• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letërsia e vjetër shqipe në vështrim të një konteksti tipik kulturor e socioletrar

August 30, 2022 by s p

Nga Evalda Paci/

Në një sprovë për të trajtuar aspekte të një konteksti që ndikoi pa dyshim dhe në zhvillimet e kulturës librore në gjuhën tonë e në funksion të një tematike të paracaktuar e të orientuar ndaj një përdorimi specialistik, vetë të dhënat nga veprat e letërsisë së vjetër shqipe na rrëfejnë mbi parapërgatitjen e autorëve, përpiluesve dhe marrëdhëniet e tyre me një hierarki vlerash e institucionesh, ndër të cilat jo pa rëndësi paraqiten ato të finalizimit për shtyp të përpilimeve përkatëse.

Për të tilla hallka që dëshmojnë dhe impaktin e një klime zhvillimi të rëndësishme për receptimin libror në shekujt XVI-XVII, por dhe më tej në kohë, do të flitet gjerësisht dhe në manualet e studimet tematike mbi shtypshkrimin në Evropë e në vise qendrore të përurimit të tij. Vetë tranzicioni nga një kulturë e manuskriptit në atë të shumëfishimit dhe realizimit të ekzemplarëve me anë të teknikave tipografike shënoi për një sërë rrethesh kulturore përfshirjen në hapa të rinj në leximin dhe përdorimin e librit kishtar dhe atij kulturor e me përkatësi ndaj letërsisë humaniste dhe klasike.

Për secilën prej veprave të letërsisë së vjetër shqipe mund të gjurmohen tipare të një periudhe që u karakterizua nga lakore e ndryshime të diktuara nga orientime që jo përherë qenë dalluar për koherencë në ecuri dhe përmbajtje, fakt që ka gjetur dhe më tepër konfirmim vitet e fundit falë hulumtimit në një dokumentacion të pasur e të sistemuar në vazhdë dhe më tej mbas përmbylljes së punimeve të Koncilit të Trentit (1545-1563).

Në pikëpamje modeli a modelesh, vetë libri i Gjon Buzukut shfaqet natyrshëm si përmbledhës i disa përpilimeve tipike, që dhe në vetë ndërtimin a destinacionin përkatës kanë qenë objekt trajtesash e vëzhgimesh në të njëjtat ndarje kohore që marrim në shqyrtim dhe në këtë trajtesë tonën. Për vetë ndërthurjen në një libër të vetëm të disa modeleve, studiuesit e teksteve kishtare e të filologjisë tekstore u janë referuar kësombllave që rezultojnë në struktura të ngjashme, por në përgjithësi të shkruara në gjuhën latine, gjurmët e së cilës gjinden në një mënyrë ose tjetër dhe në veprat e letërsisë sonë të shekujve XVI-XVII. Impakti latin apo lidhjet e drejtpërdrejta me ritin latin gjejnë hapësirë për t’u ripohuar përmes vetë analizimit të brendisë së këtyre veprave, që kurorëzohen dhe në një periudhë kohore që ngërthen në vetvete momente tipike, por dhe ndryshime pasuese të shoqëruara me risi apo hapa të matur në pikëpamje të reformimit të librit të liturgjisë dhe atij të kulturës kishtare.

Reformimi i librave kishtarë sigurisht do të përfshinte mesharët e librat e orëve, breviarët e do të përballej dhe me domosdoshmërinë e disponimit të një modeli katekistik të arrirë e të mirëmenduar. Përpjekjet përkatëse qenë të shumta e të dallueshme në varësi të pontifikateve dhe impaktit të rolit të selisë papnore, këmbënguljes së enteve kishtare të mbikëqyrjes së botimeve, emërtuar shpesh dhe nën siglën e censurës kishtare, mjaft e diskutuar për format që merrte e nën të cilat shfaqej hera-herës. Njohja dhe hulumtimi përkatës në një dokumentacion mjaft të ngjeshur, që përbëhet dhe nga burime të kohës, si dhe nga një kritikë komplekse mbi këto të fundit, orienton ndaj një realiteti që përbën domosdoshmëri faktike dhe në rasën e analizimit të rrethanave të konkretizimit të veprave të letërsisë së vjetër shqipe.

Në studimet tona për një kontekst të tillë është folur mjaft, duke u lënë të kuptohet dhe që nevoja e konsultimit të arkivave, fondeve librare në dioqeza, biblioteka private dhe të enteve të edukimit kolegjial do të mbetej një domosdoshmëri në kushte të përpilimit të studimeve më të thelluara mbi një kuadër të tillë që pa dyshim do të ngërthejë analiza të faktorit historik dhe atij kulturor.

Në vetë elementet tekstore të veprave të letërsisë sonë kishtare, asaj të shekujve që përkojnë dhe me zhvillimet e sipërcituara, do të mund të ndiqet një vetëdije e qartë nga ana e autorëve për gjithë kontekstin për të cilin flitet gjatë dhe në trajtesat mbi historinë e shtypshkrimit dhe vatrat e lulëzimit të tij në viset evropiane, pa dyshim dhe në ato të arealit italik, i përfshirë gjerësisht në zhvillime mjaft specifike, veçanërisht nëse bëhet fjalë për vepra të një rëndësie të posaçme për studimet humanistike dhe për formimin individual, mjaft i synuar dhe në qendrat universitare të asaj kohe. Hulumtimi në detaje në lidhje me nëntekstin e shënimeve, të saktësimeve që lidhen me editorët, stampatorët, botuesit e kohës, por dhe me autorë që siglohen në përbërje botimesh të caktuara, orienton ndaj marrëdhënieve e dinamikave në hierarkitë përkatëse, të cilat përmendeshin dhe në tekstet përmbyllëse apo dedikimet hyrëse të këtyre të fundit. Në këtë vështrim, vlen përherë të nënvizohet fakti që këto elemente tekstore që u përmendën pak më sipër, përveç një funksioni të qartë në lidhje me brendinë dhe përmbajtjen e veprës a të doracakëve të caktuar, ishin të paracaktuara të kishin dhe një rol konkretizimi të përshtatshmërisë së përpilimeve me kërkesat e kohës, gjë që dëshmohet dhe me vetë ndërtimin tekstor përkatës. Të tilla elemente, aq më tepër me daljen në dritë të indeksve të librave të ndaluar, për t’u rishikuar apo ndrequr në faza të mëtejme, citohen pikërisht nën këtë perspektivë, duke u cilësuar dhe për detajet a hollësitë informative që duhej të përmbanin.

Figurat që për periudha të caktuara përfaqësonin një hierarki të përcaktuar për nga rëndësia dhe kompetenca e mbikëqyrjes së botimeve kishtare, librave e libërthave që lidheshin me liturgjinë e me praktikimin e saj përmenden si të tilla dhe në veprat e letërsisë sonë të vjetër shqipe, në veçanti në përpilimet e Gjashtëqindës, në të cilat dhe vetë prania e këtyre hallkave dëshmohet qartësisht në tekste introduktive, në komponime që nuk janë gjë tjetër veç një shfaqje e njohjes nga ana e autorëve e një sërë skemash e modelesh për t’u ndjekur në rasë të finalizimit për shtyp të tyre.

Jo pak fakte e procedura kanë ndryshuar që nga viti 1555, më saktë me sprovat më të para për të pasur një indeks librash që do të përmbante dhe një sërë rregullash për t’u pasur parasysh nga autorët, mbikëqyrësit e botimeve apo editorët.

Autoritetet që janë të përfshira në këto procese nuk janë përherë të njëjta dhe më tej, me përmbylljen e Koncilit të Trentit, vetë tekstet e cituara më sipër do të mund të lejohen në momente të caktuara dhe në gjuhët e quajtura “vernakolare”. Në vazhdën e këtij të fundit do të bëhet fjalë për tekste konkrete dhe për vëllimet në të cilat do të gjinden të përfshira, ndërkohë që më tej do të vihet re se një reformim i domosdoshëm, por më i ndryshëm nga ç’konceptohej në proceset e vijimësisë së Koncilit do të pasohej nga rimarrje të reja përpilimesh, më të thjeshta në pamje të parë, por më të afërta me objektivat që do të synoheshin në kuadër të ungjillëzimit që ishte objektiv për t’u mbërritur dhe në vende të tjera, në veçanti në Ballkan dhe në viset lindore.

Teksti kanonik dhe përdorimi i tij në praktikën liturgjike në gjuhën latine do të trajtohet përherë me të njëjtin vështrim zyrtar dhe në dekadat që pasojnë përmbylljen e Koncilit Tridentin, po në rastin e letërsisë së vjetër shqipe mbetet përherë për t’u konsideruar një kontekst kompleks që përfaqësohet dhe nga një traditë preekzistuese e njohjes së tekstit liturgjik e atij himnodik dhe në gjuhët popullore, fakt që është dëshmuar gjerësisht në dokumente, por dhe në trajtesa studimore mbi të njëjtin argument. Kontekst mjaft i afërt dhe më i pasur në të dhëna mbetet ai dalmat, për të cilin flitet gjerësisht në studime të posaçme kushtuar të njëjtës tematikë e që lidhet drejtpërdrejt me traditën e përdorimit të tekstit liturgjik në praktika të devocionit, ashtu dhe në sprovat për të rindërtuar një historik të përveçëm të institucioneve fetare në të cilat edukimit të prelatëve të ardhshëm që do të shërbenin në trevat e Ballkanit u është kushtuar një vëmendje e veçantë.

Jemi të mendimit që zhvillimet që pasuan vitin 1555 janë reflektuar në doracakë më modestë në pamje të parë, por dëshmues të një periudhe që me gjithë luhatjet në vendime, dekrete e botime tematike, do të paraqitej shënuese dhe në proceset postridentine, të pasqyruara dhe në vendet e Ballkanit. Vetë vitet 1558-1559 janë të lidhura me zhvillime të rëndësishme në botën e librit kishtar, zhvillime që do të bëjnë që dhe në drejtim të doracakëve të doktrinës e të librave të lutjeve të ndërmerren hapa sa konkretë, aq dhe shënues të ndryshimeve që do të diferencojnë ndjeshëm realizimet në dekadat e para të Gjashtëqindës nga përpilime të Pesëqindës.

Dallimet mes veprave të letërsisë së vjetër shqipe duhen gjurmuar pikërisht në referim ndaj këtyre zhvillimeve, që nuk linin jashtë vëmendjes librat themelorë përmes të cilëve synohej edukimi ndaj liturgjisë. Nëse për destinacionin apo paracaktimin e librit të Gjon Buzukut është shtruar e parashtruar jo rrallë, në veçanti kohët e fundit që duhet të ishte i orientuar të përdorej për bashkësi besimtarësh që jetonin jashtë viseve arbërore, për veprat e tjera që e pasojnë në pikëpamje kronologjike është e mundur dhe nga tekstet introduktive, dedikatore apo përmbyllëse të krijohet një ide më e qartë në lidhje me premisat e përdorimit dhe destinatarët përkatës.

Spektri informativ gjithashtu nuk paraqitet i ndriçuar në të njëjtën shkallë për veprat e kësaj letërsie, emërtimi i së cilës vijon të jetë i aplikuar i njëjtë prej vitesh në manualet e veprat studimore të karakterit institucional në traditën e studimeve tona.

Mbart një hije misteri gjithsesi çështja e një tipografie akoma të pasaktësuar dhe e sqarimit të disponimit të të ashtuquajturave “privilegje të shtypit”, që në kohën kur mendohet të ketë dalë nga shtypi ekzemplari i Gjon Buzukut përbënin një konditë të domosdoshme në pikëpamje të finalizimit të objektivave të porositësve e njëkohësisht dhe të botuesve që gëzonin njëfarë stime e vlerësimi në rrethet përkatëse kulturore, administrative të asaj kohe. Referimi i vazhdueshëm i studiuesve të vetë përmbajtjes së tij, por dhe i kontekstit kulturor që ka të bëjë me të dhe me klimën favorizuese të botimeve kishtare me destinacion përdorimin në një praktikë thellësisht të përcaktuar ndaj modelesh të ngjashme, por jo krejtësisht të njëjta risjell në vëmendje çështjen e veçanësisë në ndërtim, përbërje dhe elemente të përmbajtjes, pa lënë mënjanë tipare të një kulture gjuhësore e letrare të përpiluesit, që vihet në një pozitë të lartë autoriale nëse kemi parasysh faktin që solli në këtë libër një sërë tekstesh me gjasë të përdorura dhe më herët në kulturën e besimtarëve që flisnin a praktikonin gjuhën tonë. Në lidhje me këtë realitet që mund të gjejë reflektim dhe në studimet mbi tekste të përveçme në traditën himnodike të liturgjisë së krishterë në gjuhën tonë, mund të vijnë në ndihmë referenca konkrete nga sprova të thelluara që i referohen kontekstit ballkanik dhe minikonteksteve që falë burimeve autoriale vijnë më afër vështrimeve kritike, të domosdoshme në të tilla rasa.

Për vepra dhe autorë që paraqiten me të dhëna konkrete që në detaje përfaqësuese të përpilimeve të së njëjtës tematikë, edhe studimet e kryera arrijnë të thellohen në një shkallë që mundëson dhe një ecuri të mëtejme interpretimesh, të domosdoshme në rastin e kontekstualizimit në traditën e studimeve albanologjike, por dhe të përfshirjes në historinë e letërsisë së shkruar shqipe. Kjo e fundit do ta ketë në vijimësi (dhe pse në formate jo të njëjta të trajtimit) të pranishme periudhën në fjalë bashkë me autorët përfaqësues, dhe pse në kushtet e nënvizimit të mungesës së të dhënave themelore biografike për disa prej tyre.

Në pikëpamje metodologjike, ka pasur periudha në të cilat vëmendja e parashtruar është shoqëruar me trajtesa të arrira që përbëjnë dhe sot e kësaj dite vlera referenciale për studiues e lexues të specializuar. Qoftë dhe në pikëpamje metodologjike, parashtrimi i teksteve përfaqësuese të këtyre veprave ka nxitur vëmendje dhe interes në pikëpamje formimi dhe informimi, duke qenë letërsia e vjetër shqipe nji lamije studimore mjaft e përveçme dhe e thellë për nga argumentet studimore që kanë marrë shkas nga hulumtimi i elementeve të saj ndërtimore.

Vetë veprat që paraqiten më të plota për nga gjendja fizike dhe në pikëpamje të ruajtjes së elementeve dedikatore që për kohën kanë qenë dhe shprehje vlerësimi për to, janë pikërisht për një arsye të tillë dhe objekt vështrimesh që shërbejnë për të interpretuar dhe nga këndvështrime të lexuesit të kohës përpilimet e autorëve të kësaj letërsie. Konteksti i kohës, që presupozonte dhe përdorime të ngulitura incipitesh, apo dhe shprehje tipike në gjuhën latine reflektohet dhe në parashtresat që shoqërojnë veprat e shekullit XVII, ndër të cilat do të veçonim atë të Frang Bardhit dhe më tej, atë të Pjetër Bogdanit.

Duhet mbajtur parasysh fakti që të tilla dedikime që prezantonin veprën, përkatësinë e saj tematike, por dhe arealin në të cilin kjo e fundit do të gjente audiencën e vet përbënin një medium mes autorit dhe kontekstit kulturor e kishtar që do ta kishte në dorë, përveç destinatarëve të drejtpërdrejtë, të cilëve vepra në fjalë u kushtohej që në pikënisje.

Tekstet në gjuhën latine janë në të vërtetë një dëshmi e pritshmërisë së receptimit të veprës në rrethe lexuesish me një përgatitje të spikatur kulturore dhe ndër të tjera përmbajnë shprehje tipike të vetë kulturës klasike dhe humanistike të përpiluesve të tyre. Autorët e veprave të letërsisë së vjetër shqipe janë ndër të tjera dhe ndërmjetësues të një klime të mbarsur nga prirje për ndryshime apo drejt përcaktimesh që lidheshin drejtpërdrejt me librin kishtar dhe me dicionarët që duhet të përmbanin në masë të konsiderueshme elemente të një leksikoni që do t’u shërbente gjerësisht klerikëve dhe praktikuesve të liturgjisë së krishterë. Si referentë kryesorë ndaj të cilëve orientohemi dhe nëpërmjet teksteve autoriale të tyre, meritojnë një vëmendje të spikatur dhe në vështrime ndaj pjesëve me të cilat përfaqësojnë veprat dhe objektivat e tyre.

Dicionarët në veçanti lidhen me vetë kontekstin në viset e tjera, ndër të cilat dhe ato ballkanike e lindore, të cilat evokojnë areale ndaj të cilave nuk mungoi vëmendja as në dekadat në të cilat panë dritën e shtypit veprat e letërsisë së vjetër shqipe.[1] Gjurmimet në përbërje modelesh që mund të paraqiten të ngjashme dhe me vepra të të njëjtit destinacion në gjuhën shqipe, shpien në qasje dhe gjetje përkimesh në pjesë të caktuara, por mbi të gjitha dhe në lidhje me vetë inicimin e këtyre të fundit, si përpilime që kishin një funksion të caktuar formimi dhe edukimi.

Në një vështrim më përgjithësues, që në vetë kontekstin që u citua dhe më sipër si objekt trajtimi më të zgjeruar nga ana jonë, do të mund të gjejë një sërë të dhënash dhe indicesh orientuese, do të mund të rinënvizohet që pikërisht nga vetë elementet përfaqësuese të veprave të letërsisë së vjetër shqipe arrihet në komponente tipike të kësaj panorame, kulturore, por dhe historike e me prirje për ta parë librin si një objekt të një qëllimshmërie komplekse.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Evalda Paci

LIRIKA E FISHTËS, NË NJË PERSPEKTIVË TË BOTIMIT FILOLOGJIK

September 24, 2021 by s p

At Gjergj Fishta në vitin e 150 vjetorin e lindjes, Akademia e Shkencave mbajti konferencën shkencore ad honorem, “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.

PROF. DR Evalda PACI

Si një prej aspekteve më me interes në këndvështrim studimor mbi krijimtarinë e Atë Gjergj Fishtës O.F.M., komponimet lirike zënë një vend të konsiderueshëm në pikëpamje tematike dhe inicimi; kësisoj dhe në trajtesat e përpiluara mbi shkrimtarinë e tij janë argument i gjerë diskutimi.Lirikat ndër të tjera, duke qenë të ofruara për lexuesin në disa formate e variante botimi, duke qenë gjithashtu pjesë procesesh që kanë të bëjnë me vetë rrugëtimin jetësor të autorit, mund të gjinden të dokumentuara si në të përkohshme, fletore e trajta jo krejt të përpunuara, ashtu dhe si pjesë e botimeve tematike që me kalimin e kohës dhe janë rishikuar simbas vullnetit të vetë këtij të fundit. Krijime të veçanta nga një arsenal i tillë reflektojnë përfshirjen e autorit ndër rrethana e ngjarje që lidhen me vetë zhvillimet e kohës, por dhe me afektet e tij personale, me çështje të atdhetarisë, ndjeshmërisë ndaj një aktualiteti që ai e përjetoi në dimensione të ndryshme, duke qenë përherë i pranishëm apo pjesëmarrës. Në motive të caktuara, përveç shtjellimit të aspekteve individuale të një shkrimtarie genuine për të cilën përkujtohet e studiohet në vijimësi, Fishta përkon me orientime të ndjekura dhe nga bashkëvllazën të tij, në veçanti në rasë përvjetorësh me vlerë të përveçme historike e të lidhur me kontekstin në të cilin dhe ky i fundit ushtroi për një kohë të konsiderueshme misionin meshtarak dhe baritor.

Rindërtimi i historikut të lirikave të Fishtës përbën një iter jo të thjeshtë që në qendër të vëmendjes duhet të ketë momente të rëndësishme jetësore të autorit, përjetime të tijat dhe shprehje të vullnetit autorial që në raste të ndryshme përbën premisën themelore për përfshirjen e krijimeve të caktuara në korpusin e teksteve me natyrë e tematikë lirike. Në rastin e Gjergj Fishtës lirikat kanë një historik të mirëfilltë, i mundshëm për t’u ndjekur në disa orientime, përfshirë dhe shfaqjet e autorit në revista që lidhen dhe me thelbin e përshpirtnisë françeskane, jetëgjatësia e të cilave përkon dhe me momente kruciale të historisë së Urdhnit të cilit ky i fundit i përkiste. Krijimet lirike të Atë Gjergj Fishtës O.F.M. kanë një inicim të hershëm, që duke u reflektuar në vëllime të mëvona, ruajnë një lidhje të pazgjidhshme me momentin e formësimit dhe më tej, të përforcimit të frymës gjinore që i karakterizon që në thelb. Në pikëpamje filologjike, tekstet e të njëjtave komponime përbëjnë variante autoriale në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duke ofruar një mundësi të mirë qasjeje mes botimeve të ndryshme në të cilat kanë qenë përfshirë, sidomos nëse i referohemi një kuadri kohor që përmbyllet me botimet e fillimit të viteve ‘40.

Bëhet fjalë për ndërtime e përveçime që u përkasin regjistrave specifikë dhe për vetë tematikën e krijimeve të Fishtës, që ndërtojnë natyrshëm sythe të një leksikoni të plotë e kompleks, të shtrirë në një gamë të gjerë krijimtarie të autorit tonë. Tejshkrimet e këtyre përveçimeve nuk janë të njëjta në botime e ribotime, fakt që nuk është i rastësishëm dhe për më tepër, përbën dhe zgjedhje mbi lexime e interpretime fonike e grafematike të rëndësishme për planin sinkronik që reflektojnë. Lirikat e Atë Fishtës, të para në vështrim të vendit që zënë në krijimtarinë e tij komplekse, zbulojnë aspekte qenësore të vetë formimit të tij në pikëpamje të njohjes apo zbatimit të një sërë skemash e artificesh. Vëmendja ndaj krijimesh më të veçanta që e përfaqësojnë në thelb këtë prirje unike krijimtarie shfaqet që në kohë të përgatitjes për botim të tyre, duke qenë objekt i një sërë interpretimesh dhe shënimesh që dhe sot e kësaj dite janë një udhërrëfyes i rrugëtimit që u ndoq deri në daljen në dritë të shtypit të tyre. Qasja mes botimesh të këtij autori, të cilat dhe mbajnë në vijimësi të njëjtin titull përbën një argument të mirëfilltë studimor, jo vetëm në pikëpamje të vëzhgimit formal dhe të modifikimit të trajtave specifike që lidhen me një sërë zhvillimesh, por dhe të reflektimit të kulturës së shkrimit në tipografi dhe në organet kulturore të kohës. I prirur të kontribuojë në një sërë lamijesh të krijimtarisë letrare, me një ndjeshmëri të konfirmuar dhe ndaj faktesh historike që shënuan dhe vetë kthesat më të rëndësishme në të shkruarit e Atë Fishtës, autori ynë shfaq përmes lirikave një orientim që duhet ndjekur që në zanafillën e formësimit të teksteve të veçanta të kësaj krijimtarie.

Çka paraqet interes të veçantë në vështrimin tonë është dhe fakti që krijimet e mëvetësishme që kategorizohen në syrin e studiuesit si të natyrës lirike, kanë ndjekur një rrugëtim të mirëfilltë në më tepër se një rast, duke qenë se autori i ka përpiluar në momente të ndryshme jetësore, duke i reflektuar në të përkohshme të kohës.

Mund të gjurmohen mjaft aspekte të shkrimtarisë së tij pikërisht në krijime që në variante të ndryshme të botimit të veprës dhe veprave të tij janë rimarrë e më tej vënë në kujtesë të lexuesit nga ana e kujdesuesve të saj, duke lehtësuar për më tepër dhe njohjen nga ana e studiuesit e historikut të përvijimit të lirikave, që në vise të ndryshme kanë zënë jo përherë të njëjtin vend. Referencat për autorin kanë qenë krijime që i njihte më parë, modele të cilat e frymëzonin në pikëpamje tematike apo të nëntekstit që përcillnin, por dhe ngjarje reale të kohës në të cilën jetoi, të cilat pa dyshim jo vetëm ndikuan, por dhe u bënë shtysë për përpilime që gradualisht plotësuan mozaikun e krijimtarisë së tij, edhe asaj lirike. Përkojnë një pjesë e tyre me hapa të rëndësishëm të shtetformimit, fakt që reflektohet në tekste të veçanta, me një lidhje të qartë tematike me ngjarje që kontekstualizohen në vise specifike të Veriut të vendit tonë, në dekada të para të shekullit të kaluar.

Lirikat e Fishtës, në variantet që lidhen me kohën më të afërt në të cilën ai jetoi janë në të vërtetë një shembëlltyrë procesesh që na lidhin drejtpërdrejt me një rrugëtim specifik të tij, në veçanti në fushë të shkrimtarisë. Një periudhë e tillë ndiqet qartë e reflektuar në disponimin e disa varianteve të botimit, përfshirë disa me më pak shënime, por dhe të tjera, në të cilat do të mund të gjejmë të shpjeguar dhe pasurimin përkatës në motive, apo elemente të përpilimit metrik e përmbajtësor. Edhe të para në mënyrë individuale, krijimet që janë përfshirë në korpusin e komponimeve lirike janë reflektim procesesh apo përjetimesh që dhe me kalimin e kohës nuk humbasin konotacionin që kishin për autorin, lexuesin dhe vetë përgatitësin e veprës. Mbeten të tilla tekste, në veçanti nëse konsultohen në vëllime me një destinacion të qartë antologjik, një evokim i ndjeshëm i një kohe që autorin e përfshinte në shumë pikëpamje, reflektuar si fakt pikërisht në krijime të natyrave specifike. Prania e përgatitësit, në një rol të mirinterpretuar dhe mjaft të nevojshëm dhe në ditët tona, zbulon mjaft rrethana që në zanafillë të ndodhjes shërbyen për formësimin e krijimeve që dhe me rishikimin apo ripërfshirjen në formate më të ndryshme veprash do të ruanin tipare origjinare të momentit në të cilin u krijuan. Interpretimet që nuk mungojnë në hyrjet që u paraprijnë krijimeve lirike të Atë Gjergj Fishtës O.F.M. në botimet e pasuruara të lirikave në të vërtetë kthehen në një vademecum të domosdoshëm duke pasur parasysh se janë të disa dimensioneve dhe nuk lënë jashtë vëmendjes dhe historikun e përvijimit të teksteve që përmbahen në to. Të tilla botime, në ditët tona pasqyrë e një formati më të ndryshëm, por gjithsesi sa i thjeshtë, aq dhe i dobishëm për lexim e studim, ofrojnë sërish qasje për të njohur autorin, shprehësinë e tij në gjini të përveçme krijimtarie, arsenalin gjuhësor e letrar që i shërbeu si një suport i fortë dhe në këtë sfidë shkrimtarie, por dhe një pasuri mjetesh që vetë modeli gjinor do t’ia ofronte, përveç formimit të spikatur klasik, që për fat e zotëron natyrshëm dhe përgatitësi i veprës për botim.

Në një koherencë të plotë do të gjinden tipare gjuhësore të një mozaiku krijimtarie që nuk u përvijua plotësisht në të njëjtën kohë me një aparat aspak të thjeshtë kritik e interpretativ që në vështrimin tonë përbën dhe një model ekzemplar të një periudhe të lulëzimit të gjurmimeve filologjike dhe tekstore në studimet tona.

Në vështrim të proceseve që kanë shoqëruar përgatitjen për botim, tematizimin e arsyetuar dhe rikthimin në vëmendje të lexuesit të krijimeve lirike, teksteve të përshtatura me të njëjtën përkatësi gjinore bie në sy kujdesimi i pamunguar në elemente të brendisë, të sistemimit në pikëpamje shpjegimesh të elementeve më të përveçme të tyre, bashkë me një përkushtim që nuk lë t’i mungojë këtij kuadri qasja analitike mbi ndërtime, fjalë a sintagma që për poetin kanë një konotacion të veçantë.

Pavarësisht gjerësisë së shtrirjes së komenteve dhe shpjegimeve që janë të disa orientimeve, duke përfshirë vlerat fonike të lemave të caktuara, të qenit variant dialektor që reflekton dhe përzgjedhje nga ana e autorit, përkime në pikëpamje metrike e aliterative si shfaqje të artificeve të këtij të fundit, prani fjalësh e përveçimesh që janë pjesë e formimit të tij kulturor, pajisja e teksteve me të tilla aparate, ashtu dhe me shënime që introduktojnë ndaj njohjes së historikut të këngës, shqipërimit apo përshtatjes vjen e mirëpritur dhe në vështrimin e lexuesit kritik, që bindet shpejt se po bëhet pjesë e një excursusi jo vetëm kulturor, por dhe brendësues në natyrën e një poeti që frymëzohet nga muza të njëjta me ato të autorëve më të mëdhenj të klasicitetit letrar.

Ndjekja e një itinerari të mirëfilltë dhe maturimi që ndjekin botime specifike që mbajnë autorësinë e Atë Gjergj Fishtës O.F.M. përbën dhe një rrugëtim në njohjen e disa varianteve, që ndër të tjera dëshmojnë dhe se konceptimi mbi gjininë së cilës po i kushtojmë dhe këtë trajtesë tonën nuk ka qenë përherë i njëjtë në kohë të caktuara. Ndërkohë që rimerren krijime që qartësisht janë burim i një motivimi të fortë për autorin tonë, të paraqitura me modifikime që argumentohen me një sërë arsyesh që kanë të bëjnë me procesin përgatitor të botimit e daljes në dritë të shtypit, konstatohen në vëmendjen tonë dhe ridimensionime që kanë të bëjnë me çka u tha më sipër, me rishikime që mund të interpretohen me vullnetin autorial, por dhe me sistemime përmbajtësore që lidhen me vetë ecurinë e krijimtarisë së tij.

I gjendur para shtysash të krijojë në disa gjini e shtjellime të një shkrimtarie që te autori ynë është një dhunti e lindur dhe e përpunuar më tej me elemente të një formimi ekselent në tipare e karakteristika shprehësie, te një autor si Fishta mund të shfrytëzohet më së miri mundësia për të gjurmuar në variantet e sipërcituara jo pak ndryshime, rimarrje, zhvendosje apo transkribime që në vështrimin e sotëm paraqesin vlera të një diakronie përherë me vlera për studimet filologjike dhe tekstologjike.

Lidhja me klasicitetin grek e latin qëmtohet në disa prirje të krijimtarisë së Atë Gjergj Fishtës O.F.M., përfshirë ndërmarrjet për të sjellë në gjuhën shqipe pjesë veprash madhore nga letërsia antike, apo dhe për t’i kontekstualizuar figurat themelore të mitologjisë së lashtë në fragmente të krijimtarisë së tij shumëdimensionale. Por për t’u theksuar mbetet ndërthurja e jo pak motiveve nga tradita e sipërcituar me një moto të përhershme frymëzuese për të: tekstet biblike, historinë e shkrimit të shenjtë dhe reflektimin e tij në një letërsi më specialistike si ajo me tematikë e orientim të pastër kishtar. Motivet ma të njohuna në letërsinë ekleziastike, të trajtuara në modele të ndryshme tekstore, që njohin një historik të veçantë qasjesh që me fillesat e shkrimit shqip, janë pjesë e vëllimeve tematike lirike të Atë Gjergj Fishtës, i grishun të krijojë e të përshtasë rreth Pasionës, figurës së të Kryqëzuemit, Ngadhnisë së Kryqit, figuracionit të Liturgjisë së Pashkëve, personazheve që mbeten mes mitikes dhe historikes, por dhe figurave qendrore në burimet agjiografike, argumente këto që e përfshijnë ndjeshëm, duke bërë të pasurohet një kuadër tipik krijimesh për të cilat kontribuan dhe të tjerë prelatë françeskanë të kohës. Do të gjejmë të ndërthurura në këto tekste të Fishtës dhe sprova shqipërimesh të përfshira në krijimet përkatëse, që në të vërtetë janë rimarrje këngësh të njohura për rëndësinë themelore që paraqesin për historinë e Urdhnit të cilit Fishta i ishte kushtuar përgjithmonë.

Bartin qartë të tilla tekste një frymë tipike për vetë natyrën tematike të përzgjedhur, me një leksik të kujdesuar e njëkohësisht një konceptim vargënimi që i shkon ma së miri frymës së motivit të trajtuar. Zotërues i thekur i një teknike komplekse që ka të bajë me vjershërimin dhe me shtjellimin e tij simbas motivesh që i shkojnë për shtat petkut që mban prej kohësh, Atë Fishta pasqyron një aspekt qenësor të personalitetit të tij, të qenit auctor por dhe artifex, mjeshtër i vargut dhe i ritmit. Në botimet tematike që përbëjnë shtjellimet më të qarta të lirikës së autorit tonë, vijimësia në trajtesa të personazheve tipike të një bote komplekse si ajo biblike mbetet një bosht orientimi që duke e ndjekur të përafron me Të lemit e Zojës; Nunciatën si simbol i një momenti të rëndësishëm në incipitet e teksteve ungjillore; Nanën e dhimbsunueme si evokim të sublimitetit të dhimbjes njerëzore që përballet me vdekjen e birit të vetëm; celebrimet dhe festivitetin që lidhen me muaj të caktuem të kalendarit vjetor liturgjik, por që janë dhe pjesë e traditës së një kulture besimi karakteristike për qytetin e Shkodrës. Përshkrimet e pasuna në atribute e cilësime përkëdhelie, por dhe me mjete të tjera që kujtojnë artin figurativ evropian që përjetësoi të njajtat portrete, na rikthejnë te Pjetër Bogdani dhe trajtesat e tij tematiko-ezegjetike mbi Marinë, gjenealogjinë dhe urtësinë e saj të pashoqe.

Botimet e Valles së Parrizit, që përmbajnë pikërisht krijime, përshtatje dhe rimarrje motivesh të njohura në një letërsi të tillë, kaq specialistike dhe të pasuruar dhe me prurjet në gjuhën shqipe, do të jenë burim i pasur të dhënash mbi frymëzimin e poetit tonë mbi të tilla motive, që e bëjnë atë një lëvrues të denjë të një tematike që gëzoi një vëmëndje të qartë në shekujt e lulëzimit të letërsisë humaniste. Një vështrim krahasues me botime e ribotime të Mrizit të Zanavet, dëshmon se të tilla realizime janë të pandara jo vetëm për faktin se përmbajnë përkime në krijimtarinë e autorit, por dhe se grishin për një perspektivë të pashmangshme të vështrimit të tyre në një optikë të përbashkët studimore.

Krijimtaria lirike e Atë Gjergj Fishtës O.F.M. ka njohur dhe ridimensionime interesante përgjatë ribotimeve të veprës së tij, të kushtëzuara nga një sërë faktorësh, ndër të cilët dhe kërkesa e ethshme për ta lexue Poetin e madh të dheut tonë.

Në këtë vështrim, në një pjesë të rëndësishme të historikut të ribotimeve të tilla, të argumentuara e interpretuara dhe në parashtresat e Atë Viktor Volajt O.F.M., lexohet qartë një ndjeshmëri e këtij të fundit ndaj ruajtjes së origjinalitetit të krijimeve, por dhe të historikut përkatës të inicimit të tyre, fakt që reflektohet dhe me të dhëna konkrete mbi kohën në të cilën mjaft prej tyre morën formën e parë nga mendja e pena e autorit.

Botimet më të hershme që përmbajnë dhe krijime të përfshira më vonë në vëllime tematike të orientuara ndaj krijimtarisë lirike mbartin qartë tipare të një kulture tipografike tipike për kohën dhe vitet në të cilat shohin dritën e shtypit, duke u bërë premisë krahasimi për realizime të mëvona, pjesa më e madhe e të cilave kalon në vëmendjen dhe kujdesin e Atë Viktor Volajt O.F.M., i pajisur me një kulturë të rrallë gjuhësore, me lidhje të pazgjidhshme me klasicitetin në pikëpamje të prozodisë, metrikës, elementeve të tjera që natyrshëm konvergojnë kur bëhet fjalë për mbajtjen e një roli kujdesues dhe mbikëqyrës ndaj integritetit të një pune autoriale, që veçanërisht kur shfaqet në formate vjershërimi e përmban në funksion të tij një arsenal gjuhësor që i shërben këtij të fundit, përbën një angazhim e ndërmarrje serioze për këdo që merr përsipër ta shoqërojë në hapat finalë të përgatitjes. Dallohen mirëfilli në shumë pikëpamje botimet më të hershme që përbëjnë dhe shfaqjet më të para të krijimtarisë lirike të Atë Fishtës, nga ato të mëvona, disa prej të cilave shohin dritën e shtypit dhe pas ndarjes së tij nga jeta. Një rrugëtim interesant në shumë pikëpamje gjurmohet në proces të krahasimit të varianteve përkatëse të botimeve në fjalë, duke pasur parasysh dhe faktin që pajisja me komente, interpretime, shënime të nevojshme për një vështrim më përafrues me brendinë e veprës përbën një veçanti unike në kuptimin e leximit të saj dhe për lexuesin e specializuar.

Aparati kritik e filologjik që shoqëron botimet që patën kujdesimin e Atë Viktor Volajt O.F.M. përbën një material të pasur burimor, i denjë për t’u marrë si referim dhe në vështrimet e sotme mbi veprën e Poetit të madh dhe perkursin e përshkuar nga njëri realizim në tjetrin. Është më se e qartë që në duart e Volajt vjershat, kangët, karminat, kushtimet, odet, përshtatjet, himnet, rishikimet e autorit marrin një vlerë të mirëfilltë në kuptimin e transmetimit të mesazhit inicial dhe motivor që mbartin. Tematizimet më të detajuara dhe renditjet me prirje të qartë nga arsyetimi i përafrimit të vjershave e krijimeve më të gjata marrin një domethënie konkrete nëse shoqërohen nga shpjegimet e pasura të Atë Volajt. Historiku i lirikave në të vërtetë nuk ka të bëjë me njohjen e inicimit të çdo krijimi, sa me një sërë të dhënash të tjera, ndër të cilat do të rendisnim dhe pranëvëniet në botime të ndryshme të teksteve të ndryshme, disa prej të cilave të mbiquajtura si melodramatike.

Autorin dhe përgatitësin e botimeve të gjysmës së parë të shekullit të kaluar i afron me njëri-tjetrin një mirëkuptim i natyrshëm, që receptohet në notat e sigurta me të cilat kujdesuesi introdukton krijimet e veprës lirike, pavarësisht gjatësisë tekstore dhe kohës reale në të cilat për herë të parë morën formën e tekstit poetik; dallojnë për një numër të madh komentesh e shpjegimesh krijime të caktuara, por dhe për introdukta të gjata, të cilat vijojnë të jenë analiza më e qartë e kontekstit që shoqëroi rrugëtimin e tyre. Një argument po aq i rëndësishëm mbetet dhe krahasimi tekstor mes pjesësh e kangësh që të botuara së pari disa dekada para se të realizoheshin botimet më të plota që marrin dhe formatin ekdotik e filologjik, reflektojnë trajta fjalësh që më tej përcillen me ndryshime që bëjnë të mundur të receptohet natyra e theksit të fjalës, prania e diftongjeve në trup të saj, pajisja me shenja diakritike të domosdoshme, apo dhe rishikimi i grafive të caktuara që mund të paraqiten në botimet më të para më të afërta me gjuhë të tjera dhe aparatet fonatore të tyre. Historikun e lirikave të Atë Gjergj Fishtës e përbëjnë një sërë mikrohistorish që plotësojnë të qenit mozaik të vetë qenësisë së shkrimtarisë së poetit tonë, i lindur për të qenë një vates, siç shprehet me të drejtë në lidhje me të dhe një bashkëkohës besnik dhe i afërt, siç ishte Atë Viktor Volaj O.F.M.

Lirika e Atë Gjergj Fishtës O.F.M. gjindet gjerësisht e pasqyruar në një sërë burimesh që priren nga letërsia e mirëfilltë e reflektuar në sythe e rubrika revistash të dekadave të para të shekullit të kaluar, në botime që më tej të rimarra paraqiten të ridimensionuara në pikëpamje të modelit gjinor që përmbahet në to, por dhe në vëllime që përfundimisht janë pasqyrë e përmbledhjes tematike dhe përmbajtësore të një sërë krijimesh që janë në të vërtetë motivet më të dashura për Poetin e madh shqiptar.

Ndryshimet që vihen re në variantet e botimit të veprës së Fishtës mund të përmblidhen të emërtuara si ridimensionime tekstesh që do të gjinden të përfshira nën një konceptim a emërtim gjinor që nuk i largon gjithsesi nga mëtimi i autorit, i cili rijeton me veprën e tij në çdo ribotim të dokumentuar, por dhe në tekste në format dorëshkrimi, të cilat duket se i njihte nga afër dhe kujdesuesi aq i përkushtuar i kësaj vepre, Atë Viktor Volaj O.F.M.

E vërtetojnë një gjë të tillë jo pak ubikime e referenca biblike që vetë argumenti qendror i vjershave dhe i komponimeve poetike i thërret natyrshëm; e vërtetojnë një sërë artificesh e mjetesh që autori i prodhon fuqimisht ndërsa interpreton momente të parabolave më popullore për humanitetin dhe historinë e tij.

Ndërthurur me vështrime mbi modele të afërta gjinore, që në momente të caktuara qenë dhe mjaft të përafruara në formate botimesh me krijimet që në gjykimin tonë i afrohen një përkatësie mirëfilli lirike, aq më tepër në një koherencë të kuptueshme me kohën në të cilën panë më se një herë dritën e botimit, kjo prirje në krijimtarinë e Fishtës vijon të grishë interes për një perspektivë më të arrirë të rimarrjes së tyre në studimet tona albanologjike.

Filed Under: Featured Tagged With: At Gjergj Fishta, Evalda Paci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT