• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një protestë historike e Gjergj Adhamit për kufijtë e Shqipërisë

January 21, 2017 by dgreca

Zoti Drejtor:Në cilësinë time të dyfishtë me origjinë nga Epiri dhe si historian, jam i detyruar t’i jap fund pështjellimit jo shkencor që shkaktojnë korrespondentë të njohur gazetash rreth emrave “Epirotë” dhe “Shqiptarë”, që nuk janë veçse sinonime po aq sa emrat “Francezë” e “Galë”, “Alemanë” e “Gjermanë” apo “Dojçë”, etj./

1 Fotaq-AndreaNga Fotaq Andrea/Gjergj AdhamiNë Foto:Gjergj Adhami bej Frashërit, alias Gaqo Adhamidhi (1859-1939), nga familja e ndritur e Frashëllinjve i njohur me pseudonimet Pano Bej Frashar apo Dr. Frassari Adamiti/

Është e njohur se Akti madhor historik i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u pasua nga një periudhë plot tollovi politike e shoqërore, sa në plan të brendshëm, aq edhe të jashtëm, kur copëtimi i trojeve të lashta të kombit shqiptar përbënte sërish një rrezik të ri, pas tragjedisë shqiptare që shkaktoi Kongresi i Berlinit i vitit 1878, që shkëputi nga trungu amë gjysmën e territoreve historike shqiptare.

Janë të njohura po ashtu figurat e Rilindjes shqiptare që mbrojtën fuqimisht të drejtën e kombit shqiptar për të jetuar i mëvetësuar në atdheun e lashtë iliro-arbëror. Veçse ka, për fat të keq në këtë mes, edhe figura historike që janë lënë gjer më sot në hije, kur meritojnë shumë më tepër dritë. Pale kur këto figura janë viktimë nofkash dhe etiketimesh ideologjike e dogmatike, pale thjesht letrare, nisur nga një optikë e kufizuar “bardhë e zi” e formës së prerë, që i fut personazhet historikë në kallëpet “i mirë a i keq”, jashtë frymës së kohës historike që ata vetë kanë përjetuar, dhe sidomos jashtë relativitetit shkencor.

I tillë është rasti i Gjergj Adhami bej Frashërit, alias Gaqo Adhamidhi (1859-1939), nga familja e ndritur e Frashëllinjve, i njohur me pseudonimet Pano Bej Frashar apo Dr. Frassari Adamiti, të cilin Çajupi, për inate veç personale (pse Adhami nuk e bëri dhëndër të tij!) do ta shndërronte në personazh qesharak, “Dr. Adhamuti” apo “Adham –Uti”, siç e shkruan këtë nofkë Dr. Robert Elsie. Nuk po i hyjmë biografisë së këtij personaliteti të Rilindjes sonë, kur tashmë prof. Kristo Frashëri, ndër të parët, është ndalur posaçërisht te kjo figurë e nderuar patriotike. Doktor në shkencat mjekësore, fizike e historike, Gjergj Adhami Frashëri, intelektual me të paktën shtatë gjuhë të huaja (greqisht, latinisht, arabisht, osmanisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht), ishte në shekullin XIX një anëtar aktiv i bashkësisë shqiptare të Egjiptit, përkrah Mihal Turtullit e Leonidha Naçit, duke zënë edhe postin e rëndësishëm të mjekut personal të Abasit II nga dinastia e Mehmet Aliut. Pas Luftës I-rë botërore e shohim ministër të financave në qeverisjen e Turhan Pashë Përmetit dhe më pas, Kryetar të “Këshillit Kombëtar shqiptar”, një shoqëri kjo patriotike e diasporës shqiptare në Gjenevë, si dhe përfaqësues të Shqipërisë në Shoqërinë e Kombeve. Nga ana profesionale, e shohim gjithashtu edhe profesor të jashtëm në Universitetin e Lozanës.

Kaq dihet për të përgjithësisht. Por kohët e fundit na ra në dorë një shkrim i tij në gazetën më të vjetër franceze Journal des Débats (politiques et littéraires), e datës 27 shtator 1913. Artikulli  pason kronikën “Nga dita në ditë – Punët e Shqipërisë”, lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri e Ballkan. Po e japim më poshtë këtë artikull me përkthim të plotë, si një dokument që pasqyron jo vetëm qëndrimin patriotik të kësaj figure historike, por edhe argumentimin shkencor e historik që Dr. Adhami i bën çështjes së kombësisë shqiptare të Epirit, me një erudicion të tillë për ta pasur zili.

Po ashtu, na ka rënë në dorë edhe referati i tij me 50 faqe libër “Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët”, botuar në Buletinin e Institutit egjiptian, nr. 3 të vitit 1903. Nisur nga interesi i lexuesit shqiptar për çështjet para-ilire e pellazgjike, po i bëjmë një recension të shkurtër, në pritje për ta botuar të plotë si përkthim.

Ky referat, siç vë në dukje edhe prof. Kristo Frashëri, është një përgjigje shkencore e Dr. Gjergj Adhamit ndaj pikëpamjes së filologut grek Dr. Apostolidès, i cili mbronte tezën se “Pellazgët u helenizuan tërësisht, u përthithën nga Helenët”. Që në fillim të studimit të tij, Dr. Adhami i kundërvuri këtij konkluzioni të gabuar argumentimin shkencor se “Pellazgët nuk u përthithën nga raca e vogël helenike, racë edhe vetë kjo pellazgjike, por vazhduan të mbijetojnë gjer në ditët e sotme, quajtur me emrin Shqiptarë, pasuesit e tyre”. Autori nuk mungon me këtë rast të nënvizojë se i janë dashur njëzet vjet studime të thelluara për të ndërtuar të plotë historikun e Pellazgjisë (që e cilëson “Perandoria pellazge”), si një qytetërim i lulëzuar, i përbërë nga fise (të cilat i quan “popullata”) të ndryshme, me një gjuhë të përbashkët pellazge, por në dialekte të ndryshme.

Studimi ndahet në dy pjesë: kreu historik me 15 faqe dhe kreu linguistik me 35 faqe. Argumentimin historik e mbështet tek autorë të lashtë greko-latinë (Homer, Herodot, Heziod, Eskil, Strabon, Tuqidit, Plin, Tit Livi, Ptolemeu etj.) dhe argumentimin gjuhësor tek mori filologësh modernë (si Berger, Müller, Benloew, Robstein, Humbold, Liebnitz, Thunmann, Masci, Malte Brun, Leake, Arndt, Assemann, Pouqueville, Nicoclès, Xylander, Bopp, Meyer, Schenider, Hahn et Falemerayer), krahas filologëve shqiptarë Thimi Mitko, Naim Frashëri, Sami Frashëri, të cilët ai i cilëson autorë “shqiptaro-epirotë”.

Pasi jep një vështrim panoramik të “perandorisë pellazgjike” me qytetërimin e saj, alfabetin, artet, lidhjet me Fenikasit dhe Egjiptin e lashtë, Dr. Adhami del në konkluzionin se “tërë Jonianët e lashtë janë pellazgë”, se edhe vetë Thesalia quhej më parë “Pelasgiotis” dhe se Dorët, Dolopët, Perebët, Driopët, Kranaojët, Lelegët, Sikulët, Abauzët, Etruskët, Trishët, Dardanët, Tenerët, Helenët, Etolët, Arkadët, Epiro-Maqedonët dhe Iliro-Maqedonët, krahas mori popullatash të tjera më arkaike (Argeojët e Danaojët e “Iliadës”), të gjithë ishin pellazgë, me amalgamë emigrimesh, me dhënie e marrje me shoshoq, me përplasje, shkrirje, por edhe me “mëvetësim” e “izolim”, duke u cilësuar më pas si “popuj barbarë”.

Për Dr. Adhamin, është Homeri ai që pasqyroi të lavdishmen pellazgjike para-helene me “Iliadën” dhe “Odisenë”, duke ‘”përjetësuar kështu homogjeneitetin e idiomave dhe të qytetërimit pellazgjik në një gjuhë që përmban ende embrionet e dialektit eolian të krejt këtyre popujve arkaikë”. Në Luftën e Trojës, vëren ai (duke cituar Strabonin e Tuqiditin), morën pjesë mori popullatash pellazge dhe asnjë nga popujt e perandorisë pellazgjike nuk konsiderohej barbar, por të gjithë përdornin dialekte të përngjashme. Ai i sheh me origjinë të përbashkët Dardanët e Ballkanit (të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë) me Dardanët e Azisë së Vogël të Hellespontit, të quajtur ndryshe “Ngushtica e Dardanëve” apo e “Dardaneleve”. Trajton paralelisht karakteristika të feve pagane dhe çështje të mitologjisë pellazgjike, duke cituar Herodotin që vinte në dukje se “tërë perënditë e Pellazgëve u “importuan” në Egjipt” dhe se vetë Helenët huazuan tërë perënditë e tyre nga Pellazgët, sipas teogonisë së Heziodit, i cili nuk mungonte të nënvizonte se Grekët, si një racë e trungut pellazgjik, i hynë e asimiluan që në fillim kultin pellazgjik, e mbi të gjitha asimiluan alfabetin pellazgjik, që kishte depërtuar tek Pellazgët nëpërmjet Fenikasve, për arsye tregtie e kolonizimi, alfabet që edhe vetë Fenikasit e kishin huazuar nga egjiptianët. Përmend me këtë rast  Diodorin kur thotë se “germat pellazge i shërbyen Helenëve si alfabet”. Në këtë përfundim del edhe filologu modern Berger i Shoqërisë linguistike të Parisit.

“Por, vë në dukje Dr. Adhami, gjashtëdhjetë vjet pas rënies së Trojës, fizionomia e perandorisë së madhe pellazgjike do të ndryshojë: Helenët do të shfaqen në skenën e Historisë, dhe me qytetërimin e tyre shpërthyes do të ndriçojnë vetë emrin e Pellazgëve, pa mundur t’i përthithnin (absorbonin)…” Helenët nuk mundën të helenizojnë as Etolinë, as Akarnaninë, që ruajtën idiomën e tyre pellazge. Edhe në vetë Athinën, siç thotë Herodoti, shohim Pellazgët e Atikës të flisnin dialektin e tyre arkaik, të ndërtonin muret e Akropolit dhe … të dëbuar nga Atika strehohen në ishullin e Lemonsit, që kishte mbetur krejtësisht pellazgjik deri në kohën e Miltiadhit. Nga ku,  rrjedhimisht, mbishkrimi pellazg i Lemnosit, me alfabet eolo-dorik të pellazgëve të Kiprosit para-helen.

Popullatat pellazgjike nisin kështu të shpërndahen e të cilësohen barbare, ngaqë nuk flisnin helenishten dhe “Vendi i origjinës së Helenëve, Epiri, Iliria, Maqedonia u quajtën barbare, duke u përjashtuar edhe nga këshilli i amfiktionit” (të Delfit) i quajtur ndryshe “Lidhja e shenjtë greke” gjatë antikitetit grek.

Në këtë mënyrë, del logjikshëm konkluzioni i Dr. Adhamit se “Pellazgët, në pjesën më të madhe nuk u asimiluan nga vëllezërit e tyre Helenë dhe se mbijetojnë edhe sot e kësaj dite nën emrin Skypëtarë… duke ruajtur edhe gjuhën e tyre pellazge“. Dhe janë pikërisht Iliro-Epirotët dhe Maqedonët e lashtë ata Pellazgë barbarë që Aleksandri i Madh diti t’i afrojë me Helenët nën skeptrin  tij, për të pushtuar Orientin me forcën e falangave të tij pellazge dhe me ndriçimin mahnitës të dijetarëve helenë.

Pa u ndalur në kreun e dytë “Linguistika” të studimit, që përbën kockën e fortë të argumentimit shkencor të Dr. Adhamit në bazë të metodës së gjuhësisë së krahasuar (tek vë njëkohësisht në dukje se shqipja, si gjuhë e lashtë pellazge, e ka të theksuar etimologjinë njërrokëshe të leksikut themeltar të saj), si dhe në bazë të tipologjisë mitologjike e zakonore pellazgo-shqiptare, le të shohim drejtpërdrejt artikullin e dijetarit Gjergj Adhami alias Gaqo Adhamidhi. Theksojmë nga ana tjetër se në fund të artikullit, autori shpreh qëndrimin e tij kundër Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, duke qenë në divergjencë pikëpamjesh me ta, sikurse ndodhte rëndom me shumë figura politike të Rilindjes që janë përplasur keq me shoshoq, me akuza të ndërsjella të tipit “filo” a “pro” “grek”, “turk”, “serb”, “italian”, “austriak”, etj. sëmundje kjo kronike e figurave politike shqiptare, nisur nga interesa të caktuara, që jo vetëm dëmtonte rëndë secilin prej tyre individualisht, por dëmtonte edhe më rëndë e mbi të gjitha Çështjen e Madhe Kombëtare, atë pavarësi, aq shumë të mirëpritur, por edhe aq shumë të vonuar…

***

Kombësia shqiptare në Epir

Nga Pano Bey Frashar 

Artikull i botuar në gazetën franceze “Journal des Débats” (politiques et littéraires),

27 shtator 1913. 

Kemi marrë artikullin e mposhtëm rreth çështjes më të diskutuar në këtë çast, dhe aq shpesh trajtuar në mënyrë sipërfaqësore e të paragjykuar, lidhur me kombësinë shqiptare në rajonin  e kundërshtuar midis Greqisë dhe shtetit të ri shqiptar. [Hyrje redaksionale].

 Zoti Drejtor,

Më lejoni t’ju drejtohem juve duke ju lutur të botoni në gazetën tuaj me emër korrigjime historike e etnografike mbi të thënat e gabuara dhe rivendikimet e padrejta të grekëve ndaj provincave të Argirokastrës dhe Koricës në Shqipërinë jugore.

Në cilësinë time të dyfishtë me origjinë nga Epiri dhe si historian, jam i detyruar t’i jap fund pështjellimit jo shkencor që shkaktojnë korrespondentë të njohur gazetash rreth emrave “Epirotë” dhe “Shqiptarë”, që nuk janë veçse sinonime po aq sa emrat “Francezë” e “Galë”, “Alemanë” e “Gjermanë” apo “Dojçë”, etj.

Në tërë kohërat, Shqiptarët kanë qenë e janë thjesht epirotë dhe epirotët thjesht shqiptarë, gjë që do ta vërtetojmë me argumente historike të nxjerra nga autorë grekë e francezë.

Historiani i popujve ballkanikë, Choppin, përmend paragrafin e mëposhtëm të një historiani tjetër francez të shekullit XVI, Delplessis, që thotë: “Epirotët, të cilët quhen edhe shqiptarë, ashtu siç quhet epirot apo shqiptar edhe dialekti i tyre, e kanë origjinën nga popujt e lashtë…” Është pra e qartë se për autorët francezë, “Epirotë” e “Shqiptarë” janë sinonime, dhe se këtu është fjala për një dhe të njëjtën racë dhe se ky fakt, nga ana tjetër, vërtetohet në vazhdimësi nga udhëtarët anglo-francezë të shekullit të fundit [shek. XIX].

Për ta, Epiri nuk është veçse Shqipëria e Jugut dhe banorët e saj dallojnë midis tyre vetëm për nga feja, duke qenë se të gjithë kanë të njëjtat të dhëna të kafkës sipas studimeve të dijetarëve Virchow dhe doktor Hahn-it.

Emërtimi “shqiptar” nuk është përdorur veçse gjatë një periudhe të fundit historike për të njëjtat provinca që asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e Greqisë, por kanë qenë të qeverisura nga princër e mbretër të ndryshëm, nga të cilët vetëm njëri njihet në legjendat shqiptare: është fjala për Burrusin [Burrin] e Madh, që gjermanët e shqiptojnë në po atë mënyrë që e përmendin Plini dhe Justiniani “Burrus decibatur…”. Ndërsa Plutarku, duke e shtrembëruar këtë emër e paraqiti në formën “Pyrrus” [Pirro”]. Dhe kjo, ngaqë helenët nuk e shqiptojnë dot germën “B”.

Shqiptarët banonin në Epirin e poshtëm apo Epiri i vjetër (Shqipëria e Jugut) dhe Epiri i epërm (Shqipëria e Veriut) me doket dhe zakonet e tyre. Dialekti i tyre arkaik i karakterizon jo më pak nga forma e kafkës, e llojit unik e të saktë, aq mirë studiuar nga Virshow (oksiput i shtypur, me frontale shumë të dala), dhe këta përbëjnë një element etnik më vete, shumë të veçantë e të dallueshëm lehtë me shikim të parë.

Pohimi i Delplessis-it vërtetohet nga një dijetar arkeolog grek Nerutzos Bey, mjek në Egjipt, që ka studiuar kolonitë shqiptare në Greqi e Itali, në shekujt IX-XVIII në bazë të traktateve të lidhura midis despotëve të Dy-Epireve dhe fisnikëve të Greqisë. Tërë këto marrëveshje të gjendura në arkivat e Venedikut tregojnë qartë se ishin këta fisnikë që tërhoqën epirotët e Dy-Epireve drejt rajoneve të ndryshme të Greqisë, shkretuar në atë kohë nga piratët. Këta emigrantë mbartën, së bashku me qen e bagëti, zakonet e tyre, toponimitë e vendeve të tyre të origjinës dhe gjuhën e tyre epirote, të cilën që e ruajnë ende gjer në ditët tona dhe dialekti i tyre është shqiptar, ashtu sikurse fustanella, kostumi i atdheut të tyre të lashtë, veshje pastërtisht shqiptare apo epirote që as që njihej më parë në Greqi. Kështu pra, Epirotët, që kishin jetuar në Dy-Epiret, dhe që kishin emigruar në Greqi nga shekulli IX deri në shekullin XVIII flasin ende shqip dhe quhen midis tyre “Arbër” apo “Alban”, domethënë Shqiptarë.

Robeinstein numëronte 700 000 shqiptarë epirotë në Greqi; këta e ruajtën dialektin e tyre shqiptar të Epirit gjer më 1870.

Shumë më parë se shekulli XVII, duka i Navarrës i shkruante mbretit të Francës: “Kam vizituar 700 qytete e fshatra të Moresë dhe kam vënë re se banorët, të gjithë Shqiptarë të fuqishëm e luftarakë mund të krijojnë një ushtri të shkëlqyer, e aftë për të dëbuar Turqit, të cilët nuk mund t’i durojnë më…” Është fjala gjithnjë për emigrantët e Dy-Epireve që flasin shqip dhe quhen me të njëjtin emër, ashtu sikurse lexojmë në një punim të doktor Apostolides-it, vetë ky një grek: “Janë pikërisht ata heronj shqiptarë që shfarosën sllavo-bullgarët nga Greqia duke rigjeneruar helenizmin e rënë, duke përgatitur luftën e vitit 1821 për pavarësinë e asaj Greqie që është vepër e racës së banorëve të Dy-Epireve, të Shqiptarëve”.

Të gjithë ata marinarë, Miauli, Kanari, Korintorioti, Topazi, Shaturi, Bonbuli, suljotët Boçari, Danglisët, etj.etj. janë Shqiptarë dhe ende përdorin dialektin shqip në vatrat e tyre, vazhdojnë të ruajnë emrat e fiseve e të bajraqeve të Dy-Epireve.

Shqiptarët e Sicilisë, të Napolit apo të Venedikut, me origjinë nga Shqipëria, e ruanin në kujtesë emërtimin e lashtë epirot; kështu, Shqiptarët e Shkodrës strehuar në Venedik kishin Shoqërinë e tyre të Shqiptarëve epirotë.

Më në fund, qyteti i Janinës, në çastin e marrjes nga Turqit, nuk numëronte më Grekë, siç dëshmon historiani i asaj kohe që thotë: “Turqit, duke hyrë në të, masakruan banorët dhe krijuan një piramidë me 3 000 koka të prera luftëtarësh shqiptarë. Nuk kishte Grekë. Vetë Greqisë i mungonin banorët dhe do të ishte shpopulluar tërësisht sikur kolonitë shqiptare të mos kishin shkuar në ndihmë”.

Nuk ka pasur kurrë emigrim helenësh në Epir, që prej kohës së Strabonit, i cili thotë: “Tërë krahinat në Veri të Greqisë, Epiri, Iliria, Maqedonia, kanë një gjuhë të përbashkët, doke e zakone të ndryshme nga ato të Grekëve”.  Dhe, siç do ta vërtetojë i madhi Müller, ata ishin të gjithë Shqiptarë apo Ilirë. Toponimitë Arta, Preveza, Suli, etj. a nuk janë pastërtisht shqiptare? Po mitologjitë e Mal-Tomorrit, a nuk janë me burim shqiptar? Por, nëse ne nuk kemi as edhe një familje greke në Epir, ne prapëseprapë, e kultivuam greqishten si gjuhë arsimimi e tregtie. Vetë ne, Shqiptarët ortodoksë të fesë greke, themeluam shkollën e madhe të Janinës që shërbente si fanar jo vetëm për Shqipërinë dhe për ishujt jonianë, por edhe për vetë Greqinë.

Fqinjësia dhe identiteti fetar na afronin me vëllezërit tanë në Greqi, të një gjaku me ne.  Patriarkana, falë këtyre privilegjeve dhe falë klerit të saj na tërhiqte drejt helenizmit, dhe persekutimet e qeverisë turke na largonin nga vëllezërit tanë myslimanë.

Kësisoj, në sytë e Europës, helenizmi krijoi e sajoi të drejta mbi ortodoksët shqiptarë epirotë të fesë greke, ndërkohë që vëllezërit tanë myslimanë të të njëjtit fis shqiptar që jemi, akuzohen sikur i përkasin një race tjetër barbare.

E megjithatë, sa e sa familje myslimane shqiptare mbajnë ende emra familjesh të krishtera! Dhe e pranojnë se jemi kushërinj me ortodoksët epirotë. Kështu, në familjen time, tepër e madhe në numër, kemi ende kushërinj të shndërruar në myslimanë, të cilët konsiderohen nga korrespondentët e gazetave franceze sikur i përkasin një race tjetër, ndërkohë që unë dhe vëllezërit e mi, si ortodoksë që jemi, duan të na cilësojnë si grekë të pastër.

Mjaft të kesh një shkollë greke e të jesh ortodoks që Francezët që udhëtojnë në Epir të na marrin për Grekë! Dhe as duan t’ia dinë nëse ime më nuk di një fjalë greqisht dhe kafka ime paraqet tipin më të pastër të kafkës shqiptare, kur edhe vetë tipi i vërtetë helen është krejt semitik dolikocefal, sipas studimeve të dijetarit grek Zambaco Pasha.

Mirëpo, për shovinistët e Athinës, si dhe për disa gazetarë, qoftë etnologjia, qoftë kronologjia nuk llogariten fare, dhe mjaft që metropoliti grek t’u thotë se filan fshat banohet nga të krishterë shqiptarë të përfshirë në dioqezën e tij, që menjëherë të na quajnë helenë.

Nga kjo pikëpamje del se u dashkan konsideruar gjithë rusët ortodoksë si helenë! Nuk ka gjë më të habitshme të lexosh në gazetat zyrtare të Parisit se në qytetin e Argirokastrës, atdheu im, pjesa më e madhe janë myslimanë, kurse pjesa tjetër përbëhet nga helenë. Ndërkohë që të krishterët e këtij qyteti i përkasin të njëjtave familje dhe mbajnë të njëjtat emra fisesh si myslimanët.

Në fakt, feja asnjëherë nuk ka ndryshuar qelizat e anëtarëve të një familjeje. Tek lloji njerëzor tiparet fizike nuk mund të ndryshohen me anë të ideve shpirtërore.

Por shpresoj se dushi i ftohtë i dollisë së mbretit Konstandin do ta moderojë ultra-filhelenizmin e shtypit francez, dhe se po ata Francezë që jetojnë në shpirtrat tanë prej nxënësish të shkollave franceze do ndryshojnë një ditë qëndrim për të mos shkuar më tej dhe për të kuptuar se raca që ka dhënë vetëm heronj, siç thotë Francezi Adrien, meriton më së miri simpati nga ana e atyre që   mbrojtën Mirditët e dikurshëm si Latinë.

E përfundoj se Epiri, që prej Strabonit, asnjëherë nuk është banuar nga tjetërkush përveçse nga Shqiptarët, dhe jam gati të grish cilindo të vijë e të më tregojë makar dy familje të vërteta greke në qytetet shqiptare që njoh, si Përmetti, Argirokastra, Leskuviku, Koritza. Dhuroj 50 000 franga për cilindo anëtar të komisionin ndërkombëtar që do arrij të më gjejë dy apo tre familje që ta kenë me të vërtetë origjinën nga Greqia e të mos jenë shqiptare.

Nuk e kam fjalën për emigrantët e rinj ardhur nga Greqia, as për ndjenjat ultra-filhelene  që tregojnë shumë nga bashkëpatriotët dhe të afërmit e mi të krishterë shqiptarë nën presionin e klerit dhe nën kërcënimin e thikës së fituesit, por edhe nga frika se mos bien përsëri nën sundimin e një Ismail Beu pasuar nga Issa Bolatinaci me pisqollat e tij.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fotaq Andrea, Gjergj Adhami, kufijtë e Shqipërisë, proteste

Një portret i panjohur dhe i papritur i Skënderbeut

January 17, 2017 by dgreca

Me rastin e 549 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më 17 janar 1468./1 skenderbeu21 skenderbeu1 DonicaNga Fotaq Andrea/

Asnjëherë deri më sot, publiku artdashës shqiptar nuk ka parë një portret të tillë të Skënderbeut me simbolikë tepër të fuqishme: Heroi ynë kombëtar mban mbi krye përkrenaren e tij karakteristike me kokën e dhisë me brirë dhe, pikërisht mes brirëve, mban edhe kryqin e shenjtë të Jezusit, simbolin e krishtërimit, mjetin shpirtëror për shpëtimin e njerëzimit.

Na erdhi papritur ky portret i Gjergj Kastriotit si “dhuratë” e urim për Vitin e Ri nga i Përndrituri At Artur Liolin, kancelar i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, dhe po e botojmë sot, në këtë përvjetor të amshimit të Kryeheroit tonë, nderuar nga Vatikani me titullin e lartë “Mbrojtës i Krishtërimit – Atlet i Krishtit”. Në letrën shoqëruese që na e përcolli Znj. Neka Doko, konservatore e Bibliotekës Fan Noli në Boston, At Liolini na shkruante më 26 dhjetor 2016:

” I dashur dhe i nderuar Zoti Andrea,

Shpresoj se gëzoni stinën e shenjtë të Kërshdellave në lumturi dhe prisni Vitin e Ri me shëndet. Ju falënderoj nga zemra për studimin tuaj në veprën e gjerë dhe të larmishme për Gjergj Kastriotin ~ një dhuratë për bibliotekën tonë që na pasuron. Jemi tepër mirënjohës.

Për interesin tuaj, viteve të shkuara, gjeta një artikull në revistën The Blue Book Magazine. Fatkeqësisht, isha në moshën e re atëherë, e tani nuk gjej dot datën e publikimit, por besoj se ishte në vitet 1950-të. Megjithatë, mbajta në arkivin tim dy ilustrime të Skënderbeut – fragmente që shoqëronin artikullin në fjalë (shiko të bashkëngjiturat). Ilustruesi ishte John Richard Flanagan – lindur në Sydney, Australi, në vitin 1895. Jetoi në Sh.B.A. duke fituar emër të njohur si ilustrues në gazeta të ndryshme dhe ndërroi jetë në vitin 1964. Në qoftë se nuk i kini parë këto vepra të zhanrit popullor (ku heroi paraqitet me veshje folklorike), shpresoj se do t’i gjeni interesante.

Mbetem …etj.

Arthur Liolin, Boston”.

Bazuar në këto të dhëna të At Liolinit, i brumosur, siç shihet, që në moshë mjaft të re me ndjenja patriotike, i hymë hulumtimit dhe zbuluam se dy gravurat e John Richard Flanagan-it ilustronin shkrimin Scanderbeg – Forgotten Great Captain (Skënderbeu – kapiteni i madh i harruar) shkruar nga Colonel Charles A. King dhe botuar në revistën The Blue Book Magazine, vëll. 90, 6 prill 1950, f.52-58.

Në pritje për të pasur këto ditë në dorë revistën, po e përqendrojmë vëmendjen tek ky portret i panjohur i Skënderbeut. Vëmë re se disa elementë të veçantë dhe mjaft domethënës e tipizojnë bukur figurën e tij emblematike. Gravura na e paraqet kështu Kryetrimin shqiptar në moshën e tij më burrërore dhe fisnike, 50-60 vjeçare, me vështrim të ngulët, por të rreptë, drejt horizontit malor nga dyndeshin hordhitë barbare. Shfaqet i mendueshëm e i vëmendshëm, krejt i përqendruar, e mbi të gjitha, me qetësi shpirtërore, paepuri e epizëm. Një mjekër mesatare e dendur, e hijeshon bukur portretin, tek mban mbi krye helmetën legjendare të Pirro-Burrit, sunduar nga koka e dhisë së shenjtë Amaltea dhe nga ai kryq aq i veçantë që lartohet në ajri, që tejshpon qiejt dhe përndrit e mbron shpirtrat. Kemi këtu një simbolikë unikale apo sui generis, ku harmonizohen brirët e dhisë me kryqin, me këtë simbol të përbotshëm të krishterimi, duke na e shfaqur Skënderbeun si një trim dhe tribun popullor, në kuptimin më figurativ të shprehjes së vjetër dhe të bukur shqipe “burri ynë me brina”, siç shpjegon prof. Dhimitri Pilika në librin e tij të vyer për lexuesin shqiptar Pellazgët, origjina jonë e mohuar.

Nuk është rastësi, e aq më pak çudi, që edhe në portretin më të hershëm të Donika Kastriotit nga gjermani Johann Theodor de Bry (shek. XVI) e shohim bashkëshorten e Kryetrimit shqiptar me kryqin e krishterë në gjoks teksa mes zbukurimeve florale e bestiare të portretit të saj, dallojmë sërish dhinë Amaltea, si një simbolikë e përbashkët lashtësore e çiftit Kastrioti. Por, çka e bën edhe më interesant portretin e Skënderbeut tek Flanagan është shalli tipik rugovas që mbështjell helmetën kastriotase, dhe që të kujton në çast portretin e famshëm të Bajronit me veshjen karakteristike shqiptare sipas tablosë së shkëlqyer të Thomas Phillips. Po përse pikërisht ky shall tek ky portret i Skënderbeut, me atë rënie të lirë të njërit skaj mbi supin e Heroit? Nuk ka dyshim se Flanagan kërkon këtu ta bëjë sa më tipike dhe sa më shqiptare portretin e Heroit tonë Kombëtar. Dhe për këtë, ai e “huazon”, të themi, shallin nga veshja e hijshme e Bajronit me kostumin e tij të “bijve të shqipes”. Kësisoj, Flanagan përjetëson grafikisht, në mënyrë mjeshtërore, lavdinë epokale skënderbejane, ashtu si  Bajroni, që i përjetësoi dhe i vuri shqiptarët në piedestal të Historisë me penën e tij gjeniale të pavdekshme dhe që Kastriotin tonë e quajti aq bukur “ky Aleksandër i ri, ky princ i kohërave”‘.

Nuk kemi të bëjmë aspak këtu me një çallmë, apo me turbanin e gjerë oriental, lëkundur majë koke në shesh të betejës dhe që shpesh binte përdhe. Përkundrazi. Kemi të bëjmë në portretin tonë me atë shall historik të ravijëzuar (zadrimor), quajtur “shallia e kësulës” që mbante lidhur kësulën apo kapuçin e burrave të malësisë në Shqipëri të Veriut, Kosovë e Mal të Zi. Është sivëllai i brezit të lashtë “me rrema”, që qarkonte disa herë belin për të mbajtur armët dhe që u pasua nga silahu. Edhe vetë rënia e lirë e njërit skaj të shallit mbi sup të Heroit përbën dukshëm një simbol krenarie që valëvitej si flamur nga era kur Kryetrimi shqiptar kalëronte në shesh të betejës. Por, le të themi, që po ky shall kishte nga ana tjetër edhe funksion të thjeshtë “shamie” për të fshirë djersët në ballë a gushë apo, pse jo, edhe për të lidhur plagët e luftës dhe për të ndalur hemorragjitë. A nuk jepet shpesh në portrete Skënderbeu me një shami poshtë përkrenares apo kësulës së tij? Sidoqoftë, bukuria e lidhjes mbi përkrenare e këtij shalli i jep mjaft epizëm dhe romantizëm portretit tonë skënderbeian, vendosur artistikisht mbi një sfond kështjelle dhe malesh arbërore të pamposhtura.

Ilustrimi i dytë i Flanagan-it na e paraqet Skënderbeun në krejt madhështinë e tij fizike e luftarake, drejtpërdrejt në ndeshje të rrufeshme me osmanlinjtë, me atë goditje të tij proverbiale që çante më dysh një dem apo një njeri nga koka në këmbë, siç thotë Barleci, i cili, me veprën e tij madhore u bë burim frymëzimi për mjaft autorë dhe gravuristë të huaj të shekujve XVI-XVIII. Shohim në këtë gravurë një Skënderbe “furtunë” përpara një pashai turk të çarmatosur dhe të zënë në befasi, që mbron kryet për të shmangur goditjen fatale. Dhe në diçiturën bashkëshoqëruese të gravurës lëçisim: “Firuz Pasha, luftëtari më famshëm i ushtrisë turke u vra nga vetë Skënderbeu”. Manteli valëvitës mbi shpatullat e gjera të Heroit shqiptar e shfaq Skënderbeun si engjëll me krahë, si vetë Shën-Gjergjin, emrin e të cilit ai mbante. Dhe përsëri, përballë gjysmë hënës në përkrenaren osmane të mposhtur, shohim të shfaqet e të lartohet hijshëm kryqi i shenjtë i krishterimit mes brirëve të dhisë mbi përkrenaren kastriotine, simbolika më e fuqishme e Kryetrimit tonë me përmasë sa kombëtare dhe europiane, kur Ai, “Mbret i Shqipërisë e i Epirit” u bë njëkohësisht edhe Mbrojtësi i vetëm i Krishtërimit dhe i Europës për një çerek shekulli me radhë, duke ndalur përparimin e perandorisë osmane në dyert e Europës e të Italisë, të asaj perandorie që ishte superfuqia dhe tmerri i kohës.

Sot, në këtë përvjetor të vdekjes së Kryetrimit shqiptar, që shënon njëkohësisht pragun e pesë shekujve e gjysmë lavdie të amshimit të tij, kujtojmë forcën dhe mjeshtërinë e fjalës së Konicës për Heroin tonë Kombëtar, kur thoshte: “Skënderbeu është Rolani i Shqipërisë; për njëzet e shtatë vjet, ai i kundërvuri një qëndresë fitimtare islamizmit pushtues të egër; Ronsëvoja dhe Kruja janë dy tempuj në Europë që Krishtërimi mirënjohës lypset t’i nderojë me pelegrinazhe të përvitshme. Europa, në atë kohë, as që e kishte atë guxim bukurosh që po na tregon tani; thjesht emri i turqve u kallte datën europianëve më të guximshëm. Mbarë bota ishte e pranishme duke u dridhur në luftën që bënin shqiptarët – domethënë Evropa – kundër turqve; papa nxitoi t’i dërgonte Skënderbeut titullin e bujshëm Mbrojtës i Kryqit”.

Dhe teksa gjeniu shqiptar Konica qëndiste këto fjalë për Heroin tonë Kombëtar te revista Albania në korrik 1897, miku i tij i ngushtë gjeniu francez Apoliner, do shkruante vite më vonë (1917) me penë të fuqishme për lavdinë historike shqiptare: “Çështja shqiptare u duket diplomatëve që rregullojnë fatet e botës tepër e vogël në krahasim me çështjet tepër të mëdha që i detyrohen vëmendjes së Gjithësisë së tronditur. Diplomatët e mëdhenj ndoshta gabohen. Ndoshta krejt të habitur do venë një ditë në Janinë a Krujë, kryeqyteti i lashtë i Skënderbeut, të vendosin me dorën plot emocion themelet e një Europe të Re.”

Ja kush është lavdia shqiptare, ja kush është lavdia skënderbejane nën penën Konica-Apoliner, lavdi që lypset të gdhendet me germa të arta në një monument të përbashkët të këtyre dy gjenive të Letrave frënge e shqiptare, në një kohë kur kori shovinist greko-serb vazhdon provokimet e rënda  ndaj lirisë dhe sovranitetit të kombit shqiptar në Kosovën dhe Shqipërinë e martirizuar historikisht, por të  mëvetësuara dhe të pavarura përfundimisht në trojet e tyre të lashta iliro-arbërore.

Në përfundim, falënderojmë edhe një herë publikisht At Artur Liolinin për dhuratën e bukur që na ka bërë me këto dy gravura të Flanagan-it, duke i uruar lumturi e përherë shërbesë fisnike në Kryekishën “Shën Gjergji” të Bostonit, themeluar nga Fan S. Noli si domosdoshmëri historike për një Kishë ortodokse autoqefale shqiptare.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: e i papritur, Fotaq Andrea, i Skenderbeut, Një portret i panjohur dh

Zbulim i rrallë në Letrat koniciane

October 15, 2016 by dgreca

Me rastin e Vitit kulturor Faik Konica shpallur nga Vatra/ 

Faik Konica alias Gjoni i Krujës me dy romane të reja,të panjohura deri më sot, “Martesa e Lejlës” – “Sotiri dhe Mitka”/

Print

 Nga Fotaq Andrea/

As më shumë e as më pak: ja sot, të studiuara dhe përkthyera, pas 115 vjetësh dy romane të reja të Faik Konicës, të shkruara drejtpërdrejt në frëngjisht dhe të nënshkruara “Jean de Kroïa” apo në shqip “Gjoni i Krujës”, një tjetër pseudonim i tij i ri. Kur tashmë, artikullin e parë në moshën njëzetvjeçare (1895) ai e nënshkruante “Tepeleni” në gazetën qendrore të Parisit “La libre Parole”, kur librin “Sur l’Education – 1898” (Mbi Edukimin) e firmoste “Trhank Spirobeg” dhe kur në kryeveprën e tij  “Essai sur les langues artificielles et naturelles – 1904” (Sprovë për gjuhët natyrale dhe artificiale) do të përdorte pseudonimin “Phyrrus Bardyli”. Romanet, që duhet të jenë shkruar në vitin 1909, në bazë të një analize të fakteve, janë botuar në vitin 1911, në Paris, në një vëllim të vetëm, me titullin përmbledhës “Le mariage de Leila” (Martesa e Lejlës), shtypur nga një shtypshkronjë e vogël, gjë që shpjegon edhe tirazhin e saj tepër të kufizuar, aq sa edhe Biblioteka Kombëtare e Francës, nga më të pasurat në botë, nuk e disponon një libër të tillë me tematikë të mirëfilltë shqiptare!

Është e vërtetë se zbulimet koniciane këto kohët e fundit kanë qenë të konsiderueshme, dhe dëshmon për këtë edhe libri ynë i ri “Faik Konica – Përlindësi Modern” që shoqëron si binom botimin më vete të këtyre dy romaneve të Konicës, të konsideruara tashmë nga studiues seriozë si “perla të Letrave shqipe”.

Mbase do mund t’i bashkëngjiteshin këtij zbulimi nga “miniera Konica” shumë epitete: i habitshëm, sensacional, pasionant, mahnitës, etj. etj. por cilësori më i përshtatshëm – mendojmë – do të ishte thjesht: zbulim “kyç – historik”, me vlera të rralla në Letrat koniciane dhe në letërsinë shqipe. Ngaqë për herë të parë, vetë autori Faik Konica alias Gjoni i Krujës i përfshin këto dy libra në gjininë e  romanit, ndryshe nga shkrimet e tjera letrare që i ka quajtur “novela” apo “përralla”.

Ja që mrekullia ndodh, në martesë me rastësinë. Sidomos kur i qepesh diçkaje për vite të tëra! Sepse krejt studimi ynë hyrës prej 100 faqesh libri vërteton katërçipërisht, me analizë të hollësishme historike, letrare, epistolare e dokumentare, se këto dy romanet të reja të Konicës mbajnë shtampën e tij të padiskutueshme identitare. Sepse sot, me mundësitë e mëdha që dhuron vetë shkenca analitike, ekziston një “skaner dhe skanim” për të zbuluar fijet dhe indet më të padukshme të një vepre, qoftë letrare, qoftë tablo pikture, qoftë çdo vepër tjetër artistike, e porositur, tjetërsuar, përvetësuar, shitur a më në fund, thjesht vjedhur. Të gjitha këto përbëjnë në shfaqjen e tyre të çuditshme vetë kompleksitetin e një prej enigmave mbushulli à la Faikio pasqyruar në këto dy romane me nënshkrimin aq domethënës Gjoni i Krujës.

Gjoni i Krujës. Një pseudonim i ri i Konicës, rilindësit gjeni, të paparit e të paarritshmit personalitet poliedrik në krejt fushat e Mendimit modern shqiptar, të përparuar e properëndimor. Kur asnjë shqiptar i kohës së tij, dje e sot, nuk arriti e nuk arrin të shkruajë, si Konica – dhe drejtpërdrejt në gjuhë të huaja -, Vepra madhore me tematikë ndërkombëtare, duke iu përgjigjur flakë për flakë kërkesave të intelektualitetit europian! Kur asnjë shqiptar nuk zotëronte e nuk zotëron erudicionin e tij brilant cilësuar nga epokali Apollinaire si “Enciklopedi lëvizëse”, si “Gjigand Argus e Briare”, me njëqind palë sy dhe njëqind palë krahë! Kur zotëronte me themel 16 gjuhë të huaja, nga më të lashtat deri te më modernet, dhe kur përkthente e botonte te KryeVepra “Albania” nga të parët rilindës tekste historike, filozofike, sociologjike, folklorike, për të hedhur themelet e albanologjisë moderne dhe të shkencave shoqërore, sa në shqip, aq edhe në frëngjisht për lexuesin e huaj.

Pa një, pa dy, ai ishte dhe mbetet, ndër të tjera, gjuhëtar i rrafsheve europiane, mbi të gjitha gjuhëtar me gur themeli në shqipen amtare, të cilën e lëvroi në dy dialektet gege dhe toske, duke iu përkushtuar që herët themelimit të ABE-së dhe rregullave drejtshkrimore të shqipes, të cilën e kërkoi (dhe punoi fort!) të njësuar, standarde e letrare, si domosdoshmëri jetike kombëtare. Në një kohë kur shqiptarët e fundshekullit XX ende jetonin “Jetën e Kurmit” dhe nuk e kishin në shkallën e duhur, vetëdijen kombëtare, pale atë shtetërore! Në një kohë kur ai ngulmonte për kombin modern shqiptar, për stërvitjen e tij mendore e intelektuale, si  i pari përlindës formuar e lulëzuar në Perëndim.

“Mjeshtër stili” – siç e cilëson simbolisti Remy de Gourmont, ndërkohë që gjuhën frënge “e njihte me themel, në krejt skutat e saj”, siç dëshmon shkrimtari Joseph le Maître, krahas orientalistit Léon Cahun, shkencëtarit Elisée Reclus dhe filologut Henri Bourgeois, pa folur për miqtë e tij të shumtë, si Apollinaire, Schneider, Pedersen, Legrand, Age Benedicte, Paul Nocquet, Alfred Bastien e deri te “Bodëleri amerikan” Benjamin de Casseres -, Faik Konica shkëlqen me këto dy romane të reja tek shpall që më 1909 modernitetin dhe europianizimin e mendimit shqiptar, tek injekton në shoqërinë europiane cilësitë më të larta morale, historike dhe bashkëkohore të shqiptarëve, tek i bën këta të ndihen sa qytetarë të Botës, aq edhe patriotë sipas shëmbëlltyrës së Sokratit e Gëtes. Ai ndrit dhe i ndrin plot aureolë atdhetare e kombëtare personazhet e veta të virtytshme, me patriotizëm të kulluar në mjedise sa shqiptare, aq edhe euro-atlantike, mes botës së biznesit, industrisë, artit e kulturës, me nderim e respekt të posaçëm për Institucionin e lartë të Punës dhe të Djersës së Ballit, sot nëpërkëmbur aq keq. Ai shkëlqen dhe e bën të shkëlqejë e ngadhënjejë virtytin shqiptar në shekuj, tek europianizon me gjuhë letrare e artistike, në parametrat e epërm të realizmit dhe simbolizmit, çështjen shqiptare shtruar për zgjidhje që pas Kongresit famëkeq e antishqiptar të Berlinit, në vazhdën letrare të Pashko Vasës me “Bardhën  Temalit”.

Por nuk është vetëm kjo. Shkrimi i tij, si shkrimtar profesionist i klasit të parë, shfaqet tek të dy romanet me gjuhë të qartë e të harmonishme, duke ndjekur parimin e ekonomizimit të fjalëve, plot thjeshtësi e natyrshmëri, gjuhë të dëlirë e të rrjedhshme, me baraspeshë letraro-artistike dhe plot befasi skenike. “Ngjarjet zhvillohen këtu, theksojmë në studimin tonë hyrës, me shpejtësi rrëmbyese, me dialogë elastikë e sintetikë, pa sforcime, pa përshkrime lumë. Vetë stili konician është ai lumë i vrullshëm alpin, që dhuron një shkrim gati-gati automatik, duke sjellë në çdo çast të renë e gjërave, të pritur a të papritur, por gjithnjë brenda kuadrit të njohur, sa klasik dhe realist. Personazhet hyjnë një pas një nga derë e vogël e së panjohurës dhe mizanskenave për t’u shfaqur të plotë në shtjellë e sipër të ngjarjeve dhe në mjedise të natyrshme e të zakonta për autorin”. E të mos harrojmë se tek të dyja romanet, me personazhe realë e realistë, autori si gjithnjë, thur e pasqyron vetveten ndër personazhet kryesore (Vangjeli dhe Dominiku), për të injektuar në shoqërinë shqiptare të kohës (por edhe të sotme) – ashtu si Dr. Gjilpëra -, virtyt, mirësi, urtësi, kulturë, vullnet, dashuri, shumë dashuri njerëzore, pa urrejtje, mëri, smirë, ligësi, pisllëk shpirtëror anadollak. Vesi dhe virtyti klasik, shprehur nëpërmjet antipodit të së mirës dhe së keqes (ashtu si në përplasjen e tyre të parë primitive), përbëjnë thelbin dramatik të këtyre veprave me zhvillime ngjarjesh skenike, gati teatrore e futuriste, por me “fluturime” të befta në kohë e hapësirë, në itinerarin Korçë-Vjenë-Trieste-Venecie, nga njëra anë, dhe Korçë-Boston-Xhejmstoun-Vlorë, nga ana tjetër, për t’u nisur kështu nga “pista atdheu” e për të përfunduar po kështu në “pistën atdheu”.

Me të drejtë botuesi i librit, pasionanti i letërsisë dhe i shkrimit modern shqiptar Krenar Zejno bën një vëzhgim analitik për të dy romanet, ku pyetjet që parashtron janë edhe vetë përgjigje, ku pikëpyetjet shndërrohet në pikëçuditëse të një pohoreje të fuqishme, që nuk lë shteg për hamendësim e mohim, por mbart bukur paralele xhojsiane, borgesiane, fishtiane, apolineriane, à la Balzac, Dostoievski apo Frenhofer, për të mbërritur hovshëm te klasiko-moderni Servantes, një ndër pesë baballarët gjeni botërorë nga ku lindën gjenitë e tjerë. Dhe Zejno i “Zenitit” që pohon për Konicën tonë: “Bukuri! Mirëpo, ajo çka më bën çudi në këtë shfaqje klasikemoderne nuk është te fetishizimi i traditës dhe hyjnizimit të së bukurës dhe virtyteve humane, por vetë kjo qëndresë stoike për sublimen dhe thelbin pakohë të vlerave; me aq pathos, po të kemi parasysh se, ndërkohë, rrymat e ç’hyjnizimit dhe vendosja si palë ndërluftuese me traditën po e shpallnin tashmë një plasdarmë mbarë arenën bashkëkohore të artit. Për cilindo, atë fillim-shekulli do mund të thuhej se ndofta ishte ende pak si herët për këtë pretendim, por ama jo për Konicën”. – Jo, patjetër, dhe s’ka se si! – do shtonim edhe ne, kur Konica i qëndroi stoik sublimes shqiptare në letërsi, i mëshoi në krejt Veprën e tij, me atë pendë-pallë të rëndë kundër anadollakëve e mendjeve shterpë, por gjithnjë pro së bukurës shqiptare ardhur që nga thellësitë e shekujve. Sepse, a nuk shkroi me të drejtë Xavier Deniau se “Atdheu shqiptar u krijua nga poetët”? Në fakt, po aq sa është e vërtetë që e bukura krijon art e letërsi, po aq është e vërtetë se në historinë tonë moderne, pikërisht e bukura poetike krijoi shtet. “Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, / Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu”! Është poeti që flet në rolin e ideologut atdhetar me thirrjen lapidar.

Nuk po i hyjmë analizës së romaneve. Thjesht e grishim lexuesin të meditojë para tyre si përpara një tabloje piktori a vepre skulptori. Nuk po i hyjmë rrethanave të zbulimit të këtyre romaneve, tek parapëlqyem t’i vulosnim që në ballinë me shtampën koniciane gjithë gjarpërinj. A nuk thoshte Konica se “Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit (dhe krejt anadollakët), më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe se miu”? Nuk po i hyjmë zbërthimit të rebuseve inteligjente të Konicës, as labirinteve që ai krijoi e ndoqi “për të nxjerrë e lëshuar nga dora” si gjënë më të rëndomtë këto dy romane mjeshtërore që ia besoi tjetër kujt, që i shiti te “prurësi më i parë” (princi Aladro Kastrioti) sipas formulës së dikurshme vendosur në kartëmonedha. Sepse një gjë duhet thënë me zërin plot: Konica i viteve 1895-1909, shkruante fort, por edhe botonte, shpërndante, shiste shumë (kujtoj këtu me respekt e nderim të lartë Ardian Klosin dhe librin e tij që mbarte në krahë librari më librari!), shiste gjithçka që shtypte vetë në shtypshkronjën e tij “Albania”, deri edhe te “Harta e tij e parë e Shqipërisë” dhe kartolinat me portretin e Skënderbeut. Ishte kjo një punë e tërë komplekse, patriotike e propaganduese me synime të larta e të shenjta atdhetarie, por edhe njëfarë mundësie minimaleske për të mbijetuar, në kushtet kur tërë pasurinë ai e bëri shtypshkronjë, “Shtypshkronjën Albania”, me art të përsosur tipografik dhe germa të rralla platini. Në këtë kuadër të gjerë rrethanor, bëjnë pjesë historikisht edhe këto dy romane të reja që ai i përgatiti në frëngjisht “për shitje”, ashtu sikurse do vepronte vite më pas edhe me veprën në anglisht “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, zbuluar nga atdhetari Qerim Panariti më 1957.

Le të shohim këtu, përmbledhtas, elementët tipikë konicianë (të cilët i kemi kaluar në “skaner” në studimin tonë) që vërtetojnë se këto dy romane janë të Faik Konicës:

Së pari, personazhet personifikojnë të afërm të rrethit familjar të Konicës (por edhe atë vetë), krahas një morie personazhesh skenikë që Konica i ka pasur miq apo i ka njohur nga afër. Te romani “Martesa e Lejlës” na shfaqen:

Lejla (personazhe kryesore), është mbesa e Faikut, vajza e Mehmet Konicës; Lejla trashëgoi simbolikisht emrin Laje, NënëMadhja Zeliha Delvina (Konica), pra nëna e Faikut dhe njeriu më i dashur i tërë familjes, që kishte mbaruar që vashë e re me bukuri lëkure të mermertë studimet në “Pensionatin e vajzave të Shën Mërisë së Sionit në Stamboll”, çelur që më 1856, dhe fliste një frëngjishte të përkryer e luante në piano (sipas të Madhit Sherif Delvina); Vangjeli (vetë Faiku) në moshë të shkuar, me cilësitë më të larta të shqiptarit të suksesshëm në rrafsh europian; Lezi Gjini, është Theohar Gjini, piktori shqiptar më i shquar në kohën e tij, që mishëron, ashtu sikurse e dashura e tij Lejla, cilësitë më të larta të shqiptarit, me talent të veçantë po në rrafsh europian; princi Aladro Kastrioti – pretendenti më i hershëm për fronin e Shqipërisë, strumbullari i manipulimit të dy romaneve, të cilin Konica e bën personazh pozitiv, pa kurrfarë qesëndisje, si një forcë e jashtme që ka synime të caktuara për të ardhmen e Shqipërisë së mëvetësuar, thjesht: për të “shaluar fronin e saj”. Fakt tepër domethënës: Aladro Kastrioti vdes nga infarctus ditën kur mori vesh se Komisioni shqiptar (ku bënte pjesë edhe Konica) dha pëlqimin dhe miratimin e kandidaturës së princit W. Wied për “Mbret të Shqipërisë”; Ernestina – është emri i kunatës së Faikut, gruaja e parë e Mehmet Konicës; Sulo beu – ka të ngjarë të jetë atdhetari Sulo Be’ Resuli; Mirashi, ka të ngjarë të jetë patrioti Vat Marashi nga Shkreli; togeri Fritz –  këtë emër Konica ia kishte ngjitur një prej turtujve të tij që mbante në kafaz, dhe për të cilin bëhet fjalë veçmas në epistolarin e Konicës me Apolinerin (le të kujtojmë syzogjtë Konica-Apoliner dhe pulat e Konicës metamorfozuar në minj nga Apolineri sipas stilit kafkian).

Te romani “Sotiri dhe Mitka” kemi si personazh kryesor Dominikun, emri i pagëzimit në fenë katolike të vetë Faik Konicës (rreth vitit 1894), personazh i pajisur me krejt cilësitë dhe virtytet e të riut shqiptar mbaruar studimet në Vjenë e Paris dhe që kthehet në atdhe (Vlorë) për të hapur fabrikën e parë të industrisë vajore si dallëndyshe e parë që paralajmëron pranverën industriale të Shqipërisë së ardhme europiane; Ekrem bej – janë të gjitha gjasat që ai të përfaqësojë të riun shqiptar Eqerem bej Vlorën, i cili, siç thuhet edhe në roman ndiqte studimet e larta në Vjenë; Sotiri dhe Mitka (në dualitet të dukshëm me Moskua dhe Toskua) – janë emra të zakontë shqiptarësh që mërguan nga të parët nga krahina e Korçës për në Amerikë, ku hapën klube e hotele, si dukuri më se e zakontë e shqiptarëve të kontinentit të ri; Gjergji, Guri, Trifona, Trimi – emra po ashtu tipikë shqiptarë nën penën e Konicës, si për t’i thënë lexuesit të huaj se edhe ne, si vend i lashtë europian, i kemi më se të zakontë emrat Georges, Pierre, Jean (Gjin e Gjon), etj., etj.

Por mbi të gjitha, romanet koniciane, në kuadrin e tyre sa realist, aq edhe dramatik, rrahin tema, subjekte dhe motive të parapëlqyera nga Faik Konica shkrimtar, si “dasma shqiptare”, “kostumi shqiptar”, “profesioni i berberit”, “gruaja dhe vasha shqiptare”, “muzika, koncertet, ballot dhe rinia e kulturuar” (kujtojmë Faik Konicën poliedrik edhe një “bon vivant” që di ç’është mbi të gjitha arti i të jetuarit”!), “gjuhët e huaja dhe pasuria kulturore”, “dueli” (Konica njihej si mjeshtër në skermë!), “pirja e duhanit”, etj. Shfaqen në romane jo vetëm personazhe shqiptare të rrafsheve europiane, por edhe mjedise të njohura përveçse nga Konica, që nga qarqet studentore të Sorbonës, Ecole Centrale dhe Quartier Latin (Paris), që nga liceu perandorak “Theresianum” në Vjenë, gjer te malësia e Vlorës, ku thëllëzat hanë “fara të veçanta” ushqyer me flladin e detit…

Në studimin tonë, vëmendje të veçantë i kemi kushtuar gjuhës, stilit, frazeologjisë koniciane, bukurisë të së shkruarit frëngjisht nga ana e tij, me penë të rrjedhshme, të këndshme, gjithë përsosmëri e saktësi gjuhësore, tek respekton në maksimum rregullat tepër të vështira të gramatikës frënge, mbushur me përjashtime. Po ashtu, ndërtohen në studim paralele letrare midis këtyre dy romaneve të reja dhe veprave letrare të mëparshme a të mëpasshme të Konicës, kryesisht paralele me veprën “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”.

Më në fund, për vetë faktin që njëri prej këtyre romaneve – “Sotiri dhe Mitka” –  është përvetësuar, përkthyer dhe botuar në spanjisht (gjithnjë në kopje tepër të kufizuara) nën emrin Juan Pedro Aladro, studimi dhe vetë romanet bëhen kësisoj edhe më interesantë, shtohet doza e intrigës dhe kureshtisë, kur prapa emrit Juan Pedro Aladro fshihet aventurieri “Aladro-Ladro” Kastrioti apo Markezi, e më pas Princi i rremë Kastrioti, apo “Skënderbeu i tretë” mashtrues në radhën kronologjike të pretenduesve që gjoja rridhnin nga gjaku fisnik i KryeHeroit shqiptar. Edhe pse shfaqet si personazh kryesor te “Martesa e Lejlës”, me të gjitha “mirësitë e princit babaxhan” që rrihte tepër larg në synime froni si “mbret i ardhshëm i Shqipërisë”, edhe pse personazh dytësor e në hije te “Sotiri e Mitka”, “Princ Kastrioti” na shfaqet në të vërtetë në romane, po edhe në fotot ilustrative që botojmë, si një biçim karikature e ambicies së vet të pathemeltë, si një lloj bufoni megaloman, gjoksfryrë me dekorata, me përkrenaren e Skënderbeut majë kaptine, viktimë e padijes, e injorancës dhe vogëlsisë shpirtërore, i vënë në lojë me mjeshtëri koniciane, tek “negativizohet” bukurisht nëpërmjet një lloj pozitivizmi naiv, infantil, haliçinues, thjeshtëzues, mes pretendimit absurd për të zënë fronin e Shqipërisë pa kurrfarë arsye e themeli, në mos duke përdorur forcën e parasë për të blerë e arritur gjithçka, deri edhe postin më të lartë, por duke i bërë dëm të konsiderueshëm çështjes shqiptare që po bënte përpara me hapa të shpejtë drejt pavarësisë së vendit.   

Gjithë thelbi i lojnisë koniciane, i këtij xhonglimit intelektual që Konica i bën Aladro Kastriotit, qëndron pikërisht këtu, po të kemi parasysh po ashtu edhe paralelizmin e dredhisë apo lojnisë së Vangjelit-Konicë te “Martesa e Lejlës” me pretendentët për martesë të Lejlës, austriakët Fritz e Teodor. Gjë që në mënyrë epistolare do të ndodhte edhe më pas, më 1911-1912, kur Konica përçon në Amerikë vlerat e simbolizmit europian, lidhet me shkrimtarin amerikan Benjamin de Casseres dhe zhvillon me të lojninë tashmë të njohur të dyshes Konicë-De Casseres me vetë Apolinerin, duke i dubluar figurat reale, por edhe vetveten në mënyrë kubisto-letrare, plot të papritura dhe dritë-hije.

Siç vëmë në dukje në pasthënie, zbulimi i këtyre romaneve koniciane është bërë në kapërcyell të viteve 2011-2012, por disa arsye subjektive e pengesa administrative nuk na lejuan t’i nxjerrim më parë në dritë për t’ia bërë të njohura publikut artdashës konician. E megjithatë, asnjëherë nuk na mungoi mbështetja e vazhdueshme e miqve dhe kolegëve të shumtë, e sidomos përkrahja e pinjollëve të familjes Konica, Nedo dhe Sherif Delvina, që dinë të falin aq shumë dashuri e fisnikëri. Vetëm kur “Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra” – themeluar nga binomi Noli-Konica, që është dhe mbetet themeli i fuqishëm i diasporës shqiptare në Amerikë e kudo -, u vu në dijeni të zbulimit të këtyre romaneve, do të bëhej e mundur që viti 2016 të shpallej Viti Kulturor “Faik Konica”, për t’u kurorëzuar edhe me botimin e këtyre librave të Konicës që i dhurohen sot lexuesit shqiptar, si dhe me çeljen në gjirin e “Vatrës” në Nju Jork, gjatë muajit nëntor, të ekspozitës “Faik Konica – Përlindësi modern”, me vepra dokumentare e artistike për rilindësin e madh. I drejtojmë publikisht mirënjohjen tonë Vatrës famëmadhe që mori përsipër sponsorizimin e këtyre romaneve, në emër të dashurisë së fuqishme që ushqejnë mbarë shqiptarët e Amerikës për Nolin dhe Konicën. Nga ana tjetër, me keqardhje, shprehim përsëri indinjatën tonë, si qytetarë të thjeshtë dhe si anëtarë të diasporës për keqmbajtjen e varrit të tij, përlyer e dëmtuar rëndë dhe mbuluar nga degët e pemëve duke cenuar figurën e Rilindësit Faik Konica, që shkëlqen e do të shkëlqejë si ylli polar i kombit modern shqiptar, i Pari Përlindës që parashikoi Shqipërinë europiane, drejt Perëndimit të përparuar.

Filed Under: Featured Tagged With: "Martesa e Lejlës", "Sotiri dhe Mitka", Faik Konica alias Gjoni i Krujës, Fotaq Andrea

Njeriu – Epokë Faik Konica

September 26, 2016 by dgreca

1-lazar-taci-gjeniu-faik-konica

Ne Foto: Llazar Taci: Gjeniu Faik Konica

Për europianizimin dhe modernitetin e kombit shqiptar/

– Parathënie e librit “Faik Konica, Përlindësi Modern” nga Fotaq Andrea –/

Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti.- Faik Konica./

Libri “Faik Konica, Përlindësi Modern” përfshin shkrime të viteve 2012-2016 përmbledhur në nëntitullin “Fletore koniciane”, me bosht qendror tipiken e Rilindësit Faik Konica: europianizimi dhe moderniteti i kombit shqiptar, si komb nga më të lashtët në kontinentin e vjetër, me identitet e vitalitet historik që meriton, pas shekujsh të tërë qëndrese e mbijetese, vendin e vet në  familjen e bashkuar europiane.

Që njëzetvjeçar, me një jetë plot përkushtim patriotik, dëshmuar me Veprën e fuqishme që na ka lënë, Faik Konica ishte dhe mbetet Njeriu–Epokë, strumbullari i intelektualitetit shqiptar,  me një mision të lartë fisnik: Edukimi i Kombit, apo siç shprehet ai “Stërvitja morale dhe sociale e popullit”, stërvitje mendore, botëkuptimore, intelektuale e kulturore. Nga ky këndvështrim, “Vepra Konica” na shfaqet si një Institucion, tërësi unikale, në të cilën ideja e tij novatore për modernitet e prosperitet shqiptar u desh të çajë, që në kapërcyell të shekujve XIX-XX, shtigjet e vështira të botëkuptimit obskurantist otoman, t’u mbijetojë paragjykimeve e besimeve, të fertilizohej në terren të përshtatshëm të lirisë dhe pavarësisë për të ardhur sot e sprovuar dhe më aktuale se kurrë, në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Duke pasur parasysh botëkuptimin e përparuar perëndimor, të cilin e ka pikë referimi, Konica e kishte më se të qartë se “problemi i Shqipërisë, më tepër se kombëtar, ish një problem moral… se ky popull, që të shpëtojë, ka nevojë më parë se çdo gjë tjatër, t’i stërvitet e t’i lartësohet karakteri, t’i zbutet e t’i çpastrohet zemra” (“Për stërvitjen morale e sociale të popullit”).

Kjo domosdoshmëri për qytetërim e përparim, parashtruar në mënyrën më të qartë dhe të prerë sidomos te “Katër përralla nga Zullullandi” arrihet, sipas shprehjes së Konicës, duke “përdorur artilerinë më të rëndë të trurit” për të dalë “nga qarku veskeq” i botëkuptimit të prapambetur shekullor. Me madhështi e forcë gjeniale, Ai kuptoi mbi të gjitha se “akti gjuhësor” ishte kushti sine qua non për emancipim e progres shoqëror, i bindur se gjuha shqipe, letrare dhe standarde, do të ndryshonte edhe botën e vjetër shqiptare, nisur nga postulati se “shkrimi ndryshon botën, letërsia ndryshon botëkuptimin”, ashtu si vetë lindja e shtypshkronjës moderne me Gutenbergun do të sillte një vështrim të ri mbi botën duke i çelur rrugën shkencës moderne dhe artit të të jetuarit. Andaj Konica, si askush rilindës tjetër, për “lërimin e mendjes”, për “bukën e mendjes”, për tjetërsim bashkëkohor të njeriut shqiptar, për kulturim e qytetërim të tij shoqëror, bleu si individ shtypshkronjën e vet “Albania”,  për të shtypur revistën “Albania” në rrugën “Albania” të Brukselit, shtypshkronjë me parametra të lartë të kohës, ku veç periodikut të tij trembëdhjetë vjeçar, shtypi “Historia e Shqipërisë” të Dom Ndoc Nikaj, “Jeta e Kara Mahmud pashë Shkodrës” nga Nasuf Beg Dizdari, “Jeta e Mustafë Pashë Shkodrës”, “Abetari i ghues shqip”, “Kalendari i Maleve” dhe një mori kartolinash me portretin e Skënderbeut.

I vetëdijshëm për vendin që lypset të zërë medoemos njeriu modern shqiptar në shoqërinë bashkëkohore, Konica si rrallë kush, nuk e kurseu fjalën e rreptë me gjuhën shpatë, për të goditur drejt e në zemër injorancën dhe prapambetjen pesëshekullore, tërë dukuritë shoqërore regresive, mentalitetin e ashpër dhe të zymtë anadollak, “pa shenjë njerëzie e qytetarie”, “mendjepalarët” e “ligëtarët”. Ai foli troç e açik, për zullu e Zullulland, pa lëshime e zbukurime romantike, vetëm e vetëm që të prekte fuqimisht në sedër e të tralliste mendjet e përgjumura që bënin “Jetën e Kurmit”, sipas shprehjes së tij, apo që thjesht jetonin fizikisht, të vdekur “mendërisht”. Në një kohë kur parashtrohej urgjente nevoja që shqiptari “të nisë të rrojë jetën e mendies” së zbukuruar – “jetën intelektuale” – përkrah popujve të qytetëruar.

Libri “Faik Konica, Përlindësi modern” lindi si një nevojë për t’iu përgjigjur në kohë, falë shkrimeve koniciane me theks aktual, shumë çështjeve të sotme në rend të ditës, zhvillimeve politike e shoqërore në rrafsh të brendshëm e të jashtëm kur, krahas punës hulumtuese që bënim në arkiva e biblioteka të huaja, ndeshnim në dokumente e fakte të reja që zbulonin shumë anë të panjohura apo të keqinterpretuara të figurës së Rilindasit shqiptar. Mbi të gjitha, ky libër lindi si një nevojë për ta bërë sa më të dashur figurën e Konicës në publik e në masë të gjerë, kur nuk mjaftuan pesëdhjetë vjet totalitarizëm për ta dënuar, denigruar e shuar zërin e tij shqiptar e extra-shqiptar, por kur vazhdohet edhe sot e kësaj dite nga antikonicianë të hazdisur e mendje të cekta dhe cinike të viteve ’80 ta përlyejnë e njollosin emrin e tij me terminologji të shpëlarë nga kuptimi apo më keq, me epitete të fjalorit brutal komunist, kur vetë Konica këto mendje zullape i ka dërrmuar e lipsur me kohë, që me Marsejezën e zulluve: “Ne jemi trima/Dalim nga vrima/Zëri i Zullullandit kur na thërret./Jemi luftëtarë pa frikë/Me shigjetë ose me thikë/Dora jonë e fortë vret”. E më tej: “Luftë për ca zuzarë/që u lindën shqipëtarë./Është turp për kësi krimbash/të mundohet një komb trimash”. Pandehin se po ulin figurën e të Lartit Konica me gjoja “analiza” pa kurrfarë morali dhe pa kurrfarë objektiviteti shkencor, por me qepje e arnime, me “thënie” e “kundërthënie”, me luftë “citatesh” e mendësi totalitare, pa depërtuar një grimë në shpirtin e thellë patriotik dhe pa respektuar mbi të gjitha “Statusin e nderuar të Rilindësit”. Në fund të fundit, thotë vetë Konica, “Bufonët jargaviten bashkë me pallavrat” dhe “Është krim të trazosh lumturinë e budallait”. Veçse vatranët dhe tërë shqiptarët e Amerikës, të cilëve u vlon në damarë dashuria për Faik Konicën, që ruajtën dhe vunë në vend amanetin e tij si gjënë më të shtrenjtë, duke i besuar Shqipërisë-Mëmë eshtrat e tij sipas testamentit të vyer që na la, kanë të drejtë të shqetësohen dhe të shprehin revoltën e tyre të ndershme për mosruajtjen dhe mosmirëmbajtjen e varrit të Konicës nga ana e shtetit shqiptar dhe e bustit të tij njollosur për turp nga antikombëtarë, dashaligë e shthuranakë, dhe i kërkojnë, në mënyrë të veçantë shoqërisë civile, të ndërhyjë urgjentisht dhe me forcën e shtetit ligjor për mbrojtjen e figurës së Rilindësit të Madh.

Libri ka për “dritare” të parë vitet kur djaloshi Konica, me bagazh të rëndë erudicioni dhe ndjenjë të fuqishme patriotike nis aktivitetin botues që me artikullin e tij “Shqipëria dhe Turqit” (1895), për të vijuar me botimin e periodikut “Albania”, një enciklopedi madhore e botës shqiptare e më tej, e krejt vlerave gjuhësore, historike, letrare, artistike, shoqërore e shpirtërore të kombit tonë që në hershmëritë e veta, përqendruar rreth figurës së “Babait të Kombit”, siç e quan Ai Gjergj Kastrioti Skënderbeun. Nis e kristalizohet kësisoj në periudhën 1895-1900 figura e Faik Konicës si gjeni i Letrave shqipe, kur në vatrën “Albania”, tek kalit vetveten, Ai mbledh e farkëton gati tërë plejadën e Përlindjes shqiptare, nga N. N. Naço, D. Hima e I. Themo, te L. Skëndo Frashëri, M. Toptani, N. Nikaj, P. Bardhi, F. Shiroka, H. Mosi, Asdreni, Çajupi, G. Skiro. K. Luarasi, M. Duçi e deri te K. Hoxhi, F. Noli, L. Gurakuqi, me shokë dhe plot emra të nderuar të Rilindjes. Gjen këtu e kështu mishërim vetë thënia e Nolit se “shqiptarizmin e mësuam nga Faik Konica”, se “Korrim drithën që ka mbjellë Faiku… [që]  ka punuar më tepër e më përpara se të gjithë ne… [se] sot e mot, korrim e do korrim drithën koniciane! ”

Në këtë libër, sjellim për herë të parë për lexuesin disa zbulime dokumentare, artikuj, letra e të dhëna biografike hulumtuar kryesisht në bibliotekat dhe arkivat e Francës dhe Belgjikës që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me jetën dhe veprën e Konicës. Janë përkthyer e botuar për herë të parë nga ana jonë artikulli “Shqipëria dhe Turqit”, libri “Mbi Edukimin”, “Letra drejtuar Apolinerit”, “Harta koniciane”, “Letër e Apolinerit drejtuar Konicës”, si dhe është hedhur dritë mbi almanakun “Kalendari i Maleve”. Po ashtu, jepen dhe analizohen me hollësi fakte të dokumentuara për jetën personale të Faik Konicës, për bashkëjetesën e tij me dy “miket e zemrës”, për praninë e djalit të tij Henrik Lohengrin beg Konitza, për konvertimin e tij në fenë katolike, për lidhjet e ngushta me botën shkencore, letrare, politike e shoqërore të Perëndimit, që nga orientalisti Leon Cahun e gjuhëtarët Louis Benloew e Pedersen, te shkencëtari Elisée Reclus, E. Legrand dhe te gjeniu epokal francez Guillaume Apollinaire apo shkrimtari amerikan Benjamin de Casseres. Zbulohen kështu anë të panjohura të tij që janë quajtur “enigma” koniciane, hulumtohet në thellësi në “minierën” Konica, sidomos në lidhjet e tij të ngushta me letërsinë klasike e moderne, me simbolizmin, artin dhe muzikën.

Erudit, poliglot, novator, polemist, vizionar, luftarak, stilist i rrallë me pendën-pallë, përherë me qëndrim vertikal e i paepur, Konica iku nga bota orientale për të hyrë në botën perëndimore, në botën e Letrave, të muzikës, artit dhe lirisë shpirtërore. Zgjodhi lirinë hapësinore për të çelur sytë e mendjes të një kombi të tërë, duke e pasur fjalën sintetike, me forcë tërheqëse, të urtë e të artë, të vyer e të shenjtë, siç vërtetohet te “Fletoret koniciane – Ju flet Faik Konica”. Hodhi kësisoj me “Albania-n” bazat moderne në krejt fushat e Mendimit estetik shqiptar dhe të Letrave, nga sociologjia te hartografia, duke lëvruar me sukses e pashembullti në shumë disiplina, konkretisht: gjuhësi, stilistikë, letërsi, kritikë letrare, përkthimologji, metodologji, bibliografi, folkloristikë, dokumentalistikë, pa lënë mënjanë historinë, politikën, psikologjinë dhe përgjithësisht kulturologjinë shqiptare. U ndal në mënyrë të veçantë në edukimin e fëmijës dhe të rinisë, e sidomos në emancipimin dhe rolin e gruas në shoqëri, duke pasur adhurim të skajshëm për gruan shqiptare si faktor themelor i emancipimit të shoqërisë patriarkale shqiptare. “… Gruaja, në Shqipëri, më tepër se gjetkë – thekson Konica -, ka një fuqi aq të madhe në formimin e ndjenjave dhe të mendimeve të njerëzies, sa ka qenë gjithnjë kundër islamizmit, se gruaja shqiptare, që në kohë të para, me një instinkt të pa-lajthitur [të pagabuar], ndjeu se islamizmi, me poligamien dhe me ndarjen (divorcin) – aq të lehtë sa mund ta çporrsh një grua të kanunëshme posi një shërbëtore – ish i rrezikshëm për të drejtat e gruas dhe shenjtërinë e familjes”.

Andaj Koncia adhuronte mbi të gjitha Nënën e vet, fisnike nga Familja e nderuar Delvina, për faktin se në vatrën familjare, siç na pohon Sherif Delvina, “ishte NënëMadhja Konica, e prirë drejt Perëndimit të përparuar europian, ajo që pati mendimin dhe këmbënguli që fëmijët e saj Faiku dhe Mehmeti të arsimoheshin në Perëndim!” Sepse e kishte të qartë përparësinë në botëkuptim që dhuronte Perëndimi i zhvilluar në krahasim me Orientin e prapambetur! “Ai ishte kush ishte: Djali i Zelihasë, që fliste gjithë mendje e pa frikë nga Perëndimi i vlerave!” më thotë plot dashuri për Faikun dhe me zë të ngrohtë ky Zotëri i madh që është Sherif Delvina. “Trashëgoi nga e ëma madhështinë, mençurinë, guximin për jetën dhe pasionin për të renë!” Për të lënë përjetësisht një gjë, atë gjë të vyer, me vlerë të pavdekshme: “Shqiptarizmin”, idealin për një Shqipëri të përparuar perëndimore!

“Dritare” e dytë për këtë libër përbëjnë shkrimet e Faik Konicës përzgjedhur kryesisht nga revista “Albania” me theks aktual. Përqendrohen kryesisht në tema madhore si lufta kundër dhunës e terrorit në krejt format e veta, nga fizike e verbale deri te fetare e ekstremiste; politikat politiciene pa taban e vizion (“politikanët – këta profesionistë të gënjeshtrës!”): politikat klanore, antikombëtare, bajraktariste e populiste; politikat atentiste, rrënjët dhe pasojat; korrupsioni në shoqëri dhe “klasa e pilafçinjëve dhe sharlatanëve”; mburrja, shpifja, arbitrariteti dhe pasojat e tyre; paprekshmëria e kufijve; politikat shoviniste dhe grabitqare të fqinjëve të Shqipërisë: zhvillimet socio-politike maqedone, e greke, aleancat e huaja në kurriz të kombit shqiptar; idealizmi si formë e lartë e patriotizmit, me ndjenjë të fuqishme kombëtare, me kulturë të lartë dhe përkushtim fisnik për kombin; vlerat historike shqiptare, pasuri për kombin shqiptar dhe për Europën (nga Skënderbeu te Bajroni, etj.) Janë këto disa nga temat madhore trajtuar në këtë libër, që zbërthejnë mbi të gjitha psikologjinë shoqërore në rrafsh kombëtar e ballkanik, për t’i çelur udhë përparimit të sotëm drejt familjes së madhe europiane të bashkuar, si një domosdoshmëri e kohëve moderne.

Më në fund, ky libër vjen si një binom i romaneve misterioze të Faik Konicës “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” që i kemi zbuluar e studiuar që në vitet 2011-2012, por që, për arsye të caktuara dhe në rrethana të ndërlikuara, nuk mundëm t’i botonim e t’i bënim më parë të njohura publikisht. Vetëm nxitja dhe mbështetja e fuqishme morale e miqve dhe e mjaft emrave të nderuar të botës shkencore e akademike shqiptare, mbi të gjitha e Federatës Panshqiptare “Vatra” na mundësuan të hidhnim hapin e parë në botimin e këtij libri dhe të dy romaneve të rinj të Faik Konicës, në kuadrin e një studimi më të gjerë për figurën e tij shumëpërmasore me konceptualitet themeltar për një shoqëri e komb modern shqiptar.

 

 

Fotaq Andrea

Shtator 2016.

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Fotaq Andrea, libri, njeriu epoke-Konica

PROTESTË PËR RIDËNIMIN E FAIK KONICËS NË TIRANË

September 23, 2016 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Studiuesi i njohur i Faik Konicës, z. Fotaq Andrea, sapo më dërgoi nga Tirana një mesazh për atë c’ka i kanë bërë bustit dhe varrit të Konicës, të shoqëruar me imazhe. E tmerrshme, një përdhosje e vërtetë.Shikojeni bustin original, shikojeni dhe gjendjen sot.Turp!

Gazeta Dielli shpreh indinjatën për atë c’ka ka ndodhë me bustin dhe varrin e Faik Konicës. A nuk ndjehen ndopak përgjegjës Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, Institucionet e mbrojtjes së monumenteve, shoqatat e ambentalistëve, drejtoria e Parkut Kombëtar ?

Vatra proteston për indiferencën e shtetit shqiptar, qe për mbi një vit janë qorruar e shurdhuar për të mbrojtur figurën e lartë të Konicës. Ky është një ridënim pas asaj që ndodhi gjatë regjimit komunist, që  e dënoi , dhe “pushkatoi” veprën dhe emrin e tij. Vatra ishte kontributore në riatdhesimin pas vdekjes të Konicës, duke riatdhesuar eshtrat.

Është e turpshme që Konica po ridënohet nga rrugacët, jo vetëm nga disa palo studiues, që po e përdhosin figurën e Konicës, Rilindësit të shquar, në emër  gjoja të lirisë së mendimit e të shtypit(turp për ato gazeta të Tiranës që hapin faqet e tyre për pseudostudiuesit antiKonicë) , por edhe nga rrugacet që duan ta paraqesin figurën e Konicës si “bandit”. Turp!

E pafalshme edhe për ambientalistët,që protestuan aty afër për betonizim e prerje pemësh, por “nuk vunë re ” mbi gati dy vjet monumentin e përdhosur e të përlyer të Konicës, kur në fakt disa individë me qëndrime politike ekstremistë kërkojnë edhe një herë në demokraci ,se si e si të godasin emrin dhe veprën e Konicës.

Qeveria para pak ditësh, me anë të ministrit ët Jashtëm Ditmir Bushati, e shfrytëzoi politikisht(për Samitin e Diasporës) marrjen në dorëzim të Shtampës së Faik Konicës, ndërsa mbyll sytë për cafrë po i ndodh Faik Konicës në Tiranë!

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Fotaq Andrea, perdhosja e Faik Konices

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT