Nga ANGELO PANEBIANCO/
Si edhe në raste të tjera, edhe në kundërshtitë që ka ngjallur mësymja ruse e Ukrainës, përballohen dy përftime të ndryshme të politikës ndërkombëtare. Për të parin, bota është e barazvlefshme me një fushë të madhe shahu ku të fuqishmit (ose të hamendësuarit të tillë), ata që qëndrojnë në krye të Shteteve, lëvizin njëri kundër tjetrit “copat” e ndryshme, të tjerët qënie njerëzore: njerzit e zakonshëm janë përdorur gjithmonë nga ata të fuqishëm simbas qejfit të tyre, të zhvendosur nga një pikë në një tjetër simbas dëshirave e qëllimeve të tyre. Për përftimin e dytë ata qënie njerëzore nuk janë copa të palëvizëshme të një fushe shahu. Simbas bindjeve e interesave të tyre, munden të ndjekin herë herë , me ngazëllim ose thjesht për një jetë të qetë, udhëzimet e kryetarëve të Shteteve, ose t’i përulen urdhërave të tyre, por jo gjithmonë. E nëse vendosin për jo mund të hedhin në erë projektet e të fuqishmëve e të ndikojnë rrjedhën e historisë.
Të përfytyrojmë se çfarë do të kishte ndodhur sikur ukrainasit, në çastin e mësymjes, të kishin zgjedhur menjëherë, me shumicë dërmuese, të dorëzoheshin sepse të kënaqur që ishin “çliruar” nga rusët (siç hamendësonte Putini) ose të dëshiruar për të shpëtuar jetën me çmimin e përfundimit nën zgjedhën e një diktature.
N’atë rast Rusia do të pushtonte shpejt Ukrainën. Kanelaritë perëndimore do të kishin bërë ndonjë deklaratë proteste dhe asgjë më shumë.
Në vazhdim kur do të kishte filluar “çnazifikimi” i pashmangshëm, ose më mirë gjuetia shtëpi për shtëpi e kundërshtarëve ( për të cilët sigurisht shërbimet e fshehta ruse i kishin përgatitur listat), Perëndimi do t’a kishte quajtur të palejueshëm dhunimin e të drejtave të njeriut në veprim (si në rastin e Hong Kongut apo të Biellorusisë, pak a shumë). Dhe gjithshka do të kishte mbaruar aty. “Partia pro-ruse” tejet e fuqishme, e pranishme në Itali e në Gjermani, nuk do të kishte ndaluar së kryeri pazarllëqet e saj të zakonëshme me Moskën. Rusia do të kishte vazhduar të shfrytëzonte çdo mundësi për të ndikuar demokracitë evropiane të thyeshme, të hapura e tejet të përçueshme.
Natyrisht, ripushtimi i Ukrainës do të kishte ndryshuar hartën e Evropës. Palëvizshmëria perëndimore do të kishte përforcuar bindjen e Putinit e të grupit të tij se Perëndimi është një qytetërim i mbaruar, në vdekje. Për perandorinë e ringjallur, Ukraina do të kishte qënë vetëm fillimi. Mbas pak kohe, me gjasë do t’i kish takuar edhe Moldavisë. Balltikasit e polakët (Nato a jo Nato) do të ndjenin në qafë frymëmarrjen e grabitësit. Dhe lufta botërore do të kishte qënë n’atë pikë mjaft e mundëshme, në mos e pashmangëshme.
Por jo. Ata ukrainas kanë vendosur ndryshe. Kanë vendosur se duhej luftuar. Kujtoj një shërbim televiziv në prag të mësymjes. Djem e vajza, më të shumtit studentë, që vullnetarisht përgatisnin thasë rëre në pritje të sulmit të pritshëm. Si shumë të tjerë. Sigurisht është Zelenski. Nëse do t’i a kishte mbathur, siç parashikonin shumë, do të kishte krijuar një çorientim dhe morali i ukrainasve do të ishte shëmbur. Por edhe Zelenski nuk do të kishte mundur të bënte diçka nëse shumë “burra të vegjël të mëdhenj” e nëse “shumë gra të vogla të mëdha”, njerëz të cilëve nuk do t’i mësojmë kurrë emrat nuk do të zgjidhnin qëndresën. Ka qënë qëndresa e tyre që ka ndryshuar gjithshka. Pa atë qëndresë as Biden-i as evropianët nuk do të kishin lëvizur edhe një gisht të vetëm. E nuk do të kishin mjaftuar përpjekjet e NATO-s për të fuqizuar ushtrinë ukrainase mbas mësymjes së Krimesë më 2014. Fakti që ukrainasit kanë vendosur të luftojnë e kanë treguar se dijnë t’a bëjnë, duke i prishur festën Putinit, ka tingëlluar zilen e zgjimit për perëndimorët, i ka detyruar t’i mbështesnin. Ata ukrainas, si shumë kokrra rëre, kanë bllokuar ingranazhet e makinës së fuqishme ruse të luftës. Dhe kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së botës. Në talk show-et tona përfaqësuesit e partisë filo-ruse nuk arrijnë të fshehin quajtjen e atyre qytetarëve ukrainas – ngulmësisht të vendosur të mbrohen – si njerëz të bezdisshëm e punëprishës.
Nëse përsiasim mirë, ndoshta pikërisht sepse qëniet njerëzore, siç kanë treguar ukrainasit, nuk janë vetëm copa të një fushe shahu, që së fundi demokracitë, ndoshta mbas ndonjë dhjetëvjeçari, do të mund të mbizotërojnë në dyluftimin e zotuar me fuqitë e mëdha autoritare.
Arsyeja është se vetëm shoqëritë e hapura perëndimore janë organizuar në mënyrë që të vlerësojnë njerëzit, duke u siguruar atyre ato liri që pastaj përkthehen në nisma vetiake, në lulëzim të talenteve, të krijimtarive të të shumtëve në çdo sektor. Është e kudërta e asaj që bëjnë shoqëritë e mbyllura, të drejtuara nga regjimet autokratike. Mjaft të vësh përballë mënyrat me të cilat perëndimorët dhe kinezët kanë përballuar belegun e pandemisë, pë të kuptuar se ku janë dobitë e pikat e forcës së shoqërisë së lirë. Për më shumë, në sajë të demokracisë, shoqëritë perëndimore zotërojnë atë që autokracitë nuk e kanë: mekanizmin (institutet dhe proçedurat) nëpërmjet të cilave është e mundur të ndreqen gabimet e qeverive. Dhe kanë dobinë se , nëse të kërcënuar nga autokratët, shumë perëndimorë paqësorë, në çastin e rrezikut, do të ishin të gatshëm të mbronin liritë e tyre. Në ndryshim nga nënshtetasit e qeverisur nga autokratët, ata qytetarë kanë motivime të fuqishme. Kryetarët e fuqive autoritare nënvvleftësojnë rregullisht burimet e mëdha, lëndore e shpirtërore, të ushqyera nga liritë që demokracitë mund të venë në fushë po të jetë nevoja.
Mund të duket një vlerësim tejet pohenik. E dijmë të gjithë se sa keq është katandisur sot bota perëndimore. Asgjë nuk mund të jepet si e mbaruar. Në gjirin e Perëndimit armiqtë e shoqërisë së hapur janë të shumtë e luftarakë. Do të mund të mbizotëronin shpejt ose vonë. Sfida e dyfishtë (e fuqive autoritare dhe e armiqve perëndimorë të lirive) mund të zbulohet e mahnitëshme.
Por loja është e hapur. Demokracitë janë të brishta por kanë një atu: nuk i trajtojnë qytetarët e tyre si ushtarë, të flijueshëm simbas qejfit.
“Corriere della Sera”, 9 maj 2022 Përktheu Eugjen Merlika