• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RIZGJIM TEJET I VONUAR APO FASADA E RRADHËS ?

December 11, 2015 by dgreca

*Nëse politika shqiptare dekoron 1000 ish partizanë, ish kuadrot e organeve të dhunës, ish hetues, prokurorë, gjykatës, oficerë drejtues të lartë të ish Sigurimit të Shtetit, para një viti fshehtas e pa bujë, është një hipokrizi e papranueshme dekorimi i pak viktimave të kampit të Spaçit./

* E vërteta është se Shteti shqiptar i këtyre 25 viteve është i sinqertë kur dekoron ish kasapët e diktaturës dhe shtiret kur dekoron viktimat e Revoltës së Spaçit. Mbas dhunës së 47 viteve të regjimit komunist, fatkeqësisht u përballuam me talljen e hapur apo të maskuar të të ashtuquajturit Shtet demokratik. Tallja dhe hipokrizia janë një tjetër variant i dhunës, sepse respektojnë të njëjtën logjikë të kësaj të fundit, raportin e forcave që lejon çfarëdo lloj qëndrimi./

*Strategjia e Katovices, e kthyer në program shtetëror nëpërmjet fjalës së Ramiz Alisë së tetorit 1989, u zbatua deri në imtësi në këta 25 vite./

NGA EUGJEN MERLIKA/

Vizita e Kryetarit të Shtetit në ish kampin e punës së detyruar të Spaçit është një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për faktin që, për herë të parë gjatë një çerek shekulli autoriteti më i lartë “denjoi” të shkojë e të shohë rrënojat e njërit nga “ferret” e socializmit shqiptar, por edhe për fjalën që mbajti dhe dekoratat që shpërndau. Duke mbajtur parasysh faktin se z. Nishani përfaqëson shtetin shqiptar e nuk ka folur atje si qytetar i thjeshtë, duhet të pranojmë se fjalët e tij janë edhe zëri edhe mendimi i politikës shqiptare sot. Do të ishim të lumtur të besonim ne, ish të dënuarit e Spaçit dhe të gjithë kampeve e burgjeve të Shqipërisë, se kjo është e vërtetë. Faktet e gjithë kësaj periudhe, t’ashtuquajtur të kalesës, na lënë dyshimin se edhe veprimi i fundit i Presidentit mund të jetë thjesht demagogji.

Nuk kanë kaluar veçse pak ditë nga festimet e 29 nëndorit, përvjetorit të ditës kur komunizmi mori pushtetin në Shqipëri. Ajo ditë ishte fillimi i tragjedisë më të egër të kaluar mbi truallin shqiptar, pavarësisht se ajo ende sot serviret si çlirim nga pushtuesit, të cilët u larguan vetë, si pasojë e humbjeve në të tjera fronte. Në fakt ajo datë ishte robërim, jo për të gjithë, siç thuhet rëndom, por për një pjesë të popullsisë që nuk u pajtua me diktaturën. Nëse hymnizohet ende ajo ditë së bashku me njerëzit me të cilët lidhet kujtimi i saj, nuk mund të dënohen veprimet e regjimit që solli ajo, përfshirë këtu edhe kampin e Spaçit, si pasardhës i denjë i Orman-Pojanit, Bedenit, Vloçishtit, Vlashukut, Gjirokastrës, Burrelit, Tepelenës, Qafës së Barit e sa e sa emrave të tjerë, dëshmitarë, tashmë të heshtur, të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Nëse politika shqiptare dekoron 1000 ish partizanë, ish kuadrot e organeve të dhunës, ish hetues, prokurorë, gjykatës, oficerë drejtues të lartë të ish Sigurimit të Shtetit, para një viti fshehtas e pa bujë, është një hipokrizi e papranueshme dekorimi i pak viktimave të kampit të Spaçit. Ndërmjet dekorimeve të para një viti dhe atyre të para dy ditëve, të kryera nga i njëjti autoritet, Shteti shqiptar, cili i përgjigjet së vërtetës ? Pyetja është e ligjëshme edhe për logjikën më parake. E vërteta është se Shteti shqiptar i këtyre 25 viteve është i sinqertë kur dekoron ish kasapët e diktaturës dhe shtiret kur dekoron viktimat e Revoltës së Spaçit. Mbas dhunës së 47 viteve të regjimit komunist, fatkeqësisht u përballuam me talljen e hapur apo të maskuar të të ashtuquajturit Shtet demokratik. Tallja dhe hipokrizia janë një tjetër variant i dhunës, sepse respektojnë të njëjtën logjikë të kësaj të fundit, raportin e forcave që lejon çfarëdo lloj qëndrimi.

Strategjia e Katovices, e kthyer në program shtetëror nëpërmjet fjalës së Ramiz Alisë së tetorit 1989, u zbatua deri në imtësi në këta 25 vite. Të kujtojmë disa nga pikat e këtij programi të pashpallur, por të përqafuar fort nga e gjithë politika shqiptare pas komuniste :

1- “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë.”

2- “Brënda dy-tri legjislaturave do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë.”

3- “Neve na intereson karta e tyre morale. Këta do t’i afrojmë e do t’u japim punë të parëndësishme, por kurrë nuk do t’i lëmë të na e marrin pushtetin….. Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në parà të burgosurve politikë, t’i kompletojmë me komoditete banimi…”

            4- “…Ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste… “

5 – “Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke u dhënë nga një pasaportë dhe duke u bërë presion do t’i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, të kundërshtojnë apo të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë.”

6- “Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të tjerë në Perëndim, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha.”

Sfidoj këdo nga politika shqiptare të mohojë vënien në jetë të këtij programi deri në hollësi.Madje edhe aty ku programi nuk është sendërtuar, ka qënë pika e dëmshpërblimeve për punën e papaguar të periudhës së dënimeve. Si duket, parashikimi i Ramizit u quajt tepër “bujar” nga pasardhësit, sa që e reduktuan kokoshin në thelë. Prej 25 vjetësh është dhënë vetëm një këst prej tetëve për ata që nuk janë më në jetë. Nuk e di nëse mund të ketë një tjetër term, veç talljes dhe mashtrimit, qëndrimi i Shtetit shqiptar kundrejt ish të përndjekurve politikë. Nëse Kryetari i Shtetit shfaq një tjetër qëndrim, nuk besoj të jetë frut i një evolucioni të brëndshëm i cili të ketë ndryshuar bindjet ndaj problemit. Ndoshta arsyeja duhet kërkuar diku tjetër : mësohet se më 27 tetor rrugën e Spaçit e ka bërë Donald Lu, ambasador i Uashingtonit në Tiranë. Zoti Lu ka shkruajtur në Facebook mbas vizitës : “Vizita në burgun e Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje.”

Është detyrë e një ish banori të kampit të Spaçit të falënderojë përzemërsisht ambasadorin e SHBA-s për këto fjalë. Në një të katërt shekulli asnjë përfaqësues i atij Vendi nuk është shprehur në atë mënyrë, madje nuk dij nëse ato janë frut i ndërgjegjes vetiake, që ka kaluar edhe vetë një traumë të tillë familiare, apo qëndrim zyrtar i politikës së jashtëme të Vendit të vet. Sidoqoftë ato fjalë kanë shërbyer si një këmbanë alarmi për klasën politike shqiptare që duhet të japë idenë se vlerësimi amerikan përkon edhe me të sajin. Që këtej turri për në Spaç, fjalimi e dekorimet. Në lidhje me këta më bëri përshtypje fakti i mungesës së dy emravet, të cilët, krahas Xhelal Koprenckës, duhet t’a kishin marrë me kohë vlerësimin e Shtetit demokratik, nëse ky do të kishte qënë vërtetë i tillë. Ata emra janë Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezha. Ata të tre, për mendimin tim, janë heronj, sepse kanë shkuar drejt vdekjes, mbasi kanë plotësuar një detyrë qytetare dhe intelektuale kundrejt ndërgjegjes së tyre dhe Atdheut, duke i shkruar nga Spaçi Enver Hoxhës, për t’i thënë me pak fjalë se politika e tij ishte antikombëtare dhe antipopullore.

Ndjesa e pakërkuar është një nga argumentat e trajtuar në fjalën e z. Nishani. Është një argument i prekur me dhjetra herë nga ish të përndjekurit, por pa asnjë farë efekti praktik, mbasi asnjë nga ish nomenklatura e kuqe, për më tepër nga organet e dhunës, nuk e kanë ndjerë si detyrë morale e njerëzore t’a kërkojnë, sepse asnjëherë Shteti demokratik nuk e ka dënuar seriozisht, por vetëm për formë atë dhunë. Sot, kur ambasadorët e huaj po flasin me forcë për këtë aspekt të mjegullt të demokracisë shqiptare, politika nxiton t’a nxisi atë dukuri e presidenti bëhet zëdhënës. Kjo nuk bëhet për të korigjuar një domosdoshmëri morale të shoqërisë e të shtetit, por për t’a fshehur mangësinë mbas një fasade, në dukje të pranueshme, duke gjetur një kompromis në këtë drejtim me zëmërgjërësinë e ish të përndjekurvet.

Krahas kërkesës së faljes përmëndet edhe termi “drejtësi” që, për Presidentin, do të thotë : gjetje e eshtrave, hapje e dosjeve, dënimin ligjërisht dhe sidomos moralisht të kriminelëve gjakatarë etj. Të gjitha këto janë fjalë të bukura, madje shumë të vlefshme, por kush mund t’i besojë sendërtimit të tyre, kur për njëzet e pesë vjet nuk kemi ndigjuar asnjë rast, që të jetë proçeduar ndonjeri, dhe jo më shumë se një vit më parë janë dekoruar për “veprat” e tyre.

Drejtësi do të thotë proçedim penal për ushtruesit e dhunës dhe autorët e krimeve, siç bëjnë në botë edhe me 90-vjeçarë, ish roje të kampeve naziste, të mbijetuar deri në ditët tona. Gjetja e eshtrave dhe hapja e dosjeve janë një detyrim, i lënë tepër gjatë pa u plotësuar, për një shtet që kërkon të ndreqë imazhin e tij të lyer me gjak. Është një turp fakti që, ende mbas një të katërt shekulli, këta detyrime nuk janë plotësuar, madje vazhdojnë të shpalosen si “të mira” që u premtohen ish të përndjekurvet, në mënyrë alternative, nga dy grupet e pushtetit në rastin e fushatave zgjedhore.

Duke nxjerrë përfundimin e arsyetimit mbi fjalën e Presidentit në Spaç, mendoj se kemi të bëjmë me një tjetër veprim fasade, që i shtohet portreteve të martirëve të Kishës, në rastin e vizitës së Papës Françesku në Tiranë.

Zotërinj qeveritarë, ju e dini shumë mirë se çfarë duhet të kishit bërë për viktimat e regjimit që ju e trashëguat paqësisht. Besoj se nuk keni nevojë t’u a këshillojë askush, por ju nuk do t’i bëni kurrë ato sepse për ju, sikurse për paraardhësit tuaj në pushtet, ata mbeten “armiq”, edhe se atë fjalë nuk do t’a përmendni kurrë, mbasi nuk jetoni më në “kështjellën e pamposhtur të socializmit në botë”, por jeni në NATO e kërkoni të hyni n’Evropën e Bashkuar.

Duke qënë të vetëdijshëm për këtë të vërtetë besoj se kemi të drejtë t’u kërkojmë vetëm një “nder” : mos u tallni më me ne dhe mos bëni fatkeqësitë tona armë të luftës suaj për pushtet!

Dhjetor 2015                                                 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: APO FASADA, E RRADHËS ?, Eugjen Merlika, RIZGJIM TEJET I VONUAR

SURJET E KURANIT DHE MASAKRAT E ISIS

December 2, 2015 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

“Por ata që besojnë, pasuesit e Moisiut, pasuesit e Krishtit, Sabejtë, ata që besojnë në Zotin dhe në Ditën e Fundit dhe bëjnë të mira, do të kenë shpërblimin e tyre pranë Perëndisë dhe nuk duhet të ndruhen për asgjë e nuk do të kenë asnjë arsye për t’u trishtuar.”

KURANI   Surja II Vargu 62

   Kaluan dy javë nga ajo mbrëmje e 13 nëndorit 2013 në Paris, që hyri në historinë e fillimit të mijëvjeçarit të tretë me të njëjtën befasi e dhimbje, si 11 shtatori i 14 viteve më parë në Nju Jorkun e kullave binjake. Dy datat i bashkon ngjyra e kuqe e gjakut të qindra njerëzvet që largohen nga jeta, ankthi e pasiguria që mbollën në psikozën e botës, cilësimi si “ndeshje qytetërimesh”, apo më mirë përplasje mes qytetërimit dhe të kundërtës së tij.

Sot njerëzimi përballohet me probleme të kundërshtive të vjetra e të reja, të lidhura me interesa po ashtu të vjetra e të reja, që mbajnë parasysh ndryshimet, por që kanë një gjë me të vërtetë të re : janë të zhveshura krejtësisht nga faktorët ideologjikë, që qenë përcaktues në gjithë shekullin e njëzetë. Lindja e Mesme, me gjithësinë e problematikave të saj të ndryshme, mund të quhet një laborator i politikës globale. Në këtë kuadër e reja më e rëndësishme është dalja e një shteti të ri, e atij islamik, në territoret e dy shteteve të tjerë që, në sajë të zhvillimeve të luftës mbas 11 shtatorit në Irak, me ndërhyrjen amerikane dhe të shkallëzimeve skajore të kundërshtisë mes diktaturës siriane dhe një pjese të popullit të saj, shkaktuan shkërmoqjen e tyre territoriale dhe krijimin e një entiteti të ri. Ky shtet i ri, i panjohur zyrtarisht nga asnjë shtet apo institucion i botës së sotme, por i ndihmuar drejt për së drejti apo tërhorazi nga shumë faktorë, është bërë tani problemi më shqetësues i panoramës së përgjithëshme botërore.

I lindur në një territor të gjërë me popullsi mbizotëruese myslimane që, prej shekujsh, mbetet e ndarë në dy rryma fetare në luftë me njëra tjetrën, me pika riferimi Arabinë Saudite sunite dhe Iranin bektashi, shteti islamik i vetëquajtur “Kalifat” dhe i drejtuar nga një “kalif” i vetëshpallur e i panjohur deri para dy vitesh, Al Bagdadi, ka vënë në qendër të synimeve të tij pushtimin e Perëndimit të krishterë, nëpërmjet luftës kundër “të pafeve”. Në këtë strategji objektivi kryesor mbeten të krishterët, kudo që të jetojnë, por edhe ata popuj myslimanë që mbajnë me ta marredhënie normale shtetërore, ekonomike, politike, kulturore etj. Ushtarëve të tij që, çuditërisht e fatkeqësisht, janë edhe nga Evropa veç atyre nga Vendet myslimane, Kalifati u ka shtënë në kokë idenë se jeta e vërtetë fillon mbas martirizimit, që duhet bëhet duke marrë me vete sa më shumë jetë “të pafesh”, pa asnjë dallim. “Të pafetë”, simbas tyre, janë gjithë ata njerëz të krishterë, apo të besimeve të tjera, përfshirë edhe myslimanë, që nuk pajtohen me “bëmat” e kalifit. Ata duhet të vriten me të gjitha mjetet, në të gjitha mënyrat e pa as më të voglin ngurim. Kuptohet se një mendësi e tillë pjell përbindësha e një praktikë terrori të pafre, “pa din e iman”. Për të hasur të ngjajshmit e tij, duhet të kërkojmë në periudhat më të errëta të historisë njerëzore.

Sot ISIS është mishërimi i terrorit “xhihadist” që, simbas tyre, është “rruga e Zotit”, mbasi kuptimi i fjalës “xhihad” i përgjigjet pikërisht atij termi. Veç ndërlikimeve të interesave ekonomike e politike të rajonit e përbërësve të tij së bashku me përkrahësit e tyre, mendoj se thelbi i çështjes lidhet edhe me konceptin e mësipërm. Sa i përgjigjet së vërtetës interpretative të Kuranit teza e Al Bagdatit është një gjë tepër e diskutueshme. Ka vargje të Kuranit që, të marra të shkëputura, mund të jenë prè e interpretimeve skajore të rrymës vahabite, duke ushqyer idetë vrasëse të grupit drejtues të Rakës.

“Luftojnë për çështjen e Zotit ata që shesin jetën e këtushme për të blerë atë të përtejmen. Çfarë shpërblimi të madh do t’u japim, edhe nëse vriten edhe nëse fitojnë, atyre që luftojnë për çështjen e Zotit.” Kështu shkruhet në vargun 74 të surjes IV të Kuranit. A mjaftojnë vetëm këta dy rrjeshta për të përligjur serinë e pafund të masakrave të ISIS, ku Parisi dhe Bamako janë të fundit shfaqje të tyre të llahtarëshme? Kurani ka një larmi të pafund mesazhesh që anashkalohen nga arkitektët dhe idhtarët e terrorit, të cilët synojnë me të gjithë mjetet të shkaktojnë një përplasje epokale ndërmjet dy besimeve më të përhapura në botë, asaj islame dhe asaj të krishterë. Një synim i tillë bie ndesh kryekëput me mësimet e Kuranit, i cili shpesh vë në dukje rolin e Krishtit apo të Shën Mërisë në vizionin epror të Zotit. Ja çfarë thuhet në surjen e III, në vargun 45 : “Kujto kur Engjëjt thanë : o Maria, Zoti të jep lajmin e gëzueshëm të një Fjale prej Tij. Emri i Tij do të jetë Jezu (Isà) biri i Maries. Do të jetë i ndritshëm në këtë botë e në tjetrën e do të jetë pranë Zotit.” Si mund të pajtohet lufta e ISIS kundër botës së krishterë, kur fjala e Zotit, e shprehur në Kuran, bën një vlerësim të tillë për figurat kryesore të krishterimit ? Si mund të përligjen vrasjet masive të njerëzve të thjeshtë n’Evropë apo në Vendet myslimane, madje edhe në vetë tempujt e Perëndisë, në faltoret ku njerëzit luten, në xhamitë apo në kisha ?

“Ai që vret me dashje një besimtar, ka ndëshkimin e tij në Xhehnem, në të cilin do të qëndrojë përjetë. Përmbi të është zemërimi dhe mallkimi i Zotit me një mundim të pafund.”, shkruhet në surjen IV, në vargun 93. Në surjen VI, vargu 151, në “Urdhërimet e Zotit”, ndërmjet të tjerash thuhet : “Mos vrisni se Zoti ka ndaluar të vritet, veçse për arsye të drejtë!” Në surjen v, vargu 32, jepet porosia e të Plotfuqishmit : “Për hir të kësaj i kemi shkruar bijve të Izraelit se ai që vret një njeri pa e shkëmbyer me një tjetër njeri të vrarë, ose me një shkatërrim të kryer mbi tokë, është njësoj sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit së bashku. Nëse dikush mban në jetë një njeri është njësoj sikur të mbante në jetë gjithë njerëzimin.” Surja XVll, vargu 33, përcakton vullnetin e Zotit : “Mos vritni njerëzit që Zoti ka ndaluar të vriten, veçse për motive të drejta. Hakmarrësit të atij që është vrarë pa të drejtë ne i kemi dhënë pushtet. Ai nuk duhet t’a teprojë në të vrarë e do të ndihmohet.”

Ishin këta disa prej vargjeve të Kuranit të cilët, me gjithë qartësinë e tyre, më duket se kanë nevojë për një sqarim nga ata që merren me studimin e tij e që kanë autoritetin për të shpjeguar mesazhin e tyre. Çështja e interpretimit të doktrinave fetare, më shumë e Islamizmit, është bërë mjaft e mprehtë në njëzet vitet e fundit, kryesisht në dy më të fundit, si pasojë e strategjisë t’ashtuquajtur “xhihadiste”, që synon të shkaktojë sa më shumë viktima të pafajshme, nëpërmjet dhunës së armatosur, në pjesën më të madhe të rasteve, vetëvrasëse. Bëhet ende më urdhëruese kjo kërkesë, kur këta krime masive fillojnë me shprehjen “Allah i akbar” (Zoti është i madh) e paraqiten si një vënie në jetë e vullnetit të Tij.

Është e vërtetë që besimi mysliman nuk ka një hierarki të përcaktuar si ajo e besimeve të tjera, sidomos të krishtera, por ka autoritetet më të larta në të gjitha bashkësitë islame, si në Vendet myslimane edhe në ata të mërgimit. Këta autoritete, përballë veprimesh terroriste që rrezikojnë të kryhen çdo ditë “në emër të Zotit”, mendoj se e kanë për detyrë të ngrenë zërin e tyre, jo vetëm për të dënuar dhunën, por edhe për të argumentuar se doktrina e Kuranit nuk e nxit atë. Kjo kërkon edhe shpjegimin e atyre thënieve që mund të interpretohen si urdhëra t’Allahut për t’a ushtruar atë. “Arsyeja e drejtë “ apo “motivet e drejta”, të cilët vargjet e Kuranit i quajnë justifikuese e të ligjëshme për të vrarë, duhet të jenë të përcaktuara mirë e qartë, pa lënë shteg për keqkuptime, akoma më keq për ligjërim të krimeve.

Këtë duhet t’a bëjnë autoritetet fetare myslimane, duke filluar nga ata më të lartit e atyre Vendeve, nëse duan të shmangin zyrtarisht interpretimin krimnxitës që banditët e kalifatit shpalosin, çdo ditë, nëpërmjet propagandës së tyre në rrjetet sociale. Në këtë drejtim vlen të vihet në dukje një shkrim i Myftiut të Madh të Egjyptit dhe Kryetar i Dar al-ifta al-Misriyyah, Institutit të Studimeve Islamike dhe qendër e Drejtësisë Islame, Shefki Allam, të botuar në sitin internet të Al Arabija, mbas masakrës së Parisit. Është një analizë e thellë e problemit të terrorizmit të shtetit islamik, duke vënë theksin edhe mbi faktin e interpretimit të librit bazë të Islamizmit.

“E gjithë bashkësia islame është në zi, ashtu sikurse i gjithë populli francez, sepse një sulm i përmasave të tilla, në të vërtetë, është një sulm kundrejt gjithë njerëzimit, siç thuhet në Librin tonë të Shenjtë. Kam qënë absolutisht i qartë e pamëdyshje në dënimin e të gjitha akteve të terrorizmit dhe xhelatërisë si ky dhe ritheksoj se Islami nuk pranon por dënon ekstremizmat e çdo lloji….” Një qëndrim i tillë është mbajtur edhe nga autoritete të bashkësive myslimane në Francë e Itali, por mungon nga ana e klerikëve të lartë sunitë të Vendeve të Gjirit….

Ai lloj qëndrimi që i shërben jo luftës por harmonisë mes popujve, në respektin e ndërsjelltë të besimeve dhe mënyrave të jetesës, nuk mund të mos na kujtojë Mbledhjen e Prishtinës që, pak ditë më parë, pohoi vullnetin e autoriteteve myslimane të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë për të dënuar, pa as më të voglin dyshim masakrat e fundit në Paris. Ai dënim shtrihet edhe te të gjithë aktet e tjera kriminale të shtetit islamik, të kryera në Vende të ndryshme të botës, me viktima të të gjitha besimeve e të shumë kombësive, kryesisht në mosha të reja. Në kujtesën e përgjithëshme të gjitha ato meritojnë të njëjtin nderim e shkaktojnë të njëjtën dhimbje. Mbledhja e Prishtinës qe shprehje e ruajtjes së traditës më të mirë të Islamizmit shqiptar, paqësor e atdhetar, faktor paqeje e mirëkuptimi në Kombin tonë, ashtu sikurse edhe besimet e krishtera.

Të gjithë së bashku ndihmojnë në ravijëzimin e një profili kombëtar, të trashëguar nëpërmjet harmonisë së besimeve dhe bashkësive përkatëse, profil që duhet ruajtur e për të cilin duhet të jemi krenarë e ballëlartë.

Nendor 2015                                                                         Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE MASAKRAT E ISIS, Eugjen Merlika, SURJET E KURANIT

POLITIKA DHE ETIKA DJE DHE SOT

October 29, 2015 by dgreca

NGA Eugjen Merlika/Itali/
“Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka edhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standart, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin.”-ATJON V. ZHITI/
Politika si koncept përfshin një tërësi njohurish, rregullash e ligjesh që merren me themelimin, organizimin dhe mbarështimin e shtetit dhe të jetës publike të një shoqërie e të një kombi. Etika është një term i futur në gjuhën filozofike nga Aristoteli në Athinën e lashtë. Duke shfletuar një enciklopedi universale italiane gjeta këtë përkufizim të fjalës, që ka hyrë në gjuhët e botës ashtu si e pati sajuar filozofi i madh grek në shek. IV p.K. : “Disiplinë politike që merret me probleme morale ose të sjelljes (gr. ethos) në lidhje me mjetet, qëllimet apo shkaqet. Dy degët kryesore të etikës janë teoria e vlerës ose assiologjia dhe teoria e detyrimit. E para studion kuptimin e termave vlerësuese (i mirë, i keq, i dëshiruar) dhe natyrën e së mirës, e dyta kuptimin e termave që shprehin detyrime (i drejtë, i padrejtë, i ndershëm etj.) dhe natyrën e drejtësisë morale.”
Të dy konceptet lidhen me njëri tjetrin sepse janë të ndërshkëmbyeshëm në sendërtimin e tyre praktik. Mbarështimi i shtetit, në të gjitha shfaqjet e tij të larmishme, nëpërmjet marredhënieve që krijohen mes institucioneve dhe shtetasve, apo mes vetë atyre të parave, dashje e pa dashje, i nënështrohet një gjykimi të përhershëm që bazohet mbi parimet dhe kriteret e mirësjelljes, të respektit të ndërsjelltë, të mos përballimit me mjetet e dhunës, qoftë dhe asaj folëse apo konceptuale.
Në historinë tonë të viteve 1944 – 1991, si pasojë e zotërimit të parimit komunist “Partia është e pagabueshme” dhe të mendimit të vetëm të personifikuar prej saj, ai kod etik i pashkruar u mënjanua krejtësisht nga jeta shoqërore. Njësh mendimi, i sanksionuar në ligje, urdhëra e udhëzime të hapura apo të fshehta, i ligjëruar juridikisht me nenin 55 të kodit penal që dënonte penalisht çdo shprehje të opinionit të kundërt me të, u bë për një gjysëm shekulli alfa dhe omega e botës shqiptare. Karakteri i theksuar klasor i sistemit, që i mohonte një pjese të popullsisë, asaj të përndjekur nga regjimi, të drejtat më parake njerëzore, çonte në koncepte të tilla skajore, sa disa nga elementët më thelbësorë të natyrës njerëzore të trajtoheshin si “mbeturina borgjeze e mikroborgjeze”, “të dëmshme” për shoqërinë e, pra, të dënueshme në format më të ndryshme. Në këta kushte edhe etika, me përbërësit e saj të mirësjelljes, të respektit e të edukatës, i u nënështrua kriterit klasor të vlerësimit të dukurive. Në teori ajo zbatohej vetëm me njerëzit “e mirë”, të cilët ishin, kryesisht, shërbyesit më të zellshëm të regjimit, të cilët i hasim sot, me pseudonimet më të ndryshme në faqet e internetit, duke i bërë jehonë asaj mendësie e duke vazhduar së sulmuari ndonjë “të prekur” që “guxon” të shprehë në shkrime mendimet e tij.
Plotfuqia e politikës së dhunës së gjithanëshme e kishte degdisur etikën në hapësirat ndëryjore, duke prerë çdo lidhje mes këtyre dy përbërsësve shumë të rëndësishëm të jetës jo lëndore të shoqërisë sonë deri në vitin 1991. Kjo qe trashëgimia e përcjellë nga gjysëm shekulli komunist, të cilën duhej t’a ndryshonte koha e re dhe njerëzit e saj, kryesisht klasa politike. Por vetë formimi i asaj klase, edhe se e re në moshë, linte pak shpresë në një rikthim të etikës. Të rritur e të shkolluar në institucionet e diktaturës, këta drejtues të rinj të Shqipërisë pas komuniste e kishin të vështirë, sa hap e mbyll sytë, të fitonin shprehitë e një shoqërie demokratike e të përvehtësonin elementet e etikës politike për t’i vënë në jetë në veprimtarinë e tyre. Mendohej se, me kalimin e kohës, me ripërtëritjen e vazhdueshme, me vetë emancipimin e shoqërisë, së cilës i u hapën dyert e botës dhe mundësia për t’u shkolluar në Vende të ndryshme, kjo dukuri e trashëguar do të arkivohej, duke hedhur poshtë opinionet e dashakeqëve të shqiptarëve mbi “pamundësinë” e tyre për të ndërtuar një shtet që të ishte shprehje e një shoqërie të qytetëruar.
Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Arsyet duhet t’i kërkojmë kryesisht në veten tonë, në konceptin, ende të fortë, se kundërshtari politik duhet asgjësuar, se e vërteta absolute është pronë vetiake, se “qëllimi justifikon mjetin” dhe se çfarëdo lloj mjeti është i dobishëm kur arrihet qëllimi. Po t’i shtojmë këtij bagazhi të trashëguar edhe ndonjë shembull negativ nga bota që na rrethon e të cilin e përvehtësojmë pa vështirësi, kuadri plotësohet. Ai ka epiqendrat e tij kryesore në Kuvendet e Tiranës dhe të Prishtinës, ku skenat skandaloze janë të pranishme gjithënjë e më shpesh. “Duelet” neveritëse të personazheve të Tiranës gjejnë jehonë në skena të papërfytyrueshme të kuvendarëve të Prishtinës. Pamjet e ditëve të fundit në Kuvendin e Kosovës janë me të vërtetë rrënqethëse, për nga cilësia e lartë e huliganizmit. Gra të reja, që gjuajnë me vezë kryeministrin e Vendit apo hedhin bomba lotsjellëse në sallën e kuvendit, janë të pakonceptueshme si krijesa të botës shqiptare. Ato bëjnë të dridhen në varre eshtrat e Nexhip Dragës, të Hasan Prishtinës, të Bajram Currit, të Isa Boletinit, të Shotë Galicës, të Xhaferr Devës, të Marije Shllakut, të Shaban Polluzhës e sa e sa burrave e grave që përfaqësuan, që luftuan e flijuan jetën për Kosovën shqiptare. Cilido të jetë motivi i asaj sjelljeje nuk mund të përligjë kurrë atë qëndrim. Këtu nuk flitet më për etikë politike, por për shkelje të rendit publik, gjë e pakonceptueshme për cilindo përfaqësues të popullit.
Ka vite që në Kuvendin e Shqipërisë shpalosen akuza të ndërsjellta për korrupsion, për vjedhje, madje së fundi edhe për komplote vrasjesh. Populli voton deputetë njerëz të paditur apo të dënuar për krime ordinere jashtë shtetit, për më tepër milionerë në euro, e kjo përligjet me mungesën e një ligji që do të kërkonte çertifikatën penale edhe të qëndrimit në Vendet e huaja. A është vetëm “naivitet” i papranueshëm mungesa e kësaj norme, kur gati gjysma e popullsisë shqiptare jeton jashtë Vendit ? Sigurisht që jo. Përgjegjësia nuk mund të bjerë vetëm mbi atë forcë politike që i ka në gjirin e saj këta elementë, sepse ligji nuk u miratua as kur në fuqi ishte kundërshtarja e saj.
Mungesa e etikës shpaloset çdo ditë në politikën shqiptare. Dukuria, si vazhdimësi, nis që me vitet e para të tjetërsimit të sistemit. Etika kërkonte që në impiantin administrativ të shtetit pas komunist, të bënin pjesë edhe përfaqësuesit e njerëzve të dhunuar edhe ata të bashkësive shqiptare jashtë. U bë shumë pak në vitet e para n’atë drejtim e që nga 1997 humbi çdo gjurmë e kësaj pranie. Etika kërkonte që, në vitet 90, të mos luftohej varfëria e shqiptarëve me mjete iluzore, mashtruese e të kundërligjëshme, si “piramidat” financiare. Etika u shkel katërcipërisht kur, me dështimin e tyre, nuk u kthyen paratë e mbetura qytetarëve, siç u mundua të bëjë Qeveria Meksi në muajt e parë të 1997-ës, por u grabitën paturpësisht nga Qeveria Nano, që fitoi edhe zgjedhjet me premtimin e kthimit të tyre.
Etika nuk është vetëm mirësjellje me kundërshtarin në kuvend për sy e faqe, megjithëse edhe kjo është një dukuri e rrallë e për t’u vlerësuar. Etika është luftë për të drejtën, për moralen, mos pajtim me të keqen, me shthurjen, me veprimet kundërligjore, me idenë e përgjithëshme se politika është mjeti për t’u pasuruar. Etika është e lidhur edhe me përfytyresën që kombi jep para botës, nga e cila, fatmirësisht, nuk jemi më të ndarë nga “perdja e hekurt”, por duam të bëhemi pjesë e saj përbërëse.
Çfarë kapitali politik mund të ketë një Vend, në të cilin hapur, prej vitesh fluturojnë paditë për krime të ndërsjellta dhe asnjë “kriminel” nuk dënohet, madje edhe kur jemi para faktit të katër qytetarëve të pa armatosur, të cilët vriten nga plumbat e shtirë nga ndërtesa qeveritare ? Çfarë kapitali moral mund të paraqesim kur të tjerët na fotografojnë parcelat me kanabis e laboratorët e drogës në territorin tonë e kur nuk jemi në gjëndje të kapim vrasësit e një oficeri në krye të detyrës, edhe se n’atë veprim ishin angazhuar qindra forca të rendit ? Çfarë besueshmërie mund të fitojmë kur i drejtohemi të huajve për personel hetues, sepse nuk jemi në gjendje të bëjmë një hetim që përfshin majat e shtetit, madje edhe kur na i bëjnë ato ekspertiza i nxjerrim si të pasakta ? Çfarë besimi mund të frymëzojmë te të tjerët kur, për të zbatuar një rregull të pranuar në të gjithë botën, atë të pagesës së korrentit të konsumuar apo dhënien e kuponave tatimore, duhet të bëjmë një “revolucion” e të shtojmë nenet e kodit penal ? Çfarë reklame i bëjmë Vendit tonë dhe mundësive të tij për të qenë objekt tërheqës për kapitalin e huaj kur, në panairin më të rëndësishëm të ekonomisë botërore për ushqimin, siç qe EXPO 2015 në Milano, paraqitemi me një pavion që ka një gur në hyrje e maketin e një mulliri me ujë brënda, veç projektimit të diafilmave mbi vlerat e personazheve tona të njohura ? Fantazia e organizatorëve është aq e shterpër sa që të mos gjejë mënyrën të paraqesë larminë e prodhimeve bujqësore, blegtorale apo të pemtarisë, që klima e jonë mesdhetare na jep mundësi të shijojmë ?
Do të ishte e padrejtë, pra edhe jo etike, të mos viheshin në dukje dhe ato shfaqje të politikës shqiptare që shkojnë në drejtimin e duhur. Qe një nismë e lëvdueshme e Qeverisë Berisha festimi i njëqind vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, një nismë që nuk gjeti kundërshtim tek Opozita, për sa i përket vlerësimit zyrtar të meritave të firmëtarëve. Qe një ide mbresëlënëse ajo e ekspozimit të portreteve të 40 martirëve të Kishës katolike shqiptare, në rastin e vizitës së parë n’Evropë të Papës Françesku, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por… a pati ndonjë nismë lokale a qëndrore për të emëruar ndonjë shesh, rrugë apo objekt kulturor me emrat e tyre ? Nëse ata janë martirë, nuk duhet të jenë vetëm në fasadën e një dite, sado të rëndësishme, duhet të skaliten në kujtesën e një populli e jo vetëm në fjalët e ndonjë qeveritari në raste përkujtimoresh….
Është e lëvdueshme prirja për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta të kombit në përballimin me kombet e tjerë, si harmonia fetare, shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore, apo përkatësia shqiptare e Nënë Terezës, krenarisë sonë. Por këto vlera duhet të paraqiten në tërësinë e tyre të së vërtetës historike, për më tepër në kuadrin e trajtimit të tyre nga regjimi i diktaturës, shumë përfaqësues të së cilës, sidomos në sferën kulturore e intelektuale, janë përsëri veprues. Përndryshe paraqitja e vlerave mbetet gjysmake, nëse nuk shfaqet kurajua dhe burrëria të paditen kundër vlerat e sistemit komunist që, këtë pasuri të paçmuar të kombit, e përdhosi për një gjysëm shekulli.
Si një ish fëmijë e atij kampi, nuk mund të mos falënderoj Qeverinë Rama për pllakën e vendosur në ish kampin e çfarosjes së Tepelenës dhe për fjalët e përfaqësueses së saj n’atë rast, ashtu si edhe për vendimin e dëmshpërblimit për ata që kanë kaluar vite jete në atë skëterrë “socialiste”. Janë të lëvdueshme disa nisma të fundit mbi mbledhjen botërore të përfaqësuesve të besimeve fetare në Tiranë, por edhe ideja e ftuarjes së të rinjve serbë në Shqipëri, me rastin e ndeshjes së futbollit Shqipëri – Serbi. Meriton, simbas mendimit tim, një falënderim rendi publik për zhvillimin pa incidente të asaj veprimtarie sportive.
Ishin këto disa nga përsiatjet e një qytetari të Shqipërisë, që mëton nga politika e Vendit të tij të jetë gjithënjë e më shumë bashkëngjitur etikës, vlerave, moralit. Ndoshta kjo dëshirë do të mbetet një iluzion i paarritshëm por, afër fundit të jetës, mund të jetë më e dobishme të përkundem në të.
Në krye të këtij shkrimi solla një frazë të një Djaloshi, sa të madh në mendime e ideale aq të ri në moshën e përjetëshme e dua t’a mbyll po me një shprehje të Tij, që duhet të nxisë vazhdimisht brezin e Tij : “ Ne jemi një grup të rinjsh të zhgënjyer nga realiteti, që ama ende besojmë, e duan të kontribuojnë në ndryshimin dhe përmirësimin e tij.”
Kemi një nevojë të pamasë për ndryshimin dhe përmirësimin që uron filozofi ëndërrimtar, por a do t’i a arrijmë atij ?…..
Tetor 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: DJE DHE SOT, Eugjen Merlika, Politika dhe Etika

LIBRA TË MUSTAFA KRUJËS NË BIBLIOTEKËN E VATRËS

October 25, 2015 by dgreca

Librat e dërguar nga Eugjen Mërlika i dorëzuan në Vatër vëllezerit Fatmir dhe Eqerem Mujo/
Sot, e Djelë 25 Tetor 2015, vellezërit Fatmir dhe Eqerem Mujo, bijtë e luftëtarit të Lirisë, Sefer Mujo, bënë një vizitë në Vatër. Ata i priti Editori i Diellit. Të dy vëllezërit, ashtu si e gjithë familja e tyre kaloi nëpër kalvarin e vuajtjeve të sistemit komunist. Shkak për t’i përndjekë ishte babai i tyre Sefer Mujo(Luarasi) që së bashku me vëllanë Aldon, ishin kundërshtarë të regjimit dhe qenë arratisë në Perëndim. Seferi, ishte ndër ata luftëtarë që hyri shumë herë në Shqipëri, por asnjëherë nuk ra në kurthin e Sigurimit. Ai është një personazh i gdhendur bukur nga britanikët në librat e shkruara për këtë temë, që punuan së bashku me amerikanët për rrëzimin e sistemit komunist të Enver Hoxhës, por që në fakt dështuan.
Ndërkohë që Seferi dhe Aldo jetoninin në SHBA, familjet në Shqipëri përndiqeshin hap pas hapi. Fillimisht u arrestua Eqeremi, që u akuzua për Agjitacion dhe Propogandë, më pas Fatmiri, ndërkohë që familja degdisej kmapeve të internimit nëpër Myzeqe.
Dy vëllezërit Mujo vizituan Ekspozitën”100 vitete e Vatrës” dhe plotësuan një amanet nga bashkëvuajtësi i tyre, Eugjen Merlika,bashkëpunëtor i Gazetës Dielli, i cili jeton në Itali. Fatmiri dhe Eqeremi sollën në Bibliotekën e Vatrës disa nga Botimet e Librave të Mustafa Merlikës(Kruja) si dhe libri e Eugjenit”Përsiatje”, dhurata për Vatrën.
Tani në Bibliotekën e Vatrës u shtuan edhe këto Libra:
1-Mustafa Merlika Kruja- Kuvend Letrash me miqtë- Vëll II: Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Martin Camaj, Namik Resuli, Atë Zef Valentini dhe Stavro Skëndi.
2- Mustafa Merlika- Kruja: Kuvend Letrash me miqtë-Vëll III(Familja Mbretërore, Eqerem Bej Vlora, Dhimitër Berati, Baba Rexhepi, Abaz Kupi, Tahir Kolgjini, Tahir Zajmi, Fan S. Noli, Kolë Bibë Mirakaj, Ago Agaj, Ismail Gorani).
3- Mustafa Merlika- Kruja : Kuvend Letrash me miqtë- Vëll IV
4- Mustafa Merlika- Kruja: Shkrime Historike
5- Mustafa Merlika-Kruja: Gjysëm Shekulli me Pendë në Dorë
6- Vladan Gjorgjevic” Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”-Përkthim nga Mustafa Kruja
7- Mustafa Kruja”Problema Gjuhe”-Studime
8- Eugjen Merlika- Përsiatje
Faleminderit Eugjen!
Faleminderit vëllezërve Mujo, që i sollën librat nga tirana në Nju Jork!(Dielli

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Eugjen Merlika, Fatmir e Eqerem Mujo, lIBRAT E mUSTAFA kRUJES, në Bibliotekën e Vatrës

NJË JETË NË DIKTATURË

October 15, 2015 by dgreca

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/
NGA EUGJEN MERLIKA/
“Ktu vaji e trishtimi/
Veç ndihet ndër shpija/
Ktu ndihet tingllimi /
I hekrave të mija/
E gjama e nji të shkreti/
Qi bjen vala e detit.”- NDRE MJEDA/
Më duket një detyrë morale ndaj vetvetes dhe nevojë e domosdoshme informimi ndaj atyre që patën fatin e mirë të mos i jetonin dhjetëvjeçarët e gjatë të sistemit monist shqiptar, të shkruaj disa faqe nga historia e jetës sime, thjesht për të bërë të njohura disa pamje nga një realitet, që kushtëzoi shumë jetë njerëzish. Eshtë një realitet, që sot është vënë në tehun e kritikës nga shumë njerëz të sferave të ndryshme të jetës kulturore të Kombit. Pa pretenduar të bëj pjesë në ato sfera, mendoj se jap një ndihmesë sado të thjeshtë në shpalosjen e disa të vërtetave të pakundërshtueshme, të pësuara drejtpërsëdrejti.
Vetë fakti që po shkruaj këto rradhë, më detyron t’i filloj ato me një nderim të sinqertë ndaj gjithë atyre faktorëve e forcave që bënë të mundur ardhjen e këtyre ditëve të reja në të cilat e vërteta, e masakruar deri tani, shpaloset në të gjithë gjërësinë dhe thellësinë e saj. Nderimi im i veçantë shkon te populli i Shkodrës, i Kavajës, i Tiranës e qyteteve të tjera e, mbi të gjitha, tek studentët e Universitetit të Tiranës që, me guxim deri në vetmohim, luftuan për demokracinë e ditëve të sotme, duke i bërë një shërbim të madh kombit tonë. Mendoj, se për këtë shërbim, ky komb duhet t’ju jetë mirënjohës në jetë të jetëve.
Gjatë jetës sime nuk kam mbajtur një ditar të rregullt, siç ndodh shpesh tek njerëzit. Kjo ndodhi jo për përtaci apo lënie mbas dore, por thjesht prej një ndjenje vetëruajtjeje, që dhjetëvjeçarë me rradhë m’u imponua nga kushtet e një jete të pasigurtë, me shpatën e Damokleut mbi kokë (rreziku i arrestimit në çdo çast). Ky ditar do të kish paraqitur si një dokumentar shumë çaste të një jete të gjymtuar nga diktatura. Ndërsa sot, në moshën 47 vjeç, ( jam binjak me diktaturën që, për ironi të fatit, quhet “çlirim”) më duhet t’i drejtohem vetëm kujtesës së fashitur nga një mori faktorësh…
Kam lindur në Tiranë në prill 1944, bir i një çifti intelektualësh me shkolla të larta. Babai ka qenë inxhinjer elektrik, i diplomuar në Grenoblë të Francës ndërsa nëna mësuese letërsie, e diplomuar me 30 me lavdërim në një nga universitetet më të vjetra të Evropës, në Napoli të Italisë. Ky ishte një fat disi i pazakontë për stadin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare t’asaj kohe. Jetën e kam nga Zoti dhe nga Dr. Hamdi Sulçebeu, i cili në asnjë mënyrë nuk pranoi të kryente dështimin e propozuar nga mjeku gjinekolog, kur nëna ishte shtatzënë, duke u përgjigjur: “Mua më kanë mësuar në shkollë t’i shpëtoj, jo t’i vras fëmijët.”. Por shumë herë gjatë jetës sime më ka munduar mëdyshja nëse duhet t’i isha mirënjohës dhuratës së tij…
Në klinikën e Dr. Sadedinit, ku ka qënë shtruar nëna ime, gjenin strehë edhe partizanët apo guerilasit e Tiranës. Kontrolleve të gjermanëve iu dilte para shprehja “un kam të shtruar të renë e Mustafa Krujës” dhe qetësia në klinikë sigurohej. Ndofta ky ishte një sinjal i largët, pararendës i pluralizmit që do të vinte pas pothuaj gjysëm shekulli, apo ndofta ishte një llogaritje e hollë e mundësive të mbijetesës në një kohë që do të vinte me emrin e revolucionit socialist. Këto hollësi i mësova më vonë nga nëna, jeta e së cilës është një roman më vete, me përmasa tragjike, e denjë për një penë dostojevskiane, për përshkrimin e së cilës nuk e ndjej veten të aftë. Do të mjaftonin, për t’a mbushur atë roman, dëshmitë e shokëve e shoqeve të atij kalvari të gjatë gjysëm shekullor që sot janë shpërndarë gjithkund, në Shqipëri e në botë.
Ndodhia e parë, e ngulitur çuditërisht në kujtesën time (kam qenë tre vjeç e nuk di a pranohet shkencërisht një fakt i tillë), ka qenë kacavjerrja në hekurat e portës së burgut të Tiranës me fjalët: “babi, hajde me ne” që shqiptoja i përlotur dhe me ngulmimin për të mos u shkëputur nga babai brënda saj. Aty ishte njohja ime e parë me absurditetin që nuk më lejonte të përqafoja babain, si dhe takimi i parë me policin, shkaktar të kësaj ndalese, një figurë që ndryshoi vetëm fytyrat e që më shoqëroi gjatë gjithë rrjedhës së lumit të jetës sime. “Kjo është jeta jote Faust! Dhe këtë m’a quan jetë…” Gëte
Ballafaqimi i parë i ndërgjegjshëm me jetën u bë nëpërmjet arrestimeve të babait e të xhaxhait. Mbeta vetëm me gjyshen dhe nënën time të re, asokohe 26 vjeçe. Banonim në Tiranën e re, në një shtëpi me qera, sepse shtëpia jonë ishte zënë nga Spiro Moisiu, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë “nacional-çlirimtare”; ende sot nuk më jepet e drejta të banoj në të… Një ditë të bukur të vitit 1947 vjen urdhëri i shpërnguljes nga Tirana për në Shijak. Në të njëjtën ndërtesë ku banonim ne ishte dhe një vajzë jugosllave me emrin Nada. Ishte me gradë kolonele, por nuk di se ç’funksion kishte. Fliste frëngjisht me nënën dhe ishin miqësuar edhe prej muzikës. Nëna i binte pianos, këndonte shumë këngë italiane dhe arie nga operat që asaj i pëlqenin shumë. Urdhëri i shpërnguljes sonë e dëshpëroi Nadën. U mundua t’a anullonte me të gjitha mundësitë, ndërhyri vetë tek ministri i brendshëm, por përgjigja ishte negative: “ Vetëm për atë familje nuk mund të bëj gjë.”
Kështu po atë ditë u gjendëm në kasollen e një evgjiti, në katër rrugët e Shijakut, un gjyshja dhe nëna. Babai kish filluar odisenë e tij të gjatë në kampet e punës. Ai ishte dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burgim, sepse kishte marrë pjesë në një mbledhje me pak shokë, për të krijuar ligjërisht një parti opozitare, në kohën që ato “lejoheshin” zyrtarisht nga “ demokracia popullore”.
Nuk ruaj kujtime të veçanta nga kasollja e Shijakut, por mbas pothuajse një viti xhaxhallarët e babait na morën në Krujë, qyteti ynë i origjinës. Aty mbusha pesë vjeç. Nga që kisha zell e dëshirë të madhe për të mësuar, një mësuese shpirtmirë më regjistroi në klasën e parë. Por vendimi i marrë nga Ministria e brëndshme, së bashku me degën e Krujës ( ndofta disi i vonuar, sepse familjet e tjera kishin vite që qëndronin në kampe interrnimi ) u vu në zbatim dhe ne u detyruam të banojmë për disa muaj në qelitë e degës së Krujës.
Para syve më del si nëpër mjegull figura sa e bukur aq dhe njerëzore e mësueses sime të parë, që më merrte përdore e më sillte nga shkolla në burg, ndërsa çdo mëngjes polici hapte portën në të njëjtën orë, për të më lejuar të shkonja në shkollë. Më vjen shumë keq që nuk i mbaj mënd emrin e asaj vajze dhe nuk di a rron… Por i jam shumë mirënjohës, jo vetëm se më mësoi shkronjat e para, por se me kujdesin e dhëmshurinë e saj prej nëne m’u bë shumë e afërt. Nuk di a pagoi çmimin për njerëzinë e saj, sepse tallazet e ashpra të luftës së klasave nuk lejonin një qëndrim të tillë dashamirës kundrejt një fëmije “armiqsh”. Për mua ajo qe si një rreze drite në tunelin e gjatë nëpër të cilin do të kalonte jeta ime, një shembull që më tregoi se në jetë ka dhe njerëz të mirë, gjë të cilën do t’a vërtetoja herë pas here në vitet që pasuan.
Aty, në qelitë e seksionit të Krujës, së bashku me dy familje të tjera ishte dhe një grek, monarkist, i ardhur këtej si pasojë e luftës. Ai shikonte filxhanët e kafesë. Një ditë i pa gjyshes filxhanin dhe i tha këto fjalë:” Që këtej do të ikni së shpejti. Do të shkoni larg, do të kapërceni male, fusha e lumenj e do të qëndroni në një vend mes malesh.. Aty do të vuani shumë, shumë dhe mbas disa vjetësh do të ktheheni përsëri nga ajo rrugë, por jo më këtu. Do të qëndroni në mes të rrugës në një fushë. Aty jeta juaj do të përmirësohet, por mirë siç keni qenë ju nuk do të bëheni kurrë më, kurrë…” Ato gra e vajza, që e dëgjuan, qeshën e thanë se fall është e nuk i dihet, por greku kishte qenë si Kalkanti. Falli i tij u vërtetua me një saktësi të habitëshme…
Një ditë nëntori të vitit 1949 na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena… e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njerit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të Kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, simboli më i gjallë e më rrënqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte. Tepelena, zyrtarisht Kampi i dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, pa dyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre por, puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila.
Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e Kombit. Është detyrë e veçantë e demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është edhe një detyrë e letërsisë së lirë shqiptare t’i japë botës një Arqipelag Gulag të markës shqiptare. Tepelena ka aqë shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme ( besoj se demokracia do t’i nxjerrë ato) do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore. Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp nuk kanë të numuruar.
Dita në kamp fillonte me natë, në orën tre të mëngjesit. Policët analfabetë e nisnin në atë orë leximin e apelit një për një të të internuarve dhe e mbaronin në ora pesë. Pastaj fillonte marrja e mëngjesit, një ujë i zierë që kishte emrin çaj. Më pas vargu i gjatë i grave, burrave, të rinjve nisej për në mal, për të plotësuar normën e druve- prerje e ngarkim në kurriz- nën vrojtimin e policëve me pushkë në krah. Do të furnizonin me dru ushtrinë, kampin për gatim, komandën për ngrohje, degën e punëve të brëndëshme, familjet e oficerëve e të policëve, të nëpunësve të komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv… Njerëzit ishin kthyer në rolin e mushkës, episodet e dhimbjeve të kësaj pune arrijnë maja të tilla therëse, që do të fyenin ndërgjegjen e çdo qenieje që quhet njeri.
Mbaj mënd sesi natën e Vitit të Ri 1951, sëbashku me gjyshen, prisnim të kthehej nëna nga mali. Gjyshja kishte gatuar diçka, një si qull me pak miell, që do t’a hanim për të “festuar” Vitin e ri. Nëna ime u kthye sëbashku me tri shoqe të saj, vajza të eksponentëve politikë të njohur antikomunistë, të ashtuquajtur “tradhëtarë”. Pasi u kthyen të gjithë në kamp, ato polici i ngarkoi përsëri me dru dhe i nisi për në qytet, për të çuar dru në shtëpinë e një oficeri të policisë. Afër mesnatës ato u kthyen në kazermë. Ç’vit i ri i bukur, ndërsa të tjerë, të “përkëdhelur të fatit”festonin me gjithë të mirat në Hotel “Dajti” apo në Pallatin e Brigadave…
Ajo punë shtazore përballohej me një ushqim që përbëhej nga gjashtëqind gram bukë, nga bollguri me krimba që notonin në lëngun e tij, e plotësohej nga lakrat e egra, kungulli, lendet e lisit, goricat, këto kur kishim mundësi t’i gjenim jashtë kampit. Po t’i shtoje kësaj tabloje kushtet higjenike të tmerrshme, mungesën e banjove të mjaftueshme, të ndërtesave, të vendit për të fjetur (gjithsej tridhjetë cm. gjërësi për person e njëzet për fëmijët), të krijohet pamja e vërtetë e torturës së përditëshme në atë vend të mallkuar, që quhej Kampi i Dëbimit.
Atje, që në moshën gjashtëvjeçare, u njoha me qelinë apo “birucën”, siç përdoret rëndom. Një ditë, duke luajtur si fëmijë, bëra një “gjynah” të madh. Kisha gjuajtur me gurë derrat e komandës që kullosnin të qetë në liri, jashtë telave me gjemba të kampit. Polici më kishte parë. M’u afrua, më kapi për leckash e më futi në birucë. Ende sot më rrënqeth kujtimi i atyre orëve të kaluara në errësirën e birucës, i vetëm, duke qarë prej frikës së gogolit. Jashtë më fliste gjyshja ime e mirë: “ Mos ki frikë, e mbyt nona gogolin!”. Edhe ajo i rezistonte policit që i kanosej për t’a larguar. Në orën dy të natës një tjetër polic m’a hapi derën e birucës dhe un rifitova “lirinë”.
Ndofta fakte të tilla duken pak të pabesueshëm, por e vërteta është se pati dhe të tjera raste të tilla, krahas qindrave që përbënin ligjin mizor aty brenda. Njëri ndër to, që më vjen ndërmend tani, është ai i një gruaje të sëmurë që rënkonte nga dhimbjet në veshka e i “prishte qetësinë” policit i cili, për pasojë, e lidhi në një shtyllë për njëzetekatër orë. Mbas kësaj ajo mezi erdhi në vete për dhjetë ditë. Cinizmi dhe sadizmi i personelit të komandës besoj se ja kalonte shumë herë figurave të esesëve, që vite më parë shihnim në filmat tanë apo të vendeve të tjera të Lindjes.
Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin këta ish partizanë në marredhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapterëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mëndjet e ish banorëve të kampit dhe kujtohen ende mbas dyzet viteve, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.
Gratë dhe vajzat e reja që vinin nga mali nëpër shi me rroba të lagura deri në mish, duke mos patur ndërresa ( në çastin e internimit nuk u ish lejuar të merrnin asgjë veç rrobave të trupit), detyroheshin të mbuloheshin lakuriq nën batanije, mbasi rrobat e shtrydhura i ndenin për t’u tharë. Ruajtësi “ vigjilent” i “rendit më të përparuar të njerëzimit”, kur e pikaste një gjë të tillë, shkonte dhe ia tërhiqte batanijen duke e lënë të zbuluar shqiptaren “ armike” në sytë e dhimbshëm të të pranishmëve. Prej cilit armik ndër shekuj shqiptari do t’a priste një kob të tillë? Ku t’i kërkojmë krahasimet? Ndoshta në rrëfimet e kuvaitianeve të përdhunuara nga idhtarët e Sadam Hysejnit.
Puna e detyruar, uria e vuajtjet i kishin kthyer në skelete të gjalla mijëra njerëz. Mbi pleqtë, fëmijët e sëmurë, vallëzonte përditë kosorja e vdekjes, që rrinte e gatshme të merrte pjesën e saj. Në një kamp pune, një të burgosuri, kur i thanë se të vdiq vëllai, pyeti a e kish marrë racionin e bukës për atë ditë…. Të tilla episode ndodhnin edhe në kampin e Tepelenës.
Një tjetër kapitull më vete, i llahtarshëm ishte ai i fëmijëve. Fëmijët e vegjël, që nënat e reja detyroheshin t’i linin lidhur në djep gjithë ditën, rriteshin në mëshirën e ndonjë plake të huaj. Qëllonte që mbasi kishte shkarkuar barrën e druve, natën, gruaja e re e gjente krijesën e saj duke u prehur në paqen e pasosur, me një pamje engjëllore… Lotët dhe mallkimet ishin shumë pak për të shprehur dhimbjen; të nesërmen, që në mëngjes, e priste rrjeshti me shoqet për në mal…
Fëmijët që mbetën të vetëm u rritën për mëshirë nga të afërm e madje herë herë dhe të panjohur, sepse nënat u çuan në kampet e punës, për të ndërtuar falas “veprat e socializmit”. Më kujtohet ajo ditë e hidhur, kur u ndava nga nëna. Mundohesha t’i kacavirresha kamionit ndërsa polici më godiste duart. Lotë rridhnin nga sytë e atyre grave bujare malësore që ishin ofruar vullnetarisht për të zëvendësuar nënën time në këtë transferim, por urdhëri ishte i prerë: ajo duhej të ndahej nga un. Polici duhej të zbatonte këtë urdhër të eprorëve, duke goditur duart e fëmijës që nuk donte të shkëputej nga nëna… Ç’skenë e bukur për një pikturë të denjë për Gojën, subjekt i bukur për të ilustruar “humanizmin socialist”, të trumbetuar me zell në këtë gjysëmshekulli.
“Lufta e klasave” ishte sistematike dhe me të vdekurit. Tri herë u ndërrua vendi i varreve, deri sa e çuan buzë Vjosës, që eshtrat t’i gëlltiste lumi, mbasi jetën ua shkurtoi ajo, e famshmja “vija e demarkacionit”, “guri i provës për marksistë-leninistët shqiptarë”. Dikush edhe sot i quan të drejta e, madje të dobishme, këto përbindshmërira, i përligj me “luftën e ftohtë”, me diversantët. Më vjen ndërmend personazhi i Hamletit, në bisedë me t’ëmën, kur shprehet:” Do të ve një pasqyrë ku të shohç të zit e zemrës tënde…”. Këtë pasqyrë e ka për detyrë çdo njeri i lirë t’ua verë para strategëve “të lavdishëm” t’asaj lufte, që mishëronte në vetvete gjithshka mefistofelike kishte në natyrën njerëzore, skutat e errëta të së cilës i kish njohur aqë mirë kollosi Dostojevski, duke parahikuar edhe rrezikun, njëqind vite më parë.
Dy vite shkollë në qytetin e Tepelenës. Vetëm nxënësit lejoheshin të dilnin jashtë rrethimit të telave me gjemba, për të vazhduar shkollën shtatëvjeçare. Vetëm në arsimin e detyrueshëm nuk u bë dallim, atë mund t’a merrnin të gjithë. Më dalin parasysh skenat e vajtjes dhe kthimit nga shkolla. Më merrte për dore një vajzë mirditore, Bardha. Ishte më e madhe se un, më e rritur, megjithëse ishim në të njëjtën klasë. Ajo ishte kushërira e Pal Mëlyshit, familjen e të cilit e kishim karshi për karshi në kazermën e parë. Mësonim të gjithë ne, fëmijët e kampit; megjithëse t’uritur e të zhveshur, ishim më të mirët në mësime. Ç’ishte ajo fuqi që na jepte krahë të përballonim çdo ditë atë skëterrë? Ç’forca madhore viheshin përkrah nesh, për të na siguruar mbijetesën? “Zot i madh na ndihmo!”, kjo ishte ofshama nga thellësia e shpirtit, vetvetiu në çdo çast dhimbjeje e ligështimi…
Mbas dy vitesh qëndrimi në kampin e Tepelenës erdhi urdhëri që fëmijët të liroheshin nga interrnimi. Kush pati familjarë të lirë vajti tek ata. Un mbeta i vetëm me gjyshen, deri sa xhaxhai i babait, mjek i dëgjuar i fëmijëve në Korçë, më mori në shtëpinë e tij. Ai me të shoqen u bënë për mua prindër të dytë, më trajtuan me dashuri e dhëmshuri të madhe, u kujdesën për fatin tim gjithë kohën, u përpoqën me të gjitha mënyrat të ndreqnin sadopak jetën time të nisur keq. Por plaga në shpirtin tim ishte shumë e thellë. Kushtet materiale të jetës sime ishin si dita me natën me të shkuarën, por mungesa e prindërve nuk mbushet me asgjë, sado që un gjeta prindër të dytë që i desha me gjithë shpirt. Mëndja ime shkonte përtej telave me gjemba, ku veç e veç qëndronin gjyshja, nëna dhe babai. Pasiguria, ankthi për jetën e tyre, malli, dhimbja më bënin që fshehtas të derdhja lotë të hidhur. Ata lotë fëmije tetë vjeçe, ashtu si të mijëra fëmijëve anekënd Shqipërisë ishin perla që “stolisnin” kurorat e të fuqishmëve të botës. Por në atë moshë të njomë ne fëmijët nuk i kuptonim gjërat, kurse sot ata nuk e kanë naivitetin tonë të atëhershëm.
Prindërit tanë asokohe nuk bisedonin në sytë tanë për gjendjen e tyre e të vendit, apo problemet politike. Terrori kishte depërtuar deri në qeliza dhe askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën. Kështu që ne brumoseshim me dashurinë e “pafund” për Partinë, xhaxhi Enverin, mbi të gjitha për xhaxhi Stalinin. Këta iluzione, që na fuste shkolla, binin ndesh me trajtimin tonë në jetë, por ne nuk ishim në gjëndje të mendonim me kokën tonë. Më kujtohet një episod sa qesharak aqë dhe i dhimbshëm. Kisha vajtur për takim tek nëna që ishte në kampin Nr. 3 tek Fabrika e tullave në Tiranë. Ishte vera e vitit 1953. Nëna dhe shoqet e saj punonin në kaminat e tullave brënda telavet të kampit. Mua më lejoi oficeri të qëndroja dy ditë brënda në kamp. Në bisedë me gratë dhe vajzat që banonin në një dhomë me nënën (mund të ishin rreth njëzet veta) un i pyeta ato pa të keq nëse kishin qarë kur vdiq Stalini. Ato filluan të qeshin dhe thanë se e vetmja gjë e mirë që përfituan ishte se patën dy ditë pushim. Un, i indoktrinuar nga shkolla dhe jeta jashtë, ju përgjigja me inat: “Mirë ja u bëjnë juve që ju mbajnë këtu brënda”. Ato shpërthyen përsëri në gaz. Kishin të drejtë të qeshnin me mua, që kisha harruar Tepelenën dhe s’kuptoja autorët e vërtetë të tragjedisë. Në krahasim me fëmijët e sotëm, që ngrenë dy gishtat lart, ne duhet të pranojmë se kemi qënë shumë naivë, për të mos thënë të marrë e ndoshta kjo spjegon dhe jetëgjatësinë e dogmave staliniste për dhjetëvjeçarë të tërë.
Por dua të kthehem përsëri te Tepelena, një gozhdë e ngulur thellë në ndërgjegjen, zemrën dhe trurin e shumë bashkatdhetarëve të mi të mesit të shekullit njëzetë. Strategjia e shfarosjes fizike shoqërohej me një tjetër, ende më djallëzore, atë të prishjes së njeriut, për të cilën nuk kurseheshin mjetet e mënyrat më të ndryshme. Në kushte jashtzakonisht të vështira fizike, morale e psikologjike, shumica dërmuese e asaj bashkësie e mbajti ballin lart, nuk e nxiu faqen, ruajti dinjitetin, karakterin, respektin e dashurinë për njëri tjetrin. Në kazerma të mëdha, me dy rradhë shtretërish flinin mbi pesëqind vetë e për çudi të “arkitektëve të ndritur” të asaj poshtërsie njerëzore asnjë skandal moral nuk ndodhi. Të gjithë u quajtën motra e vëllezër e të tillë mbetën në kujtimet e njëri tjetrit, duke sfiduar diktaturën dhe ligjet e saj mizore. Pa asnjë ndihmë, ata njerëz mes të cilëve jetova dy vjet, përballuan ata vite të gjata derisa më 1953, si pasojë e “qiejve të hapur” dhe trysnisë së opinionit të jashtëm, Qeveria vendosi mbylljen e kampit famëkeq të Tepelenës.
Për “çudi”, mbasi “morën vesh” nga gazetat dhe radiot e huaja praninë e metodave të shfarosjes në praktikën e përditëshme të kampit, oficerët e Ministrisë së Brendëshme, që erdhën për të komunikuar prishjen e tij, si zëdhënës të denjë të padronëve të tyre, shprehën “habinë” për çka kishte ndodhur. Hipokrizia kriminale shkonte deri në ngarkimin e përgjegjësisë viktimave, mbasi “nuk qenkëshin ankuar më lart”, një mënyrë sa e ndyrë aq dhe cinike për të fshehur ata që kishin projektuar deri në detaje krimin e që drejtonin fatet e vendit. Ishte një përpjekje trashamane për të shpëtuar “faqen e larë” të udhëheqësve, për të cilët ”njeriu është kapitali më i çmuar”. Është për t’u habitur fakti që ende sot e kësaj dite ka njerëz që me ndërgjegje thonë se “uji vjen i kulluar nga lart, por turbullohet poshtë”, se Qeveria mendonte për njerëzit por kuadrot poshtë vepronin simbas dëshirave të tyre. Çfarë naiviteti për të gjetur spjegimin e aqë shumë të këqijave!
Mbas strategjisë së shfarosjes së kampit të Tepelenës udhëheqja projektoi një sistem të ri për atë masë njerëzish që përfaqësonte “opozitën” ndaj socializmit. Kish vdekur Stalini dhe themelet e veprës së tij kishin filluar të lëkundeshin në endin e tij; përgatitej takimi i Gjenevës i Katër të Mëdhenjve, Nikita Krushovi filloi të fliste për kurs të ri. Udhëheqja staliniste shqiptare mendonte se nuk ishte më i dobishëm terrori masiv, i ushtruar për dhjetë vite me rradhë. Shembujt e tij janë fakte bindëse e të shumta. Mjafton të kujtojmë Bedenin, Orman-Pojanin, Vloçishtin, Vlashukun e të tjerë kampe pune të detyruar, ku kanë vdekur me qindra të dënuar politikë, ku njeriu varrosej i gjallë në llucën e kanalit nga çizmja e policit. Të kujtojmë gjithë ata të pushkatuar për bombën e hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike, represionin e pashëmbullt mbi popullin e Mirditës mbas vrasjes së Bardhok Bibës e të tjera shfaqje mizore të diktaturës komuniste në ata vite të kobshme.
Tani duhej ndryshuar taktika. Internimi merrte një formë tjetër dhe vendi i zbatimit të tij u
caktua Lushnja, një qytet në qendër të Shqipërisë, pranë kënetës së Tërbufit. Aty do të ndërtohej një fermë e re dhe kishte nevojë për krahë pune. Këtu u grumbulluan shumica e t’internuarve, të shpërndarë në kampe të ndryshme. Këtu edhe un u bashkova me gjyshen, nënën dhe xhaxhain që kishte kryer dënimin e tij me burg.
Kushtet e jetesës u përmirësuan në krahasim me Tepelenën. Familjet u strehuan në baraka e dhoma të veçanta, me një minimum komoditeti e me një varfëri të skajshme. Por t’internuarit i vunë gjoksin punës në bujqësi e, me djersën e tyre, filluan të ushqehen të shkëputur nga kazani me bollgur. Me mund e sakrifica themeluan sektorët e fermës më të madhe në Shqipëri. Në sajë të punës së tyre Lushnja u bë hambari i Vendit.
Populli i Lushnjes, megjithë trysninë e vazhdueshme psikologjike e propagandën e egër partiake, që i paraqiste të “tërrnurit” si armiq, nuk u soll keq me ne. Pjesa dërmuese e lushnjarëve e kuptonin se ne ishim viktima të pafajshme. Ndryshe nga qëndrimi armiqësor i tepelenasve, ata shfaqën karshi nesh mirëkuptim e në jo pak raste simpati e miqësi.
Me Lushnjen lidhet gjithë jeta ime, nga mosha dhjetë vjeç e këndej. Aty vazhdova shkollën shtatëvjeçare e më vonë të mesmen në gjimnazin që u hap më 1956, ku pata fatin të bëja pjesë në maturën e parë. Koha e shkollës, kujtimet e saj janë ndoshta pjesa më e bukur e jetës së një të riu. Sa keq që këtë kohë e kushtëzonte gjithmonë pozita shoqërore, “fati” i të lindurit me një mbiemër të caktuar, fakti i të qënit bir i një të burgosuri dhe i një të internuareje. Dhe frymëmarrja ngushtohej, kur çdo ditë të rrinte mbi kokë, si shpata e Damokleut, shprehja ” a e din se kush je ti?”. Kështu u rritëm un dhe shokët e mi, pa pretendime, pa ëndrra, të cunguar shpirtërisht, të kënaqur me një copë bukë me gjizë apo sheqer, të ndrojtur për të treguar të vërtetën e jetës sonë.
Ne jetonim mes njerëzve, në shkollë kishim marredhënie me mësues e nxënës. Para ekranit të kujtesës kalojnë të gjithë e një pjesë e mirë e tyre më ringjall respekt e konsideratë të thellë. Si mund t’i harroj mësuesit e mi, që nuk bënë karshi meje dallim me të tjerët në ndërgjegjen e tyre, që më dhanë notën që meritoja, që nuk m’i vunë orë e çast para syve muret e luftës klasore, që shfaqën mirëkuptim, dhëmshuri, konsideratë, dashamirësi, dhe atëhere kur ju kërkohej e ju bëhej presion për të kundërtën?
Emrat e drejtorit Llazar Prifti, të mësuesve Thoma Papa, Liri Kazazi, Pirro Risilia, Rexhep Ballhysa, Shefqet Karaj, Niko Deda, Hajro Babameto, Pëllumb Omari, Myfit Juka etj. i kujtoj me dashamirësi dhe sot, mbas tridhjet e një vitesh të mbarimit të shkollës. Një pjesë prej tyre nuk janë më, i nderuar qoftë kujtimi i tyre, një pjesë janë në pension e ndonjeri vazhdon punën e tij. Mbas kaqë vitesh ata ndoshta nuk më kujtojnë, por un i sjell ndër mend dhe uroj të kenë mbetur ashtu sikurse i njoha, të mos jenë bërë robotë të ideologjizuar të një politike që bie ndesh aqë shumë me profesionin e tyre fisnik. Ishte një fat për mua që pata të bëj me ata mësues, shumica të brezit të vjetër, sepse kam parë dhe mësues të ditëve tona, për të cilët do të kishte qënë më e përshtatëshme puna e policit apo oficerit të sigurimit.
Marredhëniet me shokët e shoqet e shkollës, sidomos të klasës, kanë qënë, me përjashtime të rralla, shumë të mira. Un nuk e di se ç’kanë thënë ata në mbledhjet e tyre të rinisë, ku s’mora pjesë asnjëherë, ku lektorë të ndryshëm u predikonin pa pushim thellimin e luftës së klasave, pra shkëputjen prej nesh, por me mua ata ishin gjithmonë të sjellshëm e njerëzorë. Vitet që pasuan e vunë në provë akoma më të fortë shoqërinë tonë. Për disa prej tyre si Goni, Xheni, Berti, Halili, Lakja e të tjerë shokë e shoqe të klasës e të shkollës uroj që të jem ndonjëherë në gjendje t’ua shpërblej miqësinë, ashtu siç e meritojnë dhe siç dëshiroj un.
Kanë kaluar tre dhjetëvjeçarë nga mbarimi i gjimnazit. Ne të gjithë po i afrohemi ose i kemi mbushur të pesëdhjetat. Secili ka problemet e tij familjare e personale, por vazhdojmë t’a ruajmë konsideratën për njeri tjetrin; sa gjë e bukur! Rrugët tona në jetë qenë të ndryshme. E imja dhe e disave si un qenë thikë të përpjeta, me hone të tmerrshme anash, por dhe ajo e shokëve të mi me “biografi të mirë” nuk qe fushë me lule. Pati ndonjë prej tyre që bëri karjerë e, nga lartësia e saj, pati raste që nuk denjoi as të më jepte të njohur sepse un isha i internuar, ose ndoshta pati frikë se dikush mund t’i kërkonte llogari se mbante “lidhje” me armiqtë. Por pati dhe nga ata që përmenda më sipër që shfaqën shenja miqësie në ditët më të vështira për mua, që në heshtje sfiduan diktaturën, duke i lënë të kuptojë asaj se ndjenjat njerëzore nuk mund të prangosen nga parimet e urryera të saj.
Ndërkaq vazhdonte odisea e shpërnguljeve nga një sektor në tjetrin, simbas nevojave të fermës dhe dëshirës së drejtuesve të Degës P.B. të Lushnjes. Deri më 1957, për katër vite, qëndruam në një dhomë të vetme në Plug. Flinim përtokë sepse nuk kishim krevate. Na ndriçonte bishtuku, një kandil i vogël, derisa të afërmit tanë na sollën një llambë me vajguri. Ngroheshim në flakën e krahneve të pambukut apo të degëve të krasitura të ullirit, që nëna ime i sillte në kurriz, mbasi kishte punuar gjithë ditën në fushë. Megjithë vështirësitë e mëdha materiale, na e mbante lart moralin dashamirësia për njëri tjetrin, ideja e vuajtjes së përbashkët, e qëndresës ndaj së keqes që na imponohej.
Sjell ndër mënd netët e Vitit të Ri që festonin së bashku njëzet apo tridhjet veta. Urimet bëheshin me nga një gjysëm gote vere e shoqëroheshin me ndonjë karamele apo në rastin më të mirë me ndonjë mollë apo portokall. Prisnim mesnatën duke kënduar e duke treguar anekdota për të qeshur. Nuk kishim as radio e as muzikë, as dritë elektrike e as tavolina, por ngushëlloheshim me njëri tjetrin e me ëndrrat që secili ne vetvete thurte për ditë më të mira.
Më 1957 në Savër qëndruam afërsisht një vit, porse më 1958 hapej sektori i Gradishtës. U caktuam gjithësej, si fillim, pesë gjashtë familje, ato me laps të kuq, siç shprehej me sinqeritet Kryetari i atëhershëm i Degës, Nuçi Tira. Dy baraka dhe dy shtëpi, pa ujë, pa dritë dhe pa rrugë; ky ishte sektori i ri që do të ngrihej në mes të ish kënetës së Tërbufit. Kënetën e thanë të burgosurit, mes të cilëve dhe babai im. Por mbi torfën shekullore të kënetës duhej ngritur ferma e re. Ky ishte misioni që u ngarkohej të inerrnuarve. Duhej të sakrifikoheshin ata të parët, siç duhej të punonin të burgosurit politikë në të gjitha “ veprat e mëdha” të socializmit, që regjimi i trumbetoi me bujë, gjatë gjithë kohës si “arritje” të klasës puntore. Këto arritje ngriheshin mbi jetën, djersën, gjakun , urinë e qindra e mijra vetëve, skllevërve modernë të një shoqërie, që kishte për mision “zhdukjen e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu”…
Një polic, një brigadier, një agronom, këta ishin drejtuesit e sektorit të ri, padronë të plotfuqishëm, që diktonin nga mëngjezi në mbrëmje jetën e përditëshme. Buka vinte çdo ditë me një qerre, herë herë dhe në mbrëmje vonë, e qerrexhiu i shkretë, xha Hidajeti, vuante nëpër baltra rrugë e pa rrugë. Një natë ai nuk u kthye më…Kanali që nxori trupin e tij të mbytur mori emrin Kanali i Hidajetit…(Marre nga libri”NJË JETË NË DIKTATURË”….Vijon neser)

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, ne diktature, nje jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT