Shkruan: Dr Fatmir Terziu/Londer/
Libri më i suksesshëm i pas luftës së Kosovës, ndoshta më i veçanti i këtij lloji, “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” i autorit Pr. Dr. Nusret Pllana, ka dhe një arsye tjetër të jetë më i ndjeshmi. Është i tillë, jo thjesht si dokumentim, as edhe si një memorje e trishtë, por si një ftesë globale në këtë dimension logjik për diskursin e luftës. Ka një histori të luftërave që bëhet më pas një histori kujtese. Dhe kjo ndodh në tërë dimensionin diskursiv që mbart arsyen e përcjelljes mes mbishkrimeve në rreth shtatë gjuhë të ndryshme, edhe pse gjuha e fotografisë ka vlerën e saj më të madhe. Në këtë shkrim shqyrtimi i retorikës vizuale të këtij libri dhe një tjetri me temë akademike “Nato dhe intervenimi në Kosovë” kanë një kapërcim mediatik dhe ndjehen të arsyeshëm në mjedisin e një diskutimi logjik, ku përfqësimi dhe imazhet në cilësimin e fjalëve kanë më shumë se sa një mesazh. Të dy tregojnë për atë rezistencë dhe për atë mbijetesë. Fotografitë kanë gjuhën e tyre, po aq sa edhe të thënat e të pathënat, me syrin mjeshtëror të Profesor Pllanës. Por në planin transmetues pyetjet janë në kalibrin tjetër. Çfarë tregojnë fotografitë? Çfarë bëjnë këto fotografi të sugjerojnë në lidhje me legjitimitetin e veprimeve të pushtuesve dhe atyre që bënë ato masakra?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve mjafton të shfletosh me durimin dhe guximin më të madh mbi gjashtëqind fletët e një formati të madh e të rëndë të librit “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”. Për mbledhjen e të dhënave ka qenë vetë aktiviteti i përkushtuar i luftëtarit Pllana, por edhe arsyeja e tij akademike për të bërë globale një memorje që s’duhet të shuhet. Periudha që pasoi dhe që pason atë periudhë është edhe një kronologji akademike në të dy librat. Rrënjët janë kudo dhe memorja flet.
Para se të diskutojmë për imazhet fotogazetarske të realizuar nga vetë autori në më të shumtën e rasteve, por edhe të mbledhura nga një ekip që drejtohej dhe ideohej prej tij, duhet të flasim në lidhje me vlerën e lajmeve dhe mesazheve të tyre.
Disa prej fotografive në korpusin tonë janë ato imazhe të rralla dhe tronditëse të momenteve ekstreme. Ato janë zakonisht të ndjeshme, të kualitetit të dobët në disa raste, framuar në mënyrë të keqe e të fokusuara si në terren lufte e në viktima, të vështira për tu parë nga të gjitha moshat. Mjaft janë si vetë kohë lufta dhe realizimi me kamera vëzhgimi. Por ato janë jo thjesht mes faqeve të librit, janë duke lëvizur kudo ku ai krim u bë dhe ngado nga ato duar u zgjatën e bënë krimin.
Jo më kot para publikut londinez, Profesori James Pettifer, historiani i dalluar britanik dhe njohësi i mirë i Ballkanit, theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve në funksion të prezantimit të së vërtetës. Kjo e vërtetë që vjen nga diskursi i fotografisë së luftës. Kështu promovimi në Londër i kësaj vepre madhore publicistike dokumentare: “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999” dhe filmit dokumentar: “Rrugëtimi i një libri nëpër botë” të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana, solli arsyen diskursive në një mjedis të ndjeshëm akademik, ku ishin mjaft personalitete akademike si Stephanie Schaëandner-Slevers dhe James Pettifer etj. Diskursi fotografik i këtij libri i cili dokumenton krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga regjime të ndryshme serbe përgjatë historisë u bë në ambientet e Regent’s University. Promovimi u organizua nga Ambasada e Kosovës në Londër në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe.
Ambasadori Greiçevci e vlerësoi punën e palodhshme të autorit në evidentimin e të kaluarës së hidhur dhe tragjike të kombit tonë. “Dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të luftës nuk duhet të mbetet vetëm përpjekje akademike, por edhe obligim për të gjithë ne për të mirën e gjeneratave që do të vijnë. Siç thotë një thënie e urtë, ata të cilët nuk mësojnë nga e kaluara, e kaluara u përsëritet”, pohoi ambasadori Greiçevci. Të pranishmëve u folën edhe Ambasadori i Shqipërisë në Mbretëri të Bashkuar, Mal Berisha, dhe Talat Pllana, kryesues i Bashkësisë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe.
Në fjalimin e tij enkas për librin që për herë të parë po shpalosej para publikut londinez, historiani i dalluar britanik dhe njohësi i mirë i Ballkanit, James Pettifer, theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve në funksion të prezantimit të së vërtetës. Puna të cilën z. Pllana e ka bërë, tha Pettifer, është mënyra më efikase për t’iu kundërvënë përpjekjeve për rishkrim të historisë. Të pranishmit patën rastin ta shohin edhe një dokumentar që paraqiste rrugëtimin e këtij libri nëpër kryeqendra të ndryshme të botës. Në fund të promovimit, autori foli për rolin dhe rëndësinë e dëshmive dhe të dhënave të përfshira në librin e tij, si dhe paraqitjen para audiencës ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai falënderoi organizatorët e këtij promovimi, si dhe të gjithë pjesëmarrësit.
Të dy librat e autorit, dokumentari dhe fjalët e këtj evenimenti sollën në skenë me të madhe një arsye të rëndësishme për orët e historisë shqiptare të Kosovës. Orët e historisë shqiptare të Kosovës mes këtij diskursi folën me një gjuhë globale, atë të respektit dhe kujtesës ndaj asaj që ka ndodhur për të mos u rikhtyer e për të mos harruar.
Hije e “rëndë” të “Blirëve të Pejës”
Romani “Blirët e Pejës” të Fatmir Terziut/
(esse)/
Nga Përparim Hysi/
Sado pak i “lodhshëm” për mua që të qëndroj paksa gjatë në poltronin para kompjuterit, por, në fund të fundit, ia vlejti. Ma kish dërguar qysh në “llixha” me postë e elektronike, Fatmir Terziu, romanin e tij të fundit, por nuk më premtoi aq koha për t’u marrë me të. Kur u ktheva në Tiranë, zura që të “hipja” në këta “Blirët e Pejës”. Zura të hipja dhe tek, sa “zbrisja”, zura të “rihipja” sërish. Dhe kështu: hip e zbrit dhe zbrit e hip, pothuajëse, u “lodha”. Për t’u “çlodhur”, u shtriva nënë hijen e madhe të këtyre blirëve dhe, për çudi, hija e tyre qe e “rëndë”. A kini provuar që gjatë gjumit, sa zgjoheni, ndjeni një trysni, pesha specifike e sëcilës, është tepër e rëndë? Kështu ndodh me çdo lexues që tenton që t’u ngjitet këtyre blirëve historikë të Pejës.
Pyetjes se përse ndodh kështu, nuk është aq e lehtë që të përgjigjesh. Se autori nuk ka shkruar një roman ku ngjarjet të trajtohen vetëm artitikisht dhe aq? Jo. Përkundrazi: tek hipën e zbritën në këta blirë, has në një mori ngjarjesh edhe rrethanash. Sado që autori nuk shkruan me apriori, por bazohet në një ngjarje reale të vitit 1936 ( pothuajëse në qiejtë e Evropës dhe botës po ravijëzohen re të zeza që sollën luftën e dytë botërore). Hasë në një ngjarje dramatike, por Terziu nuk është kronikan apo gazetar që vetëm ndal tek ngjarja. Jo. Ai, si një investigues serioz, kërkon jo vetëm të tregojë, por dhe ta formojë lexuesin: me shkakun dhe me pasojat. Në fund të fundit, në optikën time, Fatmir Terziu na ka dhënë një roman jo vetëm artistik, po dhe me vlera të tjera aq të çmuara sa nuk ke pse bën sikur nuk e vë re.
Evidentimi i këtyre vlerave, siç mendoj unë, është në radhë të parë objekt i kritikës së mirëfilltë letrare, por, ndërsa kritika e mirëfilltë letrare në gjithë “kontinentin letrar shqipfolës e shqipshkruar” i ngjan atij gjumit dimror të ariut (pra: më shkoqur fle gjumë), unë do mundohem të jap opinionin tim rreth romanit “Blirët e Pejës”.
* * *
Fatmir Terziu është krijues disaplanësh. Gjeografia krijuese e tij është aq e gjërë, sa nuk është fare e lehtë që ta hedhësh në “hartë”. Sikur në këtë “hartë” të përdorësh simbole ngjyrash, këto simbole nuk dalin. Nodh që mbarohen “ngjyrat” dhe “peneli” të mbetë në dorë. Ndodh kështu se Fatmri Terziu lëvron edhe prozën, edhe poezinë. Siç di të shkruaj me lehtësi një tregim, po aq lehtësi ka për të shkruar një poezi.
Di të shkruaj një novelë, por dhe një roman. Sa lehtë e ka për një poezi, po aq mund të shkruaj një poemë. Di të shkruaj si gazetar, po aq mirë di të bëj dhe një skenar apo një dokumentar (sidomos me metrazh të shkurtër). Si kritik letrar është për mua në hierakinë e Kritikës Letrare Mbarësshiptare! Nuk dua të flas për të, si erudit e me formim të tillë sa ka arritur statusin e Akademikut. Dhunti të tilla atij nuk i kanë rënë nga qielli, por në optikën time (gjithmonë i hamendësoj gjërat si nga fshati, se fshatar jam), ai më ngjetë me atë kaun punëtor që kur një ditë e pyetën: se pse e kish qafën aq të rrjepur, u përgjigj: – Se zgjedhën e mbaj vet. Edhe Fatmiri “zgjedhën ” e ka mbajtur vet dhe ky njeri me kaq atribute, në dijen time ( qofsha unë i gabuar), nuk di të jetë vlerësuar ashtu siç meriton. Kur shkruaj kështu, kam parasysh se kam parë lloj-lloj vlerësimesh të pamerituara, sa zënë e më fryhen mushkëritë aq sa mund të pëllcasë. Është njësoj që në një pyll lisash, të barazosh lisat me shkurret. Po. Po. Shkurret kanë marrë lartësitë. Dhe ky “inflacion antivlerash” ka marrë aq lartësi, sa nuk iu lë gjë mangut atyre “diplomave fallco” të univeriseteve që shesin e blejnë si sharlatanë të vërtetë , dëshmi e një kazme gjigande që i bëri gropën arsimimit e kulturës. Por të heqësh petet e një lakrori të tillë nuk është objetkti i kësaj essesë sime modeste. Në u ndala paksa gjatë,e bëra se dua që haka të shkojë tek i zoti. Shkurt: Fatmir Terziu meriton nga të parët që t’i fitojë ato atribute që janë bërë sikur nuk i kanë vënë re.
Fatmir Terziu është investim me vlera deri tani të mohuara. E, sa për mua, me që po ndalem pak gjatë, them se kushdo që investon vetëm me nismën e vet në fushën e letërsisë, kuturës dhe artit, duhet vlerësuar. Gjeografia e investuesëve të tillë është e gjërë dhe shtrihet në të gjitha anët e globit. Pa shikoni se sa “Website” janë hapur dhe administrohen, pa qenë i zoti që t’i lakoj të gjithë, unë mendoj se misionarë të kulturës, letërsisë e shtypit si: Agron Cami në Amerikë, Fatmir Terziu e Gëzim Marku në Angli; Skënder Buçpapa në Zvicërr; Paul Tedeskini në Itali, Ajet Nuro në Kanada. Petraq Pali në Amerikë ,Preng Jaku e Rush Dragu në Amerikë e për mos vazhduar me të tjerë, patjetër që duhet të jenë në optikën e vlerësimeve të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës.
* * *
Pse ndalem tek “Blirët e Pejës”? Ndalem me këtë roman jo se si temë qëndrore e tij është një dramë alla kanun, por ajo që i jep vlera të epërme romanit është fakti investigues i autorit: cilat janë shkaqet që ndodhi kjo dramë dhe kush janë autorët në sipërfaqe dhe në të. “Loja” gjakësore, potuhuaj, zhvillohet në “kuinta”, në surdinë: pas perdeve. Aty, pas perdeve, autori kthehet në një Shorllok Holms mitik. Hulumton dhe zhbiron. Gjurmët të çojnë në “qelë”. Jo në atë “qelën” e kishës ku rrëfehehn besimtarët, po në atë “kupolën” shtetërore ku bëhen plane ogurzeza për të shfarosur e dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre. Kjo është merita e autorit. Vrasja e vëllezërve Brahimoviç dhe e motrës së tyre, Zade, nga ana e Suloviç e Co…., nuk është aq sinjifikative për këdo lexues që njeh sadopak ato “nene” të Kanunit që, ndonjëherë, “lexohen” dhe zbatohen anapolla. “Banja e gjakut”, po të shprehem kështu, sado që ka përngjasim me ato tragjeditë e Shekspirit, e rrit densitetin e saj duke kërkuar shkaqet. Këto po: janë rrënqethëse. Lexo aty dhe gjithë “shpura” me hetues, gjyqtarë, prokurorë e njerëz të “drejtësisë” është e mbushur me sërbë që duan si e si të vërtetat të humbasin mjegullave. Dhe vërtet që kështu ndodh. Por Fatmir Terziu nuk e kthen veprën e tij në një “pastë të thatë”. Se si autor, futet tutje në “surdinë” e pas “perdeve” dhe ta jep në pëllëmbë të dorës atë që fshihet: as ka rëndësi në cilin hotel apo kafene ku përgatitet “skenari”, por ti, pasi lexon, shikon açik: luftohet për ta shpopulluar Kosovën (një formë: duke blerë tokat e kosovarëve nga sërbë). Ky mision i kamufluar i shtrin panxhat deri në jug: në Sarandë. Rush Dely, ky gjasme agronom, u shkruan atyre në Beograd: “… kujdes, se këtej nuk asht si në veri…”.
* * *
E lexon romanin dhe ndeshesh me një fakt historik. Marveshja Zog-Pashiq në 1924. E shkruar e zezë mbi të bardhë kjo marveshje, tregon se sa në thellësi ka hulumtuar Terziu kur e ka shkruar romanin. Majfton të presësh ca faqe të kësaj dëshmie ogurzezë dhe të vesh e ta vendosësh jo më larg, po përmbi bustin aq të “merituar” të Zogut që njihte, tjetërsimin e pavarësisë së Shqipërisë në favor të Pashiqit e Co dhe. veç kësaj, edhe të Kishës së Pavarur dhe kulteve të tjera.
Nga ana tjetër, Fatmir Terziu, duke patur një formim goxha të lakueshëm, zë dhe hamendëson në roman, edhe në një fushë paksa të njohur, siç është filozofia. Aludimet në roman përmjet Sokratit, Aristotelit, Platonit dhe duke zbritur ca më afër me Ajnshtajnin e Zhan Pol Sartrin, flasin për një penë që nuk shkruan revan. Mshimi që i bën asaj thënies proverbiale të Sartrit që armiku është “Tjetri”, është shumë domethënës. Aq është marrë me këtë “risi” në roman, sa, ndonjëherë, autori bie në “grackën e dijeve të veta”. “Harron” se me kë i shkëmben batutat filozofike ( kam parasysh batuta dajo-Suleviç, ku lakohet Aristoteli).
Ka dhe diçka që nuk dua ta lë pa nënvizuar: nga romani mund të mbushin “trastat” plot të gjithë ata që qëmtojnë për doket e zakonet tona. Riti i lopës apo i bletëve që zë vënd në roman, dëshmon për një hulumtues të mirëfilltë në ritet e herëshme. Dhe me Terziun nuk është herë e parë që ndodh kështu. E kam hasur tek ai atë ritin për korbat tek “Grykës” apo atë të kaut. Pra, është ndryshe. Fare ndryshe ky roman i Terziut. Aty sa ka art e letërsi, ka dhe histori e gjeoografi. Po ka dhe filozofi. Ka dhe dhimbje. Të gjitha këto nuk janë pak që mos ia zbukurojnë ballin autorit.
Duke përfunduar, i uroj atij krijimtari të mbarë!
Tiranë, 29 gusht 2014
“Humnera’ që marin dritë nga vlera e penës së Vranarit
Kritika e novelës “Një mall i pashuar”/
Nga Dr. Fatmir Terziu/
Fillimi i këtij viti (2013) të gjithë dashamirësit e letërsisë shqiptare i ndoqi bashkë me urimin edhe surpriza artsjellëse e shkrimtares, Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Mjeshtër i Madh”. Fragmenti i I-rë nga novela “Një mall i pashuar” erdhi në syrin e lexuesit pikërisht mes “Fjala e Lirë” si një shtesë në urimin dhe zemrën e madhe të shqiptares që tashmë i mëshon penës pëditë e më shumë të arrijë majat e letrave. Ashtu si shkrimtari Alexander Solzhenitsyn, tek romani i tij “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviç”, (1962), të cilin e publikoi në fillim në Tetorin e vitit 1962 tek Revista letrare, “Novy Mir” (Bota e Re) edhe shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhirraj, e filloi botimin duke e ndarë atë mes miqve krijues të “Fjala e Lirë”, një novelë që e kishte shkruar që në Tetorin e kaluar. Dhe ndoshta jo më kot ajo e nisi këtë fragment me siparin e jetës ku citon se “Jeta është një nga mrekullitë e Universit, që i është dhuruar botës humane nga Hyu. Veçse për ata që nuk e kuptojnë sa duhet dhe si duhet trajtuar, ajo ngelet e huaj si herioglifet kineze, që i përkasin vetëm gjuhës së atij kombi…”
Dhe kështu fragmenti dhe ata fragmente të novelës, që pasuan më pas ndoqën një ritëm në rritje të ndjeshme të gjuhës, stilit, fragmentarizmit letrar, pasurimit didakt të mesazhit, krijimit të veçorive tipike të një shkrimtareje që di të rritet duke sfiduar çdo gjë. E ulur në fronin e artë të letrave shqipe, tashmë Vranari ka në kryet e saj misionin e qartë që mes kësaj novele të depërtojë edhe në skuta të tjera të pashkelura disi më parë. Janë pikërisht ato skuta që errësojnë lirinë vetiake që sipas aurores është pikërisht ajo që duhet kuptuar se “Liria vetjake është hyjnore. Në këtë përcaktim nuk nisem se ajo arrihet me urdhër të Zotit, por e di mirë se diçka mbinjerëzore, që është shumë më e thellë dhe kushton shumë më shtrenjtë se liria kombëtare. Duke mposhtur veten, ajo qëndron më lart se vet qenia e tij. Madje është kjo pavarësi e ndërgjegjes që ndikon fuqimisht në formimin individual dhe atdhetar të njeriut. Pa e ditur se çdokush qëndron vetë mbi tokë me tru në kokë, i cili mbështet e udhëheq individin për të qenë i lirë, për të qenë vetvetja. Liria e individit është stisur dhe është sunduese e një personi, vetëm duke u mbështetur mbi këmbët e veta, pa e bindur veten se jeta individuale nuk urdhërohet, nuk kontrollohet, nuk drejtohet nga kurrëkush….”
Struktura të avancuara letrare
Përdorimi i strukturave më të avancuara letrare tek novela “Një mall i pashuar” refuzon kategorizimin në një stil të vetëm, në një lexim apriori apo të ngjashëm me leximet e mëparshme, apo të parathotë thjesht si një gjini. Përkundrazi, ajo mishëron një numër të qasjeve dhe formateve për një largim radikal nga ajo që është diktuar si e parashikueshme në novela me këtë tematikë, apo edhe ato që luajnë me taktikat e fiksimit apo edhe ato që mbështeten thjesht në jastëkun e letërsisë feministe. Paradigmat për suksesin e kësaj novele janë përcaktuesit e mëposhtëm:
Apologjia ekzistencialiste
Novela nuk është thjesht një mbrojtje dhe festim metaforik i mekanizmave të dëshpëruara përballuese me të cilat gratë apo edhe ato lidhje me ta, janë rrezikuar nga të mbijetuarit, apo edhe kur minojnë zhvlerësimin, shtrëngimin jetik, skllavërimin, torturat, dhe gjenocidin e plotë. Bazuar në vetë arsyethirjen logjike të shkrimit dhe paraqitjes së novelës ne gjejmë arsyen tek fragmentarizmi i saj: “Gjithçka që i përket ndërgjegjes së atij individi, i cili mendon dhe vepron lirisht, besoj se ka fituar lirinë vetjake, e cila është hyjnore… E këtë këndvështrim të botës ta jep vetëm dija, si njohëse e botës që na rrethon,” -kjo gjë më shkoi ndërmend, kur sapo kisha përfunduar së lexuari një ngjarje rrënqethëse, që më gozhdoi në vend dhe më bëri të mendoj për lirinë vetjake. Sot janë të gjitha mundësitë të zhbirosh dhe të njohësh jetë personalitetesh botërore, të cilët këtë lloj pavarësie, lirie dhe vetëbesimi e kanë fituar me shumë mund dhe djersë. Shpesh kanë flijuar edhe jetën, vetëm për të fituar një të drejtë që u takon me ligj dhe me zakon. Pasi e dimë se njeriu lind bashkë me lirinë për të qenë i tillë në rrugëtimin e tij të gjatë dhe të vështirë… që e ka emrin jetë...”. Dhe kështu “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviç”, një histori e ndërtuar në kampet sovjetike të punës në vitet 1950-të, që përshkruan një ditë të vetme të një të burgosuri ordiner, Ivan Denisoviç Shukhov, natyrisht është larg tematikës së novelës së marrë në konsideratë, por në thelbin e filozofisë së apologjisë ekszistencialiste, ajo lidhet mafatet e jetës që Vranari i sugjeron artsistikisht. Është kjo lidhje e tërhtortë që rishfaq kohë-hapësirën deduktive mes asaj që na shtron leximi dhe praktika e ardhur nga vitet. Ashtu si Zhukovi, që hyn në një ditë të Ivan Denisoviçit, nëpërmjet trukeve maskarade ndaj jetës, me metodat brutale dhe absurde të kohës staliniste, edhe kozmetika logjike në këtë novel arsyeton se si ana virtule e jetës është përçudnimi dhe djegja e mallit që vjen nga kohëlargësia dhe strukturat që fishken nën emrin jetë. Në këtë virtualitet shkrimtarja sedërton mesazhin dhe kap atë arsye që lidhet me tërë strukturën e jetës. Në këto struktura jete ajo shtron pikërisht edhe arsyet sociale ku qëllon me shenjën e duhur tek ndjenja: “Ndjenja është si qenia që rritet, zhvillohet, ndryshon formë, që edhe mund të vdesë, por nuk largohet pa lënë pas gjurmët e së shkuarës. Dhe ja ti e sheh të gjallë të munguarën, e rijeton ndjenjën të freskët, të përtërirë si dikur…Vështron rreth vethes, sheh shembëlltyrën tënde në pasqyrë dhe beson se ajo që shkoi është aty pranë , madje gëlon në ecejaket e përditësië bashkë me ty…”
Historia gojore (apo internet-kallzore):
Ky faktor letrar sot në arsyen e tij postmoderne të trajtimit letrar, duket si një automjet i shpeshtë në itinerarin e tij, si një produkt didakt i njerëzve të shtypur, të cilët, për nga natyra e tyre, janë zvetanakë të arsyeshëm e të paarsyeshëm ndaj çdo padrejtësie nëpërmjet humbjeve të lirive personale. Kështu lakonia e historisë gojore, që transmetohet mes filozofisë së komunikimit, apriori kthehet në tregim personal, që strukturohet si një mjet për ruajtjen me arsye e logjikë të vetë arsyes në një përvojë kuptimplote, si dhe për recitimin e transfertave argumentuese, mes ‘karakter-dëshmitarëve okularë’ të ngjarjeve apo ndodhive që ciflon penëgoditja armore e shkrimtares. Kjo është arsyeja logjike në një përpjekje për të qartësuar mangësitë, mitet, gabimet, dhe madje edhe idetë e gabuara. Dhe këtu është sërrish ajo lidhje me jetën, dashurinë, ndodhinë e kallëzuar, lexuar apo argumentuar, si shtrat për novelën: “Nuk di sa herë e lexova dhe rilexova atë rrëfim plagëhapës. Mendja më ishte mpirë si e të alkolizuarit, që e rrëkëllen faqoren me fund dhe nuk ndjen më asgjë. Ndërsa i ngjaja një druri të kalbëzuar, që nuk do t’ia dijë më për veprimin shkatërrues të natyrës, nisa të shoh portretin e saj, atë portret të dashur që kujtoja se ia kisha lenë kohës ta varroste në brazdat e thella dhe të errëta të harresës. Veçse kisha gabuar rëndë. Që ta nxirrja nga nëntoka të shkuarën, nuk kishte nevojë për qelizmë, për gërmime apo hulumtime historianësh. Ajo kishte qenë aty, kishte ecur bashkë me mua, madje kishte bërë fole dhe kishte fjetur në shtratin e ëndrrave të mija. Vetëm se e kisha kujtuar si të tillë… Sepse… vetëm një shkak dhe plaga u rihap, nisi të rrjedhë duke shkaktuar të njëjtën dhembje si atë ditë kur plagosën “Atë”, ia shqyen e ia copëzuan zemrën dhe po ai plumb… rikoshet më sakatosi edhe mua. Pas atij leximi u binda se dashuria jeton gjatë dhe kuptohet më mirë pa fjalë, gjë që ndodh shpesh në jetë. I përhumbur në analizë, nisa të meditoj atë kohë të papërsëritshme, që ndoshta nga mungesa e përvojës nuk i kisha thënë të gjitha atëherë…”
• Fiksioni jashtë spekulatives, një formë dhe një përzierje e qëmtuar: Dashje padashje novela e shkrimtares Vranari riskon fatet e jetës, duke prurë fiktiven jashtë spekulatives, si një formë e trazuar me të qëmtuarën letrare. Novela e shkrimtares është kështu edhe një paralajmërim bazuar në trendet aktuale politike, sociale, ekonomike dhe kulturore. Si një shkrim modern “Një mall i pashuar” duket dhe shfaqet herë në sytë tanë mes një ngarkimi metafizik që vjen sa emocionalisht dhe shpirtërisht, duke na detyruar të jemi të ngeshëm e të destinuar për të lexuar, madje edhe për të argumentuar e për të ritreguar historinë e ndodhinë e novelës.
Nga referencat e qarta të autores lexojmë se jeta vjen mesazhit, mes komunkimit, mes gjuhës së fotove, arsyes së varrezave, kapërcimit të ngjarjeve në fletët e novelës, apo edhe miniheshtjet logjikuese të vetë Aurelit që struk jetën në arsyen, madje edhe përtej saj: “…shihja fotot e moshave të reja që e kishin lënë këtë botë, një ndjenjë trishtimi dhe keqardhjeje më kaploi. “Sa i padrejtë dhe mizor tregohet fati për disa duke ua mohuar jetën...”-mendoja…” Dhe arsyeja sërrish shkon përtej fksimit jashtë spekulatives, edhe kur Genti pyet ‘se përse varrëzat i interesojnë Aurelit, edhe kur në një farë mënyre del shpjegimi për një lidhje të ikur: “Genti më pyeste, kurse mua s’më shqitej nga sytë portreti i saj. Për sytë e të tjerëve ajo mund të ishte mëse e zakonshme. Kurse për mua ishte si drita e mëngjesit, apo si buzëqeshja e parë e pranverës, simboli i së cilës janë bukuria dhe aroma që dhuron çelja e mimozavee më pas e manushaqeve. Janë të parat aroma që priten me ëndje nga të gjithë. Ndaj edhe natyra i ka të përkdhelurat e saj. Atë çka ndieja dukej si një ëndërr e bukur që ke frikë të zgjohesh, pasi nuk do që ajo të ketë fund. Kjo ndjesi m’u bë si fiksim, si ajri, si uji dhe si drita… Mezi prisja të agonte e nesërmja, që ta shihja përsëri. Që nga ajo ditë, m’u bë zakon që çdo mëngjes dilja herët nga konvikti dhe shëtisja ngadalë përgjatë rrugës së shkollës. Qysh të nesërmen u binda se nuk kisha gabuar. E vura re që së largu. Nuk ishte vetëm, por me dy vajza të tjera. E vështrova mirë. Bëhej fjalë për të njëjtën vajzë që më parakaloi te muri i varrezave dhe ishte po ajo, që më la pa gojë te shkallët e shkollës. Ajo në këmbësoren e majtë, kurse unë si gjithmonë, nga e djathta e rrugës, ku ndodhej edhe shkolla. Mendova se ishte rastësi kryqëzimi i shikimeve tona, buzëqeshja e saj, sepse ajo këmbehej me mua pa m’i hedhur sytë fare. Sjellja e saj m’u duk pak fodulle, apo shpërfillëse ndaj meje…”
Udhëtimi në novelë është i tillë, sa forma e përzierjes së qëmtuar e sjell Brikenën, atë përshpirtje të shtrydhur në qenien e ndjesisnë jetike të Aurelit si një arsye me të cilën ne tentojmë të mos shkëpusim faqet në vijim.
Rrëfimi tipologjik si një zbulesë e jetës private apo filozofi e destinuar si çlirim psikologjik nga fati:
Dhe fatin nëpërmjet analizës së destinacionit tregues e merr përsipër në novelë edhe racionalizimi. Ashtu si rrëfimi në gojën e Aurelit edhe udhëtregimi në novelë realizohet mes një rrëfimi tipologjik, ku normat e lejuar të jetës private janë një filozofi e destinuar për çlirimin psikologjik ehde të karaktereve, por edhe të lexuesit. Vetë shkrimtarja femër gjen racionalizmin të tregojë e ndërhyjë edhe mes dialogut: “-Ide shumë e mirë. Ju femrat edhe mendjen e keni femër…
-Pse këtë mendim ke për femrat? Gjithsesi po ta fal, që të mos ndahemi me mëri. Kujdes herë tjetër kur komunikon, jo vetëm me mua, por edhe me të tjerët…”
• Dystopia (dy herë ndalimi) e një bote imagjinare:
Shkrimi i novelës i ardhur në një mjedis lëvizës, raporti i ndikimit tektonik në të, arsyeja dhe mjaft faktorë të tjerë bëjnë që ajo të dallohet nga ndalimi i dyfishtë në transferim të mesazhit, dhe në atë të interpretimit të tij. Idealizmi jepet si kalim parcial, dhe ai mes ikjes na dyzon ngjarjet dhe temat që nuk korrespondojnë me pritjet, parimet dhe sjelljet e njerëzve realë, duke e bërë kështu novelën të jetë e gjallë mes botës imagjinare.
Mes fytyrave të ‘liçencuara’ nga pena e Vranarit sfidojmë edhe lidhjet e tejzgjatura. Kështu nëna na vjen direkte në momentin e duhur dhe dialogu i saj qartëson: “Mbarova studimet dhe u ktheva në atdhe. Në shtëpi më pritën si ujët e paktë. Gjatë qëndrimit tim disa ditor për t’u çmallur në familje, më shumë kohë kaloja me nënën. Një mëngjes ishim vetëm. Ndërsa po më shtronte tavolinën për mëngjes me gatime nga duart e saj të arta, u ul përballë meje , mbështeti faqen e saj mbi pëllëmbën e dorës dhe po më vështronte gjithë mall. Nuk ngopej duke më parë, apo duke më pasur pranë.
-Aurel, sa e mirë ishte ajo! Kishe të drejtë, biro! Edhe engjëlli e kishte zili.
-Nuk të kuptoj nënë. Për kë e ke fjalën?
-Për Brikenën , vajzën që doje ti…
-Briii…Brikenën…? E ke takuar? Ku? Në ç’rrethana, moj nënë?- pyetje pambarim dhe kulaçi m’u bë si shkëmb në fyt. Pastaj më nisi një kollë që desh u mbyta. Nuk kapërditesha dot. Me pak ujë u qetësova dhe lëmshi u zvarg drejt stomakut për t’u bërë si një peshë e rëndë në kraharor, e cila më merrte frymën.
-Më fal, biri im! Nuk e dija që ajo ende jeton brenda shpirtit tënd.
-Të lutem nënë, më trego! Si është …ku është?
-Eh , more bir ajo ishte vajzë që ta pije në kupë. Ishte nuse për djalë të vetëm.
-Mos nënë…Të lutem pse ishte? Mos vallë ka vd…?
-Gjallë është bir, gjallë…Jo vetëm bukuria, por sjellja e saj ishte për t’u admiruar. Ka qenë mësuese këtu në shkollën tonë, tre vjet pasi ti shkove me studime… Ishte e fejuar në Tiranë me një inxhinier që punonte në sharrat e FushArrëzit. E njoha një ditë që binte shi i rrëmbyeshëm. Ajo vinte nga shtëpia dhe zbriti nga një kamion. Që nga koka deri te këmbët ishte bërë si kokosh i lagur.”
Konkluzion
Duke përfunduar mes këtyre kapjeve analitike të veçorisë së shkrimit dhe rrëfimit të Vranarit, natyrshëm argumentoj dhe qartësoj se novela “Një mall i pashuar” nuk vjen thjesht për aritmetikë, as për të shuar malle, por hyn nxitimthi në murin e madh të kulturave të tilla që tregohen dhe dimensionohen me kalimin e kohërave, pa tentuar tu zverdhen fletët. Shkrimtarja tashmë me plot gojën ka kapërcyer muret që ndikonin me kohë në një kohëngricë të trazuar jovlerash, e që i diktuan qepjen e pamerituar. Vranari meriton përditë e më shumë në rritjen e saj artprurëse. Jo më kot i mirrënjohuri Profesor Eshref Ymeri do të shprehej teksa e kishte lexuar e rilexuar novelën në dorëshkrim “Për herë të dytë, e rijetova me emocione shumë të thella atë kohë të largët rinie, të mbytur në humnerat e kujtimeve drithëruese.” Këto humnera kanë marë dritën e penës së Vranarit.
Mes dritë-hijeve që krijojnë brazdat e kohës
Për romanin më të ri të shkrimtares Vilhelme Vranari-Haxhiraj-“Ankthi i së Vërtetës”/
nga Dr. Fatmir Terziu /
“Romani më i ri i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj është titulluar“Ankthi i së vërtetës”.“Ankthi i së vërtetës” është vërtet ‘ankth’. Një ankth që vjen tek lexuesi mes poreve të gurta të jetësisë dhe ngjeshet brenda dritë-hijeve të tyre si një gangrenë që prodhon të padukshmen dhe të patundshem e rrezikshme. “Ankthi i së vërtetës” është pushtet, është meskinitet, është perifrazim, por është edhe asfiksi. Është vërtet “ankth frymëmarrës” që në trokitjen e hapjes së autores alarmon me: ky është “Ankthi i mohimit të së vërtetës së hidhur”, që e mban të strukur brenda vetes heshtja e heshtur.“/
Dr.Fatmir Terziu/
Sh.B.Nacional nxori nga botimi romanin “Ankthi i së vërtetës të shkrimtares së mirënjohur Vilhelme Vranari Haxhiraj/
Para pak javësh Sh.B.Nacional nxori nga botimi Romanin më të ri të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj me titull “Ankthi i së vërtetës”. Është një libër tronditës me temë sociale, që vjen si rezultat i mohimit të realitetit në diktaturë, ku njeriu paskesh qenë “kapitali më i çmuar”, kurse gruaja që lind jetën, “një qenie e vyer”, si dhe familja, si qelizë e shoqërisë njerëzore, baza sociale për një “shtet të fortë e të palëkundur”. Në këtë libër autorja përmes mendimit filozofik, nxjerr qartë se e vërteta e hidhur është e vështirë të pranohet, është ankth frymëmarrës të tregohet dhe pasoja e së vërtetës së mohuar… që të jetohet është torturë . Kur mbaron së lexuari, mes mendimeve të thella , lexuesi pyet ndërgjegjen: “Kështu ka ndodhur vërtetë?!Romani ka për redaktor, kritika e të cilit është edhe parathënia e librit , si dhe kopertina nga Dr. Fatmir Terziu. Recensues është Fitim Haxhiraj. Botoi ShB “Nacional” dhe e shtypi Europrint, të cilët autorja i falenderon dhe vlerëson për bashkëpunimin me mirënjohje.
Dy fjalë për Vilhelme Vranarin
Vilhelme Vranari (Haxhiraj) (u lind më 8 dhjetor 1944 në Kaninë të Vlorës), pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti. E përndjekur nga lufta e klasave, më e egra që ka njohur njerëzimi, edhe pse iu mohua çdo e drejtë humane, sepse pas burgosjes së të atit, xhaxhait dhe vrasjeve makabre të një xhaxhai, tre kushërinjve të parë dhe internimit të famijes së saj, ajo mundi të arsimohet. Ia ndaluan diplomimin në Histori-filologji, e pushuan nga puna dhe Vihelmja mundi të diplomohet në fakultetin histori-gjeografi. Pas rënies së diktaturës komuniste, rinisi punë në arsim. Kjo i dha mundësinë të shpalos talentin e saj si veprimtare për emancipimin e gruas, si luftëtare në mbrojtje të të drejtave dhe lirivev të saj. Duke kërkuar më shumë nga vetja, krahas punës për demokratizimin e shoqërisë, Vranari gjeti veten në letërsi, vuri në jetë talentin e ndrydhur dhe të mohuar. Tashmë ajo njihet jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijëve të Shqipërisë, si poete, romanciere, autore e prozës sè shkurtër, në letërsi për fëmijë dhe publicistikë. Puna e saj ka tërhequr vëmendjen e jurive dhe kritikës kombëtare dhe ndërkomëtare, tashmë e vlerësuar me 17 çmime letrare, nga këto shumica “Çmime të Para”, “Medalje Argjendi”,”Medalje Ari”,”Çmimin e Karrierës”, deri në Urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës”. Natyrisht ky sukses e gjen përgjigjen te puna e saj voluminoze dhe cilësore, si autore bashkëkohore, që e ka pasuruar kolanën e letrave shqipe me 33 tituj librash.
Mes dritë-hijeve që krijojnë brazdat e kohë- Kritikë
Romani më i ri i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj është titulluar “Ankthi i së vërtetës”.
“Ankthi i së vërtetës” është vërtet ‘ankth’. Një ankth që vjen tek lexuesi mes poreve të gurta të jetësisë dhe ngjeshet brenda dritë-hijeve të tyre si një gangrenë që prodhon të padukshmen dhe të patundshem e rrezikshme. “Ankthi i së vërtetës” është pushtet, është meskinitet, është perifrazim, por është edhe asfiksi. Është vërtet “ankth frymëmarrës” që në trokitjen e hapjes së autores alarmon me: ky është “Ankthi i mohimit të së vërtetës së hidhur”, që e mban të strukur brenda vetes heshtja e heshtur.
Heshtja
“Sa shtrenjtë kushton heshtja vallë?
Besoj se s’ka as limit dhe as masë,
hesht…vetëm ai,
‘Askushi’…
një qenie pa identitet,
mohon jetën e dinjitetin e vet,
që nuk e di se…
të jesh prind është përgjegjësi,
s’di cili është …
dhe kujt kombi i përket.
Një i tillë…
a mund të jetë gjykatës
i ndërgjegjes së vet ?!
Kurrë…!
Veç ankthi i së vërtetës e tremb…
oh, sa e tremb…
dhe për jetë atë e mban peng…!”
Vivra
Heshtja, titulli i poezisë, me të cilën nis ky libër, është ‘askushi’ ajo qenie pa identitet. Ajo qenie me fuqi që bëhet gjykatës, ajo qenie që shemb e strukturon sipas shijes së athët të jetës. Ajo qenie që struket mes heshtjes dhe ndërton kala të madhe me bedena vuajtjesh dhe grimash njerëzore. Në këtë sfumim gjërash “heshtja” pasojë e “Ankthit të së vëretetës” është vetë morali që ndërtohet në labirinthe të tretshme mes vetë ankthit rrënues. Ky ankth rrënues është në fillimet e demokracisë, por ai sapo ka nisur udhën e tij mes ‘të tjerëve’, atyre që tashmë janë vetë mbushësia e kësaj ankth-jete: “Të tjerët ishin qeveritarë, politikanë ose tregtarë, shumica e të cilëve sapo kishin nisur karrierën politike apo administrative”. Janë këta ‘të tjerë’ që sapo kanë nisur të ndërtojnë brendinë e ankthit. Por vetë ata janë larg ankthit, janë larg e shumë larg atij…, se ata janë zyra, vula vetë, po aq edhe doganierët e uniformat e shtetit. Ata janë vërtet të tjerët. Janë … ‘të therrët’! Të therrët në ecje, të tillë në paraqitje. Kanë lindur të bëhen ndryshe. Ndryshe në hapjen e re demokratike. Dhe pjesa tjetër është në vëzhgim. Në atë sykapje që kërkon mes makthit dhe ankthit…: “Si në lajthitje e sipër padashur pyet : Ndërsa ndjen peshën e rëndë të presionit, dhunës psikologjike, denigrimit, keqtrajtimit, të duket vetja një zero, një inekzistentë. Në këtë kohë vë duart në kokë dhe këlthet:Dhe vërtet më pas ‘ankthi’ prodhon kreshendon e vet. Atë kreshendo që përtypet nën dhëmbë e që stilohet në tru. Kërkohet si në rolin e një hulumtuesi në atë hapësirë për të përlogaritur çdo hap, çdo detaj, çdo ngjyrë, ku sundojnë larushitë e natyrës, çdo trokamë ku vetëm ajo e identitet-humburit rrëshqet si slitë akulli mes asaj vape të tretshme trupore. Është një tundim i gjallë. Një tundim që rrënkon me fatin e prodhuar nga “mohimi i së vërtetës”.“Ankthi së vërtetës” është moduli më i nevojshëm i prozës për ditët që pasojmë. Është vetë moduli që bashkon tërësinë tonë në katër cepat e botës. Është ai modul që i afrohet gjithënjeriut me e pa identitet të lexoj fatin e tij në tri kohë. Në tri kohë që flasin e heshtin njëherazi. Në tri kohë që kapërcejnë edhe hapësirën e qiellin…, vërtet deri në skajshmëri!Kjo skajshmëri herë diktohet herë filozofohet. Herë renditet në dritë-hijësi argumentesh e herë struket nën vëtë kumtin e heshtjes që kërkon me ngut garancinë e ruajtjes “të së vërtetës së hidhur”. Këta tipa që janë dhe mbeten produkt i një kohëbote tjetër në udhë të krisura me mendje të acarta. Dhe e acarta nuk vonon. Ajo vjen në kohën dhe vendin e duhur, me dimensionin e njëriut në moshën e tri kohëve: “I moshuari, ndryshonte shumë nga i riu. I veshur elegant dhe me atë qëndrimin e tij të ftohtë me këdo, me siguri që krijonte një farë ndarjeje, e cila vihej re në distancën që shihej mes tyre. Ndryshimi dukej me lehtësi në paraqitjen e jashtme, në sjelljen dhe veçanërisht në psikologjinë e secilit.” Dhe është mosha e tretë, ajo që formon të padukshmen në persiatjen e njeriut vëzhgues. Është vetë mosha që udhëton dhe ka pikëtakim me të tjerët. Ndoshta jo me ata që vinin në atë karvan të gjatë hallesh të njëjta, por në atë karvan me dritë-hije të padukshme. Dritë-hije që takohen e mbesin vetëm produkt i kalbësisë, produkt i tokës në errozion. Në këtë erozion janë edhe pyetjet që vrasin, edhe pse heshtin e nuk flasin: “Lëvizjet e tij ishin të ngathta dhe të drojtura. Tek ai vihej re një heshtje prej varri. Përse vallë?! Ç’mendime i gëlonin në mendje? Përse dukej aq në kundërshtim me veteveten, sidomos me paraqitjen e jashtme? Përgjigjet e pyetjeve të bëra rreth personit të tij do të ngeleshin memece. Tek ajo heshtje e zymtë fshihej mundimi, vuajtja dhe e vërteta, të cilën njeriu e merr me vete kur vdes. Kërkon ta mbajë të varrosur nën tokë. Banesa e përjetshme i do të fshehtat të gjitha për vete.”Por e gurta bën të vetën. Ajo mes ngurtësisë së saj, forcës së materies, forcës së vetë gurit qartësohet lehtë e lehtë: “Asgjë…Kur ai arrin në përfundimin se ka jetuar hiçin, pyet veten:”në heshtje:”- “kjo ishte përshtypja që më la ky njeri i ngurtë si guri.”Romani i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj përmban rreth 120 citime dialoge dhe monologe tejet filozofike nga karakter-folësit që krijojnë identitetin e tyre të heshtur në tërësinë e faqeve të tij. Tendenca mbizotëruese në kurën moderne të gjuhës që përdorin ata është jo ajo tradicionalja e margjinalizuar mes dëshirave apo kushteve të përcaktuara të këtyre folësve por gjuha e krijuar mes thjeshtësisë dhe mes një logjikë-praktike që vetë ata përfaqësojnë (disa herë përfaqësohen në narrativin e autores). Pra ata janë të konsideruar si lapidarë gjuhësorë dhe letrarë, dhe citimet e tyre letrare, ndërsa prezantohen për lexuesin, më tej rinjihen si ndikime trajtuese dhe diskrete nga ato të tjerat, që në mjaft romane vijnë të ‘rënda’ në dialogje, monologje të gjata, apo edhe në korniza të hapërdara mes vetë narrativit. Romani i shtron ‘sfidat’ me këtë këndvështrim duke u fokusuar në pyetjen e mëposhtme: Deri në çfarë mase mund të merret si vlerë e cituar një karakter-fiktiv folës në roman, kur dihet e thuhet nga vetë autorja se ka një identitet të veçantë, por edhe të debatuar në formacionin e ankthit?Dhe natyrshëm mes ankthit si një kundrinë që rreket të definojë paksa argumentin e shtruar vjen “Trishtim?!”.“Trishtim?!” në roman, mes shoqërisë së pikëpyetjes dhe pikëçuditjes është vetë gangrena e heshtjes për një përgjigje të nxituar. Shkrimtarja na dikton udhëtimin në kohë tjetër dhe hap disi një hapësirë për të riargumentuar, teksa njeriu i kohës së mekur, që ndërtonte vetë me forcat e tij socializmin kishte fat-trupin e tij ‘identitet’ mes qyngjeve: “-Ne ndërtojmë socializmin. Vendi ynë ka vetëm fitore dhe jo humbje apo viktima. Vetëm këta trupa që shihni këtu, gjeti policia në vendin e aksidentit. Kjo ndodhi për faj të shoferit, të cilin e pret qyngja. Nëse nuk di ta përshkojë atë, atje le t’i dalë shpirti, në shtëpi pa qira. Kjo është politika e Partisë sonë bujare. Këta fatkeq do të mjekohen falas nga shteti dhe do të shkojnë në shtëpitë e tyre si kokrra e mollës. Në vendet kapitaliste do t’i kishin lënë në mëshirën e fatit. Pa paguar shërbimin shëndetësor, me siguri do t’i kishin lënë të vdisnin në mes të rrugës. “-ishin fjalët e rrobalarëses së kirurgjisë që mbajti atë ligjëratë fare pa arsye dhe pa vend. Më vonë mësova se ishte sekretare e organizatës bazë të partisë në pavion.
“-Pse në qyngje?!
-Bir, kështu quhet vendi ku nuk ke të drejtë të dalësh prej andej, pa të ta bërë kurrizin më të butë se barkun. Qelia e burgut i ngjan qyngjes se është e ngushtë sa një arkivol, ku nuk lëviz dot as djathtas as majtas. Madje nuk mund të ulesh as galuç. Kush nuk ka vullnet për ta përballuar, del me këmbët bigë prej andej.”
Kështu udhëtimi në kohë, hapësirë e vend na sjell e na risjell fate të ndryshme, me e pa idnetitet duke menduar fortë në atë që dihet e lexohet qartë mes faqeve të romanit: “Ankthi i së vërtetës”-mendoja më të keqen dhe gati vrapoja pa qenë në vete, si e çmendur.Këtë udhëtim e ndjen nëpër faqet të romanit mes ankthit për të vërtetën mes një mori elementësh nga më tërheqëset dhe më të arriturat, me një gjuhë të qashtër e mjaft fine. Mjafton të citosh një fakt “Krimi nuk kryhet vetëm me plumb. Ai më vrau pa e përdorur pushkën. Tashmë jam viktima e tij…”-ku kupton qartë forcën me të cilën autorja paraqet këtë gjuhë të hapur në mjaft dimensione kulturash. Dimensione që do ta mirëprisnin mjaft mirë këtë roman.Ja, pse pra udha e projektuar nga “Ankthi i së vërtetës” është udha globale e prozës, udha që kalon kufij të leximit dhe kërkon tokën dhe gjuhën tjetër, gjuhën e njeriut, gjuhën e njeriut larg dhe afër argumentit identitet. “Ankthi i së vëretetës” është vetë pjesa që rrëmon në identitet njerëzish, po aq edhe vlerash që herë pikëtakohen në letrësinë fituese e herë në letërsinë konkuruese. “Ankthi i së vërtetës” është një roman për vetë këtë strukturë me të cilën ndërtohet vetë artikulimi i respektit ndaj letrave.
Londër, Shtator, 2013
Stacioni estetik i fabulës së Lashovës
Fatmir Terziu/
Stacioni estetik i fabulës së Sotir Lashovës është një pikëtakim me teorinë e akademikut Christos A. Zafiropoulos. Ky autor i librit “Etika në fabulën e Ezopit” shprehet se fabula është ‘një formë e arsyeve etike”. Duke lexuar Lashovën në tërë krijimtarinë e tij të madhe në fabula ne gjejmë edhe atë që lidhet konkretisht me këtë pikasje teorike. Në këtë teori etika është një derivat (1998:157) dhe mesazhi i fabulës është një ‘kontrast me aestetikën” (po aty). Të dyja janë elemente të ndeshura ndjeshëm në fabulën e Lashovës. Të dyja piketojnë udhën dhe stacionin estetik të këtij autori. M. Xhaxho shkruan për krijimtarinë e Sotir Lashovës duke cituar se “ai vazhdon të zgjedhë fabulën si stacionin më të mirë estetik dhe artistik për të gjykuar realitetin. Me anë të fabulës ai gjurmon, zbulon dhe fshikullon gjithashtu të keqen”. E keqja e fshikulluar nga fabula e lashovës është pikërisht ajo që prodhon kontrastin. Një kontrast që duket në tërë ekstraktet e fabulës së tij. Ekstraktet e fabulës së krijuar nga Lashova e japin përshtypjen e kontrastit, edhe kur ata janë një kundërthënie, prej fillimit të fabulës, deri në fund. Autori zgjedh që në titull për të përdorur fjalën “Kacafytje”, e cila, tradicionalisht, është diçka e trilluar dhe gjithashtu i referohet zakonisht hesapeve që kanë mbirë në të kaluarën e jetuar, ndoshta jashtë praktikave personale, por nga praktika që kanë ndikuar personalen dhe kjo është ende një ndjesi sociale e shoqëruar me konfigurime të përditësisë si një nëntekst për agravim subjektiv në kaosin logjik ‘Nesër’. Kjo tregon se autori është në kërkim të vazhdueshëm dhe vlerat e tij të krijuara arrijnë të tregojnë arsye të qarta për çdo lexues që normalisht e kupton se edhe pse ajo i referohet situatës së motivuar, në të dytin ekstrakt mund të mos jetë e bazuar në fakte në tërësinë e vet, ose edhe fakti apo detaji i trilluar mund dhe nuk mund të jetë shumë më përpara asaj që ka ndodhur ose imagjinohet të ndodhë. Është pikërisht ajo që nga Xhaxho mësojmë se “dukuritë e shumëllojshme të realitetit tonë e sidomos dukuritë negative janë mbrujtur brenda qenies së tij e pastaj kanë gjetur shprehjen e nevojshme”. Gjithësesi argumenti mbetet, pra thjesht ai është. Është një Jovan që lindi shqiptar dhe vdiq grek. Është një Jovan, që hartën mund ta kishte larg e shumë larg aritmetikës specifike, duke mos synuar pikërisht shumësin e Jovanëve. Këtu, pikërisht këtu është e veçanta e Lashovës. Lashova përdor përshkrime fjalë-grafike të përcjellë idenë e harmonisë dhe paqes në temperamentin njeri, por artikulon fjalën që shigjeton kacafytjen për arsyen e treguar tek Jovani nga Himara. Autori përdor të gjitha senset për të ftuar lexuesin si në një ekspo-foto ku skena ndihet më gjallërisht. Lashova përdor gjuhën e tij tipike dhe sugjeron se ajo gjuhë e ka parë çështjen në disa raste dhe ajo gjuhë e di atë mirë, ajo gjuhë përshkruan dhe tregon se si skena nuk ndikohet nga ndryshimet, qofshin ato në pranverë apo në vjeshtë mes ‘dushkut ku edhe dhe panja me mështekën janë gati për të ngritur e shkrirë trupin njësh në flakët e ngjyrta dhe pastaj ne dimër janë veç një shërbim material për të tharë rroba zije duke paralajmëruar një vdekje që s’vjen nga njeriu, nga Zoti, nga koha apo vendi, por “nga germa greke nxine qivuri. Lashova, pikërisht këtu sjell tipiken e detajuar dhe laton fabulën e tij me ujë tëbekuar..
Titulli i fabulës tjetër ” Paradoks si në përrallë” jep përshtypjen e një lloji të ri fabulor, që në fakt është një regjistër i ngjarjeve dhe ndodhive në vitet e brishta e të qashtra të demokracisë ku thelbi i komshinjve gatuan atë se me çfarë mund të jetë në ardhmen një ‘komshi’, nëse ai është i pranishëm në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe praktikat e përdorimit të anekseve gramatikore të kësaj fjale u ngjizen atyre që janë në hapat e para, si fjalë që mburren se kanë vend në fjalorin shqiptar, ku veç emrit ‘demokraci’ zor se u lejohet të vazhdojnë ‘kacafytjen’, atë kacafytje që edhe komshiun po e kthen në rudiment, apo edhe atavizëm.
Hapja e fabulës “Minipartite pijanece” pikturon imazhin e një kompleksi politik që ka harruar shpirtin njerëzor dhe tenton të bëjë listë-votimin si një mushkë pjellore për vota. Lashova përshkruan elementet e situatën listore edhe për të shprehur rezervat e idilikën rrethuese të politikës partiake. Ai nuk synon të godasë pluralizmin, pikërisht e dashuron atë, por partitizmin politik e ‘kacafyt’ deri në dhimbje, pasi aty shikon arsyen penguese të ecjes dhe aty vizaton shpërfytyrimin njerëzor.
Gjuha e përdorur në fabulën “Në mërgim” përshkruan fushën e re të mbjellur me lotë emigracioni, ku njeriu është “i cili”, ku dyshja e imigruar është caktuar si shkak, dhe ku pasoja është një fabulë më vete. Kjo është ajo që paraqet pothuajse të përkryer dhe në një mënyrë idilike, pa harkuar dilemën se në ç’vend është dhe pa ndonjë arsye se duhet të dihet apo që të jetë në interes ky vend. Gjendja shpirtërore është e qetë dhe merr pamjen e lexuesit si të njohurin në një vend “ku të gjithëve u dukej jeta për të jetuar në harmoni”. Dy kafshët e mara me vete maçoku dhe qeni pasqyrojnë skenën dhe në këtë skenë fabula gatuan ‘trimoshët’, por edhe nxjerr në mejdan idenë e të qenit atje, pra në dhe të huaj ku ligjin e gatuajnë të tjerët, dhe dihet kur ata e bëjnë këtë se kush dhe cili je në vendin e tyre. Në dy fabulat e tjera “Rugaçëri” dhe “Poltikanët pluralistë” Lashova e përdor gjuhën për të frymëzuar një melodramë të këndshme dhe tepër therëse. Është pikërisht ajo që vjen nga logjika dhe mjeshtëria e tij. Është ajo që Dhimitër Shtëmbari e pikas “autori i drejtohet lexuesit me logjikë”. Kjo logjikë që vjen nga librat e tij, nga vëllimet e shumta të tijme fabula
Shkrimtari Sotir Lashova ka lindur në vitin 1931 në fshatin Lashovë të rrethit të Kolonjës.
Ndërroi jetë para disa ditësh.
Ishte autor i shumë librave si “Stinët e shqiptarëve”, “Melesini”, “Trimëresha”, “Kur kujtoj ato vite”, “Ballisti në gropën e gëlqeres”, Përmes luftës çlirimtare”, “Turtullesha dembele”, “Korbi i varrim zhvarrimeve”, “Gomari që desh të bëhet mbret”, “Dhelpra në grevë urie”, “Djalli hiqet si t’ish ëngjëll” “Dhelpra mike e luanit”, “Ariu ministër”, “Stafi i bishave”, ” Ringritja e shqiponjës”, “Flatra trimërore”, “Flakadan atdhedashurie”, “Kacafytja”, “Pellazgët, stërgjyshërit tan”. Por në tërë këtë krijimtari të shumtë dhe të begatë, Lashova njihet më i sukseshëm në fabulën e tij. Niko Logori shkruan qartë se “vend parësor në krijimtarinë e tij zënë fabulat”. Ekstraktet e analizuara nga ky autor janë marë pjesërisht nga libri i tij “Kacafytje”(Kortezi-Fjala e Lire)