• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BORREL: “AFGANISTANI NJË KATASTROFË, EVROPA KA PËRGJEGJËSITË E SAJ. BASHKIMIT EVROPIAN I DUHET NJË FORCË E NDËRHYRJES SË PARË

September 4, 2021 by s p

Nga FEDERICO FUBINI

Askush nuk mund t’a padisë Josep Borrellin për hipokrizi. Nënkryetari I Komisionit dhe përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtëme të Bashkimit evropian nuk fshihet kurrë. Nga rrënimi afgan kërkon të nxjerrë një mësim: është çasti të krijohet një fuqi evropiane e ndërhyrjes së shpejtë, sepse “amerikanët nuk do të  luftojnë më për luftërat e të tjerëve”.  

Nënkryetar, a jemi në fundin e luftës n’Afganistan e në fillimin e një lufte mes fondamentalistësh?

“Kjo është së pari një katastrofë për afganët, një dështim për Perëndimin e një pikë kthese për marrëdhëniet ndërkombëtare. Por a është fundi i luftës? Është fundi i pranisë ushtarake perëndimoe në Afganistan. Nuk jam i sigurtë se vetë afganët do të fillojnë luftën mes njëri tjetrit. Por sigurisht për ne kjo nuk është fundi i çështjes sepse duhet të vazhdojmë të mbështesim gjindjen e Afganistanit.”

Evropianët kanë sjellë nga Kabuli ndoshta dhjetëmijë njerëz. Por sa na e kanë kërkuar dhe nuk janë nisur?

“Sinqerisht nuk kemi një shifër konkrete të numurit të njerëzve që do të duhej të tërhiqeshin. Nuk besoj t’a ketë asnjeri. Ata që punonin me BE janë 520  e i kemi sjellë të gjithë në qëndrën e grumbullimit të Madridit. Por ata që punonin me BE dhe evropianët në të shkuarën ose ishin të ngatërruar, makar në shoqërinë civile, duke u përpjekur të ndërtonin një Afganistan demokratik? Ndërmjet tyre, me mijra nuk u arrit të tërhiqeshin. Pra po: marrja e tyre ka qënë një sukses, duke mbajtur parasysh numurin e njerëzve të çuar jashtë në kohë tepër të shtrënguara. Por dhjetra mijrat e mbetur mbrapa: janë një problem”.

“Pjesa m’e madhe e kritikave janë përqëndruar mbi Amerikën e mbi Joe Biden-in. Por ne evropianët a dalim mirë?

“Evropianët janë përfshirë që nga fillimi i luftës afgane, sepse për të parën herë mbas 11 shtatorit ishte zbatuar nyja 5 e Traktatit NATO mbi mbrojtjen e ndërsjelltë ndërmjet Vendeve t’Aleancës. Që nga fillimi antarët evropianë të NATO-s kanë dërguar trupat e tyre – gra e burra me vlera të mëdha – dhe kemi harxhuar shumë para. Por si evropianë nuk kemi patur një përçapje të qartë e që të ishte e jona. Synimi i parë ishte të luftohej Al Qaeda dhe e bëmë. Pastaj ishte një tjetër synim i pështjellueshëm: orvatja për të ndërtuar një shtet bashkëkohor. Në këta njëzet vite diçka është bërë, nuk mund të jemi johenikë mbi këtë: ndërmjet të tjerave, i kemi dhënë mundësi tre milion afganeve të shkonin në shkolla. Por ndërtimi i Shtetit bashkëkohor nuk pati kohë të ngulte rrënjë të thella. Pra si evropianë kemi pjesën tonë të përgjegjësisë, nuk ka qënë vetëm një luftë amerikane”.

A mund të kihet ende besim tek Amerika për sigurinë tonë?

“Presidenti Biden qe i qartë duke thënë  se Shtetet e Bashkuara n’Afganistan kanë bërë atë që duhej të bënin. Kanë krijuar, armatosur dhe mbarështuar një ushtri kombëtare – ka thënë – e tani është koha që afganët t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Po marr shkas nga kjo përsiatje e Biden-it, kur them se Shtetet e Bashkuara nuk janë më të gatshëm të luftojnë luftërat e të tjerëve. Është kështu. Sa i përket kësaj ka një farë tërheqjeje t’Amerikës  nga arena botërore. Por duhet t’a përdorim këtë krizë për të fuqizuar marrëdhëniet ndëratllantike, duke i bërë më të barazpeshuara. Nuk është çasti i tërheqjes”.

Çfarë do të thotë kjo?

“Si evropianë, duhet t’a përdorim këtë krizë për të mësuar të punojmë më shumë së bashku. E për të përforcuar idenë e autonomisë strategjike. Duhet të jemi në gjëndje të lëvizim edhe vetëm. Duke përforcuar aftësitë tona përforcojmë edhe NATO-n”.

Juve propozoni një forcë ushtarake evropiane. Por nuk arrijmë as të bëjmë një deklaratë të përbashkët për Hong Kongun dhe n’aeroportin e Kabulit çdo Vend evropian punon për vete.

“Evropa shpesh kundërvepron vetëm përballë piskamave. Nga kjo përvojë duhet të nxjerrim mësime. Secili prej Vendeve të pranishëm n’Afganistan u mobilizua për rreth aeroportit të Kabulit në këto javë. Kanë bashkëpunuar mes tyre dhe kanë bashkëndarë aftësitë e transportit. Por si evropianë nuk qemë në gjëndje të dërgojmë gjashtëmijë ushtarë për rreth aeroporti për të mbrojtur zonën. Amerikanët i a arritën, neve jo. Për këtë arsye në “busullën strategjike” propozojmë  krijimin e një “Initial Entry Force” evropiane që të mund të veprojë shpejt  përballë piskamave. BE duhet të jetë në gjëndje të ndërhyjë për të mbrojtur interesat e tij kur amerikanët nuk duan të jenë të ngatërruar. “First Entry Force” e jona duhet të përbëhet nga pesëmijë ushtarë, në gjëndje të jenë në gatishmëri për thirrjet e shpejta”.

Si mendoni të shmangni vetot kombëtare?

“Nëse nuk ka njëzëshmëri, shpejt a vonë një grup vëndesh do ë vendosë të shkojë përpara vetëm. Qeveritë që e duan nuk do të pranojnë të ndalohen”.

A mund t’a bëjnë?

“Mund të punojmë në shumë mënyra të ndryshme. Shumë është bërë nëpërmjet marrëveshjesh të veçanta që në fillim ishin jashtë nga Traktati, si në krizat financiare”.   

N’Evropë diskutojmë krizat gjeopolitike vetëm kur trëmbemi se do t’arrijnë refugjatë. Por kjo a nuk shtyn Vënde kufitare si Turqia e Biellorusia të kërkojnë të na përfrikësojnë me valët e të ikurve? 

“Është e vërtetë që Evropa priret të përqëndrohet mbi krizat gjeopolitike vetëm kur shqetësohemi për këtë çështje. Por njerëzit që arrijnë nga Afganistani nuk mund t’i quajmë imigrantë. Shumë janë kërkues të strehimit politik. Kanë ikur nga Kabuli sepse nuk donin të vriteshin. Por është ashtu: gjithënjë e më shumë imigrantët apo refugjatët përdoren si armë nga Vëndet fqinjë për të na vënë nën trysni. Së fund disa irakenë kanë fluturuar deri në Minsk e që aty regjimi i ka çuar deri në kufirin lituan. Këto orvajtje për të përdorur imigrantët si armë duhen kthyer mbrapsht, por ne evropianët nuk mund të shohim gjeopolitikën vetëm me lentet e valëve migratore. Pasojat janë shumë më të gjëra. Ka një pasiguri në opinionin publik që disa subjekte kërkojnë t’i shfrytëzojnë politikisht, por duhet të zbatojmë një kriter shumë më të përgjithshëm.”

Është e vërtetë që BE do të paguajë Uzbekistanin, Taxhikistanin, Pakistanin e deri edhe Iranin për të mbajtur reefugjatët afganë që ne nuk i duam?

E vërteta është se për çështjet që lidhen me Afganistanin duhet të shtojmë bashkëpunimin me Vëndet fqinjë. Duhet t’i ndihmojmë përballë valës së parë të refugjatëve. Nuk është se afganët që ikin arrijnë që në fillim në Romë, por mbase në Tashkent. Vëndet në vijën e parë duhen ndihmuar.

A do të kenë ndihmë financiare nga Evropa për të mirëpritur afganët ashtu sikurse Turqia ka patur për të mbajtur sirianët?

“Aftësia thithëse e Evropës ka kufij dhe pa një bashkëveprim të fuqishëm nuk mund të bëhet asgjë. Vëndet fqinjë do të jenë të implikuara më shumë e më parë se Evropa. Pra po: do të thotë se duhet t’u jepet dhe atyre një mbështetje financiare siç kemi bërë me Turqinë”.

Në 2015 Jean – Claude Juncker i thonte Hungarisë se muret në kufij nuk janë të pranueshme n’Evropë. Tani Greqia dhe Lituania i ngrenë me miratimin e Brukselit. Çfarë ka ndryshuar?

Juncker fliste për kufij ndërmjet Vëndeve të BE. Por nëse flitet për kufijë e jashtëm të Bashkimit, ka Shtete antare që ju është dashur të ngrenë ledhe. Nuk është kundër ligjit evropian. Ledhet janë aty për të mbrojtur kundër dhunimit të caqeve tokësorë të një Vëndi. Secili Vënd ka detyrë të mbrojë truallin e tij. Nga ana tjetër, këto masa duhet të jenë proporcionale dhe nuk duhet të pengojnë  atë që kërkon strehim të paraqesë kërkesën e tij, që duhet të trajtohet në bazën e parimit të mos kthimit”.

Biden-i tregohet i interesuar të fuqizojë marrëdhëniet me Evropën mbi të gjitha për të na rekrutuar në frontin amerikan në shemërinë e tij me Kinën. A mund t’a lejojmë, duke patur ne, evropianët, Kinën si partnerin tonë të parë tregëtar?

“Shemëria ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do të përcaktojë shekullin e njëzetenjëtë. Por bota nuk është dypolare, është gjithënjë e më shumë  shumëpolare dhe BE duhet të jetë njëri nga polet. Do të jemi gjithmonë më afër Amerikës se Kinës, por kjo nuk do të thotë se do të jemi gjithmonë e sistematikisht të rrjeshtuar me Shtetet e Bashkuara, sepse kemi interesa të ndryshme në disa zona. Saktësisht si ata. Prandaj autonomia strategjike nuk është aspak kundër aleancës transatllantike, por shërben për të patur vështrimin tonë të çështjeve ndërkombëtare dhe aftësinë tonë për të vepruar: së bashku me partnerë si Shtetet e Bashkuara kur është e mundur dhe vetëm kur është e nevojshme”

“Corriere della Sera”, 30 gusht 2021    Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Interviste Tagged With: Afganistan, Be, Eugjen Merlika

HIPOKRIZIA JONË E MADHE MBI TË DREJTAT E POPUJVE TË TJERË

September 3, 2021 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA

“Corriere della Sera”, 20 gusht 2021    Përktheu: Eugjen Merlika 

            Ndërmjet justifikimeve të dëgjuara në këto orë, për të kërkuar të mos turpërohemi për sjelljen tonë në Afganistan, së bashku të marrë e të ulët, njëri meriton oskarin e hipokrizisë. Është ai, simbas të cilit do t’ishte marrëzi madje edhe e kotë  përpjekja për “të eksportuar demokracinë” në kultura të ndryshme nga e jona. (Një bisedë krejtësisht e ndryshme, edhe se shpesh dinakërisht e ngatërruar me këtë e pra të mbahet e ndarë, është ajo e mënyrave, të drejta apo të gabuara, me të cilat mund të bëhet). 

            Mbi çfarë kuptohet me demokracinë mund të rrihen mendimet me vite. Të themi, duke u kufizuar në fjalët më të thjeshta, se për demokraci kuptojmë një qeveri që në një farë mënyre i përgjigjet të qeverisurve dhe njeh e u siguron atyre vetë, si burra si gra, një farë numëri të drejtash themelore lirie (t’i quajmë madje të drejta njerëzore). Mirë: sot shumë nxitojnë të pohojnë se një regjim i tillë – që ka zanafillën nga një evolucion historik i vetë kulturës së Perëndimit – është i përshtatëshëm prandaj vetëm për popullsitë  që bashkëndajnë një kulturë të tillë e që pra, nuk mundet n’asnjë mënyrë të shartohet aty ku kjo kulturë nuk ka lëshuar rrënjë kurrë.

            Megjithatë ky pohim i prerë ngre, në mënyrë të pashmangëshme, një pyetje: kush vendos që gjërat janë vërtetë kështu? Kush vendos për vlefshmërinë e këtij lloj ligji të bronxtë të papajtueshmërisë kulturore? Kongresi Botëror i Antropologëve dhe Historianëve të mbledhur së bashku? Kush? Duket mjaft e natyrshme që ndoshta do të duhej t’a përcaktonin të interesuarit, pra vetë përkatësit e kulturës “tjetër” kundrejt sonës. Që duhej të ishin ata të thonin: “Jo faleminderit, liria e fjalës nuk na intereson e për sigurinë që të mos merremi gjatë natës nga policia madje të pushkatohemi pa gjyq mund të bëjmë edhe pa të”.

            Gjynah që në vend që t’a ngrinin argumentin e papajtueshmërisë kulturore në lidhje me demokracinë, nuk  janë rregullisht t’interesuarit e drejtpërdrejtë por vetëm e gjithmonë ata që kanë mbërritur t’i qeverisin edhe se nuk kanë marrë kurrë asnjë emërim të besueshëm e të efektëshëm. Të përvehtësojnë të drejtën për të shpallur ligjin e bronxtë të papajtueshmërisë kulturore, në fakt, janë gjithmonë e vetëm “autoritetet”, elitat qytetare, ushtarake, kulturore ose fetare, pra ato që në një farë mënyre komandojnë e drejtojnë e që është normale se kanë të gjithë interesin të vazhdojnë t’a bëjnë të patrazuar atë gjë. Natyrisht pa marrë kurrë opinionin e të interesuarve të drejtpërdrejtë. Është një histori e vërtetë që ka të bëjë edhe me ne. A nuk është e vërtetë që edhe tek ne këtu n’Evropë, në kohën e tyre qeveritarët fashistë e komunistë thonin se e kalbura dhe e korruptuara demokraci liberale nuk ishte e përshtatëshme për popujt e tyre përkatës, për kulturën e tyre, për aspiratat e tyre?

            Në këto orë , pra, një rrjeshtim i dëndur perëndimorësh shumë të ditur e të zgjuar, ose politikanësh finokë të gjithë ngjyrave përsërisin se çfarë marrëzie ka qënë ekspedita në Afganistan, që megjithatë ka patur pasojën e pashmangëshme t’i jepte për disa vjet pak liri e barazi një numëri të madh grash e burrash t’atij Vëndi. Pyes vetveten se përse kurrë nuk u ka shkuar ndërmënd vëzhguesve të mprehtë të mësipërm, se ndoshta do t’ishte e nevojshme të pyeteshin ato gra dhe ata burra, që ideja për të shkuar në Kabul për të “eksportuar demokracinë”, ishte vërtetë kaq absurde sa për t’u hedhur në kosh? Opinioni i tyre është kaq i parëndësishëm? 

            E vërteta është se ka vetëm një argument të fuqishëm në dobi të mbështetësve të papajtueshmërisë kulturore: Historia. Secili të qëndrojë në shtëpinë e tij, i nënështruar e i kënaqur për atë që e shkuara ka vendosur për të: çfarë kulture të ndjeki, nën çfarë ligji, besimi, ose regjimi politik të jetojë. E pra nëse n’atë vënd vajzave u praktikohet gjithmonë infibulacioni, ose në një krah tjetër fati i caktuar për homoseksualët është varja, oe në një tjetër anë kundërshtarët politikë kalben nëpër burgje, por nëse të gjitha këto ndodhin si nderim për ndonjë traditë, kulturë apo besim fetar, pak a shumë të ndërpretuar lirisht e të manipuluar, kush jemi ne perëndimorët për të përvehtësuar të drejtën për të ndërhyrë, për të bërë të vlefshme parimet tona duke sfiduar të Shkuarën dhe Molokun e historisë?

            Por a është vërtetë kjo që mendojnë sot demokratët italianë? E nëse realisht ata besojnë se nuk duhet as nuk mund të eksportohet demokracia, që vetëm neve mund të gëzojmë disa lloj të drejtash, përse vallë këmbëngulin për të kërkuar shëmbullin prej vitesh, që Egjypti të heqë dorë nga “kultura” e tij e të vendosë të gjykojë si duhet vrasësit e Giulio Regenit e të lirojë Patrik Zakin e shkretë? Ndoshta, marr me mënd, se mendojnë që në këtë rast nuk bëhet fjalë aspak për kulturën e egjyptianëve, por thjesht për interesat e ndyra të qeverisë së tyre. Por nëse është kështu, atëherë kush e di se në sa Vënde të botës ndodh e njëjta gjë, pra kush është pa pushtet, njerëzit e zakonshëm, do të donin të kishin pak habeas corpus e të drejta qytetare, por kush mban pushtetin ka vendosur ndryshe: e natyrisht e bën gjithmonë n’emër të Kulturës, të Historisë, të Fesë. Kushedi në sa Vënde të tjera: ndoshta edhe në Afganistan….

            Akoma: përse vallë demokratët e shtëpisë sonë, nëse me të vërtetë mendojnë se duhet t’i lemë të patrazuar Vëndet me histori të ndryshme nga ajo perëndimore, nuk humbasin rast pa përmendur vazhdimisht Kombet e Bashkuara, të cilët me vargun e gjatë të letrave e deklaratave për liritë e të drejtat janë pa dyshim organizata m’e madhe botërore për eksportimin ideologjik të demokracisë? Përse?

            E megjithatë, thuhet, se është çështje edhe e mënyrave: a mund të eksportohet vallë demokracia me luftë? Mund të ketë ndonjë dyshim për t’u përgjigjur vetëm ai që harron se prej dy shekujsh kjo gjë ka ndodhur herë të panumurta. Ka vetëm një gjë mbi të cilën nuk mund të ketë dyshime: nëse bëhet një luftë e këtillë atëherë duhet absolutisht të fitohet, me çfarëdo kushti. Por kjo, siç kuptohet,  është një tjetër bisedë.

            “Corriere della Sera”, 20 gusht 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: ESSE Tagged With: Afganistan, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

POLITIKA E JASHTME E SHBA, HAPI MBRAPA I BIDEN-IT

August 29, 2021 by s p

Nga GIUSEPPE SARCINA

“Corriere della Sera”, 17 gusht 2021   Përktheu: Eugjen Merlika  

Për Joe Biden-in gjëja që i djeg më shumë është përqasja me Donald Trump-in. Paralelizmi po qëndron në organet e shtypit amerikan e ndërkombëtar: duke lënë mënjanë ndryshimin e stilit të dy janë të pështjellueshëm e pështjellues. Papërfillës deri në cinizëm. Në Shtëpinë e Bardhë ndruhet se tërheqja katastrofike nga Afganistani mund të fshijë përfytyresën e një Amerike “përsëri në krye të tryezës”, përsëri “fener” i botës. 

Janë ndrojtje të themelta, duke parë ato pamje të aeroportit të Kabulit; ata njerëz të rënë si pesha pa vlerë nga një aeroplan në ikje. Është e ligjëshme të pyetet nëse është kjo fytyra e vërtetë e një presidenti që kishte shkaktuar pritje të mëdha. Nëse është kjo Amerika me të cilën duhet të maten gjithë Vendet e tjera, mike apo armike qofshin.

Për rreth një vit e gjysmë Biden-i ka premtuar një kthesë etike e kulturore, më parë se politike, edhe në drejtim të punëve të jashtëme. “Doktrina” e tij mëton  t’i përgjigjet “sfidës së shekullit”: jo vetëm SHBA kundër Kinës, por, më në përgjithësi, të vërtetojë se “demokracitë janë në gjëndje të qeverisin pafundësisht më mirë se autokracitë”.

Në dukje është një qasje që huazohet nga formula e Bill Clintonit: “engagement e democratic enlargement”. Clinton-i e paraqiti për të parën herë më 1993, duke folur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Washingtoni, tha, do të “zotohet” pa rezerva në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në krizat humanitare. Në të njëjtën kohë do të bënte të mundëshmen për të nxitur ”zgjerimin”, pra shumfishimin e kombeve të drejtuara nga qeveri demokratike.

Në fakt, Clinton-i qe i pari president i mbas-luftës së ftohtë. Mandati i tij i dyfishtë arkivoi “doktrinat”, nga Trumani deri tek Reagani, të shënuara nga nevoja  për të “përmbajtur” Bashkimin Sovjetik. Mbas Clinton-it arritën George W. Bush dhe ideologët rish konservatorë me një projekt titanik, prometean: misioni i SHBA ishte “të eksportonte demokracinë” ku t’ishte e mundur, në mënyrë që të farkëtonte planetin mbi bazën e vlerave amerikane.  

Barack Obama i tkurri planet, duke derdhur mosbesimin tipik të elitës afroamerikane mbi “parësinë morale” të Shteteve të Bashkuara. Obama shpjegoi vizionin e tij në një intervistë themelore të lëshuar në prill 2016 Jeffrey Goldberg-ut të “Atlantic”. I rrufeshëm: Lindja e Mesme? “Nuk mund të rregullohet”. Aleatët evropianë? “Qelepirxhinj, përgjegjës për shkatërrimin në Libi”. Ukraina? “Do të jetë gjithmonë e ekspozuar kërcënimeve ruse”. Por mbi të gjitha Barack Obama refuzoi hapur rolin e “xhandarit të botës” Tha: “Ka një skenar që na cakton detyrën për të ndërhyrë gjithmonë e për të zgjidhur gjithë krizat. Por un nuk e kam ndjekur e kisha të gjitha të drejtat për të vepruar kështu”.

Të gjithë këta presidentë kanë pësuar dështime e kritika të ashpra. Clinton-i për Somalinë, George W. Bush për Irakun, Obama për Sirinë. Me gjasë Biden-i ka vënë në llogari pasojat mbi Afganistanin. Megjithatë ka një kundërshti të mprehtë dhe alarmuese. Për tetë viite Biden-i qe zëvëndësi i Barackut. Por është e qartë se trashëgimia obamiane nuk mund të mjaftonte për t’i qëndruar goditjes së retorikës mizore trampiane.

Biden-i atëherë ka vendosur të ngrejë nivelin e përplasjes. Me ndihmën e historianit Xhon Meacham ka futur në valle Abraham Lincolnin dhe “betejën për shpirtin e Amerikës”. U paraqit para botës si një udhëheqës alla Franklin Delano Roosevelt: i vendosur, tërheqës, bujar. Por pastaj arriti prova e bëmave. Të vëna në rrjesht i japin një brendi të ndryshme “doktrinës Biden”. Në janar-shkurt presidenti sqaroi se SHBA nuk do të jepnin asnjë dozë vaksine jashtë: “më parë amerikanët”. Në maj administrata nuk arriti të ndalojë mësymjen e Netaniahut në rripin e Gazës e që atëherë nuk ka bërë asgjë për të filluar traktativën; në qershor zëvendësja Kamala Harris përfundoi rrethin diplomatik në Amerikën qëndrore, duke ju drejtuar kështu emigrantëve: “Mos hajdeni sepse ju kthejmë mbrapsht”; në korrik Biden-i premtoi ndihmë për kubanët në kryengritje, por bashkësia e mërgimtarëve e qortoi se kishte bërë fare pak. Së fundi Afganistani.

Epoka e vrulleve clintonianë e ambicieve të Bushit është e largët. Por Biden-i po tërhiqet edhe përtej pragmatizmit të Obamës. Mbi të gjitha po çorodit kulturën liberale të vendit të tij, të themeluar mbi gjithësinë e panegociueshme të vlerave, mbi solidaritetin pa kufinj. Mjafton të lexohen komentet e këtyre ditëve në “New York Times” ose të dëgjohen përimtimet e “Cnn”.

“Corriere della Sera”, 17 gusht 2021   Përktheu: Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Corriere Della Sera, Eugjen Merlika, Joe Biden

MBAS KABULIT, PERËNDIMI I PANDEHUR E SHTYSAT KUNDËRAMERIKANE

August 28, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO /

“Corriere della Sera”, 21 gusht 2021 Përktheu: Eugjen Merlika/


Përfundimi i ngjarjes afgane nuk është vetëm humbja më rrënuese e pësuar kohët e fundit nga shoqëria perëndimore prej një lëvizjeje totalitare. Në mënyrë paradoksale ajo shënon çastin e një suksesi tejet të hidhur. Të dëshpëruarit që kacavirreshin në aeroplanët që niseshin, gratë e terrorizuara nga kthimi i barbarëve e të gjithë ata që përpiqen të shpëtojnë më parë se sa ferri t’I gëlltitë, dëshmojnë se, megjithë njëzet vitet e luftës e shumë gabimeve, perëndimorët kishin arritur t’I ndihmonin afganët të krijonin, sado pak, një embrion të një shoqërie të hijëshme. Një shoqëri në të cilën vajzat e vogla mund të shkonin në shkollë dhe të rejat në Universitet, në të cilën burrat e gratë të mund të zotoheshin në veprimtari ekonomike, që nuk qëndronin vetëm në kultivimin e opiumit, në të cilën për shumë njerëz ishte e mundur të rifillonin të jetonin, të shpresonin përsëri në t’ardhmen. Përse ndërsa komentet asgjësuese të luftës n’Afganistan, në tërësinë e saj, mbulojnë si flokët e borës mjediset mediatike, përveç gabimeve, është e rëndësishme të kujtohet edhe gjithshka e mirë që megjithatë ësh kryer? Sepse nga shumë shenja, është e dukëshme se ata, ndërmjet nesh, që gjithmonë e kanë urryer po përgatiten të hartojnë një “proçes të madh” kundër shoqërisë perëndimore, parimeve e arritjeve të saj. Politikanët si ata cilësorë si ata të rëndomtë, e kuptojnë gjithmonë në fluturim se cilët janë të fuqishmit në rënie e cilët ata në ngjitje, e i përshtasin menjëherë taktikat dhe strategjitë e tyre ndryshimeve në shpërndarjen e fuqisë, të ndjekur në këtë drejtim nga sektorë shumë a pak të gjërë të opinionit publik. Meqë udhëheqja ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara, që përpara në rënie, del mos më keq nga ndodhia afgane, mund të presim në muajt e vitet e ardhëshëm, një rifillim të fuqishëm të kundëramerikanizmit (nga ana tjetër, asnjëherë i shuajtur) n’Evropë. Rritja e tij është e pashmangëshme si pasojë e rënies së fuqisë amerikane, të humbjes së besueshmërisë e të namit të saj. Por kujdes, kundëramerikanizmi n’Evropë nuk ka qënë kurrë vetëm shprehje e një kundërshtie ndaj Shteteve të Bashkuara. Është shumë më tepër. As shumë e fshehur nga thirrjet kundëramerikane, ka qënë gjithmonë e mundëshme të shquhej armiqësia ndaj qytetërimit liberal perëndimor në tërësinë e tij, i të cilit nga fundi i luftës së Dytë botërore e këtej, Shtetet e Bashkuara kanë qënë drejtues e motor. Kundëramerikanizmi ishte dhe është shtresa më e sipërfaqëshme. Në shtresat më të thella, ka qënë dënimi në bllok i lirive perëndimore, politike, qytetare dhe ekonomike. Këtë e provon fakti që kundëramerikanizmi ka shkuar krah për krah, pandryshueshmërisht, me lëvdatat për regjimet autoritarë e totalitarë. Në të majtë sikurse në të djathtë. Ka qënë një kohë në të cilën kundëramerikanizmi i së majtës martohej me nderimin për Bashkimin Sovjetik e pastaj, n’epokën mbas 68, për Kinën e Maos, për Kubën e Fidel Kastros etj. Në të njëjtën periudhë, në të djathtën skajore, kundëramerikanizmi shprehte armiqësinë kundrejt atyre “demoplutokracive”, që, pikërisht n’emër të qytetërimit liberal, kishin luftuar e mundur nazizmin e fashizmin. Për fat të keq këto nuk janë faqe historie që nuk kanë të bëjnë më me ne, porse kanë të bëjnë. Meqë politika nuk pranon zbrazësira, rënia amerikane, zgjedhja e Shteteve të Bashkuara, e ripohuar tashmë nga Biden-i në vazhdimësi të përsosur me Trump-in (dhe në marrëveshje me çfarë kërkon opinioni publik amerikan), palosjen në vetvete, i le fushë të lirë fuqive të mëdha autoritare, nga Kina në Rusi dhe një morie fuqish mesatare dhe ato me karakter autoritar e njëlloj armike të shoqërisë perëndimore. Do të jenë ato pikat e reja të riferimit (me të cilët, me gjasë, do të shtrëngojnë aleanca e lidhje) të trashëgimtarëve e pasardhësve të kundëramerikanëve evropianë të së djathtës e të së majtës, që nga kohët e Luftës së ftohtë. Natyrisht, rregullat e një sistemi ndërkombëtar shumëpolësh, siç është ai në të cilin jetojmë, janë të ndryshme nga atëherë. N’epokën e Luftës së ftohtë armiku kryesor i shoqërive të lira ishte njëri. Sot shemëritë janë të shumta e të përhapura. Dikush urtësisht ka thënë se dobësia e treguar nga Shtetet e Bashkuara, mund t’a shtyjë Kinën të orvatet të kryejë një provë force mbi Taivanin shpejt a vonë. Nga ana e tyre, rusët mund të llogarisin atë dobësi për të përforcuar pozitat e tyre, sigurisht në Lindjen e Mesme e ndoshta edhe n’Evropë, në kufijtë me NATO-n. Edhe politika rish-otomane e turqëve del e ngrefosur prej ngjarjes afgane e, më parë se kështjella e letrave e ndërtuar nga Erdogani të shëmbet, mund të jemi të pranishëm në të tjera prova fuqije, në funksion kundër-evropian e kundër-perëndimor. E gjithë kjo ndërsa fitorja talebane elektrizon skajshmërinë islamike n’Azi, n’Afrikë, n’Evropë. Për evropianët gjëndja është e vështirë. Çadra amerikane mbi të cilën jemi mbështetur gjithmonë, tani është plot me vrima dhe nuk ka në këtë çast asnjë tjetër që t’a zëvendësojë. Çapëlimi ndërmjet dy shoqërive liberale,asaj evropiane dhe asaj amerikane, është i fortë tani si në kohët e Trump-it: Biden-i ka bërë zgjedhjet e tij për arsye të politikës së brëndëshme pa u shqetësuar për kundërgoditjet johenike mbi Evropën, gjë që sigurisht do të ndihmojë ushqyerjen e kundëramerikanizmit evropian. Kjo gjë, në një t’ardhme t’afërt, mund t’i japë hov e miratime forcave me tipare iliberale që, në Vënde të ndryshme evropiane dukeshin të cunguara vetëm pak javë më parë. Ndoshta demokracitë evropiane, më të qëndrueshme institucionalisht dhe në të cilat është më shumë e bashkëndarë përkrahja e parimeve liberaldemokratike, do t’i qëndrojnë më mirë trysnisë, por është e lehtë të merret me mënd se demokracitë më të brishta, si e jona, të mund të pësojnë pasojat e një gjëndjeje të re ndërkombëtare. Nëse nuk do të jemi të kujdesëshëm, nëse nuk do të jemi t’aftë të vemë në fushë kundërmasa të volitëshme, do të vijë një kohë në të cilën Italia do të bëhet truall i përplasjeve ndërmjet forcash me referentë ndërkombëtarë të ndryshëm, Evropa e Shtetet e Bashkuara nga një anë, Kina, Rusia e kushedi kush tjetër nga ana tjetër. Partia filo-kineze që tani e ka ngritur kokën: “duhet biseduar me talebanët që tani duken më të urtë se dikur”, “duhet të vendosim lidhje të qëndrueshme me Kinën” etj. Edhe miqtë italianë të Putinit, sigurisht nuk do të humbasin rastin. Ndonjë i bën thirrje Evropës. Por Evropa në të mirë a në të keqe, jemi neve. Është gjithmonë problemi se si mund të dalim nga balta duke u tërhequr vetë prej flokësh.
“Corriere della Sera”, 21 gusht 2021 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Afganistani, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

FITORJA TALEBANE DHE PIKSYNIMET MBI PAKISTANIN BËRTHAMOR

August 23, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della sera”, 17 gusht 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Një majin e shkuar e përjavëshmja Ekonomist botoi një kopertinë me të cilin përcaktonte “Vëndin më të rrezikshëm të tokës”. E tregonte hartën e Taivanit, e kërcënuar të bëhet në kohë jo shumë të largëta objekt përplasjeje, me gjasë edhe t’armatosur, ndërmjet Kinës e Shteteve të Bashkuara. Tre muaj e gjysmë më pas podiumi ka ndryshuar. Në shkallën më të lartë po ngjitet Afganistani, ende më mirë, kufiri ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit. Tragjedia e Vëndit në të cilin talebanët kanë marrë pushtetin është natyrisht pamja më turbulluese e ngjarjeve të këtyre ditëve: cilido afgan që ka apo ka patur shpresë për sadopak liri, duke filluar nga gratë, është i kërcënuar fizikisht e moralisht, i terrorizuar. Tjetra tragjedi, në formim e sipër, është gjeopolitike e nuk ka të bëjë vetëm me tërheqjen e frikëshme e kaotike të Shteteve të Bashkuara nga terreni, me shëmbjen pasuese të besueshmërisë që pasqyrohet në të gjithë Perëndimin: ka edhe një rrezik bërthamor që të ngurtëson në rastin kur Irani do të ndërtonte “bombën” e tij.

Alarmi është në nivel të lartë në diplomacinë hindiane në New Delhi por, sigurisht, nuk është i panjohur në Washington, në Pekin e në shumë kançelari të tjera. Marrja e Kabulit i hap rrugën në fakt paqëndrueshmërisë së Pakistanit. Simbas çdo gjase, sapo talebanët të kenë fuqizuar pushtetin, ndërmjet gjërave të tjera do të kthejnë shikimin drejt Vëndit kufitar me synimin për t’a ndikuar seriozisht: marrëdhëniet ndërmjet dy anëve të Durand Line, që shënon kufirin, ndërmjet grupeve të terroristëve, politikanëve, ushtarakëve e shërbimeve të sigurisë janë të ngushta, shpesh në kundërshti por edhe në bashkëpunim. Fitorja në Afganistan është e paracaktuar të shtojë pa masë prestigjin, pushtetin dhe ndikimin e talebanëve në rajon.

Çështja është se Pakistani është një fuqi bërthamore: 160 raketa me mbushje bërthamore. Qeveritë që kanë pasuar njëra tjetrën në Islamabad, kryeqyteti i Pakistanit, në përgjithësi kanë mohuar se kanë mbështetur talebanët afganë. Në të vërtetë është ndërkombëtarisht e njohur që për dhjetëvjeçarë i kanë financuar, kanë përkrahur veprimet e tyre, i kanë dhënë mbulesa diplomatike, i kanë lejuar stërvitjen e milicianëve në territorin e tyre, u kanë dhënë armë e ndihma. Ushtarakët pakistanë, forca m’e fuqishme e Vendit, i kanë quajtur t’afërt jo vetëm nga pikëpamja fetare dhe ideologjike, por edhe si një digë kundër ndikimit të shemrës historike në rajon, Hindisë që në dhjetëvjeçarët e ndryshëm ka mbështetur qeveritë në Kabul me qëllim kundër Pakistanit. Shërbimet e fshehta pakistane. ISI, mbështesin talebanët afganë që nga Vitet Nëntëdhjetë. Kjo marrëdhënie ka shkuar sa s’ka më në dobi të zhvillimit të të ashtuquajturvet talebanë pakistanë, Tehrik-i-Taliban, që kanë si synim të përmbysin Shtetin e së fundi e kanë marrë veten, mbasi ishin përzënë në Afganistan nga ushtria e Islamabadit më 2014. Këta të fundit ndryshojnë shpesh nga frymëzuesit e tyre afganë, kanë objektiva të ndryshme, por një qeveri talebane në Kabul do t’u japë më shumë fuqi e, me gjasë, do t’i krijojë probleme serioze qeverisë së Islamabadit, të drejtuar nga Imran Khan, një udhëheqës i dobët, i varur nga ushtria e i pasigurtë deri në përcaktimin e talebanëve “Qytetarë të zakonshëm”.

Roli i dyshimtë i zhvilluar nga politikanët e ushtarakët pakistanë në drejtim të talebanëve, ndërsa në të njëjtën kohë mbanin marrëdhënie po aq të dyshimta me Perëndimin, rrezikon të kthehet tani kundër tyre. Hysen Hakkani, një ish ambasador i Pakistanit në Shtetet e Bashkuara, thotë se “skajshmëria islamike tashmë e ka ndarë shoqërinë  pakistane simbas vijave të sektarizmit dhe ngjitja e islamikëve në portën afër do t’i japë më shumë guxim skajorëve të shtëpisë”. Kufiri vrimor ndërmjet dy Vëndeve do të lejojë, si në këta vite, kalimin e militantëve nga një anë në tjetrën, edhe të njësive terroriste: nga al-Qaeda tek idhtarët e Isis-it.

Rënia e Kabulit ndërlikon edhe më shumë një gjëndje tepër të koklavitur e qeveritë e diplomacitë po rivlerësojnë me ankth kuadrin e krijuar, sigurisht në Hindi por po ashtu edhe në Pekin e Moskë. Mundësia që Pakistani, fuqi bërthamore, të shpërqëndrohet e që në përdorimin e raketave bërthamore shpejt a vonë të mund të kenë ndikimin e tyre skajorët islamikë është diçka terrorizuese. Fitorja talebane në Kabul do t’u japë vrull lëvizjeve terroriste n’Azi, në Lindjen e Mesme dhe n’Evropë. Zotërimi i “bombës” do t’i galvanizonte e do t’a vinte botën në gjëndje tepër të vështira. Me fuqinë amerikane të mundur e në tkurrje, edhe një krizë në Taivan mund të jetë m’e afërt. Thuhet se Afganistani është “varri i perandorive”.

“Corriere della sera”, 17 gusht 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Politike Tagged With: Afganistan, Eugjen Merlika, FITORJA TALEBANE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT