Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/
“Interesat e Italisë dhe të BE nuk janë ata të Shteteve të Bashkuara”: prej javësh diskutimi italian mbi politikën përballë agresionit rus kundrejt Ukrainës është zotëruar nga ky pohim ose nga ndonjëri prej varianteve të shumtë të mundshëm. Kuptimi i hapur është: “Shtetet e Bashkuara, zotër të NATO-s, në të vërtetë duan të shfrytëzojnë Ukrainën për të luftuar kundër Moskës e për të përzënë Putinin. Por ky nuk mund të jetë synimi i ynë”. Pa mbajtur parasysh se pasojat ekonomike janë shumë më pak të rënda se sa për ne (italianët, evropianët), që do të përfundojmë së shkatërruari. Pra, të ndihmohet Kievi për t’u mbrojtur, mirë, por aq sa është e domosdoshme dhe asgjë më shumë. Amerika të shkojë në rrugën e vet e ne në tonën”.
Një pohim i tillë fsheh, përtej së vërtetës që është afërmëndsh, gënjeshtrën e silogjizmit të rremë. Është e sigurtë që interesat e Italisë nuk janë ata të Shteteve të Bashkuara: por a nuk mund të thuhej po ashtu e njëjta gjë edhe për ata të Trentinos dhe të Siqilisë? Apo t’atyre të Portugalisë e të Italisë? Po, natyrisht. Çështja e vërtetë qëndron se për çfarë interesah po flasim, për natyrën e interesave. Askush nuk ka “interes” të paguajë taksat, për shëmbull. I paguajmë se jemi të bindur se kjo gjë i shërben një qëllimi, një “interesi” që e quajmë më të rëndësishëm se sa dëmi që pësojmë duke i dhënë një pjesë të fitimit tonë taksave. Ka interesa e interesa, dhe politika qëndron pikërisht në përcaktimin cilët janë më të rëndësishëm e cilët jo. Politika: është vështrimi i përgjithshëm i gjërave, aftësia për të vlerësuar dobitë e dëmet, për të arrirë shikimin më larg se hunda e vet dhe xhepat e vet; për të kujtuar të shkuarën dhe përfytyruar t’ardhmen. Janë cilësi që pikërisht u mungojnë hatashëm atyre që thonë se interesat tona kanë të bëjnë pak ose aspak me ata të Shteteve të Bashkuara. Nuk kanë të bëjnë fare me interesat e së vetmes fuqie botërore që njihet në vetë vlerat tona njerëzore, shoqërore e politike e, në disa drejtime, është zanafilla e tyre: me interesat e së vetmes fuqie botërore që i është kundërvënë e para për gjysëm shekulli, kërcënimit të komunizmit sovjetik që përndryshe do të na kishte futur lehtë në sferën e tij të ndikimit, e vetmja që sot kundërshton kthimin e botës në një zinxhir tregëtar të nënështruar dëshirave të Pekinit. A vërtetë do të ishin të ndryshme interesat tona nga ata të një Vëndi ku kanë zanafillën pjesa m’e madhe e njohjeve, teknologjive, instrumentave, barnavet, modave, tregimeve, që na pushtojnë e na ndihmojnë të punojmë e të jetojmë më mirë? Të një Vëndi që strehon qëndrat më të mëdha të kërkimit e të stdimeve universitare, bibliotekat më të mëdha e u a hap të gjithëve me lehtësinë më të madhe? Leximin e shtypit të të cilit është i domosdoshëm nëse duam të dihet diçka që i shëmbëllen së vërtetës së çfarëdo veprimi që zhvillohet në çfarëdo vëndi të Tokës?
A është një Vënd i përsosur? Aspak. Aq është e vërtetë sa që ka kryer gabime shumë të rënda, madje edhe tmerre të vërteta: jo e fundit, sepse në sajë të rolit të tij planetar – a ka menduar ndonjëri prej kritikëve të tij? – i është dashur të përballojë shumë herë, si askush tjetër, me më të këqijat e asaj që gjënden në Botë. I është dashur e i duhet edhe tani të marrë përgjegjësinë të ndalojë kërcënime e rreziqe të çdo lloji, të cilët, në një mënyrë apo në një tjetër, na kanë vënë edhe ne në shënjestër. Sigurisht, në Abu Ghraib kanë ndodhur gjëra të turpëshme: por a i ka me të vërtetë letrat në rregull për t’u ngritur në cilësinë e një gjykatësi të pagabueshmëm Vëndi në të cilin ka qënë një burg si ai i Santa Maria Capua Vetere e në burgjet e të cilit ka gjetur vdekjen n’atë mënyrë Stefano Cucchi? A jemi vërtetë të sigurtë, se në vënd të Shteteve të Bashkuara të kishte qënë Evropa mitike, me akoma më mitiken “ushtrinë evropiane”, do të kishim shkuar nëpër botë të gjithë krenarë për prejardhjen tonë të papërlyer? Nga sa dihet ushtarët e Republikës franceze nuk kanë lënë një kujtim të mirë të vehtes në Afrikë ku Parisi për dhjetëvjeçarë ka mbështetur fytyrat më të ndyra presidenciale; ashtu sikurse në Ceuta dhe Melila policia e Madridit nuk përdor dorezat, e, nëse e mbaj mënd mirë, është ende një e panjohur ajo që ndodhi në Stammheim.
Është e drejtë pra që Italia dhe Evropa t’i kërkojnë Washingtonit që çmimi për sanksionet kundër Rusisë të jetë i shpërndarë njësoj në dy brigjet e Atllantikut. E t’a kërkojnë me forcë, pa lajka. Por të përsëritet vazhdimisht se interesat tona nuk janë ata të Amerikës, sigurisht nuk synon tek kjo. Mbas dukjes së natyrshmërisë synohet të dobësohen marrëdhëniet tona me Vëndin që ka shoqëruar me një fjalë, lumturisht, të gjithë ecjen e demokracisë sonë e që në furtunat e botës gjindet gjithmonë së fundi në të njëjtin krah që është i yni.
“Corriere della Sera”, 15 maj 2022 Përktheu Eugjen Merlika