• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SEÇ NA U DOGJ BISHTI I DHELPRËS!

August 13, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për nocionin lugat jep këtë shpjegim: 1. mit. Fi-gurë e besimeve të kota, që përfytyrohej si njeri, i cili në gjallje të tij ishte shumë i keq dhe pas vdekjes ngrihej natën nga varri, endej rrugëve e nëpër shtëpi dhe trembte njerëzit. Thoshin se u bë (doli) lugat. E hëngërt lugati! mallk., vjet. Ha si lugat – ha shumë, s’ka të ngopur. Vishet si lugat. Sillet si lugat. 2. fig. keq. Njeri shumë i shëmtuar në pamje, që u kall tmerrin njerëzve: I keq, që u bën dëm të tjerëve etj. Se kush na “sillet si lugat”, do ta merrni vesh në fund të këtij shkrimi. Ndërkaq fjalën kriter-i e shpjegon kësisoj: m.sh. Parim i qartë e i përcaktuar mirë, sipas të cilit jepet gjykimi për diçka, bëhet vlerësimi, klasifikimi etj. i diçkaje, norma ku mbështetemi për të vlerësuar një ngjarje…, Kritere të reja, të gabuara, të qarta, vë kritere…, Rregull sipas të cilit duhet të kryhet një punë a diçka tjetër…

Unë besoj që lexuesit e mi të nderuar do të më ndjejnë pse këtë vështrim e fillova me nocionin “lugat”, një shprehje tejet e bastarduar, pavarësisht se si e tillë gjendet në fjalorin e së folmes sonë të përditshme. Gjuetarët thonë se dikur dhelprës i kishte marrë flakë bishti dhe turravrap kishte bërtitur: Ikni se u kall dynjaja! Ata që kishin rastisur atypari kishin thënë: Moj, ty të është kallur bishti e jo dynjaja.

Ka shumë kohë që në hapësirat e Gadishullit Ilirik ca shtete përballen me një tranzicion të stërzgjatur, të bezdisshëm dhe të sëmurë… dhe kështu as përfundon, as kurohet dhe as nuk vdes. Në kuadër të atyre shteteve veprojnë parti politike nga më të ndryshmet dhe të cilave, në periudha të caktuara, po u digjen bishtat “natyralë e ca të tjerë edhe artificialë”!? Madje madje kur ato kallen, ata nuk ngurrojnë të thonë se të tjerët ua vunë zjarrin…, kinse për inat, për qejf a edhe për dreq të mallkuar. Ti, miku im i nderuar, a e di pse u kallet bishti atyre? Ja, unë po ta them troç. U kallet se shkelin mbi kriteret, standardet, parimet themelore të moralit demokratik, shkelin mbi rregullat themelore të politikëbërjes së mirëfilltë, konstruktive dhe me perspektivë. Atyre u kallet bishti sepse në “bagazhin” e tyre politik ka “mallra” të tilla që kanë mbetur nga koha e njëmendjesisë…, në “strajcat” e tyre sot e gjithë ditën e Perëndisë do të gjesh atë apoteozën dedikuar lidershipit të “pavdekshëm, karizmatik dhe të pazëvendësue-

shëm”(!??)…, aty do të mund të gjesh një “furgon” me politikë të “skllavëruar”, një kulturë politike të “ndryshkur”, hajdutëri politike, aty do gjesh një politikë grushti të hekurt, një politikë kulaçi e kërbaçi…, në do të këmbëngulësh në kërkim të “sojeve” a ngjyrave të tjera, pa dyshim se do të gjesh edhe politika marksiste, enveriste, majtiste, djathtiste, demokratike, socialiste, nacionaliste, shoviniste, biblike, antike, politika “allafrënga, allashqiptarçe, në krye me allajbejlerë kokë e krye të kapardisur”!…, politikë inatesh, fyerjesh, politikë bajraktarizmi, nihilisti, politikë ditore, politikë “aksham pazari”, politikë provinciale, bolshevike, amatore e të tjera “përshesh” politika!

I nderuar miku im, nëse nuk të mjaftuan provat e lartpërmendura që llafosën “shkaqet” sa i përket kalljes së bishtit të “dhelprës dhe politikës” këtej pari trekëndëshit shqiptar, ja po shtoj edhe ca të tjera. Pa më thuaj ti, miku im, a mos vallë nuk të dëgjojnë veshët se si ca politikanë inatçorë të Prishtinës, sot e gjithë ditën e kontestojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës (unë nuk do të them të Marrti Ahtisarit), a nuk të shohin sytë se si ca “politikanë që kanë rënë në pubertetin e vonuar të politikëbërjes allaturka” (koeficienti i kundërshtisë dhe inatosjes politike i të cilëve është goxha i lartë), sot e kësaj dite nuk mëtojnë ta kundërshtojnë dhe ta  kontrabandojnë atë kushtetutë që është e ndarë në XIV kapituj dhe 162 nene, e shkruar në gjuhën shqipe, serbe (me shkronja latine dhe cirilike), angleze, turke, rome dhe në alfabetin Brajit (për të verbrit). Ata harrojnë se kjo është një kushtetutë, që Kosovës mundohet t’i japë lirinë e frymëmarrjes, a nuk sheh ti, miku im, se si ca politikanë mundohen t’ia marrin asaj frymën, ata ia pengojnë çapitjet e para adoleshente, thjesht i vihet kleçka…, kinse na qenka një kushtetutë përkohësisht e sajuar a e “rrëmbyer”, një dokument që kinse, sipas “arsyes” së politikanëve kosovarë, nuk u jep hapësirë për ta “kritikuar a kontestuar”, një kushtetutë që devijon nga mendja, dëshira dhe përcaktimi i tyre politik…, një kushtetutë që kinse “përdhunuaka perspektivat e (ri)bashkimit kombëtar”(!?) Pa më thoni se ç’ka të keqe në këtë kushtetutë! A mbani mend kur dikur një shqiptar tha: “LE TË NA VIJË EDHE DREQI I ZI, VETËM TA HEQIM QAFE SERBINË”…, atëherë pse tani ky dokument juridik na qenka “gijotinë” për shqiptarët e Kosovës!?

Mos vallë, në këtë kontekst, politikanët e Republikës së Maqedonisë qëndrojnë më mirë. A mos vallë edhe ata nuk ballafaqohen me kontradiktat e tyre të brendshme, me kontradiktat e tyre që shpesh i çojnë në mënyrë të pashmangshme në kacafytje dhe vrasje! A mos vallë ti, miku im, nuk të shohin sytë se politikanët shqiptarë të Republikës së Maqedonisë luftojnë në tri fronte!? Fronti i parë – ata me “impotencën” e tyre politike detyrohen që ta kundërshtojnë “prepotencën” dhe mospërfilljen e politikanëve të Tiranës…; fronti i dytë – luftojnë djallëzinë dhe shovinizmin e politikanëve maqedonas…; fronti i tretë politik – ata luftojnë për marrjen e mandateve në kuadër të vetadministrimit vendor, po edhe qeveritar, qofshin ato me a pa “qeder”, pavarësisht sesa është kostoja e atij “qederi”! Politika e tyre do të karakterizohet me vokacionin e patriotizmit provincial, folklorik a edhe verbal…, me ato fyerjet, akuzat, etiketimet, pothuaj edhe me katandisjen kolektive. Po ç’të thuash e ç’të shkruash për politikanët dhe politikën e Tiranës!? Në vend të paragrafit që do t’i dedikohej kësaj pyetjeje, unë do i referohem atij proverbit popullor, ku thuhet: “Po të pyesësh për ne, jemi krejt një fe (njësoj)”!

Që ky shkrim të mos mbetet pa “bisht”, do t’ia shtoj edhe një paragraf, thjesht do t’ia dedikoj një kurbetçiu, i cili disa ditë më parë kishte ardhur nga Amerika për të vizituar vendlindjen dhe bashkëkohanikët e tij, të cilët që moti nuk duken atypari. Me profesion është “patriot, demograf dhe pak politikan”(!??) Eh, edhe ky na ishte “noksani  i mërzitshëm” i këtij shkrimi. Ky i “përmalluari” më parashtroi pyetjen: po ju shqiptarët që rroni këtu, pse hiç fare nuk çani kokën pse fshatrat na u shndërruan në hapësira muzeore…, pse këtu pari nuk ka “shqiptarë me brirë”…, pse nuk ka “berberhane dhe hamamhane”, si në vaktin tim, pse ju shqiptarët që rroni këtu nuk luftoni shtetin që nuk ua jep të drejtat…, pse e festuat 28 Nëntorin e motit 2012, pse nuk e paragjykuat si një festë të rreme, si një ditë të fryrë etj… Ky “lugat”, që  aq shumë të duket “patriot”, do më thotë se ç’bëtë ju derisa unë nuk isha këtu, pa ma jepni ta shoh listën e sukseseve tuaja…, pse nuk i ndëshkoni futbollistët shqiptarë nga Kosova që mbrojnë ngjyrat e kombëtares së Zvicrës… Dhe kur këtij “lugati” do t’i thuash se ata janë thjesht profesionistë, ky ta kthen, a nuk janë komunistë dhe internacionalistë…, po pse ju e flisni gjuhën e armikut e të tjera broçkulla. Edhe ky, si dhelpra, kishte bërtitur: o milet, ikni se u kall e kaluara e shqiptarisë!! Në fund të “muhabetit” edhe unë i parashtrova pyetjen me sa vijon: pa më thuaj ku “shkojnë” ata dollarët e tu? Ma ktheu si ndër dhëmbë: “shkojnë në karabina, o në zina”(kurvëri)!? Sa është për t’i besuar për të parën a për të dytën, ju vetë mund ta dini më mirë se unë.

I nderuar miku im, unë do ta përfundoj këtë shkrim, sepse frikem se dikush i ngjet ndonjë bisht e ia vë flakën… dhe mandej po më thonë se ky artikullshkrues na ka dalë “toptan lugat”, sidomos tani në këto ditë të muajit të shenjtë të Ramazanit! Ku ta di njeri, nuk i besohet!

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: bishti i dhelpres, Fadil Lushi, sec na u dogj

PËRPJEKJET “INTELIGJENTE” NË KËRKIM TË NJË SOVRANI KARIZMATIK?

August 8, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Ata që sot e kësaj dite janë nostalgjikë ndaj sistemit të njëmendjesisë do mëtojnë ta shpjegojnë atë batutën dedikuar jevgut, e cila duket pak a shumë kështu: “Që ma shave mamanë, ma shave, që ma shave sojin, ma shave, që m’i shave të tërë, m’i shave, që ma shave toptan jevgërinë, ma shave, që ma shave kasollen, ma shave, që ma shave kalin dhe arabanë, ma shave, që m’i shave kalamajtë e uritur e të palarë, m’i shave…, dhe unë kurrën e kurrës nuk të bëra as për faj, as për turp e as për trap…, i hakërrohet jevgu komunistit, por ama,  kur më shave për ngjyrën e lëkurës sime, nuk durova dot…  Për këtë nuk nuk të fal kurrë, o pederast, o rezil, o bir rrospie…, kishte dalë prej binarëve, me të drejtë, jevgu ynë shumë i nderuar dhe gjithsesi i respektuar.

Hokatarët mund të thonë se kjo batutë sot paksa lakohet më ndryshe dhe më “allafrënga”… dhe lexohet kësisoj: (flet një simpatizant i një partie politike me një bastorexhi të Tiranës, të cilit hiç fare nuk i ha palla për politikë a parti). “Se m’i shave rilindësit, m’i shave, se ma shave Skënderbeun, ma shave, seç më the se ai pak fliste shqip, më the, se ma ofendove nënën Terezë, ma ofendove, se m’i shave të tërë, m’i shave, se më the “zhvishu”, më the, se ma shave surratin, ma shave… Të gjitha këto sharje nuk i mora si punë me “qeder”, por ama kur ma shave lidershipin e partisë, thashë se kam me ta q….mamanë.., ti trap hamami”? Eh, ç’e gjeti këtë…, më thotë nip Rexhepi nga Stambolli. Për këtë arsye e do puna të themi dhe një përrallë të Ezopit, dedikuar “Zotit dhe bretkosave”!

“Në një pellg me ujë mbretëronin bretkosat në zhegun e verës… Këndonin ato pa pushim gjithë ditën e ditës dhe kënaqeshin duke u mërzitur. Një ditë e kishin  lutur Zotin që t’iu çonte  një mbret. Dhe në rastin e parë, Zoti u hodhi bretkosave një trap… Një palo mbret. – Ja, u tha Zoti bretkosave, ky është mbreti juaj… Bretkosat u kënaqën për këtë mrekulli dhe filluan të rreziteshin mbi trapin e butë. Ato hidheshin shpesh në ujin e papastër. Ngaqë e pyesnin trapin se çfarë duhet të bënin, e trapi si rrjedhojë nuk u jepte përgjigje. Bretkosat gëzuan kështu një liri marramendëse, saqë formuan edhe korin e tyre “UAK”. Por me kalimin e kohës, mërzia trokiti në derë. Bretkosat, si duket, filluan të mos e pëlqenin gjendjen pasive të ‘mbretit’ dhe filluan ankesat. Për këtë arsye, kryepari i bretkosave i bëri Zotit një lutje tjetër për një mbret më dinamik dhe më kompetent. Zoti emëroi mbretin e dytë të bretkosave. Këtë radhë një gjarpër… Gjarpri, i cili ishte i vjetër në moshë dhe kishin filluar ta linin veshët, irritohej pa masë nga kori “UAK” i bretkosave. Ai nuk paralajmëronte askënd, por kollofiste me rastin më të parë çdo bretkosë që guxonte të çilte zërin. Kështu, bretkosat filluan dalë-ngadalë ta kuptonin këtë strategji dinake dhe diskutonin në heshtje me njëra-tjetrën se si të dilnin nga kjo diktaturë gjarpërore… Edhe nga ky mbret nuk ishin të kënaqura dhe kërkuan të tretin mbret! Por Zoti, si duket, s’kishte kohë të trajtonte kërkesën e tyre për një mbret të ri, pasi maksimumi ishte vetëm dy mbretër gjithsej. Bretkosat u përgatitën që të jetonin nën sundimin e mbretit të ri, i cili kollofiste nga një, sa herë dëgjonte një zhurmë të vogël. Në këtë mënyrë, bretkosat që atë ditë e sot, vazhdojnë përpjekjen e tyre legjendare për një mbret të ri, i cili nuk dihet se kur do të vijë… dhe përse duhet të vijë”!? përfundon Ezopi i urtë.

Që lexuesit të mos e humbasin “durimin”, unë do mëtoj që me përrallën e Ezopit të mos ndërtoj asnjë identifikim a paralelizëm me “njerëzit” e moderuar këtej trekëndëshit politik të Gadishullit Ilirik, të cilët sivjet kujtojnë 100-vjetorin e shtetit të tyre londinez…, njerëz që kishin jetuar e mbijetuar në anarki, në kohërat e terrorit a diktaturës dhe së fundi në vaktin e ndërkalimit shqiptar. Babai im, duke kujtuar ato kohëra, pos të tjerash, na shpjegonte edhe këtë histori të shqiptarëve:

Keq me anarki e keq pa anarki, keq me kanun e keq pa kanun, keq me mbretëri e keq pa mbretërinë e  Ahmet Zogollit, keq me diktaturë e keq pa diktaturën e Enver Hoxhës (i cili dikur kishte asgjësuar profesionin e avokatit),  keq me demokratë e keq pa to, akoma më keq pa Sali Berishën, keq me socialistë e keq pa socialistë, akoma më keq pa Fatos Nanon dhe Edi Ramën, keq me këtë parti e keq pa këtë parti, akoma më keq pa lidershipët e saj, keq me kope delesh që nuk japin qumësht, e keq me dele me qumësht që nuk guxon t’i mjelësh…, keq me çoban e keq me një të tillë që kopenë e cjapeve, në vend që ta çoj të kullosë, e çon në gojën e uritur të ujkut…, e tjera të këqija të vogla a edhe të mëdha. Parashtrohet pyetja se ç’u duhet shqiptarëve të ballafaqohen me gjithë këto të këqija. A mos vallë, shqiptarët kokë e këmbë janë “të abonuar” (parapaguar) që të lodhen e të rraskapiten me këso ndryshimesh sistemesh e “mbretërish”, me lëvizje qeverish, me “zhvendosjet e tyre kunj më kunj”, njëherë në prehër të nënës a edhe në prehër të njerkës!?. A nuk u “ngopën” me disfata e fitore, qofshin ato të kurdisura, të sajuara a edhe të merituara? Eh, vetëm një dreq mund ta dijë këtë mesele.

Çuditërisht, shqiptarët asnjërin prej këtyre sistemeve nuk e deshën, nuk i deshën as kryeparët e tyre, ca për arsye se nuk i kishin për zemër, ca të tjerë nuk i kishin për huji, kishte edhe do njerëz të cilët ishin aq shumë të ekzaltuar nga çallami dhe të mirat e pushtetit sa nuk donin as të dëgjonin për mbret, po qoftë ai të ishte edhe…!? Ata nuk e deshën as Ismail Qemal Bej Vlorën, as Nolin, Fishtën, Faikun e Mit’hatin…, ata nuk e deshën as mbretin Ahmet, i cili në vaktin kur jetoi, sa do pak, Shqipërisë i solli aristokraci politike dhe mediatike, nuk e deshën as doktorin gjegjësisht kryeministrin në detyrë, pavarësisht se ky ndërtoi “Rrugën e Kombit”, nuk e deshën as Mejdanin, as Mojsiun e Bamirin, as Nishanin pavarësisht se ishin katolikë, ortodoksë, myslimanë, bektashinj, toskë a gegë…, ata nuk e duan as Edi Ramën, pa dallim se ky i fundit qeverisë së re do t’i sjellë gjashtë femra ministresha, nuk e duan as burrat e Kanunit, sepse ai përgjithmonë e shembi atë kështjellën e shovinizmit mashkullor shqiptar. Unë habitem me atë inatin makabër dhe trishtues të tyre, unë habitem me atë filozofinë e shqiptarit që cili me shumë “kollajllëk” u gjunjëzohet paragjykimeve të ndryshme.

Po ku do ta gjejnë shqiptarët atë sovran me reputacion të lartë politik, por edhe me karizëm! Me këtë higjienë cerebrale që e kanë, me këtë fjalor nënçmues, me etiketime, si për shembull: lesh, tradhtar, obskurant, recidivist, antikokombëtar, katundar malok, shehërli sehirxhi e sherxhi dhe gafe e zhargone të tjera, toptan këto pjellë të asaj neverie a dufi të akumuluar ndër shekuj…, me këtë mospërfillje të mendimit ndryshe, nuk besoj se ndonjëherë do e gjejnë. Nëse e kanë për njëmend, atëherë fillimisht do të duhet  t’i shtrohen një “dialize politike”, mandej politikës së tyre do të duhet t’i bëhet një redaktim gjuhësor dhe (ri)redaktim akademik, thjesht intelektual dhe profesional…, do të duhet t’i nënshtrohet një rishikimi dhe analize serioze, sidomos tani kur bëhet fjalë për raportet e reja opozitë-pozitë e të tjera analiza! Nëse kjo nuk do të bëhet, atëherë shqiptarëve do t’u “merret e drejta” e përpjekjeve të tyre “inteligjente në kërkim të një sovrani karizmatik”! Mos dhëntë Zoti, që politika shqiptare të vuajë nga diagnoza e ashtuquajtur: “Ambivalenca (ndasia) patologjike e paradoksale gjegjësisht konflikti i dyfishtë emocional dhe racional”. Fatkeqësisht, psikiatrit thonë se kjo sëmundje nuk kurohet dot kollaj. Tekembramja, shqiptarët nuk janë bretkosa të Ezopit, nuk janë as pleshta të At Gjergj Fishtës e as inatçinj të papërmirësueshëm të Fan Nolit a edhe të Konicës! Po qe se na del e kundërta, atëherë shqiptarëve u mbetet të “kërkojnë ngushëllim” në atë thënien e Gjergj Metës nga Tirana, ku, pos të tjerash, thuhet: “I vetmi shpëtim nga kjo katrahurë, është ajo fjala që shkon në mort, ajo fjala e PRANISË, ajo që nuk nxjerr tinguj, por flet duke ngushëlluar”! Seç ç’shtet, ç’qeverisje e çfarë sovrani e sovraniteti u duhet shqiptarëve, unë nuk e di dhe as që mund ta di!

Duke e përfunduar këtë vështrim, po parafrazojmë një mençuri shkodrane: “Me sa duket ne mbetemi viktimë e përhershme e së vërtetës, si gjithmonë, që durojmë kur duhet ngutur, e ngutemi kur duhet duruar, luftojmë dhe bëjmë zhurmë, kur duhet ndenjur urtë dhe rrimë heshtur, kur duhet thënë ‘açik’ fjala…”

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, karizmatik, ne kerkim te sovranit, perpjekjet inteligjente

NJË BINOM POLITIK, I PAQËNDRUESHËM DHE I RREMË

August 3, 2013 by dgreca

 Shkruan: Fadil LUSHI/

  Të nderuar miq të mi, këtë shkrim timin do ta filloj duke iu referuar një aktori të njohur nga Prishtina, i cili shumë kohë më herët “ ishte hidhëruar tej mase” me babanë, jo pse ai ishte martuar me një femër tjetër, por pse ishte dashuruar në të. Dhe, sipas tij, ky “gjest” i babait, lërë që e kishte “ndryshuar”, po edhe e kishte “dhunuar, ashtu (si) pa hiri dhe për qejf”, gjenealogjinë e fisit dhe në instancë të fundit e kishte “shembur” kartën morale të familjes.

         Këtë vaki e mora si referencë për faktin se ka shumë kohë që miqtë që më “lexojnë” më “sugjerojnë” me gojën plot ta filozofoj atë thënien popullore ku thuhet, pos të tjerash:  ti, i nderuar miku ynë, “jepi vetes një bojë tjetër se ajo e para të doli fare”, e para, kurse e dyta, “ mjaft  i ngarkove vështrimet me referenca dhe gojëdhëna të dala nga filozofia e popullit” dhe, e treta, “mënjano frikën, pishmanllëkun dhe atë inatin tënd homerik dhe provincial”!? Mbase, ndoshta kanë të drejtë…, por ja që mungesa e referencave, m’i “sakatosin shkarravinat” në fjalë. Neve si kolektivitet (përfshi edhe shkruesin e këtij vështrimi) do të na duhet ta parashtrojmë pyetjen se mos vallë (nuk) kemi nevojë që njëherë përgjithmonë ta ndërrojmë bojën e të bërit opinione sa i përket një filozofibërjeje paksa më ndryshe, paksa më të moderuar, më urbane dhe, në instancë të fundit, edhe paksa më aristokrate… A mos vallë e gjithë kjo “kërkesë” e lexuesve (nuk) do të na mundësonte që të “shpëtojmë nga ajo zgjebe dhe gangrenë” që ka zaptuar mendimin e lirë të shoqërisë (politike) shqiptare, a mos vallë me këtë do ta ndërtonim një raport a një lidhje të ndërsjellë ndërmjet shkruesit dhe opinionit publik intelektual, një raport sa sasior po aq cilësor a edhe të drejtë… A mos vallë ky vokabular imi dhe i të tjerëve, të tillë si unë, nuk është i zbehtë, i njëtrajtshëm dhe në aspekt mediatik i tejkaluar…, apo kemi nevojë për një binom më të qëndrueshëm. Nëse ne nuk do të veprojmë ndryshe, atëherë tipat e vështrimeve të tilla nuk do të jenë as për “dynja e as për ahiret”!

          Pa marrë parasysh se si do del ky vështrim, unë megjithatë do t’u “referohem” ca ndodhive në vijim.

        Ndodhia e parë: Disa javë më parë, kryeministri i Republikës së Shqipërisë në detyrë, z. Sali Berisha, me një rast, ndër të tjera, tha; “NUK DO NJOH ZGJEDHJET…, të dashur miq, rinumërimi i fletëve të votimit dëshmoi se karteli i drogës që erdhi në pushtet me zgjedhjet e 23 qershorit ka vjedhur me dhunë, terror e me para të pista…, 1200 vota vetëm në qarkun e Lezhës dhe tani…, duan të bllokojnë rinumërimin e votave dhe të mbrojnë mandatet e krimit…, ky është ndryshimi që donin trafikantët dhe miqtë e tyre! Por ne demokratët pushtetin e dalë nga krimi, droga dhe paratë e pista nuk do e pranojmë kurrë. Përpara për votën e lirë të shqiptarëve”(!??) e të tjera. Se kjo deklaratë e zotit Berisha ishte një “shpikje e re, me zarar, me rrezik a zullum” politik mbetet që ta qartësojnë të gjithë ata që e njohin nga afër karakterin dhe psikologjinë e doktorit.

         Ndodhia e dytë e z. Sali Berisha: “Anëtarët e Partisë Demokratike në Tiranë dhe në rrethe të tjera më 22 qershor 2013 do ta votojnë kryetarin e ri të PD-së sipas parimit të drejtë dhe historik – një anëtar, një votë”! Kjo ishte një deklaratë sa demokratike, humane dhe po aq emancipuese, andaj këtë asnjeri nuk mund ta kontestojë si në aspekt moral po ashtu edhe politik, deri në momentin kur nuk bëri zë, kundër kandidati i Lulzim Bashës, Sokol Olldashi (!??)… sa i takon rezultatit 80% për Bashën dhe 20% për Olldashin!???

        Ndodhia e tretë: “Zgjedhja e kreut të ri të PD-së u bë përmes një procesi të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe për më tepër në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Unë garova pa pasur një informacion për korpusin e votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në lista, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit për kryetarin e Partisë Demokratike të anëtarësohen edhe në parti…, procesi për t’u dhënë të gjitha garancitë që do të ishte jashtë çdo ndikimi, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë lokalë etj., u përfshinë në të në mënyrë tërësisht të njëanshme…, ndërkohë që cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favorin tim u pezullua apo u pushua nga puna..”!, tha në fund Olldashi.

         Ndodhia e katërt: “I uroj suksese kryetarit të ri të Partisë Demokratike, liderit të saj Lulzim Basha”, tha Sali Berisha. Kundërshtarët politikë do të thonë se kryeministri këtë “urim e kishte rezervuar që moti”? Gjithsesi se z. Olldashi nuk iu “hidhërua” kryeministrit Sali Berisha, pse ky morri anën e Bashës, por pse aq marrëzisht u “dashurua në të”, siç dikur i kishte ndodhur babait të atij aktorit të njohur nga Prishtina. Ndoshta kjo është zgj(i)edhja e tij e (pa)drejtë dhe e (pa)ndershme. Ku ta dijë njeri.

          Unë besoj se me këtë shkrim, vështrim po thuaj edhe dedikim politik, nuk do të ngre a të “ndez” debat  me të gjithë ata të cilët ndoshta do ta kundërshtojnë me të drejtë këtë, përkundrazi do të prek vërtetësinë e saj…, nuk do të prek pjesën egoiste të saj…, po as edhe altruizmin e saj, nëse ka një të tillë. Para se të vazhdoj qëndisjen e këtij shkrimi dhe njëkohësisht para se të parashtroj ca pyetje, do të bëj çmos që nga “urtësia dhe logjika” ime të heq mënjanë çdo paralelizëm të kotë dhe të figurshëm, çdo tarafllëk, çdo paragjykim politik e filozofik, çdo tifozllëk, çdo anim dhe, në instancë të fundit, edhe çdo emocion. Në do të mëtosh që të vërtetën ta shpjegosh a ta lakosh ndryshe, atëherë do të konceptohesh si ai minatori i tuneleve, i cili futet në to i pastër dhe prej aty del i papastër, i përlyer a edhe i palarë. 

         Pyetja e parë: Çka fshihet pas kësaj deklarate të doktorit: “Nuk do njoh zgjedhjet” (ndonëse paraprakisht kishte thënë se do të njoh çdo rezultat që do del nga zgjedhjet e 23 qershorit)…, a mos vallë është një kërcënim “llaf bosh”, apo është një deklaratë serioze që do vinte në rrezik qoftë politikën e brendshme a të jashtme të Republikës së Shqipërisë…, a mos vallë nocionet si: trafikantë, krimi, vjedhja e votës, blerja e votës deliberative, para të pista e të tjera nocione vërtet u hetuan për herë të parë më 23 qershor të motit 2013, apo ndoshta ato frymonin edhe në vaktin e qeverisjes tetëvjeçare të Partisë Demokratike!

         Pyetja e dytë: A mos vallë, (sipas doktorit) zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit (nuk) kanë të përbashkët me “zgjedhjen” e kreut të ri të Partisë Demokratike!?…, a mos vallë dikush do të thotë se kësaj nuk i shkon ai “paralelizëm i kotë, i figurshëm dhe i paqenë”  a edhe fjalia: Një binom politik, i paqëndrueshëm dhe i rremë!?

        Pyetja e tretë: A mos vallë, zoti Sokol Olldashi (nuk) kishte të “drejtë të dyshojë” në rezultatet e dala nga procesi i votimit për kryetar të Partisë Demokratike!?…, pavarësisht se këtë e konfirmoi vetë Olldashi…, a mos vallë, ky i fundit, nga ana e doktorit, u konceptua si bir i njerkës, ndërsa Luli, si bir i nënës!? Këtë nuk e tha Edi Rama, Ilir Meta, avokat Spartak Ngjela dhe shumë politikanë të tjerë…, po as edhe unë. Se ky shkrim a ky vështrim duhej ndërtuar sot apo edhe pas kushedi sa vaktesh, ne do t’ia lëmë opinionit publik që ta kondicionojë dhe më pastaj edhe ta vlerësojë. Ndofta lexuesit me të drejtë dhe me gojën plot do të thonë se ky vështrim, i shkruar nga kjo distancë e shkurtër kohore nuk jep prova të qëndrueshme…, ndofta këtij vështrimi do t’i duhej një distancë më e  gjatë kohore me qëllim që të mos paragjykohet si i tillë…, thjesht jo të shkruhet në këtë kohë të tranzicionit gjegjësisht në këtë ndërkalim politik shqiptar. Labët kanë një shprehje proverbiale ku thuhet: “Rrëshqet guri nga mali, rrëshqet edhe truri nga insani dhe, në këtë rast, të del nami”!

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, i pa qendrueshem, i rreme, nje binom politik

NJERËZ QË GËNJEJNË NË KOR

July 20, 2013 by dgreca

Shkruan:Fadil LUSHI/ Tetovë/

Të nderuar lexues, këtë shkrim timin të radhës nuk e kam ndërmend t’ia dedikoj as politikanit, as matrapazit të mëhallës sonë, as kambistit që dikur vendndodhjen e kishte te ‘ish’-semaforët e sheshit “Iliria” të kasabasë së Tetovës, as Fejzos (të cilin Ramazani i bekuar e ka “kapur për fyti që në syfyr” dhe, që herët në sabah, i ik fiqiri)…, nuk do t’ua kushtoj as atyre që deri dje mbaheshin për të mençur, as recidivistëve të rrezikshëm politikë…, as mbretit të Babilonisë së lashtë, i cili para 3500 vjetësh pat thënë: “Qeveriseni mirë popullin se ndryshe ai çdo invazion të huaj do ta quajë çlirim”!…,nuk do t’ia dedikoj as atij “kryeplakut” gojëprishur të “mexhlisit” të katundit, i cili me një rast,  pos të tjerash, kishte thënë: ”…, për të bërë shqiptari, nuk mjafton që të kesh këllqe…, duhesh të kesh edhe koqe…, kryeplaku kishte harruar se në atë mexhlis kishte zënë vend edhe një i paftuar…, po që ky i paftuar,  pa e pyetur njeri, kishte bërë pyetjen me sa vijon: o ju burra, pa më thoni mua që k….t i kam të tredhura, ça do bëj”!??…, eh, ti çun i Kavajës, shporru që këtej…, nuk je as për Stamboll e as për Gjirokastër”!?… dhe vërtet ky “çuni” që nuk ishte gjirokastrit kishte ikur kokëvarur dhe i turpëruar! Nuk do t’ia dedikoj as atij legenit ordiner të bllokut tonë, i cili me rast e pa rast e ul pazarin politik të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit!?…, nuk do t’ia kushtoj as atij lëngaraqi që shkon pas prapanicës së urdhërdhënësit të tij për një mëditje, për një kockë a ndonjë lek…, as letargjisë së zvarranikëve, as atyre mazohistëve, të cilët kur ta “fusin ashtu pahiri”, ta thyejnë boshtin e kurrizit dhe kështu bëhesh “viktimë e kurdisur” e kësaj pune me “zarar”… dhe, në fund, nuk të mbetet gjë tjetër pos të bërtasësh: o, milet, pa më thuani se kush ma futi!?

Ti, i nderuar miku im, këtë shkrim timin nuk do t’ua kushtoj as atyre që mëtojnë pa të drejtë ta studiojnë etnopsikologjinë e fqinjëve të tyre, kurse të veten as që e njohin sa duhet, as atyre që janë të krisur e të inatosur!?…, as atyre që në “aksham të martojnë e në sabah të harrojnë”!…, as atyre që ta brohorisin emrin a edhe llagapin e fisit në kor…, as atyre që pëshpëritin qosheve në kor, as atyre që në emër të popullit dhe për popullin i bëjnë punët me dallavere, me marifetllëqe dhe me improvizime. Thjesht, këtë do t’ia kushtoj Filip Çakulit, i cili shkrimin e tij të paradokohshëm me titull “Tre fajtorë pa faj”, e kishte përfunduar me këtë paragraf: “…, e gjithë kjo të kujton historinë e atij çifti pleqsh që do të festonin 50-vjetorin e martesës së tyre. Shkuan në të njëjtin hotel ku kishin shkuar për herë të parë dhe në të njëjtën dhomë. -Është me të vërtetë shumë prekëse, thotë plaka e ekzaltuar, kjo që po përjetoj tani. Më duket vetja si në atë kohë, kur ishim të rinj. Ndjej një afsh përbrenda, aq sa gjoksi më digjet nga dashuria për ty. -Lëri moj këto budallallëqe, ia kthen plaku, dhe hiqi sisët që të kanë rënë te pjata e supës…,”!

Se sa kohë kishin ndenjur në atë dhomë plaku e plaka, se kishte pasur krevat dopio në atë dhomë dhe se ç’kishin “bërë”, Filipi, sikur “për inat”, nuk na jep shpjegime të mëtutjeshme dhe më të hollësishme…, megjithatë do të ishim “kureshtarë” ta dinim vazhdimin e kësaj vakie, sa të natyrshme, po aq edhe njerëzore, po edhe sikur Çakuli ta vazhdonte këtë tregim neve do na jepej e drejta të themi se shkrimin e ka të qëndisur me atë satirën e tij të mprehtë, të ashpër, të hidhur dhe therëse, një satirë ashtu ulur, ashtu këmbëkryq dhe rehatshëm në kryeminderin e përditshmërisë sonë, sa të bezdisshme po aq edhe “përrallore”!

Ndofta miqtë e mi të nderuar me gojën plot dhe me të drejtë do të parashtronin pyetjen se ç’i duhen këtij shkrimi gjithë këto paradigma!? Mos vallë autorit nuk i mjaftonte parashtresa nga ajo e meselesë së Çakulit, apo ndofta vështrimit në vijim mëton t’i ngjisë bisht sëpate…, mos vallë në fund ky “shkrim me bisht” do përfundojë  me “zarar dhe me hata”! Pavarësisht se si do të përfundojë e gjithë kjo, ne në këtë fabul të Çakulit, hetuam  një dozë  optimizmi te plaka dhe nuk besoj se ky optimizëm i saj ishte i rremë a i sajuar, siç mendonte plaku. Nejse, mua më duhet të them se kjo vaki e plakut dhe plakës, sikur po përsëritet këtej hapësirave politike, në veçanti në Tiranë. Një e tillë do të hetohet në kryeqendrën e shqiptarëve, ku (krye)”propagandistë” do të jenë: Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, përndryshe kandidatë a pretendentë për kryeparë a zëvendësues të Sali Berishës (në dorëheqje). Këta dy politikanë të respektuar, disa javë më parë, morën strajcat, i hodhën në krah dhe dolën të “gjezdisin” anembanë vendit për të kërkuar vota nga simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

“Thashethemexhinjtë” do të thonë sot se ato strajca janë të mbushura me optimizëm, me sjellje lavdëruese, me tolerancë, me fyerje, nostalgji dhe paksa me satirë politike si të asaj plakës së ekzaltuar të Filipit… me ide të reja, por të shkërmoqura, e të tjera ide (jo)kolektive. Në strajcat e tyre ka edhe premtime (të reja dhe të vjetra) të cilat nuk kishin “fat e vakt” që të realizohen. Në krahasim me herët e tjera, kësaj radhe vizita e Olldashit dhe Bashës në hapësirat e PD (jo në hotelet e dikurshme) është duke u realizuar paksa më ndryshe. Pretendentët për kryetar të Partisë Demokratike një gjë duhet ta dinë a duhet ta bëjnë në mend: kur të gjithë simpatizantët ulërijnë emrin tënd, dije se në kor të gënjejnë…, dije edhe atë se ata “mashtruan” një kryeministër e lëre më një politikan “axhami”!??…, ata “mashtruan a edhe tradhtuan  në  kor” pushtetin makiavelist. Dije edhe atë se nuk mund të thuash se ky milet është i marrë, ai, me filozofinë që ka, të jep ujë me shpinë të lugës…

Pleqtë mendjendritur thonë se herën e parë mund ta gënjesh miletin, herën e dytë mund ta tradhtosh, por ama herën e tretë të godet ashtu papritur, “fshehurazi dhe pamëshirshëm”! Të nderuarit në fjalë, të cilët ashtu “jerm” u shkojnë vërdallë miqve të vjetër, kësaj radhe duhet t’i kthehen mbajmendjes së tyre dhe të ndërgjegjësohen se kalaja e politikëbërjes parimore nuk mund ndërtohet me fjalor denigrues, nuk ndërtohet me akuza të paqena, me paragjykime, me optimizëm të rremë, me shpifje…, në themelet e politikës parimore nuk ka vend për “gjymtimet” e kundërshtarëve politikë, qofshin ata të jenë Edi Rama, Ilir Meta, Bamir Topi dhe të tjerë…, nuk mund t’i konceptosh si kaçakë e zullumqarë, qofshin ata të vegjël a të mëdhenj…, nuk bën! Nuk bën që atë optimizmin e tepruar për një Shqipëri evropiane ta ngjisësh në thembër të këmbës, ndërkaq atë fjalorin denigrues ta mbash në majë të gjuhës…, nuk duhet që privatësia a edhe e kaluara politike e oponentit tënd të të shërbejë si alibi për…!? Në instancë të fundit, cilido qoftë politikan  që do të veprojë kështu, le ta dijë se kurrën e kurrës nuk do të vrapojë dhe nuk do ta përfundojë atë “maratonën politike shqiptare”, po qoftë edhe i “dopinguar”!

Sa të sinqertë dhe sa të këndshëm që duken personazhet e satirës së Filip Çakulit. Sa të vështirë e ke t’i gjesh sot në politikën shqiptare!

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, njerez, qe genjejne ne kor

NJË “HAJMALI” QË PUNËVE TONA, DO T’U SILLTE MBARËSI?

July 13, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues! Për ta shkruar këtë vështrim, gjithsesi se patëm një “provokim”, i cili na erdhi nga një biznesmen turk, me prejardhje shqiptare, Ahmet Dursun, që jeton dhe vepron në kryeqendrën e Shqipërisë londineze prej para 16 vjetësh. Në motin kur u botua i ashtuquajtur Fjalor enciklopedik maqedonas, ai aq shumë qe i zemëruar, saqë në një gazetë të Tiranës botoi një shkrim, sa simpatik, po aq edhe provokues, ku, pos të tjerash, kishte thurur edhe këtë paragraf “…, akademikët maqedonas arritën, me disa rreshta, të zgjojnë historianët shqiptarë nga një përgjumje të vdekurish…,” dhe më tutje “…, keni parë a dëgjuar që ndonjë historian të udhëtojë bashkë me studentët e tij në qytetin ku u ndërtua kështjella e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe respektivisht në Manastir…, apo të shohë zbulimet arkeologjike ilire në qytetin e Ohrit?! Keni parë një historian të ftojë studentët e tij për të kaluar së bashku një natë të vetme në Bllacë…, aty pranë hekurudhës, ashtu si qindra-mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës?! Keni parë një historian, t’u bëjë thirrje studentëve të tij ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës të vizitojnë shtëpinë e saj në Shkup?! Nuk kam parë dhe as nuk kam dëgjuar!”, thotë në fund z. Ahmet Dursun.

Ne, që shkruajmë këto rreshta, do bëjmë përpjekje që shkrimit të z. Dursun, të mos i shtojmë e as të mos i heqim as një pikë a presje, thjesht do të themi se ai e ka qëlluar në shenjë. Neve që na ka zaptuar katrahura sot e gjithë ditën e Perëndisë na mbetet që pa “vullnetin” tonë, “…, të flasim shqip, të flemë shqip, të flasim jerm, të pëshpëritim qosheve shqip, të pështyjmë shqip, të fyejmë njëri-tjetrin shqip, të sëmuremi shqip, të (mos) sfidohemi shqip, të kurohemi shqip, të bëjmë seks shqip, të urrejmë shqip, të fantazojmë shqip, të shumohemi shqip, të emocionohemi shqip, të çoroditemi shqip, të inatosemi “arnavutçe”, të marrëzohemi shqip, të dëshpërohemi e të mpakemi shqip, të bëjmë politikë shqip, të bëjmë turizëm shqip, të synetohemi shqip, të luajmë kumar shqip, të ëndërrojmë shqip, të moralizojmë shqip, të premtojmë shqip, të rebelohemi shqip, të çmendohemi shqip, të vishemi shqip, të harrojmë shqip, të filozofojmë shqip, të bëjmë analiza, vështrime, kolumna dhe editoriale boshe shqip, të rrugëtojmë shqip, të (a) socializohemi shqip, dhe… së fundi, ngandonjëherë fare dhe fare pak të sikletosemi a të shqetësohemi shqip sa u përket punëve që nuk na bëjnë…”!??

Lexuesi im i nderuar me plot të drejtë mund thotë se të gjitha këto veprime gjithsesi se do t’i bëjmë shqip, nga fakti se “toptan”  jemi shqiptarë. Po edhe unë, dua s’dua, do pajtohem me këtë konstatim, por ama në më jepet e drejta edhe unë do parashtroj pyetjen: Sa ne, vërtet, rezonojmë shqip, sa bëjmë analiza shqip, sa shkruajmë shqip, sa mençurohemi shqip, sa ndërgjegjësohemi shqip, sa tolerohemi shqip, sa mëshirohemi shqip, sa bëjmë ndryshime shqip, sa vetëndëshkohemi, sa vetëkritikohemi shqip, sa sugjerojmë shqip, sa (nuk) bëhemi fener ndriçues shqip, e të tjera koncepte a nocione gjithmonë dhe gjithmonë shqip dhe vetëm shqiptarçe.

Nga sa lexuat më sipër, kushedi për të satën herë përmenda fjalën SHQIP (kjo fjalë sa e bukur, aq edhe humane), andaj le të më lejohet t’i referohem konceptit, arsimi shqip. Ju, të nderuar lexues pa tarafe (të revistës SHENJA), a mund të më thoni se nga shkon arsimi shqip. Pa më thoni, ç’drejtim ka zgjedhur kjo veprimtari shoqërore, qoftë ai fillor, i mesëm…, gjimnazor, profesional, artistik a edhe universitar!? A mos vallë, kështu siç e menaxhojmë, nuk e shembim përdhe…, a nuk e kontrabandojmë e kriminalizojmë, po edhe e anatemojmë. Pa më thoni, të nderuar mësimdhënës, prindër dhe ju që ndërtoni politikën e arsimit shqip, mos vallë nuk doni të hetoni provat e pakontestueshme sa i përket zbehjes së vlerave arsimore, zbehjes së edukimit të fëmijëve tanë, qofshin ata të përfshirë në shkollat fillore nëntëvjeçare, të mesme a ato universitare! Pa më thoni, a mos vallë neve na mungon kultura e kontrollit, kultura e përgjegjësisë, a edhe ajo e ndëshkueshmërisë…, apo jemi të etur për bashibozllëk…, për atë “kulturën” e ashtuquajtur vetëkënaqësi kolektive! Dashamirësit e arsimit thonë se kjo veprimtari, sa e shenjtë dhe po aq humane, në oborrin e saj nuk duron prezencën e armikut të popullit, nuk duron prezencën e “lolove”, a njerëzve të vetëshpallur (pseudo) intelektualë, (pseudo) pedagogë, (pseudo) doktorë shkencash, diversantë, dezertorë e tjerë!

Kësaj veprimtarie nuk i duhen mësues me njohuri “virane”, nuk i duhen mësues kampesh të diktatorëve, nuk i duhen mësues me asi njohuri të cunguara, që nuk janë as për nxënës, as për “dynja” e më pak për “ahiret”!…, nuk i duhen njerëz që u mungon lidhja organike me të, nuk i duhen njerëz që nuk janë të mishëruar me të, nuk i duhen njerëz që do të “prodhojnë diploma për (gjysmë) analfabetë”, nuk i duhen njerëz që dalin nga listat e aktivistëve politikë gjithsesi të papunësuar, nuk i duhen njerëz që do të tregtojnë me të, nuk i duhen njerëz që do t’ia vënë kazmën e… Tekefundit, arsimit shqip, sot e gjithë ditën e Perëndisë, i duhen profesionistë, njerëz mendjendritur, vetëkritikë, njerëz të përgjegjshëm, njerëz të cilët këtë zallamahi do ta luftojnë pa mëshirë dhe nëse duhet edhe barbarisht. Për këtë dhe arsye të tjera, çdonjëri nga ne detyrimisht duhet të ngritë shqetësimin kolektiv a individual. Ndryshe nuk bën.

Ky Sazani, që më “rri mbi kokë”, pos tjerash, më tha: “…, ti xhaxhi, a nuk ke durimin, guximin dhe takatin, të thuash edhe ndonjë llaf për politikën shqiptare, për ata politikanë me paterica si dhe për filozofinë e politikëbërjes së tyre të mbrapshtë”!?? Po ç’të të them, or qerrata, kur më mungojnë fjalët shqip. Ç’të të them për ata, kur të gjithë e dimë se punët nuk i kanë në terezi, ç’të them për logjikën dhe moralin e politikëbërjes sonë të sëmurë…, për politikën tonë që nuk kurohet dot kollaj, për politikën që kurrën e kurrës nuk ka marrë vaksinë kundër tërbimit a fruthit, ç’të them për politikën tonë që nuk përjashton njerëzit të cilët janë “futur” në të për të bërë biznes, për politikanët që u “futën” aty me qëllim që të dalin nga anonimiteti provincial a katundaresk, për politikanët të cilët para se të zinin vend në të, zëvendësuan opingat me “këpucët e sheshta”, për ata që ndryshuan karakterin dhe origjinën, për ata që krijuan klimë paradoksale, për ata që u bënë skllevër të korrupsionit, për ata që në çdo “mexhlis katundesh” mëtojnë të “zbërthejnë” komplekset e tyre. Në instancë të fundit, arsimi dhe politikëbërja jonë, kështu, siç konceptohen, siç llafoset a edhe shkruhen (shqip), nuk ka gjasa të kondicionohen  sot, nesër a në një kohë të ardhme. Këto dy nocione (shqip dhe politika) aq shumë të “përfolura” gjithqysh se kanë nevojë për një “hajmali” që do t’u ngjitet në qafë, vetëm e vetëm që të mos marrin mësysh. Mitro Çelo nga Tirana, dikur në një shkrim, kishte parashtruar këtë barsoletë: “Para një ruleti, të kazinosë, qëndrojnë dy mesoburra kumarxhinj. Mbajnë fishat e fundit në dorë. Dilemë. Ku t’i vendosin? I pari parashtron pyetjen: Sa herë në javë bën seks me gruan? Katër herë. Tjetri thotë: Unë një herë më pak. Pasi mblodhën numrat, vendosën 7-tën. Zari qëndroi te zeroja. Do të kishim fituar po të mos kishim gënjyer”! Të nderuar lexues, do të më ndjeni nëse edhe unë në këtë “shkarravinë” ju gënjeva.

Është një shprehje proverbiale ku, pos tjerash, thuhet: “…, kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara, po t’i biesh nga koka, ecën prapa”! A ka ky nënqiell burrë zakoni që do të godasë në kokë katrahurën, papërgjegjësinë, injorancën, hipokrizinë, arrogancën, korrupsionin a edhe fjalën tonë të shtrembëruar….? Nëse s’ka, atëherë ky vështrimi im gazetaresk le të jetë llaf bosh dhe kurrgjë tjetër.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, nje hajmai

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT