• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË WASHINGTON NDEROHET FONDACIONI BIBERAJ

December 15, 2022 by s p

  • Nga Frank Shkreli /
  • Në një njoftim të datës 13 Dhjetor, 2022, Këshilli Amerikan për Arsimin Ndërkombëtar About | American Councils me qendër në Washington njoftoi se, javën që kaloi, i ka ndarë Fondacionit Biberaj, Çmimin për vitin 2022: the “Visionary Award in International Education”, për mbështetjen e tyre të rëndësishme të Bursave të Studimeve Master dhe Internship (MIP). Çmimi nderonorganizatat ose individët që japin kontribute të rëndësishme dhe që tregojnë një angazhim të jashtëzakonshëm në mbështetje të arsimit ndërkombëtar, thuhet, ndër të tjera, në njoftimin për media të organizatës “American Councils for Interrnational Education”.
  • Ashtu si edhe Fondacioni Biberaj, fituesit e çmimeve të kësaj organizatë, shërbejnë si frymëzim për komunitetin tonë duke çuar më tej mundësitë për studentët, për të zbuluar përvoja të reja të të mësuarit dhe të zhvillimit profesional të tyre, theksohet më tej në atë njoftim.Pak histori: Fondacioni Biberaj Inc, i themeluar si organizatë jo-fitimprurëse në vitin 2017 në Sh.B.A, ofron mundësi arsimore për studentë të kualifikuar me origjinë shqiptare, që jetojnë në Ballkan, për të marrë asistencë bursash për studime në programe bachelor dhe master, që çojnë në një nga diplomat përkatëse, në kolegjet dhe universitet e Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2017, Fondacioni Biberaj filloi bisedimet me Këshillat Amerikane dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), për t’u ofruar profesionistëve të rinj shqiptarë dhe udhëheqësve të ardhshëm shqiptarë, një mundësi unike zhvillimi në një sërë fushash profesionale, duke përfshirë bujqësinë, administratën e biznesit, shkencat kompjuterike, shëndetin publik dhe administratën publike, nëpërmjet programit Master dhe Internship (MIP). Buta Biberaj pranon në emër të familjes Biberaj, Çmimin e lartë the “Visionary Award in International Education” nga përfaqësuesja e kësaj organizate, Lisa Choate Duke pranuar Çmimin në emër të Fondacionit Biberaj, Buta Biberaj, Prokurore në Qarkun Loudon të shtetit Virxhinia falënderoi Këshillat Amerikanë për ndihmën që kanë dhenë, “për të bërë realitet vizionin e familjes tonë për dhënien e mundësive studentëve shqiptarë për të ndjekur studimet e larta post-universitare në Shtetet e Bashkuara.”Prokurorja shqiptaro-amerikane në shtetin Virxhinia, Buta Biberaj, u shpreh në emër të familjes dhe të Fondacionit Biberaj se, “Shpresa e familjes sonë është që studentët shqiptarë të diplomuar, e që përfitojnë nga këto bursa, do të mësojnë dhe do të marrin më të mirat nga përvoja e tyre në Amerikë. Ashtuqë të këthehen në Shqipëri, ku t’i mbjellin ato përvoja si të thuash si farën e mirë, të cilën do e shohim të rritet me kohë dhe pastaj të çmohet si diçka e vlefshme, nga e cila do të përfitojë i mbarë kombi shqiptar”, citohet të jetë shprehur Buta Biberaj.Prokuroja Buta Biberaj në fjalën e saj falënderuese ndaj organizatës “American Councils for Interrnational Education”, në ceremoninë e javës së kaluar të ndarjes së çmimit Fondacionit Biberaj, ka thenë gjithashtu se, “Familja jonë është e vendosur të bëjë ç’është e mundur për të kontribuar për Amerikën dhe përShqipërinë. Jemi shumë të nderuar që kemi mundësinë të jemi pjesë e këtyre mundësive të mrekullueshme”, ka theksuar ajo.Ndërkaq, duke folur rreth ndikimit të programit MIP, zëvendës-Drejtoresha Ekzekutive e American Councils for International Education, Lisa Choate, ka thenë se, “Këshillat Amerikanë për arsim ndërkombëtar janë me fat që kanë partnerë po aq të jashtëzakonshëm siç është edhe Fondacioni Biberaj. Kontributet etyre kanë krijuar mundësi të rëndësishme për profesionistë të niveleve dhe fushave të ndryshme, individë që janë të përkushtuar ndaj zhvillimit të ardhshëm të Shqipërisë”, ka theksuar në fjalën e saj Lisa Choate, përfaqsuesja e organizatës American Councils for International Education. Në njoftimin për media thuhet se deri më sot, Programi MIP ka financuar 32 bursa për studentët shqiptarë në institucione prestigjoze të arsimit të lartë në Shtetetet e Bashkuara të Amerikës siç janë: Universiteti i Nju Jorkut, Universiteti Cornell, Universiteti Bentley, Universiteti Brandeis, Universiteti i Minesotës, Universiteti Syracuse, Universiteti Vanderbilt dhe Universiteti i Karolinës së Veriut, Chapel Hill. Më në fund, në njoftimin për mediat, Këshilli Amerikan për Arsim Ndërkombëtar shprehet mirënjohës për mbështetjen e dhenë nga Fondacioni Biberaj dhe për bashkëfinancimin e programit MIP, në mënyrë që studentët post-universitarë nga Shqipëria të mund të ndjekin arsimin e tyre në Shtetet e Bashkuara.Familja Biberaj është e njohur këtu në Amerikë – ndër të tjera — si një familje filantropiste dhe ndër familjet shqiptaro-amerikane që ka konntribuar në shumë fusha ndaj vendit tonë të adaptuar — Amerikës tonë të bekuar ku kemi gjetur lirinë dhe të drejtat tona si shqiptarë të arratisur nga regjimi komunist enverist — siç ështëfamilja Biberaj — por kontribuese gjithashtu edhe ndaj vendeve tona të origjinës, Shqipërisë dhe Kosovës tonë të dashur.
  • Rreth Fondacionit Biberaj Inc. — Fondacioni Biberaj Inc, i themeluar si organizatë jofitimprurëse në vitin 2017 në Sh.B.A, ofron mundësi arsimore për studentë të kualifikuar me origjinë shqiptare, që jetojnë në Ballkan, për të marrë asistencë bursash për studime në programe bachelor dhe master, që çojnë në një diploma, në kolegjet dhe universitet e Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Kulture Tagged With: FONDACIONI BIBERAJ

FONDACIONI BIBERAJ, 1,1 MILION DOLLARË PËR 40 STUDENTË

July 20, 2020 by dgreca

FONDACIONI BIBERAJ INC. SHPALL BURSËN PREJ 1,1 MILION DOLLARËSH PËR 40 STUDENTË NË INSTITUTIN TEKNOLOGJIK TË ROÇESTERIT RIT NË KOSOVË / FONDACIONI I UNIVERSITETIT AMERIKAN NË KOSOVË/

Nju Jork/Prishtinë, 20 korrik, 2020 –Fondacioni Biberaj Inc. shpall ndarjen e bursave të reja akademike, në vlerë prej 1.160.000 dollarësh, për 40 studentë për studimet “Bachelor” në Institutin Teknologjik të Roçesterit në Kosovë/Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë (“RIT Kosovë (A.U.K)”).

Bursa Familja Biberaj, që do të jepet përmes konkurrimit dhe që zgjat për katër vjet, u ofrohet 40 nxënësve me rezultate të larta akademike, që kanë nevojë për ndihmë financiare. Tridhjetë e gjashtë (36) bursa do t’u jepen studentëve shqiptarë nga Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova, Shkupi dhe pjesët rurale të Kosovës, dhe katër (4), studentëve që u përkasin grupeve të pakicave në Kosovë. Bursa Familja Biberaj synon që të paktën 50 për qind, por deri në 75 për qind, të bursave të jenë për studente gra. Përparësi do t’u jepet atyre që zgjedhin të studiojnë për shkencë, inxhinieri, teknologji, matematikë dhe gazetari.  

Ken Biberaj, zëdhënës i Fondacionit Biberaj, theksoi se: “Fondacioni Biberaj e ka për nderë të mbështesë këtë program të mrekullueshëm dhe krijues. Ashtu si familje të shumta që kanë emigruar në Amerikë, ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mundësitë dhe sukseset që kemi patur. Kjo bursë e re u ofron një përvojë me të vërtetë globale këtyre të rinjve, me një theks të veçantë për gratë dhe degët e shkencave, inxhinierisë, teknologjisë, matematikës dhe gazetarisë.”

Administrimi i bursave dhe përzgjedhja e studentëve do të jetë përgjegjësi e RIT Kosovë (A.U.K.). Kolegji do të sigurojë akomodimin dhe ushqimin për bursistët.

Pas shpalljes së Bursës Familja Biberaj, Dr. Kamal Shahrabi, President i RIT Kosovë (A.U.K), falënderoi Fondacionin Biberaj duke theksuar: “Jam i lumtur dhe mirënjohës që Fondacioni Biberaj zgjodhi RIT Kosova (A.U.K) si institucionin e preferuar për arsimimin e përfituesve të Bursës Familja Biberaj. Bujaria e Fondacionit Biberaj do t’u krijojë mundësi 40 të rinjve nga Kosova dhe rajoni të ndjekin studime të standardeve të universiteteve amerikane pranë shtëpisë së tyre dhe me mundësi për të përjetuar përvojën amerikane. Bujaria e Fondacionit Biberaj është një tregues i qartë se Familja Biberaj pret nga të diplomuarit tanë të krijojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe rajonin. Faleminderit për mbështetjen dhe besimin që RIT Kosova (A.U.K) do ta kthejë pasionin e përfituesve të Bursës Familja Biberaj në një karrierë për ta”.    

Në bazë të kërkesave të Bursës Familja Biberaj, çdo student duhet të punojë në një nga muajt e verës, gjatë çdo viti akademik, në shërbim të komunitetit në rajonin e lindjes dhe çdo student duhet të përfundojë programin “Capstone” deri në fund të studimeve katër vjeçare. Po ashtu, çdo student duhet të ndjekë për një semestër, studimet në Shtetet e Bashkuara, në bazë të Programit Global të Studimeve të Institutit të Teknologjisë në Roçester, në kampusin e Nju Jorkut. Për të ruajtur të drejtën e bursës, çdo student duhet të mbajë një mesatare të lartë.   

Bursa, e bazuar në mesataren e lartë dhe nevojën financiare, është e vlefshme për këdo që plotëson kushtet e mëposhtme: Është me prejardhje shqiptare nga një prej këtyre rajoneve: zonat rurale të Kosovës, Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova dhe Shkupi, ose i përket një prej grupeve të pakicave nga Kosova. Plotëson formularin e posaçëm të RIT (A.U.K) për këtë program.  Është në gjendje të deshmojë rezultate të shkëlqyera në mësime dhe arritje të tjera. Ka marrë pjesë në aktivitete jashtë-shkollore. Duhet të ketë përfunduar shkollën e mesme në kohën e dhënies së bursës.  Të jetë në gjendje të deshmojë se ka nevojë financiare. Të ketë njohuri të kënaqshme të gjuhës së shkruar dhe folur angleze. Formulari, procesi i përzgjedhjes dhe intervista, të gjitha zhvillohen në anglisht. Të jetë i aftë të tregojë njohuri të forta në matematikë.  Një njoftim me hollësi të tjera dhe formulari për të aplikuar online për vitin akademik 2021-2022 do të vendoset në këtë adresë https://kosovo.rit.edu/    
Rreth Fondacionit Biberaj Inc.

Fondacioni Biberaj Inc, i themeluar si organizatë jofitimprurëse në vitin 2017 në Sh.B.A, ofron mundësi arsimore për studentë të kualifikuar me origjinë shqiptare, që jetojnë në Ballkan, për të marrë asistencë bursash për studime në programe bachelor dhe master, që çojnë në një diplomë në kolegjet dhe universitet e Shteteve të Bashkuara.      Rreth RIT Kosovë (A.U.K)

Themeluar në vitin 2002, RIT Kosova (A.U.K) ofron një arsim të jashtëzakonshëm amerikan për studentë nga Kosova dhe bota përmes programeve inovative kurrikulare dhe kërkimore në një kulturë të përqendruar tek studentët. RITK gjithashtu mbështetet nga organizata bamirëse në Sh.B.A, “Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë,Inc,.”

Filed Under: Featured Tagged With: 40 Studente, FONDACIONI BIBERAJ, Instituti Teknologjik i Rocester

Fondacioni Biberaj, Nji Hap i Madh në Rrugën e Duhun

July 22, 2018 by dgreca

Nga  Sami Repishti/

1 Sami Repishti1

Ridgefield, CT.-Nji ngjarje me randësi ka entuziasmue bashkësinë shqiptaro-amerikane. Me 14 korrik 2018, mora nji mesazh nga kolegu i im i vjetër, Dr.Elez Biberaj, me të cilin më njoftonte formimin, nga familja e tij, të Fondacionit Biberaj “….për të mbështetur profesionistët shqiptarë”.

Dr. Biberaj vjen nga nji familje e persekutueme nga rregjimi kriminel komunist.

Niman Kadri Biberaj, xhaxhai i tij, u arrestue, torturue dhe dënue me burgim për “agjitacion dhe propagandë”. Me që nuk kishte vend për të dënuemët në burgjet e Kukësit, ai dhe rreth 60 të dënuemë politikisht nga Tropoja, u trasferuen në burgun politik të Shkodrës (1947). Shumica e tyne u dënuen si bashkëluftarë të grupit anti-fashist të kryesuem nga dëshmori i lirisë Ramë Muja, i Tropojës

Rastisi që Nimani të vendoset në dhomën Nr.9 , ku ishe i mbyllun edhe unë. U miqsuem shpejt. I shkathët, i vrullshëm, i pa fjalë, ai ziente përmbrenda nga nji ndjenjë që e mundonte shumë. “Burgu” më tha nji ditë, “nuk ashte për mue. Mali, po!” Unë buzëqesha, por e kuptova mirë. Në prill 1949, u ba nji falje e pjesëshme me ulje denimesh për nji grup katundarësh që besohej se ishin “të parrezikshëm për shoqërinë”. Në mes tyne edhe miku i im i ri. Sot, me kujtohet fjala e ndamjes: ”Jaran! “ më tha, “ në se arrestohem përsëri i gjallë, e meritoj burgun…. Veç due pak kohë, me shkue në shtëpi, me marrë pushkën e me dalë në mal….. Unë, i gjallë nuk kapem kurr!”

E ndigjova me habitje këte rrfim të guximshëm. Por në fëtyrën e Nimanit shihej qartë ndriçimi e nji zjarri të mbrendshëm që priste vetëm momentin me shpërthye. I lirë nga burgu ai kreu nji akt ndershmënie qe nuk e harroj; shkoi drejt në shtëpinë time me falënderue nanën që gjatë qendrimit të tij në burg pastronte rrobet tona nji herë në muej. Familjet tropojane ishin larg e të burgosunit tropojanë kanë vuejtë shumë, jashtë çdo mase. Disa prej tyne kanë vdekë, literalisht, nga uria. Me kujtohen dy vëllaznit Uka. U shuen fare ngadalë ngadalë. Sepse, deri në vitin 1951, në burgun e Shkodrës , jepej vetëm racioni 600 gramësh i bukës dhe uji…..!

Pake ditë ma vonë, erdhi lajmi se familja Biberaj në nji karvan të drejtuem e të mbrojtun nga vëllaznit Niman e Hysen Biberaj ishte arratisë në Jugosllavi- burra, gra e fëmijë bashkë me bagëti!. Mbas disa viteve, ata emigruen në Shtetet e Bashkueme të Amerikës (1968). Për 50 vjet të gjata, ata punuen, u arsimuen, e arritën sot me formue nji Fondacion bamirës. Në këte vend që ofron mundësi të mëdha erdhi edhe suksesi e përparimi. Breznia e re e familjes Biberaj u rrit, u edukue dhe korri suksese të mëdha akademike dhe ekonomike.

Tradita fisnike atdhetare e kësaj familje vazhdon! Ajo rrjedh nga patrioti Haxhi Zekë Biberaj i Pejës, (udhëheqës i dy kryengritjeve të viteve 1883 dhe 1896 kundër turqve në Kosovë , dhe i njohun në historinë e Shqipërisë  si ”atdhetar kosovar” dhe “udhëheqës i lëvizjes kombëtare në Kosovë)”. Sot, kjo familje vendosi të kontribuoj për vëllaznit e motrat shqiptare të hapësinës shqiptare në Ballkan, tue themelue  nji Fondacion dhe bashkë-financim (me nji fond fillestar prej 2.5 miljonë dollarë) për programin e nivelit Master – “për të mbështetur profesionistët shqiptarë”. Urime të përzemërta dhe sukses të plotë!

Financime për studime kemi edhe fondin e Federatës VATRA (edhe unë kam marrë nji ndihmë financiare), fond që vazhdon edhe sot. Kemi pasë edhe Fondacionin Peter Kole, nga Cleveland ,OH., por i kufizuem për studentë nga qyteti i lindjes, Pogradeci. Fondacioni Biberaj ashtë plotësisht modern dhe gjithpërfshirës.

*******

Gjesti i familjes Biberaj ka randësi të veçantë sepse ashte hap i madh i këtyne viteve të fundit në rrugën e duhun: fillimin e nji tradite bashkëkohore të kontributit vullnetar e qytetar për avancimin e arsimit, kulturës, artit e muzikës, biznesit dhe administrimit të tregëtisë; ashtë fjala për ndihmë kur krahu i qeverisë nuk arrin,

Fjala “Fondacion” (Foundation) teknikisht do të thotë themelimi i nji institucioni me përcaktime të sakta për mbajtjen dhe forcimin e tij.  Në esencë, ashtë nji “dhuratë” që bahet për këte qellim, me mbrojtë ose avancue qellimet e nji institucioni që synon të përjetësohet. Pikësynimi i institucionit të ri ashtë interesi publik ose domosdoshmënia shoqënore.

Në vitin 2016, Fondacioni Shqiptaro- Amerikan për Zhvilimin (AADF) u themelue me qellim “…për t’u dhenë profesionistëve të rinj shqiptarë dhe udhë-heqësve të ardhshëm nji mundësi të veçantë për të ndjekur studimet për nivelin Master, si dhe për të kryer praktika profesionale në fushët e Menaxhimit dhe Adminstrimit të Biznesit, Trashëgimisë Kulturore, Eko-Turizmit, dhe Mikpritjes, Arsimit, Teknologjisë Informative, Shkencave Kompjuterike, Politikave Publike dhe Administratës Publike,” spjegon komunikata e lëshueme nga Fondacioni Biberaj.

Me 14 korrik 2018, ky Fondacion shpalli Projektin e tij të parë, i cili konziston në bashkëfinancimin e Programit të Studimeve të Nivelit Master dhe Internship (MIP).. Z. Ken Biberaj, zadhanës i Fondacionit shton:” Familja Biberaj ndiehet e nderuar për të bashkëfinancuar me nji donacion prej 2.5 miljonë dollarësh…që u drejtohet profesionistëve të rinjë shqiptarë që synojnë të përparojnë duke studjuar në Shtetet e Bashkuara”. Ai shton:” Ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për suksesin që kemi arritur, dhe ndiehemi krenarë për trashëgiminë tonë shqiptare. Shpresojmë që ky program do të ndihmojë brezin e ri të studentëve shqiptarë drejt arritjes së suksesit të tyre akademik, duke përmbushur angazhimin për të ndihmuar më pas në shkëmbim shoqëninë e tyre shqiptare”.

Në komunikatën e Fondacionit theksohet mbështetja “….e mundësive për të ndjekur studimet e larta të studentëve shqiptarë nga Ballkani në institucionet amerikane. Pas studimeve, përfituesët e ndihmës financiare duhet të kthehen në vendin e tyre….”

Për  aspektin teknik të kësaj ndermarrje pozitive Këshilli Amerikan për Arsimin Ndërkombëtar (American Council for International Education) do të ndihmojë studentët për vendosjen e tyre në Shtetet e Bashkuara, dhe do të ndjekë përparimin e tyre akademik”, nji tregues i seriozitetit të punës së Fondacionit.

(Për informata të plota kërkoni në : http://mip:aadf.org)

*******

Fondacioni shqiptaro-amerikan themelohet me rastin e 50 vjetorit të emigrimit të familjes Biberaj në Shtetet e Bashkueme të Amerikës (1968-2018). Mbas largimit të detyruem nga shtypja qeveritare dhe për t’i shpëtue persekutimit komunist në Shqipëri, ardhja e tyne në Amerikë ashtë nji shembull i ndritun, dhe deshmi e gjallë e plotësimit të “Endrrës amerikane” (the American Dream), mishërimi i thanjes “Amerika të ofron oportunitetin me u zhvillue plotësisht (self-realization)”. Me punë, studim e ndershmëni, si qytetarë koshient të shoqënisë amerikane, individualisht dhe bashkërisht, anëtarët e familjes Biberaj zotënojnë sot bizneset e tyne dhe kanë ndjekë karriera të ndryshme që nga arsimi, teknologjia, drejtësia, sherbimi publik, financat, tregëtia, pasunia e patundëshme (real estate), filantropia, arti dhe aktivizimi në jetën politike të këtij vendi. Z. Hasan Biberaj ashte nji sukses i jashtëzakonshëm financiar, dhe pronar  i restaurantit të privilegjuem të New York-ut “Russian Tea Room”. Dr. Elez Biberaj, autor, ashtë sot nji figurë qendrore e grupit të intelektualëve shqiptaro-amerikanë. Z. Ken Biberaj, aktivist i Partisë Demokratike Amerikane asht nji yll në ngritje, dhe shpresa e jonë se ai do të jetë kongresisti i parë i bashkësisë sonë në Amerikë.  Të gjithë djelmt dhe vajzat e familjes Biberaj janë shembuj të admirueshëm për të gjithë!

Tetë fëmijtë e familjes Biberaj kanë krye studimet e tyne universitare në institucione prestigjoze të Amerikës. Ata besojnë në nevojën me mbështetë shoqëninë e tyne si nji cilësi qytetare e nivelit të naltë, dhe dëshirojnë që arsimi i naltë që u ashtë dhanë atyne nga prindët, të vazhdojë edhe tek të tjerët.

Dr. Elez Biberaj rrfehej pak ditë ma parë:”Ne mbetemi shumë të lidhun dhe jemi mirënjohës të prindëve tonë që na pasunuen me besimin e thellë në avantazhet e arsimit, punës së pandërpreme,  dhe mbështetjen e kontributet për bashkësinë tonë shqiptare”.

Njiqind vjet ma parë, Imzot F.S.Noli shkruente vjershën e tij lapidare: “Jepni për Nenën!”. Formimi i Fondacionit Biberaj ashtë përgjigja e jonë ma e mirë!

Urojmë që kjo frymë e naltë humanitare të përhapet dhe të përjetësohet tek breznitë e reja shqiptaro-amerikane.

================================================================

Filed Under: Featured Tagged With: FONDACIONI BIBERAJ, Sami repishti

FONDACIONI BIBERAJ, $2.5 MILION BASHKË-FINANCIM PËR PROGRAMIN E STUDIMEVE TË GRADËS MASTER

July 14, 2018 by dgreca

FONDACIONI BIBERAJ NJOFTON $2.5 MILION BASHKË-FINANCIM  PËR PROGRAMIN E STUDIMEVE TË GRADËS MASTER  TË FONDACIONIT SHQIPTARO-AMERIKAN TË ZHVILLIMIT PËR TË MBËSHTETUR PROFESIONISTËT SHQIPTARË/

1 biberaj foundation

Fondacioni Biberaj shpall mbështetjen me $2.5 milion të programit MIP të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, për të ndihmuar profesionistët shqiptarë që synojnë të ndjekin studime pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara.

Nju Jork, 14 korrik 2018 – Sot, Fondacioni Biberaj shpalli projektin e tij të parë, bashkë-financimin e Programit të Studimeve të Gradës Master të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Programi “Master’s and Intership” (MIP) është themeluar në vitin 2016 nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) për t’u dhënë profesionistëve të rinj shqiptarë dhe udhëheqësve të ardhshëm një mundësi të veçantë për të ndjekur studimet për gradën Master dhe për të kryer praktika profesionale në fushat e Menaxhimit dhe Administrimit të Biznesit, Trashëgimisë Kulturore, Eko-Turizmit dhe Mikpritjes, Arsimit, Teknologjisë Informative, Shkencave Kompjuterike, Politikave Publike dhe Administratës Publike.

“Familja Biberaj ndihet e nderuar për të bashkë-financuar, me një donacion prej $2.5 milion, Programin e Studimeve të Gradës Master të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, që u drejtohet profesionistëve të rinj shqiptarë që synojnë të përparojnë duke studiuar në Shtetet e Bashkuara,” tha Ken Biberaj, zëdhënësi i Fonadacionit. “Ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për suksesin që kemi arritur dhe ndihemi krenarë për trashëgiminë tonë shqiptare. Shpresojmë që ky program do të ndihmojë brezin e ri të studentëve shqiptarë drejt arritjes së suksesit të tyre akademik, duke përmbushur angazhimin për të ndihmuar më pas në shkëmbim shoqërinë e tyre shqiptare.”

Fondacioni Biberaj u krijua me rastin e 50 vjetorit të mbërritjes së familjes Biberaj në Shtetet e Bashkuara në vitin 1968. Pas largimit, duke i shpëtuar shtypjes së komunizmit në Shqipëri dhe mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, rasti i tyre është dëshmi e realizimit të “Ëndrrës Amerikane.” Përmes punës së vazhdueshme individuale dhe bashkë, përmes shpirtit sipërmarrës, anëtarët e familjes Biberaj zotërojnë sot bizneset e tyre dhe kanë ndjekur karriera që nga arsimi, teknologjia, drejtësia, shërbimi publik, financat, tregëtia, pasuri të patundshme, filantropi dhe arte. Ata besojnë në mbështetjen e shoqërive të tyre dhe dëshirojnë që mundësitë që arsimi i lartë u ka dhënë atyre, të vazhdojë tek të tjerët.

Misioni i Fondacionit Biberaj është të mbështesë mundësitë për të ndjekur studimet e larta të studentëve shqiptarë nga Ballkani në institucionet amerikane. Pas studimeve, përfituesit e ndihmës financiare duhet të kthehen në vendin e tyre dhe të punojnë për të forcuar themelet e shoqërive demokratike.

Këshilli Amerikan për Studime Ndërkombëtare (American Councils for International Education) do t’i ndihmojë studentët për vendosjen në Shtetet e Bashkuara dhe do të ndjekë përparimin e tyre akademik.

Informacione të mëtejshme për ndihmën financiare mund të gjeni në këtë faqe: http://mip-aadf.org.

Kontakte:
Mark Zielinski
American Councils for International Education
http://www.americancouncils.org
651-955-6114

Elona Xhaferri, Menaxhuese e Progrmait MIP, AADF
Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit
http://www.aadf.org/

 

Filed Under: Editorial Tagged With: 2, 5 milion, FONDACIONI BIBERAJ, Master, program studimi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT