• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS

June 25, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Nuk dijmë se si e kur do të mbarojë lufta. Përfundimet e saj do të ndikojnë jo vetëm, siç është e natyrshme, mbi barazpeshat ndërkombëtare por edhe – gjë që është më pak e natyrshme – mbi ato të brëndëshmet e demokracive evropiane. Italia është, së bashku me Francën (e cila zotëron institucione më të qëndrueshme), më në dukje. Për praninë, më të shumtë si numër e më të zhurmëshëm, të armiqve të asaj që e quajnë perandoria e së keqes (Shtetet e Bashkuara). Nëse një demokraci nuk është një fuqi e madhe, nëse nuk mund të formatojë kontekstin ndërkombëtar, atëherë është ai kontekst që kushtëzon barazpeshat e saj të brëndëshme.

Për shëmbull, mbas luftës së Dytë botërore Shtetet e Bashkuara farkëtuan, në dritën e vlerave dhe interesave të tyre, në shemëri me Bashkimin Sovjetik, rendin ndërkombëtar. Demokracitë evropiane u përshtatën duke fituar qëndrueshmëri, siguri e mirëqënie. Ka mundësi që lufta në Ukrainë të vazhdojë gjatë. Por një ditë armët, së paku për pak, do të heshtin. E do të bëhet një llogari e parë. Janë tri mundësi. E para është që Ukraina, edhe pa rimarrë të gjithë territoret që Rusia ka pushtuar, të dalë fituese. Për të qënë ende një Shtet sovran që i ka qëndruar me sukses planit të Putinit për t’a fshirë nga harta gjeografike, për të treguar aftësi për të thyer projektin rish-perandorak rus. Mundësia e dytë është që Ukraina, edhe se ekziston ende, sëpaku me emër, do të jetë katandisur në një kandil, makar pa dalje më në det, e paracaktuar të mbijetojë në sajë të ndihmave perëndimore. Rusia do të njihej fitimtare. Moldavia, Polonia e Vëndet balltike do të kishin arsye të dridheshin. 

Mundësia e tretë është një vënd numuro, një gjëndje pa fitues të qartë. Do të rridhte një armëpushim i paracaktuar, shpejt a vonë, të thyhej. Nomenklatura ruse nuk do të mund të lejonte për shumë kohë të mos ishte fituese e sigurtë. Përse vallë gjiganti do të duhet të durojë idenë se nuk arriti të kthejë në një qull ata që i quan insekte të parëndësishëm?

Të mbajmë parasysh dy mundësitë dhe pasqyrimet e tyre mbi Italinë. Një fitore e Ukrainës do të fuqizonte qëndrimet politike të atllantistëve. Një fitore ruse do t’i dobësonte rëndë. Jo të gjithë ata që shpresojnë në një mundje të Ukrainës janë detyrimisht putinianë. Por të gjithë janë kundër-amerikanë. Mendojnë se një fitore e Ukrainës do të ishte një fitore e NATO-s dhe e Shteteve të Bashkuara. Ëndërrojnë një Evropë që, të përzënë amerikanët, të merret vesh me Rusinë. Është një grup i ndryshëm, i përbërë nga paqësorë pak a shumë imagjinarë, putinianë, sektorë të botës katolike e të tjerë ende. Kundërshtia për NATO-n është faktori përbashkues.

Nëse do të fitojë Ukraina, atllantistët, Partia demokratike, Vëllezërit e Italisë e ndoshta – nëse do të dalë – një fuqi e qëndrës, do të përforcoheshin. Nëse do të fitojë Rusia do të jenë kundër-atllantistët të përforcohen, edhe brënda PD e Vëllezërve t’Italisë. Ndoshta vetë drejtuesit  e atyre partive do të kundërshtoheshin për zgjedhjen e tyre atllantike nga kundërshtarët e brëndshëm përkatës. Në kohët e mesme e të gjata, pamja evropiane që do të rridhte nga fitorja e njërit apo tjetrit ndërluftues do të ndikonte mbi barazpeshat politike italiane.

Në ndarjet mbi luftën dallohen në kundërdritë dëshira të ndryshme mbi t’ardhmen e demokracisë. Është e vërtetë se dy ballërat, atllantist e kundër-atllantist, janë të ndarë edhe në brëndësinë e tyre. Por në mënyrë paradoksale, balli kundër-atllantist është brëndësisht më i lidhur. Ndërmjet atyre që tek ne synojnë në dobësimin e rolit të Shteteve të Bashkuara n’Evropë – njëlloj si Mélenchoni e Le Peni në Francë – janë të përhapura parapëlqimet për një shoqëri të mbyllur, fuqimisht të kontrolluar nga Shteti, janë të pakët miqtë e shoqërisë së hapur (të nismave të individëve), si të tilla më të pajtueshme me karakteret deri më sot zotërues në bashkësinë evroatllantike. Një shoqëri e mbyllur, edhe se formalisht demokratike, nuk do të kishte vështirësi për t’u marrë vesh me Rusinë e Putinit.

Në ballin atllantik ka më shumë ndryshueshmëri. Do të shohim nëse shestimi i zgjedhjes atllantike me suksesin zgjedhor në Italinë e Veriut do t’a shtyjë FdI për të braktisur parapëlqimin e së shkuarës drejt disa idealeve shtetëroro-korporativë, pak të pajtueshëm me kërkesat e një shoqërie të lirë e të hapur. Do të shohim nëse rish-atllantizmi i PD do të japë ndihmesën për të zvogëluar hapësirën, brënda e për rreth partisë (shiko CGIL), e qëndrimeve pak të pajtueshme me ato kërkesa. Por mbas këtyre saktësimeve, nuk duket e papranueshme që politika italiane të shtyhet në një drejtim apo në një tjetër simbas përfundimit të luftës. 

Është pastaj mundësia e tretë: lufta vazhdon gjatë dhe ndiqet nga një ngërç e nga pamundësia për të njëmendësuar një fitues të qartë. Në një rast të tillë, përballimi ndërmjet atllantistëve dhe kundër-atllantistëve të shtëpisë sonë nuk do të ndalohej. Pasiguria mbi gjëndjen ndërkombëtare do të derdhej mbi ne duke rritur pasigurinë mbi t’ardhmen e demokracisë sonë.

Nëse do t’ishin vetëm “Idetë e mira” e jo edhe “armët e mira” për të  fituar luftërat, e nëse do t’ishin vetëm idetë e mira për të zhvendosur në një kah apo në një tjetër barazpeshat në brëndësi të një demokracie, do të duhej thënë se kush parapëlqen shoqërinë e hapur, pra aleancën perëndimore është më në dobi sepse zotëron idetë më të mira. Kundëramerikanët i drejtohen historisë  (me H të madhe), për t’i shpjeguar opinionit publik përsenë e natyrës së ndërlikuar të gjëndjes së Ukrainës e përse një humbje e mirëfilltë ruse nuk është e urueshme. Flasin për historinë në të njëjtën mënyrë sikurse flet Putini, si për një rreth të pamëshirshëm e të pandryshueshëm. Por historia e kuptuar kështu nuk ekziston. Ekzistojnë proçeset historike të thurur me vazhdimësi e pavazhdimësi. Ajo e Ukrainës nuk është një luftë civile, sepse ukrainasit ekzistojnë, janë një komb i pavarur e kështu duan të qëndrojnë. Meqë kombet formohen gjithmonë kundër një armiku, Putini ka arritur të fuqizojë kahun e njinjisisë kombëtare të Ukrainës, është vetëmundur, ka  kontribuar, nga 2014 deri sot të shtrembërojë vetë idenë e tij, simbas së cilës”Ukraina nuk ekziston”.

Ka shumë argumenta të mirë për të hedhur poshtë tezat e armiqve të aleancës perëndimore për Ukrainën në shtëpinë tonë, e për të thënë se, për të njëjtat arsye ka ndonjë shkak optimizmi mbi luftën. Armët ruse vështirësisht do t’arrijnë të shkatërrojnë një identitet kolektiv që gjaku dhe zitë kanë përforcuar kaq fuqishëm.

“Corriere della Sera”, 22 qershor 2022    Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Emigracion Tagged With: Eugjen Merlika

PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?

June 24, 2022 by s p

Nga BEPPE SEVERGNINI/

Librat nuk I zgjedhim: n’a zgjedhin ata. Janë bij të kohës së tyre, e ndonjëherë e pagëzojnë: atë që natyra e pengon dhe feja e ndalon në industrinë e librit është e mundur. Lindin, çirren, bëhen të njohur, n’a përkëdhelin, n’a befasojnë; ndonjëherë organizojnë festa papritmas.

Besoj se ka ndodhur kjo me librat që gjej përpara. Në rendin e shfaqjes (mbi tavolinën time, jo në librari): Jean-Francois Revel, “Si mbarojnë demokracitë”; Francis Fukuyama, “Liberalizmi dhe kundërshtarët e tij”; Milan Kundera, “Një perëndim i burgosur”; Aldo Schiavone, “Perëndimi dhe lindja e një qytetërimi planetar”; Carlo Calenda, “Liria që nuk liron”; Chiara Giaccardi dhe Mauro Magatti: “Mbishoqëria”. Ky i fundit ka një nëntitull të mprehtë: “Ka ende kuptim të vihet bast mbi lirinë?”. Përgjigja është: po, duke ditur se basti është bërë i detyruar. Deri pak vite më parë, regjimet  e mohonin tiranizimin e qytetarëve (më falni, të nënshtetasve). Sot janë krenarë: përndjekës serialë të pakicave, mëndjemëdhenj fanatikë, autokratë të korruptuar e të pasuruar duke valëvitur me krenari ndryshueshmërinë e tyre mizore tallen me demokracitë tona. Lexoni se çfarë ka thënë Vladimir Putin në Shën Pjetërsburg të premten. I vendosur në një kornizë me një brerore t’artë, si një shenjt në një ikonë, shpjegoi se modeli perëndimor ka mbaruar. “Elitat janë prè e kllapisë. Kacavirren në hijet e së shkuarës dhe nuk pranojnë të njohin realitetet e reja. Por gabohen nëse besojnë që gjithshka mund të kthehet në normalitet duke shmangur rrëmujat. Agjë nuk do të jetë më si më parë”.

Nuk do të vlente t’i përmendnim se qeveritarët perëndimorë shkojnë e vijnë, ndërsa ai është i lidhur në komandë prej njëzetedy vitesh e jeton si një Krez. Me që ra fjala: a e dini kush ishte Krezi? Mbreti i fundit i Lidisë (shekulli i katërt P. K.), një burrë shumë i pasur e i fuqishëm. Tregon Herodoti se kur Soloni shkoi t’a takojë, mbreti i kërkoi të vërtetonte se ai, Krezi, ishte më i lumturi ndër të gjithë njerëzit. Soloni u mendua dhe i u përgjigj: “Për të gjitha gjërat  duhet të pritet të shihet si do të përfundojnë”. Krezi u nevrikos. Pak kohë më mbrapa u thye dhe u shkarkua. Çfarë thoni? A do të ketë lexuar Vladimir Vladimiroviç Putini “Historitë” e Herodotit? 

“Corriere della Sera”, 18 qershor 2022    Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN

June 23, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Çfarë do të kishte ndodhur nëse në vend të përgjigjes me armë mësymjes ruse, ukrainasit të mos kishin lëvizur asnjë gisht e t’i kishin lënë ushtrisë së Putinit të pushtonte qetësisht Kievin, duke përcaktuar natyrisht rënien e, madje edhe zënien e Zelenskit? Është kjo pyetja që duhet t’i bëhet atyre që vazhdojnë të shprehin dyshime mbi mundësinë dhe kuptimin e qëndresës së atij Vëndi mësyesve. Që duhet t’u bëjmë atyre që me një përçmim kryelartë kanë folur madje për “mistiçizëm të qëndresës”, nga i cili qënkeshin të infektuar ukrainasit e marrë.

Mbi përgjigjen e pyetjes së bërë në fillim  është vështirë të ketë dyshime. Të mos bëhej qëndresë do të thonte thjesht fitore të plotë të Putinit brënda 48 orësh e pra fati I Ukrainës në dorë të tij. N’atë pikë, me shumë gjasë, nuk do të pasonin as sanksionet nga ana e Perëndimit (ose do të kishin qënë sanksione të rreme, si ata mbas Krimesë). Ndërsa qëndresa me armë e popullit ukrainas ka qënë e gjërë dhe e guximëshme. Ajo ka patur pasojën për të përcaktuar dështimin e planir rus (është vërtetë gjë kaq e parëndësishme?), por është duke hedhur parakushtin e një dështimi politik tejet të ahpër të vetë Putinit, me dobësimin e fuqishëm pasues të drejtimit të tij, e në pritmëri  vetë rënien e tij. 

Ka qënë qëndresa e armatosur e popullit ukrainas, së bashku me vetë qënien e saj arsyeja që i ka treguar botës si dështimin e shërbimeve të fshehta, mbi njoftimet e të cilëve Kremlini vendosi rreth katër muaj më parë mësymjen, duke besuar se bëhej fjalë për një shëtitje, ashtu si mungesat materiale (deri edhe ato të racioneve ushqimorë), pështjellimi organizativ e strategjik, rendimenti i pakët veprues dhe mungesa e frymës luftarake të organizmit ushtarak rus.

E dijmë të gjithë që qëndresa ukrainase nuk mund të fitojë, nuk mund të fitojë ushtarakisht. Por politikisht ajo ka stërfituar. Që sot ajo e ka vënë Putinin me shpatulla për muri, në kushte pra të mos ketë alternativë: ose të bisedojë me atë që donte t’a shkatërronte (por nëse don të përmbyllë traktativat duhet të heqë dorë nga projekti fillestar ose të lëshojë pe mbi këtë apo atë pikë), ose të shkojë përpara me luftën. E të fitojë po, më së fundi, por pikërisht në sajë të pranisë së qëndresës, do të jetë i detyruar t’a kthejë Ukrainën në një det rrënojash të banuar nga një popull që e urren. Por në një Vënd të kthyer në një det rrënojash e të vdekurish a do t’arrijë të gjejë një Kuisling që do të pranonte e të ishte në gjëndje të qeveriste n’emër të tij? E sa ushtarë do t’i duheshin, mbas një t’ashtuquajtur fitoreje për të zotëruar një territor sa dy herë Franca? Sa ushtarë duhet të llogarisë të humbasë çdo natë, viktima të mundëshme  të një prite mbas çdo dere e çdo qosheje të rrugës? E atëherë pyesim: e gjithë kjo – kjo katastrofë e vërtetë politike – a nuk  është frut i faktit që ka qënë një qëndresë e armatosur? I faktit që ukrainasit kanë rrokur armët, kanë kërkuar armë për të luftuar, e që Perëndimi u a ka dhënë? Krejt tjetër kushteve të suksesit “haptas i pamundur” me të cilën kanë mbushur gojën shumë në këto ditë.

Që nga fillimi, në fakt nga shumë anë këtu n’Itali (veçanërisht këtu n’Itali më duket), ngrihen zëra mbi kotësinë e madje pamoralshmëninë e qëndresës, mbi pavendshmërinë absolute të furnizimit me armë, mbi “absurditetin” e luftës, të çfarëdo lufte si e tillë që prodhon vetëm vdekje e shkatërrime. Zëra që synojnë të na bindin se përballë mundësisë së një lufte çdo konsideratë tjetër duhet të kalojë në një plan të dytë përballë nevojës së paqës: këtu, menjëherë, me çdo kusht, e pra të bëjmë traktativa, traktativa, traktativa, gjithmonë, me këdo e në çfarëdo mënyre.

Mbas gjithë kësaj është shumë më tepër se sa një marrje të thjeshtë qëndrimi politik. Ndihet një shndërrim i thellë i panoramës kulturore të Vëndit tonë, veçanërisht të klasave të saj të larta. Ndihet harresa tashmë tejet e përhapur e së shkuarës, fshirja e historisë si element strukturor i përvojës dhe i mendësisë. Ndihet harresa e karakterit tragjikisht dramatik që mund të ketë historia. Harresa e ashpërsisë përcaktuese, të padiskutueshme të vlerave politike të përbashkëta (pavarësia kombëtare, vetëvendosja, sovraniteti) nga të cilat shpesh popujt e qeveritë thirren. Në Italinë bashkëkohore, anasjelltas, është e përhapur një mendësi që, në alternativë të historisë, shkon gjithënjë e më shumë duke u frymëzuar jo nga vlerat politike të mësipërme, por nga të drejtat vetiake, të para si thelbi i një etike të hamendësuar paqësuese universale. Një mendësi në të cilën, siç kuptohet, nuk ka vënd për luftën e për gjithshka që ësht në të e arsyeshme dhe e paarsyeshme e morale. Në të cilën përmasat e luftës, të mekanizmave e të ndjenjave fatale që e përcaktojnë, të përmasës së guximit të njerëzve e të dëshirave të popujve, elementi i heroizmit e i poshtërsisë, të gjitha duken si thelbe qëndrimesh të kaherëshme për t’u yshtur. Në këtë mënyrë gjithshka përfundon për t’u vënë në të njëjtin rrafsh: njëzetvjeçarët ukrainas që përgatiten të luftojnë tankset ruse të Putinit që i ka dëguar në Kiev, ata që lëshojnë raketat e ata që i bien mbi kokë. Kështu, nën gjëmimin e armëve që përballen në fushat e Lindjes, harresa e historisë është kthyer në një harresë të mirëfilltë e të thjeshtë të realitetit. Dhe në të njëjtën mënyrë, pa vetë ankorimin në realitet, etika është kthyer fatalisht në moralizëm: hipokrit si të gjithë moralizmat. Një pavërtetësi moraliste ku mbretëron arsyetësia e akullt e mospranimit të forcës, kundërshtia për të ndihmuar të dobëtin dhe të sulmuarin, sepse kështu u dhunuaka detyrimi sipëror i “paqes” e i “traktativës”. Më së fundi, – në mënyrë paradoksale por jo shumë – kultura  që mëton të flasë në emër të viktimave, të qëndërsisë së tyre absolute, kthehet në fakt në aleate të tiranisë që prodhon vetë viktimat.

Nuk kam ndërmënd të turbulloj sigurinë e bekuar të kritikëve të “mistikës së qëndresës”, kaq të shqetësuar për të shmangur pasojat e kobëshme që ajo sjell. Ndoshta do të bënin mirë të kujtonin se liria e tyre e sotme pët të menduar e për të shkruajtur atë që dëshirojnë, nuk ka rrjedhur nga asnjë “traktativë”, nga asnjë përkujdesje përtë vdekur e të plagosur. Liria e tyre është paguar edhe me gjakun e mijra fëmijëve gjermanë të masakruar nga bombarduesit aleatë, është paguar edhe me dhimbjet e mijra grave gjermane të përdhunuara nga ushtarët e Ushtrisë së Kuqe. Sepse historia është e bërë edhe prej këtyre gjërave të tmerrshme: jo nga lloqet e atij që flet për të gjetur kënaqësi nga ndjenjat e tij të mira.

“Corriere della Sera”  Përktheu Eugjen Merlika       

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

NEVE, EVROPA DHE AMERIKA: INTERESAT E VËRTETA DHE ATA TË RREME

May 24, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

“Interesat e Italisë dhe të BE nuk janë ata të Shteteve të Bashkuara”: prej javësh diskutimi italian mbi politikën përballë  agresionit rus kundrejt Ukrainës është zotëruar nga ky pohim ose nga ndonjëri prej varianteve të shumtë të mundshëm. Kuptimi i hapur është: “Shtetet e Bashkuara, zotër të NATO-s, në të vërtetë duan të shfrytëzojnë Ukrainën për të luftuar kundër Moskës e për të përzënë Putinin. Por ky nuk mund të jetë synimi i ynë”. Pa mbajtur parasysh se pasojat ekonomike janë shumë më pak të rënda se sa për ne (italianët, evropianët), që do të përfundojmë së shkatërruari. Pra, të ndihmohet Kievi për t’u mbrojtur, mirë, por aq sa është e domosdoshme dhe asgjë më shumë. Amerika të shkojë në rrugën e vet e ne në tonën”.

Një pohim i tillë fsheh, përtej së vërtetës që është afërmëndsh, gënjeshtrën e silogjizmit të rremë. Është e sigurtë që interesat e Italisë nuk janë ata të Shteteve të Bashkuara: por a nuk mund të thuhej po ashtu e njëjta gjë edhe për ata të Trentinos dhe të Siqilisë? Apo t’atyre të Portugalisë e të Italisë? Po, natyrisht. Çështja e vërtetë qëndron se për çfarë interesah po flasim, për natyrën e interesave. Askush nuk ka “interes” të paguajë taksat, për shëmbull. I paguajmë se jemi të bindur se kjo gjë i shërben një qëllimi, një “interesi” që e quajmë më të rëndësishëm se sa dëmi që pësojmë duke i dhënë një pjesë të fitimit tonë taksave. Ka interesa e interesa, dhe politika qëndron pikërisht në përcaktimin cilët janë më të rëndësishëm e cilët jo. Politika: është vështrimi i përgjithshëm i gjërave, aftësia për të vlerësuar dobitë e dëmet, për të arrirë shikimin më larg se hunda e vet dhe xhepat e vet; për të kujtuar të shkuarën dhe përfytyruar t’ardhmen. Janë cilësi që pikërisht u mungojnë hatashëm atyre që thonë se interesat tona kanë të bëjnë pak ose aspak me ata të Shteteve të Bashkuara. Nuk kanë të bëjnë fare me interesat e së vetmes fuqie botërore që njihet në vetë vlerat tona njerëzore, shoqërore e politike e, në disa drejtime, është zanafilla e tyre: me interesat e së vetmes fuqie botërore që i është kundërvënë e para për gjysëm shekulli, kërcënimit të komunizmit sovjetik që përndryshe do të na kishte futur lehtë në sferën e tij të ndikimit, e vetmja që sot kundërshton kthimin e botës në një zinxhir tregëtar të nënështruar dëshirave të Pekinit. A vërtetë do të ishin të ndryshme interesat tona nga ata të një Vëndi ku kanë zanafillën pjesa m’e madhe e njohjeve, teknologjive, instrumentave, barnavet, modave, tregimeve, që na pushtojnë e na ndihmojnë të punojmë e të jetojmë më mirë? Të një Vëndi që strehon qëndrat më të mëdha të kërkimit e të stdimeve universitare, bibliotekat më të mëdha e u a hap të gjithëve me lehtësinë më të madhe? Leximin e shtypit të të cilit është i domosdoshëm nëse duam të dihet diçka që i shëmbëllen së vërtetës së çfarëdo veprimi që zhvillohet në çfarëdo vëndi të Tokës?

A është një Vënd i përsosur? Aspak. Aq është e vërtetë sa që ka kryer gabime shumë të rënda, madje edhe tmerre të vërteta: jo e fundit, sepse në sajë të rolit të tij planetar – a ka menduar ndonjëri prej kritikëve të tij? – i është dashur të përballojë  shumë herë, si askush tjetër, me më të këqijat e asaj që gjënden në Botë. I është dashur e i duhet edhe tani të marrë përgjegjësinë të ndalojë kërcënime e rreziqe të çdo lloji, të cilët, në një mënyrë apo në një tjetër, na kanë vënë edhe ne në shënjestër. Sigurisht, në Abu Ghraib kanë ndodhur gjëra të turpëshme: por a i ka me të vërtetë letrat në rregull për t’u ngritur në cilësinë e një gjykatësi të pagabueshmëm Vëndi në të cilin ka qënë një burg si ai i Santa Maria Capua Vetere e në burgjet e të cilit ka gjetur vdekjen n’atë mënyrë Stefano Cucchi? A jemi vërtetë të sigurtë, se në vënd të Shteteve të Bashkuara të kishte qënë Evropa mitike, me akoma më mitiken “ushtrinë evropiane”, do të kishim shkuar nëpër botë të gjithë krenarë për prejardhjen tonë të papërlyer? Nga sa dihet ushtarët e Republikës franceze nuk kanë lënë një kujtim të mirë të vehtes në Afrikë ku Parisi për dhjetëvjeçarë ka mbështetur fytyrat më të ndyra presidenciale; ashtu sikurse në Ceuta dhe Melila policia e Madridit nuk përdor dorezat, e, nëse e mbaj mënd mirë, është ende një e panjohur ajo që ndodhi në Stammheim.

Është e drejtë pra që Italia dhe Evropa t’i kërkojnë Washingtonit që çmimi për sanksionet kundër Rusisë të jetë i shpërndarë njësoj në dy brigjet e Atllantikut. E t’a kërkojnë me forcë, pa lajka. Por të përsëritet  vazhdimisht se interesat tona nuk janë ata të Amerikës, sigurisht nuk synon tek kjo. Mbas dukjes së natyrshmërisë synohet të dobësohen marrëdhëniet tona me Vëndin që ka shoqëruar me një fjalë, lumturisht, të gjithë ecjen e demokracisë sonë e që në furtunat e botës gjindet gjithmonë së fundi në të njëjtin krah që është i yni.

“Corriere della Sera”, 15 maj 2022    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

LIRITË N’A BËJNË MË TË FUQISHËM

May 23, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Si edhe në raste të tjera, edhe në kundërshtitë që ka ngjallur mësymja ruse e Ukrainës, përballohen dy përftime të ndryshme të politikës ndërkombëtare. Për të parin, bota është e barazvlefshme me një fushë të madhe shahu ku të fuqishmit (ose të hamendësuarit të tillë), ata që qëndrojnë në krye të Shteteve, lëvizin njëri kundër tjetrit “copat” e ndryshme, të tjerët qënie njerëzore: njerzit e zakonshëm janë përdorur gjithmonë nga ata të fuqishëm simbas qejfit të tyre, të zhvendosur nga një pikë në një tjetër simbas dëshirave e qëllimeve të tyre. Për përftimin e dytë ata qënie njerëzore nuk janë copa të palëvizëshme të një fushe shahu. Simbas bindjeve e interesave të tyre, munden të ndjekin herë herë , me ngazëllim ose thjesht për një jetë të qetë, udhëzimet e kryetarëve të Shteteve, ose t’i përulen urdhërave të tyre, por jo gjithmonë. E nëse vendosin për jo mund të hedhin në erë projektet e të fuqishmëve e të ndikojnë rrjedhën e historisë.

Të përfytyrojmë se çfarë do të kishte ndodhur sikur ukrainasit, në çastin e mësymjes, të kishin zgjedhur menjëherë, me shumicë dërmuese, të dorëzoheshin sepse të kënaqur që ishin “çliruar” nga rusët (siç hamendësonte Putini)  ose të dëshiruar për të shpëtuar jetën me çmimin e përfundimit nën zgjedhën e një diktature.  

N’atë rast Rusia do të pushtonte shpejt Ukrainën. Kanelaritë perëndimore do të kishin bërë ndonjë deklaratë proteste dhe asgjë më shumë.

Në vazhdim kur do të kishte filluar “çnazifikimi” i pashmangshëm, ose më mirë gjuetia shtëpi për shtëpi e kundërshtarëve ( për të cilët sigurisht shërbimet e fshehta ruse i kishin përgatitur listat), Perëndimi do t’a kishte quajtur të palejueshëm dhunimin e të drejtave të njeriut në veprim (si në rastin e Hong Kongut apo të Biellorusisë, pak a shumë). Dhe gjithshka do të kishte mbaruar aty. “Partia pro-ruse” tejet e fuqishme, e pranishme në Itali e në Gjermani, nuk do të kishte ndaluar së kryeri pazarllëqet e saj të zakonëshme me Moskën. Rusia do të kishte vazhduar të shfrytëzonte çdo mundësi për të ndikuar demokracitë evropiane të thyeshme, të hapura e tejet të përçueshme.

Natyrisht, ripushtimi i Ukrainës do të kishte ndryshuar hartën e Evropës. Palëvizshmëria perëndimore  do të kishte përforcuar bindjen e Putinit e të grupit të tij se Perëndimi është një qytetërim i mbaruar, në vdekje. Për perandorinë e ringjallur, Ukraina do të kishte qënë vetëm fillimi. Mbas pak kohe, me gjasë do t’i kish takuar edhe Moldavisë. Balltikasit e polakët (Nato a jo Nato) do të ndjenin në qafë frymëmarrjen e grabitësit. Dhe lufta botërore do të kishte qënë n’atë pikë mjaft e mundëshme, në mos e pashmangëshme.

Por jo. Ata ukrainas kanë vendosur ndryshe. Kanë vendosur se duhej luftuar. Kujtoj një shërbim televiziv në prag të mësymjes. Djem e vajza, më të shumtit studentë, që vullnetarisht përgatisnin thasë rëre në pritje të sulmit të pritshëm. Si shumë të tjerë. Sigurisht është Zelenski. Nëse do t’i a kishte mbathur, siç parashikonin shumë, do të kishte krijuar një çorientim dhe morali i ukrainasve do të ishte shëmbur. Por edhe Zelenski nuk do të kishte mundur të bënte diçka  nëse shumë “burra të vegjël të mëdhenj” e nëse “shumë gra të vogla të mëdha”, njerëz të cilëve nuk do t’i mësojmë kurrë emrat nuk do të zgjidhnin qëndresën. Ka qënë qëndresa e tyre që ka ndryshuar gjithshka. Pa atë qëndresë as Biden-i as evropianët nuk do të kishin lëvizur edhe një gisht të vetëm. E nuk do të kishin mjaftuar përpjekjet e NATO-s për të fuqizuar  ushtrinë ukrainase mbas mësymjes së Krimesë më 2014. Fakti që ukrainasit kanë vendosur të luftojnë e kanë treguar se dijnë t’a bëjnë, duke i prishur festën Putinit, ka tingëlluar zilen e zgjimit për perëndimorët, i ka detyruar t’i mbështesnin. Ata ukrainas, si shumë kokrra rëre, kanë bllokuar ingranazhet e makinës së fuqishme ruse të luftës. Dhe kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së botës. Në talk show-et tona përfaqësuesit e partisë filo-ruse nuk arrijnë të fshehin quajtjen e atyre qytetarëve ukrainas – ngulmësisht të vendosur të mbrohen – si njerëz të bezdisshëm e punëprishës.

Nëse përsiasim mirë, ndoshta pikërisht sepse qëniet njerëzore, siç kanë treguar ukrainasit, nuk janë vetëm copa të një fushe shahu, që së fundi demokracitë, ndoshta mbas ndonjë dhjetëvjeçari, do të mund të mbizotërojnë në dyluftimin e zotuar me fuqitë e mëdha autoritare.

Arsyeja është se vetëm shoqëritë e hapura perëndimore janë organizuar në mënyrë që të vlerësojnë njerëzit, duke u siguruar atyre ato liri që pastaj përkthehen në nisma vetiake, në lulëzim të talenteve, të krijimtarive të të shumtëve në çdo sektor. Është e kudërta e asaj që bëjnë shoqëritë e mbyllura, të drejtuara nga regjimet autokratike. Mjaft të vësh përballë mënyrat me të cilat perëndimorët dhe kinezët kanë përballuar belegun e pandemisë, pë të kuptuar se ku janë dobitë e pikat e forcës së shoqërisë së lirë. Për më shumë, në sajë të demokracisë, shoqëritë perëndimore zotërojnë atë që autokracitë nuk e kanë: mekanizmin (institutet dhe proçedurat) nëpërmjet të cilave është e mundur të ndreqen gabimet e qeverive. Dhe kanë dobinë se , nëse të kërcënuar nga autokratët, shumë perëndimorë paqësorë, në çastin e rrezikut, do të ishin të gatshëm të mbronin liritë e tyre. Në ndryshim nga nënshtetasit e qeverisur nga autokratët, ata qytetarë kanë motivime të fuqishme. Kryetarët e fuqive autoritare nënvvleftësojnë rregullisht burimet e mëdha, lëndore e shpirtërore, të ushqyera nga liritë që demokracitë mund të venë në fushë po të jetë nevoja.

Mund të duket një vlerësim tejet pohenik. E dijmë të gjithë se sa keq është katandisur sot bota perëndimore. Asgjë nuk mund të jepet si e mbaruar. Në gjirin e Perëndimit armiqtë e shoqërisë së hapur janë të shumtë e luftarakë. Do të  mund të mbizotëronin shpejt ose vonë. Sfida e dyfishtë (e fuqive autoritare dhe e armiqve perëndimorë  të lirive) mund të zbulohet e mahnitëshme.

Por loja është e hapur. Demokracitë janë të brishta por kanë një atu: nuk i trajtojnë qytetarët e tyre  si ushtarë, të flijueshëm simbas qejfit.

“Corriere della Sera”, 9 maj 2022       Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Emigracion Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT