• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SEKTARIZMI QË POLLI NJË DORËHEQJE POLITIKE

July 1, 2013 by dgreca

Në instancë të fundit, këtë akt a gjest moral të z. Sali Berisha një ditë do ta vlerësojë historia e politikëbërjes shqiptare dhe jo kundërshtarët a edhe simpatizantët e tij të deridjeshëm që, ashtu padrejtësisht, ia kthyen shpinën./

Shkruan: Fadil LUSHI/

Të lexosh historinë e nocionit që llafos institucionin e dorëheqjes politike (shqiptare), nuk mjafton që të jesh politikan, historian, intelektual a diçka tjetër. Ky lexim kërkon diç më tepër, sidomos kur ke parasysh se ky koncept në spektrin politik shqiptar gjatë kohë  ka qenë një organizëm i vdekur. Se këtë do ta lexosh me syze me dioptri, se do ta lexosh me a pa tarafe, do ta lexosh mes rreshtash dhe me (jo) korrektesë dhe, së fundi, do ta lexosh me inate e me paragjykime, kjo fare pak ka rëndësi. Sot të dëgjosh një deklaratë, një kumtesë a një fjalim, qoftë ai të jetë edhe politik, nuk mjafton ta dëgjosh me vëmendje, nuk të mjaftojnë vetëm veshët. Me rëndësi është që ta kuptosh mesazhin që del nga ai shkrim a edhe nga mjeshtëria e gojëtarisë. Dhe, kur kjo nuk do të ndodhë, atëherë vetvetiu humbet raporti mes autorit dhe lexuesit, ndërmjet oratorit dhe dëgjuesit. E gjithë kjo të krijon përshtypjen se vështrimi mbetet thjesht arkaik, ndërkaq retorika do të konceptohet boshe…, ose, së fundi, është një diçka që i përngjan “thesit me kashtë”!

Në këtë vështrim timin të radhës nuk do të shkruaj për vakitë e 23 qershorit të motit 2013, nuk do të shkarravis as për fitoren e socialistëve, as për disfatën e demokratëve, as për zhgënjimin e kryeparit të Partisë Demokratike, nuk do të shkruaj as për lotët e gëzimit dhe ato të dëshpërimit, as për nocionet politike, siç janë: autoriteti, autoritarizmi (despotik), lidershipi…,“fundregjimi”. Nuk do të shkruaj as për nocionet abuzuese: stili i arrogancës politike, injoranca, diletantizmi, mendjemadhësia, diktatura, jotoleranca, egoizmi, provincializmi, egërsia…, nuk do të shkarravis as për mungesën e parimeve të lidershipëve (politikë), as për intuitën e mprehtë të votuesve që kësaj radhe ishte shumë para intuitës së elitës politike, në veçanti të atyre që deri dje kishin pushtet të pakufizuar, nuk do të shkruaj as për sharjet, për ofendimet, korrupsionin, për Gërdecin, 21 janarin e bulevardit, për fjalorin denigrues të kryeparlamentares, zonjës së nderuar Jozefina Topalli, nuk do të shkruaj as për votuesit dhe votat e tyre “…, që dikush sot me të (pa)drejtë i quan vota kopilësh, vota rospish, vota sakatësh, vota të verbërish, vota jetimësh, vota të burgosurish, vota që u shitën për lesh, vota të zhveshurish, vota të gocave të pamartuara, vota të meshkujve që nuk bëjnë seks e të tjera vota”!?…, nuk do të shkruaj për rotacionin politik që ndodhi në Republikën e Shqipërisë. Nuk do të shkruaj sepse të gjitha nocionet e lartpërmendura, lëre që “shkuan për lesh”, por pse kryekëput janë të anashkaluara, po edhe të harxhuara. Sikur edhe të shkruash këtë, ambienti publik, lëre që nuk do ta lexojë, po as që do ta pranojë si të tillë.

Historianët mund të thonë se institucioni i dorëheqjes politike daton që nga koha e qeverisjes së Ismail Qemal Bej Vlorës, kur ministri i tij, Mit’hat bej Frashëri, duke qenë i pakënaqur me rezultatet e asaj qeverie, braktisi postin që kishte. Kjo dorëheqje ishte konform natyrës së tij, sa politike, po aq edhe etike. E gjithë kjo ishte edhe një shembull a një leksion i tij për politikanët e ardhshëm se si duhet vepruar.  Ai ishte politikani i cili me këtë dorëheqje përcolli mesazhin se asnjeri nuk është dhe që as mund të jetë i abonuar për të qenë i përjetshëm në postin e lidershipit të partisë politike, po edhe në postin e kryeministrit. E gjithë kjo nderoi etikën e tij politike. Me të ikur nga ajo qeveri, ai pos që vazhdoi të bëjë punë të mençura, por edhe hezitoi ta lexojë përrallën që llafoste qëndrimet e tij politike. Një dorëheqje paksa (goxha e vonuar) më ndryshe u duk në kohën kur përfunduan zgjedhjet  parlamentare në Republikën e Shqipërisë. Këtë e bëri kryeministri aktual z. Sali Berisha. Gojëkëqijtë, po edhe ca kundërshtarë politik të tij, do të thonë se në ditën “fjalim-dorëheqjes” kinse u hetua agonia e tij politike, sa e mërzitshme, po aq edhe e sikletshme, u hetua dezertimi i tij politik, u hetua lodhja e tij, sa fizike po aq mentale…, kundërshtarët do të vazhdojnë të thonë se “fjalim-dorëheqja” ishte e mbushur plot e përplot me emocione dhe fare pak u dëgjua zëri i arsyes! Në fjalimin e tij u hetua edhe një “gafë politike a shprehje e thënë fare pa vend”!…, ai në asnjë paragraf të tij nuk fajësoji bashkëpunëtorët e tij sa ipërket disfatës së thellë që përjetoi partia e tij. A mos vallë ishte një modesti e tij e tepruar apo një modesti e rreme, a mos vallë deklarata e tij e dorëheqjes nga posti i lidershipit nuk ishte një qëndrim a shfaqje politike sektare apo edhe diç tjetër!?

Mbështetësit politikë të z. Sali Berisha do thonë me plot gojën se nëse je i paanshëm, atëherë duhet të thuash se kryeministri i nderuar dhe i çmuar, vazhdoi promovimin e idesë së institucionit të dorëheqjes politike, duhet të thuash se ai ishte politikani i radhës që iu ngjit listës së politikanëve shqiptarë që respektuan institucionin në fjalë. Sot, ta ironizosh, ta dehumanizosh, ta deemanciposh, ta nëpërkëmbësh, ta përqeshësh, ta keqinterpretosh dhe ta keqkuptosh dorëheqjen e doktorit (po edhe të ndonjë politikani tjetër shqiptar) nga posti i lidershipit të Partisë Demokratike, do të thotë ta abuzosh filozofinë dhe etikën e institucionit: braktisje a dorëheqje politike e vullnetshme (pa porosi a me urdhër). Tekefundit, ky gjykim i matur dhe ky leksion i avancuar politik i z. Berisha, ose kjo “ikje” nuk është vetëm një shprehje e lirë e tij, por është edhe një guxim politik që në spektrin politik shqiptar dhe përreth tij zgjoi kureshtje të veçantë, aq më tepër kur ke parasysh se dorëheqjet e vullnetshme të lidershipëve shqiptarë gjatë kohë kanë qenë tabu temë. Kjo dorëheqje do të rrumbullakohej sikur të ishte kolektive, gjegjësisht largim kolektiv i të gjithë atyre politikanëve që ndërtuan po edhe shembën imazhin e partisë politike në fjalë!? Se e gjithë kjo “dorëheqje” ishte histori apo çast “histerie”, këtë do t’ia lëmë ta thonë të gjithë ata që ishin dëshmitarë të asaj vakie!

Të heqësh dorë nga institucioni që e udhëheq, assesi nuk do të thotë të ndërrosh mendje, bajrak a edhe identitet. Të heqësh dorë nga institucioni nuk do të thotë se do të shkelësh mbi parimet e moralit demokratik, përkundrazi është një gjest a një akt i guximshëm dhe assesi “falimentim” politik. Në instancë të fundit, këtë akt a gjest moral të z. Sali Berisha një ditë do ta vlerësojë historia e politikëbërjes shqiptare dhe jo kundërshtarët a edhe simpatizantët e tij të deridjeshëm që, ashtu padrejtësisht, ia kthyen shpinën.

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, politike, qe polli doreheqjen, sektarizmi

FUNDAJAT E NJË POLITIKE QË E KA GABUAR RRUGËN

June 28, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI /

Këtë vështrim timin do ta filloj duke iu referuar një “vakie’ nga “vakti” i Qeverisë së Ismail Qemal bej Vlorës, ideatorit të mëvetësimit të Shqipërisë. Thonë se një shqiptar mysliman që kishte jetuar në një fshat rreth Elbasanit, kishte vajtur në Korçë për të ushtruar “profesionin e priftit ortodoks”. Pas disa muajsh, besimtarët korçarë që ishin frekuentues të rregullt të hapësirave të kishës së tyre, kishin konstatuar se “ky farë prifti” predikimin nuk e kishte bërë me përkushtim, andaj edhe e kishin larguar. Para se të ikte, “prifti” u dha korçarëve këtë përgjigje: “…, do kthehem në fshatin tim për të bërë imamllëkun”!?

Sot, kësaj “vakie” aristokratët e politikëbërjes profesionale, serioze dhe të qëndrueshme do t’i thonë: “o, do bësh punën që ke marrë përsipër, o do të shporesh nga kisha, xhamia dhe politika, o do thyesh qafën, sepse ndryshe nuk bëhet!”. Para s’e ta shpjegojmë “historinë e fundshpinës” së polikëbërjes këtu në nënqiellin e Maqedonisë “biblike” (në veçanti të partive politike maqedonase), besoj se do na lejohet që t’i referohemi një opinioni të botuar para disa ditë në rubrikën “KULTURË” të gazetës së përditshme “Panorama” të Tiranës, me firmë të studiueses dhe kritikes Persida Asllani, e cila i kishte bërë një parathënie veprës së Ismail Kadaresë, “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”…, ku, pos të tjerash, kishte cituar një thënie të moçme të Kadaresë “…, nuk kam gjuhë…thashë gati me dënesje. E ndieja që po flisja përçart. Nuk kishte gjuhë për atë që kisha në shpirt. Duhej një gjuhë tjetër. Kurse kjo, e këtushmja…, s’më bindej”!

Që lexuesit e paanshëm të këtij vështrimi të mos i vë në “huti” e dilemë, më duhet t’u them që në fillim se edhe sot, pas dy dekadash të tranzicionit (në Republikën e Maqedonisë) politik të stërzgjatur dhe të mërzitshëm, mos vallë politikanëve të Shkupit (nuk) u mungon ajo gjuhë e Kadaresë (as që mund ta kenë një të tillë, po qoftë ajo të jetë e përçart a edhe adoleshente), me të cilën do të kishin dalë nga vorbulla e kësaj katrahure, një katrahurë që ashtu pamëshirshëm e ka zaptuar “toptan” politikën e tyre këmbë e krye ”ters”…, a mos vallë politikanët maqedonas do vazhdojnë të ballafaqohen me mungesën e komunikimit të ndërsjellë…, a mos vallë politikanëve në Maqedoni (hiq mënjanë shqiptarët) edhe sot e kësaj dite “duhet t’u mungojë logjika e fakteve”, ose ajo duhet të zëvendësohet me “gjykimin a edhe çapkënllëkun fëmijëror”!?…, a mos vallë (nuk) u duhet një gjuhë krejt tjetërfare…, a mos vallë edhe pas kësaj “moshe të thellë politike”, duhet të ngelin si ata adoleshentët e dashuruar…, a mos vallë kjo dashuri e tyre në vend që t’i “faturohet imazhit të partisë politike, simpatizantëve dhe votës deliberative të tyre a edhe shtetit”, ajo “do të duhet të shkojë” në adresë të gabuar, gjegjësisht në kryeminderin e  kështjellës së dufit të tyre, sa të tërbuar, po aq edhe homerik!

A mos vallë sot e gjithë ditën e Perëndisë, politikanët maqedonas, që frymojnë këtej një cepi të Gadishullit Ilirik, nuk u bie ndërmend e kaluara e tyre e sajuar a e shkurdisur, a mos vallë nuk janë të ndërgjegjshëm se anija e tyre pa “kompas politik” rrezikohet të fundoset në ujërat e turbullta të Ballkanit…, a mos vallë nuk janë të ndërgjegjshëm s’e ditë për ditë u zbehet “emri i shtetit”, identiteti i kishës e gjuhës edhe ashtu të padefinuar a të  rremë…, a nuk u “punon rradakja” s’e shqiptarët ishin të vetmit që ua “shtrinë dorën e shpëtimit”…, a mos do të thonë se “ndihma e komuniteteve” që jetojnë përreth nesh nuk na duhet. Pse, gjithë ky inat i tyre sa i përket mosndërtimit të një komunikimi diplomatik dhe serioz me palën greke…, pse gjithë ky “dembelizëm i tyre i theksuar” ndaj  moszgjidhjes së çështjes së emrit të tyre, po edhe tonit…, pse politikanët maqedonas, sa herë që t’u teket e t’ua dojë qejfi të hidhen në lumë, aq herë edhe duhet të na stërpikin a të na lagin me ato ujëra të zeza që, siç kishte thënë dikur akademik Dervish Rozhaja, lëre që nuk mund të  shuash etjen me këtë ujë, por as nuk mund të marrësh “avdes”! Nëse ata mendojnë se vetë do të mund ta zgjidhin çështjen në fjalë, atëherë le të thonë “ashiqare”: ju, shqiptarët, në këtë “llaf-muhabet me grekët nuk keni hise”,  nuk na duheni…, pavarësisht se jeni “hisedarë në këto troje”. Tekefundit, politikanët “inatçorë” të Shkupit, duhet ta dinë se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë kohë për të pritur zgjidhjen e emrit, për faktin se edhe ata ballafaqohen me “problemet e hallet” e tyre, qofshin ato sociale, politike, kulturore e të tjera.

Një gerontolog i njohur gjerman, dikur një stërnipi të një plaku, i kishte parashtruar pyetjen se pse stërgjyshi i tij kishte jetuar shumë gjatë. Ai ishte përgjigjur shkurt: kishte shikuar punët e veta. Mos vallë kjo pyetje e gerentologut a edhe shpjegimi i atij stërnipi, nuk u hynë në punë politikanëve shqiptarë…, apo ndoshta kanë nevojë për ndonjë sqarim tjetër, po qoftë ai të jetë akademik a diplomatik. Nëse kjo përgjigje e këtij stërnipi është e saktë, atëherë ç’u duhet shqiptarëve kjo “ortakëri joparimore”, po qoftë ajo të jetë edhe diplomatike. Neve do na duhet të parashtrojmë edhe një pyetje hipotetike, sikur shqiptarët ta kishin “zgjidhur” problemin e çështjes së emrit të Republikës së Maqedonisë, mos vallë nesër apo në një kohë tjetër, diplomatët maqedonas nuk do të thoshin se këtë punë, e bëmë ne vetë!?? Mos vallë shqiptarëve, edhe pas kushedi sa “vaktesh”, u duhet t’i besojnë “ortakërisë” me maqedonasit…, a mos vallë ai “bashkim-vëllazërim” i dikurshëm nuk ua hëngri kokat shqiptarëve…, mos vallë shqiptarëve këtej ish-Jugosllavisë u mungon ajo “arkiva e kujtesës pamore e dëgjimore” sa i përket anashkalimit të të drejtave të tyre në Republikën e Maqedonisë…, ndaj akuzave për nacionalizmin dhe separatizmin shqiptar…, mos vallë kemi harruar atë deklaratën e Kiro Gligorovit në lidhje me atë “korridorin e tij të famshëm” që do të shfrytëzohej nga ana e kosovarëve të dëbuar nga trojet e tyre shekullore! A mos vallë kemi harruar vendimin e Lidhjes Socialiste të Maqedonisë që urdhëronte rrënimin e mureve të oborreve të shtëpive të shqiptarëve dhe shumë e shumë aktakuza të nënshkruara nga prokurorët e atëhershëm…, vallë nuk na etiketuan si “pllaninari, teroristi, dobar shiptar e mrtov shiptar, gasna komora za shiptari” e të tjera hamam etiketime. Të gjitha këto fyerje përngjajnë si ajo puna e atij pronarit të bordellos që sa herë kalamajtë e tij e pyesnin se si i fiton lekët, ai u përgjigjej: i fitoj me djersë, me punë dhe…, sa për pak kishte harruar të thotë se i fiton edhe me prapanicat e rospive!… A mos vallë ne nuk kemi nevojë ta rikujtojmë atë kryeartikullin e gazetës së përjavshme “NIN”, që asokohe botohej në Beograd, ku politikani i njohur maqedonas, Llazar Mojsovi (jo futbollisti i Vardarit), u tha shqiptarëve që jetonin në Kosovë dhe Maqedoni, pos të tjerash: nëse nuk doni të jetoni në Jugosllavi, shkoni në Shqipërinë e Enver Hoxhës!? Nëse kjo është “ortakëri a bashkëjetesë”, atëherë ç’na ishte dikur Tivari, Monopoli i Tetovës, Kosova e prapambetur dhe e nëpërkëmbur, ç’na ishte konflikti a lufta e “fundit” në Tanushë, në Luboten dhe… që unë nuk di ku tjetër.

Im atë dikur më thoshte: “Mos i fut hundët në çështjet e pazgjidhura të një çifti të divorcuar a edhe në punët e huamarrësve…, sepse në fund do të duhet t’ia paguash borxhin njërit prej tyre!??…, ose edhe do të jesh pjesëmarrës i këtyre mosmarrëveshjeve. Thonë se sikur “ortaku” të ishte i mirë, një të tillë do ta kishte edhe Zoti!?

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, fundajat e nje politike

“S’MË DHIMBSET GJYSHI, MË DHIMBSET BURRËRIA E TIJ”

June 25, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil  LUSHI/

Lexuesit e mi të nderuar besoj se do më ndjejnë nëse paragrafin e parë të këtij shkrimi paksa do ta personalizoj. Ka shumë kohë që motra ime gjegjësisht ajo heroina fatkeqe e gjeneratës së saj, që dikur pavullnetshëm u çatdhesua dhe u degdis në pjesën e Trakisë turke, nuk m’i lexon shkrimet. Se pse nuk m’i lexon vështrimet, me të drejtë ajo do të ketë arsyet a provat e saj. Më thotë se në vijimësi vështrimet i ke pesimiste, popullorçe dhe njëkohësisht të “qëndisura” me atë fjalorin tënd të “ndotur”! Sipas saj, lëre që ky stil i të shkruarit nuk e nderon lexuesin, por njëkohësisht abuzon rregullat dhe udhëzimet që duhet zbatuar në fushën e gazetarisë! Më sugjeron që në të ardhmen shkrimet a opinionet t’i kem më optimiste, më humaniste dhe më të drejtpërdrejta. Që ta bësh këtë, mor vëllaçko, është koha të heqësh inatet, po edhe të adaptosh një filozofi krejt tjetër fare…, sikur donte të më thotë, duhet t’u shmangesh “shkrimeve me isharete dhe me temsile”!? …, t’i mund të shkruash për vlerat tona e të tjera. I premtova se do të bëj a do të veproj siç më thotë ajo…, me gjithë faktin  që e di se ajo, nuk do ta lexojë këtë “shkarravinë” të radhës.

Unë nuk dua që ky vështrim të jetë një kopje e zbehtë  e atyre paraprake, nuk dua ta gënjej as motrën, as lexuesin, as vetveten po as nihilistët, dhe për këtë do të më lejohet t’i referohem piktorit dhe shkrimtarit kosovar, Rexhep Ferri, i cili në një gazetë prestigjioze të Tiranës, në kuadër të temës: “Na ishte njëherë fjala”, pos të tjerash, kishte shkruar edhe këto fjalë:”…, krejt në fund po ju tregoj se romanin tim të fundit e mbylla me dy vargje të një poezie që e kam shkruar vite e vite më herët: S’më dhimbset gjyshi, më dhimbset burrëria e tij. Një kafe një lirë, dy kafe një gjysmë lire”!

Ti, lexues i nderuar, nëse takati yt mental të mundëson ta zbërthesh filozofinë e këtyre dy vargjeve të lartpërmendura, atëherë të mbetet të lexosh një shkrim kryekëput pesimist.  Unë sot e gjithë ditën e Perëndisë do të parashtroj pyetjen se mos vallë  filozofia e këtyre dy vargjeve të zotit Ferri, nuk ka moral të dyfishtë, a mos vallë, mund të themi se ai nuk ka të drejtë në këtë kontekst, a mos vallë logjika e këtyre dy vargjeve nuk duket a nuk hetohet në përditshmërinë tonë, a mos vallë kjo nuk u hetua në orët e para të mëngjesit të ditës së zgjedhjeve parlamentare diku në një lagje të Laçit, a mos vallë ca militantë (pavarësisht se cilës parti politike i takojnë) nuk u futën në votime me këmbën e gabuar, nuk u futën me atë “nijetin e tyre të keq”, a mos vallë nuk kemi të drejtë, të themi se neve nuk na dhimbset hiç fare vota e viktimës përkundrejt jetës së tij…, a mos vallë nuk kam të drejtë t’i them sime motre se mendimin e ka gabim…, a mos vallë nuk kemi të drejtë të themi se jeta e një votuesi vlen një gjysmë lek!? Mua nuk më dhimbset Shqipëria londineze, sa më dhimbset imazhi i saj, nuk më dhimbset historia e saj (sa e lavdëruar, po aq e nëpërkëmbur), sa më dhimbset e ardhmja dhe standardet demokratike të saj…, mua nuk më dhimbsen recidivistët e rrezikshëm, sa më brengos ajo heshtje varri e intelektualëve…, nuk më dhimbsen lekët e humbur dhe të abuzuar të partive politike, sa më habit butaforia mashtruese e politikanëve. Mua nuk më dhimbset jorgani, më vjen inat pse e dogja për një plesht!?

Ti, i nderuar lexues, nëse nuk të bezdisa me këto “broçkulla”, do të më lejosh që këto dy vargje të z. Rexhep Ferri t’i “zhvendos” në Republikën e Kosovës, në atë vend ku edhe dolën…, në hapësirat e pas luftës kosovare, në vendin që njihet me ato katër palë histori: me historinë e robërisë, me historinë e familjes së Jasharajve, me historinë e autokracisë si dhe me historinë e protagonistit të saj, gjegjësisht të ushtarakut të UÇK-së, i cili edhe sot mbijeton me ndihma sociale, me grumbullimin e kanaqeve, me lëmoshën e njerëzve të mirë. Ushtaraku që nuk do t’i besojë “pakujdesisë” së  pushtetarëve a autokratëve, të cilët ashtu rehatshëm janë ulur në kryeminderet e institucioneve kushtetuese të shtetit…, nuk do të besojë se edhe në të ardhmen statusi i tij do të mbetet pambarimisht në mëshirën e dallkaukëve politikë…, ai nuk do të mbetet i papërfillshëm, i parëndësishëm dhe i padobishëm, së paku për familjen, për kalamajtë, për shoqërinë…, ai nuk do të “besojë” se ishte një ndër kërkuesit e lirisë së munguar të vendit. Ai nuk do t’u besojë atyre dy vargjeve të dala nga poezia e Rexhep Ferrit…, ai nuk do të besojë se bashkëluftëtarët e tij të dikurshëm, sot janë “konvertuar” në autokratë tok me familjet e tyre…, ai nuk beson se bashkëluftëtarëve të tij u munguaka vetvetja, ndërgjegjja a edhe ekuilibri moral, ai nuk do të besojë se shokët e luftës, ashtu detyrimisht dhe pavullnet-

shëm u “divorcuan”  nga idealet dhe nga e kaluara e tyre!?

Ushtaraku me paterica prej druri nuk do të shndërrohet në skllav barbari e barbarizmi, nuk do të bëhet  rob vandali e vandalizmi, në skllav bastardi.., ai nuk do të trokasë në dyert e… dhe miqve të tij të dikurshëm, ai nuk do të trokasë në dyert e miqve të tij të cilët anashkalojnë kujdesin ndaj kësaj kategorie njerëzish, të atyre që dhunojnë fjalën e lirë, në dyert e atyre që hiç nuk u ha palla…, ai nuk do të ulet pranë tryezës a tavolinës së  (mbi)populluar me sojsëzë, kulakë, kumarxhinj, me “reformatorë, liberatorë, a edhe me njerëz të përmjerrë”!? Ai kurrën e kurrës nuk do të frekuentojë hapësirat e politikanëve për të kërkuar lëmoshë…, ai nuk do të takojë njerëzit me prepotencë mendore dhe me mentalitet provincial…, ai nuk do t’i përfillë njerëzit që pështyjnë  mbi vlerat e dala nga lufta…, njerëzit të cilët e kanë për qejf që prej budallait të bëjnë të mençur dhe prej këtij të fundit të marrë, analfabetin do ta bëjnë intelektual dhe këtë të fundit lesh…, nuk do të lejojë që t’i thonë se burrëria, ndërgjegjja (po edhe dinjiteti yt) vlen një gjysmë lire, vlen sa dy kënaqe, vlen një gjysmë llaf, vlen sa një… etj.

O milet, po më thoni a mos vallë ky ushtarak dhe të tillë të tjerë si ai, nuk meriton diç më tepër, a mos vallë ai dhe ata nuk meritojnë një rrëfim a shpjegim ndryshe, a mos vallë ata nuk janë sui generis, apo në instancë të fundit duhet t’i harrojmë një herë e përgjithmonë.

William Shakespeare dikur kishte thënë: “Bekuar qoftë ai që ruan varrin tim, mallkuar qoftë ai që lëviz këtë gur nga varri im”! Kësaj thënieje të Shekspirit ushtari i UÇK-së nuk do t’i shtojë asnjë presje. Ja, pra, pse këto lloj shkrimesh dalin çapraze dhe fare pak optimiste. Është mirë të jesh “dhëndër i engjëllit”(!???)…, ai t’i fshin mëkatet, por, po deshe, edhe t’i shton “sevapet”!?

Ime motër e dashur, të fala nga Vatani!

 

 

Filed Under: Featured, Komente Tagged With: Fadil Lushi, s.me dhimbset gjyshi

PATRIOTIZMI QË VUAN NGA “PROSTATA”

June 21, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për nocionin e patriotizmit e jep këtë shpjegim: Dashuria për atdheun e për popullin e vet dhe gatishmëria për t’u shërbyer atyre me besnikëri, ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit të vet: atdhetari. Patriotizëm i flaktë. Patriotizmi popullor. Patriotizmi i masave. Patriotizmi i rilindësve tanë. Ndjenja (shprehja) e patriotizmit etj.

Njohësit e shkëlqyeshëm të rrethanave politike do të thonë me plot të drejtë dhe me gojën plot se në Ballkan sot patriotizmi është bërë nocioni më i përfolur, më i shtrembëruar dhe më i konsumuar… dhe, në instancë të fundit, është shndërruar “… në patriotizëm artistik, në patriotizëm lokal, në patriotizëm patetik, në folk-patriotizëm, në pseudopatriotizëm, në shovinizëm, në nacionalizëm të rrezikshëm dhe të vrazhdë, në stoli a salltanat, në marrëzi, në sulltanat, në hipokrizi, megalomani, në plagjiaturë politike dhe toptan në patriomani”!

Për të mos i ngatërruar e për të mos i keqinterpretuar parashtesat ose edhe prapashtesat që i ngjiten nocionit në fjalë, do të na duhet (nëse na lejohet) t’u referohemi ca vakive që hetohen në përditshmërinë tonë politike. Sot, me patriotizmin (me pseudo-standarde) shërbehet gjithsecili, pa dallim në është intelektual, mësues, bujk, fshatar, qytetar, katundar, kurbetçi, marangoz e të tjerë njerëz profesionesh të ndryshme (hiq mënjanë patriotët e mirëfilltë). Këtë nocion më së shumti do ta konsumojnë a edhe do ta “kondicionojnë” politikanët dhe njerëzit që nuk arrijnë dot kollaj të ndërtojnë vizione dhe vlera të mirëfillta, qofshin ato morale dhe materiale. Dhe, kështu siç konceptohet a shpjegohet ky nocion, duket thjesht si një anije tregtare që është ankoruar në një port të lanë pasdore…, perceptohet si një grumbull hekurishtesh të ndryshkura, si një ashensor i prishur, a tekefundit si një patriotizëm pa personazh.

Tani në vigjilje a në pritje të 23 qershorit të motit 2013, gjegjësisht në kuadër të fushatës zgjedhore gjithsecila parti politike që vepron në Republikën e Shqipërisë, kanë filluar të bëjnë “gjurullti të tmerrshme dhe të padurueshme”, sidomos partitë politike që e humbasin ekuilibrin (politik). Në këtë fushatë gjithsecili e përdor atë patriotizmin patetik a lokal, atë patriotizëm që përdoret vetëm për konsum ditor, për një racion ushqimi e të tjera përdorime. Do ta përdorin atë në kërkim të votës deliberative të popullit, në kërkim të një vote që do të shkojë në “konton” e kandidatit për deputet, në “konton” e partisë politike, në “konton” e pushtetit dhe pushtetmbajtësit makiavelist, në oborrin e korrupsionit dhe më pak në “konton” e mirëqenies së shtetit.

Patriotët e paktë, por të njëmendtë, do të thonë ndër dhëmbë: “…, mos votoni arkaizmin dhe anarkinë e letargjinjve dhe dallkaukëve provincialë, mos votoni metodën e blerjes së votës, mos votoni njerëzit që ushqejnë gjakmarrjen ata që shtrembërojnë  dhe klandestinojnë Kanunin…, mos votoni puritanizmin dhe neveritjen, mos votoni Rrugën e Kombit (të papërfunduar) që kalon përreth fshatrave të braktisura e që janë lënë në mëshirë të natyrës dhe Perëndisë.., mos votoni sloganet metaforike a parullat e zbrazëta e mashtruese, mos votoni ofendimin, arrogancën, skenarët e paranojave, mos votoni “idenë një pasaportë për gjithë shqiptarët…”!? Patriotët e mirëfilltë do të vazhdojnë të thonë: “ votoni realitetin, votoni të nesërmen, votoni vlerat, votoni dijen, votoni arsyen, përgjegjësinë, ndërgjegjen kolektive, largpamësinë, dinjitetin, votoni miletin e mërzitur dhe të bezdisur, votoni sfidat objektive dhe të tjera sfida”!

Politikanët dhe patriotët e “vegjël”, sa herë që do të “hetojnë” se të “tjerët” do t’u bëjnë hile, aq herë do të “aktivizojnë” patriotizmin e tyre patetik, lokal, folklorik, sezonal dhe “vullnetar”! Edhe këta “patriotë” në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare do të ulërijnë a edhe do të bërtasin duke thënë: “O ju shqiptarë nihilistë, që jeni pasardhës të të madhit Skenderbej, të Abdylit, të Naimit e Samiut, më votoni mua, ma votoni partinë time, votoni ardhmërinë, votoni Zhvillim-Përparimin, votoni alternativën e zhvillimit të ekonomisë, bujqësisë, arsimit, fshatit e të tjera alternativa…, votoni shkopin magjik, votoni idenë e bashkimit të trojeve shqiptare, gjegjësisht Shqipërinë natyrale, votoni dyzimin, votoni gënjeshtrën, votoni premtuesin dhe premtimet, sepse ju ato i meritoni, votoni lekun për lekë, votoni vendin e punës, votoni varfërinë, votoni diplomat universitare të fabrikuara, votoni gënjeshtrën, votoni utopinë, votoni retorikën tonë boshe a së fundi edhe të rreme…, e të tjera votime (jo) deliberative”!??

Të nderuar lexues të mi pa tarafe, pa më thoni kush mund të jetë ai fukara, student,  pensionist, ish i përndjekur dhe i dënuar politik a edhe i papunësuar që do e shes votën për ato lekë, kush do të jetë ai që për një grusht lekësh do ta shes dinjitetin e tij. Besoj se gjithsecili do të thotë: “…nuk i duam lekët, pavarësisht se të kujt janë, nga vijnë dhe çfarë ere kanë”! Të shpresojmë se 23 qershori i motit 2013 për qytetarët e Republikës së Shqipërisë do të jetë një ditë feste, një ditë e shprehjes së lirë, një ditë ku gjithsecili do të shprehë vullnetin e tij. Dhëntë Zoti që shqiptarët këtë ditë të shenjtë të mos e shndërrojnë në një ditë nervozizmi, në një ditë shqetësimi, në një ditë ku fjalia më e përfolur do të jetë ajo me sa vijon: “O milet pa brekë (M. Kuteli), voto katrahurën, voto papërgjegjësinë kolektive, voto çallëmin dhe çallëmxhiun, voto çanaklëpirësin, diletantin, hajdutin dhe hajdutërinë”!??

Winston Churchill dikur kishte thënë: “Në kohë paqeje, patriotizmi është streha (e fundit, nënvizim ynë) e maskarenjve”.

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, nga prostata, patriotizmi, qe vuan

“LUTJET E MËNGJESIT” DHE “MYSAFIRI” I PAFTUAR

June 5, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Lexuesit e mi të nderuar do të më ndjejnë nëse titullit të vështrimit tim të radhës do t’i bëj një retrospektivë të shkurtër, me qëllim që t’i ndërtoj një lidhje logjike me përditshmërinë tonë. Unë që kam këtë moshë mentale e fizike, gjithsesi se kam leken që të respektoj institucionin ‘mendim ndryshe’ dhe rrjedhimisht të ndërroj mendje…, por jo edhe veset, lëkurën e huqet. Retrospektiva e shkurtër e titullit të këtij opinioni a vështrimi gazetaresk mund të ketë këtë shpjegim: “Thonë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjegjësisht në Uashington, të martën e parë të muajit shkurt, në hotelin Hilton organizohet për çdo vit ceremonia a takimi tradicional “Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve-National Prayer Breakfast” (që nga viti 1980, mbështetur a me një vendim të Kongresit Amerikan nga viti 1970), ku marrin pjesë shtetas, diplomatë, kryeministra, presidentë nga më shumë se 100 vende të botës. Bartës i këtij evenimenti është presidenti i shtetit…, ndonëse  në këto aktivitete nuk përfshihet drejtpërdrejt Shtëpia e Bardhë. Historia thotë se ideator i këtij evenimenti është norvegjezi Abraham Vereide, përndryshe pastor i kishës protestante, i cili në moshën 21-vjeçare ishte shpërngulur në Amerikë”!

Në ceremoninë a takimin e parë të Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve (të atij moti) liderët politikë kishin diskutuar çështje të moralit të denigruar amerikan, papunësinë, ndërgjegjen nacionale, korrupsionin, si dhe çështje të tjera sociale. Në vitet e mëvonshme, në këtë eveniment u nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe burrështetasit e Gadishullit Ilirik. “Ndoshta” pjesëmarrja e tyre është një përvojë më shumë për ta si dhe për qytetarët që i përfaqësojnë. Në një përvojë të tillë u përfshi edhe Republika e Kosovës respektivisht kryeqendra e saj. Kjo u konceptua si “Lutjet e Mëngjesit” (!??)…, ku morën pjesë liderë partiakë, presidentja e Kosovës, prijësit e komuniteteve fetare, kongresistë amerikanë, biznesmenë kosovarë dhe mysafirë të  tjerë. Në “Lutjet e Mëngjesit”, mori fjalën edhe kryetarja Atifete Jahjaga, e cila tha edhe këto: “Kosova sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Është model se si funksionon një shtet shumetnik dhe si shembull konkret se si diversiteti është vlerë e një shoqërie…” Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha: “Me marrëveshjen Kosovë-Serbi nuk ka humbës. Me të fitoi paqja, fituan popujt e të dyja vendeve, fitoi Kosova, fitoi Serbia, fitoi rajoni, fitoi BE-ja, investimi i saj…“ (!??)

Këto prononcime “nuk ka njeri që do t’i kontestojë”. Se në kuadër të evenimentit në fjalë (nuk) u organizuan lutjet e mirëfillta, mua nuk më jepet e drejta që ta diskutoj a së fundi edhe ta hetoj, aq më tepër kur ke parasysh se evenimenti në fjalë ishte një kopje tërësisht e zbehtë, e dalë nga “Mëngjesi i Lutjeve Kombëtare” (amerikane). Se në “Lutjet e Mëngjesit të Prishtinës” (dyditore),  (nuk) u prek a nuk u llafos fenomeni i tolerancës ndërfetare te shqiptarët, edhe kjo nuk më vë në “siklet”…, se në “Lutjet e Mëngjesit” nuk u prek çështja e varfërisë tej mase që ka zaptuar gati çdo qytetar të Kosovës, edhe kjo nuk do të na “interesojë”, por ama të mos i kthehesh “logjikës së retorikes” të kryeministrit, do ishte vërtet jokorrekte. Në gjithë atë “fjalim a lutje” të mos prekësh çështjen e të humburve kosovarë, është jashtë çdo logjike të  shëndoshë…, të mos përmendësh shpirtrat e njerëzve të cilët Kosovës ia sollën lirinë e munguar, është njësoj sikur të bësh namaz pa avdes…, të mos thuash asnjë fjalë apo edhe të mos bësh një lutje paksa më të veçantë për nënat kosovare, është njësoj sikur të thuash se ato nëna më kot (sot e kësaj dite të Perëndisë) bredhin maleve të Kosovës, në kërkim të një guri për një varr të humbur të birit a bijës së saj…!? Të mos thuash asnjë fjalë a të mos bësh një dua për ushtarakun, i cili mundohet të lëvizë me ndihmën e patericave (të dhuruara nga një organizatë bamirëse a edhe joqeveritare), është njësoj sikur t’i thuash: “ç’të të bëjmë se ke lindur i dehur dhe i marrë”. (!???)

A mos vallë në “agjendën” e kësaj “Lutjeje të Mëngjesit” të Prishtinës nuk kishte vend të diskutohet problemi i papunësisë, çështja e ekonomisë kosovare, që të duket si një i sëmurë që nuk kurohet dot kollaj. Pse në atë “Lutje Mëngjesi” nuk u tha një llaf serioz për korrupsionin që është ulur ashtu këmbëkryq dhe rehatshëm në çdo cep të Kosovës…, pse nuk u tha asnjë fjalë për ca politikanë të korruptuar dhe për moralizimet e tyre të mërzitshme, të kota dhe mbi të gjitha të thata! Po, të nderuar lexues, këto fjalë thuhen troç çdo mot në “Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve të SHBA-ve”… dhe, nëse kjo është e vërtetë, atëherë ç’i duhet ky shtrembërim “Mëngjesit” të Prishtinës, aq më tepër nëse ke parasysh se ky “është një shembull” i bartur nga kultura amerikane! (ky shembull a  kjo kopje nuk të bën vetvetja, nuk të bën as amerikan e as evropian…, nuk të bën të mençur, thjesht të detyron të ndërrosh lëkurën, fytyrën, mendjen e bajrakun). Në instancë të fundit, a mos vallë, kështu siç u organizua ky ‘Mëngjes’, nuk është një gënjeshtër e radhës e politikanëve, a nuk është iluzion a edhe produkt i një zhgënjimi për qytetarët e rëndomtë të Kosovës… pse vallë në ditën e “Lutjeve të Mëngjesit” nuk u “dëgjua” së paku një gjysmë fjale për shqiptarët e Luginës, a edhe një çerek fjale për shqiptarët e Malit të Zi dhe atyre të Maqedonisë!?… Ç’u duhej njerëzve të atij evenimenti ta çarmatosin (pa)përgjegjësinë, qoftë individuale a kolektive… Ç’u duhej të çarmatosen nga historia dhe trashëgimia e tyre… A mos vallë rendi i ditës i kësaj ceremonie ishte shkruar në “defterin e bakallit nga Tavuk Bahçeja” e Prishtinës!??… A mos vallë prezenca e politikanëve dhe biznesmenëve kosovarë duhej të kuptohej vetëm si çallën, apo edhe si një rast i veçantë në jetën e tyre, për t’u takuar e për t’u fotografuar me politikanë a edhe me kongresistë amerikanë dhe…,  hiç tjetër.

A mos vallë ky eveniment për ca politikanë kosovarë (hiq mënjanë ata të Vetëvendosjes) (nuk) ishte një rast i veçantë që duke tundur “tespihet” të llafosin  folkpatriotizmin, provincializmin dhe politikën e tyre katundareske. Një politikan kosovar gjegjësisht një opozitar i rebeluar disa kohë më pare kishte mëtuar të merret me teologji. Pos të tjerash kishte parafrazuar historinë e krijimit të natyrës si dhe  historinë e Havës dhe Ademit!? Kishte parashtruar pyetjen se pse Perëndia ca njerëzve u “dha” varfërinë e ca të tjerëve pasurinë e mendjes. Miqtë e tij thonë se asnjëherë nuk mori përgjigje nga që kundërshtarët e kishin vënë në gjumë…, gabimisht i kishin dhënë ujë të ftoftë për mendjen e tij të vakët!?

 

 

 

Filed Under: Komente, Opinion Tagged With: Fadil Lushi, Lutjet e Mengjesit, mysafiri i paftuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT