• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“MORALI” I NJË VITI NË IKJE E SIPËR

December 23, 2013 by dgreca

PS: I nderuari Zoti Shtefan Fyle, “Gëzuar Viti i Ri 2014!”/

Nga Fadil LUSHI/

“Morali” i këtij viti që është në ikje e sipër u karakterizua me lloj-lloj paragjykimesh, inatesh homerike, “çallëmesh”, etiketimesh dhe mbase edhe me denigrime banale, saqë në fund i doli edhe ajo pak ngjyrë që i kishte mbetur. Shumë intelektualëve, analistëve dhe njohësve të shkëlqyeshëm të rrethanave kulturore gjithandej trevave shqiptare, sot e kësaj dite “do  t’u mungojë takati mental” karshi konceptimit të moralit të vitit 2013. Disa njerëz, me plotë gojë do të thonë se ishte “mish”, disa të tjerë do të thonë se ishte “peshk”…, ndërkaq ata që e “hëngrën” këtë “mish a peshk” thanë se kishte shije të thartë, të hidhur dhe mbase edhe (shumë) të kripur!? Vegjetarianët këtë vaki e heshtën, pasi që kjo nuk u hynte në punë.

U paragjykua edhe një manifestim kulturor që u organizua muajin e kaluar, më saktë me datë 21 nëntor të motit 2013, në hapësirat e Qendrës Kulturore në Tetovë nga Shoqata e pedagogëve shqiptarë, kushtuar 105 vjetorit të Kongresit të Manastirit, gjegjë-

sisht alfabetit shqip. Në atë manifestim u dhanë, pos të tjerash, mirënjohje arsimtarëve të cilët një kohë të gjatë vuajtën dënimet politike në Petrova Rupa të Goli Otokut famëkeq. Dashamirësit e arsimit shqip pa hezitim e përshëndetën po edhe vlerësuan, ca të tjerë dolën të kënaqur, pos një pseudopatrioti, i cili “që nga vakti i gjyshërve të tij, i ka punët  në terezi”. Ai me fjalën e tij të thënë “bythëpraps”, lëre që nuk tha asnjë “llaf përgëzimi”, por edhe këmbë e krye e paragjykoi këtë eveniment, sa kulturor po aq edhe human. Dhe ky “trap a dylber Stambolli”, që mbase është tipik për trevat tona,  parashtroi “breshëri pyetjesh” se ç’na ishte ky Kongres i Manastirit, ç’kishin kërkuar shqiptarët mendjendritur në kasabanë e konsujve në motin 1908, me ç’detyrë  ishin ngarkuar, ç’punë kishin bërë atje, në ç’gjuhë kishin kuvenduar dhe ç’emër i kishin dhënë “qitapit” që kishte lindur në Manastir!?

Para se ta përmbyll këtë paragraf kushtuar manifestimit në fjalë dhe manifestimeve të tjera kulturore, do të më duhet të parashtroj pyetjen se mos vallë ky mot a vit  (kokëlartë a kokulur) në ikje e sipër u karakterizua me “moral të dyfishtë”, a mos vallë u karakterizua me atë heshtje varri tonën kolektive ndaj mungesës së vlerave arsimore, kulturore po edhe politike, a mos vallë kjo heshtjerëndë jona kolektive për kryefjalë, kryeshtyllë a kallëzues duhet ta ketë njeriun që abuzon apo që shkel mbi çdo vlerë, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë…, a mos vallë qëndrimi ynë ndaj kësaj katrahure edhe në të ardhmen duhet të jetë i “afërt, miqësor, i butë…, herë-herë folklorik a edhe megaloman” apo duhet të jetë i ftohtë, i ashpër dhe goditës. Këtij paragrafi do t’ia shtoj një mendim të Shekspirit, i cili dikur moti kishte thënë: “Mendja e një kombi është arsimi, ndërkaq zemra e një kombi është morali”.

Edhe në këtë mot në ikje sipër, u paragjykuan zgjedhjet vendore në Republikën e Kosovës dhe të asaj të Maqedonisë…, nuk mbetën pas pa u denigruar edhe zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë. Pavarësisht nga “rezultatet” e dala të (pa) pritshme nga këto “gara”, mbetet të themi e të konstatojmë se këto zgjedhje duhet të jenë përfundimisht një leksion a edhe një test përballë Bashkimit Evropian. Këto zgjedhje ngërthenin në vete votën deliberative të sovranit (zgjedhësit), e cila votë më shumë ishte ndëshkuese sesa për ndryshime. Kjo votë e trekëndëshit politik shqiptar kësaj radhe ashtu pamëshirshëm ndëshkoi arrogancën, gjegjësisht qëndrimin përbuzës e mospërfillës të “pushtetarëve” kundrejt votuesve…, ajo votë  tronditi themelet e korrupsionit (sot sikur t’i parashtrosh pyetje atij politikani nga Tirana, që vuan opozitarin e çmendur e të rebeluar, se ç’nënkupton me nocionin korrupsion ta jep “hazërxhevapin” me sa vijon: t’i vjedhësh lekët e popullit apo të vësh dorë në thesarin e shtetit, ajo votë deliberative ndëshkoi makiavelizmin e politikanëve provincialë si dhe keqqeverisjen vendore dhe atë qendrore në Shqipëri dhe në Kosovë…, ajo votë e sovranit ndëshkoi edhe premtimet fëmijërore, të zbehta dhe të zbrazëta që dilnin nga gojët e gjithfarë sejmenësh, ndërmjetësuesish dhe “tyxharësh aksham pazari” të Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës. Pavarësisht nga kjo që thamë më lart, këto zgjedhje nga pala humbëse sot e kësaj dite mbeten të kontestuara, “të kurdisura, të vjedhura, të blera” e tjerë. Të mëtosh që këtij paragrafi t’i shtosh diç më tepër, do të thotë ta prishësh krejt atë që ke shkruar.

Edhe në “këtë vit politik, po edhe diplomatik”, Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë nuk “kaluan klasën”, sepse nuk i mësuan a nuk i shkruan “detyrat e shtëpisë” që ua kishte caktuar paraprakisht komisioni evropian. Ky komision, nga dy shtetet e lartpërmendura nuk kërkoi retorika politike boshe, përkundrazi u kërkoi që të bëjnë reforma rrënjësore si në aspekt politik, njashtu edhe në aspekt ekonomik…, mandej nga ata kërkoi zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme, kërkoi që të çrrënjosin zakonet e vjetra, të flakin korrupsionin, kërkoi krijimin e një klime dhe filozofibërje politike krejt tjetërfare. Dhe kur ky komision konstatoi se këto detyra shtëpiake ishin tipike ballkanase, ministrive për punë të jashtme të shteteve të lartpërmendura ua “ngriu” marrjen e statusit kandidat. “Skepticizmi im ndaj kësaj meseleje politike” më detyron të parashtroj pyetjen se a mos vallë e gjithë kjo JO ishte një “hile” e radhës e komisionit evropian, apo “kjo vaki” përputhet me 100-vjetorin e “krijimit të Shqipërisë londineze”. Ku ta dijë njeri!? Po të më pyesni mua, unë nuk do të përgjigjem. Që unë ta kuptoj këtë “refuzim”, më duhet ta lexoj mes rreshtash alfabetin e diplomacisë së Brukselit… Nuk jam i marrë ta bëj këtë…

Republika e Shqipërisë, po edhe e Maqedonisë, edhe kësaj radhe nuk arritën deri në fund t’i mësojnë leksionet sa u përket kritereve dhe standardeve që të mundësojnë anëtarësimit në familjen evropiane…, për këtë dhe arsye të tjera “babagjyshi, gjegjësisht komisari evropian për zgjerim, Shtefan Fyle nga Brukseli”, edhe për këtë fundvit nuk do t’i sjellë peshqeshe Republikës së Maqedonisë, po as Republikës së Shqipërisë… Në vend të “karameleve dhe sheqerkave” do t’u dërgojë vërejtje publike, po edhe diplomatike se si duhet bërë detyrat shtëpiake…, dorën në zemër, këto pyetje dhe detyra gjithsesi se janë shumë të vështira për këto treva të Gadishullit Ilirik, sidomos për shtetet  që nuk përfundojnë më atë ndërkalim (politik, ekonomik e tjerë) të tejzgjatur, të bezdisshëm dhe zhvatës, atë ndërkalim (tranzicion) ku njerëzve që s’u bëjnë punët nuk penalizohen, po as nuk i avancojnë e as nuk i lavdërojnë njerëzit që punët i bëjnë me përkushtim dhe me ndërgjegje!?

P. S.

I nderuari Zoti Shtefan Fyle, “Gëzuar Viti i Ri 2014!”

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, morali i nje viti, ne ikje e siper

NJË REBELIM YNI I RADHËS (I PËRKOHSHËM)!?

December 14, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Para disa vitesh unë dhe “toptan” shqiptarë të tjerë u provokuam nga “rishfaqja” e Enciklopedisë (kontestuese) maqedonase dhe aq shumë u “sikletosëm”, sa që prej saj krijuam një faktor opinioni. Për këtë “mesele” u shkruan mbi njëqind  opinione, vështrime, kolumna, analiza a reagime. Se e meritoi a jo vëmendjen tonë “rishfaqja” e kësaj Enciklopedie të sajuar, unë nuk e di, por di vetëm një gjë, reagimi a edhe “rebelimi” ynë kolektiv mbase ishte i përkohshëm, i zbehtë dhe jo maratonik, “karshi” kësaj arrogance të radhës, “karshi” një provokacioni jashtëzakonisht të ulët, provokacion i hapur, i kurdisur, shovinist, diletant, hamam e lesh provokacion provincial dhe fare pak a aspak intelektual a akademik. Të gjitha këto reagime të këtij karakteri që atëherë u absolvuan njëherë e përgjithmonë nga analistët, historianët, intelektualët dhe politikanët shqiptarë, pa dallim se ishin në opozitë a pushtetarë. Më kujtohet se në atë kohë ne, shqiptarët, lehtësisht ramë në grackë të maqedonasve të cilët sapunin na e shitën për djathë të prishur a edhe të mykur!?

Dhe sot, pas sa vjetësh, shtrohet pyetja  se  ç’ishte e gjithë kjo vëmendje jona paksa e tepruar ndaj Enciklopedisë maqedonase, a mos vallë kjo (nuk) e meritoi këtë, ose vallë ishte  një rebelim yni kolektiv (i përkohshëm) ndaj asaj fletushke, që nuk shfletohet e nuk lexohet përtej Tabanovcës. Megjithatë, mua nuk më duhet që kësaj “meseleje” t’ia bashkëngjit paragrafin që trajton segmentin e shtrembërimit  dhe klandestimit të së vërtetës që llafos gjenealogjinë shqiptare. Aq shpejt u provokuam nga Enciklopedia maqedonase, sa që “aty për aty” propaganduam idenë e hartimit të një Enciklopedie tonë shqiptare!?…, një enciklopedi që fatkeqësisht as që filloi të hartohet nga historianët tanë!? Shih, ti lexues i nderuar, po të mos kishte qenë ky provokim djallëzor i akademikëve maqedonas, a thua vallë do shkruanim një të tillë shqiptare, a thua vallë po të mos ishte Enciklopedia, ne shqiptarët (nuk) do ta kujtonim Nënën e përbotshme Terezë, Abdyl  Frashrin dhe vëllezërit e tij, nuk do ta kujtonim Ismail Bej Qemalin, Faik Bej Konicën apo edhe ndonjë figurë tjetër të ndritur shqiptare. Në këtë kontekst të gjithë shqiptarët me plot të drejtë u inatosën pavarësisht se ajo inatosje e tyre “ishte paksa e zbehtë dhe e përkohshme”!

Provokacioni i radhës u hetua disa ditë më parë, kur në “Urën e syrit” në mënyrë “klandestine u vendos” busti a përmendorja e Car Dushanit. Edhe kësaj radhe shqiptarët me të drejtë reaguan, po edhe u rebeluan. Dikush për këtë vaki e dha këtë lajm:.., “një grup qytetarësh nga Shkupi…,  mbrëmë u zbarkuan në sheshin e qytetit për ta “parë” bustin e Car Dushanit. Në internet qarkulluan disa foto që tregojnë një grup shqiptarësh me shkopinj dhe mjete të tjera të forta në duar duke dëmtuar përmendoren e mbretit serb të shekullit të 14-të. Përmendorja, pjesë e projektit “Shkupi 2014”, u kritikua ashpër nga shqiptarët e Maqedonisë që e konsiderojnë atë një provokim të maqedonasve apo edhe të ca të tjerëve, që sot kësaj dite ngelën të paidentifikuar. Sipas historianëve, në trojet shqiptare ai ka kryer krime të mëdha kundër popullsisë vendase.  Sipas autoriteteve vendore dhe qendrore, përmendorja e Car Dushanit nuk është pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska është distancuar nga ngritja e kësaj përmendoreje. E pyetur nëse përmendorja është ilegale, ajo ka thënë se kjo çështje duhet të hulumtohet nga mediet. Vendimi nuk është marrë nga Ministria e Kulturës dhe e shfrytëzoj këtë rast që t’i përgënjeshtroj zërat se ne kemi kërkuar ngritjen e kësaj përmendoreje. Pra, nisma për ngritjen e këtyre përmendoreve në ‘Urën e Syrit’ nuk është nga Ministria e Kulturës. Ju duhet të drejtoheni tek ata që e kanë realizuar projektin pasi Ministria e Kulturës nuk ka kompenteca për ngritjen e përmendoreve”, deklaroi ashtu “ndër dhëmbë”, Kançevska. Një deklaratë përafërsisht të ngjashme e dha edhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska. Se a duhet t’u besojmë këtyre deklaratave të ministreve në fjalë, unë nuk mund të them gjë.

Në kontekst të kësaj duhet të parashtrohet pyetja se pse ne shqiptarët  nuk provokohemi nga gjymtimet tona, gjymtime këto që në vijimësi  hetohen në përditshmërinë tonë, sidomos në atë politike, kulturore, gjuhësore e në sfera të tjera shoqërore. Dhe, nëse nuk shqetësohemi, atëherë pse shtiremi kinse nuk kemi asnjë “dert”, sikur punët i kemi “krejt në terezi”, ose mos vallë ndoshta kemi shumë kohë që të merremi me identifikimin  apo përcaktimin e lloj-lloj ngjyrash të kopertinave të enciklopedive të ashtuquajtura anonime maqedonase apo edhe me buste pa identitete.

Pse busti i Car Dushanit dhe të tjerë të tillë detyrimisht duhet të “na shqetësojnë” e nuk na “sikletosin bustet tona” që i kemi vendosur anë e mbanë trojeve tona (hiq mënjanë lapidarët dedikuar figurave të ndritura dhe dëshmorëve të lirisë së munguar të vatanit), pse nuk i dëmtojmë dhe nuk i rrënojmë ”bustet që reflektojnë inatet tona homerike”, pse nuk i shkatërrojmë që nga themelet “bustet që nëpërkëmbin” gjuhën tonë të shkruar e të folur (standarde), pse nuk provokohemi nga mbishkrimet tona të denigruara e të ngjitura në hapësirat e bizneseve…, pse nuk parashtrojmë pyetjen se si komunikojmë, si i ndërtojmë vlerat tona arsimore, ato kulturore…, pse nuk na provokon “axhamillëku ynë akademik”, pse nuk na shqetëson “agallëku dhe përgjumja e jonë”, e na provokon busti i carit serb…, pse mua nuk më provokojnë llafet e Mondit nga Poradeci (ai, që bën muzikë të mirëfilltë korçare këtu në Tetovë), ai që sa herë që më takon nuk heziton të më thotë: “Ti Fadil, dhe ca të tjerë tetovarë, e flisni gjuhën e nënës, si në Kapali Çarshi të Stambollit”!??…, përkundër faktit që lehtësisht provokohem me bustin e mbretit nga Shumadija.., pse një jabanxhi kur vjen në Tetovë nuk e koncepton atë si një qytet universitar, por e gjykon si një kasaba a si një katund të madh!??…, pse na mungon vetëkritika kolektive. Pse nuk e qortojmë atë “mësuesin mediokër të Qafë Thanës”, të cilit moti i ka ikur lavdia, mësuesi që më parë kishte thënë:.., unë nuk jam gjuhëtar dhe s’më intereson drejtshkrimi  dhe drejtshqiptimi i nxënësve të mi… dhe për këtë mua nuk më duhet Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”!? “Mësuesi” këto llafe i kishte përnjëmend, sepse vërtet kishte një kod mendimor me nismë bythëpraps. Ndërkaq, ne tani aq  shumë  jemi dalldisur me bustin e Car Dushanit, saqë harrojmë të konstatojmë se “punët në arsim e në kulturë nuk na bëjnë”. Nuk “dalldisemi me alamet mësuesin” që ka…, gradë shkencore, edhe pse tetëvjeçaren e ka mbaruar me brekë nëpër këmbë, të mesmen me fener në dorë, kurse të lartën e ka mbaruar para tetëvjeçares”!.., e dalldisemi me shtatoren e carit!? Shi për  këtë, Enciklopedia po edhe busti i carit serb, për “disa pseudopatriotë mëhallash provinciale” është brenda perceptimeve “pozitive” të tyre.., dhe të ca të tjerëve të tillë si ata. Aq shumë jemi “kuturisur” me padrejtësitë që na vijnë nga pala tjetër, sa që shpesh harrojmë të parashtrojmë pyetjen se pse na janë pakësuar intelektualët, pse heshtin ata dhe kush na i paska frikësuar!? Të nderuar lexues të paanshëm të kësaj “shkarravine”, unë nuk do të shkruaj më për bustin e Car Dushanit, kurse sa për të tjerët s’e di…

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, rebelim i perkohshem

NJË DEDIKIM PËR MËSUESET E TREVËS SË POLLGËS!

November 22, 2013 by dgreca

Të nderuar dishepuj dhe ju dritëdhënës, urime festën e Kongresit të Manastirit!/

Fadil  LUSHI/

Dikur moti ca intelektualë gjegjësisht disa dashamirës së fjalës së shkruar e kishin pyetur Ismail Kadarenë se pse nuk shkruan poezi, kurse ai ishte përgjigjur: këtë ia lash Dritëroit. Po kur iu drejtuan Agollit se pse nuk merret me eseistikë, ky u kishte thënë:  më mungon “takati mental”, “thjesht nuk kam guximin që t’i dal përballë të madhit Faik Konica dhe atij “inatçorit”  At Gjergj Fishta”! Poetët, prozatorët, eseistët, analistët, kronistët, po edhe kolumnistët e mirëfilltë shqiptarë, thonë se e kanë shumë vështirë të shkruajnë shkrime me “porosi” (ndonëse disa të tillë, në “vaktin” e Enver Hoxhës, këtë e bënin me shumë “qejf”) dhe, kur “detyrohen” këtë ta bëjnë kësisoj, ata i kaplon a i zapton tmerrësisht ndjenja e “sikletit”!

Meqë nuk jam poet, nuk jam prozator, eseist e as kolumnist, në këtë “shkarravinë” timen gazetareske të radhës, do të bëj përpjekje që të shkruaj për atë nocionin psikologjik, siç është “harresa jonë kolektive” (sa u përket dishepujve, gjegjësisht mësueseve të nënqiellit të Pollgës (ashtu siç e quajnë popullorçe disa rajonin e Pollogut) -Tetovës)…, do të shkruaj për kontributin e tyre rreth emancipimit dhe humanizimit të çështjes së mësimit shqip…, rreth ndërtimit të kështjellës së ndërgjegjes së kombit a kryefjalës së saj, do të shkruaj për mungesën e mbamendjes sonë. Para se të vazhdoj ta bëj këtë, do të më duhet fillimisht t’i referohem poetit tetovar, Mustafa Laçi, i cili në poezinë e tij “Më fal…,” do të qëndisë këto vargje:“Më fal për harresën e emrit dhe ditëlindjen tënde…,/ Zogu (a koha e jonë) n’fluturim ma vodhi kujtimin/Ç’ngjyrë kishin sytë e tu? /Mbrëmë yjet kur i zgjoi nata, ti fleje në shuplakën e dorës sime. / S’të zgjova me nxehtësinë e buzëve/Ç’ëndëronje  kur s’të merrte gjumi”?… Do të shkruaj për mësuesen e nderuar nga Tanusha, për mushamanë e tendës prej së cilës dikur moti “pikonte shi mbi buzëqeshjen e nxënësit së saj, që ëndërronte për një kulm, që t’u shkojë të gjitha stinëve”!, siç dikur do të shkruante poeti dhe mësuesi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, Murtezan Arifi, në përmbledhjen e tij “BARKA YJORE”.

Në vigjilje të datës së shenjtë të shqiptarëve, gjegjësisht një ditë para 22 nëntorit të motit 2013, unë do bëj çmos që këtë shkrim ta bëj pa “hile”, por me shumë dashuri dhe për dashurinë e mësueseve, të cilat hodhën farën e diturisë dhe të vlerave kulturore te popullata e trevës së Pollgës-Tetovës…, do të shkruaj me gjithë “mundësitë e mia” vetëm e vetëm që e gjithë kjo  thënie, të mos mbetet jashtë standardeve të kujtesës sonë pamore a dëgjimore, ndaj emrave që ndërtuan atë kalanë a kështjellën e arsimit shqip…, do të shkruaj për punën fisnike të mësueses Elena Pulati nga Shqipëria, për Çelebije Toskën nga Kosova, për Hyreme Tresin, për Emine Vela-Isakun, për Advije Kuriun nga Mitrovica e Kosovës, do të shkruaj për uskanasen Haxherka Mejdiu-Sabriu, për korçaren Paulina Grabotska, për shkodranen Elena Todi, për korçaren Fatbardha Çaushi, për elbasanasen Lirika Nikolli, për dibranen Shazije Hoxha, për shkupjanet Veronika Bala dhe Ana Sopi, për Dodona dhe Vojsava Ekalin, për Meliha Molinën, për Zejnepe Bejlerin, për Ajshe Gjylçen, për Mensure Hyseinin, për Samie Muhedinin, për Subije Palloshin, Gëzime Eminin, për dibranen Adile Pustina, për Syleja Skenderin, për Hajrije Qamilin, për preshevaren Mysherefe Sadullahu, për Nezija Maleziun, për atë heroinën fatkeqe të gjeneratës së saj, për mësuesen që dikur moti u çatdhesua për t’u degdisur në Dardanele. Do të shkruaj edhe  për motrat Nurije Kadriu dhe Ferunde Snopçen, për Sabiha Doka Rexhepin, për Elizabeta Abazin për Luljeta Zeqirin, për Drita Feratin, për Nadire Arifin, për Arife Kamberin, për Shpresa Sinanin dhe për të gjitha shpresat e tjera shqiptare që e gjallëruan dhe e fisnikëruan mësimin shqip (të gjitha mësueset e tjera, që në këtë këndvështrim timin për gazetë, nëse nuk do i gjejnë emrat e tyre le të më ndjejnë, në veçanti mësueset, për të cilat nuk kemi arritur të gjejmë dëshmi gjegjësisht prova biografike). Po kështu do të shkruaj edhe për ata që në vijimësi ishin pranë tyre, për ata që pa u lodhur e  mbështetën punën fisnike të mësueseve në fjalë, do të shkruaj edhe për ata që nuk kursyen falënderimet…, për ata që me ndërgjegjshmëri të lartë i përkujtuan dhe që ndoqën punën e tyre në aspekt të procesit edukativo-arsimor, në aspekt të humanizimit, në aspekt të iluminizmit, altruizmit, në aspekt të artikulimit dhe gjallërimit të të mësuarit shqip, shqip dhe vetëm shqip… Do të shkruaj për kontributin a edhe hisen e tyre sa i përket ndërtimit dhe zhvillimit të gjeografisë së arsimit fillor shqip, për gjeografinë e trashëgimisë së tyre familjare e të tjera, e të tjera.

Të gjitha mësueset që i përmendëm në këtë shkrim përjetësisht merituan vend në panteonin e dijes shqiptare. Unë i besoj kësaj. Ndërkaq atyre që i shohin me dyshim a mosbesim dua t’ua rikujtoj atë proverbin e lashtë grek, ku thuhet: “Të bësh një kurorë dafinash është gjë e lehtë. Të meritosh një kurorë me dafina është shumë e vështirë”. Dhe, këta “jobesimtarët”, le të më thonë se cila familje nuk është e familjarizuar me emrat e mësueseve në fjalë…, le të më thotë njeri se  kush nuk ka hise në damarin a në gjendjen shpirtërore të mësueseve në fjalë, kush nuk ka hise në gëzimet dhe hidhërimet e tyre…, le të më thotë dikush se mësueset në fjalë, për punën që bënë, a mos vallë nuk merituan diç më tepër…, së paku diçka më shumë se ky shkrim, a nuk siguruan ose a nuk fituan respektet e ndërsjella të prindërve dhe fëmijëve të tyre… Tekefundit, komentet profesionale që i bëhen punës së tyre fisnike, humane, emancipuese, po edhe altruiste, nuk janë subjektive, përkundrazi për bazë kanë kontributin e tyre dhënë shkollës shqipe gjegjësisht, ndërtimit të tërësisë së shkronjave të dala nga Kongresi i Manastirit të harruar!

Që unë ta përmbyll këtë dedikim ndaj kontributit të mësueseve që u përmendën dhe që i përkujtuam më lartë, do t’i referohem kronistit nga Tirana, Todi Lubonja, i cili në librin e tij “PSE HESHT SHTËPIA E MUZIKËS”, pos tjerash, thotë: “Kujtimi ndaj tyre (ndaj mësueseve tonë – nënvizim imi) nuk guxon të jetë i shtrirë si një statujë e ngurosur dhe e rrëzuar…, si një fosil i përjetshëm”!

P.S.

Të nderuar dishepuj dhe ju dritëdhënës, urime festën e Kongresit të Manastirit!

Filed Under: Kulture Tagged With: Fadil Lushi, Kongresi i Manastirit

100 VJET SHQIPËRI HILEQARE A LONDINEZE?!

November 5, 2013 by dgreca

Nje Shqiperi mbush ne nentor 100 e një mote, tjetra, ajo Londineze 10o mote, kjo eshte Shqiperia hileqare e Evropes….

Nga Fadil  LUSHI/

Në Gadishullin Ilirik (sipas Ali Podrimjes) ekziston një shtet që karakterizohet me dy palë histori. Njëra e lavdëruar dhe tjetra e abuzuar, po edhe hileqare. E para, sot, mbush 100 e një mote, e dyta 100 vjet. Që të mos krijojmë amulli a pështjellim te njerëzit që merren me shkencën e logjikës formale, a që studiojnë ligjet e format e të menduarit drejt, pa lënë mënjanë përmbajtjen konkrete të tij, do të them se “llafet” e sipërpërmendura nuk janë fjalë goje e aq më pak lojë fjalësh.

Para se të vazhdoj ta “shkarravis” këtë vështrim gazete, për hir të një korrektësie ndaj lexuesve, do të më duhet që “Historisë së diplomacisë të Anglisë” t’i kërkoj “ndjesë” për fjalorin tim të denigruar e prej rrugaçësh që do ta përdori në vazhdim.

Historianët shqiptarë, sot, do të thonë se para një shekulli, në një mëhallë të bordeleve më të njohura të kryeqendrës së “Ingliteres” (Britani e Madhe) iu bë një hile (hiç pa mbare) shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës, veçmas nga ana e ca ambasadorëve horra që vinin nga disa shtete të Evropës së atëhershme lavire, ”një shteti që ia morën masën e samarxhiut”!

Mbase moti 2012 që iku kokëlartë e me paksa çallëm, karakteristik për shqiptarin, sikur “pa qëllim” e zbehu vitin 2013, një vit kur para një shekulli, shtetin e atij burri mendjendritur nga Vlora e pjesëtuan me pesë…, një shekull më parë, kur Ismaili shpalli mëvetësinë e Shqipërisë natyrale, një shtet me 100 vjet vuajtje, një shtet me 100 mote gëzime, një shtet me 100 vjet harresa, 100 mote eufori, 100 vjet pseudopatriotizma, 100 vjet zhgënjime a inate histerike e homerike (për këto inate homerike të shqiptarëve, Dritëro Agolli do e jep këtë këtë shpjegim: “U zumë të dy aq shumë për punën, Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë! Eh, budalla! Edhe dhëmbët zihen me gjuhën, Zihen dhe bashkë rrinë”), 100 mote lëvdata, shtrembërime, nihilizma, bajraktarizma, folklorizma, anakronizma, 100 vjet solidaritet ndërshqiptar, 10 decenie luftë për krijimin e shtetit të Kosovës, 100 vjet përpjekje për ndërtimin e kështjellës së mbamendjes kolektive shqiptare, 100 mote për ndërtimin e kryefjalës së drejtshkrimit  dhe drejtshqiptimit të gjuhës mëmë…, 100 vjet të mbrojtjes së identitetit kombëtar…, 100 mote të zhvillimit të kulturës e të diplomacisë sonë, 100 vjet rilindje, 100 mote luftë kundër tradhtarëve të kombit sidomos ndaj atyre politikanëve që fare pak i dhanë Shqipërisë dhe më shumë e vodhën atë…, 100 mote luftë kundër matrapazëve, kolaboracionistëve që u infiltruan në telashet tona, njëqind vjet luftë kundër ca të ashtuquajturve “historianë tarafexhinj e të imagjinuar”, me shëndet të brishtë mental si dhe me ca kalorës të vonuar të çështjes sonë, të cilëve ndonjëherë “duhet” t’ua qash hallin, sepse nga “lodhja” u varen këmbët, 10 dekada luftë me “ca burra, inati i të cilëve është më i fortë se inati i urisë”!…, një shekull luftë me disa “insanë”, a me një sërë “idealistësh e nacionalistësh, të cilët këmbëngulnin të “gatuajnë” një politikë tjetërfare, si dhe me një varg neronësh…, me njerëz të fodullosur, kokëkrisur, kokëbosh, a edhe “biçim njerëz të minderit”, të cilët edhe sot do të mbajnë inat me të kaluarën tonë, sa të lavdëruar poaq edhe të dhimbshme!

Një shekull luftë me njerëz a politikanë të cilët “çirreshin e bënin shaka” me mbretin, me gjithë kryeministrat, kryeparlamentarët a edhe me presidentët e shtetit, me ata që talleshin me datat e shenjta madje edhe me flamurin e Vlorës dhe me vlonjatin mendjendritur, me ata që pa të drejtë mëtuan t’i pronësojnë e mandej t’i shtrembërojnë datat sa u përket manifestimeve pavarësisht vendndodhjes ku do të organizohen…, luftë me gjithë ata që menduan se e gjithë kjo “trashëgimi kombëtare, kinse qenkësh pasuri e patundshme e gjyshërve të tyre me opinga”!? Dyzet vjet luftë me mbështetësit e politikës së “Neronit shqiptar” (Enver Hoxha), pa dallim në ishin ateistë të bindur, fetarë, shehërlinj, katundarë, toskë, gegë, bektashinj, veriorë a jugorë, kumarxhinj, sehirxhinj, hazërxhinj a sejmenë që mëtonin “ta zaptonin kryekolltukun e pushtetit mbretëror, socialistë që donin ta përvetësonin atë ndërkalimin politik, gjegjësisht demokracinë”!?… 100 mote luftë me të gjithë ata shqiptarë shtiracakë që historinë tonë e ngarkuan  me një thes (pleshtash- siç e pat thënë At Gjergj Fishta) inatesh histerike dhe homerike…, luftë me gjithfarë kronistësh të cilët (fatkeqësisht), lëre që nuk dhanë kontributin e tyre, po përkundrazi kësaj historie i ngjitën një zabel të pavërtetash…, luftë me ata që nuk kishin “takatin e arsyes” sa i përket frenimit të fanatizmit të tyre të çmendur…, njerëz që në vend “se të hanin bukën e tyre, hëngrën kokat e ndritura shqiptare”!

100 vjet luftë me njerëzit… që padrejtësisht ndërtuan lloj-lloj shpifjesh që më pastaj ia  “faturuan”  Ismail Qemal bej Vlorës, kinse ai “paskësh lidhur krushqi me Perandorinë Osmane, në këmbim të një autonomie (turko-shqiptare) të cunguar, mandej do t’ia hedhin fajin (prapë për inat) se pse ky nuk paskësh marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kongresit të Manastirit!” (referencë e huazuar) e shumë sajime të tjera të ulëta e të rrezikshme. Çuditërisht, këto shpifje a trillime sot po”gëlltiten” nga injorantët si dhe nga ana e gjithfarë kontrabandistësh të historisë sonë kombëtare. Përkundër kësaj lufte njëqindvjeçare, shqiptarëve nuk u mjaftoi ajo tradhtia e Konferencës së ambasadorë-horrave dhe  “dylberëve”… dhe sot nuk  arrijnë dot që, njëherë e përgjithmonë, t’i “sikterisin” të gjithë tradhtarët shtirës, që u ka ikur fiqiri dhe që guxojnë sot e gjithë ditën e Perëndisë t’i  bëjnë “pordhë”  historisë sonë kombëtare.

Duke e përfunduar këtë “shkarravinë” dedikuar 100-vjetorit të  “Shqipërisë hileqare a londineze”!?…, do të themi se shqiptarët, gjatë gjithë një shekulli, i “besuan “padrejtësisht” fatit dhe shpresës”! Fatkeqësisht, fati nuk u eci, ndërkaq shpresa e tyre për një bashkim kombëtar mbeti vetëm një andrallë!

Nëse do më lejohet, po e përsëris atë meselenë e Madonës që, kur “kishte shkuar në Moskë për të dhënë koncert, një zyrtar (fetar) rus i qe drejtuar me një kërkesë: … ose hiq kryqin, ose vish brekët!” (referencë e huazuar). Mos vallë, ky zyrtari moskovit kishte kërkuar etikën e munguar të këngëtares me shtetësi amerikane!? Unë, sinqerisht nuk e di. Unë mund të them se gjithsecili nga ne, o do të bëjmë punën për çka jemi të ngarkuar e të paguar, o do të duhet ta braktisim atë…, o do të duhet të mbyllim gojën një here e përgjithmonë. Ndryshe nuk bën. Është një shprehje ballkanase ku, pos të tjerash, thuhet: “Njeriun prite (gostite) sipas veshjes dhe përcille sipas mendjes!”

P. S.

“Ju ambasadorë të Konferencës së Londrës, para se të shkoni në… të së ëmës, uroni 100 vjet Shqipëri hileqare… E gëzofshi!??”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, shqiperia hileqare, Shqiperia londineze

HANE SHAM, HANE BAGDAT!

November 1, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar miqtë e mi pa tarafe! Në këtë shkrim të radhës nuk e kam ndërmend të “shkarravis për turqizimin e shqiptarëve”, nuk do të shkruaj as për “islamizimin e politikës kosovare” dhe, në instancë të fundit, nuk do t’i paragjykoj as opinionet a vështrimet e ca analistëve politikë të cilët në kohë të fundit gërmadhës së lajmeve të ditës i shtuan edhe një “haber” tejet të shtrembëruar a të abuzuar. Kryefjala e lajmit të tyre kishte të bëjë me takimin e paradokohshëm të tre kryeministrave: Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Tayip Recep Erdogan, në Prishtinë (dhe në Prizren), lidhur me inaugurimin e terminalit të ri të aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë. Me këtë rast neve nuk do të na lejohet që t’u bëjmë interpretime fjalimeve të tyre, po as nuk do t’i redaktojmë, pavarësisht se dikush me “gojën shtrembër” tha se “ishin llomotitje (jo) politike, nostalgjike, vëllazërore, llafe boshe, folklorike, afeksionuese apo diç tjetër”!?? Këtë gjë nuk do ta bëjmë për asrye se mos “ndoshta” edhe ne mund të paragjykohemi dhe të konceptohemi si “opinionistë mëhallash apo provincialistë”. Se këta tre kryeministra thanë se shqiptarët dhe turqit janë “vëllezër”, kjo nuk na hyn në punë, se “osmanlinjtë ishin pushtues a sundues” edhe kjo nuk është puna jonë…, këtë le ta diskutojnë historianët shqiptarë. Thjeshtë, këta “analistë politikë të stërngarkuar me shovinizmin fetar” të tyre, që nuk dallojnë konceptin e religjionit dhe atë të kombit, shkuan aq larg saqë takimin e dy kryministrave shqiptarë me atë të Turqisë e shndërruan në “lesh arapi”, a si thonë fshatarët e malësisë – ia hoqën kalit kapistallin dhe e lëshuan të kullotë ku të mbërrijë…

Ne do të shkruajmë (aq sa do na lejojë takati mental) për ca analistë, kolumnistë dhe opinionistë të “moderuar dhe finokë” nga Prishtina dhe Tirana, të cilët gjithë ditën e   Perëndisë, në vështrimet e tyre, ashtu “pa hiri”, do të fusin hundët edhe aty ku nuk e kanë vendin, saqë edhe do mëtojnë të inversojnë obligimet a detyrimet e tyre “profesionale”. Ca do të shkojnë kuturu deri aty sa të parashtrojnë  pyetjen se pse politika kosovare po “islamizohet”, ca të tjerë do të parashtrojnë pyetjen se pse dy  kryeministrat shqiptarë, ditën kur vizituan shtëpinë e një prizrenasi, kishin parapëlqyer mënyrën e të ulurit këmbëkryq, ndërkaq Erdogani “këmbë-osmanisht”!? Eh sa poshtëruese a edhe të ulëta të duken këto shpjegime të shqiptarëve patriotë krahinorë…, aq më tepër kur ke parasysh provën që llafos retrospektivën, sa të lavdishme, po aq edhe atdhetare të Abdyl Frashrit, i cili para një shekulli, tok me patriotët e tjerë, ishte ulur këmbëkryq në Kuvendin e burrave të Lidhjes së Prizrenit…, a mos vallë edhe Hasan Prishtina dhe Isa Buletini nuk kishin parapëlqyer të ulen këmbëkryq…, a mos vallë malësorët tanë fisnikë asnjëherë nuk u ulën këmbëkryq, a nuk mbani mend vakinë kur Richard Holbruk vizitoi Kosovën, ku në një Kuvend burrash kosovarë,  ashtu thjesht ishte ulur këmbëkryq dhe jo “këmbë-amerikançe”!?

Një tjetër politikan i njohur nga Tirana, që aktualisht “vuan opozitarin”, disa ditë më parë, në një medium vizual, pos tjerash, tha: “Mënyra e të ulurit këmbëkryq e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës (këtij të fundit nuk i ngjanka kjo, sepse na qenkësh “kaur”)  nuk është kurrgjë tjetër pos një marrëzi (e radhës) e rrezikshme përbetimi ndaj Portës së Lartë”!? Vallë këtij  politikani i mungon informacioni lidhur me faktin se që kur Ataturku, shpalli Republikën e Turqisë moderne Perandoria Osmane, gjegjësisht Porta e Lartë,  shkoi ashtu kokulur në histori. A mos vallë ky politikan nga Tirana nuk e pa të arsyeshme të thotë (edhe përtej inatit të tij homerik) se kjo vizitë e kryeministrit turk nuk kishte kurrgjë të përbashkët me historinë e Perandorisë Osmane a me Portën e Lartë, por thjeshtë ishte e lidhur ngushtë me inaugurimin e aeroportit të Prishtinës si dhe me bashkëpunimin ekonomik në relacion Turqi-Kosovë. A mos vallë ky politikan, që vazhdon të “nostalgjohet” me të kaluarën e tij, ende nuk arrin të vetëdijësohet se Turqia ishte një ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. A mos vallë ky politikan dhe ca të tjerë si ai, ende nuk mund të ndërgjegjsohet se Turqia është një partner strategjik i Kosovës. A mos vallë ky njeri joparimor, dhe ca të tjerë si ai, nuk kanë njohuri se Turqia është një ndër investitorët më të mëdhenj në hapësirat e trekëndëshit shqiptar. A mos vallë ky politikan dhe ca të tjerë si “soji i tij” nuk ka njohuri se protokollin e këtij  takimi të kryeministrave e ndërtuan njerëz të cilët janë profesionistë për këto çështje dhe jo njerëz që në “aksham të martojnë e në sabah të harrojnë”! A mos vallë ky politikan dhe “soji i tij” nuk dinë se këtë ceremoni e organizuan qeveritë e personaliteteve të lartpërmendur. …

Ditën e inagurimit të terminalit të aeroportit të Prishtinës u tha se Erdogani nuk ka dhe as që mund të ketë gjak shqiptari, po as Thaçi dhe Rama nuk kanë gjak turku dhe, nëse kjo (s’) është e vërtetë, atëherë ju, të nderuar lexues, na thoni se ç’gjak paskësh biznesmeni Damir Fazliç, i cili sa herë që arrinte në Aeroportin e Rinasit bllokohej komunikacioni rrugor përreth aeroportit e gjetiu në Tiranë!?? Nëse neve do të na lejohet ta parafrazojmë mendimin e atyre “kolumnistëve djallëzorë”  rreth deklaratës së Erdoganit, i cili ndër të tjera tha se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, dhe nëse kjo deklaratë e tij (nuk) u përkthye gabimisht nga ana e përkthyesit, atëherë mbetet thjeshtë një “… gafë politike, një shprehje idiomatike, shprehje folklorike, një deklaratë ireale apo jo karakteristike për fjalorin” e  një diplomati të moderuar. Por ama, nëse kjo deklaratë e Erdoganit është një “inversion gjeografik a politik”, atëherë do ishte mirë që Turqia të jetë Kosovë! Këta analistë senilë, le të na ndjejnë, nëse u parashtrojmë pyetje si këto: pse kjo deklaratë e kryeministrit turk ia bëri mendjen çarçaf  presidentit Tomisllav Nikoliq dhe  politikanëve të tjerë serb, apo pse vallë këta “kolumnistë” nuk dëshpërohen e nuk sikletosen kur dëgjojnë ato përrallat e gjyshërve shumadinas të cilët gjithë ditën ulërijnë duke thënë se “Kosovo i Metohija je kolijevka Srbije”! Hane Sham, hane Bagdat – do të thoshin ata që sadopak marrin erë nga politika.

Ndërkaq, ju të nderuar “kolumnistë të moderuar”, Kosova nuk bëhet Turqi e as Turqia Kosovë, po as Kosova nuk bëhet Serbi dhe anasjelltas, ndonëse këta të fundit sot e kësaj dite, këtë e ëndërrojnë me sy hapur. Shqiptarëve nuk u duhet fjalori i Erdoganit, përkundrazi u duhen  investimet e qeverisë së tij.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Erdogan, Fadil Lushi, Rama, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT