kohra kaq të vështira këtë barrë të rëndë që i shkëlqyeshmi Këshill i Naltë pati besimin e ma bani nderin të ma ngarkoje.

Para se t’u lutem me ma dhanë votëbesimin tuej,me lejoni të parashtroj në vija të përgjithshme,mendimet themelore që do të udhëzojnë veprimet tona në lidhje me mundësitë e dhanuna prej gjendjes së kesaj lufte që gjigandët po zhvillojnë ndërmjet tyre  e që drejtazi apo terthorazi kanë prek thellësisht edhe vendin tonë qoftë në fushën landore apo në ate shpirtërore. Ideali Kombetar mbi gjithshka.

  Mbi gjithshka Zotnij Deputet,qëndron Ideali Kombetar,kombi shqiptar,tanesia etnike shqiptare,vllaznimi shqiptar n’emnin e Atdheut,të rendit publik dhe të përparimit.Është detyrë e gjithsecilit prej nesh dhe e të gjithëve së bashku t’ia pershtasim metodikisht veprimet tona ketij ideali të perbashkët po deshëm t’ shmangemi çdo mosmarveshjeje që ven në rrezik gjendjen tonë të sotme dhe ate të një të nesërme më të bukur e më të shkëlqyeshme që e kemi për detyre e të drejtë ta parashikojmë.E nesërme që për ne asht Shqipëria Etnike,Shqipnia në sherimin e saj nga plagët e rënda shpirtërore e landore,Shqipnia në ndertimin e saj kulturor,shoqënor,ekonomik e financiar mbi themele më të shëndosha e më të sigurta. Tue pas gjithë këtë qëllim,na do t’i qendrojmë besnikë vetes sonë e njeni-tjetrit, e terthorazi do t’i qendrojmë besnik kushteve të shteteve të medha nder luftuese dhe do të jemi korrekt me fqinjët tanë.Gjithashtu,do të mundim te marrim,të pranojmë e të durojmë çdo barrë e çdo therrori qe na paraqitet,të kryejmë çdo veprim e detyrë që te na kërkohet”.

( Gazeta “ Bashkimi i Kombit “ më 21 korrik 1944 ).

  Që në ditët e para të qeverisjes,Fiqiri Dine mori një varg masash me të cilat donte të parandalonte luftën vëllavrasëse midis shqiptarëve të grupuar në dy formacione politike me kahje të kundërt.Në fjalimet,bisedat si edhe urdhërat e dhëna ato ditë,burri i Maqellarës ky antiserbosllav i lindur,u përpoq me çdo kusht të denonconte komunistët serb,për çorbën e hidhur që po gatuanin në Shqipëri.Ai vendosi qëndrime tejet korrekte me gjermanët mandej hyri në bisedime konkrete lidhur me fatet e trevave shqiptare në Kosovë e Maqedoninë perëndimore.Autoritar në vendimet e marra,Fiqiri Dine ka urdhëruar një pjesë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,të luftonin në kufijtë etnike shqiptare si kundër serbo-malazezëve,ashtu edhe kundër bullgar e sllavomaqedonasve. Madje një tjetër vlerë e pamohueshme e Fiqri Dines,gjatë periudhës së shkurtër të qeverisjes së tij,ishte pakti antikomunist që ai lidhi me Ismail Golemin në Jug,Abaz Kupin në Shqipërinë Mesme dhe Gjon Marka Gjonin e Preng Previzin në Shqipërinë e Epërme.Mik e bashkëluftëtar i ngushtë i tij mbeti deri në fund edhe Muharrem Bajraktari.Ndonëse lufta vëllavrasëse dukej se po shuhej,këtë gjë nuk mund ta pranonin komunistët.Herë herë,rrugicat e qyteteve kanë qenë mbushur me traktet e tyre duke sharë e fyer burrin e maqellarës i cili duke e kuptuar qëllimin e tyre provokues,nuk ka ndërmarrë asnjë aksion kundër bazave komuniste.Duke parë këtë  qëndrim të matur të nacionalistëve shqiptarë,në ate qerthull të rrezikshëm ngjarjesh,nacionalçlirimtarët  shqiptarë të përzier me serb,nuk kanë vonuar të shpallin luftën deri në vdekje midis shqiptarëve.Në një udhëzim të klikës komuniste të Tiranës pikërisht në gushtin e vitit 1944,është thënë ;

“Të hidhen  menjëherë trakte nga ana e korpusit,e divizioneve,ku përveç tjerave të thuhet edhe kjo,e cila të jetë kryesorja ; Mehdi Frashëri,Lumo Skendo,Ali Këlcyra,Fiqri Dine,Lef Nosi dhe gjithë bashkëpuntorët e tyre kuilinge,janë tradhëtarë të popullit,si të tillë do të shkojnë në gjyq për tradhëti,çdo manovër e tyre dhe e kujdo tjetër do të jetë e kotë.Të gjithë krerët e tjerë do të shkojnë përpara gjyqit…”( Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Udhëzimi dërguar shtabit të korp armatës I-rë më datë 5-9-1944.Vëllimi II , faqe 145 ).

  Në gushtin e vitit 1944,Stalini pat filluar kundërofensivat e mëdha.Tashmë ai nuk mund të pyeste për milionat e ushtarëve të rënë por kërkonte lavdinë e rrënuar nëpër gërmadhat e qyteteve që digjeshin.Fitoret e bollshevikëve po rrisnin radhët e nacionalçlirimtarëve në krejt Evropën Lindore,popujt e të cilës as nuk mund të imagjinonin,terrorin e kuq,ndarjet e përçarjet,që do të vinin paskëtej.Edhe në trevat shqiptare,ky ogur i zi,do të nderej përmes luftës vëllavrasëse.Tërheqja e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare prej kufijve etnike,mësymja e formacioneve komuniste në Kosovë e Maqedoninë shqiptare,eleminimi i egër fizik që pat nisur ndaj figurave madhore nacionalsite,bënë që Fiqiri Dine të jepte dorëheqjen.E shoh me vend,tju rikujtoj,ato fjalë të mençura,që ky burrë pat thënë shtatë decenie më parë,ndërsa linte postin e kryeministrit shqiptar.

“Shkëlqesa ! Qeveria që kam nderin të kryesoj,ka ardhë me besimin tuaj në fuqi,me një program që në pikat e tij  kryesore  asht  përmbledhë në programin që parashtruam  përpara  parlamentit më 24 korrik 1944.

Sikurse asht në dijeninë e Zotnisë suej,pikat esenciale të ketij programi parashifnin mbrojtjen e tanësisë së kufijve t’Atdheut dhe sigurimin e rendit publik.Per me ia arrijtë ketyre qelimeve Qeveria mbështetesh në fuqitë e armatosura të Shqipnisë,ne vullnetin e mirë të popullit dhe në shpresën e pajtimit shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.

Mjerisht,rrethanat e jashtme dhe ngjarjet e trishtueshme të mbrendshme gjatë këtij muaji të veprimtarisë qeveritare,i kanë dhënë qeverisë provën e hidhët se nuk mundet ma të shpresoj me i dal per zot këtyre pikave kryesore të programit të sajë.Fuqitë e armatosura për mbrojtjen e Atdheut,të shkatëruara nga trashëgimitë e pushtimit të huaj,nuk janë e nuk mund të vihen në gjendje për me  e plotsue këtë detyrë.Sigurimi i rendit botëror i rrënuar nga propaganda e jashtme antikombëtare,nga kryengritjet dhe shkatërimet e shkaktueme nga vrasja,nuk mundet ma të vendoset me mjetet qe ka në dispozicion.Qeveria,vullneti i mirë i një pjese të popullit,për qetsimin e shpirtërave e për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në këto çaste fatkeqe për Atdheun,ka munguar fare.Para këtyre fakteve Qeveria që kam nderin të kryesoj dhe une vet,nuk mundemi mjerisht të vazhdojmë me mbajt barrën e përgjegjsisë të një gjendjeje që asht shkaktue jashta vullnetit ton e qe asht trashigimi i fatkeqsive,i mosmarveshjeve,i vullnetit të keq dhe i fuqive të huaja qe janë mbi mundesitë tona rregulluese.

  Per te mos i ndalue eventualisht ato fuqi kombëtare që e ndjejnë vendin më të zotit per me shpetue Atdheun nga rreziqet qe po e kercnojn sot e neser,Qeveria ua kthen mandatin qe Shkelqesia e juaj patët mirësinë me nga ngarkue”.                        Me nderime te nalta :

                                                                             KRYEMINISTRI

                                                                            FIQIRI  DINE

(  Gazeta  “ Bashkimi i Kombit “ më datë 29 gusht 1944 , ditë e martë ).

  Pas kësaj tavolina dhe zyra e tij  e punës,do të ishin,Nëntë Malet e Dibrës.Gur më gur e kep mbi kep,në krye të 400 trimave dibranë,pushka e Fiqiri Dines do të këndonte vetëm kundër komunizmit sllavoshqiptar,të kësaj pjelle të urryer.Bashkëpunon me ONDSH si edhe me “Lidhjen e Maleve” dy organizata që mbajtën të ndezur,përmes dhimbjesh të mëdha,shpresën dhe ëndrrën e shqiptarëve për bashkimin e trojeve etnike.Në vitin 1946,së bashku me vëllanë dhe bashkëluftëtarin e vet Dilaverin,le viset e shenjta të vendlindjes për të vazhduar në Botën e Lirë,luftën antikomuniste.Një varg takimesh,me personalitete të huaja,bisedat me ta,na bëjnë me dije se Fiqiri Dine kishte kurdoherë shpresa të mëdha në ardhmërinë e vendit të vet.Ai i gjendur përballë privacioneve të mëdha askurrë nuk u mposht e gjunjëzua,përkundrazi gjente forca të ngrihej duke luftuar për Dibrën dhe Shqipërinë.Fjala e tij zgjonte respekt. Ai do të duartrokitej në Bruksel më 28 nëndorin  e vitit 1959,në festën madhore të flamurit shqiptar,ku pos të tjerave do të kumtonte : “Motra e vllazën : Mbani lart moralin ! Kini kurajo e durim se dita e përmbysjes së komunizmit do të vije,asht vetëm çashtje kohe.Na do ta ngermë lart përsëri flamurin kuq e zi pa shenja të hueja në atdheun tonë”.

( L. Radi , “Rrëfimi për Dinejt e Dibër” faqe 92 ).

  Ndërsa një vit më pas,më 28 nëndor 1960,ndërsa varrosej po në Bruksel,bashkëluftëtari i tij Muharrem Bajraktari në fjalën e lamtumirës për Fiqri Dinen ,do të thoshte se “mbylli sot përgjithmonë,sytë e menduar të tij,dishepulli i Shqipërisë Etnike”.Kështu shkonte një trup i madh i Atdheut tonë Etnik,por mbetet amaneti i tij,në botën shqiptare,ata që Atdheun e vënë mbi gjithshka.

  Së fundmi me këtë rast,shprehi dhe ngushllimet e mia personale dhe mbarë familjes Shehu,për shuarjen e jetës të birit të Fiqri Dines,Xhelal Dines,familjarëve të tij dhe mbarë fisit Dine,si në SHBA ashtu dhe në Shqipëri.(NE FOTO: Nga e majta) – Fiqiri Dine – Preng Pervizi – Muharrem Bajraktari – Hysni Dema)

                                                                                                                                           Bern-Zvicër

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Eugen Shehu, Fiqiri Dine, Kryeminsitri i 32

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT