• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIMET REGJIMIT TË KASTROS – NJË FYERJE PËR DEMOKRACINË

December 8, 2016 by dgreca

3-castro-funeral11-fidel-castro2-castro

Shkruar nga Angelo Panebianco/

1-eugjen-merlika-225x300

Perktheu: Eugjen Merlika/

Nuk është vetëm brerore romantizmi që prej kohësh rrethon revolucionin kuban dhe heronjtë e tij (Fidel Kastro, Che Guevara), dikur të rinj e të pashëm, që shpjegon kaq shumë deklarata nderimi kujtimit të Kastros, deklarata në të cilat fakti që Kuba e tij ishte një diktaturë, një burg në qiell të hapur, mbetej me ndrojtje në hije.

Ka edhe diçka tjetër. Dy shkaqe kryesisht. Nëse në të drejtën ndërkombëtare, sidomos në shkëmbimet tregtare, vepron kushti i quajtur i “kombit më të përkrahur”, mund të themi se në politikë, n’atë perëndimore, vlen(me një ndryshim të vogël kuptimi) kushti i “tiranisë më të përkrahur”. Në bazë të këtij kushti, për shembull, në gjysmën e dytë të shekullit të XX ishte e detyrueshme – nga ana e komentuesve të ndodhive publike – të dënohehin me furi krimet e nazistëve por nuk ishte – madje mund të shkaktonte dyshime për filofashizëm – të bëhej e njëjta gjë me krimet e komunistëve (varianti sovjetik apo ai maoist që t’ishte) : të vrarët nga të majtët, për shumë njerëz, vlenin më pak se të vrarët nga të djathtët. Gjykimi pozitiv për BRSS shtrihej, në frymën e atij kushti, te të gjithë revolucionet e të njëjtit frymëzim. Duhet mbajtur parasysh se ky zakon nuk zbatohej vetëm në brendësi të botës komuniste, që do të kishte qenë normale. Edhe shumë jo komunistë (shpesh nga frika se do të paditeshin për kriptofashizëm nga përfaqësues të asaj bote), përdornin dy pesha e dy masa.

Ajo mënyrë gjykimi u bë shkak ndarjesh t’ashpra edhe këtu n’Evropë. Për shembull, qe në origjinën e prishjes në Francë, të miqësisë së hershme ndërmjet sociologut liberal Raymond Aron dhe Jean-Paul Sartre. Kushti i “tiranisë më të përkrahur” është gjithmonë veprues. Mjafton të lexohen deklaratat mbi vdekjen e Fidelit të autoriteteve evropiane (nga Juncker tek Mogherini) dhe të tjerë akoma. Asnjëri prej tyre nuk do të kishte përdorur fjalë aq respektuese, të themi, për vdekjen e Gjeneralismit Franko.

Ideja se, të drejtohej një revolucion kundër një regjimi të korruptuar e shtypës, ishte një titull merite i tillë që të mbulonte çdo gjë të ndodhur mbrapa, ishte bijë, përveç se e një kundër-amerikanizmi të përhapur (Batista, ish diktatori i përmbysur, ishte i lidhur me amerikanët) por edhe e një paragjykimi : pikërisht kushti i “tiranisë më të përkrahur”. Është e njëjta arsye që shpjegon se përse shumë evropianë, të verbuar nga miti i revolucionit, kanë menduar se qe një meritë e madhe e Kubës të përfaqësonte, për vite me rradhë, një fener, një shëmbull të ndritshëm të një (vetë) “çlirimi”, për një kontinent latino-amerikan të shtypur nga diktaturat ushtarake. Qe një lajthitje e madhe. Fatet e Amerikës Latine u përmirësuan ndjeshëm kur, mbasi u shemb Bashkimi Sovjetik, nuk qëndronin më arsyet gjeopolitike që, më parë, kishin shtyrë Shtetet e Bashkuara të mbështesnin diktatura të ndryshme latino-amerikane, në funksion kundër-sovjetik e kundër-komunist. Vetëm atëherë erdhi “çlirimi” (por jo për Kubën).

Ka edhe një arsye tjetër. Vlen sigurisht për Italinë, një nga Vendet evropiane, traditat politiko – kulturore të së cilës kanë disa ngjajshmëri me ato latino-amerikane. Mjafton të shihet për rreth : tek ne “peronistët”(të djathtë e të majtë) janë gjithënjë në numur të madh. Është një Vend, i yni, në të cilin vërtiten shpesh ide të turbullta mbi çfarë është demokracia, dhe cilat janë kërkesat e saj të domosdoshme. Për disa, si shembull, demokracia nënkupton “miratimin e popullit”, ose të shumicës së tij dërmuese. E gabuar. Edhe diktaturat mund të gëzojnë miratimin e shumicës, së paku në disa faza historike. Sepse shprehu këtë për fashizmin italian Renzo de Felice qe objekt i linçimit moral. Qe sepse linçuesit nuk e dinin aspak se nuk është “shkalla e miratimit të popullit” që vendos nëse kemi të bëjmë me një demokraci apo me një diktaturë.

E vendosin atë dy kushte : së pari mbrojtjet ligjore e qenësore që gëzon pakica, bashkësia e atyre që kritikojnë qeverinë, e së dyti, prania e rregullave të lojës që i japin mundësi qytetarëve të përzenë apo të zëvëndësojnë qeveritarët. Kuba e Kastros nuk ka gëzuar asnjërin prej këtyre kushteve. Atëherë përse kaq nderim kundrejt një diktatori? Ka qëndruar aq gjatë në pushtet për arsyen e thjeshtë se asnjëri nuk mundëte t’a përzinte.

Por, thuhet, diktatura kastriste ka patur edhe merita. Në sigurinë se ka qenë një katrahurë, si nga pikpamja politike ashtu edhe ekonomike (të shihet artikulli shumë i arrirë i Angela Nocioni-t tek Fleta e 30 nëndorit), ndonjë meritë – për shembull, në fushën e arsimit – e ka patur. Me që në botë ka gjithmonë drita dhe hije, ndodh që edhe diktaturat mund të mburren me këtë apo atë meritë. Por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me natyrën e regjimit.

A mund të kufizohemi duke i trajtuar si folklor disa deklarata mbi vdekjen e Fidelit ? Jo, plotësisht. Jo, mbi të gjitha sepse n’Evropë demokracia është përsëri e kërcënuar nga forca në ngritje që nuk e fshehin pakënaqësinë e tyre për detyrimet dhe kufijtë që demokracitë liberale venë në të vepruarit e atyre që deklarojnë se interpretojnë “vullnetin e popullit”. Për këtë është aq e rëndësishme të ngulet këmbë mbi hapësirën, edhe morale, që ndan demokracitë nga diktaturat. Edhe këto të fundit, si të dala nga revolucionet, po ashtu si edhe nga grushtet e Shtetit, mëtojnë se veprojnë gjithmonë në emër të popullit. Me përfundime përgjithësisht shumë të këqija, në Kubë e kudo.

Marrë nga “Corriere della Sera”, 1 dhjetor 2016

 

SHËNIM I PËRKTHYESIT

Shkrimi i profesorit të Fakultetit të Shkencave politike të Univeritetit të Bolonjës, Angelo Panebianco, njërit ndër intelektualët më të spikatur liberalë të botës kulturore italiane, “Nderimet Kastros – një fyerje për demokracinë”, mund të them pa mëdyshje se është një nga artikujt më të goditur, të prerë, objektivë e mësimdhënës, që kam lexuar në shtypin italian gjatë një të katërt qindvjetori.

Shkrimi  është një Lectio magistralis, e zhveshur nga terminologjia e “korrektësisë politike”, karakteristike për gjuhën e zakonëshme diplomatike të së majtës evropiane gjatë shtatë dhjetëvjeçarëve të fundit, e me një thjeshtësi e saktësi mahnitëse trajton tema themelore për botën e sotme, duke marrë shkas nga kundërveprimet e ndryshme t’asaj bote kundrejt ndërrimit jetë të diktatorit kuban. Nuk është e lehtë të shtjellohen në një hapësirë kaq të vogël sa ç’është ky artikull, ato ide e koncepte themelore për të hyrë në vetëdijen historike të një epoke të ndërlikuar e të keqinterpretuar deri në tjetërsim, si ajo e mbas luftës së dytë botërore. Duhet një pendë e fortë, një kurajë qytetare për të shkuar kundër rrymës e, mbi të gjitha duhet një ndershmëri intelektuale, për të pohuar në mënyrë bindëse, siç bën autori, se historiografia e asaj periudhe vuan nga një simptomë e rëndë patologjike, mbi të cilën duhet vepruar, mbasi rrezikon t’u japë brezave t’ardhshëm një përceptim të rremë e të shtrembëruar t’epokës së gjyshërve e baballarëve të tyre.

Autori, i cili është bashkëpuntor i mjaft enciklopedive, ka shkruar për to kapituj të rëndësishëm. Mund të kujtohen ndër to ata me tituj : “Lufta”, Shkenca e politikës” dhe “Politika” për Enciklopedinë e Nëntëqindit (1998, 2000, e 2004). Ka shkruar libra të ndryshëm e parathënie të veprave të politologëve të shquar si Aron, Bull, Buzan, etj.

Shkrimi që përktheva m’u duk tepër i përshtatëshëm edhe për lexuesin shqiptar. Nëse interpretimi i dukurive historike në Perëndimin e zhvilluar lë shteg për diskutime e krijon zbrazëti informative, në Shqipërinë tonë mbetet, ende mbas një të katërt qindvjetori “demokracie”, një problem, jo vetëm i pazgjidhur, por që është tepër shqetësues për edukimin e brezit të ri, mbasi tekstet e shkollave kanë mbetur robër të klisheve të historiografisë së regjimit komunist. Të gjitha problemet që shtron profesori i mirënjohur bolonjez në shkrimin e tij, në Vendin tonë ngrihen në fuqi kubike. Dy peshat e dy masat, në gjykimin e krimeve të nazifashizmit e të komunizmit, mbeten një kostante, jo vetëm e politikës, por edhe e shkencave historike e shoqërore.

Bëjnë përjashtim këtu, fatmirësisht, përpjekjet e lëvdueshme të disa studjuesve e gazetarëve si Kastriot Dervishi, Admirina Peçi, Ҫelo Hoxha etj.,  që hulumtojnë me sukses  në arkivat e Shtetit apo organeve të tij të dhunës, duke botuar fashikuj të tërë e libra të materialeve që pasqyrojnë të vërtetën historike të luftës dhe të mbas luftës. Këta njerëz, ndoshta më shumë se e gjithë aradha e artikullshkruesve, ku hyn edhe i nënëshkruari, meritojnë mirënjohjen e përgjithëshme për punën e tyre të dobishme në drejtim të ndriçimit të së vërtetës historike shqiptare të tre çerek shekullit të fundit.

Konceptet liberale mbi demokracinë, që na paraqet profesori 68-vjeçar italian, janë piketa të rëndësishme të mendimit shoqëror edhe për ne, madje duhet të jenë edhe shtigje udhërrëfyese jo vetëm për studjuesit por, kryesisht, për klasën politike, e cila ka nevojë të domosdoshme të përmirësojë e të rifreskojë idetë e saj. Do të theksoja një frazë nga shkrimi i përkthyer : “Është aq e rëndësishme të ngulet këmbë mbi hapësirën, edhe morale, që ndan demokracitë nga diktaturat”. Ngjarjet e fundit, sidomos rrahja e mendimeve në lidhje me dekorimet e ndryshme, tregojnë se ne jemi larg pohimit të këtij parimi të rëndësishëm. Malli për simbolet dhe “personalitetet” e diktaturës, i shfaqur jo rrallë edhe nga njerëz me moshë relaivisht të re në shoqërinë tonë, është tregues i faktit se rrënjët e “ançarit” të helmuar të saj janë ende të gjalla në trupin e tharë të saj. Titulli i këtij  shkrimi dhe ideja që shpreh, pavarësisht se emri i Kastros mund të këmbehet me secilin nga ish kolegët e tij, përfshirë këtu edhe Enver Hoxhën, duhet të hyjnë thellë në vetëdijen tonë e të jenë një gur themeltar në mendësinë liberale, që duhet të ndriçojë rrugën tonë për sot e për t’ardhmen.

Mendoj se, edhe në emër të lexuesve shqiptarë, është e drejtë të falënderojmë profesorin e nderuar, Angelo Panebianco, për leksionin e tij, aq të dobishëm jo vetëm për opinionin publik të Italisë së tij, por më shumë për atë tonin, i cili lëngon më tepër se të tjerët nga dogmat e së shkuarës komuniste.

Dhjetor 2016 Eugjen Merlika     

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, NDERIMET REGJIMIT TË KASTROS – NJË FYERJE, për demokracinë!

MITI I KASTROS DHE REALITETI I MOHUAR

December 5, 2016 by dgreca

Shkruar nga Pierluigi Battista/1-eugjen-merlikaPërktheu për Dillen: Eugjen Merlika/ Në zemrat e adhuruesve të tij të Perëndimit Fidel Kastro nuk ishte një qënie njerëzore me mish e kocka, por një mit, një idhull, një figurë ëndërrash. Ishte Utopia e Karaibeve, Rousseau në fuqi, poezia e socializmit tropikal, fantazia e “njeriut të ri”, që mishërohet mes ujrave të koraleve dhe rërës së bardhë. Ishte kufiri i ri i një ëndrre revolucionare tërheqëse dhe gazmore, jo zymtësia e kobshme e kazermës sovjetike e dalë nga miti, apo asketizmi monastiror i varfërimit të përgjithshëm maoist. Thonte Alberto Ronchey se Kastro “nuk shkruan, mban fjalime të gjata në të cilët shkrin mendimet e problemet. Nuk i beson pothuaj asnjëherë mjetit gutenbergian, i le të rrjedhin fjalët me tingujt e tyre”. Fjala e shkruar i ngrin mendimet, i bën të maten me ashpërsinë e së vërtetës. Romantizmi i kastristëve nuk përfill realitetin. Lihet të përqafohet nga rrjedhja hipnotizuese e fjalëve. Po të matej me realitetin do t’ishte i shtrënguar të zbulonte se socializmi i Tropiqeve ishte një burg nën qiellin e hapur dhe ekzotizmi një perçe për të fshehur mizoritë e diktaturës.

Shkrimtarët dhe intelektualët që janë kapur nga fantazia kastriste e kanë mënjanuar realitetin për të adhuruar mitin e tyre. Disidentët në burgje janë bërë të paqenë. Të arratisurit që, madje, kishin qënë në krah të Fidel Kastros, në kohën e Sierra Maestras, ishin lënë në një qoshe. Carlos Franqui, një revolucionar i madh që nuk ka patur të drejtë të mos ishte në një mëndje me shtërngesat përndjekëse të regjimit, u detyrua të mërgojë e në rrethet përparimtare të botës u zhduk emri i tij (vetëm socialistët e Betino Kraksit dhe Radikalët n’Itali janë kujtuar për të). Gabriel Garcia Marquez, Susan Sontag, Jean-Paul Sartre e të tjerë më pak të njohur, nderoheshin në manifestimet e Havanës, por nuk harxhuan asnjë fjalë solidariteti për shkrimtarët e përndjekur. Shkruante Hans Magnus Enzensberger, i cili bënte pjesë në sërën e dëndur të “pelegrinëve politikë”, që e kishin zgjedhur Kubën si synimin e privilegjuar të turizmit revolucionar : “Në Havanë takonja disa komunistë në hotelet e të huajve që nuk kishin as më të voglën ide se në lagjet e puntorëve popullsia duhej të mbante rradhën dy orë për një copë picë, ndërsa turistët në dhomat e tyre diskutonin mbi Lukasc-in”. Kur një i burgosur politik, Orlando Zapate Tamayo, vdiq në burg mbas 85 ditësh greve urije për të protestuar ndaj kushteve çnjerëzore në të cilët regjimi i Kastros i mbante kundërshtarët  e tij, asnjë fjalë mëshire nuk u ngrit nga përkrahësit e ekzotizmit socialist në Kubë. Më 2005, në fund të një gjyqi farsë, nga ata  me të cilët diktaturës i pëlqente të kryente “spastrimet” e saj, grupet e sejmenëve të regjimit e kaluan natën duke rrahur gjithë disidentët që protestonin. Gianni Vattimo pati paturpësinë  të shkruante se “populli i zemëruar nga vepra tradhëtie kaq të pacipa, ndërhyu me shprehjen e zjarrit atdhetar”. Asnjë n’Itali nuk u revoltua për këto poshtërsi.

Rreth figurës së Kastros, ndërmjet intelektualëve, artistëve, shkrimtarëve, u krijua një rrymë mrekulluese që shumë shpesh ngjyente pendën në retorikën e sprovuar të kultit të personalitetit. Për Sartr-in Kastro e Che Guevara, të lëshuar drejt parajsës së socializmit për t’u sendërtuar, ishin gjithmonë zgjuar e në gatishmëri : “Fjetja ishte për këta njerëz një zakon nga i cili, pak a shumë ishin çliruar”. E diçka nga kjo pagjumësi revolucionare duhej t’ishte e vërtetë, mbasi edhe vetë Paolo Spriano, gjatë një udhëtimi në Kubë, në të cilin madje nuk kurseu shprehje kritike të tërthorta për një revolucion, në të cilin Internacionalja po “kthehej në një ritëm vallzimi”, kishte shkruar : “Këtu nuk fle asnjëri, thuhej”. Në epopenë kastriste janë për t’u mbajtur mënd filmat e propagandës së Michael Moore, intervistat e pafund të Oliver Stone e të Gianni Minà në të cilat Kastro mund të shfrente në tubimet e tij lumore, Norman Mailer që shihte tek Kastro “vërtetimin se ka heronj në botë”, “rrjedhjen e jetës në damarë”, “a thua se fantazma e Cortes-it ishte dukur në shekullin tonë, duke kalëruar mbi kalin e bardhë të Zapatës”.

Po e vërteta ? Nuk duhej t’ekzistonte. Nëse burgosej si kundërevolucionar poeti Hebert Padilla, që për t’u liruar duhej të nënëshkruante një “rrëfim”, në të cilin pranonte se kishte patur pjekje me K.S.Karol, një komunist guximtar e i ndershëm që padiste hapur përndjekjen e regjimit, shkrimtari Garcia Marquez nuk hiqte dorë nga ceremonitë e tij me Kastron. Edhe se dënonin me 19 vjet burg Armando Valladares, apo regjizorin Amaro Gomez, të dënuar me tetë vjet burg sepse kishte gjetur një kopje të Arqipelagut Gulag të Sollzhenicinit. Dhe nuk ekzistonin as në mit ”maricones”, homoseksualët “imoralë” të mbyllur në kampet e punës së detyruar, të pagëzuara nga fantazia guevariste Njunp, Njësi Ushtarake të Ndihmës së Prodhimit. Miti kastrist nuk lejonte pretime të tilla të bezdisëshme të së vërtetës. Hasta siempre. (Gjithmonë me fitore).

 

Marrë nga “Corriere della Sera”, 27 nëndor 2016

Shënim i përkthyesit

Sot, më 30 nëndor,  po i njëjti autor boton një shkrim tjetër të titulluar “Një arrogancë prekëse që nuk mund të ngadalësojë një proçes të pakthyeshëm”.

Njoftimi i gazetës, nëpërmjet gazetarit të mirënjohur Pierluigi Battista i referohet këtij fakti :

“Gazetares sonë, Sara Gandolfi, autoritetet kubane i kanë mohuar vizën si gazetare. Thonë autoritetet se mohimi është një formë ndëshkimi për informacionin “jo të barazpeshuar” që Corriere ka dhënë në këta vite mbi Kubën. Mund të qëndrojë në Havanë, por si turiste.”

Pa sjellë gjithë komentin e sotëm po mjaftohem me këtë fragment nga shkrimi :

“Sot Kuba, mbas vdekjes së Fidel Kastros, është në qendër të një vëmëndjeje mediatike dhe ndërkryerja për kontrollin dhe veçimin e virusit të informacionit merr vështrime që mund të kalojnë kufirin e paranojës, me dyshimin se mbas çdo kompiuteri fshihet një rrezik, një armik, një “sabotim”. Historia e informacioneve “jo të barazpeshuara” nuk qëndron në këmbë. “Jo e barazpeshuar”do të thotë thjesht jo e njëjtë, jo e gatëshme për të injoruar hijet. Mbi të gjitha për të mos mbajtur parasysh teknikat e makinës shtypëse që regjimi kastrist ka lubrifikuar në këta dhjetëvjeçarë kundër vetë qytetarëve të tij….”

            “Nuk do të jetë një vizë e munguar t’i ndalojë Corriere della Serës dhe gazetarëve të saj për të zhvilluar punën e tyre. Me skrupull. Si gjithmonë.”    

Kjo është Kuba e sotme, një Vend kundrejt të cilit në vitin që po mbyllet ka patur një “hapje” të konsiderueshme nga SHBA dhe Vatikani. Ndryshimet në këtë Vend janë më shumë të karakterit ekonomik por, sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, lehtësimit të “luftës së klasave” kubane, lirimit të të burgosurve politikë e masa te tjera të kësaj natyre, përparimi është tepër i ngadaltë. Në këtë drejtim udhëheqësi i vdekur para pak ditëve ka qenë një pengesë e madhe e shpresa mbetet në premtimin që vëllai i tij, Raul Kastro, udhëheqësi aktual i Kubës, ka shprehur duke paralajmëruar se nuk do të ketë një mandat të tretë të tij në drejtimin e Vendit.

Episodi i gazetares italiane nuk është i vetmi në panoramën mediatike të Havanës së këtyre ditëve. Fatin e saj e ka pësuar edhe i dërguari i së përditëshmes gjermane Bild, Peter Tiede dhe dy gazetarë të një televizioni argjentinas. Protestave të tyre autoritetet kubane i u përgjigjën me shprehjen :”Një dhunim i shëmtuar i lirive të shtypit ? Ky është mendimi juaj prej perëndimorësh”. Një vëzhgues i paanshëm dhe i vjetër i marrëdhënieve mes botës komuniste dhe botkuptimit të lirë të shoqërive perëndimore, gjatë dhjetëvjeçarëve të shkuar, do të shprehej kështu : “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, duke perifrazuar titullin e famshëm të romanit të Remarkut. Ndryshimi qëndron se gazetarët mund të qëndrojnë si “turistë” në Kubën e zisë 9-ditore për vdekjen e Fidelit. Edhe ai është një farë përparimi, në krahasim me kohën kur nuk lejoheshin të hynin, apo përcilleshin në aeroport, mbasi kishin kaluar disa orë në zyrat e organeve të policisë politike e kishin dorëzuar gjithë materialet e regjistruara.

Ndoshta këtë shpejtësi breshke në reformat e kuptoi, pak me vonesë, edhe presidenti Obama, që vendosi mos të përfaqësojë Vendin e tij, në nivele të larta, në ceremoninë mortore të diktatorit të Kubës.

Dhjetpor 2016                                                                      Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, MITI I KASTROS DHE, Pierlugi Battista, REALITETI I MOHUAR

TRUKET E NARKOTRAFIKANTËVE

November 17, 2016 by dgreca

PËRDORIMI I MBIFARËRAVE DHE KULTIVIMI NË TUNELET E NËNDHESHME./

marijuana-siShkruar nga Leonard  Berberi/ “Corriere della Sera” e enjte, 17 nëndor 2016/

Misionet e para në helikopter të Rojes së Financës mbi plantacionet e trafikantëve shqiptarë u pritën me të shtëna kallashnikovi. Sot aeroplani hi-tech i Flakëve të Verdha mbikqyr 20 % të territorit në bazë të një marrëveshjeje me qeverinë e Tiranës. Regjistrimi ka vërtetuar se Shqipëria është serra evropiane e mariuhanës, me 213 mijë hektarë të mbuluar nga serra të paligjëshme : bimët e shkatërruara nga policia do të kishin siguruar fitime më të mëdhha se dy miliard euro, pothuajse një e katërta e PPB të Shqipërisë. Por edhe trafikantët përsosin teknikat për t’i u ikur kontrolleve : mbjellje në tunele dhe drone spiunë.

Harta e mariuhanës në Shqipëri është e gjitha në dhjetë faqe të një dosjeje të fshehtë. E kanë shkruar autoritetet vendore në sajë të ndihmesës italiane e gjermane. Ai dokument thot se në Vënd janë, së paku, 363 zona ku janë të pranishëm plantacione tëcannabis sativa. Jo vetëm në Jugë, zemra e dukurisë, por edhe në Qendër e në Verì. Përgjatë lumenjve, në kodrina, në mal, brënda kopshteve shtëpijake ose në copa toke, me kohë të kthyera në tokë të askujt. “Mbjellin deri nëntokë në tunele – tregojnë, për Corriere-n, funksionarë të policisë shqiptare – ose në laboratorë të stërholluar. Ndihmohen edhe nga trafikantë që sjellin nga jashtë farëra aq të përpunuara saqë gjethet rriten shumë shpejt. “Farëra që vijnë nga Vietnami e që janë në gjëndje t’a kryejnë ciklin jetësor në 45 ditë” përcakton dosja.

Që nga fillimi i vitit janë shkatërruar së paku 1,5 milion bimë. “Është një bilanc i përafërt, shpesh shkohet me vlerësime mbi bazën e shtrirjes së plantacioneve”, sqarojnë nga Tirana. Nënvizojnë faktin se tashmë organizatat kriminale shërbehen edhe nga dronë e, jo vetëm nga armët, për të kontrolluar çdo anë. Herën e parë ndodhi jo shumë larg Krujës. “I përdorin edhe për të kuptuar kush hyn e del nga fushat e mbjella”shkruan një dokument.

Për qeverinë të dhënat tregojnë se lufta kundër kannabisit po shkon mirë. Për opozitën e qëndrës së djathtë, shifrat vërtetojnë se ekzekutivi i kryeministrit socialist Edi Rama ka dështuar. Për specialistët statistikat e fundit tregojnë se dukuria është shumë më e shtrirë dhe po bëhet madje më e përparuar dhe e fshehtë. E gjithë kjo megjithë operacionin ushtarak të nisur më 16 qershor 2014 e të mbaruar një muaj më vonë në fshatin e Lazaratit, “kryeqytetit të mariuhanës”, pak km. nga Girokastra ; 900 policëtë zotuar për të luftuar rrugë më rrugë, 133.567 bimë të shkatërruara, 4395 kg. farash të sekuestruar, 51 t’arrestuar e 308 të paditur.

Për pak javë tregu dukej i shkatërruar. Por bandat këmbyen strategjitë e tyre. U shtynë nga Veriu, filluan të shfrytëzojnë zonat e shumta të pabanuara mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Pushtuan madje edhe pjesë pyjesh, ku Shteti nuk ve këmbë. Ose morën kapanone industriale të braktisura e i kanë kthyer në laboratorë me sistem ngrohjeje e ndriçim. Kështu u kalua muri i njëmijë tonëve të mariuhanës të eksportuar në një vit.

“Trafikantët janë çvendosur nga anët e Shkodrës, një zonë më e vështirë për t’u kontrolluar” ve në dukje dosjeja shqiptare, që citon të dhënat e përcjella nga Roja e financës italiane : nëse në 2013 plantacionet në gjithë Vendin ishin rreth 305 dhe bimët e mbjella 81.300, në 2014 u kalua përkatësisht në 815 dhe 165 mijë, për t’arritur në vitin e shkuar në të cilin plantacionet u katërfishuan kundrejt 2013-ës, duke kaluar kuotën  1200 ndërsa bimët e shkatërruara kanë qenë 243 mijë. “Në 2015 15,83 % e territorit shqiptarështë përdorur për mariuhana” llogarit raporti i autoriteteve vendore.

Shqetësimi më i madh vjen nga zonat më të varfëra : “Shumë të ndaluar janë fshatarë të thjeshtë që përdornin tokat e tyrepër të patur ndonjë lek për të blerë diçka për të ngrënë” shkruajnë funksionarët. Dhe dokumenti shpjegon se ku përfundon mariuhana. Një pjesë trasportohet me gomone në Itali ose,  – në këmbë apo me makina – në Greqi, prej nga më pas shpërndahet në Hollandë, Francë, Austri. Pjesa m’e madhe merr rrugët malazeze, serbe e hungareze për të përfunduar drejt në Gjermani.

“Corriere della Sera” e enjte, 17 nëndor 2016

Përktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Filed Under: Ekonomi Tagged With: “Corriere della Sera”, Eugjen Merlika, leonard Berberi, TRUKET E NARKOTRAFIKANTËVE

SHQIPËRIA – SERRA E DROGËS NË EVROPË

November 17, 2016 by dgreca

Shkruar nga Andrea Galli/“Corriere della Sera”, e enjte , 17 nëndor 2016/img082Përktheu për Diellin: Eugjen Merlika/Itali/ Në gushtin e 2004-ës, trafikantët zotër të fshatit të Lazaratit, panë të avitej një helikopter i policisë italiane, i gatshëm për të mbikqyrur plantacionetnga lartësia e katërqind metrove. Sapo u afrua e gjuajtën me kalashnikov. Në të ndodheshin dy nëndrejtorë të kuesturave, një marshall i rojes së financës dhe një oficer i kundërdrogës shqiptare. Mrekullisht asnjëri nuk u plagos dhe qe i zoti piloti që, megjithëse breshëria kishte shpuar depozitën qëndrore, goditur urën e komandimit dhe motorrin e prapëm, arriti të kthehet në aeroport. Që atëherë janë ndryshuar lartësi, gjeografi, mjete, njerëz, dhe taktika e sulmeve, teknika e rekrutimit, “niveli” i trafikantëve. Por jo thelbi : Shqipëria është serra evropiane e mariuhanës. Aeroplani i rojës së financës, një model Piaggio, i “vjetër” por i besueshëm i linjës P₁66DP₁, me lartësi ngritjeje njëmijë metra që, në sajë të një marrëveshjeje me Qeverinë e Tiranës, mbikqyr çdo vit 20 % të territorit (duke hequr qytetet,  malet e lumenjtë, do të thotë gati gjysmën e truallit kombëtar), që nga janari ka “regjistruar” 213.000 hektarë të mbuluar nga plantacionet. Aeroplani qëlëviz kryesisht nga qershori në shtator, qëështë periudha e pjekjes së bimëvet, nuk kalon më mbi Lazarat, i çliruar dy vjet më parë, mbas nja njëzet ditësh rrethimi e lufte të vërtetë. Edhe sepse metastaza, tashmë ka pushtuar kombin e tërë. Që nga janari, në 42 misione, janë zbuluar 753.000 bimë mariuhane. Kudo. Duke hamendësuar, si prodhim mesatar të një bime, dy kile e gjysmë drogë (mund të jetë edhe dyfishi), ështëllogaritur që, me shitjen në Puglia, ka një fitim prej 1300 euro për kile. Kjo nënkupton që, e vënë në treg, ajo sasi bimësh, më pas të shkatërruara nga policia e Tiranës, do të kishin sjellë fitime mjaft më të bollshme se 2 miliard euro, pothuaj një e katërta e PPB të Shqipërisë.

Nuk është fjala për të fajsuar një popull të tërë. Edhe se, në një kundërshti të vazhdueshme e çjerrëse, që “luan” shumë me temën e drogës e herë herë shkakton tensione, politikanët shqiptarë lëvizin, provojnë. Njësoj nuk mund të harrohet mundi i madhi i rojës së financës (në marrëveshje me ShBNP, Shërbimin për bashkëpunimin ndërkombëtar të policisë), veçanërisht me grupin – mision në Shqipëri të drejtuar nga koloneli Joselito Minuto, madje në tre vitet e fundit Piaggio P₁66DP₁ ka “mbuluar” 600.000 hektarë territori, duke u “rimodeluar” vazhdimisht për të mos humbur hapat e trafikantëve. Ata kanë vesndosur të nisen nga ishujt grekë, për të qënë brënda territorit të Bashkimit evropian, kanë një rrjet mbrojtës shumë të fuqishëm, sidomos në Puglia, janë një evolucion i skafistëve të viteve Nëntëdhjetë, duke u bërë sot më teknologjikë, të pacipë, aventurierë madje deri në Adriatikun në shtrëngatë. Nga ana tjetër fitimet i a vlejnë rrezikut. Kërkesa për mariuhana është e pandërprerë dhe këmbëngulëse, klanet nuk e përsërisin Pastaj me ngarkesat, të përzjera në to, trasportohen kokainë dhe armë, ndokush thotë edhe muhaxhedinë në vajtje apo në kthim nga “lufta e shenjtë” në Lindjen e Mesme. Aeroplani është i pajisur me aparatura që skicojnë tokën. Të dhënat e marra përpunohen nga fakulteti i Arkitekturës të Universitetit II të Napoliti. Në laborator teknikët e fakultetit dhe eksperti personal i financës “lexojnë” përfundimet e aparaturave. Lëvizja tjetër është e lidhur me kohën e veprimevet, mbasi jo më vonë se 48 orë bimët duhen shkatërruar, për të goditur kriminelët që mbarështojnë fushat. Piaggio, siç u tha, fluturon mbi njëmijë metro lart, pra në një “largësi” sigurie. Por ka raste korrupsioni në aparatet shqiptare, edhe se në pakësim. Pagesat e policëve janë t’ulta, një grusht qindra eurosh dhe ndjenja e nderit të rrobes, shpirti i pakorruptueshëm dhe respekti për vetveten nuk shmangin mundësinë që policët të mos mund të blihen nga trafiukantët. Trafikantët janë të fuqishëm, të pasur, me lidhje shumë të forta.

Thotë një hetues se problemi i mariuhanës nuk ka patur një rritje të menjëherëshme, ka qënë gjithmonë. Ekziston vetëdija se arrestimi i fshatarëve që kujdesen për plantacionet apo i shoferëve që me furgona i çojnë drogën tek gomonet, nuk janë të mjaftueshëm. Duhet arritur tek kryet e organizatavet. Bosët shkojnë e vijnë nga Shqipëria n’Itali ; kthehen atje e fshihen kur nuhasin një ajër të keq e i frikësohen arrestimit. Për ç’arsye ? Ndodh që nuk zbatohet një urdhër arrestimi i lëshuar nga Italia (a mos ka “urithë” tek ne?), që në Shqipëri në mënyrë të pabesueshme të kërkuarit ikin, madje zhduken, të mbrojtur nga klanet, nga heshtja, nga terrori, nga kërcënimi mbi njerëzit e varfër që detyrohen t’i marrin në shtëpi e t’i mbajnë duke heshtur. Përndryshe rrezikohet vrasja e ndonjë t’afërmi. Qarkullon një farë vlerësimi : me 400.000 euro një i kërkuar arrin t’a rregullojë praktikën dhe të jetojë i qetë, në liri të përjetëshme.

Ndoshta nuk do të ketë një rrugëzgjidhje, ndoshta nuk do të ketë kurrë. Ndoshta po dhe është (edhe e pjesërisht) këtu. Ҫmimi i një kg. mariuhane është1300 euro ; nëse dërgohet e shitet në Veriun e Italisë, të kamur e t’uritur, ai kilogram pëson një ngritje të fuqishme dhe arrin 1800 euro.

“Corriere della Sera”, e enjte , 17 nëndor 2016

Përktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: – SERRA E DROGËS NË EVROPË, Andrea Galli, Eugjen Merlika, shqiperia

“SHQIPËRIA EVROPIANE” DHE KRIMET E KOMUNIZMIT

November 7, 2016 by dgreca

Shkruan: Eugjen Merlika/

1 eugjen-merlika (2)

 “Ajo që është keq për moralin është keq edhe për politikën”- J.J.Rousseau  në  “Letër D’Alembert-it”/

Ka disa ditë, që kur u njoftua dekorimi i 67 “ballistëve”, të pushkatuar më 21 tetor 1943 në Divjakë të Lushnjes nga Brigata e I sulmuese, prej Kryetarit të Shtetit, Bujar Nishani, një pështjellje e madhe ka pushtuar mediat dhe politikën shqiptare, me gjithë problemet e shumta e të mëdha që kjo e fundit duhet të përballojë.

Ndjeshmëria e madhe e mjediseve shqiptare kundrejt së shkuarës sonë, tregon se ne mbetemi shpirtërisht të lidhur me të, duke prapësuar çdo prirje për t’u shkëputur prej saj, kryesisht njollave e çfaqjeve negative. Mbas 25 vjetësh të tjetërsimit të sistemit ende ngurojmë të rishkruajmë historinë e mbetemi robër të së shkuarës, me të gjitha kundërshtitë e saj, me dëme të mëdha për ecjen tonë përpara. Kundërveprimet e ashpra, në të gjitha nivelet, ndaj vendimit të Kryetarit të Shtetit, për t’i u njohur mbas gati tre të katërtat e qindvjetorit, 67 shqiptarëve të thjeshtë faktin se ata kishin qenë viktima të një krimi politik, të padenjë për një popull të qytetëruar, dëshmojnë se idhtarët e atij krimi gjënden edhe sot mes nesh.

Ata janë jo vetëm në veshjen e ish zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, apo t’ashtuquajturve “veteranë”, të cilët n’atë kohë nuk kishin mbushur as njëzet vjeç, por edhe në brezat e tjerë, deri në të katërtin. Ndër ta bëjnë pjesë njerëz të pushtetit, tw ish roganeve të dhunës shtetërore, të shoqërisë civile, të partive politike, por edhe përfaqësues të inteligjencës jo proletare. Kjo masë jo e njëtrajtëshme, që në këto ditëështë paraqitur si një “bllok graniti”, në mbrojtje të “fitorjeve” të luftës N.Ҫl. dhe në ridënimin e gjithë kundërshtarëve të partisë komuniste gjatë e mbas luftës, me qëndrimin e saj të vendosur tregon se e gjithë frazeologjia për “demokracinë”, “vlerat evropiane” frymëzuese, Shqipërinë “perëndimore” e anëtare të Nato-s etj., janë të gjitha “gjethe fiku” për të maskuar një të vërtetë të hidhur e dëshpëruese. As brezi i katërt i Shqipërisë komuniste nuk don ose nuk është në gjëndje të ketë një ndërgjegje të tijin, të shkëputur nga dogmat e gjyshërve e nga mashtrimi i 70 vjetëve, kryesisht për luftën e dytë botërore.

Pa dashur të përsëris vetveten n’analiza t’asaj periudhe historike e pa hyrë në hollësitë e saj, më duket se bisedat e ditëve të fundit, në mediat pamore apo të shkruara, na venë përballë një problemi që, më shumë se sa me interpretimetnë kah historik t’atyre ngjarjeve, ka të bëjë me një çështje formimi moral të shoqërisë sonë. Përtej vendimit të ligjshëm të Presidentit që, për herë të parë në 25 vjetët e pas komunizmit, ka guximin të verë gishtin zyrtarisht mbi plagën më të thellë të sistemit që n’embrion, atë të dhunës e terrorizmit, me të cilët u mbruajt komunizmi shqiptar, simbas modelit të Rusisë bolshevike të Stalinit, më duket se të gjithë ata diskutime mund të përmblidhen në një pyetje të thjeshtë : si qytetarë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të botës, a duhet të kemi një qëndrim të prerë e pa mëdyshje kundër dhunës politike, ushtarake, policore, në të gjitha format e saj të larmishme, në të gjitha rrethanat e ngado që të vijë?

Nga përgjigja që ne, si shoqëri, me sinqeritet i japim kësaj pyetjeje, varet përkatësia jonë bindjeve, vlerave, ligjeve e praktikave të botës së qytetëruar e demokratike. I gjithë kundërveprimi masiv ndaj vendimit të Presidentit, mjerisht na provon se ne jemi ende shumë larg koncepteve njerëzore, që janë në bazën e moralit të vërtetë, jo pse nuk i njohim, por sepse paragjykimi dhe padija historike me të cilët jemi mbruajtur na e bëjnë të pamundur përqafimin e tyre.

Episodi, aq shumë i përfolur, është një shembull tipik i mos zbatimit të ligjeve të moralit në gjëndjen e jashtzakonëshme të luftës civile. Duke marrë për të vërtetë versionin zyrtar të ngjarjes, po sjell fragmente të shkurtëra të një dokumenti të AQSH : F.41, viti 1943, D. 32, Fl.4. Bëhet fjalë për letrën që komandanti i brigatës së I, Mehmet Shehu i dërgoi më 30 tetor 1943 Shtabit të përgjithshëm t’ushtrisë n.çl. Mbas një beteje mes partizanëve komunistë të Brigatës së parë dhe forcave balliste, të fituar nga të parët, u zunë robër 172 vetë dhe u vranë 10-15 të tjerë. Ka një ligj të lashtë sa bota dhe luftërat, jo gjithmonë të respektuar : robërit e luftës nuk vriten. Por si veproi fituesi kundrejt bashkatdhetarëve të tij? Ja çfarë thotë vetë ish Kryeministri i Shqipërisë: ”Robërit i gjykuam. Gjyqi përbëhej prej meje, nënkomisarit të komandës dhe një partizani të Bat. I të Brigatës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve. Të tjerët, 29 vullnetarë për brigatë dhe batalione të vendit, të tjerët u liruan të çarmatosur…… mua më duket se kemë qënë gabuar, kemi ekzazheruar, kemi qënë shumë të rreptë. Do të mjaftonte pushkjatimi i 15-20 ballistavet nga më përgjegjësit. Porse këtë rradhë gabimi, faji kryesor është i imi…… i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çastevet, qesh i mejtimit për këtë masë të pa masë!…… Gjurmët e këtij terrori (nënvizimi im)duhen çdukur dhe shpresojm se do t’a shdukim në t’ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem m’i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çastevet që në mua çfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikro-borgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.”

Se sa e sinqertë qe kjo “autokritikë” na e vërtetojnë dokumentat angleze, nga të cilët po shkëpus vetëm një frazë :”Në fshatin Ҫepan të Skraparit, ai (Mehmet Shehu) torturoi Seit Ҫepanin, të birin e Asllan Ҫepanit, duke i prerë me sharrë të dy këmbët dhe duke e lënë të vdesë në agoni”. Një skenë rrënqethëse, për primat filmash të tmerrit !

Një tjetër dëshmi është ajo e FrancoBenantit, një mjeku italian që shërbeu e luftoi në formacionet partizane : “Nga mesi i korrikut (1944), Mehmet Shehu dogji fshatin e Tërnovës, n’afërsi të Dibrës, duke vrarë 130 gra e fëmijë. Më 5 gusht në Kostenjë, në rajonin e Ҫermenikës, divizioni i tijmasakroi 32 të pafajshëm, mes të cilëve edhe disa të porsalindur. Menjëherë pas Breneshit, në zonën e Zaranikës, ai vari në litar 18 persona, për t’u hakmarrë për vdekjen e një partizani. Pastaj për të kurorëzuar veprën, Shehu u sul në zonën e Matit, në lindje të Tiranës, ku në ditët e fundit të gushtit, pushkatoi dhe dogji 76 persona.”

            Duke u kthyer përsëri në episodin e Divjakës, simbas Xhelal Staraveckës, atëherë komandant batalioni i Brigatës I, kriteri i zgjedhjes së të pushkatuarve, me ndërhyrjen e Dushan Mugoshës, ishte edhe fetar, sepse u liruan 19 robër ortodoksë. Ky fakt na kujton terrorizmin e islamistëve të Shebabit që, në universitetin e Kenias, vrisnin të gjithë ata qënuk mbanin përmëndësh Kuranin….. Vlen të përmendet edhe përgjigja e Enver Hoxhës, atëherë Komisar i shtabit të përgjithshëm, të cilën e gjejmë në dokumentin n. 33 të 5 nëndorit 1943 : “Ky ekzekutim, shoku Mehmet, si kundër që e njeh edhe vetë në letrën që i çon shtabit, është i tepëruar dhe pa vend dhe shumë i gabueshmë pse në vend që të na sjedhij fitime na dëmton….. Letra jote që i çon Shtabit të Përgjithshëm për këtë çështje, na siguron se do ti moderoç ndjenjat e inspiruara nga momenti dhe nuk do të përsëritet më gjë punë e tillë, dhe herë tjetër nuk do të mungojë gjakftohtësia….” Se sa u zbatua kjo porosi e pamë më sipër. Por brënda gjinisë vërejtjet pranohen, edhe se krimet e Mehmetit, të “spanjolit” simbas Pandi Kristos, një tjetër kolegutë luftës, “ngjethnin erën”siç shprehej dikur i madhi Shaekespaere. Por ata nuk e penguan që ai zotëri të qeveriste Shqipërinë për afër 30 vjet, dhe ende sot t’i këndohen bëmat e “lavdishme”!

Kjo ishte ngjarja, simbas pohimeve të vetë atij që e ka ideuar e zbatuar e ky është gjykimi i tij rreth saj e njëkohësisht edhe i Enver Hoxhës, të parit të komunistëve shqiptarë. Bazuar mbi të vërtetën e këtij fakti historik, Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve politikë i kërkoi Presidentit dekorimin e atyre viktimave të dhunës. Ndoshta Presidenti kërkoi të japë një provë të shkëputjes së pas komunizmit nga krimet e kësaj natyre të parardhësve, një ide e lëvdueshme, që gjeti një kor kundërshtimesh ndaj vendimit. Doli në pah një masë e madhe njerëzish, deri në nivelet më të larta të politikës, të cilët në këtë rast i u kundërvunë dënimit të krimit, edhe kundër logjikës më parake të moralit njerëzor, edhe kur ai u shfaq në format e tij më mizore, më tragjike.

Cila është përfytyresa që i japim t’ashtuquajturve “aleatë strategjikë”, Evropës e SHBA, sado të prirur qofshin segmentët e majta të tyre për të heshtur e për të mos vënë në dukje or’e çast krimet e komunizmit, duke dalë në mbrojtje të një krimi, të kritikuar atëherë nga vetë ushtruesit e tij ? Cili është mësimi që i përcjellim të rinjve tanë me këtë zell në hymnizimin e terrorit komunist të luftës e të mbas luftës së dytë botërore, ende treçerek shekulli mbrapa ? Ҫfarë besueshmërie mund të kemi si shoqëri e si shtet, duke vazhduar së mbajturi në piedistal kriminelët e hajdutët e duke poshtëruar kujtimin dhe veprën e atyre që kanë ndriçuar historinë tonë me shëmbujt e ndershmërisë, të shtatit moral e të atdhedashurisë ?

Kemi nevojë të nxjerrim në pah vlerat tona të vërteta, ato që u shpalosën madhërisht gjatë luftës së dytë botërore, jo duke masakruar njerëz, duke vrarë robër, gra e fëmijë, por duke shpëtuar qindra hebrenj të strehuar në shtetin tonë të bashkuar. Kemi nevojë të shohim përpara, jo duke ringjallur idhujt e rremë të historisë sonë, por duke i braktisur ata, duke i a dorëzuar gjyqit të historisë së vërtetë e duke pohuar me të madhe vullnetin tonë për të dënuar krimin, nga çdo anë që të vijë e çfarëdo ligjërimi të ketë. E parë në këtë vështrim e gjithë pështjellja e ditëve të fundit më duket se qe një rast i humbur në pohimin e vlerave tona e tëdëshirës sonë për të qenë pjesë e bashkësisë së qytetërimit të kontinentit tonë.

Nëntor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: “SHQIPËRIA EVROPIANE” DHE, Eugjen Merlika, krimet e komunizmit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT