• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBROJTJA EVROPIANE DHE BOTA E DJESHME

September 16, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

Sa gjasë ka që Bashkimi Evropian do t’arrijë të na japë një politikë serioze të përbashkët të Mbrojtjes? Atë autonomi strategjike për të cilën flet Emmanuel Macron e që nga pak të gjithë e quajnë të domosdoshme? Mbas tërheqjes tronditëse të Joe Biden-it nga Afganistani, çështja ka brofur në krye të përparësive politike evropiane, sëpaku për çastin. Vështirësitë për të krijuar një Mbrojtje të përbashkët  janë të shumta e të rrënjosura. Është njëra shpesh e nënvleftësuar: shumica e qytetarëve evropianë nuk don t’i a dijë. Të rritur në paqe e në demokraci, të mbrojtur nga shqyti i NATO-s, më së shumti amerikan, duket se nuk kanë kuptuar se bota ka ndryshuar, është bërë më e rrezikëshme. Që është kthyer shemëria agresive  mes fuqive, e ngjajshme me atë të gjysmës së parë të Nëntëqindit, akoma më komplekse se ajo ndërmjet SHBA dhe BRSS gjatë luftës së ftohtë.

Një hulumtim serioz të opinionit më të fundit mbi qëndrimin e evropianëve sa i përket Mbrojtjes e ka kryer Pew Research Center në fillim të vitit 2020. Në përgjithësi kishte rënë besimi në NATO-n, më të shumtën për shkak të politikës së America First të Donald Trump-it: për shembull nga 60 në 49 % në Francë, nga 67 në 57 % në Gjermani nga 2017 në 2019 (ndërsa n’Itali ishte shtuar me 3 %, 60 % në të njëjtën periudhë). Por ajo që është interesante për të kuptuar nëse opinionet publikë evropianë janë të gatshëm  për të marrë përsipër Mbrojtjen është e dhëna që ka të bëjë me Nenin Pesë të NATO-s, simbas të cilit antarët e konsiderojnë sulmin kundër një Vendi t’aleancës si sulm kundër vetë atyre, pra duhet të ndërhyjnë në anën e tij. Pyetjes nëse Vëndi tyre do të duhej të mbronte një aleat të NATO-s të sulmuar ushtarakisht nga Rusia, 66 % të italianëve i përgjigjej jo. Përgjigje johenike edhe nga 60 % e gjermanëve, nga 53 % e francezëve, nga 56 % e spanjollëve. Të vetmit evropianë, në shumicë në dobi të ndërhyrjes, ishin hollandezët, britanikët dhe lituanët. Por pelivançe 75 % e italianëve mendonin se në rastin e një sulmi rus Shtetet e Bashkuara do të kishin ndërhyrë. I njëjti mendim për 72 % të spanjollëve, 63 % të gjermanëve, 57 % të francezëve. Mundet që rasti i Afganistanit të sqarojë pak realitetin. Por përshtypja është që shumica e evropianëve kujton se jeton ende në botën e djeshme. E kuptueshme. Për fat të keq nuk është kështu.

“Corriere della Sera”, 8 shtator 2021  Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Europa

EVROPA E NDËRDYME PËRBALLË KRIZAVE BOTËRORE

September 12, 2021 by s p

Nga PAOLO MIELI

Tani që, me daljen e të fundmit ushtarak amerikan, n’Afganistan është kthyer fleta, duhet thënë se në ditët e fundit qëndrimi i Evropës kundrejt Shteteve të Bashkuara ka qënë pak bujar, shumë pak bujar. Në kontinentin e vjetër janë ngritur zëra, pothuaj krejtësisht kritikë, a thuaj se ne evropianët në njëzet vitet e fundit, madje edhe në njëzet ditët e fundit ishim ngatërruar vetëm në mënyrë të pavetëdijshme n’atë aventurë. Qortime të rënda veprimtarisë së administratës amerikane i kanë ardhur edhe nga shumë intelektualë dhe politikanë amerikanë: por pothuaj të gjithë kritikët amerikanë  kanë vënë në dukje ndërlikimin e mëparshëm të tyre n’atë që ndodhi në njëzet vjetëshin e fundit. Ne jo.  Madje këtu n’Evropë mendohet se, së paku në bisedën publike, kishte qënë rasti për të vënë në diskutim themelet e vetë gjithë aleancës perëndimore. Duke filluar natyrisht nga NATO. Jo për t’a “prishur” Aleancën Atllantike, përcaktoi në Lajmëtarin Romano Prodi, por për t’a bërë  më “të dobishme” e më të aftë për të përballuar realitetet e reja të planetit.   

Padia që ne i bëjmë Washingtonit është në thelb se nuk na ka lajmëruar për rreziqet që do të kishim kaluar në çastin e largimit. E që nuk na kanë dëgjuar për atë që kishim për të thënë mbi mënyrën e ikjes. Qortimi i parë, ai që nuk na kishin vënë në dukje rreziqet e lindura nga braktisja e fushës në të cilën ishim mundur, sido që të hartohet është vërtetë foshnjarake: kushdo që të ishte në vend i kishte mjetet për të kuptuar vetë se çfarë do të ndodhte. Po kufizohemi për të mbajtur parasysh pjesën e dytë të vëzhgimit: nga ajo që përceptohet, evropianët – nëse do t’ishin pyetur – do të kishin këshilluar që të mos linin në korrik bazën e Bagramit për të bërë të mundur ngritjen nga ai aeroport të aeroplanëvet të paracaktuar për kthimin n’atdhe të trupave amerikane. Ndoshta do të kishte qënë një këshillë e urtë (edhe se rruga që çon në Bagram është pa mbrojtje, aq sa është pagëzuar “rruga e gjuajtjes në shënjestër”). Por në thelb pranimi i asaj këshille nuk do të kishte ndryshuar shumë rendin e gjërave. Do të kishte lehtësuar paksa dramaticitetin  e daljes nga një luftë e humbur. Veçse nëse këto kritika të kishin nënkuptuar vullnetin e Vëndeve evropiane për të mbetur në Afganistan, duke zëvendësuar me ushtarët e tyre ata amerikanë në nisje. Por nuk duket se ishte ky qëllimi i Evropës, i asnjë Vëndi evropian.

Sa i përket nënkuptimeve, të përpiqemi të përimtojmë se çfarë mund të fshihet mbas vënies në diskutim të NATO-s. Aleanca Atllantike ka humbur funksionin e saj parësor tridhjetëedy vite më parë, me shëmbjen e murit të Berlinit. Që atëherë ka mbijetuar si strukturë ushtarake, në thelb nën drejtimin e SHBA, e përshtatëshme për të ndërhyrë në krizat në çdo qoshe të planetit. Kudo ku një Evropë “parazite” (mjeshtërisht e pikturuar nga Sergio Fabbrini në Il Sole 24 ore) nuk ishte dukshëm e gatëshme të bënte pjesën e vet kurrë. As në zjarret që ndizeshin në kufijtë e saj. Evropës i ishte lejuar të merrte përsipër vetëm 20 % të kostos së NATO-s, e edhe për këtë, me arsye, dinjiteti i barabartë në drejtim ishte një gjë pothuajse formale. Tani  – mbas një sërë humbjesh – është e qartë se NATO (ndoshta) do të mbijetojë por ndërhyrje si ato të së shkuarës nuk do të shohim më.

Tani do të shihet se çfarë do të jetë i aftë të ngrejë në këmbë kontinenti i ynë. Për çastin përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit evropian, Josep Borrel, ka lajmëruar (në këtë të përditëshme, me Federico Fubinin) krijimin e një “Initial Entry Force” prej “pesëmijë ushtarësh në gjëndje të mobilizohen me një thirrje të shpejtë”. Një fillim shumë i mirë, edhe se mbi “mobilizimin me një thirrje të shpejtë” është e ligjëshme të ushqehet ndonjë dyshim. Por që këtu deri në krijimin e një strukture ushtarake kontinentale në gjëndje të përballojë krizat që – merret me mënd – do të shfaqen, hapi është shumë i madh. Pa llogaritur që një lloj strukture e tillë ushtarake do të jetë e vlefshme vetëm nnëse do të ketë mbas shpine një njësi politike të bashkuar dhe – siç ka vënë në dukje efektshmërisht në këto faqe Angelo Panebianco – do të kërkojë “një qasje të jashtëme, me synim përfundimtar paqësimi në zonat më të turbullta të Lindjes së Mesme e t’Afrikës, nga mund t’i vijnë kërcënimet Evropës”. Për të patur këtë lloj “qasjeje” ushtria e re evropiane duhet të jetë e pajisur me atë “leje” të veçante për të parandaluar krizat me liri lëvizjeje, – që është prej kohësh e për të gjitha ushtritë – gjatë disa vijave të kufirit mes dritës e hijes.

Asgjë prej tërë kësaj nuk shihet në horizont. Evropa është prej dhjetëvjeçarësh një kontinent i specializuar në artin  e “shpëtimit të paqes” duke i u drejtuar krejtësisht diplomacisë. Nuk ka asnjë Vënd evropian që të ngurojë përpara mundësisë për të ndërmjetësuar, për të ndërhyrë e biseduar. Më mirë nëse me regjimet më iliberalë të tokës. Është e vetmja gjë që dijmë të bëjmë. Në ditët e zisë derdhen lotë e ngrihet zëri. Pastaj menjëherë kthehet ndërmjetësimi, ndërhyrja, bisedimi. Gjë që mund të duket pozitive përballë pështjellimesh të mëdha si ata të këtyre ditëve të fundit. Por nuk është e thënë që një bashkësi prej 27 Vëndesh ndërmjetësuesish – herë herë secili simbas kokës së tij – krejtësisht të paaftë të bëjnë të vlejë forca, as në rastet skajorë, të  jetë në gjëndje t’i japë jetë një bote më të paqësuar se sa kjo që po lemë mbas krahësh.

Corriere della Sera, 31 gusht 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Europa

SUGJERIM PER NJE SHQIPERI SI GJITHE EUROPA

December 15, 2020 by dgreca

Nga Thanas L Gjika/ Ky dhjetor në Shqipëri duhet të kthehet në muaj refleksionesh të thella për të gjetur rrugën e shpëtimit nga kjo klasë politike që shkeli ëndrrën e studentëve dhe të të përvuajturve për ta parë Shqipërinë të lirë si Europa. Mirëpo klani Hoxha, ashtu si e shpërdoroi gjakun dhe idealet e dëshmorëve pas nëntorit 1944, e shfrytëzoi ëndrrën për një Shqipëri me ligje të lirë si Europa dhe krijoi një klasë plotike që realizoi mbajtjen e pushtetit dhe shfrytëzimin e pasurive të popullit tonë po prej klanit Hoxha. Nuk u lejuan të aktivizoheshin sa e si duhej ata që kishin ëndërruar e vuajtur për këtë ëndërr, por njerëz të planifikuar prej Ramiz Alisë për të zbatuar planin Katovica, në mënyrë që pasuritë e popullit dhe pushtetin t’i trashëgonin, si i trashëguan e po i trashëgojne, besnikët e klanit Hoxha. Pa shkulur këtë klasë politike, ëndrra do të mbetet ëndërr. Protestat e dhunshme ose paqësor për të rrëzuar një qeveri me synimin që të vijë opozita, janë lodra të planit Katovica, sepse të gjithë politikanët e sotëm janë pjellë e këtij klani. Shpëtimi është tek gjetja e një rruge që të largojë një herë e përgjithmonë nga skena politike këtë klasë politike, gjë që është thënë shpesh, por nuk po gjendet rruga e shpëtimit. Unë ndoshta tregohem naiv, por sugjeroj organizim të demostratave paqësore me 1000 shqiptarë të ndershëm pa parti që të dalin të paktën dy herë në javë për disa muaj me radhë para ministrive e Kryeministrisë në një orë të caktuar me parullën “Të ikë kjo klasë politike!”. Besoj se kjo lëvizje mund të sensibilizojë mbarë botën shqiptare dhe të huaj për të marrë masa që të mos vihen në listat e votimit asnjë nga njerëzit që kanë qenë në partitë e djeshme e të sotme politike dhe në qeveritë e këtyre 40 vjetëve. Nëse caktohen zgjedhje te reja dhe në lista figurojnë këta politikanë ose bijtë e miqtë e tyre, populli t’i bojkotojë, të mos shkojë për të votuar…

Filed Under: Opinion Tagged With: Europa, shqiperia, Thanas L Gjika

EUROPA TË HETOJË DHE DËNOJË KRIMET SERBE NË KOSOVË…

December 10, 2020 by dgreca

LUFTA E UÇK E DREJTË DHE E PASTËR/

Enver Hajdari, kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK në Drenas, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Ngucati, Nasim Haradinaj e Salih Mustafa dhe çdo pjesëtar i UÇK-së do të jenë fitimtarë ashtu siç ishin në luftë. Sipas Enver Hajdarit, akuzat e Prokurorisë janë bazuar mbi dëshmi të rreme të sponsorizuara nga lobi sllav. Europa sipas Hajdarit duhet të hetojë si fillim krimet e tmerrshme të serbëve në Kosovë. 

ARRESTIMET SKANDALOZT TË KRERËVE TË SHTETIT TË KOSOVËS DHE TË LUFTËS 

Arrestimet e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Prokuria Speciale, kanë qenë të pa pranueshme dhe skandaloze. Kjo që po ndodh, është e papranueshme, kjo është edhe një tentim  për të barazuar kriminelin dhe Çlirimtarin. Ne si çdo popull luftuam për liri, prandaj aktakuzat e tilla, janë të pa drejta, janë thjeshtë politike, akuza të pa baza, janë akuza të dirigjuara nga Beogradi e fatkeqësisht të zbatuara nga disa gjyqtarë e prokuror ndërkombëtar. Këto arrestime nga kjo e ashtuquajtur “prokurori” sepse si të tillë nuk e njohim ne dhe nuk do e njohim asnjëherë, sepse ne e konsiderojmë që gjykata speciale është një etnike dhe nuk ka qëllim tjetër vetëm të barazojë kriminelin me Çlirimtarin. Ushtria Çlirimtare ka dalë nga gjiri i popullit për ta mbrojtur popullatën e pafajshme, për ne lufta si e tillë na  është imponuar, sepse nuk kemi pasur deshirën për të luftuar sepse njerëzit normal nuk i duan luftrat por paqen e zhvillimin. Serbia e ka dëshmuar edhe në të kaluaren se ajo është shtet i cili ka nxitur luftra dhe njëherazi e ka përdorur makinerinë shtetërore për të vrarë gra, fëmijë e pleq dhe për të debuar qytetarët dhe kryer masakra çnjerëzore si në Kosovë.  Prandaj me bindje të plotë deklaroj se UÇK-ja nuk ka bërë krime, sepse kjo nuk ka ekzistuar në kauzën dhe udhëheqjën e UÇK-së, ideja për të kryer krime, misioni i jonë si pjestarë të UÇK-së ka qenë çlirimi i Kosovës. Dhe ne kemi qenë kundër pushtimit, ne kemi zhvilluar luftë kundër makinerisë pushtuese çetnike serbe, dhe ballafaqimi i jonë ka qene me armikun gjakatar serb. Asnjë, ama asnjë civil të pambrojtur serb ose cili do qoftë ai, UÇK-ja nuk ka ushtruar as dhunë ose presione, ballafaqimi ynë ka qenë në front të luftës. 

EUROPA, NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Evropa, dhe kushdo që ka ushtruar presion mbi Kosovën për themelimin e gjykatës speciale, ka berë një padrejtësi të madhe. Evropa padrejtësi ndaj Kosovës ka berë edhe në të kaluarën, mirëpo kjo e fundit është e pafalshme dhe e pa drejtë. Sepse, gjatë luftës Ushtria Çlirimtare e Kosovës i kishte aleatë të Çlirimit edhe ShBA-të, NATO-në dhe një pjesë të Evropës, por si duket Kosova, do ballafaqohet ende me padrejtësi për ti kënaqur orekset e Rusisë dhe Serbisë. Arrestimet dhe akuzat i shoh si një padrejtësi që po i bëhët Kosovës. Sepse që nga çlirimi i Kosovës përgjegjësinë për gjyqësinë në Kosovë e kanë pasur evropianet me misionet e tyre në Kosovë, Unmiku, Eulexi e shumë misione ndërkombëtare.

AKUZAT NDAJ UÇK ME DOSJE FALSE DHE GËNJESHTRA TË NDYRA

Akuzat janë krejtësisht të paqëndrueshme dhe ta pa baza, akuza të fabrikuara nga Beogradi, dhe një tentativë për barazimin e çlirimtarit me agresorin. Agresori në Kosovë ka qenë serbia, ajo ka kryer masakra në Kosovë, ajo ka dhunuar gra në Kosovë, ajo ka dëbuar shqiptarë, ajo ka vrarë fëmijë, gra e pleq. Por, me bindje të plotë e them se pjestarët e UÇK-së dhe krerët e saj, do të kthehën faqebardhe dhe do të dalin fitimtarë nga kjo betejë politike. Besoj që ju e dini se kjo gjykatë është themeluar në bazë të një raporti të sponzorizuar nga Beogradi, tashmë ekzistojnë edhe dëshmi për këtë gjë, raporti i përpiluar nga Dick Marty është komplet i sponzorizuar nga Beogradi me dosje false. Kur e lexojmë aktakuzën sot që i’u është ngritur udhëheqjës së UÇK-së, aty as nje pikë nuk është përmendur ai raport sepse është totalishtë i pa vërtetë, por, edhe këto akuza do të hidhën poshtë, sepse janë të fabrikuara dhe të pa qëndrueshme.

BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN, NJË TURP I MADH

Turpi më i madh i botës është që të tentohet të kemi barazim të agresorit me viktimën, një gjë është e sigurtë se ushtarët e UÇK-se, në sytë dhe vedijën e popullit janë çlirimtarë, po ashtu edhe në sytë e aleatëve tanë kemi qenë dhe do mbesim çlirimtarë.  Tentimi për barazim në mes një agresori dhunuesi me viktimën nuk do mund të arrihet sepse shokët tanë do ia bëjnë të qartë gjithë botës së janë çlirimtarë dhe do dalin të pafajshëm. Beogradi dhe Rusia, vetëm një qëllim e kanë pasur që të ketë balanca në mes agresorit dhe viktimës, mirëpo kjo nuk do arrihet asnjëherë sepse ende i kemi deshmitë e freskta të masakrave që i ka shkatuar pushteti kriminal sllavë.

SITUATA NË KOSOVË E PAQËNDRUESHME  

Situata në Kosovë është jo fortë e kënaqshme dhe e paqëndrueshme sepse mungojnë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mungojnë udhëheqësit shtetërorë. Kjo situatë nuk është aspak e qëndrueshme. Që nga tentimi për themelimin e gjykatës speciale ka pasur kundërshtime, kundërshtimi më i madh ka ardhur nga organizatat e luftës, për këtë jam në ngjarje me gjitha përjekjet që janë bërë pasi jam kryetar i degës së OVL-së në Drenas dhe anëtar i kryesisë qendrore të OVL-së, e kemi kundërshtuar me gjitha mjetet të cilat i kemi pasur në dispozicion, kemi qenë atëhere kundër dhe do vazhdojmë të jemi kundër dhe mos ta njohim këtë gjykatë. Gjykata dhe Prokuroria janë një etnike, kemi të bëjmë vetëm me hetimet e krimeve të supozuara nga UÇK-ja, është shumë e pa drejtë, ne jemi për hetime të çdo krimi, por krimet kanë ndodhur nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, kriminelit të ballkanit. 

PROTESTA, PETICIONE, ORGANIZIME MBARËPOPULLORE KUNDËR GJYKATËS SPECIALE

Ne jemi koordinuaar se bashku si OVL e UÇK-së, po ashtu kemi organizuar një protestë me datën 9 korrik 2020 në çdo komunë nga 99 veta, ku kjo ka pas simbolikën e saj, po ashtu kemi zhvilluar biseda me deputet e kësaj legjislature për të dërguar këtë gjykatë për interpretim kushtetues, sepse konsiderojmë se i ka skaduar mandati. Gjithashtu kemi mbledhur nënshkrime e peticione kundër kësaj gjykate, janë derguar në kuvend. Po ashtu më 25 janar 2011 nga delegacioni i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, sekretarit të përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i është dorëzuar peticioni me mbi 230 mijë nënshkrime kundër raportit të Dick Marty. Mirëpo ne duke pasur parasyesh rrethanat aktuale që gjendet bota dhe Kosova, në këtë kohë pandemie me virusin COVID-19, ende nuk kemi organizuar ndonjë protestë gjithëpopullore, po presim që kjo të kaloj, dhe nuk përjashtojme një opsion të protestës si shenjë revolte lidhur me këto arrestime e gjykime. Por, dijeni një gjë se : Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Ngucati Nasim Haradinaj e Salih Mustafa dhe çdo pjestarë i UÇK-së do të jeni fitimtar ashtu siç ishit në luftë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Enver Hajdari, Europa, Sokol Paja

EUROPA (E PAPLOTËSUAR) MUND TË BËJË MË SHUMË NË KRIZËN

February 27, 2020 by dgreca

Nga Federico Fubini/

E përktheu Eugjen Merlika nga “Corriere della Sera”/

            Në verën e vitit 2017, gjatë krizës së refugjatëve, qeveria austriake  njoftoi se do të kishte dërguar ushtrinë në kufirin e Brennero-s. Nga Viena u kërkua Paolo Gentiloni për t’i a komunikuar, por kryeministri i atëhershëm nuk i u përgjigj telefonit: e dinte gjthshka. Atëherë ministrat austriakë i u drejtuan kryetarit të Alto Adige-s, Arno Kompatscher me qëllim që t’ishte ai që t’i jepte mesazhin Romës. Kompatscher-i i telefonoi menjëherë Gentilonit, që dëgjoi në heshtje dhe u përgjigj me pak fjalë: “Thuaju austriakëve se ushtrinë e kemi edhe ne”.

Ngjante tre  vjet më parë, jo njëqind vjet më parë. Atëherë ai vendim u tërhoq në pak orë dhe u zhvleftësua si “keqkuptim”.Por Evropa qartësisht ishte në kulmin e shfaqjeve periodike të dobësisë institucionale përballë shkulmeve të baticave të detit që arrinin nga pjesa tjetër e botës. Që atëherë ndonjë hap përpara për refugjatët është bërë (jo shumë), por në këto ditë historia kthehet në një pasqyrë të stërmadhe në të cilën Bashkimi evropian sheh veten e kupton sa e rrezikshme është paplotësia e saj. 

Spikama e koronavirusit sapo ka filluar në Vendet tona dhe përsëri jemi të pranishëm në përsiatjet e përherëshme: kundërveprime kombëtare të parenduara, tejpamje vetëm aty këtu dhe mjaft befasi. Natën e së dielës Austria ka ndaluar për orë të tëra një tren në Brennero. Rumania do të dëshëronte të vinte në karantinë të gjithë ata që vijnë nga Lombardia dhe Veneto (dhe Bazilikata rrjeshtohet me të , duke i shtuar Piemontin, Ligurien dhe Emiglia Romagnën). Një autobuz i linjës që vinte nga Milano u ndalua në Lion sepse shoferi kollitej. Deri edhe nga një aeroplan që arrinte në Mauritius nga Milano kanë zbritur në tokë vetëm ata që nuk banojnë në Veneto e Lombardia.

Tani, nuk ka gjasë që nga Austria të vijnë të tjera veprime të njëanëshme si ata të 2017-ës. Sebastian Kurz, kryeministri, pret të kuptojë se ç’rrugë do të marrë Gjermania dhe do të thuhej se as qeveria gjermane nuk e din: ministria e Shëndetësisë, me seli në Bonn, i tha dje “Corriere-s” se nuk ishte në gjëndje të thonte se sa prova mbi Covid – 19 janë zhvilluar në Vendin “ sepse Gjermania është një Shtet federal dhe autoritetet e krahinave janë vetë përgjegjës për raset e veçanta”. Edhe në Francë ministria e Solidaritetit dhe Shëndetësisë i shmanget përgjigjes së një pyetjeje të “Corriere-s” mbi numurin e provave që janë kryer në Vend. Por  ne italianët e kemi zbuluar mbi lëkurën tonë se, pa njohuri të qarta e të bashkërenduara mbi sasinë e kontrolleve, sa vështirë është të kuptohet sa e përhapur mund të jetë epidemia n’Evropë. Tani Italia po e kupton se në mesin e ditës së hënë numuri i provava të kryera është ngjitur në katërmijë nga pak qindra të javës së shkuar.

I njëjti çrregullim strategjik mbi kontrollet e tipave të tjerë. N’aeroportet italianë prej javësh janë vendosur skanera termikë (Fiumicino) ose termometra me rreze infra të kuqe (Linate e gjetiu), për të matur temperaturën e udhëtarëve, por të tjerë aeroporte evropianë nuk i kanë vendosur. Sigurisht ata do të kenë marrë masa paraprake në spitalet apo në vendet e punës që në Francë, Gjermani, Austri apo Spanjë mund të jenë marrë më parë e me më shumë efektshmëri se n’Itali.

Sidoqoftë mësimi është i qartë: Evropa është një hapësirë në të cilën mund të zhvendosemi lirisht, njëlloj si brënda një Shteti, ka një treg të përbashkët në të cilin mallrat udhëtojnë në një sistem të përgjithshëm që vazhdimisht na mban nën trysni, gjithmonë me goditje të reja. Ndodhi ndërmjet 2015-ës dhe 2017-ës me krizën e refugjatëve, kur Italia e Greqia u lanë vetëm sikur t’ishte një problem posaçërisht i tyre. Rrezikohet të ndodhë përsëri me Covid – 19. Përballë një epidemie globale Evropa nuk ka protokolle të përbashkëta të parandalimit e sigurisë, as standarte të detyrueshme e të vlefshme për të gjithë, as rregulla të qarta se si, kur dhe pse një Vend mund të mbyllë kufijtë me një tjetër për të ndaluar virusin me telat me gjëmba.

Përfundimi është se Vëndet më në dukje – në këtë rast Italia – gjenden edhe një herë të vetmuar e në mundësi subjekti për të marrë mësime. Por duhet të jemi të ndershëm e të pranojmë se Komisioni evropian nuk ka faj: politikat shëndetësore janë ruajtur me xhelozi nga qeveritë kombëtare, pa menduar se në këtë globalizim të parregullt një ditë Kina do të eksportonte një virus të fuqishëm e të panjohur dhe jo vetëm teknologji digjitale apo panelë diellorë. Ajo që ndodh sot vërteton atë që është e qartë prej vitesh: si një ndërtesë e mbetur përgjysmë, Evropa rrezikon të mos u qëndrojë dot goditjeve të një ere që vjen prej së largu. Duhet të plotësojë veprën e saj, pa humbur më kohë tjetër.

Me një hollësi më shumë, sepse të djelën Marine Le Pen qe e para që deklaroi se Italia duhej veçuar. Këtë drejtuese e njohim: aleate e ngrohtë e sovranistëve të shtëpisë sonë, në ngjitje në sondazhet në Francë, e vendosur të garojë përsëri për presidencialet e 2022, Le Pen në këto ditë jep idenë se çfarë do t’ishte për Italinë një Francë e drejuar prej saj e çfarë  do t’ishte një Evropë e mbarështuar nga shumë udhëheqës si ajo. Deri sa të jenë në opozitë, si sot, sovranistët mbeten të bashkuar kundër Brukselit. Por kur në një të nesërme do të qeverisin, do t’u duhet të gjejnë një armik për t’i dhënë gjithë fajet asaj që nuk shkon. Dhe nuk do t’u mbetej tjetër rrugë veçse të padisin njëri tjetrin.

“Corriere della Sera”, 24 shkurt 2020     E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Europa

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT