• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“VERSIONI ” SHQIPTAR I PATRIOTIZMIT!?

October 26, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Të nderuar miq të mi pa tarafe, që të mos shtrembëroj titullin e këtij vështrimi gazetaresk, më duhet t’i referohem fillimisht Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, ku shpjegohen edhe konceptet e tilla siç janë: VERSION dhe PATRIOTIZËM. Për të parin jepet ky shpjegim: Një nga mënyrat se si e paraqitim, e përshkruajmë a e shpjegojmë një ngjarje ose një fakt. Version i ri (i vjetër). Versioni i fundit. Kishte dy versione. Ndërsa për patriotizmin, pos të tjerash, thuhet: Dashuria për atdheun e për popullin e vet dhe gatishmëria për t’u shërbyer atyre me besnikëri; ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit të vet; atdhetari. Patriotizëm i flaktë (i madh, i lartë). Patriotizmi popullor. Patriotizmi i masave. Patriotizmi i rilindësve tanë. Ndjenja (shprehja) e patriotizmit e të tjera. Se cilin “version do ta shfrytëzojmë” për ta diskutuar patriotizmin si nocion sociologjik, ka pak rëndësi. Për ne me rëndësi është qasja e shtrembëruar e ca kalorësve të vonuar të çështjes shqiptare (pa dallim se ku veprojnë dhe jetojnë), të cilët këtë koncept kohë pas kohe mëtojnë ta identifikojnë me gjithfarë profesione, emra, ndodhi e të tjera.

Nëse do të na lejohet ta shtjellojmë nocionin e patriotizmit shqiptar, fillimisht do të duhet t’i kthehemi retrospektivës së një vakie, gjegjësisht ndeshjes së futbollit mes kombëtares së Zvicrës dhe asaj të Shqipërisë, një ndeshje që para dhe pas saj, polli një duzinë paragjykimesh, keqkuptimesh a edhe shtrembërimesh në veçanti, ndaj lojtarëve shqiptarë që (profesionalisht) mbrojnë ngjyrat e kombëtares së Zvicrës apo edhe ndonjë shteti tjetër. Kjo ndeshje, lëre që u shndërrua në “mollë sherri”, por edhe e “provokoi mbamendjen adoleshente” të ca “zuzarëve dhe atdhetarëve” (skajshmërisht të sikletosur) në lidhje me interpretimin e tyre të gabuar rreth konceptit patriotizëm. Kjo ndodhi e lartpërmendur aq shumë u fol e u përfol, saqë i doli fare edhe ajo pak ngjyrë që i kishte mbetur! Këto “trumbetime, po edhe shtrembërime” ndaj futbollistëve shqiptarë, erdhën nga njerëz të ashtuquajtur “argatë stinorë a sezonalë”, nga njerëz të cilët për kryefjalë të “muhabeteve” të tyre e kanë “atdhedashurinë e sajuar a të rremë”, nga njerëz të cilët në mexhliset e kumarxhinjve, ashtu instinktivisht, do të “kërcejnë si ato pleshtat mbi jorganin e jevgut të nderuar”!

Kohë pas kohe të këtillët do t’i shkruajnë elegji politike patriotizmit, do t’i “përcjellin buzëqeshje djallëzore, po edhe do t’i dedikojnë dashuri hipokrite” vatanit! Ata do të parashtrojnë pyetje idiotësie se pse këta shqiptarë nuk luajnë për kombëtaren e Shqipërisë… dhe, kur nuk do ta bëjnë këtë, atëherë do t’i konceptojnë si tradhtarë.., mbase edhe do t’u ngjisin edhe lloj-lloj epitetesh, nofkash e të tjera. Të gjithë këta “futbolldashës a edhe mosnjohës të filozofisë së këtij sporti, po edhe atdhetarë aksham pazari”, o janë naivë, o janë të kompleksuar, o kokëbosh krahinorë, o janë gjumashë, o gjoksrrahës, o pseudopatriotë”, o kanë mendje shpellori, o janë bërlloku i kombit, o do të konceptohen si ato barkat me vela…, (rrugëtimi i të cilave varet nga erërat dhe drejtimi i dallgëve të deteve të tërbuara…), ose, në instancë të fundit, numrin e këpucës e kanë të madh. Këto  interpretime të gabuara ndaj  nocionit patriotizëm nuk shkojnë as përtej tregut të gjelbër të ndonjë province a ndonjë kasabaje, e lëre më të diskutohen në qarqet akademike. Andaj, nuk duhet të habitemi se pse “këtyre njerëzve” hiç fare nuk u plas, po edhe nuk u hyn në punë ato vargjet perla të Fan Nolit “Ku e lam’ e ku na mbeti, /Vaj-vatani e mjer mileti, /Anës detit i palarë, /Anës dritës i paparë…”. Ka edhe ca pseudopatriotë të tjerë që, kur e diskutojnë këtë çështje, shkojnë aq larg sa të “ngatërrojnë mendjen me këmbët mbi tokë”, me euforinë dhe me emocionet e pakontrolluara… Dhe, kur kjo bëhet kështu, i përngjan asaj “sallatës ruse”!?

Të gjithë këta “zuzarë” që mëtojnë të ndërtojnë një “version” të paqenë të tyre, gjithsesi të shtrembëruar, ndaj patriotizmit…, “pa dashje” e vënë në dyshim edhe kontributin e atdhetarëve shqiptarë (“shyqyr” që këto mendime mbeten vetëm si qasje të të marrëve, gjegjësisht të idiotëve të cilët mbase për armikun janë të dobishëm). Të gjithë këta, kur bëhet fjalë për nocionin e patriotizmit, shtyhen për t’u futur në radhë e për të marrë vend në mexhlisin, ku diskutohen çështjet e atdhetarisë. Tekefundit, këto versione të tyre, mbeten të qelbura a si ajo era që del nga dhëmbët e prishur dhe kurrgjë tjetër. Ky “version” i këtyre pseudopatriotëve, po edhe i njerëzve të tillë të katandisur, ta rikujton atë thënien vlonjate: “Mamaja e budallaqes gjithmonë mbetet me barrë a shtatzënë”!

Që ky vështrim yni të mos paragjykohet e të mos mbetet pa kuptim, do të parashtrojmë pyetjen se mos vallë sot, për të qenë patriot shqiptar (qofsh gegë, toskë, mysliman, katolik, ortodoks, bektashi, pasanik, varfanjak, besimtar, ateist a diç tjetër), medoemos duhet të veprosh e të jetosh në vendlindje; a mos vallë sot, nëse jeton jashtë atdheut, nuk duhet të jesh i tillë; a mos vallë, sipas kësaj “logjike fëmijërore” të këtyre shtrembëruesve të patriotizmit, shqiptarëve do të duhet t’u ndalohet a t’u mohohet e drejta e të folurit të gjuhëve të ndryshme, në veçanti gjuhës së armikut; a mos vallë, sipas “logjikës” së tyre, shqiptarët nuk duhet t’i studiojnë historitë e popujve të tjerë; a mos vallë, sipas kësaj “logjike”, “mbetet që në këtë pështjellim” të përfshihen edhe shumë figura të tjera të ndritura shqiptare; a mos vallë sot Skënderbeun, vëllezërit Frashri, nënën e përbotshme Terezë, nobelistin Ferid Murati, Ismail Kadarenë, At Gjergj Fishtën, Fan Nolin, Faik Konicën dhe shumë figura të ndritura shqiptare duhet t’i konceptojmë si tradhtarë vetëm e vetëm pse jetuan e vepruan (ca të tjerë ende veprojnë) jashtë vendlindjes së tyre… Pra, sipas tyre, sot Skënderbeun duhet ta gjykojmë si tradhtar, vetëm e vetëm pse ai e shkruante dhe e fliste gjuhën e Perandorisë Osmane, kurse Mehmet Aqif Ersoy duhet ta  gjykojmë si tradhtar të atdheut të gjyshërve të tij (nga Sushica e Pejës), pse ky e shkroi himnin e Turqisë. Ndërkaq, Shemsettin beu, gjegjësisht Sami Frashri, na qenkësh tradhtar vetëm e vetëm pse e ndërtoi gramatikën e turqve, kurse nobelisti Ferid Murat me zbulimin epokal (nga lëmi i farmacisë) na “paskësh zhgënjyer” këmbë e krye!?? A mos, vallë, edhe humanistja më e madhe e dynjasë njerëzore na qenka një “nënë e huaj”, vetëm e vetëm pse nuk veproi në Shqipëri??!! Kështu, edhe shumë shqiptarë të tjerë. Ky “shovinizëm dhe patriotizëm” i rrejshëm dhe provincial i këtyre “shqiptarëve”, kështu siç perceptohet, të krijon përshtypjen se kalon çdo prag idiotësie.

S’ka dyshim se sot më mirë është të jesh një “tradhtar” që Evropës do t’i dërgosh vlera shqiptare, sesa të jesh një “patriot i vetëshpallur, i imagjinuar, i paragjykuar, madje edhe një njeri i panjohur”, që jeton dhe vepron në “pesëkëndëshin” shqiptar.., por që gjithë ditën e Perëndisë, lëre që gënjen, por edhe vjedh lekët e popullit. “Toptan”, këta daullexhinj shqiptarë, kur nuk hanë zogun, detyrohen të përtypin “bythën e gjelit të mullisit”!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, i patriotizmit, Version shqiptar

“NËSE NUK DO T’I SHMANGESH KËNETËS, DO TA KESH FATIN E KALLAMIT”

October 12, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar miq të mi pa tarafe! Nëse këtë vështrim të radhës do ta thur me “llafe të mira”, nuk do të thotë se do të reflektoj gjë. Nuk do të thotë se gjykimet e mia detyrimisht duhet të marrin udhën e së vërtetës, argumentit a ndonjë prove tjetër. Ndaj, që të mos keqkuptohem, do të përpiqem që këtij shkrimi të mos ia fus ashtu, kot fare. Që në fillim po i vë në parantezë dy thënie të mençura popullore: “Nga avllia duket shtëpia, nga e ëma njihet e bija”, (e para), dhe e dyta – “Nëse nuk do t’i shmangesh kënetës, do ta kesh fatin e kallamit!”

Ka shumë kohë që në hapësirat tona intelektuale, politike, kulturore, fetare po edhe diplomatike, dëgjohen ca ulërima të mëdha, të forta, herë pas here të mbytura, të stërzgjatura, të pakontrolluara dhe mbase edhe të “paartikuluara”! Të gjitha këto ulërima janë pjellë e njerëzve që kur nuk i kanë informacionet a provat e sakta, mëtojnë të paragjykojnë çdo gjë, madje çdo të thënë që nuk u shkon për “hesap”. Njerëzit e tillë në vend që të ushtrojnë me ndërgjegje profesionet e tyre dhe në vend që “plehrat t’i hedhin mbi plehra”, ato i sistemojnë aty ku nuk e kanë vendin.

Nëse do të na lejohet, paragrafin e parë të këtij vështrimi, do t’ia dedikojmë fjalorit a të folmes së disa njerëzve që “merren me politikë apo (në variantin metaforik) që politika merret me ta”, si dhe personave përgjegjës që e kanë për detyrë ta vlerësojnë atë të folme (nëse ka diç për të vlerësuar). Ekspertët e gjuhës së sotme shqipe me plot gojën do të thonë se e folura e disa politikanëve (hiq mënjanë politikanët e shtetit amë) nuk është e standardizuar dhe, kur nuk është e tillë, atëherë mbetet që të jetë një komunikim krahinor a një shqiptim dialektor i papërdorshëm, fare pak i kapshëm dhe gjithsesi i pakuptueshëm për opinionin më të gjerë publik. Thjesht, ky “komunikim  politik” i tyre ushqehet me atë gjuhën e “përbaltur”, të përçudnuar, të denigruar (sa për të mos thënë edhe të shkultivuar) dhe, sa herë që e dëgjon aq herë, zorrët të vijnë në fyt… Madje, shpesh “detyrohesh” të mbyllësh veshët dhe sytë! I gjithë ky shtrembërim i gjuhës, kështu siç hetohet, të krijon përshtypjen sikur tmerrësisht dhe pamëshirshëm ka pllakosur të gjitha institucionet që duhet të jenë shembull i përdorimit të drejtë dhe normativ të shqipes standarde!

Prandaj, gjithsecili gjuhëtar i ndërgjegjshëm me të drejtë do të gjurmojë a do kërkojë shkaqet e këtij komunikimi të zbehtë dhe të pavarur të disa politikanëve sidomos atyre që i takojnë gjeneratës më të re. Ndoshta do t’i referohen sintaksës së gjuhës sllave (që ne më të moshuarit, dikur detyroheshim, ashtu pavullnetshëm, ta shkruanim dhe ta flisnim), mandej me të drejtë do t’i referohen edhe “hartës” së përgatitjes së “mangët” profesionale a arsimimit të tyre paraprak fillor, të mesëm dhe akademik. Tekefundit, as “sintaksa sllave, as harta e (mos)përgatitjes profesionale, as shqiptimi dialektor” nuk e justifikojnë këtë katrahurë të foluri të denigruar, po qoftë ai të jetë edhe politik. Duke pasur parasysh se retorika është dhunti, duke e pasur parasysh se ajo nuk mund të ndërtohet brenda një periudhe të caktuar, atëherë së paku duhet të ushtrohet… Sepse  kështu si prodhohet kjo e folur nuk e nderon, nuk e kondicionon, nuk e humanizon dhe as që e fisnikëron postin e politikanit!

Paragrafin e dytë të këtij vështrimi a opinioni gazetaresk po e fillojmë duke iu referuar disa mendimeve të shprehura të “kolumnistëve” shqiptarë, sa i përket politikëbërjes së lidershipëve nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë, pa dallim se i takojnë përkatësisë fetare ortodokse, katolike a myslimane.., pavarësisht se kanë postin e presidentit të shtetit, kryeministrit, a ministrit të punëve botore. Të gjithë këta “me demek kolumnistë”, në mungesë të njohjes së kësaj problematike, mëtojnë që këmbë e krye t’i paragjykojnë, aq sa të futen padrejtësisht edhe në oborrin e privatësisë së tyre.

Nëse sot e gjithë ditën, shqiptarët karakterizohen me fenomenin e një kombi që ka tri fe (që kombet e tjera nuk e kanë) dhe nëse ata shekuj me radhë ndërtuan atë kështjellën e harmonisë ndërfetare dhe nëse kryefjala e diplomacisë së tyre është relativisht e re, assesi nuk do të thotë se gjendet në fund të pusit të diplomacisë evropiane. Thjesht, nuk duhet lejuar gjithsecilit politikan, që hiqet për mysliman, katolik ose ortodoks të devijojë nga ky koncept, nuk duhet lejuar politikanit, që partisë së cilës i takon ta bëjë më ekskluzive, më përparimtare dhe më tolerante në krahasim me partitë tjera përkundrazi, nga kjo hapësirë duhet përjashtuar çdo majorizim a edhe ekskluzivitet i cilësdo qoftë parti dhe, për këtë e arsye të tjera, nuk duhet lejuar askujt që njërën ta proklamojë parësore e tjetrën dytësore. Së fundi, secili që do të mëtojë të bëjë një gjë të tillë, është njësoj sikur ka prekur në themelet e kombit dhe ata që i prekin ato themele, do të futen në radhët e tradhtarëve të popullit!

Parashtrohet pyetja se kush synon sot ta rrënojë kalanë e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare te shqiptarët? Padyshim se këtu do të kenë hise gjithfarë (“hiper”) analistë a kolumnistë oportunistë nga të gjitha trevat shqiptare. Disa të tillë “kolumnistë fluturakë dhe iluzionistë” nga Tirana dhe Prishtina (pa dallim feje) dhe përtej tyre, përpiqen që politikanët shqiptarë (myslimanë) t’i “… paraqesin a t’i konceptojnë si fundamentalistë”!? Këta “me demek kolumnistë” do të parashtrojnë pyetjen idioteske se pse ish- kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, dikur i “vardisej” diplomacisë turke si dhe kryeministrit Tayip Recep Erdoğan…, pse sot kryeministri i Republikës të Kosovës, z. Hashim Thaçi e përsërit atë rrugë… Disa “kolumnistë” shqiptarë myslimanë do ta përsëritin pyetjen idioteske: pse kryeministri z. Edi Rama “merr anën e jomyslimanëve”…, pse ish- presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Aleksandar Mojsiu, takonte diplomatë evropianë me përkatësi fetare katolike…, apo pse ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, takohej me diplomatë ortodoksë grekë e tjerë. Këtyre kolumnistëve u mbetet vetëm një gjë, nuk duhet majorizuar dhe as minimizuar përkatësinë fetare të lidershipëve shqiptarë, edhe përkundër përpjekjeve të grekëve e serbëve (dhe të tjerëve si ata) që në vijimësi mëtojnë ta zbehin këtë.

Andaj të gjithë analistët politikë, po edhe “kollumnistët” shqiptarë pa dallim feje duhet ta dinë se kjo tolerancë dhe harmoni e lakmueshme sot nuk është “… as mit, as shprehje e zbehtë proverbiale e as shprehje frazeologjike e as idil, as e vërtetë e vockël historike. Përkundrazi, kjo harmoni politike dhe fetare është pjellë e një historie dramatike të shqiptarëve”, siç do të thoshte Ismail Kadareja.

Ata që kanë teserën, po edhe që janë kompetentë për t’u dalë në ballë këtyre abuzimeve që i bëhen të folmes politike të shqiptarit, ata që e heshtin mungesën e tolerancës dhe harmonisë  ndërpartiake e ndërfetare te shqiptarë, nuk kanë të drejtë të heshtin, nuk kanë të drejtë të thonë se kjo nuk na “intereson”, nuk kanë të drejtë që këtë  katrahurë ta ndjekin nga larg, thjeshtë, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë mënjanë. Sot, gjithsecili shqiptar që do ta përbaltë, do ta përçudnojë e (të mos themi edhe) që do e shkultivojë harmoninë dhe tolerancën politike te shqiptarët, duhet ta dijë se ashtu pa hiri shkel mbi themelet e kauzës së kombit. Në instancë të fundit nuk kanë të drejtë ta parafrazojnë atë shprehjen proverbiale: “Për inat të vjehrrës, do të fle me mullixhinë!”

Të paragjykosh do të thotë t’ia vësh flakën së vërtetës… dhe, nëse nuk do t’i shmangesh kënetës, atëherë do ta kesh fatin e kallamit! Prej kallamit nuk del gjë!

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, kallami, keneta

MOS VALLË BALLKANIT I MUNGON NJË “SULLTAN ALLAFRËNGA”?

September 27, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar miq, nuk do ma zini për të madhe nëse këtë shkrim do ta “ngarkoj” me nocionet si: sulltani, pashai, heqimi, kumari, pjerdhët, politika dhe Republika e Maqedonisë, një “shtet specie në zhdukje e sipër”!

Dikur moti, gjegjësisht në vaktin e Perandorisë Osmane, sulltani kishte vendosur që këshilltarin e tij personal ta emërojë pasha në një nahije të lanë pas dore dhe të varfër. Fillimisht e kishte konceptuar si njeri mendjefemër dhe me përvojë. Pasi pashai ishte sistemuar në pashallëk dhe pasi kishte filluar punën, sulltanit i kishin mbërritur haberet për abuzimet që ishin pjellë e pashait. Ai vendosi që ta ftojë në sarajin e tij për të llafosur për “thashethemet” që i kishin ardhur në vesh lidhur me një vakie që kishte ndodhur në hapësirat e rezidencës së tij”. Që pashait i mungonte “hazër-xhevapi”, sulltani si sulltan, që në shikim të parë dukej njeri i qetë, shpesh dhe papritmas dinte të ta kallë tmerrin, e kishte pyetur: “Pa më thuaj të vërtetën dhe mos mëto të më bësh pordhë, pasi që ajo pordha jote nuk shkon përtej brekëve tua pa llastik”!? (Se në vaktin e Perandorisë Osmane nuk kishte pasur brekë me llastik, njohësit e kësaj historie nuk japin asnjë shpjegim, por ama se kishte pasur brekë, kishte pasur!). Kishte shumë kohë, që tek mendja dhe mentaliteti prej provinciali i këtij “me demek” pashai, gjegjësisht këshilltari personal të sulltanit, ishte instaluar turpi, inati prej Homeri, deliri i megalomanisë, “stuhia e negativitetit”, fodullëku i tij i skajshëm dhe një botë e tërë prej mllefesh, shpifjesh dhe thashethemesh absurde. Se, ky “me demek” pasha, kishte shkelur mbi të gjitha limitet e moralit publik dhe njëkohësisht, ashtu “pahiri”, kishte abuzuar toptan atë etikë edhe ashtu të brishtë, sulltani këtë nuk e kishte në dijeni. Për këtë arsye sulltani kishte vendosur që këshilltari i tij i dikurshëm doemos të kontrollohej te heqimi. Në fakt, ai vuante nga një  “mangësi” paksa e vockël.

Kur shkoi te heqimi, ai i parashtroi pyetjen: Ç’të mundon! Pashai që dukej si “ajo pushka e jevgut që dikur kishte marrë flakë”, ia ktheu ashtu troç: Ngado shkoj i bëj të dhjerat në brekë dhe hiç fare nuk më vjen turp nga vetja. Heqimi vazhdon ta pyesë si ndër dhëmbë se në ç’vakt dhe në ç’vend i ndodh kjo vaki?

Pashai i përgjigjet: – Eh, kur dhe ku më vjen!? Më vjen në sabah, në aksham, në saraj, në bahçe, në rrugë, në dhomën e xharijeve, në vaporin e sulltanit, në mexhlise, në “hamamxhik” dhe s’di në ç’vend tjetër!… Bobo, sa turp, kur më shohin njerëzit! Po e gjithë kjo nuk më sikletos kur jam vetëm, por koritem kur njerëzit që rastisin t’i kem për rreth “më marrin erë”!?

Po mirë, – ia kthen me gjysmë gojë heqimi tmerrësisht i frikësuar. – Do t’i pish këto ilaçe dhe do më thërrasësh pas një muaji.

Pashai nuk po e thërriste as pas tre muajsh, heqimi vajti vetë te saraji. E, mor i uruar, – i tha, – të bënë derman ilaçet? E bën më ku të të zërë?

– Prapë i mbush brekët mu para mexhlisit heqim, po nuk më vjen më turp. As skuqem, as zverdhem më.

– Shumë bukur! – u shpreh i kënaqur heqimi. -Në fillim, me këto ilaçe që t’i dhashë, nuk ndalen dot të dhjerat, po përkundrazi, ato të heqin ndjenjën e turpit, të shtojnë injorancën dhe xhahillëkun, ndjenjën e të qenit m. i qelbur dhe bajgë e ndyrë! -ia tha njërën pas tjetrës heqim efendiu”.

Krahas gjithë kujdesit të heqimit për kurimin e tij,  pashai vazhdoi të dhjesë e të urinojë në të gjitha hapësirat që ishin nën juridiksionin e sulltanit.

Meqë pashai nuk i “përfilli” këshillat dhe urdhrat dhe atij nuk i bënë derman ilaçet e heqimit, sulltani u detyrua ta pushonte nga vendi i punës duke e syrgjynosur diku larg në një cep të perandorisë, gjegjësisht në nahijen e berberit, i cili shumë kohë më parë në vend që të ia hiqte kokën këtij “me demek” dhjerësi, gabimisht e kishte bërë vetëm synet…!?

Nëse ky “pasha” kishte jetuar në vaktin e sulltanit dhe nëse e kishin paragjykuar dhe barazuar me atë batutën e gomarit: “hall ta lësh pa ujë, se e ngordh, hall t’i japësh shumë, se e mbyt, hall t’i japësh të ftohtë, se e ftoh, hall t’i japësh të ngrohtë, se e…” si dhe me atë meselenë e dhisë: “…, të cilës kur i ha bytha, ha bukën e bariut”, sot në hapësirat e Gadishullit Ilirik (Ali Podrimja), frymojnë ca “pashallarë të pasynetuar”, të padëgjueshëm, të paragjykuar, politikanë “axhami” dhe me autoritet të falimentuar, a më mirë të themi ca hyzmeqarë, të cilët lëre që jetojnë në kohë dhe vend të gabuar, por edhe kanë rënë në (lesh) dashuri me nacionalizmin, me shovinizmin provincial si dhe me shtetin e tyre “biblik”, një shtet që i mungojnë argumentet, elokuencat si dhe trashëgimia kulturore. Këta “me demek” politikanë, që i përngjajnë asaj “furtunës në gotë uji”, shumë kohë më parë, ashtu “pa hiri”, në lojën e kumarit vunë (me kuti shkrepësesh) institucionet kushtetuese, flamurin, emrin e shtetit “biblik” si dhe autoqefalinë e kishës, duke përfshirë aty edhe hisen e shqiptarëve, qoftë atë politike, kulturore, historike, ekonomike, njashtu edhe territoriale. Këta vuajnë këmbë e krye nga provincializmi dhe, duke mos i përfillur madje as sugjerimet, urdhrat (apo edhe  këshillat) e Brukselit dhe Uashingtonit, njëkohësisht do ta cenojnë rëndë ekuilibrin dhe standardin politik, edhe ashtu të brishtë, si dhe durimin, heshtjen dhe tolerancën e pakuptimtë të shqiptarëve. Duke mbyllur kufij ndërshqiptarë, ata do ta vënë para sprovash të vështira edhe stabilitetin e shtetit,…, kohë pas kohe, për qejfin e tyre do të pezullojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve. Ata me atë inatin e tyre homerik dhe të sajuar, do të humbasin edhe ata pak miq, fqinj, sejmenë dhe sekserë, të cilët sot e gjithë ditën sillen vërdallë kazinove të Shkupit, Sofjes dhe Beogradit në kërkim të “kumarxhinjve të rinj politikë”!

Disa vite më parë, një politikan gjegjësisht një nacionalist i përbetuar grek pat deklaruar: “Nëse doni të mos ketë më Maqedoni, atëherë mos humbisni kohë më të, gjegjësisht mos u merrni me të, nëse do ta bëni të kundërtën, atëherë do t’i mundësoni të frymojë në kaosin e gjirizit të gjeografisë politike të Ballkanit”!

Sot, gjithsecili me të drejtë do parashtrojë pyetjen se a mos vallë Ballkanit në veçanti Maqedonisë, që është një shtet specie në zhdukje e sipër, i duhet një “sulltan allafrënga”, a mos vallë i duhet një “berber dhe berberhane” ku do të “synetoheshin paragjykimet dhe komunikimet primitive a të egra të “pashallarëve” të padëgjueshëm dhe me komplekse? Ku ta dijë njeriu.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani, Fadil Lushi, Sulltani

“MORALI” I NJË REAGIMI (TË VONUAR) EKZOTIK

September 17, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Miqtë e mi të nderuar dhe të respektuar, këtë vështrim do ta ndërlidh me një paragraf nga jeta e poetit francez Charles Baudelaire (1821-1867), i cili në murin e dhomës së tij kishte varur një orë pa akrepa, po që punonte mirë. Nën të ai kishte shkruar: “Është më vonë sesa pandeh ti miku im”! Në do të na lejohet, kësaj filozofie do t’ia shtojmë edhe domethënien e nocionit “reagim-i”, e cila pasqyrohet përafërsisht kështu: I përgjigjem një ngacmimi të jashtëm, veproj nën ndikimin e një ngacmimi. Shpreh mendimin a qëndrimin për diçka që thuhet ose që bëhet…, kundërshtoj për diçka që bëhet etj. Ky nocion është shumë i konsumuar dhe gjithsesi më i shtrembëruar në përditshmërinë tonë, qoftë ajo politike ose kulturore, ndërkaq në aspekt moral, ka mbetur më pak i kondicionuar. Reagimet e njerëzve janë nga më të ndryshmet. Ato janë euforike, alarmuese, emotive, të pafiksuara, të paqarta, me pak arsye, reagime me vonesë, alogjike, të shpejtuara, të pjesshme, të njëtrajtshme, abuzive, reagime “aksham pazar”, reagime që i dedikohen politikës ditore dhe asaj provinciale, reagime akademike, kolektive, individuale si dhe reagime të ashtuquejtura “ekskluzive”. Të gjitha këto reagime ndërtohen në rrethana të caktuara historike. Pjesa dërrmuese e këtyre reagimeve shpesh kanë për kryefjalë folklorizmin dhe folkpatriotizmin. Kur këtyre do t’u mungojë ajo “kultura” e shprehjes së mirëfilltë, atëherë mbeten vetëm si shprehje boshe dhe gjithsesi të zbehta. A mos vallë (nuk) janë pjekur “kushtet” që ne si kolektivitet më shumë të merremi me vetveten e më pak me palën tjetër, e cila kur rebelohohet nuk na “hesapon”. A nuk është koha që më shumë të rezonojmë dhe të esëllohemi se sa të paragjykohemi e mandej të reagojmë kuturu, e më pastaj  të “biem” në gjumë a në heshtje varri.

Këtë vështrim po e fillojmë me atë “reagim emotiv dhe folkpatriotik” që dikur iu dedikua një lajmi, si: “…, persona të panjohur kanë demoluar shtëpinë e alfabetit shqiptar në qytetin e Manastirit. Sulmi ka ndodhur rreth orës katër të mëngjesit, ku janë shkaktuar dëme të mëdha materiale…, policia është në vendin e ngjarjes, ndërsa po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit”! Këtij reagimi do t’i bashkëngjiten edhe institucione të tjera si, për shembull: “Partia NN, shpreh indinjatën e thellë për dëmtimin që i është bërë Muzeut të Alfabetit në qytetin e Manastirit…, partia NN,  i bën thirrje qeverisë maqedonase të nxjerrë menjëherë përgjegjësit vandalë para drejtësisë si dhe të marrë sa më shpejt masa!?… Se “qeveria” kishte “ndriçuar këtë vaki”, kurrën e kurrës nuk u hetua asnjë provë e vetme. Shoqata e…, reagon ashpër ndaj aktit vandal të sulmit të sotëm në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, njëkohësisht “vlerësojmë se ky akt i ulët qyqar i qarqeve të caktuara maqedonase, të ushqyer me albanofobi të skajshme, edhe më tepër prish marrëdhëniet ndëretnike që me aq mund po mundohemi t`i krijojmë si shoqëri shumetnike”!  

Një reagim tjetër paksa “akademik, historik po edhe alarmues” iu kushtua publikimit të së ashtuquajturës “Enciklopedia maqedonase”, një enciklopedi që më shumë ishte një provokim i hapur politik sesa një dokument akademik i mirëfilltë. Dikush për këtë tha, kjo “…, enciklopedi (e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, në krye me Bllazhe Ristovskin), mbase u bë shkas që, si asnjë herë më parë, shqiptarët në Maqedoni të flasin me një zë për faktin se në disa kaptina të saj, fyhen dhe njollosën shqiptarët, kontestohet dhe mohohet prejardhja dhe etnogjeneza e tyre dhe përbuzet e gjithë historia kombëtare e shqiptarëve”! Këtij reagimi, iu bashkëngjitën edhe ca kundërshtime të tjera që vinin nga partitë politike dhe shoqatat shqiptare, përfshi aty edhe ato të historianëve, pedagogëve e të tjera të tilla simotra.

Se reagimet e lartpërmendura sa i përket demolimit të shtëpisë së alfabetit shqiptar në Manastir, apo edhe rreth enciklopedisë maqedonase  (nuk) ishin “reagime emotive, folkpatriotike, folklorike, pseudopatriotike, historike, alarmuese”…, se dikush reagoi ashtu ashpër dhe institucionalisht, se dikush këto “vaki” i heshti, se të tjerë këtë e kundërshtuan me atë dialektin dhe me nëndialektin e nahijes së tyre, se dikush reagoi duke ngritur atë zërin e paartikuluar, tjetri duke ngritur dolli, tjetri reagoi me “duart në xhep”, ai shpirtvogli me këmbët mbi tavolinë, ai tjetri duke ngritur vetullat e të tjera të tilla, janë “irelevante”!? Për ne është me rëndësi mungesa e një reagimi tonë (ndërkrahinor-ndërshqiptar) në lidhje me rrëmujën a pështjellimin që ka zaptuar arsimin shqip! A mos vallë “toptan” shqiptarët nuk kanë nevojë për një reagim akademik (qoftë të jetë edhe një reagim ekzotik) ndaj gjymtimeve që hetohen në arsimin tonë, në ndërgjegjen e kombit, a mos vallë nuk kemi nevojë të reagojmë ndaj mungesës së vetevaluimit të punës sonë, a mos vallë nuk kemi nevojë për një reagim të ashpër, të drejtë, të shpejtë a të menjëhershëm ndaj lajmit me sa vijon: “Gjashtë vite prej se në Maqedoni ka nisur të zbatohet matura shtetërore (nga ana e Qendrës shtetërore për vlerësim) shkollat me mësim në gjuhën shqipe shënojnë vetëm regres. Të paktën prej vitit 2008, kur filloi të matet cilësia e shkollave në bazë të notave mesatare të fituara nga testimi i nxënësve për lëndët e maturës shtetërore, shkollat me mësim në gjuhën shqipe e gjejnë veten të radhitura çdo vit e më keq në ranglistat përkatëse. Kështu, për shembull, gjimnazi “NN” që vitin e kaluar gjendej në pozitën e 36, këtë vit është katandisur 14 vende më poshtë. Gjimnazi që dikur ishte krenaria e shqiptarëve të… gjendet sot në vendin e 50 në ranglistën e shkollave sipas rezultateve të maturës 2013.”!? Mos vallë kjo ranglistë është e sajuar!?

A mos vallë sot ne nuk mund të ndërtojmë edhe një tjetër reagim fare dhe fare ekzotik ndaj arsimit shqip që sot e gjithë ditën ballafaqohet me atë infrastrukturën “allaturka” dhe fare pak alternuese, a mos vallë nuk kemi nevojë për një reagim serioz sa i përket arsimit shqip në të gjitha nivelet që sot e gjithë ditën e Perëndisë  ballafaqohet me shterpësi vlerash, shterpësi të pragmatizmit e të tjera shterpësi, a nuk kemi nevojë për një reagim kolektiv ndaj fenomenit “blerja e padijes”(!??) apo ndaj fjalisë më të përfolur a më të lakuar “akademik”: “nxirr paratë, lëri mbi tavolinë dhe ik”!?

A mos vallë, mungesa e një reagimi ekzotik nuk është si mungesa e moralit të asaj mbretëreshës së Danimarkës, e cila për qejfin e saj, dikur moti, kishte angazhuar një plak me mendje femër për këshilltar personal. Ajo gjithmonë ia kishte respektuar a edhe pranuar sugjerimet, po edhe këshillat, ndonëse kjo kishte qenë paksa e rrjedhur nga mendja. Një ditë plaku mendjendritur që nuk u besonte dhe nuk i shërbente çudirave, shkoi të takojë lartmadhërinë e saj për t’i thënë se populli kishte dalë në demonstratë dhe kërkonte bukë! Ajo ishte përgjigjur e çuditur: “Duan bukë!? Po pse nuk hanë biskota”! Dhe ajo vërtetë nuk dinte se ç’ishte buka, sepse as që e kishte parë me sy e lëre më t’ia kishte nuhatur erën.

Nëse këtë vështrim e filluam me atë thënien e poetit francez, atëherë neve na mbetet që  ta përfundojmë me atë mençurinë shkodrane ku, pos të tjerash, thuhet: “Me sa duket ne mbetemi viktimë e përhershme e së vërtetës, si gjithmonë, që durojmë kur duhet ngutur, e ngutemi kur duhet duruar, luftojmë dhe bëjmë zhurmë, kur duhet ndenjur urtë dhe rrimë heshtur, kur duhet thënë ‘açik’ fjala”!

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fadil Lushi, morali i nje reagimi

SEÇ NA U “NGATËRRUA” PROVINCIALISTI ME ARISTOKRATEN!

August 20, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Disa ditë më parë rastisi të jem “dëshmitar i paftuar dhe i heshtur” i një zënke, gjegjësisht i një “rebelimi” mes dy shqiptarëve. Njëra ishte femër a motër shqiptare, mësuese në detyrë, ndërkaq tjetri ishte me gjini asnjanëse-as mashkull as femër, as mish as peshk, as shehërli e as fshatar? Asnjëri prej protagonistëve të kësaj “grindjeje” nuk i kishte hallet, sikletet, qasjet, shijet e as sjelljet e njëjta. Karakteret e tyre ishin diametralisht të kundërta. Se ç’m’u desh të dëgjoja llafet e tyre, sot e kësaj dite s’ma pret fiqiri. Megjithëkëtë, kjo më provokoi që këtë “sherr” ta marr për kryefjalë të shkrimit në vijim. Nëse neve do na lejohej ta qëndisim këtë vështrim, atëherë do të bëjmë çmos për të mos marrë taraf, respektivisht nuk do ta avancojmë, nuk do ta kritikojmë e as nuk do ta lavdërojmë asnjërën palë, ndaj shpresojmë se këtu nuk do të ketë vend për ndonjë karakterizim diskriminues a diskreditues.

Shkëmbimi i mendimeve ndërmjet tyre u duk që në fillim se ishte jomiqësor, për faktin se këmbë e krye ishte e përmbytur me “qytetari, provincializëm, me inate, me xhelozi dhe me ca shaka me thepa që sjellin më shumë “zarar se qar”. Kjo motra a zonja e nderuar sikur donte në atë “komunikim linguistik” të zbulojë a të sheshojë pezmin e saj ndaj gjithë asaj që nuk bënte në profesionin e saj, përkatësisht në arsimin shqip, këtu e gjetiu; sikur donte ta shprehte gjithë atë nostalgjinë e saj të trishtë sa u përket mësuesve të dikurshëm që sot nuk duken më këtejpari. Sikur donte që bashkëbiseduesit t’i sugjeronte se dikur moti gjyshi i saj, që kur kishte zbarkuar në kasabanë e Tetovës (në vitet e gjashtëdhjeta), kishte hapur librarinë e parë popullore (shqipe). Sikur donte t’i thoshte: Ti, zotërote, të lus më kurse dhe mos më fol për kulturë, për arsim dhe  për aristokraci, më lër të qetë, sepse këto virtyte të larta morale, i kam trashëguar  nga gjyshi dhe prindërit e mi, në vaktin kur soji e sorollopi yt i shkonin pas cjapit të egër! Të lus, mos ma ngacmo kureshtjen a dëshirën time për të mësuar diç më tepër për ty…, më lër rehat që këtë trashëgimi ta ruaj me xhelozi dhe me atë fanatizëm të rrallë, një trashëgimi të ngarkuar me plot humanizëm, mirësi si dhe me altruizëm.

Kjo motra jonë e nderuar, sikur donte ta qortonte edhe më tej bashkëbiseduesin e saj të kompleksuar fund e majë, sikur donte t’i bërtiste e t’i thoshte: pse ti, vëllaçko, për “qytetari të rreme” hoqe dorë me aq lehtësi nga të qenët fshatar, pse hoqe nga mendja fisnikërinë e saj, pse nga higjiena e mendjes aq fare kollaj hoqe burrërinë, mikpritjen bujare, të ngrohtë, të përzemërt, vëllazërore dhe të thjeshtë të saj. Po ti, vëllaçko, ç’të duhet që për hir të një “qytetarie dhe aristokracie të shtirur”, ashtu për qejf, të shkelësh a të përbuzësh vendin ku ke lindur…, bukuritë e jetës në fshat!? Kjo motra jonë, mësuese në detyrë, sikur donte t’i thoshte bashkëbiseduesit të saj se aristokracia po dhe qytetaria e tij virtuale është një element i rrezikshëm, nëse me të do të mëtosh të ushtrosh  pushtetin dhe ta zaptosh kryeminderin e saj, është edhe më i rrezikshëm, nëse gjithë këtë imagjinatë do ta “shndërrosh në besim dhe në bindje të verbër”!?

Motrës sonë si duket i doli pushka huq, sepse me gjithë përpjekjet për ta bindur vëllaçkon e saj, nuk ia doli dot…, nga fakti se bashkëbiseduesi mezi i shqiptonte fjalët, mezi ia ndiqte mendimet,  jo pse i mungonte kjo dhunti e të shprehurit e të dëgjuarit, por pse “gojën e kishte plot me kikirikë”, se ashtu dhunshëm e detyronte motrën a zonjën e nderuar ta duronte arrogancën e dërdëllitjeve të tij të pafund. Dhe, në vend që t’i saktësonte mendimet, ai përkundrazi i ngatërronte ashtu njësoj si leshi i arapit…, në vend që të “kuronte kompleksin e të qenit provincial” ai, përkundrazi e ushqente atë të paqenë…, sikur turpërohej nga identiteti i tij, nga prejardhja a nga origjina e fisit, nga vendlindja etj. E gjithë kjo të krijon përshtypjen se puna e këtij “provincialisti” është si ajo batuta gjirokastrite: “…, e dini ç’e gjeti gomarin kur u mundua të pjerdh sa kali? Iu shqye b…”! (Besoj se lexuesit do më ndjejnë për këtë batutë)

Nëse do më lejohet, këtë shkrim do ta mbyll duke iu referuar një shpjegimi që e kishte bërë një mik yni (Salih Kabashi) në lidhje me një mesele nga vakti i ish-Jugosllavisë: “Një gazetar me nam i kishte kërkuar një intervistë Branko Mikuliqit, kryetarit të atëhershëm të Këshillit Ekzekutiv Federativ dhe ky ia kishte dhënë pa  hezitim. Duke dashur që ta nderonte gazetarin, ai e gostit me një drekë dhe pas dreke e fton gazetarin që bashkërisht të “çlodhen” në një pishinë qeveritare. Dreka u hëngër, kafet u pinë…, u lanë dhe u kënaqën. Pastaj u shtrinë krah njëri-tjetrit. Ashtu duke ndenjur e duke bërë llaf, Brankoja po i shikonte vjedhurazi herë shputat e veta dhe herë shputat e gazetarit. Këmbët e veta  i shihte të shtrembëruara dhe gishtat të gjithë çatall, me thonj të deformuar e keqas të çakorduar. Këmbët dhe shputat, lëkura dhe gishtat e gazetarit përbri i shihte me xhelozi, sepse ishin në rregull, të pathyer e të hijshëm. Nuk u durua Brankoja, nga katundi Pogragjë i Bugojnos, dhe e pyet mysafirin e tij: – Shoku…, po shikoj këmbët e tua dhe po shikoj këmbët e mia, po shikoj shputat tona. Shiko si janë të miat dhe shih si janë tuat. Pse është kështu?- Nuk e di, thotë gazetari zagrebas. Ndoshta pse në familjen tonë ka më shumë se një shekull që mbathen këpucë. Maloku, kryetar qeverie, nuk e kishte zgjatur muhabetin më tutje. I pikëlluar për mungesë të sadopak aristokracie për biografinë dhe veten e tij, çartaqejfas dhe jo pa siklet duke e parë veten fare thundrakë, i tha rrugë të mbarë zagrebasit!”

Mendjendriturit a ata me mendjen femër mbase mund të thonë se nuk duhet të heqësh mendjen nga prejardhja a origjina, pavarësisht se ky shpjegim i lartpërmendur mëton të diskreditojë a të diskriminojë bashkëbiseduesin e motrës a mësueses sonë në detyrë. Nga ana tjetër, ata që e njohin këtë shpjegim do të thonë se shumë kohë më vonë regjimi titist aristokracinë e familjes së gazetarit nga Zagrebi, ashtu pamëshirshëm, e kishte masakruar dhe denigruar dhe njëkohësisht ia kishte zaptuar të drejtën e shpalosjes së gjenealogjisë së familjes së tij! (Ashtu siç komunistët dhe harresa e turmës provinciale e shuan dhe e ekzekutuan me përpikëri, njëherë e përgjithmonë, aristokracinë e familjes prej mësuesi të motrës sonë!)

Se si kishte përfunduar ai “shkëmbim i lirë mendimesh ndërmjet protagonistëve në fjalë”, unë sot e kësaj dite nuk gjeta ndonjë provë. Një gjë e di, aristokracia e saj prej mësueseje është e vërtetë në krahasim me atë të bashkëbiseduesit që ishte i sajuar a i imagjinuar!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: aristokratja, Fadil Lushi, ngaterrim, provincialisti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT